Përkujtohet sot 101-vjetori i lindjes së aktorit të madh, Sandër Prosi. Ai lindi më 6 janar të vitit 1920 në qytetin e Shkodrës.
Familja e tij shumë shpejt u shpërngul në Tiranë. Megjithëse studimet e tij të larta i kishte filluar për stomatologji në Austri, ai arriti të gjente rrugën e vet në art duke u bërë pjesë e Teatrit Popullor, çka e ktheu atë në një personalitet në fushën e artit dramatik.
Sandër Prosi do të mbetet një figurë që bëri historinë e artit dramatik shqiptar.
Ai gjatë karrierës së tij të pasur artistike ka arritur ti japi jetë dhe të rikrijoj botëkuptimin dhe aparencën e disa prej figurave më të shquara sikurse janë Ismail Qemali, Dhaskal Todri, Jaho Labin, dr Kristo Borovën e shumë personazhe të tjerë.
Edhe sot shqiptarët e njohin edhe më mirë figurën e Ismail Qemalit nga rijetësimi i kësaj figure që Sandri i bëri. Ai ishte një mjeshtër i vërtetë i psikoanalizës. Ai depërtonte në mënyrë të thellë tek personazhi duke e zbërthyer dhe duke e sjellë me vërtetësi nëpërmjet monologut të brendshëm dhe depërtimit nën lëkurë të personazheve.
Ai interpretoj dhe krijoj më shumë se 80 figura gjatë karrierës artistike dhe për këtë arsye ai mori edhe shumë vlerësime si aktori më i mirë në shumë festivale filmi. Gjithashtu ai u vlerësua me titullin “Nderi i Kombit”, “Artist i Popullit” dhe Urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, pas vdekjes.
Sandër Prosi u nda nga jeta më 25 mars 1985, ndërsa ishte me xhirimet e filmit “Pranverë e hidhur”. /atsh/ KultPlus.com
Sa e sa burra kam dëgjuar të thonë se duan një grua inteligjente përkrah. Do t’iu thoja ta mendonin mirë.
Gratë inteligjente i marrin vendimet vetë, kanë dëshirat e tyre dhe vendosin kufinjë.
Ti nuk do të jesh kurrë në qendër të jetës së saj, sepse ajo merret më shumë me veten e vet, sesa me ty!
Një grua inteligjente nuk lejon të manipulohet, as të shantazhohet. Ajo nuk i gëlltit fajet dhe poashtu merr përsipër përgjegjësitë e saj.
Gratë inteligjente, diskutojnë, analizojnë, grinden, nuk kënaqen me gjithçka dhe kështu përparojnë.
Ajo grua që ka pasur një jetë para teje, e di se do të vazhdojë ta ketë edhe kur ti të largohesh.
Ajo të informon dhe nuk kërkon leje.
Këto gra, në çift, nuk kërkojnë një lider për ta ndjekur pas. Nuk duan të ndjekin askënd, e as t’i tregojnë rrugën askujt, duan të ecin përkrahë jush. Ato e dinë mirë se jeta pa dhu-në është një e drejtë themelore, e jo luks apo privilegj.
Një grua inteligjente është e lirë sepse ka luf-tuar për lirinë e saj. Nëse përpiqesh ta prangosësh ajo do të dijë se si të largohet. Mos harro se e ka bërë dhe më parë.
Gruaja inteligjente e di se vlera e saj nuk është trupi i saj e as ajo që ti bën me të.
Mendoje dy herë para se ta gjykosh për moshën, gjatësinë, “trashësinë” apo sjelljen e saj sek-suale, sepse gjykimi i tillë është dhu-në emocionale, dhe ajo e di këtë.
Prandaj, para se të hapni gojën për të thënë se dëshironi një grua inteligjente përkrah jush, pyeteni veten nëse jeni vërtet në standardin e duhur për të hyrë në jetën e saj. / KultPlus.com
Noli është nga ato figura komplekse që rrallë mund t’i kuptosh drejtë, pasi gjithmonë ka diçka të fshehur brenda çdo fjale. Në gjithë fjalimet që Noli ka mbajtur, është vlerësuar shumë realiteti që ai shpreh dhe mënyra e mendimit dhe perceptimit të tij.
Ndaj edhe sot do të flasim për një nga fjalimet e tij të mbajtur para Parlamentit të Shqipërisë në vitin 1924, ku tregon për pesë anarkitë që ka Shqipëria. Ja si shprehet ai:
“Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i të pesë anarkive:
E para, anarkia fetare: katër fe të ndryshme, që s’kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.
E dyta, anarkia sociale: këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë burxhoazie. Këtu bujku është më bej se beu, beu më bujk se bujku. Kini një shembull të bukur në Partinë Popullore, e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve dhe oxhakët më të vjetër, kur anëtarët e kësaj partie lëvdohen që kanë shpëtuar prej bejlerëve.
E treta, anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë forma dita-ditën si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.
E katërta, anarkia patriotike: këtu brenda në një ditë, si me magji, tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapardisen si patriotë të mëdhenj, ata që kanë lëftuar për “harfet” e për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartët e i kanë ndihmuar për të shkreptuar anembanë Toskërinë; këtu, si më thoshte një mik, është më mirë të jetë njeriu tradhëtor e të shikojë interesin e tij e të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh.
E pesta, anarkia e idealeve: këtu idealet janë të errëta, të shtrembëra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharës përfyten e përleshen në një luftë për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit; na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve.
Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, po jo t’i çqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë.
Herodoti na tregon se në betejën navale të Selaminës, një athenian kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte gjersa ia prenë; ahere e kapi me dorën e dorën e mëngjër; ia prenë edhe këtë; ahere e kapi me dhëmbë dhe s’e lëshoi gjersa i prenë kokën.
Sikur të ngjallej Herodoti përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë greke. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po dhe këmbët e trupin…”
(Pjesë nga fjalimi i mbajtur në Parlamentin e Shqipërisë në vitin 1924 por që tingëllon njësoj aktual edhe sot)/ KultPlus.com
Një infermier nga Torre Santa Susanna (Brindisi) shkroi propozimin për martesë për të dashurën e tij në kostumin anti-Covid që mban çdo ditë për punë.
Infermieri 32-vjeçar punon në departamentin e Pneumologjisë të spitalit Ostuni (Brindisi).
“Carmelì, do të martohesh me mua? Po, jo,” shkroi ai në pjesën e pasme të kostumit. Më pas e postoi foton në Facebook dhe etiketoi të dashurën e tij. Përgjigjja nuk vonoi shumë. Ajo u përgjigj me një po, përsëri në Facebook.
“Rezultova pozitiv me Covid, midis të parëve, në ballë të luftës kundër virusit dhe gjithmonë ndër të parët që vaksinohen – thotë infermieri – m’u përforcua ideja që jeta reale përbëhet nga gjëra të vogla dhe të thjeshta, të tilla si miqtë më të ngushtë, familja e origjinës dhe e ardhmja”. / KultPlus.com
Sot bëhen 133 vjet nga lindja e Fan Stilian Nolit. Regjimi zogist i rikthyer me të ashtuquajturën Fitoren e Legalitetit më 24 dhjetor të vitit 1924, e dënoi atë me vdekje në mungesë.
Programi i tij me njëzet pika për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, ndër të cilat edhe reforma agrare, ishte tejet i nxituar e idealist për një vend të prapambetur dhe pa tradita parlamentare.
Më vonë Noli i shkroi arsyet e dështimit të tij në një letër që ia drejtonte një mikut të tij anglez “Duke këmbëngulur tek reformat agrare, zgjova zemërimin e aristokracisë çifligare; duke mos i zbatuar reformat, humba mbështetjen e masave fshatare”, shkruan KP.
Ai u lind më 6 janar 1882 në Ibriktepe (turqisht për Qytezë), një fshat shqiptar në Trakë, jo shumë larg nga Edreneja.
Fillore dhe të mesme i kreu në gjuhën greke në Heybeliada, Stamboll. Gjithsesi, tek ai ndikoi më shumë krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip kundrejt ndikimit të mbrapshtë politik që donte të kishte Patrikana Ortodokse tek ortodoksët e kombësive të ndryshme, veçanërisht shqiptarët.
Në vitin 1900 shkoi në Greqi me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Në Athinë u lidh me një shoqëri belge, e cila zotëronte tramvajet me kuaj. Por nuk i eci mbarë, dhe as studimet nuk i kreu. Atëherë u hodh në punë të tjera si kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatrale shëtitëse që shfaqej dhe në skelën e Galatës. Tek punonte atje, iu ngjall dëshira për t’u marrë me dramaturgji duke shkruar dramën “Zgjimi”, në greqisht, (e cila u ndalua të shfaqej sepse aludonte për lëvizjen shqiptare për liri). Më 1903 shkoi në Egjipt, ku filloi punë si mësues i greqishtes për dy vjet (mars 1903-mars 1905). Kohë kur përkthen në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” që u botua në shtypshkronjën shqipe në Sofje. Në korrik-gusht të 1903, ai nisi të botojë të parat skica letrare në revistën “Numas”.
Në prill 1906, me një biletë avulloreje të klasit të dytë, paguar nga bashkatdhetari që kishte njohur n’Egjipt Spiro Dine, Fan Noli u nis për në Botën e Re duke kaluar nga Napoli dhe mbërriti në Nju Jork më 10 maj. Pasi ndenji tre muaj në Buffalo, ku punoi në një kombinat lënde drusore, Noli shkoi në Boston. Atje, botuesi Sotir Peci i dha një punë si zëvendës-redaktor i gazetës së Bostonit “Kombi”, ku punoi deri në maj 1907 dhe ku botoi artikuj me pseudonimin Ali Baba Qyteza.
Nga shkurti 1909 deri në korrik 1911 Noli botoi gazetën “Dielli”, zëdhënëse e bashkësisë shqiptare të Bostonit. Më 10 gusht 1911 ai u nis për në Evropë, ku ndenji katër muaj dhe kreu shërbesa kishtare në gjuhën shqipe për kolonitë në Kishinjov, Odesë, Bukuresht dhe Sofje.
Më 28 prill 1912, bashkë me Faik bej Konicën është ndër themeluesit kryesor të shoqatës pan-shqiptare Vatra (në fillim më 6 janar 1907 shoqatën “Besa-Besë” me sekretar Kol Tromarën, që u shkri me Vatrën) bashkë me organin e saj të shtypit “Dielli” i Bostonit, gjithashtu dhe “Shkopi” i Kajros që lëvizën kundër një artikulli të Mit’hat Frashërit në shtypin e Selanikut. Nga viti 1908 deri më 1912 kryen studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit, të cilat i përfundon me cum laude në Bachelor of Arts. Pas shpalljes së Pavarësisë, Noli përkrahu qeverinë e kryesuar nga Ismail Qemali. Në marsin e vitit 1913 ai mori pjesë, në Kongresin Shqiptar të Triestes, i organizuar nga shoku dhe rivali i tij Faik bej Konica.
Në korrik 1913 Fan Noli shkoi për herë të parë në Shqipëri ku mbajti shërbesën e parë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në vend më 10 mars 1914, në prani të princit Vilhelm Vid, i cili kishte mbërritur në Durrës vetëm tri ditë më parë me një anije austro-hungareze. Në gusht 1914 Noli qëndroi për një farë kohe në Vjenë, por me afrimin e reve të zeza të luftës, u kthye në Shtetet e Bashkuara në maj 1915. Nga 21 dhjetori 1915 deri më 6 korrik 1916, u bë përsëri kryeredaktor i “Diellit” të Bostonit, tashmë gazetë e përditshme. Në korrik 1917 u bë edhe një herë kryetar i Federatës Vatra. Në shtator të vitit 1918 Noli themeloi të përmuajshmen në anglishte The Adriatic Review (Revista e Adriatikut), që financohej nga Federata për të përhapur informacion për Shqipërinë dhe për kauzën e saj. Gjashtë muajt e parë revista u botua nga Noli, ndërsa më 1919, këtë detyrë e mori në dorë Kostandin Çekrezi.
Me zgjedhjet e mbajtura më 5 prill 1921 zgjidhet deputet i Kolonisë së Amerikës në legjislaturën e dytë (21 prill 1921 – 30 shtator 1923). Ai shërbeu si ministër i Jashtëm në qeverinë e Xhaferr Ypit, vetëm për pak kohë përpara se të dorëhiqej. Noli ishte kryetar i Partisë Popullore, e majta e asaj kohe, kundrejt Partisë Përparimtare. Përkrah Luigj Gurakuqit dhe Stavro Vinjaut është ndër oratorët më shpotitës të foltores parlamentare. Më 21 nëntor 1923, u shugurua peshkop i Korçës dhe mitropolit i Durrësit në Durrës, ndërsa më 27 dhjetor 1923 zgjidhet deputet i Korçës.
Më 1953, në moshën shtatëdhjetë e një vjeç, Fan Nolit iu dhurua shuma prej 20 000 dollarësh nga Federata Vatra, me të cilën bleu një shtëpi, në Fort Lauderdale Florida, ku vdiq më 13 mars 1965. Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, të Bostonit. Kisha Autoqefale që kishte krijuar u bë më vonë Kryedioqeza ortodokse shqiptare në Amerikë e Kishës ortodokse në Amerikë./ KultPlus.com
Shoqata e Gastronomëve të Kosovës thotë se diku rreth 11 mijë punëtorë e kanë humbur vendin e punës në këtë sektor si pasojë e pandemisë.
Arian Vranica, zyrtar i kësaj shoqate në një intervistë për Ekonomia Online tha që gjendja e sektorit të gastronomisë është mjaft shqetësuese ku sipas tij 89% e bizneseve kanë punuar me humbje të thellë, transmeton KultPlus.
“Gjendja e sektorit të gastronomisë deri më tani është mjaft shqetësuese, sipas raportimeve dhe hulumtimeve të realizuara nga shoqata e Gastronomeve të Kosovës ne kemi 89% të bizneseve që kanë punu me humbje të thellë deri në tetor të vitit 2020 ku 11% prej tyre kanë qenë të vetëm që kanë mund të kenë një lloj rentabiliteti”, tha Vranica.
Sipas tij nëse do të vazhdohej kjo situatë dhe pa përkrahje vetëm 2% e tyre do mund të mbijetonin pa ndihma ndërsa 13% prej tyre do falimentonin.
Mes tjerash Vranica tregoi edhe publikimet e disa të dhënave, ku më shumë se 64% kanë pasur rënie.
“Duke i konstatuar të dhënat publike kemi pasur më shumë se 64% rënie dhe kjo është mjaft sfiduese për neve sidomos duke pasur parasysh edhe mos mbështetjen me politikat fiskale pastaj kemi edhe Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike e cila zgjati më shume se 5 muaj”, u shpreh Vranica.
Ai tha që nuk është e nevojshme të vazhdohet me të njëjtat masa pasi numri i infeksionit ka rënë dukshëm.
“Numri i infeksionit ka rënë dukshëm, këto nuk përbëjnë asnjë arsye më shumë që të vazhdohet me të njëjtat masa mirëpo duhet të jemi më konstruktiv drejt lirimit të masave dhe tejkalimit të kësaj krize me pasoja sa më të vogla”, tha mes tjerash Vranica.
Ai madje thekson faktin që nuk ka pasur diçka konkrete dhe nga ana e Qeverisë nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.
I pyetur për kërkesat e tyre dhe mundësinë e ndonjë proteste Vranica tha që kërkesat e tyre nuk do t’i ndalin.
“Kërkesat tona nuk do t’i ndalim, presionin do ta rrisim tani më edhe me vaksinimin e shumicës se vendeve të BE-së, duhet të kemi përgjigje pozitive dhe sa më shpejtë të hyjë në fuqi edhe Ligji mbi dëmet buxhetore”, theksoi tutje ai.
Në bazë të statistikave të tyre ata konstatuan që më shumë se 42% të bizneseve që kanë raportuar që kanë larguar punëtorë nga puna. / KultPlus.com
Këngëtarët si Ilir Shaqiri, shembull, kanë sjellë në jetë këngë të cilat tregojnë për guximin e luftëtarëve kosovarë, si në UÇK e poashtu edhe më vonë, shkruan KultPlus.
KultPlus sonte ju sjellë këngën e njohur të Ilir Shaqirit, ‘Garda e Kosovës’.
2000 vjet te thërras lirinë, 2000 vjet e pres drejtësinë, mbrojta fis e far, emrin shqiptar. Sot e bej qiellin shami, veq dy gisht e lidh mbi sy, emrin tand KOSOVË, djepin iliri…
Jemi Garda KOSOVARE, krye lart sa këto male, zemrën DARDANI, gjakun SHQIPËRI. Jem KOSOVË kala me thinja, kush mi shkel trojet e mia, e bëj copë e grim, kush na prek lirinë.
Heeeeeejjjjjj, Garda jonë, zemra jonë forca e atdheut, besën e trimërisë, frymë e Skënderbeut, rrofsh e qofsh pergjithmon, trulli yne i ri, ketu ne Dardaniii…
2000 vjet e thërrasë lirinë, 2000 vjet e pres drejtësinë, mbrojta fis e far emrin shqiptar. Sot e bej qiellin shami, veq dy gisht e lidh mbi sy, emrin tand KOSOVË, djepin iliri…
Jemi Garda KOSOVARE, krye lart sa këto male, zemrën DARDANI, gjakun SHQIPËRI. Jem KOSOVË kala me thinja, kush mi shkel trojet e mia, e bëj copë e grim, kush na prek lirinë.
Heeeejjj, Garda jonë, zemra jonë forca e atdheut, besën e trimerisë, frym e Skënderbeut, rrofsh e qofsh përgjithmonë, trulli ynë i ri, ketu ne Dardaniii…
Garda jonë, zemra jonë forca e atdheut, besën e trimërisë, frym e Skënderbeut, rrofsh e qofsh përgjithmonë, Trulli yne i ri, këtu ne Dardaniii këtu ne Dardaniii…../ KultPlus.com
Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu i ka kërkuar falje Vjosa Osmanit pas deklaratës së tij ku tha se edhe po t’ia lëshonte vendin e gjithë Kryesia, Vjosa Osmanin nuk do ta nxinte.
Veliu tha se nuk ka pasur qëllim që ta fyej Osmanin dhe se nëse dikush është ndjerë keq për atë deklarim i kërkon falje.
“Qëllimi i deklarimit sot nuk ka qenë që ta fyejë sikurse është keqkuptu dekarata ime. Unë kam thënë që nuk e kam ditë që është aq sa t’i liroj vendin një kryesi e një subjekti politik. Nuk ka qenë qëllimi im ta fyej, gjithmonë kam folur në kontestin politik. Me thënë të drejtën jam ndje keq sepse e kam pasë edhe një pyetje a po e mendon kështu apo ashtu. Unë kam thënë nuk e mendoj në atë kuptim si më është bërë pytetja. Nëse dikush është ndjerë keq për atë deklarim unë mund të kërkoj edhe falje, nuk e kam fyer kurrë askënd në asnjë bazë”, tha Veliu në Debat Plus./ KultPlus.com
Ceremonia e çmimeve Grammy e paraparë për të mbahej më 31 janar, është shtyrë për shkak të rritjes së numrit të rasteve me koronavirus në Los Angeles, kanë njoftuar revistat “Rolling Stones” si dhe “Variety”.
Dy revistat duke cituar shumë burime kanë thënë se ceremonia që ndanë çmimet më të larta në industrinë e muzikës mund të organizohet në mars, njofton agjencia Reuters, transmeton KultPlus.
Los Angelesi është duke përjetuar një rritje të numrit të rasteve me koronavirus e po ashtu edhe të vdekjeve si pasojë e COVID-19. Spitalet janë të ngarkuara, ndërsa autoritetet kanë marrë masa kufizuese.
Organizatorët e Grammy disa javë më parë kishin thënë se po shikojnë mundësinë që ceremoninë ta mbajnë pa audiencë dhe tepih të kuq.
Dua Lipa është në mesin e këngëtareve që ka marrë më së shumti nominime për Grammy 2021. I ka marrë gjashtë sosh, sa Taylor Swift e Roddy Ricch. Kryeson Beyonce me nëntë nominime./ KultPlus.com
Ekspertët mjedisorë kanë paralajmëruar prej kohësh se toka po hyn në “eventin e gjashtë të zhdukjes së specieve” dhe ky realitet po bëhet më i qartë në 2020, teksa kafshë të panumërta tashmë konsiderohen të zhdukura.
Unioni Ndërkombëtar i Konservimit të Natyrës (IUCN) thotë në raportin e tij të fundit se ka në “listën e kuqe” të kafshëve të kërcënuara me zhdukje – rreth 35,765 nga 128,918 specie të listuara.
Edhe grupimi World Wildlife Fund (WWF) se popullata e kafshëve po reduktohet me ritme të shpejta prej shkatërrimit të ekosistemeve dhe dështimit të tyre në përshtatjen ndryshimet e botës.
Ndryshimet klimatike, aktiviteti njerëzor dhe faktorë të tjerë janë shkaqet e katastrofës natyrore.
Megjithse ka debate për atë që mund të përkufizohet si ‘specie e zhdukur’ ekzemplarët bazohen kryesisht në listën e kuqe të IUCN, e cila ndjek statusin e specieve.
Në të ne mund të gjejmë kafshë që nuk i kemi parë kurrë, per të cilat ekspertët tregojnë se cilat janë frikat e shpresat e tyre për të ardhmen.
Kështu ata thonë se shumë specie lemurësh janë tashmë të rrezikuara në mënyrë kritike.
E tilla është ‘bretkosa e shkëlqyer helmuese’, kafsha e vogël e kuqe nga Panama, e kërkuar për tregtinë ilegale të kafshëve. IUCN pranon se nuk e di nëse kafsha mund të jetë ende gjallë në koleksionet private.
22 specie të tjera bretkosash janë të rrezikuara në Amerikën Qendrore e Jugore, kryesisht si rezultat i sëmundjes së quajtur kitridiomikoza.
Jalpa, salamandra e burimit, që më parë ka qenë e zakonshme në Guatemala por nuk është parë prej dekadash. Femrat e saj që ruajnë vezët e tyre të pakta jetonin vetëm në rajonet e larta të Jalapa.
Fotot e tyre janë të pakta por Jalpa jetojnë në pemë, dru, dhe industria e drurit konsiderohet faktori kryesor i zhdukjes së tyre.
Mantis xhuxhmaxhuxh, është insekti që jetonte në rajonet qendrore të Italisë i konfirmuar sivjet si i zhdukur. Vetëm një ekzemplar i tij është gjetur disa dekada më parë në Tolentino, por mantis ka shumë nën-specie të cilat edhe ato janë të rrezikuara, sipas IUCN.
Lakuriqi Bonin pipistrel
Miu evropian i pyllit;
Shkencëtarët janë të habitur nga rënia e popullsisë së miut që jeton në Evropë e Rusi.
Femrat e tij lindnin më parë rreth 20 këlyshë në vit ndërsa tani vetëm pesë ose gjashtë. Ekspertët po hetojnë atë që ka shkaktuar ndryshimin por gjithsesi parashikojnë se kafsha e vogël është drejt zhdukjes për 20 vjet.
Lemuri i artë i bambusë
50 deri në 250 ekzemplarë të këtij lemuri kanë mbetur në botën e egër, dhe ata nuk janë lemurët e vetëm të kërcënuar nga zhdukja në ishullin e Madagascar, si rezultat i humbjes së habitatit dhe i diversitetit të botës bimore.
Dy delfinë lumi të species Irrawaddy në lumin Mekong në pjesën e Kamboxhias. Kjo është një nga vetëm pesë specie delfinësh lumi, të cilat janë të gjitha të rrezikuara nga zhdukja.
Së bashku me delfinët rosë të Amazonës, delfinët Irrawaddy dhe ato pa flatër kurrizi të lumit Jangtze, përballen me kërcënimin vrasës të digave elektrike, ndotjen dhe kapjet aksidentale.
Rinocerontët e Bardhë Veriorë janë tashmë thuajse të zhdukur teksa dy ekzemplarët e njohur janë dy femra, Najin dhe bija e saj Fatu –ato nuk mund të riprodhohen në mënyrë natyrale, përveç ndonjë mrekullie të shkencës.
Orangutangu Tapanuli është një specie e zbuluar vetëm në vitin 2017, dhe shkencëtarët menjëherë ishin të shqetësuar për shanset e tij të mbijetesës. Llogaritet se vetëm 800 individë ekzistojnë dhe nëse diga e planifikuar ndërtohet në habitatin e tyre, e ardhmja duket e vrazhdë./ KultPlus.com
Lemurët e kërcënuar nga zhdukja në ishullin e Madagascar, si rezultat i humbjes së habitatit dhe i diversitetit të botës bimoreRinocerontët e Bardhë Veriorë janë tashmë thuajse të zhdukur teksa dy ekzemplarët e njohur janë dy femraDy delfinë lumi të species Irrawaddy në Mekong në pjesën e KamboxhiasLemuri i artë i bambusëMiu evropian i pyllit
Shpërthimi i një bombole gazi brenda një restoranti në Ferizaj ka lënë 42 persona të lënduar, deri më tani. Viktimat kanë pësuar lëndime të ndryshme trupore dhe të paktën 14 nga ta kanë marrë djegie të shkallës së dytë. Në mesin e personave që kërkuan ndihmë mjekësore janë edhe dy fëmijë.
Gazetarët po përcjellin vizitat e zyrtarëve të shtetit, të cilët po vizitojnë të lënduarit.
Burri që po e nxirrte një grua me karrocë nga Emergjenca, kapet nga kamera tek e godet këtë të dytën në kokë.
Nuk kuptohet veprimi i burrit veçse shihet se ai i jep një goditje me dorë prapa kokës. Ndërsa, reagimi i gruas nuk dallohet qartë.
Video është shkëputur nga gazeta online Reporteri./ KultPlus.com
I shënuar pjesë – pjesë e në kohë të ndryshme përgjatë shtatë viteve libri ‘Alkoolistët Anonim’, tashmë është përfunduar së shkruari dhe sjell histori të dhimbshme, të bukura, por po aq inspiruese për këdo jeta e të cilëve diku e dikur, mbase në një pikë është lidhur ngushtë me alkoolin, shkruan KultPlus.
Edona Haxholi, autorja e librit ‘Alkoolistët Anonim’, në një intervistë për KultPlus ka treguar se janë tre arsye që e kanë shtyrë atë të shkruaj një libër të tillë.
“Janë tre arsye se pse kam vendosur të bëjë një lidhje me konceptin e alkoolit; e para është sepse në vendin tonë mungojnë organizata të tilla ku njerëzit që kanë këtë varësi të kenë mundësi të adresohen dhe përmes kësaj kam arritur të prek edhe një tematikë tjetër duke ju referuar njerëzve që kanë përjetime të ndryshme, por nuk munden ta pranojnë nga frika e paragjykimeve që mund të marrin nga të tjerët. Kurse arsyeja e tretë ka qenë një dedikim për ata persona që kanë një karakter të fortë dhe nuk shprehin dhimbjen që kanë brenda vetes”, ka deklaruar Haxholli.
‘Alkoolistët Anonim’ në vete përmban histori e rrëfime të ndryshme të uljeve e ngritjeve të personazheve të këtij libri, që mbase mund të tingëllojnë jo edhe aq të njëjta por që në vete përmbajnë po të njëjtin element. Autorja tregon se jo të gjitha historitë e këtij libri janë të vërteta, disa prej tyre janë shkruar nga vetë ajo si synim i paraqitjes së problemeve aktuale në shoqëri.
“Sa i përket historive, disa prej tyre janë të vërteta, të cilat unë jam munduar ti paraqes duke i ruajtur origjinalitetin e tyre dhe disa të tjera janë të shënuara nga unë duke u bazuar në problemet që janë aktuale në shoqërinë tonë”, ka pohuar ajo.
Haxholli ka thënë se ky libër ka marrë emrin ‘Alkoolistët Anonim’, për shkak të konfidencialitetit të personave që kanë përjetuar këto histori dhe nuk ndjehen të gatshëm që ti shprehin ato në mënyrë publike. Sipas saj në shoqërinë tonë ende ekziston frika se të tjerët mund të kuptojnë historitë tona.
Libri 58-të faqesh në fund të tij përmban edhe disa fletë ku lexuesi mund të shkruaj shënimet e veta, e për të cilën autorja ka thënë se është bërë në mënyrë që ajo të jetë afër me secilin lexues.
“Arsyeja se pse kam vendosur që në fund të librit të jenë disa faqe ku lexuesit mund të shkruajnë shënimet e tyre është sepse kam dashur që çdo person që e lexon ‘A.A.’ të ketë mundësinë të shënoj pjesën e tij të preferuar, atë pjesë të cilën mund ta ketë ndjerë më shumë se të tjerat, si dhe të shënoj edhe kritikat ndaj librit. Kam dashur që përmes këtyre shënimeve të jem më afër me çdo lexues”, ka shtuar tutje autorja.
Edona ka treguar se libri i redaktuar ende nuk është botuar, mirëpo ajo ka bërë vetëm një lasnim të 100 kopjeve për rrethin e saj të ngushtë, si dhe ka shtuar se në momentin që libri do dalë në shitje atëherë do të ketë edhe një promovim për të.
Krejt në fund ajo ka rrëfyer se në një të ardhme shumë të afërt libri ‘Alkoolistët Anonim’, do të ketë edhe pjesën e tij të dytë.
“Të shkruarit është diçka që unë e bëjë me shumë pasion dhe dëshirë! Dhe mendoj ta vazhdoj të shkruarit deri në momentin që muza ime do të jetë gjallë! Një gjë që mundet ta zbuloj për ju është që ‘A.A.’ do të ketë një pjesë të dytë në një të ardhme të afërt”, ka përfunduar kështu intervistën Edona Haxholi./ KultPlus.com
Ylber Sefa, është një kampion i çiklizmit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Aktualisht, 29-vjeçari jeton në Belgjikë së bashku me familjen e tij dhe është pjesë e një prej skuadrave më të mira belge.
Ai ka rrëfyer objektivin e tij të radhës që janë Lojërat Olimpike 2021, të cilat janë shtyrë për vitin e ardhshëm. “Momentalisht synoj të jem pjesë e Lojërave Olimpike 2021 sepse ishin për këtë vit po për shkak të COVID janë shtyrë për vitin e ardhshëm. Unë kam pikë të mjaftueshme për të marrë pjesë në olimpiadë”, ka rrëfyer Sefa.
Kampioni shqiptar, tregon pasionin e tij për çiklizmin, titujt e fituar dhe emigrimin në Belgjikë. Ai e ka nisur këtë sport që në moshën 16-vjeçare dhe tashmë bëhen 14 vite. Ylberi është shpallur katër herë kampion i Shqipërisë në çiklizëm dhe synon të pestin për të vendosur kështu një rekord të ri. Por pse emigroi drejt Belgjikës?
“Belgjika quhet dhe djepi i çiklizmit, sepse organizon shumë gara dhe ture. Nuk kishte vend më të mirë për mua ku të emigroja dhe të zhvillohesha akoma më shumë nga ana profesionale. Në Belgjikë u zhvendosa për konkurrencë dhe nivel më të lartë”,rrëfen Ylber Sefa.
Ylberi i ka sjellë fitore ekipit aktual dhe në bazë të rezultateve arriti të bindë për një kontratë presidentin e ekipit Tarteletto–Isorex./diapsorashqiptare/ KultPlus.com
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 92 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kanë votuar pro kërkesës së dërgimit të trupave të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Iowa në mision paqeruajtës, në seancën e jashtëzakonshme të thirrur sot, shkruan KultPlus.
Pas këtij lajmi ka reaguar edhe Vasjfije Krasniqi Goodman e cila ka uruar për vendimin e marrë dhe ka thënë se FSK-ja do të rrisë nderin e Kosovës.
Gjithashtu ajo ka shkruar se po lutet për shërimin e qytetarëve që pësuan nga shpërthimi që ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Ferizaj.
Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:
Kosova tani edhe aktivisht paqëndërtuese në botë!
Tanimë pas vendimit që mori Kuvendi i Kosovës, unë dua t’ju uroi të gjithë atyre që në të ardhmen do të angazhohen për të ofruar, siguruar apo mbrojtur paqën në botë shëndet dhe përfaqësim dinjitoz!
Ushtarë të dashur, bota ka nevoi për ushtar sikurse ju, ushtar që dhurojnë e ofrojnë paqe e dhembshuri, mos lejoni që dikush dikun të përdhunoi, të vras, e të bëj ç’farë të dëshiroj, shërbeni paqës dhe miqësisë.
Sot e përgjithmonë do të lutem për ju, sikurse që në këtë moment lutem për shërimi e qytetarëve të cilët pësuan nga shpërthimi në Ferizaj.
Kosovë tani FSK-ja do ta rris nderin tënd!/ KultPlus.com
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 92 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kanë votuar pro kërkesës së dërgimit të trupave të Forcave të Sigursë së Kosovës në Iowa në mision paqeruajtës, në seancën e jashtëzakonshme të thirrur sot.
Përpara kësaj, ata votuan me 82 vota për që të shmangin rregulloren e Kuvendit për shqyrtimin e kërkesës së dërgimit të kontigjentit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Iowa.
Fjalë rasti para votimit morën edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni. Këta të fundit e vlerësuan lart kërkesën e SHBA’së për bashkëpunim me FSK’në në misione paqëruajtëse.
“Qeveria e Republikës së Kosovës i ka ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale dhe ligjore për dërgimin e FSK’së në Iowa. Qeveria e Republikës Kosovës, sipas kërkesave ligjore, vendimin e saj e ka dërguar në Kuvendin e Kosovës. Sot, së bashku, iu ftoj ta pohojmë para miqve të botës se jemi në gjendje t’i bëjmë ballë përgjegjësisë që na takon. Duke e votuar këtë propozim, ju do ta shkruani një faqe të re dhe jashtzëakonisht të rëndësishme në udhën e sigurisë ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Populli i Kosovës si pak popuj në botë e kupton rëndësinë e misioneve paqëruejtëse”, deklaroi kryeministri Hoti.
Kryesuesi i dikasterit të Mbrojtjes, ka thënë se puna e FSK’së po vlerësohet edhe përtej kufinjve.
“Ministria e Mbrojtjes si dikaster përgjegjës qeveritar për mbrojtje dhe siguri, sipas kërkesës së SHBA’ve, lidhur me bashkëzbarkimin e misioneve për ofrimin e misioneve për stabilitet rajonal, ka konsideruar kërkesën dhe i është përgjigjur pozitivisht. Ministria e Mbrojtjes i ka bashkërenduar veprimet përmes rrugëve diplomatike dhe ligjore. Kosova tashmë ka një traditë bashkëpunimi me Iowa-n. Përkushtimi, integriteti dhe profesionalizmi i FSK’së, jo vetëm që po vlerësohet në normat më të larta nga qytetarët e Kosovës, por ajo po vlerësohet edhe ndërkombëtarisht”, deklaroi ai.
Ndërkaq, kryesuesja e Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Fatmire Kollçaku, ka pasur kritika për qeverinë aktuale për shkurtimet buxhetore ndaj FSK’së, të cilës iu bënë përgjatë vitit të kaluar.
“Shkurtimi i buxhetit për FSK që ka pasur pikëpyetje, si ka mundur të ndodh kjo. Vendimet që ka marrë kjo qeveri janë në shpërputhje të plotë me planin e tranzicionit të FSK’së në ushtri. Me këtë buxhet që ka paraparë kjo qeveri, nuk mund të avancohen kapacitete të reja”, ka deklaruar ajo.
Komisioni për Çështje të Sigurisë për Mbrojtje i ka rekomanduar Kuvendit që të miratohet propozimi i këtillë nga deputetët e Kuvendit.
Opozita e legjislaturës së shtatë ka akuzuar qeverinë për vonesën e parashtrimit të kërkesës së dërgimit të trupave të FSK’së jashtë vendit. Ata përkujtuan se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, po të vinte, do ta rrëzonte qeverinë dhe do ta pamundësonte një votim të tillë.
FSK, për të satin vit radhazi, është votuar si institucioni më i besueshëm në Kosovë. /Gazeta Express/KultPlus.com
Dramaturgu, romancieri, eseisti Friedrich Dürrenmatt lindi njëqind vjet më parë, më 5 janar 1921, në Konolfingen, në kantonin e Bernës.
Dürrenmatt u rendit shumë shpejt mes klasikëve që studiohen në shkolla, apo dramave të interpretuara në skenat e ndryshme të botës. Arti i tij, ekspresionist përmes situatave dhe personazheve, shpalos një satirë për shoqërinë dhe marrëdhëniet njerëzore, duke huazuar shpesh aspektin e fabulës simbolike dhe të parabolës filozofike.
Në teatër triumfoi me “Vizita e zonjës së moshuar” (1956), “Fizikanët” (1962) apo “Loja Strindberg” (1969) etj. Romanet, veçanërisht “Gjykatësi dhe xhelati i tij”, “Defekti”, “Fizikanti”, “Dyshimi” dhe “Drejtësia”, ndërthurin zhanrin policor me një reflektim filozofik mbi absurdin. Në vitet 1970, Friedrich Dürrenmatt iu kushtua kryesisht esesë: mbi Izraelin në 1975, mbi Albert Ajnshtajnin në 1979. Në vitin 1981 botoi “Subjektet”, një koleksion mjeshtëror i filozofisë, autobiografisë dhe trillimit. Në vitin 1986 mori çmimin “Schiller”, një çmim shumë i rëndësishëm në Gjermani dhe çmimin “Georg-Büchner”. Sa i përket vizatimit dhe pikturës, Dürrenmatt materialin e universit të tij piktoresk e rrëmbeu si frymëzim nga mitologjia greke, ku shtrin edhe veprën dramatike.
Në studimet botanike, vijimësi e literaturës, po me mjete të tjera, Gëte pohonte ekzistencën e një “Urpflanze”, një “bimë origjinale”, në saje të së cilës mundësohej shpjegimi i ekzistencës së gjithë bimëve të tjera. Në fushën e letërsisë, supozohet se tek çdo shkrimtar i madh ekziston një “frazë origjinale” (“Ursatz”), e cila në shprehshmërinë e saj përmbledh kuptimin e gjithë veprës. Kërkimi i “frazës origjinale” është absolutisht i vlefshëm edhe në rastin e Friedrich Dürrenmatt. Të famshmet “Zvicra, një burg” dhe “Unë nuk jetoj asgjë, duhet t’i shpik gjërat e mia”, mund të jenë dy fraza të përsosura origjinale, sepse ato zbulojnë shumë për Dürrenmatt: marrëdhënia e vështirë dhe e trazuar me atdheun zviceran, të shkruarit si një mjet për të shpikur realitetin, për të çmontuar hipokrizitë civile dhe shtrembërimet ideologjike, nevojën e vazhdueshme për t’iu kundërvënë “botës reale”, shpeshherë të mbivlerësuar, një botë e krijuar dhe rikrijuar nga fantazia, së fundmi, simpatitë dhe antipatitë me mik-armikun Max Frisch, i cili, ky i fundit, shpiku dhe rikrijoi të vërtetën e tij njerëzore e poetike, nisur nga të vërtetat/gënjeshtrat çnjerëzore dhe jopoetike të “botës reale”.
Përmes një prej paradokseve të tij tipike, tallëse dhe të këndshme, nga ku dalim në përfundimin se sa shumë i pëlqente të vishte rrobat e “Hofnarr”, “lolos së gjykatës”, që demaskon me një buzëqeshje djallëzore të natyrshme shpërbërjen e pushtetit në të gjitha format, Dürrenmatt shprehej se nuk mund të shkruante në gjermanisht, pasi mënyra e të shkruarit, e pasur me neologjizma që rrjedhin kryesisht nga dialekti bernez, ishte larg normave standarde vendosur nga gjuhëtarët. Biografi i tij, Peter Rüedi, e quante “kontinenti Friedrich Dürrenmatt”, sepse Dürrenmatt ishte vërtet një “kontinent”. Fraza dyfish origjinale gjendet në dramën “Një engjëll në Babiloni”, vënë në skenë në 1954. Në një Babiloni të largët në kohë, shfaqet Kurrubi i bukur, shpënë nga një engjëll në brigjet e Eufratit. Rreth Kurrubit prezantohet një spektakël tragjikomik, që e lejon Dürrenmatt të nxjerrë në pah mjerimet dhe iluzionet e përjetshme të jetës: paratë, politika si një menaxhim i thjeshtë dhe ushtrim i pushtetit, bukuria si një mjet i thjeshtë për të arritur qëllimin, madje edhe letërsia si një zbukurim banal në një botë që nuk di se çfarë të bëjë me letërsinë dhe, në përgjithësi, me kulturën. Në këtë sfond spikat fraza e shqiptuar në aktin e tretë, nga sundimtari skeptik dhe i zhgënjyer Nabucodonosor: “Në perandorinë time nuk ka çështje ku nuk mund të hyjë xhelati”. Nëse ekziston një trashëgimi e Dürrenmatt, atëherë ajo mund të gjendet pikërisht në vetëdijen se asgjë nuk vlen asgjë dhe asgjë është e barasvlershme me asgjë, sepse lavditë apo progresi i supozuar nuk i ka ndryshuar aspak të dhënat themelore antropologjike: nuk ka ndryshuar asgjë nga koha e shpellarëve. Italo Alighiero Chiusano “kontinentin” Dürrenmatt e shpreh me këto terma: “Një botë shkatërrimi dhe mbijetese nënnjerëzore, një lakmi ujku dhe ndjenjash të reduktuara në ato të minjve të gjirizeve, ku njeriu ka arritur në nivelin zero, pa pasur mundësi shpengimi. Ka rënë çdo iluzion dhe sipari i zi ulet për të mbuluar përgjithmonë, skenën e pahijshme të ekzistencës njerëzore”. Pra, në njëqindvjetorin e lindjes, leximi i Dürrenmatt është si të shihesh në një pasqyrë të deforuar: është një përvojë e përgjithshme, magjepsëse dhe e tmerrshme, që bëhet edhe më e tmerrshme, kur, e parë më nga afër, kuptojmë se pasqyra nuk është aspak e tillë, përkundrazi ajo pasqyron hiçin tonë të përjetshëm, zbrazëtinë tonë, fundin tonë të lavdishëm me saktësi absolute.
“Për qenien njerëzore, martesa është gjithmonë aventurë. Të dështosh në çift është gjithmonë më e ndershme sesa të dështosh vetëm…”, – shprehej Dürrenmatt.
Dürrenmatt qesëndiste gjithçka që ishte klasike, aq më tepër nëse përqendrohej në përsosmëri: ai e kërkonte letërsinë “atje ku askush nuk pret ta gjejë atë”, në një roman policor apo në një situatë të acaruar, në hare dhe anekdota. Sipas tij, letërsia duhet “të jetë aq e lehtë, sa të mos peshojë thuajse fare në peshoren e kritikës letrare bashkohore: vetëm atëherë, do të bëhet përsëri e rëndësishme”. Vdiq më 14 dhjetor 1990 në Neuchâtel, tri javë pasi mbajti fjalimin e famshëm dhe tejet të diskutuar “Zvicra, një burg” në nder të dhënies së çmimit “Gottlieb Duttweiler” shkrimtarit disident Vaslav Havelit./ KultPlus.com
Një udhëtim interesant në të shkuarën dhe të tashmen propozon cikli i radhës me foto reportazhe realizuar nga gazetari shqiptar në Zvicër, Rexhep Rifati për portalin “Prointegra”.
Duke kaluar dhe dokumentuar historinë në 52 katunde arbëresh Rifati synon të sjellë një pasqyrë të plotë të asaj çka është dhe çfarë është trashëguar nga kultura jonë në komunitetin arbëresh.
Udhëtimi do të nisë me vendlindjen e De Radës, katundin Maqi, vendin ku gazetari thotë se për herë të parë u gjend në mesin e vëllezërve arbëresh. “Këtu 50 vjet më parë bashkë me gjeneratën e studentëve të vitit të katërt të studimeve në Albanologjikun e Prishtinës, në cilësinë e absolventit, sikur mu ngulit diç në shpirt e në zemër, sa edhe tani kur po hyj në të 79-tat sikur edhe më tej jetoj me atë ndjenjë. Pra këtu e 50 vjet më parë, në pranverë të vitit 1971, kur shkova për të parën herë në ngulimet arbëreshe të Kalabrisë, pash se ndonëse kishin kaluar mbi 5 shekuj nga ndarja fizike, se jetonte edhe më tej mes nesh të ndarë nga Adriatiku apo Joni, ndjenja e pashkëputshme shpirtërore, se ajo lidhje ishte fut si ndërlidhje e brendshme në vetëdijen tonë, ndonëse arbëreshët më thanë se edhe ju që nuk po jetuakëshit në Shqipëri qenkeni “gjak i shprishur”, por unë duke mos e kuptuar mirë këtë shprehje u thash se as ju e as ne nuk jemi “gjak i prishur”, shkruan Rifati.
“Macchia Albanese”, një fshat antik mes ullishtave të argjendta në jug të Pollinos
Sa i përket vet Maqit (Macchia Albanese) është një fshat antik që ngrihet midis kodrave të ulëta dhe dhe ullishtave të argjendta, në jug të Pollinos. Vetëm disa kilometra nga qendra e kulturës arbëreshe Shën Dhimitri. Historia e Maqit, karakterizohet nga një sërë ngjarjesh që variojnë nga rreth vitit 1400, të tilla siç ishte eksodi i madh i shqiptare të cilët u zhvendosën në Italinë e Jugut, ish-mbretëria e Dy Sicilive. Një pjesë e popullsisë u vendos në Maqi ( Macchia Albanese) duke krijuar një komunitet të vërtetë. Karakteristike është se në një rrip shumë të vogël toke të këtij katundi të lashtë arbëresh, kanë lindur dhe janë zhvilluar personalitete të shquara të artit dhe kulturës shqiptare, që i kanë kaluar kufijtë jo vetëm Kalabrisë, duke u bërë figura me përmasa kombëtare.
De Rada sikur pret vizitorët me “mirëseardhje” në shesh të Maqit
Zakonisht kur vizitori arrin nga Shën Mitri në Maqi, përballë kishës, në shesh, sikur e pret busti i poetit me një “mirëseardhje”, aq më parë që shumica e vizitorëve duan të kenë foton e parë para këtij busti të De Radës. Është kjo pamja e një figure të gdhendur në bronz po e cila thuaj se njihet prej të gjithë shqiptarëve, ashtu plak e në moshë të thellë. Një udhëpërshkrues e skicon atë se si: “Ka një fytyrë të menduar, por edhe disi të përvuajtur”. Por a do të meritonte më shumë kjo figurë madhore me përmasa kombëtare gjithsesi se po. Në Kalabri përndryshe mund të hasim bustet e këtij poeti edhe në oborrin e Kolegjit Shën Adriani në Shën Mitër dhe në katundin Ungra. Pas Skënderbeut në mesin e arbëreshëve, De Rada është i përfaqësuar me më shumë buste dhe foto e piktura edhe në muzetë e kësaj ane. Një bust të tillë për De Radën ka ngrit edhe vet qyteti im Ferizaj, ku njëra nga shkollat fillore mban emrin e tij.
Shtëpia shekullore e De Radëve jashtë çdo kujdesi!
Edhe atë botë, para gjysmë shekulli e edhe së fundmi, kur vetëm brenda këtij viti isha tri herë në vendlindjen e poetit tonë të madh, në Maq (Macchia Albanese), thuaja se ky katund i vogël rreth 5 kilometra nga Shën-Mitri, ku zakonisht De Rada kishte udhëtuar me gomar për mbajtjen e mësimit në Kolegjin e Shën Adrianit, thuajse nuk kishte ndryshuar fare. Madje vet shtëpia për fat, sa po vjen e dëmtohej edhe më shumë nga viti në vit. Vërtetë është e dhembshme sesi shtëpia e vjetër shekullore e derës së madhe të De Radëve është jashtë çdo kujdesi, pa kurrfarë riparimi!
Vetëm, kur isha herën e fundit në Maqi gjatë Festës së Pashkëve në vitin 2019, përherë të parë arrita të hy edhe brenda saj, aty ku jetonte e vetmuar mbesa e poetit Nikolina de Rada, e cila na dhuroi një sërë ëmbëlsirash që kishte përgatit për festë, sa mua dhe bashkudhëtarit tim artistit të valleve shqipe, Sherif Dakaj, me banim në Zvicër, do na mjaftonin gjatë gjithë qëndrimit tonë në Kalabri!
Ajo që arritëm të kapim me objektiv brenda atyre dhomave ishin ca fotografi të vjetra qoftë ato të poetit, të afërmeve të tij apo edhe të pasardhësve, por shumë nga to kishin filluar edhe të dëmtohen. (disa nga to si ilustrim janë edhe në këtë shkrim).
Poeti me të birin prehen brenda kishës
Përndryshe po në vitin 2019 isha edhe për në një vizitë në Maki bashkë me veprimtarin Gjergj Prenkoçaj dhe poetët Bajrush Zeka dhe Ilir Xheladini, me të cilët hymë edhe brenda kishës në qendër të fshatit ku është i varrosur poeti De Rada me të birin e tij, brenda në njërin nga muret e brendshme të kësaj kishe. Përndryshe në Maqi, që njihet si komunë në vete, lindën edhe emra tjerë të shquar, si : Zef De Rada (1852-1883) poet dhe gramatikan si dhe filologu Mikel Markiano e të tjerë.
Trungu i familjes së De Radëve mbi 7-të shekullor!
Disa fjalë sa i përket poetit dhe trungut të tij familjar, ca rreshta nga Ylli Pollovina: “ Jeronim De Rada ka lindur në Maqi në 29 nëntor 1814 dhe ka vdek më 28 shkurt 1903. Ai nuk është një arbëresh “klasik”, pra një nga ata që kanë pesëqind vite në Itali. De Rada nuk ka mërguar pas vdekjes së Gjergj Kastriotit. De Radat kanë shtatë shekuj në ato anë. Stërgjyshërit dhe babai i tij vinin nga Pjetër Anton Rada, refugjat nga Shqipëria e para një mijë e treqindës. Këtë vit për herë të parë në një kontratë shitblerjeje të gjetur në arkivin e Venedikut thuhet se “Një farë Pjetër Antoni është i pari i shtëpisë Rada, të cilin e gjejmë në librat e pagëzimit të Maqës….”
Jo i pranishëm në Motin e Madh të Gjergj Kastriotit dhe me një kryevepër si “Skënderbeu i pafan”, i papranishëm në Shqipëri që prej gjashtëqind vitesh e megjithatë i tillë me një vepër kolosale në mbrojtje të saj, ky arbëresh e shqiptar i madh deri sa në moshën 89 vjeçare u fik mbeti në dritare me sytë nga deti.
Tani sa herë që mund të shkosh në atë banesë dhe të hysh në dhomën e De Radës të ruajtur me po ato orendi që kishte atëherë, tek sa me një frymë shkon tek dritarja të përjetosh po atë veprim që ai bënte më shumë se një shekull më parë, të kap menjëherë një trishtim i madh. Deti nuk duket. Një pemë e madhe me degë të harlisura, ndoshta njëqindvjeçare, zë gjithë pamjen. Është dëshmi shumë tronditëse se De Radë nuk ka më”…
Një dëshmi tjetër për trungun e hershëm të familjes se De Radëve është edhe një rrotë mulliri që gjendet ngjitas me shkallët që çojnë në katin e dytë, me një mbishkrim që daton që nga viti 1659./teksti dhe fotot: Rexhep Rifati/ KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, është emër shumë aktiv në rrjete sociale, ku edhe i njofton fansat për të gjitha të rejat rreth saj, shkruan KultPlus.
Artistja vitin e kaluar e përmbylli me shumë bashkëpunime me brende të njohura, ndërsa njësoj e filloi edhe vitin 2021.
Së fundi, ajo ka publikuar një fotografi të realizuar nga kampanja për brendin e njohur “Miu Miu”, ku duket për mrekulli.
Ndryshe, në vitin 2020, Rita nuk u komentua shumë për këngët, por ajo ishte kryetemë e medieve ndërkombëtare për shkeljet e rregullave gjatë pandemisë.
Në ditët e fundit të vitit 2020, Rita udhëtoi drejt Bullgarisë për të xhiruar videoklipin e ri, për të cilin ende nuk ka dhënë ndonjë detaj./ KultPlus.com
Sukseset e vitit të kaluar po vazhdojnë ta ndjekin Dua Lipën edhe në vitin 2021, shkruan KultPlus.
Dua Lipa, ka publikuar një video të realizuar së bashku me revistën ‘Vogue’ si pjesë e ‘Homeschool series’, ku i mëson të tjerët se si të kërcejnë.
Në video shihet Dua Lipa e cila tregon se gjatë tërë jetës i kanë thënë se ka lindur për të vallëzuar dhe se të tjerët nuk do të jenë si ajo, dhe pikërisht për këtë ajo do t’na mësojmë si të kërcejmë.
Dua Lipa duket mjaft e bukur dhe tërheqëse në fustanin si flluskë të cilën e ka veshur gjatë këtyre xhirimeve.
Më poshtë gjeni videon e plotë ku Dua na tregon se si duhet të vallëzojmë/ KultPlus.com
“ a work bubble” ~ watch our British Vogue video now on youtube!!! 🎀 https://youtu.be/IUOYiq6pfUE
Letër e poetit dhe mikut Ali Podrimja , dërguar 26 shkurt 2003 …
I dashur Dritëro,
Ç’të bëj? Në veri ma grabisin Kosovën serbët ; në jug maqedonët, në Perëndim malazezët …Vendlindja e Azem Shkrelit nuk është më nën jurisprudencën e Kosovës , po të Malit të Zi , ndërsa varri i Fahredin Gungës gjendet nën jurisprudencën e Serbisë …
E, unë ku të prehem ?
Shqipëria , mund të më ofrojë azil? Kam rënë në hall me bajraktarët e Kombit. Nuk di ç’të bëj? …
Pandemia e koronavirusit që mbërtheu botën gjatë vitit 2020, goditi rëndë edhe industritë muzikore, filmike dhe të modës. Mirëpo para se të niste përhapjen në muajin janar, bota u zu në befasi nga një lajmi lidhur me çiftin mbretëror, Princi Harry dhe bashkëshortja e tij amerikane, Meghan Markle.
Në janar, nipi i Mbretëreshës Elizabeth, konfirmoi planin për braktisjen e roleve si anëtarë të lartë të familjes mbretërore dhe të punojnë për t’u bërë financiarisht të pavarur. Më nëntë janar, çifti publikoi rregullat e reja në çështjet e mediave. Këto rregulla ata u larguan nga sistemi mbretëror që përbëhej nga mediat tradicionale që çdoherë kanë pasur të drejtat e veçanta për të mbuluar ceremonitë mbretërore. Çifti tani ka të drejtë të vendosë se cila media duhet të mbulojë një ceremoni të caktuar.
Maskat dhe dezinfektuesit nisën të bëheshin pjesë e pandashme e përditshmërisë në industrinë e modës. Pasi në Londër u mbajt java e modës me maska dhe dezinfektues, dizejnatori i njohur Giorgio Armani më 23 shkurt organizoi Javën e Modës në Milan, por në një teatër të thatë, pa asnjë pjesëmarrës.
Këngëtarja britanike Duffy për disa vjet u mungoi skenave muzikore. Më 25 shkurt doli publikisht dhe pranoi se ishte “përdhunuar, droguar dhe mbajtur peng”. Këngëtarja nuk ka përmendur emrin e sulmuesit të saj. Ka pretenduar se ishte droguar në ahengun e ditëlindjes dhe se ishte dërguar jashtë Britanisë së Madhe. Fituesja e çmimit “Grammy” që u bë e famshme e këngën “Mercy” të vitit 2008, kishte shkruar se është përmirësuar gjendja e saj, por i ishte dashur shumë kohë për këndellje.
Shtyrja e turneve
Madonna ishte prej artisteve të para që anuloi datat e koncerteve për Parisin si pjesë të turneut botëror “Madame X”. Më nëntë mars ajo ia vuri drynin koncerteve pasi autoritetet franceze ndaluan tubimet me më shumë se 1 mijë persona, si një prej formave të para për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Në fillimpranvere ajo do të perforonte një sallën “Grand Rex” në qendër të Parisit. Kishte kapacitet prej 2 mijë e 800 personash.
Edhe artistë të tjerë filluan shtyrjen e turneve me të nisur muaji mars. Rockbendi amerikan “Pearl Jam” shtyu pjesën e partë të turneut “Gigaton Tour”. Njëjtë veproi edhe Miley Cyrus që anuloi udhëtimin drejt Australisë. Pasuan grupi koreanojugor “BTS”, “The Rolling Stones” dhe Harry Styles, ish-anëtari i grupit “One Direction”. Britanik krejt listën e koncerteve e shtyu për vitin 2021.
Pandemia goditi edhe festivalet e mëdha muzikore. Glastonburyn britanik dhe Eurovisionin. Organizatorët e festivalit që sivjet po festonte 50 vjetorin e themelimit si festivali më i madh i fushës, konfirmuan se biletat e sivjetme do të shfrytëzohen për vitin 2021. Në mesin e yjeve që do të performonin në festival ishin edhe Taylor Swift e veterani Paul McCartney i “The Beatles”. “Eurovisioni” që sivjet do të mbahej në Rotterdam të Holandës, kaloi në versionin online, duke u ndarë në dy pjesë me titullin “Eurovision: Europe Shine A Light”.
Koncerte në shtëpi
Të famshmit përdorën rrjetet sociale për të arritur te audienca e ngujuar në shtëpi. Krejt performancat u bën për të bërë thirrje për kujdes, ndërsa u mblodhën fonde për betejën ndaj koronavirusit. Yjet si Chris Martin i grupit “Coldplay”, John Legend dhe Keith Urgna, me orë të tëra performuan nga shtëpitë. Një prej koncerteve më gjigande që u mbajt nga shtëpitë ishte ai i Lady Gagas më 6 prill. Në koncertin e titulluar “One World: Together at Home” performuan dhjetëra artistë botërorë.
Albumet e befasishme
Sivjet shumë artistë realizuan këngë. Të bëra bashkë nëpër albume erdhën si befasi për njerëzit në muajt e izolimit. Billie Eilish, që sapo kishte fituar çmimet “Gramy” dhe sapo ishte kthyer nga performanca në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Oscar”, publikoi këngën që do të jetë pjesë e filmit të James Bondit “No Time to Die”. Bujë më të madhe bëri këngëtarja Taylor Swift që në fund të vitit 2020 publikoi dy albume, njëri pas tjetrit. “Folklore” po vazhdon të korrë suksese nëpër toplistat muzikore.
Skandalet dhe beteja me racizmin
Udhëheqësja e një prej emisioneve më të ndjekura amerikane, Ellen DeGeneres më 21 shtator nisi sezonin e ri, duke u kërkuar falje punëtorëve të emisionit për ambientin helmues në të cilin po punonin. Tre producentët kryesorë dhanë dorëheqje për shkak të ngacmimeve, racizmit dhe sjelljeve seksuale ndaj punëtorëve. Ky skandal nxiti fushata për largimin e DeGeneres.
Qershori ishte i mbushur me protesta kundër racizmit që shpërthyen me vrasjen e afro-amerikanit, George Floyd nga duart e policisë. Më shumë se 300 aktorë me ngjyrë të zezë, si Idris Elba, Queen Latifah dhe Billy Porter, kërkuan nga Hollywoodi që të punojë në përmbajtjen kundër racizmit. Në fillim të qershorit filmi klasik, fitues i çmimit “Oscar”, “Gone With the Wind” u hoq nga shërbimet e transmetimit në SHBA. Klasiku i vitit 1939 u kthye në ekrane, por me skena të redaktuara që dënonin shpërfaqjen raciste.
Aktori Johnny Depp mori vëmendje të madhe gjatë muajit nëntor kur humbi betejën gjyqësore ndaj gazetës britanike “The Sun” që e kishte quajtur si “rrahës i bashkëshortes”. Gjykata e Lartë e Londrës kishte konfirmuar se aktori vazhdimisht e kishte rrahur ish-partneren e saj Amber Heard dhe se kishte vënë në rrezik për jetën e saj. Krejt vera ka shkuar me seanca dëgjimore nga Depp dhe Heard që ka dëshmuar se aktori e ka rrahur dhe vazhdimisht ka qenë i dehur dhe nën ndikimin e substancave.
Fundviti përcillet me familjen mbretërore të Britanisë. Princi William ka mirëpritur nisjen e hetimeve të reja për mënyrën se si BBC-ja siguroi intervistën e famshme të vitit 1995 me Princeshën Diana. Ka pasur akuza se ajo është mashtruar me qëllim që të merrte pjesë në këtë intervistë. Gjatë intervistës me gazetarin Martin Bashir, që u ndoq nga më shumë se 20 milionë shikues në Britani, Dianna shtangu një komb të tërë kur pranoi se kishte një aferë jashtëmartesore dhe dha detaje intime për dështimin e martesës me Princin Charles./ KultPlus.com
Këngë të shumta të Dua Lipës kanë arritur të renditen nga revista, platforma muzikore dhe rrjete sociale në grupin e më të dëgjuarave të vitit, shkruan KultPlus.
Së fundmi, edhe një lajm tjetër i mirë erdhi për yllin kosovar.
Albumi i saj ‘Future Nostalgia’ arriti të renditej në vendin e tretë në listën e top albumeve botërore.
Lajmin e ka bërë të ditur Lipa duke e shpërndarë në rrjetet e saja sociale./ KultPlus.com
Një ftesë artistike në kohë pandemie për Solisten e re të TKOB-së sopranon Nina Muho solli një pikë arritjeje jo vetëm për artisten, por një vlerë që ju shtua edhe Teatrit tonë të Operas dhe Baletit.
Ditën e enjte, më 31.12.2020 sopranoja nga Shqipëria interpretoi në skenën skenën e Teatrit Lirik „Verdi” në qytetin e Triestes në Itali . Artistja lirike ishte e ftuar në programin e „Fundit të vitit” të këtij teatri prestigjoz. Koncerti u drejtua nga dirigjenti i njohur japonez Takayuki Yamasaki.
Programi u përcoll në kanalin televiziv „Telequattro” dhe në platformën streaming (www.telequattro.it) për të gjithë adhuruesit e muzikës dhe të kulturës që dëshironin të ndanin çastet e fundit të vitit 2020 nën tingujt e muzikës. Prej disa orësh koncerti mund të ndiqet edhe në kanalin YouTube të televizionit „Telequattro”.
Fjalën e hapjes dhe përshëndetëse të këtij koncerti e mbajti kryetari i Bashkisë së Triestes Roberto DIPIAZA. Në koncertin që zgjati përafërsisht dy orë mbajtur në mbrëmjen e 31 dhjetorit u përcollën numra humori, baleti dhe pjesë për kor dhe orkestër.
Koncerti i fundvitit solli një program të pasur veprash të kompozitorëve të njohur si: G.Puccini, G.Verdi, Ch.Gound, Offenbach,Rossini etj. Kur shumë koncerte janë pezull dhe kur pandemia vijon të kufizojë mbajtjen e kalendarëve muzikorë në shumë vende, shteti fqinj dhe qyteti i njohur që ka mirëpritur shumë artistë, dhuroi në mesnatë një program të pasur dhe të kujdesur në çdo detaj.
E ftuara e kësaj mbrëmjeje, sopranoja shqiptare Nina Muho u ngjit në skenë për të interpretuar disa pjesë të njohura për të kulmuar me duetin nga „La Traviata” pikërisht në çastin e ndërrimit të viteve.
Ajo nisi prezantimin e saj skenik me një pjesë premiere të shkruar nga kompozitori Italian Marco Taralli. Pjesa e komisionuar nga Teatri ju besua sopranos shqiptare nën shoqërimin edhe të korit e orkestrës.
Pjesa e titulluar „Tell me the tale of Christmas” ishte si një ftesë për të jetuar atmosferën që fal Krishtlindja.
Më pas Muho interpretoi „Je veux vivre” një pjesë të njohur nga Gounod shkëputur nga „Romeo dhe Zhulieta”. Në interpretimet e sopranos shqiptare përfshiheshin edhe dy duete me tenorin kinez Zi Zhao Guo dhe mezzosopranon japoneze Kimika Jamagiwa.
Në duet me artisten japoneze Jamagiwa sopranoja Muho interpretoi „Barcarolle” nga „Le contes D’Hoffman” nga Offenbach.
Në interpretimet solistike të Muhos përfshihej edhe „Quando m’en vo, Valzer di Musetta” nga „Boheme” nga kompozitori G. Puccini.
Kur prezantuesit nisën të numëronin sekondat e fundit të 2020-ës dhe viti sapo trokiti dueti „Brindisi” nga „La Traviata” e Verdit mes sopranos Muho dhe tenorit Zi Zhao Guo solli gëzimin dhe harenë e festës.
Koncerti me titull “Koncerti i Fundit të Vitit” i Teatrit “Verdi” organizohej nën kujdesin e Bashkisë së Qytetit të Triestes.
Nisur nga shikueshmëria e lartë e këtij koncerti, televizioni e risolli edhe njëherë për shikuesit e tij në datën 3 janar.
Për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë ta ndjekin këtë program ja dhe linku:
Sopranoja shqiptare Nina Muho lindi në qytetin bregdetar të Vlorës. Rruga në këtë fushë nisi si nxënëse në liceun “Naim Frasheri” në Vlorë në degën e kantos. Më pas vijuan studimet në Universitetin e Arteve të Tiranës, në përfundim të të cilave ajo diplomohet me medalje ari si studente e “Ekselencës”. Pas përfundimit të studimeve Muho është vlerësuar me disa çmime brenda dhe jashtë vendit si: ”Interpretimi më i mirë Giuseppe Verdi” në konkursin për zëra femërorë “Marcella Pobbe”, “Çmimi Special” dhe çmimin si “Interpretuesja më e mirë” në konkursin “Këngët e Tokës”, çmimin e parë ne konkursin “Jorgjia Truja”, çmimin e tretë në konkursin “Marie Kraja” etj.
Në karrierën e saj artistike sopranoja shqiptare ka realizuar disa role të para si rolin e Violetta Valery nga opera “La Traviata” e G.Verdit, rolin e Mimisë nga opera “La Boheme” e G.Puccini, Michaela nga Opera “Karmen” e G.Bizet, “Rosalinde” nga “Lakuriqi i natës” e kompozitorit J.Strauss , “Contessa” nga opera “Dasma e Figaros” e V.A Moxart.
Aktualisht Nina Muho është soliste në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë./opus/ KultPlus.com
Renate Lasker-Harpprecht, një e mbijetuar e Auschwitz dhe dëshmitare kryesore historike e Holokaustit, vdiq në moshën 96-vjeçare, konfirmuan sot zyrtarët në qytetin e saj.
“Lasker-Harpprecht vdiq gjatë natës së 2-3 janarit”, tha autoriteti lokal i komunës franceze të La Croix Valmer.
Ajo lindi në Breslau, sot Ëroclaë, në Poloni, në 1924.
Së bashku me motrën e saj, Anita Lasker Ëallfisch, Lasker-Harpprecht u mbijetoi kampeve të përqendrimit në Auschëitz dhe Bergen-Belsen.
Pas luftës, Lasker-Harpprecht u bë një gazetare dhe punoi, fillimisht, për BBC dhe pastaj për transmetuesit gjermanë ËDR në Këln dhe ZDF në SHBA.
Në nëntor 2016, Muzeu Hebre i Berlinit i dha asaj dhe motrës së saj “Çmimin e Mirëkuptimit dhe Tolerancës”./ atsh/ KultPlus.com