Cineplexx rihap dyert për shikuesit, sot çmimet e biletave duke filluar nga 2,80€

Pas një pauze rreth dy javore shkaku i masave anti-covid nga qeveria e Kosovës, Cineplexx rihap dyert për fansat e kinemasë nga sot.

Dita e martë është dita që kinemaja më e madhe në vend, Cineplexx, ka rezervuar për filmdashësit, duke ofruar çmime më të lira të biletave, duke filluar nga 2,80€ për filmat 2D, dhe 3,60€ për filmat 3D. Me zbritje në të dy kinematë, në Prizren dhe Prishtinë, sot mund t’i shikoni 7 filma të ndryshëm, të cilët shfaqen në orare të ndryshme nga ora 15:00 deri në ora 19:00 në kinemë në Prishtinë dhe në Prizren. Top 3 filmat të cilët mund t’i shikoni sot me çmime të zbritura në Cineplexx janë:

1) Godzilla vs Kong
Kapitulli tjetër epik në “Monsterverse, vë dy nga ikonat më të mëdha në historinë e filmave kundër njëri-tjetrit – Godzilla i frikshëm dhe Kong i fuqishëm – me njerëzimin të zënë në ekuilibër.

2) Tom and Jerry
Dy personazhet më të dashur të fëmijërisë tonë, rikthehen në një film i cili zbulon se si Tom dhe Jerry takohen dhe formojnë rivalitetin e tyre.

3) Honest Thief
Duke dashur të bënte një jetë të ndershme, një grabitës famëkeq i bankës dorëzohet, vetëm se ai ndeshet dy agjentë të pamëshirshëm të FBI-së.

Përveç këtyre tre filmave, në të dy kinematë po shfaqen edhe aksioni Fatman, me aktorin e famshmëm Mel Gibson, pastaj horror Alone, dramë-komedia I Care a Lot, si dhe animacioni Soul.

Kinemaja në Prishtinë dhe Prizren, nis punën nga ora 15:00, ndërsa për të gjithë filmat që po shfaqen dhe oraret e shfaqjeve mund t’i gjeni në linkun këtu (e lidhni me këtë link: https://www.cineplexx-ks.eu/filma/programi-i-filmave/

BE-ja konfirmon: 95 mijë doza “Pfizer” për Kosovën

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ka ndarë për Kosovën 95 mijë doza të vaksinës “Pfizer” në luftën kundër koronavirusit. Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shkruar në Twitter se “qëndrojmë përkrah partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor, siç i thashë edhe Albin Kurtit”.

“95 mijë doza të vaksinave të financuara nga BE-ja do të arrijnë në Kosovë që nga muaji maj e deri në fund të gushtit. Ne jemi këtu në këtë së bashku”, ka thënë ajo.

Bashkimi Evropian, përmes Austrisë, do të dërgojë në Kosovë 95 mijë doza të vaksinës kundër virusit COVID-19, të kompanive “BioNtech-Pfizer”, kanë bërë të ditur burimet e BE-së në Bruksel. Kosovës i është ndarë kjo sasi nga gjithsej 651 mijë doza sa Bashkimi Evropian do t’ua dhurojë gjashtë shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Këto doza të vaksinave do të nisin të shpërndahen në rajon që nga fillimi i muajt maj e deri në muajin gusht. Ato janë sasi e veçantë e siguruar nga BE-ja dhe nuk përfshihen në sasinë që shtetet e BE-së e kanë siguruar për vete.

Sasia më e madhe e dozave do të shkojë për Bosnje e Hercegovinën, së cilës BE-ja do t’ia dhurojë 214 mijë doza, pastaj Shqipërisë 145 mijë doza, Maqedonisë së Veriut 119 mijë dhe Serbisë 36 mijë doza. Serbia ka marrë më pak sesa vendet tjera për shkak se ajo tashmë ka avancuar shumë në procesin e vaksinimit, duke qenë në pozitë edhe më të mirë sesa vendet e Bashkimit Evropian. Burimet në BE kanë sqaruar se këto 651 mijë doza janë ndarë në bazë të nevojave për t’i vaksinuar kategoritë me prioritet dhe ato të rrezikuara, e jo në bazën pro-rata, pra në bazë të numrit të banorëve.

Bashkimi Evropian kohë më parë kishte ndarë një shumë prej 70 milionë eurosh shtesë për t’i ndihmuar vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor për vaksinim. Por, ende asnjë dozë e vetme në asnjë vend të rajonit nuk ka ardhur si donacion i BE-së. Kjo ka bërë që të dëmtohet edhe imazhi i BE-së, ndërsa vendet e rajonit, sidomos Kosova, të jenë të dëshpëruara. BE-ja beson se kjo ndihmë do të jetë e dobishme në këtë moment dhe po punon që ndihma të vazhdojë pasi fjala është për një nevojë, e cila do të jetë më e gjatë.

Këto vaksina, sipas këtyre burimeve, ishin të gatshme edhe më herët, por procedura e kontraktimit të tyre, pagesave dhe shpërndarjes, është jashtëzakonisht e komplikuar. Kjo pasi ato duhet të transportohen dhe ruhen në kushte të ndjeshme, në temperatura shumë të ulëta. Nga ana tjetër, prodhuesi ka dashur të sigurohet se gjithçka në tërë zinxhirin e shpërndarjes të jetë sipas standardeve, në mënyrë që të mos ketë pasoja, pasi edhe duhet të merret përgjegjësia për efektet e vaksinimit.

Në emër të BE-së, Austria do të jetë shteti i cili do ta “fasilitojë” sigurimin e vaksinave. Ato do të paguhen nga BE-ja nga shuma prej 70 milionë eurosh, të cilën Bashkimi Evropian e kishte ndarë vetëm për të ndihmuar vaksinimin në vendet e Ballkanit Perëndimor. Në negociata për t’i siguruar këto vaksina ishin përfshirë në mënyrë trepalëshe BE-ja, vendet e rajonit dhe kompania “BionTech-Pfizer”. / Koha.net / KultPlus.com

Osmani falënderon Biden për letrën e tij të përzemërt në emër të popullit amerikan

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu ka falënderuar Presidentin Biden për letrën e tij të përzemërt në emër të popullit amerikan, ku Biden ka potencuar se SHBA-të do të punojnë në realizimin e shpërndarjes së vaksinave ndaj Covid-19 në Kosovë, shkruan KultPlus.

Osmani gjithashtu ka theksuar pjesën ku Biden në letrën e tij shkruan se ShBA-të, mbështesin vazhdimin e dialogut me Serbinë.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të saj:

Falënderoj Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, për letrën e tij të përzemërt në emër të popullit amerikan.

Presidenti Biden thekson partneritetin e gjatë mes dy vendeve tona të rrënjosur në vlerat e përbashkëta, duke përmendur edhe raportin personal të familjes Biden me Kosovën. Ai poashtu ka theksuar se do të punojë me ne në prioritetet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe bashkësive fetare, rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë Covid-19, zhvillimin ekonomik si dhe sigurimin e të ardhmes së qëndrueshme energjetike.

Në veçanti, e falënderoj Presidentin Biden që i është përgjigjur letrës sime të datës 19 mars lidhur me ndihmën në drejtim të sigurimit të vaksinave, si prioritet numër një i institucioneve tona. Presidenti Biden ka potencuar se me shtimin e sasisë së vaksinave, SHBA-të do të punojnë për shpërndarjen e tyre dhe se ekipi i tij do të jetë ne kontakt me ekipin tim për realizimin e këtij synimi.

Në letrën e Presidentit Biden theksohet, gjithashtu se ShBA-të, mbështet vazhdimin e dialogut me Serbinë. “ShBA-të do të vazhdojnë t`i mbështesin përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe dialogut produktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfundimisht marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim, e cila besojmë se do të duhej të përqendrohej në njohjen reciproke”, thuhet në letrën e Biden. / KultPlus.com

Akademia e Arteve lajmëron: Të pranishmit në ‘Oscar’ mund mos të mbajnë maska

Të pranishmit në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ‘Oskar’ nuk do t’u kërkohet të mbajnë maskat në fytyrë, ka njoftuar Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit.

Sipas Variety , ky vendim u mor gjatë një takimi në Zoom, të hënën, në të cilin morën pjesë përfaqësues të Akademisë, të nominuar, studiues dhe publicistë personalë.

Ceremonia do të mbahet në Union Station në qendër të Los Angeles me vetëm 170 të ftuar që rrotullohen brenda dhe jashtë hapësirës së ngjarjes. / KultPlus.com

Mandatory Credit: Photo by Andrew H Walker/Shutterstock (8434891ne) Barry Jenkins after ‘Moonlight’ is named as ‘Best Picture’ winner 89th Annual Academy Awards, Backstage, Los Angeles, USA – 26 Feb 2017

Letra e plotë që presidenti Biden i ka dërguar Vjosa Osmanit

Presidenti amerikan Joe Biden i ka dërguar letër urimi me rastin e zgjedhjes në postin e presidentes, Vjosa Osmanit.

Letra mban datën 19 prill 2021 e nënshkruar nga presidenti Biden ku theksohet se administrata e Biden do të punojë me presidenten Osmani në prioritetet e shumta e sidomos me ndihmën për sigurimin e vaksinave.

“Presidenti Biden ka theksuar se do të punojë me Presidenten Osmani në prioritetet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe bashkësive fetare, rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë Covid-19, zhvillimin ekonomik si dhe sigurimin e të ardhmes së qëndrueshme energjetike. Presidenti Biden i është përgjigjur edhe kërkesës së Presidentes Osmani që SHBA-të të ndihmojnë me vaksina, bazuar në letrën e saj të 19 marsit. Presidenti Biden ka potencuar se me shtimin e sasisë së vaksinave, SHBA-të do të punojnë me partnerët për shpërndarjen e tyre dhe se ekipi i tij do të jetë ne kontakt me Presidenten Osmani për realizimin e synimit të tillë”, thuhet në letër.

Biden poashtu ka thënë në letër se ShBA-ja mbështet vazhdimin e dialogut me Serbinë i cili duhet të përfundojë me marrëveshjen për njohjen reciproke.

ShBA-të do të vazhdojnë t`i mbështesin përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe dialogut produktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfundimisht marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim, e cila besojmë se do të duhej të përqendrohej në njohjen reciproke”, thuhet në letrën e Biden dërguar Presidentes Osmani./Express/ KultPlus.com

“Frymë”, koncerti i Filharmonisë së Kosovës që do të ju shpie në një rrugëtim të gjatë

Në një situatë më të mirë se ajo e ditëve të fundit për shkak të masave të pandemisë, Filharmonia e Kosovës po sjell koncertin e radhës në kuadër të sezonit 2020/2021, shkruan KultPlus.

“Frymë” titullohet koncerti e që është portret muzikor i literaturës së shkruar për ansamble të instrumenteve frymore të drunjta dhe të tunxhit.

Instrumentistët e Filharmonisë së Kosovës, do të ju shpien në një rrugëtim nga periudha e klasicizmit deri tek muzika bashkëkohore.

Koncerti organizohet më 22 prill, prej orës 18:00 në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. / KultPlus.com

10 gratë më të pasura në botë për vitin 2021

Këtë vit, listës së miliarderëve iu shtuan edhe 63 gra dhe gjithsej ato përbëjnë 328.

Vlera neto e tyre është 1.53 trilion dollar, një rritje prej 60% prej vitit të kaluar. Vlera e tyre u shtua për 570 miliard dollarë, kryesisht për shkak të rimëkëmbjes në tregjet e aksioneve.

10. Iris Fontbona (Kili, 23.3 miliardë dollarë)

Iris trashëgoi Luksic Group pas vdekjes së burrit të saj në 2005. Grupi funksionon në industrinë e pijeve, minierave dhe financave. Iris është gruaja më e pasur në Kili dhe në vitin 2016 vlera neto e saj ishte sa 6% e GDP së Kilit.

9. Gina Rinehart (Australi, 23,6 miliardë dollarë)

Rinehart është kryetar ekzekutiv i Hancock Prospecting, një biznes privat minierash dhe bujqësie që ajo trashëgoi. Atë që trashëgoi ishte një pasuri e falimentuar, por me punën dhe përkushtimin e saj, Rinehart riktheu gjithçka në një nga historitë më të suksesshme të biznesit.

8. Susanne Klatten (Gjermani, 27.7 miliardë dollarë)

Susanne Klatten zotëron rreth 19% të BMW, aksione që i trashëgoi nga nëna e saj e ndjerë, Johanna Quandt. Ajo është gjithashtu pronare e Altana, një kompani farmaceutike dhe kimike.

7. Yang Huiyan dhe familja (Kinë, 29.6 miliardë dollarë)

Yang zotëron më shumë se 50% të Garden Holdings, një kompani e njohur e pasurive të patundshme e themeluar nga babai i saj, Yeung Kwok Keung. Ajo u diplomua në Universitetin Shtetëror të Ohajos.

6. Jacqueline Mars (SH.B.A., 31.3 miliardë dollarë)

Ajo është mbesa e Frank C. Mars, i cili themeloi kompaninë më të madhe në botë për prodhimin e ëmbëlsirave, Mars Inc. Ajo zotëron rreth një të tretën e kompanisë, ku punoi për gati 20 vjet dhe shërbeu në bord deri në 2016.

5. Miriam Adelson (Sh.B.A, 38.2 miliardë dollarë)

Miriam trashëgoi 56% të Las Vegas Sands pas vdekjes së burrit të saj, Sheldon Adelson, në Janar. Ajo është një mjeke e lindur në Izrael, personi më i pasur në Izrael, si dhe personi i 36-të më i pasur në botë.

4. Julia Koch dhe familja (SH.B.A., 46.4 miliardë dollarë)

Julia Koch është risia më e fundit në listën e miliarderëve. Ajo (dhe tre fëmijët e saj) trashëguan 42% të aksioneve në Koch Industries pasi bashkëshorti i saj, David, vdiq në gusht të vitit 2019. Ajo gjithashtu është në bordin e Koch Industries, e cila ishte kompania më e madhe private e Amerikës vitin e kaluar.

3. MacKenzie Scott (Sh.B.A, 53 miliardë dollarë)

MacKenzie Scott, ish-gruaja e themeluesit të Amazon Jeff Bezos, hyri në klubin e miliarderëve në vitin 2020. Si pjesë e divorcit, Bezos i dha 25% të aksioneve të tyre në Amazon. Ajo ishte filantropja më e madhe vitin e kaluar, duke dhuruar 5.8 miliardë dollarë për 500 organizata jo fitimprurëse të SHBA-së.

2. Alice Walton (Sh.B.A, 61.8 miliardë dollarë)

Alice Walton është vajza e Sam Walton, themeluesit të Walmart. Ajo nuk merr pjesë aktive në menaxhimin e shitësit më të madh në botë, përkundrazi është më e përqendruar në kurimin e artit dhe filantropisë. Alice ka një koleksion personal të artit që vlerësohet të jetë me vlerë miliona dollarë. Ajo është themeluese dhe kryetare e Crystal Bridges Museum of American Art. Themeluar në vitin 2011, ishte muzeu i parë i madh në SHBA që nga viti 1974.

1. Françoise Bettencourt Meyers (Francë, 73.6 miliardë dollarë)

Ajo është mbesa e themeluesit të L’Oreal Eugene Schueller. Nëna e Bettencourt Meyers, e cila vdiq në vitin 2017, i kaloi asaj këtë perandori bukurie. Ajo është kryetare e Tethys SAS, kompani mbajtëse që zotëron 33% të aksioneve të L’Oreal. Bettencourt Meyers ka qenë në bordin e kompanisë që nga viti 1997. / KultPlus.com

Dua Lipa me paraqitje të mrekullueshme në shoun “BBC Live Lounge”

Sensacioni i fundit në muzikë, Dua Lipa, e ka interpretuar një ‘cover’ të këngës së artistes së re Arlo Parks, “Eugene”, në shoun e radios “BBC Live Lounge”.

Ylli i muzikës pop i performoi live disa këngë të saj në këtë ngjarje, përfshirë edhe një version të ripërpunuar të hitit të Parksit të lansuar në vitin 2020, i cili ishte pjesë i albumit të saj debutues “Collapsed in Sunbeams”.

Në interpretimin e këngës “Eugene”, Lipa në skenë shoqërohej nga një kitarist dhe tri tri këngëtare shoqëruese. Performanca rezultoi mjaft e mirë dhe e ndjeshme, derisa në mesin e shumë personave që reaguan online ndaj saj ishte edhe vet autorja e këngës, Arlo Parks, e cila e ndau në rrjetet sociale një video ku shihet duke e shijuar interpretimin e këngës së saj nga Dua Lipa, dhe teksa e quajti këtë një moment special për të.

“Jam plotësisht e mahnitur. Dua më dukej sikur po fluturoja në ajër duke e dëgjuar interpretimin tënd të këngës ‘Eugene’ në BBC Radio 1. Çfarë momenti special për një performancë të qetë dhe tejet personale të këngës të cilën e kam shkruar në dhomën e ditës. Dua Lipa ti je një yll i vërtetë dhe po ndihem shumë e lumtur në këto momente”, kishte shkruar Parks në mesazhin shoqërues të videos.

https://twitter.com/arloparks/status/1384122343006474248?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1384122343006474248%7Ctwgr%5E%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.koha.net%2Fshowbiz%2F267455%2Fdua-lipa-me-paraqitje-te-mrekullueshme-ne-shoun-bbc-live-lounge%2F

Në fillim të këtij muaji u bë i ditur lajmi se këngëtarja me prejardhje kosovare, Dua Lipa, aktualisht e ka albumin më të madh të vitit 2021 në Britani të Madhe dhe njëkohësisht, “Future Nostalgia”, është shpallur albumi më i transmetuar në Spotify, me 4.7 milionë transmetime si dhe renditet si albumi i 23-të më i transmetuar në historinë e kësaj platforme muzikore.

Albumi i dytë i Lipës nga lansimi në mars të vitit të kaluar, ka vazhduar të jetë pjesë e toplistave zyrtare të albumeve më të mira për 33 javë rresht, dhe katër herë ishte pozicionuar në vendin e parë të këtyre toplistave.

Ndërkohë, së fundmi u bë i ditur lajmi se, Arlo Pars dhe Dua Lipa, janë pjesë e listës së artistëve të cilët do të performojnë në edicionin e sivjetmë të ceremonisë shpërblyese “BRIT Awards”.

Në lajme të tjera, kryetari i Londrës, Sadiq Khan, i është përgjigjur lajmit se Dua Lipa po e përkrahë atë në zgjedhjet e ardhshme për kryetar, duke thënë se ndihet i nderuar që e ka mbështetjen e një superylli sikur pop këngëtarja Lipa.

Në reagimin e tij ndaj këtij lajmi, Sadiq Khan shkroi: “Dua është një nga talentet më kreative në botë dhe një ambasadore e jashtëzakonshme për qytetin e Londrës. Jam i nderuar që e kam mbështetjen e saj në këto zgjedhje”.

Javën e kaluar, këngëtarja me famë botërore i inkurajoi ndjekësit e saj në rrjetet sociale që të votojnë për kandidatin Khan në zgjedhjet e ardhshme për kryetar të Londrës, të cilat mbahen më 6 maj./ Koha.net / KultPlus.com

Gazetarët pa Kufi: Gazetaria e besueshme e bllokuar në mbi 130 vende

Organizata Gazetarët pa Kufi (RSF) thotë se gazetaria që ajo e quan vaksinën kryesore kundër disinformimit, është bllokuar plotësisht ose pjesërisht në 73% të 180 vendeve të botës.

Organizata e arrin këtë përfundim në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit 2021, sipas së cilit ka pasur një përkeqësim dramatik të gjendjes së gazetarisë.

“Pandemia e koronavirusit është përdorur si bazë për të bllokuar qasjen e gazetarëve në burimet e informacionit dhe raportimin në terren”, thotë RSF-ja.

Vendet në radhitjen e Gazetarëve pa Kufi, klasifikohen në ambiente “të mira”, “pak a shumë të mira”, “problematike”, “të këqija” ose “shumë të këqija”, për lirinë e shtypit dhe identifikohen përkatësisht me ngjyrë të bardhë, të verdhë, portokalli, të kuqe ose të zezë në hartën Botërore të Lirisë së Shtypit.

Vetëm në 7 për qind të vendeve të botës, ambjenti për gazetarinë është shumë i mirë.

Ky numër nuk ka qenë kaq i ulët që në vitin 2013.

Të dhënat e Indeksit, që mat kufijtë e qasjes në informacion dhe pengesat për mbulimin e lajmeve, konfirmojnë përpjekjet dhe masa për bllokimin e gazetarisë.

Të dhënat tregojnë se gazetarët e kanë gjithnjë e më të vështirë të investigojnë dhe njoftojnë për tema të ndjeshme, veçanërisht në Azi, Lindjen e Mesme dhe Evropë.

Sekretari i përgjithshëm i RSF-së Christophe Deloire Orgazuara thotë se “Gazetaria është vaksina më e mirë kundër disinformimit” .

“Por për fat të keq, prodhimi dhe shpërndarja e saj shpesh bllokohet nga faktorë politikë, ekonomikë, teknologjikë dhe ndonjëherë edhe kulturorë. Në përgjigje të përhapjes së disinformimit përtej kufijve, në platformat dixhitale dhe në mediat sociale, gazetaria është rruga kryesore për të siguruar që debati publik të bazohet në një rreze të gjerë dhe të larmishme faktesh”, thotë ai.

Evropa, Ballkani, kontinenti amerikan

Evropa regjistroi një përkeqësim të konsiderueshëm në treguesin e saj të “abuzimeve”, me më shumë se dyfishin e akteve të dhunës në Bashkimin Evropian dhe Ballkan, krahasuar me një përkeqësim prej 17% në të gjithë botën. Sulmet ndaj gazetarëve dhe arrestimeve arbitrare u rritën në Gjermani, Francë, Itali, Poloni e cila ka rënë dy vende, Greqia që ka rënë pesë vende, Serbi dhe Bullgari. Shqipëria dhe Kosova radhiten mes vendeve “problematike”. Nga 180 vende, Shqipëria radhitet në vendin e 83-të, duke fituar një vend nga viti i kaluar, kur ishte në vendin e 84. Kosova ka pësuar një rënie prej 8 vendesh nga 70 vitin e kaluar, në 78 këtë vit. Maqedonia e Veriut ka fituar dy vende, nga 92 vitin e kaluar në 90 këtë vit. Evropa dhe kontinenti Amerikan, vazhdojnë të jenë kontinenti më i favorshëm për lirinë e shtypit, i marrë si rajon, edhe pse në atë amerikan, u regjistrua përkeqësimi më i madh përsa i takon shkeljeve rajonale (deri 2.5%).

Renditje të tjera

Norvegjia renditet e para në Indeksin për vitin e pestë me radhë, edhe mediat e vendit janë ankuae për mungesën e qasjes në informacionin shtetëror për pandeminë. Finlanda e ka mbajtur vendin e dytë ndërsa Suedia është në vend të tretë, të cilin vitin që kaloi e kishte Danimarka, vend që këtë vit është në vend të katërt. Kjo radhitje konfirmon qartë suksesin e “modelit nordik” në përkrahjen e lirisë së shtypit.

Vendi që ka zbritur nga klasifikimi “i mirë” në “pak a shumë të mirë” është Gjermania, në vendin e 13, pasi ka rënë dy vende. Dhjetëra gazetarë të këtij vendi u sulmuan nga mbështetës të grupeve ekstremiste dhe atyre të teorive të konspiracionit gjatë protestave kundër kufizimeve të vendosura për të luftuar panandeminë.

Në të njëjtin grup janë Shtetet e Bashkuara, në vendin e 44-rt, megjithëse viti i fundit i presidencës së Donald Trumpit u shoqërua nga një numër rekord sulmesh kundër gazetarëve (rreth 400) dhe arrestime të gazetarëve (130).

Rusia është në vendin e 150, një më poshtë se vitin e kaluar dhe në kategorinë e vendeve me gjendje “të keqe”. Ajo e përdori aparatin e saj shtypës për të kufizuar mbulimin mediatik të protestave në mbështetje të kundërshtarit të Kremlinit Alexei Navalny.

Kina, e cila vazhdon t’i përdorë censurën, mbikëqyrjen dhe nivelet e propagandës së në internet, në nivele të pashembullta, është përsëri mes vendeve me gjendje “shumë të keqe”. Ajo është në vend të 177 mes 180 vendeve.

Menjëherë pas Kinës është e njëjta treshe e vendeve totalitare që janë gjithmonë në tre vendet e fundit: Turkmenistani, Koreja e Veriut dhe Eritrea. / KultPlus.com

Roli i ri i princit Charles, patriark i familjes mbretërore

Me vdekjen e babait të tij Philip, patriarku i ri i familjes mbretërore është princi Charles, 72 vjeç, shkruan vanityfair.it.

Ai është figura më e lartë mashkullore dhe për të, sipas medias britanike, do të kalojë titullin e Dukës së Edimburgut, të cilin Philip donte t’ia jepte Andrew të Jorkut.

Mbretëresha Elizabeth II nuk ka ndërmend të abdikojë duke hequr dorë nga detyrat e saj si sovrane. Por, tani që është e ve, ajo ka vendosur të ngadalësojë.

Për Charlsin, i ndihmuar nga djali i tij i madh William, fillon ajo që media britanike e ka përcaktuar tashmë një regjencë të butë, jo të deklaruar zyrtarisht, por që teknikisht e sheh atë tashmë duke zënë vendin e monarkes.

Princi i Uellsit tashmë ka marrë një vendim të rëndësishëm: ai dhe djali i tij menjëherë do të ndajnë detyrat sipas zonave të tyre të interesit dhe atyre që do të jenë më të rëndësishmet për ta kur të hipin në fron./ KultPlus.com

“Downton Abbey 2”, publikohet në prag të krishtlindjeve

Pjesa e dytë e filmit “Downton Abbey 2” do të lansohet në treg më 22 dhjetor 2021.

Gareth Neame, producent i filmit dhe kryetar ekzekutiv i Carnival Films tha: “Pas një viti shumë sfidues me kaq shumë prej nesh të ndarë nga familja dhe miqtë, është një ngushëllim i madh të mendosh se kohë më të mira janë përpara dhe se Krishtlindjet e ardhshme do të jemi u ribashkua me personazhet shumë të dashur të Downton Abbey “

Kasta e aktorëve përbëhet nga Hugh Bonneville, Elizabeth McGovern ,Hugh Dancy, Dominic West dhe Laura Haddock.

Pjesa e parë e këtij filmi i cili u publiku në vitin 2019, kishte arritur të grumbulloj më shumë se 230 milion dollarë.

“Downton Abbey 2”, u shkrua nga Julian Fellowes, krijuesi i serialit./ KultPlus.com

‘Zhduket’ ajsbergu më i madh i botës

A68, njëri prej ajsbergëve më të mëdhenj të botës, tani është thjesht histori.

Gjigandi i akullt pësoi një ndarje në fillim korrikun e 2017-tës. Shkencëtarët që e mbajtën nën vëzhgim thanë se ishte më i madh sesa shteti amerikan i Delaware. A68 kishte një sipërfaqe prej 5,800 km katrorë, dhe një trashësi prej 350 metrash.

Por tani, pamjet satelitorë tregojnë se ai praktikisht është zhdukur, i copëtuar në fragmente aq të vogla sa qendra kombëtare amerikane e akullnajave, thotë se nuk ia vlen më të gjurmohet.

Masa prej akulli triliona tonëshe nuk kishte lëvizur për një vit pas thyerjes së parë që pësoi, megjithatë pastaj nisi të lundronte drejt veriut me shpejtësi të shtuar. Me tej, u shfaq në Atlantikun e jugut, por ndërsa avanconte te dallgët, temperaturat më të larta dhe uji i ngrohtë, bënë që ajsbergu mamuth, të shkrinte ngadalë./ KultPlus.com

Gërvalla – Schwarz në përvjetorin e Çekaj: Lirinë ndaj të huajve e fituam, por lirinë tonë të brendshme nuk e kemi fituar ende

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz, ka kujtuar heroin Sali Çekaj në 22 vjetorin e rënies së tij, shkruan KultPlus.

Gërvalla nëpërmjet një postimi në Facebook ka shkruar se ndonëse e kemi fituar luftën ndaj të huajve ende nuk e kemi fituar lirinë tonë të brendshme.

“Ai dha jetën për lirinë e Kosovës. Është detyra jonë ta çojmë deri në fund amanetin e tij. Lirinë ndaj të huajve e fituam, por lirinë tonë të brendshme nuk e kemi fituar ende. Drejtësia, kaq e rëndësishme për Sali Çekajn, nuk mbretëron gjithkund në Kosovë. Kosova ka tani armiq të rinj, të cilët duhet t’i luftojë, krimin dhe korrupsionin. Këta janë armiqtë e lirisë, të drejtësisë dhe të Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera ministrja.

Tutje ajo ka shtuar se Sali Çekaj dëshironte një Kosovë me dinjitet, prandaj sipas saj duhet ta bëjmë krenar Çekaj dhe të gjithë të tjerët të rënë për lirinë e Kosovës.

Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:

Sali Çekaj, heroi im i pavarësisë

Para pak ditësh ishim në Koshare për të përkujtuar betejën e Koshares dhe të gjithë heronjtë e saj. Sot është 22-vjetori i rënies së vizionarit dhe strategut, babait të dashur dhe shokut besnik, luftëtarit të paepur dhe politikanit largpamës, Heroit të Kosovës, Sali Çekaj.

Trim, i vendosur, i mençur, i matur, i thjeshtë. Personalieti i Sali Çekajt tregon se si mund të jetë Kosova. Ai ishte një strateg i rrallë politik, njeri i drejtësisë dhe i lirisë. Për lirinë e Kosovës ai luftoi me mjete politike dhe në fund edhe me pushkë në krah.

Ai dha jetën për lirinë e Kosovës. Është detyra jonë ta çojmë deri në fund amanetin e tij. Lirinë ndaj të huajve e fituam, por lirinë tonë të brendshme nuk e kemi fituar ende. Drejtësia, kaq e rëndësishme për Sali Çekajn, nuk mbretëron gjithkund në Kosovë. Kosova ka tani armiq të rinj, të cilët duhet t’i luftojë, krimin dhe korrupsionin. Këta janë armiqtë e lirisë, të drejtësisë dhe të Kosovës.

Sali Çekaj e dëshironte një Kosovë me dinjitet. T’ia kthejmë së bashku dinjitetin vendit tonë. Ta bëjmë krenar Sali Çekajn dhe të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës. T’i bëjmë krenarë për Kosovën e tyre./ KultPlus.com

‘Njeriu e shfaq fytyrën e vet në tre raste: Kur është i pasur, kur është i tërbuar dhe kur është i dehur’

Thëniet më të bukura për jetën

Dëshirë pas dëshire sjell mërzi të madhe, kënaqja sjell lumturinë më të madhe.

Diçka e pambrojtur është e sigurtë po e ruajti fati, por po qe fati kundër, do të humbasë, sado që të ruhet.

Difekti i varfërisë shkatërron një grumbull vlerash.

Dijetarët përhapin dritë, edhe pse të hidhëruar, nuk duhen nëpërkëmbur.

Ditë për ditë vdekja afrohet, sikur viktima të shkonte hap pas hapi drejt sakrificës.

Dituria është thesari më i çmuar, sepse as nuk blihet, as nuk dhurohet, as nuk vidhet, as nuk harxhohet.

Duke parë tymin e një shtëpie tymin e një shtëpie, kujdes mos kujtosh se është flaka e një shtëpie tjetër.

E djeshmja është një ëndërr, kurse e nesërmja një vizion. Por e sotmja, kur jetohet mirë, e bën çdo të djeshme një ëndërr të lumturisë dhe çdo të nesërme një vizion të shpresës.

E njohin Ton budallain më shumë se Ton budalla njeh.

Është më mirë të grindesh me një njeri që flet bukur se të bisedosh me një njeri me të folur të panjerëzishëm.

Fati ndihmon guximtarin. Të dobëtit ia lënë fajin fatit.

Fëmijë, plak apo i ri qoftë, ai që vjen në shtëpinë tënde duhet pritur me respekt, sepse mes gjithë të tjerëve miku yt është më i larti.

Ikën nga frika e akrepit e bie në grykën e gjarprit.

I mençuri bën të të duket e vërtetë edhe gënjeshtra, ashtu si piktori i aftë krijon kodrat e gropat në një sipërfaqe të thjeshtë.

Kur “këndojnë” bretkosat, është përvetësuar qetësia.

Më mirë të shëtisësh shpateve të malit me kafshë, se të jetosh në pallat Zotash me një çmendur.

Mosbërja keq është besimi më mirë.

Mosveprimi nga frika se gabon, shquan frikacakun. E kush heq dorë nga ushqimi prej frikës mund t’i bëjë keq?

Nëse zemra e njeriut nuk është e pastër, të gjitha gjërat i duken armiqsore.

Një i sëmurë nuk do të shërohet kurrë vetëm me dhënien e një ilaçi.

Pak vlen të mbyllet tapa, pasi është derdhur uji.

Pasuria ndalet në shtëpi, miqtë e të afërmit te varri, veprat ndjekin të vdekurin.

Pema e krasitur rritet sërish, hëna e perënduar rishfaqet.

Po ia preve bisht e veshë, qeni mbetet qen, s’bëhet as kalë, as gomar.

Rrugët e drejtësisë janë të mistershme.

S’e ka fajin shtylla, pse nuk i sheh i verbëri.

S’mund të prekë veten maja e gishtit.

Të urtit duhen respektuar, dhe kur këshilla e tyre nuk bie për shtat.

Ai që duke lutur përkulet, tjetrit ia lehtëson refuzimin.

Ai që ka frikë edhe kur ka të drejtë, nuk fiton.

Ari është i pastër edhe kur gjendet në qesen e ndyrë.

Ashtu sikur mendimtari, që është shkalla më e lartë e njeriut, ashtu edhe nëna është shkalla më e lartë e gruas.

Bëj mirë – mos u pendo; bëj keq – shpreso.

Cila në pasqyrë shpesh shikohet, shtëpia në të ankohet.

Çanta është më e rëndë kur është e zbrazët.

Çdo gjë e keqe ka recetën e vet, puna është të gjendet ajo e sakta.

Çfarë flasin në vatër, fëmijët e nxjerrin jashtë shtëpie.

Dashuria nuk e njeh turpin.

Dikujt edhe plumbi i noton e dikujt edhe kashta i fundoset.

Edhe pse janë në të njëjtin jastëk, burri dhe gruaja shohin ëndrra të ndryshme.

Fati na shet atë që ne kujtojmë se na e ka dhuruar.

Fëmija shumë i përkëledhur, kurr i mirë edukuar.

Fjalët duhen matur e jo numëruar.

Gomari nuk e mëson notin po nuk i mbërriti uji te veshët.

Gratë e bukura vallen prijnë, të shëmtuarat mbajnë shtëpinë.

Gjithçka mund të studiohet, përveç mendimeve të njeriut.

Kali i mirë njihet edhe nën batanije të keqe.

Kur babai e mban të birin, nuk di askush, kur i biri e mban babanë, i tërë katundi e merr vesh.

Kureshtari kërkon dobësinë e të tjerëve për t’i lehtësuar të vetat.

Kur një miku i jep para hua, do t’i humbësh paratë dhe mikun.

Kurse tri monedha floriri se e katërta do të të bjerë vetë në dorë.

Kush lyp luftë në shtëpi e përjetoftë.

Kush i vete pas gjithkujt, bën gabim; kush nuk ndjek askënd, bën edhe më shumë gabim.

Më mirë të na e kenë lakmi, se t’u dhimbsemi.

Mos gjyko në bazë të vragës, nëse nuk e ke parë se çfarë ka qenë plaga.

Ndihma është nganjëherë si ai ilaçi që sa më i hidhur, aq më i mirë është.

Në dashuri syri është i pari.

Nëse armiku yt është sa maja e gishtit, ruhu siç i ruhesh luanit.

Nëse jemi grindur, dhëmbët s’i keni shkulur.

Njeriu kurioz ka 100 sy dhe asnjë shpirt.

Samari prej argjendi nuk e bën kalin e mirë.

Sa më shumë shtohen ligjet, aq më shumë pakësohet drejtësia.

Sikur të isha lindur njëqind herë, kisha për t’u bërë mësues.

Shteti mbështetet në të drejtën dhe gjyqet, adheu mbështetet në nënën dhe gruan.

Shtetin ruaje nga armiku e gruan nga miku.

Shtetit borxh mos i rri, me polic mos u shoqëro, ndërsa gruas të fshehtat mos i trego.

Të kujt janë delet, i tij është edhe livadhi.

Të kuptosh të bukurën do të thotë ta zotërosh atë. / KultPlus.com

Filmi “Annette” hap Festivalin e Filmit Kanë 2021

Filmi i ri i Leos Carax, i pari i tij në anglisht, do të hapë Festivalin e Filmit të Kanës më 6 korrik.

Ai titullohet “Annette” dhe interpretohet nga ylli i kinemasë franceze, Marion Cotillard, si edhe Adam Driver.

I vendosur në Los Anxhelosin bashkëkohor, “Annette” tregon historinë e Henrit, një komedian me sens të ashpër humori dhe Ann, një këngëtare me famë ndërkombëtare.

Në qendër të vëmendjes, ata janë çifti i përsosur, i shëndetshëm, i lumtur dhe simpatik.

Lindja e vajzës së tyre të parë, Annette, një vajzë misterioze me një fat të jashtëzakonshëm, do të ndryshojë jetën e tyre./atsh/KultPlus.com

Letra e Mihal Gramenos drejtuar atdhetarëve idealistë më 1909

Në një letër drejtuar bashkëkombave të vet në 1909, Mihal Grameno, një nacionalistë nga më aktivët dhe patriot i flaktë i Shqipërisë në vend shpreh domosdoshmërinë e njerëzve të shquar për të vepruar dhe organizuar brenda vendit veprime, krahas fjalëve nga jashtë dhe planeve të tyre. Si njeri i sprovuar si me publicizmin dhe me luftën në terren ai kërkonte mbështetje anembanë shqiptarizmit për idealet e tij dhe të të gjithë shqiptarëve që ishin të rrezikuar ato vite.

“Detyra”

Dy letra të botuara, njëra në gazetën ‘’Dielli’’, e hapur për mi mua, edhe tjatra në këtë gazetë, më bënë të shkruanj këto pak fjalë me shpresje që mëmëdhetarët e vërtetë edhe aqë më shumë të mërgimit do të mos gjykojnë mëmëdhetarët e këtushmë si njerës të shitur. Zoti botonjës i letrës te ‘’Dielli’’ ka shumë arësye të qahet nga shkaku i krizës (qesat) që mbajti në Amerikë dhe s’mundnë të ndihmojnë Mëmëdhenë, po kurrë nuku munt të thotë që do të punojmë me çemietin që i ndalon të ndihin kllubet e Shqipërisë.

Këjo nyje ishte e nevojshme, se çemieti ishte Liridashës, edhe të gjithë u betuan që bashkërisht do të vdesëm për të mbrojtur lirinë e konstitucionë sikundër edhe kombësinë e veçantë të cilitdo komp, kur shqiptarët të ishin lidhur ose kishin nevojë të fillojnë kllube të veçantë e të apen ato lufta më të repta kundrë cilitdo që ka kërkuar t’u ngjasë kombësinë.

Luftrat e shqiptarëve të brëndëshme janë vepra të nalta, të cilat një ditë do të mbeten pasqyrë në trashëgimtarët. Është shumë lehtë njeriu të këshillonjë e të udhëtregonjë që për së largu, po a nevojë t’i praktikonjë. Jemi gati kurdoherë që të gjurmojmë tjatër program kombiar më të mirë, kur të vështrojmë këshillonjësit edhe bajraktarët në krye këtu në Shqipëri, po jo që në Amerikë.

Zoti Morava që shkruan nga Romania, duket që i di mirë nevojat e Shqipërisë, andaj duhet gjithë mëmëdhetarët e mërgimit të ndihmojnë kllubet e Shqipërisë që të mundin të ndritojnë e të përhapen ndjenjat kombire.

Qysh do të mundet të vijet në praktikë një program i gatuar përjashta, kur brenda në Shqipëri s’kanë harirë të pakën në atë shkallë që të quhen shqiptarë e të kenë djenja kombiare? Programet të jashtme janë fort të mira për ata që i kupëtojnë, po këto janë ëndëra të bukura.

Duhet punë brënda në Shqipëri, edhe pë këtë duhet të mbushin detyrën gjithë mëmëdhetarët të jashtmë-me sa t’u mundet- meqënëqë janë ritur në tjatër atmosferë, gjersa të harinjë ajo ditë kur të kupëtojnë, edhe brënda shijën e kombësisë.

Me gjithë këto është për tu habitur-siç edhe habiten bota-që është një komp i gjallë e që do të ronjë midis botësë me gjithë pengimet e armikëve, pa patur as nonjë ndihmësi të tjerëtë, po vetvetiu –edhe pa i mësuar-ka lëftuar me qesen e tij. Kllubi tonë mundet, ka patur luftrat më të mëdha, meqënëqë lufta në Korçë është më e reptë, edhe me gjithë këto ka mbatur flamur’e kembësisë përpjetë vetëm me ndihmat e të brëndëshmëve.

Po nevojat anë të mëdha, edhe t’u përgjigjet, duhet edhe ndihma e mëmëdhetarëve të mërgimit, andaj bënj thirje të mos vërejnë kanonizmat e të thënat pa nonë rëndësi, po të vrapojnë edhe aqë më shumë korçarët t’i ndihin kllubit për të përparuar edhe më të nderuar Korça, e le të jenë sigur që veprat e kllubit do të mbeten istorike.”

“Korça”, nr, 10. 22 prill 1909 Mihal Grameno/KultPlus.com

Helikopteri i NASA-s kryen fluturimin e parë në Mars

Agjencia amerikane e hapësirës, NASA, njoftoi se helikopteri i saj robot Ingenuity kreu të hënën një ngritje dhe ulje të suksesshme në planetin Mars, duke realizuar fluturimin e parë të kontrolluar mbi sipërfaqen e një planeti tjetër.

NASA tha se fluturimi me sukses i mini-helikopterit me dy helika mund të hapë rrugën për mënyra të reja kërkimi në planetin Mars dhe destinacione të tjera të sistemit diellor, si Afërdita dhe hëna e Saturnit, Titan.

Drejtuesit e misionit në Laboratorin Jet Propulsionit të NASA-s pranë Los Anxhelosit shpërthyen në duartrokitje dhe brohoritje kur të dhënat inxhinerike që erdhën nga Marsi konfirmuan se helikopteri prej më pak se 2 kilogramësh që punon me energji diellore kishte kryer sipas planit fluturimin e parë prej 40 sekondash.

Helikopteri robot është i programuar të ngjitet 3 metra vertikalisht, pastaj të qëndrojë pezull dhe të rrotullohet në vend mbi sipërfaqen e Marsit për gjysmë minute para se të ulet përsëri mbi katër këmbët e tij.

Megjithëse kohëzgjatja ishte e shkurtër, kjo shënoi një arritje historike në aviacionin ndërplanetar, sepse fluturimi u realizua në një “fushë ajrore” 278 milion kilometra larg Tokës në dyshemenë e një pellgu të gjerë marsian të quajtur Krateri Jezero.

NASA e krahasoi arritjen me fluturimin e parë të vëllezërve Wright në dhjetor të vitit 1903. Fluturimi i tyre në Karolinën e Veriut me avion me motor zgjati vetëm 12 sekonda dhe distanca e përshkuar ishte 37 metra./ KultPlus.com

Instalohet ‘kopshti urban’ në Prishtinë, Osmani: Do punojmë që zhvillimi ekonomik të realizohet në harmoni me mbrojtjen e mjedisit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka mbështetur instalimin e ‘kopshtit urban’ në Prishtinë, duke e konsideruar si një nga zgjidhjet inovative që kombinon natyrën me dinamikën e jetës, shkruan KultPlus.

Osmani tutje ka shtuar se ‘kopshti urban’ është një rikujtim për të gjithë ne se tashmë ekzistojnë mënyra të shumta për të kontribuar në adresimin e problemeve mjedisore.

“Ky ‘kopsht urban’ është rikujtim për të gjithë ne që ka gjithmonë mënyra, tashmë gjithnjë e më inovative, për të kontribuar në adresimin e problemeve mjedisore, ngritjes së vetëdijës rreth tyre, dhe përmirësimin e raportit tonë me natyrën”, ka shkruar ndër të tjera Osmani në Facebook.

Oaza e gjelbër apo ‘kopsht urban’ instalua sot në sheshin e Prishtinës nga UNDP dhe UN Habitat në Kosovë në kuadër të aktiviteteve të organizuara me qëllim të shënimit të Ditës së Tokës.

Osmani ka theksuar se do të punojnë që mendësia e dizajnimit të këtyre kopshteve të përdoret edhe në një zhvillim ekonomik që është në harmoni me mbrojtjen e mjedisit.

Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:

Në raste kur hapësirat e gjelbra nuk janë të mjaftueshme, kur ndotja e ajrit vazhdon të jetë problematikë e përditshme, e kur dinamika e jetës është e tillë që na mban shpesh larg natyrës e kontaktit të afërt me të, të ashtuquajturat ‘kopshte urbane’ janë zgjidhja inovative që i kombinon dhe i adreson të gjitha këto me një vend e që e sjell natyrën tek ne.

Një oazë e gjelbër u instalua sot në sheshin e Prishtinës nga UNDP dhe UN Habitat në Kosovë në kuadër të aktiviteteve të organizuara me qëllim të shënimit të Ditës së Tokës.

Ky ‘kopsht urban’ është rikujtim për të gjithë ne që ka gjithmonë mënyra, tashmë gjithnjë e më inovative, për të kontribuar në adresimin e problemeve mjedisore, ngritjes së vetëdijës rreth tyre, dhe përmirësimin e raportit tonë me natyrën.

Do të punojmë që mendësia që ka inspiruar dizajninin e ‘kopshteve urbane’ të na udhëheq drejt një politikbërje më me konsideratë ndaj mjedisit që na rrethon, dhe e cila mundëson që zhvillimi ekonomik të realizohet në harmoni me mbrojtjen e mjedisit./ KultPlus.com

Një shënim prekës mbi arkivol, të cilin Mbretëresha Elizabeth bëri për Princin Philip

Ndarja nga jeta në moshën 99-vjeçare e Princit Philip, krijoi mjaft hidhërim në oborrin mbretëror në Britani.

Funerali i Princit Philip, u realizua para dy ditësh, por ajo që ra në sy, është gjesti i bukur që Mbretëresha Elizabeth, gruaja e tij prej 73 vitesh, la mbi arkivolin ku prehej princi.

Me një shënim të shkruar me shkrim dore, mbretëresha theksonte fjalët: “Të dua” dhe “Lilibet”.

“Lilibet”, është një fjalë e krijuar nga Princi Philip dhe Mbretëresha Elizabeth, që kur ishin fëmijë dhe nënkuptonte dashurinë e madhe mes të dyve.

Kujtojmë se Elizabeth u shfaq e vetme gjatë funeralit, për shkak të rregullave anti-Covid dhe në ceremoni morën pjesë vetëm 30 persona./ KultPlus.com

Buxhovi meriton titullin Honoris Causa në universitetet shqiptare dhe ato kosovare

Nga Ylli Saraçi

Vepra e Buxhovit është e rëndësisë së paparë kur flitet për popullin pellazgo-Ilir por ne veçanti për fiset Dardane e Emathiote(Maqedone). Kjo rëndësi del ne pah për faktin se askush para Buxhovit nuk ka guxuar te kompletoje një kolanë veprash njëra pas tjetrës me kaq shume material dhe kaq shume dokumente qe i kane shpëtuar manipulimit nga ana e priftërinjve ruse e sllave. Rëndësia tjetër qëndron ne faktin se nuk kishte ndodhur më parë që një vepër në tre vëllime nga një historian profesionist dhe me integritet akademik, te botoje veprën e tij të plote në gjuhën angleze ne ShBA dhe ta shpërndajë atë nëpër katedrat anembanë saj. Pa dyshim qe studimi i kësaj nga akademitë amerikane do te japë frytet e saj në mbështetje të së vërtetës mbi manipulimet groteske që i kanë ndodhur historisë se ish gadishullit Ilirik dhe ato frute do te vijnë edhe ne Europë duke ditur mire se cili është roli dhe ndikimi i akademive amerikane në Europë dhe botë.

Jusuf Buxhovi meriton titullin Honoris Causa në universitetet shqiptare dhe ato kosovare, universitete të akredituara nga institucionet e arsimit europian./drini/KultPlus.com

Greta Thunberg i dhuron 100 mijë euro OBSH-së për shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra

Aktivistja suedeze për klimën Greta Thunberg denoncoi “tragjedinë” e pabarazisë së vaksinave dhe dhuroi 100 mijë euro nga fondacioni i saj në programin COVAX për qasje globale në dozat e vaksinave kundër Covid-19. Donacioni do të mbështesë blerjen e vaksinave për popullatat më të rrezikuara dhe punëtorët shëndetësorë në disa nga vendet më të varfra në botë.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë më shumë për të trajtuar tragjedinë që është pabarazia e vaksinave”, tha Thunberg.

“Ne kemi mjetet në dispozicion për të korrigjuar çekuilibrin e madh që ekziston sot në botë në luftën kundër Covid-19. Ashtu si me krizë klimatike, së pari duhet të ndihmojmë më të prekshmit. COVAX, ofron rrugën më të mirë për të siguruar ndarjen e drejtë të vaksinave dhe një rrugëdalje nga pandemia”, theksoi ajo./ KultPlus.com

Flet ushtarja kosovare që fitoi ‘Shpatën Ndërkombëtare’: Ua dedikoj të gjithë ushtarëve të rënë, më së shumti fëmijëve të vrarë

Nëntogerja e FSK-së, Ilirianë Bunjaku, ditë më parë është shpallur kadetja më e mirë ndërkombëtare.

Ajo ka marrë çmimin e “Shpatës Ndërkombëtare” të cilin e jep Akademia Mbretërore Ushtarake në Sandhurst të Mbretërisë së Bashkuar.

Bunjaku ka thënë se me këtë rast i është shpërblyer puna dhe përkushtimi, njofton Klan Kosova.

“Motivi ka qenë mjaft i madh që ta përfaqësoja shtetin tim. Puna shpërblehet. Të qëndruarit natë e ditë pa gjumë me gjitha peripecitë dhe sfidat gjithmonë shpërblehet. Kam punuar fortë që ta marrë shpatën”, është shprehur ajo.

Këtë çmim Bunjaku ka thënë se e dedikon për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës.

“Ua dedikoj të gjithë ushtarëve të rënë – më së shumti është dedikim për fëmijët e vrarë në luftën”.

Në këtë garë ku ajo ka dalë triumfuese, thekson se konkurrenca ka qenë e madhe.

“Kanë qenë 26 kadetë nga shtete të ndryshme si Kolumbia, Ukraina dhe shumë shtete tjera. Nga 13 shtete që janë pjesë në akademinë ushtarake u ndjeva shumë mirë që shteti im tregoi se mund të jemi të parë. Është çmim shumë i rëndësishëm shtetin tim dhe për mua”.

Në edicionin e Orës së Pasditës ajo ka treguar se pjesë e FSK-së është nga viti 2015.

“Kam përfunduar Akademinë Ushtarake në Kosovë. Dëshira ta mbroj sovranitetin dhe të jem pjesë e ushtrisë… e kam pasë nga fëmijëria. Babai im ka qenë pjesë e luftës”.

“Akademia Ushtarake në Kosovë të trajnon aq mirë dhe ka instruktorë të fortë që gjithmonë të trajnojnë në mënyrat më të mira. Ata më kanë dhënë motiv të jem pjesë e akademisë ushtarake në Angli”./klankosova/ KultPlus.com

Bajroni dhe historia e byrekut nga Lunxhëria

Gatimet tradicionale që bëjnë banorët e Lunxhërisë kanë vjedhur zemra e turistëve ndër vite. Në mesin e të pasionuarve pas ushqimeve tradicionale ka qenë edhe shkrimtari Xhorxh Gordon Bajroni.

Kur Bajroni kaloi nëpër Lunxhëri dhe qëndroi në Labovë të Kryqit, Qestorat e gjetkë, në mes të ushqimeve të tjera, patjetër që i bënë edhe byrekun lunxhiot, me lakra, me cerepulicë brenda, erëza e çfarë jo tjetër.

Aq i shijoi byreku sa ai ka shkruar në kujtimet e tij, se e pyeti të zonjën e shtëpisë me se e kishte bërë byrekun kaq të shijshëm dhe i mbajti shënim gjithë përbërëse të tij.

Kur mbërriti në Londër, i thotë së ëmës t’i gatuante një të tillë me ç’kishte shkruar në listë, shkruan trahana-lunxheria.com.

Kur Bajroni provoi ta hante atë, u tha: “Faleminderit, por s’është si ai byreku që hëngra në Lunxhëri…”.

Parku Arkeologjik Kombëtar i Antigonesë është ndalesa kryesore e pothuajse çdo turisti që viziton Gjirokastrën, ndërsa fshatrat e Lunxhërisë kanë nisur të zhvillojnë turizmin malor, duke ofruar vizitorëve pasuritë natyrore të zonës.

Kërkesa e turistëve të huaj për të provuar gatimet tradicionale ka bërë që banorët e Lunxhërisë të shohin turizmin malor si një nga mënyrat, me të cilat mund të bëjnë biznes me produktet e tyre origjinale.

Gatimet vendëse ku kryesojnë bulmeti, mjalti i luleve dhe gatimet me saç, i joshin akoma turistët e huaj.

“Turistët preferojnë sidomos byrekun me lakra të pjekur në saç dhe mjaltin, i cili është artizanal dhe traditë e kësaj zone. Në dimër duan më shumë kulaçin e ngrohtë me djathë, por edhe petullat me mjaltë i pëlqejnë. U duken më të shijshme gatimet tona dhe të tilla janë sepse ne bëjmë çdo gjë vetë”, tregon 68 vjeçarja, Elisaveta Premti për gsh.al.

Krahina e Lunxhërisë është një trevë etnografike, me kostumet e veçanta të saj, e cila shtrihet përgjatë malit të Lunxhit përballë Gjirokastrës. /KultPlus.com

Studioi në Gjermani e kompaninë e themeloi në Kosovë, Universiteti i Gjermanisë e vendosë Ermal Sadikun në murin e të suksesshmëve

Fotografia e themeluesit të kompanisë LinkPlus, Ermal Sadiku është vendosur në murin e studentëve të suksesshëm të Universitetit gjerman ‘Offenburg University’, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Sadiku nëpërmjet një postimi në Facebook i cili ndër të tjera ka shkruar se ndihet shumë i lumtur nga nderimi që i është bërë nga Universiteti ku ai ka studiuar.

Ermal Sadiku ka tetë vjet që ka themeluar kompaninë LinkPlus në Kosovë dhe është një ndër kompanitë më tê suksesshme në Kosovë. Kjo kompani ka 48 punëtorë dhe punon për kompanitë më të mëdha botërore.

Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:

Shoqni,

Moti sjam gezu ma shume.

Universiteti ku kam studiu ne Gjermani, me paska vendos ne Hall of Fame te studenteve te suksesshem. Nuk kam pas burse sepse nuk kisha lidhje me politike. As te njofeshem ama shume zemer. Jam kthy nga ky Universitet me po kete zemer ne vendin tem qe e du shume.

Ne kete universitet ka studiu edhe CEO i Mercedesit … pos te tjerash

Ju dua/ KultPlus.com