Vasfije Krasniqi flet për herë të parë në Kuvend: Me votë dëshmuat se i mbroni viktimat e luftës

Deputetja Vasfije Krasniqi në fjalimin e saj të parë në Kuvendin e Kosovës ka falënderuar votuesit e saj, për të cilët tha se dëshmuan se janë mbrojtës të viktimave të dhunës seksuale të luftës.

“Ju faleminderit që më përkrahet, mbështetet dhe më dhanë votën. Përmes votës së tyre ata dëshmuan se janë të gatshëm të ndihmojnë dhe mbrojnë viktimat e dhunës seksuale”.

“Një hap i rëndësishëm është marrë përmes propozimit për riemërimin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione duke iu shtuar edhe kategoria Personat e Dhunës Seksuale. Të bëhemi bashkë dhe të votojmë iniciativën nga Tinka Kurti”, ka thënë Krasniqi. / KultPlus.com

Elbenita Kajtazi prezanton Kosovën në BBC Cardiff Singer of the World, mahnitë me performancën (VIDEO)

Sopranoja shqiptare, Elbenita Kajtazi ka shkëlqyer me performancën e saj në skenën botërore të konkursit të këngës në BBC Cardiff Singer of the World, ku ajo për herë të parë në histori ka prezantuar Kosovën me një repertor të larmishëm të veprave botërore dhe shqiptare, shkruan KultPlus.

Me një qëndrim stabil në skenë dhe e veshur me një fustan tejet elegant, sopranoja kosovare ka shpalosur talentin e saj në performimin e muzikës klasike. Ajo përfaqësoi denjësisht shtetin tonë me interpretimin e veprave më të famshme ku në mesin e tyre ishte edhe kënga shqipe “Agimet Shqiptare” e kompozuar nga Avni Mula, e përmes së cilës duket se ajo ka shprehur mallin për atdheun.

Paraqitja e saj në një skenë të tillë ku ajo u shoqërua me një orkestër të tërë prapa saj, dëshmoi edhe një herë se sukseset e saj nuk kanë mbarim. Zëri i saj buçonte përgjatë çdo sekonde, e njëlloj si varësja e saj që po shkëlqente, Kajtazi me një hijeshi të pakrahasueshme ka vezulluar mbrëmë skenën dhe ka pushtuar atmosferën me veçantinë e saj.

Kujtojmë se Elbenita ka vendosur që të merr pjesë në dy kategori, në atë të këngës dhe operës pasi që konkursi BBC Cardiff Singers of the World është garë e dyfishtë.

Kajtazi e ka shpërndarë edhe videon ku na sjell më afër këtij interpretimi duke shpresuar që të gjithë ta shijojnë sa edhe ajo.

Tutje ajo është shprehur shumë krenare që ka arritur të reprezantojë Kosovën për herë të parë në Cardiff-Wales.

“Të dashur miq, uroj ta shijoni paraqitjen time në Cardiff Singers Of the World, është ëndërr e imja të këndoj rolin e Juliette, uroj që së shpejti ta kem në kalendarin tim! Nga zemra ju uroj gjitha të mirat dhe faleminderit shumë për përkrahjen. Ishte kënaqësi e papërshkrueshme ta reprezentoja Kosovën për herë të parë në Cardiff-Wales”, ka shkruar Kajtazi.

Pas këtij lajmi të mrekullueshëm nuk kanë munguar edhe urimet e shumta drejtuar Elbenitës, e ndër to nuk mungoi as urimi i sopranos Ermonela Jaho e cila është shprehur krenare me suksesin e Elbenites. / KultPlus.com

Kosova drejt një mjedisi më të mirë, me programin e ri të Komisionit Evropian



E drejtuar bashkarisht nga Komisioni Evropian dhe nga partnerët ndërkombëtarë të tij, Iniciativa për rajonet thëngjillore në tranzicion në Ballkanin Perëndimor dhe Ukrainë i fton të gjitha palët e interesuara që të bashkohen në takimin vjetor të iniciativës, me 23-24 qershor. Qëllimi i ngjarjes është që ta mbështesë dialogun e hapur në mes të të gjitha grupeve të synuara për largimin gradual të thëngjillit dhe tranzicionin e drejtë drejt burimeve të qëndrueshme të energjisë në Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë*, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi, dhe Ukrainë.

Qëllimi i iniciativës është që bashkarisht të hulumtohen rrugët për një tranzicion të drejtë në rajonet thëngjillore në Ballkanin Perëndimor dhe Ukrainë, dhe të ndihmohet e punohet në frymën e Marrëveshjes së Gjelbër. E krijuar në kontekstin e angazhimit të Bashkimit Evropian për të adresuar ndryshimet klimatike dhe për të përmbushur synimet e Marrëveshjes së Parisit, me shkëmbimin e ndërsjelltë në mes shteteve fqinje dhe ambicien për t`u bërë ekonomia e parë me transmetim zero të karbonit deri në vitin 2050, iniciativa përfshin masat përcjellëse për tranzicion të shpejtë e të drejtë të rajoneve thëngjillore në Ballkanin Perëndimor dhe në Ukrainë.

Iniciativa drejtohet nga Komisioni Europian dhe gjashtë partnerë bashkëpunues ndërkombëtarë: Banka Botërore, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), Banka Evropiane e Investimeve (EIB), Fondi Kombëtar për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Menaxhimin e Ujërave (NFOSiGW) në Poloni, dhe Kolegji i Evropës në Natolin. Ajo synon të nxisë dialogun përgjatë rajoneve dhe ndërmjet palëve të interesuara përmes ndarjes së njohurive, ndërtimit të kapaciteteve dhe shkëmbimit ndërmjet rajoneve thëngjillore në Ballkanin Perëndimor dhe Ukrainë, dhe ato në BE.

Iniciativa do të ofrojë mbështetje për rajonet thëngjillore që synojnë të implementojnë një tranzicion të drejtë drejt burimeve të qëndrueshme të energjisë. Vendet në fokus janë Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Ukraina. Një sitje dhe shqyrtim fillestar ka identifikuar të paktën 17 rajone brenda këtyre vendeve, me aktivitete të ndjeshme të minierave të thëngjillit dhe prodhim të energjisë me djegie të thëngjillit që janë të ftuara për pjesëmarrje në këtë iniciativë. Rajone të tjera me aktivitete të ndjeshme të minierave të thëngjillit ose prodhim të energjisë me djegie të thëngjillit gjithashtu janë të mirëseardhura t’i bashkohen iniciativës. Për të mësuar më shumë rreth rajoneve, ju lutemi lexoni këtu.

Mbështetja e iniciativës përfshin pesë komponentë. Fillimisht, iniciativa do të ofrojë një platformë të hapur që lejon dialogun me shumë palë në mbarë rajonin përmes aktiviteteve dhe ngjarjeve të komunikimit. Të gjithë palët e interesuara janë të ftuara të bashkohen në dialog. Në mesin e grupeve të parashikuara të interesit janë autoritetet publike, aktorët e sektorit të energjisë, OJQ-të, hulumtuesit, bizneset, mediat, organizatat ndërkombëtare, partitë politike, etj.

Së dyti, iniciativa do të implementojë një program shkëmbimi nga një rajon thëngjillor te tjetri. Rajonet pjesëmarrëse nga Ballkani Perëndimor dhe Ukraina dhe BE do të krijojnë lidhje dhe do të ndajnë përvojat, njohuritë dhe praktikat më të mira mbi çështjet që lidhen me tranzicionin. Programi do të përfitojë nga përvoja plot sukses e Iniciativës për Rajonet Thëngjillore në Tranzicion, e krijuar për rajonet thëngjillore në vendet e Bashkimit Evropian në vitin 2017.

Së treti, do të ndërtohen kapacitetet në radhët e palëve të interesuara relevante përmes një Akademie Mësimore të Rajoneve Thëngjillore që do të ofrojë trajnime të dedikuara për qeverisjen, angazhimin e komunitetit, bonifikimin e mjedisit dhe ridestinimin e tokës dhe pasurive.

Së katërti, rajoneve të përzgjedhura pilote do t’u ofrohet asistencë teknike në formën e mbështetjes me ekspertë për të zhvilluar hartat e tranzicionit për autoritetet relevante publike.

Krejt në fund, iniciativa do të ndihmojë rajonet thëngjillore të realizojnë qasje në financim për projektet ose programet e tranzicionit, bazuar në burime të ndryshme të disponueshme nga Komisioni Evropian, Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe Banka Evropiane e Investimeve.

Detajet në lidhje me aktivitetet e iniciativës do të paraqiten në takimin e parë vjetor të saj. Ai do të mbahet më 23-24 qershor online dhe do të jetë i hapur për të gjithë pjesëmarrësit e interesuar. Për të marrë informacion të mëtejshëm në lidhje me ngjarjen, ju lutemi abonohuni te iniciativa. Për më tepër, të interesuarit do të ftohen të jenë pjesë e databazës së grupeve të parashikuara, prej nga do të marrin të gjitha lajmet e fundit në lidhje me Iniciativën.

Për të mësuar më shumë rreth iniciativës, ju lutemi lexoni këtu. / KultPlus.com

Presidentja Osmani merr pjesë në samitin vjetor të SEECP-së dhe në takimin inaugurues të Forumit Diplomatik të Antalias

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani udhëtoi zyrtarisht për në Turqi, ku do ta përfaqësojë Kosovën në samitin vjetor të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP). Në këtë samit, i cili sivjet mbahet për herë të 25-të dhe këtë vit udhëhiqet nga Turqia, Presidentja do të flasë lidhur me qëndrimet e Republikës së Kosovës për sa i përket bashkëpunimit rajonal, adresimit të sfidave të pandemisë, si dhe integrimit euro-atlantik. 

Më pas, Presidentja Osmani do të marrë pjesë në Forumin Diplomatik të Antalias, krahas shumë udhëheqësve shtetërorë nga e gjithë bota. Në këtë forum ajo do të jetë pjesë e panelit “Global Governance: New Approaches for Global Solutions” (Qeverisja globale: Qasje të reja për zgjidhje globale). Ajo poashtu do të flasë edhe në disa prej ngjarjeve të tjera të organizuara nga ky forum. 

Gjatë qëndrimit në Turqi, Osmani do të ketë edhe disa takime me përfaqësues të vendeve të ndryshme, pjesëmarrës në këto dy forume. Ajo do ta takojë presidentin e Turqisë, Erdogan, përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Borell, ministrin e Jashtëm të Pakistanit, Makhdoom Shah Mahmood Qureshi, si dhe udhëheqës të tjerë pjesëmarrës në këtë forum. / KultPlus.com

Diamanti më i madh i gjetur nga “Debswana” në historinë 50 vjeçare të kërkimeve të saj

Autoritetet në shtetin afrikan të Botswana prezantuan përpara publikut një diamant gjigand që mendohet të jetë guri i tretë në botë për nga madhësia.

Guri i çmuar me peshë 1098 karatë u prezantua nga presidenti Mokgweetsi Masisi, një javë pasi ai u gjet nga kompania gjysmë-shtetërore “Debswana”.

Diamanti është vetëm pak më i lehtë nga “rivali” i tij në vend të dytë, i cili po ashtu u gjet në Botsëana në vitin 2015.

“Ky është diamanti më i madh i gjetur nga “Debswana” në historinë 50 vjeçare të kërkimeve të saj”, tha Lynette Armstrong, një prej drejtueseve të kompanisë.

“Sipas analizave paraprake mendojmë se kemi të bëjmë me gurin e tretë të çmuar më të madh në botë”, shtoi ajo. / Gazeta Express / KultPlus.com

Në 78 vjetorin e lindjes, veshje dhe libra të Ukshin Hotit vendosen në Shtëpinë Muze

Sot shënohet 78 vjetori i lindjes së njërit ndër intelektualët dhe veprimtarët më të shquar kosovarë, Ukshin Hotit, shkruan KultPlus.

Ukshin Hoti ka qenë dhe do të mbetet një ndër figurat më të fuqishme të rezistencës në vitet më të vështira për Kosovën.

Më 16 maj 1999, kur në Kosovë po zhvillohej lufta, Ukshin Hoti arrin te fundi i dënimit të tij politik në burgun e Dubravës, pasi u arrestua nga forcat serbe, por edhe pse doli nga burgu, ai asnjëherë nuk u kthye në shtëpi.

Ai mbetet një nga mijërat personat e zhdukur që prej periudhës së luftës në Kosovë.

Sot, në këtë përvjetor të lindjes, ai është kujtuar edhe nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i cili bashkë me aktivistë e banorë të Krushës së Madhe, në Shtëpinë Muze kanë vendosur dy palë rroba të Ukshin Hotit dhe librat e tij.

Kurti është shprehur se jeta e tij vepër dhe rikthimi të shtëpia muze, na mbajnë fort në rrugë të drejtë dhe përplotë me energji për ecje përpara.

Postimi i plotë i Kurtit:

Java e Lëvizjes nisi me 10 qershor me shënimin e përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit dhe përmbyllet sot me 17 qershor me shënimin e ditëlindjes së Ukshin Hotit.

Me aktivistë e banorë të Krushës së Madhe, në Shtëpinë Muze, bashkë me Avni Deharin vendosëm dy palë rroba të Bacës Ukë: xhemperin që e ka preferuar më së shumti dhe një kostum vere të cilin e veshi kur doli nga burgu i parë. Ai kostum shihet edhe në fotografinë nga një koncert i Shkurte Fejzës në Kërçovë.

Librat e Profesor Hotit, jeta e tij vepër dhe rikthimi te kjo shtëpi na mbajnë fort në rrugë të drejtë dhe përplot me energji për ecjen përpara. / KultPlus.com

78 vjet nga lindja e Ukshin Hotit, veprimtarit të papërsëritshëm

Sot shënohet 78 vjetori i lindjes së njërit ndër intelektualët dhe veprimtarët më të shquar kosovarë, Ukshin Hotit, shkruan KultPlus.

Ukshin Hoti ka qenë dhe do të mbetet një ndër figurat më të fuqishme të rezistencës në vitet më të vështira për Kosovën.

Më 16 maj 1999, kur në Kosovë po zhvillohej lufta, Ukshin Hoti arrin te fundi i dënimit të tij politik në burgun e Dubravës, pasi u arrestua nga forcat serbe, por edhe pse doli nga burgu, ai asnjëherë nuk u kthye në shtëpi.

Më 19 maj 1999, burgu ishte rrethuar me tanke dhe me armë antiajrore të ushtrisë serbe, i cili bombardohet nga NATO.

Në ditët në vazhdim rojet dhe paramilitarët serbë radhisin në oborr 800 të burgosur shqiptarë nga 1000 që kishte burgu, ndërsa të tjerët fshihen nëpër qeli të burgut.

Rojet dhe paramilitarët serb zbrazin plumbat e tyre tek të burgosurit me të gjithë arsenalin që ata kishin në dorë: granata, mitralozë, snajperë dhe bazukë. Masakrohen 176 persona dhe plagosen mbi 200 të tjerë.

Human Right Watch shkoi në vendin e ngjarjes me 24 maj të vitit 1999 dhe vë në dukje dëmet që do t’i publikojnë në raportin e tyre. Mirëpo Ukshin Hoti nuk u gjet në mesin e tyre. Ai mbetet një nga mijërat personat e zhdukur që prej periudhës së luftës në Kosovë. / KultPlus.com


Foto: Edi Shukriu, Niagare, SHBA.
 

Stuhia diellore godet sot Tokën, shpejtësia 300 km/s

Stuhia  diellore do ta godasë Tokën sot dhe nesër. Sipas parashikuesve planeti ynë mund të përjetojë “trazira gjeomagnetike” si rezultat.

Stuhia diellore të cilat kanë lindur nga një shpërthim që buron nga një njollë dielli janë afër Tokës dhe pritet ta godasin atë. Ekspertët besojnë se stuhia diellore mund të arrijë Tokën sot dhe të vazhdojë të bombardojë planetin tonë për 24 orë.

Sipas faqes së astronomisë Space Weather, stuhia diellore udhëton me më shumë se 300 kilometra në sekondë.

“Trazirat e vogla gjeomagnetike ka të ngjarë të ndodhin në 16-17 qershor kur një rrymë e erës diellore godet fushën magnetike të Tokës’”, tha Dr Tony Phillips .

Fatmirësisht, stuhia diellore nuk ka të ngjarë të shkaktojnë më shumë dëme këtë herë sesa aurora. Aurora, të cilat përfshijnë dritat veriore – aurora borealis – dhe dritat jugore – aurora australis – shkaktohen kur grimcat diellore godasin atmosferën.

Ndërsa magnetosfera bombardohet nga stuhia diellore, dritat blu mahnitëse mund të shfaqen ndërsa ajo shtresë e atmosferës devijon grimcat. Sidoqoftë, studiuesit gjithashtu vërejnë pasojat e një stuhie diellore dhe moti hapësinor mund të shtrihet përtej dritave veriore ose jugore.

Për pjesën më të madhe, fusha magnetike e Tokës mbron njerëzit nga breshëria e rrezatimit që vjen nga njollat ​​e diellit, por stuhitë diellore mund të ndikojnë në teknologjinë e bazuar në satelit. Stuhia diellore mund të ngrohin atmosferën e jashtme të Tokës, duke bërë që ajo të zgjerohet.

Kjo mund të ndikojë në satelitët në orbitë, duke çuar potencialisht në mungesë të navigimit GPS, sinjalit të telefonit celular dhe TV satelitor siç është Sky. Një rritje e grimcave mund të çojë gjithashtu në rryma të larta në magnetosferë.

Kjo mund të çojë në energji elektrike më të lartë se normale në linjat e energjisë, duke rezultuar në shpërthime të transformatorëve elektrik dhe stacioneve të energjisë dhe një humbje të energjisë. Studimet e mëparshme kanë zbuluar se Dielli lëshon një shpërthim ekstrem diellor mesatarisht çdo 25 vjet, e fundit që goditi Tokën ishte në 1989. Nga kjo stuhi pa ndërprerje të energjisë në Quebec, Kanada. / Gazeta Express / KultPlus.com

Piktura me kripë dhe bojëra uji nga një artist sirian

Në Kilis të Turqisë tërheqin vëmendje pikturat e artistit sirian, Husam Teljibini i cili pikturon me lloje të ndryshme të bojërave si dhe me kripë.

Artisti 33-vjeçar, Teljibini i cili erdhi në Kilis para 8 vitesh nga qyteti sirian Azez siguron jetesën me paratë që fiton me shitjen e pikturave të tij.

Ai hapi 12 ekspozita të pikturës në Stamboll, Gaziantep dhe Kilis me piktorë turq dhe sirianë me pikturat e tij me laps të zi, vaj, akrilik dhe me bojëra uji.

Teljibini gjithashtu është vullnetar si mësues për fëmijët që janë të interesuar të pikturojnë.

Teljibini thekson se ishte i interesuar për pikturë që në moshën 15-vjeçare ndërsa diplomua në Departamentin e Dizajnit të Brendshëm dhe Dekorimit në Fakultetin e Arteve të Bukura në Siri.

Ai tregon se kripa e derdhur në tryezë në restorantin ku kishte shkuar për të darkuar me miqtë e tij para dy vitesh në Kilis i dha një ide tjetër për të pikturuar.

“Unë kisha një letër në dorë. U përpoqa të bëja diçka nga kripa e derdhur. Pastaj studentët e mi ishin shumë të gëzuar kur ua paraqita këtë ide. Pasi vendosëm letrat e sfondit të zi në tryezë, ne përpiqemi të bëjmë diçka me një copë të vogël prej letre duke spërkatur kripën e tryezës. Meqenëse sfondi është i zi, del një pamje shumë e bukur me kripë, por fatkeqësisht këto punime nuk janë të qëndrueshme. Ne vetëm i fotografojmë pikturat që i bëjmë. Vetëm në këtë mënyrë mund t’i ekspozojmë veprat tona”, tha Teljibini./atsh/ KultPlus.com

Kor vajzash në katedralen e Ratisbonne-s pas 1 000 vitesh pritjeje

Kori i djemve, pjesë e katedrales së Ratisbonne-s po thyen një traditë 1 000-vjeçare për të krijuar një kor vajzash të ndarë.

“Ne po presim me padurim t’i mirëpresim vajzat në shkollën tonë në të ardhmen dhe t’u sigurojmë atyre mundësitë tona të jashtëzakonshme”, njoftoi sot drejtori i korit, Christian Heiss në qytetin bavarez.

Shkolla, ku djemtë marrin një shkollim normal si dhe një trajnim muzikor, do të fillojë të presë vajza duke nisur nga vitit shkollor 2022/23.

Kori i djemve, i njohur botërisht nën emrin Regensburger Domspatzen do të ruhet në formën aktuale. Ky është kori më i vjetër i djemve në botë dhe daton që prej vitit 975.

Njoftimi ishte parashikuar, pasi Heiss tregoi një ndryshim gati dy vjet më parë në marrjen e postit të tij.

Por ai theksoi se kori i djemve nuk do të ndryshohej. “Regensburger Domspatzen do të mbetet kori i katedrales si kor djemsh”, shtoi ai.

Sipas traditës, peshkopi Wolfgang i Regensburgut ngriti shkollën katedrale në 975.

“Strukturimi liturgjik i shërbimeve fetare në katedrale ishin pjesë e detyrave më të rëndësishme të nxënësve të saj”, kështu e përshkruan peshkopata Regensburg historinë e korit./atsh/ KultPlus.com

‘Profa që t’ka ngucë e ka venin n’burg, jo n’shkollë’, grafitet e aktivisteve në muret e Gjilanit

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, sonte ka zhvilluar një aksion simbolik me grafite në muret e qytetit të Gjilanit, me shkrime feministe që e kundërshtojnë dhunën e shumëfishtë̈ ndaj vajzave dhe grave në Gjilan, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në Facebook Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka shkruar se përmes denoncimit të patriarkalitetit si sistem i cili i dhunon vajzat dhe gratë, janë dhënë mesazhe se rezistenca e përbashkët do të vazhdojë.

“Përmes denoncimit të patriarkalitetit si sistem i cili i dhunon vajzat dhe gratë përmes dominimit burrëror dhe mirëmbajtjes së strukturave shtypëse, aktivistet gjilanase dhe Kolektivi dhanë mesazhe që rezistenca e përbashkët do të vazhdojë, deri sa të ketë siguri dhe drejtësi për të gjitha vajzat dhe gratë”, thuhet ndër të tjera në postimin e tyre.

Kujtojmë se aktivitete të tilla janë mbajtur edhe në qytetin e Deçanit, Mitrovicës dhe Lipjanit. / KultPlus.com

Sonte, muret e Gjilanit u mbushën me shkrime feministe që e kundërshtojnë dhunën e shumëfishtë ndaj vajzave dhe…

Posted by Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist on Wednesday, June 16, 2021

Dakota Johnson pjesë e filmit më të ri të Netflix

Aktorja Dakota Johnson do të jetë pjesë e filmit më të ri të Netflix.

Lajmin e ka bërë të ditur faqja zyrtare e Netflix në Twitter.

Në filmin e titulluar “Persuasion” (Bindja), Dakota do të portretizojë rolin e Anne Elliot e cila do të vijë si një ndërthurje me romanin e Austen.

Në film do të trajtohet  historia e Anne dhe familjes së saj të cilët do të përballen me cështje financiare dhe ribashkimi i Elliot me të fejuarin Frederick, (Cosmo Jarvisi) pas 7 vitesh ndarje./ KultPlus.com

Promovohet libri i Valentina Leskajt ‘Politika si ide’: Reflektim mbi çështjet që përballet shoqëria shqiptare

Valentina Leskaj, një personazh i njohur i politikës shqiptare, promovoi sot në Tiranë librin e saj “Politika si ide” nga botimet Toena.

Në ceremoninë e promovimit të këtij libri morën pjesë kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, shkrimtarë, gazetarë etj.

Leskaj në fjalën e saj u shpreh se, “ky libër nuk është një libër kujtimesh, nuk është një libër që ka të bëjë me jetën time. Është një libër reflektues se si unë i shoh disa nga çështjet që përballet shoqëria shqiptare, që padyshim që ka qenë pjesë e angazhimit tim qytetar, e angazhimit profesional dhe atij politik”.

“Jam ulur të shkruaj këtë libër 3 vjet pasi jam larguar nga politika, dhe jo pa qëllim, sepse unë besoj se një distancë në kohë të jep mundësi, pse jo për një gjykim më distant dhe më të ftohtë. Çdo analizë është ajo çfarë kam mësuar çdo ditë nga jeta ime politike. Padyshim një politikan nuk pushon së qeni i angazhuar edhe kur vendos të largohet apo të tërhiqet nga politika aktive, pasi unë mendoj që beteja e ideve bëhet motoja e tij dhe natyrisht ajo është brenda teje”, tha Leskaj.

“Për vetë kontekstin historik, shoqëria jonë ende nuk ka një debat mirëfilli për disa çështje të rëndësishme, ku mendimi botëror prej gati një shekulli ka qenë i angazhuar. Edhe pse për shumëkënd nga ne duket si një pretendim i largët, për një vend të vogël dhe për një politikë me probleme, unë mendoj se ka ardhur koha që ne t’i japim më shumë hapësirë debatit për çështje që i kalojnë kufijtë e politikës së ditë që shpesh dominon debatin publik”, theksoi Leskaj.

Ajo tha se në libër preken disa nga çështjet që lidhen me këtë temë si kultura politike, apo niveli i demokracisë.

“Kulturën politike unë e shoh si lakmues të demokracisë funksionale. Por ne edhe pas 30 vjetësh në fakt diskutojmë për gjëra bazike të një demokracie funksionale. Diskursi publik shpesh vërtitet tek gjëra që janë bazike për një demokraci funksionale, siç janë zgjedhjet apo mungesa e dialogut politik. Për pasojë, shumë gjëra që e bëjnë një politikë serioze dhe me demokraci funksionale mbeten në periferi”, tha Leskaj.

Ndërsa drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli e cilësoi këtë libër si, “një hapësirë e madhe dhe tepër e gjerë idesh”.

“Leskaj artikulon mbi gjuhën e urrejtjes, mbi kulturën politike, dy binome të lidhura fort me njëra-tjetrën, të cilat vijnë në një analizë ndoshta për herë të parë në diskursin publik shqiptar”, tha Bardhyli.

“Leskaj është pararojë në këtë libër edhe për çështje të tjera, siç është ajo e popullsisë, artikuluar herët që në vitin 1992, kohë kur drejtonte Qendrën për Popullsinë dhe Zhvillimin apo më vonë kur drejtonte Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, duke kërkuar vëmendjen e duhur ndaj një problemi serioz dhe tepër kompleks, referuar statistikave. Artikulimet e saj mbi këtë çështje e çojnë mendimin shqip në sferën e diskutimeve bashkëkohore për popullsinë, të cilat pas pandemisë COVID-19 janë bërë shqetësim i të gjithëve”, theksoi Bardhyli.

Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Ardian Civici në fjalën e tij tha se, “libri është vërtetë shumë i bukur, i shkruar thjeshtë. Por njëkohësisht, përtej kuriozitetit që ka çdo njeri, çdo individ për politikën, për vendimmarrjen, aty gjen edhe debatet kryesore ideore, bashkëkohore dhe përgjigjet e duhura, të paktën qëndrimin e autores”.

Ndërsa shkrimtarja Diana Çuli në fjalën e saj theksoi se, “Valentina Leskaj për mua nuk mund të kuptohet, por edhe për të gjithë ata që e njohin, pa përpunimin dhe analizën e paprerë të ideve, pa gjetjen e atyre të rejave”.

Ajo shtoi se, “titulli i librit i përshtatet përmbajtjes, si rrallëherë një titull”.

“Ky libër është ndalesë e natyrshme e Valentina Leskajt për të hedhur në letër një pjesë të rëndësishme të përvojës së saj të pasur dhe unike për të na shtyrë të reflektojmë për këto dy dekada”, nënvizoi Çuli.

Ndërsa, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha, u shpreh në fjalën e tij se, “ky është një libër që vërtetë ia vlen të lexohet”.

“Vlera më e madhe e këtij libri është një kontribut dhe mjaft i vyer dhe i veçantë që do të nxisë një debat”, tha Misha, duke shtuar se, “libri ka një gamë të madhe problemesh që preken”.

“Gjëja tjetër e rëndësishme, është se përveç një rrafshi të lakmueshëm teorik dhe intelektual, libri është gjithmonë në një rrafsh krahasues”, tha ai./asht/ KultPlus.com

Diplomati francez Z. Alain Le Roy mban ligjëratë publike në Kolegjin Universum


Të premtën me 18 Qershor nga ora 11:00 Kolegji Universum organizon Ceremoni & Ligjeratë Publike me Z. Alain Le Roy, Diplomat Francez, i cili ka qenë Administrator Gjeneral i Kombeve të Bashkuara në Kosovë nga viti 1999 – 2000.

Tema e ligjeratës është “Perspektiva e Republikes se Kosoves sipas Alain Le Roy“. Poashtu në shenjë mirënjohje për kontributin e tij në Kosovë, Kolegji Universum do t’i ndaje Z. Le Roy cmimin për “Te Drejta të Njeriut dhe Paqe”.

Eventi do të mbahet në Kampusin e Kolegjit Universum në Lipjan dhe është i hapur për të gjithë të interesuarit.

Për informata shtesë kontakto Kolegjin Universum në [email protected], ndiqni faqen në facebook & instagram apo telefononi në +383 44 144 062.

(Artikull i sposorizuar nga Kolegji Universum)

‘Yjet mbi qiell na bënin roje e lisat gjelbëronin prej lakmisë’ (VIDEO)

Sabri Fejzullahu është një nga këngëtarët më të spikatur të skenës muzikore në Kosovë, shkruan KultPlus.

Edhe pse Fejzullahu vazhdon të jetë mjaft aktiv edhe në ditët e sotme, këngët e tij më të vjetra janë hite të jashtëzakonshme.

“Kur pranvera ishte në Prishtinë”, është vetëm njëra nga hitet e tij e cila është kënduar e përpunuar nga dhjetra këngëtar të tjerë.

KultPlus këtu sjell tekstin dhe videon e kësaj kënge:

“A t’kujtohet natë e parë,
shi kur binte në Prishtinë?
Unë e ti si dy këngëtarë
pëshpëritnim për dashurinë!

Unë të doja, ti më doje
lugut t’gjelbërt të Gërmisë;
Yjet mbi qiell na bënin roje
e lisat gjelbëronin prej lakmisë!

S’harrohet dot ngrohtësi e parë
kur pranverë ishte në Prishtinë!
Unë e ti si dy këngëtar
thurnim vargje për ardhmërinë!

S’harrohet dot ngrohtësi e parë
Kur pranverë ishte në Prishtinë.
Unë e ti si dy këngëtar
thurrnim vargje per ardhmerinë.

A t’kujtohet natë e parë,
Shi kur binte në Prishtinë.
Unë e ti si dy këngëtar,
përshpërisnim për dashurinë

Unë të doja ti me doje,
lugut t’gjelbërt të Gërmisë,
yjet n’qiell na bënin roje,
e lisat gjelbronin prej lakmisë.

S’harrohet dot ngrohtësi e parë,
kur pranverë ishte në Prishtinë,
Unë e ti si dy kengetarë
thurrnim vargje per ardhmerinë.

s’harrohet dot ngrohëtësi e parë
kur pranverë ishte në Prishtinë
un e ti si dy këngëtar
thurrnim vargje për ardhmërinë
2x.
Në Prishtinë”/ KultPlus.com

Në shtratin e vdekjes, Dostojevski i tha gruas së tij: Nuk të kam tradhëtuar as edhe me mendime

KultPlus ju sjell një letër që Dostojevski i shkroi të dashurës së tij Marias, para se të vdiste.

“Në rrugën ku jeton ti, jetojnë nëntë gra më të bukura se ti, shtatë të tjera më të gjata se ti dhe nëntë me të shkurtra se ti. Është edhe një tjetër që më dashuron më shumë sesa ti.

Në punë është një grua që më buzëqesh gjithmonë, një tjetër më nxit të bisedoj me të, ndërkohë që kamarierja ma ëmbëlson çajin me mjaltë në vend të sheqerit. E megjithatë, unë të dua vetëm ty.”

Pasi u martuan, Maria manifestoi një përkushtim të rrallë ndaj të shoqit, duke duruar sëmundjen e tij, varfërinë, udhëtimet dhe mungesat.

Teksa dergjej në shtrat, Dostojevski i pëshpëriti në vesh: Nuk të kam tradhtuar as edhe me mendime. / KultPlus.com

Arkeologu i shquar francez që u mahnit me shqiptarët

Leon Hëzej (Leon Heuzey, 1831-1922) ishte një arkeolog dhe historian i shquar francez, Anëtar i Akademisë së Arteve të Bukura dhe i Akademisë së Mbishkrimeve dhe Letërsisë së Parisit, nip i Napoleon Bonapartit.

Pas ekspeditës arkeologjike në Maqedoni, ku mblodhi mjaft material arkeologjik, të cilin e botoi në librin “La mission arhelogigue de la Macedoine” (Misioni arkeologjik në Maqedoni), më 1867 erdhi në Shqipëri. Zbriti në Vlorë dhe u nis në Apoloni.

Përshkruan afresket e kishës në Apoloni dhe objektet arkeologjike të cilat i përcakton të ardhura nga Greqia, ndërsa Apoloninë si koloni të korintasve. Mjaft fragmente dorike, tempuj ndërtime publike, shtylla e tempullit të Dianës, Akropoli etj që ai gjenti në Apoloni e kanë origjinën nga Korinti- shkruan Heuzey.

Faksimilime  4 të librave të Leon Hëzejt
Pasi la Apoloninë, shkon në Durrës, ku u ndesh me shumë ndërtime romake të kohës së Trajanit dhe Adrianit si dhe ato bizantine.

Gjetjet arkeologjike të Epidamit i sollën ndërmend ekspeditën e Pompeut që zbarkoi në Orikum në vitin 49 pr. K pët t’u ndeshur në brigjet e Ilirisë me trupat ushtarake të Qezarit në Durrës.

Një vit më pas, ato i trajtoi në librin “Veprimet ushtarake të Jul Qezarit”, Paris, 1886.

Më 1861 u largua në Korfuz, duke lënë pas një kulturë materiale me vlerë autuktone ilire të periudhave greko-romake që sundimi osman i kishte lënë në harresë. Prandaj për të mos humbur një pjesë të objekteve arkeologjike i dërgi në muzetë e Parisit, Romës e Vjenës.

Heuzey gjatë udhëtimeve në Tesali banoi në një fshat arvanitas, ku përshkruan me pasionet kostumet e shqiptarëve, por ajo që e befasoi ishte se shqiptarët i mbanin gratë pranë tyre dhe nuk i largonin kur vinin miqtë.

Këto përshtypje të tjera për shqiptarët i boton në librin: “Excursion dans la Thessalie turque en 1858” (Ekskursion në Thesalinë turke më 1858)./ KultPlus.com

“O shokë, ç’u prish dynjaja”

Duket sikur Çajupi kishte aftësinë e parashikimit të fatit, pasi kur shkroi këtë poezi, ka arritur ta përcjellë deri në ditët e sotme, si tepër aktuale.

“0 shokë, ç’u prish dynjaja

si për burra dhe për gra,

tani shitetë sevdaja,

mjer’ ai që s’ka para.

I pasur, të palltë varri,

ti që bleve dashurinë

dhe nuk e le si në pari,

të martë djalli shpirtinë!

Ndëgjoni, more të ri,

ndëgjoni dhe ju të ra:

duani atë që di,

jo atë që ka para.

Duani dhe vjershëtorë

barabar me perëndinë,

se rri me lule në dorë

edhe këndon dashurinë…”

Andon Zako Çajupi ka lindur në Sheper të Zagorisë (Gjirokastër). Në Nivan kreu mësimet gjysmë të mesme, të cilat i plotësoi në një lice francez në Egjipt, ku jetonte i ati. Më 1887, pasi bëri një vizitë në Sheper, që ishte e fundit për të, Çajupi shkoi në Zvicër, atje kreu studimet e larta dhe mori titullin e doktorit të drejtësisë. Në Kajro, ku u vendos për gjithnjë, punoi për një farë kohe si avokat.

Nga fundi i shek. XIX mori pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike shqiptare dhe mbajti krahun e saj më të përparuar. Në rrethet e gjera atdhetare u bë i njohur me një artikull që shkroi në kuadrin e diskutimit rreth çështjes së alfabetit në të cilin doli kundër adoptimit të alfabetit grek për gjuhën shqipe.

Më 1909 botoi shkrimin e njohur Klubi i Selanikut, një pamflet dërrmues kundër armiqve të brendshëm të lëvizjes kombëtare shqiptare. Patriotizmi i flaktë dhe qëndrimi i prerë ndaj pushtuesve të huaj, e nxorën Çajupi në krye të patriotëve që vepronin në Egjipt. Më 1919 u zgjodh kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” me qendër në Kajro. Qe frymëzuesi dhe njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit i dërguan Konferencës së Paqes më 1919 në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Më 1920 themeloi “Shoqërinë e Miqve”, e cila në vitin 1928 e ngriti zërin kundër shpalljes së monarkisë nga Ahmet Zogu.

Veprimtaria letrare

Pothuajse në të njëjtën kohë me veprimtarinë atdhetare Çajupi e nisi punën letrare. Më 1902 botoi librin “Baba Tomorri”, një nga veprat më të shquara të letërsisë së Rilindjes Kombëtare. Me këtë përmbledhje që dallohet nga fryma luftarake patriotike, demokratizmi i hapur dhe fryma popullore në brendi dhe në formë Çajupi solli një ndihmesë të çmuar në pasurimin e letërsisë kombëtare. Në pjesën e parë dhe të dytë të librit janë vendosur me radhë vjershat patriotike dhe ato me temë dashurie; vjershat me karakter shoqëror dhe fabulat e shqipëruara janë përfshirë në pjesën e tretë të librit, që përmbyllet me komedinë e njohur Përrallë nga e kaluara. Vjersha e gjatë “Baba Tomori”, me të cilën hapet përmbledhja, është një grishje e zjarrtë drejtuar bashkatdhetarëve që të zgjohen dhe të përpiqen për atdheun e robëruar.

Patriotizmi i flaktë shquan edhe një varg krijimesh të tjera poetike, si Mëmëdheu, Ç’jemi? …. Ku kemi lerë?, Vaj etj, në të cilat duket brenga e poetit tek shihte që lëvizja nuk kishte marrë ende vrullin që ai dëshironte. Në një varg poezish kumboi me forcë thirrja për të rrëmbyer armët kundër robërisë shekullore të huaj (Besa-besën, shqiptar, Atdheu dhe dashuria etj.). Dashuria e flaktë për atdheun është shkrirë në poezitë e Çajupi me urrejtjen e papërmbajtur ndaj armiqve të Shqipërisë, të cilët fshikullohen me forcë të veçantë satirike, si në vjershat Sulltani, Punërat e Perëndisë, Greku dhe Shqiptari. Në një sërë vjershash poeti foli për plagët shoqërore të fshatit shqiptar (Fshati im, Kurbeti, Fyelli i bariut etj.) i këndoi dashurisë si ndjenjë njerëzore e natyrshme.

Pikëpamjet demokratike të Çajupi gjetën shprehje në një varg vjershash ku goditet shtypja dhe pabarazia shoqërore, ngrihet lart e me dinjitet jeta e lirë (Misiri, Varfëria dhe liria). Rreth viteve 1903-1905 Çajupi përfundoi poemën Baba Musa Lakuriq, që mbeti dorëshkrim. Në këtë vepër që zë një vend të rëndësishëm jo vetëm në krijimtarinë e poetit, por edhe në gjithë letërsinë demokratike, poeti parodizoi Biblën dhe në të njëjtën kohë, nëpërmjet legjendave biblike, trajtoi një varg problemesh të mprehta politike të kohës, goditi moralin hipokrit dhe një varg shfaqjesh negative të shoqërisë me klasa.

Në historinë e letërsisë shqiptare Çajupi zuri vend edhe si dramaturg. Rëndësi të veçantë kanë sidomos komeditë e tij: Përralle nga e kaluara dhe Pas vdekjes (shkruar më 1910, botuar më 1937), me të cilat solli një ndihmesë me vlerë në zhvillimin e këtij lloji në letërsinë tonë. Në komedinë e parë, autori vuri në lojë me një humor të lehtë mentalitetin dhe zakonet prapanike të fshatit shqiptar, të cilin e dha me ngjyra të gjalla e plotë imtësi të goditura jetësore dhe etnografike.

Pas vdekjes është një komedi politike, ku me anë të situatave komike të gjetura bukur, përshkroi me sarkazëm dërrmuese portretin e politikanit që bënte lojën e xhonturqve në gjirin e lëvizjes patriotike shqiptare. Penës së Çajupi i përket edhe tragjedia Burri i dheut (botuar më 1937),

Çajupi u mor edhe me përkthime. Përveç një varg vjershash dhe fabulash që botoi në Baba Tomori, më 1921 nxori në dritë “Përralla të zgjedhura”: të vjershëtarit të madh La Fontenit, në të cilat, duke u nisur nga kërkesat ideore të shoqërisë shqiptare, rrahu me mjeshtëri çështjet politike, shoqërore, morale etj. të jetës së kohës, satirizoi veset njerëzore dhe shfaqjet negative të shoqërisë me klasa, si grabitjen, mashtrimin, dhunën etj. Më 1922 u botua Lulet e Hindit, përmbledhje me vjersha të poetëve indianë.

Çajupi është një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të letërsisë përparimtare shqiptare. Me veprat e tij, që shquhen nga patriotizmi luftarak, fryma e spikatur demokratike, karakteri Popullor, spontaniteti dhe realizmi në pasqyrimin e jetës, ai dha një ndihmesë të çmuar në përparimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të letërsisë sonë kombëtare./ KultPlus.com

Drita Agolli, regjisorja e parë shqiptare e diplomuar e skenës

Fjalët për Drita Agolli janë plot dritë, njëjtë si emri i saj. Regjisorja e parë shqiptare e diplomuar e skenës, aktorja, profesoresha Drita Agolli, la gjurmë e kujtime me vokacionin e saj, të përmbushura me përjetime të shumta e me përvoja të plota.

Si regjisore, Agolli vuri në skenë të Teatrit Popullor dhe të Operës 13 drama, përveç premierave me studentët e Institutit, ndërsa si aktore interpretoi disa role.

Në vitin 1950 fillon punë në Teatrin Popullor si aktore. Roli i parë i Drita Agollit ka qenë Marieli tek “Zëri i Amerikës” nga Lavrenjev, në vitin 1951.

Ja një pjesë e tregimit të saj në librin “Ecje nëpër kujtesë” me autore Sanije Gashin

Mirëpo, Drita, në fakt, ëndërr jetësore do ta ketë – regjinë. Kështu, si shpirt jo i qetë artistik, studimet e larta për skenografi dhe kostume teatri i ndjek në Institutin e Arteve të Bukura në Bukuresht, ndërsa dy vjet më pas, në vitin 1956, ato për regji teatri në Institutin e Artit Dramatik të Moskës, me emrin Lanacarskit (GITIS), të cilat i mbaron me sukses të lartë.

Kthehet në atdhe, mirëpo zhgënjimi vjen kur ajo, pas katër vjetësh studimesh për regji, detyrohet të punojë si aktore. Atëherë Drita nis punën dhe si pedagoge e jashtme në Shkollën e Lartë për Aktorë “Aleksandër Moisiu” ndërsa me themelimin e Institutit të Lartë të Arteve emërohet pedagoge në degën e dramaturgjisë ku punon krahas personaliteteve të shquara të artit dramatik si Andrea Malo, Kujtim Spahivogli, Mihallaq Luarasi, Esat Oktrova.

Porse Drita më në fund ia arrin ëndrrës së saj në fushën e regjisë.

“Ky profesion më dha mundësinë që të realizoja diçka në jetë, që e bën me pasion, ndërsa kënaqësitë dhe shqetësimet i vijnë si dhe përballimet e tjera, e formojnë si njeri dhe si artist.

Drita Agolli ka botuar një sërë artikujsh kritikë në lëmin e artit skenik, si dhe një libër autobiografik “I paemri”, i pritur ngrohtë nga specialistët e fushës dhe publiku i gjerë. Më 1 tetor 2017, u nda nga jeta Drita Agolli. / KultPlus.com

”Aussiewood” studioja e re filmike e Russell Crowe

Ylli australian i filmit, Russell Crowe dëshiron të hapë një studio të madhe filmi në vendin e tij.

”Coffs Harbour, në Australinë lindore, u zgjodh si vendndodhje. Ajo është mes Sidneit dhe Goldit”, sipas një deklarate të lëshuar gjatë prezantimit të projektit.

“Për disa vite, kam menduar se si mund të jem në gjendje të ndryshoj jetën time atje ku jetoj dhe punoj”, i tha Crowe transmetuesit ABC.

Që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, Australia është bërë një vend i famshëm xhirimi për projektet filmike në të gjithë botën, me nofkën “Aussiewood”, sepse vendi ka qenë i suksesshëm në kontrollimin e virusit.

Nuk është ende e qartë se kur do të fillojë ndërtimi i studios së filmit të Crowe.

Kostoja e projektit pritet të arrijë 438 milionë dollarë australianë (337 milionë dollarë amerikanë), sipas ABC. /atsh/ KultPlus.com

Folklori dhe tradita artistike tiranase ndezin atmosferën tek “Reja”

Mbrëmjen e djeshme në ambientet e “Resë së Tiranës” ka vazhduar “Festivali i Resë” me një mbrëmje të veçantë kushtuar folklorit dhe traditës artistike tiranase.

Për rreth një orë e gjysmë u performuan pjesë nga repertori i muzikës folk të trevës së Tiranës, e cila gjithashtu konsiderohet si një muzikë cilësore dhe profesionale të cilën e ka sjellë një grup i madh artistësh të mirënjohur si mjeshtrat e ahengut të “Ansamblit Tirana-Tirona”.

Allstars – Xhemal Kodra (Moli), Rik Buneci, Iris Bega, Moli i Ganiut, Hekuran Xambali, Adriatik Celmeta, Artur Yzeri, Dritan Hekurani, Gentian Muhaxhiri, Neki Kastrati, Pëllumb Meta, Eraldo Feto, Refail Caka ishin disa nga emrat që sollën atmosferë në mjediset e Resë.

Atmosfera fantastike përfshiu të pranishmit të cilët nuk rezistuan dhe u bënë pjesë duke kërcyer dhe dëfryer nën këta tinguj. /atsh/ KultPlus.com

Tenori Granit Musliu pjesë e Operës Shtetërore të Bavarisë: Momenti më kulminant në karrierën time

Suada Qorraj

Meloditë e këngëve popullore shqiptare e kishin shoqëruar atë çdo herë, që nga fëmijëria ato ishin pjesë e jetës e përditshmërisë së tij. Pikërisht këtu kishte marrë rrugën edhe pasionin i tij i madh për muzikën. Zëri i tij ka kumbuar që nga skenat vendore e deri tek ato ndërkombëtare, kurse së fundmi tenori, Granit Msuliu, ka nënshkruar marrëveshje me Operën Shtetërore të Bavarisë “Bayerische Staatsoper”, shkruan KultPlus.

Tenori Musliu, do të jetë pjesë e programit të rregullt të kësaj shtëpie operistike, kurse në një intervistë për KultPlus ai ka shpalosur më shumë detaje rreth këtij suksesi.

Ai ka theksuar se pranimi në Operën Shtetërore të Bavarisë është një ndër hapat më të rëndësishëm të karrierës së tij, sepse ai do të ketë mundësinë të performojë krah për krah me artistët e mëdhenj të botës.

“Pranimi në Operën Shtetërore të Bavarisë për mua personalisht ka është një hap shumë i madh dhe i rëndësishëm për fillimin e një karriere internacionale, themelet e së cilës do ta kem rastin t’i ndërtoj gjatë kësaj periudhe, duke qenë pjesë e shfaqjeve të ndryshme bashkë me artistë të mëdhenjë të botës së operës siç janë Placido Domingo, Ermonela Jaho, Leo Nuccin dhe shumë artistë të tjerë”, tha tenori për KultPlus.

Tutje ai ka shtuar se një nga momentet më të paharrueshme për të është edhe ai kur ishte pranuar në programin e artistëve të rinjë të kësaj shtëpie operistike, pas dy audicioneve që i kishte bërë në Munich.

“Pas dy raundeve të audicioneve në Munich jam njoftuar se jam përzgjedhur të jem pjesë e programit të artistëve të rinjë dhe natyrisht ky ka qenë një moment i paharrueshëm për mua. Atë moment e kam ndjerë si një fitore ndaj të gjitha barrierave dhe sfidave që ka një student nga Kosova”, tha ai.

Musliu ka rrëfyer për vështirësitë që ka hasur gjatë rrugëtimit të tij, duke theksuar se një nga më të mëdhatë është edhe përgatitja profesionale.

“Pasi që tashmë afër dy vite vazhdoj studimet në Hamburg të Gjermanisë, mund të them se sfidë e vetme ka qenë përgatitja e madhe profesionale e cila është kriter për nvelet e larta që kjo shtëpi operistike ka, e për të cilat kam punuar me profesorin Geert Smits dhe Caroline Merz”, potencoi për KultPlus, Musliu.

Tenori kosovar, Granit Musliu, i cili do të jetë pjesë e Operës Shtetërore të Bavarisë “Bayerische Staatsoper”, për dy vitet e ardhshme, tregoj se tashmë është duke punuar për rolet më të cilat do të debutoj gjatë sezonit të ardhshëm.

“Tashmë jam duke punuar për rolet të cilat do t’i debutoj gjatë sezonit të ardhshëm i cili fillon në shtator dhe në ndërkohë jam në përgatitje për koncerte dhe prezentime të ndryshme të cilat do të mbahen në Francë, Gjermani dhe vende të tjera”, pohoi tenori.

Musliu tha se pranimi në këtë shtëpi operistike është ndër momentet që do ta veçonte më së shumti, ngase është më kulminanti për karrierën e tij.

“Besoj se do ta veçoja këtë si momenti më kulminant për karrierën time e cila është mjaft e re, por dëshiroj të cek një moment tjetër i cili është po ashtu me rëndësi të madhe për mua si artist, dhe ai do të ishte para dy viteve kur kam pasur koncert solistik në Prishtinë dhe në publik ishin prezent prindërit dhe një pjesë e madhe e familjes time”, përfundoi intervistën tenori./ KultPlus.com

Fishekzjarret do të shkëlqejnë në qiellin e Uashingtonit më 4 Korrik, pas një pauze pandemike

Shfaqja vjetore e fishekzjarreve në National Mall do të vazhdojë këtë 4 korrik ndërsa Shtetet e Bashkuara marrin veten nga pandemia e koronavirusit.

Shërbimi i Parkut Kombëtar tha të martën se shfaqja 17-minutëshe do të nisë në orën 9:09 pasdite ose 1:09 GMT, në festën e Ditës së Pavarësisë, nga të dy anët e pishinës reflektuese përpara Memorialit të Linkolnit.

Kjo është një tjetër shenjë që vendi po bën një kthim në kohë më normale. Presidenti Joe Biden vendosi 4 korrikun si një datë të synuar për tëpatur të  vaksinuar 70% të të rriturve amerikanë kundër COVID-19, i cili ka vrarë 600,000 njerëz në Shtetet e Bashkuara.

Maskat do të kërkohen në të gjithë transportin publik, tha shërbimi i parkut, dhe njerëzit që nuk janë të vaksinuar duhet të vazhdojnë të mbajnë maska ​​jashtë në hapësirat e mbushura me njerëz.

“Të shikosh fishekzjarret e 4 Korrikut nga National Mall në sfondin e monumenteve dhe memorialeve është një nga traditat më madhështore të kryeqytetit të kombit tonë”, tha Jeff Reinbold, mbikëqyrësi i National Mall and Memorial Parks.

“Shfaqja e këtij viti jo vetëm feston 245 vjetorin e pavarësisë Amerikane, por gjithashtu shënon një hap të rëndësishëm përpara ndërsa qyteti del nga pandemia”.

Shërbimi i parkut tha se do të lëshojë më shumë detaje mbi ngjarjen në faqen e tij të internetit më vonë këtë muaj.

Qyteti i Nju Jorkut javën e kaluar tha se shfaqja e saj vjetore e fishekzjarreve të 4 korrikur do të kthehet këtë verë, pasi pandemia i bëri zyrtarët të zgjedhin një seri shfaqjesh më të vogla në vitin 2020 për të dekurajuar turmat që të mos grumbulloheshin./KultPlus.com