Rastësitë që shpëtuan babanë shqiptar dhe vajzat nga tragjedia e 11 Shtatorit

Kur dëgjova lajmin e parë për tragjedinë e 11 shtatorit, mendja më shkoi menjëherë tek shqiptarët që punonin në Qendrën Ndërkombëtare të Tregtisë.

Vallë, a do të kenë shpëtuar? Unë njihja tre prej tyre: Bardhyl Qukun, nënpresident i një kompanie investimesh dhe vajzën e tij Lorin, si dhe Rrok Camajn, i cili pastronte xhamat e jashtëm të kateve më të larta të ndërtesës.

Po atë ditë u mor vesh se Rroku ishte shpallur i humbur. Pas disa ditësh u dha njoftimi për vdekjen e tij. Fatin e Rrokut e patën edhe dy shqiptarë të tjerë: Simon Dedvukaj e Mon Gjonbalaj. Ndërkaq, Bardhyl Quku pati fat tjetër. Nuk ndodhej brenda në ndërtesë, kur ngjau tragjedia.

Ai e kishte zakon shpesh të shkonte në punë pas orës dhjetë. Edhe vajzat e tij, Lori dhe Daniella, qenë me fat. E para, atë ditë kishte shkuar te dentisti, e dyta, kur mori vesh për sulmin në ndërtesën nr. 1, nga kati 73 zbriti shkallët dhe doli jashtë.

– Unë isha në zyrë, kur dëgjova udhëzimet se të gjithë duhej të dilnim nga ndërtesa. Zbrita shkallët dhe, kur arrita në katin 40, dëgjova njoftimin tjetër se të gjithë duhej të ktheheheshim në vendet e punës, sepse nuk parashihej ndonjë rrezik.

Mirëpo, unë sikur e parandjeva se edhe këtu do të ndodhte ajo që ndodhi në ndërtesën e parë. Me shumë mundime dola nga ndërtesa tamam në kohën kur ajo u godit, – tregon Daniella, e cila sot punon në “2 Penn Plaza” në New York bashkë me babanë, Bardhylin.

– Unë njëkohësisht përjetova tmerrin, por dhe mrekullinë, sepse arrita me kohë t’i shpëtoja vdekjes, – thotë Daniella. Ajo filloi punën në zyrën e të atit para tri vjetësh.

– Unë isha në qytetin Hoboken të New Jersey-t, duke shkuar në punë me tren, kur dëgjova për aktin terrorist në ndërtesën e parë. Tymi e zjarri shihej qartë që atje.Pas disa minutash pamë sulmin në ndërtesën e dytë. Ne dolëm të gjithë nga treni dhe po shihnim tmerrin me sy. U përpoqa t’i telefonoja Daniellës, por lidhjet ishin bllokuar. Pas pak kohe mora vesh nga bashkëshortja se ajo kishte shpëtuar, – thotë Bardhyli.

Më 23 shtator të vitit të kaluar ai kaloi në zyrën e re në “2 Penn Plaza” në qendër të Manhattan-it, bashkë me dy vajzat, Lorin e Daniellën. – Puna në fillim këtu ka qenë shumë e vështirë. Humba gjithë dokumentacionin që pata në zyrën e vjetër. Gjithçka duhej ta filloja nga e para, – thotë ai.Mund të fitosh vetëm kur pranon rrezikun e mundshëm

(Shkruar përpara sulmit terrorist, kur Quku ende punonte në Qendrën Botërore të Tregëtisë, të njohur ndryshe si kullat binjake në New York)

Në katin e 73-të të ndërtesës “World Trade Center” në New York, midis njerëzve më të njohur të botës në biznes, punon edhe një shqiptar. Të vjetrit e njohin më shumë nga babai i vet që ka qenë përherë luftëtar i devotshëm për Shqipërinë. Të tjerët mund të kenë dëgjuar për të si ligjërues për biznesin në universitete, insitute ose ngaqë kanë lexuar intervistat e tij në gazeta.

Kur në gazetën “The New York Times” para një viti e ca lexova shkrimin për shqiptarin që pastronte xhamat e jashtme të dy ndërtesave 107 katëshe të New York-ut, pyeta disa emigrantë të vjetër: “A ka ndonjë shqiptar që punon brenda në këta rrokaqiej?” Asnjë nuk e dinte se në katin e 73 -të të njërës prej këtyre “binjakeve” aq të njohura në tërë globin tokësor, bënte biznes Bardhyl Quku, i lindur në Shkodër dhe i rritur e edukuar në Amerikë.

Bardhyl Qukun e takova më vonë. Një bashkëpunëtor i gazetës “Illyria” më tregoi se cili ishte ai, ku punonte e me se merrej.

– Më shumë se për veten time, do të doja të flisja për babain tim që ishte një luftëtar i Ballit, i idealit për Shqipërinë etnike, – më tha Bardhyli në shtëpinë e tij të bukur në lagjen e pasanikëve të njohur të Amerikës në New Jersey, në Franklin Lakes, gjatë një koktejli që kishte organizuar për xhaxha Fetiun e persekutuar, mysafir nga Shqipëria dhe disa miq të tij të vjetër.

Atë mbrëmje biseduam më tepër për Faik Qukun, babain e mikpritësit. Në çdo dhomë shihja nga një fotografi të tij. Diku i veshur me uniformë e me kobure në brez, diku në kampe të Italisë e në Amerikë.

Jetën e babait të tij e ke vështirë ta përfshish në korniza të një shkrimi si ky. Ajo ishte një histori më vete: kapiten i dytë i Ushtrisë Shqiptare në mbrotjen e Shkodrës nga malazezët; i arsimuar në shkollat e larta ushtarake të Stambollit e të Parisit; përkrahës aktiv i qeverisë së Nolit më 1924; luftëtar në mbrojtjen e Sirisë kundër Anglisë; ndër kryesuesit e lëvizjes së Ballit Kombëtar në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore… Ky është përshkrimi i shkurtër i jetës së kolonel Faik Qukut, i cili vdiq në Amerikë më 1963. Pas shembjes së diktaturës, presidenti Berisha e dekoroi për devotshmëri ndaj atdheut.

Me Bardhyl Qukun u takova sërish pas disa ditësh në zyrën e tij të punës. Se ç’m’u kujtua përsëri Rrok Camaj, pastruesi i xhamave në katin 107 të kësaj ndërtese gjigante dhe shumë e shumë shqiptarë të tjerë që e sigurojnë jetesën duke pastruar zyrat e banesat e Manhattan-it. Dhe ndjeva një krenari në këtë çast që kisha pranë një shqiptar të një kategorie tjetër.Bardhyl Quku, nënkryetar për investime në kompan- inë “Dean Witter Discover”, anëtar i Klubit të Presidencës – çmimi më i lartë i kësaj kompanie, me profesion është ndërmjetësues për investime (stock broker), një punë që bazohet në gjetjen e aksioneve blerëse për klientët. Nga realizimi i një shit – blerjeje ku Bardhyli është ndërmjetë- sues, nëse blerësi realizon një fitim të caktuar, një përqind- je mbetet në xhepin e tij. Nëse ndodh e kundërta, gjë që sipas Bardhylit ka ndodhur më rrallë, humb vetëm blerësi, pa u dëmtuar ndërmjetësi i biznesit. Para se të fillonte këtë punë më 1967, Bardhyli punoi tri vjet si drejtor i punimeve në kompaninë ajrore “Pan Am” në Afrikë.

-Çdo personi që pranon rrezikun, por që synon të fito- jë sa më shumë, mund t’i gjej aksione blerëse në kompanitë më të mëdha. Unë blej aksione, të cilat mendoj se janë tërheqëse për klientët. Gjatë këtyre 28 vjetëve, kam pasur vite të mira e të këqia. Shumica kanë qenë të mira, – thotë Bardhyli, tek tregon për përvojën e vet në investime.

– Në ç’mënyrë keni arritur ta kurorëzoni punën me sukses?- e pyes unë.

– Duhet të kuptosh se për çfarë ka nevojë personi, jo çfarë dëshiron ai. Nëse një 60 vjeçar kërkon të investojë, ai nuk duhet t’i fusë paratë në aksione blerëse me fitime të mëdha që mund të sjellin edhe humbje. Kjo do të thotë se një person me moshë të tillë, nuk mund të rrezikojë aq shumë. Analoge me këtë mund të marrim shembullin e një 30 vjeçari, i cili mund ta pranojë humbjen. Sa më shumë fiton investuesi, po aq i madh është edhe rreziku i humbjes. Pra, investuesit i duhet shpjeguar: kaq mund të fitosh, por po kaq edhe mund të humbësh. Në Amerikë, nëse njeriu pranon rrezikun e mundshëm, ka shans të fitojë shumë para, – thotë Bardhyli, i cili ka kryer fakultetin për administrimin e biznesit në “University of Tulsa” dhe ka magjistruar në “Fairleigh Dickenson University”, në degën e financave.

Si njohës i shkëlqyer i teorisë së “stock market”-it, Bardhyli ka mbajtur shumë seminare në kompani e universitete të njohura të Amerikës si, IBM, AT & T, Exxon, Fordham University, St. John’s University, Harvard Business School, New York University etj. Një herë në muaj u drejton letra investitorëve amerikanë ku shpreh idetë e veta rreth mënyrës se si të investohet, ndërsa në gazeta të ndryshme ka botuar herë pas here artikuj mbi investimet.

– Kur u flas njerëzve për investime, u bën përshtypje ajo që them dhe kërkojnë që unë të investoj paratë e tyre. Në këtë mënyrë kam arritur të gjej klientët e mi të shumtë, – thotë Bardhyli, i cili është këshilltar i shumë investitorëve e ndërmarrjeve. Investimet e deritashme individuale të klientëve arrijnë në 100 milionë dollarë, ndërsa ato të ndërmarrjeve në 200 milionë.

Që nga rënia e diktaturës në Shqipëri, Bardhyl Quku ka qenë disa herë në Shqipëri. Herën e parë atje shkoi që të takonte të afërmit, të cilët s’i kishte parë për 50 vjet. Herën e dytë, për të marrë pjesë në një tubim në Shkodër në përkujtim të babait të vet. Herën e tretë në një konferencë për investime në Tiranë e pastaj, edhe disa herë të tjera. Duke qenë tepër i zënë me punë në New York, ai mund të qëndrojë atje, të shumtën, një javë.

– Kur të kem kohë më tepër, – thotë Bardhyli – do të shkoj me familjen në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni e do të qëndroj më gjatë.

***

Bardhyli ishte 5 vjeç kur u largua nga Shkodra. U lind më 1939, kur Shqipërinë e invadoi Italia fashiste. Gjatë viteve 1944 – 49, bashkë me prindërit, vëllanë dhe motrën qëndroi në Itali prej nga emigroi në Amerikë. Ndonëse ishte i vogël kur u nis me anije rrugës së mërgimit, nga kujtesa e tij nuk janë shlyer disa ngjarje të tmerrshme.

Tmerret e jetës mbeten më gjatë në kujtesë e nuk har- rohen kollaj. Ai mban mend jo vetëm ditën kur u nis në mërgim, por dhe diçka tjetër: pushkatimin e të dënuarve në qendër të Shkodrës më 1944.

– Nuk do ta harroj kurrë atë ditë kur kalova afër viktimave, të pushkatuar nga komunistët. Trupa të përgjakur, syhapur, të masakruarr nga dora kriminele. Kur zbritëm nga kamioni që na solli deri në anije, personin që ishte afër meje, me të zbritur në tokë, e vranë komunistët. Pastaj duke udhëtuar me anije, më zuri deti. U sëmura rëndë, – kujton Bardhyli.

– Si ju duk Shqipëria, kur e vizituat pas rënies së komunizmit?

– Qytetet ishin shkatërruar nga diktatura. Sa keq më vinte kur i shihja tërë ato fabrika e shkolla të braktisura e mos më keq. Në aeroport dhe ndanë rrugëve shihje vetëm trungje të prera. Fshatrat e rrethi i qyteteve nuk qenë shkatërruar aq shumë dhe ato kishin një farë potenciali ekonomik për t’u zhvilluar. Shqipëria ka nevojë për fabri- ka që do të punësonin njëqind deri në dyqind njerëz secila, – pohon Bardhyli.

– Po investitorët amerikanë? Numri i tyre është i vogël. Kanë ata levërdi të investojnë në Shqipëri?- e pyes Bardhylin.

– Nuk e di, a do t’i tërheqë dot Shqipëria investitorët amerikanë. Ata kanë më shumë levërdi të investojnë, ta zëmë, në Meksikë, meqë ky shtet është afër tyre. Njëra nga arsyet që Shqipëria nuk është aq tërheqëse për investitorët amerikanë, është edhe lufta që zhvillohet në Bosnjë. “Ç’do të ndodhë me investimet tona, nëse lufta shtrihet edhe në jug?”, thonë ata. Apo, nëse bie regjimi i Sali Berishës, regjimi tjetër a do të ketë disponim pro – amerikan? Pra, nga të gjitha këto, amerikanët kanë frikë të investojnë në Shqipëri. Investuesit më të mëdhenj që kam parë atje, ishin italianë e gjermanë, por jo amerikanë. Madje, dy të tretat e botës tani kanë nevojë për ndihmë dhe do të jetë vështirë për Shqipërinë të tërheqë kapitalin e huaj, – thekson Bardhyli.

Bardhyl Quku është i martuar. Çifti bashkëshortor Bardhyl e Geraldine Quku ka pesë vajza. Lori J. Quku, njëra nga vajzat e tyre, punon me babanë duke e ndih- muar që t’i përballojë më lehtë angazhimet e përditshme, disa nga të cilat nganjëherë është e vështirë të kryhen nga një krah pune. Lori, 24 vjeçe, ka pesë vjet që punon atje si asistente e shitjes dhe merr pjesë bashkë me Bardhylin në transaksionet e tij. Edhe dy motrat e saj bëjnë të njejtën punë.

– Që të kesh sukses, duhet durim. Asnjëherë s’duhet të entuziazmohesh apo të dëshpërohesh me rezultatet e momentit. Nëse nuk ke sukses në një moment, mos u dëshpro, mos u tërhiq, por vazhdo, pëpiqu të hedhësh hapa të tjerë. Punë dhe durim. Ky është suksesi, – thotë Lori Quku, e cila u diplomua në “Rutger’s College”, në New Brunswick (New Jersey).

Nga Vehbi Bajrami / KultPlus.com

‘Gruaja ka nevojë për burrin aq sa çka nevojë peshku për biçikletën’

Irene Dunne është ndër aktoret më të njohura amerikane, ajo i përket asaj që quhet Periudha e Artë e Hollywood-it, shkruan KultPlus.

Dune është e njohur më së shumti për rolet e saj në zhanrin e komedisë. Ndër të tjera, ajo ishte edhe një zë i fuqishëm i feminizmit në atë kohë sa gëzonte famën e saj.

Më poshtë KultPlus ju sjell ndër thëniet më të njohura të saj.

“Gruaja ka nevojë për burrin aq sa çka nevojë peshku për biçikletën”/ KultPlus.com

Thënie të mrekullueshme nga kryevepra e Gabriel Garcia Marquez, “Dashuri në kohërat e kolerës”

Është romani më i bukur dhe më i njohur i Marquez, bashkë me “100 vjet vetmi”. Nuk ka lexues që t’i kenë lexuar me vëmendje të dy romanet dhe të kenë ngelur të zhgënjyer. Mua më ka rënë rasti të flas edhe me ata që nuk e pëlqejnë mënyrën e të shkruarit plot detaje dhe fantazi të shfrenuar të autorit, por më besoni, shumica e atyre që nuk i pëlqejnë veprat e Gabriel Garcia Marquez lodhen me faqet e para të romaneve të tij dhe nuk e marrin mundimin t’i mbyllin së lexuari ato vepra.

Nëse arrini ta kalitni mirë vullnetin dhe të lexoni “Dashuria në kohërat e kolerës”, si dhe “100 vjet vetmi”, ju me siguri keni për t’i pëlqyer të dy romanet. Në vijim do të keni mundësi të lexoni disa nga thëniet më të bukura të autorit të realizmit magjik në veprën “Dashuria në kohërat e kolerës” :

“Gjithmonë mbaj mend që gjëja më e rëndësishme në një martesë të mirë nuk është lumturia, por stabiliteti”.

“Nuk ka lavdi më të madhe, se sa të vdesësh për dashurinë”.

“Jeta nuk është periudha që dikush jetoi, por periudha që dikush kujton dhe si e kujton për ta treguar”.

“Gjithccka për të cilën ka nevojë dikush, është koha. Koha për të kuptuar kush është, kush do të bëhet, dhe ku do të shkojë”.

“Duhet të trembesh edhe nga nxehtësia, edhe nga ftohtësia e zemrës tënde dhe të përpiqesh të kesh durim, nëse mundesh”.

“Ajo e priste me një ankth të tillë, saqë vetëm një buzëqeshje prej tij i rikthente gjallërinë”.

“Kam pritur për këtë mundësi më shumë se gjysmë shekulli për të të folur edhe një herë mbi besnikërinë time të përjetshme dhe dashurinë time të pavdekshme”.

“Ai që pret shumë, mund të përfundojë me asgjë”.

“Ka gjithmonë diccka të mbetur për t’u dashuruar në ccdo gjë që përfundon”. /Bota.al /KultPlus.com

Poezia madhështore për Kosovën nga Ismail Kadare

Një nga vjershat e rralla të Kadaresë ku përmendet Kosova. Përgjithësisht tema e Kosovës në atë kohë, konsiderohej tabu në letërsi.

E hidhur vjeshtë e këtij viti
Kosovën gjeti nën terror.
Korba të zez mbi të ia mbërritën,
Hetues, gjykatës e prokurorë.

Me dhjetë vjet burg, me tetë, me shtatë,
Me dymbëdhjetë dënojnë diku.
Kështu mes jush shekullin ndani,
Dhe mijëvjeçarin ndani ju.

Kështu e prekni historinë,
Mbi supe e mbartni ju sërish.
Prangat në shkollë që i mësonit
Në duar ndjetë befasisht.

Dhe patë se koha e mesjetës
S’qe larg dhe veç në libra s’qe,
Dhe u kthye nata e Prishtinës
Në natë Shën Bartolemeu.

U ngritët ju viganë, fisnikë
Me korrektesë e madhështi.
Ngaqë kërkuat Republikë,
U shtypët si në monarki.

Por koha kurrë s’vjen përgjysmë,
Natë e masakrës vetëm s’mbërrin,
Se pas Dushanit car të frikshëm
Rrufeshëm Skënderbeu arrin.

S’kish dëshmitarë, TV nuk pati
Zinxhiri i tankut kur ju griu,
Por retë e globit veg ju panë,
Ndërgjegje e botës te ju mbërriu.

Kështu në vorbull të epokës
U ngritët ju si monument,
Ju që e prekët historinë,
Dhe n’histori u kthyet vetë. / KultPlus.com

Dua Lipa shkëlqen në krijimet e stilistes shqiptare Nensi Dojaka

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, është duke shijuar suksesin e bashkëpunimit të saj më të fundit, “Cold Heart”.

Kënga në bashkëpunim me artistin e madh britanik, Sir Elton John, është pritur tej mase mirë nga publiku.

Dua vendosi që të shtunën të publikojë disa fotografi në llogarinë e saj zyrtare në Instagram, ku shihej duke pozuar krah Elton Johnit, teksa gëzojnë suksesin e projektit të tyre më të fundit.

26-vjeçarja dukej mjaft atraktive e veshur me një kostum, i përbërë nga pantallona të zeza dhe një bluzë transparente në pjesën e sipërme, e përbërë vetëm nga një reçipetë.

Kjo veshje është as më shumë e as më pak se kreacion i një stiliste shqiptare, e cila jeton dhe vepron në Londër dhe është shumë e suksesshme në tregun ndërkombëtar.

Bëhet fjalë për Nensi Dojaka, e cila vetëm pak ditë më parë fitoi Çmimin LVMH të vitit 2021 për talentet e reja.

Dua në një postim të bërë në InstaStory e uroi bashkëkombësen e saj për çmimin e fundit, ndërsa edhe ka bërë me dije se ishte ajo dizajnerja e veshjes së saj në këtë paraqitje.

“Veshur nga një stiliste shqiptare, Nensi Dojaka. Urime Nensi për fitoren e çmimit LVMH”, ka shkruar Dua Lipa në InstaStory.

Ndërkohë që vetëm pak ditë më parë, ishte edhe shqiptarja tjetër e famshme, Rita Ora, ajo e cila e uroi e para stilisten me prejardhje shqiptare për këtë fitore – gjithashtu përmes një postimi në InstaStory. / KultPlus.com

Filmi i regjisorit shqiptar Roland Sejko në “Orizzonti Extra”

Regjisori Roland Sejko me filmin e tij të fundit “La macchina delle immagini di Alfredo C.” mori pjesë në “Orizzonti Extra”, një nga seksionet konkurruese të Festivalit Ndërkombëtar të Kinematografisë së Venecias.

Portali bookciakmagazine.it i ka dedikuar një artikull filmit të regjisorit shqiptar. “Sentimental, i dashur, emocionues, filmi i ri nga regjisori Sejko dhe magjistari i arkivave na çon në zemër të ndërtimit të imazheve propagandistike përmes historisë së Alfredo C…”

Filmi “Macchina delle Immagini di Alfredo C.”, ka në qendër historinë e një telekameramani italian që mbërrin në Shqipëri me pushtimin fashist e mbahet “peng” bashkë me 27 mijë italianë të tjerë, ushtarë e civilë, pas çlirimit të Shqipërisë kur regjimi i Enver Hoxhës mbylli kufijtë.

Kështu Alfredo C., që për thuajse 20 vjet kishte punuar në shërbim të propagandës së regjimit fashist, për pesë vjet i bie vendit tonë kryq e tërthor e detyrohet të ushtrojë profesionin e tij, këtë radhë në favor të propagandës së regjimit komunist të ardhur në fuqi në Shqipëri. Çka shihet në filmin e Sejkos, mes filmimesh të reja e materialesh arkivore, është jeta e Alfredo C., historia e tij. E ndoshta edhe historia e mijëra të tjerëve.

“Historia e italianëve të mbajtur në Shqipëri nga regjimi komunist është thuajse e harruar, e mbuluar nga orteku i ngjarjeve që përfshiu qindra mijëra italianë në vendet e tjera. – thotë Roland Sejko që firmos regjinë, subjektin dhe skenarin e filmit (produksion Istituto Luce Cinecittà) – Çelësi i rrëfimit erdhi, siç ndodh shpesh, rastësisht. Kur mes dokumenteve të Arkivit Qendror Shtetëror të Shqipërisë, në një kërkesë riatdhesimi, vura re një emër që njihja: atë të kameramanit të Institutit Luce në Shqipëri, që në këto letra rezultonte një punonjës i Ministrisë së Kulturës Popullore Komuniste. Historia e kameramanit, e ndërthurur në mënyrë të pashmangshme me imazhet dhe historitë e të tjerëve, të jepte mundësinë për të shtjelluar disa tema: prania e gjithanshme dhe teknikat e propagandës, ndikimi i ngjarjeve  historike mbi fatet personale, përgjegjësia e turmës dhe ajo e individit. Dhe një reflektim mbi përgjegjësinë – sot njësoj si në të shkuarën – e atyre që prodhojnë imazhe, dhe e atyre që i shohin”.

Roland Sejko ka emigruar në Itali në vitin 1991. Në vitin 1999 ka themeluar e drejtuar për 15 vjet “Botën Shqiptare”, gazetën e shqiptarëve në Itali.

Prej vitit 1995 punon në Institutin Luce ku sot është drejtor editorial i Arkivit Historik Luce. Njohës i mirë e përdorues mjeshtëror i arkivave, ka shkruar e realizuar dokumentarë ndryshëm që shpesh kanë patur në qendër aspekte të ndryshme të marrëdhënieve Itali-Shqipëri. Ndër filmat e tij dokumentarë spikasin Anija, dokumentari i realizuar në 20 vjetorin e eksodit të madh të shqiptarëve në Itali, që është vlerësuar me çmimin prestigjioz David di Donatello 2013, si dokumentari më i mirë i vitit; “Pritja” (2015), dokumentar i frymëzuar nga vizita e Papa Françeskut në Shqipëri që rrëfen mohimin e lirisë së besimit, persekutimin e autoriteteve fetare, shkatërrimin e simboleve të kulteve fetare në Shqipërinë e diktaturës komuniste; “Shqipëria, Vendi përballë” (2010), që përmes imazheve të arkivave të Institutit Luce dhe të arkivave të filmit shqiptar, sjell historinë e Shqipërisë së viteve ‘900, histori e lidhur ngushtë me Italinë. / KultPlus.com

Vjosa Osmani: I kujtojmë viktimat e 11 shtatorit dhe do të qëndrojmë bashkë në luftimin e terrorizmit

Në shenjë nderimi për jetët e humbura nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot Presidentja Vjosa Osmani ka vizituar Memorialin “Kosova kujton” në oborrin e Qeverisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Akti terrorist në New York të ShBA-së ishte goditje ndaj institucioneve dhe popullit amerikan, ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë. Në atë sulm, humbën jetën rreth tre mijë persona.

“I kujtojmë viktimat e 11 shtatorit dhe e konfirmojmë edhe njëherë se si populli me proamerikan në botë do të qëndrojnë bashkë në luftimin e terrorizmit krahas SHBA-ve, por edhe duke e ndarë dhimbjen në ditë si kjo”, ka shkruar Osmani.

KultPlus ju sjell njoftimin e saj të plotë:

SHBA-të janë aleat i yni strategjik dhe i përhershëm. Sot jemi me ta, sikurse në çdo ditë dhe situatë tjetër. I kujtojmë viktimat e 11 shtatorit dhe e konfirmojmë edhe njëherë se si populli me proamerikan në botë do të qëndrojnë bashkë në luftimin e terrorizmit krahas SHBA-ve, por edhe duke e ndarë dhimbjen në ditë si kjo.
11 shtatori i vitit 2001, ishte thirrja e ndërgjegjes njerëzore, mobilizim kundër një te keqe të përgjithshme dhe rikujtim se solidariteti ndërnjerëzor në raste si ky sulm është garancë për një botë më të mirë dhe kontribut në luftën jo vetëm kundër terrorizmit, por edhe për lirinë, paqen dhe demokracinë në botë. / KultPlus.com

21 vjet më parë u vra arkitekti Rexhep Luci

Me datë 11 shtator të vitit 2000 u vra arkitekti Rexhep Luci.

Rexhep Luci ishte Drejtor i Departamentit të Planifikimit Hapësinor, Rindërtimit dhe Zhvillimit në Komunën e Prishtinës dhe arkitekt i cili u vra menjëherë pas luftës, për kundërshtimin e ndërtimeve ilegale në Prishtinën e pas-luftës. Ende thuhet se vrasja ishte e llojit mafioz dhe u planifikua për shumë kohë.

Ai u vra me gjashtë plumba pas shpine derisa po kthehej në banesën e tij në Prishtinë. Në kohën e vrasjes së tij, departamenti i tij ishte në proces të shkatërrimit të një kompleksi hotelierik ilegal.

Luci kishte punuar për 30 vjet në urbanizmin e Prishtinës duke i dhënë qytetit pamjen e tij moderne.

©Andrew Testa

Në përgjigje administrata e UNMIK-ut kishte emëruar Rregulloren për Ndërtim sipas emrit të tij. Një rrugë në Prishtinë poashtu mban emrin e tij.

‘Me vrasjen mizore të kryearkitektit të kryeqytetit u vra e tërë urbanistika e Kosovës, filloi shkatërrimi i të gjitha qyteteve kryesore të Kosovës, filloi jo ligjshmëria urbane në përmasa të pa para që është duke vepruar që dhjetë vite. Ata të paktët që në mënyrë dinjitoze dhe profesionale reaguan u anatemuan dhe u injoruan tërë kohën qëllimisht duke vazhduar avazin e vjetër me ndërtime të cilëve po ia shohim sherrin të gjithë ne’ shkruan Ylber Vokshi Ylli në një shkrim autorial të vitit 2009. / KultPlus.com

(Fotografia e ballinës nga ‘Çka e vrau arkitektin?’) / Mathieu Jouffre )

Mbahet ceremonia e 11 Shtatorit

Presidenti amerikan Joe Biden dhe Zonja e parë Jill Biden, morën pjesë këtë të shtunë në ceremoninë përkujtimore të 20-vjetorit të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit.

Ata ishin të pranishëm ceremoninë fillestare në Nju-Jork, në vendin ku ngriheshin Kullat Binjake, të rrafshuara pas përplasjes së dy avionëve të marrë peng nga terroristët e Al Qaeda-s.

Në ceremoni u bashkuan edhe dy ish-presidentë, Bill Clinton dhe Barack Obama, ndërsa u vu re mungesa e presidentit George W. Bush dhe Donald Trump. Por ndërsa Bush është njoftuar se do të marrë pjesë e madje do të mbajë edhe një fjalim në Shenksvill, vendin ku u rrëzua avioni i katërt i marrë peng nga terroristët me objektiv Uashingtonin, mësohet se Donald Trump do të vizitojë i vetëm vendin e Kullave Binjake.

Trump mendohet se do të shoqërohet në këtë vizitë nga Rudy Giuliani, avokati i tij personal, i cili në kohën e sulmeve ishte kryetar i Bashkisë së qytetit të Nju-Jorkut.

Gjatë ceremonisë u lexuan emrat e viktimave të sulmeve, ndërsa pas kambanave që ranë në orën ekzakte kur dy avionët u përplasën me Kullat Binjake, këngëtari nga Nju Xhersi, Bruce Springsteen këndoi këngën e tij “I’ll See You In My Dreams”, pjesë e albumit të tij “The Rising”, botuar në vitin 2002, si një përgjigje për sulmet e 11 Shtatorit. / a2news / KultPlus.com

Shtatë javët që ndryshuan Rock-un

Në historinë e rock-ut, viti 1991 shihet shpesh si viti kur gjithçka ndryshoi. Sipas legjendës urbane, grunge erdhi si një meteor, duke asgjësuar dinosaurët e hair metal që kishin dominuar panoramën e rock-ut në dekadën pararendëse. Por në të vërtetë nuk pati një asgjësim të menjëhershëm për grupet e Los Angelesit. Ajo që ndodhi, ishte një dalje pothuajse e menjëhershme e një serie albumesh epokale, të gjithë mes gushtit dhe shtatorit 1991, një dallgë shkatërrimtare e rock-ut alternativ.

“Në fundin e viteve tetëdhjetë, skenës i nevojitej një shkundje e mirë”, thotë një nga redaktorët e “Kerrang!” të asaj kohe, Geoff Barton. “Duhej diçka për t’i dhënë një pastrim të mirë rock-ut, edhe pse nuk mendoj që ne ishim të vetëdijshëm për atë që po ndodhte”.

Gazetarëve edhe mund t’u kish ardhur në majë të hundës nga hedonizmi pothuaj karikaturor, por publiku vazhdonte të blinte albumet. Vera nisi pa surpriza. Në 17 qershor, Van Halen nxorri albumin “For unlawful carnal knowledge”, që hyri menjëherë në vendet e para si në Angli, ashtu edhe në SHBA. Dy javë më vonë, kanadezi Bryan Adams nisi të pushtojë klasifikimet me “Everything I do (I do it for you)”. Pavarësisht se ishte një shembull i përsosur i rock-ut të ëmbëlsuar të viteve ’80, ajo baladë ishte një sukses nga pikëmapja komerciale, duke u ngjitur në majë të klasifikimeve ndërkombëtare, me rekordin e arritur në Angli, ku qëndroi për 16 javë dhe në Kanada, plot 39 javë. A ju duket ky si viti ku gjithçka ishte nën pushtetin e “grunge”?

Suksesi i Adams ishte shenjë e normalitetit. Në javar, Scorpions kishin nxjerrë “Wind of Change”, një sukses i jashtëzakonshëm që në fund shiti 10 milion kopje në të gjithë botën. Dhe në 8 qershor Extreme kishin mbërritur në majë të klasifikimeve të SHBA, me “More than Words”. Asnjë prej dy grupeve nuk ishin të famshëm për baladat melodike (edhe pse në karrierën e tyre tredekadëshe, Scorpions e kishin provuar herë pas here).

Edhe pse grupet kishin patur “frikë” se mos akuzoheshin që ishin “shitur”, çdo kritikë u zbeh falë parave që vërshuan me miliona nga e gjithë bota, një provë që ajo e baladave ishte ende një rrugë e vlefshme për të shitur. Në pjesën më të madhe, industria muzikore vepronte ende siç kish bërë në dekadën pararendëse. Shenja e parë që diçka po ndryshonte në panoramën e rock-ut erdhi kur R.E.M. më në fund mbërritën në vendin e parë, me albumin “Out of time”. Por duke qenë se gjashtë albumet e tyre të mëparshme kishin hyrë në Top200 të “Billboard”, ky u duk më shumë si një çmim për qëndrueshmërinë e tyre (dhe suksesin e “Losing my Religion”), se sa një ndryshim paradigme i muzikës Rock.

Por në 12 gusht 1991, u duk se gjërat nisën të ndryshojnë: Metallica kishin vendosur të bëheshin grupi më i madh në botë. Duke punuar me producentin Bob Rock, zëvendësuan “thrash-in progresiv”  të albumit të tyre “And justice for all”, me një përzierje shpërthyese të fuqisë së arena-metal dhe sinqeritetit të classic rock. Në formën e një albumi me 12 këngë që mbante thjesht emrin “Metallica” (sot të gjithë e quajnë “Black Album”), albumi i tyre i ri kapërceu çdo pritshmëri, duke shitur pesë milion kopje vetëm në vitin e parë. Siç zbuloi Bob Rock në vitin 2017 për “Reverb”, “Black Album praktikisht i ndryshoi gjërat. E kishin të gjithë. Madje edhe gjithë dentistët e donin Black Album. Ndodhi një transformim muzikor: kur doli ai album, ndryshoi radiot, sepse solli në radio këngët heavy… Nuk besoj të kem bërë ndonjëherë ndonjë album me këto rezultate, para atij viti. Jam shumë krenar”. Më monumental se çdo album tjetër i rrymës thrash, albumi i transformoi Metallica-t nga një grup i dashur, por në një farë kuptimi ende underground, në yje të rock-ut të një niveli planetar. Kënga e parë, “Enter Sandman” frymëzohej nga skena muzikore që po lindte në Seattle, duke përgatitur publikun për zbulimin e radhës, pikërisht kur po shpërthente. “Dëgjoja shumë këngë nga bregu i Paqësorit Verior, që në vitin 1987 kisha albumin e parë të Soundgarden”, ka pranuar Kirk Hammett, kitarist i Metallica. “Nuk mendoja se ishin grunge. Mendoja më shumë për Black Sabbath. Ajo lëvizje ndryshoi pamjen dhe stilin e shumë grupeve, dhe praktikisht përcaktoi se si duhej të ishte një grup muzikor në ato momente”.

Por Pearl Jam nuk ishin grupi i parë muzikor që nxirrte një album në vitin 1991.

Disa pjesëtarë të grupit kishin nxjerrë tashmë diçka: Jeff Ament dhe Stone Gossard mbanin ende zi për vdekjen e këngëtarit të tyre tek Mother Love Bone, Andy Wood, kur u kontaktuan nga këngëtari i Soundgarden Chris Cornell, me idenë për të regjistruar disa këngë, në nder të këngëtarit të vdekur. E pagëzuan me emrin “Temple of the Dog”, dhe duke u kompletuar me bateristin e Soundgarden Matt Cameron dhe kitaristin e ardhshëm të Pearl Jam, Mike McCready, grupi kish nxjerrë një album me të njëjtin emër në 19 prill.

Pak më shumë se 4 muaj më vonë, Ament dhe Gossard festonin lindjen e grupit të tyre të ri, Pearl Jam. As “Temple of the Dog” dhe as albumi i parë i Pearl Jam, “Ten”, nuk i ndezën klasifikimet, por të dy përgatitën skenën për shpërthimin e afërt të rrymës grunge. Përgjatë verës, rock-u vazhdoi të pushtojë gjithnjë e më shumë hapësira “Roll the bones” i Rush, “On every street” i Dire Straits e madje edhe “The fire inside” i Bob Seger, luftonin për një vend në klasifikime.

Në shtator, fushëbeteja ishte tashmë gati: pothuaj të gjithë albumet e mëdha të rock-ut ishin të përqëndruar në një dritare 2-javore, që pa gardën e vjetër dhe rishtarët të përballeshin për dominimin e klasifikimeve.

17 shtatori shënoi një avantazh për gardën e vjetër: Ozzy Osbourne nxorri “No more tears” ndërkohë që Guns’n’Roses nxorrën albumin e dyfishtë “Use your Illusion I & II”. Këta të fundit arritën të ngjiten në vendet 1 dhe 2 të “Billboard 200” si dhe në shumë klasifikime ndërkombëtare. Dhe ishte e parashikueshme. Më befasuese ishte rilindja e dytë e Osbourne me “No more tears”. Pasi i kishte mbyllur keq vitet tetëdhjetë, në telashe pasi kishte sulmuar dhe pothuaj mbytur bashkëshorten Sharon, nën kthetrat e alkoolit dhe drogës, pas Festivalit të Paqes në Moskë shumëkush e kish menduar të mbaruar. Por pas gjashtë muajsh rehabilitim, Osbourne ishte rikthyer, me një prej albumeve solo më solidë dhe të vlerësuar nga kritika. Në 17 shtator doli edhe “Pretty on the inside”, albumi i parë i grupit nga Los Angeles, Hole. Edhe pse jo në një nivel me dy kolosët me të cilët kish ndarë datën e publikimit, Hole kish hedhur themelet e një tjetër revolucioni muzikor të viteve 90 – Riot Grrrl. Duke u ngjitur në klasifikime, ato ishin prova se rock-u alternativ i viteve ’90 nuk ishte i kufizuar vetëm në Seattle, as ishte i kufizuar tek disa grupe djelmoshash që këndonin për problemet e tyre me drogën. Pastaj, në 24 korrik, rock-u alternativ u ndez flakë: “Blood sugar sex magic” i Red Hot Chilli Peppers, fotografoi më së miri skenën e funk rock-ut që po lindte. Edhe grunge, hodhi në skenë asët e vet: “Badmotorfinger” i Soundgarden dhe “Nevermind” i Nirvana. Nga të tre, Nirvana-t dukej se ishin më të dobëtit nga pikëpamja komerciale. Ishin grupi më i ri dhe në nivel shitjesh kishin rezultatet më të dobëta. Nga të gjithë albumet që dolën në shtatë javët e famshme, nga pikëpamja komerciale fitimtarë ishin Metallica: në 31 tetor 1991 – pak ditë pas 10-vjeçarit të parë si grup – “Black Album” mori Platin të trefishtë sa u përket shitjeve. Kur verën pasardhëse ndërmorën një tur në stadiumet e SHBA bashkë me Guns’n’RosesMetallica u gjendën përballë një tabele që shkruante: “Vetëm një grup rock ka shitur më shumë se 5 milion kopje të një albumi të vetëm në vitet ‘90”. Por nëse Metallica fituan garën në nivel shitjesh, kaluan vetëm 24 orë për të festuar para se të rrëzoheshin nga froni, prej Grupit më të Rëndësishëm të Rock-ut. Titulli u shkoi Nirvana-ve, albumi i të cilëve “Nevermind” u ngjit në Nr.1 në SHBA, në 1 nëntor. Ashtu si çdo gjë tjetër në historinë e rock-ut alternativ dhe grunge, “Nevermind” nuk ishte një sukses i papritur. Ishte forca e jashtëzakonshme e këngës “Smells like teen spirit” që projektoi Nirvana-t – dhe të gjithë lëvizjen grunge – në vëmendjen e njerëzve. Një përzierje transmetimesh në radio dhe prania e madhe e videos tashmë klasike në të gjithëpushtetshmen MTV, nxiti një furi të tillë për Nirvana-t, sa që disqet e tyre shiteshin më shpejt nga sa mund të prodhonte etiketat reparti përkatës i marketingut.

Brenda një viti, pjesa më e madhe e albumeve që dolën mes gushtit dhe shtatorit 1991 (“Blood sugar sex magic”, “Ten”, “Nevermind”) kishin arritur shitje stratosferike. Edhe më e rëndësishme, ishte se suksesi i këtyre albumeve dekretoi fundin e rock-ut të viteve tetëdhjetë. Janet Billig Rich, që kish punuar si menaxhere mes të tjerëve për grupe si NirvanaSmashing Pumpkins dhe Hole, pa me sytë e vet drejtuesit e kompanive të mëdha producente që të garonin për grupet e Seattle. “Mund të krijoje një grup dhe më pas të shkëpusje një frazë mbi ta, ndoshta duke ia atribuar atë Kurt Cobain-it. Melvins janë një shembull i përsosur. Kurtit i pëlqenin Melvins, kështu që të gjithë donin të firmosnin një kontratë me ta. Ishin të gjithë në gjendje shock-u. Në të vërtetë gjithçka ishte bërë shumë e lehtë. Ishte ekonomi e pastër. Nirvana-t ishin bërë një sistem ekonomik”.

Ndërkohë që Evropa apasionohej me valën e re të artistëve amerikanë që bëheshin shumë popullorë, edhe në Angli punohej, madje edhe në një kohë kur grunge goditi me të gjithë forcën e vet. Eksperienca e pafat e Blur për të promovuar albumin e parë “Leisure” (26 gusht 1991), shtyu drejt një reagimi instiktiv në favor të rock-ut të importuar, që ndihmoi në kodifikimin e lëvizjes së Britpop. Në po të njëjtën mënyrë, Primal Scream patën rezultatet e tyre të para komerciale me nxjerrjen në 23 shtator të “Screamadelica”, një album që i pa të largoheshin prej rrënjëve të indie rock, në drejtim të rrymës house, duke i paraprirë kështu ngjitjes së grupeve si Massive Attack dhe Prodigy.

Me pak fjalë, vera e vitit 1991 kish parë transformimin e panoramës rock: grupe që 12 muaj më herët shiheshin si yje, tashmë ishin zhvendosur në portën e pasme. Edhe pse nuk ishte një meteor gjigand grunge, mbetet fakti që në vetëm shtatë javë, mes gushtit dhe shtatorit 1991, muzika rock alternativ realizoi një goditje kulturore që nuk ishte parë kurrë më parë. Dhe praktikisht, askush nuk kuptoi gjë, deri kur ndodhi gjithçka. Dhe ndodhi e gjitha menjëherë. / Classic Rock – Bota.al / KultPlus.com

Arkeologët zbulojnë statujën e rrallë të perandorit romak Hadrian

Arkeologët kanë zbuluar një statujë të rrallë të perandorit romak Hadrian në qytetin perëndimor të Turqisë, Aydin, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve AA, transmeton KultPlus.

“E datuar nga shekulli II pas Krishtit, skulptura dy metra e gjysmë e lartë u gjet në gjashtë pjesë, në një gërmim në qytetin antik të Alabanda-s”, tha drejtori i sitit Ali Yalcin Tavukcu”.

“Statuja është një nga shumë pak shembujt në botë. Ne jemi shumë të lumtur që kemi gjetur një këtu”.

“Gërmimet janë duke u zhvilluar në vend për gjetje të tjera “emocionuese”, të tilla si pllaka të reja ose mbishkrime për të hedhur dritë mbi epokën”, shtoi Tavukcu.

Statuja, që besohet të jetë skalitur gjatë një vizite në mbretërimin e Publius Aelius Traianus Hadrianus, pritet të shfaqet në muzeun Aydin, sapo të përfundojë puna e restaurimit / KultPlus.com

‘Nuk mund ta besoj atë që thoni, sepse unë shoh atë që bëni’

James Baldwin ishte një djalë i ri dhe brilant dhe i përndezur me dëshirën për jetën, shumë i dhënë kundër iluzionit të stabilitetit dhe kontrollit të shoqërisë – kur shkroi romanin e tij mahnitës gjysmë-autobiografik “Dhoma e Giovanni-t”, duke e bërë paradoksin e lirisë qendrën e vëmendjes së tij.

Për kënaqësinë e lexuesve tanë, ne kemi sjellë një koleksion të thënieve më të bukura të tij. 

Është pothuajse e pamundur të bëhesh një person i ditur në një vend kaq mosbesues ndaj mendjes së pavarur.

Dashuria nuk fillon dhe mbaron ashtu siç mendojmë se fillon. Dashuria është një betejë, dashuria është një luftë; dashuria po rritet.

Ju mendoni se dhimbja juaj dhe thyerja e zemrës tuaj janë të pashembullta në historinë e botës, por pastaj lexoni.

Fëmijët kurrë nuk kanë qenë shumë të mirë në dëgjimin e gjyshërve të tyre, por ata kurrë nuk kanë dështuar t’i imitojnë ata.

Unë imagjinoj një nga arsyet pse njerëzit i përmbahen urrejtjes së tyre me kaq kokëfortësi është sepse ata e ndiejnë, pasi urrejtja të jetë zhdukur, ata do të detyrohen të përballen me dhimbjen.

Jo gjithçka me të cilën ballafaqohemi mund të ndryshojë, por asgjë nuk mund të ndryshojë derisa të ballafaqohet.

Ndoshta shtëpia nuk është një vend, por thjesht një gjendje e pakthyeshme.

Unë e dua Amerikën më shumë se çdo vend tjetër në botë dhe, pikërisht për këtë arsye, unë insistoj në të drejtën për ta kritikuar atë përgjithmonë.

Nuk mund ta besoj atë që thoni, sepse unë shoh atë që bëni.

Liria nuk është diçka që mund t’i jepet kujtdo. Liria është diçka që njerëzit marrin, dhe njerëzit janë aq të lirë sa duan të jenë.

Njerëzit paguajnë për atë që bëjnë, dhe akoma më shumë për atë që kanë lejuar veten të bëhen. Dhe ata paguajnë për të shumë thjesht; me jetën që bëjnë.

Paradoksi i edukimit është pikërisht ky – që kur dikush fillon të bëhet i ndërgjegjshëm fillon të shqyrtojë shoqërinë në të cilën po edukohet.

Kushdo që ka luftuar ndonjëherë me varfërinë e di se sa jashtëzakonisht e shtrenjtë është të jesh i varfër.

Njerëzit mund të qajnë shumë më lehtë sesa mund të ndryshojnë.

Krijesa më e rrezikshme e çdo shoqërie është njeriu që nuk ka asgjë për të humbur.

Ka kaq shumë mënyra për të qenë i neveritshëm saqë ta sjellin kokën mprapsht. Por mënyra për të qenë vërtet i neveritshëm është të jesh përbuzës ndaj dhimbjeve të njerëzve të tjerë.

Ju nuk keni një shtëpi derisa ta lini atë dhe pastaj, kur ta keni lënë atë, nuk mund të ktheheni më.

Eshtë e sigurt, në çdo rast, se injoranca, e lidhur me pushtetin, është armiku më i egër që drejtësia mund të ketë.

Ju lutemi përpiquni të mbani mend se ajo që ata besojnë, si dhe ajo që bëjnë dhe që ju bëjnë të duroni nuk dëshmon për inferioritetin tuaj, por për çnjerëzillëkun e tyre.

Dije se nga ke ardhur. Nëse e dini se nga keni ardhur, nuk ka absolutisht asnjë kufizim se ku mund të shkoni.

Ju shkruani për të ndryshuar botën … nëse ndryshoni, qoftë edhe për një milimetër, mënyrën se si njerëzit e shikojnë realitetin, atëherë ju mund ta ndryshoni atë.

Nëse koncepti i Zotit ka ndonjë vlefshmëri ose ndonjë përdorim, ai mund të jetë vetëm për të na bërë më të mëdhenj, më të lirë dhe më të dashur. Nëse Zoti nuk mund ta bëjë këtë, atëherë është koha që ne të shpëtojmë prej Tij.

Roli i artistit është saktësisht i njëjtë me rolin e të dashurit. Nëse të dua, duhet të të ndërgjegjësoj për gjërat që nuk i sheh.

Rebelët e vërtetë në fund të fundit, janë po aq të rrallë sa të dashuruarit e vërtetë, dhe në të dy rastet, të ngatërrosh ethet me pasionin mund të shkatërrojë jetën e dikujt.

Konfuzioni është një luks që vetëm të rinjtë, shumë të rinjtë mund ta përballojnë dhe ju nuk jeni më aq të rinj.

Njerëzit që mbyllin sytë ndaj realitetit thjesht ftojnë shkatërrimin e tyre, dhe kushdo që këmbëngul të qëndrojë në një gjendje pafajësie shumë kohë pasi ajo pafajësi ka vdekur, kthehet në një përbindësh.

Kush poshtëron të tjerët, po poshtëron veten.

Sepse, ndërsa rrëfenja se si vuajmë dhe si jemi të kënaqur dhe si mund të triumfojmë nuk është kurrë e re, ajo gjithmonë duhet të dëgjohet. Nuk ka asnjë rrëfenjë tjetër për të treguar, është drita e vetme që kemi në gjithë këtë errësirë.

Shpesh pyes veten se çfarë do të bëja nëse nuk do të kishte libra në botë.

Të jesh i ndjeshëm, mendoj, do të thotë të respektosh dhe të gëzohesh në forcën e jetës, të vetë jetës, dhe të jesh i pranishëm në gjithçka që bën, nga përpjekja e dashurisë deri te thyerja e bukës.

Duhet të ndjekësh atë rrugë në të cilën të rreh gjaku. Nëse nuk jetoni jetën e vetme që keni, nuk do të jetoni ndonjë jetë tjetër, nuk do të jetoni fare.

Dikush, “tha Zhak,” babai yt ose imi, duhet të na kishte thënë se jo shumë njerëz kanë vdekur ndonjëherë nga dashuria. Por shumë njerëz janë zhdukur dhe po vdesin çdo orë – dhe në vendet më të çuditshme! – nga mungesa e saj.

Njerëzit që besojnë se janë me dëshirë të fortë dhe mjeshtra të fatit të tyre mund të vazhdojnë ta besojnë këtë vetëm duke u bërë specialistë në vetë-mashtrim.

Vendi ku do të përshtatem nuk do të ekzistojë derisa ta arrij.

Ata që thonë se nuk mund të bëhet, zakonisht ndërpriten nga të tjerët që e bëjnë këtë.

Besoji jetës dhe ajo do të të mësojë, në gëzim dhe pikëllim, gjithçka që duhet të dish.

Imazhi artistik nuk ka për qëllim të përfaqësojë vetë sendin, por, përkundrazi, realitetin e forcës që përmban sendi.

Si mund të respektohen, e lëre më të miratohen, vlerat e një populli që në asnjë nivel nuk jeton ashtu siç thonë ose siç thonë se duhet?

Njerëzit janë të bllokuar në histori dhe historia është e bllokuar në to.

Çmimi duhet të paguhet për të ndjekur ndonjë profesion ose vokacion është ajo njohuria intime e anës së tij të shëmtuar.

Ishin librat që më mësuan se gjërat që më mundonin më shumë ishin ato që më lidhnin me të gjithë njerëzit që ishin gjallë, ose që kishin qenë ndonjëherë gjallë.

Asnjë njeri nuk është djall në mendjen e tij.

Nëse trajtoheni në një mënyrë të caktuar, bëheni një lloj i caktuar personi. Nëse disa gjëra ju përshkruhen si të vërteta, ato janë reale për ju pavarësisht nëse janë të vërteta apo jo.

Qëllimi i artit është të nxjerrë në pah pyetjet që janë fshehur nga përgjigjet.

Çdo ndryshim i vërtetë nënkupton prishjen e botës siç e kanë njohur gjithnjë, humbjen e gjithçkaje që i dha asaj një identitet, fundin e sigurisë.

E pamundura është më e pakta që mund të kërkohet.

Askush nuk është më i rrezikshëm se ai që e imagjinon veten të pastër në zemër; sepse pastërtia e tij, sipas përkufizimit, është e pakundërshtueshme.

Ata fëmijë nuk janë memecë. Por njerëzit që drejtojnë këto shkolla duan të sigurohen që të mos bëhen të zgjuar: ata me të vërtetë po i mësojnë fëmijët të jenë skllevër.

Të gjithë dëshirojnë të jenë të dashur, por në këtë rast, pothuajse askush nuk mund ta durojë atë. Të gjithë duan dashuri, por gjithashtu e kanë të pamundur të besojnë se ai e meriton atë.

Ne mund të mos pajtohemi dhe ende ta duam njëri -tjetrin nëse mosmarrëveshja juaj nuk është e rrënjosur në shtypjen dhe mohimin tim dhe të drejtës sime për të ekzistuar.

Ka shumë gjëra që nuk duam t’i dimë për veten tonë.

… dashuria të solli këtu. Nëse i besove dashurisë deri këtu, mos u frikëso tani. / KultPlus.com

Stacion, qendra për art bashkëkohor hap konkursin për çmimin ‘Artistët e së nesërmes’

Stacion – Qendra per Art Bashkëkohor Prishtinë ka hapur konkursin për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2021 për artistët e rinj të Kosovës deri në moshën 35 vjeçare.

Ky çmim i rëndësishëm i pavarur organizohet në bashkëpunim me Residency Unlimited (RU) në Nju Jork dhe mbështetët nga The Trust for Mutual Understanding në New York.

Konkursi është hapur me 10 shtator 2021.

Afati i fundit për aplikim është 1 tetor 2021.

Rezultatet e konkursit do të shpallen më së voni deri më 10 tetor 2021. Artistët që punojnë në fushën e artit bashkëkohor, që përfshijnë punën në pikturë, skulpturë, grafikë, vizatim, instalacion, fotografi, video, mediat e reja dhe art performues inkurajohen të aplikojnë.

Artistët nuk mund të aplikojnë me film artistik apo punë në artet aplikative, dizajn, teatër, vallëzim.

Aplikimi për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2021 bëhet nëpërmes regjistrimit online, duke e plotësuar Formularin e aplikimit, dhe duke dërguar dokumentacionin e kërkuar nëpërmes Formularit të aplikimit, që gjendet në webfaqen e Stacion – Qendra per Art Bashkëkohor Prishtinë.

Anëtarët e Jurisë të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2020 janë Anne Barlow, drejtore e TATE St Ives, Britani e Madhe, Qëndresë Deda, artiste, fituese e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018, Minna Henriksson, artiste, Adam Kleinman, kurator i pavarur dhe shkrimtar, si dhe kurator rajonal për Amerikën Veriore në Fondacionin Kadist Art, dhe Nebojša Milikić, punëtor kulturor dhe menaxher, hulumtues dhe aktivist që punon në Beograd.

Juria ndërkombëtare do të zgjedhë tre finalistët që do të prezantojnë punën e tyre në ekspozitën e finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2021, që do të hapet me 10 nëntor 2021 në Klubin e Boksit në Prishtinë.

Finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2021 do të përzgjedhen në bazë të shqyrtimit të portfolios së tyre artistike, arritjeve dhe ekspozitave të mëparshme dhe potencialit të demonstruar. Fituesi/ja e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2021 do të përzgjedhet në bazë të shqyrtimit të portfolios së tij/saj artistike, projekteve dhe veprave të artit të ekspozuara në ekspozitën e finalistëve, arritjeve dhe ekspozitave të mëparshme, bashkëbisedimit me jurinë dhe potencialit të demonstruar. Juria do të shpallë fituesin/en me 11 dhjetor 2021, në mbylljen e ekspozitës të finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2021 që do të mbahet në Klubin e Boksit në Prishtinë.

Fituesi/ ja i/e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2021 do të shpërblehet me qëndrim dy mujor në Nju Jork, SHBA, në programin rezidencial për artistë të Residency Unlimited, gjatë periudhës prill / maj 2022, dhe ekspozitë personale në kuadër të programit vjetor të ekspozitave të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë të vitit 2023.

Mbështetësit kryesor të çmimit “Artistët e së nesërmës” 2021 janë: Trust for Mutual Understanding (TMU), Independent Curators International (ICI), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës. Lista e plotë e donatorëve dhe partnerët bashkëpunues do të shpallet me kohë. Informatat e plota për çmimin “Artistët e së nesërmes” mund të gjeni në këtë vegëz në webfaqen e Stacion – Qendra per Art Bashkëkohor Prishtinë, dhe faqet e institucionit në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Reportazhi në botën arbërore të Sicilisë: Kostumet arbëreshe si ide për ringjalljen e etnisë dhe ruajtes së rrënjëve

Mbi kërkimet mbi kostumet arbëreshe të Kundisës janë bërë shumë kërkime por vetëm disa prej tyre kanë dhënë një kontribut të madh. Le të përmendim këtu Rosa Cuccia Genevose, si edhe mësuesit Tommasa Guerin me kolegen e saj Giuseppina Cuccia, papas Nino Cuccia etj.

Isha ulur pranë një bari tek  sheshi Umberto I  duke marrë informacione  mbi arbëreshët e Kuntizës, ku ndodhet edhe shtpia Genovese, një nga familjet më me zë në Kundisë. Më thonë që familja e saj ka në përdorim një arkiv privat ku flitet për një kostum Kundisës së vitit 1717.  Familja është trasferuar, por dikush më thotë që ka ardhur  Vajza e Rosa Cuccia Genovese, e quajtur Maria, me profesion avokate, banuese në Veri të Italisë,e cila nuk harronte rrënjët e saj dhe zbriste do vit në  Kundisë.

 Një prej arbëreshëve Spera Francesco, kishte numrin e telefonit të saj dhe kështu u  lidhem menjëherë me zonjën Maria Cuccia.  Më bëri përshtypje disponibiliteti i saj, gadishmëria  për të bashkëpunuar. 

Ishte jashtë qendrës,  dhe përgjigja  e saj ishte: Per 10 minuta jam aty.

Na gjen tek sheshi dhe me buzën në gaz. Na përshëndet, në vështrimin e saj ishte dashuria e gjakut të shprishur, krenaria e të qenit arbëresh, dhe  më furnizon me materiale që familja e saj ruante në arkiv.

Bejmë disa foto të dorëshkrimeve që dispononin.  Jena traktate noterile, dokumenta të Corte civile të Kundisës, dokumenta të cilat i përkasin viteve nga 1615 deri në vitet 1800. Janë të ruajtura me shume kujdes dhe të lexueshme. Na jep librin  që nëna e saj kishte shkruar dhe komentuar dhe pershëndetemi që të dali një libër në gjuhën shqipe mbi Kundisën që ne banorët ta kemi në komodinat tona.

Shfeltojmë materialet

Më tërheq kapitulli  Marrveshjet e Martesës (Capituli matrimoniali).

Midis shumë marrveshjeve ishte edhe një akt që i përket martesës  Rosalia Musacchia, 16 vjeçe, vajza legitime e  Teodoro e Geltrude Musacchia nga njëra anë dhe  Pietro Macaluso, bir legjitim i  Giovanni dhe Caterina Macaluso, dhe mban datën 23 janar 1706.  Gjithësej janë 5 fletë, dhe preëizohet që  martesa do të zhvillohet “ alla greca  grecaria” shprehje kjo që spjegohet me një instrument dhënë në aktin 1717: secundum morem, rithum ed consuetudines greco rum seuverius, secundum leges et iura communia  vulgariter dicta alla greca  grecaria”

Një akt tjetër akt ku flitet në mënyrë të qart  për një martesë  “ more graecorum” me detaje dhe informacione mbi kostumin e Kundisës është ai i vitit 1719.Dokumenti në fjalë, ndryshe nga dokumentat shkruar në latinisht sipas rregullave notarile, ështe përpiluar prej familjarëve të nuses dhe dhëndrit, ku shprehet qart edhe mënyra e tyre të të qenit, të vepruarit si edhe të menduarit, si edhe martesa  “alla greca grecaria” dhe kontrata ishte e bërë midis dhendrit dhe babait të nuses. 

Paja martesore e viti 1719

8  funde;  nga të cilat 3 prej tyre të qendisura me ar, ndërsa 5 të tjera të përditshme

3 cajuli Një e qëndisur,  dhe 2 të tjera me tesut  kadife dhe garnitur kremi

2  palë mëngë; një palë kadife dhe një palë me lesh.

2 sqepi  me garnitur të punur me fije ari të hollë

1 vello puro mëndafshi dhe punuar me fije të hollë floriri.

2 breza të qendisura dhe me një togëz argjendi 

2 fodette ( fustane, pelerina)  njëra me  me copë të hollë dhe tjetra e përditshme leshi

Për sa i përket acesorit të fundit që janë Fodetta, shprehur në djalektin sicilian, e cila kompeton garderpën e gruas arbëreshe dhe është baze e garderopës dimërore.  Në rastet gala vishej fundi me shumë pala, i gjerë  disi i fryrë.   “Vestito di panna”  i përket periudhës së rinashimentale

Flitet për një martese, me tesute të çmuara, me ar e argjend,  me dekorime por edhe me një madheshti aktit të martesës, ku martesa duhet të tregojë ragun e lart, krenari dhe mirqenie por edhe shkëlqim, martesa këto që edhe sot janë karakteristik  e popullit arbëror. 

Jo më kot nënat arbëreshe të Kundisës uronin:

“Vafshë e veshur si Ulliri e qiparisi”

Nëna e nuses uron vajzën e saj me këto fjalë:

Shtofshë e burofshë sa rërë ka dejti e sa illëzja (yje) ka qiellia( qielli)

Ky urim ishte urim i  trashgimnisë, për të qenë fertile e të shtojë farë e fisin arbëror, që kjo farë mos të zhduket. 

Ndërsa cifti i sapo martuar kalon nëpër rrugë, disa fëmijë  tundin “ flammeli” (tip flamujsh), dhe hedhin në rrugën që ata përshkruajnë kripë dhe e bukë, veprim që e shoqërojnë me këto fjalë:

Ju buroftë e mira si buka e si kripa.

Shprehje ku përmbledh kodin moral të asaj kohe dhe shoqërie. Kjo derë e re që po hapet ti  degjohet zëri i mirë, “Fama dhe voce” . Në vijim kostum i grave i veshur në 1800 në Contessa Entellina,( kolleksione Private) burim Rosa Cuccia Genovese

Kostumi i burrave

Si në shumë krahinat e Kalabrisë ku  kostumi i burrave nuk është njohur,  në  Kundisë  kërkuesja e botës arbëreshe  e R. C. Genovese, na njeh në arkivin e saj me një analoge “ giambra in sete verde”, qendisur me flori  dhe i përket viti 1840. Kostum ky përdorur në Contessa  Entellina.

Në vijim analogu i kostumit lartpërmendur.

Kostumi arbëresh e krijuar nga nxënësit e shkollës

Nga mesuesja Tommasa Guarino  mësojmë se një tjetër studiues që u interesua mbi kërkimet e kostumeve arbëreshe të Contessa Entellina\ Kundisa ishte edhe papas Nino Cuccia, i cili interpellon që kostumi më antik  i Kundisës është e Familje Mulè, të cilët deri në fillim të shekullit XX ishin në Kundisë dhe më vonë u trasferuan në Palermo. Por deri më sot nuk gjenden gjurmë të kësaj familje në Palermo. Nga kërkimet që janë bërë nuk janë gjetur gjurmë të kostumit të Kundisës para shek të XX.

Në vitin 1937 vjen në Contessa Entellina\Kundisa,  suor Giuliana Cusimano nga Piana degli albanesi dhe i lind dëshira që të krijoi një kostum arbëresh dhe si rrjedhoi krijuan edeh disa familje të tjera njò prej tyre kishte edhe Filomena Cuccia . Thuhet që kostumin më të heshme i viti 1935 ka qenë veshur nga zonja Vita Lo Iacono , e cila ishte e njejtë me atë të Piana  degli  Albanesi. Imitime të tilla vazhduan të krijonin rreth viteve 50.

Kostumi realizuar në 1970\1990

Në vitin shkollor 1978\79 mësueset e shkollës elementare Gjergj Kastrioti; Cuccia Giuseppina dhe Guarino Tommasa marrin një nismë  të krijonin kostumin e Kundisës. Qëllimi ishte të rizgjonin identitetin. Kështu fillojnë kërkimet, duke iu rikthyer sunduqeve, por edhe duke bërë kërkime në terren. U morën shumë informacione nga të moshuarit e asaj kohe se çfar ruanin në kujtesën e tyre.

Tommasa,  na thotë që  shkak për krijimin e kostumit ishte jo vetëm ideja e ringjalljes së etnisë arbëreshe, ruajtja errënjëve,  por sa herë që shikoja një  foto ku gjyshja ime ishte e veshur me një kostum, të cilin  akoma e ruaj në sunduk, më shtynte kurioziteti por edhe një detyrim moral, që ne si komunitet të kishim kostumin tonë si pjesa tjetër e arbëreshëve të Italisë.  Kostumi në fjalë ishte një veshje fundi i viteve 1800.

Fustani ishte  ngjyrë  vjollcë e celur,  me një garnitur dhe  një tantellë, brënda në sunduk  kishte një “ korse- corpetto” shumë aderente,  me të njejtën ngjyrë të cilën gjyshja ime e vishte në raste të veçanta.

Kërkimet për krijimin e kostumit  u bënë edhe tek personat e vjetër në moshë ku dolën fjalor si; Xhipuni, çerri, xhëllonja, vanterja që korrespondojnë me pjesët përbërse të të gjithave kostumeve arbëreshe në territorin italian.

 Tommasa rrëfen se kishte edhe  kolegen e saj, Mësuesja Giuseppina, e cila që nga ana tjetër interesohej dhe zbulon që në shtëpi, vjerri i saj Giuseppe Lo Iacono nga viti 1912 -1920 ishte mësues në Vlorë dhe kishte sjellë prej andej një xhaketë, elegante karakteristike e krahinës jugore.

Duke mos patur shumë elemente, dhe një konfuzion,  mësueset Tommasa dhe Giuseppina kërkuan ndihmen e e Prof  Raffaello Piraino docent në Akademmia belle Arti të Palermos, skenograf dhe kostumista, kishin bërë takim edhe me dott. Trapani della Pettina, atëherë ishte President i Istitutit për mbrojtjen e historisë dhe traditat siciliane iu përgjigjet se; Kostumi që vishet në Pallazzo Adriano dhe në Mezzoiuso mund të jetë edhe ai i Contessa Entellinës\ Kuntisa.

Në vitin shkollor 1997/98 u krijua edhe grupi shkollor folklorik “Brinjat”. Me rastin e “Rishikimit XVI kulturor dhe folkloristik për rritjen e pakicave etnike”, të mbajtur në Contessa Entellina më 30 maj 2009, pas krahasimeve dhe afiniteteve , mori përsipër barrën e dëshirës për të krijuar, njëherë e përgjithmonë, kostume më të hollësishme dhe të dokumentuara nga pikëpamja kulturore, si për zgjedhjen e ngjyrës, për pëlhurën ashtu edhe për modelin për të gjitha vajzat që i përkasin grupit folklorik “Brinjat

Lidhur me bërjen e kostumit arbëreshë të Contessa Entellina, u morën parasysh shkrimet e shkrimtarëve arbëreshë, si N.Chetta dhe A.Dara, dhe gjithashtu  të J. Houel; për qëndisjet u përdorën disa dëshmi të marra nga Shqipëria në shekullin e kaluar, për atë që ekziston edhe sot në muzetë e vendeve arbëreshe dhe shqiptare, veçanërisht të Gjirokastrës dhe Greqisë së Atikës dhe Epirit. Ekzistojnë dy versione të kostumit Arbëreshë të Contessa Entellina: një me një jelek dhe një këmishë me mëngë të gjata siç përshkruhet në pikturat e Huel, një me një këmishë më pak të spikatur, por me një xhaketë të qëndisur me shkëlqim me shqiponjën me dy koka në anën e pasme. Arritur në këtë pikë mësueset  Giuseppina dhe Tommasa krijuan kostumet: si ato të përditshme ashtu edhe Gala.. Më në fund ia arritën qëllimit. Të gjithë bashkë ndërtuan Kostumet si të përtditshme ashtu edhe kostumin Gala. Në Foto Maria Luisa  me kostumin e Kundisës realizar nga mësueset,  dhe Vicenco Cilluffo me kostumin fustannella në jug të Shqipërisë .

Ku gjetët  mbështetjen financiare  për të bërë kostumet arbëreshe?

Në vitet kur punoja unë egzistonte akoma koncepti i “idealit” dhe dhe familjet i kishim mbështetëse të mëdha, ishin të gatshme. Më vjen për të qeshur edhe sot, kur ditën e karnavaleve me maskë dhe  në rolin e zingerës kërkoja lek. Me ato të ardhurat blemë copën më të shtrenjë, kostumit Gala . Kriter tjetër që mbajtëm për të krijuar kostumin ishte afërsia që ne kishim me dialektin e Gjirokastrës. Nga ana fonetike  e folura e Contessa Entellina\ Kundisa afrohet shumë me të tyren. Prandaj edhe ky kostum ka shumë ngjashmëri me atë të Lunxherisë .

Pasi kompletuan kostumin e të rriturve, ato krijuan edhe kostumin e burrave, marrë nga modeli shqiptar. Qeleshja, jeleku, këmisha, pantallona-benevreke

Këto mësuese nuk u ndalën sepse krijuan grupin artistik të shkollës,  ku merrnin pjesë edhe  mësuesja e letërsisë Rosalia Scaturro, krijuan  grupin e baletit me drejtuesen  Valnea  Zottino,  dhe më vonë kur krijuan edhe kostumet me të mëdhenjtë pjesëmarrëse ishte edhe një nga sartat më të dëgjuara në Palermo Goppi e cila i sygjëronte që kostumet të dilnin sa më të sakta në bazë të kërkimeve të tyre, një ndihmë të madhe iu kishte dhënë edhe Papas Nicolò Cuccia.  

Për punën e këtyre mësueseve pati vëmëndjen edhe të mediave

Për këto mësuese të palodhura si Tommasa Guarino e Giuseppina Cuccia, mbi punën e tyre shkroi edhe shtypi.

Gazeta  “Shkëndija” organ dyjavore  arsimore pedagogjike dhe shoqërore, iu dedikua artikullin  “Ngjallim dashurinë për mëmëdheun, ndërsa  në Kosovë me titullin  “Shtojme dashurinë për gjuhën amëtare”.

Shkruan gazeta “ Katundi ynë”, revista “ Lidhja”. Por edhe shtypi “ Sicilia”

Interessante ishte trasmetimi i valve “ Radio Entella arbëreshe” ku një rubrikë të veçantë e kishte shkolla dhe punimet e aktivitetet e tyre. Ajo periudhë-thotë Tomasina- ishte periudha më artë e epokës sime. Nuk ndjenim lodhje vetëm pasioni dhe dashuri për të bërë diçka të bukur për Horën tonë. /shqiptarja/ KultPlus.com

15 vjeçarja që u bullizua nga shoqëria, shkon në mbrëmjen e maturës me gati 300 motoçiklistë (FOTO)

Një nxënëse e cila ka dashur të bëjë vetëvrasje për shkak të bullizmit, shkoi në mbrëmje të maturës me një përcjellje prej gati 300 motoçiklistësh për t’iu treguar atyre që e kanë ngacmuar se nuk mund ta lëndojnë më, transmeton KultPlus.

Felicity Warburton, 15 vjeçe, u ngacmua shumë nga shoqëria që në moshën shtatëvjeçare dhe ishte tmerruar për mbrëmjen e saj.

Nëna e saj, Kathryn Warburton, kishte bërë një apel në Facebook muajin e kaluar duke kërkuar nga grupi i motoçiklistëve të marrin pjesë në mbrëmjen e maturës për të mbështetur adoleshenten.

Felicity u mahnit kur qindra prej tyre u shfaqën për të qenë pranë saj dhe shoqes së saj Emily, në mbrëmjen e maturës, duke arritur të krijonte shumë duartrokitje nga shokët e klasës dhe mësuesit, transmeton tutje KultPlus.

Në apel shkruhej: Felicity mezi e ka pritur mbrëmjen e saj, pasi ajo mendon se kjo do të jetë pika ku ajo mund t’u tregojë atyre (ngacmuesve) se ata nuk mund ta dëmtojnë më. Ata e kanë ngacmuar aq shumë sa ajo ka menduar edhe për vetëvrasje vitin e kaluar, kështu që unë me të vërtetë dua që mbrëmja e saj të jetë gjithçka që ajo dëshiron dhe ka nevojë të jetë.

Pothuajse 300 njerëz nga klubi, si dhe motoçiklistë të tjerë nga e gjithë Anglia, dolën për t’i dhënë mbështetjen e tyre adoleshentes. / KultPlus.com

Bullied schoolgirl has last laugh when 200 bikers escort her to prom | Metro News
300 bikers accompany bullied schoolgirl to prom after she suffered years of torment - Wales Online

Krenari shqiptare në seminarin ndërkombëtar të ‘Vatrës’ në vitin 1969 (FOTO)

Më 28 deri më 30 nëntor të vitit 1969 do të mbahej në SHBA Seminari ndërkombëtar i organizuar nga Shoqëria “VATRA”.

Pjesë e seminarit ishte edhe Zef Schiro Jr, i cili ligjëroi në gjuhën shqipe kumtesën: “Kuptimi historik i Arbërit e përgjigja e tij në vetëdijen e popullit arbëror”.

“…Ku një Shqiptar vë gurin e vatrës, ajo shtëpi bëhet Shqipëri. Është një Shqipëri mistike, një Shqipëri spirituale me plotësimin e të gjitha vlerave morale që çdo shqiptar trashëgon nga autoriteti atëror dhe ja u pason pasardhësvet me besnikëri.

Kështu mund të shpjegojmë si shqiptari duke pranuar plotësisht detyrat kundrejt vendit që e pranon, ai zhvillohet dhe organizohet në kuptimin shqiptar: ka për të qenë italian, amerikan, grek, apo gjerman, apo tjetër shtetësie, ai ndërton gjithmonë me shpirtin shqiptar tempullin e kultit të etërvet, të traditave, të atëdheut nga ku rrjedh: atëdheu i origjinës që gjatë kohës spiritualizohet duke u bërë gati një gjë gjithënjë shenjtërore dhe e përjetëshme”, – do të argumentonte dhe do të nxirrte si përfundim Prof. Zef Schiro në përmbyllje të ligjëratës së vet.

Një ndër personalitetet shqiptare të pranishme në këtë semindar ishte edhe Martin Camaj, i cili mbajti një kumtesë “Mbi funksionin e gjuhës së Nolit dhe të Konicës”.

Martin Camaj

“…Të dy (Noli dhe Konica) ishin koshientë se veproshin në nji kohë kur ende nuk kishte një drejtshkrim të qendrueshëm të gjuhës shqipe, kur gega dhe toska, secili tue fol dialektin e vet gjeshin vështirësi jo të vogël të kuptoheshin në punën e përbashkët, në rrugë dhe në kafe…

…Besoj se problemi gjuhësor për ta, sidomos këtu në Amerikë, ishte i vështirësuem, sepse ata do të shkrueshin për të qënë të kuptuem nga bashkësi shqiptare ardhë nga krahina të ndryshme të Shqipnisë. Dhe asht për t’u habitë se si Noli e Konica, pa qenë gjuhëtarë, domethwnw gjurmues të gjuhës me metoda profesionale, shumë çështje i panë fare qartë. Si parim kryesor ata patën të shprehunit e thjeshtë, tue pas gjithmonë parasysh se për kë shkrueshin. Konica reklamon në syprinën e librit Në hien e hurmave: “Një libër për të shkuar kohën e për të nxënë shkrimin e gjuhës. Një libër për gra e për burra, për të vegjël e të mëdhenj”. Qëllimi është i qartë: ai u sillet të gjithëve, sepse asht i bindun se gjuha e përdorun në këtë libër asht e kuptueshme për të gjithë…” Fragment nga ligjërata e Martin Camajt, asokohe profesor për gjuhët e juglindjes europiane, pranë Universitetit të Muncheni-it në Gjermaninë Perëndimore.

Më 28 Nëntor 1969 do të organizohej parada e parë shqiptare në SHBA, organizuar nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra”. Pjesë e paradës ishin jo vetëm shqiptarët e Amerikës, por edhe Arbëreshët e Italisë dhe komunitetin shqiptar të pas Luftës së Dytë Botërore në Itali. Parada nisi nga Hotel “Americana” Rockefeller Center, deri tek Katedralja Saint Patrick.

Fotot kortezi e Muzeu Kokalari. /dsh/ KultPlus.com

Kulla e gurit më e larta në botë, një mrekulli e natyrës që është dy herë më e madhe se Kulla e Eiffelit

Kulla e gurit më e larta në botë, Piramida e Ball-it, duket si një teh i mprehtë që del nga Deti Tasman, buzë Oqeanit Paqësor.

Me lartësinë e saj prej 562 metrash, e cila del nga bluja e madhe, Piramida e Ballit duket sikur i prek retë.

Piramida është në të vërtetë mbetja e majës së një vullkani të shuar që mbeti mbi ujë, ndërsa vullkani ishte aktiv për herë të fundit shtatë milionë vjet më parë, transmeton KultPlus.

Shumica e quajnë atë edhe Mont Eversti Australian, dhe është pothuajse dy herë më e lartë se Kulla e Eiffelit.

Piramida e Ball-it është vendqëndrim i një shumëllojshmërie të zogjve, peshqve dhe krijesave të tjera të detit.

Me pamjen e saj impozante, ajo tërheq gjithashtu marinarë, pilotë, si dhe alpinistë që ëndërrojnë të ngjiten deri në majë.

Njeriu i parë për të cilin dihet që e ka parë atë kullë të madhe të gurit është Henry Ball, i cili thjesht e ka quajtur sipas emrit të vet. Henry më 1778 kaloi nëpër këto ujëra në anijen Supply, duke transportuar emigrantë në Norfolk.

Rreth 20 kilometra nga piramida është ishulli Lord Howe, nga ku varkat shpesh shkojnë drejt Piramidës së Ball për të admiruar madhësinë joreale të atij monumenti natyror. Vetëm disa alpinistë arritën të përballojnë valët e forta në mënyrë që të ngjiten në majë të piramidës

Sidoqoftë, valët janë vetëm fillimi i sprovës. Shkëmbinjtë e brishtë që ngrihen në det përfaqësojnë një rrezik të madh dhe pikërisht për këtë arsye ngjitja në piramidë është e ndaluar. Gjoba për mosbindje është 5,000 dollarë. / KultPlus.com

Shqiptarët që humbën jetën më 11 shtator 2001

11 shtator 2001 mbarë bota do të tronditej nga sulmet e befasishme ndaj dy prej qendrave tregtare me te mëdha në SHBA, Twin Towers. Mijëra të plagosur, qindra të vdekur, e mes tyre edhe tre shqiptarët, Rrok Camaj, Mon Gjonbalaj dhe Simon Dedvukaj.

Më 11 shtator, Rrok Camaj si çdo ditë tjetër pune ishte në “South Tower” (Kullën Jugore), në momentin kur avioni goditi ndërtesën poshtë tij. Ai sapo ishte kthyer nga pushimet në vendlindje në Mal të Zi, ku kishte shkuar së bashku me vëllezërit. Camaj ishte kthyer në Amerikë një ditë më parë më 10 shtator pa e ditur se çfarë e priste.

Ai telefonoi zonjën Camaj në orën 9:14 të mëngjesit, duke i kërkuar që të mos panikosej. Por ai vdiq kur kulla u shemb në orën 9:59 të mëngjesit Diçka që Camaj kishte thënë në një libër për fëmijë për punën e tij, shërbeu si fjalët e tij të fundit: “Jemi vetëm unë dhe qielli. Unë nuk shqetësoj askënd dhe askush nuk më shqetëson”.

Kur vdiq më 11 shtator 2001, Roko Camaj u cilësua si shenjti mbrojtës i pastruesve të dritareve.

Në një imazh nga arkivi i New York Times, shihet Roko Camaj një fshirëse në dorën e tij të djathtë, një sfungjer në të majtën. Era po i ngatërrohet flokët. Maja jugore e Manhatanit shtrihet poshtë tij.

Mon Gjonbalaj, ishte edhe ai një punëtor mirëmbajtjeje i ‘ABM Janitorial Industries’, vishte një uniformë çdo ditë teksa shkonte gjithmonë në punë në “South Tower” në Qendrën Botërore të Tregtisë.

Ai ishte një anëtar i devotshëm dhe krenar për 30 vjet i Bashkimit Nd ërkombëtar të Punonjësve të Shërbimit (SEIU).

Mon shpesh shfaqej një orë më herët në punë për të konsumuar një filxhan kafe me kolegët e tij, të cilët edhe i kishin vunë nofkën ‘Jambalaya’ për shkak të mbiemrit të tij të ndërlikuar shqiptar.

Afër moshës së pensionit në vitin 2001, Mon nuk ishte ende gati të linte punën.

“Ai do të mbushte 66 vjeç më 31 tetor 2001, por donte të vazhdonte punën,” – tha Sal, një prej tre fëmijëve e tij. “Ai ishte aq i lidhur me atë ndërtesë. Nuk donte ta lëshonte. Për të ajo ishte shtëpia e dytë.”

Kur avioni goditi Kullën e Jugut në mëngjesin e 11 shtatorit, Mon ishte në punë në katin e 86-të.

Babai i katër fëmijëve arriti të telefononte familjen e tij, duke shpjeguar se ishte bllokuar dhe i tha djalit që të ishte i fortë dhe të mbante familjen të bashkuar.

Në vitet pas sulmeve, fëmijët e Mon kërkuan mënyra të ndryshme për të mbajtur gjallë kujtimin e babait të tyre dhe për të nderuar lidhjen e tij të fortë me Qendrën Botërore të Tregtisë.

Në vitin 2016, Muzeu mori një mesazh në Facebook nga Sal, djali i Mon, i cili ofroi t’i dhuronte koleksionit të muzeut, këmishën e uniformës ABM që babai i tij kishte veshur teksa punonte në 10 Shtator 2001. Muzeu e bleu bluzën dhe së fundmi e ekspozoi atë në ‘In Memoriam’.

Vizitorët e shumtë teksa shohin këmishën e Mon mësojnë më shumë për jetën e tij dhe jetët e 2,982 viktimave të tjerë të vrarë në sulmet e 11 shtatorit.

Simon Dedvukaj, 26 vjeç ishte më i riu nga të tre shqiptarët që humbën jetën në Manhatan. Ai punonte në Qendrën Botërore të Tregtisë si përgjegjës i punonjësve të mirëmbajtjes së Kullave Binjake. Sot në New York ekziston fondacioni “Simon M. Dedvukaj”, qëllimi i të cilit është arsimimi dhe edukimi i brezave të rinj për të bërë zgjedhjen e duhur në jetë, për t’i shërbyer jo vetëm vetes, por edhe familjeve dhe komunitetit ku ata jetojnë.

I lindur në Bronx, Simon Dedvukaj ishte krenar për trashëgiminë e tij shqiptare që në moshë të re. Atij i pëlqente të dëgjonte histori familjare nga  Shqipëria, aty do të takonte edhe gruan e tij, Elizabeta. Ata u vendosën në rrethinat “Lake Mohegan”, në Nju Jork, dhe do të festonin përvjetorin e tyre të parë në Tetor 2001, një muaj para së ai dhe afro tre mijë njerëz të pafajshëm, u ndanë nga kjo jetë njëzet vjet më parë, 11 Shtator 2001.

Simon Marash Dedvukaj ishte një drejtues i mirëmbajtjes në kompaninë “ABM Industries”, ai ishte në punë lart në Kullën e Veriut më 11 Shtator. / KultPlus.com

‘Kafiqi’ – harta e shpirtit të Prishtinës

Shkruan: Ballsor Hoxha

A është politikë – sot – mbyllja, kufizimi, apo liria e shoqërimit në ‘kafiq’?

Apo, a është ekonomi, mbijetesë, dhe luftë ndaj tragjedisë, sot, ‘kafiqi’?

Apo, a është nevojë jetike, sot, që të shoqërohemi, të bashkë – vuajmë dhe të zbusim ankthin, ndaj ndryshimeve globale dhe saktësisht të tragjedive globale sot?

Dikush mund të pyetet ku është etika, apo çmenduria në të trajtuarit e fenomenit të ‘Kafiqit’, hartës së ‘Kafiqave’ të Prishtinës, në këtë kohë tragjedie globale? Mund edhe të jetë, që është çmenduri, dhe degjenerim! Por gjithashtu mund edhe të jetë ballafaqim dhe vetëdijesim për të gjitha problemet e lindura, si në glob e po ashtu edhe tek ne. Probleme prej ‘social distance’, vaksinimit, “çipave të implantuar në ne”, teorive të konspiracionit, etj. Dhe, shumë më shumë, mund të jetë luftë dhe vetëdijesim për jetën që po e jetojmë, gjatë pandemisë dhe po ashtu në përgjithësi. Por, në fund, mund të jetë edhe qëndrim dhe konfrontim ndaj problemit politik dhe aq më shumë problemit sociologjik të ‘kafiqit’ në këtë tragjedi.

Kjo sprovë dhe përpjekje për të trajtuar këto, dhe aq më shumë ‘kafiqin’ si sociologji dhe kulturë e shpirt kozmopolitan, sot, është qëndrim ndaj të gjitha këtyre, dhe aq më shumë hapje e horizontit të dhe lidhur me ‘kafiqin’! apo qoftë edhe vetëm njoftim i lexuesit me atë.

Përpjekja për të hapur këtë çështje është vënë përballë kotësisë së vlerave tona që po i shpërfaqë pandemia, dhe aq më shumë nevojës “për këto kotësi”!

Kjo kronikë, estetikë dhe trajtim socio – kulturor i ‘kafiqit’ të Prishtinës është përpjekje për të krijuar një hartë. Hartë jo definitive por hapje të njohjes së Prishtinës në vetë shpirtin e saj.

Kronika, është e ndarë në dy shtresa, dy përqendrime dhe dy shpirtra Prishtinas, që në të vërtetë janë dhe e ushqejnë njëri tjetrin.

1. ‘Kafiqi’ mainstream; i kultivuar dhe kultivues i shpirtit Prishtinas; si dhe

2. ‘Kafiqi’ sub – terrenian (jo dosmdoshmërisht – underground), apo ‘kafiqi’ nga ku buron shpirti Prishtinas, e që më tutje kalon në mainstream. Që do të thotë ‘kafiqi’ i lagjes, dhe i mëhallës.

‘Kafiqi’ mainstream është përzgjedhje, jo definitive, por karateristike e sociologjisë prishtinase. Në këtë grup janë përmbledhur disa reprezantues dhe kultivues më të pasionuar dhe më me nam në Prishtinë, gjë që – në tërë këtë çmenduri – është tendencë të kalojë në kronikë, kultivim dhe bashkë të mësuar të shijimit të tij.

Janë përfshirë katër karaktere të këtij lloji të ‘kafiqit’ prishtinas:

Përqendrimi masiv dhe burimor i kuartit “Kafet e Rakisë” që mbrun zonën e thellë të fuqisë sociologjike të ‘kafiqit’ në Prishtinë.

Fryma prishtinase si çmenduri e guximit dhe pasionit për të hapur shpirtin e saj, siç është ‘kafiqi’ Miqt.

Pasioni dhe suksesi, në profilin dhe orientimin e tij, përmes ‘kafiqit’ Bon Vivant.

Guximi dhe aftësia për të asimiluar dhe shkëmbyer lëvizjet dhe karakteristikat globale si në ‘kafiqin’ Ellie (në Rrugën B).

Dhe në fund, kafiqi hedonist dhe – undergorund, apo të qenit mbi tehun dhe në dy anët e hedonizmit, siç është kafiqi (Servisi) Fantazia.

Sigurisht, autori dhe kjo kronikë as nuk pretendon të jetë e gjithëdijshme dhe as të kufizojë këtë hartë. Në të vërtetë është vetë nisma dhe zanafilla e hapjes së kultivimit dhe shijimit të shpirtit prishtinas.

Dhe, në anën tjetër, është trajtuar –  ‘kafiqi’ sub – terrenian, i mëhallës, i cili është një përvojë e gjatë e autorit të këtij shkrimi dhe shijimi të këtij lloji të këtij fenomeni sociologjik. Në këtë pjesë të hartës së shpirtit prishtinas, janë përfshirë ‘kafiqa’ të të gjitha llojeve, dhe atë nga e shumta e lagjeve të Prishtinës.

Më tutje pasojnë punimet dhe trajtimet e ‘kafiqit’ duke filluar në trajtimin e ‘kafiqit’ si fenomen sociologjik e konfrontim i pandemisë dhe tragjedisë së saj, dhe më pastaj veç e veç një shijim dhe trajtim, i estetikës së këtyre ‘kafiqave’.

Për fund të kësaj hyrjeje, le t’i kthehemi asaj që jemi, në këtë përpjekje dhe në këtë që është trajtuar. Ne jemi ‘underdog’ në të gjitha aspektet dhe kategoritë, qoftë në raport me qytete fqinje si Shkupi e Tirana (hiç më larg), dhe qoftë në raport me  peshën ekonomike dhe të popullatës, dhe të impaktit jashtë Prishtinës, jashtë Kosovës.

Në jemi minj të gjallë të të gjitha eksperimenteve, qoftë të vetëdijshme e të planifikuara globale dhe ndërkombëtare; dhe qoftë të atyre të vibe- ve globale dhe influencave të tyre.

Ne, të shumtën e kohës, të vënë nën akthin dhe dramën e mbijetesës (përpos pandemisë), nuk e dimë çka shijojmë dhe çka kultivojmë.

Ne, kemi – pauzën – dhe jemi përballë një muri që vazhdimisht na përkujton për – kotësinë – e jetëve tona dhe vlerave tona, globalisht dhe në strata vendore, për këtë arsye, pse të mos marrim mundin të mendojmë rreth këtij fenomeni sociologjik. Një herë e në të ardhmen!

Kjo kronikë është përpjekje për të zgjuar, jo  obsesionimin për rroba e dukje të njeri tjetrit (qoftë edhe gjatë pandemisë), por shpirtin kulturën dhe frymën e Prishtinës. Sigurisht, duke qenë vetëm një pikëpamje e një të pasionuari, dhe aq më shumë e një të “nguluri” në ‘kafiq’ qysh nga mosha 15 vjeçare, jo vetëm si zgjedhje, por edhe si solidarizim e luftë për të qenë, në Prishtinë e  Kosovë! / KultPlus.com

Metamorfoza dhe Zerat Paralel

Metamorfoza dhe Zërat Paralel

Mbrëmë në hapësirën e “Kino Rinisë” artisti Maksut Vezgishi realizoi një intervenim artistik me titull “Zërat Paralel”. Qëllimi ishte të ringjalleshin praktikat ‘anti-sistem’ si rezistencë ndaj ‘hegjemonisë planetare’ dhe të ideologjisë si ‘kapitalizmi neoliberal’.

Milot Gusia, kritik i artit

Hapësirën e “Kino Rinisë” të dëmtuar nga mospërdorimi, e cila për me shumë se një gjysmëshekulli ka shfaqur filma për qytetarët, artisti Maksut Vezgishi e solli për tre ditë përsëri në jetë me anë të një ndërhyrje origjinale artistike. Objekti i dëmtuar si një derelikt i ka shërbyer artistit si shembull i shprehjes së rezistencës artistike. Në këtë rast artisti ka shprehur revoltën ndaj ndikimit të Neo-liberalizmit. Neo-liberalizmi është ngritur në një hegjemoni globale në kohën kur alternativat janë mënjanuar. Ai ka errësuar një varg qasjesh alternative, duke përfshirë varësinë dhe strukturalizmin. Si pasojë e kësaj gjithë korniza e referencimit brenda të cilës arti është i shikuar dhe diskutuar sot ka pësuar ndryshime. Ankandet dikur i ngjasonin teatrit, por sot Sotheby’s, Christie’s dhe shumë shitje tjera që po bëhen përmes platformave live stream ngjasojnë gjithnjë e më shumë emisioneve apo spektakleve të lojërave të shitjes. Arti është bërë një artikull financiar. Artistët janë bërë si brende, të ranguar sipas çmimit. Koleksionuesit janë ranguar sipas fuqisë. Bota e artit është kthyer në të dhëna statistikore, të dhëna emrash dhe vlerash. Artistët janë kthyer në fitues dhe humbës, ku pjesa më e madhe janë bërë humbës. (S. Reyburn, 2021).

Është lehtë të mendohet kjo si një formë e progresionit të pashmangshëm dhe të paevitueshëm, sikur tejkalimi i makinës së shtypit nga kompjuteri. Por, në realitet, bota e artit është vetëm një dimension tjetër i aktivitetit njerëzorë i transformuar nga Neoliberalizmi, filozofi e cila në masë të vogël apo të madhe, ka formësuar jetën politike dhe ekonomike të Perëndimit që nga vitet e tetëdhjeta. (S. Reyburn, 2021)

I themeluar në teoritë e Austriakut Friedrich von Hayek (1899-1992) dhe i rafinuar nga ekonomistët e Universitetit të Çikagos në vitet e shtatëdhjeta, Neoliberalizmi, në esencë, ka për qëllim të zëvendësojë gjykimin subjektiv njerëzor me vlerësimin objektiv ekonomik. Apo, ashtu si profesori i ekonomisë politike William Davies e kishte theksuar

në studimin e tij të vitit 2014, “Kufizimet e Neoliberalizmit” (The Limits of Neoliberalism, 2014), kjo është një shkollë e mendimit që ndjek “Magjepsjen e politikës nga ekonomia”. Në këtë logjikë, bota e artit është kthyer në të dhëna. Artistët janë kthyer në fitues apo humbës, ku pjesa më e madhe janë bërë humbës.

Si do të konsiderojmë praktikat artistike të kenë përfaqësim në shoqëri nën dominimin neo-liberalist? Kjo pyetje është konstante dhe duhet të adresohet edhe nga artistët tjerë, pasi që neo-liberalizmi, si ideologji e mbetur hegjemoniste, ka mbërthyer artin brenda logjikës së saj. Nëse shikojmë shtetet e zhvilluara në aspektin kulturor dhe ekonomik, në të cilat ikja nga ideologjia e shtetit të mirëqenies ka mbaruar për mjaft kohë, prodhimi artistik është parë të adoptohet si reagim ndaj këtyre ndryshimeve në kushtet e jashtme. Humbja e logjikës së shtetit të mirëqenies që ka sjellë shkurtime drastike të buxheteve në arte ka shënuar ndryshimin ideologjik nga modeli i artit të përkrahur nga shteti tek modeli i artit të orientuar nga tregu. Këto reagime ndaj këtyre zhvillimeve tregojnë tendencën për të eksploruar formatet e vetë-organizuara dhe institucionale që adoptohen ndaj kërkesave të vetë-mbajtjes.

Efektet e neo-liberalizmit nënkuptojnë një lëvizje konstante drejt logjikës së prodhimit të orientuar nga tregu dhe më pak përkrahje shtetërore, më pak fonde publike dhe kushte të përkeqësuara të punës. Kjo ka shtyrë artistët dhe ata që punojnë në edukim të bëhen – dhe të kuptojnë veten si – ndërmarrës në një aktivitet që është bërë gjithnjë e më shumë i orientuar nga tregu dhe që humb funksionin e tij social, pasi që është i matur në terme ekonomike. Të tillë kemi rastin e “Kino Rinisë”, një objekti të kulturës i cili për me shumë se një gjysmëshekulli ka shfaqur filma për qytetarët, dhe tani i dëmtuar nga mospërdorimi dhe i privuar nga kujdesi shtetëror ka mbetur në mëshirë të ekonomisë së tregut.

Në anën tjetër mund të shtrohet pyetja se cili mund të jetë ndikimi i artit të protestës për të adresuar këto probleme? Ashtu si shkroi mrekullueshëm Adorno, “i gjithë arti është një krim i pa bërë”, që do të thotë se arti me vet natyrën e tij sfidon status quon. Prandaj, mund të argumentohet se i gjithë arti është në një formë politik në kuptimin që merr pjesë në hapësira publike dhe përfshihet në ideologjinë ekzistuese dhe diskursin dominues. Megjithëse, arti shpesh mund të bëhet eksplicit dhe politik dhe të shërbejë si formë e shprehjes së protestës. Përgjatë historisë të lëvizjeve sociale dhe revoltës sociale, arti gjithmonë ka reaguar kundër shtypjes, dhunës, padrejtësisë, dhe jobarazisë. Duke adresuar çështje socio-politike dhe duke sfiduar kufijtë tradicional dhe hierarkitë e imponuara nga fuqia, arti krijon hapësirë për të margjinalizuarit që të dëgjohen dhe të kontribuojnë në ndryshimet sociale duke prodhuar njohuri dhe solidaritet apo thjesht duke ngritur vetëdijen. Në këtë mënyrë, jeta personale dhe vepra e artistit tejkalon individualen dhe flet në formë kuptimplote një audience më të madhe duke bashkuar funksionet politike dhe humane të artit.

Zgjimi i ZËRIT dhe kthimi i DRITËS nga Vezgishi në objektin e dikurshëm që ishte kinema, transformoi dhe gjallëroi përsëri hapësirat e objektit si shtëpi e Projeksioneve të filmit përmes aktivizmit social, si një forme artistike të shprehjes.

Vezgishi qëllimshëm përdor forma eksperimentale të transmetimit. Operatorët përmes ZËRIT e transmetojnë PËRDITSHMËRINË e 20 viteve të demokracisë. Publiku, provokohet me paqartësinë që prodhon kakofonia-teknike, e cila njëkohësisht ngjallë ndjenja të kundërta observimi duke i lënë vendin herë kureshtjes herë indiferencës. Sipas Vezgishit kjo, në aspektin tematik ndikon edhe në gjendjen post 90′ dhe paqartësinë e shekullit XXI. / KultPlus.com

Shpallen fituesit e Garës së Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë

Pas pesë ditësh intensive me punëtori e koncerte që u transmetuan online, Gara e Kompozitorëve Ballkanikë në Prishtinë, të premten mbrëma, ka shpallur fituesit e edicionit të dytë.

“Rrëqebullin e Argjendtë” e ka marrë kompozitori Tomislav Oliver nga Kroacia për veprën e tij “Mixórdia IV”. Ai do të marrë shpërblimin prej 500 eurosh si dhe një vepër të re të komisionuar për “DAM Fest 2023”.

Për ”Rrëqebullin e Argjendtë” ka vendosur juria në përbërje të kompozitorit holandez, Klaas de Vries (kryetar i jurisë), flautistes amerikano-gjermane Helen Bledsoe dhe kompozitorit iranian, Ashkan Behzadi, i cili jeton e vepron në Kanada. Çmimi tjetër i Garës së Kompozitorëve Ballkanikë ka mbetur në Kosovë. Kompozitori Bardh Dubovci me veprën e tij “TAH – They are here”, ka marrë “Çmimin e publikut” i cili është përcaktuar nga votat online dhe i cili përfshin edhe vepër të komisionuar për programin e “BCCP 2023”.

Për edicionin e sivjetmë të kësaj Gare, ishin përzgjedhur gjashtë finalistë. “Duam t’i falënderojmë të gjithë aplikuesit veçmas, gjashtë finalistët e edicionit të dytë: Deniz Aslanin (Turqi), Arda Bayramin (Turqi), Bardh Dubovcin (Kosovë), David Mastikosan (Bosnjë-Herzegovinë), Petra Strahovnikun (Sloveni) dhe Tomislav Oliverin “Kroaci)”, shkruhet në një njoftim të organizatorëve të Garës. Po aty, është falënderuar edhe flautistja e ansamblit “Oerknal” Susanne Peters për interpretimet mbresëlënëse të gjashtë veprave të finalistëve.

Në fakt, me interpretimin e saj, transmetuar në një koncert digjital të hënën e kësaj jave në “Paper Gallery”, qe hapur edicioni i sivjetmë i “Ballkan Composer Competition in Prishtina”.

Organizatorët po ashtu kanë thënë se janë befasuar me numrin e votuesve përgjatë javës, e të cilët kanë vendosur për “Çmimin e publikut”.

Edhe sivjet, BCCP erdhi si rezultat i bashkëpunimit të “DAM Fest” (Kosovë) dhe kolektivit muzikor “Oerknal” (Holandë). Fillimisht, edicioni i sivjetmë planifikohej të ishte në format hibrid, por masat e reja të shtetit për të parandaluar shpërndarjen e koronavirust në fillim të muajit bënë që ngjarja të mbahet vetëm online. Përveç garës, BCCP-ja ka sjellë edhe programin artistik me të cilin erdhën online katër koncerte, radio-performancë me DJ set dhe “DAMcademy” që është shkollë për muzikën e re.

Sivjet gara bienale ka qenë e hapur për kompozitorë të lindur pas 1 janarit të vitit 2003 dhe u është kërkuar të shkruajnë një vepër për solo-flaut prej 3 deri në 5 minuta. Gara është zgjeruar edhe gjeografikisht. Të drejtë konkurrimi kanë pasur kompozitorë nga 12 shtete të Ballkanit: Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania, Serbia, Sllovenia, Shqipëria dhe Turqia. / KultPlus.com

‘Vera andrron detin’ me tjetër çmim në Festivalin e Venedikut

‘Vera andrron detin’ me regji nga Kaltrina Krasniqi dhe skenar nga Doruntina Basha së fundmi ka shfaqur premierën madhështore në Festivalin e Venedikut, njërin ndër festivalet më të vjetra dhe rëndësishme të filmit në botë.

Pas çmimit “Autorë nën 40 vjeç” nga kinemaja “Venezia a Napoli” për regjinë më të mirë, filmi nga regjisorja Krasniqi, gjithashtu ka fituar edhe çmimin për përfshirje ”Edipo Re”, përcjell KultPlus.

E zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera Andrron Detin” është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazishë gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme’.

Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi.

Vera andrron detin’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë – Shqipëri. / KultPlus.com

Gratë që refuzojnë të ndjekin standardet globale të bukurisë

Gjithë standardet globale të bukurisë që shohim në revistat magjepsëse dhe shfaqjet e modës, çdo komb ka veçoritë, traditat dhe zakonet e veta unike që lidhen me bukurinë femërore. Për shembull, ndërsa njerëzit në vendet e tjera shpenzojnë shumë për të drejtuar dhëmbët, në Japoni, gratë paguajnë për t’i bërë dhëmbët të duken të shtrembër.

Pra, mund të themi se bukuria është me të vërtetë një term relativ. Njihuni me disa nga standardet më të pazakonta të bukurisë në rajonin aziatik, transmeton KultPlus. Edhe pse disa prej tyre kanë rrënjë historike, disa gra i ndjekin ato edhe sot.

1.Vetull e bashkuar (Tajikistan)

Ndërsa gratë në pjesë të ndryshme të botës i heqin vetullat për të marrë formën e përsosur të tyre, për gratë në Taxhikistan një vetull natyrale është një shenjë tradicionale e bukurisë. Ato vajza që nuk janë të pajisura me vetulla të mbuluara me bojë përdorin një bar të veçantë të gjelbër me gjethe të quajtur ‘usma.’ Ato madje ngjyrosin hapësirën midis vetullave dhe krijojnë një vetull.

2.Qafa e zgjatur (Tajlandë)

Qafat e gjata janë simbolike të femrave në fisin Kayan. Ka rrënjë të ndryshme në këtë traditë dhe shumë besojnë se në ditët e para ajo mbronte gratë nga skllavëria. Sidoqoftë, disa njerëz thonë se me qafën e tyre të gjatë gratë i ngjajnë dragonjve, të cilët janë figura të rëndësishme në folklorin vendas. Vajzat fillojnë ta vendosin atë që në moshën 5-vjeçe dhe marrin gjithnjë e më shumë unaza që i zgjasin qafat me kalimin e kohës.

3.”Yaeba”-dhëmbë të shtrembër (Japoni)

Ndërsa njerëzit në pjesë të tjera të botës shpenzojnë shumë para për të drejtuar dhëmbët, tendenca e kundërt po ndodh në Japoni. Kjo tendencë quhet yaeba ose “dhëmb i dyfishtë”. Këto dhëmbë të shtrembër i bëjnë gratë të duken më të reja dhe prandaj janë të njohura në mesin e vajzave japoneze.

4.Dhëmbët e zinj (Japoni)

Zbardhja e dhëmbëve ose ‘ohaguro’ është një zakon japonez i ngjyrosjes së dhëmbëve të zi me një lëng hekuri. Edhe pse aktualisht, askush nuk e përdor këtë praktikë, vlen të përmendet se dhëmbët e zinj konsideroheshin të bukur në historinë japoneze. Ohaguro ishte një simbol statusi i përdorur kryesisht nga femrat për të treguar bukurinë dhe gatishmërinë e tyre për t’u martuar.

5. Thonjtë e gjatë të këmbëve (Indi)

Në vitin 2015, Shridhar Chillal nga India u bë personi me thonjtë më të gjatë duke u futur në Rekordet Botërore Guinness. Sidoqoftë, gratë indiane nuk ndalen në thonjtë e gjatë. Ndryshe nga tendencat botërore, thonjtë e këmbëve me ngjyrë të ndezur dhe të gjatë konsiderohen të jenë të njohura këtu.

6.Fytyrë në formë zemre (Koreja e Jugut)

Koreja e Jugut ka numrin më të madh të procedurave kozmetike në botë për frymë. Konturimi i fytyrës është në top-3 listën e operacioneve plastike më të njohura në Korenë e Jugut. Përkundër rreziqeve të mundshme, gratë mund t’i nënshtrohen zvogëlimit të mollëzës dhe korrigjimit të nofullës për t’u përpjekur të marrin një fytyrë në formë zemre.

7. Mbushja e dhëmbëve (Indonezi)

Për njerëzit në Bali, mbushja e dhëmbëve është një ritual tradicional. Kjo procedurë bëhet kryesisht nga adoleshentët në mënyrë që të ‘largojnë shpirtrat e këqij’. Pas kësaj procedure adoleshentët janë gati të martohen. Edhe pse procesi i mbushjes së dhëmbëve nuk është aq i ashpër dhe i përhapur sa dikur, disa qytetarë ende e bëjnë këtë edhe nëse jetojnë larg atdheut të tyre.

Biden në 20 vjetorin e sulmeve të 11 Shtatorit: Ne nderojmë të gjithë ata që rrezikuan dhe dhanë jetën

Presidenti amerikan Joe Biden ka kërkuar unitet në 20 vjetorin e sulmeve të 11 Shtatorit.

Në një video të publikuar ai bëri homazhe për 2,977 njerëzit që humbën jetën 20 vjet më parë, transmeton KultPlus.

“Ne nderojmë të gjithë ata që rrezikuan dhe dhanë jetën në minutat, orët, muajt dhe vitet më pas”, shtoi Biden, duke iu referuar punonjësve të urgjencës.

Ngjarjet përkujtimore pritet të zhvillohen këtë të shtune, shkruan BBC, transmeton tutje KultPlus.

“Pavarësisht se sa kohë ka kaluar, këto përkujtime kthejnë dhimbjen sikur kemi marrë lajmin pak sekonda më parë”, tha presidenti.

Ai e pranoi se “forcat më të errëta të natyrës njerëzore – frika dhe zemërimi, pakënaqësia dhe dhuna kundër myslimanëve amerikanë” pasuan sulmet, por tha se uniteti kishte mbetur forca më e madhe e SHBA-së.

“Ne mësuam se uniteti është e vetmja gjë që nuk duhet të humbet kurrë”, shtoi ai. / KultPlus.com