Meditime mbi krijimtarinë letrare

Në njëfarë kuptimi më të lartë, vetë bota është e infektuar nga dështimet; ajo paraqet në vetvete shembullin më të mirë të mungesës së përsosmërisë, ajo është vetëdija e dështimit. Kur e kupton këtë gjë, dështimi nuk ndihet më. Krijuesi, me fjalë të tjera, piktori, ngjason me fillimin e botës, me idenë Absolute, të përjetshme, të Vetme dhe një të tërë, e që e shpreh veten me mungesën e përsosmërisë së saj

Henry Miller

Një herë, duke iu përgjigjur një ankete, Knut Hamsuni vuri në dukje se shkruante kryesisht me synimin për të vrarë kohën. Mendoj se, sidoqoftë, ai arsyetonte gabim, madje edhe sikur të fliste sinqerisht. Krijimtaria letrare, ashtu si edhe e gjithë jeta, është një rrugëtim me synimin për të arritur diçka. Ajo është një aventurë metafizike: mënyra e tërthortë e njohjes së realitetit, që të lejon të krijosh një pikëpamje të plotë dhe jo të pjesshme mbi gjithësinë. Shkrimtari ekziston midis shtresës së sipërme të jetës dhe asaj të poshtme; ecën nëpër shtegun që i lidh të dyja, me synimin që në përfundim vetë ai të shndërrohet në këtë shteg.

Unë e kam filluar atë në një gjendje hutimi dhe pasigurie absolute, pasi isha zhytur në kënetën e ideve të ndryshme, të përjetimeve dhe të vëzhgimeve nga jeta. Madje edhe sot, si edhe më parë, nuk e konsideroj veten shkrimtar në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Unë jam thjesht një njeri që rrëfen historinë e jetës së vet dhe, sa më shumë që zgjatet ky rrëfim, aq më tepër e ndiej atë të pashtershëm. Ai është i pafund, ashtu si edhe vetë evolucioni i botës. Në vetvete paraqet nxjerrjen në pah të çdo gjëje të çmuar, paraqet një udhëtim në vendet që nuk i merr dot me mend, derisa në njëfarë pike papritur fillon të kuptosh se ngjarja e rrëfyer është fare pak e rëndësishme në lidhje me vetë rrëfimin. Ja, kjo është veti e pandarë nga arti, që i transmeton atij nuancën metafizike, për faktin se ajo është ngjitur mbi botën, mbi hapësirën; ajo ndërthuret me ritmin tërësor të kozmosit e ndoshta vetëm prej tij mund të përcaktohet. Kurse “aftësia kuruese” e artit pikërisht aty edhe konsiston: në rëndësinë e tij, në mungesën e qëllimit dhe të përfundimit të tij.

Pothuajse qysh në hapat e mi të parë e dija mirë se nuk ekzistonte asnjë lloj synimi. Aq më pak pretendoja pushtimin e të tërës; unë synoja vetëm që ndjesinë time të plotë ta shprehja në çdo fragment, në çdo libër që lindte si kujtim i bredhjeve të mia, ndërsa depërtoja gjithnjë e më thellë në jetë: edhe në të kaluarën, edhe në të ardhmen. Dhe kur ashtu vepron ditë pas dite, gjithnjë e më thellë shfaqet bindja, e cila është shumë më esenciale se besimi apo dogma. Unë po bëhem gjithnjë e më indiferent ndaj fatit tim si shkrimtar, por gjithnjë e më i vendosur në misionin tim njerëzor.

Në fillim studiova me zell stilistikën dhe metodat e atyre që lexoja, prej të cilëve mahnitesha, si Niçe, Dostojevski, Hamsun, madje edhe nga Tomas Mani, të cilin tashmë thjesht e konsideroj një zanatçi të besueshëm, një gurgdhendës me përvojë në zanatin e vet; një kalë ngarkese, ndoshta edhe një gomar, që tërheq karrocën me një zell të papërmbajtur. Unë kam imituar metodat nga më të ndryshmet, me shpresë që të gjeja çelësin që do të më zbulonte misterin se si të shkruaja. Dhe kjo përfundoi duke më çuar në udhëkryq, pasi kisha përjetuar disfatën dhe dëshpërimin, të cilët kanë pasur rastin t’i provojnë jo shumë të tjerë. Thelbin e gjithë kësaj e përbënte fakti se unë nuk isha në gjendje të veçoja në veten time njeriun nga shkrimtari. Kështu që dështimi në krijimtari për mua do të thoshte dështim në fat; gjë që edhe e provova. Unë e kuptova se përfaqësoja një hiç, akoma më keq, një madhësi negative.

Dhe ja, pasi arrita në këtë pikë, duke u ndjerë sikur ndodhesha midis detit të vdekur të Sargasovit, fillova të shkruaja për së mbari. E fillova nga zeroja, duke i flakur tutje gjithçka kisha grumbulluar, madje edhe ato që i ruaja në mënyrë të veçantë. Sapo dëgjova zërin tim, m’u shfaq entuziazmi: më mahniste fakti se ky zë ishte i veçantë, i pangjashëm me asnjë tjetër, një zë unikal. Mua aq më bënte se si do të vlerësoheshin ato që shkrova. “Mirë”, “keq”, këto fjalë i çrrënjosa nga fjalori im. Në mënyrë të pandashme u futa në fushën e krijimtarisë, në mbretërinë e artit, i cili nuk ka asgjë të përbashkët me moralin, etikën, utilitarizmin. Vetë jeta ime u shndërrua në një krijimtari artistike. Unë e fitova zërin pasi u bëra përsëri një qenie e plotë. Vetë përjetova përafërsisht atë që, nëse u besohet librave, përjetohet pas iniciativës personale, kur përfshihesh te xhen-budizmi.

Për këtë qëllim m’u desh të ushqehesha me urrejtjen ndaj diturisë, m’u desh të kuptoja kotësinë e çdo gjëje, të rrënoja gjithçka, të evidentoja mungesën e shpresës dhe pastaj të qetësohesha apo, si të thuash, t’i vija vetes diagnozën vdekjeprurëse dhe vetëm atëherë i ktheva vetes ndjesinë e individualitetit personal. M’u desh t’i afrohesha plotësisht fundit dhe të hidhesha drejt errësirës.

Unë përmenda realitetin, por tashmë e di se është e pamundur t’i afrohesh atij, në një mënyrë tjetër nga krijimtaria letrare. Tashmë njoh më pak dhe kuptoj më shumë, por në saje të një mënyre të veçantë e të jashtëligjshme. Gjithnjë e më me besim po arrij ta zotëroj atë, në saje të dhuntisë së natyrshme. Tek unë po zhvillohej aftësia për të arritur, për të kapur, analizuar, bashkuar, për të emërtuar, për t’i sqaruar faktet, për t’i shprehur, madje të gjitha përnjëherë. Ajo që përbën strukturën e gjërave tashmë zbulohet më lehtë nga syri im. Instinktivisht u shmangem të gjitha arsyetimeve të qarta: sa më të thjeshta të jenë ato, aq më i thellë është misteri i vërtetë. Ndërsa ajo që unë di bëhet gjithnjë e më e pashpjegueshme. Mua më vë në lëvizje bindja, e cila nuk ka nevojë për dëshmi, njëlloj si feja. Unë jetoj vetëm për veten time, por pa kurrfarë ambicieje apo egoizmi dhe përpiqem që të përjetoj vetëm atë që më lejohet dhe kështu ndihmoj ekuilibrin e gjërave në botë. Ndihmoj lëvizjen, lindjen, vdekjen, transformimin që ndodhin në kozmos dhe e bëj këtë me të gjitha mjetet, nga dita në ditë. Unë jap gjithçka që kam; i jap me qejf, por edhe marr çdo gjë që jam në gjendje të mbaj. Unë jam edhe mbret, edhe pirat; jam simbol i barazisë, personifikim i Peshores, që u bë shenjë e pavarur, kur Virgjëresha u nda nga Akrepi.

Sipas pikëpamjes sime, në botë ka vend më se të mjaftueshëm për cilindo. Dikush jeton në atë mjedisin e vet, pa e vrarë mendjen për asgjë, kurse gjeniu, individiumi, është i vetmi në gjithë gjithësinë që e ndërton personalitetin ndryshe nga të tjerët. Çdo njeri e organizon jetën e vet siç i pëlqen. Njerëzit e përsosin personalitetin e tyre ashtu siç e shohin të arsyeshme.

Nga ana e jashtme, kur vihen në dukje vetëm betejat historike dhe gjithçka në botë u nënshtrohet përleshjeve për hir të pasurisë dhe pushtetit, jeta u ngjason turmave që bredhin sa andej-këndej. Mirëpo, në të vërtetë, ajo fillon vetëm pasi je zhytur thellë, duke iu larguar sipërfaqes, kur refuzon luftën dhe zhdukesh nga fushëpamja e të tjerëve. Mua asgjë nuk më detyron të shkruaj ose jo; unë nuk i njoh më detyrimet dhe tashmë nuk gjej në krijimtarinë time letrare diçka që të lehtësojë vuajtjen. Gjithçka që kam shkruar, është arritur kryesisht për hir të kenaqësisë; frutat bien vetë mbi dhe, pasi janë pjekur tek unë, tamam si në një pemë. Për mua nuk ka rëndësi se si do t’i gjykojnë ato kritikët apo lexuesit e zakonshëm. Unë nuk po përcaktoj asnjë lloj vlere, por thjesht nxjerr në pah frutin e pjekur, që ai të bëhet ushqim. Dhe në krijimtarinë time letrare nuk ka asgjë tjetër.

Situata e një indiferentizmi shumë të përzgjedhur – ja pasoja logjike e jetës egocentrike. Me problemin e ekzistencës në shoqëri unë jam përballur në atë mënyrë, saqë u bëra si i vdekur; problemi i vërtetë nuk qëndron në faktin që të mësohesh të jetosh pranë të tjerëve, po as edhe në përkrahjen për lulëzimin e vendit tënd. Problemi i vërtetë është njohja e destinacionit tënd dhe e kalimit të jetës në harmoni me ritmin e organizuar rreptësisht të kozmosit. Pasi ke arritur në vetvete aftësinë që pa u dridhur të arsyetosh për koncepte të tilla, siç janë kozmosi e shpirti, duke zotëruar artin për të arritur “anën shpirtërore”, gjatë kësaj kohe ke shmangur çdo lloj defi-nicioni, argumenti, dëshmie e detyrimi. Parajsa është gjithandej, tek ajo të çon çdo rrugë, nëse do ta ndjekësh atë vetëm po të shkosh drejt saj shumë larg. Por që të ecësh përpara është e mundur vetëm duke u kthyer prapa, pastaj të drejtohesh anash, lart dhe më pas poshtë. Nuk ka asnjë lloj progresi, ekziston vetëm lëvizja dhe zhvendosja e përjetshme, që kryhet pafundësisht në formë rrethoreje apo spiraleje. Çdo njeri ka misionin e vet dhe imperativi ynë i vetëm është që ta ndjekim misionin tonë duke e pranuar atë, kudo që të na drejtojë ai.

As që e kam idenë se çfarë librash do të shkruaj në të ardhmen, madje as sesi do të jetë libri im i ardhshëm. Idetë e mia, planet e mia ndjekin stimulin më pak shpresëdhënës: unë thjesht mbaj shënim diçka në ecje e sipër, përfytyroj, shëmtoj, deformoj, trilloj, shpik në zbrazëti, ekzagjeroj, ngatërrohem, zemërohem dhe të gjitha këto në varësi të gjendjes shpirtërore. U nënshtrohem vetëm instinkteve të mia, intuitës sime. Paraprakisht nuk marr vesh asgjë. Shpesh përshkruaj gjëra që as vetë nuk i kuptoj, duke ditur që në vazhdim ato do të sqarohen dhe do të kenë për mua njëfarë kuptimi. Unë kam besim te njeriu, i cili shkruan, domethënë te vetja ime, te shkrimtari. Dhe nuk u besoj fjalëve, madje edhe sikur t’i rreshtojë mjeshtri më me përvojë, por i besoj gjuhës, ajo është diçka më e lartë në raport me fjalët, përderisa ato krijojnë vetëm një iluzion të deformuar, që është i tillë. Fjalët nuk jetojnë të ndara, të tilla ato mund të ekzistojnë vetëm për shkencëtarët: për etimologët, filologët etj. Fjalët të ndara nga gjuha shndërrohen në një shtresë të vdekur, prej së cilës nuk zbulon dot të fshehtat. Njeriu zbulohet nëpërmjet stilit të tij, dhe në atë gjuhë, të cilën e ka krijuar për veten e vet. Për atë që është i pastër në shpirt (dhe për këtë jam i bindur), gjithçka në botë e zotëron me një qartësi të tejdukshme, madje edhe sikur të nënkuptosh vetë shkrimet ezoterike. Te një njeri i tillë e fshehta i dallohet hapur dhe në të nuk ka asgjë mistike; ajo është e natyrshme, proporcionale, zotëron logjikën dhe është e pranueshme nga përbërja e vet. Kuptimi nuk përmblidhet në synimin për të zbuluar të fshehtën, por për ta pranuar atë, për t’iu gëzuar jetës dhe për të jetuar me të, duke e shijuar atë dhe duke jetuar falë asaj.

Unë do të kisha dashur që fjalët e mia të lëviznin lirisht, siç lëviz, pa marrë parasysh drejtimin, vetë bota, në rrugëtimin e vet gjithë dredha, duke kaluar gjerësi e gjatësi gjeografike plotësisht të paparashikuara. Duke u gjendur paraprakisht në kushte dhe breza klimatikë, duke u ndeshur me matjet që askush nuk i llogarit. E kam pranuar me kohë paaftësinë time për ta realizuar këtë ideal. Por mua kjo gjë nuk më brengos. Në njëfarë kuptimi më të lartë, vetë bota është e infektuar nga dështimet; ajo paraqet në vetvete shembullin më të mirë të mungesës së përsosmërisë, ajo është vetëdija e dështimit. Kur e kupton këtë gjë, dështimi nuk ndihet më. Krijuesi, me fjalë të tjera, piktori, ngjason me fillimin e botës, me idenë Absolute, të përjetshme, të Vetme dhe një të tërë, e që e shpreh veten me mungesën e përsosmërisë së saj. Ajo është esenca e jetës, dëshmi e pavdekshmërisë së saj, që i afrohet të vërtetës përfundimtare, ku, sipas mendimit tim, përmblidhet qëllimi më i lartë i shkrimtarit, është e mundur vetëm në atë shkallë sa është në gjendje të refuzojë luftën dhe sa është në gjendje të mposhtë vullnetin e vet. Një shkrimtar i madh është personifikim i jetës, domethënë i mungesës së përsosmërisë. Ai e kryen punën e vet pa mundim, duke krijuar përshtypjen se vepra e tij është e paqortueshme dhe se rruga e çon atë nga një qendër e panjohur që ndodhet, tashmë kuptohet, jo midis rrudhave të trurit, por që pa dyshim konsiderohet qendër. Ajo kap ritmin e gjithë gjithësisë, prandaj shfaqet kaq e besueshme, e papërdorur, e paasgjësueshme, po aq e fortë, e pavarur, anarkike, po aq pa synim, si edhe vetë gjithësia. Arti nuk të mëson gjë tjetër përveç konceptimit se sa e rëndësishme është jeta. Një vepër e madhe pashmangësisht nga ana e vet kuptimore duhet të jetë e turbull për të gjithë, përveç një grushti të tillë, që, ashtu si krijuesi i saj, i është bashkëngjitur të fshehtës. Informacioni që ajo përmban, nga rëndësia e vet, është i dorës së dytë, kurse kryesorja është aftësia e përjetësimit të tij. Prandaj është më se e mjaftueshme që për të të gjendet të paktën një lexues i vetëm që ta kuptojë.

Për mua kanë thënë se jam revolucionar, por nëse është kështu kjo ka ndodhur jashtë vullnetit tim. Unë nuk ngrihem kundër botës ekzistuese. Veten time mund ta karakterizoja me fjalët e Blez Sandrarit: “Unë revolucionarizoj”. Por kjo nuk është e njëjta gjë me qenien revolucionar. Unë do të mund të jetoja edhe në anën tjetër të murit, që ndan pozitiven me negativen. Në përgjithësi më duket se jam ngritur mbi ndarje të tilla dhe po krijoj njëfarë harmonie të këtyre dy fillimeve, të shprehur në mënyrë plastike, por jo në kategoritë e etikës, të asaj që shkruaj. Mendoj se është e domosdoshme që të qëndrosh jashtë sferës së artit dhe jashtë ndikimit të tij. Arti është vetëm një nga mënyrat e jetës, kurse jeta është më bujare se ai. Dhe në vetvete arti nuk është jetë që e tejkalon jetën e zakonshme. Ai vetëm sa tregon rrugën, por këtë gjë shpeshherë nuk e kuptojnë jo vetëm spektatorët, por as vetë piktori. Duke u bërë qëllim, ai e tradhton vetveten. Kurse piktorët më shpesh e tradhtojnë jetën me përpjekjet e tyre për të dalë mbi të. Ata e copëtojnë atë, që duhet të jetë një e tërë, si një vezë. Unë jam plotësisht i bindur se dikur i gjithë arti do të zhduket. Por piktori do të mbetet dhe jeta nuk do të jetë “fushë e artit”, por vetë arti, pasi të ketë zëvendësuar vendosmërisht një herë e përgjithmonë me vetveten, atë që i përket artit. Duke folur për thelbin, natyrisht që ne akoma nuk kemi filluar të jetojmë. Tashmë nuk jemi më kafshë, por, pa dyshim, akoma nuk jemi bërë njerëz. Që nga koha kur ka lindur arti, këtë gjë na e ka pohuar çdo piktor i madh, fare pak ishin ata që e kuptonin atë. Sapo arti fiton njohje të vërtetë, ai zhduket. Ai është vetëm një zëvendësim, një gjuhë simbolesh, nëpërmjet të cilit rikrijohet ajo që ne nuk jemi në gjendje ta shprehim drejtpërsëdrejti.

Por që të kryhet kjo, duhet që njeriu të bëhet me të vërtetë fetar: jo besimtar i një sekti, por në të vërtetë një bartës i fesë, i Zotit të vërtetë, pa asnjë lloj metafore. Dhe, në fund të fundit, ai do të bëhet pashmangësisht i tillë. Por nga të gjitha shtigjet, të cilat e nxjerrin në rrugën kryesore, arti është më i rëndësishëm, i hapur në drejtimin më të besueshëm dhe më shumë se të tjerët ia shpërblen udhëtarit. Piktori, i cili me të vërtetë e ka kuptuar misionin e vet, për këtë arsye pushon së qeni piktor. Dhe të gjithë anojnë drejt faktit se duhet të arrihet ky kuptim, kjo shkëndijë që arrin të ndriçojë vetëdijën tonë, se në jetën e sotme, duke përfshirë madje dhe artin, asgjë nuk është e aftë që të lulëzojë.

Dikush është i mendimit se të gjitha këto arsyetime janë mistifikime, por unë vetëm se po parashtroj atë për të cilin tashmë jam i bindur. Kuptohet se duhet mbajtur mend domosdoshmërish, se është e pashmangshme mospërshtatja midis gjendjes së vërtetë të gjërave dhe faktit se si e ndiejmë atë, madje gjendjen tonë personale. Megjithatë duhet sjellë në mendje edhe mospërshtatja e hapur midis gjendjes së vërtetë të gjërave dhe të asaj se si e paraqet vetveten dikush tjetër. Por midis atyre subjektive dhe objektive nuk ekzistojnë dallime esenciale jetësore. Gjithçka është iluzion dhe më shumë apo më pak jetëshkurtër. Të gjitha dukuritë, duke përfshirë njeriun me mendimet e tij për veten e vet, nuk janë më shumë se një grumbullim shenjash, i ndryshueshëm dhe i paqëndrueshëm. Fate të qëndrueshme te të cilat mund të mbahesh nuk ka. Prandaj edhe në libër, qoftë edhe sikur të synoja me vetëdije drejt prishjes dhe deformimit, nuk është aspak i detyrueshëm rezultati përfundimtar, që rezulton larg së vërtetës, sesa po të ishte në rastin e kundërt. Mund të jetë plotësisht i vërtetë dhe i sinqertë, e në këtë rast pa e fshehur të vërtetën se po gënjen plotësisht. Fiksimi, trillimi janë të ndërthurur me vetë përmbajtjen e jetës. Të vërtetën nuk e lëkund asnjë lloj tronditjeje e fortë shpirtërore.

Për këtë arsye, çfarëdo efekti që të arrija unë me ndihmën e kësaj apo asaj metode profesionale, ato në asnjë rast nuk janë thjesht mënyra të shkathëta, por transmetojnë saktësisht luhatjet e sejsmografit tim, që fikson përvojën kaotike, të shumëllojshme, të fshehtë e të paarritshme, që mua ma ka dhuruar jeta. Ndërkohë që po shkruaj librin, këtë përvojë po e përjetoj nga fillimi, ndryshe, ndoshta akoma më shumë kaotike, më të paarritshme dhe më misterioze. E ashtuquajtur shtresë e fakteve të padiskutueshme, që konsiderohet pikënisje dhe gjithë kohën rikrijuese, më është ngulitur shumë thellë dhe sado që përpiqem, nuk mund të çlirohem prej saj, as që ta korrigjoj dhe as që ta paraqes për diçka tjetër. Por bashkë me të, megjithatë, ajo transformohet, ashtu siç transformohet pamja e jashtme e botës, çdo çast, pas çdo marrjeje apo nxjerrjeje fryme nga ana jonë. Dhe nga kjo del se që ta ngulitësh në mendje botën është e mundur vetëm duke krijuar një iluzion të dyfishtë: ti e ndalon lëvizjen dhe po ti krijon vazhdimësinë e pandërprerë të saj. Dhe ja ky, le të themi, truku i dyfishtë, të krijon përshtypjen se para nesh kemi një falsifikim, por ja që thelbi i artit qëndron në një lloj të tillë gënjeshtre, për faktin se ai krijon një maskë të lëvizshme transformuese. Ti hedh spirancën midis lumit; ti pranon të vendosësh maskën e gënjeshtarit, për të shprehur të vërtetën.

Shpesh kam menduar se duhej të shkruaja një libër, duke shpjeguar se si lindin tek unë këto apo ato faqe, madje edhe ndonjë faqe e vetme. Natyrisht që unë mund të shkruaja një libër mjaft voluminoz, në të cilin thjesht do të analizohej një faqe e përzgjedhur me sukses nga veprat e mia; në të do të shpjegohej se si e kisha menduar atë faqe, si ishte shfaqur ajo, si kishte ndryshuar, në çfarë vuajtjesh kishte lindur, sa kohë kishin kaluar, para se ideja e saposhfaqur të kishte marrë trajtë dhe cilat mendime më gumëzhinin në kokë, ndërkohë që po shkruaja këtë pjesë. Çfarë ditë e javës kishte qenë atëherë, si e ndieja veten, si i kisha punët me nervat, si më kishin ndërprerë, apo vetë e kisha ndërprerë punën; cilat formulime të ndryshme leksikore vërtiteshin poshtë penës, si shkruaja shpejt e shpejt dhe i ndreqja gabimet, në çfarë pike isha ndalur, që nga kisha nisur riformulimin, duke ndryshuar madje dhe impulsin fillestar dhe më pas, duke i bërë qepjen e fundit, tamam si kirurgët, që përpiqen të fshehin se operacioni kishte dalë pa sukses e duke konkluduar për veten se patjetër do t’i kthehem kësaj faqeje, që nuk e bëra asnjëherë, por, dhe nëse do ta kisha bërë, do t’i isha kthyer vetëm impulsit, i cili tërësisht ishte fshirë nga kujtesa, por që papritur përsëri del në sipërfaqe, ndonëse kisha arritur të shkruaja disa libra të tjerë. Ndoshta mund të kisha folur për disa faqe, duke i krahasuar njërën me tjetrën dhe të zgjidheshin ato, të cilat për një kritik gjakftohtë të konsideroheshin mishërim i këtij apo atij. Por unë do t’i kisha hutuar këta kritikë analitikë; do t’u kisha treguar se faqja, gjoja e shkruar pa asnjë lloj imponimi, në fakt ishte shkruar nën një tensionim të pakufishëm, atëherë kur faqja tjetër, enigmatike, tamam si një labirinth dhe që lexohej me vështirësi, kishte shpërthyer tamam siç del nga toka një gejzer; atë e shkrova tamam sikur po më guduliste në shpinë një fllad kalimtar. Ose do të kisha shkruar se këtë faqe e kisha menduar akoma pa u ngritur nga shtrati, që e kisha ripunuar, duke u veshur, dhe më pas e kisha rishikuar përsëri, pasi isha ulur në tavolinë. Apo do t’i rishkruaja nga blloku im i shënimeve, që të gjithë të shihnin se si fjalët e ngrohta, të gjalla dhe njerëzore lindin nga vetë stimujt artificialë, të huaj për ta. Do të kisha riprodhuar fragmente frazash që do të më dilnin para sysh, kur do të shfletoja ndonjë libër dhe do të shkruaja se këto fragmente kishin nxitur tek unë përfytyrimin. Mirëpo kush do të shpjegonte hapur se në ç’mënyrë ndodh kjo, si kryhet kjo punë? Çfarëdo që të thonë kritikët për veprën, madje më të mirët, më të mençurit, që janë të aftë të bindin dhe që kanë prirje dashamirëse ndaj autorit, gjë që pothuajse nuk ndodh, sidoqoftë arsyetimet e tyre do të ishin thjesht jetëshkurtra, nëse do të njihej mekanizmi i vërtetë, procesi i vërtetë i lindjes së artit. Atë që unë kam shkruar vetë, kuptohet, e mbaj mend, jo fjalë për fjalë, por mjaft qartë dhe me vërtetësi. Kështu pra, librat e mi, të cilët u ngjasojnë disi fushave, që i kam shkelur me kujdes, si një topograf dhe jo nga kabineti, i armatosur me penë dhe grafika, por fizikisht, duke u zvarritur me këmbë, duar e me bark, duke prekur centimetër për centimetër dhe kështu për javë të tëra, sido që të ishte koha. E thënë shkurt, kjo punë për mua edhe sot është po kaq e zakonshme, siç ka qenë edhe në fillim fare dhe, ndoshta, më se e zakonshme. Finalizimin e librit unë gjithmonë e kam konceptuar veçanërisht në aspektin fizik: duhej ndryshuar poza. Libri mund të mbyllej me një mijë zgjidhje të tjera. Në të asnjë pjesë nuk quhej e përfunduar me të vërtetë; unë mund ta riktheja shtjellimin nga çdo pozicion; mund ta vazhdoja atë, duke hapur kanale dhe tunele të rinj, duke ndërtuar shtëpi të reja, fabrika, ura; duke populluar hapësirën me banorë të rinj, pasi të kisha transformuar faunën dhe florën. Përveç kësaj, e gjithë kjo, jo më pak se më parë, do t’u përgjigjej fakteve, të cilat unë i kisha prekur në vepër. Tek unë nuk gjen as zgjidhje dhe as finalizim. Jeta fillon në çdo moment, kur ndodh akti i të kuptuarit; po ashtu edhe libri. Mirëpo çdo fillim, qoftë libër, faqe, paragraf, frazë apo fjali, zëvendëson në vetvete lidhjen e re jetësore të ndërthurur dhe ja, në këtë gjallëri, vazhdimësi, jashtëkohësi dhe pandryshueshmëri mendimesh dhe ngjarjesh, unë çdo herë zhytem nga fillimi. Çdo fjalë, çdo rresht janë të lidhur organikisht me ekzistencën time, vetëm timen, qoftë ai ndonjë veprim, rast, fakt, ndonjë mendim apo emocion, ndonjë dëshirë, arratisje, lodhje, ëndërr, fantazi, mrekulli, në përgjithësi është diçka e papërfunduar dhe e pakuptimtë, që më ka mbetur në tru dhe që e ka mbështjellë atë si një lloj pëlhure merimange që shqyhet. Ndonëse në përgjithësi nuk ka asgjë të paqartë, të turbullt, madje, ajo “diçka” është e skicuar me rreptësi, është e pandarë, e përcaktuar dhe e qëndrueshme. Edhe vetë unë njëlloj si merimanga end dhe end, si besnik i misionit tim dhe i ndërgjegjësuar se kjo pëlhurë është endur me lëndë, nga e cila jam i përbërë edhe vetë, prandaj asnjëherë nuk do të më ngrejë kurthe dhe asnjëherë nuk do të shterojë.

Në fillim ëndërroja për një rivalitet me Dostojevskin; shpresoja se do të zbuloja para botës luftën e papërmbajtur shpirtërore e enigmatike dhe se bota do të vdiste e rrënuar. Por shumë shpejt e kuptova se tashmë e kishim kapërcyer cakun e ngulitur nga Dostojevski, e kishim kapërcyer në kuptimin se degjenerimi na kishte çuar më larg. Për ne ishte zhdukur vetë kuptimi i shpirtit, më saktë, ai tashmë ishte në një gjendje kimikisht të transformuar dhe në një pamje çuditërisht të shfytyruar. Ne njohim vetëm elementet kristalore të një shpirti të shpërbërë e të rrënuar. Piktorët bashkëkohorë, me sa duket, këtë gjendje e shprehin, madje, më hapur sesa shkrimtarët. Pikaso është një shembull i mrekullueshëm, i cili vërteton atë që përmenda. Prej këndej, vetë mendimi për të shkruar romane rezultoi i pamundur dhe po aq i parealizueshëm fakti për të marrë pjesë në lëvizje të ndryshme letrare në Angli, Francë dhe Amerikë, sepse të gjitha ato të çonin në udhëkryq. Me ndershmërinë më të madhe e pranoj se, duke vëzhguar rrënimin dhe shpërbërjen e elementeve të jetës (e kam fjalën për jetën shpirtërore dhe jo për jetën kulturore), e ndjeva veten të detyruar që t’i bashkoja ata sipas vizatimit tim, duke shfrytëzuar “unin” tim të shpërbërë e të rrënuar me po atë mizori, me atë mënyrë të pakuptueshme, me të cilën isha i gatshëm të shfrytëzoja të gjitha mbeturinat e dukurive të botës që na rrethon.

Nuk kam provuar asnjëherë as armiqësi dhe as ndrojtje në lidhje me anarkinë, të mishëruar në format mbizotëruese artistike, përkundrazi, gjithmonë i gëzohesha zhdukjes së formave të mëparshme. Në epokën të evidentuar si të degraduar, zhdukja më dukej si bamirësi, për më tepër si një imperativ moralizues. Unë jo vetëm që nuk kam pasur asnjëherë as dëshirën më të vogël që diçka ta konservoja, ta gjallëroja artificialisht ose ta ruaja, duke e rrethuar me mure, por më shumë do të thosha se që në rini isha i mendimit se shpërbërja është një manifestim i tillë i çuditshëm dhe joshës nga ana krijuese, i jetës, ashtu si edhe lulëzimi i tij.

Siç duket, pranova faktin se mua më tërhiqte krijimtaria letrare, përderisa ajo ishte e vetmja gjë që më kishte mbetur e qartë dhe që meritonte t’i përkushtoja forcat. Unë ndershmërisht i kisha provuar të gjitha rrugët e tjera drejt lirisë. Në të ashtuquajturën botë reale, isha një i pafat me dëshirën time dhe jo për shkak të paaftësisë për t’u përshtatur. Krijimtaria letrare për mua nuk ishte “arratisje”, e thënë ndryshe, një mjet për t’u veçuar nga realiteti i përditshëm; përkundrazi, ajo do të thoshte se po futesha akoma më thellë në këtë pellg të ndotur, me shpresë për të arritur deri te burimet, që vazhdimisht e përtërinin me ujin që llokoçiste në to, që nuk shteronin e që përjetësisht gurgullonin. Duke i hedhur një vështrim prapa rrugës sime, unë e dalloj veten si një njeri të aftë për t’u marrë pothuajse me çdo lloj pune, me çdo problem. Drejt dëshpërimit më kishin çuar monotonia dhe steriliteti i gjithë mënyrës sipërfaqësore të jetesës. Mua më duhej një mbretëri e tillë, ku në të njëjtën kohë do të isha edhe zotëri, edhe skllav, dhe i tillë mund të bëhej vetëm arti. Dhe unë hyra në këtë botë, duke mos zotëruar asnjë lloj talenti të dukshëm, duke mos pasur njohuri, duke mos vlejtur për asgjë, si një fillestar i ngathët, i cili pothuajse ishte ngurosur nga frika dhe nga mendimi i madhështisë së asaj me të cilën ai do të merrej. M’u desh të vendosja tullë pas tulle, të harxhoja miliona fjalë, derisa në letër të shfaqej ajo fjalë e vërtetë, e autentike, të cilën e kisha nxjerrë nga thesari im i brendshëm. Unë isha i aftë të flisja shtruar dhe kjo gjë më pengonte, por kisha gjithë difektet e njeriut të arsimuar. Më duhej që në vazhdim të mësoja për të menduar, për të ndjerë, për të parë plotësisht sipas mënyrës së re, duke harruar arsimin tim, botën time dhe gjë më të vështirë se kjo mënyrë nuk ka mbi dhe. Duhej të hidhesha në lumë, duke e ditur se kishte mundësi të mos dilja dot prej tij. Në shumicën e tyre piktorët hidhen në lumë, në fillim duke u pajisur me komardaren e shpëtimit, e cila më shpesh i fundos ata. Askush nuk mundet të udhëtojë nëpër oqeanin e realitetit nëse veçohet nga përvoja. Nëse në jetë diçka ndryshon për së mbari, kjo arrihet jo në saje të përshtatjes, por falë sfidës dhe aftësisë për t’iu përgjigjur një nxitjeje të verbër. “Guximi fisnik nuk është fatal”, – ka thënë Rene Krevel dhe këtë sentencë unë e mbajta mend përgjithmonë.

E gjithë logjika mbi të cilën mbahet gjithësia është e paracaktuar nga guximi fisnik e nga krijimtaria, e bazuar në mbështetjen më të pasigurt e më të paqëndrueshme. Në fillim një guxim i tillë identifikohet me aktin e vullnetshëm, por koha kalon, vullneti dobësohet dhe mbetet procesi automatik, i cili nga ana e vet gjithashtu duhet ta ndërpresë, ta ndalojë, që të vërtetohet besueshmëria e re, që nuk ka asgjë të përbashkët me diturinë, me aftësinë, zakonin apo besimin. Guximi fisnik të krijon ndjesinë të përfshihesh në këtë Iks plotësisht enigmatik, pozicion i piktorit, i cili është i vetmi që të mbron në botë dhe askush nuk mund ta shprehë me fjalë se ai është i tillë e megjithatë ai ekziston dhe shihet në çdo fjalë të shkruara prej teje./Exlibris / KultPlus.com

Facebook ndërron emrin

Themeluesi i Facebook Mark Zuckerberg ka njoftuar se ka ndërruar emrin kompanisë në “Meta”.

Ky vendim ishte pjesë e një ndryshimi strategjik për të theksuar zhvillimin e botës virtuale ndërkohë që biznesi kryesor i rrjetit social është në krizë.

“Nga tash e tutje, ne së pari do të quhemi si metaverse, jo Facebook. Facebook është një nga produktet më të përdorura në botë. Por çdo ditë e më shumë ajo nuk përfshin gjithçka që bëjmë ne. Aktualisht, marka jonë është aq e lidhur ngushtë me një produkt sa që nuk mund të përfaqësojë gjithçka që ne po bëjmë”, tha Zuckerberg. / KultPlus.com

Branko Merxhani, një ndër figurat më ndikuese në botën kulturore shqiptare

“Kundërbota e Branko Merxhanit”, titullohet ekspozita e çelur nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë kushtuar njërës prej figurave më interesante, e në shumë aspekte më aktuale të mendimit dhe të publicistikës shqiptare.

Në çeljen e ekspozitës ishte e pranishme ministrja e Kulturës, Elva Margariti, drejtori i Bibliotekës Kombëtare Piro Misha, akademikë, studiues, etj.

“Fatkeqësisht Merxhani mbetet një figurë jo fort e njohur ndër ne, e aq më tepër për brezin e ri dhe ekspozita si kjo, e hapur në Bibliotekën Kombëtare, që përshkruajnë veprën e tij përmes shkrimesh në shtypin e kohës, dorëshkrimeve, debateve, materialeve të nxjerra nga fondi i BK dhe Arkivi Qendror i Shtetit, janë jo vetëm të mirëpritura, por edhe të domosdoshme për të njohur ideologët dhe mendimtarët tanë”, – tha Margariti.

Ekspozita rindërton rrugëtimin e veprimtarisë 16-vjeçare të Merxhanit në Shqipëri, gjatë të cilit ai u bë një ndër figurat më ndikuese në botën kulturore shqiptare. Rrugëtimi fillon, natyrisht, me shkrimet e tij të para në gazetën “Demokratia”, të botuar në Gjirokastër, duke filluar nga viti 1927.

Në këtë gazetë, Branko Merxhani botoi disa prej shkrimeve më të rëndësishme. Së bashku me mikun Vangjel Koça, kishin aty një faqe të vetën, të titulluar “Lëvizja mendore”, në të cilën hodhën tezat e para të “Neoshqiptarizmës”, doktrinës së tyre për daljen e Shqipërisë nga varfëria dhe prapambetja e skajshme shekullore, nëpërmjet kulturës, arsimimit dhe emancipimit shoqëror.

Ekspozita pasqyron veprimtarinë e tij në disa prej organeve më të rëndësishme të shtypit të kohës, si te të përmuajshmet “Illyria” dhe “Minerva”, apo te “Koha e re”, e drejtuar nga Petro Marko. Por emri i Branko Merxhanit lidhet, para së gjithash, me revistën e përmuajshme “Përpjekja Shqiptare”, të botuar prej tij nga viti 1936 deri në vitin 1939, vit ky kur ai largohet nga Shqipëria, pas pushtimit italian, për të mos u kthyer më kurrë. Kjo revistë famëmadhe ishte, pa dyshim, organi më me ndikim në botën intelektuale të asaj kohe.

E veçanta e kësaj ekspozite është përfshirja në të e një sërë materialesh arkivore origjinale, në saje të bashkëpunimit me Arkivin e Shtetit. Po ashtu, në të ekspozohet dorëshkrimi i një drame të tij të pabotuar.

Gjatë ekspozitës u shfaq një dokumentar i shkurtër kushtuar figurës dhe veprës së Branko Merxhanit.

Branko Merxhani nuk është thjesht një figurë muzeale. Përkundrazi, shumë prej shkrimeve, analizave dhe tezave të tij tingëllojnë ende sot mjaft aktuale. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 5 nëntor 2021. / KultPlus.com

Kongoli: Gruaja as në letërsi nuk mund të zotërohet, kështu e ka bërë Zoti

Me një krijimtari intensive, pas Kadaresë, Fatos Kongoli është shkrimtari më i përkthyer në gjuhë të huaja.

I konsideruar shkrimtari i tranzicionit, veprat e tij mbajnë dhimbjen dhe trazimet shpirtërore në Shqipërinë e pas viteve ’90; jo pak herë librat e tij janë bërë fokus i debateve për pësimin e individit në një shoqëri si e jona, të egër e të ashpër, ndërsa flet se si kanë lindur personazhet e tij, në një proces krijues unik ku kanë ndikuar Balzak, Kamy, Çehov…

Kohë më parë, në një bisedë me Violeta Muratin, Kongoli kishte treguar se në çdo libër që ka shkruar gruaja është personazhi qendror dhe asnjë nga personazhet e tij nuk mund të realizohej pa një grua.

Çdo libër që keni shkruar ka një histori dashurie. Cila grua ka ekzistuar në librat tuaj apo, ajo, është brenda burrave rebelë të letërsisë që shkruani?

Është e drejtë, në çdo libër që kam shkruar, gruaja është personazh qendror. Asnjë nga personazhet e mi nuk mund të realizohej pa një grua. Për mua, letërsia është një grua e bukur mbas së cilës kam shkuar gjithë jetën pa e zotëruar dot kurrë. Ajo as në letërsi nuk mund të zotërohet, kështu e ka bërë Zoti.KultPlus.com

‘Jakova’ organizoi tryezën ‘Si ta kultivojmë qartësinë intelektuale’ (VIDEO)

Shoqata e intelektualëve ”Jakova” sot ka organizuar një tryezë tematike, ku u trajtua tema “Si ta kultivojmë qartësinë intelektuale”, shkruan KultPlus.

Kjo tryezë u mbajt me referues kryesor, Prim. Dr.Med Sc. Ali F. Ijlazi, ndërsa, filloi në orën 12:00.

Më poshtë gjeni videon e plotë të tryezës tematike për trajtimin e temës “Si ta kultivojmë qartësinë intelektuale”. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=CoMCv3oQ2T0

A e punoi dhe e ruajti simbolin e flamurit të pavarësisë nëna e Gjergj Kastriotit (Skënderbeut)?!

Nga Gjon Keka

Shpesh në histori disa gjëra mbesin të pa thëna, ose edhe të fshehura  prapa perdës së mistershme të kohës dhe rrethanave të asaj epoke.

Për të parë se pse historia e popullit tonë është e shkruar me gjakun e dëshmorëve e të martirëve ,mjafton t’i hedhim një vështrim sakrificës dhe sfidave për arritjen e lirisë dhe pavarësisë së Arbërisë nën udhëheqjen e kryeheroit tonë e vizionarit ,Gjergj Kastriotit.

Kishin kaluar vite që nga pushtimi i Arbërisë nga dora gjakatare e Perandorisë otomane dhe marrja pengë e shërbimi në oborrin e sulltanit ,ndërsa Arbëria dhe populli i saj në anën tjetër vuanin e derdhnin djersë e gjak vetëm e vetëm për të qëndruar në trojet e paraardhësve të tyre. Kjo sakrificë e qëndresë e madhe ,ky akt heroizmi i burrave e nënave arbërore ,tregon më së miri se sa e shtrenjtë ishte liria që populli e nxorri nga brenda pasi u rikthye arbërori më besnik e atdhedashës në historinë e Iliro-arbërorëve, lideri i urtë,strategu e mbreti Gjergj Kastrioti.

Ardhja e Gjergj Kastriotit në nëntor solli me vete edhe shpresën e madhe,se Arbëria do të bëhet ,se lirinë do ta gëzojnë të gjithë arbërorët e arbëroret të mëdhenjë e të vegjël, dhe sikur që dihet kjo shpresë e madhe u mishërua.Arbëria nën udhëheqjen e kryezotit Gjergj Kastrioti pati qeverisjen mbretërore më të suksesshme në historinë e Arbërisë dhe të Europës së asaj kohe.

Ai,jo vetëm e solli lirinë, pavarësinë,por edhe e unifikoj popullin arbëror në kuvendin e Lezhës , me këtë ai tregoi se për të pasur Arbëria themele të forta dhe e sukseshme duhet të jetë e bashkuar dhe të qëndrojë e tillë deri në fund.Madje ky kuvend i unifikimit arbëror nga Gjergj Kastrioti ishte si mësim e shembull për një unifikim të vetë popujve të Europës.

Dhe kështu ky mbret i urtë i Arbërisë ishte një shpresë jo vetëm për Arbërinë e kohës së tij ,por ai u pa nga sytë e popujve të Europës edhe si shpresa e tyre dhe mbrojtja e tyre ,për aq kohë sa ai jetoi,veproi dhe mbretëroi. Kështu ai deri në fund i mbrojti themelet jo vetëm të atdheut të tij ,por të gjithë qytetërimit europian.Ai ishte i vetmi që mbrojti e ruajti nderin dhe parimet rrënjësore të atdheut të tij.

Megjithkëtë, në kuadër të kësaj do të ndalem pak tek simboli që ai e ngriti pasi u kthye në Arbërinë e tij. Pyetja që është shtruar dje, e shtrohet sot dhe do të shtrohet edhe nesër e deri në zgjidhjen e kësaj enigme ,ishte se kush e punoi, ruajti dhe mbajti flamurin me Shqiponjën e Yllin që ai e ngriti me rastin e Pavarësisë së Arbërisë më 28.Nëntor 1443? Kam hasur gjatë hulumtimeve të mia në kronika ,pastaj disa autor që janë marrë me historinë e popullit tonë që nuk arrijnë edhe ata ta zgjidhin këtë enigmë ,e përmendin ngritjen e flamurit, dhe aktin e asaj dite me rëndësi,por nuk e tregojnë kush e solli flamurin, kush e punoi atë dhe e ruajti.

Sidoqoftë për t’i hapë udhë dhe zgjidhje kësaj enigme, dhe duke analizuar rrethanat,pastaj atdhetarinë e babait dhe nënës së Gjergj Kastriotit ,është e mundur që simboli i Shqiponjës së fisnikërisë së Kastriotëve që më pas u bë flamur i pavarësisë dhe Shtetit Arbëror nga nëntori i vitit 1443 të jetë punuar e ruajtur nga nëna e Gjergj KastriotitVojsava e cila ,më shumë gjasë i ka lënë testament të bijave të saj që nëse i kthehet një ditë biri i saj Gjergji ta mbajë , ruaj e ngritë atë si flamur të fitores përballë të keqes dhe armiqëve. Kjo mund të ketë ndodhur ashtu për faktin se nëna dhe babai i Gjergj Kastriotit e kishin edukuar atë dhe fëmijtë tjerë të tyre në frymën e patriotizmit.Kjo rrënjosje e kësaj atdhedashurisë nuk mund të mos jetë ndryshe,pos ajo se ai nuk e harrojë asnjëherë Atë-Mëmdheun – Arbërinë e tij,por iu rikthye asaj si një shpëtimtar. / KultPlus.com

Tefta Tashko Koço, këngëtarja e madhe lirike

Një femër, sa e këndshme aq dhe unike në zërin e saj. E mrekullueshme dhe me një vokal të jashtëzakonshëm. Me një personalitet të mbrujtur në kulturë të gjerë, hyri në vetëdijen shqiptare të atyre viteve të pështjellimta si një shkrepëtimë drite. Tefta Tashko Koço kishte kaq shumë të jepte këngës shqiptare. Ajo i dha këtij visari të çmuar jo vetëm zërin dhe përkushtimin plot pasion, por edhe shpirtin, atë shpirt që e thërriste në këtë gjëmim atdhetarie, në këtë mëvetësim të vlerave dhe manifestim pasuror, që erdhi si një balsam për plagën e mjerimit që solli koha. Ishin ato vite të vështira, të cilëve ajo u dha, prej shpirtit, prej hireve dhe bukurisë së saj, çfarë  kishte më të shtrenjtë.

Tefta Tashko Koço u lind më 2 nëntor 1910 dhe vdiq më 30 dhjetor 1947. Spikati si këngëtare e shquar lirike. Përvoja dhe talentiishin një garanci për vlerat ku ajo ngriti interpretimin e këngës popullore qytetare mbarëshqiptare.

Tefta Tashko Koço 16. 12. 1936 (Kel Marubi)

Tefta ishte vajza e patriotit të shquar shqiptar nga Frashëri i Përmetit, Thanas Tashkos i cili prej vitit 1910 qe vendosur familjarisht në Egjipt. Me vdekjen e Thanas Tashkos më 1915, familja e tij kthehet në Korçë në vitin 1921. Në Korçë kemi aktivizimet e para të Teftës si këngëtare dhe data 26 qershor 1926 mbahet si koncerti i saj i parë në publik. Në shtator të vitit 1927, Tefta me gjithë familjen vendosen në Montpellier, Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore, për t’i vazhduar ato me sukses në Konservatorin Superior të Parisit. Në vitin 1930, Tefta bën inçizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe”-Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të polifonisë himariote Neço Mukon. Me përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në atdhe ku më 26 nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare. Pikërisht në këto vite, Tefta futi në programet e saj krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë si Moxart, Guno, Shubert, Verdi, Donixeti, Pergolezi, Belini, Puçini, Rosini, etj, dhe këngët popullore shqiptare, si pjesë integrale e kulturës muzikore popullore shqiptare. Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali. Ndër to po përmend: “Zare trëndafile”, Të dua, moj goc’ e vogël”, Bilbil çapkëni”, Qante lulja lulen”, “Kenke nur i bukurisë”,”As aman, moj lule” etj. Sipas Hysen Files: Tefta diti të nxirrte nga kënga popullore ndjenjën e thellë që populli kishte shkrirë në të. Njihet tanimë faktet se Tefta Tashko i ka mbledhur një shumicë këngësh direkt nga goja e muziktarëvë të shuar popullore të vendit tonë. Një gjë të tillë e provon edhe pjesmarrja e Teftës së bashku me këngëtaren tjetër të shquar Marie Kraja në festivalin e folklorit të mbajtur në Firence, Itali më 30 Maj 1939 krahas këngëtarëve dhe muziktarëve të shquar popullorë të atyre viteve si Adem Mani, Xhevat Boriçi, Kolë Vjerdha, Taip Kraja, Karlo Pali etj. Në listën e gjatë të këngëve popullore të kënduara nga Tefta do të bashkangjisnim edhe këngët popullore të përpunura nga kompozitori Kristo Kono me poezi të Lasgush Poradecit si p.sh “Kroi i fshatit tonë”, apo “Kur më vjen burri nga stani”. Krahas Teftës, do të përmendim edhe dy këngëtare të tjera të shquara në interpretimin e këngës popullore qytetare: Jorgjia Filçe Truja dhe Maria Paluca (Kraja). Në vitin 1945, Tefta këndon në operën e Beogradit me shumë sukses rolin e Mimisë nga opera “Bohemë” e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes” e Rosinit. Në vitin e fundit të jetës ka qënë vazhdimisht e sëmurë. Vdiq në moshën 37-vjeçare. Ajo ndëron jetë në moshën e re 37-vjeçare pa pasur mundësi të zhvillojë karrierën e saj të plotë artistike. Motos ‘’Vdes dhe nuk dorëzohem’’ ajo i qëndroi besnike deri në  fund të jetës dhe nuk u dorëzua për emancipimin e Shqipërisë.

Nji fotografi e Gjergji Cancos, 21 shkurt 1938, kuadraton në të njajtën hapësinë emna të tillë si Ernest Koliqi, Asdreni, L. Poradeci, Tefta Tashko Koço, Lola Aleksi-Gjoka (pianiste), Mikel Koliqi apo Koço Tashko. Para Kafes së Madh

Ajo mori titullin “Artiste e Popullit”. Më 2 mars 2004 Këshilli  i Bashkisë së Përmetit i dha titullin “Qytetare Nderi e Përmetit”. Busti i saj ngrihet sot në qendër të qytetit të Përmetit. Për të është bërë dhe një monografi nga Pandi Bello.

Tefta Tashko Koço la një familje të madhe. Një emër i madh nga një femër e madhe dhe shpirt i pasur artistikisht që quhet me plot gojën Divë.

***

Këngët popullore të Tefta Tashkos, regjistruar pranë “Columbias”-Itali, 1942: “Un’o ty moj të kam dashur”; “Kjo dashtnija kjoft mallkue”; “Kenke nur’ i bukurisë”; “Për një ditë, kur del goca në pazar”; “Këndon Kumrija”; “Metelikun ta kam falë”; “Ma ven dorën përmbi dorë”; “Dallandyshe vaj, vaj”; “Qante lulja lulen”; “Moj fëllanxë”; “Sa me shpejt ma vunë, moj, kambën”; “Dy gisht përmni vetull”; “Moj hyrije, bukurie”; “ Shamija e beqarit”; “Iku nata”; “Del një vashë prej hamamit”; “Zare trëndafile”; “Të dua, moj goc, e vogël”; “As aman, moj lule”; “Kroi i fshatit tonë”; “O moj sylarushe”; “Dolla në penxhere”; “Bilbil çapkëni”; “As u gremis moj lejthate”; “Dashtnuer tu bana”; “Ani, moj Hatixhe”; “Seç këndon bilbili malite”; “Shkapërceva dy-tri male”; “Edhe ky bilbili çka qënke një zog”; “Kam shtëpinë e vogël”; “I kam hypë vaporit”; “Fry, moj er’ e malit”; “O na atë fushë t’mejdanit”; “Edhe gurët e sokakut”.

Referime

Krantja Mustafa, “Artistja e Popullit Tefta Tashko Koço”, gaz. “Drita”, 1961, 31 dhjetor; Naçe P, “Tefta Tashko Koço”, “Ylli”, 1963, nr. 12; Kono Kristo, “Me dashurinë për atdheun dhe këngët e popullit”, gaz. “Drita”, 1976, 25 korrik; Mio Sokrat, “Bilbili i këngës shqiptare”, gaz. Përpara, 1977, 21 dhejtor; Filja Hysen, “Tefta Tashko Koço”, Tiranë 1980; Frashëri Thoma, “Interpretuese e shquar e këngës popullore”, gaz. Drita, 1982, 26 dhjetor; Koço Eno, “Tefta Tashko Koço dhe koha e saj”, Tiranë 2000; Zaja Sami C, “Heti njeri i urtë i Shkodrës” Shkodër 2000 etj. /Albert Vataj /KultPlus.com

Ermonela Jaho, sërish në skenë me rolin e Adriana Lecouvreur

Sopranoja shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho, ka debutuar në rolin e Adriana Lecouvreur, në operën me të njëjtin titull, në skenën e Operas së Vjenës. Artistja shqiptare do të rikthehet edhe në datat 29 tetor, 2 dhe 5 nëntor 2021.

“Ka qenë një kënaqësi e veçantë të debutoj Adrianën time të parë në Operan e Vjenës, mes kolegëve të mrekullueshëm. Kanë mbetur dhe tre shfaqje të tjera në 29 Tetor, 2 dhe 5 nëntor. Në qoftë se nuk vini dot në Operan e Vjenës mund të vije opera tek ju përmes transmetimit direkt nga salla e operas në datën 29 Tetor ora 19:00 ne http://play.wiener-staatsoper.at.”, shkruan soprano Jaho në Facebook. / KultPlus.com

Kostumi nga seriali “Squid Game” më i shituri për Halloween

Në pritje të festës së Halloween, kostumet e serialit të famshëm ‘Squid Game’ janë kthyer në sensacionin më horror të këtij sezoni. Në Nju Jork, dyqani i kostumeve ‘Abracadabra’ shiti kostumet e kuqe, tashmë ikonike, brenda disa ditësh.

“Squid Game është kostumi më popullor për momentin”, thotë menaxheri i dyqanit, Alex Wajda.

“Të gjithë janë shitur plotësisht gjatë fundjavës, është çmenduri. Ne sapo morëm furnizim një ditë më parë.”

“Unë mendoj se është kostumi më në modë për të pasur këtë vit. Është një kostum shumë i lehtë. Dhe padyshim që nga suksesi i asaj shfaqjeje që ju e dini, është më i kërkuari,” thotë Sean.

Seriali i dhunshëm i Koresë së Jugut po bëhet një sensacion global me 142 milionë shikues të arritur në muajin e tij të parë në Netflix, duke u bërë produksioni më i shikuar në historinë e gjigantit të transmetimit.

 “Squid Game”, nuk është një serial për fëmijë, edhe pse komploti i tij përfshin një turne vdekjeprurës të lojërave për fëmijë. Shkollat nëpër botë ndërkohë po paralajmërojnë prindërit që të tregohen të kujdesshëm sepse fëmijët po imitojnë shfaqjen.

Seriali është krahasuar me filmin fitues të çmimit Oscar 2019, Parasite. Tematika e të dy veprave janë varfëria dhe pasuria ekstreme e shtresave shoqërore dhe ndikimi i këtyre dy fenomeneve në jetën e tyre të përditshme. / KultPlus.com

Zbulimet gjuhësore tregojnë lutjet e lashta në shqip

Përshkrimi dhe studimi i së folmes së fshatrave shqiptare të Ukrainës, për të cilën bie fjala më poshtë, ishte filluar që në çerekun e parë të shek. XX nga akademiku N. S. Derzhavin dhe ka vazhduar deri kohët e fundit. Kontributin me vlerë në studimin linguistik të këtyre fshatrave e kanë dhënë studiuesja nga Moska N. V. Kotova, gjuhëtarja nga Minsku L. J. Demkodhe ekipi i albanologëve nga Leningradi / Sankt-Petërburgu me prof. A. V. Desnickaja në krye, të cilët patën punuar në terren gjatë viteve 1950–1970. Si rezultat e kësaj pune shumëvjeçare u krijua një varg punimesh për fonetikën, gramatikën dhe leksikun e së folmes së shqiptarëve të Ukrainës (Kotova 1956; 2017; Demko 1971; 1972; Sitov 1975; Voronina et al. 1996; Zhugra, Sharapova 1998, etj.).

Në etapën bashkëkohore me hulumtimin etnografik dhe gjuhësor të fshatrave shqiptare të Ukrainës janë marrë studiues nga Sankt-Petërburgu me prof. A. A. Novikun në krye (Novik etj. 2016).

E folmja shqipe në fjalë flitet në katër fshatra në jug të Ukrainës: Karakurt në rrethin e Bollgradit, qarku i Odesës (fshati quhej Zhovtnevoe nga 1944 deri në 2016; emri i vjetër Karakurt iu rikthye në kuadrin e fushatës së likuidimit të trashëgimisë ideologjike të komunizmit në Ukrainë në vitet 2014–2016); Georgievka, Devninskoe dhe Gammovka në rrethin e Priazovjes, qarku i Zaporozhjes (përkatësisht Tyshki, Taz dhe Xhandran; toponimet e vjetra njihen nga të gjithë banuesit dhe u përkasin vendbanimeve të tartarëve nogaj që kishin banuar në stepën e zonës së bregdetit Azov).

Në ditët tona, sipas Censusit të vitit 2001, në territorin e Ukrainës banojnë 3.308 shqiptarë: 1.862 në qarkun e Odesës, 892 në qarkun e Zaporozhjes dhe 554 në qarqe të tjera, përfshirë këtu shqiptarët që vazhdojnë së banuari në të katër fshatra shqiptare të Ukrainës, si dhe ata që ikën në qytete ose u shpërndanë nëpër fshatra të qarqeve fqinje. Për sa i përket ruajtjes të së folmes së shqiptarëve të Ukrainës, sipas të dhënave zyrtare të Censusit, shumica e shqiptarëve të qarkut të Odesës kanë deklaruar se gjuha e tyre amtare është shqipja, kurse në qarkun e Zaporozhjes 608 veta u përgjigjën që gjuha e tyre amtare është rusishtja dhe vetëm 198 veta pohuan që kanë si gjuhë amtare shqipen.

Popullsia e Karakurtit, sipas po atij Censusi,përbën 2.207 veta, ndër të cilat janë shqiptarët, bullgarët, gagauzët, ukrainasit, molldovanët, rusët dhe përfaqësuesit e etnive të tjera. Georgievka ka 446 veta, në fshatin Devninskoe banojnë 668 veta dhe në Gammovkën ka 479 veta. Shqiptarët përbëjnë shumicën e popullsisë, edhe pse përveç shqiptarëve në këto fshatra banojnë shumë rusë dhe ukrainas. Gammovka është i vetmi fshat në rajon me një numër relativisht të vogël banorësh gagauzë, të cilët pothuaj nuk flasin tani gjuhën e tyre.

Vëzhgimet tona sociolinguistike në fshatin Karakurt (vitet 2011–2013) tregojnë se në familjet shqiptare të fshatit e folmja shqipe vazhdon të përdoret rregullisht nga përfaqësuesit e të gjithë brezave, përfshirë këtu edhe fëmijë. Madje edhe nënat e reja dhe gjyshet preferojnë të flasin shqip me fëmijët, me qëllim që ata të mësojnë gjuhën e tyre amtare nga mosha e njomë(Morozova 2016). Situatën e fshatrave të rajonit të detit Azov e pasqyrojnë rezultatet e anketimit sociolinguistik të kryer më 2005 në fshatin Georgievka (Biçurina 2006). Brezi i vjetër dhe i mesëm zotëron mjaft mirë të folmen shqipe dhe e përdor në kuvendim me bashkëmoshatarët, kurse shumica e të rinjve e konsiderojnë rusishten si gjuhë amtare dhe përdorin vetëm atë në komunikimin e përditshëm. Mos zotërimi i së folmes shqipe prej brezit të ri buron te përfaqësuesit i brezit të mesëm, të cilët, sipas fjalëve të tyre, që në fëmijëri kishin për të përballuar vështirësitë në shkollë për shkak të njohurisë së dobët të rusishtes. Prandaj ata nuk janë përpjekur shumë që fëmijëve të tyre t’ua mësojnë të folmen e tyre shqipe dhe akoma kanë prirje të hedhin poshtë vlerën dhe rolin e së folmes në kompetencat e tyre gjuhësore, meqë e zotërojnë mirë. Pavarësisht nga kjo, të rinjtë vazhdojnë të vetë deklarojnë si shqiptarë dhe ia japin së folmes shqipe vlerësimet pozitive, ndryshe nga prindërit e tyre. Kjo do të thotë se “kthimi” i mëvonshëm i brezit të ri të sotëm te gjuha amtare dhe ruajtja e saj nuk mund të përjashtohet edhe në fshatrat e rajonit të detit Azov.

E folmja e shqiptarëve të Ukrainës i përket toskërishtes veriore dhe zhvillohet në shkëputje nga arealja amtare gjatë një periudhe pothuaj gjashtë shekullore. Meqë shpërngulja e paraardhësve të shqiptarëve të Ukrainës nga trojet shqipfolëse ndodhi mjaft herët, në të folmen e tyre deri më sot paraqiten trajtat arkaike në fonetikë dhe në morfologji dhe ruhen tiparet dialektore të arealit “nënë”.

Disa shembuj mund t’i gjejmë, ndër të tjera, në tekstin e lutjes “Ati ynë” në të folmen e shqiptarëve të Ukrainës, incizuar nga A. A. Noviku gjatë bisedës me shqiptaren nga fshati Karakurt N. G. Kirçevën, lindur më 1970. Teksti është transkriptuar nga A. A. Noviku me alfabetin e shqipes standarde, duke përdorur edhe shenjat suplementare, dhe u botua për herë të parë në (Novik 2016).

Lút’je

Parëndíe jóne,

Nd’i je lart,

Lle të ndríte jémra índ’e,

Lle të vínë mbretëríja índ’e,

Lle të bë́net kysh do ti,

Si lart, si mar dhéut.

Búken e góles na jep sot

Dhe mos na kall néva n’i mukátat

Dhe ma ndëléj mukátët tántë,

Si na i ndëlénem kush na bë́ri të lik.

Dhe na mbroj néva ga mukátët.

(Novik 2016: 539)

Lutje

Zotiynë,

Nëse je lart,

Le të ndritë emri yt,

Le të vijë mbretëria jote,

Le të bëhet qysh do ti,

Si lart, si mbi dhé.

Bukën e gojës jepna sot,

Dhe mos na kall ne në mëkatet

Dhe na fal mëkatet tona,

Si ne i falimata që na bënë të ligën.

Dhe na mbroj ne nga mëkatet.

(Përkthimi shqip i M. Morozovës)

Siç shihet nga teksti, e folmja në shqyrtim ruan tiparet themelore dhe leksikun bazë të shqipes. Ndër tiparet arkaike të fonetikës shfaqet këtu ruajtja e l-së ndërzanore: g′oljǝ ‘gojë’. Në shumicën e të folmeve shqipe l-ja në pozitën midis dy zanoresh ka për funduar nëj. Deri më sot ajo shqiptohet vetëm në jugun e arealit toskë (në Çamëri) dhe në të folmet e diasporës shqiptare në Greqi, Itali, Bullgari dhe Ukrainë (Gjinari1960: 110; Domi, Shuteriqi 1965: 106; Desnickaja 1968: 272–273;Haxhihasani 1971: 154; ADGjSh 2007: 189–191, 196). Në sistemin përemëror, në vend të pronorit jote në të folmen e shqiptarëve të Ukrainës përdoret forma dialektore índ’e, e cila i ngjan formës jənde në të folmen e Devollit (ADGjSh 2007: 296). Në fondin leksikor, bie në sy përdorimi i fjalëve bukur të vjetra, siç është, për shembull, folja ndëlej ‘fal’ të përdorur edhe nga arbëreshët e Italisë (Jeta Arbëreshe 2014: 15).

Kontaktet me gjuhët sllave gjatë shekujve

Gjatë disa shekujve e folmja e shqiptarëve të Ukrainës ka zhvilluar në kontakt me gjuhët sllave (bullgarishtja, rusishtja, ukrainishtja), turanike (gagauzishtja) dhe romane (rumanishtja / molldavishtja).

Që nga shek. XV–XVI paraardhësit e shqiptarëve të Ukrainës kishin jetuar në verilindje të Bullgarisë dhe e folmja e tyre kishte pësuar ndikimin e fortë të gjuhës bullgare dhe ndoshta gagauze.

Pas shpërnguljes së shqiptarëve në Perandorinë Ruse në fillimin e shek. XIX, e folmja e tyre vazhdoi të kontaktonte me gjuhët e fqinjëve, përkatësisht të bullgarëve dhe gagauzëve, gjithashtu të mërguar “nga përtej Danubit”. Në periudhën e përshkruar në botimet shkencore e folmja e shqiptarëve të Ukrainës u ndikua fort nga rusishtja, e cila duhet të përhapej gradualisht në fshatrat shqiptare të Ukrainës që nga çereku i dytë i shek. XX (Morozova 2013: 125–128).

Ndikimi i gjuhëve fqinje bie në sy në të gjitha nivelet e sistemit gjuhësor të së folmes. Pasqyrimin më të qartë të kontakteve shumëshekullore e gjejmë në fusha të ndryshme leksikore, për shembull, në sistemin e termave të farefisnisë. Krahas fondit të burimit indoevropian (b’ir,‑i ‘bir’; b’íl|e,‑a ‘bijë’; vlla,‑u ‘vëlla’; mót|ёr,‑ra ‘motër’;dhë́nd|ër,‑ri / llî́nd|ër,‑ri ‘dhëndër’; gru,‑ja ‘grua’; nús|e, ‑a ‘nuse’, etj.) dhe huazimeve të vjetra latine (ndr’ík|ull,‑lla/ ndrî́k|ull,‑lla‘ndrikull’, prej lat. matricula), ky sistem ka përfshirë edhe shtresat e huazimeve nga gjuhë të tjera me të cilat kishte kontaktuar e folmja e shqiptarëve të Ukrainës, veçanërisht nga bullgarishtja dhe gagauzishtja. СЛАЙД 8Shih, p.sh., emërtimet e vëllezërve dhe motrave, kunetërve dhe kunatave në të folmen e shqiptarëve të Ukrainës:

bát|e, -i1. vëllai i madh; 2. përdoret në vend të emrit për t’i drejtuar me nderim vëllait të madh; 3. kunat,vëllai i madh i burrit; 4. përdoret për t’i drejtuar vëllait të madh të burrit; 5. përdoret para emrit të një të moshuari në shenjë nderimi. Nga bullg.bate, bačo‘fjalë e përdorur për të thirrur vëllain e madh’. Khs. gagauz. bati,baty;

kák|o, -u 1. motra e madhe; 2. përdoret në vend të emrit për t’i drejtuar me nderim motrës së madhe; 3. kunatë,motra e madhe e burrit; 4. përdoret për t’i drejtuar motrës së madhe të burrit; 5. përdoret për të thirrur me nderim një grua të moshuar. Nga bullg. kaka‘motra e madhe’ (Voc.kako, përdoret për të thirrur motrën e madhe ose gruan e moshuar). Khs. gagauz. kaku;

drag’ínk|o, -u (Karakurt) / bashá(Georgievka) 1. kunat,vëllai i vogël i burrit a të gruas; 2. përdoret për t’i drejtuar vëllait të vogël të burrit a të gruas. Khs. bullg. draginko‘kunat, vëllai i vogël i burrit’, bašta‘baba’; gagauz. draginku,baša‘vëllai i vogël i burrit’;

kalín|o, -a(Karakurt) / k’irác|o, -a (Georgievka) 1. kunatë,motra e vogël e burrit a të gruas; 2. përdoret për t’i drejtuar motrës së vogël të burrit a të gruas. Nga bullg.kalina, fjalë e përdorur për të thirrur me nderim motrën e burrit; keracadial., vjetr. ‘qytetare; zonjë; mënyra e lidhjes së shamisë (ndër vajzat e reja)’ (< gr. κεράτζα). Khs.gagauz. kiraca /keraca‘motra e vogël e burrit’; jen’ísht|e,‑ja1. kunat, burri i motrës. 2. burri i motrës së madhe. Khs. gagauz. jenište. Bie në sy që të gjitha huazimet nga bullgarishtja dhe gagauzishtja dalin plotësisht të adaptuara dhe të integruara në tipat e lakimit të mbarë shqipes që ruhen mjaft mirë në të folmen e shqiptarëve të Ukrainës. Këto dhe të tjera veçori që karakterizojnë gjendjen aktuale të së folmes së shqiptarëve të Ukrainës janë përshkruar në skicën tonë të gramatikës. Studimi i mëtejshëm dhe vlerësimi i ndikimeve të kontaktit gjuhësor mund të ndihmojnë, ndër të tjera, për të kuptuar më mirë jo vetëm shkaqet dhe kronologjinë e zhvillimit të inovacioneve në të folmen e shqiptarëve të Ukrainës, por edhe faktorët dhe mekanizmat e përgjithshme që veprojnë gjatë evolucionit të dialekteve të ndryshme në situatën e kontaktit. / KultPlus.com

Teuta, mbretëresha që i bëri ilirët një ndër shtetet më të fuqishme të Mesdheut

Ndër personazhet historike më interesante jo vetëm të Ilirisë, por të gjithë botës antike është Mbretëresha Teuta. Pavarësisht se të dhënat që na vijnë për jetën e saj nga burimet antike janë fare të pakta, ashtu sikurse dhe koha e qëndrimit të saj në krye të Mbretërisë Ilire ishte tepër e shkurtër, Teuta renditet midis grave më të rëndësishme të të gjithë botës antike.

“Nuk është rastësi që pikërisht në kohën e mbretërimit të saj, që në fakt u ndërpre në mënyrë brutale e të parakohshme nga ndërhyrja romake në Iliri, Mbretëria Ilire arriti zgjerimin më të madh gjeografik duke u shtrirë nga Neretva në veri të Ballkanit e deri në Ambraki në jug”, thotë për Gazetasi.al Marin Haxhimihali, profesor i Historisë Antike në Fakultetin Histori-Filologji, transmeton KultPlus.

Haxhimihali shprehet se gjatë mbretërimit të saj, Mbretëria Ilire njohu një lulëzim të madh.

“Gjatë mbretërimit të Teutës, Ilirët arritën një bilanc të jashtëzakonshëm duke përmbysur ekuilibrat që ekzistonin që nga koha e Pirros. Ata morën nën kontroll të gjitha qendrat strategjike siç ishin qyteti Foinike (Finiqi i sotëm), kryeqendra e Lidhjes Epirote apo edhe ishullin e Korkyrës (Korfuzi i sotëm). Jashtë kontrollit të Mbretërisë Ilire mbetën vetëm kolonitë greke të Isës, Dyrrahut dhe Apolonisë. Këto fitore erdhën si rezultat i veprimeve të vendosura luftarake si në tokë ashtu dhe në det. Historiani Pierre Cabanes shkruan se ‘depërtimi i Ilirëve në Epir dhe marrja (në vitin 230 para erës së re) e Foinikes, njërit prej qyteteve më të rëndësishëm të Epirit nga ana e Ilirëve të Teutës, të kujtojnë trimëritë e Bardhylit që mundi Molosët në vitin 385 para e.r.”, vijon historiani, transmeton tutje KultPlus.

Marin Haxhimihali, profesor i Historisë Antike në Fakultetin Histori-Filologji

Por, përpos të dhënave të tërthorta që janë nxjerrë në lidhje me aftësitë drejtuese të mbretëreshës Teuta, ekzistojnë shumë pak të dhëna mbi personin e saj.

“Disa burime romake përpiqen ta denigrojnë figurën e saj. Kështu p.sh. Apiani flet për ‘karakterin e saj prej gruaje mendjelehtë’, por duhet pasur parasysh se historiografët romakë denigrojnë në mënyrë konstante të gjithë armiqtë e Romës, pothuajse pa asnjë përjashtim, kështu që në këto kushte ky pasazh duhet marrë me rezerva. Nga ana tjetër faktet e luftës përshkruhen në mënyrë më reale kështu që pohimi i historianit tjetër romak Florit, mbi ashpërsinë e sjelljes së ilirëve të udhëhequr nga Teuta, nuk duhet të ketë qenë shumë larg së vërtetës: ‘Ambasadorët tanë që me të drejtë u ankuan për mizoritë e tyre ranë viktima jo të shpatave, por të sëpatave, kurse kapitenët e anijeve u dogjën të gjallë. Kulmi ishte se urdhrat jepeshin nga një grua”, thotë historiani.

Në lidhje me figurën e mbretëreshës në krye të Ilirëve, sipas historianit ajo që duhet nënvizuar është fakti se kjo grua e fortë arriti të imponohej edhe në çështje të luftës, të cilat historikisht kanë qenë thuajse në të gjithë popujt e botës ekskluzivitet i burrave.

“Prania e një gruaje në nivelet më të larta të shtetit ilir, pikërisht në momentin kur Mbretëria Ilire ishte një ndër shtetet më të fuqishme të Mesdheut, flet për pozitën e gruas në shoqërinë ilire, që ishte shumë më e përparuar sesa ajo e grave tek popujt e tjerë të Antikitetit, përfshirë këtu edhe Greqinë dhe Romën”, përfundon historiani Haxhimihali për Gazetasi.al. / KultPlus.com

Margarita Mjeda-Shukriu, ndër gratë e para të punësuara në shtypshkronjën ‘Rilindja’

Inkuadrimi i grave në “Rilindje” ishte me rëndësi për zhvillimin e shtypshkronjës.

Margarita Mjeda-Shukriu, e cila paraprakisht kishte punuar si motër medicinale, ishte ndër gratë e para të punësuara në shtypshkronjën “Rilindja”.

E botuar për herë të parë më 1945 në Prizren, asokohe “Rilindja” ishte gazetë e përjavshme dhe e vetmja në gjuhën shqipe. Redaksia e gazetës u transferua në Prishtinë në vitin 1958.

Punën më të madhe Margarita Mjeda-Shukriu e pati sa “Rilindja” ishte e vendosur në Prizren. Pas një kohe, ajo e la punën, pasi që kemikalet me të cilat punonte i ndikonin negativisht në shëndetin e saj.

Në fotografi është Margarita Mjeda-Shukriu dhe Alije Miniri gjatë punës në shtypshkronjë. Fotografia është marrë nga libri “Rilindja 1945-1985”, f. 52. / KultPlus.com

Dokumentet e rralla tregojnë se si dukej Zara, vendbanimi i arbëresheve në Kroaci më 1550 (FOTO)

Disa skica të rralla tregojnë se si dukej vendbanimi i Zarës në Kroaci në periudhën e vendosjes së arbëreshëve.

Zara ( Zadari) në vitet 1500 ishte pika më perëndimore në përparimin drejt Perëndimit, të fuqive osmane, vend ku edhe ishin ndalur pa pasur mundësinë të zgjasnin pushtimin me tej në Europë. Për të mos shërbyer si strehë për turqit (muhamedanët kroatë), shkatërruan manastirin e vjetër françeskan të Shën Gjonit.

Abëreshët u vendosën në periferi të ish-Qytetit të Vjetër në një tokë kënetore të furnizuar nga pronari venecian Erizzo, një lokalitet i njohur më vonë si Borgo Erizzo / Varoš Eričina ose Arbënesh / Arbanasi.

Arbanasi do të bëhej aktori kryesor ekonomik në sektorin e ushqimit në Zadar për dy shekujt e gjysmë të ardhshëm.

Sa persona kanë ndërruar jetë për një ‘Selfie’ në 13-të vitet e fundit

Tejet shqetësuese janë të dhënat të dala nga një studim spanjoll, sipas të cilës, rreth 400 persona në të gjithë botën, kanë ndërruar jetë duke bërë selfie.

Studimi është realizuar mbi të dhënat e grumbulluara nga një hark kohor prej 13 vitesh.

Nga janari 2008 deri në korrik 2021, të paktën 379 njerëz dhanë frymën e fundit duke pozuar në celularët e tyre për një selfie, transmeton KultPlus.

Shkencëtarët që kanë kryer studimin pohojnë se shumica e vdekjeve janë për shkak të rrëzimeve, pasi nga 379 personat që humbën jetën, 219 lanë jetën e tyre të fundit duke rënë nga lartësia.

Shkaqe të tjera kryesore të vdekjes janë aksidentet me makina dhe trena, si dhe mbytja.

Cilat vende kanë regjistruar më shumë vdekje?

India vjen e para me 100 vdekje nga viti 2008 deri më sot, e ndjekur nga Shtetet e Bashkuara me 39 vdekje nga viti 2008 deri më sot dhe Rusia me 33 vdekje.

“Të dhënat për Indinë shpjegohen pjesërisht me faktin se shumë njerëz nxjerrin kokën nga dritarja për të bërë selfie-n perfekte”, shpjegon Christina Huesas, një nga autoret e studimit.

Studiuesi spanjoll vëren gjithashtu se të rinjtë janë më të rrezikuar me moshën mesatare të viktimave 24.4 vjeç.

“Nga 379 të vdekur, 41% janë të rinj nën moshën 19 vjeç”, tha ai, duke shtuar se trendi po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm.

“Që nga fillimi i vitit 2021, një person vdes çdo javë”, thotë ai. / KultPlus.com

SBASHK-u paralajmëron grevë në tërë sistemin arsimor

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, po deklaron se Qeveria po iu ik takimeve, e për këtë është paralajmëruar edhe grevë në tërë sistemin arsimor, transmeton KultPlus.

Përmes një reagimi publik, SBASHK-u deklaron se Qeveritë e kaluara nuk iu kanë ikur debateve dhe takimeve.

“Do kujtuar se në gjithë këto vite kishte edhe greva, si ajo në tërë sistemin arsimor që nga çerdhet e deri në Universitete. Qeverive atëherë kjo nuk iu pëlqeu, por nuk i iknin takimeve e debateve sepse nuk donin të krijonin bindjen se nuk duan dialog dhe nuk duan takime me sindikatat, që mbase edhe nuk i kanë pasur fare për qejfi”, thuhet në reagimin e SBASHK-ut.

Tutje, SBASHK-u deklaron se nuk janë larg angazhimet sindikale, duke paralajmëruar kështu grevë në tërë sistemin arsimor.

Reagimi i plotë i SBASHK-ut:

Reagim publik i SBASHK-ut

Qeveria Kurti sikur nuk do ta di se në Kosovë ka sindikata

Tani kur sistemi arsimor i është kthyer normalitetit dhe për këtë kemi dhënë kontribut të lartë ne të punësuarit në arsim, do t’i kthehemi edhe angazhimeve sindikale dhe kështu si po vepron Qeveria Kurti , duke u sjellë sikur nuk ka sindikata në Kosovë, ne do të dëshmojmë se ekzistojmë dhe jemi unik e të përkushtuar dhe prandaj nuk janë larg takimet e organeve vendimmarrëse për të shpallur veprime sindikale

Nuk duam të flasim për sindikatat tjera dhe veprimin e tyre nëpër vite, por SBASHK-u ka një aktivitet më shumë se 30 vjeçar. U krijua në momentin kur duhej krijuar diga mbrojtëse të arsimit shqip kundër furtunave të pushtuesit serb kundër arsimit shqip. Kjo sindikatë në ato vite të vështira dhe falë edhe mbështetjes së miqve ndërkombëtar kreu misionin e saj duke prezantuar gjendjen tepër të vështirë në arsimin e Kosovës edhe në Asamblenë e UNESKO-s në vitin 1993, për të vazhduar me angazhimet edhe në vitet tjera në nën okupim. Kjo sindikatë me mbështetjen e miqve ndërkombëtar dha kontribut edhe në kthimin e ziles dhe buzëqeshjes në fëmijëve në shkollat tona në vitet e para të pasluftës.

SBASHK, krahas këtyre angazhimeve, kishte bërë edhe shumë përpjekje për të ngritur pozitën ekonomike të të punësuarve në arsim sepse pas lufte për të punësuarit në arsim flitej se janë të varfrit e që kërkojnë të marrin artikuj ushqimor në pritje deri në pagën e radhës. Qeveritë e Kosovës e kuptuan këtë realitet dhe vazhdimisht e në takime me SBASHK u angazhuan të përmirësojnë gjendjen e të punësuarve në arsim. Kishte përplasje e debate të nxehta, por Qeveritë nuk i iknin takimeve e dialogut dhe u shënuan përmirësime e realizime të kërkesave të të punësuarve në arsim, që po prezantoheshin nga SBASHK.

Do kujtuar se në gjithë këto vite kishte edhe greva, si ajo në tërë sistemin arsimor që nga çerdhet e deri në Universitete. Qeverive atëherë kjo nuk iu pëlqeu, por nuk i iknin takimeve e debateve sepse nuk donin të krijonin bindjen se nuk duan dialog dhe nuk duan takime me sindikatat, që mbase edhe nuk i kanë pasur fare për qejfi.

Mirëpo, kjo që ndodh tani në Qeverinë Kurti është hera e parë në Kosovë, kur Qeveria sikur nuk do ta di se në Kosovë ka sindikata dhe prandaj edhe nuk i do dhe u ik takimeve me to. SBASHK ka kritikuar këtë qëndrim të Qeverisë Kurti dhe veçmas mungesën e gatishmërisë së takimeve të Ministrit Hekuran Murati, i cili është edhe Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, detyrë që nuk e kreu as edhe një herë deri tani. Qeveria Kurti duhet ta di se sindikatat ekzistojnë dhe janë ato, si SBASHK-u, që kanë bërë edhe veprime sindikale deri në grevën e përgjithshme për plot tri javë në tërë sistemin arsimor. Deri tani kemi lutur anëtarësinë për mirëkuptim dhe për përkushtim në rrjedhën e mbarë të sistemit arsimor për shkak të gjendjes nga pandemia, por tani kur sistemi arsimor i është kthyer normalitetit dhe për këtë kemi dhënë kontribut të lartë ne të punësuarit në arsim, do t’i kthehemi edhe angazhimeve sindikale dhe kështu si po vepron Qeveria Kurti, duke u sjellë sikur nuk ka sindikata në Kosovë, ne do të dëshmojmë se ekzistojmë

dhe jemi unik e të përkushtuar dhe prandaj nuk janë larg vendimet e organeve vendimmarrëse për veprime sindikale , pra edhe për greva në tërë sistemin arsimor. E atëherë le ta dinë qytetarët e Kosovës se fajtori i vetëm është Qeveria dhe përpjekja e saj për të krijuar bindje se në Kosovë nuk ka sindikata.

Prishtinë, 28 tetor 2021,

Zyra për informim e SBASHK-ut. / KultPlus.com

Kurti bën homazhe për regjisoren Berisha: Erdhëm sot këtu në Teatër të cilin e deshi aq shumë

Në hollin e Teatrit Kombëtar homazhe për regjisoren e ndjerë, Burbuqe Berisha, kanë bërë së fundmi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti si dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Kurti në fjalimin para medieve ka lartësuar figurën e ish-drejtoreshës së TKK-së duke thënë se puna dhe veprat e saj kanë lënë gjurmë të shkëlqyera në kulturën tonë.

“Erdhëm sot këtu në Teatër të cilin e deshi aq shumë dhe që kontribuoi gjithë jetën që t’ia japim lamtumirën e fundit regjisores Burbuqe Berisha. Qysh në kohën e okupimit të serbisë e deri në ditët e fundit Burbuqe Berisha nuk është ndalur asnjëherë dhe angazhimi i saj e puna e saj për teatrin dhe filmin tek ne lë gjurmë të shkëlqyera në kulturën tonë”.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

“Veprimtaria dhe krijimtaria artistike e Burbuqe Berishës bën kujtimin tonë për të pashlyeshëm por ngelet edhe si trashëgimi për brezat e artdashësve të cilët do të vijnë pas saj. Kam pasur fatin shpesh ta takoj të rrimë bashkë e të diskutojmë bashkë për artin e kulturën për filmat tek ne e në botë dhe ajo nuk ka qenë vetëm një artiste e talentuar, por edhe e angazhuar që i ka ndihmuar të tjerët e në debatet për të cilët ka marrë pjesë ka kontribuuar edhe në artistët e tjerë para dhe pas saj. E kujtojmë me nderime e me mall Burbuqe Berishën të cilën vdekja na e rrëmbeu para kohe por asnjëherë nuk do të mund të na marrë mbresat e fuqishme që i la tek ne me jetën dhe veprën e saj”, ka thënë ai. /telegrafi/ KultPlus.com

Fisnikëria femërore përmes tre grave në tre breza dhe tre kohë të ndryshme

Në fotot e mëposhtme, pasqyrohen tre periudha të ndryshme historike të Shqipërisë gjatë shekullit XX, përmes tre protagonisteve femërore që janë përjetësuar në këto pamje fotografike në tre dhjetëvjeçarë të ndryshëm të njëqindvjeçarit të kaluar.

Në foton e parë shfaqet zonja Ana, një korçare e fisme dhe tepër e hijshme, me origjinë nga Dardha e kulturuar, vatër patriotike dhe simbol përparimi e qytetërimi në kreshtën malore përmbi Korçë, një vendbanim kryeneç ku patën vluar veprimtaritë atdhetare qysh në shekullin XIX, dhe nga ku qenë nisur ndër shqiptarët e parë në mërgim gjer në SHBA, ku do të themelonin shoqatat kryesore në mbështetje të çështjes kombëtare shqiptare.

Në këtë foto të fundit të viteve 1920 në Korçë, zonja Ana (e cila pikërisht kështu do të vijonte të quhej nga të gjithë, përfshirë funksionarët monistë, edhe në periudhën e errët të regjimit totalitar, ku fjala “zonjë” ishte tashmë e ndaluar, dhe të tërë quheshin “shokë e shoqe”) gjendet në një Soirée, siç quheshin nga frankofonët korçarë, ballot festive që zhvilloheshin rregullisht gjatë kremteve të rëndësishme shtetërore dhe fetare, në Korçë e rrethina.

Ballot e tilla përbënin rastet e veçanta, ku qytetaria korçare, mblidhej bashkërisht për të kremtuar nën ritmet e vallëzimeve më në modë të importuara vazhdimisht nga Oksidenti, të veshur gjithnjë alla-frënga me petka farfuritëse, duke dëfryer njëlloj sikur të gjendeshin në Paris, Londër apo Romë.

Ndërkaq në foton e dytë, mund të shohim Antigonin, vajzën e zonjës Ana, e cila në fillimin e viteve 1940, është nxënëse në Institutin Femëror Nëna Mbretëreshë në Tiranë, i cili gjatë pushtimit italian, do të quhej më tutje Donika Kastrioti.

Në këtë institut patën studiuar vajzat e familjeve më të kamura, më të kulturuara dhe më të spikatura të Shqipërisë dhe më gjerë të trojeve shqiptare, përfshirë disa nga eksponentet më të njohura të regjimit të ardhshëm monist, por edhe disa nga disidentet më të shquara, të cilat do ta pësonin nga diktatura.

Në foton në fjalë, Antigoni është mes shoqeve të saj të klasës, bijat e disa nga familjeve më të ngritura kulturalisht të Tiranës dhe Durrësit, bashkë me profesorin e tyre të latinishtes dhe greqishtes së lashtë.

Kurse në foton e tretë gjejmë Luizën, vajzën e Antigonit dhe mbesën e Anës, e cila, veshur me kostumin tradicional të nusërisë së Shqipërisë së Mesme, në fundin e viteve 1970, ka pozuar për një konkurs të njohur të asaj periudhe, kushtuar trashëgimisë etnografike dhe kulturore shqiptare.

ELVI SIDHERI

Shkrimtar dhe përkthyes shumëgjuhësh…

Stërnipi, nipi dhe djali i protagonisteve të këtyre fotove të paharrueshme. / KultPlus.com

40-të vjet nga përurimi i Muzeut Historik Kombëtar në Shqipëri

Si sot, 40 vjet më parë u përurua Muzeu Historik Kombëtar, për ngritjen e të cilit u mblodh një ekip me specialistët më të mirë të vendit, të fushave të historisë, gjuhësisë, arkeologjisë, etnografisë, hartografisë, arkitekturës e artit.

Për këtë muze u punua në mënyrë të organizuar, sipas seksioneve përkatëse, për gati 3 vjet, deri në hapjen e tij.

Grupi i punës është drejtuar nga personalitete të shquara si: Gani Strazimiri, Koço Miho, Besim Daja, Skënder Luarasi, Valentina Pistoli, Sami Pashallari, Ilia Papanikolla, Robert Kota, Latif Lazimi, Guri Pani, Maksim Mitrojorgji, Magdalena Furxhiu, Odhise Paskali, Kristaq Rama, Shaban Hadëri, Foto Stamo, Fatmir Haxhiu, Guri Madhi, Ndreçi Plasari, Stefanaq Pollo, Kristo Frashëri, Aleks Buda, Selami Pulaha, Skënder Anamali, Emin Riza, Selim Islami, Burhan Çiraku, Kleanthi Dede, Ballkize Haxhihyseni, Taqi Miho, Iljaz Goga, Rrok Zojzi, Abaz Dojaka, Ramadan Sokoli, Enver Faja, Nina Shehu, Vilson Kilica, Fatmir Haxhiu, Myrteza Fushekati, Met Deliu, Aleksandër Meksi e shumë të tjerë.

Muzetë historikë kombëtarë janë ndër përçuesit më të rëndësishëm të interpretimit zyrtar të historisë së një vendi, krahas dhe me sistemin kombëtar të arsimimit të tij. Ata luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e identitetit për kombin, si dhe për përcjelljen e këtij vetimazhi tek vizitorët dhe në botën e jashtme.

Por, muzetë dallojnë nga ajo çka jep historia e shkruar, pasi për një muze gjuha e të shprehurit janë objektet muzeore të ekspozuara, shoqëruar me të dhënat për to.

Muzeu Historik Kombëtar është muzeu më i madh në Shqipëri dhe një nga më të rëndësishmit.

Në mjediset e muzeut gjenden rreth 5000 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. /atsh/ KultPlus.com

Gratë nga Kosova, Kroacia dhe Bosnja protestojnë në New York, kërkojnë drejtësi për dhunën seksuale nga Serbia gjatë luftës

Me moton “Rally for her justice”, para konsullatës së Serbisë në New York sot do të protestojnë gratë nga Kosova, Kroacia e Bosnja dhe Hercegovina përmes së cilës kërkojnë drejtësi për dhunën seksuale që ushtruan kriminelët serbë gjatë luftës.

Kjo iniciativë është nisur nga deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vasfije Krasniqi.

Iniciativën e deputetes Vasfije Krasniqi e kanë mbështetur deputetët e Kuvendit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti etj, transmeton KultPlus.

Presidentja Vjosa Osmani ka mbështetur këtë iniciativë, ndërsa në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit në OKB ka kërkuar që të dënohen kriminelët serbët që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë.

Edhe kryeministri Kurti i është bashkuar nismës “RallyForHerJustice”, iniciativë kjo që kërkon drejtësi për dhunimet seksuale gjatë luftërave në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe Kroaci.

“Për krimet e saj e të luftës në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci, Serbia duhet të marrë përgjegjësinë dhe të përballet me të kaluarën. Ne qëndrojmë me të gjithë të mbijetuarit e luftës që kërkojnë drejtësinë. Më 28/10 në #NYC të gjithë duhet të paraqiten përkrah VasfijeKrasniqi dhe #RallyForHerJustice”, ka shkruar Kurti në Twitter. / KultPlus.com

Nisin homazhet për regjisoren e ndjerë Burbuqe Berisha

Brenda Teatrit Kombëtar të Kosovës kanë nisur homazhet në nderim të regjisores tashmë të ndjerë, Burbuqe Berishës.

Siç shihet, deri më tani një numër i qytetarëve kanë bërë homazhe, gjersa të njëjtën pritet ta bëjnë edhe liderët politikë.

Para fotografisë së ish-drejtoreshës së TKK-së në hyrje të Teatrit Kombëtar janë vënë disa buqeta me lule nga familjarët e të pranishmit e tjerë.

Filmbërësja shqiptare ka ndërruar jetë mesditën e djeshme (e mërkurë) në ambientet e Ministrisë së Kulturës.

Ajo ishte regjisore e një numri të konsiderueshëm të filmave të shkurtër, të gjatë, dokumentarë, serive televizive, shfaqjeve teatrore dhe fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter vendor e ndërkombëtar.

Varrimi i të ndjerës ndërkohë do bëhet sot në orën 15:00 në varrezat e qytetit të Prishtinës. 

Fotografitë: Ridvan Slivova/Telegrafi. / KultPlus.com

Tri shkolla fillore ndalojnë fëmijët të vishen si personazhet e ‘Squid Game’

Tri shkolla fillore në veri të Nju Jorkut kanë ndaluar kostumet e Halloween-it nga hiti i Netflix “Squid Game”, duke thënë se ato mund të trembin nxënësit, transmeton KultPlus.

Shkollat ​​- Mott Road, Enders Road dhe Fayetteville Elementary – janë të gjitha pjesë e rrethit shkollor Fayetteville-Manlius pranë Sirakuzës.

Drejtorët e shkollave u kanë shkruar prindërve duke thënë se kostumet janë të ndaluara.

“Squid Game”, seriali më i shikuar i Netflix ndonjëherë, tregon një grup njerëzish që konkurrojnë për para në një seri sfidash. Nëse ata nuk arrijnë të fitojnë sfidën në mënyrë korrekte, ata vriten nga miq me maska.

Seriali, i prodhuar në Korenë e Jugut, u pa nga 111 milionë njerëz në muajin që nga shtatori, kur edhe u lansua. Prindërve të fëmijëve në Mott Road u tha se veshja si në “Suqid Game” është e papranueshme, transmeton tutje KultPlus.

“Për shkak të shqetësimeve për natyrën e mundshme të dhunshme të lojës, është e papërshtatshme për lojëra pushimi ose diskutim në shkollë”, thuhej në letër.

“Përveç kësaj, një kostum Halloween nga ky serial nuk i plotëson udhëzimet tona të kostumit të shkollës për shkak të mesazhit të mundshëm të dhunshëm të lidhur me kostumin”. / KultPlus.com

Kristen Stewart e frikësuar para se ta luante rolin e Dianës

Kristen Stewart pranon se ishte “shumë e frikësuar” në prag të rolit të princeshës së ndjerë Diana, në dramën “Spencer”.

“Filmi ka të bëjë me një grua që ne mendojmë se e njohim shumë mirë dhe që në fakt e njohim shumë mirë në mënyrën tonë, në prag të marrjes së një vendimi shumë novator dhe vendim që ndryshon historikisht”, shpjegon ajo për AP, përcjellë KultPlus.

“Unë mendoj se është një film i Krishtlindjeve që është padyshim si një film për ndarjen”.

“Është plot tension, sikur të jetë si Krishtlindjet më të këqija ndonjëherë”, shpjegon Jack Farthing, i cili luan në rolin e princit Charles.

Me regji të Pablo Larrain, drama imagjinon se si u zhvilluan festimet e Krishtlindjeve të familjes mbretërore ndërsa Diana (e luajtur nga Stewart) merr vendimin e saj për të lënë martesën me princin Charles. / KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës me mbrëmje letrare për Enver Gjerqekun

Sot, më 28 tetor, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë, përkujtohet jeta dhe vepra e poetit dhe e profesorit të ndjerë Enver Gjerqeku.

Për veprën dhe jetën e Enver Gjerqekut do të flasin profesorët: Milazim Krasniqi dhe Sali Bashota.

Aktiviteti fillon në orën 17:00 ku edhe ftoheni të merrni pjesë.

Ky aktivitet është i dyti me radhë në kuadër të projektit “Ora e Shkrimtarit2” e PEN Qendrës së Kosovës. Të martën PEN Qendra ka përkujtuar poetin, profesorin dhe veprimtarin e ndjerë Latif Berisha. / KultPlus.com 

Siparantum Choir në Olimpiadën e muzikës korale në botë, merr pjesë në World Choir Games 2021

Siparantum Choir është duke shënuar suksese të njëpasnjëshme si brenda dhe jashtë Kosovës, shkruan KultPlus.

Së fundi, nga organizatorët është njoftuar se ky kor do të merr pjesë në Olimpiadën më të madhe të muzikës korale, ku edhe Kosova do të përfaqësohet për herë të parë në këtë garë korale.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e Siparantum Choir.

Kur ëndërra bëhet realitet …

#SiparantumChoir për të herë të parë në hisotrinë e muzikës korale të vendit tonë, Siparantum do të përfaqëson Kosovën 🇽🇰në garën – Olimpiadën më të madhe të muzikës korale në botë, WORLD CHOIR GAMES 2021. Në WCG këtë vit do të garojnë mbi 300 kore nga e gjithë bota.

Kori garon në Open Competition, në kategorinë “Contemporary Music” e cila do të mbahet në sallën e njohur koncertale, Queen Elizabeth Hall, Antwerp (Home of Royal Flemish Philharmonic). Kori do të jetë poashtu pjesë e dy koncerteve të tjera, Friendship Concerts që do të mbahen në vendët më të njohura si; Handelsbeurs, Antwerpen dhe Cathedral of Our Lady, Antwerp.

Ndërsa me datën 3 nëntor, dirigjenti i korit tonë Memli Kelmendi do të jetë në takimin gjeneral të këshillit botëror të koreve, World Choir Council, ku njëherit përfaqëson shtetin tonë Kosovën (nga 2019), brenda rrjetit më të madh koral në botë.

Hisotria shkruhet vetëm një herë!/ KultPlus.com