Përkujtohet sopranoja shqiptare Tefta Tashko Koço

Më 2 nëntor 1910, lindi sopranoja Tefta Tashko Koço.

Repertori i saj lirik që pëfshinte emrat më të njohur të operistikës botërore, ishte dëshmi e dimensionit europian të sopranos, e cilësuar si “bilbili shqiptar”.

Ndonëse afatshkurtër, karriera e saj njohu veçse të përpjeta. Krahas muzikës operistike klasike, interpretoi me zërin e saj autentik edhe këngë popullore, si pjesë integrale e kulturës muzikore shqiptare.

Janë plot 36 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta Tashko Koço i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942, në Paris dhe në Milano.

I besuari i sopranos, si vargshkrues i dhjetëra këngëve në repertorin e saj, ishte liriku i letrave shqipe, Lasgush Poradeci. Ky i fundit mban edhe autorësinë e një prej këngëve të Koços, që gëzon më shumë popullaritet, “Kur më vjen burri nga stani”.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell edhe fotografinë e një grupi personalitetesh të kohës në krah të Koços, si: Lasgush Poradeci dhe Lola Gjoka, në Shkodër për kremtimet e 25 vjetorit të Pavarësisë nga shoqëria “Rozafa”. / atsh / KultPlus.com

Tefta Tashko Koço, këngëtarja e madhe lirike

Një femër, sa e këndshme aq dhe unike në zërin e saj. E mrekullueshme dhe me një vokal të jashtëzakonshëm. Me një personalitet të mbrujtur në kulturë të gjerë, hyri në vetëdijen shqiptare të atyre viteve të pështjellimta si një shkrepëtimë drite. Tefta Tashko Koço kishte kaq shumë të jepte këngës shqiptare. Ajo i dha këtij visari të çmuar jo vetëm zërin dhe përkushtimin plot pasion, por edhe shpirtin, atë shpirt që e thërriste në këtë gjëmim atdhetarie, në këtë mëvetësim të vlerave dhe manifestim pasuror, që erdhi si një balsam për plagën e mjerimit që solli koha. Ishin ato vite të vështira, të cilëve ajo u dha, prej shpirtit, prej hireve dhe bukurisë së saj, çfarë  kishte më të shtrenjtë.

Tefta Tashko Koço u lind më 2 nëntor 1910 dhe vdiq më 30 dhjetor 1947. Spikati si këngëtare e shquar lirike. Përvoja dhe talentiishin një garanci për vlerat ku ajo ngriti interpretimin e këngës popullore qytetare mbarëshqiptare.

Tefta Tashko Koço 16. 12. 1936 (Kel Marubi)

Tefta ishte vajza e patriotit të shquar shqiptar nga Frashëri i Përmetit, Thanas Tashkos i cili prej vitit 1910 qe vendosur familjarisht në Egjipt. Me vdekjen e Thanas Tashkos më 1915, familja e tij kthehet në Korçë në vitin 1921. Në Korçë kemi aktivizimet e para të Teftës si këngëtare dhe data 26 qershor 1926 mbahet si koncerti i saj i parë në publik. Në shtator të vitit 1927, Tefta me gjithë familjen vendosen në Montpellier, Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore, për t’i vazhduar ato me sukses në Konservatorin Superior të Parisit. Në vitin 1930, Tefta bën inçizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe”-Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të polifonisë himariote Neço Mukon. Me përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në atdhe ku më 26 nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare. Pikërisht në këto vite, Tefta futi në programet e saj krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë si Moxart, Guno, Shubert, Verdi, Donixeti, Pergolezi, Belini, Puçini, Rosini, etj, dhe këngët popullore shqiptare, si pjesë integrale e kulturës muzikore popullore shqiptare. Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali. Ndër to po përmend: “Zare trëndafile”, Të dua, moj goc’ e vogël”, Bilbil çapkëni”, Qante lulja lulen”, “Kenke nur i bukurisë”,”As aman, moj lule” etj. Sipas Hysen Files: Tefta diti të nxirrte nga kënga popullore ndjenjën e thellë që populli kishte shkrirë në të. Njihet tanimë faktet se Tefta Tashko i ka mbledhur një shumicë këngësh direkt nga goja e muziktarëvë të shuar popullore të vendit tonë. Një gjë të tillë e provon edhe pjesmarrja e Teftës së bashku me këngëtaren tjetër të shquar Marie Kraja në festivalin e folklorit të mbajtur në Firence, Itali më 30 Maj 1939 krahas këngëtarëve dhe muziktarëve të shquar popullorë të atyre viteve si Adem Mani, Xhevat Boriçi, Kolë Vjerdha, Taip Kraja, Karlo Pali etj. Në listën e gjatë të këngëve popullore të kënduara nga Tefta do të bashkangjisnim edhe këngët popullore të përpunura nga kompozitori Kristo Kono me poezi të Lasgush Poradecit si p.sh “Kroi i fshatit tonë”, apo “Kur më vjen burri nga stani”. Krahas Teftës, do të përmendim edhe dy këngëtare të tjera të shquara në interpretimin e këngës popullore qytetare: Jorgjia Filçe Truja dhe Maria Paluca (Kraja). Në vitin 1945, Tefta këndon në operën e Beogradit me shumë sukses rolin e Mimisë nga opera “Bohemë” e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes” e Rosinit. Në vitin e fundit të jetës ka qënë vazhdimisht e sëmurë. Vdiq në moshën 37-vjeçare. Ajo ndëron jetë në moshën e re 37-vjeçare pa pasur mundësi të zhvillojë karrierën e saj të plotë artistike. Motos ‘’Vdes dhe nuk dorëzohem’’ ajo i qëndroi besnike deri në  fund të jetës dhe nuk u dorëzua për emancipimin e Shqipërisë.

Nji fotografi e Gjergji Cancos, 21 shkurt 1938, kuadraton në të njajtën hapësinë emna të tillë si Ernest Koliqi, Asdreni, L. Poradeci, Tefta Tashko Koço, Lola Aleksi-Gjoka (pianiste), Mikel Koliqi apo Koço Tashko. Para Kafes së Madh

Ajo mori titullin “Artiste e Popullit”. Më 2 mars 2004 Këshilli  i Bashkisë së Përmetit i dha titullin “Qytetare Nderi e Përmetit”. Busti i saj ngrihet sot në qendër të qytetit të Përmetit. Për të është bërë dhe një monografi nga Pandi Bello.

Tefta Tashko Koço la një familje të madhe. Një emër i madh nga një femër e madhe dhe shpirt i pasur artistikisht që quhet me plot gojën Divë.

***

Këngët popullore të Tefta Tashkos, regjistruar pranë “Columbias”-Itali, 1942: “Un’o ty moj të kam dashur”; “Kjo dashtnija kjoft mallkue”; “Kenke nur’ i bukurisë”; “Për një ditë, kur del goca në pazar”; “Këndon Kumrija”; “Metelikun ta kam falë”; “Ma ven dorën përmbi dorë”; “Dallandyshe vaj, vaj”; “Qante lulja lulen”; “Moj fëllanxë”; “Sa me shpejt ma vunë, moj, kambën”; “Dy gisht përmni vetull”; “Moj hyrije, bukurie”; “ Shamija e beqarit”; “Iku nata”; “Del një vashë prej hamamit”; “Zare trëndafile”; “Të dua, moj goc, e vogël”; “As aman, moj lule”; “Kroi i fshatit tonë”; “O moj sylarushe”; “Dolla në penxhere”; “Bilbil çapkëni”; “As u gremis moj lejthate”; “Dashtnuer tu bana”; “Ani, moj Hatixhe”; “Seç këndon bilbili malite”; “Shkapërceva dy-tri male”; “Edhe ky bilbili çka qënke një zog”; “Kam shtëpinë e vogël”; “I kam hypë vaporit”; “Fry, moj er’ e malit”; “O na atë fushë t’mejdanit”; “Edhe gurët e sokakut”.

Referime

Krantja Mustafa, “Artistja e Popullit Tefta Tashko Koço”, gaz. “Drita”, 1961, 31 dhjetor; Naçe P, “Tefta Tashko Koço”, “Ylli”, 1963, nr. 12; Kono Kristo, “Me dashurinë për atdheun dhe këngët e popullit”, gaz. “Drita”, 1976, 25 korrik; Mio Sokrat, “Bilbili i këngës shqiptare”, gaz. Përpara, 1977, 21 dhejtor; Filja Hysen, “Tefta Tashko Koço”, Tiranë 1980; Frashëri Thoma, “Interpretuese e shquar e këngës popullore”, gaz. Drita, 1982, 26 dhjetor; Koço Eno, “Tefta Tashko Koço dhe koha e saj”, Tiranë 2000; Zaja Sami C, “Heti njeri i urtë i Shkodrës” Shkodër 2000 etj. /Albert Vataj /KultPlus.com

‘Zare moj dil ke fiku po të pret ashiku moj Zare, sa e bukur je’ (VIDEO)

Sopranoja me zërin e bukur, Tefta Tashko-Koço vite më parë i kishte dhënë zë këngës “Zare trëndafile”, e cila mbetet një vlerë në muzikën shqiptare, shkruan KultPlus.

Teksti me përplotë elegancë gërshetuar me fuqinë e Tashko-Koços në interpretim, bën që edhe shumë kohë më pas, kjo këngë të dëgjohet.

KultPlus ua sjell tekstin dhe këngën “Zare trëndafile”:

Zare trëndafile

Zare moj trëndafile

ç’naj bane me hile moj Zare

sa e bukur je

Zare moj dil ke shpia, 2x

po të prêt shoqënia moj Zare

sa e bukur je

Zare moj dil ke fiku 2x

po të prêt ashiku moj Zare

sa e bukur je

Zare dil ke mali 2x

po te prêt jarani, moj Zare

sa e bukur je / KultPlus.com

Ikona e muzikës shqiptare, Tefta Tashko Koço përkujtohet në 110-vjetorin e lindjes

Tefta Tashko Koço, artistja e madhe shqiptare, përkujtohet në 110-vjetorin e lindjes.

Ajo mbetet një prej artisteve më të dashura për publikun shqiptar. Tefta Tashko Koço lindi më 2 nëntor 1910. Pasi familja e saj kishte emigruar në Egjipt, në vitin 1921 rikthehen në Korçë. Në Korçë kemi aktivizimet e para të Teftës si këngëtare dhe data 26 qershor 1926 mbahet koncerti i saj i parë në publik. Në shtator të vitit 1927, Tefta me gjithë familjen vendosen në Montpellier, Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore, për t’i vazhduar ato me sukses në Konservatorin Superior të Parisit.

Gjatë karrierës së saj të shkurtër, ngriti një talent të jashtëzakonshëm të ekzekutimit si në muzikën lirike qytetare, ashtu edhe në repertorin e pasur të muzikës klasike operistike. Krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë si Mozart, Shubert, Verdi, Donixeti Belini, Puçini, në turnetë e saj, së bashku me pianisten Lola Gjoka, nëpër Shqipëri u kënduan edhe këngët popullore shqiptare si pjesë e kulturës muzikore popullore shqiptare. Falë angazhimit të madh artistik të Tefta Tashko Koços, ne sot nga zëri i saj kemi trashëgimi rreth 90 këngë, 36 prej të cilave i regjistroi në Paris dhe Milano në pllaka gramafoni. Ajo përveç vlerave të saj artistike, arriti që me zërin e saj brilant, të na linte këtë pasuri të jashtëzakonshme.

Ajo është një nga figurat më të rëndësishme të interpretimit vokal në Shqipëri, që me interpretimin e saj të bukur dhe autentik Tefta jetoi në periudhën kur kënga lirike qytetare huazoi nga arti vokal i kultivuar lehtësinë̈ e nevojshme për të prodhuar linja melodike e frazime elegante, proces ky që krijoi gjininë në fjalë në vitet 1930 dhe që do të vazhdonte edhe më vonë.

“Kroi i fshatit tonë”, me muzikë të Kristo Konos dhe poezi të Lasgush Poradecit, apo “Kur më vjen burri nga stan”, “Zare trendafile”, “Unë o ty moj të kam dasht , “Kenke nur i bukurisë” janë disa prej krijimeve popullore nga të cilat Tefta me zërin e saj të rrallë simbolizoi një epokë, një shoqëri, një periudhë historike shqiptare, për të mbetur në përjetësi, ikona e muzikës shqiptare.

Tefta Tashko Koço me interpretimet e saj plot art e me teknikë të re e pasuroi repertorin e këngës qytetare dhe muzikës tradicionale. Gjatë karrierës së saj edhe pse të shkurtër, ajo u vlerësua edhe me titullin “Artiste e Popullit”. /atsh/ KultPlus.com