Serbia kërkon që BE-ja e UNDP-ja të mos e rinovojnë shtëpinë e Xhafer Devës

Serbia ka kërkuar nga BE-ja dhe UNDP-ja që të mos japin para për ta restauruar shtëpinë e Xhafer Devës në Mitrovicë, që ka nisur tash e një javë.

Sipas ministres së Kulturës dhe Informimit në Serbi, Maja Gojkoviq, Deva “ka përgatitur e kryer krime ndaj serbëve dhe hebrenjve”.

“Ky është një kolaboracionist famëkeq nazist, i cili ishte aktiv në formimin e divizionit SS Skënderbeu, i njohur për përgatitjen dhe kryerjen e krimeve kundër popullatës serbe dhe hebreje”, tha Gojkoviq, duke theksuar se u ka shkruar përgjegjësve në BE dhe UNDP për këtë çështje.

Shtëpia e politikanit shqiptar nga Mitrovica, Xhafer Deva është bërë çështje gati 44 vjet pas vdekjes së tij. Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë ka dalë kundër këtij restaurimi duke rikujtuar se Deva ka qenë kolaboracionist i nazistëve. Por, restaurimi ka një javë që ka nisur dhe ai mbështetet edhe nga paratë e Bashkimit Evropian, pjesë e të cilit është edhe Gjermania. / KultPlus.com

Hapet konkursi për drejtor të përgjithshëm të RTK-së

Bordi i RTK-së ka shpallur konkursin për drejtor të përgjithshëm të mediumit publik, përcjell KultPlus.

Konkursi do të jetë i hapur deri më 21 shkurt në orën 16:00.

Në konkursin e publikuar në uebfaqen e RTK-së, thuhet se të gjithë të interesuarit duhet t`’i dorëzojnë dokumentet personalisht në Zyrën e Bordit të RTK-së.

Ndërsa, në konkurs thuhet se në bazë të Ligjit për RTK-në, Drejtor i Përgjithshëm nuk mund të emërohet personi, i cili: Mban post publik të zgjedhur (funksionarët publikë), ka qenë deputet, ministër, zyrtar i lartë i pushtetit qendror ose lokal, ose anëtar i forumeve drejtuese të subjekteve politike gjatë tri viteve të fundit, ka interes financiar të drejtpërdrejtë ose indirekt në biznesin e mediave dhe reklamave ose është dënuar pas procesit të rregullt, për vepër penale e cila është e dënueshme mbi gjashtë muaj burg.

Këtu mund ta shkarkoni aplikacionin. / KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës në bashkëpunim me David Peden për ngritjen e nivelit tekniko-artistik të balerinëve

Baleti Kombëtar i Kosovës së fundmi ka filluar bashkëpunimin me pedagogun David Peden, përcjell KultPlus.

Pedagogu Peden do të jetë në Teatrin Kombëtar të Kosovës për 3 javë në kuadër të ngritjes së nivelit tekniko-artistik të balerinëve. / KultPlus.com

Ministrja Nagavci ndau çmimin “Shkencëtar i vitit” për Ibadete Bytyçin dhe “Shkencëtar i ri i vitit” për Fjolla Kaçanikun

Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci sot ka ndarë dy çmimet si: “Shkencëtar i vitit” për Ibadete Bytyçin dhe “Shkencëtar i ri i vitit” për Fjolla Kaçanikun, përcjell KultPlus.

“Këto dy studiuese të dëshmuara me punën e tyre shkencore do të motivojnë shumë studiues e hulumtues të tjerë. Për më tepër, ato janë një dëshmi se gratë në Kosovë, ndër të tjera, janë edhe shkencëtare të zonjat”, ka shkruar ajo.

Më poshtë KultPlus ju sjell postimin e saj të plotë:

Kënaqësi e veçantë që sot ndava çmimin “Shkencëtar i vitit” për znj. Ibadete Bytyçi dhe “Shkencëtar i ri i vitit” për znj. Fjolla Kaçaniku.

Me një biografi të pasur shkencore, këto dy studiuese, janë rekomanduar për këto çmime për vitin 2021 nga Këshilli Shkencor i MAShTI.

• Ibadete Bytyçi është Doktore e shkencave mjekësore/kardiolog. Është anëtare e shumë shoqatave kardiologjike ndërkombëtare, ka 8 mirënjohje në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për arritje profesionale shkencore, 4 libra, në kuadër të tyre janë 3 udhërrëfyes vendor dhe një ndërkombëtar, po ashtu ka 44 punime shkencore dhe 17 punime si autore e parë. Në konferneca shkencore ndërkombëtare është paraqitur me gjithesej 72 abstrakte, prej tyre 42 si autore e parë.

• Fjolla Kaçaniku është Doktore në fushën e shkencave të edukimit. Puna e saj shkencore është prezantuar përmes punimeve të paraqitura në databaza të cilat janë të indeksuara në Scoppus në kuartalin e dytë Q2 dhe Q3, të njohura ndërkombëtarisht si platforma shumë cilësore ku është bërë prezantimi i punës shkencore.

Këto dy studiuese të dëshmuara me punën e tyre shkencore do të motivojnë shumë studiues e hulumtues të tjerë. Për më tepër, ato janë një dëshmi se gratë në Kosovë, ndër të tjera, janë edhe shkencëtare të zonjat.

Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të hapë rrugë për studiuesit duke i avancuar politikat për zhvillimin e shkencës dhe në këtë mënyrë Kosova të jetë një kontribuese e rëndësishme e shkencës në botë!
Urime e suksese! / KultPlus.com

Ministri Çeku: Është ndjenjë e veçantë të shohësh garat e tyre në një prej organizimeve më të mëdha sportive në botë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, sot nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ka përgëzuar punën e skitarëve tonë, Kiana Kryeziut dhe Albin Tahirit, të cilët me paraqitjen e tyre kanë bërë krenarë një popull të tërë, përcjell KultPlus.

“Kiana me paraqitjen e saj na ka bërë krenarë të gjithëve, ndërsa ka hapur dyert që rrugën e saj ta ndjekin edhe shumë vajza të tjera”, ka shkruar ai.

poshtë KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Skitarët tanë sot bënë paraqitjet e para në Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin. Është kënaqësi dhe ndjenjë e veçantë të shohësh garat e tyre në një prej organizimeve më të mëdha sportive në botë.

Kiana Kryeziu, 17 vjeçare u bë vajza e parë garuese nga vendi ynë dhe zuri vendin e 49-të nga 82 garuese. Kurse Albin Tahiri doli në vendin e 35-të nga 43 garues në garën e parë dhe do të vazhdojë me dy gara të tjera.

Kiana me paraqitjen e saj na ka bërë krenarë të gjithëve, ndërsa ka hapur dyert që rrugën e saj ta ndjekin edhe shumë vajza të tjera.

I përgëzoj për punën që kanë bërë deri tash duke e përfaqësuar denjësisht shtetin e Kosovës dhe u uroj shumë suksese më tutje. / KultPlus.com

Kino Armata sjell ‘Kineto’

Kino Armata që nga maji i vitit të kaluar nisi një organizim të komunitetit të entuziastëve të filmit rreth projektit “Kineto”, përcjell KultPlus.

“Kineto” është një klub i mendimit kritik i cili ka për qëllim që përmes shfaqjeve filmike të diskutojë mbi çështjet e zhvillimit shoqëror.

Siç ka njoftuar Kino Armata, ky do të jetë projekt i komunitetit ku mund të anëtarësoheni duke plotësuar formën nga poshtë.

“Anëtarët pastaj do të njoftohen mbi filmin e planifikuar, si dhe datën dhe orën e shfaqjes. Vetëm anëtarët e regjistruar do të kenë mundësi të marrin pjesë në shfaqje filmike. Edhe pse presim që gradualisht komuniteti i krijuar të organizojë mënyrën e funksionimit të KINETO, fillimisht Kino ARMATA do ta drejtojë diskursin kuratorial dhe kritik”, thuhet në njoftim.

Anëtarësimi për KINETO: https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLSc1aC8eIVGP6C0RglO_vgrAp7RiIA24YaV4LpUbqEpcBc52bw/viewform / KultPlus.com

‘Nji nane atje n’Anë t’Malit hise i ka ra me ia qitë syve dheun djalit’

Poezi nga Flutur Mustafa

Nanë e gjamë!

Nji nanë atje dikund
Përcjell zemren e vet n’askund!
Nanë e gjamë!
I kanë pasë thanë.

Nji nane atje n’katund,
I ka ra hise me duru çka as guri s’mund!
Me rrëketë tue i rrjedh pa fund,
Lakmi sot nuk i merr as Buna, ai lum.

Nji nane atje n’Anë t’Malit
Hise i ka ra
Me ia qitë syve dheun djalit
N’kam se nuses tij me ia qendis duvakun e arit.

Nji nanë sot n’Krythë
Durt kah qielli i ka çu
I ka mbyllë sytë,
E me plagën që i asht hapë n’shpirt
I asht drejtu Zotit t’gjithësisë!

Djalin ferishte ta dorëzova Zot, sot!

(Me pikëllim, dedikuar Familjes Duraku, që humbën dje djalin e tyre, në moshën 15 vjeçare.) / KultPlus.com

“Kur prindërit bëjnë tepër për fëmijët, ndodhë që fëmijët të mos bëjnë mjaftueshëm për veten”

Thënie nga Elbert Green Hubbard:

  • Është mirë që të keni aftësi, por çelësi është që të keni aftësinë për të zbuluar aftësitë e të tjerëve.
  • Ujitni vetëm ato vese nga të cilat doni të udhëhiqeni
  • Mos e merrni jetën shumë seriozisht. Nuk do të dilni kurrë gjallë prej saj.
  • Mund ta çosh një fëmijë në kolegj, por kjo nuk e bën dot të mendojë.
  • Mund ta çosh një fëmijë në kolegj, por nuk e bën dot të mendojë.
  • Nëse vuan, falëndero Zotin: Është një shenjë e qartë se je gjallë.
  • Kush di të humbas, është fitues.
  • Mos jep kurrë shpjegime; miqtë e tu nuk kanë nevojë, e armiqtë nuk të besojnë.
  • Më mirë të të gënjejnë sesa të dyshojnë në ty.  
  • Pesimist është ai që ka njohur mirë një optimist.

Elbert Green Hubbard (Qeshor 19, 1856 – Maj 7, 1915) ka qenë themelues i Roycroft Arts and Crafts. Poashtu ka qenë edhe filozof, kritik, eseist. Ka shkruar Little Journeys to the Homes of the Great, një seri e 180 biografive të figurave më me ndikim në letërsi si Charles Dickens, William Shakespeare, Walt Whitman etj. / KultPlus.com

Aktori Samuel L. Jackson do ta pranojë çmim në ‘NAACP Image Awards’

Aktori Samuel L. Jackson, do të nderohet me çmimin “Chairman’s Award”, gjatë edicionit të 53-të të ceremonisë “NAACP Image Awards”.

73-vjeçari do ta pranojë çmimin i cili ka për qëllim t’i nderojë personat që demonstrojnë shërbime publike shembullore dhe përdorin platformat e tyre të veçanta për të krijuar ndryshime në botë.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve “NAACP Image Awards” do të mbahet më 26 shkurt.

Tyler Perry, ish-presidenti Barack Obama, Danny Glover janë disa nga yjet që janë shpërblyer me këtë çmim.

Jackson gjatë karrierës së tij ka luajtur në më shumë se 100 filma.

Aktori i nominuar për “Oscar” pritet të luajë në serialin e ardhshëm të platformës “Apple TV”, me titull “The Last Days of Ptolemy Grey”./ KultPlus.com

Ambasadori gjerman del kundër restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde është shprehur i shqetësuar lidhur me fillimin e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, të cilën Ministria e Kulturës e konsideron si një prej objekteve më të veçanta të trashëgimisë kulturore në Mitrovicë.

“Kjo është kultura e kujtesës në mënyrën e gabuar!”, ka shkruar ambasadori gjerman në Twitter, duke bërë thirrje që të mos shtrembërohet e vërteta lidhur me Holokaustin.

“Shumë i shqetësuar për planet e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, një bashkëpunëtor/protagonist i njohur nazist i SS famëkeq Skënderbeg Div. S’ka zbardhje të historisë! Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas #MbroFaktet”, ka shkruar Rohde.

“Kultura e kujtesës dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore duhet të merren si mundësi për t’u marrë me të kaluarën në një mënyrë të hapur dhe të vërtetë. Ambasada Gjermane është e gatshme të mbështesë çdo qasje të arsyeshme ndaj kulturës së kujtesës në Kosovë”, ka shtuar ambasadori gjerman./ KultPlus.com

‘Jeta e amël me plot’ dëfrim, te ti po ngjallet Prishtinë (VIDEO)

Fillimi i vitit 2020 mori me vete ikonën e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarushën, mirëpo këngët e saj vazhdojnë të dëgjohen e këndohen, pasiqë Pagarusha pas vetes la kryevepra artistike që nuk do të zhduken asnjëherë, shkruan KultPlus.

Kur flitet për Nexhmije Pagarushën, përdoren në një frymë shumë epitete si, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epitete të tjera.

Repertori i saj interpretues është tejet i gjerë dhe i larmishëm. Veçohen këngët “Ani mori nuse”, “Kur më del në derë”, “Metelikun ta kam fal”, “Po të pres te dega e fikut”, “Mora testin”, “Kënga e Rexhës” etj.

Mirëpo, sonte KultPlus ju sjell një këngë të Nexhmije Pagarushës, që edhe pse nuk është ndër të njohurat e saj, është një këngë e fuqishme që i flet me një dashuri të madhe qytetit të Prishtinës.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.

Tash kur natyra ka lulëzu
Qyteti im asht zbukuru
Jeta e amël me plot dëfrim
Te ti po ngjallet Prishtinë.

Të du të du qyteti im
Të du unë si nana fmin’
Të du të du qyteti im
Të adhuroj o Prishtinë.

Qyteti im je plot gjallni
Me vasha t’bukra djem te ri
Gjithçka te ti është plot hijeshi
Se ti po rrit nji brez t’ri. / KultPlus.com

“Epikë”, albumi i katërt i Naser Berishës do të promovohet në KultPlus Caffe Gallery

Këngëtari i njohur Naser Berisha do të promovojë albumin e katërt “Epikë”, album që vjen pas 16 vjetëve pas publikimit të albumit të tretë. Promovimi i albumit do të bëhet më 10 shkurt, prej orës 19:00 në KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.

Përgjatë kësaj mbrëmje keni rastin të dëgjoni këngë që Naser Berisha ka punuar që nga janari i vitit të kaluar, dhe përgjatë kësaj periudhe ka realizuar gjithsejtë tetë këngë.

Në këtë album “Epikë”, katër këngë janë në autorësi të Naser Berishës, katër tekste, katër orkestrime, si dhe bashkautorë në dy këngë, në muzikë dhe tekst.

Si producent muzikor dhe audio inxhinier në Mix dhe Master i këtij albumi, Naser Berisha përpos tetë këngëve të reja, ka përfshirë edhe si bonus track dy hitet e pa vdekshme „Do te doja“ dhe „A me kujton“, këngë të riregjistruara përgjatë vitit 2021, në versionin akustik.

Këngët e këtij albumi sjellin si tematikë dashurinë, sikurse që ka të përfshirë edhe një këngë-dedikim për nënën e tij, me rastin e 30-të vjetorit të vdekjes së saj, pastaj një këngë për jetën e pa brenga të fëmijërisë.

Albumi “Epikë” ka marr titullin nga kënga e katërt e këtij albumi, ku muzikën e ka realizuar Naser Berisha, orkestrimin Florent Boshnjaku, Valon Gashi në kitarë, kurse kjo këngë është realizuar me tekst të Rexhep Selimit, njërit prej themeluesve të UÇK-së, i cili këtë tekst e ka shkruar gjatë kohës së luftës, dedikim për dashurinë e tij, që e takoi në ditët e vështira të asaj kohë.

Përgjatë mbrëmjes do të ketë bashkëbisedim, muzikë dhe nënshkrim të autografeve në albumet që Naser Berisha do ti dhurojë për të gjithë të pranishmit.

Përpos të ftuarve, në këtë mbrëmje mund të futen edhe dhjetë persona që arrijnë të vijnë të parët. Ky vendim ka ardhë si rezultat i masave kufizuese Covid 19./ KultPlus.com  

Presidenti i Maqedonisë e shoqëron në shkollë Ëmblën që u diskriminua për shkak të Down Syndrome (VIDEO)

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, e ka shoqëruar sot në shkollë Ëmbla Ademin, nxënësen me Sindromën Down, e cila e kishte e ndërprerë mësimin pasi prindërit e nxënësve që ishin në klasën e saj kishin bërë peticion që Ëmbla të largohet nga klasa.

Në videon e publikuar nga mediat maqedonase shihet se Pendarovski ka shkuar deri te banesa ku banon Ëmbla, dhe bashkë kanë shkuar në shkollën e saj.

Ndryshe, para katër ditësh Ëmbla i është kthyer sërish procesit mësimor. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Arsimit në Maqedoninë e Veriut, Jeton Shaqi, raporton gazeta express.

“Për kënaqësinë time personale dhe akoma më shumë për kënaqësinë e familjarëve të saj dhe mbi të gjitha për kënaqësinë e saj, sot ajo është sërish mes shokëve të klasës dhe jashtëzakonisht e lumtur që vazhdon të marrë njohuri të reja, të përparojë dhe të krijojë miqësi me bashkëmoshatarët e saj”, ka shkruar ministri Shaqiri në Facebook.

Rastin e Ëbmlës e ka bërë publik babai i saj, Ilir Ademi, i cili pati publikuar në Facebook një foto të saj, ku shihej e vetme në klasë.

Sipas tij, arsye pse ajo gjendet e vetme në klasë është se prindërit nuk i kanë lejuar fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë për shkak të vajzës së tij që është me Syndrome Down.

“Sot filloi gjysmëvjetori i dytë për të gjithë fëmijët, nxënësit dhe moshatarët e vajzës time Ëmblën, vetëm Ëmbla jonë nuk e gëzoi këtë ditë sepse dikush ia ndalë këtë ndjesi, që mos të filloj me moshatarët e vet….derisa të gjithë gëzohen se fëmijët e tyre nisën gjysëmvjetorin e dytë, na si prindër të Ëmblës e mendojm kur do të filloj gjysëmvjetori i dytë për Ëmblën pasi që u bojkotua në gjysëmvjetorin e parë nga prindërit ( nënat) e moshatarëve të Ëmblës…me hajër na qoftë”, ka shkruar ai./ KultPlus.com

Ekzistojnë dy burra në botë

Poezi nga Tove Ditlevsen
Përktheu në shqip Juljana Mehmeti

Ekzistojnë dy burra në botë,
që vazhdimisht rrugën time kryqëzojnë,
njëri është ai që dua,
tjetri ai që më do.

Njëri është ëndërr e natës
dhe jeton në mendjen time të errët,
tjetri është në portën e zemrës,
të cilën unë kurrë nuk ia hap.

Njëri më dha një puhizë pranverore
lumturi që zhdukej menjëherë,
tjetri më dha tërë jetën e tij
dhe kurrë s’u shpërblye as për një orë të vetme.

Njëri fërgëllon nga kënga e gjakut
ku dashuria është e pastër dhe e lirë,
tjetri ka të bëjë me ditën e trishtë
në të cilën të gjitha ëndrrat mbyten.

Ç’do grua qëndron midis këtyre të dyve,
e dashuruar, e dashur dhe e dlirë …
një herë në njëqind vjet mund të ndodhë
të shkrihen të dy në një./ KultPlus.com

Presidentja Osmani takohet me tri kadetet që studiuan në fushën e sigurisë në ShBA e Turqi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim tri kadetet e FSK-së të cilat studiuan në fushën e sigurisë në SHBA dhe Turqi, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në Facebook, presidentja Osmani thotë se Liridona Jashari- Baftjari, Arbenita Grezda dhe Jeta Berisha, janë modeli që duhet ndjekur vajzat dhe gratë tona.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të presidentes Osmani:

Kënaqësi dhe krenari e jashtëzakonshme takimi me tri kadetet e FSK-së, të cilat na e zbardhën fytyrën, me suksesin e treguar gjatë studimeve në fushën e sigurisë  në SHBA dhe Turqi.

Liridona Jashari- Baftjari, Arbenita Grezda dhe Jeta Berisha, janë modeli që duhet ndjekur vajzat dhe gratë tona.

Kosova ka nevojë për sa më shumë vajza  e gra të përfshira në sektorin e sigurisë, prandaj mora konfirmimin e Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, për përkrahjen e tyre të vazhdueshme. Sa më të suksesshme ato, më shumë siguri për ne dhe më mirë për imazhin e shtetit!./ KultPlus.com

Liza Vorfi në shtypin gjerman të vitit 1938

Kur më 26 shtator 1946, në teatrin e porsakrijuar të Kosovës, në Prizren, u shfaq premiera e komedisë “E dashura”, nga Vessel Borzhak, në rolet kryesore interpretonin mjeshtërisht: Liza Vorfi, Mihal Popi, Hysen Pelinku, Behije Çela, etj.

Aktorja e mirënjohur e skenës dhe ekranit, Liza Vorfi, ka qenë shqiptarja e parë që ka dalë në kopertinën e revistës gjermane “Die Voche” në tetor 1938, në kulmin e nazizmit në Gjermani dhe ky ishte një sukses për artisten e re. Asokohe, Liza kishte nisur rrugën e artit, si këngëtare.

Më herët, në vitin 1933 e regjistrojnë në Institutin femëror “Nana Mretneshë” në Tiranë, ku dhe vazhdoi mësimet deri në vitin 1940. Gjatë viteve në institut, tek Liza spikat edhe prirja për pikturë.

Mësuesja e lëndës e inkurajonte dhe e nxiste të merrej me pikturë. Por, Liza, më për zemër pati këngën dhe baletin… Ishte 16-vjeçe, kur është shfaqur në këtë fotografi të hershme. Pak javë më vonë, më 28.11.1938, ditën e përurimit të radios, në prag të pushtimit të Shqipërisë nga Italia, këndon për herë të parë në mikrofonin e Radio-Tiranës. (Në sallën e Bashkisë së Tiranës, pajisjet dhe mikrofonët ishin sjellë nga Italia).

Si një ndër këngëtaret e para, ajo ka kënduar për herë të parë në radio, këngën “Si dukat i vogël” – një këngë e moçme dhe e preferuar kosovare. Por për popullin, ajo u quajt si “kënga e Liza Vorfit”.

Aktorja e mirënjohur u lind në Gjakovë, më 29 nëntor të vitit 1924, ndërsa u nda nga jeta në Tiranë, më 30 janar 2011. Në vitin 1932 familja e saj shpërngulet në Tiranë. Aktivitetin artistik e ka filluar qysh në vitin 1939, si këngëtare në Radio – Tirana. Gjatë viteve 1939-1943 vazhdoi studimet në Itali, në konservatorin e Romës e më pas, në Pizaro. Në vitin 1945 ka ardhur në teatër si aktore. Rolin e parë e interpreton ne pjesën” Gjido”. Gjate karrierës ka realizuar mbi 60 role, si: Elmira te ”Tartufi”, Dezdemona tek ”Otello”, Dorina në ”Borgjezi fisnik”, Beatriçja te ”Shërbëtori i dy zotnive”, Dona Luçia në ”Karnavalet e Korçës”, Marta te ”Cuca e maleve”, Mara te ”Përmbytja e madhe” etj. Ka interpretuar me sukses edhe në kinema.

(Fotografia e Liza Vorfit, në kopertinën e revistës gjermane “Die Voche”, i përket tetorit të vitit 1938)./ KultPlus.com

Kur Nexhmije Pagarusha këndonte ‘Këngën e Rexhës’

“Kënga e Rexhës” është këngë epike e kënduar nga e madhja Nexhmije Pagarusha.

Ngjarja tragjike, ka ndodhë në fshatin Stubëll , afër Medvegjës – rrethi i Jabllanicës .

Rexha, kur i kishte vetëm dy vjet jetë, i kishte vdekur babai i tij dhe e kishte lënë jetimë nën përkujdesjen e nënës, e cila si nuse e re, ngeli e vejë pa më të dashurin e saj.

Sipas traditave dhe zakoneve të vjetra, Nëna e Rexhës me qëllim që ta ruaj djalin që të mos mbetet jetimë pa baba dhe pa nënë, kishte pranua që të martohej për kunatin e saj, përkatësisht mixhën e Rexhës.

Mixha i Rexhës, ishte kujdesur për ta rritur nipin e vet – Rexhën, deri sa u bë për martesë. Pastaj edhe e fejoi dhe vendosi që ta martojë Rexhën me dasmë dhe krushqi , sipas zakoneve dhe traditave tona.

Ditën e Dasmës së martesës së Rexhës, xhaxhait të tij, emri i të cilit nuk përmendet në këngë, i kishte hipë në kokë një mërzi e madhe, nga se mendonte se tash po sa të martohet Rexha, do të ndahet prej tij dhe do t’ia merrte gjysmën e pasurisë së patundshme, e cila edhe me ligj do t’i takonte nga trashëgimia e babait të tij të ndjerë!

Për këtë qëllim ai e mashtroi Rexhën dhe e qoi tek stalla e kuajve të dasmorëve, gjoja për t’iu qitur ushqim kuajve dhe atje e vrau tinëzisht mu në grazhd të kalit./ KultPlus.com

Delegatët që morën pjesë në Kongresin e Dytë të Manastirit

Kongresi i Dytë i Manastirit vendosi njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe vetëm me gërma latine, që e përdorim edhe tani. [Kongresi i Dytë (2-3 prill 1910) “përfundimisht e vendosi alfabetin latin për gjuhën shqipe”.

Citim, Gazeta “Bashkimi” e Shkodrës, nr. 16 i datës 17. IV.1910]. Foto historike e anëtarëve të kongresit. Petro Nini Luarasi, rreshti i dytë, në qendër, i gjashti nga e majta, sekretar i Kongresit. Këta delegatët e Kongresit të Dytë të Manastirit (1910) janë ata trima atdhetarë që përtej ndasive, për hir të unitetit kombëtar, vendosen Unifikimin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, me germa latine:

1.Abdullah Rushiti
2.Ali Zaimi
3. Bedri Pejani, Kryetar i Kongresit
4.Bejtulla Gjilani
5.Ferit Ypi Starja, Sekretar
6.Fehim Zavalani
7.Gani bej Bungu
8.Hajdar Blloshmi
9.Hysni Curri,
10.Ibrahim Naxhi Spahiu (pseudonim Dervish Hima)
11. Ibrahim Jegeni
12.Jonus Hilmi Dibra
13. Petro Nini Luarasi, Sekretar i Kongresi
14.Qamil Bala -Shkupi
15.Qazim Ilias Dibra
16. Rexhep Mitrovica
17.Rifat Zavalan
18.Sabit Beu nga Vushtrria
19.Salih Gjukë Dukagjini
20.Shefik Efendia i Korçës
21.Shyqyri Ramadani nga Prishtina
22.Tefik Panariti
23.Themistokli Gërmenji
24. Xhafer Ypi-Kolonja
25. Xheladin Ohri
Delegatë të fshehtë:
26.Gjergj Qiriazi
27.Telemak Gërmenji

(Listë e hartuar nga Skënder Petro Luarasi)

Letra që Saranda Bogujevci ia dërgoi gjyshës në shtator të vitit 2004 teksa po mësohej me jetën në Mançester

Uniformat e lezetshme të shkollës, ditët e ngrohta të Mançesterit dhe salla e refugjatëve, formojnë impresionet e hershme të një jetimeje të shpëtuar nga Kosova. Fragmente këto të shkëputura nga letrat që ajo dërgoi në shtëpi.

Saranda Bogujevci, 22 vjeçare, gëzoi ikjen më të mrekullueshme nga paramilitarët serb, të cilët shpuan trupin e saj me 16 plumba, në masakrën që ndodhi në kopshtin e shtëpisë së saj, në një fshat në Podujevë, më 28 Mars të vitit 1999. Gjashtë anëtarë të familjes së saj u vranë, përfshirë këtu nënën dhe vëllain e saj.

Saranda la gjakderdhjet prapa saj në Prishtinë dhe u vendos në Mançester, ku u shërua nga plagët që kishte marrë. Por tmerri i vrasjes së familjes së saj ende e ndjek atë dhe pas disa vitesh kur ajo u kthye prapë në rajon për të dëshmuar kundër vrasësve.

Më poshtë gjeni letrën që ajo i shkroi gjyshes së saj në mars të vitit 2004, ndërsa po mësohej me ambientin e ri në veri-lindje të Anglisë.

SHTATOR 2004

E dashura gjyshe. Sapo u ktheva nga qyteti, ku u takova me një shoqe. Ajo është si unë. Edhe ajo e ka familjen nga një vend tjetër dhe plotësisht e kupton se çka do të thotë të kesh në jetën tënde dy kultura, të kesh një këmbë në Mançester dhe një këmbë në një vend tjetër. Ajo është shumë e qetë dhe nuk më gjykon fare.

Përveç Claire, unë po zë shoqëri edhe me të tjerët. Është qesharake, sepse kur u ktheva në shtëpi këtë verë dhe u mundova të shoqërohem me shokët dhe shoqet e mija që kam pasur, ishte edhe më vështirë nga ç’e prisja. Shumica prej tyre janë martuar, apo kanë shkuar nëpër vende të tjera. Supozoj se të gjithë jemi ndarë. Ne nuk jemi të njëjtit njerëz siç ishim në shkollën fillore.

Po ashtu, ka edhe gjëra të tjera të mira në Mançester. Unë kam filluar të merrem me shumë aktivitete të tjera. Teatri lokal, Royal Exchange, ka mbledhur refugjatë që aktrojnë dhe ne po përgatisim një shfaqje për një studio teatri. Kam mësuar shumë nga roli. Shumica prej nesh nuk kishim aktruar më parë dhe kjo na ofroi më shumë me njëri-tjetrin. Shfaqja që ne përgatitëm është quajtur Ballë për Ballë – dashuria në Britaninë e Madhe dhe e tëra ka lidhje me marrëdhëniet. Të bën shumë për të qeshur. Sa do të kisha dëshirë që ti t’a shihje. Me dashuri, Saranda./ KultPlus.com

‘Kur një ditë të kthehesh ti dhe e kupton se je fajtor’ (VIDEO)

Sot shënohet 2-vjetori i vdekjes së Bilbilit të Kosovës, Nexhmije Pagarusha.

Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Gjermani, Izrael, Bosnje e plot shtete tjera. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.

Ajo u nda nga jeta një vit më parë duke e lënë pas vetës një grumbull këngësh që janë dëgjuar e vazhdojnë të dëgjohen me ëndje edhe në ditët e sotme.

Kultplus ua sjell tekstin e këngës “Kur Një Ditë Të Kthehesh Ti” të kënduar nga Nexhmije Pagarusha dhe Ardit Gjebrea.

Fjalët tua aq të rrejshme,
qenë të vrazhda për me zgju dashninë time,
As qe ditën mem ngushllue,
as në çastet kur për ty unë sytë i meksha

Fjalët tua aq të vrazhda
s`qenë në gjendje me pajtue zemrën time
ishin vetëm sytë e tue asgjë tjetër nuk na lidhte

ref…

Kur një ditë të kthehesh ti,
i përbuzur nga të gjithë,
dhe dëshiron ta kesh pranë ndokënd afër vetit
Mos kerko strehim te unë
se ngrohtësia në shpirtin tim
ka shumë kohë që fluturon për ty në amshim

Kur një ditë të kthehesh ti
dhe e kupton se je fajtor
se unë ende po jetoj pa fat dhe dashni
dhe çkado qe tash premton
është shumë vonë për shpresën tone
për urrejtje dhe dashni për ne të dy

Çdo mesnate unë të shoh në andërr
gjoja se po fle pranë meje si dikur
Çdo mesnatë me zgjon kujtimi
se më lodhi dashuria me këto andrea
Qdo mesnatë un të shoh ne andërr
si largohesh ti i heshtur pa buzëqeshje

Fjalët e fundit janë për ty
sytë e mi janë tuj lotu

ref…

Kur një ditë të kthehesh ti,
i përbuzur nga të gjithë,
dhe dëshiron ta kesh pranë ndokënd afër vetit
Mos kerko strehim te unë
se ngrohtësia në shpirtin tim
ka shumë kohë që fluturon për ty në amshim

Kur një ditë të kthehesh ti
dhe e kupton se je fajtor
se unë ende po jetoj pa fat dhe dashni
dhe çkado qe tash premton
është shumë vonë për shpresën tone
për urrejtje dhe dashni për ne të dy./ KultPlus.com

Albin Tahiri shënon rezultatin më të mirë të tij në Lojërat Olimpike Dimërore

Albin Tahiri ka garuar sot në disiplinën e lëshimit në skijimin alpin të Lojërave Olimpike Dimërore ‘Pekini 2022’, përcjell KultPlus.

Skitari kosovar përfundoi në vendin e 35-të nga 43 garues, pozita e tij më e mirë në Lojërat Olimpike Dimërore.

Tahiri pati kohën 1 minutë, 52.44 sekonda.

Tahiri do të garojë edhe në disiplinat e kombinimit alpin, sllallomit dhe sllallomit të madh./ KultPlus.com

Kiana Kryeziu debuton në Lojërat Olimpike Dimërore, renditet e 49-ta

Kiana Kryeziu ka debutuar në Lojërat Olimpike Dimërore ‘Pekini 2022’. Skitarja kosovare ka përfunduar garën e parë në disiplinën e sllallomit të madh, përcjell KultPlus.

Në një konkurencë të fortë, ajo u rendit e 49-ta nga 82 pjesëmarrëse, me kohë 1 minutë, 18.78 sekonda.

Kiana po e shkruan historinë, si vajza e parë nga Kosova që garon në Lojërat Olimpike Dimërore.

17-vjeçarja do të vazhdojë në garën e dytë, që me kohën tonë lokale nis në ora 7:30./ KultPlus.com

Qerim Haxhiu, një erudit shqiptar në Egjipt

Djali i patriotit të njohur shqiptar Bajram bej Haxhiu i cili ishte një nga anëtarët e Komisionit Nismëtar të Thirrjes dhe Organizimit të Kongresit të Lushnjës dhe i vëllai i legjendës së sportit shqiptar Abdurrahman Roza Haxhiu, Qerim Haxhiu lindi në Lushnjë më 7 shkurt 1920.

Shkollën fillore e kreu në Lushnje ndërsa shkollën e mesme e kreu në Medresenë e Tiranës dhe studimet e larta i vazhdoi për teologji (shkenca islame) në universitetin “Al-Azhar” në Kairo, Egjypt.

Ai në vitet ‘30 u aktivizua si futbollist me ekipin e futbollit ‘Kongresi i Lushnjes’ i qytetit të Lushnjës. Qerimi ishte një nga futbollistët e gjeneratës së parë të ekipit lushnjar dhe i pari që nisi “rrugën” e gjatë të mbiemrit që bëri histori në sportin lushnjar dhe atë shqiptarë “Haxhiu”.

Në vjeshtën e vitit 1938 Qerimi u nis nga Lushnja me tranzit në Selanik dhe mbërriti në Aleksandri. Kjo rrugë e gjatë për Qerimin ishte e paharruar për faktin se për të ishte rrugë pa kthim mbrapa në atdhe gjerë sa ndërroi jetë por në vitin 1967 arriti të merrte një leje për vizitë në atdhe.

Patrioti Qerim Haxhiu fizikisht ishte në Egjipt, por me shpirt e zemër ishte gjithmonë në Shqipërinë Etnike. Ai botonte gjithnjë artikuj për atdheun Shqipërinë dhe çështjen kombëtare në gazeta, revista të Diasporës shqiptare të Egjiptit gjithashtu ka shkruar dhe poezi nga më të ndryshmet. Haxhiu ka qenë nismëtar i shumë organizimeve si dhe hartues i disa memorandumeve, peticioneve të gjitha këto për çështjen kombëtare Shqiptare. Në 7 prill 1939 kundër okupimit të Shqipërisë nga Italia fashiste Qerimi hartoi një peticion si dhe ishte njëri prej studentëve shqiptarë organizator të protestave në Kairo. Në vitin 1958 Tito do të vizitonte Naserin në Egjypt dhe këtij të fundit Qerimi i nisi një memorandum rreth 20 faqe për gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi. Në përmbajtjen e Memorandumit  jepeshin të dhëna mbi golgothën e shqiptarëve në Jugosllavi dhe shpjegohej se myslimanë nuk jetojnë vetëm në Bosnje, por edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e gjetiu dhe se ata me kombësi janë shqiptarë. Memorandumi megjithëse iu drejtua Naserit nuk u protokollua në zyrat e Institucionit të Presidentit të Egjiptit por memorandumi u dorëzua në Ambasadën Jugosllave. Kjo bëri që atdhetari Qerim Haxhiu të arrestohej, gjithmonë përkohësisht kur Tito do të vizitonte Egjiptin.

Në 9 korrik 1941 Qerimi do të shkruante poezinë  “Teqeja Magauri” kushtuar teqesë bektashiane shqiptare në Kairo të Egjiptit e cila u kthye në një “shtëpi” për shqiptarët atje pas pushtimit të Shqipërisë nga italia fashiste. Haxhiu ishte ndër personalitetet e njohur shqiptare që emigruan në Egjipt, ishte atdhetar i paepur për çështjen kombëtare shqiptare në Koloninë e Shqiptarëve të Egjiptit dhe gjithë jetën dhe veprimtarinë patriotike ia kushtoi atdheut, Shqipërisë,  Kosovës, shqiptarëve të Malit te Zi, Maqedonisë dhe Çamërisë. Ai ishte antikomunist i flakët, demokratë dhe nacionalist i madh.

Në 21 vjetorin e ndarjes nga jeta të Andon Zako Çajupit (11 korrik 1930-11 korrik 1951), mbajti një fjalim mbi jetën dhe veprën e tij, gjatë homazheve që zhvilluan atdhetarët e kolonisë shqiptare të Egjiptit, në varrin e Andon Zako Çajupit në Egjipt. Nga të gjithë veprimtarët e Kolonisë Shqiptare të Egjiptit Qerim Haxhiu ishte i vetmi që shkruajti një përmbledhje (histori) për Diasporën shqiptare të Egjiptit qe i duhej Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” në Amerikë.

Qerimi edhe në Egjipt gjatë gjithë jetës qëndroi pranë shqiptarëve dhe për këtë është shprehur: – “ Unë kudo që të shkoj, kërkoj shqiptarë, sepse pa ta dita nuk më shkon”. Qerimi ka takuar edhe Mbretin e Egjiptit me origjinë shqiptare Faruk njëherë në një iftar që mbreti organizoi për studentët dhe njëherë tjetër në Bashkësinë Shqiptare. Ai në Kairo ka takuar edhe personalitete të rëndësishëm shqiptarë ndër të cilët janë: Mbreti Zog I dhe Familja Mbretërore Shqiptare (Mbretëreshën Geraldina,  Princin Leka I, Skënder Zogu), Ernest Koliqi, Abaz Kupi, Nexhmedin Qorraliu, Qemal Butka, Aleksandër Meksi, etj. Gjatë qëndrimit të Familjes Mbretërore Shqiptare në Aleksandri, Qerimi mbajti lidhje miqësore dhe kjo ishte vazhdimësi e një miqësie të vjetër që fillesat i ka në 1920 në Kongresin e Lushnjes e babait të Qerimit nismëtarit të Kongresit Bajram Haxhiu me delegatin e Matit Ahmet Zogun. Haxhiu e vizitonte shpesh Familjen Mbretërore Shqiptare në residencën e saj në Aleksandri. Gjithashtu gjatë stinës së verës Qerimi qëndronte në residencën e Familjes Mbretërore Shqiptare, ku i mësonte dhe gjuhën arabe (lexim dhe shkrim) mbesave të Mbretit Zog. Qerimi kishte miqësi edhe me Abaz Kupin dhe me djalin e tij që ishin moshatarë dhe shokë të ngushtë. Haxhiu ka kontribuar vullnetarisht në mësimin e gjuhës shqipe tek fëmijët e Shqiptarëve në Kairo. Gjithashtu ai ka dhënë edhe leksione 3 herë në javë për studentët shqiptarë në Liceun e Kairos. Në vitin 1967 gati pas 3 dekadash u nis me anë të një vize (pasi kapërceu pengesa të shumta burokratike të regjimi diktatorial komunist) për të vizituar për herë të parë atdheun Shqipërinë që pas vajtjes me studime në Egjipt në 1938. Kjo do të ishte vizita e parë dhe e fundit në atdhe, ndaj dhe e kujtoi gjatë gjithë jetës së tij aktivisti i shquar për çështjen kombëtare shqiptare Qerim Haxhiu. Një moment prekës të kësaj vizite atdhetari nuk e harroi asnjëherë për të cilin ka treguar se: – “ Nga Tirana deri në Lushnje nuk kam pushuar së qari. Kur arrita në Lushnje oborri i shtëpisë ishte mbushur me njerëz. U takova me të gjithë me shumë mall. Kur hyra në dhomë në të cilën po rrinte babai (Bajram Haxhiu),ai posa më pa thirri: Qerim! Dhe i ra të fikët! Nuk kishte faj ngase njëzet e nëntë vjet nuk më kishte parë! Këto janë përshtypjet e kësaj dite që nuk do t’i harroj kurrë ”.

Qerim Haxhiu ishte i martuar me znj.Shukrane me origjine nga Prishtina por me vendbanim në Kairo, vajza e Dr.Shyqyri Çupishti i cili ishte kirurg dhe Drejtor në Spitalin e Vlorës në vitet 1933-1935.Qerimi ka lënë dy fëmijë nje djalë dhe një vajzë. Djali Iliri me profesion Farmacist dhe punon në fabrikën e ilaçeve në Stamboll të Turqisë ndërsa vajza Dhurata, Doktore e Shkencave të Kimisë, Profesoreshë në Universitetin Koç të Turqisë. Iliri i ndoqi studimet në Universitetin e Kairos ndërsa Dhurata në atë Amerikan. Femijët e Qerimit jo vetëm gjuhën shqipe që ua mësoi i ati dhe që e flasin qartë dhe rrjedhshëm,por ata njohin edhe disa gjuhë të huaja.

Shtëpia e patriotit Qerim Haxhiu në Egjipt ishte një mjedis totalisht shqiptarë në tokë të huaj. Biblioteka e Qerim Haxhiu-t ishte burim dijesh dhe e njohur nga të gjithë ata të cilët (kryesisht studentët shqiptarë me studime në Kairo, me origjinë nga Shqipëria, Kosova, shqiptarë të Malit te Zi, Maqedonisë dhe Çamërisë) që kishin vizituar patriotin dhe kishin lexuar libra nga biblioteka e tij apo edhe ishin këshilluar me të për cështjet atdhetare. Biblioteka përbëhej nga një literaturë e çdo lloji dhe e zgjedhur në disa gjuhë si:shqip, turqisht, italisht, anglisht, frëngjisht, etj. Librat kryesorë në bibliotekën e atdhetarit të shquar Haxhiu ishin ata që tregonin për historinë e Shqipërisë dhe për çështjen kombëtare shqiptare. Në disa prej rafteve të Bibliotekës së madhe të Qerimit qëndronin pothuajse të gjithë librat e shkruar nga autori i preferuar i tij i cili ishte “Homeri Shqiptar” Gjergj Fishta. Librat e Fishtës e kthenin shpesh herë me mëndje e zemër në atdhe por pa harruar edhe një nga pikturat e veçanta për të ajo e Guri Madhi-t që pasqyronte atdheun që Qerim aq shumë e donte dhe kishte kontribuar pamasë për çështjen kombëtare shqiptare.

Qerim Haxhiu me pak fjalë ishte erudit por që nuk arriti dot të jepte kontributin e tij në Shqipëri sepse në atë kohë regjimi diktatorial-komunist personaliteteve intelektuale të arsimuar jashtë si atdhetari Qerim Haxhiu nuk ia hapi “derën” për të kontribuar në atdhe, në Shqipëri. Megjithatë ai e vazhdoi në Egjipt veprimtarinë e tij patriotike me kontributin e madh për çështjen kombëtare shqiptare. Emri Qerim Haxhiu është shënuar me shkronja të arta në historinë e Kolonisë Shqiptare të Egjiptit. Ai ishte Rilindasi i Fundit në Koloninë e Shqiptarëve të Egjiptit.

Qerim Haxhiu u nda nga jeta më 1 Janar të vitit 2003.Për Qerim Haxhiu-n janë shkruar disa faqe në librin “Shqiptarët e Egjiptit”- Autor, Emin Azemi, Shkëlzen Halimi-Botuar,Logos-A, 1993 Shkup. Në Gazetën Illyria,1209, 21-23 Janar 2003 është botuar një artikull nga Prof.Beqir Ismaili me titull “U largua nga kjo jetë edhe një veprimtar i diasporës shqiptare:Qerim Haxhiu (1920-2003)”.Në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Roli i Mërgatës në Shtetformim”,Prizren,10-13 qershor 2012 e organizuar nga Ministria e Diasporës Kosovë me rastin e 100-vjetorit të Shtetit Shqiptar është publikuar një shkrim për atdhetarin e madh Qerim Haxhiu.Në vitin e 100 vjetorit të lindjes së atdhetarit (1920-2020),Këshilli Bashkiak Lushnje me Vendimin me Nr.67 Datë 28/07/2020 vendosi të vlerësojë me titullin “QYTETAR NDERI I LUSHNJES” Z.Qerim Haxhiu (pas vdekjes) me motivacionin:-“Bir i një familjeje shumë të njohur lushnjare,   zoti QERIM HAXHIU mbetet një atdhetar i madh midis diasporës shqiptare në botë.Në Egjiptin e largët, ku jetoi e punoi ,për gati 60 vite ai krijoi një Lushnje e Shqipëri të vogël, bëri gjithçka për mësimin dhe përhapjen e gjuhës sonë të lashtë dhe lartësoi vlerat e bukura morale e kulturore të vendit tonë”. / diasporashqiptare.al / KultPlus.com