Me anë të një komunikate dërguar mediave SBASHK-u deklaron se nesër shkollat nuk punojnë dhe punëtorët e arsimit do të dalin në protestë.
Në këtë komunikatë theksohet se vendimi për protestë është marrë mbrëmë nga një takim i mbajtur me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të Universiteteve.
Gjithashtu lutet Qeveria që të reflektojë, në të kundërtën SBASHK deklaron se do të shkojë drejt veprimeve edhe më radikale.
Njoftimi i plotë i tyre:
Duke u bazuar në vendimin e federatave sindikale në kuadër të BSPK-së, në orët e mbrëmjes së të mërkurës është mbajtur takim i jashtëzakonshëm i SBASHK-ut me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të Universiteteve. Pas një debati konstruktiv është rikonfirmuar se në protestën e thirrur më 20 maj nga BSPK-ja e bazuar në zërin e anëtarësisë do të marrin pjesë në mënyrë masive edhe të punësuarit në sektorin e arsimit. Duke u bazuar në këtë pjesëmarrësit në takimin e jashtëzakonshëm të SBASHK-ut kanë sjellë vendim që të premten shkollat nuk punojnë sepse punëtorët arsimorë me kohë do të nisen nga vendbanimet e tyre për t’u bërë pjesë e protestës.
SBASHK-u shpreh keqardhje për gjendjen e krijuar e cila është pasojë e mungesës së gatishmërisë së Qeverisë për dialog dhe për angazhim në zgjidhjen e kërkesave legjitime të punëtorëve në arsim, që nga çerdhet e deri në Universitete e kulturë, por edhe në sektorët tjetër. Përfaqësuesit e Këshillave të prindërve i ftojmë të jenë pjesë e protestës sonë me qëllim që të forcohet zëri i përbashkët drejtuar Qeverisë që të dialogojë me sindikatat dhe të angazhohet për zgjedhjen e kërkesave të tyre legjitime. Po ashtu apelojmë të prindërit që për hir të sigurisë së fëmijëve të tyre nesër mos t’i nisin për në shkollë sepse shkollat janë pa personelin arsimor , të cilët pa fajin e tyre janë të detyruar të protestojnë në përpjekje për realizimin e kërkesave të tyre . Në këtë protestë do të jenë edhe anëtarësia e SBASHK-ut nga të gjitha Universitetet e Kosovës, kurse nga anëtarësia jonë në çerdhe kërkojmë mirëkuptim në mënyrë që puna atje të mos ndalet nesër, por përfaqësues nga këto institucione të marrin pjesë në protestë pa e cenuar rrjedhën e procesit të punës në çerdhe.
Të lutemi bashkë që Qeveria të reflektojë dhe të mos kemi arsye të shkojmë drejt veprimeve edhe më radikale. / KultPlus.com
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, Instituti Albanologjik – Prishtinë dhe Akademia e Studimeve Albanologjike – Tiranë, vazhdojnë realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në kuadër të strategjisë së re për zhvillimin e shkencave albanologjike. Tri qendrat albanologjike, përuruan librin e fundit të ilirologut të njohur Aleksandar Stipçeviç “Kultura tradicionale e arbëneshëve të Zarës”.
Në vitin 2011, Stipçeviç botoi veprën monumentale “Tradicijska kultura zadarskih Arbanasa”, një kontribut i madh shkencor për arbëreshët e Zarës së Kroacisë. Libri u përkthye nga kroatishtja në gjuhën shqipe nga Sadri Fetiu, dhe u botua në vitin 2012 nga Instituti Albanologjik i Prishtinës. Ky botim zgjoi interesimin e madh të lexuesve dhe të studiuesve të shumë qendrave shkencore, dhe si rezultat i këtij interesimi dhe bashkëpunimi ndërinstitucional, libri u promovua edhe në Shkup.
Në fjalën përshëndetëse, Skender Asani, drejtor i ITShKSh në Shkup, foli për konkretizimin e bashkëpunimit ndërmjet tre instituteve, por edhe për rëndësinë e prezantimit në Shkup të kësaj vepre të ilirologut të njohur Stipçeviç, i cili ka dhënë kontribut të çmuar në ruajtjen e gjurmëve të qytetërimit iliro-arbëror të Shkupit.
Manifestimin e përshëndeti drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Ylber Sela.
Prof.Luan Përzhita, arkeolog dhe studiues, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike – Tiranë, referoi mbi temën: “Monumente iliro-arbërore nga vendlindja e Stipçeviçit (në rajonin Krajë-Tivar)”.
Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, në këtë rast botues, por edhe studiues, ligjëroi mbi temën: “Modeli stipqeviçian i studimit të trashëgimisë sonë”.
Në fund, Zeqirja Neziri, studiues dhe profesor shumëvjeçar i letërsisë në Universitetin e Shkupit, bashkëpunëtor i ilirologut Stipqeviç, foli për veprimtarinë e gjatë studimore të akademik Stipqeviçit, dhe në veçanti për librin “Kultura tradicionale e arbëneshëve të Zarës”. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 23-vjetorin e Masakrës së Dubravës, në të cilën regjimi gjenocidal serb prej 19-24 maj 1999, vrau brenda burgut 160 të burgosur shqiptarë dhe plagosi 300 të tjerë.
Pllaka me emrat e të vrarëve e vendosur në hapësirën e Burgut të Dubravës do të jetë dëshmi e përhershme e egërsisë së regjimit gjenocidal serb, i cili mbajti padrejtësisht në burg shqiptarët, e më pas i ekzekutoi barbarisht. Ky krim makabër mbetet ende i pandëshkuar. Ka dëshmitarë të mbijetuar, ndaj drejtësia duhet ta bëj punën e vetë duke sjellë autorët e krimit para përgjegjësisë. Lufta jonë për liri dhe shtet do të vuloset kur drejtësia të vihet në vend për të gjitha krimet që ka bërë regjimi serb”, thuhet në përkujtimin e Presidentes Osmani. /KultPlus.com
Tepelena dhe rrethinat e saj janë kthyer në një ndër pikat më tërheqëse për vizitorët vendas dhe të huaj.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Shkëmbi i Bardhë i Hoxhajve në Memaliaj të Tepelenës, i cili është kthyer në një ndër pikat më të vizituara.
“Shkëmbi i Bardhë i Hoxhajve mes një deti të gjelbër në fshatin Buz-Kalemaj në Memaliaj, një bukuri e rrallë e natyrës që nuk duhet lënë pa u vizituar”, theksoi Rama.
Turistët në Memaliaj mund të shijojnë ajrin e pastër, madhështinë e natyrës së egër, njohje të siteve historike, ndërsa të apasionuarit pas adrenalinës kanë mundësi për realizimin e aktiviteteve sportive si Hiking, shëtitje me kuaj, eksplorim të natyrës etj.
Disa nga atraksionet qe mund te vizitoni, janë: Liqeni i Komarit, Shkëmbi i Bardhë etj. Shkëmbi i Bardhëi Hoxhajve, objekt natyror, është rreth 15 m i lartë./ atsh/ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Presidenti i Malit të Zi, Milo Đukanovićdo të marrin pjesë në aktivitetin kulturor të organizuar me rastin e shënimit të Ditëve të komunitetit malazez në Kosovë.
Ky aktivitet do të mbahet sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë me fillim nga ora 16:30.
Đukanovićudhëtoi më 18 maj në Prishtinë, me ftesë zyrtare nga Osmani. /KultPlus.com
Të enjten mbrëma ka ndodhur një aksident në autostradën perëndimore pranë Eugendorf në Austri, e sipas informacioneve fillestare janë lënduar rreth 20 njerëz, përcjell KultPlus.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 03:30 mes kryqëzimeve Salzburg-Nord dhe Wallersee (komuna Eugendorf im Flachgau) në drejtim të Vjenës.
Autobusi me rreth 25 pasagjerë dyshohet se u përplas në rrugë me një shufër prej betonit.
“Aktualisht dimë tre të lënduar rëndë dhe 16 të lënduar lehtë”, tha në mëngjes zëdhënësja e Kryqit të Kuq Roberta Thanner. “Aktualisht nuk kemi raporte për viktima.” Të gjithë të lënduarit nga aksidenti u dërguan me ambulancë në Spitalin e Aksidenteve dhe Spitalin Shtetëror në Salzburg. “Tetë persona të cilët ishin të padëmtuar aktualisht po kujdesen nga ekipi i ndërhyrjes në krizë në selinë e qytetit tonë,” tha komandanti i shpëtimit të qarkut Hermann Gerstgraser.
Sipas zëdhënësit të policisë Hans Wolfgruber, autobusi ishte nisur nga Kosova për në Hanover. “Këta janë turistë që janë qartësisht nga Kosova. /KultPlus.com
Ikona e këngës shqiptare Vaçe Zela, lindi më 7 prill 1939, me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj të pavdekësisë, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut.
Këngët e saj ndër vite mbeten të preferuara edhe sot nga publiku. Ajo i dhuroi publikut dhe muzikës shqiptare, zërin e saj të artë.
Sonte KultPlus ua sjell tekstin dhe videon e këngës ‘Lemza’:
O ra zilja m’nisi frika msusi hyri në mësim dhe në vend si s’më ra pika Kur ai thirri emrin tim.
Unë asnjë fjalë s’kisha mësuar Se mbrëmë në takim isha me ty Po nisi lemza e bekuar Në d’rrasë të zezë shihja dy sy.
Ohoho mos më ngacmo Ohoho se me mundon ooo Tralalala…
Ç’më kujton kaq shpesh mor djalë Lemzë or lemzë më ler të qetë Është turp i madh kur s’di një fjalë Edhe lemza kisha mbet.
M’ lerë moj lemzë se mbarova Çdo mësim unë ta mësoj Po të jap fjalën po kalova Në takim më shpesh do shkoj.
Ohoho mos më ngacmo Ohoho se me mundon ooo Tralalala…
Por lermë moj lemzë se mbarova Çdo mësim unë ta mësoj Po të jap fjalën po kalova Në takim më shpesh do shkoj
Në takim më shpesh do shkoj Në takim më shpesh do shkoj./ KultPlus.com
Netflix ka pushuar nga puna 150 punëtorë pasi kompania e transmetimit kërkon të ulë kostot e saj pasi zbuloi se pret të humbasë miliona abonentë në gjysmën e parë të vitit.
Shkurtimet gjerësisht të pritshme janë të fokusuara kryesisht në funksionimin e saj në SHBA, duke prekur punonjësit në divizionet e saj të mëdha të filmave dhe TV.
Këtë muaj, vlera e tregut të Netflix u ul me pothuajse 60 miliardë dollarë pasi investitorët ishin në panik se bumi i gjatë një dekade në sektorin e transmetimit kishte marrë fund, pasi kompania raportoi humbjen e saj të parë të abonentëve në 10 vjet.
Që nga dhjetori, Netflix kishte rreth 11,300 punonjës me kohë të plotë, që do të thotë se shkurtimet përfaqësojnë 1.3% të fuqisë punëtore të saj globale. Muajin e kaluar, ajo pushoi nga puna rreth 25 punonjës në punë të lidhura me marketingun, duke përfshirë kontraktorët që kishin qenë atje më pak se një vit.
Netflix, i cili planifikon të fokusohet në një strategji “më pak është më shumë” me më pak komisione por me cilësi më të lartë të serialeve dhe filmave, vlerësohet se do të shpenzojë 17 miliardë dollarë për krijimin dhe licencimin e përmbajtjes këtë vit. Kompania ka thënë se pret të shkurtojë buxhetet e saj.
“Siç e shpjeguam për fitimet, rritja jonë e ngadalësuar e të ardhurave do të thotë që ne gjithashtu duhet të ngadalësojmë rritjen e kostos si kompani,” tha një zëdhënës i Netflix. “Pra, për fat të keq, ne po lejojmë të largohen rreth 150 punonjës sot, kryesisht me bazë në SHBA.
“Këto ndryshime janë të nxitura kryesisht nga nevojat e biznesit dhe jo nga performanca individuale … Një numër kontraktorësh agjencish janë ndikuar gjithashtu nga lajmet e shpallura këtë mëngjes.”/ KultPlus.com
Në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, Qendra Muzeore Berat organizoi ekspozitën “Joan Çetiri dhe Ikonat e Epistilit të Kishës Katedrale, Fjetja e Shën Marisë.
Kjo ekspozitë u çel në vazhdim të kolanës së veprimtarive në muzeun e Ikonografisë Onufri, “Thesare të muzeut”, ku janë ekspozuar 20 ikona të përmasave të vogla (ikonat e festave) të realizuara në vitin 1812 me dorën e Joan Çetirit.
Kjo ekspozitë parashikohet të qëndrojë e hapur në një periudhë një vjeçare si një produkt i ri me synimin përsosjen dhe përmirësimin e komunikimit me vizitorët, krijimi i një publiku të interesuar dhe të qëndrueshëm, si një grishje drejt trashëgimisë.
“Tashmë për herë të parë ky koleksion i ikonave të vogla të epistilit (pjesës së sipërme) të ikonostasit të kishës katedrale “Fjetja e Shën Marisë” ekspozohet në nivelin e lartësisë së njerëzve, ngjarje që na lejon të shijojmë, detaje që në lartësinë e vendndodhjes së tyre janë normalisht të padukshme, ekspozohen ballë-përballë me vizitorët duke i ftuar në një dialog “me të sipërmet””, bën të ditur Qendra Muzeore Berat./ KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti, gjatë diskutimit që po e bën në Këshillin e Atlantikut, ka thënë se është një gjë shumë e mirë që Rusia u suspendua nga Këshilli i Evropës, por sipas tij nuk do të kishte shembull më të mirë sesa ajo të zëvendësohej me Kosovën, përcjell KultPlus.
“Nëse ju intereson paqja, nuk do të kishte shembull më të mirë se të dëboni Federatën Ruse dhe ta përfshini Republikën e Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha Kurti.
Tutje Kurti tha se Këshilli i Evropës është një organizatë shumë e rëndësishme dhe Kosova duhet të jetë pjesë e saj,/ KultPlus.com
Përmbledhja poetike “Ti më ke dashur pakëz”, e Skënderi Rusit, paraqet poezitë e tij me tema të ndryshme përmes të cilave autori shfaq ndjenjën e thellë të dashurisë dhe vuajtjet e vetmisë në njerën anë dhe të gjitha shqetësimet e tjera të njeriut përballë jetës, në anën tjetër, duke e cilësuar dhimbjen si pjesë të saj të domosodshme. Përkundër të gjitha vuajtjeve, autori prapë na del optimist dhe i dhënë pas jetës për të na treguar se jeta nuk ka vetëm momente të mira dhe të lumtura por edhe sprovon me dhimbje e vuajtje, e për këtë Rusi këshillon që këto të merren si pjesë e jetës. Ndërlidhja e botës së brendshme të njeriut me botën e jashtme përkatësisht natyrën, e që përmes saj i shfaq edhe fazat jetësore i bën poezitë e tij të veçanta.
Figuracioni stilistik që Rusi jep në tërë veprën përmes elementeve natyrore, përkatësisht vendosjen e njeriut përballë natyrës bën që figurat e tij ta shfaqin dhembjen e autorit karshi vashës, shoqërisë dhe jetës në përgjithësi. Ndërsa përmes elementeve natyrore autori paraqet lidhjen e brendshme të tij me botën e jashtme. Figurat stilistike përmes të cilave autori krijon poezitë e tij janë: metafora, metonimia, simboli, personifikimi, refreni. Të gjitha këto figura ndërlidhen me elemente natyrore, ku poezia shfaqet e veçantë. Poezitë e tij për nga metrika kryesisht janë të rimuara dhe kanë bukurtingëllim, kurse në disa poezi të tjera autori përdor metrikën moderne, ku bën përzirje të strofave dhe të vargjeve. Skënderi, një lirik i pastër e ndërton poezinë e tij mbi ndjenjat dhe përjetimet e thella duke i përjetësuar ato kujtime dashurie që nga rinia e tij. Lirizmi i tij është vazhdimisht në kërkim të shërimit të dhimbjes, dhimbje kjo që del si në rrafshin personal në raport me të dashurën, ashtu edhe në rrafshin shoqëror në raport me njeriun si një njeri që i kishte përjetuar gjithë dhimbjet, ku sipas tij jeta duhet kërkuar përtej këtyre dhimbjeve qoftë madje edhe vetëm përmes kujtimeve. Ndërlidhja e këtyre dy rrafsheve; ku dhimbjen e arsyeton me mendimet jetësore, bënë që pakënaqësitë me të cilat përballet ai në jetë t’i kthejë në frymëzim për poezitë e tij.
Subjekti lirik në relacion me natyrën
Bota e brendshme e autorit bëhet frymëzim për krijimin e poezisë së tij, autori nuk shfaqet asnjëherë i revoltuar me fatin e jetës por e pranon atë ashtu siç i është caktuar, duke paraqitur pastaj ndjenjat e tij ndaj këtij fati gjithmonë në relacion me natyrën. Ky paralelizim i ndjenjave me natyrën bën që poezia e tij t’i jap frymë natyrës në njerën anë, kurse vjershave të tij të i jap përjetësi në anën tjetër. Për të krijuar këtë relacion autori merr elemente më të bukura nga natyra, sepse vetëm këto elemente mund të shfaqin bukurinë e penës, konkretisht ndjenjën e autorit. Lumi, pylli, dëbora, dielli, dita, pema, shiu, era, qielli janë elementet tipike përmes të cilave autori shfaq ndjenjën e thellë të dashurisë që nga fillimi e deri në përfundim të saj, e që kjo dhimbje e dashuri njëkohësisht iu kishte bërë frymëzim.
Në poezitë në fillim autori njofton me këto relacione, dhe bënë të mendojmë se cilën ndjenjë e karakterizon ai element, dhe vetëm më vonë përmes simbolikës së poezisë ai e zbulon atë, pra Rusi nuk ka për qëllim ta fshehë ndjenjën e tij të dashurisë dhe ndjenjën e pakënaqësisë përballë jetës, por e bën atë të dukshme përmes figurativitetit. Hapat e dashurisë që nga fillimi e deri në fund të saj i paraqet në poezinë Ne s’bëjmë asgjë të keqe; ku thotë ne duhemi, vështrohemi, puthemi dhe gënjehemi por s’bëjmë asgjë të keqe, shohim se ai ndjenjën e dashurisë e ngreh në piedestal duke e parë si ndjenjën e vetme kuptimplote, si në botën reale ashtu edhe në botën e përtejme. Ai relacionin me të dashurën e vendosë në qendër të botës së tij prandaj në momentin kur ai e sheh të dashurën humbë në jetë përkatësisht në lojën me shah. Dashuria për autorin është si lumi që të rrëmben përkundër rrjedhshmërisë së jetës, në anën tjetër, lumi si figurë e rrjedhshmërisë së jetës, autori e kërkon lumin e jetës, për të vazhduar jetën, sepse për të ishte ndalur me ikjen e vashës. Kujtimet e mbajnë gjallë autorin, dhe pothuajse gjithë poezitë e tij ndërtohen mbi ato kujtime, ai ditët me të bukura i konsideron takimet me vashën, të cilat i cilëson si dhuratë të jetës kurse përjetësinë e dashurisë ai do ta përshkruajë edhe përkundër plakjes së saj edhe përkundër çdo pengese tjetër. Kujtimet më të bukura të dashurisë autori i lidh me stinën e dimrit ku ai bashkohet me vashën, këtë ndjenjë e shfaq tek poezia Nuk e mbaj mend, ku përpos ndjenjës së dashurisë poezia shfaq edhe një dimension tjetër: Nuk e mbaj mend ç’shekull ka qenë, autori e lidh me periudhën e Mesjetës, Veç një kambanë atje te kisha/Nuk mundem dot ta harroj unë, kambana një karakteristik tjetër e kësaj periudhe, ku simbolika e saj është thirrje e shenjët për diçka të shenjët si bashkimi me vashën. Kurse me bardhësinë e borës nënkuptojmë ndjenjën e tij të pastër karshi vashës. E fuqishme këtu na paraqitet edhe figura e personifikimit; ku autori personifikohet me erën, qiellin për të treguar ndjenjat e tij të thella të dashurisë, dhe më vonë personifikohet me mollën, ku përmes kësaj figure ai paraqet shkakun e ndarjes nga e dashura e tij.
Dashuria si mungesë dhe prani
Përkrah theksimit të ndjenjës së dashurisë, autori do të përshkruajë dashurinë si mungesë në raport me realizimin e ndjenjës. Autori gjithmonë do të jetë vetëmohues në raport me vashën dhe njëkohësisht i vetëdijshëm për fuqinë e dashurisë . Prandaj disa poezi i shkruan i nxitur nga pakënaqësia e realizimit të ndjenjës, por kurrë nuk e shfaqë pakënaqësin e tij, kështu autori do të shprehet: Ti nuk më do / S’ka gjë / Të dua unë , shohim dashurinë e tij pavërësisht asaj. Ndonjëherë praninë e vashës e vë në dyshim, duke e konsideruar vetëm si rezultat të imagjinatës së tij kur thotë : Unë ende se marr vesh në se jemi vërtetë / apo gjithë kjo nga truri im ka dalë / apo ne të dy jemi surrealë . Kjo lind si pasojë e mungesës së kontaktit, bashkimit shpirtëror e fizik, prandaj veten autori e konsideron si murg e vashën si murgeshë. Mbi të gjitha shohim dëshirën e madhe të autorit për ta pasur afër të dashurën tashmë të humbur. Përmes këtyre poezive, sikur autori e kërkon mëshirën e së dashurës, për shkak që gjithmonë e shikojmë një lloj vetëfajësie dhe vetëgjykimi, ku ai shprehet i vetëdijshëm për tradhëtinë e bërë ndaj saj. Kjo vetëdije, kthehet më pas në një ndërgjegje e cila i jep frymëzim, kjo i bëhet edhe një lloj fuqie nëpërmjet së cilës autori gjen guximin dhe kërkon kthimin e së dashurës. Duke vetëfajësuar veten, ai duket sikur sado pak shlirohet nga ndjenja e fajit, ky shlirim i bëhet edhe si një lloj shprese, për kthimin e saj.
Poezia meditative në relacion me jetën
Në mesin e ndjenjave, ku autori e shfaqë dashurinë herë si dhimbje e herë si lumturi ai bëhet edhe poet meditativ. Lirikën meditative e shohim më shumë në momentet kur largohet dashuria, autori e vuan largimin e saj, por në anën tjetër i kthehet vetes konkretisht jetës dhe fenomeneve të saj, siç është kalimi i shpejtë i kohës. Edhe pse koha kalon edhe pse trupi mund të plaket, flokët mund të zbardhohen, dashuria asnjë herë nuk vjetrohet ajo vjen dhe zmadhohet, madje arrin në kulm, e që vërehet sidomos të poezia “Ardhka një moshë”, e që e nënkupton rinimin shpirtëror përkundër plakjes fizike. Në një kontekst tjetër, autori kalimin e kohës dhe plakjen e paraqet si një proces natyror që ndodh tek të gjithë njerëzit. Figura e akrepave të orës na del si metonimi e kohës, autori gjatë gjithë përmbledhjes e paraqet kalimin e kohës, e që e nënkupton edhe kalimin e dhimbjes, lumturisë, gëzimit, për të treguar kështu se jeta nuk na shfaqet gjithmonë e njëjtë, koha nuk kthehet andaj duhet harruar edhe dhimbjet dhe të jetohet e tashmja.
Poezia e tij merr motivin social, kur shkruan për shoqëri, për tradhtinë në shoqëri, ku autori përballë kësaj tradhtie ka një qëndrim inferior, pothuajse normal dhe duket sikur e priste këtë nga tre shokët e tij, andaj nuk na shfaqet i mërzitur.
Pjesë e poezive të tij bëhet edhe bota metafizike, ku autori flet për procesin e jetës që nga lindja e deri në vdekje, tek poezia “Ikje pa kthim”. Me këtë poezi autori kërkon që ta shijojmë jetn sepse ajo nuk është gjithmonë, e sidomos ta shijojnë pa arrit pleqërinë dhe pa ardhur vdekja; Të jetosh në barin e tyre sidomos pa ardhur dimri/Por sidomos pa ardhur vjeshta, stina e vjeshtës na del në figuracion me pleqërinë dhe dimri me vdekjen; të njeriut dhe të natyrës. Tek poezia “Ndonjëherë”,autori vdekjen e sheh si një lloj çlirimi; Le të thonë që vdekja/ S’është e bukur pastaj, çlirim nga ndjenja e fajit, dhe e cila zhduket në momentin kur ky e përfytyron vdekjen.
I veçantë del edhe frymëzimi i autorit, si krijues i këtyre poezive, ku thotë se një autor ndjen dhimbjet më shumë se gjithë njerëzit, gëzon më shumë se gjithë njerëzit, dhe se jetën nuk e sheh vetëm në dimension të drejtpërdrejtë, dhe se nuk është e thënë që një autor të shkruaë vetëm për dhimbje, por edhe për lumturi; Do gjej ndonjë diell ta vë në zemër, pra nga jeta mund të gjesh edhe çaste të bukura e të lumtura.
Poezia e Skënder Rusit karakterizohet nga ndjeshmëria e veçantë poetike, e lidhur me meditimin mbi dashurinë dhe jetën në përgjithësi. Dashuria në poezitë e tij del si ndjenjë mbi të gjitha ndjenjat e tjera madje edhe mbi vetë jetën. Autori nuk e humb shpresën dhe optimizmin për dashurinë të cilën e shndërron në kult edhe në momentet me të vështira të relacionit me vashën. Ai përmes paralelizmit figurativ e sidomos përmes simbolizmit arrin të na paraqesë ndjenjat dhe përceptimin e tij mbi dashurinë dhe jetën në përgjithësi. Poezia e tij merr edhe trajtë meditative. Poeti shqetësohet për jetën, kohën që kalon, dhimbjet e jetës, pastaj vdekjen, si procese jetësor të pashmangshme. Të gjitha këto i lidhë dashuria, që del herë në shkëmbim e herë edhe si dashuri e njërës anë, që më pas kthehet në vuajtje. Çelësi i kësaj vepre gjendet qysh në titullin “Ti më ke dashur pakëz”, ku autori i drejtohet gjithmonë asaj dhe dashurisë që ia ka dhënë ajo, por edhe në kontekst me jetën, nga përjetimet që jeta ia sjell atij.
Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale shqipe”, që ligjërohet nga Prof. Dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, dega e Letërsisë shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka pritur në takim ambasadoren e Mbretërisë së Suedisë, Karin Hernmarck për të diskutuar zhvillimet politike dhe të sigurisë në rajon dhe bashkëpunim në avancimin e agjendës së grave, paqes dhe sigurisë.
Ambasadorja Hernmarck e ka njoftuar Presidenten Osmani për vendimin e qeverisë suedeze për të aplikuar për anëtarësim në NATO, duke përmendur si shkas kërcënimin e sigurisë në Evropë pas agresionit rus në Ukrainë.
Presidentja e përgëzoi ambasadoren Hernmack për vendimin e marrë nga qeveria suedeze, duke theksuar se ky hap do të kontribuojë në garantimin e paqes dhe stabilitetit në kontinent dhe botë.
Më tej, Presidentja Osmani gjithashtu kërkoi mbështetjen e Suedisë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke potencuar se Kosova është e përkushtuar që t’i bashkohet strukturave euro-atlantike./ KultPlus.com
Në shtëpinë-muze të Vangjush Mios në Korçë do të hapen edhe dy hapësira të tjera për ekspozimin e më shumë punëve të tij si dhe sende personale.
Lajmi u bë i ditur nga Gjergji Koki, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve kam kënaqësinë të ndaj projektin për restaurimin e plotë të Mysafiranes dhe Shtëpisë Muze të Piktorit Vangjush Mio, si dhe hapjen e dy hapësirave për ekspozimin e më shumë punëve të tij si dhe sende personale”, tha Koki.
Sipas tij, ky kompleks është unik në llojin e vet dhe nga më të rrallët në Korçë.
Banesa-muze e Piktorit të Popullit, Vangjush Mio është një nga më të vizituarat në qytetin e Korçës. Për vlerat etnografike që mbart dhe për faktin se aty lindi një nga piktorët më të shquar shqiptarë, kjo shtëpi është shpallur shtëpi-muze.
Gjatë karrierës 40-vjeçare, Vangjush Mio realizoi mbi 400 vizatime dhe 130 piktura.
Rreth 60 punime të tij zënë vend në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Veprat e tjera, nën kujdesin e së bijës Rozeta, ekspozohen në shtëpinë-muze të tij./ atsh/ KultPlus.com
Një homazh vjen nga Italia për gjyqtarët dhe heronjtë e luftës antimafia, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, 30 vite pas vrasjes së tyre, shkruan TG24.com.
Në Koleksionin Numizmatik 2022 vjen një monedhë me vlerë dy euro në të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
Monedha u pre për të përkujtuar sakrificën e dy magjistratëve në luftën kundër mafies, të cilët vdiqën në masakrat e Capacit dhe rrugës ”D’Amelio”.
Monedha e emetuar tashmë nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave është krijuar nga artisti italian, Valerio De Seta.
Vepra është frymëzuar nga një fotografi e famshme e Tony Gentile, e realizuar në vitin 1992 gjatë një takimi në Palermo.
Rezultati është një imazh realist dhe i gjallë i Falcones dhe Borsellinos, simbole të ligjshmërisë dhe respektit për institucionet.
Sipër monedhws gjenden te stampuar emrat “FALCONE – BORSELLINO” dhe më poshtë vitet 1992-2022, respektivisht viti i vdekjes së dy magjistratëve dhe viti i emetimit të monedhës, me akronimin e Republikës Italiane, RI, dhe me 12 yjet e Bashkimit Evropian përreth./ KultPlus.com
Donjeta Sadiku është ndalur në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror të Boksit, që po mbahet në Stamboll të Turqisë.
Boksierja kosovare u mund nga amerikania, Rashida Ellis, kategoria -60 kg.
Sadiku ka arritur sukses të jashtëzakonshëm në Botëror, pasi me tri fitore të shënuara, kishte siguruar medaljen e bronztë të botës, suksesi më i madh në histori të boksit kosovar./ KultPlus.com
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq po qëndron për vizitë në Prishtinë.
Sot, i prishtinës, Përpari Rama ia dorëzoi atij çelësin e kryeqytetit.
Në vijim gjeni postimin e plotë të kryetarit Rama:
Nder i madh të mirëpresim sot këtu në Kryeqytet, Presidentin e Malit të Zi, z. Milo Gjukanoviq!
Në shenjë mirënjohjeje e respekti, me përzemërsinë më të madhe, z. Gjukanoviq i dorëzuam çelësin e Kryeqytetit, duke synuar forcimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve mes dy shteteve tona në çdo aspekt.
Jemi, e do të mbetemi fqinj të mirë për sa kohë të ketë jetë mbi tokë!
Rruga rreth e rrotull zjente e zhurmonte. Veshur në të zeza në dhimbje madhështore, një grua shkoi duke tundur plot salltanet, kindet e dantellat e fustanit të saj të gjatë
Po pija në mejhane i përhumbur, tapë e ekstravagant kur ajo kaloi para meje, me kembë prej statuje e fisnike si shqiponjë. E, thellë në sytë e saj, qiell gri ku lind urugani, pashë embëlsinë që magjeps e epshin që vret…
Ish një vetëtimë verbuese e pastaj u bë… natë! O bukuri kalimtare që më bëre të fluturoj me krahë, vallë, s’do të shoh më, në këtë jete a në eternitet?
Ajo iku e humbi mes turmës! S’do t’a shihja kurrë! Nuk dija ku vinte e as ajo s’dinte ku shkoja unë. Por, oh, qeshë i bindur! Po, qeshë i sigurtë! Ajo do ish gruaja që do të kisha dashuruar…/KultPlus.com
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka vizituar sot shkollën “Xhemajl Kada” në Pejë, për t’u informuar nga afër për rastin e djeshëm të raportuar nga mediat në “Festën e Abetares”, si rast diskriminues për nxënësit e komunitetit rom, ashkali, egjiptian, përcjell KultPlus.
Këtë njoftim ministrja e dha përmes një postimi në Facebook.
Në vijim gjeni postimin e plotë:
Vizitova sot shkollën “Xhemajl Kada” në Pejë, për t’u informuar nga afër për rastin e djeshëm të raportuar nga mediat në “Festën e Abetares”, si rast diskriminues për nxënësit e komunitetit rom, ashkali, egjiptian.
Me këtë rast, vizitova disa klasa të integruara të mësimit të rregullt dhe bisedova me udhëheqës të shkollës dhe me mësimdhënës për rastin e ndodhur, por edhe për punën që bëhet në këtë shkollë, e cila ka rreth 1400 nxënës, prej tyre rreth 230 të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe rreth 100 boshnjakë.
Pamjet e mbrëmshme ishin shqetësuese për të gjithë ne. Këto pamje janë të papranueshme dhe diskriminimi nuk ka vend në shkollat tona.
Si Ministri e Arsimit kemi ndërmarrë një varg politikash gjithëpërfshirëse. Ndër të tjera, kemi ndarë 500 bursa për nxënësit e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian dhe sivjet për herë të parë do të përkrahim me bursa edhe studentët e këtyre komuniteteve, me synim ata të Fakultetit të Edukimit, në mënyrë që të krijojmë kuadro që do të punojnë në shkollat tona. Është e rëndësishme që këto politika të gjejnë zbatim në të gjitha nivelet dhe në këtë drejtim është po aq i rëndësishëm angazhimi i mësimdhënësve, prindërve, komunitetit dhe mediave e shoqërisë civile.
Për rastin e e djeshëm, MAShTI ka dërguar inspektorët, të cilët do të shqyrtojnë në detaje informatën, ndërsa nga vizita në shkollë u informova se bëhet fjalë për një klasë të mësimit intenziv, ku ka nxënës të moshave dhe klasave të ndryshme, të cilët janë riatdhesuar ose e kanë braktisur mësimin për arsye të ndryshme.
Megjithatë, duhet të jemi shumë të sinqertë dhe të ndershëm dhe të pranojmë se si shoqëri kemi akoma shumë punë për të bërë në fushën e gjithëpërfshirjes dhe dhënien e mundësive të barabarta të gjithë fëmijëve, e sidomos atyre që janë të margjinalizuar./ KultPlus.com
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, Banka e Shqipërisë çeli enkas për publikun në ambientet e saj, dy ekspozita të përkohshme, të organizuara në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.
Banka e Shqipërisë njoftoi se, Muzeu i Bankës së Shqipërisë do të qëndrojë i hapur për publikun përtej orarit të tij zyrtar, duke nisur nga ora 09:00 deri në orën 18:00.
“Gjatë kësaj dite, përveçse koleksionit të pasur numizmatik të Muzeut të BSH-së, dhe ambienteve dedikuar historisë së bankës dhe financave, vlerës dhe rolit e parasë, publiku do të mund të vizitojë dhe dy ekspozita të përkohshme, të çelura enkas për këtë ditë dhe të organizuara në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave”, njoftoi BSH-ja
Tematika e dy ekspozitave ka në fokus “Përpjekjet për krijimin e një banke kombëtare shqiptare, përgjatë viteve 1913-1925”.
Ku përmes ekspozimit të dokumenteve origjinale të kohës, kjo ekspozitë synon të njohë publikun me momentet kyçe, përpjekjet, punën dhe historinë e krijimit të bankës së parë kombëtare të vendit dhe emetimit të monedhës së parë shqiptare.
Ekspozita e dytë i dedikohet “Dr. Mitrush Kutelit, figura e tij si ekonomist dhe bankier”
Dr. Dhimitri P. Pasko (1907-1967) – i njohur ndryshe me pseudonimin e tij letrar si Mitrush Kuteli, por në fushën e ekonomisë e financave edhe si Dr. Pas – përveçse një kolos i letrave shqipe, është dhe një nga ekonomistët e bankierët më të shquar të Shqipërisë së shek. XX, veprimtaria në sektorin bankar e të cilit ende njihet pak nga publiku i gjerë.
Kjo ekspozitë synon ta njohë publikun me disa momente të rëndësishme të punës së tij gjatë viteve 1943-1946, si drejtues pranë Bankës Kombëtare të Shqipnis dhe më pas Bankës së Shtetit Shqiptar./ atsh/ KultPlus.com
Specialistët e ICOM në bashkëpunim me koordinatorë nga i gjithë rajoni kanë krijuar “Listën e Kuqe” të trashëgimisë kulturore në rrezik. Rritja e gërmimeve pirate ka çuar në domosdoshmërinë e hartimit të kësaj liste e cila përmban 119 objekte nga 45 muze nga Ballkani perëndimor.
Edlira Andoni kryetare e ICOM për Shqipërinë thotë se janë përzgjedhur 10 objekte arkeologjike nga muzetë e Shqipërisë që rezultojnë në listat e trafikimit.
“Qëllimi i përgatitjes së këtij manuali është të ndihmojë individët, organizatat dhe autoritetet, veçanërisht punonjësit e policisë e të doganave, që nëpërmjet konsultimit të këtij dokumenti, të arrijnë të identifikojnë të mirat kulturore që mbrohen nga ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Është e rëndësishme të theksohet se objektet e përzgjedhura në “Listën e Kuqe” nuk janë objekte të vjedhura.
Ato janë objekte të inventarizuara brenda koleksioneve të institucioneve muzeale dhe shërbejnë për të ilustruar kategoritë e trashëgimisë kulturore më të prekshme nga trafiku i paligjshëm” thekson Andoni .
ICOM beson se ky manual do të kontribuojë ndjeshëm në zbutjen e problemit të trafikimit të paligjshëm të objekteve të trashëgimisë kulturore dhe do të kthehet shumë shpejt në një instrument të rëndësishëm dhe afatgjatë mes arsenalit të ligjeve dhe masave shtrënguese për mbrojtjen e kësaj pasurie të çmuar të Evropës Juglindore.
Në ditën Ndërkombëtare të Muzeve specialistja Elsa Zhulali e vë theksin tek rënia e ndjeshme e numrit të vizitorëve në 3 vitet e fundit. Sipas saj kjo lidhet me mungesën e fondeve për përmirësimin e muze si dhe keq menaxhimi, fondeve muzeale.
Pjesa më e madhe e muzeve në Shqipëri nga 53 që është numri në total kanë fytyrë të vjetëruar ende ata vazhdojnë të jenë me linjën e koncepteve të realizmit – socialist, apo pa shënime në gjuhë të huaj, ç’ka i ofrojnë shumë pak mundësi njohje vizitorëve./abcnews/ KultPlus.com
Në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve është lansuar Programi Kombëtar i Muzeve në Kosovë.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se në kuadër të programit të viteve 2022-2023 është paraparë të merren hapa konkret që të kontribuojnë në krijimin e një baze legjislative, programore dhe kapitale për zhvillimin e muzeve në territorin e Republikës së Kosovës.
“Sot ditën e filluam në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës ku prezantuam Programin Kombëtar të Muzeve në Kosovë, një nismë që synon fuqizimin e institucioneve të muzeve dhe zhvillimin e një vizioni të përbashkët për ruajtjen, interpretimin dhe promovimin e veprimtarisë krijuese nga e kalura si dhe edukimin e gjeneratave të reja për rolin e tyre”.
Si hap i parë, sipas Çekut, ka filluar rregullimi i bazës ligjore në fushën e kulturës, ku përfshihen dhe trajtohen edhe muzetë.
“Në këtë kontekst, së bashku me ekipin punues të profesionistëve nga kjo fushë, kemi filluar me studimin e gjendjes ekzistuese të fushës së muzeve në Kosovë. Pas përfundimit të këtij studimi, së bashku do të përcaktohemi për vizionin e institucioneve të muzeve tona, për të sjellur ndryshime pozitive në shoqëri”.
I pari i Kulturës ka njoftuar se gjatë këtij viti do të fillojnë hapat për inventarizim të fondit muzeal i cili gjendet në muzetë e Kosovës.
“Krahas veprimeve në plotësim të bazës ligjore, gjithashtu gjatë këtij viti do të fillojmë me hapat për inventarizim të fondit muzeal i cili gjendet në muzetë e Kosovës, me qëllim që secili artefakt e objekt i cili gjendet në koleksionet e muzeve, të jetë i dokumentuar dhe i regjistruar në Bazën e të dhënave të trashëgimisë kulturore; përkrahjen dhe zhvillimin e projekteve muzeale dhe themelimin e Muzeve të reja kombëtare dhe komunale, duke krijuar kushte adekuate për menaxhim dhe promovim të tyre”. /KultPlus.com
Kino Armata, në vazhdën e ngjarjeve kulturore, këtë muaj do të sjellë para publikut kosovar disa prej punëve më të rëndësishme të autorëve italian.
Filmat e Michelangelo Antonioni, Pier Paolo Pasolini, Federico Fellini, Bernardo Bertolucci, Roberto Rossellini, etj. do të kenë shfaqje të rregullta gjatë serisë programore ‘101’ në Kino ARMATA. Në kuptim si akademik ashtu edhe joformal, 101 përcakton faktet bazike të lidhura me një fushë ose çështje të caktuar. Gjatë 101, ARMATA shndërrohet në fushë mësimi për fillestarë dhe entuziastë, duke ofruar këndvështrim të freskët mbi disa prej filmave dhe autorëve më me ndikim të kohës sonë.
Programi i filmave që do të transmetohen është ky:
E martë, 24 maj, 19:30h UCCELLACCI E UCCELLINI (1966), 91 min. E mërkurë, 25 maj, 19:00h ACCATTONE (1961), 117 min. E enjte, 26 maj, 19:00h MAMMA ROMA (1962), 110 min. E premte, 27 maj, 19:00h EDIPO RE (1967), 104 min.
Biografia e Pier Paolo Pasolini, puna e të cilit do të prezantohet para publikut, në kino Armatë:
Pier Paolo Pasolini (1922 – 1975) ishte një regjisor, poet, shkrimtar dhe intelektual italian, i cili u dallua edhe si aktor, gazetar, romancier, dramaturg dhe figurë politike.
Një personalitet që konsiderohej problematik në Itali për shkak të sinqeritetit të tij, trashëgëmia e Pasolinit mbetet kontroversiale. Ai kritikoi ashpër vlerat sipërfaqësore borgjeze dhe ardhjen në dukje të “totalitarizmit të konsumerizmit” në Itali, duke vënë përballë polemikat socio-politike me problematika seksuale që ishin tabu. Si protagonist i shquar i skenës kulturore romake të periudhës së pasluftës, Pasolini ishte një figurë kryesore në letërsinë dhe artet kinematografike evropiane. Vrasja e tij e pazbardhur në Ostia në nëntor të 1975 gjatë një mosmarrëveshje me një prostitutë të ri, ngjalli reagim të fortë në Itali dhe rrethanat e vdekjes së tij vazhdojnë të jenë pjesë e një debati të ashpër.
Varfëria që ai kishte përjetuar në Romë gjatë viteve të 1950 i siguroi material kreativ për dy romanet e tij të parë, Ragazzi di vita (1955; The Ragazzi) dhe Una vita violenta (1959; Një jetë e dhunshme). Këto përshkrime brutalisht realiste të varfërisë dhe mjerimit të jetës së lagjeve të varfëra në Romë ishin të ngjashme në karakter me filmin e tij të parë, Accattone (1961), dhe të tre veprat trajtonin jetën e hajdutëve, prostitutave dhe banorëve të tjerë të botës së krimit romak.
Filmi më i njohur i Pasolinit, Il Vangelo secondo Matteo (1964; Ungjilli sipas Shën Mateut), është një ritregim i ashpër, në stilin dokumentar të jetës dhe martirizimit të Jezu Krishtit. Alegoria komike Uccellacci e Uccellini (1966; The Hawks and the Sparrows) u pasua nga dy filma që përpiqeshin të rikrijonin mitet e lashta nga një këndvështrim bashkëkohor, Oedipus Rex (1967) dhe Medea (1969). Përdorimi i erotizmit, dhunës dhe shthurjes nga Pasolini si mjete për spekulimet e tij politike dhe fetare në filma të tillë si Teorema (1968; “Teorema”) dhe Porcile (1969; “Pigsty”) e solli atë në konflikt me elementet konservatore të Kishës Katolike Romake. Më pas ai filloi të mirret me erotizëm mesjetar në Il Decamerone (1971) dhe The Canterbury Tales (1972). Përveç filmave të tij, Pasolini botoi vëllime të shumta me poezi dhe disa vepra kritike letrare.
Të gjithë filmat do të shfaqën në gjuhën origjinale me titra shqip./ KultPlus.com