Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju-Jork ka mirëpritur Besarta Jasharin, të mbijetuarën e familjes Jashari, Vasfije Krasniqi-Goodman, deputete e Parlamentit të Republikës së Kosovës dhe Kadire Tahiraj nga Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, përcjell KultPlus.
Lajmin është bërë i ditur në faqen zyrtare në Facebook të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork.
Në vijim gjeni postimin e plotë:
Ishte nder e kënaqësi të presim në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork zonjën Besarta Jashari, e mbijetuar e familjes legjendare, Jashari, zonjën Vasfije Krasniqi-Goodman, deputete e Parlamentit të Republikës së Kosovës, dhe zonjën Kadire Tahiraj nga Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave, Drenas.
Besarta dhe Vasfija, si askush tjetër në Kosovë, personifikojnë dhembjen, vuajtjet, sakrificën e luftës së Kosovës. Por, ato janë edhe krenaria jonë! Janë dëshmi se liria e popujve kërkon sakrificë, kërkon vetëmohim.
Familja Jashari, me sakrificën e saj, ka shtyrë kufijtë e atdhedashurisë në pikën e paarritshme për çdo gjeneratë që vjen pas saj. Besarta është dëshmia e gjallë se ideja për liri është më e fuqishme, sesa ideja kriminale për të shuar jetën e njerëzve.
Vasfija është dëshmi e guximit të një gruaje të hekurt, e cila sot shërben si frymëzim për të gjitha gratë tjera për të rrëfyer pa frikë krimet serbe në Kosovë.
Si shoqëri, në mënyrë që të mos arrihen efektet që dhunuesit i kishin për synim, jemi të obliguar, moralisht e kombëtarisht, që të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi për këtë kategori, që ta rehabilitojmë shpirtërisht e moralisht atë, në familje, në rreth e në institucione. Këtë kategori, e cila na prek mendjen dhe zemrën e të gjithë neve./ KultPlus.com
I pari i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti i cili po qëndron në SHBA ka zhvilluar një takim me guvernatoren e Iowas, Kim Rejnolds.
Sipas njoftimit për media nga ekzekutivi kosovar, të dy diskutuan “për krijimin e mundësive të reja të bashkëpunimit, për rritjen e investimeve, ngritjen e kapaciteteve njerëzore, shfrytëzimin e potencialit natyror si dhe për promovimin e vlerave të përbashkëta të të dyja vendeve”.
“Në veçanti u vlerësua partneriteti në mes të Gardës Kombëtare të Iowas dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe qëllimi afatgjatë për zhvillimin e ngritjen e mëtejme të saj dhe përafrimin e kushteve për anëtarësim në NATO”, thuhet në njoftimin për media të qeverisë.
Po sipas të njëjtit njoftim Kurti theksoi se Kosova është faktor stabiliteti në rajon dhe se do te vazhdojë të jetë kontribuese për sigurinë në rajon dhe botë, në mbrojtje të paqes dhe vlerave demokratike, përkrah aleatëve, në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Në këtë takim, thuhet se morën pjesë edhe Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, koloneli Ejup Maqedonci, dhe shefi i Misionit në Konsullatën në Iowa, Artan Duraku./ KultPlus.com
KultPlus ju sjell sot 15 citate të Paulo Coelho mbi dashurinë, jetën dhe miqësinë:
“Ka vetëm një gjë që e bën të pamundur arritjen e një ëndrre: frika nga dështimi.”
“Mos e humbni kohën tuaj me shpjegime: njerëzit dëgjojnë vetëm atë që duan të dëgjojnë.”
“Dhe, kur ju dëshironi diçka, i gjithë universi punon për t’ju ndihmuar ta arrini atë.”
“Sekreti i jetës, megjithatë, është të biesh shtatë herë dhe të ngrihesh tetë herë.”
“Cila është gënjeshtra më e madhe në botë?… Është kjo: që në një moment të caktuar të jetës sonë, ne humbasim kontrollin e asaj që po na ndodh dhe jetët tona kontrollohen nga fati.”
“Dy provat më të vështira në rrugën shpirtërore janë durimi për të pritur momentin e duhur dhe guximi për të mos u zhgënjyer me atë që hasim.”
“Çdo gjë që ndodh një herë nuk mund të ndodhë më kurrë. Por gjithçka që ndodh dy herë do të ndodhë me siguri për herë të tretë.”
“Nëse e doni dikë, duhet të jeni të përgatitur për ta lënë te lirë.”
“Një fëmijë mund t’i mësojë një të rrituri tre gjëra: të jetë i lumtur pa arsye, të jetë gjithmonë i zënë me diçka dhe të dijë të kërkojë me gjithë fuqinë e tij atë që dëshiron.”
“Gjërat e thjeshta janë gjithashtu gjërat më të jashtëzakonshme, dhe vetëm të mençurit mund t’i shohin ato.”
“Nëse filloni duke premtuar atë që nuk e keni ende, do të humbisni dëshirën tuaj për të punuar për ta arritur atë.”
“Disa gjëra në jetë thjesht duhen përjetuar – dhe nuk shpjegohen kurrë. Dashuria është një gjë e tillë.”
“Kur dashurojmë, ne gjithmonë përpiqemi të bëhemi më të mirë se sa jemi. Kur ne përpiqemi të bëhemi më të mirë se sa jemi, gjithçka rreth nesh bëhet gjithashtu më e mirë.”
“Është mundësia për të realizuar një ëndërr që e bën jetën interesante.”
“Një është i dashur sepse dikush është i dashur. Nuk nevojitet asnjë arsye për të dashuruar./ KultPlus.com
Tedi Papavrami lindi në Tiranë në 1971. Ai u lidh me violinën që në moshën katërvjeçare. Më pas studioi violinë me të atin, profesorin e njohur Robert Papavrami, i cili ka ndikuar mjaft në të ardhmen e tij artistike, shkruan KultPlus.
Në moshën 8 vjeçare, interpreton “Arie Bohemienne të Sarasate me orkestrën Filarmonike të Tiranës dhe tre vjet më vonë Koncertin e parë për violinë të Paganini-t. Ai ishte shume i talentuar dhe i ati besonte shume te talenti i tij. Ky i fundit ishte i vendosur qe Tedi te behej dikush ne jete Në shtator 1982, falë flautistit Alain Marion, qeveria franceze i ofron një bursë studimi në Francë ku studion pranë Conservatoire National Superieur de Musique në Paris, nën drejtimin e Pierre Amoyal.
Në vitin 1985 fiton konkursin “Rodolfo Lipitzer” në Gorizia, në 1986 fiton me unanimitet “Çmimin e parë të Konservatorit të Parisit, në vitin 1987 merr diplomën e Konservatorit të Losanës. Më pas ndjek studimet muzikore nën drejtimin e Zino Francescati e Viktori Mullova. Në vitin 1992 vlerësohet nga Sacem me çmimin “George Enescu” dhe në 1993 fiton çmimin e parë dhe çmimin special të publikut në konkursin ndërkombëtar “Sarasate “ në Pamplona.
Tedi krahas karrieres se tij si violinist ka perkthyer veprat e Ismail Kadarese pas vdekjes se Jusuf Vrionit ne vitin 2002 dhe luan personazhin kryesor ne filmin Kronike provinciale. Ai ka interpretuar në Evropë, Afrikën e Jugut, Turqi, Japoni, Izrael, me orkestra të njohura si Orchestra di Bologna, Bamberger Symphoniker,etj. Ka interpretuar nën drejtmin e dirigjentëve të njohur si K.Sanderling, C.Hogwood, A. Pappano, L.Langree, G. Varga, Z.Macal, J.C.Casadesus, etj. Në stinët 2000-2001 ka interpretuar me Orchestre Philarmonique de Nice, Orquesta Sinfonica de Galica, Orchestre Philarmonique de Liege, etj si dhe ka zhvilluar disa turne në Japoni me “24 capricci” të Paganinit dhe është ndër të paktët violinistë që interpreton integrale. Artisti i gjithanshëm Tedi Papavrami interpreton rregullisht repertorin e muzikës së dhomës së bashku me P.Bianconi, H.Sermet, M.Rubackyte, P.Meyer, E.Lesage, R.Oleg, G.Hoffman, etj. /KultPlus.com
Koleksioni fotografik i Safet dhe Gjylzade Dokles tashmë do të jetë pjesë e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.
Në ceremoninë e dhurimit të koleksionit fotografik, ishin të pranishëm familjarë të Safet dhe Gjylzade Dokles, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, drejtues të Muzeut Kombëtar të Fotografisë, “Marubi”, dashamirës etj.Aktiviteti fotografik i Safet e Gjylzade Dokles i zhvilluar në Borje të Shishtavecit të rrethit të Kukësit shtrihet nga vitet ’30 deri në vitet ’70.
Në koleksionin e tyre fotografik dokumentohet historia politike, jeta shoqërore, ritualet e ndryshme dhe aspektet tradicionale të Shqipërisë verilindore. Ky koleksion është më i madhi i dhuruar ndonjëherë mbas ’90 Fototekës Marubi, i cili përbëhet nga 19.548 negativë, 31 albume me fotografi dhe 33 objekte të laboratorit fotografik.
Në vijim të përmbushjes së misionit të tij, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ka bashkëpunuar prej disa muajsh me Ramadan Doklen, trashëgimtar i koleksionit fotografik të prindërve të tij Safet dhe Gjylzade Dokle, me qëllim dhurimin e këtij koleksioni.Në vazhdën e misionit për të shpëtuar koleksionet fotografike të dëmtuara apo që ruhen në kushte të papërshtatshme në Shqipëri, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, gjatë viteve të fundit ka ndërmarrë disa nisma të shpëtimit të koleksioneve fotografike, si në rastin e koleksionit të Osman dhe Mehmet Kallfës në 2015 dhe të fotografit Pirro Mosit në 2016./ KultPlus.com
Mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Kosovës, artisti Ardian Isufi hapi ekspozitën e tij “Komploti i Tiranës”, e cila në thelb kishte interaktivitetin, pra komunikim me publikun dhe lënien e këtij të fundit të elaborojnë imagjinatën e tyre deri në kufijtë e fundit për të arritur në një përfundim, konkretisht për të gjetur një përgjigjje, shkruan KultPlus.
Koha po afronte, muzika po fillonte dhe njerëzit po mblidheshin për të parë nga afër punën e artistit Ardian Isufi dhe ekspozitën e tij “Komploti i Tiranës”, të kuruar nga: Geatano Centrone, Vladimir Myrtezai-Grosha, Elton Koritari.
I pari që bëri hapjen e kësaj ekspozite ishte pikërisht drejtori i Galerisë, Naim Spahiu.
“Kjo është ekspozita e parë personale e Ardian Isufit në Galerinë Kombëtare të Kosovës, derisa kjo ekspozitë gjithashtu ka edhe tre kuratorë të cilët do të bëjnë edhe prezantimin e tyre”.
Spahiu gjithashtu ka thënë për KultPlus se puna e madhe që është bërë në Galeri, patjetërsisht e ka edhe rezultatin e saj.
Pastaj, për një fjalim rasti u ftua edhe kuratori nga Italia, Geatano Centrone.
“Isufi ka koherencë në punën e tij, është i besueshëm dhe e mbulon mirë skenën sikurse në koncept po edhe në atë të tradicionales së artit. Ajo çfarë është më e rëndësishmja, Isufi i flet komunitetit, flet për komunitetin më shumë sesa për vetveten nëpërmjet artit të tij”.
Centrone shtoi edhe pjesën se Isufi është një artist që e vë në mënyrë të shkëlqyeshme marrëdhënien sociale me publikun.
“Ai e njeh shumë mirë dhe e përzinë filmin mes politikës dhe publikut, duke u bërë pjesë e atij grupi social e asnjëherë nuk pretendon të jap përgjigjje, po vetëm shton shumë pyetje”.
Sipas radhës, Vladimir Myrtezai-Grosha, tregon se lidhshmëria mes këtyre tre kuratorëve është historia.
“Isufi ka një hapësirë të plotë për të shprehur dhe për ta na servirur atë parehatinë e një artisti”, tha ai mes tjerash.
Më pas, edhe Elton Koritari, i cili fillimisht përktheu nga italishtja në shqip, nuk e zgjati shumë rreth aspektet e ekspozitës.
“Ky është bashkëpunimi i dytë i rëndësishëm me këtë Galeri, të cilën e kam shumë për zemër. Bashkëpunimi im me Kosovën po vazhdon vit pas viti. Çdo dy vite po mendoj për të ardhmen dhe se si mund të prezantohemi më mirë. Duam ta falënderojmë Kosovën”, u shpreh Koritari.
Artisti Ardian Isufi deklaroi se komploti më i madh ka qenë mes tij dhe kuratorëve, e githë bashkëpunëtorëve të tjerë.
“Komploti në aspektin intelegjentë të fjalës, për shkak të komunikimit, i cili ka ngjizur këtë ekspozitë, e cila është e ndarë nëpër disa pjesë, pavijone, ku edhe ka vepra që i kam ekspozuar edhe më parë, duke mos lënë anash edhe veprat e reja që janë bërë vetëm për këtë ekspozitë”.
Artisti vlerëson frymën për t’i dhënë një karakter dhe kontribut kulturës në përgjithësi, me ‘ç’rast është frymëzuar për të punuar edhe më shumë.
Të tre kuratorët, të udhëhequr nga Ardian Isufi, falënderuan përzemërsisht Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe bashkëpunimin me ta.
Ndërkaq, artistja Eliza Hoxha, në një prononcim për KultPlu dha përshtypjet e veta mbi këtë ekspozitë.
“Punën e Ardianit e njoh prej më herët dhe ajo çka më pëlqen mund të ndahet në disa pika. Fillimisht, më pëlqen që ai zakonisht me punën e tij i shqyrton fenomenet por e lë publikun ta kuptojë fenomenin duke bërë pyetje, ku gjithësecili mund ta kuptojë vetë veprën. Një vepër arti mund të jetë fluide në kuptimin e plotësimit, ndryshimit, ashtu siç është jeta jonë sot”.
Tute ajo thotë se i ka lënë përshtypje shumë pjesa se si ai përdor jashtëzakonisht shumë situata reale.
“E treta është se ai përdor produkte sikurse sateliti, të cilin e përdori edhe unë, e që nuk është produkt as i imi e as i Ardit, po e përdor si mjet i cili është krejtësisht për diçka tjetër, duke ia dhënë një kuptim të ri”.
E pyetur mbi pjesën se si e vlerëson bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e kulturës, Eliza Hoxha thotë për KultPlus se ekziston kalendari formal kulturor, e duhet të jetë në kuptim më të gjërë.
“Është një dimension formal, i atij kalendarit kulturor që bëhet zakonisht, jo në kuptimin negativ të fjalës, por që duhet të jetë në kuptim më të gjërë në aspektin përmbajtësor që të përfshijë më shumë njerëz. Dhe më pas, mënyra se si përcaktohen njerëzit ose ekspozitat, nuk e di nëse ka ndonjë kriterë apo proces, nuk dua të flas pasi nuk e di. Ndërkaq, te bashkëpunimet që bëhen në tjera relata, në punën që e njeh të dikujt, suksesin që e ka dikush, pastaj ka ftesë e konkurim në konkurs të hapur etj, shumica e ekspozitave që janë bërë në mënyrë të tillë, kanë rezultuar gjithnjë më pozitive”.
Revolta e Isufit për shëmtinë urbane, dramën ligjore dhe plagën artistike ndërthurën edhe një herë imagjinatën dhe artin, të cilat së bashku sipërfaqën, në rastin tonë, në mënyrën më të mirë të mundshme realitetin.
“Komploti i Tiranës” do të qëndrojë e hapur deri më 12 qershor. /KultPlus.com
Eurovision 2022 tashmë ka të 25 finalistët e saj, të cilët më 14 maj do të konkurrojnë për vendin e parë në skenë më të madhe të muzikës.
Në gjysmëfinalen e dytë u zgjodhën edhe 10 shtetet e tjera finaliste që janë Australia, Azerbajxhani, Belgjikë, Ceki, Estoni, Finlandë, Poloni, Rumani, Serbi dhe Suedi,
Në gjysmëfinalen e parë 10 vendet që u kualifikuan ishin Zvicra, Armenia, Islanda, Lituania, Portugalia, Norvegjia, Greqia, Ukraina, Moldavia dhe Holanda, ndërsa 5 vendet Franca, Italia, Anglia, Gjermani dhe Spanja shkojnë automatikisht në finale.
Finalja e madhe do të mbahet më 14 maj në stadiumin ‘Pala Olimpico’ në Torino të Itali, ndërsa në të dyja netët e Eurovision 2022 u dhuruan emocione, ritme dhe ngjyrime të bukura të traditës dhe kulturës së vendeve të ndryshme të Europës.
Ashtu si dy netët e parë edhe finalja do të prezantohen edhe nga Mika, Laura Pausini dhe Alessandro Cattelan./ KultPlus.com
”Deep Purple” do të performojë më 28 maj në stadiumin e ARM-së në Shkup.
Gjatë një konference për shtyp, Avalon Production njoftoi koncertin e radhës të ”Deep Purple” i cili do të mbahet në stadiumin e ARM-së, në Shkup më 28 maj.
Kreu i produksionit Avalon, Boban Milloshevski tha se fatkeqësisht për tre vite për shkak të pandemisë së COVID-19 nuk mund të organizonin koncerte.
“Ndihem disi mirë sepse mendoj se ne, publiku dhe industria jemi gati të përpiqemi të kompensojmë vitet e humbura”, tha Milloshevski.
Duke theksuar se kjo konferencë është një lloj festimi i kthimit të jetës në normalitet, Milloshevski tha se brenda gjashtë ditëve do të mbahen pesë koncerte dhe se janë të gatshëm të kompensojnë vitet e humbura.
Publiku maqedonas dhe ai rajonal do të mund të dëgjojnë drejtpërdrejt këngët klasike ”Smoke on the Water”, “Hush”, “Strange kind of Woman”, “Woman from Tokyo”, “Knocking at your back door”, “Highway star” dhe shumë hite të tjera që shënuan pesë dekadat e ekzistencës së grupit në historinë e muzikës.
Grupi konsiderohet si një nga më të mëdhenjtë e rock&roll-it të të gjitha kohërave ndërsa anëtarët e tij janë Ian Gillan, Ian Pace, Roger Glover, Steve Morse dhe Don Airey./KultPlus.com
Ka nisur ditën e djeshme në Athinë edicionit i katër i panairit më të madh të arkitekturës dhe inxhinierisë “Share Athens 2022”. Një aktivitet i organizuar çdo vit nga “SHARE Architects” dhe “Instituti Helen i Arkitekturës” për të treguar arritjet dhe përsosmëritë në arkitekturë.
Pjesëmarrës edhe këtë vit janë arkitektë me projekte të jashtëzakonshme të ndërtuara vitin e kaluar dhe liderët ndërkombëtarë në inovacionin dhe teknologjitë e ndërtimit.
Mes tyre emrave më të njohur të fushës së ftuar në këtë edicion është edhe anëtari i Kryesisë së Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Panagiotis K. Rumis themelues dhe drejtues i “Rumming ECH”.
Si një sipërmarrës kreativ pas përfundimit të studimeve për Inxhinieri Ndërtimi në Athinë në vitin 2012 ka krijuar kompaninë e tij RUMMING ECH po në Athinë. Një kompani e cila po zgjerohet me shpejtësi në industrinë e ndërtimit, duke qenë në funksion të klientëve për të gjetur zgjidhjen që kërkojnë, në materiale apo metodologji të reja, të sigurta dhe të pakufishme për sa i përket kufirit gjeografik ose mbulimit të aktivitetit të biznesit.
Aktualisht kompania është zhvilluar në Greqi, në Shqipëri, në Kosovë dhe në Itali me filialet e tyre RCON-AL dhe AHT HEATING – Ballkan, duke pasur në portofolin e tyre disa projekte të rëndësishme.
“SHARE Athens Forum” ofron informacionin dhe njohuritë më të fundit, si dhe mundësinë për rrjetëzim profesional në nivelin më të lartë.
Tema e këtij edicioni janë projekte të mëdha në shkallë të gjerë dhe ndërtesa komplekse. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com
Mjeku nga Kosova, Arbër Shehu, ka arritur majat e suksesit në Amerikë. Nga një i mbijetuar i gjenocidit serb, në një student të shkëlqyer të mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, pas punës klinike si mjek në Kosovë, u pranua për të vazhduar studimet postdiplomatike në shkencat mjekësore në Universitetin e James Madisonit, në shtetin e Virginias të ShBA-së. Pas diplomimit, ai siguroi një pozicion në Universitetin e Johns Hopkins, fakultetin e mjekësisë, në departamentin e sëmundjeve mushkërore dhe kujdesit intensiv, duke menaxhuar dhe koordinuar një laborator të ri të kërkimeve shkencore që u krijua për të kryer hulumtime që u ofron informacion praktikave më të mira mjekëve që trajtojnë COVID-19. Pas punës dhe bashkëpunimeve me shumë qendra tjera spitalore ndërmjet grupit ai punon, dhe në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën për Kontrollin e Sëmundjeve (QKS) në SHBA, Shehu gjithashtu u bë një nga autorët e një studimi për efektivitetin e vaksinave Pfizer dhe Moderna. Vetëm në vitin e fundit publikuan mbi 10 punime shkencore në revistat prestigjioze botërore, që në mënyrë të vazhdueshme e informuan QKS, Departamentin e Shëndetit dhe Administratën e Presidentit Biden, në lidhje me efektivitetin e vaksinave Covid-19 në parandalimin e hospitalizimit, ventilimit mekanik dhe vdekjes, shkruan KultPlus.
Duke ju referuar jetës së tij në përgjithësi, formimit mjekësor, i kombinuar me përvojën e tij në kryerjen e kërkimeve klinike, Universiteti James Madison, një universitet me traditë të lartë që u themelua në vitin 1908, e ftoi mjekun kosovar për të mbajtur një fjalim inspirues dhe motivues para studentëve të nivelit master dhe të doktoratës.
Kjo paraqitje është një tjetër sukses i jashtëzakonshëm për Shehun pasi që ceremonitë e diplomimit në SHBA kanë një rëndësi të jashtëzakonshme dhe gjithmonë në këto ceremoni folësit janë njerëz me ndikim të madh, duke filluar nga presidentët e tutje.
Denze Washington, Steve Jobs e shumë emra të tjerë kanë mbajtur një fjalim të tillë në universitete të ndryshme prestigjioze në SHBA, dhe kjo tashmë është kulturë për të inspiruar gjeneratat e posadiplomuara. James Madison Univerity e nderoi ish studentin e tyre, Arbërin, për të motivuar dhe inspiruar gjeneratën e të posadiplomuarve të vitit 2022 – ku ai me fjalimin e tij përballë 7000 vetave, emocionoi të gjithë.
Sapo doli në foltore, Shehu u mirëprit jashtëzakonisht mirë e ndoshta kjo edhe i ndihmoi të tejkaloj emocionet që padyshim duhet të ishin të mëdha kur je në një vend aq të rëndësishëm.
Mjeku Arbër Shehu e nis fjalimin e tij duke treguar për emocionet pasi mori ftesën që të jetë folës në këtë ceremoni kaq të rëndësishme.
“Disa javë më parë, unë isha në mes të një punimi kërkimor në Hokings kur mora një email nga James Medison për të më pyetur dhe nderuar mua që të jem folës para jush sot. Nuk mund ta besoja, por në të njëjtën kohë u ndjeva shumë i nderuar, niveli im i emocioneve preku qiellin. Menjëherë telefonova familjen, çfarë emocioni, fillova të ndjehem në ankth, sepse nuk jam mësuar të flas para një audience kaq të madhe. Çka do të flas, motrat e mia, madje edhe nipi im 5-vjeçar e kuptoi ankthin tim, por, bashkë me këshillën e saj, nëna ime më tha që të jem i qetë. Ajo gjithmonë thotë se kurdo që një gjë e keqe apo e mirë ndodhë, duhet të qëndrojmë të qetë dhe të jemi pozitivë. Ajo më rikujtoi që audienca para të cilës do të flas janë vëllezërit dhe motrat, shokët dhe komuniteti im. Këta janë të njëjtit njerëz që më mirëpritën mua, që i hapën dyert për mua, kur unë isha i huaj këtu”, kështu nisi fjalimin e tij Shehu ku tutje tregoi rrugëtimin e tij drejt diplomimit në vitin 2020 në J.M.U master në shkenca mjekësore dhe pozitës që mori në John Hopkings si hulumtues klinik në laborator.
Në një ceremoni kaq të rëndësishme, Shehu e vazhdoi fjalimin e tij duke folur për vetën, nga vjen dhe si ishte rrugëtimi i tij deri sot. Ai foli për Kosovën, për luftën dhe gjenocidin serb.
“Për ju që nuk më njihni, unë jam një i mbijetuar i gjenocidit serb në Kosovë. Më 25 mars, 1999, forcat serbe sulmuan fshatin tim të fëmijërisë, isha nëntë vjeçar, na morën bashkë me prindërit dhe motrat e mia më të reja së bashku me grupin që ishin rreth 400 shqiptarë të Kosovës që do t’i ekzekutonin. 25 marsi, 1999 ishte dita e fundit kur e pashë për herë të fundit babanë tim. Më nuk i pashë edhe 113 burra të tjerë, por e di që vuajtën njësoj si babai im. Ata u vranë brutalisht dhe u djegën në vend përderisa pjesa e mbetur prej nesh ikëm nga malet. Nëna, motrat e mia dhe unë udhëtuan me javë për të gjetur një vend të sigurt. Më kujtohet ajo ditë sikur të ishte sot, ditën kur mrekullisht ikëm, dita kur fëmijëria ime u vodh. Mu desh të mësoja se si të marr përgjegjësi për familjen, pjesëtarët të cilët i mbijetuan kësaj tragjedie, nuk kisha zgjidhje tjetër”, rrëfen Shehu para të pranishmëve.
Ai tutje tregoi se ishin pikërisht ato ditë që shtruan vizionin dhe qëllimin e tij për jetën.
“Do të doja që edhe ju ta adoptoni këtë vizion, të luftoni për paqe, të ndihmoni njerëzit në nevojë dhe të frymëzoni një botë më të shëndetshme. Kur i shoh shokët e mi evropianë që po vuajnë në Ukrainë, më thyhet zemra, më dërgon pas në ditët e mia të fëmijërisë kur njerëzit në Kosovë patën fatin e njëjtë. Si sot, pas në kohë ishte Aleanca e NATO-s e udhëhequr nga U.S.A që ndalën agresivitetin serb në Kosovë. Kjo është pse Kosova është Kosova është shteti më pro-amerikan në botë. Kjo lidhje ishte krijuar në momente të vështira, por do të vazhdojë përgjithmonë. Ne duhet të ndërtojnë një lidhje të fortë, të shëndetshme dhe paqësore me njëri-tjetrin në nivel lokal dhe global. Lidhjet do t’ju bëjnë juve një person më të mirë, më besoni, jam këtu për shkak të lidhjeve të mira”, u shpreh tutje Shehu i cili theksoi se dhimbja mund të jetë një mësues i mirë , por për të lundruar në kaos ose rrethana të aspekteve të paparashikueshme të jetës na duhen lidhje të mira me familjen, miqtë dhe komunitetin.
“Ajo që më ndodhi në fëmijërinë time ishte e vështirë, por paqja u vendos sërish në Kosovë. Ndërtova një marrëdhënie të fortë me familjen time, shokët dhe komunitetin. Shkova në Universitet në Prishtinë dhe përfundova studimet e mia në mjekësi. Shumë pak pasi përfundova studimet, njoftova disa njerëz të cilët më njohën me J.M.U që përfshinin mundësinë që unë të njoftoj presidentin e universitetit.
J.M.U. ishte një eksperiencë fenomenale për mua dhe jam shumë i sigurtë që ishte edhe për ju. Më formoi mua në nivel akademik, fizikisht, emocionalisht dhe shpirtërisht për jetën. Për shkak të tyre po vazhdoj të qëndroj këtu para jush”.
Gjatë këtij fjalimi tejet emocionues, Shehu tregoi gjithashtu se filozofia e jetës së tij është e bazuar në eksperiencën e tij.
“Ndërtoni, mbështetuni në këshillat dhe mbështetjen e njerëzve që ju besoni. Marrëdhënia e madhe që do të ndërtoni me familjen, shokët, mentorët, këshilltarët, kolegët dhe lidhjet e shëndetshme me të cilat jeni të rrethuar do t’ju inspirojnë për të arritur qëllimet e tua. Ata do t’ju japin kuptim dhe lumturi ditëve tuaja. Nuk është kurrë vonë, nëse ju nuk keni qenë duke e bërë këtë deri tani, filloni sot”.
Krejt në fund të fjalimit, mjeku kosovar nuk harroi të falënderoi njerëzit që e mbështetën në JMU, sepse sipas tij ishin pikërisht këta njerëz që kanë hapur dyer e jetës për të.
Të nderuar të diplomuar, si qytetarë të botës, ju do të mund të bëheni të vetëdijshëm në mesin e shumë sfidave botërore që mund t’ju shqetësojnë, ne po jetojmë në kohë të paparashikueshme. Problemet botërore siç janë luftërat, krizat e refugjatëve, pandemia, ndryshimet klimatike, dhe shumë prej nesh përfshirë edhe juve jemi duke përjetuar kohë të vështira për të kuptuar këto shqetësime, por besoj shumë që aftësitë dhe dija që morët këtu dhe marrëdhëniet e forta që ju ndërtuat dhe po vazhdoni ta zhvilloni do t’ju hapin dyert profesionalisht dhe personalisht në botën të cilën po jetojmë dhe kjo do t’ju ndihmojë juve ta krijoni një ndikim domethënës në veten tuaj më të mirë, për veten, komunitetin dhe botën të cilën po jetojmë. Të nderuar klasë e vitit 2022 nëse e kujtoni vetëm një gjë nga ky fjalim, mbani mend të krijoni marrëdhënie të forta, marrëdhënie jetëgjata pa datë të skadimit”, përfundoi kështu mjeku Shehu fjalimin e tij para të pranishmeve e që u përcoll me duartrokitje të fuqishme. Në ndërkohë, paralelisht me punën shkencore në Universitetin e Johns Hopkins, ai është duke vazhduar studimet po në këtë universitet, më saktësisht në Menaxhimin Shëndetësorë, Inovacion, Teknologji, dhe Lidershipin në sektorin Publik dhe Privat për të vazhduar karrierën në lidershipin shëndetësorë. / KultPlus.com
(Fjalimin e mjekut Arbër Shehu mund ta ndiqni nga, 1:05.)
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot se “për Butrintin nuk ka asnjë marrëveshje sekrete, nuk po jepet me koncesion dhe nuk ka asnjë tjetërsim të pasurisë kombëtare”.
Në fjalën e saj në Komisionin për Çështjet ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut Margariti tha se “kjo marrëveshje administrimi nuk ndryshon në zinxhirin e shqyrtimeve dhe miratimeve të deritanishme të projekteve që do të zbatohen në parkun e Butrintit”.
“Marrëveshja për Menaxhimin e Butrintit nuk është një koncesion, nuk ka në themel të funksionimit të tij fitimin, por është një fondacion jo fitimprurës pra ka si qëllim të vetin mirëmenaxhimin e aseteve të parkut kombëtar të Butrintit, që është një pasuri botërore”, theksoi Margariti.
Margariti u shpreh se “projektligji për miratimin e “Marrëveshjes për administrimin e nën zonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”, ka qenë një proces i gjatë, transparent, i hapur gjithëpërfshirës, brenda të gjithë kuadrit të nevojshëm ligjor shqiptar dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë ku aderon shteti shqiptar”.
Margariti tha se, falë ndjekjes së këtij procesi të tillë vijmë para jush me një produkt final, prej të cilit përfitues është shteti shqiptar.
Sipas ministres, kjo është formë menaxhimi e suksesshme e njohur edhe ne site të tjera, të trashëgimisë botërore, ku ne jemi mbështetur.
“Ky projektligj është konsultuar me UNESCO-n duke qenë se modeli i propozuar ka qenë pjesë e planit të menaxhimit të integruar. Pra qe me planin e menaxhimit është specifikuar mënyra e menaxhimit të sitit në vazhdimësi dhe kjo konsulencë ka ndodhur me hartimin e planit të menaxhimit me UNESCO-n, në organet konsultuese”, nënvizoi Margariti.
Ministrja Margariti bëri të ditur se lidhja e marrëveshjes së administrimit synon konservimin, mbrojtjen dhe rritjen e vlerave të trashëgimisë kulturore të nënzonës së trashëgimisë dhe peizazhit kulturor të Parkut Kombëtar të Butrintit.
Duke sqaruar se përse nuk ka pasur garë në përzgjedhjen e subjektit, Margariti tha se “menaxhimi i kalon Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, i cili është subjekt i themeluar nga vetë Ministria e Kulturës me një partner strategjik, pra nuk mund të ketë një garë. Dëshiroj të sqaroj gjithashtu se AADF nuk është ekskluziv në pjesëmarrje në bord. Me këtë model jofitimprurës synohet të hiqen sa më shumë partnerë strategjikë që të përmbushin kriteret. Mund të kemi në vazhdimësi partnerë strategjikë qe bëhen pjesë e fondacionit, dhe jo të vendosen në garë me njëri- tjetrin, por të vlerësohet mënyra e integrimit si e fondeve edhe rolit që mund të kenë partnerë të ndryshëm, pra fondacione të tjera që fillojnë e shtohen në Fondacionin e Menaxhimit të Butrintit dhe patjetër që bëhen edhe pjesë e bordit të vendimmarrjes së këtij fondacioni”. / KultPlus.com
Gjykata Themelore e Gjakovës ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji një të dyshuari për dhunimin e një të miture.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari “në mes të datës 03-05 maj 2022 në Junik në shtëpinë e tij, me përdorim të forcës e detyron personin tjetër të miturën ….. …….. të kryej akt seksual pa pëlqimin e saj”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake Shaqir Zika, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepra penale të ndjeshme, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, rreziku i ikjes dhe ndikimi në dëshmitarë.
I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 11 maj 2022 dhe do të zgjasë deri më 10 qershor 2022”, thuhet në njoftim./Express
Njoftimi i plotë i Gjykatës:
Gjakovë, 13 maj 2022 – Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit Sh. Ll., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të dhunimit.
Sipas kërkesës, “në mes të datës 03-05 maj 2022 në Junik në shtëpinë e tij, me përdorim të forcës e detyron personin tjetër të miturën ….. …….. të kryej akt seksual pa pëlqimin e saj”.
Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale, ”Dhunimi” e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari i procedurës paraprake Shaqir Zika, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepra penale të ndjeshme, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, rreziku i ikjes dhe ndikimi në dëshmitarë.
I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 11 maj 2022 dhe do të zgjasë deri më 10 qershor 2022.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. / Gazeta express/ KultPlus.com
Po vazhdon edicioni i gjashtë i Prishtina International Theatre Festival “Burbuqe Berisha”, në kuadër të të cilit mbrëmë në skenën madhështore të teatrit “Faruk Begolli” të Kolegjit AAB u paraqit shfaqja nga Kosova “Andorra”.
Për të parë këtë shfaqje u panë të pranishëm figura nga kultura e arti, veçanërisht dashamirë të teatrit dhe studentë. Ndërsa, pas shfaqjes të pranishmit u argëtuan deri orët e vona të mbrëmjese muzikë të përzgjedhur nga dj Nird. Sot, në natën e katërt të PITF do të jepet shfaqja “I don’t wanna forget” nga Italia me regji të Marina Romondias./ KultPlus.com
“Tirana-Tirona Allstars”, grupi muzikor që me mbështetjen e bashkisë së Tiranës realizoi albumin “Tirana 100”, në 100-vjetorin e Tiranës kryeqytet, është shpallur fitues i kategorisë “Best Group” për vitin 2022 nga Songlines Music Awards.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka uruar grupin “Tirana-Tirona Allstars” për çmimin prestigjioz nga Londra, duke u shprehur njëkohësisht se është një vlerësim edhe për Tiranën dhe për Shqipërinë.
“Grupi më i mirë muzikor i vitit 2022! Nga 4 finalistët, Tirana-Tirona Allstars janë fitues të kategorisë “Best Group”. Një nder i jashtëzakonshëm për Tiranën dhe mbarë Shqipërinë,” shprehet Veliaj.
Albumi u realizua falë punës së ideatores dhe producentes Edit Pula, e cila së bashku me partneret Prof. Lucy Durhán dhe Martin Appleby krijuan diskun muzikor që përfaqësoi Tiranën në klasifikim botëror.
Simon Broughton themelues i revistës Songlines, u shpreh se “Tirana Tirona Allstars” e meritoi plotësisht çmimin si “Grupi më i mirë” në edicionin e vitit 2022 të Çmimeve Songlines.
“Gjithmonë e kam admiruar muzikën shqiptare, por gjithmonë jam çuditur se si kjo muzikë nuk është e njohur mjaftueshëm sa e meriton në botë. Të shpresojmë se ky çmim do ndihmojë për këtë,” shprehet Broughton në një videomesazh.
Për secilën nga kategoritë ku përshihej dhe “Artisti më i mirë” si dhe ato me bazë gjeografike kishte nga katër të nominuar, ku Shqipëria në kategorinë për Grupin më të Mirë fitoi përballë grupeve si “Las Lloronas” i Belgjikës i shpallur fitues një vit më parë për të njëjtin çmim, apo dhe Toumani Diabaté & Orkestra Simfonike Londër.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve pritet të zhvillohet në ditët e ardhshme./atsh / KultPlus.com
Mirela Kumbaro, ministrja e Ministrisë së Turizmit në Shqipëri ka pritë në takim homologen e saj nga Serbia, Tatjana Matic, të cilat në fokus patën bashkëpunimin konkret për promovimin turistik të Shqipërisë e Serbisë, shkruan KultPlus.
KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e ministres Kumbaro.
Në kornizën e konferencës së Regional Cooperation Council – RCC prita me kënaqësi në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit homologen Tatjana Matić, Ministre e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit të Serbisë për t’u dakordësuar mbi bashkëpunime konkrete dhe promovimin e potencialeve turistike në të dy vendet
60,000 turistë serbë vizituan Shqipërinë në vitin 2019 dhe
mbi 100,000 në vitin 2021,
të cilët kanë përcjellë përvojën e mikpritjes turistike shqiptare duke garantuar kështu vazhdimësinë e flukseve turistike prej Serbisë.
Do t’i shtojmë përpjekjet në evente të përbashkëta për të nxjerrë në pah vlerat tona më të mira, për të mundur paragjykimet.
Por edhe për të krijuar keshtu një tjetër urë komunikimi ne rajonin tonë të ndarë në vende të vogla që kanë nevojë të zgjerojnë tregjet turistike!
Turizmi është padiskutim historia më e bukur e suksesit që kemi, e cila siguron rritje ekonomike dhe zhvillim. Prandaj u angazhuam për bashkëpunim e punë konkrete./ KultPlus.com
Përgjatë shtegtimit të jetës së tij, Herman Hese ka qenë pareshtur në kërkim të vetvetes, çka e dëshmon jo vetëm krijimtaria letrare, por edhe jeta që bëri. Një nga romancierët e rrallë gjermanë, që lanë gjurmë në shekullin e të 20-të.
Çmimi “Nobel” i letërsisë në vitin 1946, poeti, kritiku, eseisti, shkrimtari, i njohur për theksin në zhvillimin shpirtëror të individit, temat e veprës së Heses reflektohen kryesisht në jetën e tij. Apostull i një kërkimi për veten, i një kërkimi të papranueshëm, që e shtyn të shkëputë gjithfarëlloj lidhjesh, të sfidojë institucionet më të nderuara – traditën, fenë, familjen – për të afirmuar të vetmin ligj që vlen: atë të individit dhe të drejtën për të realizuar dëshirën vetjake. Individi si vlerë përfundimtare. Popullor në kohën e tij në Gjermani, ndikimi i Heses u përhap në mbarë botën gjatë lëvizjes kundërkulturore të viteve 1960, aq sa tashmë është një nga autorët evropianë më të përkthyer të shekullit të 20-të. Deri në vdekjen e tij, më 9 gusht 1962, e kishte për zemër t’iu përgjigjej të gjitha mesazheve që merrte nga e gjithë bota./Konica.al/Të shkruara me dorën e vet ose, drejt fundit, duke ia diktuar përgjigjet Ninon, gruas së tretë, korrespodenca konsiderohet se përfaqëson një vëllim, një të tretën e veprës. Hese e konsideronte si detyrën të tijën, pasi për shumë lexues, ai përfaqësonte një lloj ndërgjegjeje morale që duhej t’i drejtoheshin për këshilla. Ndër titujt e mëdhenj që na la, citojmë “Ujku i stepës”, “Siddharta”, “Endacaku Knulp”, etj.
“Vetmia është pavarësi: e kisha dëshiruar dhe e kisha fituar për shumë vite. Ishte e ftohtë, po e vërtetë, por ishte gjithashtu e heshtur, mrekullisht e heshtur dhe e madhe sa hapësira e ftohtë dhe e qetë në të cilën rrotullohen yjet.
Shumica e njerëzve, pra e gjithë grigja, nuk e kanë shijuar kurrë vetminë. Po, ata shkëputen një herë nga babai dhe nëna, por vetëm për t’u strukur pranë një gruaje dhe për t’u qetësuar sa më shpejt, në një ngrohtësi dhe lidhje të re. Asnjëherë të jenë vetëm, asnjëherë të flasin me veten”.
Në romanet e Herman Heses, ashtu si në jetë, vetëzbulimi eci në një shtegth të ngushtë, midis njohurive të thella dhe solipsizmit. Është i famshëm si “autori i krizës”, në romanet e tij ai i nënshtrohet vetanalizës për të gjetur identitetin. Pa dyshim, edukimi i autorit pati një ndikim të madh, si në farkëtimin e personalitetit, ashtu edhe në stilin letrar. Nobelisti jetoi nëpër krizat e jashtëzakonshme politike të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, duke i mbijetuar vështirësive të mëdha personale dhe izolimit social. Ndërsa bota ishte në kaos dhe jeta individuale ishte e kërcënuar nga ideologji të ashpra konfliktuale, ishte pothuajse e pamundur për çdo individ, që të ndiqte një jetë kuptimplote drejt realizimit të vetes.
“Kushdo që dëshiron muzikë në vend të zhurmës, gëzim në vend të kënaqësisë, shpirt në vend të arit, punë krijuese në vend të biznesit, pasion në vend të budallallëkut, nuk gjen vend në këtë botën tonë të vogël”./Konica.al / KultPlus.com
Politikani serb, Milovan Drecun, ka folur rreth aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Drecun ka thënë se beson që tashmë është përgatitur terreni që Kosova t’i bashkohet Këshillit të Evropës, derisa ka theksuar se “s’do të ketë përparim në negociata në mes të Prishtinës dhe Beogradit”, shkruan Tanjug, transmeton Gazeta Express.
Drecun ka thënë se këto lëvizje të Kosovës kanë përkrahje të madhe dhe se terreni po përgatitet nga shtetet perëndimore të cilat edhe kanë ndihmuar Kosovën drejt pavarësisë. / KultPlus.com
Më 13 maj të vitit 1842 lindi Mehmet Ali Pashë Vrioni, atdhetar, politikan, diplomat shqiptar e nënkryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Mehmet Ali Pashë Vrioni është babai i Kryeministrit të shtetit shqiptar, Ilias Bej Vrioni dhe gjyshi i përkthyesit të shquar, Jusuf Vrioni. Nënkryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878, kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Berat, anëtar i Shoqërisë së Stambollit, anëtar i Komitetit të Janinës, anëtar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Shqiptarëve, deputet i Beratit në Parlamentin e Perandorisë Osmane. Misioni më i madh i jetës së tij qe zgjidhja e çështjes shqiptare. Forcat e tij u përqendruan në ndërmarrjen më të madhe kombëtare të asaj kohe, e cila ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e cila hapi Kuvendin më 10 qershor 1878 në Prizren me qëllim që kërkesat shqiptare t’u paraqiteshin Fuqive të Mëdha para se të mblidhej Kongresi i Berlinit më 13 qershor 1878. Kryetar i Lidhjes së Prizrenit u shpall Abdyl Bej Frashëri dhe nënkryetar i saj Mehmet Ali Pashë Vrioni.
Fill pas punimeve të Lidhjes së Prizrenit Mehmet Ali Pasha, udhëhoqi së bashku me Abdyl Bej Frashërin, përfaqësinë shqiptare në Kongresin e Berlinit në 13 Maj 1878. Të dy i parashtruan Kongresit të Berlinit kërkesat shqiptare të Lidhjes të Prizrenit: bashkimin e katër Vilajeteve Shqiptare dhe njohjen e tyre si territor autonom nën kuadrin e Perandorisë Osmane; përgatitjen politiko-ushtarake të këtij terrirori shqiptar; sigurimin e përkrahjes për çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Më 30 Mars 1879 Mehmet Ali Pashë Vrioni së bashku me Abdyl Bej Frashërin u nisën sërish nga Preveza ne drejtim të kryeqyteteve kryesore të Evropës për të siguruar përkrahje për çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare. Vdiq në vitin 1895. / KultPlus.com
Mbrëmja e së enjtes e gjeti audiencën e KultPlus-it në një ambient komik dhe nën të qeshurat e publikut të cilat vinin si pasoja të paevitueshme nga komediani Gent Shala i cili prezantoi Stand-up Comedy-në e tij ‘Fluturon’, përcjell KultPlus.
Komedia, e cila kishte për qëllim t’u ofrojë një çlirim të gjithë të pranishmëve, pati në fokus ballafaqimin përgjatë periudhës së pandemisë.
Megjithatë, regjisori Gent Shala, tha për KultPlus se ndonëse prek një temë gjithëpërfshirëse, ai e trajton këtë Stand-Up Comedy në aspektin personal.
“Është një stand up comedy pak më ndryshe mendoj. Flas vetëm për vetën time, periudhën e pandemisë se si e kam kaluar, me çka jam ballafaquar edhe sa projekte më kanë dështuar“, thotë Shala duke shtuar se gjatë këtij Stand-upi është shumë subjektiv dhe shpreh periudhën e pandemisë nën efektin e humorit.
I pyetur për zanafillën dhe kohën e dedikuar këtij projekti, Shala përmend filmin e metrazhit të shkurtër si pikënisje të këtij projekti e që më vonë u kthye rastësisht në Stand-up Comedy.
“Kam qenë duke u shkruar një skenar për një film të metrazhit të shkurtë edhe është kthyer vetë në stand-up. Kam dashur vetë ta prezantoj. Nuk njihem si komedian por Stand-upi ka lindë shumë rastësisht”, deklaron më tutje Shala.
Ndërkaq, në mbrëmjen e thirrur nga vetë regjisori Shala, publiku u argëtua edhe me performancën e pashoq të këngëtarit Endrit Rexhepi, i cili performoi para të pranishmëve këngë të njohura në shqip dhe të huaja.
Kjo ngjarje është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Uji Rugove. / KultPlus.com
Ulëza, e cilësuar si perla e Shqipërisë, një qytezë e vogël e rrethuar nga fshatra turistikë me një natyrë përrallore, është kthyer tashmë një destinacion për turistët vendas e të huaj.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Ulëza e dalë tashmë prej harresës falë investimeve të Rilindjes Urbane.
“Ulëza e Matit me një bukuri përrallore, rënë si nga qielli mes liqenesh e pyjesh dhe dalë prej harresës falë investimeve të Rilindjes Urbane, sot po tërheq gjithnjë e më shumë turistë vendas e të huaj”, tha Rama.
I pozicionuar midis bashkive Mat dhe Mirditë, ndodhet parku rajonal i liqenit të Ulëzës me një sipërfaqe prej 4 206 hektarësh që shtrihet në të gjithë kurorën e liqenit të Ulëzës dhe Shkopetit në një lartësi 400 m mbi nivelin e detit.
Qeveria shqiptare dhe Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës (CEB) kanë realizuar investime për ndërtimin e kanalizimeve dhe depurifikimin e ujërave të zeza, ndërtimin e ujësjellësit dhe sistemin e shpërndarjes së ujit të pijshëm, rikonstruksionin e sheshit qendror dhe fasadat e ndërtesave shtetërore.
Këto investime të qeverisë shqiptare dhe CEB-it kapin shifrën totale prej 168 milionë lekësh.
Pas shpalljes Park Natyror Rajonal rreth pesë vite më parë, tashmë Ulëzën e vizitojnë edhe turistë që vijnë nga qytete të tjera të vendit, si dhe turistë të huaj nga Italia, Franca, Gjermania, Çekia e Polonia.
Krahas frenimit të migracionit të popullsisë së zonës brenda ose jashtë vendit, shndërrimi i Ulëzës në një destinacion të mirëfilltë turistik pritet të nxisë zhvillimin e ekonomive familiare, si për shembull nëpërmjet ndërtimit të bujtinave për turistët, shitjes së punimeve artizanale, produkteve bujqësore, etj./ atsh / KultPlus.com
Shkëlzen Doli është ngjitur së fundmi në skenën e njërës prej sallave më të njohura në Seul, në kryeqytetin e Koresë së Jugut.
Violinisti i njohur me famë botërore, me origjinë nga Kosova, ka përfaqësuar Austrinë si udhëheqës i trupës artistike, në Festimin Jubilar të 130 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike në mes të Austrisë dhe Koresë së Jugut në Seul.
“Bashkë me ansamblin tim “Philharmonic Ensamble” si përfaqësues të Austrisë dhe për nder të festës së 130-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Austri – Kore e Jugut, kemi mbajtur një koncert në sallën e njohur “Seul Art Center”, thotë Shkëlzen Doli për albinfo.at nga Seuli.
Ai ka thënë se ishte një mikpritje madhështore nga publiku korean, ndërkohë ka shtuar se në këtë koncert si mysafirë nuk kanë munguar edhe figurat e njohura diplomatike, në krye me Ban Ki-moon, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB)-së.
Shkëlzeni ndërkohë prej shumë vitesh është zhvendosur në Austri, ku edhe po vazhdon karrierën e tij të bujshme.
Përkundër kësaj, ai mban një vend të veçantë për muzikën shqiptare.
Violinisti i njohur, Shkëlzen Doli ngriti në këmbë publikun në Seul të Koresë së Jugut. / KultPlus.com
Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka dal me një njoftim pas ankesave që ka pranuar nga disa vizitorë dhe mediat për praninë e llojit të gjarprit Vipera Ammodytes, i cili është gjarpëri më helmues në Evropë, në Parkun e Gërmisë.
Sipas AMMK’së, prania e gjarpërinjve në Parkun e Gërmisë nuk është shqetësim por pjesë e rëndësishme e biodiversitetit të kësaj zone.
Nga kjo agjenci thonë se në Gërmi deri më tani janë të njohur 4 lloje të gjarpërinjve e ndër ta edhe lloji helmues Vipera ammodytes (gjarpri i gurit, nepërka).
“Gjarpërinjtë, si çdo lloj tjetër i shtazëve të egra, kanë instiktiv e vetëmbrojtjes dhe në rast se ndihen të kërcënuar ata do të mbrohet. Rastet e kafshimeve nga gjarpërinjtë helmues, që fatmirësisht ndodhin shumë rrallë, janë si pasojë e shkeljeve aksidentale me këmbë ose kapjes me dore pa i kuptuar pasojat qe mund të vijnë me pas.
Prania e gjarpërinjve nuk duhet të paraqet asnjë shqetësim për vizitorët eventual të Parkut Gërmia, por gjithsesi se secili duhet pasur kujdes që jo vetëm gjarpërinjtë por edhe gjallesat tjera të mos shqetësohen në vendbanimin e tyre natyrorë me qëllim të mos kemi ndonjë ankesë për ndonjë sulm eventual prej tyre me qëllim të vetëmbrojtjes”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com
Sigurisht që jo të gjitha shtetet arritën të shkojnë në finale dhe nuk është fundi i botës. Me aq sa i kam ndjekur këngët e Eurovisionit këtë vit, si dhe performancat a natës së parë, mendoj që kualifikimet për në finale ishin të pritshme dhe të drejta.
Këngë të stileve të ndryshme, por mbi të gjitha përfaqësime shtetesh me koncepte të qarta për atë që prezantonin.
Nuk vura re ndonjë ndasi politike, apo gjeopolitike. Sepse, këngët që nuk kaluan ose ishin të vjetra në stil, ose nuk u kënduan mirë sepse këngëtarët nuk e përballuan skenën siç duhej, ose si në rastin tonë ku të gjitha komponentët e një kënge çaluan.
Të përfaqësosh një shtet (në të gjitha fushat e artit, sportit etj.) është fat dhe përgjegjësi, sepse jo çdokujt i vjen kjo mundësi.
Të marrësh pjesë në një garë kënge, në radhë të parë duhet të kesh këngën, pastaj interpretimin, e në fund performancën. Sikur njëra nga këto të mos jetë në vendin e duhur, ajo skenë e madhe të nxjerrë zbuluar. Dhe, ne nuk kishim asnjërën nga këta komponentë:
– Kënga ishte një miksim i gjithçkaje dhe i asgjëje.
– Interpretimi nxori në pah mungesën e regjistrit të poshtëm (vokal) dhe pamundësi për të kërcyer e kënduar njëkohësisht (qoftë edhe atë material që më shumë është krijuar si këngë stadiumi, me britma, me numra e fjalë pa asnjë lidhje logjike me njëra-tjetrën)
– Dhe, së fundmi performanca që kishte si qëllim vetëm lëvizjet joshëse për një publik te orëve të vona të natës.
Të gjitha këto komponente dukej se ishin bërë “me vesh”, si i themi ne nga anët tona. Këngë me një strukturë arna-arna, ku është gjetur vetëm një motiv i kapshëm për veshin dhe e gjithë pjesa tjetër e mbushur me pasthirrma agresive athua se po shkonim në luftë. Një tekst që ka brenda edhe “xhamadanin vija-vija” edhe fjalën “regret”, edhe “toca-tocalo” edhe “ta marrsha” edhe “ma ke bo jetën si lojna, avion” … e nuk mbaj mend çfarë ka brenda tjetër
Nisur nga kjo, edhe performanca sigurisht që nuk mund të ketë as koncept e as fabul, kështu që do i thërrasësh në ndihmë ndonjë pjesë intime për të tërhequr vëmendje e për të justifikuar titullin e këngës “Sekret” që as atë nuk e justifikoi, sepse sekreti doli sheshit
Edhe njëherë e theksoj që përfaqësimi i një shteti është mbajtja e atij flamuri në dorë dhe jo qëllimi për të bërë sa më shumë ndjekës në profilin tënd. Edhe pse Ronela bëri më të mirën e mundshme, ka bërë aq sa mund të bëjë ajo për veten e saj, por jo për shtetin që përfaqëson, sepse ne dimë akoma të ndërtojmë një vijë të bukur melodike, ne dimë akoma të ndërtojmë një mesazh kënge apo të rendisim ca vargje, ne dimë akoma të këndojmë të vetëm në skenë, qoftë edhe me një ndriçim modest, e të emocionojmë me vokal … Ne dimë akoma të shijojmë muzikë dhe kur them ne, e them si për brezin tonë (profesionist, apo jo), por edhe për brezin e djalit tim që më tha: “Shumë më bukur Moldavia o ma, me atë folkun e pastër, sesa ne me këtë këngë”.
Kam shumë për të folur e treguar sesi punojnë shtetet në drejtim të përfaqësimit të tyre, qoftë edhe ne këtë Eurovisionin që thuhet se nuk është më si dikur, por që në fund ka një vlerësim për të gjithë. Dhe, peshën e vlerësimit e marrin juritë profesioniste të secilit shtet, si dhe votat e publikut.
Jam e sigurt që Shqipëria nuk ka marrë vlerësim të jurive profesionale, por mund të ketë pasur vota publiku, e kryesisht të fanatikeve e fansave të përfaqësimit tonë (sepse e bëjnë çdo vit me devotshmërinë më të madhe dhe në radhë të parë, sepse e duan Shqipërinë), por të cilat nuk mjaftojnë për ta kaluar këtë garë.
Po kthehem edhe njëherë në fillim ku thashë nuk është fundi i botes dhe se Ronela do të vazhdojë jetën e saj artistike për fansat që e ndjekin gjithmonë, por edhe për ata fansa të shtuar këto kohë që më natyrën e saj karizmatike i ka mbajtur gjallë që nga koha e shpalljes si fituese e festivalit.
Por, kur paraqitesh në Eurovizion nuk është njësoj si të bësh një klip e të marrësh ca klikime, nuk është e njëjta gjë me të kënduarit në një shesh të mbushur me të rinj. Jo me kot u censuruan disa foto të Ronelës në provën e saj të parë. Organizatoret e Eurovizionit i kujtuan edhe njëherë ekipit shqiptar faktin që ky është një eveniment familjar. Pra, kemi të bëjmë me një shou ndërkombëtar dhe jo individual.
Me këtë nuk dua të them se jam kundra ekstravagancës apo thyerjes se disa tabuve shqiptare, por të gjitha këto duhen bërë me art, duan eksperience skenike, duan krijimtari e mbi te gjitha duan dinjitet artistik e jo banalitet. / KultPlus.com