Hapet franshiza e parë e EBC Cosmetics në Ferizaj


EBC Elegance and Beauty Cosmetics këtë vit ka lansuar projektin për të zgjeruar biznesin edhe në formë franshize në të gjithë Kosovën.

Franshiza e parë e EBC po hapet në Ferizaj në datën 21.07.2022 me lokacion në qendrën tregtare ‘The Village Shopping & Fun’.

EBC ofron akses në një gamë të gjerë produktesh kozmetike të klasit botëror, një emër të ndërtuar që 30 vite dhe një model biznesi që ka pasur dekada suksesi pas tij.

EBC është një kompani lidere e kozmetikës në Kosovë me një profil jashtëzakonisht të lartë të brendit. / KultPlus.com

Pse gjuha angleze është lingua franca e botës?

Sipas Enciklopedisë Britannica, gjuha angleze sot flitet nga rreth 2 miliardë njerëz në të gjithë botën, ndërsa më shumë se 50 shtete e përdorin atë si gjuhë zyrtare. Llogaritet që afërsisht një e treta e njerëzve në botë e përdorin gjuhën angleze. Me prejardhje në masë të madhe nga dialektet e vjetra të gjuhëve gjermanike të angelëve, saksonëve dhe jutëve, ajo është lingua franca e ditëve të sotme. Pra, nuk është më vetëm gjuhë që iu përket folësve amtarë të anglishtes, por mbarë njerëzimit.  

Nëse nisemi nga aspekti historik, shtrirja e parë e anglishtes nëpër botë mendohet të ketë ndodhur me zgjerimin e kolonive Britanike në Amerikë, Afrikë, Australi dhe Azi. Ndërsa në ditët e sotme, anglishtja është e mishëruar pothuajse në çdo gjë. Në internet është gjuhë absolutisht dominuese, po ashtu edhe në shkencë, art, kulturë, sport, turizëm, etj.

Për shkak të rëndësisë gjithnjë e në rritje, edhe në Kosovë, mësimi i anglishtes është futur në kurrikula tek moshat më të reja, madje së fundmi, qysh në klasën e parë. Megjithatë, duke e pasur parasysh popullatën tejet të re në vendin tonë, njohja e gjuhës angleze nuk përbën përqindje të kënaqshme; as për nga sasia e as për nga cilësia. 

Sido që të jetë, një portë e madhe e mundësive qëndron e hapur për të rinjët tanë çdo ditë, kryesisht për ata që kanë njohuri të forta të gjuhës angleze. Çdo vit jepen qindra bursa ndërkombëtare për studime në universitete prestigjioze. Duke u bazuar në atë se çdo ditë organizata e korporata ndërkombëtare e vendore në Kosovë kërkojnë staf me njohuri të mira të anglishtes, ndër të tjera Koordinatori i Departamentit të Gjuhës Angleze dhe ligjërues në Kolegjin Universum, Prof. Artan Aliu, ka shkruar se këto njohuri nuk mund të fitohen nga rrjetet sociale, por përmes studimeve të mirëfillta që mundësojnë të ardhme të suksesshme edhe përtej kufijve. 

Për më shumë informata rreth departamentit të Gjuhës Angleze kontakto +383 44 144 062, [email protected] ose ndiqeni Kolegjin Universum në facebook & instagram.

(Shkrim i sponsorisuar nga Kolegji Universum).

Të shtunën mbahet turneu për nder të Legjendës Fadil Vokrri

Në organizim të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), të shtunën, më 23 korrik, do të mbahet turneu kushtuar Legjendës, Fadil Vokrri, me rastin e ditëlindjes së tij.

Në këtë turne do të marrin pjesë veteranët e Përfaqësueses së Kosovës, veteranët e Kombëtares së Shqipërisë, veteranët e KF Llapit dhe veteranët e FC Prishtina.

Në ndeshjen e parë të turneut do të takohen Llapi-Prishtina, në orën 17:30, derisa në orën 19:00 do të zhvillohet ndeshja Kosovë-Shqipëri.

Ky turne do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK, teksa të ftuar do të jenë familjarët e Legjendës dhe ish-bashkëlojtarët, si Ramadan Cimili, Erdogan Celina, Skënder Shëngyli, Esat Mehmeti, Rafet Prekazi etj.

Po ashtu, të ftuar janë edhe drejtues të institucioneve të nivelit lokal të Podujevës dhe Prishtinës si dhe atyre të nivelit qendror.

FFK po ashtu u bën ftesë publike të gjithë dashamirëve të futbollit që të jenë të pranishëm në këtë turne, që në mënyrë sa më madhështore të nderohet vepra dhe karriera e Legjendës. /KultPlus.com

GKK organizon edicionin e 14-të të Ekspozitës Ndërkombëtare “Çmimi Muslim Mulliqi 2022” dhe shpall edhe një konkurs tjetër

Galeria Kombëtare e Kosovës organizon edicionin e katërmbëdhjetë të Ekspozitës Ndërkombëtare “Çmimi Muslim Mulliqi” 2022 dhe shpall Konkurs për pranimin e punimeve nga të gjitha mediumet e arteve bashkëkohore që reflektoj konceptin kuratorial.

GJEST RESPEKTI

RE-TRO-SPEKTIVE

RI-SHIKIMI

RI-KTHIMI

RE-SPEKTI

RI-SPEKULIMI

RE-SPEKTAKULAR

“ars longa – vita brevis” konsiderohej si e tejkaluar.

Vini re kohën e foljes!

Ka tradita në art – Rishikime dhe Retrospektiva.

Respekti për tradicionalen i është mveshur artit si një lloj gjesti mirësjelljeje.

Pa revokim, lufta midis dy shteteve evropiane na riktheu të përçarë

• nga mospaqja e përtërirë në Evropë,

• nëpërmjet mosnjohjes së pretendimeve për autonomi sovrane nga individë në kontekste kombëtare, e cila nxitet nga interesat shtetërore,

• nga rivendosja e dukshme e një “perde të hekurt” që u zhvendos vetëm në perëndim

mbi të gjitha:

• duke shpërfillur utopinë e Euroazisë së Josef Beuys, e cila historikisht dhe etnikisht pohoi lidhjet midis Uelen në ngushticën e Beringut në detin Chukchi dhe Dingle në Perëndimin irlandez, i cili është afër Shteteve të Bashkuara, ku kufijtë kombëtarë ndajnë ngjashmëritë kulturore dhe sistemet e artit te nivelit ndërnacional.

Jo, çorientimi post-modern I iniciuar si një rrugëdalje nga qorrsokaqet e një manie menaxheriale të ideologjizuar dhe moderne, ka humbur simpatinë e saj – dhe premtimin për të ardhmen. Katarsis nuk ndoqi kaosin e dëshiruar, vetëm dekadencën.

Ofensiva e mediave dixhitale në biznesin e artit të dominuar nga Perëndimi, i përqendruar tek vetja, rezulton të jetë një fata morganë kalimtare. Ai është i dematerializuar pas horizontit të artit dhe jetës, tashmë teknikisht duke u zhdukur kur energjia elektrike nuk del më nga priza ose furnizimi me energji nuk garantohet më as nga kartelet e lëndëve të para dhe as nga kontrollorët e disponueshëm të rrjetit. Mbi të gjitha, ai avullon shpirtërisht, sepse impulset e tij të kujtesës dërgohen pa kohë vetëm në një masë të kufizuar për shkak të “ruajtjes” së paqëndrueshme: vita longa – ars brevis!

Në këtë mënyrë, vlerat jomateriale të komunikuara globalisht ekspozohen si besime të pastra, si ideologji të mbështetura nga të pasurit sektarë – si spekulime. Nëse ato as nuk kundërshtohen nga veprat e krijuara ose nuk ringjallen vazhdimisht nga besimet e praktikuara rreptësisht të shumë më tepër sesa vetëm disa (oligarkëve ose koleksionistëve të mëdhenj, spektakolari shfaqet për atë që është: si vetëm ri-spekulim vetë-përjetësues.

A mund të japë arti përgjigje për pozicionime të tilla bashkëkohore?

Mezi!

Por, arti mund të qëndrojë në këmbët e veta tradicionale dhe kështu nga njëra anë nuk mbetet më një dekorim afirmativ për gabimet – dhe nga ana tjetër përpiqet sërish të tregojë produktivisht orientime për kërkuesit.

VETËMjaftueshmëria

Artistët që i besojnë dizajnit, vizatimit, shprehjes së ideve të tyre që është kuptuar si parësia e artit që nga Rilindja, janë pothuajse autonome. Pranë tyre qëndrojne piktorët dhe skulptorët. Të pa tjetërsuar, ata respektojnë prodhimin e “simptomatikës” (Vilém Flusser) si një teknikë qendrore.

Bazuar në vizatimet e shpellës, kjo simptomatikë është përgjegjëse për një traditë pothuajse rezistente ndaj katastrofave në mbijetesën e produkteve mediatike të krijuara nga imazhi. “E dini,” u përgjigj Richard Hamilton ndërsa ishte ulur në ekran gjatë një vizite në studion e tij pranë Oksfordit, kur e pyetën pse ai ishte ende duke pikturuar ndërsa qëndronte pranë kavaletit:

“E dini, piktura ka historinë më të madhe, piktura ka të ardhmen më të madhe!”

Siç tregon kjo deklaratë, natyrisht, fjala ka luajtur gjithashtu një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në art, pasi vetë kuptimi është kondensuar jashtë artit. Fjala – manifeste, teori artistësh, metatekste… – është vënë në skenë në mënyrë apodikale që nga iluminizmi (pasi artistët u çliruan nga punësimi klerik ose oborrtar dhe u përballën me konkurrencën liberale, si të thuash) – dhe ndonjëherë edhe në një mënyrë bashkëkohore si një ide e realizuar.

Kur bashkëkurojnë ekspozitën e çmimit Musli Mulliqi, Christian Mosar dhe Raimund Stecker duan të ndjekin këtë kredo të “Piktura ka të ardhmen më të madhe” – dhe ta bëjnë këtë në mënyrë reaguese, d.m.th. në retrospektivë, si kujtesë, përkatësisht me largpamësi!

Pra, Bienalja jonë dëshiron të jetë e qëndrueshme historikisht në të ardhmen.

Kurator nga:

Christian Mosar (Luksemburg)

Raimund Plug (Dusseldorf)

Rregullat e aplikimit:

— Formulari për plotësim mund të merret në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

— Punimet duhet të jenë të pa ekspozuara në GKK

— Biografia personale

— Punimi më I suksesshëm do të shpërblehet me Çmimin “Muslim Mulliqi” në vlerë prej 3.000 €

Vërejtje:

— Nuk pranohen punimet fizike të dërguara.

— Aplikimet në zarf dërgohen në adresën:

Galeria Kombëtare e Kosovës, Rr. Agim
Ramadani, nr. 360, 10000, Prishtinë,
çdo ditë pune nga ora 08:00 – 16:00
nga data 20 korrik deri me 20 shtator. /KultPlus.com

“Uji deri në katër euro”, Abazoviq: Çmimet si në Saint – Tropez, Cannes dhe Monako

Mediat malazeze raportojnë se kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se çmimet nëpër plazhe janë sikurse në Côte d’Azur” – (riviera e famshme franceze), përkatësisht bregdeti mesdhetar i Francës juglindore që përfshin vendpushimet e famshme magjepsëse të plazhit si Saint-Tropez dhe Cannes, dhe Monakon.

Por, Abazoviq gjithashtu ka thënë se të hyrat janë në nivel të kënaqshëm.

“Parametrat janë të tillë që të hyrat totale të realizuara janë në nivel të kënaqshëm”, citohet të ketë thënë ai në seancën e qeverisë. Nëse dikush mendon se është e mundur të përsëritet sezoni i vitit të kaluar kur ishte një kulm i jashtëzakonshëm, sepse ishim i vetmi vend i hapur për 45 ditë, do të jetë e vështirë ta realizojmë. Duhet të përshtatemi me trendet e reja. Çmimet në bregdet janë si në Cote d’Azur, Mali i Zi nuk e ka parë kurrë këtë më parë”, ka thënë Abazoviq, përcjell Vijesti.me.

Ndërkaq, ai ka theksuar se është i kënaqur që shumë turistë zgjedhin qetësinë, natyrën pa turma dhe udhëtimet në plazhe, vende ku ajri është i pastër dhe temperaturat nuk janë aq të larta sa buzë detit.

I pari i Malit të Zi shpreson që të vijnë edhe më shumë turistë, duke qenë realistë dhe të ndershëm.

“Duhet të dimë që çmimi i ujit në bregdet është deri në katër euro dhe para një viti e gjysmë ishte 1.5 euro, disa shtëpi të vogla në ‘Ada Bojana’ jepeshin me qira 50 euro, tani 250 euro – vetëm duhet të jemi realistë dhe të ndershëm”, ka paralajmëruar Abazoviq. /KultPlus.com

Dafina Zeqiri pjesë e filmit “Adnan Kafazi”

Këngëtarja Dafina Zeqiri do të jetë pjesë e filmit “Adnan Kafazi”, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur aktorja tjetër pjesëmarrëse në këtë film, Edona Reshitaj, përmes një postimi në “Instagram”.

“Dafina Zeqiri është një super aktore. Në filmin “Adnan Kafazi”, e ka një super rol dhe e ka ça. Jemi të lumtun që na është bashkangjitë në film. Rrini gati”, ka shkruar Reshitaj.

Filmi Adnan Kafazi është pjesa e tretë e filmave ‘Zonjusha’ dhe ‘Diamanti’. /KultPlus.com

Fëmijët e lindur nga përdhunimet gjatë luftës marrin statusin e viktimës në një rajon të Bosnjës

Fëmijët e lindur nga përdhunimet gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë kanë marrë statusin e viktimave civile të luftës në Qarkun e Bërçkos – njësi kjo e posaçme administrative e këtij vendi.

Është hera e parë në Bosnje dhe Hercegovinë që Qeveria pranoi se kjo kategori duhet të jetë “e dukshme”.

Asambleja e Qarkut të Bërçkos, më 15 korrik, mori vendimin që t’i përfshijë fëmijët e lindur nga përdhunimet gjatë luftës në Ligjin për viktimat civile të luftës. Për këtë ligj është pritur dhjetë vjet.

“Jemi të lumtur që Qeveria e pranoi këtë nismë dhe që, në më pak se gjashtë muaj, u hartua udhëzimi dhe u miratua ligji”, tha kreu i Departamentit të shëndetësisë dhe shërbimeve lokale në Qeverinë e Qarkut Bërçko, Sead Shadiq.

Karim Khan, prokuror i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, përgëzoi Asamblenë e Bërçkos dhe organizatat joqeveritare që morën pjesë në propozimin dhe krijimin e zgjidhjes ligjore.

“Këtyre fëmijëve do t’u kushtohet vëmendje e veçantë nga zyra ime, në hetime dhe ndjekje penale”, shkroi Khan në Twitter.

Në pjesën tjetër të këtij vendi, në entitetin e Republika Sërpskës dhe në Federatën e Bosnje e Hercegovinës, gjegjësisht në dhjetë kantone të kësaj federate, fëmijët e lindur pas përdhunimeve gjatë luftës, nuk e kanë statusin e viktimave civile të luftës.

Simbolike, por domethënëse

Çdo njohje, si përmes sistemit, si përmes shtetit, do të thotë shumë, tha për Radion Evropa e Lirë Jellena Çajiq nga Tuzlla, e cila ka lindur si pasojë e përdhunimit gjatë kohës së luftës.

“Është e rëndësishme për të gjithë ne, është një hap drejt realizimit të të drejtave, kudo, këtu në Bërçko, kudo që është, mirë është. Kjo ka domethënie për ne”, tha ajo.

Për Ajna Jusiqin, e lindur nga përdhunimi gjatë luftës – e cila përmes shoqatës “Fëmijët e harruar të luftës” sot lufton për të drejtat dhe statusin e njerëzve si ajo – vendimi është një precedent në luftën për të drejtat e njeriut.

“Nga këndvështrimi i fëmijëve dhe nënave, ne besojmë se, më në fund, kjo është një lloj garancie që nuk do të mbetemi të padukshëm dhe se dikur, në të ardhmen, do ta kemi mundësinë të njihemi ligjërisht edhe nga shoqëria”, tha Jusiq për Radion Evropa e Lirë.

Ajo shtoi se gjatë katër vjetëve të fundit, përmes shoqatës, kanë argumentuar se pse është e rëndësishme që ligji të miratohet.

“Është e rëndësishme të theksohet fakti se procesi transitor i drejtësisë, nuk do të mund të përfundonte nëse nuk njihet një kategori e cenueshme, siç janë fëmijët e lindur si pasojë e aktit të përdhunimit”, theksoi Jusiq.

Nga organizata “Trial”, e cila punon për përmirësimin e të drejtave të viktimave të dhunës seksuale të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, thanë se ky është një mesazh që këta fëmijë nuk janë harruar.

“Me këtë lloj njohjeje askush nuk do të mund të mohojë ekzistencën e tyre apo pasojat specifike psikologjike, sociale dhe ekonomike, me të cilat ata po përballen edhe sot”, tha për Radion Evropa e Lirë Amina Hujdur, bashkëpunëtore për komunikim nga organizata “Trial”.

Sipas saj, bëhet fjalë për një akt simbolik të njohjes përfundimtare juridike dhe sociale të fëmijëve të lindur nga përdhunimi në luftë, si kategori e veçantë e viktimave civile të luftës.

“Fatkeqësisht, ne kemi pritur që fëmijët të rriten dhe ata vetë të luftojnë për status dhe njohje, si në aspektin shoqëror, ashtu edhe në atë juridik”, theksoi Hujdur.

Nevojiten hapa të mëtejmë dhe përparime

Deri më 15 korrik, kur u miratua Ligji për viktimat civile, Bërçko ka rregulluar të drejtat dhe nevojat e kësaj kategorie përmes Vendimit për mbrojtjen e viktimave civile të luftës.

Ligji rregullon edhe të drejtat e viktimave për përparësi në arsim dhe bursa, të drejtën mbi përfitimet për invalidët ose rehabilitim mjekësor.

Megjithatë, nga organizata “Trial” theksojnë se është bërë një lëshim, sepse fëmijëve të lindur pas përdhunimeve gjatë luftës, nuk u janë njohur të gjitha të drejtat.

“Korniza ligjore duhet të përmirësohet. Para së gjithash, njohja e statusit kufizohet vetëm për fëmijët, nënat e të cilëve tashmë kanë arritur statusin e viktimës së përdhunimit në luftë. Kjo gjë i përjashton fëmijët e tjerë, nënat e të cilëve nuk e kanë kërkuar këtë status”, tha Hujdur.

Çfarë ndodhi me pjesën tjetër të Bosnje e Hercegovinës?

Ligji i miratuar në Bërçko hyn në fuqi tetë ditë pas miratimit.

Fëmijët e lindur nga përdhunimet gjatë luftës nuk e kanë statusin e viktimave civile të luftës në pjesën tjetër të Bosnje e Hercegovinës dhe as ndonjë të drejtë që do të dilte nga një status i tillë.

Shoqata “Fëmijët e harruar të luftës”, prej vitesh, lufton që të paktën të mos ketë nevojë të shënohet emri i babait, gjatë plotësimit të dokumenteve dhe formularëve të caktuar.

Vështirësitë administrative janë tejkaluar, por vetëm në disa bashkësi lokale.

Të gjithë hapat domethënës duhet të ndërmerren nga entitetet, të cilat, sipas shembullit të Bërçkos, duhet t’i njohin si viktima civile fëmijët e lindur si pasojë e luftës, thonë nga “Trial” dhe nga shoqata “Fëmijët e harruar të luftës”.

Në fillim të qershorit 2022, Qeveria e Federatës së Bosnje e Hercegovinës miratoi Projektligjin për mbrojtjen e viktimave civile të luftës, i cili përcakton qartë njohjen e statusit të fëmijëve të lindur nga përdhunimi.

“Ky është një tregues pozitiv, që një gjë e tillë do të ndodhë edhe në Federatë. Ndërkaq, kjo në Bërçko tregon se është e mundur dhe se zgjidhje të tilla ligjore mund dhe duhet të zbatohen edhe në entitete”, thanë nga “Trial”.

Në Republikën Sërpska, fëmijët e lindur nga përdhunimet në luftë nuk njihen si viktima civile të luftës.

Kur bëhet fjalë për gratë që i mbijetuan përdhunimit gjatë luftës, në Federatën e Bosnje e Hercegovinës ato mbulohen nga Ligji ekzistues për bazat e mbrojtjes sociale, mbrojtjen e viktimave civile të luftës dhe mbrojtjen e familjeve me fëmijë.

Në Republikën Sërpska, nga viti 2018 është në fuqi Ligji për mbrojtjen e viktimave të torturës gjatë luftës.

Nuk ka të dhëna për numrin e fëmijëve të lindur nga përdhunimet gjatë luftës

As për Bërçkon, as për pjesën tjetër të Bosnje e Hercegovinës nuk ka të dhëna të sakta dhe zyrtare për numrin e fëmijëve të lindur nga përdhunimet gjatë kohës së luftës, sepse nuk është mbajtur asnjë evidencë për lindjen e tyre.

Nuk ka të dhëna të sakta as për numrin e grave të dhunuara gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Vlerësimet e Kombeve të Bashkuara thonë se bëhet fjalë për 20.000 deri në 50.000 gra.

Pas lindjes, një numër i caktuar grash hoqën dorë nga fëmijët që kishin lindur nga përdhunimi dhe fëmijë të tillë vendoseshin në shtëpi për fëmijë, ose birësoheshin dhe çoheshin në vende të huaja. Prandaj, shumica prej tyre nuk janë në dijeni për origjinën dhe identitetin tyre, thonë nga organizata “Trial”.

“Ata fëmijë që janë lënë në kujdesin e nënave të tyre, për t’i rritur në mënyrë të pavarur, që kanë informacione për origjinën e tyre, përballen me probleme që lidhen me identitetin e tyre, stigmatizimin, margjinalizimin dhe izolimin”, theksoi Hujdur.

Nënat e tyre shpesh i kanë rritur në kushte të vështira socio-ekonomike, pa asnjë mbështetje shtesë.

Ajna Jusiq, e lindur nga përdhunimi, tha se veprimi që është ndërmarrë në Bërçko, aq sa është i rëndësishëm për fëmijët, po aq është edhe për nënat.

“Për nënat tona që luftuan gjithë jetën, u përballën me problemet e tyre dhe në të njëjtën kohë luftuan që fëmijët e tyre të njihen”, tha Jusiq.

Gjykata e Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës në ish-Jugosllavi (ICTY) e shpalli përdhunimin “armë lufte” gjatë ndjekjes penale të krimeve të luftës në territorin e Bosnje e Hercegovinës.

Gjykimi i Dushko Tadiqit, ish-kryetarit të këshillit lokal të Partisë Demokratike Serbe (SDS) në Kozarac, afër Prijedorit në Serbi, në vitin 1997, ishte rasti i parë i procedimit të krimit të luftës para kësaj gjykate, por edhe rasti i parë ku u gjykua për dhunë seksuale.

Më shumë se 30 kriminelë lufte janë dënuar për krime të dhunës seksuale në këtë gjykatë.

Nga viti 2004, më shumë se 130 persona janë dënuar në gjykatat e Bosnje e Hercegovinës për raste të njëjta, ndërkaq rreth 200 raste të lidhura me dhunën seksuale janë në procedim e sipër. Pothuajse dy të tretat e të dënuarve morën nga tre deri në pesë vjet burgim, sipas të dhënave nga organizatat joqeveritare.

Shembull për vendet e tjera?

Duke njohur statusin e fëmijëve të lindur si pasojë e luftës, Qarku i Bërçkos është i pari që iu përgjigj pozitivisht rekomandimeve ndërkombëtare për këtë kategori viktimash.

Në fillim të vitit, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u ka bërë thirrje qeverive që për viktimat e përdhunimeve gjatë luftës dhe për fëmijët e lindur si pasojë e përdhunimeve, të sigurohen të gjitha të drejtat dhe mbështetja, duke theksuar edhe nevojën që të njihen si viktima.

Nga “Trial” theksuan se njohja në Bërçko është gjithashtu në përputhje me vendimin e fundit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, e cila vendosi që “fëmijët e lindur si rezultat i përdhunimit dhe skllavërisë seksuale, janë viktima të drejtpërdrejta të këtyre krimeve dhe kanë të drejtën e dëmshpërblimeve”./REL/ KultPlus.com

“Hasta la vista, baby”, fjalët e fundit të Boris Johnson si kryeministër i Britanisë (VIDEO)

Deputetët konservatorë e përshëndetën me duartrokitje daljen e fundit të Boris Johnon si kryeministër i Britanisë së Madhe.

“Ne ndihmuam, unë ndihmova për ta nxjerrë këtë vend nga pandemia dhe për të ndihmuar në shpëtimin e një vendi tjetër nga barbaria. Dhe, sinqerisht, kjo është e mjaftueshme për kursin. Misioni u krye në një masë të madhe. Dua t’i falënderoj të gjithë këtu dhe hasta la vista, baby”, tha ai në fund të fjalimit. /KultPlus.com

Anibar shpall filmat fitues të edicionit të 13-të

Dje është mbajtur ceremonia e mbylljes së edicionit të 13-të të festivalit Ndërkombëtar të Animacionit Anibar. Ceremonia filloi nga ora 20:00 ku publikun zuri vend në hapësirën e Kino Liqeni.

Juria u mblodh edhe njëherë të shpall fituesit e 7- të kategorive garuese.

Më poshtë mund të gjeni emrat e fituesve të këtij edicioni.

Gara ballkanike

Fituesi i garës ballkanike “My Father’s Damn Camera!”. Ky film është realizuar nga Milos Tomic.

Një djalë i pamatur në një mënyrë pothuajse të dëshpëruar dhe për këtë arsye problematike kërkon vazhdimisht vëmendjen e babait të tij – fotograf. Duke u përballur me kaosin artistik të të atit dhe magjepsjen e tij obsesive me jetën fotografike, në rrugën e tij të rritjes, këto elemente përfundimisht bëhen thelbësore për forcimin e lidhjes së tyre baba-bir. Në një tregim që ndërthur animacionin e vizatuar me dorë dhe stop motion në teknikën e kolazhit, autori e çon audiencën e tij në një xhiro nëpër arkivin e fotografit slloven Dragiša Modrinjak, dhe në të njëjtën kohë tërheq nga përvoja personale si regjisor dhe baba.

Juria vendosi për këtë film sepse: “Ne do të donim t’i jepnim çmimin e filmit më të mirë ballkanik një filmi që na çoi në një udhëtim të egër zbulimesh dhe lidhjesh personale familjare. Ky film vizualisht i gjallë ju hipnotizon deri në fund me përdorimin e tij të pasur të teknikave të mediave mikse.”

Juria ndau Mirënjohje të veçantë filmit “Shpija” me regji të Flaka Kokollit.

“Ne do të donim të përmendnim veçanërisht një film që trajton përdorimin e fortë të metaforës vizuale për të përshkruar konceptin e shtëpisë në kuptimin e tij më të gjerë. Stili i tij fluid i animacionit paraqet temat e rrënjëve dhe identitetit kulturor në një mënyrë të ndjeshme dhe tërheqëse”.

Gara studentore

Fituesi i garës së studentëve u shpall filmi “Goodbye Jérôme!”. Ky film u drejtua nga Gabrielle SELNET, Adam SILLARD dhe Chloé FARR.

Sapo ka mbërritur në parajsë, Xheroni niset për të gjetur gruan e tij Merilin. Gjatë kërkimit të tij, ai zhytet në një botë surreale dhe shumëngjyrëshe në të cilën askush nuk duket se mund ta ndihmojë.

Juria vendosi për këtë film sepse: “Na mahniti me përzierjen lozonjare të humorit surreal dhe stilit vizual. Ai shfaqi një drejtim të fortë të animacionit, zërit dhe historisë, një arritje shumë kompetente nga ekipi që ju fton të jeni pjesë e udhëtimit të Jerome përsëri dhe përsëri”.

Juria ndau Mirënjohje të veçantë për “Dhomën e sipërme” të regjisorit Alexander Gratze.

“Dëshirojmë të përmendim një film që na ngrohu zemrat me përshkrimin e tij empatik të lidhjes së dy botëve. Një qasje simpatike artistike, nga e cila mund të rishikoni kujtimet tuaja familjare dhe të mendoni për shkëmbimin e brezave”

Gara e Filmit të Metrazhit të Gjatë

Fitues i Garës së Filmit të metrazhit të Gjatë është “Bye-Bye Elida”. Ky film u drejtua nga Titouan Bordeau.

Bye-Bye Elida zhvillohet në fusha të gjera. Zbulojmë disa grupe personazhesh që kryejnë aktivitetet e tyre përkatëse. Disa përpiqen të ushqehen për të mbijetuar, të tjerë ndërtojnë, udhëtojnë ose kryejnë rituale të pashpjegueshme. Kalimi i kohës na tregon se veprimet e disave, sado pozitive apo mizore, kanë ndikim në jetën e të tjerëve.

Ata vendosën për këtë film sepse: “Krijesat e çuditshme dhe peizazhet surreale në të cilat banojnë marrin jetë në këtë film përmes ritualeve idiosinkratike dhe një stili grafik të interpretuar minimalist. Pemët që rënkojnë dhe çamçakëz flluskash të kristalizuara janë elementë të një dizajni unik të tingullit që plotëson performancat humoristike dhe absurde që u japin jetë këtyre personazheve.

 Juria i jep BYE-BYE ELIDA çmimin e madh për filmin e animuar.

Juria ndau Mirënjohje të veçantë për “BOB SPIT” të drejtuar nga Cesar Cabral.

“Shkrimi i shkëlqyeshëm i skenarit, personazhet unikë, krijimi i shkathët i kostumeve dhe vërtetësia e studiuar mirë në kulturën punk të viteve 1970 e ngritën këtë film në shumë nivele. Shëmtia ishte krijuar bukur dhe kërcimet e shkathëta midis dokumentarit dhe artit komik brazilian që i referohet kombinohen për të krijuar një vepër arti autonome.”

Gara Ndërkombëtare

Fituesi i Garës Ndërkombëtare u shpall “Letter to a Pig” nga Tal KANTOR.

Një kujtim traumatik i një të mbijetuari të Holokaustit dërgon një nxënëse të re në një udhëtim të brendshëm, duke kërkuar për rrugën e saj ndërsa kufiri midis natyrës së kafshëve dhe njeriut mjegullohet.

Juria vendosi për këtë film sepse: “Ky është një film që merr një perspektivë jokonvencionale, personale për një traumë të përbashkët historike që ka kaluar shumë linja brezash. Regjisori përdor me mjeshtëri një përzierje imagjinative të teknikave të animacionit për të rinovuar diskutimet tona për Holokaustin, edhe pse fëmijët tanë përballen me trazira bashkëkohore.”

Juria i ndan një mirënjohje të veçantë edhe filmit “SIERRA”.

“Ne na pëlqyen tingujt e mprehtë dhe stilin e thjeshtuar grafik të kësaj narrative lozonjare dhe të këndshme pasi shërben për një performancë çuditërisht emocionale me lidhje kaotike dhe të paparashikueshme. Komploti i jashtëm budalla flet në mënyrë të fshehtë për pritshmëritë midis prindërve dhe fëmijëve të tyre dhe për atë që duam nga vetja”. Juria i jep me kënaqësi Sierra çmimin për mirënjohje të veçantë për filmin e shkurtër dhe të animuar.

Gara e video-muzikës së animuar

Fituesi për Videon Muzikore më të Mirë të Animuar iu nda filmit “Cimpoiasca”! Drejtuar nga Barbora Halířová, Cimpoiasca është një video muzikore që përdor motive folklorike për të treguar historinë e miqësisë së pastër të një gruaje. Me ndihmën e schnapps dhe kërcimeve të egra, këto gra arrijnë të kapërcejnë një makth të vogël. Filmi përdor simbolikën për të interpretuar ritmin e muzikës folklorike në një qasje kaq tërheqëse. Mënyra se si ky kërcim vizual përshkruan ndjenjën e bashkimit na mori për dore për t’u bashkuar në një rrugë drejt një bote më të gëzueshme. Pra, le të kërcejmë me fituesin, që është Cimpoiasca.

Juria gjithashtu i jep një mirënjohje të veçantë “Los colores del niño dios”, drejtuar nga Santiago Pérez Rodríguez. Një udhëtim i animuar punk përmes skedarëve Excel të foshnjës Jezus, i ngarkuar për të sjellë dhuratat e Krishtlindjeve në Kolumbi. Dhjetori është një festë frenetike kushtuar hiper stimulimit të shqisave. Gëzimi dhe energjia e animacionit shkon në mënyrë të përkryer me muzikën. Ai përcjell me gjallëri anën konsumatore të një feste të rëndësishme duke iu referuar imazheve ikonike të kohës sonë. Për shkak të mënyrës shumë të mprehtë, plot ngjyra dhe punk të realizimit të filmit, ne i japim mirënjohje të veçantë Los colores del niño dios.

Një tjetër mirënjohje e veçantë shkoi tek “SURL – Beside”, me regji nga Yoon-kyeong YANG, kjo video shprehte dashurinë për personin tjetër si karrige dhe e vizualizonte atë teksa karrigia po udhëtonte. Kombinimi i përsosur i imazheve elegante dhe qasjes vizuale na çon në një botë ëndërrimtare që përshkruan dëshirën e dashurisë. Filmi përdor një gjuhë metaforike që përzien bukur abstraktin dhe narrativën me sukses duke përdorur një larmi të gjerë stilesh. Në secilin shikim videoja muzikore zbulohet para nesh, shtresa pas shtrese.

Gara e të drejtave të njeriut

Fituesi i Garës për të Drejtat e Njeriut është “Night” me regji të Ahmad Saleh. Pluhuri i luftës i mban sytë pa gjumë. Nata sjell paqe dhe gjumë për të gjithë njerëzit në qytetin e shkatërruar. Qëndrojnë vetëm sytë e nënës së fëmijës së humbur. Nata duhet ta mashtrojë për të fjetur për të shpëtuar shpirtin e saj. Është jashtëzakonisht e vështirë të përshkruash subjekte kaq të vështira në një mënyrë poetike. Ne u prekëm veçanërisht nga arritjet e këtij filmi. Duhet një rrugë shumë e ndryshme për të portretizuar tragjedinë dhe tmerret e luftës. Ai përdor natën si një pikë të fortë narrative për të na lënë të ndiejmë atmosferën makthi që rrethon humbjen e jetës.

“Lada, motra e Ivanit” mori mirënjohje të veçantë në kategorinë për të Drejtat e Njeriut. Një film me regji të Olesya Shchukina. Është një animacion dokumentar i bazuar në historinë reale të Ladës, një gruaje transgjinore nga Rusia. Ajo i tregon asaj dhe vëllait të saj sekretin e Ivan. Filmi ka një gjuhë vizuale dhe tregim të fortë dhe të gëzueshëm. Ajo vërteton me shumë sukses se mund të trajtoni një temë të fortë në një mënyrë shumë të ngrohtë. Ne ishim të intriguar nga ky film nga cilësitë e tij si dhe mendojmë se është e rëndësishme të kemi filma që përshkruajnë diversitetin, veçanërisht në kontekstin e Rusisë sot ku të drejtat e LGBTQ+ janë nën kërcënim çdo ditë.

Gara e Audiencës së të Rinjëve

 Fituesi i filmit më të mirë në garën për audiencën e të rinjëve është “Old Gramophone’s Ghostly Tones” me regji të Zuzana Čupová, Martina Tomková dhe Kryštof Ulbert. Ky është një film për dy hajdutë që në fakt nuk duan të vjedhin, gjithçka që dëshirojnë është kërcimi! Megjithatë, shefi i tyre i keq nuk e aprovon këtë dhe ata duhet të hyjnë në një pallat të braktisur.

Mirënjohja e parë e veçantë në këtë kategori shkoi për “The Big Tantrum”, nga regjisorët Celia Tisserant, Arnaud Demuynck. Në këtë film personazhi kryesor Robert nuk ka pasur një ditë të mirë. Ai kthehet nga shkolla me humor të keq dhe babai i tij e dërgon në dhomën e tij. Mirënjohja e dytë e veçantë shkon për “Theo the WaterTower”, nga regjisori Jaimeen Desai. “Çdo mëngjes, Theo kulla e ujit qan dhe prish qetësinë e fshatit. Roberti dhe qeni i tij përpiqen ta gëzojnë duke kënduar këngë. Por Theo nuk është në humor për të kënduar dhe përpiqet të arratiset, gjë që e çon atë jashtë fshatit dhe në qytet.” Ndërsa, mirënjohja e veçantë e tretë e kësaj kategorie shkon për filmin “My child” me regji të Hyunjoo KIM. “Megjithëse nëna bën çmos për të rritur fëmijën e saj, fëmija i saj që nuk rritet kurrë aq sa për të mbijetuar do të mbetet vetëm.” / KultPlus.com

Vedat Muriqi futet në histori të klubit të Mallorcas

Vedat Muriqi dhe transferimi i tij te Mallorca, tanimë është mbyllur, përcjell KultPlus.

Siç raporton e famshmja madriliene, MARCA, Muriqi do të nënshkruajë shumë shpejt kontratën e re me klubin Mallorca, e cila do të kap vlerën mbi 9 milionë euro, duke përfshirë bonuset në kontratë.

Edhe pse në fillim qëndrimi i Muriqit te Mallorca dukej i pabesueshëm, një gjë e tillë ndodhi.

Dashuria e madhe që tifozët e shfaqen për “Piratin” e tyre, duket se do të vazhdojë edhe për disa sezone të tjera.

Për katër sezone të tjera, Muriqi do të vazhdojë të marrë pagë pothuajse të njëjtë sikurse te Lazio, por tani me synime të reja te një klub i ri, por jo i panjohur për të. /KultPlus.com

Gjuha, traditat dhe ritet fetare arbëreshe, pasuri e përbashkët e Shqipërisë dhe Italisë

Arbëreshi Agostino Chiaffitella, i dhuroi sot Presidentit të Republikës, Ilir Meta, fjalorthin “Rrënjët e Mia” me fjalë arbëreshe të përkthyera mjeshtërisht në gjuhën shqipe dhe italiane.

Meta u shpreh, “mirënjohës për këtë botim shumë të veçantë, për të cilin ka punuar me shumë impenjim dhe dashuri, që na njeh me gjuhën e përdorur në “Motin e Madh” të Gjergj Kastrioti Skënderbeut dhe që aq besnikërisht ruhet ende e gjallë nga arbëreshët tanë të dashur”.

“Gjuha, traditat, kultura dhe ritet fetare arbëreshe, pasuri e përbashkët e Shqipërisë dhe Italisë mike, meritojnë sa më parë të bëhen pjesë e UNESCO. Ruajta, promovimi dhe zhvillimi i kësaj trashëgimie të vyer do të jetë edhe një nga angazhimet e mia kryesore në të ardhmen, në bashkëpunim me autoritetet qendrore dhe vendore italiane”, theksoi Meta në një postim në rrjetet sociale. / atsh / KultPlus.com

Kurti prezanton të arriturat e deritanishme të Qeverisë në fushën e Kulturës

Në mbledhjen e 89-të të Qeverisë së Kosovës është biseduar shumë për artin dhe kulturën në vend, shkruan KultPlus.

Kurti ka njoftuar se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur thirrjen për blerjen e veprave të artit nga artistët vendorë, të cilës i janë përgjigjur 370 aplikues.

“Vlera e ndarë për këtë thirrje ka qenë 300 mijë euro. Veprat e blera do t’i takojnë Fondit Shtetëror të Artit dhe do të përdorën për diplomaci kulturore të shtetit tonë, duke i ekspozuar ato në pikat kryesore diplomatike të Republikës së Kosovës”.

“Artistët tanë janë punëtorë dhe talentë. Ata me punën e tyre kanë arritur që emri Kosovë të thirret disa herë në skenat e famshme kulturore. Qeveria është këtu për infrastrukturë. Ne do t’i krijojmë kushtet që talentet e reja dhe artistët aktualë të mos brengosen për asgjë tjetër përveçse inspirimit e thellimit në imagjinatën e tyre”, ka vazhduar ai.

Ndërkaq, Kurti fjalimin e kësaj mbledhje e ka filluar me bienalen e Manifestës, duke treguar se Kosova do të ketë përfitime të mëdha nga kjo ngjarje.

“Duke marrë shkas këtë ngjarje të rëndësishme kulturore më lejoni që shkurtimisht të ndaj me ju disa prej arritjeve tona kryesore të deritanishme në fushën e Kulturës:

  • Po bëhen hapa konkret në reformimin e kornizës ligjore. Për herë të parë është bërë një analizë e mirëfilltë nga një plejadë e akterëve institucionalë të nivelit qendror dhe lokal, organizatave jo-qeveritare dhe komunitetit të gjerë kulturor dhe artistik me qëllim hartimin e koncept-dokumentit për Kulturë të cilin shumë shpejtë do ta sjellim për votim në mbledhje të Qeverisë.
  • Kemi themeluar institucionin e Operës së Kosovës. Kosova për herë të parë ka program vjetor të Operës për vitin 2022. Programi vjetor i Operës ka përfunduar me sukses paraqitjen me performanca dhe prezantime edukative mbi edukimin operistik për fëmijë “Edu Opera” në 10 shkollat publike të muzikës në Kosovë.
  • Është arritur dhe miratuar në Qeveri marrëveshja për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e ri të Bashkimit Evropian “Creative Europe” për periudhën 2021-2027. Ky program krijon hapësira të reja për komunitetin tonë artistik për avancim të veprimtarisë brenda dhe jashtë shtetit, dhe njëherit fuqizon pozitën e Republikës së Kosovës në hartën kulturore evropiane.
  • Me qëllim të avancimit të arteve pamore në Kosovë, në vazhdën e punës për themelimin e muzeut të artit bashkëkohor është formuar Këshilli Iniciues i Muzeut të Artit Bashkëkohor, i cili ka filluar punën me qëllim të themelimit të institucionit të Muzeut, krijimit të sistemit organizativ, konceptit dhe programit, si dhe përgatitjen e koleksionit të Muzeut.
  • Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe kemi hapur thirrjen për blerjen e veprave të artit nga artistët vendorë, të cilës i janë përgjigjur 370 aplikues. Vlera e ndarë për këtë thirrje ka qenë 300 mijë euro. Veprat e blera do t’i takojnë Fondit Shtetëror të Artit dhe do të përdorën për diplomaci kulturore të shtetit tonë, duke i ekspozuar ato në pikat kryesore diplomatike të Republikës së Kosovës”, thuhet në fjalimin e të parit të ekzekutivit. /KultPlus.com

93 vjet më parë u miratua rregullorja e Kishës Ortodokse

93 vjet më parë, më 20 korrik 1929, u miratua rregullorja e administrimit të përgjithshëm të Kishës Ortodokse. Aty u diskutua për pavarësinë klerikale, për krijimin e Kishës Ortodokse Shqiptare nën nocionin “Kishë e lirë në shtet të lirë”.

Rregullorja e miratuar, erdhi si pjesë e zhvillimeve të ndodhura në Kongresin e dytë të mbajtur në Korçë midis datave 16 dhe 29 qershor 1929, ku u vendosën bazat kanonike të Kishës Ortodokse Shqiptare. Kongresi u mblodh pas Kongresit të Beratit dhe problemeve me Patriarkanën Ekumenike.

Në Kongres morën pjesë 10 klerikë, ndërmjet tyre 3 episkopë, 2 ikonomë mitroforë, 5 klerikë të moshuar, si edhe intelektualë.

Pas diskutimeve u pa e udhës theksimi i zbatimit të kanoneve të shenjta dhe të dogmës fetare, për të qenë në përputhshmëri me rregullat që Patriarkana Ekumenike kërkonte. Pas 15 ditë diskutimesh, delegatët firmosën statutin përfundimtar.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka bërë publike edhe një kopje të këtij statuti, në postimin e ditës në rrjetet sociale. / atsh/ KultPlus.com

“Shahu e stërvit mendjen deri në cakun e gjenialitetit, pastaj duket se e gremis atë në çmenduri”

Në Ditën Ndërkombëtare të Shahut, KultPlus ju sjell një pjesë të shkëputur nga libri me novela, i përkthyer nga Klio Evangjeli.

Stefan Cvajg

Gjithë jetën time më kanë ngjallur interes monomanët, të cilët i sundon ideja e një pasioni të vetëm, sepse sa më të kufizuar të jenë njerëzit, aq më tepër i afrohen infinitit.

Shahu është një lojë strategjike që luhet nga dy lojtarë në një fushë shahu. Kjo e fundit përbëhet nga tetë rreshta dhe tetë kolona, gjithsej janë 64 katrorë të zinj dhe të bardhë. Është një nga lojërat më të njohura në botë, e luajtur nga miliona njerëz në shtëpi, klube, në internet, në korrespondencë dhe në turne të shumtë. Çdo lojtar ka nga 16 gurë: një mbret, një mbretëreshë, dy torra, dy oficerë, dy kuaj dhe tetë ushtarë. Secili gur lëviz në drejtime të ndryshme. Gurët përdoren për të sulmuar dhe për të kapur gurët e tjerë të kundërshtarit. Objektivi i lojës është “shah mat”, kur mbreti i lojtarit tjetër është nën kërcënimin e pashmangshëm të kapjes. Loja mund të fitohet edhe nga dorëzimi i vullnetshëm i njërit prej lojtarëve, gjë që ndodh zakonisht kur shumë gurë janë humbur, ose kur shah mati është bërë i pashmangshëm. Një rezultat tjetër i pranueshëm i lojës është dhe barazimi, në të cilin asnjë prej lojtarëve nuk fiton. Kursi i lojës është i ndarë në tri faza: hapja, zhvillimi dhe mbyllja e lojës. Vilhem Steinitz është i pari kampion i shahut, i nderuar në vitin 1886. Kampioni aktual është indiani Visëanathan Anand. Ekzistojnë shumë kampionate botërore shahu, si për shembull ai femëror, për të rinj, i zotërinjve (ku marrin pjesë persona mbi 60 vjeç) në korrespondencë, në internet dhe kampionati i shahut të shpejtë. Ka shumë variante të shahut me rregulla, figura dhe me tabela të ndryshme. Loja e shahut është programuar për t’u luajtur në kompjuter që prej gjysmës së dytë të shekullit të 20. Kompjuteri “Deep Blue” është i pari që mundi kampionin botëror të shahut Geri Kasparov në vitin 1997. Rregullat zyrtare të shahut vendosen nga Federata Botërore e Shahut dhe gjenden të publikuara në libra apo rregullore të nxjerra prej saj. Në rreshtin e parë të tabelës nga të dyja anët vendosen torrat, kuajt, oficerët, mbreti dhe mbretëresha, ndërsa në rreshtin e dytë të gjithë ushtarët. Lojtari i parë që lëviz është ai që ka zgjedhur fushën e bardhë, pas lëvizjes fillestare çdo lojtar lëviz nga një herë. Gurët lëvizen pavarësisht nëse katrori është i zënë apo jo, kur ky është i zënë atëherë guri i kundërshtarit kapet dhe del nga loja. Lojtarët lëvizin nëpër fushë duke “ngrënë” figurat e njëri-tjetrit. Asnjëri prej tyre nuk është i detyruar të bëjë lëvizje që ta vënë mbretin në rrezik. Nëse njëri prej lojtarëve nuk ka më lëvizje të mundshme, atëherë loja mbaron. Secili gur shahu ka lëvizjen e tij të veçantë. Loja e shahut mund të luhet edhe nën kontrollin e kohës, këtë e përdorin zakonisht klubet ose profesionistët e shahut. Nëse njërit prej lojtarëve i mbaron koha përpara se loja të përfundojë, ai humbet. Gjatësia e lojës varion nga shtatë orë për lojërat e rëndësishme, deri në tridhjetë minuta ose një orë për lojërat normale. Akoma më i shkurtër është “shahu i shpejtë”, me një mundësi kohore nga 3-15 minuta për lojtar. Në turnetë e shahut, përdoren orët që janë të ndara në dy pjesë, duke treguar sesa kohë i ka mbetur secilit lojtar. Qëllimi i lojës së shahut është marrja e figurës së mbretit të kundërshtarit. Taktikat e shahut janë lëvizje në kohë të shkurtër, por që llogarisin veprimet në të ardhmen e afërt të kundërshtarit. Aftësia për të formuluar taktika të suksesshme varet nga inteligjenca dhe përqendrimi i lojtarit. Gjatë hartimit të strategjisë, lojtari duhet të marrë në konsideratë jo vetëm veprimet e mundshme të kundërshtarit, por edhe vlerën e gurëve në lojë, kontrollin e qendrës dhe gurëve kyç për fitoren, sigurinë e mbretit, dhe strukturën e ushtarëve. Vlera e gurëve ndryshon në varësi të titullit që mban secili prej tyre, për shembull ushtarët vlejnë një pikë, oficerët dhe kuajt tri pikë, torrat pesë pikë dhe mbretëresha nëntë pikë. Mbreti ka vlerën më të madhe nga të gjithë, nëse ai kapet, atëherë loja mbaron. Një tjetër fakt me rëndësi në lojën e shahut është edhe struktura e ushtarëve në tabelë. Kjo strukturë formëson strategjinë e lojtarëve dhe mundësinë e tyre për të fituar.

Historia e shahut

Mendohet ta këtë origjinën nga India Veriperëndimore gjatë Perandorisë Gupta, e cila në shekullin e gjashtë njihej si Chaturanga. Ajo përbëhej nga katër divizione ushtarake: këmbësoria, kalorësia, elefantët dhe chariotry (lloj transporti me kafshë), të cilat respektivisht i përkasin ushtarëve, kuajve, oficerëve dhe torrave. Sipas historianëve, fillesat e shahut gjenden në Perandorinë Kushan në Afganistanin e lashtë, ku fjala shah ka kuptimin e një fosili të gjallë. Prova më e hershme e shahut gjendet në Persi rreth vitit 600, ku loja quhej “chatrang”. Chatrang u huazua nga myslimanët pas pushtimit të Persisë prej tyre në vitet 633-644, nga ku u quajt “shatranj”, por emrat e gurëve nuk u ndryshuan dhe shumica mbetën me origjinë persiane. Secili nga shtetet që e adoptoi këtë lojë i dha asaj një emër të përshtatshëm për vendin ku luhej, në Europë mbizotëroi zëvendësimi nga fjala persiane “shah” që do të thotë mbret, në “chess”. Tregtarët e Lindjes mbërritën në portet europiane me gurët orientalë të mbretit të shahut, përpara se ata të sillnin lojën e plotë. Loja u përhap në Europën Perëndimore dhe Rusi në fillim të shekullit të nëntë. Në vitin 1000, loja e shahut ishte shpërndarë në të gjithë Europën. Rregullat e lojës filluan të ndryshojnë në vitin 1200 nga Europa Jugore, duke marrë ngadalë formën që kanë sot. Ato u formuan plotësisht në shekullin 19, në mënyrën sesi shahu luhet sot në mbarë botën. Nga shekulli 10 deri në shekullin 15, mbretëresha u bë guri më i rëndësishëm i lojës, duke zëvendësuar kështu figurën e vezirit. Për këtë arsye e gjejmë shpesh të quajtur shahun modern si “Shahu i mbretëreshës”.

Librat për teorinë e shahut filluan të shkruhen në shekullin e 15. Autorë të shumtë nga Spanja, Italia, Greqia dhe vende të tjera, kanë shkruar analiza dhe teori të shumta për mënyrën sesi shahu duhet të luhet apo fitohet. Turneu i parë i shahut u mbajt në Londër në vitin 1851 dhe u organizua nga kryetari për shahun në Angli. Ky turne u fitua nga gjermani Adolf Andersen, i cili shquhej për mjeshtërinë në shah, për mendjen brilante dhe për energjinë e sulmit, e cila më pas u njoh si strategji. Pol Mërfi ishte një lojtar i ri shahu, i cili fitoi ndaj të gjithë kundërshtarëve të tij profesionistë. Karriera e Mërfit shquhej për kombinimin brilant të sulmit dhe mbrojtjes, për aftësinë e tij të jashtëzakonshme në përgatitjen e sulmeve të befasishme. Vilhem Steinitz e revolucionarizoi lojën duke shpjeguar sesi të shmanget dobësia e pozicioneve të ndryshme dhe si të vërehet kjo dobësi në pozicionet e kundërshtarit. Ndërmjet luftërave botërore, strategjitë e shahut u zhvilluan edhe më shumë nga “hipermodernistët”. Këta filluan ta kontrollonin qendrën e fushës së shahut jo më me ushtarë të thjeshtë, duke e sulmuar kundërshtarin në pikën e tij të dobët.

Titujt në shah janë të ndryshëm dhe të shumtë, në varësi edhe të kategorive për të cilat bëhet fjalë. “Mjeshtër i madh” është titulli më i lartë që një lojtar shahu mund të mbajë. Përpara se Federata Botërore e Shahut të mund t’i japë një lojtari këtë titull ai duhet të jetë klasifikuar në sistemin ELO të numërimit të pikëve të një shahisti. “Mjeshtër ndërkombëtar”, për t’u kualifikuar për këtë titull duhet që lojtari të këtë të paktën 2400 pikë në sistemin ELO të pikëve. “Mjeshtër i federatës”, për këtë titull lojtari duhet të këtë mbledhur 2300 pikë për arritjet e tij në federatë. “Mjeshtër kandidat”, është titull i përafërt me “Mjeshtrin e federatës”, por hierarki më poshtë këtij, për të marrë këtë titull duhen të paktën 2200 pikë. Titujt janë të hapur për meshkujt dhe femrat. Titujt si “Mjeshtër i madh” merren edhe nga femrat që prej vitit 1978. Në vitin 2011 numërohen rreth 1363 “Mjeshtër të mëdhenj” dhe 3153 “Mjeshtër ndërkombëtarë”. Tre vendet me numrin më të madh të “Mjeshtërve të mëdhenj” janë 208 Rusia, 78 Ukraina dhe 76 Gjermania.

Psikologjia e shahut

Në tezat e tij, Ardian de Groot tregon se mjeshtërit e shahut mund të perceptojnë shumë shpejt tiparet kryesore të një pozicioni. Sipas studiuesit, kjo aftësi e shpejtë perceptimi arrihet si pasojë e viteve të tëra praktikë e studim. De Groot ka provuar se mjeshtërit në shah mund të memorizojnë pozicionet e gurëve të treguar vetëm për pak sekonda. Kjo aftësi për të mbajtur mend nuk është thjeshtë e lidhur me aftësitë në shah, por edhe për shkak se kur mjeshtërit e shahut përballen me një rregullim të çfarëdoshëm të një fushe shahu, ata e lidhin atë pamje me qindra e mijëra kujtime ekuivalente të mëparshme. Kur pozicionet e lojës janë kopjuar nga një lojë e caktuar, të cilën mjeshtërit e njohin, atëherë pozicionet e gurëve regjistrohen në tru automatikisht. Të tjera kërkime shkencore i referohen shahut si stërvitje e mendjes dhe si zhvillim i diturisë. Talenti dhe praktika ecin së bashku kur bie fjala për shahun. Shkencëtarët diskutojnë ndërmjet tyre faktin se a është e mjaftueshme një praktikë e madhe për të arritur nivele të larta në shah, apo gjenitë e deritanishëm të shahut e kanë pasur aftësi të lindur mënyrën sesi ata arrinin të fitonin.

Shahu dhe inteligjenca

Pavarësisht supozimit të lidhjes mes performancës në shah dhe inteligjencës së përgjithshme, kërkuesit deri më tani kanë dështuar në konfirmimin e kësaj hipoteze. Një studim i vitit 2006 zbuloi se nuk kishte ndonjë dallim të madh mes inteligjencës së personave që luanin shumë mirë shah dhe njerëzve normalë. Për këto dhe shumë arsye deri më tani, performanca në shah është e lidhur më tepër me eksperiencën sesa me ndonjë inteligjencë gjeniale të fshehur. Shahistët profesionistë është vlerësuar se kanë të regjistruar në kujtesën e tyre 10,000-300,000 modele pozicionesh shahu. Një studim i vitit 2007, i cili studionte lojtarët e rinj të shahut në Britani zbuloi se fëmijët më të zgjuar prireshin të kishin nivel më të ulët të aftësive në shah. Rezultatet shpjegoheshin prej faktit se kishte një lidhje të zhdrejtë mes inteligjencës dhe praktikës. Studimi këshillonte se praktika është ajo që ngjall më shumë aftësi të mira në shah, sesa vetëm inteligjenca e lindur.

Shahu dhe çmenduria

Shahu e stërvit mendjen deri në cakun e gjenialitetit, pastaj duket se e gremis atë në çmenduri. Shahisti i shquar Bobi Fisher konsiderohet prej shumë personave si lojtari më i mirë i shahut në të gjitha kohërat, ai pati një karrierë brilante, por fundi i tij ishte tragjik, ai u çmend. Pol Mërfi pas debutimit të tij triumfues në turin e Europës në vitet 1858-‘59, u kthye më pas në Amerikë dhe hoqi dorë nga shahu. Disa njerëz shprehen se ai është parë të endet rrugëve të Nju Orlinsit i çmendur duke folur me vete. I madh Vilhem Steinitz pretendon se ka luajtur shah me Zotin, i ka dhënë atij një gur tepër dhe përsëri ka fituar. A është e rastësishme lidhja midis shahut dhe çmendurisë? Ka tri shpjegime të mundshme. Njëri prej tyre e tregon shahun si një monomani, (mania për të pasur një pasion të vetëm dhe për ta zhvilluar atë sa më shumë). Personat e ndjekin pasionin e tyre me një intensitet të lartë ditë e natë që nga fëmijëria, me qëllimin e vetëm për të arritur majat e më të lartëve. Ky përqendrim i madh ndikon në mënyrën sesi e shohin realitetin këta njerëz dhe i bën ata që të kenë çrregullime të shumta. Xhorxh Steiner shprehet se një gjeni shahu është një qenie njerëzore me një qëllim të vetëm dhe rëndësia që ky i jep këtij synimi, e bën atë të dobët ndaj simptomave të shumta të stresit dhe iluzioneve. Nga ana tjetër, shahu është një aktivitet abstrakt dhe i mbyllur, i cili zhvillohet mes teorive të shumta që vërviten në mendjen e personit që e luan. Stefan Cvajg i referohet shahut si matematika që nuk nxjerr asnjë konkluzion, si arti pa një vepër, si arkitektura pa përmbajtje. Shpjegimi i fundit për çmendurinë e shkaktuar nga shahu është fakti se në fushën e lojës, shahistët ndiqen këmba-këmbës nga kundërshtarët e tyre, ata janë gjithnjë në presion dhe në ndjekje të njëri-tjetrit. Kjo ndjenjë e të qënurit i vëzhguar gjithnjë nga dikush, ndikon në çrregullimet mendore që shahistët mund të përjetojnë. Fusha bardhezi për profesionistët e shahut nuk është thjesht një tabelë, por një fushë e ëndrrës dhe paranojës. Sipas Federatës Botërore të Shahut, kampioni shqiptar i shahut është Erald Dervishi, i cili mban titullin “Mjeshtër i madh” dhe numëron 2546 pikë, i dyti është Dritan Mehmeti me 2413, ndërsa i treti është Ilir Seitaj me 2392 pikë. Në Shqipëri ka 48 shahistë aktivë, 1 Mjeshtër të Madh, asnjë femër Mjeshtre e Madhe e Shahut, 3 Mjeshtër Ndërkombëtarë, 2 Mjeshtër të Federatës dhe 1 Mjeshtre Femër të Federatës.

Novela e Shahut- Stefan Cvajg

Kur i hodha librit vështrimin e parë, ndjeva dëshpërim dhe u pezmatova aq sa s’bëhet. Ky libër, të cilin e kisha vjedhur me rrezik të madh e që prisja ta lexoja me padurim, nuk ishte tjetër veçse një tekst shahu që përmbante njëqind e pesëdhjetë lojëra të zhvilluara nga shahistët më të përmendur. Po të mos isha i mbyllur brenda katër mureve do të më kapte zemërimi e do ta kisha hedhur librin nga dritarja. Mbase do të kem mundësi të formoj në qelinë time një lloj fushe shahu dhe do të përpiqem t’i përtërij këto lojëra. Çarçafi m’u duk me katrorthe dhe sikur ishte një dhuratë qiellore. E palosa me mjeshtëri çarçafin e m’u bë sikur pashë një fushë të ndarë në gjashtëdhjetë e katër katrorthe. E grisa faqen e parë dhe librin e fsheha nën dyshek. Pastaj, me tulin e bukës që e hiqja nga goja zura të ngjizja mbretin, mbretëreshën dhe figurat e tjera të shahut, të cilat morën trajtë qesharake, e më në fund, pasi kapërceva vështirësi të mëdha munda të formoja mbi çarçafin me katrorthe pozicionet që ishin shënuar në këtë libër. Ditët e para nuk ia dola dot mbanë, në vend të lojës u bë një rrëmujë: m’u desh ta filloja lojën nga e para, pesë, dhjetë, njëzet herë. Po kush kishte më shumë kohë të lirë se unë skllavi që jetonte në zbrazëtirë? Kush, mund të kishte dëshirë dhe durim aq të madh? /KultPlus.com

“Turtle Fest” vjen në Dhërmi me edicionin e tij të 10-të

Starton së shpejti edicioni i 10-të i “Turtle Fest”, i cili këtë vit do të zhvillohet në Dhërmi në datat 28, 29, 30, e 31 korrik.

Ky organizim veror mbështetet prej vitesh nga Ministria e Kulturës, e cila ka vlerësuar përpjekjet e një grupi të rinjsh të apasionuar, që gjallërojnë jetën artistike por njëkohësisht nxisin dhe sipërmarrjet e reja.

Vetë ministrja ka qenë e pranishme në një konferencë shtypi për të kujtuar sfidat dhe momentet e bukura të një dekade aktivitet, sikurse dhe për të prezantuar programin e këtij edicioni jubile.

“Për 10 vjet “Turtle Fest” ka mundur të mbajë gjallë shpirtin artistik në sezonin veror, edhe në kohëra të vështira”, tha ministrja e kulturës, Elva Margariti.

Organizatorët kanë falënderuar Ministrinë e Kulturës si institucioni i parë i cili ka mbështetur dhe ka besuar te “Turtle Fest” që prej fillimit të festivalit, si edhe ministren për fjalët inkurajuese, besimin dhe vizionin e përbashkët.

Në plazhin e Dhërmiut do të performojnë artistë shqiptarë e ndërkombëtarë, përgjatë 4 netëve./ atsh / KultPlus.com

Zjarrfikësitë e Londrës kanë pasur ditën e tyre më të ngarkuar që nga Lufta e Dytë Botërore

Shërbimi zjarrfikës i Londrës ka pasur ditën e tij më të ngarkuar që nga Lufta e Dytë Botërore, duke u marrë me disa zjarre në temperatura rekord të martën, tha kryebashkiaku i Londrës Sadiq Khan, transmeton KultPlus.

Kryeqyteti ishte një nga 15 zonat përreth Mbretërisë së Bashkuar që shpalli një incident të madh.

Zjarret filluan në një ditë që pa një temperaturë rekord prej 40.3 C në Coningsby, Lincolnshire.

Një paralajmërim i verdhë është lëshuar nga Met Office për shi të dendur dhe stuhi të cilat mund të sjellin përçarje në Anglinë lindore dhe juglindore këtë pasdite.

Moti gjithashtu po vazhdon të ndikojë në transport – me udhëtarët të këshilluar që të udhëtojnë vetëm nëse është e nevojshme.

Network Rail tha të mërkurën se nuk kishte trena të drejtpërdrejtë midis Londrës dhe Skocisë, për shkak të dëmtimit të linjave elektrike ajrore në linjën kryesore të Bregut Perëndimor.

Në Wennington, në lindje të Londrës, 100 zjarrfikës luftuan një flakë që shkatërroi disa shtëpi.

Duke folur për programin Today të BBC Radio 4, Khan tha se kishte më shumë se një duzinë zjarre në të njëjtën kohë.

Ai tha: “Dje ishte dita më e ngarkuar për shërbimin zjarrfikës në Londër që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Normalisht marrim 350 telefonata në ditë, në një ditë të ngarkuar mund të marrim deri në 500 telefonata. Dje shërbimi zjarrfikës ka pasur më shumë se 2600 thirrje në ditë.” /KultPlus.com

Për herë të parë në Mitrovicë organizohet gara sportive për persona me aftësi të kufizuara

Në Mitrovicë organizohet për herë të parë gara sportive për persona me aftësi të kufizuara “Paraboccia” në kuadër të Green fest edicioni 12-të.

Ky aktivitet është organizuar nga OJQ “7 Arte” në bashkëpunim me Komitetin Paralimpik “Minatori”.

Të pranishëm do të jenë: Shefi i misionit të Eulex në Kosovë Z. Lars Gunnar Wigemark si dhe Presidentja e Komitetit Paralimpik, Znj. Njomza Emini.

Gara do të ndodhë më 20 Korrik, në Sheshin Isa Boletini në Mitrovicë, nga ora 19:00 deri në orën 21:00. /KultPlus.com

‘Hercules and Love Affair’ prezantohen së shpejti në DokuFest

DokuFest dhe Lumbardhi, do të prezantojnë “Hercules and Love Affair” me 8 gusht, 2022 në Kino Bahçe në Prizren, në kuadër të line-up të këtij viti të #DokuNights dhe #LXX.

Hercules and Love Affair është projekt i muzikës dance i krijuar nga DJ, këngëtari, kompozitori, muzikanti dhe producenti amerikan Andy Butler, në vitin 2004. I përbërë nga një ekip i ndryshueshëm interpretuesish dhe muzikantësh, grupi vepron brenda zhanreve të muzikës house, disko, tekno dhe nu-disko.

Fillimisht të bazuar në New York City, tani me bazë në Ghent, Belgjikë, Hercules dhe Love Affair u themeluan pas bashkëpunimit të Butler me Anohni për të prodhuar këngën “Blind”, që ishte një hit dhe u bë kënga e vitit në Pitchforks. Albumi i tyre debutues i vitit 2008 Hercules and Love Affair në DFA Records, mori një vlerësim të gjerë nga kritikët.

Grupi vazhdoi t’i prodhojë dy albume për Moshi Moshi, “Blue Songs” në 2011, dhe më pas “The Feast of the Broken Heart” në 2014, ku John Grant paraqitet si i ftuar në këngën “I Try To Talk To You”. Albumi i tyre i katërt “Omnion” u lansua në 2017 nga Atlantic Records, me Sharon Van Etten në këngën sipas së cilës u emërtua albumi.

Pas një ndërprerjeje pesëvjeçare, më 17 qershor 2022 grupi publikoi albumin e tyre të pestë “In Amber”, album me të cilin bendi do të performojnë në Kino Bahçe në kuadër të turneut të tyre evropian.

Biletat do të jenë në shitje te Kino Lumbardhi në Prizren, Servis Fantazia në Prishtinë dhe online: shorturl.at/flCKP. / KultPlus.com

Rita Ora konfirmon koncertin në Shqipëri: Do të rikthehem në Tiranën time të dashur

Rita Ora ka konfirmuar se do të rikthehet në Tiranë për të mbajtur një koncert në sheshin “Skënderbej”, shkruan KultPlus.

Koncerti i këngëtares së famshme shqiptare, është parashikuar të mbahet në sheshin “Skënderbej”, mbrëmjen e 6 shtatorit, në kuadër të Tirana European Youth Capital 2022.

Përmes një postimi në “Facebook”, Ora ka thënë se ndjehet shumë e emocionuar për këtë koncert në Tiranën e saj të dashur.

“Jam kaq e emocionuar dhe e nderuar të lajmëroj se unë do të rikthehem në Tiranën time të dashur. Erion Veliaj më ka ftuar të performojë në një koncert falas për ne për të festuar Shqipërinë si ‘Tirana – Kryeqyteti Evropian i të Rinjve’! 6 shtator, në Sheshin ‘Skënderbej’”, ka shkruar Rita Ora në njoftimin e saj.

Tirana është Kryeqyteti Evropian i Rinisë për 2022 – Një titull që jepet nga Forumi Evropian i Rinisë i krijuar për të fuqizuar të rinjtë, për të nxitur pjesëmarrjen e të rinjve dhe për të forcuar identitetin evropian.

Tirana EYC 2022 paraqitet si një makro program prej 365 ditësh, gjatë të cilave do i jepet jetë një kalendari projektesh me iniciativa e aktivitete të shumta, që shohin në qendër rininë. Tirana EYC 2022 implementohet nga Kongresi Rinor Kombëtar, në bashkëpunim me bashkinë Tiranë.

Të shumta kanë qenë aktivitet gjatë këtyre muajve, por duket se ato do të kulmojnë me koncertin e Rita Orës, në 6 shtator. /KultPlus.com

Qeveria ndan 255 mijë euro për t’ua blerë librat nxënësve të Luginës së Preshevës

Qeveria ka ndarë 255 mijë euro për sigurimin e librave për nxënësit e Luginës së Preshevës.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se kjo çështje “është tepër e rëndësishme”.

“Bëhet fjalë për masën 4.2.. Parashihet një ndarje prej 255 mijë euro që merren nga programi i ringjalljes ekonomike dhe transferohen në kodin e përcaktuar nga MASHTI me synimin për sigurimin e librave për nxënësit e Luginës së Preshevës”, tha Murati. / KultPlus.com

Kurti për Manifestën: Vendi ynë, nikoqir i një prej ngjarjeve më të më rëndësishme kulturore

Më 22 korrik bienalja nomade Manifesta do të fillojë aventurën e saj në Kosovë, shkruan KultPlus.

Kjo do të jetë një prej ngjarjeve më të mëdha që mbahet në Kosovë ndonjëherë, derisa për këtë ka folur edhe në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Albin Kurti.

Ai e ka nisur mbledhjen me njoftimin për maratonën 100-ditore që kjo bienale do të dhurojë në Prishtinë – duke i dhënë një rëndësi tejet të veçantë kryeqytetit.

“Nga e premtja vendi ynë do të jetë nikoqir i një prej ngjarjeve kulturore më të rëndësishme, bienales nomade Manifesta. Mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Manifesta sivjet ka një program 100 ditor që përfshin 25 lokacione, 55 intervenime artistike dhe 102 pjesëmarrës vendorë e ndërkombëtarë. Organizimi i kësaj ngjarje është dëshmi e aftësisë së shoqërisë tonë, dhe komunitetit artistik dhe institucioneve për të mirëpritur një numër të madh të artistëve dhe për ta shndërruar kryeqytetin në hapësirë të artit bashkëkohor. Përveç aspektit kulturor, padyshim që Manifesta do të jetë mundësi tejet e mirë e promovimit të vlerave të vendit tonë”, tha Albin Kurti. /KultPlus.com

Qeveria merr vendim për çmimet e larta të produkteve themelore

Qeveria e Kosovës ka shtuar në agjendën legjislative të këtij viti edhe Projektligjin për mbrojtjen e furnizimit me produkte themelore.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke arsyetuar hartimin e tij, tha duhet të ketë rregulla për të mbrojtur qytetarin nga vendosja e çmimeve të papërballueshme në sigurimin e ushqimit me produktet bazë.

Ai tha se i njëjti duhet të miratohet më së largu në muajin gusht të këtij viti.

“Të hartojmë rregulla për të mbrojtur qytetarin nga vendosja e çmimeve të papërballueshme të sigurimit të ushqimit me produkte bazë”, tha ai.

Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi miratoi edhe  tri projektligje që prekin sektorin e sigurisë.

Kabineti qeveritar i dha dritë të gjelbër, Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligjin për FSK-në dhe Projektligjit për Shërbimin në FSK. / Gazeta express/ KultPlus.com

ITSHKSH: Qyteti i Shkupit bëri krimin e dytë ndaj bredhit të Nënës Terezës

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup (ITSHKSH), ka akuzuar ashpër Qytetin e Shkupit për siç theksojnë nga ky Institut “krimin e dytë mbi bredhin e Nënës Terezë”.

Nga Instituti thonë se në vend të revitalizimit të rrënjëve, rrënjët e drurit tashmë janë shkatërruar krejtësisht.

“Ende pa u tharë plagët e krimit të parë mbi bredhin e Nënës Terezë, Qyteti Shkupit, pa kurrfarë konsultimi paraprak, dhe përkundër kërkesave të njëpasnjëshme të ITSHKSH-së për një takim koordinues, vendosi që të kryej krimin e dytë mbi këtë bredh. Të udhëhequr nga një papërgjegjshmëri e plotë profesionale e etike, Qyteti i Shkupit përmes punonjësve të ndërmarrjeve komunale e ka shndërruar në një vend të vdekur hapësirën ku ishte i mbjellë bredhi i Nënës Tereze. Në vend se të bëhej revitalizimi i rrënjëve të këtij bredhi, punonjësit komunalë kanë hedhur tretje kimike në rrënjë dhe në hapësirën për rreth, duke e pamundësuar revitalizimin e tyre”, thuhet në reagimin e ITKSH-së.

ITSHKSH e dënon ashpër këtë krim të dytë mbi bredhin e Nënës Terezë dhe kërkon nga autoritetet e Qytetit të Shkupit të ndalin veprimet e tyre që shumë shpejt mund të kenë një epilog përgjegjësie në bazë të Ligjit që po përgatitet, e që parasheh masa adekuate ndaj gjithë atyre që e dëmtojnë trashëgiminë e Nënës Terezë. /KultPlus.com

Dizajneri Albian Gagica fiton dy çmime Ekselencë në “Annual CADC Awards Show”

Dizajneri kosovar Albian Gagica ka fituar dy çmime ekselencë në dy kategori të ndryshme në “The Annual CADC Awards Show”, shkruan KultPlus.

“Jam i nderuar që kam marrë 2 Çmime Ekselence në 2 kategori të ndryshme në CADC Annual Design Awards”, ka shkruar Gagica në rrjetin e tij social në “Instagram”.

Dy çmimet që ai ka fituar kanë të bëjnë me “branding” për ekipin e çiklizmit para-olimpik të Polonisë dhe dizajnin e paketave për cokollatat Amel.

Shfaqja Vjetore e Çmimeve CADC nderon përsosmërinë në 8 kategori kryesore: reklama, dizajn mjedisor, dizajn grafik, ilustrim, online/interaktiv, fotografi, student dhe video. /KultPlus.com