Oldtimerfest për herë të 17-të në Prizren

Edicioni i 17-të i Oldtimerfest do të mbahet me datën 16-19 Korrik 2022 në Prizren, shkruan KultPlus.

Në këtë edicion do të ketë pjesëmarrës të klubeve nga Kosova, Shqipëria, Hungaria, Sllovenia, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia si dhe mysafirë special nga Italia dhe Franca.

Kjo ngjarje mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com

Tabloidi britanik: Baza detare e NATO-s në Shqipëri është paralajmërim për Vladimir Putin

“Shqipëria i ka dërguar një sinjal paralajmërues presidentit rus Vladimir Putin me ndërtimin e një baze të NATO-s në Durrës”. Në lajm pasqyrohet vizita e kryeministrit Edi Rama, të mërkurën e 13 korrikut në Bruksel me shefin e NATO-s Jens Stoltenberg për të diskutuar propozimin.

 “Shqipëria i ka dërguar një sinjal paralajmërues presidentit rus Vladimir Putin me ndërtimin e një baze të NATO-s në Durrës”, kështu e nis shkrimin e saj tabloidi britanik “Ekspres”. Në lajm pasqyrohet vizita e kryeministrit Edi Rama, të mërkurën e 13 korrikut në Bruksel me shefin e NATO-s Jens Stoltenberg për të diskutuar propozimin.

Shqipëria po i dërgon një sinjal paralajmërues presidentit rus, Vladimir Putin, përpara një takimi të NATO-s për bazën e re detare në vend. Lajmi vjen pasi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të ulet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO -s, Jens Stoltenberg për të diskutuar propozimin.  Rama do të takohet me Stoltenberg të mërkurën e kësaj jave për të diskutuar projektin pas një njoftimi që do të publikojë lajmin më 1 korrik. Porti do të jetë i vendosur në Porto Romano, Durrës, 40 minuta nga kryeqyteti dhe do të përfshijë një seksion tregtar dhe një bazë detare ushtarake. Financimi do të sigurohet nga shteti shqiptar ashtu edhe nga NATO. Shqipëria shpenzon aktualisht rreth 1.53% të PBB-së së saj vjetore për mbrojtjen , shumë më pak se shifra minimale e sugjeruar prej 2%.

Duke folur për planin, Rama tha: “Do të kthehemi së shpejti në Bruksel për të vazhduar diskutimet në lidhje me propozimin tonë…për instalimin e një baze detare të NATO-s në portin e ri në Durrës”.

Në maj, Rama tha se qeveria e tij i kishte ofruar NATO-s bazën detare të Pashalimanit. E vendosur në jug të Vlorës, ajo ishte e vetmja bazë e Bashkimit Sovjetik në Mesdhe gjatë viteve 1950, në një kohë kur regjimi komunist i Shqipërisë ishte në linjë me Moskën. Pas rënies së komunizmit, ajo u rindërtua me ndihmën e Turqisë, e cila ruajti të drejtën e përdorimit. Marina shqiptare ende sot e përdor bazën për disa operacione dhe stërvitje.

NATO po transformon gjithashtu një ish-bazë ajrore ushtarake të epokës komuniste në Kuçovë. Rinovimi i bazës do të kushtojë rreth 40 milionë euro dhe do të bëhet funksional në vitin 2023.

Baza do të shërbejë si një depo për municionet, si dhe do të veprojë si një qendër furnizimi me karburant. Aktualisht po punohet edhe për rikthimin e pistës dhe kullës së kontrollit në përdorim të plotë. Baza origjinale u ndërtua duke përdorur punën e të burgosurve nën regjimin e diktatorit komunist Enver Hoxha.

Pas gati 50 vitesh komunizëm, Shqipëria doli dhe u kthye nga perëndimi, duke iu bashkuar aleancës në vitin 2009 dhe me shpresën për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, megjithëse ka qëndruar në dhomën e pritjes së unionit për mjaft kohë.

Sipas  Globalfirepower.com , Shqipëria ka aktualisht 8000 personel aktiv në radhët e saj ushtarake. 500 personel rezervë janë gjithashtu në dispozicion. Ushtria ka rreth 76 automjete të blinduara. Asetet aktuale detare të Shqipërisë përbëhen nga 19 mjete lundruese, të cilat të gjitha përbëhen nga anije patrullimi me detyrë të përgjithshme./ KultPlus.com

Leonardo De Martino, mësuesi i Ndre Mjedës, Gjergj Fishtës e Luigj Gurakuqit

Më 12 korrik të vitit 1923 u nda nga jeta arsimuesi, studiuesi, poeti dhe shkrimtari arbresh, Leonardo De Martino.

U lind në vitin 1830 në krahinën e Puljes, në një familje arbëreshe. Në vitin 1865 erdhi nga Italia në Shqipëri dhe filloi aktivitetin e tij arsimor e fetar.

Ishte mësues i Ndre Mjedës, Gjergj Fishtës, Luigj Gurakuqit dhe ai atdhetarëve e shkrimtarëve të tjerë shqiptarë. Botoi përmbledhjen “Harpa e një italo-shqiptari”, “Mundimi i Jezu Krishtit”. “Arbënorëve të krishterë të grishun festuer” e vepra të tjera. Vdiq në Napuli të Italisë. / KultPlus.com

Kosova organizon për herë të parë FISU- Kupën Botërore Universitare në Hendboll

Në Palestrën “1 Tetori” në Prishtinë është mbajtur ceremonia hapëse e FISU Kupës Botërore Universitare në Hendboll 2022, një prej ngjarjeve më të rëndësishme ndërkombëtare të organizuara në Kosovë.

14 ekipe nga universitete të vendeve të ndryshme të botës, do të garojnë

për titullin e më të mirit në botë në hendbollin universitar.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, anëtari i Bordit Ezekutiv të Federatës Botërore të Sportit Universitar (FISU), Gabriel Kotchofa, drejtori ekzekutiv FISU Kupës Botërore Universitare në Hendboll 2022, Musa Selimi, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, zëvendësministrja Daulina Osmani, përfaqësues të Federatës së Hendbollit të Kosovës dhe të Universitetit të Prishtinës.

Kupa Botërore në Hendboll për Universitete do të zhvillohet deri më 17 korrik dhe mbahet nën organizimin e Federatës së Sporteve Universitare të Kosovës dhe mbështetet nga MKRS-ja. / KultPlus.com

Presidenti Macron reagon pas fotografisë së NASA-së ku shihen galaktikat e largëta

Presidenti i Francës ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale ku ka komentuar fotografinë ku shihen galaktikat e largëta.

Ai ka thënë se Franca është shumë krenare që kontribuon në “Teleskopit James-Webb”.

“Kjo fotografi nuk është vetëm më e largëta e vëzhguar ndonjëherë, por edhe më e vjetra – ajo udhëton 13 miliardë vjet mbrapa. Ne jemi duke parë agimin e universit tonë! Jam shumë krenar që Franca kontribuon në suksesin e Teleskopit James-Webb”, ka shkruar Macron në Facebook.

Mijëra galaktika – duke përfshirë objektet më të zbehta të vëzhguara ndonjëherë me anë të Infrared – janë shfaqur në pamjen e teleskopit Webb për herë të parë. Kjo pjesë e universit të gjerë mbulon një copë qielli afërsisht sa një kokërr rëre e mbajtur në gjatësinë e krahut nga dikush në tokë. / KultPlus.com

Paralajmërohet shtrenjtimi i biletave të Trafikut Urban

Në komunën e Prishtinës kanë nisur diskutimet për mundësinë e rritjes së çmimit të biletave të Trafikut Urban, nga 40 centë sa është aktualisht në 50 centë.

Kështu tha për Klankosova.tv drejtori i Shërbimeve Publike në komunën e Prishtinës Ilirik Musliu.

Musliu tha vendimi ende nuk është marrë dhe se kjo kërkesë vjen nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

“Vendimi ende nuk është marrë. Kjo është kërkesë e BERZH-it”.

Ai theksoi se arsyet e kërkesës së BERZH-it janë rritja e çmimit të derivateve.

“Për arsye të rritjes së madhe të shpenzimeve, sidomos çmimi i derivateve. Biznes plani i parë që është punuar, pjesë e “cost modelit” ka qenë çmimi 1 euro për litër nafte”.

Drejtori i Shërbimeve Publike në kryeqytet theksoi se ende nuk dihet se kur mund të merret vendimi për rritjen e çmimit të biletave. / KultPlus.com

Doli nga shtypi revista PEN Kosova 4 

Këto ditë doli nga shtypi organi letrar i PEN Qendrës së Kosovës, revista PEN Kosova.

Numri 4 i kësaj reviste, dalë pak me vonesë për shkak të pandemisë por edhe për mungesë mjetesh financiare, përmban materiale të shumta letrare nga të gjitha gjinitë e letërsisë dhe me autorë nga vendi, Shqipëria e bota.

Në shenjë solidarizimi me Ukrainën kundër agrsionit të Rusisë në këtë shtet të pavarur, revista PEN Kosova, në numrin e vet të parë të vitit 2022,  boton poezi të disa poetëve ukrainas.

Letërsia ukrainase, thuhet në parathënien e këtyre poezive që vijnë për herë të parë në gjuhën shqipe, ka një traditë të gjatë që daton që në shekullin e 11-të. Një nga poetët e saj më të njohur është Taras Shevchenko i shekullit të 19-të, i cili filloi me poezi lirike romantike, përpara se të kalonte te poezitë më të errëta për historinë e Ukrainës.

Poezia dhe historia janë ende të lidhura ngushtë në Ukrainën bashkëkohore, ku poezia jeton në një larmi stilesh, duke filluar nga rimat te vargjet e lira dhe nga koleksionet e shtypura deri te slam-i dhe performanca. Trazirat politike të vendit në dekadat e fundit (nga revolucioni Maidan tek aneksimi i Krimesë nga Rusia, te lufta në Donbass) kishin çuar në shfaqjen e një poezie të guximshme dhe të drejtpërdrejt politike, me lexime dhe shfaqje shpesh të ndjekura mirë.

Në të gjitha këto poezi hetohet fryma dhe gjakimi i thellë e shekullor për liri e pavarësi të Ukrainës.   

Poezitë nga frengjishtja dhe kroatishtja) i ka përkthyer Binak Kelmendi.

Pos poezive ukrainase, në revistën më të re të PEN Qendrës së Kosovës, mund të lexoni edhe poezi të poetëve shqiptarë: Ahmet Prençi, Sali Bashota, Flamur Maloku si dhe poezi pakistaneze nga poetja Noor Unnahar Siddique përkthyer prej anglishtes nga Laureta Rexha.

Revista përfshin edhe shkrime memoriale dhe studiuese nga Avni Spahiu, Naim Kryeziu e Ben Andoni  dhe si një përkujtesë të Naime Beqirajt për poetin tonë të ndjerë Ali Podrimja.

Me këtë numër mund t’i lexoni poashtu edhe tregimet e Ibrahim Kadriut, Ibrahim Berishës dhe të Ahmet Selmanit.

Me dramaturgji dhe teatrologji kësaj radhe janë prezantuar Milazim Krasniqi me një pjesë nga monodrama e tij me titull “Arratisja e Sadri Popajt” si dhe studimi i Haqif Mulliqit me titull “Teatri në luftë dhe shtetrrethim”.  

Numri 4 i revistës PEN Kosova përmban edhe një intervistë të gjatë me fituesin e vjetëm të Çmimit Nobel për Letërsi Abdulrazak Gurnah me titullin “Kujtesa e zhvendosjes nuk mund të fshihet” përkthyer nga Fahredin Shehu.  

Në publikimin më të ri të organit letrar të PEN Qendrës së Kosovës  mund të lexoni edhe studime nga Gérard Genette dhe Michel Foucault. 

Numri i parë i revistës PEN Kosova u botua në vitin 2020.

Botimi i revistës PEN Kosova 4 u përkrah nga Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sportit e Repulbikës së Kosovës. / KultPlus.com

Muaji i Kinematografisë, Margariti: Mirënjohje të gjithë aktorëve

Me filmin “Nusja dhe shtetrrethimi”, një prodhim i vitit 1978, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, u shpreh mirënjohje të gjithë aktorëve të kinematografisë shqiptare, të cilët, siç sipas saj, dhanë më të mirën në kushte të jashtëzakonshme.

Filmi “Nusja dhe shtetrrethimi” mban firmën e 2 regjisorëve, Ibrahim Muçaj e Kristaq Mitro. Skenari është vepër e Helena Kadare ndërsa muzika, e të madhit Kujtim Laro.

Për rolet kryesore regjisorët kishin përzgjedhur Rajmonda Bulkun, Kastriot Çaushin, Sotiraq Bratkon e të tjerë, por vlen të veçohet aktrimi i Llazi Serbos, në rolin e oficerit gjerman.

Filmi tregon për Shpresën, që shkon në një shtëpi bashkëpunëtorësh të fashizmit për të shitur qëndisma dhe kryen një atentat të rëndësishëm. Pas kësaj i duhet të dalë në ilegalitet e veshur si nuse. Për këtë ajo ndihmohet nga shokët me të cilët ka bashkëpunuar për atentatin. E veshur si nuse, Shpresa shpëton nga shtetrrethim.

12 filma mbajnë vulën e dy autorësisë regjisoriale Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro. Një bashkëpunim i pashoq në kinematografinë shqiptare, por diçka shumë e rrallë edhe në arenën ndërkombëtare, që 2 krijues të bashkëpunojnë kaq gjatë.

Ashtu si krijuesit edhe aktorët gjithnjë janë shprehur se kanë bërë të pamundurën për t’i shpëtuar indoktrinimit të periudhës diktatoriale, në Shqipëri. / atsh / KultPlus.com

Fondacioni Jahjaga lanson sot koleksionin “One in Three and All for One”, synon fuqizimin ekonomik të grave

Fondacioni Jahjaga do të lansoj sot koleksionin e ri të veshjeve të brendit One in Three, në Vendum Lounge në Prishtinë, nisur nga ora 19:00.

Ky brend është iniciativë e Fondacionit Jahjaga që ka për qëllim fuqizimin ekonomik të grave përmes punës në fushën e rrobaqepësisë. Emërtimi i brendit One in three apo Një në Tre ka qëllim të rritjes së vetëdijes për shkallën e dhunës me bazë në gjini, pasi që në nivel global një në tre gra përjeton dhunë. 

“Koleksioni që lansojmë sot quhet “One in Three and All for One” apo “Një në tre dhe të gjithë për një” në gjuhën shqipe. Këtij koleksioni i janë bashkuar figura të ndryshme publike dhe aktivistë të cilët kanë kontribuar drejtpërdrejtë në fuqizim ekonomik të grave, duke ofruar dizajne të veshjeve për këtë koleksion. Më pas, këto produkte janë qepur me shumë dashuri dhe përkushtim nga gratë e angazhuara në këtë projekt”, thuhet në njoftim.

Ngjarja do të shoqërohet nga fjalime prej ish-presidentes Atifete Jahjaga (Presidente e Republikës së Kosovës 2011-2016) dhe Carolin Ziadeh, Përfaqësuese Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, ndërkaq veshjet e do t’i prezantojnë individë të njohur për publikun të cilët kanë kontribuuar në koleksion duke i dizajnuar këto veshje.

Deri më tani, Fondacioni Jahjaga ka lansuar dy koleksione –One in three: Atifete Jahjaga dhe One in Three: Hope, duke ofruar mundësi pune për disa gra, dhe duke zgjeruar punën synojmë të punojmë më tutje drejt fuqizimit ekonomik dhe pavarësisë financiare të grave. / KultPlus.com

Fotoja e 6-vjeçarit që tronditi botën bëhet simbol i agresionit rus në Ukrainë

Një fotografi e 6-vjeçarit Vlad duke qëndruar pranë varrit të nënës së tij, në oborrin e shtëpisë në Buça të Ukrainës tronditi botën.

Buça përjetoi disa nga skenat më të kobshme të agresionit rus. Nëna e Vladit, Marina Naumetz, vdiq kur familja u detyrua të strehohej në bodrum gjatë agresionit rus.

Korrespondentët e Zërit të Amerikës, biseduan këto ditë me të atin e Vladit, Ivan Drahun, i cili ndodhet ende në Kiev dhe përshkruan në vazhdim tmerret që përjetoi familja e tij.

Fotografia e djalit që qëndron pranë varrit të nënës së tij në Buça është shpërndarë në mbarë botën, si simbol i agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Nëna e Vladit, Marina Naumetz, kujdesej për fëmijët. Kur filloi lufta, familja u fsheh në bodrumin e kompleksit të apartamentit të tyre në Buça.

Bashkëshorti i Marinës, Ivan Drahun, kujton se si familja e tij rrallë dilte nga bodrumi.

“Ishte e vështirë sepse ishte shumë ftohtë; ishte e vështirë të merrje frymë. Rrinim ulur atje, në errësirë. Nuk mund të dilnim jashtë; përdornim një kovë për të shkuar në banjë”.

Ivani thotë se bombardimet ishin shumë tronditëse për gruan e tij. Një natë, ajo shkoi të flinte dhe nuk u zgjua më kurrë.

“Marina ishte gjithmonë e stresuar. Ajo ndjente zemrën e saj t’i rrihte shpejt herë pas here. Kishte dhimbje koke; merrte shumë ilaçe për zemrën”.

Fqinjët e ndihmuan Ivanin të varroste gruan e tij në oborr. Arkivoli u bë nga një dollap i vjetër.

Marina kishte dy fëmijë të tjerë nga martesa e saj e parë, Sofia 13-vjeçare dhe Vladimiri 10-vjeçar.

“Vladimiri dhe Sofia e kuptuan, por Vladi nuk e konceptonte dot vdekjen e së ëmës. I thoshim se mami ka ikur për të punuar. Por më pas, ngadalë ai e kuptoi se çfarë kishte ndodhur. Ishte natë dhe më zgjoi e më pyeti: ‘Babi, a vdiq mami?’ Çfarë të bëja? I thashë: ‘Po, bir, mami vdiq. Por ajo është me ne, ajo na sheh, ajo na mbron”.

Një javë pas vdekjes së Marinës, Buça u çlirua. Ivani zhvarrosi trupin e Marinës për ekzaminim mjeko-ligjor dhe më pas e rivarrosi në varreza. Ekzaminuesi tha se ajo kishte vdekur nga zemra.

Ivani donte të largohej nga vendi që i kujton vdekjen e gruas së tij, por familja nuk kishte para të mjaftueshme për të lëvizur.

Ndihma erdhi nga e gjithë bota. Një banor i Odesës, sipërmarrësi Igor Kyrylenko, që jeton në Virxhinia, pa foton e Vladit dhe donte të ndihmonte.

“Kur pashë atë foto të Vladit duke qëndruar pranë varrit të nënës së tij… dukej shumë i trishtuar dhe nuk mund të qëndroja pa ndihmuar. Vladi është sa djali im, gjashtë vjeç… Vendosa të kontaktoj familjen e tij”.

Igori dhe Ivani u bënë miq. Ai hapi një llogari “GoFundMe” për Ivanin që tashmë ka grumbulluar mbi 8,000 dollarë

“Ai është një njeri shumë i mirë. I jam jashtëzakonisht mirënjohës”.

Sot, familja po qëndron në një konvikt pranë Kievit dhe po planifikon të shpërngulet. Një mundësi është Portugalia.

Miqtë e fotografit të agjencisë Associated Press, Rodrigo Abd, i cili bëri fotografinë e famshme të Vladit, kanë ofruar ndihmë.

Ndërkohë, megjithë tmerrin e humbjes së nënës së tij, Vladi po e kalon verën me biçikletën e tij – ashtu si shumë fëmijë./Voa / KultPlus.com

Hapet konkursi për pranimin e studentëve në Universitetin e Prishtinës

Është hapur konkursi për pranimin e studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës. Gjithsej 5497 studentë të rregullt planifikohet të bëhen pjesë e UP-së për këtë vit akademik, në afatin e parë të konkursit, njofton UP.

UP-ja numëron dhjetëra programe studimore në 14 fakultete, për t’u bërë pjesë e të cilave mund të aplikoni deri më datë 19 korrik.

Njoftimi i plotë i UP-së:

Të dashur maturantë,

Njoftoheni që Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” do të shpallë konkursin për pranim të studentëve të rinj më datë 12 korrik 2022.

Deri në hapjen e konkursit, ju mund të kuptoni më shumë rreth mundësive të studimit në UP, duke shfletuar uebfaqen zyrtare www.uni-pr.edu ose ueb faqet e fakulteteve përkatëse: https://uni-pr.edu/page.aspx?id=1,34. / KultPlus.com

Nesër promovohet libri “Hije të Shtrembëruara: Libër kujtimi me rrëfimet e ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut”


Libri “Hije të Shtrembëruara: Libër kujtimi me rrëfimet e ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut” që të promovohet nesër në Muzeun e Burgut të Prishtinës në Prishtinë, më 13 korrik (e mërkurë), nga ora 19:30.

“Hije të Shtrembëruara” është një libër kujtimi me rrëfime të ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut, dy prej të cilave janë të treguara nga familjarë e të afërm të tyre.

Historitë e paraqitura në këtë libër janë rrëfime të vuajtjeve e torturave por edhe të rezistencës e solidaritetit midis aktivistëve politikë nga Kosova që kaluan netë e ditë në dhomat e izolimit të kampit të Goli Otokut, por edhe në vendpunishte si gurëthyes, pllaka-punues, zdrukthëtarë, rrobaqepës, ekonomistë e mësues.

Ky aktivitet do të hapet me fjalë rasti nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku për t’u pasuar pastaj me debatin “E kaluara para së kaluarës” me panelistë Shkëlzen Gashi, Mrika Limani Myrtaj dhe Aurela Kadriu, me moderator Eraldin Fazliu. / KultPlus.com 

Historike, Euron dhe Dollarin i ndan më pak se gjysmë centi nga barazimi

Për herë të parë në 20 vjet, valutat Euro dhe Dollar janë afër barazimit. Më pak se gjysmë centi i ndan nga të vlejturit një për një.

Aktualisht, një Euro vlen rreth 1.00407 Dollar amerikan.

Euro është duke shënuar rënie të shpejtë të vlerës. Që nga fillimviti ka rënë për 12 për qind, shkruan Gazeta Express.

Frika nga recesioni, nga inflaconi i lartë dhe pasiguria për furnizimet me energji elektrike si pasojë e luftës në Ukrainë, kanë tronditur valutën e Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian, që varej me 40 për qind të furnizimeve të gazit nga rrjedhat ruse para luftës, është duke u përpjekur që ta zbus varësinë nga nafta dhe gazi rus. Njëkohësisht, Rusia ka ndërprerë furnizimin me gaz për disa shtete të BE-së dhe së fundmi furnizimin ia ka ulur edhe Gjermanisë për 60%.

Kriza energjetike i ndihmon po ashtu ngadalësimit të ekonomisë, që ka ngritur dyshime nëse Banka Qendrore e Evropës mund t’i përgjigjet në mënyrë adekukate inflacionit në progres.

Banka ka njoftuar së fundmi se do t’i rris normat e interes këtë muaj për herë të parë nga viti 2011, përderisa norma e inflacionit në eurozonë qëndron në 8.6 për qind. /GazetaExpress / KultPlus.com

148 vjet nga lindja e At Shtjefën Gjeçovit, ‘babai’ i studimeve folklorike shqiptare

Më 12 korrik 1874, në Janjevë të Kosovës, lindi Shtjefën Mëhill Konstantin Gjeçi-Kryeziu, i njohur si At Shtjefën Gjeçovi, prifti katolik, etnologu dhe folkloristi shqiptar, i cili konsiderohet si babai i studimeve folklorike shqiptare. Ai u shkollua nga françeskanët në Bosnje (nën kontrollin e Austro-Hungarisë) dhe u shpërngul në Shqipëri në vitin 1896, pasi u bë prift, dhe kaloi vitet midis 1905 dhe 1920 midis fiseve malësore shqiptare, duke mbledhur literaturë gojore, ligj fisnor, arkeologji dhe folklori.

Kryevepra e tij, Kanuni i Lekë Dukagjinit, është përmbledhja e ligjit zakonor shqiptar, e cila u botua pas vdekjes së tij, në vitin 1933.

Atdhetar shqiptar dhe studiues i zellshëm i gjithçkaje që lidhet me të kaluarën shqiptare, ai ishte i urryer nga popullata serbe dhe autoritetet lokale. Ai u vra nga nacionalistët serbë më 14 tetor 1929, në fshatin Zym afër Prizrenit, Kosovë (në atë kohë pjesë e Mbretërisë Jugosllave), ndërsa shërbente si prift dhe mësues vendas.

Për nder të tij ka monumente si në Zym ashtu edhe në Janjevë, ndërsa shtëpia ku ai lindi u bë muze. Varri i tij ndodhet në fshatin Karashëngjergj jo shumë larg Zymit. Emrin e tij e mbajnë disa shkolla në Kosovë dhe Shqipëri.

“Gjurmët e Gjeçovit” është një aktivitet vjetor që mbahet në vendlindjen e tij Janjevë që nga viti 2000, për të përkujtuar dhe promovuar veprën dhe trashëgiminë e tij. / KultPlus.com

Sot varroset ish-kryeministri Shinzo Abe

Me mijëra japonezë janë duke i dhënë sot nderimet e tyre të fundit ish-kryeministrit Shinzo Abe. Ceremonia mortore, e cila po mbahet në tempullin Zojoji në Tokio, është private dhe do të jetë e hapur vetëm për miq dhe familjen.

Brenda tempullit Zojoji po kryhen ritet budiste. Pas funeralit, automjeti që do të mbajë trupin e Abe do të kalojë përmes qendrës së Tokios.

Kujtojmë se ish-kryeministri 67-vjeçar u qëllua për vdekje të premten e kaluar teksa mbante një fjalim për fushatën në Nara në Japoninë jugore.

Në të gjithë Tokio, flamujt janë valëvitur në gjysmështizë dhe jashtë tempullit, një varg i gjatë qytetarësh, shumë prej të cilëve mbajnë tufa me lule, shtrihet në dy blloqe. Shumë prej tyre thonë për BBC se Abe u dha atyre një ndjenjë sigurie, një grua tha se gjatë ditëve të para të Covid, kur Abe ishte kryeministër, ajo ndjeu se ai e kishte trajtuar krizën në mënyrë efektive. /abcnews.al/KultPlus.com

Sot hapet Muzeu i Burgut të Prishtinës

Sot pasdite do të zhvillohet ceremonia e hapjes së Muzeut të Burgut të Prishtinës.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës, në kuadër të ceremonisë së muzeut do të hapet ekspozita e përkohshme “Burgu i Idealit” e cila do të mbahet në ambientet e ish-ndërtesës së Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë, në rrugën “Luan Haradinaj”.

Ngjarja do të organizohet sipas kësaj agjende:

17:00 Pritja e të ftuarve, hyrja nga rruga kryesore “Luan Haradinaj”

17:15 Ceremonia e hapjes në pjesën e oborrit

17:30 Vizitë burgut

17:45 Pjesa përmbyllese me një performance muzikore instrumentale nga një kuartet tek kulla e vrojtimit.

18:00 Përfundimi i organizimit zyrtar. /KultPlus.com

Fotografi nga krahinat e Shqipërisë të realizuara nga Hugo Bernacikut

Këto fotografi sjellin pamje të rralla nga Shkodra, Kosova, Shijon-Elbasan, Tirana, Kruja, shtëpia e familjes Toptani, Kurbin, burrat duke pirë kafe turke, Malin e Taraboshit, parkun e Divjakës etj.

Realizuar në vitin 1929, nga Hugo Bernacikut, gjatë qëndrimit disamujor në Shqipëri. Më pas, fotografitë e vjetra janë mbledhur nga studiuesi, albanolog dhe historian, Robert Elsie.

Etnologu, fotografi dhe udhëpërshkruesi austriak, Hugo Adolf Bernacik (1897-1953), lindi në Vjenë, bir i juristit Edmund Bernacik (1854-1919). Kontaktet e para me shqiptarët i pati që para Luftës së Parë Botërore në Stamboll, ku njohu djemtë e rojeve të sulltanit.

Hugo Bernaciku shkoi në Shqipëri për herë të parë, në vitin 1914, gjatë pushtetit të shkurtër të Princ Vidit (Wilhelm zu Ëied, 1876-1945). Në vitin 1915, kur ndodhej sërish në Shqipëri, shërbeu vullnetar në ushtrinë austro-hungareze, me një njësi artilerie.

Në vijim të një qëndrimit në deltën e lumit Danub në Rumani, ku shkoi për zogjtë, Hugo Bernaciku erdhi përsëri në Shqipëri, ku qëndroi nga 24 prilli deri më 6 korrik 1929.

Të dhënat bazë mbi kushtet e jetës së vendit, Bernaciku i mori nga gjeologu gjerman Ernst Novak (Ernst Nowack, 1891-1946), i cili e këshilloi që të kontaktonte të dërguarin gjerman në Tiranë, Franc fon Shajger (Franc von Scheiger, 1891-1960). Bernaciku ishte në kontakt gjithashtu edhe me çifligarin shqiptar Ago Agaj (1897-1994), me të cilin, doli për gjueti në Myzeqe.

I pajisur me një çadër, një kajak dhe një aparat fotografik, Bernaciku kaloi plot dy muaj në Shqipëri. Rezultati i udhëtimit të tij ishin dy libra: Riesenpelikane und ihre Kinder (Pelikanët e mëdhenj dhe fëmijtë e tyre), Vjenë 1930, një album i vogël dhe tani i harruar për pelikanët e kënetës së Maliqit; dhe Europas vergessenes Land (Shteti i harruar i Evropës), Vjenë 1930, i cili doli në tirazhin e katërt të zgjeruar me titullin Albanien: das Land der Schkipetaren (Shqipëria: vendi i shqiptarëve), Vjenë 1939. Fotografitë e këtij koleksioni janë marrë prej këtij vëllimi të fundit”- shkruan Robert Elsie. / KultPlus.com

Gjergj Basta, gjenerali shqiptar që tronditi Europën në mesjetë

Gjergj Basta, është një nga figurat më të njohura të praktikës ushtarake evropiane të fillimit të Rilindjes, nga ku kishte mbetur një emër i panjohur për shkencën dhe lexuesin shqiptar deri kur historiani Dhimitër Pilika, e nxori atë nga arkivat e Pragës dhe e publikoi në Revistën “ Ylli” më 1966 në numrin e 7 të saj.

Për të qenë më të saktë, Gjergj Basta për literaturën shqiptare ishte një rizbulim. Për të ishte shkruar e folur para 1944-ës në diasporë dhe ishte përmendur sadopak emri edhe në ndonjë botim në Shqipëri. Por aq pak, sa pas 1944-ës ishte harruar fare. Ndoshta Basta u gjykua ashpër si “pushtues” e si komandant forcash perandorake.

Në fakt Gjergj Basta kishte jetuar gjithnjë në kujtesën e shqiptarëve. Në një letër të vitit 1759 himariotët, pas emrit të Pirros e të Skënderbeut, shënonin emrin e Gjergj Bastës. Në vitin 1907 shqiptarët e SHBA në një letër që i drejtonin Konferencës së Hagës, përmendnin krahas figurave të shquara të popullit tonë edhe gjeneralin Gjergj Basta.

Pas Dhimitër Pilikës, Koco Bozhori me 1985 sa e përmend emrin e Gjergj Bastës në zërin e stratiotëve në Fjalorin Enciklopedik shqiptar dhe më 1990, historiani ushtarak, dr. Riza Drishti do të botonte në Revistën “Për mbrojtjen e Atdheut“ një studim të shkurtër për jetën dhe veprën e Bastës.

Por viti 1996 do të shënonte një arritje të veçantë në këtë njohje: Shtëpia Botuese e Ushtrisë do të botonte në një vëllim, të përkthyera nga Ejana Paco, të dy veprat e Gjergj Bastës: “Mjeshtri i përgjithshëm i kampit” dhe “Drejtimi i kalorësisë së lehtë.” Në vitet 2000 ka pasur në shqip edhe botime të tjera rreth emrit dhe veprës së Gjergj Bastës.Revista “ Mbrojtja” ,më 2003 botoi jetëshkrimin e Gjergj Bastës sipas “Dizionario biografico degli italiani” të vitit 1995, përkthyer nga Ermal Onuzi. Më 2006 u botua në shqip, e përkthyer nga Pëllumb Xhufi, vepra e Paolo Petës “ Stradiotët” në të cilën në tri faqe jepet edhe një jetëshkrim i Gjergj Bastës .

Më 2008 Fjalori enciklopedik shqiptar botoi një zë për Gjergj Bastën, shkruar po nga dr. Riza Drishti. Vitet e fundit kanë filluar të shkruajnë e botojnë për Bastën “ krahinarët” e tij të Bastjas mesjetare, nga Nivicë –Bubari dhe Senica e Sarandës.

Më 2010, Theodhori Miho botoi “Gjergj Basta dhe kapedanët e Senicës”, dhe më 2014, Fatmir Minguli në “Triptik historik” ,pjesën e parë, ia kushton pikërisht gjeneral Bastës, ndërkohë që Fotaq Andrea e përmend general Bastën në një studim te tij për stratiotët shqiptarë botuar në Revistën Ushtarake të Akademise se FA. Veprat e Gjergj Bastës , të ribotuara më 1641 nga Shtëpia Botuese “ Xhunti” e Venedikut, i ruajnë edhe Bibliotekat tona, “ Marin Barleti’”e Shkodrës dhe Biblioteka Kombëtare në Tiranë. Gjergj Basta vdiq më 20 nëntor 1607(ose 1612)dhe u varros në Vjenë.

Nga Sali Onuzi – “Prej shekullit XIV, kur ushtritë feudale në Evropën perëndimore e humbën rëndësinë, fituan peshë repartet e ushtarëve rrogëtarë, që vinin nga Anglia, Zvicra, Gjermania. Në kushtet e vështira të jetesës nën pushtimin osman, shumë fshatarë të trevave malore, si të Labërisë, Himarës, të Veriut , po edhe nga Greqia, Dalmacia u rekrutuan në reparte të tilla, duke marrë emrin “ stratiotë”. Stratiotët shqiptarë shërbyen në zotërimet venedikase, në shtetet italiane, në ushtritë e perandorisë gjermane, në Francë, Flandër etj” ( FESH, 1985 dhe 2008) /diasporashqiptare/ KultPlus.com

Del në shitje kostumi i famshëm i “Joker”, kjo është shuma që mund të arrijë

Kostumi i famshëm “Joker” i veshur nga aktori Jack Nicholson në filmin “Batman” i Tim Burton del në ankand nga Heritage Auctions.

Xhaketa me vija vjollce, portokalli dhe me dy krahë dhe pantallonat e ngjashme, këmisha portokalli me mëngë të gjata saten, kravata me vija Christian Dior, një palë çizme kyçi Robot të prodhuara në Mbretërinë e Bashkuar dhe kapela ngjyrë vjollce Dobbs shiten për një çmim fillestar prej 65,000 dollarë.

Sipas Heritage Auctions, stilisti i kostumeve Bob Ringwood ka punuar në këtë kostum me vetë Nicholson dhe ka arritur linjat dhe ngjyrën e guximshme të një gangsteri klasik të filmave vizatimorë duke e lejuar aktorin të bëhet qesharak dhe i frikshëm në të njëjtën kohë, shkruan shqip.com

Njollat jeshile mund të gjenden në jakën dhe supet e këmishës portokalli nga prodhimi së bashku me mbetjet e grimit të bardhë në kapelë, por mendohet se janë në gjendje shumë të mirë deri në mirë. / KultPlus.com

Gjermania restauron mozaikun e epokës komuniste

Një mozaik i madh në qytetin qendror të Gjermanisë Halle që daton në epokën komuniste do të restaurohet si pjesë e trashëgimisë kulturore të ish-Gjermanisë Lindore.

Mozaiku u krijua duke përdorur afro 11 000 pllaka nga artisti spanjoll Josep Renau dhe ka 35 metra lartësi dhe shtatë metra gjerësi. E përfunduar në vitin 1974, mbulon fasadën e një blloku banimi.

”Mozaiku ishte një nga projektet e para të mëdha të këtij lloji në Republikën Demokratike Gjermane (gjermanisht: DDR)”, theksoi një zëdhënës i fondacionit Wüstenrot, i cili ndihmon në ruajtjen e monumenteve historike.

”Kishte një ide politiko-ideologjike për çdo kompleks rezidencial në qytetin e ri Halle-Neustadt që duhej të shprehej në formë artistike”, tha ai.

Në vitin 1968, Gjermania Lindore i ngarkoi Renaut të krijonte dy vepra: “Fuqitë e natyrës dhe teknologjisë të zotëruara nga njerëzimi” dhe “Uniteti i klasës punëtore dhe themelimi i RDGJ”.

E para është restauruar në vitin 2005, ndërsa e dyta aktualisht është e dëmtuar dhe ka nevojë për riparim.

Sipas fondacionit, muralet Renau (1907-1982) janë ndër veprat më domethënëse të artit që datojnë nga epoka e Gjermanisë Lindore./atsh/ KultPlus.com

‘Për ditëlindje nuk ndeza kurrë qira’

Poezi nga Rozafa Shpuza

Rrëfim n’vetë t’parë

N’jetë erdha at’ verën e rreshkun
që u njom prej ujnave të zgrip-lindjes
e u trand prej ulërimave amësore
të denja për nji arie perfekte.
Im atë m’njiti emën legjendash,
kurse nana m’dha cicë deri sa nisa me ndenjë taaa…
Anipse qava n’kupë t’qillit,
gjyshja kambënguli me m’lidhë n’shpërgaj
e kambët m’i zhyti n’sheqer kur lindi im vëlla.
U rrita me marsh paradash e brohorima t’mnershme
e për mbarësi më hodhen uje diten e parë të shkollës.
Çdo verë lava n’oborr qylymin me thakë t’grimë tejet
tue kërcye zbathët sipër tij
si n’ceremonitë pagane.
Ndër fletore matematike shkruva ditar
e për dashnorët naivë përdora iniciale
që tash kot lodhem me i çkodue…
Ju recitova poezi nxanësve t’nji shkolle ndër male
diku mes reales dhe absurdes
mandej i qindisa n’gjergjef tana dëshirat
si me dashtë me i ba zapt n’atë rreth t’tendosun
si nofllat para vajit…
Për ditëlindje nuk ndeza kurrë qira
prejse i druhesha joshjes se mirazheve
t’krijueme prej flakës së tyne t’rrejshme.

N’jetë edha at’ verën e rreshkun
njajtë me këtë t’simjetshmen
kur gjinkallat konkurrojnë me kangtaret e afisheve t’shkyme
e une shuej etjen me krriklla kabahe birret
n’lokalin me nji shkronjë mangut n’tabelë… / KultPlus.com

Në Prishtinë ka nisur sot FISU – Kupa Botërore Universitare në Hendboll

Në Prishtinë ka nisur sot FISU – Kupa Botërore Universitare në Hendboll.

14 ekipe universitare, nga tri kontinente, do të garojnë për të parin në botë në hendbollin universitar në ambientet “1 Tetori” dhe “Pallati i rinisë dhe sportit” për një javë rresht, në kategorinë e meshkujve dhe femrave. Në ceremoninë hapëse të Kupës të mbajtur në sallën “1 Tetori” marshuan ekipet pjesëmarrëse, përfshirë edhe të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, si universitet nikoqir.

Drejtori ekzekutiv i Kupës, Musa Selimi, iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti, duke theksuar që është privilegj i madh që sot në Kosovë po mbahet Kupa Botërore Universitare në Hendboll, pas shumë muajsh punë intensive për organizimin e kësaj ngjarjeje.

“Si një shtet i ri, Kosova është përballë me shumë sfida, por ka bërë edhe progres të rëndësishëm, veçanërisht në promovimin e saj përmes sportit” theksoi Selimi.

Ai ftoi ekipet që të garojnë, por njëherësh të mos harrojnë që të shijojnë momentet e kësaj ngjarje unike, duke i ftuar që të festojnë, ashtu siç thërret edhe motoja e Kupës – “Hands UP and Celebrate”!

Selimi falënderoi Federatën Botërore të Sportit Universitar për besimin, partnerët për përkrahjen dhe komitetin organizativ dhe stafin për punën e bërë.

Që prej vitit 1949, Federata Ndërkombëtare e Sporteve Universitare ka bërë që pothuajse çdo vit të mblidhen studentë nga e gjithë bota në vende të ndryshme. Në emër të FISU-së, të pranishmëve ju drejtua anëtari i bordit ekzekutiv të saj, z. Gabriel Kotchofa. Ai e përgëzoi Federatën e Sporteve Universitare të Kosovës, ekipin organizativ, vullnetarët dhe të gjithë ata që e kanë bërë të mundur këtë ngjarje.

“Jemi shumë mirënjohës për mikpritjen tuaj. Andaj, i ftoj delegatët e FISU dhe pjesëmarrësit e tjerë që të shijojnë këto momente të mrekullueshme dhe të sjellin me vete kujtime të paharrueshme nga kjo përvojë në Prishtinë dhe në këtë vend të bukur siç është Kosova” tha Kotchofa.

Hapjen zyrtare të Kupës e bëri ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku. Ai u uroi mirëseardhje të gjithë pjesëmarrësve në këtë Kupë në shtetin e Kosovës dhe u shpreh i lumtur që po e shpall të hapur këtë ngjarje madhore të sportit.

“Kam kënaqësinë dhe nderin që ta shpall zyrtarisht të hapur 2022 FISU Kupën Botërore Universitare në Hendboll”, përfundoi fjalën e tij ministri Çeku.

Ceremonia ka vijuar me betimet e atletëve, ekipit teknik dhe gjyqtarëve. Ndërkaq, pjesa e fundit iu dedikua programit kulturor, ku nën tingujt e muzikës shqiptare përformuan Ansambli “Shota”.

Gjatë ditës janë zhvilluar gjashtë lojëra, rezultatet e të cilatve mund t’i gjeni në: https://wuchandball2022.com/page.aspx?id=1,50

Ndeshja e cila pasoi ceremoninë zyrtare dhe përmbylli garat e ditës së parë të kupës ishte ajo ndërmjet ekipeve të Univdersitetit të Cebu Lapu – lapu Mandaue nga Spanja dhe Universitetit të Prishtinës. / KultPlus.com

Me ekspozitën e përkohshme “Burgu i Idealit”, nesër do të bëhet hapja e Muzeut të Burgut të Prishtinës

Ndërtesa e ish-Burgut të Prishtinës e cila mban brenda vetes histori të shumta të përndjekjes, maltretimit dhe shtypjes së idesë për liri, është shndërruar në muze i cili paraqet narrativën dhe rezistencën popullore të të burgosurve politik në të gjitha burgjet e Kosovës.

Hapja e Muzeut të Burgut të Prishtinës me ekspozitën e përkohshme ”Burgu i Idealit” do të mbahet me 12 korrik, duke filluar nga ora 17:00.

Nga data 12 korrik, Muzeu do të jetë i hapur për vizitorët në këtë orar:

E martë – e diel
10:00 – 19:00.

Shfaqja “Ora e Vdekjes” me regji të Ilir Bokshit mbajti për herë të parë një aktivitet në këtë burg, tanimë muze. / KultPlus.com