Për herë të parë, objekte të trashëgimisë prehistorike nga Shqipëria do të jenë pjesë e një ekspozite ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada.
Objekte nga fondet e Institutit të Arkeologjisë dhe koleksioni i Muzeut Arkeologjik në Tiranë, kanë mbërritur në SHBA, ku do të jenë pjesë përbërëse e ekspozitës lëvizëse të titulluar “First Kings of Europe” (Mbretërit e parë të Europës), me organizues kryesor Field Museum of Natural History, në Chicago te Shteteve te Bashkuara.
Në këtë ekspozitë marrin pjesë 25 institucione nga 11 vende të ndryshme nga Europa Juglindore. Ekspozita ka si temë kryesore periudhën e formimit të elitave gjatë prehistorisë së vonë, nga komunitetet bujqësore të Neolitit, tek elitat e konsoliduara të periudhës së Hekurit në Ballkan. Objektet e ekspozuara tregojnë historinë se si disa individë fuqizuan pushtetin dhe influencën e tyre, duke zotëruar burime natyrore, duke kontrolluar rrugët e tregtisë, ritualet, ceremonitë dhe luftërat.
Një version i vogël i kësaj ekspozite, e cila e vë theksin mbi ritualet (Rituals and memory: The Balkans and Beyond), do të shfaqet fillimisht në Institute for the Study of the Ancient World (ISAW), pjesë e Universitetit të New York-ut, në datat 22 Shtator 2022 – 19 Shkurt 2023. Më pas, hapja e ekspozitës së plotë fillon në muajin Mars 2023, në Field Museum of Natural History Chicago, ndërsa në Prill të vitit 2024, ajo do të vendoset në National Museum of History, në Gatineau, Kanada.
Puna për pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë projekt u drejtua nga Dr. Rovena Kurti, në bashkëpunim me Rudenc Rukën dhe Prof. Luan Përzhitën, me mbështetjen e drejtoreshës së Institutit të Arkeologjisë, Prof. Ass. Belisa Muka.
Akademia e Studimeve Albanologjike, në një postim të sajin në rrjetet sociale falenderon për mbështetjen veçanërisht ministren e Kulturës, Elva Margariti dhe ekipin e saj, të cilët besuan në suksesin e këtij projekti, si një mundësi e shkëlqyer për promovimin e trashëgimisë së pasur kulturore dhe arkeologjike të Shqipërisë, në një kontinent të largët si Amerika.
Pas mbërritjes në SHBA, objektet u inspektuan për gjendjen e tyre nga studiuesit amerikane në Field Museum (Chicago) dhe ISAW (New York), si dhe përfaqësuesit e Institutit të Arkeologjisë./atsh/ KultPlus.com
Bota akademike amerikane është goditur nga një skandal i dimensioneve ende të paqarta, pasi një prej institucioneve më prestigjioze në vend dhe në botë, universiteti “Columbia” në Nju-Jork, ka pranuar se ka shpërndarë të dhëna të rreme mbi infrastrukturën dhe performancën e saj, duke përfituar në këtë mënyrë një pozicion më të mirë në renditjen e universiteteve më të mira.
Në renditjen e U.S. News & World Report, pikë referimi në SHBA, Columbia ndodhej në vend të dytë në rang kombëtar, por tani ka “rrëshqitur” në vendin e 18-të, pas rivlerësimit të dhënave.
Gjithçka filloi nga një pyetje e drejtuar nga një profesor matematike pikërisht e Columbia, Micheal Thaddeus, i cili, duke u bazuar në statistikat, vuri në dyshim ngjitjen në renditje të institucionit ku punon, nga vendi i 18-të në 1988 në të dytin në 2021.
Nga studimi, doli qartë që shumë nga të dhënat që universiteti i dërgonte autorëve të renditjes, duke filluar nga madhësia e auditorëve te performanca e studentëve, ishin të ndryshme nga e vërteta, dhe gjithmonë në favor të universitetit.
Michel Thaddeus, profesori që zbuloi skandalin në Columbia
Columbia u detyrua të pranojë gabimin, duke premtuar ndryshimin e të dhënave në renditjet e ardhshme, por mbetet një goditje imazhi i madh për një institucion që kërkon nga studentët e privilegjuar që pranohen rreth 86 mijë dollarë për çdo vit shkollor dhe akomodimin përkatës në konvikt.
Në Shtetet e Bashkuara, universitetet që përbëjnë të ashtuquajturën Ivy League, ku përfshihen Columbia, si dhe emra të njohur të verilindjes si Cornell, Harvard, Brown, Yale, Cornell, Dartmouth, Princeton dhe Universiteti i Pensilvanisë, mbahen si institucionet që formojnë elitën drejtuese të Shteteve të Bashkuara, ku ndershmëria është element kryesor i rregullores, dhe janë të shumta rastet e dëbimeve pas gjetjes së një rasti plagjiarizmi, ose për studentë që janë gjetur duke kopjuar./A2CNN/ KultPlus.com
Det i p’an’i mirësisë, q’emrin tënd s’e zë dot ngoje, Qysh e ngrehe gjithësinë pa lënë farë nevoje! Fali njeriut urtësinë, mirësinë, njerëzinë, Butësinë, miqësinë, dashuri, vëllazërinë Epu sheshevet lul’ e bar dhe pyjevet gjeth e fletë, Resë shi, aravet bimë e mos lerë gjë të metë, Fali erë trëndelinës, manushaqes, trëndafilit, Kalliut bukë, mizës pjesë, zogut ngrënie, zë bilbilit, E drurëvet epu pemë dhe uratë bagëtisë, Dërgo dhëmbj’ e kujdes për to në zëmërt të njerëzisë Epi pjergulls’ e vështit rrush dhe vozësë fali verë, Mos e lerë pa të kurrë, kurrë thatë mos e lerë Fali diellit flak e zjarr dhe hënës e yjet dritë, Edhe detit uj’ e kripë, gjithësisë jet e ditë. Yjtë le të vinë rrotull dhe njerëzit të punojnë, Të dëfrejn’ e të gëzohen dhe si vëllezër të shkojnë. Tregomu dhe shqipëtaret udhën e punës së mbarë, Bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqipëtarë, Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardh’ e lirisë, Udhën e vëllazërisë, vahn’ e gjithë mirësisë. Nxirr të vërtetën në shesht, paskëtaj të mbretëronjë, Errësira të përndahet, gënjeshtëra të pushonjë. /KultPlus.com
Në vijim të maratonës së publikimit të line up-it të filmave që do shfaqen përgjatë edicionit të 14-të të PriFest, shpaloset kategoria e filmave ballkanik të metrazhit të gjatë, si kategori kryesore e festivalit. Pesë filma do të garojnë për çmime dhe janë të gjitha premiera Kosovare.
Filmat konkurues:
1. Vera Andrron Detin nga Kaltrina Krasniqi – Kosovë, Maqedoni e Veriut, Shqipëri / PremierëKosovare 83 min;
2. Virgjëresha Shqiptare nga Bujar Alimani – Gjermani, Shqipëri, Belgjikë, Kosovë / Premierë Kosovare 120 min;
3. Working Class Heroes nga Miloš Pušić – Serbi / Premierë Kosovare 85 min;
4. Deset u Pola nga Danis Tanović – Bosnja dhe Hercegovina / Premierë Kosovare 95 min;
5. Sisterhood nga Dina Duma – Maqedoni e Veriut, Kosovë, Mali i Zi / Premierë Kosovare 90 min.
Cmimi kryesore i cili do të ndahet prej këtij viti do ta mbaj emrin “Vjosa Berisha”.
Çmimet që do të ndahen në këtë kategori janë:
Hyjnesha e kuqe për filmin më të mirë (Çmimi Vjosa Berisha);
Hyjnesha e Artë për regjisorin më të mirë;
Hyjnesha e Artë për aktoren më të mirë;
Hyjnesha Artë për çmimin e aktorit më të mirë.
Edicioni i 14-të i “PriFest”-it mbahet nga 20 deri më 25 shtator 2022 dhe i dedikohet drejtoreshës së ndjerë Vjosa Berisha. /KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, po vazhdon ciklin e vizitave nëpër Komunat e Kosovës, e tani radha ishte e Gjilanit, aty ku një prej çështjeve më të diskutuara është ajo e Stadiumit të Qytetit, shkruan KultPlus.
Çeku, pasi e falënderoi kryetarin Hyseni për pritjen, ka thënë se në Gjilan ka ardhur për t’i dinamizuar projektet e investimeve kapitale, programet tjera të përbashkëta e projektet e reja të sportit, artit e rinisë.
Në kuadër të kësaj, ministri Çeku tha se Gjilani e ka pasur dhe do ta ketë primatin e investimeve në trashëgiminë kulturore, ndërkaq ka konfirmuar se mbështetjen ndaj nismës së Komunës së Gjiilanit për ta shndërruar Kalanë e Pogragjës dhe gjithë ambientin aty në atraksion turistik.
Për palestrën e Zhegrës, ministri Çeku tha se janë duke u kujdesur në veçanti, për të shtuar se tashmë ky projekt po shkon në fazën përfundimtare të realizimit të punimeve, në mënyrë që të jetë në shërbim të sportistëve e rinisë.
Ndërkaq, duke folur për stadiumin e qytetit, ministri Çeku ka thënë se tashmë kemi hyrë në fazën e zgjidhjes së këtij ngërçi afatgjatë, duke shtuar se është interes kombëtar që ta kemi të përfunduar këtë stadium në kohën më optimale me standardet e përmbushura ndërkombëtare.
“Sa i përket stadiumit, tashmë kemi hyrë në fazën e zgjidhjes së këtij ngërçi afatgjatë, fatkeqësisht. Kemi filluar fazën e hartimit të projektit për fazën përfundimtare të ndërtimit të stadiumit të qytetit, i cili përfundimisht na e nxjerr koston, rrugën dhe na tregon kohën që na duhet për ta realizuar përfundimisht këtë investim shumë të rëndësishëm, jo vetëm për Gjilanin, sepse një stadium i këtillë i duhet edhe Kosovës, sidomos për garat ndërkombëtare. Është interes kombëtar që ta kemi të përfunduar këtë stadium në kohën më optimale me standardet e përmbushura ndërkombëtare”, tha ai.
“Ky projekt nuk ka ekzistuar asnjëherë sepse është punuar me faza më herët dhe asnjëherë nuk ka pasur projekt përfundimtar. Në momentin që e kemi projektin profesional me të gjitha standardet, do të kalojmë në kontraktimin e punimeve dhe do të bëjmë më të mirën që brenda kohës më optimale, në bashkëpunim me kryetarin e Komunës, të vazhdojmë ta trajtojmë me shumë prioritet përfundimin e punimeve në stadiumin e Gjilanit”, ka shtuar ministri Çeku.
Ministri i MKRS-së ka thënë po e shqyrtojnë mundësinë e mbështetjen edhe ndaj nismës së Komunës për projektin ‘xhepat e gjelbër të lagjeve’, për të bashkëfinancuar ndërtimin e fasciliteteve sportive dhe kulturore, por edhe për projektin tjetër të Komunës për Qendrën e Kulturës, derisa ka dhënë zotimin për bashkëfinancimin edhe të manifestimit kultutor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2023”.
Në fund, ministri Çeku tha se nga kryetari Hyseni ka kërkuar lokacion të përshtatshëm për ndërtimin e palestrës së xhudos dhe për ndërtimin e një shtëpie të shahut.
“Tashmë kryetari Hyseni është në komunikim edhe me federatat përkatëse dhe në momentin që i kemi lokacionet, ne do t’i nisim procedura për ndërtimin e këtyre palestrave të reja, një për xhudon e një për shahun”, ka përfunduar ministri Çeku
Hyseni e ka falënderuar ministrin Çeku për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Gjilanit.
“Diskutuam rreth projekteve që janë në zhvillim e sipër e për projektet dhe idetë e reja që ne si Komunë mendojmë t’i realizojmë. Është një qasje e re e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por në të njëjtën kohë, edhe ne si Komunë po mundohemi që të jemi sa më kreativë që është e mundur që t’i plotësojmë nevojat elementare e bazike për komunitetin sportiv e artistik”, ka deklaruar pas takimit kryetari Hyseni.
“Po ashtu, sot e kam shfrytëzuar rastin që ta njoftoj ministrin Çeku për zhvillimin e punimeve në palestrën e sporteve në Zhegër, për situatën rreth stadiumit të qytetit, duke e ditur faktin që ministri që nga fillimi i mandatit një prej top prioriteteve e ka pasur zgjidhjen e problemit të këtij stadiumi. Detajet që i kemi nxjerrë dhe që janë qartësuar për opinionin kanë treguar për defektet e mëdha në stadiumin e Gjilanit. Tash kemi arritur në një fazë që projektit po i jepet energji e re dhe frymë e re dhe në të njëjtën kohë do të qartësohen edhe problemet e fundit në mënyrë që stadiumi i qytetit të fillojë të punohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka shtuar kreu i Gjilanit. /KultPlus.com
Pas katër edicioneve të suksesshme, KultPlus ka nisur përgatitjet për të sjellë edicionin e pestë me radhë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”.
“Ta zbardhi ftyrën” është një prej ngjarjeve më të bukura që përjetohen në kryeqytetin e Kosovës pasi që deri më tani ka arritur të sjell emra të mëdhenj të artit shqiptar të cilët kanë dhuruar emocione të forta e kanë rrëfyer histori të padëgjuara më herët.
Edhe ky edicion pritet të jetë tejet special me një figurë të rëndësishme të artit shqiptar që na bën çdo ditë krenar me paraqitjet e tij në skenat ndërkombëtare.
Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus, ka njoftuar se tashmë është konfirmuar edhe artisti i këtij edicioni.
“Pas katër edicioneve të suksesshme ku kemi pas artistë mjaftë të rëndësishëm nëpër shtete të ndryshme të botës, edhe këtë vit do të sjellim një artist shqiptar që vlerësohet shumë në nivel ndërkombëtar. Këtë vit do të sjellim baritonin e suksesshëm Gëzim Myshketa, me të cilin edhe do të shënojmë edicionin e pestë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”, ka thënë Pajaziti.
Ajo ka treguar më pas se për shkak të agjendës së ngjeshur të Myshketës, kjo mbrëmje artistike që zakonisht është mbajtur në muajin gusht, këtë vit do të mbahet në muajin dhjetor.
“Për shkak të natyrës së mbrëmjes, ku sjellim artistë shqiptarë që jetojnë në shtete të ndryshme të Evropës e më gjerë, jo gjithherë po arrijmë ta realizojmë këtë mbrëmje në një muaj të caktuar. Sepse po varemi prej agjendës së mysafirëve”, ka thënë Pajaziti e cila është shprehë të jetë shumë e kënaqur që KultPlus si herëve të shkuara, edhe kësaj radhe do të prezantojë një artist të përmasave të mëdha.
Kujtojmë që në edicionet paraprake në “Ta zbardhi ftyrën” mysafirë ishin artistët e njohur si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli dhe Gjon’s Tears, të cilët edhe kanë një karrierë të pasur në botën ndërkombëtare.
“Ta zbardhi ftyrën” është një mbrëmje artistike ku KultPlus sjell personalitete të cilat krijojnë dhe kanë sukses jashtë Kosovës, për të na treguar për sfidat, vështirësitë dhe rrugëtimin e tyre. Emërtimi i debatit nuk asocon me asgjë tjetër, pos idesë se artistët kosovarë e shqiptarë mund dhe arrijnë të kenë suksese edhe në shtetet tjera evropiane ku depërtimi është shumë më i vështirë. A ekziston ende shprehja “na e zbardhe ftyrën” dhe a veprojnë artistët bazuar në këtë thënie, do ta zbulojmë edhe me artistin e këtij edicioni ku do të ketë një diskutim të hapur me audiencën dhe performancë para publikut me një repertor të përzgjedhur.
Edicioni i sivjetmë i “Ta zbardhi ftyrën” mbështetet nga Ministria e Punëve të Jashtme. / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës Elva Margariti, në kuadër të “Ditëve të Trashëgimisë”, ka sjellë në vëmendje Muzeun Hebraik Shqiptar që po ngrihet në Vlorë si një qendër dialogu dhe njohjeje jo vetëm e historisë, por dhe e vetvetes.
“Projekti po shkon përpara me partnerin tonë AADF”, shkruan ministrja në një postim në rrjetet sociale.
Muzeu Hebraik Shqiptar është një projekt i Ministrisë së Kulturës, në partneritet me Fondacionin Shqiptaro Amerikan për Zhvillim. Kushtuar një prej faqeve më të arta të historisë shqiptare, mbrojtjes së hebrenjve, muzeu do të jetë i pari në llojin e vet, që hapet në Shqipëri. Ai do të jetë pjesë integrale e Qendrës Historike, duke dëshmuar për një histori unike bashkëjetese, e cila duhet të përcillet edhe tek të rinjtë.
Më herët, ministrja e Kulturës ka njoftuar se arkitektët e studios “Kimmel – Eshkolot” po përpunojnë detajet estetike të muzeut, për t’i dhënë atij një vend, në hartën e ndërtesave bashkëkohore të shekullit të ri në Shqipëri. /atsh /KultPlus.com
Sot shënohet përvjetori i 701–të i vdekjes së Dante Aligherit, poetit, filozofit dhe politikanit të njohur botëtor, përcjell KultPlus.
Vepra më e njohur e Dantes ‘’Komedia Hyjnore’’ konsiderohet si vepra më e rëndësishme e Mesjtës dhe ishte jashtëzakonisht frymëzuese për artin perëndimor.
Libri u nda në tri pjesë: Inferno (ferri), Purgatorio (purgatori), dhe Paradiso (parajsa). Përveç imazheve dhe bukurisë letrare, poezia mahnit për analizën e saj depërtuese dhe gjithëpërfshirëse të problemeve të asaj kohe. Megjithatë, paralelet mes Inferons të Dantes dhe botës se sotme janë të jashtëzakonshme.
Shkrimet e tij, përveç se inspiruan vepra të panumërta të artit, hynë ne kanonin letrar perëndimor dhe u bënë vepra më të lexuara ndonjëherë. ‘’Komedia hyjnore” është libri i dytë më i përkthyer në Botë pas Biblës.
Struktura e Dantes ishte aq bindëse sa në vitin 1588, një Galileo Galilei i ri u përpoq të përcaktonte dimensionet e ferrit siꞔ përshkruhen nga Dante. Ushtrimi përfundimisht e bindi se fantazia e Dantes nuk mund të arrihej kurrë në mënyrë strukturore, por e inspiroi Galileon të ndërmerrte hapin e parë drejt fizikës teorike.
Dante po ashtu njihej si politikan në Firencë deri sa ne qytet erdhi një regjim i ri dhe e dëbuan Danten nga qyteti. Dante filloi të shkruante Komedine Hyjnore vetëm pas dëbimit nga Firence, dhe kjo është po aq një përpjekje për të kuptuar largimin e tij, sa është një udhëtim shpirtëror për të kuptuar Zotin. / KultPlus.com
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, vazhdon që të befasojë të gjithë njerëzit anë e mbanë botës me guximin e tij, derisa një befasi u ka bërë edhe ushtarëve ukrainas, duke bërë një vizitë të paparalajmëruar, përcjell KultPlus.
Së fundmi është raportuar nëpër mediat ndërkombëtare se ofanziva e Ukrainës për të rikthyer tokat e pushtuara nga Rusia, po shkon me sukses.
Ukraina ka arritur që me ushtarët e saj të çlirojë qytetin e Iziumit, i cili ka një rëndësi të veçantë strategjikë në lindje të vendit.
Moska e kishte shfrytëzuar këtë qytet si një pikë për të dërguar përforcime në Donbas. Në atë rajon, tani skenaret kanë ndryshuar.
Rusët në masë të madhe po tërhiqen, kurse ukrainasit nuk kanë të ndalur me sulme të planifikuar deri në detajet më të vogla.
“Kur më herët shikonim lart, gjithmonë kemi dashur ta shohim qiellin e kaltër. Sot, po shikojmë lart, duam vetëm një gjë – flamurin e Ukrainës”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale përbri fotografive nga vizita në Izium.
“Flamuri ynë verdhë e kaltër po valon mbi Iziumin, që dikur ishte i okupuar. Kështu do të jetë në çdo qytet dhe fshat të Ukrainës. Po shkojmë vetëm në një drejtim – atë të fitores”, tha ndër tjera presidenti ukrainas. /KultPlus.com
Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi të mërkurën se ka ndaluar edhe një person të moshës madhore, i dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë.
Rasti ka ndodhur në qershor të këtij viti.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar një person (madhor) në kohëzgjatje prej 48 orësh, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi”, sipas KPRK-së, lidhur me rastin e 11 vjeçares, në qershor të vitit 2022”, thuhet në komunikatën për media.
Po ashtu, Prokurori i Shtetit pritet që brenda afatit ligjor të ushtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, në gjykatën kompetente. /KultPlus.com
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se Projektligji për paga për zyrtarët publikë nga nesër do të jetë në konsultim publik, shkruan KultPlus.
Sveçla në një konferencë për media ka theksuar se për 15 ditë do të jenë të hapura për komente dhe sugjerime për këto projektligje.
“Janë zhvilluar me dhjetëra takime për të dëgjuar secilin propozim dhe nga secila këto projektligje, ku nga sot i keni konkluzionet tona, ku do t’i presim komentet shtesë deri në finalizimin të tyre dhe procedim të tyre deri në instanca të tjera”, tha Sveçla.
“Për 15 ditë pune, nga nesër në mëngjes, të dy projektligjet do të janë në konsultim publik, brenda të cilës kohë, të gjithë do të kenë mundësi që ta adresojnë çdo koment apo sugjerim me këto projektligje, apo pjesë të caktuara”, ka përfunduar ai. /KultPlus.com
Ka ndërruar jetë në moshën 96-vjeçare, aktorja shqiptare me famë botërore, Irena Papas.
Origjina shqiptare e aktores së njohur greke Irena Papa Leleku, është kundërshtuar shpesh, sidomos nga biografët grekë. Gjatë bashkëbisedimeve që ka pasur me aktorin shqiptar Bekim Fehmiu ajo e ka pranuar origjinën e saj shqiptare.
Prejardhjes së saj shqiptare i ka kushtuar vëmendje dhe studiuesi grek Aristidh Kollia në librin e tij “Arvanitasit dhe origjina e grekëve” botuar në Athinë më 1983.
Vetë aktorja në një intervistë e pyetur se përse ishte kaq ezmere është përgjigjur se “I ngjaj nënës sime. Nëna ime ishte ezmere si unë.”
Irene Papas së bashku me aktorin e njohur shqiptar kanë luajtur në filmin e titulluar “Një fëmijë i quajtur Jezus”, atje ajo ka bërë të ditur se ka origjinë shqiptare.
“Unë nuk mund ta lë këtë botë duke mos e thënë të vërtetën. Unë jam shqiptare. Kam lindur në vitin 1926 dhe mbiemri im fillimisht ka qenë Leleku”, ka thënë ajo.
Irene Leleku Papas, ka luajtur role të ndryshme në 90 filma.
Roli i saj më i shquar është ai i Penelope, në serialin italian “Odiseu” së bashku me aktorin e njohur shqiptar Bekim Fehmiu./ KultPlus.com
Këtë vit po mbahet “Mural Fest Tirana 2022” dhe artistë nga Kosova janë ftuar për të marrë pjesë në këtë ngjarje, shkruan KultPlus.
Njëra ndër artistet e ftuar ishte edhe piktorja Emona Deda, mirëpo murali i së cilës nuk shkoi sipas planifikimeve të organizatorëve.
Përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, Deda ka reaguar duke njoftuar se në punimin e saj, pas kthimit në Kosovë, organizatorët e kanë tjetërsuar atë.
Ndryshimi i Muralit. Foto 1: E punuar nga Emona Deda Foto 2: Tjetërsimi nga organizatorët
Në fakt, Deda ka bërë të ditur për KultPlus se pas reagimeve të shumta në rrjetet sociale për tjetërsimin e muralit, organizatorët kanë vendosur që ta fshijnë plotësisht.
Më poshtë mund të shihni edhe reagimin e plotë të artistes.
Mural Art Fest është rikthyer në Tiranë. Nga 1 shtatori deri më 30 shtator, 8 artistë ndërkombëtarë do të pikturojnë murale të ndërtesave të ndryshme nëpër qytet. Ky është edicioni i tretë, ndërsa i pari është mbajtur në vitin 2018, ndërsa i dyti në vitin 2019. /KultPlus.com
Do të jenë edhe dy artistë shqiptarë në listën e fituesve të edicionit të 13-të me rastin e dhënies së çmimit “Ponte Vecchio” në Firence. Njëzet do të jenë fituesit, mes artistësh, piktorësh, skulptorësh, shkrimtarësh kritikëve të artit dhe profesorësh akademikë. Dy artistët shqiptarë, Helidon Xhixha dhe Alfred Mirashi Milot, arrijnë ta fitojnë këtë çmim, në sajë të një pune të madhe vetëmohuese në fushën e arteve vizive.
Xhixha me skulpturat e tij gjigante në çelik reflektues, vepra të vendosura nëpër sheshe, kopshte, rrugë apo hapësira private në të gjithë botën. Skulptor tashmë i njohur në nivelet më të larta të artit botëror, para një viti ekspozita e ton personale ne Museun e Uficit ne Firenze, nw qytetin e Venecies, è installazionet e tij nw shumw qytete tw botws, ai shquhet për karrierën e tij të mrekullueshme si artist. Ndërsa Milot, falë punës së tij të palodhur si skulptor, ai i ka provuar të gjitha zhanret dhe format e artit. Nga vizatimi, tek piktura mbi telajo, deri tek skulpturat e tij gjigande në hekur. Mega projekte të vendosura nëpër shumë sheshe te Italisë. Mjafton të kujtojmë skulpturën prej 40 metrash me titull: “Çelësi i Montevergine” që po instalohet në rajonin e Kampanjas.”Çelesi i Cervinares” dhe po përgatitet me skulpturën monumentale “Key of Unity” qw do tw ekspozohet ne qytetin e Napolit dhe pastaj do ekspozohet nw shumw qytete tw Evropës, nw bashkwpunim me Mille Volti e Jean wolf di Los Angelos.
Çmime të merituara plotësisht, falë lodhjes, kërkimit dhe sukseseve të dy artistëve shqiptarë. Artistë të njohur me njëri-tjetrin që adoleshentë në Liceun Artistik “Jan Kukuzeli” në Durrës, plot tridhjetë e pesë vjet më parë.
Ceremonia e dhënies së çmimeve do të zhvillohet sot me datë 14 shtator në orën 17, tek Kopshtet e Villa Bardini në Firence. Ajo do të prezantohet nga gazetari fjorentin Fabrizio Borghini, dhe filmimet do të bëhen nga kanali 7.
Më 14 shtator 1949, vdiq Pandeli Evangjeli, kryeministër, politikan dhe një nga veprimtarët më të mëdhenj të Rilindjes Kombëtare në diasporën shqiptare të Rumanisë.
Pjesëmarrës në Konferencën e Paqes në Paris si përfaqësues i shqiptarëve të Rumanisë, si edhe një nga mbështetësit e mëdhenj të Ismail Qemalit. Pas Kongresit të Lushnjës dhe me zgjedhjet e para të mbajtura, zgjidhet deputet i Këshillit Kombëtar.
Disa nga postet e rëndësishme që mbajti gjatë jetës politike janë: Dy herë kryeministër nga tetor 1921 deri më dhjetor 1921 si dhe nga 1930-1935, gjithashtu kryetar i Asamblesë Kushtetuese, kryetar i Senatit e ministër i Jashtëm.
Evangjeli ka ndihmuar në hapjen e mësonjëtores shqipe të Korçës, në botimin e librave të Naim dhe të Sami Frashërit, të abetareve të ndryshme të gjuhës shqipe, si edhe të veprave të tjera të patriotëve të Rilindjes Kombëtare.
Ai ishte i pari i krishterë ortodoks që u bë kreu i ekzekutivit shqiptar dhe si i tillë me qeverinë e tij të parë pas njohjes së pavarësisë dhe sovranitetit të shtetit shqiptar nga Konferenca e Ambasadorëve në Paris, mori masa për dëbimin e mitropolitit grek të Korçës, duke i dhënë fund në këtë mënyrë arsimit grek në Korçë.
Përkundër grevës në arsim, shkolla fillore në Gjakovë “Këlmend Rizvanolli” ka nisur sot procesin mësimor, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, shkolla “Këlmend Rizvanolli” ka bërë të ditur për orarin e ditës së sotme, rrjedhimisht edhe për fillimin e vitit të ri shkollor.
“Me qëllimin e vetëm dhe për të mirën e nxënësve, Këshilli i Mësueseve të Sh.F ‘Këlmend Rizvanolli’, ka vendosur që ditën e mërkurë, me datë 14.9.2022 të filloj mësimin e rregullt”.
Mësimi do të zhvillohet me këtë orar:
Klasa përgatitore – Ora:10:00
Klasa e I-rë -Ora:13:00
Klasa e II-të, III/2 dhe III/ 4 -Ora: 12:30
Klasa III/1 dhe III/3, IV dhe V – Ora: 8:00
Ndërkaq, përkundër takimeve që po ndodhin mes Qeverisë dhe Sindikatave, një pajtueshmëri mes tyre, nuk po arrihet. /KultPlus.com
Mbretëreshat po shkojshin kështu, pa zhurmë, qetë, lehtë, pff… pa e mërzitur askend, tu i lënë të gjithë të mërzitur. Kështu shkove sot një vjet, mbretëresha jonë, mbretëresha ime. Sa kemi mall, nanë! /KultPlus.com
Kino Kosova, festivali me filma të përzgjedhur të shkurtër, dokumentarë dhe artistikë nga dhe rreth temës së Kosovës, organizohet në Zvicër dhe tregon perspektiva të ndryshme nga vendi dhe pasqyron lidhjen e veçantë mes Zvicrës dhe Kosovës, përcjellë KultPlus.
Edicioni i tretë i Kino Kosova do të mbahet nga data 14 deri më 18 shtator në Bernë.
Përveç filmave, gjatë festivalit do të ketë edhe evente të tjera anësore, si lexim me autorin nga Kosova Shpëtim Selmani dhe autoren nga Zvicra me origjinë nga Kosova Meral Kureyshi, koncert me artistë nga Kosova, diskutime në podium etj.
Sabahet Meta është bashkëthemeluesi i organizatës Kulturalink dhe iniciator i festivalit të filmit Kino Kosova. / KultPlus.com
Një gjë sa më perfekte që është, aq më shumë ajo ndien dhimbje dhe kënaqësi.
Më të mençurit janë ata që mërziten më së shumti kur e humbasin kohën.
Nuk ka dhimbje më të madhe se sa ta rikujtosh lumturinë në kohën e mjerimit.
Nëse e ndiqni prirjen tuaj natyrore, ju definitivisht do të shkoni në Parajsë.
Dashuron pak ai që mund të numërojë dhe ta thotë me fjalë se sa shumë dashuron.
Vendet më të nxehta në Ferr janë të rezervuara për ata që ruajnë neutralitetin e tyre në momente të një krize të madhe morale.
Zoti është Një; Universi është një mendim i Zotit; Universi është pra Një i tillë. Të gjitha gjërat vijnë nga Zoti. Të gjithë marrin pjesë, pak a shumë, në natyrën hyjnore, në varësi të qëllimit për të cilin janë krijuar. Njeriu është më fisnik nga të gjitha gjërat: Zoti ka derdhur më shumë në të nga natyra e tij sesa te të tjerët. Çdo gjë që vjen nga Zoti priret për përkryerjen e saj për të cilën ai është i aftë. Kapaciteti për përmirësim tek njeriu është i papërcaktuar. Njerëzimi është Një. Zoti nuk bëri asgjë të padobishme; dhe duke qenë se ekziston një njerëzim, duhet të ketë një qëllim të vetëm për të gjithë njerëzit, një punë që duhet të realizohet nga të gjithë ata. Njerëzimi, pra, duhet të punojë së bashku në mënyrë që të gjitha forcat intelektuale të shpërndara në të të marrin zhvillimin më të lartë të mundshëm në sferën e mendimit dhe veprimit. Prandaj, ekziston një fe universale e natyrës njerëzore .
Në origjinën e saj, poezia është shkenca e gjërave njerëzore dhe hyjnore, e kthyer në një imazh fantastik dhe harmonik.
Oh krijesa marrëzie sa injorancë ka në fyerje!
Tri gjëra kanë mbetur nga Parajsa: yjet, lulet dhe fëmijët.
Në botën tonë dy yje i kemi, ne nuk i shohim ata, por e ndiejmë mirë fuqinë e tyre të pamasë.
24 vjet më parë, Dr. Ferid Muradi pranoi Çmimin “Nobel” për Mjekësi, në një ceremoni të bukur, ku tregoi edhe për prejardhjen e tij shqiptare. Po ju sjellim sot historinë e jetës së tij të zbuluar në librin “Shqiptarët e Amerikës”, të autorit Vehbi Bajrami, botues i gazetës “Illyria”, në Nju Jork.
Nga Vehbi Bajrami
Kombi shqiptar përherë ka nxjerrë njerëz të shquar që ia kanë rritur krenarinë dhe e kanë radhitur përkrah kombeve të mëdhenj me njerëz të shquar. Njëri ndër shqiptarët me emër është pa dyshim edhe Ferid Muradi, fituesi i Çmimit Nobel në Mjekësi, më 1998. Ai përbën gjithashtu një nga figurat më të spikatura në radhët e shqiptaro – amerikanëve, shkencëtari që ka arritur të fitojë mirënjohjen më të madhe në botën akademike amerikane.
Ndoshta është rastësi por, një mik i nderuar i shqiptarëve, senatori Bob Dole, do të reklamonte në televizionin amerikan produktin mjekësor të bazuar në zbulimin e tij, një koincidencë kuptimplotë.
Babai i nobelistit, Xhabir Murad Ejupi, emigroi nga Gostivari, në moshë të re, kur ishte 18 vjeç nga nevoja për të ndihmuar familjen e madhe, e cila u ndodh ngushtë pas vdekjes së nënës, që e la atë jetim në moshën 12 vjeç. Të ardhurat nga shitja e ëmbëlsirave nuk mjaftonin për të siguruar jetesën. Vështirësitë ekonomike dhe mungesa e punës e detyruan djaloshin nga Gostivari të merrte rrugët e Evropës së turbulluar nga valët e Luftës së Parë Botërore, e cila sapo kishte filluar. Xhabirit iu dha mundësia që në vitin 1914 të marrë një anije dhe, nëpërmjet Ellis Island-it të fillojë jetën e re në Amerikë. Pas peripecive të para në New York, ai kursen para për udhëtimin në Ohio, ku punon në një uzinë të shkrirjes së çelikut. Shkëputet për një kohë në Detroit dhe më pas në Chicago, ku u vendos përfundimisht së bashku me gruan e tij, Henrietta Josephine Bowman. Jetonin me të ardhurat e fituara nga një restorant i tij në veri të Indiana-s dhe më pas në Chicago. E gjithë familja, përfshirë nobelistin e ardhshëm dhe vëllezërit e tij, Abdurrahmanin dhe Turhanin, duhej të punonin për të siguruar jetesën dhe mundësisht të mbështesnin edhe të afërmit e lënë në vendlindje.
Ferid Muradi lindi më 4 shtator 1936, në Whiting, Indiana. Pas mësimeve në shkollë, Feridi i vogël duhej të lante pjatat dhe të ndihmonte në kuzhinë ose t’u shërbente klientëve. Ndërkohë, pas punës, edhe pse i lodhur në orët e vona, i duhej të përgatiste mësimet për të nesërmen. Ky regjim i ashpër ditor, që në fëmijërinë e hershme kaliti tek ai vullnetin, kultivoi respektin e thellë për punën dhe pasionin e rrallë për dijen.
Sipas Ferid Muradit, i ati e kishte ndjerë gjithmonë mungesën e shkollimit. Për këtë arsye i shtyu fëmijët e tij që të edukoheshin sa më mirë por njëkohësisht, që të ndihmonin edhe familjen. Të njëjtën nxitje, Feridi dhe vëllezërit e tij e merrnin edhe nga e ëma, e cila kishte pasur një fëmijëri disi të ngjashme me të shoqin, ndonëse ajo vetë rridhte prej një familje baptiste, nga Alton e Illinois-it. Të parët e familjes, nga ana e nënës, ishin vendosur në Shtetet e Bashkuara rreth viteve 1700, ndërsa vetë ajo largohet nga shtëpia në moshën 17 vjeç për t’u martuar me Xhabir Muradin, i cili në atë kohë ishte 39 vjeç.
Në disa intervista e biseda publike, apo edhe me autorin e këtij shkrimi, dr. Muradi shpreh pasionin e tij të hershëm për t’u bërë mjek. Që në moshë ende të njomë, rreth 12 vjeç, siç tregon ai, e parandjente se do t’i përkushtohej mjekësisë.
“Unë e dija që atëherë se do të bëhesha mjek”, thotë nobelisti ynë.
I shtyrë nga dëshira për të ndërtuar një të ardhme sa më të sigurt, larg halleve të përditshme që po përjetonte familja e tij, por i nxitur edhe nga një ndjenjë ende jo shumë e qartë humanizmi njerëzor, ai i përkushtohet me të gjitha energjitë realizimit të ëndrrës së kahershme.
“Nuk mund ta përcaktoj qartë se çfarë më motivoi të zgjidhja këtë profesion. Por, kur isha në shkollë, më pëlqenin veçanërisht matematika dhe lëndët shkencore”, më tha ai gjatë një interviste.
Duke zgjeruar vazhdimisht dijet e tij në mjekësi, Feridi bindet se, jo vetëm i kishte mundësitë për t’u bërë një mjek i zoti, por edhe një kërkues shkencor i kompletuar. Një nga pedagogët e tij, Earl Sutherland, edhe ai nobelist në mjekësi, e nxit dhe mbështet studentin me origjinë shqiptare në rrugën e kërkimeve shkencore.
– Puna në laborator, – tregon ai, – është e vështirë, metikuloze. – Zbulimet shkencore vijnë vetëm pas një pune të gjatë e këmbëngulëse, ndonëse, nganjëherë, rezultati i zbulimit të kërkimit mund të jetë i rastësishëm, ashtu siç ndodhi me viagran.
Jo se zbulimi i viagras nga ai ishte i rastësishëm. Ai erdhi si pasojë e efekteve që u zbuluan tek pacientët e ndryshëm që vuanin nga zemra, pas aplikimit tek ata të një medikamenti të zbuluar nga ai. Sot industria farmaceutike amerikane siguron qindra milionë dollarë në vit nga shitja e viagras, pa llogaritur ilaçet e tjera të bazuara në oksidin nitrik, që përdoren nga të sëmurët që vuajnë nga zemra.
E përshkruar shkurt, jeta shkencore e Muradit në laborator filloi që në vitet e kolegjit. Ai gjithmonë ishte i pari i klasës. Ende sot ai vazhdon të studiojë e eksperimentojë me të njëjtin intensitet si 30 vite më parë. Si praktikant, Muradi me një grup kolegësh u përpoqën të zbulonin se si funksiononin dhe çfarë efektesh kishin ato që në mjekësinë laboratorike quhen sinjalizuesit molekularë dhe sistemet e transaksionit të sinjaleve. Duke eksperimentuar për të identifikuar se si ndikonin ilaçet mbi hormonet dhe si reagonin këto të fundit ndaj tyre, Muradi dhe kolegët e tij, krejt rastësisht, gjetën që komponentë të tillë si nitroglicerina dhe ilaçe të tjera që përdoren për kurime kardiovaskulare të enëve të gjakut rrisin ndjeshëm hormonin e molekulës së quajtur “Cyclo GMP”. Ndonëse nitroglicerina ishte përdorur për më se një shekull për kurim, askush deri në kryerjen e këtij eksperimenti nuk kishte mundur të identifikonte mekanizmin e funksionimit të molekulës së saj në trupin e njeriut.
Edhe pse efekti i nitroglicerinës në relaksimin e muskujve ka qenë i njohur për njerëzit, efekti i saj në zgjerimin e enëve të gjakut vetëm sa hamendësohej. Por, në laborator përmes eksperimentimeve të ilaçit, u zbulua se ajo shëronte edhe impotencën mashkullore. Në vitet e para të botimit të rezultateve të kërkimeve të grupit të Muradit dhe kolegëve të tij, interesi nga qarqet shkencore ishte ende i pakët. Me kalimin e viteve, skepticizmi i la vendin prakticitetit deri në atë shkallë, sa sot, nuk ka revistë shkencore amerikane që të mos botojë në numrat e saj, të paktën një shkrim që ka të bëjë, qoftë edhe indirekt, me zbulimin e Muradit dhe kolegëve të tij, për oksidin nitrik.
Gjatë pushimeve verore të shkollës, më 1957, Muradi takohet në Fort Lauderdale të Floridas, me Carol Ann Leopold, me të cilën fejohet në prag të Krishtlindjeve të atij viti dhe martohet në verën e 1958-ës. Sot ata kanë pesë fëmijë. Pas drejtimit të disa katedrave dhe laboratorëve kërkimore në universitetet më prestigjioze të Amerikës, sot Ferid Muradi drejton Departamentin e Biologjisë dhe Farmakologjisë Integruese në Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit të Texas-it, në Houston. Louis Ingarro, shoku i tij i shkollës, koleg në laborator dhe bashkëfitues i çmimit Nobel në Mjekësi për vitin 1998, është profesor në Universitetin e California-s në Los Angeles. Kolegu tjetër, i cili gjithashtu ndan nderin me Muradin dhe Ingarro-n, është Robert F. Furchgott, profesor i farmaceutikës në Univesitetin e Shtetit të Neë York-ut dhe punon në qendrën shëndetësore të këtij institucioni.
Dr. Muradi është modest. Ai nuk lë rast pa theksuar se burimi i çdo suksesi janë studimi dhe puna këmbëngulëse. – Ka shumë faktorë që ndihmojnë për të arritur sukses, – thotë ai. – Ato përfshijnë këmbënguljen, punën e vazhdueshme, shkollimin e mirë, shmangien e trazirave, si dhe kolegë të mirë e të zotë, dhe në fund, pak fat. Duke folur për momentin kur u njoftua se kishte fituar çmimin Nobel, dr. Muradi tregon: – Isha shumë i entuziazmuar kur fitova Çmimin Nobel dhe kur pashë se kërkimet e mia shkencore u bënë kaq të rëndësishme për mjekësinë. Ishte një nder dhe kënaqësi tek shihja që kërkimet e mia u vlerësuan për rëndësinë e tyre dhe përdoren për kurimin e shumë sëmundjeve. – Vazhdoj të punoj në të njëjtën sferë të përgjithshme kërkimi, me ciklin e GMP-së dhe oksidin nitrik. Ndonëse ka rreth 50,000 botime, që nga zbulimi ynë më 1977, duhet akoma shumë punë për të krijuar terapi të reja të rëndësishme për shumë sëmundje tjera, – thotë nobelisti ynë. Ndonëse vetë ka lindur në Amerikë dhe shqip flet vetëm pak fjalë, Ferid Muradi është i pranishëm në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe ka marrë pjesë edhe në festa të tilla si dita e flamurit shqiptar më 28 Nëntor. Gjatë një festimi të tillë, në restorantin e famshëm të Anthony Athanasit, në Boston, në vitin 2001, ai u foli me pasion të pranishmëve dhe theksoi se rruga e suksesit në Amerikë kalon nëpërmjet shkollës, punës së përkushtuar dhe ruajtjes së familjes. Si shembull ai solli jetën e tij: nga një fëmijë që duhej të lante pjata në restorantin e familjes, deri në kurorëzimin e punës me çmimin ndërkombëtar më të lakmuar nga të gjithë shkencëtarët e botës. Kjo rrugë është një vijim i pandërprerë përkushtimi ndaj shkollës, i një karakteri të fortë, bazuar në një familje të moralshme dhe këmbëngulje të pafundme në fushën e kërkimeve. Ai thotë se mban lidhje me disa të afërm në Gostivar dhe gjetkë dhe shton se është mahnitur nga bukuria natyrore e Shqipërisë dhe trojeve të tjera shqiptare në Maqedoni dhe Kosovë, të cilat i ka vizituar tri herë gjatë viteve të fundit. Por, shton i brengosur, Shqipëria është ende një vend i varfër që i mungon infrastruktura moderne. – Universitetet, spitalet, rrugët etj., kërkojnë investime të mëdha dhe përmirësime të thella. Krimi dhe korrupsioni po e dëmtojnë rëndë ekonominë shqiptare dhe turizmin e një vendi kaq të bukur, – thotë me dhimbje dr. Muradi. Duke shprehur brengosjen për situatën e shqiptarëve në Maqedoni dhe vuajtjet që kanë kaluar disa vite më parë shqiptarët e Kosovës, nobelisti shqiptar përcjell krenarinë që është i një gjaku me atë popull vital:
– Gjatë udhëtimeve të mia në këto vende jam kënaqur duke parë shpirtin dhe optimizmin e një populli në kërkim të përmirësimit të jetës së tij. Uroj që shqiptarët të kenë durim, sepse situata do të përmirësohet pasi bota tani është më e ndërgjegjshme për historinë dhe padyshim që do të ndihmojë në plotësimin e nevojave të tyre. Midis gjërave të reja, të panjohura për lexuesin shqiptar, janë fotografitë që botohen për herë të parë, të cilat nobelsiti ynë, edhe pse aq shumë i zënë me punë, gjeti kohë t’ia dërgojë autorit të këtij shkrimi. Dr. Ferid Muradi, i dyti nobelist shqiptar pas Nënë Terezes, me këtë çmim të lartë që ka fituar e me zbulimet e tij në shërbim të njerëzimit na nderon sot të gjithëve ne. Shqiptarët edhe pse janë të ndarë e të copëtuar në disa shtete, mbeten krenarë për personalitetet e shquara të tyre. Kombi i Nënë Terezës, Ferid Muradit e Ismail Kadaresë, është ballëlartë që ka nxjerrë figura të tilla që e ngrenë atë në lartësinë e kombeve të mëdhenj. / KultPlus.com
Më di a nuk më di se qaj, më di a nuk më di se vuaj në orët e thella të natës, kur ngrihem i çmendur të shkruaj me gjakun e zemrës të shkruaj. Më di a nuk më di se agimet më gjejnë pa gjumë në shtrat, me shpirt të shkretuar nga dhembja, e dhimbshëm i pres perëndimet, me ankth i pres perëndimet. Më di a nuk më di se sot u drodha kur pashë pranverën, (vjeshtën) që zbriste me flladet e prillit (tetorit), e ëmbël siç ishte qëmot, e hidhur siç ishte qëmot. Më di a nuk më di se vuaj në orët e thella të natës, ku ndjehem nga jeta i huaj, nga vendi i lemjes i huaj. Më di a nuk më di… / KultPlus.com
Sot shënohen gjithsej 26 vite nga vrasja e reperit amerikan, Tupac Amaru Shakur, shkruan KultPlus.
Përderisa ne të gjithë kemi ardhur nga një grua, emrin tonë e kemi marrur nga një grua, dhe lodrat tona nga një grua, e pyes veten se pse ne marrim nga një grua, pse ne e dhunojmë një grua – a i urrejmë ne gratë tona?
Mendoj që është koha të vdesim për gratë tona, të jemi të vërtetë ndaj grave tona, të tentojmë ti shërojmë gratë tona, sepse nëse nuk e bëjmë do të kemi pastaj një racë fëmijësh që do ti urrejnë zonjat, të cilat i bëjnë fëmijët.
Dhe përderisa burri nuk mund të bëjë fëmijë, ai nuk e ka asnjë të drejtë ti tregojë gruas se ku dhe kur duhet ta bëjë atë.
PriFest’-i publikon programin e filmave në kategorinë ‘Let It Be’, përcjell KultPlus.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë, (PriFest) ka prezantuar programin “Let It Be”, kategori kjo dedikuar filmave me tematikë për komunitetin LGBTIQ.
Lista e plotë e programit “Let It Be”:
1. Imperial nga Stéphane Gowl, Zvicër / Premierë Kosovare (22min)
2. Budapest, Closed City nga Máté Konkol, Hungari / Premierë Regjionale (13min)
3. Hear My Voice nga Daniele Guerra, Britani e Madhe / Premierë Kosovare (12min)
Edicioni i 14-të i PriFest i dedikohet drejtoreshës së ndjerë Vjosa Berisha.
Poetja shqiptare Valdete Antoni sot feston 69 vjetorin e lindjes, shkruan KultPlus.
Ajo lindi më 13 shtator, 1953, Tiranë. Është poete shqiptare bashkëkohore dhe gazetare e Radio Tirana, RTSH. E vlerësuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve me çmimin e parë Naim Frashëri, 1999 për poezinë dhe çmimin për gazetarinë më të mirë radiofonike të vitit nga Fondacioni i Kulturës Velia, Tiranë, 2000. Autore e gjashtë librave me poezi dhe shumë emisjoneve në Radion kombtare në 37 vjet profesion si gazetare, librin e parë e botoi në Kosovë me redaktimin e studjuesit të njohur Agim Vinca.
Poezi nga Valdete Antoni
Ngjitur me shtratin kam murin tim e bardha i është fshirë vende vende diku janë format e trupit diku vizatimet e mendjes
Jam ngjeshur tek muri gjithë natën e kapja me thonj si mace nëpër gjumë i thoja kam frikë ai më lëpinte faqet
Ti murin tim nuk e njeh s’ke për ta parë ndonjëherë po nuk mund ta mbaj të fshehtë Ai e mori këmishën tënde natën./ KultPlus.com