E diel

Poezi nga Nazim Hikmet Ran
Shqipëroi: Alban Tartari

Sot është e diel
Sot për herë të parë më nxorën në diell,
Dhe për të parën herë në jetën time
U çudita sa kaq larg prej meje qenkësh ky qiell.
Kaq i gjerë
Kaq i blujtë
Qëndrova palëvizur
Pastaj me respekt u ula në tokë,
Dhe mbështeta shpinën në mur.
Tani s`mendoj më as ahengjet
Tani as lirinë, as gruan time të bukur,
Toka, unë dhe dielli,
jam i lumtur.

1948./ KultPlus.com

‘Nëse emrin tënd çdo nat’ e thërras e për ty flas, s’do të thotë se ty të du’ (VIDEO)

Çdokush që ndjen nostalgji për krijimtarinë e grupit “Marigona”, s’mund të mos e kujtojë një nga këngët epike të tij e që është e titulluar “Sonte”.

Kjo këngë e realizuar në vitin 2002, i ka rezistuar kohës për shkak të vijës melodike, tekstit e vdieoklipit që zbërthen kuptimin e këngës. Duke qenë se grupi “Marigona”, nuk i ka munguar as festivaleve, pikërisht me këngën “Sonte” arriti të shpërblehet në në festivalin “Shoëfest”, në vitin 2002, shkruan KultPlus.

Grupi Marigona është një grup muzikor i themeluar në vitin 1991 nga Faton Kurteshi në qytetin e Mitrovicës. Vokalist i grupit është Vullnet Sefaja po ashtu nga Mitrovica. Anëtarët e grupit janë ndërruar disa herë, por Vullnet Sefaja ka qenë pjesë e grupit që nga fillimi.

KultPlus ju përcjell videoklipin dhe tekstin e këngës.

Sonte gjithçka ndahet n’gjysmë përveç dhimbjes
Sonte asgjë s’është e lehtë përveç ikjes
Sonte kujt dorën ia mban , kujt ne vesh i flet
Puthja jote nesër kënd e pret e kënd me vonë e vret

Ref:
Nëse emrin tënd çdo nate e thërras e për ty flas
S’do t’thotë se ty të du
Nëse netët pa ty vijnë e shkojnë, do t’mundem unë pa ty
Kur ti mundesh pa mu.

Sot kujtimet fund nuk kanë as s’du ti harroj
Ndoshta nesër kot do t’qan, ndoshta veç ëndërroj
Se fshehtësi ishe për mu, këtë unë tash e di
Do t’provoj pa ty me jetu, do t ‘lutëm në vetmi./ KultPlus.com

‘Ka një jetë të tërë në një orë dashurie’

Honore de Balzac u lind në Turs (Francë) më 20 maj 1799. Balzacu është një nga themeluesit e realizmit në letërsinë evropiane.

Ka qenë gazetar, industrialist i munguar, krijues i afërsisht njëqind romaneve në 20 vjet, figurë brilante e një shoqërie, së cilës ai përfundon duke iu imponuar. Për bashkëkohësit ishte thuajse një mit: burrë aventurash dhe dëshirash në të njëjtën kohë, ëndërrimtar, i plagosur nga kontradiktat e jetës moderne.

Kryevepra e tij është Komedia Hyjnore, që përshkruan jetën e shoqërisë franceze pas rënies së Napoleonit. Kjo vepër përbëhet nga 90 romane dhe novela dhe përfshinte më shumë se 2000 karaktere, personazhe nga të gjitha klasat dhe profesionet. Romanet kryesore të tij janë: “Luis Lambert”, “Evgjeni Grande”, “Në kërkim të absolutes”, “Xha Gorio”, “Iluzionet e Humbura”, “Kushërira Betë” dhe “Kushëriri Pons”. 

Më poshtë kemi përmbledhur disa nga thëniet e tij më të mençura:

“Femrat, kur nuk dashurojnë, e kanë gjakun e ftohtë si atë të një avokati të vjetër.”

“Shpirtrat e mëdhenj mezi besojnë se ka në botë ligësi dhe mosmirënjohje.”

“I pasur bëhesh, elegant lind.”

“Zgjuarsia është leva me të cilën mund të lëvizësh lëmshin e tokës.”

“Mos vallë dashuria hap në zemër shtigje ku të pëlqen të rikthehesh?”

“Kush di të lajkatojë, di edhe të shpifë.”

“Zakonet që ka njeriu në rini, shfaqen me më shumë forcë në pleqëri.”

“Vullneti i dashnorëve mposht çdo pengesë.”

“Veshja është të shprehurit e shoqërisë.”

“Zemra juaj është një thesar, por po e shpenzuat në një herë të vetme, morët fund.”

“Njerëzit shpirtmëdhenj janë zakonisht tregtarë të pazot.”

“Shpotia vyshk zemrën dhe tret çdo ndjenjë.”

“Mospërfillja është si i ftohti i poleve; ngrin gjithçka.”

“Të pakuptueshmit ndahen në dy kategori: femrat dhe shkrimtarët.”

“Njeriu superior nuk ndjek hapat e askujt.”

“Çelësi i të gjitha shkencave është pyetja.”

“Zemra e një nëne është një abis në fundin e të cilit gjendet gjithmonë një falje.”

“Policia trillon më shumë nga ç’zbulon.”

Qeveria që kupton interesat e të gjithëve është gjë e zakonshme. Qeveria që i parashikon është qeveri e madhe.

Besoni çdo gjë që dëgjoni mbi botën, asgjë s’është aq e keqe sa për të qenë e pamundur.

“Secila orë e humbur gjatë rinisë është një rrezik palumturie për të ardhmen.”

“Opinioni publik është më e llastuara e prostitutave.”

“Sovrani duhet t’i falë gabimet, jo t’i harrojë.”

“Vetëm dashuria e fundit e një femre mund të kënaqë dashurinë e parë të një mashkulli.”

“Të varfrit apo të pasurit, kurrë nuk kanë para për nevojat e jetës, por për kapriçot e tyre i gjejnë përherë.”

“Një natë dashurie është një libër i palexuar.”

“Koha është tërë kapitali i njerëzve që s’kanë tjetër pasuri përveç mençurisë së tyre.”

“Femrat do të ishin për t’u qarë hallin, po të dilnin fajtore për çdo dëshirë që na ngjallin.”

“Privilegji i të qëndruarit, kudo, si në shtëpi të vet, u përket vetëm mbretërve, kurvave dhe hajdutëve.”

“Gjeniu u ngjason të gjithëve, kurse atij askush.”

“Popullit i duhen dhënë festa të zhurmshme. Budallenjtë i duan festat e zhurmshme dhe turmat përbëhen nga budallenjtë.”

“Fama është helm që duhet marrë me doza të vogla.”

“Nëse drita është dashuria e parë e jetës, a nuk është dashuria drita e zemrës?”

“Koprracia fillon aty ku varfëria mbaron.”

“Ka një jetë të tërë në një orë dashurie.”

“Dashuria është poezia e shqisave.”

“Burokracia është një mekanizëm gjigant i vënë në lëvizje nga pigmei.”

“Nuk është skandaloze që disa bankier kanë përfunduar në burg, skandaloze është se gjithë të tjerët janë të lirë.”

“Një bashkëshorte është një skllav që duhet ditur si të vihet në fron.”

“Një shoqëri ateistësh do të shpiknin menjëherë një fe”./ KultPlus.com

‘HardhBike’, aktiviteti i nesërm në HardhFest

Me sloganin “Ca kokrra rrushi”, këtë vit mbahet edicioni i 20 i festës së vjeljes së rrushit-Hardh Fest, që ka nisur dje dhe do të zgjasë deri më datën 4 shtator, n’Konak të Rahovecit (tek shtëpia e verës).

Përgjatë këtyre ditëve do të zhvillohen aktivitete të ndryshme.

Ndërkaq  nesër, për të apasionuarit pas çiklizmit do të zhvillohet aktiviteti ‘Hardh Bike’.

Nisja bëhet nga parku i qytetit në ora 10:00./ KultPlus.com

Pak dritë, o shok, o vlla

Poezi nga Migjeni

Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, o shok, o vlla.
Të lutem, pak dritë në kët natë kur shpirti vuen,
kur të dhemb e s’di ç’të dhemb, e syni gjum nuk ka,
urren nuk din ç’urren, don e s’din se ç’don.
Pak dritë! 0 burrë! 0 hero’ ngado që të jesh. ….
Burrë që shkatrron edhe që ndërton sërish!
Pak dritë vetëm, të lutem, mshirë të kesh,
se do çmendem në kët natë pa gjumë dhe pa pishë.
Oh! ta kisha pishën të madhe edhe të ndezun!
Me flakën e pishës në qiellin e ksaj nate
ta shkruejshe kushtrimin… Ehu Burrë i tretun
Do ta shifsha vallen tande në majë të një shpate.
Porpishë nuk karn e vetëmjanë burrat, shokët…
Dergjem n’errsin pa gjumë dhe pa dritë…
Askush s’më ndigjon, çirren kot më kot…
Hesht more, hesht! por qindro, o shpirt.
Gjeli këndon dhe thotë se asht afër drita
– Gjel, rren a s’rren? cila asht fjala ejote?
Kur ti këndon thonë se asht afer drita…
Por un s’besoj sonte në Çalët e ksaj bote.
Hiqmuni qafe, mendimet
Ojastëk ty të rroki, të përqafoj si shpëtimin,
më fal atë që due: gjumin dhe andm’min
e dy buzve që pëshpërisin ngushllimin./ KultPlus.com

‘Vozitësi’ filmi artistik që trajton temën e përdhunimit dhe trafikimit të vajzave

Sot nga ora 18:00 në Prime të gjirafaVideos është lansuar filmi “Vozitësi” për hir të kauzës të mbrojmë vajzat dhe gratë.

Filmi është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, me producent Kreshnik Berisha dhe regjisor Valter Lucaj.

“Vozitësi” trajton çështjen e përdhunimit dhe trafikimit të vajzave ku shoferi i dy trafikuesve të qenieve njerëzore përfundon pa dijeninë duke ndihmuar klientët e tij për ta përzënë vajzën e tij të rrëmbyer jashtë vendit. Çështja se “çka nuk më prek mua në familje nuk është problem i imi” është i trajtuar me shumë finesë dhe delikatesë. Në fund filmi të dhuron ndjenjën e ngulfatjes pasi që është një pasqyrë që shfaqë anën e errët të shoqërisë.

Regjsori i filmit Valter Lucaj është shprehur që “situata që është krijuar në vend nga rasti i fundit është trishtuese dhe na ka shokuar që të gjithë prandaj bashkë me producentin dhe gjirafaVideo vendosëm që filmin t’a shfaqim pa pagesë për një periudhë të caktuar, në mënyrë që të ndikojmë në vetëdijesimin e audiencës. Këtë film e kemi punuar me shumë kujdes dhe me një dashni të veçantë pasi që temën të cilën e trajton është shumë e ndjeshme dhe nuk ka qenë fare e lehtë për asnjërin pjesëtarë të ekipit. Storia e filmit është rrëqethëse por edhe ngulfatëse ku aktorët kanë dhënë më të mirën nga vetja dhe performanca e tyre ka bërë që filmi t’a percojë atë emocion.”

Në film kanë luajtur Astrit Kabashi, Adriana Matoshi, Kaona Sylejmani, Agron Shala, Valmir Krasniqi, Rinesa Qeriqi dhe Gjergj Uka. Filmin mund t’a shihni pa pagesë në kategorinë gjirafaPrime në platformën gjirafaVideo deri më 30 Shtator. Kujdes filmi përmban skena të rënda dhe është për moshën 18+.

Filmi mund të shikohet vetëm në territoret: Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni e Veriut./ KultPlus.com

Një muaj paraburgim për 6 të arrestuarit e dytë në rastin e 11-vjeçares

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për gjashtë të arrestuarit e dytë në rastin e përdhunimit të 11-vjeçares.

Të pandehurit të cilëve iu caktua masa e paraburgimit janë D.RR., G.S., B.S., F.S., M.S., dhe M.R., pasi të njëjtit dyshohet se e kanë kryer veprën penale “Dhunimi”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit  kundër gjashtë të pandehurve  e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve  iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin veç e veç”, thuhet në njoftimin e prokurorisë, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, në njoftim thuhet se gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyrë dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale ndaj të miutrës, prandaj edhe është marrë vendimi për paraburgim, pasi ekziston rreziku i ikjes së tyre.

“Ekziston rreziku i ikjes së tyre, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, ekziston rreziku që i njëjtit do të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë apo edhe të falsifikojnë provat e veprës penale, ndikimit në të dëmtuaren dhe në dëshmitarë andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë preventive që do të parandaloj të njëjtit  në përsëritjen e veprës penale të njëjtë apo të ngjashme”, thuhet në njoftimin e gjykatës, përcjell Klankosova.tv.

Kujtojmë se në rastin e dhunimit të 11-vjeçares janë arrestuar edhe pesë persona të tjerë, teksa reagime ka pasur nga qeveria, presidenca, partitë opozitare e shoqëritë civile, teksa janë mbajtur edhe protesta në lidhje me rastin./ KultPl

Osmani: Jam me nxënësit, mësimdhënësit t’i hapin shkollat të hënën

Presidentja Vjosa Osmani ka folur lidhur me grevën e sindikalistëve, duke thënë se është duke u përpjekur maksimalisht për të gjetur një zgjidhje në mënyrë që nxënësit të mos pësojnë më tutje.

Osmani në një konferencë për media tha se duhet bashkuar forcat që të përmirësohet cilësia e sistemit arsimor në Kosovë.

 “Për gjatë ditëve të kaluara, kam qenë në komunikim me Qeverinë e Kosovës, me të cilën ka vazhduar edhe sot e do të vazhdojë edhe më tutje lidhur me këtë cështje. E drejta kushtetuese e fëmijëve në arsim nuk duhet të lejojmë të cenohet, por duhet të bashkojmë forcat që të përmirsojmë cilësinë e sistemit arsimor, me nxënësit në qendër të vëmendjes. Mësimi duhet të fillojë meniher. Jam e përkushtuar maksimalisht për të gjetur zgjidhje në mënyrë që sa më shpejt të jetë e mundur që nxënësit të mos pësojnë më tutje”, tha ajo.

Ndër tjerash, Osmani kërkoi që mësimi të fillojë të hënën.

“Sot me prezentimin e pakos ekonomkik, Qeveria ka bërë një hap të rëndësisshëm për zgjedhjen e kësaj zgjidhjeje, tani është koha që sindikatat ta tregojnë një vullnet të mirë, që mësimdhënësit t’i hapin shkollat të hënën në mënyrë që të krijohet një atmosferë krejtësisht e re, ku të gjitha palët ulen dhe i i tregojnë kërkesat e tyre”, tha ajo./ KultPlus.com

Zgjomë shpejt nesër në agullim

Poezi nga Sergej Esenin

Zgjomë shpejt nesër në agullim,
O nëna ime durimtare, e shenjtë!
Do të eci rrugës matanë kodrës,
Do takoj mikun tim të shtrenjtë.

Sot, mbi livadh, në pyllin e dendur
Kam parë vija rrotash shumë gjatë.
Era nën një pelerinë të hollë resh
Tund e dredh dogan* e saj të artë

Nesër në agullim do të kaloj si shigjetë,
Duke shkelur hënën- e plotë nën gëmushë,
Dhe pela do të tund e shkund me shaka
Bishtin e saj të gjatë e të kuq nëpër fushë.

Zgjomë shpejt nesër në agim,
Dhe dritën në dhomë ma ndis.
Flitet se së shpejti do të bëhem
Poeti më i famshëm i Rusisë

Do të këndoj për ty dhe mikun,
Stufën tonë, gjelin dhe çatinë…
Qumështi i lopëve të tua shegane
Do derdhet në këngët, vargun tim.

*Hark druri mbi kalin e trojkës./ KultPlus.com

Ben Apolloni: Kisha ne oborrin e UP-së të rrënohet, në vend të saj të ndërtohet Teatri i Studentëve të Fakultetit të Artit

Regjisori Ben Apolloni i ka bërë thirrje ministres së Arsimit, Arbërie Nagavcit, që ta heqë nga oborri i Universitetit të Prishtinës kishën e ndërtuar në kohën e regjimit të Millosheviqit, përcjell KultPlus.

Apolloni thotë se kjo kishë duhet të largohet nga kampusi i UP-së dhe në vend të saj të ndërtohet Teatri i Studentëve të Fakultetit të Artit.

Postimi i plotë:

Kjo kishë në oborr të Universitetit të Prishtinës, është ndërtu nga regjimi i Millosheviqit.

Kjo kishë duhet të fshihet nga ky oborr dhe në vend të saj të ndërtohet Teatri i Studentëve të Fakultetit të Artit.

Ministrave të dikurshëm të Arsimit nuk u ka interesu kjo, se kanë qenë të zënë duke pasuru vetën. Por dikush duhet të mendoje për studentët e Fakultetit të Arteve. Arbërie Nagavci, hiqe kishën e Sllobës, bëje Teatrin e Studentëve./ KultPlus.com

Flamurtari i Prishtinës, ose Rayo Vallecano i munguar i kryeqytetit kosovar

Shkruar nga: ELVI SIDHERI

Në një lagje popullore të Prishtinës, rrëzë disa kodrave pak më tutje, mbrapa të cilave gjenden malësitë përreth qytetit, një fushë futbolli në rikonstruktim e sipër, të befason më praninë e saj mes një morie shtëpish që ngrihen përqark saj, pikërisht në zemër të kësaj zone tradicionale prishtinase, ku dikur pati lindur tradita tashmë disa-dhjetëvjeçarëshe e Flamurtarit kosovar.

E theksoj këtë emërtim, Flamurtari kosovar, sepse ky ekip futbolli që përfaqëson një traditë shpirtërore, sportive dhe patriotike tejet të vyer për Kosovën, mban sakaq krenarisht të njëjtin emër me skuadrën tjetër të lavdishme shqiptare, Flamurtarin e famshëm të Vlorës, dhe këto dy ekipe bashkëndajnë të njëjtin shpirt e zjarr shqiptarësie në thelbin e qenësisë së tyre, brenda dhe jashtë fushës së blertë.

Për rastësi ndërkaq, të dy Flamurtarët andej e këtej Morinës, dergjen aktualisht në kategoritë e dyta të Shqipërisë dhe Kosovës, përkundër vlerave të tyre të padiskutueshme sportive, tifozerisë së zjarrtë dhe palmaresit të lakmueshëm, me të cilin mund të mburren me plot të drejtë secili prej tyre.

Si futbolldashës nga Tirana, prej kohësh ma pati ngjallur veçanërisht kureshtjen fakti që edhe në Kosovë, më saktësisht në Prishtinë, kishte një klub futbolli të quajtur pikërisht Flamurtari, me fanellat kuq e zi, njëlloj si Flamurtari i Vlorës, skuadër që në Shqipëri të gjithë e patëm respektuar, edhe pa qenë domosdoshmërisht vlonjatë, për shkak të shpirtit të vet të paepur luftarak, e sidomos për sukseset e papërsëritshme të viteve 1980, kur edhe Barcelona ishte ndalur përballë furisë së djemve vlonjatë.

Ndërsa pa dyshim në Kosovë, përballjet tanimë legjendare të Flamurtarit të Vlorës kundër Partizanit të Beogradit, dhe në veçanti goli i Sokol Kushtës në mes të Beogradit e atij stadiumi antishqiptar, patën çuar peshë publikun kosovar dhe sigurisht ua patën gufuar zemrat nga krenaria shqiptarëve të Kosovës në ato vite të turbullta shtypje serbomadhe.

Edhe vetë e mbaj mend vagullt atë ndeshje dhe ngazëllimin që shpërtheu kudo në Tiranë pas golit të Kushtës që kualifikoi Flamurtarin e Vlorës tutje, për të sfiduar më pas edhe Barcelonën yjore.

Si rrjedhojë, kur mësova vite më parë se Flamurtari i Prishtinës ngërthente të njëjtën traditë të pamposhtur futbollistike, duke shpërfaqur të njëjtin shpirt kryeneç agonistik në fushë, aq më tepër, me një mbështetje te pashembullt nga tifozët e vet të zjarrtë në stadium, me fymëzimin e të njëjtave ngjyra kuq e zi, atëherë ëndja për të mësuar më shumë për këtë ekip kaq atipik e të veçantë, m’u shtua tejmase.

Prishtinën tani mund të pohoj se e njoh mjaftueshëm, por akoma nuk kisha pasur fatin të vizitoja personalisht mjediset ku Flamurtari prishtinas prej kaq vitesh i kish zhvilluar tërë ndeshjet e veta si ekip vendas, dhe një ditë fundgushti veror, nën një qiell te vranët, pasi ishim nisur nga 4 Llullat, tjetër zemër pulsuese e Prishtinës së vjetër, pasi kapërcyem edhe shinat e ndryshkura të një treni që nuk kalon atypari prej vitesh të panumërta, mes rrugicash shtruar këndshëm me plloça dhe disa lagjesh plot gjallëri, u gjendëm buzë fushës së këtij ekipi simbol të kryeqytetit kosovar.

Tashmë “stadiumi” i Flamurtarit të Prishtinës, i tillë mund të cilësohet vetëm për nga tradita dhe e kaluara e tij, sepse gjithçka që ka mbetur sot, është vetëm një fushë në shtrim e sipër, mënjanë terrenit të mbuluar stërvitor mbrapa njërës nga portat, dhe gjithashtu dhomës së zhveshjes e ndonjë objekti tjetër të rrallë.

E pamundur që tifozët të kthehen t’i ndjekin plot pasion dhe përkushtim ndeshjet e kësaj skuadre kaq të veçantë, e cila pa tifozët e saj të zjarrtë, dhe sidomos pa shpirtin prej ekipi të lagjes, sigurisht që do të mbetet thuajse krejt jetime në të ardhmen.

Thuhet se diku tjetër mbase ndërtohet një stadium i ri, ose që gjithashtu të rindërtohet diçka rreth fushës së tashme, por ecuria aktuale e Flamurtarit të Prishtinës duket e vështirë, teksa edhe sponsorizimet e fuqishme mungojnë, dhe kryeqyteti i Kosovës mbetet me vetëm një ekip të fortë që mund të rivalizojë rregullisht për tituj dhe pjesëmarrje në kupat europiane, KF. Prishtinën.

Të vjen rrjedhimisht keq për këtë gjë, edhe për faktin se një derby i mirëfilltë prishtinas, midis dy ekipeve që ndoshta do të mund të garonin për titullin kampion të Kosovës apo të përballeshin në ndonjë finale kupe, me mijëra tifozë që do të ndizeshin flakë nga emocionet për këtë shkak, është një kremte e munguar për Prishtinën si kryeqytet.

Në Tiranë, qytetin tim, jemi mësuar dikur të paktën me tre ndeshje të rregullta derby, midis Partizanit, Tiranës dhe Dinamos, tre skuadra me traditë të madhe dhe tifozeri tejet besnike, që gjithashtu kanë fituar rreth 60 kampionate shqiptare bashkërisht.

Ndër emocionet e mia më të paharrueshme, janë gjithmonë kujtimet nga ditët e zjarrta të përballjeve mes Tiranës dhe Partizanit, dy ekipeve me tifozeri më të madhe dhe të flaktë në kryeqytetin shqiptar, që shndërrohen në arsye për parrulla, sfida të panumërta midis tifozëve të të dyja skuadrave, agonizmi të skajshëm në fushë, hareje, mërish të shumta dhe kunjash sarkastike të ndërsjella mes mbështetësve të tyre, Tirona Fanatics dhe Ultras Guerrils.

Kjo gjë vërej që i mungon Prishtinës, dhe patjetër me rimëkëmbjen dhe fuqizimin e Flamurtarit të Prishtinës, këtij ekipi lagjeje, të rrënjosur në shpirtin popullor të kryeqytetit të Kosovës, ky derby prishtinas do të rikthehej fuqishëm, duke e gjallëruar së tepërmi jetën sportive të qytetit.

Falë njohjes time të thellë të Madridit sakaq, një shembull i çmuar nga kryeqyteti spanjoll, fare mirë mund të shihet si perspektiva e duhur për Flamurtarin e Prishtinës, sigurisht me krijimin e kushteve të duhura për diçka të tillë.

Përveç Realit legjendar dhe Atletico, dy ekipeve gjigante të Madridit, me buxhete miliardere, stadiume të mëdhenj ultramodernë dhe pjesëmarrje të rregullt (dhe ngadhënjime të shpeshta, në rastin e Realit) në Champions League, skuadra e tretë e kryeqytetit spanjoll është pa dyshim Rayo Vallecano.

Ky ekip tejet i njohur në Spanjë dhe gjithashtu në botë, i përket një lagjeje popullore të banuar kryesisht nga klasa punëtore, të quajtur Vallecas, një bastion i mirëfilltë i frymës liberale dhe përparimtare në Madrid.

Rayo Vallecano, i themeluar në 1924, këtë sezon, për herën e njëzetë jubilare, do të luajë në Primera Division, krahas Realit, Barcelonës, Atletico, Sevilla, Betis, Athletic Bilbao, Valencia, e shumë ekipeve të tjera të njohura dhe tepër të fuqishme financiarisht, me pronarë e sponsorë të shumtë, me stadiume moderne dhe tifozeri të panumërt.

Gjithsesi, Rayo, që në shqip përkthehet “Rrufeja”, pikërisht sikundër mund të shihet edhe në fanellat e veshura nga lojtarët e tij, ku rrufeja dallohet qartas, përkundër mungesës së sponsorëve të mëdhenj, dhe paçka se thelbësisht bëhet fjalë për një ekip të vogël lagjeje të varfër të banuar nga punëtorë të thjeshtë madrilenë, sa herë ngjitet në ligën e parë spanjollë, i sfidon kryelartë viganët e Spanjës, duke marrë shpesh rezultate mbresëlënëse kundër tyre, si fitoret dhe barazimet e fundit brenda në Barcelonë këtë vit.

Stadiumi i këtij ekipi, thuajse 15 mijë vendësh, nuk ka fare shkallë mbrapa njërës nga portat (teksa aty një pankartë e madhe, falënderon tifozët për mbështetjet e përhershme), dhe ky impiant modest sportiv, është gjithmonë i mbushur plot e përplot.

Prandaj Rayo Vallecano është mirëfilli një simbol i futbollit në Madrid, përkundër Realit gjigant dhe Atletico-s së suksesshme.

Flamurtari i Prishtinës, me shpirtin e tij popullor, mund të bëhet Rayo i Prishtinës rrjedhimisht.

Wilde: Kam mësuar shumë edhe nga filmat e këqij në të cilët kam luajtur

Regjisorja Olivia Wilde ka thënë që përvoja e saj si aktore në filma të dobët e ka mësuar që të bëhet regjisore.

Aktorja dhe filmbërësja do ta realizojë filmin e saj të dytë, “Mos u brengos, e dashur”, dhe së fundi ka folur për ndikimin e roleve në karrierën e saj.

Në një bisedë me regjisoren Maggie Gyllenhaal për Interview, Wilde ka treguar se si e kanë mësuar  filmat në të cilët ka luajtur.

“Kam qenë në filma pesëmijë herë më të këqij se ata në të cilët ke qenë ti,” i ka thënë ajo koleges.

“Kam qenë në plot të këqij, dhe tash mendoj, ‘i kam bërë ata filma që t’i mësoj të gjitha tregimet e kujdesit që do të më ndihmojnë ta përkufizoj veten si regjisore: se si të mos i flas kurrë ekipit, aktorëve, apo se si kur të mos e aranzhoj një film. Të gjitha këto vijnë nga përvojat e këqija.”/ KultPlus.com

Dashuria e madhe shqiptare: “Vdesin miliona njerëz në ketë luftë, por për mue veç vdekja jote ka kuptim”

Autori i veprës “Letra grues seme të vdekun”: Gjovalin Gjadri
Përktheu: Ardian Ndreca
Fragmentet nga vepra i përzgjodhi: Gresa Hasa.

E dashuna jeme! Sot me 3 shtator janë mbushë shtatë vjetë qysh se jemi martue e ti nuk jeton ma. Ti ke vdekë e votra jonë asht shqimë, nuk kemi me zanë vend bashkë rreth saj për me u ngrohë, nuk kemi me u ulë bashkë në tryezë për me hangër, e s’kemi me kremtue ma përvjetorin e martesës sonë. Un s’kam me puthë ma duert tueja të dashuna, me vdekjen tande kam bjerrë çdo gja të mirë dhe të bukur.

2.

Ti m’a ke mbushë jetën plot, un isha shumë krenar për ty. Të afërmit tanë, që u anmiqsuen me ne, pse un isha katolik e ti muhamedane, u detyruen me e pranue ma vonë se ishin gabue. Tash që ti ke vdekë ata qajnë, por askënd vdekja yte nuk e prekë kaq afër sa mue. Këtë gja un e kuptoj ngaqë nuk mbërrij me ndrrue me askend as dhjetë fjalë për ty.

E un do të kisha dashtë aq fort me folë për ty! Kam shumë me thanë, por fjalët e idhnimit tem mundem me t’i besue veç ty. Kurrkush s’mundet me matë dhimbjen teme, në vuejtjen teme të papërshkrueshme më duket se edhe dashunia për fëmijën tonë asht shqimë. Zemra jeme dhe mendimet e mija të përkasin veç ty, kam nji mall për ty, aq të thellë si atëherë para tetë vjetësh, kur martesa jonë ngjante e pashpresë. Asokohe i shkruenim letra njeni-tjetnit e megjithatë mandej gjithçka shkoi mbarë. Tash un due me të shkrue rishtas për me kuvendue me ty për gjendjen tonë tragjike, si të ishe gjallë, mbasi due prap me besue, si në kohën e femijnisë, se ka nji jetë edhe mbas vdekjes. Un due, si atëherë kur ishe gjallë, me perëndue pafund mbas tejet, e mandej me vdekë pa gajle për me të pa përsëri.

3.

Ajo çka na ra ne për hise e dashun asht e mnershme! Kur jam vetëm, s’mundem me i mbajtë lotët, vikas fjalët e dhimbjes seme, qaj e kam ndjesinë e dhimbshme se edhe ti qan me mue. Vajtoj rininë tande e hirin tand e më duket se të pezmatoj. Me ke lanë nji gjendje të mjerueshme e dashun! Vdesin miliona njerëz në ketë luftë, por për mue veç vdekja jote ka kuptim.

4.

Jeta jeme asht bjerrë. Kam arsye të mjaftueshme me vra veten, por ngurroj, pse nji dorë, nji fuqi mistike më ndalë. Në vragën e humbjes tande të pamatë jeta jeme shpirtnore ka pësue shndrrime të thella. Në lojën e mshehtë mes ligshtisë dhe guximit, mes dyshimit dhe besimit në Zotin, e njoh veten ma pak, por nji gja e di me siguri, lakmoj i zhuritun vdekjen. Të lutem e dashun, më merr me vete! S’mund të rrnoj pa ty! Më librò! Due me vdekë e me u varrosë së bashkut me ty. Kur të vijë vjeshta, tragjedia e dashunisë sonë do të gjejë plotninë e saj. Atëherë due me u preh nën dhé me ty e s’bashkut me festue përvjetorin e tetë të martesës sonë. Ky asht synimi jem, nuk lakmoj tjetër tashma.

5.

E di, ti don që un ta mbaj veten, që të tregohem i fortë para njerzve, siç e lypin doket e vendit tonë, si e kërkon edukata dhe krenija jote. Ti e din, edhe un jam kryenaltë e dashun, por ti s’e ke përjetue çka don me thanë me humbë njeriun ma të dashun tandin, shokun e jetës. Ti ke braktisë për mue nanë e babë, ti erdhe në shtëpinë teme e un s’të deshta vetëm si gruen teme, ti ishe për mue e shtrenjtë si fëmija jem, pse ishe ma se dhjetë vjet ma e re se un. Ti e din e dashtun sa të lidhun ishim me njeni-tjetrin, gjatë martesës sonë s’ka pasë as tri net që njeni nesh të flente jashtë e të ketë lanë tjetrin vetëm në shtëpi. Edhe në klinikë, ku u shtërngove me u shtrue prej sëmundjes, un fleja së bashku me djalin në të njejtin mjedis me ty, të rrinim te kryet e s’të braktisëm deri në fund. Ishim shumë të lidhun me njeni-tjetrin, nuk kishim asnji mik ma të mirë se njeni-tjetrin, ne mvareshim prej njeni-tjetrit.

Kishte me na çue shumë larg me dashtë me tregue arsyet që kushtëzuen gjendjen tonë të pazakontë gjatë martesës, asht fakt se ti s’kishe kend tjetër përposë mejet për me folë lirshëm. Shtegun që ti kërkove s’e gjete, dera e shtëpisë prindnore të mbeti e mbyllun. Pse ti për mue braktise shtëpinë e prindve e mue më dhe provën e nji dashunije të madhe, tek un ti kërkoje mbrojtje e un me mend dhe me shpirt ta jepja, ti m’a çilje zemrën e un isha vullnetmirë që besimin tand me e shpërblye me miqsi të kulluet… këto janë hallka të nji vargoni të pashkëputshuem e dashun, a mund të mos m’i mbushin sytë me lotë këto gjana?

6.

Dhoma m’u ngushtue. Fillova me ec nalt e poshtë, kisha nevojë për ajr e nisa me rendë nëpër shtëpi. U turra në banjë, prej aty në kuzhinë, madje nalt në dhomën e vogël si kullë, mandej poshtë në odën e ndejes e rishtas në dhomën e gjumit. Nuk gjeja qetësi. Rrëmova në sirtaret poshtë, pashë dhe putha bordurat e këpucëve tueja, kërkova prap dhe gjeta letrat tona të dashunisë. Shtëpija filloi me m’u sjellë.

7.

Tani jam pa shtëpi, por shpejt, kur të jem sistemue, kam me të ngritë nji altar. Sendet e tueja s’kanë me m’mungue, mbasi kam mbledhë mjaftueshëm. Edhe dje nuk u largova duerbosh prej shtëpijet e dashun! Mora me vete nji dhanti të paçmueshme që ishte e shtrenjtë për të dy: letrat tona të dashunisë.

8.

Herën e kalueme u ktheva së bashkut me ty në qytet. Dje e bana rrugën e kthimit vetëm. Qava gjithë kohën në makinën bosh. Nuk kisha turp prej lotëve, pse krenija m’i kishte lanë të lira. Ndihesha i plaçkitun, por lotët më thonin se Ai që më dha aq shumë të mira, nuk mundet me m’i marrë rishtas përgjithmonë. Ti ishe për mue dhanti e jetës e un due që dhantija jeme të më kthehet prap prej Dhuruesit të madh. S’kam kundërishtim, për mue asht njilloj, si të ngjallesh ti, si të vdes un. Due me të pa rishtas e mandej me të ndejt krah besnik. Dje qava shumë, por i dhashë lamtumirën shtëpisë sonë e jo ty. Në shtëpinë tonë due me u kthye prap me ty i vdekun e në livadhin tonë të rrethuem prej pemësh due me ndërtue një kriptë për ne të dy. Dashnia nuk ka fe dhe vorri ynë nuk duhet t’ia dijë për këtë mospërkim. Ky vendim asht nji përshendetje prej meje e prej shtëpisë sonë për ty në këtë letër.

9.

Shumë shpirtna jetojnë tek un. Ata përbûjnë tek un rrokopujë, njeni mbi tjetrin, e s’më lanë të qetë. Njeni prej shpirtnave të mij zhaurinë si Deti i Veriut. Gjithmonë stuhi mbas stuhijet. Thellë ai ruen bruztinë që përpin me rreshk prej qiellit dhe e thith plotsisht në rrymat e veta të ftohta. Jeton i ndamë prej shpirtnave tjerë, siç jeton deti i ngrimë i ndamë prej detnave tjerë, pa fis e pa vllazni, me mallin e prushit të nxehtë, me mallin e diellit…

10.

S’praj tue i thanë vetes se m’ka ndodhë nji padrejtësi e madhe dhe në fund të fundit e ngarkoj Zotin me përgjegjësi për këtë fatkeqësi temen. Sa ma i madh asht dëshpërimi jem, aq ma fort dyshoj në ekzistencën e tij, pse në fund të fundit besimin te Zoti ia atribuoj thjesht nji cilësise së ulët të njeriut, frikës së tij. Padyshim e dashun! Në orët e qeta ndërhyn pajtimtare dashunia jote dhe un mandej arsyetoj: njeriu s’e njeh Zotin pse asht frikacak, por pse Zoti e ka krijue atë frikacak në mënyrë që ai ta njohin. E mbërrij kështu në përfundimin se nuk ekzistojnë ateistat e vërtetë. Po çka më hyn në punë kjo gja, e dashun! Kjo bindje s’ma fashitë dhimbjen teme, pse asnji Zot s’mundet me m’dhanë çka kam humbë me ty. /Peizazhe të fjalës/Telegrafi.com/KultPlus.com

Kabaja me saze, trashëgimi muzikore popullore mijëravjeçare

Edicioni i 50-të i Konferencës Botërore të Baladave që vjen për herë të parë në Shqipëri, pas seancave të mbajtura në Tiranë, ka vijuar punimet në Gjirokastër.

Pjesë e konferencës e cila gjatë tre ditëve vijon punimet në Universitetin e Gjirokastrës “Eqerem Çabej”, janë mbi 60 kërkues nga universitetet dhe qendrat kërkimore më të rëndësishme europiane e botërore nga Shqipëria, Italia, Kosova, Maqedonia, Sllovenia, Greqia, Anglia, Franca, Spanja, Gjermania, Zvicra, Ukraina, Holanda, Skocia,  SHBA, Afrika e Jugut, etj.

Rektori i Universitetit të Gjirokastrës , Bektash Mema ju uroi mirëseardhjen studiuesve të ardhur nga të katër anët e kontinenteve në çelje të punimeve të Konferencës me temë “Baladat dhe audienca në kohë e hapësirë”.

Ai tha se janë vënë në dispozicion të konferencës mjediset më cilësore dhe gjithë logjistikën e Universitetit, që komunikimi midis studiuesve të jetë sa më i frytshëm dhe kjo konferencë, e para që zhvillohet në Shqipëri, të lerë gjurmë në arritjet shkencore të studiuesve të baladës, të cilët këtij fondi të artë të artit të popujve i kanë kushtuar dijet dhe jetën e tyre intelektuale.

“Në qytetin tonë do të keni mundësi të alternoni kumtimet shkencore me njohjen dhe prekjen e drejtpërdrejtë të baladës popullore shqiptare, e cila nuk është një dukuri thjesht skenike, por pjesë e pandashme e momenteve kyçe të jetës së popullit. Baladat shqiptare janë pjesë e identitetit të popullit, janë pjesë e psikikës kombëtare, janë art dhe besim, janë këngë dhe mesazh. Baladat tona kanë qenë gjithnjë objekt studimi prej dijetarësh të huaj, sidomos prej pelegrinëve europianë të velur nga civilizimi dhe të zhgënjyer nga revolucionet e njëpasnjëshme industriale”, u shpreh Mema.

Baladat shqiptare dhe simotrat e tyre greke, bullgare, serbe e kroate, malazeze e boshnjake, vijoi ai, janë një pasuri e pazëvendësueshme për studiuesit që kanë interes për origjinën e tyre, kohën e krijimit, mënyrën e shtegtimit dhe të mbijetesës, raportet midis arketipave dhe varianteve, rolin e audiencës për mosndryshimin dhe ndryshimin e tyre.

Mema shtoi se “njëherësh është mundësia që në këtë konferencë ju të vëreni edhe konkordancat e tyre, që vijnë nga fqinjësia historike, afërsia gjenetike apo thjesht nga karakteri universal i disa vlerave themelore të traditës popullore. Kjo do të zgjerojë horizontin e kërkimeve dhe krahasimeve, do të nxisë kontakte dhe bashkëpunime të reja midis studiuesve pavarësisht largësisë fizike, e cila është gjithnjë e më relative”.

Akademiku Vasil Tole ka theksuar se “Kabaja” me saze, gjini instrumentale e “Albanian Folk Iso Polyphony”, e luajtur me gërnetë apo me violinë është prej rreth 150 vitesh, llojformimi më i plotë e i përkryer në muzikën popullore me vegla të Shqipërisë Jugore, që mund të krahasohet fare mirë me koncertin instrumental në muzikën e kultivuar.

Si një trashëgimi muzikore popullore mijëravjeçare, për më tepër njohur nga UNESCO-ja edhe si pjesë përbërëse e “Representative List of Intangible Heritage”, Tole thekson se ajo ka zgjuar prej kohësh interesin e studiuesve vendës  dhe atyre të huaj .

Sipas tij, “KKabaja” si formë e ekzistencës së isopolifonisë në formacionet muzikore me vegla u përsos nga formacioni muzikor i sazeve  të Shqipërisë së Jugut.

“Studimet provojnë se krijimi i sazeve datohet aty rreth fundit të gjysmës së dytë të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX, kohë kur veglat muzikore të temperuara si klarineta, violina, lahuta hynë në përdorim në muzikën popullore qytetare shqiptare. Ludvig Bettner, konsulli austriak në Janinë në vitin 1872, përmend se në qytetin e Përmetit ka një jetë të gjallë plot larmi, të nxitur nga jevgët që u bien veglave frymore . Sipas kompozitorit dhe dirigjentit shqiptaro-amerikan Thoma Nassi (1892-1964): sazet janë orkestra ideale e klasit të parë të shqiptarëve, ndër to sazet e para të familjes Asllan Leksoviku në Leskovik, sazet e Jonuz Lamçes dhe Medi Përmetit në Përmet, sazet e Riza Bylbilit në Berat, ato të Bilbil Vlorës në Vlorë, të Cilo Qorrit në Korçë etj. Eqrem bej Vlora përmend sazet e Beratit, siç ai i pa dhe dëgjoi në qytetin e Beratit, në vitin 1906. Sipas tij, orkestra e sazeve përbëhej nga katër deri në gjashtë veta me qemane, fyell, kanun dhe jongar”, ka theksuar akademiku Tole.

Akademiku Francesco Altimari (Universiteti i Kalabrisë, Itali) në kumtesën “Mbi baladat tradicionale arbëreshe: një përmbledhje përmes analizës së teknikave të transmetimit të tyre tekstual dhe ritual” që mbajti në Konferencën e 50-të Ndërkombëtare e Studiuesve të Baladës-“Baladat dhe audienca në kohë dhe në hapësirë” trajtoi dy nga baladat më të njohura të traditës arbëreshe: balada e “besës” dhe balada e “Kostandinit të vogël”.

Ai u përqendrua veçanërisht në teknikat e tyre të brendshme tekstuale për të cilat tha se ato na lejojnë të bëjmë dallime nga koleksionet e autorëve të Rilindjes Kombëtare që kanë arritur deri më sot; ato të një natyre më tradicionale se ato të përpunuara nga koleksionistët dhe të një natyre më letrare.

Altimari analizoi edhe kontekstet e jashtme në të cilat këto janë ruajtur dhe ritualizuar: ato janë “e shtuna e shpirtrave” (psikosabaton), përkatësisht kujtimi i të vdekurve në lidhje me baladën e “besës” dhe riti i martesës për baladën e vogël.

Kumtesa “Kalimera e Llazarit”: Variantet tekstuale siciliano arbëreshe e akademikut Matteo Mandalà (Universiteti i Palermos, Itali) përbën pjesën e parë të një kërkimi më të gjerë që përfshin ritet e pranverës dhe “Kultin e paraardhësve”, rindërton dhe dokumenton dorëshkrimin dhe traditat e shtypura, të cilat dëshmojnë për fazat e ndryshme të transmetimit të kultit të Llazarit nëpërmjet përpunimit tekstual të këngës, dokumenton veçanërisht disa aspekte ripërpunuese të përshtatje nga tradita e prejardhjes “mitike” pagane, e konsideruar heretike nga autoritetet peshkope katolike, kundrejt asaj “zyrtare” të adoptuar nga Ungjijtë e Shenjtë.

Mandalà tha se “Kalimera e Llazarit” është pjesë përbërëse e një riti të lashtë pagan të pjellorisë bujqësore, i cili, si rezultat i sinkretizmit, ruhet në praktikat paraliturgjike të përdorura në komunitetet shqiptare të Italisë së Jugut.

“Duke iu rikthyer ciklit të përkujtimit të të vdekurve, e shtuna e Llazarit është e dyta nga katër të shtunat (e para është ajo e karnavalit – shqip e shtunia e shpirtrave, gjatë së cilës këndohet balada e “Kostandinit dhe Doruntinës”. -, e dyta ajo e Ngjalljes së Krishtit, e karakterizuar nga këngët liturgjike të ashtuquajtura “Javës së Shenjtë”, e katërta e Rrëshajëve – në shqip e shtunia e shalës “Christi rosalia”, gjatë së cilës u këndua kënga e mirënjohur “Moj e bukura More”, duke shqiptuar ritmin e lashtë të ardhjes së pranverës dhe të ardhjes së epokës së madhe (në arbërisht “Moti i madh”)”, është shprehur akademiku i njohur.

Kjo konferencë organiozhet nga  Akademia e Shkencave, International Ballad Commission / Kommission für Volksdichtung (KfV) / Commission internacionale pour l’étude de la chanson populaire, në bashkëpunim me universitetin “Eqrem Çabej” Gjirokastër, Bashkinë e Gjirokastrës, Universitetin e Aberdeen-it dhe Ministrinë e Kulturës./ KultPlus.com

Rusët i japin lamtumirën e fundit ish-liderit sovjetik Mikhail Gorbachev

Rusët po presin në radhë për t’i dhënë lamtumirën e fundit, ish ish-lideri sovjetik, Mikhail Gorbachev, i njohur për hapjen e Bashkimit Sovjetik dhe për afrimin e tij me Perëndimin.

Gorbachev, i cili vdiq të martën në moshën 91-vjeçare, do të varroset pa nderime shtetërore dhe pa praninë e presidentit rus, Vladimir Putin.

Megjithatë, autoritetet lejuan që arkivoli i Gorbachevit të qëndrojë në Sallën e Kolonave, aty ku iu dha lamtumira edhe ish-liderëve të mëparshëm sovjetik, në mënyrë që rusët të mund ti japin lamtumirën e fundit.

Njerëzit duke pritur në radhë për të bërë nderimet e fundit para arkivolit të ish-liderit sovjetik Mikhail Gorbachev, gjatë një ceremonie lamtumire në Moskë, Rusi. 3 shtator 2022.

Në Perëndim, ai u njoh si arkitekt i reformave, që më pas krijuan kushte për përfundimin e Luftës së Ftohtë.

Por, shumë njerëz brenda Rusisë, politikat e tij i shohin si të gabuara.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e cilëson rënien e Bashkimit Sovjetik si “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit”.

Megjithatë, ai shprehu ngushëllimet e tij më të thella për vdekjen e u Gorbachevit, tha një zëdhënës i Kremlinit për agjencinë e lajmeve Interfax.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, do të udhëtojë në Moskë më 3 shtator për të marrë pjesë në varrimin Gorbachev, tha zyra e tij.

Njerëzit kalojnë pranë arkivolit të ish-liderit sovjetik,Mikhail Gorbachev, gjatë një ceremonie lamtumirëse në Moskë, Rusi. 3 shtator 2022.
Njerëzit kalojnë pranë arkivolit të ish-liderit sovjetik,Mikhail Gorbachev, gjatë një ceremonie lamtumirëse në Moskë, Rusi. 3 shtator 2022.

Disa zyrtarë rusë dhe figura kulturore, duke përfshirë ligjvënësin e lartë, Konstantin Kosachyov dhe këngëtaren, Alla Pugachyova, gjithashtu i bënë nderimet familjes së Gorbachev, e cila po qëndron e ulur majtas arkivolit të tij të hapur.

Pas homazheve, Gorbachev do të varroset në varrezat Novodevichy të Moskës – ku gjenden varret e shumë rusëve të shquar – pranë gruas së tij, Raisa, e cila vdiq në vitin 1999, raporton agjencia e lajmeve Tass./REL/ KultPlus.com

Beyonce promovon partneritetin me ‘Tiffany & Co’, shkëlqen në veshjet me ngjyrë të zezë dhe ari (FOTO)

Fansat e Beyonce u trajtuan me një sërë postimesh të reja të premten teksa këngëtarja shfaqi një numër fotografish në rrjetin social Instagram.

Artistja pothuajse 41-vjeçare, ka veshur kombinime të ndryshme të veshjeve të zeza dhe ari në foto dhe video për partneritetin me kompaninë Tiffany’s, transmeton KultPlus.

Ajo u pa në pjesë të shumta diamanti, si dhe bizhuteri ari teksa kënga e saj “Summer Renaissance” luante në prapvijë të klipeve.

Thjeshtësia dramatike u frenua në fotosesionet, të cilat shfaqën Beyoncen në materiale të zeza moderne.

Në një foto të ndarë me ndjekësit e saj prej 274 milionë, ajo shikonte nga korniza e kamerës. Flokët e saj biondë ishin të stiluar në një pjesë anësore, ndërsa ajo mbante një gjerdan të trashë, me zinxhir dhe byzylyk që përputheshin bashkë.

Në një tjetër portret tërheqës, ajo ka pozuar në një tapet të gjelbër të harlisur, e veshur me një ‘body’ asimetrike. Ajo kishte jastëkë të mprehtë të shpatullave, një prerje dekolte dhe kishte vetëm material vetëm në njërën këmbë.

“Yoncé”, siç i referohej vetes në këngën e saj të vitit 2013 ‘Partition’, e plotësoi veshjen me këpucë të larta me platformë ari. Dhe ajo e mbylli pamjen me një kapele të pjerrët.

Një imazh i tretë shfaqi Beyoncen me një fustan të zi të gjatë, të përqafuar për trupi, me një prerje tjetër të ijeve.

Beyonce nuk tha asgjë në mbishkrimin e fotografive, duke qëndruar në përputhje me markën e saj të “mistikës”. Megjithatë, ajo grumbulloi qindra mijëra pëlqime nga baza e saj besnike e fansave ‘Beehive’ në vetëm disa minuta.

Këngëtarja e ka shfaqur krijimtarinë e saj të pakufishme në videoklipe, ku e ka kthyer kamerën nga vetja në një segment. Ndërsa shtrihej në një karrige të shtrirë prej lëkure të zezë, ajo mbajti një videokamerë retro VHS teksa luante regjisorin dhe subjektin.

Ajo mbante byzylykë të grumbulluar nga linja legjendare e bizhuterive, me të cilët ajo është marrë për shkak të partneritetit në të kaluarën.

Beyonce, emri i plotë i së cilës është Beyonce Giselle Knowles Carter, publikoi albumin e saj të shtatë në studio më 29 korrik.

Fushata e saj e fundit me shitësin e bizhuterive quhet “Lose Yourself in Love” dhe është ndërtuar mbi idenë e ‘festimit të individualitetit, dashurisë dhe lidhjes universale’.

“Beyonce është një frymëzim për shumë njerëz, sepse ajo mishëron këto cilësi”, tha në një njoftim për shtyp zëvendëspresidenti i produkteve dhe komunikimit të “Tiffany & Co.”, Alexandre Arnault.

“Ne jemi të nderuar të vazhdojmë partneritetin tonë për të dytin vit radhazi dhe të sjellim një epokë të re emocionuese të dashurisë”, vazhdoi ai. / KultPlus.com

Shërimi me tinguj – një terapi për mendjen, trupin dhe shpirtin tonë

Efekti i tingullit është padiskutim i fuqishëm, me një aftësi të jashtëzakonshme për të shëruar dhe rivendosur ekuilibrin brenda nesh, përcjell KultPlus.

Koncepti i terapisë së tingullit ekziston për mijëra vjet dhe bazohet në idenë se gjithçka në univers, duke përfshirë edhe trupat tanë, është në një gjendje vibrimi. Çdo pjesë e organ i trupit tuaj krijon një vibrim që rezonon në një frekuencë të caktuar.

Në kohët parahistorike, shamanët këndonin teksa i binin daulleve për të shëruar njerëzit. Në kohët e mëvonshme, shkollat ​​e lashta mistike në Greqinë Antike, Indi dhe Egjipt besonin se përdorimi i tingullit për shërim ishte një shkencë shumë e zhvilluar dhe e shenjtë.

Duke i analizuar thellësisht parimet dhe studimet shkencore, teknika të arritshme, të kuptueshme dhe të zbatueshme, terapistja e tingullit Arta Gjakova zbulon se si tingulli mund të përdoret si një terapi për mendjen, trupin dhe shpirtin tonë.

Pasi vijoi trajnimet në ‘Asociacionin për Shërim me Tinguj’ në Belgjikë, nga mentorë të njohur në këtë fushë, Nestor dhe Michele Averard, Arta Gjakova tashmë që 7 vite merret në mënyrë aktive me ‘Terapi të Tingullit’.

Një javë më parë (26 gusht), Arta performoji në “Social Cultural Space”, në Tetovë. Këtu mund ta ndiqni video incizimin nga ai koncert meditativ: https://www.youtube.com/watch?v=d78cbamHAR0

Terapia e tingullit është një trajtim holistik, pra gjithëpërfshirës, që përdor tingullin, vibrimin dhe frekuencat e ndryshme për t’ju futur në një gjendje të thellë meditimi, shpjegon ajo.

Në këtë përvojë medituese, të pranishmit “lahen” nga valët e tingullit. Këto valë prodhohen nga burime të ndryshme, duke përfshirë instrumentet shëruese si gongët, tasat tibetian, pirunët akordues e shumë instrumente tjera edhe madje dhe vetë zëri i njeriut si një nga instrumentet më të fuqishme në terapinë e tingullit, shton ajo mes tjerash.

Gjatë një seance të tillë, pjesëmarrësit shtrihen në shpinë – nganjëherë referuar si pozicioni i ‘Savasana’ në joga – gjatë gjithë këtij procesi.

Ndoshta, pjesa më e mirë është se ju nuk keni nevojë të bëni asgjë, përveçse të shfaqeni me veshje të rehatshme dhe t’i pranoni tingujt që vijnë përreth jush, ndërsa jeni të shtrirë në paqe.

Është një përvojë unike që nuk mund të krahasohet me terapi të tjera dhe potencialisht një shtesë e mrekullueshme për çdo program shërimi ose mirëqenieje.

Terapia e tingullit funksionon përmes një procesi të quajtur ‘rezonancë simpatike’. Kjo është kur valët e një burimi përputhen me valët nga një burim tjetër. Në këtë rast, truri juaj përputhet dhe bie në sinkronizim me frekuencat qetësuese nga instrumentet terapeutike që luajnë. Dhe ne e quajmë këtë tërheqje. Kjo përputhje e valëve lejon trurin të relaksohet.

“Truri kalon nga një gjendje beta-dominuese e valëve të trurit (kjo është kur jemi të përqendruar ose të stresuar) në një gjendje të relaksuar dhe çlodhëse të valëve alfa (gjendje e thellë meditative). Tingujt që dëgjoni gjithashtu nxisin sistemin tuaj nervor parasimpatik. Kështu, frymëmarrja juaj bëhet e relaksuar dhe rrahjet e zemrës suaj gjithashtu ngadalësohen. E gjithë kjo inkurajon trupin tuaj që të bjerë në një relaksim vërtet të thellë.

Çdo organ, çdo qelizë në trup ka frekuencën e vet rezonuese. Kur një organ në trup nuk vibron në frekuencën e tij, kjo do të ndikojë në të gjithë trupin.

Nëpërmjet parimit të rezonancës është e mundur të përdoret tingulli për të rikthyer trupin në harmoni dhe në gjendje përsëri të shëndoshë.”

Praktika e shërimit me tinguj është treguar të ketë disa benefite, duke përfshirë:

  • rritjen e relaksimit
  • manifestim të perspektivave të reja dhe më pozitive në udhëtimin tonë jetësor
  • gjendje më të arritshme meditative
  • dhimbje fizike të reduktuara ose të shëruara
  • ndërgjegje dhe vetëdije të zgjeruar
  • stresi i reduktuar
  • rraskapitja e pakësuar
  • nivele të rritura të energjisë
  • përmisim të gjumit

Unë rekomandoj Terapinë me Tinguj për të gjithë ata që janë të prekur nga stresi i botës së sotme moderne, por edhe për të gjithë ata që duan të krijojnë një lidhje më të shëndoshë dhe reflektuese me veten. Është një recetë e fuqishme jo farmaceutike për vetë-shërim që ka vetëm efekte pozitive anësore, si harmonia, shëndeti dhe lumturia”, thotë Gjakova.

Ne po jetojmë në kohë të jashtëzakonshme; kohë të ndryshimeve të mëdha në vetëdije. Tingulli luan një rol kyç në ketë tranzicion, sepse ndihmon të përshtatemi me zhvendosjet e frekuencës që ndodhin në kaq shumë nivele apo shtresa në jetën tonë. /Besir Bajrami/ KultPlus.com

Sot nis edicioni i 12-të i festivalit “Etno Fest”

Sot hapet edicioni i 12-të i Festivalit të Arteve dhe Kulturës tradicionale Etno Fest i cili do të zgjasë gjashtë ditë: nga data 3-9 shtator, përcjell KultPlus.

Si gjithmonë në etnokompleksin e veçantë edhe më të pasuruar këtë vit, në fshatin Kukaj ju mirëpret një edicion i mbushur me aktivitete.

KultPlus ua sjell programin e plotë për ditën e parë:

18:30 – 19:30

Hapja solemne e festivalit

Performancë skeniko-muzikore e hapjes së festivalit (Program festiv me aktorë, piktorë, skulptorë, instrumentistë, valltarë dhe balerinë, të përcjellur me flaute nga Blenda Konxheli, çello nga Arberëshe Ademi me performancë akrobacie dhe gjimnastikë ritmike nga Fiona Konxheli.)

Koncert solistik (Anila Hoxha-Gjermeni, soprano e Operës së Milanos në përcjellje nga Synjona Poplekaj; Kori i fëmijëve dhe grave “Okarina”.)

Teatër (“Dasma e nanes” nga “Tana Production” nga Arta Arifi në regji të Iliriana Arifit me aktoren Sheqerie Buqaj, balerinët: Vjollca Llugiqi dhe Fisnik Smani, me sopranon Urta Haziraj, Leufat Buçuku violinist dhe defatoret “Shamikuqet”.)

Ekspozita (Ekspozita të pikturave, skulpturave, grafikëve, mozaikëve dhe instalacioneve të cilat do të jenë të hapura nga 3 deri më 9 shtator.

Suad Rama – ekspozitë e pikturave

Muslim Mulliqi – ekspozitë e vizatimeve

Fatmir Krypa – ekspozitë e grafikëve

Butrint Morina – ekspozitë e skulpturave

Fatos Kabashi dhe Erëmira Deqani  – ekspozitë e mozaikut

Nagip Tashi – ekspozitë e mozaikut me dru

Drenusha Zajmi – ekspozitë e pikturave

Artistët për artistët (Ekspozitë kolektive dhe atelie të hapura të 30 artistëve figurativ me kurator Veton Gusia:

Musë Prelvukaj, Skënder Idrizi, Hajrush Fazliu, Merita Mundrizi-Maloku, Bardha Buza, Vjosa Bujari, Amire Demolli, Agron Mulliqi, Anton Krasniqi, Naim Spahiu, Haki Xhakli, Amarilo Ruqi. Albulena Bilalli, Edmond Dhrami, Sabri Behramaj, Bardhyl Bejtullahu, Flamur Miftari, Haxhi Gjoni, Veton Gusia, Fitore Rama, Eli Gashi, Rina Kumanova, Valera Konxheli, Magbule Xhemaili, Zana Ramadani, Donjeta Haziri, Valera Konxheli, Doruntinë Berisha, Sadije Maliqi.

Ekspozitë e eksponateve të vjetra (Stolisje e nuses ilire nga Aziza Shefitagoq; Ekspozitë e fotografive nga Muzeu Etnografik i Kosovës; Ekspozitë e eksponateve nga Muzeu etnografik Kukaj; Punëtori te zejeve tradicionale në zhdukje.)

Etno Party (“Nata e jareve shqiptare” me Anila Hoxha-Gjermeni, soprano e Operës së Milanos në përcjellje me piano nga Synjona Paplekaj.)

Frederik Ndoci – deri në orët e vona. / KultPlus.com

Osmani mbështetë kërkesat e prindërve: Nxënësit duhet të jenë në qendër të interesimit tonë për ta tejkaluar krizën në arsim

Nis takimi i Presidentes Vjosa Osmani me Këshillin e Prindërve, Jeton Demi dhe Labinot Salihu, Këshillin e Nxënësve në përbërje të Ditjon Fetahu dhe Hekuran Muja, si dhe Koalicionin e OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve me përfaqësuese Donjeta Kelmendi.

Presidentja Osmani mbështetë kërkesat e nxënësve dhe të prindërve: Nxënësit duhet të jenë në qendër të interesimit tonë për ta tejkaluar krizën në arsim! / KultPlus.com

Aktorja amerikane Jane Fonda diagnostikohet me kancer

Aktorja dhe aktivistja e njohur, Jane Fonda është diagnostikuar me kancer.

Jane Fonda është diagnostikuar me limfomën jo-Hodgkin dhe ka filluar trajtimin e kimioterapisë, transmeton KultPlus.

Fituesja e çmimit “Oscar”, u shfaq optimiste teksa zbuloi të premten në rrjetin social Instagram duke vënë në dukje se ka filluar kimioterapinë.

“Ky është një kancer shumë i shërueshëm. 80% e njerëzve mbijetojnë, kështu që ndihem shumë me fat”, ka shkruar ajo.

‘Limfoma jo-Hodgkin’ është një kancer i sistemit imunitar. Fonda tha se do të bëjë kimioterapi për gjashtë muaj dhe se “po i trajton mjaft mirë trajtimet”, duke shtuar “dhe, më besoni, nuk do të lejoj asnjë nga këto të ndërhyjë në aktivizmin tim klimatik”.

Fonda ka qenë aktive në ndërgjegjësimin për krizën klimatike pasi u frymëzua nga aktivistja e re mjedisore Greta Thunberg.

Në vitin 2019, Fonda nisi “Fire Drill Fridays”, një përpjekje e mosbindjes civile për të rritur ndërgjegjësimin për sfidat mjedisore.

“Kanceri është një mësues dhe unë po i kushtoj vëmendje mësimeve që ai mban për mua,” shtoi Fonda për diagnozën e saj. “Një gjë që më ka treguar tashmë është rëndësia e komunitetit. Rritja dhe thellimi i komunitetit të dikujt në mënyrë që të mos jemi vetëm. Dhe kanceri, së bashku me moshën time — pothuajse 85 vjeç — definitivisht mëson rëndësinë e përshtatjes me realitetet e reja.”

Seriali televiziv Netflix i Fondas “Grace and Frankie” përfundoi sezonin e tij të fundit në prill. Fonda ka në punë projekte shtesë në ekran, sipas profilit të saj në IMDB.

Ndonëse nuk iu drejtua angazhimeve të vazhdueshme profesionale, Fonda tha se aktivizmi i saj do të vazhdojë.

“Ne po jetojmë në kohën më të rëndësishme në historinë njerëzore, sepse ajo që bëjmë ose nuk bëjmë tani do të përcaktojë se çfarë lloj të ardhmeje do të ketë dhe unë nuk do të lejoj që kanceri të më pengojë të bëj gjithçka që mundem, duke përdorur çdo mjet në kutinë time të veglave dhe kjo përfshin shumë vazhdimin e ndërtimit të këtij komuniteti të “Fire Drill Fridays” dhe gjetjen e mënyrave të reja për të përdorur forcën tonë kolektive për të bërë ndryshim”, shkroi ajo.

“Afatet e ndërmjetme po afrohen dhe ato janë përtej pasojave, kështu që ju mund të mbështeteni tek unë që të jem aty së bashku me ju ndërsa rritim ushtrinë tonë të kampionëve të klimës.” / KultPlus.com

Thanas Jane, shkrimtari i shqiptarëve të Greqisë

Thanas Jane ose siç e njohin të gjithë Nase Jani, e ka nisur jetën në Stegopul të Lunxhërisë, Gjirokastër, më 25 maj 1947. Mësimet e para i mori në vendlindje, pastaj në Kuçovë e në Vlorë, ku mbaroi edhe parashkollën e mesme. Më pas vijoi studimet në Shkollën ushtarake “Skënderbej”, në Tiranë, shkollën e lartë të Marinës në Vlorë dhe shkollën e lartë ushtarake të Oficerave në Tiranë. Përveç studimeve në shkollat ushtarake, z.Jani, ka studiuar për letërsi, dramë-regjisurë dhe filozofi.

Si shumë shqiptarë edhe “Nasen” viti 1997 e gjeti në Athinë. Jeta në një vend të ri në një realitet të ri, nuk e pengoi t’i përkushtohej pasionit të tij përhershëm të krijimtarisë letrare. Shtëpia, vendlindja, atdheu, janë pikënisja dhe pikëmbërritja në odisenë e jetës dhe krijimtarisë së tij.

Ai është autor i 35 librave, me poezi, tregime, romane, dramë, letërsi për fëmijë, publicistikë, kritika letrare. Krijimtaria e tij është përkthyer dhe botuar, me vepra ose pjesërisht, në gjuhën greke, italiane, angleze (SHBA), rumune, frënge, suedeze, izraelite. Është autor i 5 Antologjive letrare. Ai është përfshirë në disa Antologji brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Vepra e tij letrare është vlerësuar me disa çmime konkursesh dhe çmime vjetorë. Veçojmë veprën “Duke pritur dashurinë”, monodramë për Lasgush Poradecin, fituese e Festivalit Ndërkombëtar të monodramave,

U shqua jo vetëm si një shkrimtar i brezit të parë të komunitetit shqiptar në Greqi, por edhe si një qytetar që ka kontribuar në jetën social-kulturore të tij. Ai është themelues dhe kryetar i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Drita”  dhe i revistës letrare–kulturore “Pelegrin” , themeluesi i shoqatës ‘Lunxhëria’ në Athinë. Klubi “Drita” dhe revista “Pelegrin”, në drejtimin e z. Nase Jani, krijuan “Bibloteka qytetare në natyrë” në qytetin e Vlorës, e para e këtij lloji në Shqipëri

Për gjithë atë çka i ka dhënë vendit Nase Jani është vlerësuar me disa tituj. Është dekoruar me medalien “Naim Frashëri”; Urdhërin “Ylli i kuq”; Urdhërin ‘Naim Frashëri i Artë’; “Diplomë Mirënjohje’ nga Lidhja e Botuesve të Shqipërisë; “Certifikatë Mirënjohje’ nga kryetari i Bashkisë, z. Erion Veliaj; “Qytetar Nderi” i Kuçovës. Gjithashtu Klubi ‘Drita’, është dekoruar nga Presidenti i RSH-së, me ‘Medalia e mirënjohjes’ dhe Revista “Pelegrin” është vlerësuar: Revista më e mirë e vitit 2004, nga Klubi i ideve dhe UNESCO, Athinë.

Marrë nga profili i Ambasadës Shqiptare në Greqi. / KultPlus.com

Kështu do të subvencionohen nga Qeveria ata që do të kursejnë rrymë

Të gjithë qytetarët që kursejnë energjinë elektrike do të subvencionohen nga Qeveria e Kosovës.

Kështu tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Financave, Hekuran Murati, më 3 shtator.

Sipas ministrit Murati, kushdo që shpenzon më pak energji elektrike në muaj, krahasuar me muajin e njejtë të vitit të kaluar, do të do të subvencionohet.

“Për shembull nëse janë shpenzuar 1000 kilovatë orë në shtatorin e shkuar dhe sivjet 900, mund të konsiderohet se është bërë kursim prej 100 kilovatëve, ose 10 për qind. Për këtë përqindje do ta mbështesim subvencionimin e faturës 20 për qind. Dyfishin e kursimit që e bëjnë qytetarët”, ka thënë ai.

Kjo dhe masa të tjera, sipas kryeministrit Kurti, do të jenë ndihmë në kuadër të pakos për përballen me inflacionin, e cila është vazhdimësi e pakos për ringjalljen ekonomike.

Kurti tha se familjet me asistencë sociale do të mbështeten me dyfishim të shumës së asistencës për një muaj. Ndërsa me nga 100 euro në nëntor do të mbështeten studentët.

Sipas tij, nga shtatori pensionistët do të marrin nga 100 euro, me nga 50 euro zyrtarët publikë, ndërsa me nga 100 euro punëtorët e ndërmarrjeve publike.

Ndërsa për punëtorët e sektorit privat u tha se Qeveria do të subvencionojë për tre muaj ato biznese që i rrisin pagat e punëtorëve, pra gjysmën e rritjes së pagës së tyre për tre muaj.

Në total, Kurti tha se do të ndahen 150 milionë euro për pakon për përballen me inflacion.

Ai tha po ashtu se shpejt do të procedohet në Qeveri e Kuvend, Projektligji për punë publike i cili ka për qëllim kompensimin për inflacion për materiale ndërtimore dhe punët përcjellëse. / KultPlus.com

Në shënim të 25 vjetorit të vdekjes së Nënë Terezës, Filharmonia e Kosovës organizon koncert përkujtimor

Në kuadër të manifestimit “Ditët e Nënë Terezës” të hënën më 5 shtator 2022 prej orës 20:00 në Qendrën “Bogdani Polis” (Katedralja “Shën Nënë Tereza”) në Prishtinë, Filharmonia e Kosovës organizon koncert në shënim të 25 vjetorit të kalimit në amshim të Nënë Terezës, përcjell KultPlus.

Në koncert do të interpretohen fragmente nga “Rekuiem-i” i kompozitorit Wolfgang Amadeus Mozart dhe vepra tematike nga kompozitorët Genc Tukiçi, Valton Beqiri dhe Kreshnik Aliçkaj.

Hyrja në koncert është e hapur mirëpo duhet të bëni rezervimin përmes platformës ‘eventbrite’. / KultPlus.com

Ava Max publikon këngën më të re “Million Dollar Baby” (VIDEO)

Këngëtarja Ava Max është një nga talentet më të suksesshme në tregun ndërkombëtar të muzikës, shkruan KultPlus.

Artistja me origjinë shqiptare ka publikuar këngën e saj të re me titull “Million Dollar Baby”, e cila është ritmike e zhanrit pop dhe në vetëm pak kohë është dëgjuar nga një numër i madh njerëzish në gjithë botën.

Kënga është ndër të parat që ajo publikon nga albumi i saj i dytë në ardhje, e që mban emrin “Diamonds & Dancefloors”.

Ava Max në videon muzikore të këngës së saj më të re ka sjell një performancë të veçantë dhe kjo është një nga arsyet pse projektet e saj renditen gjithmonë në vendet e para të klasifikimeve muzikore dhe priten me shumë interes nga publiku.

Artistja, emri i vërtetë i së cilës është Amanda Koçi po vazhdon të jetë e suksesshme në tregun ndërkombëtar të muzikës.

Kujtojmë se pak ditë më parë ajo ishte e ftuar në ceremoninë e madhe të ndarjes së çmimeve, “MTV Video Music Awards”, pjesë e së cilës ishte edhe këngëtarja shqiptare Bebe Rexha. / KultPlus.com