Kategoria garuese e filmave ndërkombëtar të metrazhit të gjatë ‘GLOBAL’ që shfaq filmat e ri, inovativ dhe unik nga gjithë bota, këtë herë vjen me katër filma nga gjashtë shtete, përcjell KultPlus.
Prezenca e kineastëve kosovarë si dhe rajonal nuk do të mungojë edhe në këtë kategori. Filmi DRITA vjen me Arta Dobroshin dhe Genc Jakupin ndërsa filmi GEBORGTES WEISS me Florist Bajgorën.
DARKROOM me kastën e aktorëve boshnjak ndërsa KLONDIKE koproduksioni Ukrainas/Turk vjen me bagazh të çmimeve nga Sundance Film Festival dhe Sarajevo Film Festival.
Si gjithmonë, të gjithë këta filma do të jenë premierë në Kosovë.
Lista e plotë garuese e programit garues të filmave të metrazhit të gjatë – GLOBAL:
KLONDIKE nga Maryna Er Gorbach, Ukrainë/Turqi 100 min;
DRITA nga Daniel Kruglikov, SHBA/Kosovë 83 min;
DARKROOM nga Lukas Maier, Kanadë 95 min;
GEBORGTES WEISS nga Sebastian Ko, Gjermani 100 min.
Edicioni i 14-të i PriFest mbahet nga 20-25 shtator dhe i dedikohet drejtoreshës së ndjerë Vjosa Berisha.
Në kuadër të “Ditëve të Nënë Terezës” që po organizohen nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në 25 vjetorin e kalimit në amshim të Shën Nënë Terezës, sot nga ora 12:00 mbahet aktivitet edukues për fëmijë, në shtëpinë e Drane Bojaxhiut dhe shkollën e fshatit.
Aktiviteti mbahet në Novosellën e epërme, Gjakovë. / KultPlus.com
Prokuroria Themelore e Prishtinës dhe Policia e Kosovës kanë dalë me një komunikatë të përbashkët, ku kanë njoftuar se janë arrestuar gjashtë persona të tjerë, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në rastin e qershorit, ku 11-vjeçarja që u dhunua të shtunën(27.08.2022), ishte raportuar si person i zhdukur.
Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale “Trafikimi me njerëz”, ”Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Dhunimi”.
Në cilësi të provave materiale, Prokuroria ka thënë se janë konfiskuar shtatë telefona mobil.
“Gjashtë personat e dyshuar (madhor), dyshohet se janë përfshirë në veprimtari penale, gjegjësisht si të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi me njerëz”, ”Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Dhunimi’”, si dhe, në bazë të provave dhe dëshmive të siguruara deri më tani nga hetimet e zhvilluara, dyshohet se janë të përfshirë në rastin e qershorit, ku e mitura ishte raportuar si person i zhdukur”, thuhet në komunikatë.
Këto dy institucione thonë se për të dy çështjet penale, ku e përfshirë është viktima e mitur, kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me profesionalizëm e përgjegjësi dhe po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore tutje.
Ndryshe, 11-vjeçarja dyshohet se është dhunuar të shtunën e kaluar nga pesë persona, të cilët ndodhen në paraburgim.
Sipas dosjes së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, të cilën e posedon Gazeta Express, dhunimi ka nisur të shtunën në parkun në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, për të vazhduar në një lokacion tjetër të panjohur.
Aty përshkruhen detaje tronditëse për rastin.
Sipas prokurorisë, i pandehuri E.R, 26-vjeç, ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e të dëmtuarës, “në atë mënyrë që të pandehurin fillimisht e kishte thirrur në telefon vëllai i tij, i mitur., pastaj i pandehuri ka shkuar me “Pickup” tek parku në lagjen “Arbëria” në Prishtinë dhe e ka marrë me veturë vëllain e tij dhe të dyshuarit Xh.S., dhe G.J., të cilët ndodhen në arrati dhe të dëmtuarën. Pastaj rrugës tek varrezat kanë zbritur i mituri dhe, dhe Zh.S., ndërsa i pandehuri së bashku me G.J,.dhe të dëmtuarën janë larguar me veturë, ashtu që pas pak E.R., ka ndaluar veturën në një vend të panjohur dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën. Edhe pse e ka ditë që e dëmtuara është nën 14-vjeç”, përshkruhet në kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj tij.
Aty shkruan se nga deklarata e të miturës dhënë në polici me datën 28.08.2022 rezulton se “përderisa e mitura ka qenë në park, i janë afruar tre persona, ku kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë, ku e dëmtuara ka vazhduar të ecë por më pas njëri ka filluar edhe ta prekte”.
“Më pas të njëjtit, sipas viktimës, kanë vazhduar që ta ndiqnin dhe njëri nga ta e ka tërhequr me një qosh dhe të dy kanë filluar t’ia heqnin rrobat. Personi me maicë të bardhë ia ka kapur duart ndërsa perosni tjetër ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj. Kur e dëmtuara ka filluar të bërtasë ata ia kanë mbyllur gojën dhe marrëdhënia ka ndodhur në këmbë. E dëmtuara ka deklaruar që pasi ka përfunduar njëri marrëdhënien e ka filluar tjetri” thuhet në përshkrimin e rastit që ka bërë prokuroria. Më pas sipas saj, ka ardhë një automjet “pickup” ku dy persona janë ulur mbrapa dhe viktima përpara.
Ajo ka deklaruar se edhe shoferi i veturës ka kryer marrëdhënie me të.
Komunikata e plotë:
Prishtinë, 3 shtator 2022 – Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti për të Mitur, ju njofton se në koordinim me Policinë e Kosovës, konkretisht Sektorin Qendror të Hetimeve-Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në vazhdën e hetimeve, pas sigurimit të ekzaminimeve dhe analizimit të provave, si dhe, intervistimit të dëshmitarëve, më 02.09.2022, fillimisht ka arrestuar gjashtë (6) persona të dyshuar, të cilët me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe për të njëjtit do të ndërmerren veprimet e mëtejme procedurale ligjore.
Gjashtë personat e dyshuar (madhor), dyshohet se janë përfshirë në veprimtari penale, gjegjësisht si të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi me njerëz”, ”Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Dhunimi’”, si dhe, në bazë të provave dhe dëshmive të siguruara deri më tani nga hetimet e zhvilluara, dyshohet se janë të përfshirë në rastin e qershorit, ku e mitura ishte raportuar si person i zhdukur.
Sigurojmë opinionin publik se për të dy çështjet penale ku e përfshirë është viktima e mitur, prokuroria në koordinim me institucionet e tjera relevante ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me profesionalizëm e përgjegjësi dhe po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore tutje.
Po ashtu, në cilësi të provave materiale janë konfiskuar shtatë telefona mobil që do të shërbejnë në procedurë penale. / KultPlus.com
mbrëmë ra shi trupin ta përshkuan, pikat e tij nga këmba në gjoks deri tek koka të arrinë të paktën dy pika ta shijuan njerëzinë. mbrëmë ra shi e me shiun ike dhe ti në furinë e stuhishme, amshimi t’u bë shtëpi. dy pika nga lart bien të tretën e hedh ti as lot, as vaj, vetëm buzë që ngrijnë pse ike nuk pyes pse s’qëndrove mbaj mëri. marri, ç’ndjenjë e hipokrizi në mesin e turmës më e mira ti, një rrebesh që s’kryhet e tmerrshme kjo stuhi, në shiun që ra dje amshimin e bëre shtëpi. sot doli dielli, një ditë e re nisi pak përmbi re, fytyrë jotja qeshi bota s’të pranoi, paqen tënde s’e deshi! në zjarrminë e saj, gjithçka mbetet njësoj secili soj në trajtë të njëjtë jeton e fryma që ndryshe u morr me shiun dje shkoi. mbrëmë ra shi mbi trupin tënd, dy pikat e tij mbi pika shiu, lot i ç’njerëzisë ata që të shanë, të shkruajnë poezi marri, ç’ndjenjë e hipokrizi në mesin e turmës më e mira ti, një rrebesh që s’kryhet e tmerrshme kjo stuhi, në shiun që ra dje amshimin e bëre shtëpi. e sot? rilinde mbinjeri. / KultPlus.com
Pas ditëlindjes së 50-të, Leo Tolstoy vendosi të distancohej nga të gjithë dhe të provonte të gjente kuptimin e jetës.
Shkrimtari që solli në jetë personazhet e ndryshme artistike, dikur e humbi veten.
Në moshën 63 vjeçare, në një letër dërguar një miku, Tolstoy e përmblodhi një listë të librave që sipas tij janë mundësi e mirë për njeriun të jetë i lumtur, duke lexuar, shkruan KultPlus.
Mosha 0-14
Tales from The Thousand and One Nights: The 40 Thieves,
Seriali i shumëpritur “The Rings of Power” ka marrë kritika pozitive nga kritikët e serialeve televizive. Shumë prej tyre vlerësojnë subjektin e tij, pamjen vizuele dhe kinematografinë.
Seriali “The Rings of Power” bazohet nga pjesë shtesë të romanit të J.R.R. Tolkien, të titulluar “The Lord of the Rings”. Ngjarjet në të ndodhin mijëra vite para atyre në serialet e romanet “The Hobbit” dhe “The Lord of the Rings”.
Ato zbulojnë tregimin që qëndron pas krijimit të unazave të pushtetit.
Kritikët mendojnë se ajo që kanë krijuar prodhuesit e këtij seriali, J.D Payne e Patrick McKay është madhështore.
Sipas tyre, atij nuk i mungon asgjë nga një kryevepër.
Në të u përfshinë një numër i madh aktorësh nga vende të ndryshme të botës.
Seriali “The Lord of the Rings: The Rings of Power” u zhvillua për shërbimin Prime Video./21Media/ KultPlus.com
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden po i kërkon Kongresit të sigurojë 11.7 miliardë dollarë për Ukrainën pasi ndihma e SHBA për vendin e shkatërruar nga lufta po mbaron.
Kërkesa, e cila vjen derisa ligjvënësit po përgatiten të kthehen në Uashington, është pjesë e një pakete më të madhe shpenzimesh urgjente prej 47.1 miliardë dollarësh që Shtëpia e Bardhë po propozon të paguajë për përgjigjen ndaj COVID-19, shpërthimin e lisë së majmunëve dhe ndihmën për fatkeqësitë e fundit natyrore në Kentaki dhe shtetet e tjera.
Paratë për Ukrainën do të jenë mbi 40 miliardë dollarë që u miratuan në fillim të këtij viti.
Zyrtarët e administratës thanë se afërsisht tre të katërtat e asaj mbështetje ushtarake dhe buxhetore janë shpërndarë.
Miliardat e reja do të përfshijnë para për pajisje, mbështetje të inteligjencës dhe mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore për Ukrainën.
Ky financim gjithashtu do të përfshijë 1.5 miliardë dollarë për uranium për të ushqyer reaktorët bërthamorë të SHBA-së, pasi furnizimi rus potencialisht mund të ulet.
Luftime të ashpra po vazhdojnë në jug të Ukrainës, përfshirë edhe granatime në qarkun Enerhodar, afër centralit të pushtuar bërthamor të Zaporizhjas.
Zaporizhja, që ka rënë nën kontrollin rus pak ditë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës, është centrali më i madh bërthamor në Evropë.
Më 1 shtator, zyrtarët ukrainas raportuan për “sulme të vazhdueshme me mortaja” nga rusët. Zyrtarët lokalë në Zaporizhja thanë po ashtu se trupat ruse kanë granatuar rrugën nëpër të cilën kanë kaluar inspektorët e Kombeve të Bashkuara./REL/ KultPlus.com
Në librin e autorit dhe kryemurgut francez, Pierre Bauron, me titullin « Les Rives Illyriennes – Brigjet Ilire », botuar në Paris në vitin 1888, gjejmë,në faqen e tij të 350, një këngë të rrallë luftarake ilire.
Kënga vë në dukje trimërinë e paraardhësve tanë, dashurinë për atdheun dhe në një farë mënyre dëshmon se kemi qenë gjithnjë një popull paqësor me fqinjët, se u jemi përgjigjur si kurdoherë sulmeve, por kurrë nuk kemi sulmuar të parët.
Ja kënga në vijim:
Vëllezër, përpara, përpara, luftëtarë, Këmbësoria e djem mbi kuajt tuaj të fortë ! Të mprehim kosat, të mprehim shpatat ! Të shporrim armikun nga këto toka ! Që secili prej nesh t’i këndojë një këngë Atdheut të heronjve !
Me kosë të vrasim këtë grabitës, Mjaft arrogant për të sunduar racën e shtëpitë tona ! Oh ! Le të rrëzohen duke u çarë prej qindra rrufeshë Këta të pabesë që shkelin të drejtat tona ! Që secili…(Refren)
Nëse bisha çel kthetrat e saj, Iliri me grusht e shtrin për tokë ; Nëse gjarpëri krenar e ngren kokën ndaj tij, Iliri, këmbëzbathur, e shkel. Që secili…(Refren)
Kur era e veriut, e tërbuar, Copëton lisin e vjetër, Zemra shtendoset në gjoksin tonë ! Ne jemi Ilirët, vëllezër të dashur ! Që secili…(Refren)
Kur dridhen skajet e botës, Kur shkëndijat e rrufesë vallëzojnë në qiell, Dhe kur toka hap barkun e saj, Iliri i lumtur këndon këngën e luftës. Që secili…(Refren)
Iliri, të huajin e sulmon me thikë, Vetëm kur duhet të mbrojë vëllain e tij ! Kurrë frika nuk ia ul kokën, Dhe sikur bota të copëtohet, ai mbetet gjakftohtë ! Që secili prej nesh t’i këndojë një këngë
Hapet në Las Vegas ekspozita që feston jetën e Princeshës Diana, vetëm disa ditë pas 25-vjetorit të vdekjes së saj në një aksident automobilistik në Paris. “Princess Diana: A Tribute Exhibition”, përmban mbi 700 artifakte origjinale, duke përfshirë fustane mbrëmjeje të stilistëve më në zë, letra dhe sende personale në hapësirën prej 10,000 metrash katrorë.
Ajo përmban gjithashtu një kopje të fustanit të dasmës të veshur nga Diana, krijuar nga artistja belge Isabelle de Borchgrave. Pjesëmarrësit mund të ecin mbi trenin 25 metra të gjatë, i cili është vendosur nën xham.
David Corelli, kuratori dhe producenti i ekspozitës, tha se dhoma i frymëzoi ata t’u ofronin miqve pako për t’u martuar në zonën e dasmës së ekspozitës.
“Vegasi është kryeqyteti i dasmave në botë. Ka 120,000 dasma që ndodhin në qytet çdo vit, kështu që këtu ne kemi këtë dhomë të mahnitshme që feston dasmën më të famshme të të gjitha kohërave me objekte të pabesueshme që ju rrethojnë”.
Historia e Dianës tregohet përmes modës, punës bamirëse dhe korrespondencës.
“Ne ecim përmes miqësisë së vorbullës së Charles dhe Dianës dhe në dasmën e tyre dhe më pas gjurmojmë rrugëtimin e saj për t’u bërë nënë shumë shpejt në moshën 21-vjeçare me Ëilliam dhe Harry, kështu që ju merrni atë lloj ideje shumë të shpejtë kronologjike”.
Një pjesë e të ardhurave nga ekspozita do të shkojnë për bamirësi. Do të ketë të tjera ekspozita në vijimësi. Corelli tha se ata kanë shumë objekte të tjera që ata do të paraqiten gjatë viteve të ardhshme./KultPlus.com
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe të gjitha Strehimoret e Kosovës reagojnë ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe Këshilli Prokurorial të Kosovës (KPK) ndaj deklaratës së tyre të fundit.
“Që nga themelimi i tyre dhe deri tani organizatat joqeveritare dhe strehimoret kanë qenë gjithmonë aty për të gjitha viktimat e dhunës në baza gjinore, edhe në rastet kur policët, prokurorët dhe gjyqtarët kanë shkelur ligjin dhe nuk iu kanë dalë në ndihmë viktimave të dhunës në baza gjinore”, thuhet në reagimin e RrGK’së dhe Strehimoret.
Sipas këtyre organizatave, gjuha e përdorur e KGJK-së dhe KPK-së si “në mëshirën e OJQ-ve”, ul rëndësinë dhe përçmon punën që OJQ-të kanë bërë deri tani qoftë me këshillim, përfaqësim, monitorim dhe strehim të viktimave të dhunës me bazë gjinore.
“Viktimat e dhunës në baza gjinore nuk ndjehen të sigurta dhe nuk gjejnë përkrahje e ndihmë në institucionet e Kosovës sepse deri tani institucionet tona kanë dëshmuar se si dështojnë të mbrojnë ato.
Rasti i fundit na tregon edhe njëherë dështimin e institucioneve në mbrojtje dhe sjellje të drejtësisë për gratë. Prandaj, viktimat e dhunës në baza gjinore gjejnë dhe kanë gjithmonë përkrahjen e organizatave joqeveritare”.
Sipas tyre, institucionet e drejtësisë duhet te bashkëpunojnë me organizata joqeveritare pasi që janë këto të fundit të cilat janë gjatë gjithë kohës në terren, takohen me viktima të dhunës në baza gjinore çdo ditë, njohin nevojat e tyre, kane ekspertizë gjinore edhe ndjeshmëri gjinore, të nevojshme për trajtimin e rasteve sipas kërkesave te Konventës se Stambollit dhe njohin shkeljet e gjyqtarëve dhe prokurorëve në çdo rast që kanë trajtuar deri tani.
“Strehimoret, po ashtu kane përvojë të gjatë në njohjen dhe evidentimin e neglizhencës institucionale, sidomos nga ana e gjyqtarëve, prokurorëve, dhe policisë, si pasojë e të cilës puna e tyre dhe siguria e tyre rrezikohet përditë”.
Prandaj, RrGK thërret në koordinim dhe bashkëpunim ndër-institucional, në sigurimin e trajtimit të drejtë të viktimave të dhunës në baza gjinore.
“RrGK do të vazhdojë punën në këshillim ligjor, përfaqësim dhe monitorim në gjykata për të gjitha rastet e dhunës në baza gjinore”./ KultPlus.com
Në Muzeun Kombëtar të Kosovës, sot u diskutua për jetën dhe veprën e Nënë Terezës.
Panelistët, prof. dr. Jahja Drançolli, Don Lush Gjergji dhe Gëzim Alpion folën për formimin e identitetit të saj që kishte elemente të thella kombëtare shqiptare, familjare dhe fetare shpirtërore.
Profesor Alpion theksoi se shembullin e Nënës Terezës nuk duhet vetëm ta përcjellim me fjalë, por duhemi ta jetësojmë duke vepruar në të njejtën mënyrë si ajo, duke ndihmuar personat në nevojë.
Profesori Drançolli foli rreth studimeve të tij për familjen Bojaxhiu, specifikisht për babain e Gonxhe Bojaxhiut, Nikollës. Ai theksoi se familja e Nënës Terezë ka qenë themeli nga ku ajo ka marrë shembujt e parë si duhet ndihmuar të tjerët, bazuar në aktivitetet që i ka zhvilluar babai i saj.
Diskutimi mbi studimin e thellë që Imzot Don Lush Gjergji i ka bërë figurës së Nënës Terezë gjatë jetës së tij duke publikuar 17 libra për të, u fokusua shumë rreth spiritualitetit të saj. Fokus i dha sakrificës së jetës në shërbim të personave në varfëri, sëmundje, të pastrehëve, dhe asaj që përkundër sulmeve nga komunitetet e ndryshme në Indi, kurrë nuk ndaloi së ndihmuari personat në nevojë.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin këshilltari i Presidentes Osmani, Vehbi Miftari, këshilltarja e ministrit Çeku, Rozafa Imami, kryeshefi i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj, drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, ud-drejtori i Galerisë Kombëtare, Naim Spahiu, zyrtarë të MKRS-së, studiues, profesorë dhe qytetarë./ KultPlus.com
“Logos Hope”, libraria më e madhe lundruese në botë, ka mbërritur dje në brigjet shqiptare, në portin e Vlorës.
Kryeministri Edi Rama ndau momente nga ankorimi i “Logos Hope” në portin e Vlorës, ku do të qëndrojë gjatë gjithë muajit shtator.
Rama tha se libraria më e madhe lundruese në botë “Logos Hope” që udhëton prej viteve ’70, e ka pritur e përcjellë rreth 46 milionë vizitorë, ka prekur edhe brigjet tona duke u ndalur në Portin e Vlorës.
Kryeministri u shpreh se anija do të qëndrojë gjatë gjithë muajit shtator me plot 5000 tituj librash.
Në anije shërbejnë 300 persona vullnetarë.
Pas Vlorës, libraria lundruese planifikon të ankorohet edhe në portin e Durrësit, duke i dhënë mundësinë më shumë libradashësve të ngjiten në bordin e saj./ atsh/ KultPlus.com
Data 2 shtator 1945 konsiderohet si fundi i Luftës së Dytë Botërore pas dorëzimit të trupave japoneze më 15 gusht të po atij viti.
Në këtë ditë, gjenerali i Ushtrisë amerikane, Douglas MacArthur, kryesoi një ceremoni me rastin e dorëzimit të Japonisë, me çka iu dha fund Luftës së Dytë Botërore.
Ceremonia e shkurtër u zhvillua në Gjirin e Tokios, në luftanijen Missouri të komandantit të Flotës së SHBA-së për Paqësorin.
Duke iu drejtuar përfaqësuesve të aleatëve të mbledhur në anije, gjenerali MacArthur tha se sikurse mbarë njerëzimi, ai shpresonte që pas kësaj ngjarjeje kaq të rëndësishme, një botë më e mirë do të dilte nga gjaku dhe tmerret e së kaluarës; një botë që do t’i përkushtohej dinjitetit të njeriut dhe plotësimit të dëshirave më të shtrenjta të njerëzimit, lirisë, tolerancës dhe drejtësisë.
Lufta e Dytë Botërore (1939-1945) ka qenë njëra ndër luftërat më të përgjakshme gjatë historisë së njerëzimit. Fillimi i saj është i lidhur me hesape të paqëruara mes shteteve të fuqishme nga Lufta e Parë Botërore./ KultPlus.com
Mirlind Gashi, student i Filozofisë në Universitetin Ludwig Maximilians Universität në Munih të Gjermanisë, i lindur dhe i rritur në një familje refugjatësh kosovarë, doli me librin e tij të parë në gjuhën gjermane “Hijet e siluetës sonë” (Die Schatten unserer Silhouette), i cilësuar si një prozë ku filozofia dhe letërsia janë sinkronizuar duke artikuluar qartë e me mjeshtri frymën e ekzistencializmit.
Edhe vetë titulli, me shumë konotacione filozofike “Hijet e siluetës sonë” (Die Schatten unserer Silhouette) provon të shkojë përtej kontekstit social, një figurë trefishe e njeriut të kohës që lufton dinamikën e shekullit të ri. Afiniteti i Gashit, rezulton në një narracion kompleks, ku jeta e njeriut vrojtohet nga shumë dimensione, që përbenda ka luftën për ta ruajtur idenititetin jetësor në një qytet të madh që përfaqëson kulturalizmin global.
Gashi shkruan rrjedhshëm dhe ‘ftohshëm’ , si një Kafkë i ri apo Kamy i pjekur, që kërkon e gjurmon në retrospektivë, perspektivë dhe prospektivë.
Libri “Hijet e siluetës sonë”, është i strukturuar në 14 tregime të shkurtra, të cilat trajtojnë thellësisht jetën, identitetin dhe ndjenjat e njerëzve në këtë botë, të cilët shihet tamam si qenie sociale. Sipas, tij, libri në fjalë, paraqet, para së gjithash, “dualiteti i ekzistencës sonë, në të cilin jemi të gjithë vëzhgues, por edhe të vëzhguar. Ne tregohemi e shihemi në pozicione dhe këndvështrime të ndryshme. Thënë figurativisht, ky libër është një udhëtim me slitë përgjatë jetës, që e bën pasagjerin të mendojë dhe të reagojë varësisht prej situatave në të cilat ndodhet”.
Vetë titujt e tregimeve herë denotativë, herë konotativë kanë artikulim semantik e semiotik, si: Shoqëria jonë, Engjëlli i rënë, Një mizë, Qyteti i madh, Banori (1) , Banori (2), Re e shiut, Pa emër, Lulja e pavdekësisë, Fari, Insekti, Hijet tona, Drita jonë dhe Shoqëria jonë.
Tregimet në fjalë shtjellojnë luftën e individit në një shoqëri të qytetit të madh, e cila sipas mesazhit a mesazheve mund të kapërcehet nëse iu bën ballë metamorfozave të kohës, por me vizione të qarta.
Në faqen e parafundit të librit “Die Schatten unserer Silhouette” për lexuesit gjermanë, si epitekst, vjen ky shënim autobiografik: “Mirlind është emër që prindërit e mi kosovarë-shqiptarë ma kanë vënë kur kam lindur më 2002, në Rosenheim. Pse ky emër? Mirlind përbëhet nga fjalët shqipe “mirë” dhe “lindja” së bashku, që përkthehet në “lindje të mbarë”. Pra, ekziston shpresa dhe malli i dy refugjatëve të luftës në emrin tim njëkohësisht. Por kush jam unë saktësisht? Shpresa e atyre që e kanë humbur atë, ndaj si autor dua që me tekstet e mia, me romanet e mia, me poezinë time, të arrij te njerëzit dhe t’u jap atyre mbështetje.”
Libri “Hijet e siluetës sonë” i Mirlind Gashit, është pritur mirë dhe me interes nga studentët dhe profesorët e universitetit ku ai po i ndjek studimet./ KultPlus.com
113 vite më parë, nga data 2-9 shtator 1909, në qytetin e Elbasanit u zhvillua një ngjarje e shënuar në historinë e arsimit, shkollës e kulturës shqiptare, që në histori njihet si “Kongresi i Elbasanit” apo “Kongresi i shkollave shqipe”, ku morën pjesë 35 përfaqësues nga 28 klube e shoqëri patriotike, brenda e jashtë territorit shqiptar, shkruan KultPlus.
Kongresi i Elbasanit hapi rrugën e shkollimit laik në trevat shqiptare, shtroi detyrën e përgatitjes së kuadrove arsimore, bëri organizimin e shkollave dhe sigurimin e fondeve për mbajtjen e tyre, caktoi rregullat e drejtimit të shkollës dhe bashkoi shqiptarët pa dallim besimi e krahine.
Në këtë Kongres u hodhën bazat e arsimit kombëtar shqiptar për dituri e kulturë. Gjithashtu u punua për një shqipe të shkruar e të njësuar dhe për herë të parë në të u hodh ideja e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, ideja për bashkimin e dy dialekteve me zgjedhjen e dialektit të Elbasanit si model të shqipes së shkruar.
Kongresi u thirr me nismën e klubit shqiptar të Selanikut.
Kongresi vendosi të themelohej në Elbasan, në vjeshtën e 1909-ës, një shkollë e mesme pedagogjike (Normale) shqipe me gjashtë klasa, që do të përgatiste mësues për shkollat fillore shqipe dhe do të mbahej me kontributin e të gjitha klubeve dhe shoqërive shqiptare.
Mësuesit e parë të normales do të pushtonin të gjitha trojet shqiptare, që nga zonat e thella malore, Kosova, Çamëria apo në çdo cep ku duhej përhapur gjuha amtare, pa të cilën një komb është i destinuar të zhduket. Normalja e Elbasanit mban titullin e lartë “Nderi i Kombit” akorduar nga Presidenti i Republikës.
Vendimet e Kongresit të Elbasanit i dhanë një hov të mëtejshëm Lëvizjes Kombëtare e në mënyrë të veçantë luftës për përhapjen e shkollave dhe te shkrimit shqip. / KultPlus.com
Në datat 2 dhe 3 shtator zhvillohet festa, tashmë e përvitshme, e “Divanit Lunxhiot”.
“Ndërkohë që Gjirokastra vijon të jetë plot me turistë nga e gjithë bota, “Divani Lunxhot” në Dhoksat, më 2 dhe 3 shtator, është një mundësi më shumë për ata që duan fshatin”, shprehet në rrjetet sociale kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, i cili fton vendas e të huaj të shkojnë në Lunxhëri, për të shijuar festën popullore.
Në këtë event të gëzueshëm, do të ketë organizime artistike me këngë e valle tradicionale, panair me prodhime tipike, duke shijuar njëkohësisht edhe natyrën e mrekullueshme të Lunxhërisë.
Ky event organizohet nga Bashkia Gjirokastër në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Këshillin e Qarkut. “Divani Lunxhiot” shënon vitin e 8-të të organizimit të tij. Artistët popullorë nga të gjitha zonat e vendit do të performojnë në skenën e këtij festivali, duke prezantuar vlerat më cilësore të folklorit dhe etnografisë. Natën e parë eventi zhvillohet në Dhoksat, ndërsa nata e dytë në Pazarin karakteristik./ KultPlus.com
Producentja dhe aktorja, Ftesa Hazrolli, ka arritur që të realizojë filmin e saj të parë të metrazhit të gjatë në Turqi, shkruan KultPlus.
Filmi “Lütfen Cevap Veriniz”, të shfaqet si premierë botërore në “Antalya Golden Orange Film Festival”, në garën kryesore apo main competition, pra, në edicionin e 59-të të këtij edicioni.
Festivali do të mbahet nga datat 1 deri në 8 tetor.
Ajo ka lindur në Prizren në vitin 1997, nga prindër shqiptarë të Kosovës. Ajo ka tre vjet që studion në Gjimnazin Loyola dhe më pas ka ndjekur Akademinë e Arteve në, aktrim dhe dramë në Prishtinë për katër vjet. Ajo luajti në shumë filma të shkurtër dhe shfaqje teatrale, ndërsa Hazrolli vazhdoi studimet master për regji dhe produksion në Stamboll, tani është duke bërë karrierën e saj në Stamboll, Turqi. Ajo krijoi kompaninë e saj të prodhimit të filmit të quajtur “Film Station”. Film Station është kompani e prodhimit dhe distribucionit të filmit nga Kosova me seli në Stamboll. Filmi i saj i parë me metrazh të gjatë është: Titulli origjinal / anglisht: LCV (Lütfen Cevap Veriniz) / RSVP
Logline i filmit:
Një orë para ceremonisë së dasmës së tyre në një hotel prestigjioz, Ceren dhe Semih fillojnë të dyshojnë në veten e tyre kur burri më i mirë Mert fillon të zbulojë sekrete nga e kaluara.
Synopsisi i filmit:
SYNOPSIS
Semih dhe Ceren janë gati të martohen. Një orë para fillimit të ceremonisë, ne gjejmë Semih dhe Mert (njeriu më i mirë) në dhomën e hotelit, ku Semih bën përgatitjet e tij të fundit. Mert është shoku më i mirë i Semih. Ata u njohën për herë të parë gjatë Work & Travel, ku miqësia e tyre u forcua. Megjithatë, në ditën e tij të rëndësishme, Mert sillet i shqetësuar, duke pyetur Semih nëse ka bërë zgjedhjen e duhur. Pikërisht në atë moment Ceren nxiton në dhomë, e tërbuar nga gjithë zhurma që vjen me dasmën. Vizita e Ceren e shtyn Mertin të jetë më provokues dhe gradualisht ai fillon të marrë në pyetje çiftin për besnikëri. Kjo pyetje krijon një atmosferë të tensionuar mes të treve, duke zbuluar shpejt marrëdhënien e fshehtë mes Semih dhe Mert. Ceren, e habitur duke dëgjuar këtë, mendon të anulojë dasmën – diçka që Mert e ka dëshiruar fshehurazi. Megjithatë, ky nuk është një vendim i lehtë, duke lënë që të tre të diskutojnë gjatë orës së ardhshme me diskutime bëhen më të ndezura pasi mësojmë se edhe Ceren e ka tradhtuar Semihun dhe se tani ajo është shtatzënë edhe pse pretendon se babai është Semih. Pavarësisht të gjitha sekreteve dhe gënjeshtrave, Semih dhe Ceren vendosin të ruajnë imazhin e çiftit të lumtur dhe dalin nga dhoma të kapur për dore për t’u martuar, duke lënë Mertin vetëm pas.
Ekipi i filmi:
Aktorët: Ushan Çakır, Melisa Şenolsun, Cem Yiğit Üzümoğlu. (ata janë kaq të famshëm në Turqi dhe Platforma Netflix) Regjisori: İsmet Kurtuluş & Kaan Arıcı Skenari: Erdi Işık Producent: Feri Baycu Güler, Ftesa Hazrolli. /KultPlus.com
Kam zbritë tu’ ta mbajtë dorën, t’paktën një milion shkallë Dhe tash që s’je ma, boshllëku asht në çdo hap. Gjithsesi i shkurtë ka qenë udhëtimi ynë i gjatë. I imi ende vazhdon, s’ka ma nevojë për rastësitë, rezervimet, kurthet, përbuzjet e atij që beson se realiteti asht ai që shikon. Kam zbritë miliona shkallë tu’ ta mbajtë dorën Jo veç pse me katër sy ndoshta shihet ma mirë. Me ty i kam zbritë sepse e dija që nga ne të dy T’vetmit sy të vërtetë, edhe pse kaq të turbullt, ishin të tutë. Përktheu Orjela Stafasanii./ KultPlus.com
Me sloganin “Ca kokrra rrushi”, këtë vit mbahet edicioni i 20 i festës së vjeljes së rrushit-Hardh Fest, që do të nis sot dhe do të zgjasë deri më datën 4 shtator, n’Konak të Rahovecit (tek shtëpia e verës).
Në mesin e shumë aktiviteteve, në ditëqn e parë të këtij festivali u mbajt edhe Gara e Vjeljes së Rrushit.
“Gara e Vjeljes së Rrushit është aktiviteti tjetër ditor në Hardh Fest .Vreshtarët garojnë, disa prej tyre fitojnë, por të gjithë dëfrehen e festojnë”, thuhet në njoftimine Hardh Fest./ KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar sërish pas rastit që ndodhi pak ditë më parë kur një vajzë 11-vjeçare u dhunua për shtatë orë nga 5 persona, përcjell KultPlus.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti njoftoi se në lidhje me këtë rast në Policinë e Kosovës janë marrë masa e veprime pasi janë shkarkuar zyrtarë të lartë: Drejtori i Policisë Rajonale në Prishtinë dhe Drejtori për Operativë në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës kurse Drejtori i Përgjithshëm ka ofruar dorëheqje.
Më poshtë gjeni postimin e plotë:
Nuk mjaftojnë dy dorëheqje
Organet e rendit arritën t’i arrestojnë personat e dyshuar për dhunimin e vajzës 11 vjeçare.
Në Policinë e Kosovës janë marrë masa e veprime. Janë shkarkuar zyrtarë të lartë: Drejtori i Policisë Rajonale në Prishtinë dhe Drejtori për Operativë në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës. E Drejtori i Përgjithshëm ka ofruar dorëheqje.
Policia e Kosovës është duke operacionalizuar Policimin në Bashkësi. Do të fillojnë shumë shpejt në lagjet e kryeqytetit, për t’u shtrirë më pas në komunat tjera të Republikës. Kontaktet e afërta të Policisë me qytetarin shtojnë parandalimin e krimeve si dhe ngrisin cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimeve.
Në Shërbimin Korrektues të Kosovës ka dhënë dorëheqje Drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, si akt moral, pasi që njëri nga të dyshuarit për dhunim ka qenë në mbajtje të dënimit në institucione korrektuese për disa vepra penale.
Por, ku është morali i gjyqtarëve e prokurorëve?
Aktakuza jo të fuqishme të prokurorëve mundësojnë që dhunuesit shpesh të mos ndëshkohen. Gjykatat nuk i gjykojnë rastet e dhunimeve në përputhje me ligjet në fuqi, që parashohin dënime prej më së paku 10 vitesh për dhunë seksuale ndaj personit nën moshën 14 vjeç.
Mijëra qytetarë, të mërkurën, kërkuan shkarkim të gjykatësve që kanë dhënë dënime nën minimalen e lejuar me ligj për rastet e dhunës seksuale, dhe shkarkim të prokurorëve për neglizhencë ndaj këtyre rasteve.
Po atë ditë, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, takoi kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kryetarin e Gjykatës Supreme dhe u.d. Kryeprokurorin e Shtetit. U theksua si e domosdoshme llogaridhënia në sistemin prokurorial e gjyqësor.
Sot është dita e tretë, ndërsa KGjK e KPK janë ende në heshtje. Asnjë fjalë lidhur me veprimet që do të ndërmarrin.
Është bërë kohë e gjatë me drejtësi selektive e të pabarabartë, barra e rëndë e së cilës bie mbi supet e viktimave, kryesisht gra dhe vajza. Mosndëshkueshmëria ndaj dhunuesve, e edhe ndaj atyre që po i sjellin këto vendime, është e papranueshme.
Shoqëria dhe shteti ynë, nuk mund të bartin koston e mospunës dhe papërgjegjësisë së prokurorëve e gjyqtarëve./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron këto ditë në Pragë.
Me fillim të vizitës së saj, Osmani nderoi kujtimin për politikanin, prijësin, humanistin dhe simbolin e lirisë, Václav Havel.
KultPlus ua sjell postimin e plotë:
Me popullin çek na lidhë simbolika e lirisë, të cilën si rrallëherë në histori, e kultivuan presidentët Ibrahim Rugova dhe Václav Havel. Në ditët më të vështira të historisë sonë, kur regjimi gjenocidal serb kryente masakra ndaj popullit të Kosovës, Haveli me shpirt prej humanisti, e tha troç: Edhe unë jam shqiptar!
Prandaj, në fillim të vizitës sime në Pragë, nderova kujtimin për politikanin, prijësin, humanistin dhe simbolin e lirisë, Václav Havel. Liderët si Haveli meritojnë kujtimin e përhershëm, sepse nuk i takojnë vetëm një kombi!
Kosova në Çeki kishte e ka edhe shumë miq të tjerë. Nuk do të harrojmë asnjëherë kontributin e ish-ministrit të Jashtëm të Republikës Çeke, z. Karel Schëarzenberg që nga vitet e tetëdhjeta kur ngriti zërin ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut në Kosovë e deri tek angazhimi i pashoq i tij për njohjen e Kosovës nga Çekia.
Prandaj, i dorëzova këtij miku të madh të Kosovës Medaljen Presidenciale të Meritave, si shenjë falenderimi nga populli i Kosovës për mbështetjen e pa kursyer që na dha për lirinë e pavarësinë tonë./ KultPlus.com
Festivali i Rrushit “Hardh Fest” është hapur sot, përcjell KultPlus.
Rrushi, vera, rakia e në përgjithësi gastronomia janë kultura që e kanë bërë të njohur Rahovecin në Kosovë e përtej saj
Në Hardh Fest tashmë është hapur panairi në mbështetje të prodhuesve vendorë të rrushit dhe produkteve të tij.
Me sloganin “Ca kokrra rrushi”, këtë vit po mbahet edicioni i 20 i festës së vjeljes së rrushit-Hardh Fest, që do të zgjasë deri më datën 4 shtator, n’Konak të Rahovecit (tek shtëpia e verës).
E veçanta e këtij edicioni është pjesëmarrja e legjendës së muzikës rock, Kip Winger, ish anëtar i grupit Alice Cooper dhe lider i grupit Winger, i nominuar për Grammy Award në kategorinë “Best Contemporary Classical Composition”, i cili performon më 3 shtator. / KultPlus.com
Sot bëhen 64 vjet nga lindja e shkrimtarit dhe publicistit, Teodor Keko, shkruan KultPlus.
Teodor Keko ka qenë shkrimtar dhe publicist shqiptar. U lind në Tiranë, i biri i regjisorëve të kinematografisë Endri dhe Xhanfize Keko.
Ndoqi studimet e larta në Universitetin e Tiranës në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Në fillimet e tij punoi si gazetar në gazetën letrare “Drita”, dhe në gazetën e përditshme “Koha jonë”, më vonë ka punuar në gazetën “Aleanca” si redaktor.
Për një periudhë kohe ka qenë pjestar i Parlamentit shqiptar. Teodor Keko i filloi publikimet e tij në vitin 1980 dhe është autor i 15 volumeve në zhanre të ndryshme si, poezi, dramë, novelë si dhe tregimeve të shkrutra.