Gjithmonë e kam urrejtë politikën

Poezi nga Fitim Majkovci

gjithmonë e kam urrejtë politikën,

politika i ndanë njerëzit,
në të mirë, në të keq, në asnjanës,
politikë ka dhe në dashuni.
politika luftë bindjesh,
të majta dhe të djathta,
si faqet tua, unë? dyjat i dua,
por ti, më detyron të zgjedhë.
politikë ka në dashuni,
t’i shkosh deri në fund bindjes,
apo të dëgjosh tjerët, tek thonë “tërhiqu”,
por, ç’tërheqje, unë pa ty thyhem,
qeveria ime rrëzohet, zonjë.
në shkallën më të lartë qëndron,
në karrigen e nxehtë që nxitë luftna’,
unë të dua, por, politika, ajo na ndanë.
unë s’di të bëjë politikë,
jam krah i joti – edhe po më ike,
e në mbetsh’ veç mike?!
epo, çështje politike.
unë politikan s’jam,
dhe në luftën për karrige,
s’ndërroj bindje, ti mbetesh qeveria ime,
por ama dije, unë e urrej politikën./ KultPlus.com

‘Mbrëmë ra shi, trupin ta përshkuan, pikat e tij’

Poezi nga Fitim Majkovci

mbrëmë ra shi
trupin ta përshkuan, pikat e tij
nga këmba në gjoks
deri tek koka të arrinë
të paktën dy pika ta shijuan njerëzinë.
mbrëmë ra shi
e me shiun ike dhe ti
në furinë e stuhishme, amshimi t’u bë shtëpi.
dy pika nga lart bien
të tretën e hedh ti
as lot, as vaj, vetëm buzë që ngrijnë
pse ike nuk pyes
pse s’qëndrove mbaj mëri.
marri, ç’ndjenjë e hipokrizi
në mesin e turmës
më e mira ti,
një rrebesh që s’kryhet
e tmerrshme kjo stuhi,
në shiun që ra dje
amshimin e bëre shtëpi.
sot doli dielli,
një ditë e re nisi
pak përmbi re, fytyrë jotja qeshi
bota s’të pranoi,
paqen tënde s’e deshi!
në zjarrminë e saj, gjithçka mbetet njësoj
secili soj në trajtë të njëjtë jeton
e fryma që ndryshe u morr
me shiun dje shkoi.
mbrëmë ra shi
mbi trupin tënd, dy pikat e tij
mbi pika shiu, lot i ç’njerëzisë
ata që të shanë, të shkruajnë poezi
marri, ç’ndjenjë e hipokrizi
në mesin e turmës
më e mira ti,
një rrebesh që s’kryhet
e tmerrshme kjo stuhi,
në shiun që ra dje
amshimin e bëre shtëpi.
e sot? rilinde mbinjeri. / KultPlus.com

‘Jeta ikën aq shpejt, sa nga këtu e andej nga vdekja të ndajnë katër mure e pak metra’

Poezi nga Fitim Majkovci

agoni, pritje e përjetshme
për jetën, zor
për zotin? s’është aspak
në katër mure e dhjetë metra katror
reflekton, sa shpejt ikën jeta?
shpejt sa një thirrje telefonike 1 minutëshe
fëmijëria të dëftohet n’sekonda
çdo sekond që kalon, merr një kujtim
e secili kujtim merr kuptim
sa shpejt ikë jeta?
aq shpejt sa brenda një dite qesh
e në fund të saj ?
të presin katër mure e dhjetë metra katror.
agoni, pritje e përjetshme
e bardha bahet katran
e dielli bahet plloq’ përveluese
shiu të bahet makth
e erërat s’fshijnë dot gjurmët!
pritje në përjetime
pulsi që matet, një zemër që dobët rreh
ta dëfton fëmijërinë n’sekonda
çdo sekond që kalon, merr një kujtim
e secili kujtim merr kuptim
cili është kuptimi? sa shpejt ikë jeta?
jeta ikën aq shpejt,
sa nga këtu e andej nga vdekja
të ndajnë katër mure e pak metra
e as diell, as shiu e as erërat
s’të shpëtojnë nga e vërteta! / KultPlus.com

I urrej akulloret me kaush

Poezi nga Fitim Majkovci

shoh në shesh çifte plot
dorë për dore shumë dashni
në rreze dielli si këto sot
mbi mu asht reja që sjell shi.

pak më tej zë pëllumbi
e mu m’shoqnon’ tingulli i mortjes
në qytetin pa lum, më mori lumi
kaq shumë çifte, dhembje koke.

një kafe, supë e akullore
porositë renditen varg
unë në tym me fletore
rri vështroj si një fikan.

ç’kisha unë s’pati njeri
asnjë çift n’asnjë qytet
po ç’kisha unë e mori lumi
bashkë me të edhe ëndërrimet.

as supë, as akullore
e urrej çdo romantikë
akull, ftohtë, prej dëbore
as zë pëllumbi, asnjë muzikë.

s’më duhet çift, as askush
njëherë provova at’ episod
edhe i urrej akulloret me kaush
se një e tillë m’kujton n’ty sot.

pak më tej zë pëllumbi
mu m’shoqnon’ reja me shi
në qytetin pa lum, më mori lumi
e bashkë me ëndërrimet, m’ike edhe ti./ KultPlus.com

“S’është e imja, s’më përket, sybukura e tokave të diellit”

Fitim Majkovci

një vajzë të bukur desha unë
e desha shumë përtej ndjenjës
sy plot dritë që shpojnë si plumb
përtej zemrës, përtej jetës.

engjëll vdekjeje a rimishërim
a mos vallë histori Krishti?
gojëmjaltë e fjalë shpëtim,
s’e ndanë dot nga i madhërishmi!

pse më flet? pse më trazon?
pse s’ma shuan dot këtë mall?
nëse jo mua, kujt i beson?
të t’puth ballin nat’m’natë.

bukuri që shkrihet, s’fshihet
këndshëm m’vjen nëpër kujtime
ilaq për një zemër që m’venitet
vjen e ikë , si ëndërrimet.

edhe sot si dje më vret
kur s’më flet e ecë buzë detit
s’është e imja, s’më përket,
sybukura e tokave të diellit.

një vajzë të bukur desha unë
e desha shumë përtej ndjenjës
sy plot dritë që shpojnë si plumb
përtej zemrës, përtej jetës. / KultPlus.com

‘Sa inat që edhe kjo natë s’na gjen bashkë po të ndarë’

Poezi nga Fitim Majkovci

marrëzi, marsh në zi
jetë ne hije, pa shije
vetmi, unë dhe ti
largazi, ndaras lagemi
lagesh ti s’pari e unë i dyti
i ndytë, kur t’i shoh sytë
e më mbytë që çdo natë s’je
pse? kur vjen nuk rri?
a më mbanë mëri?
apo ke shumë dashni?
pse më vret?
kur shkon java e s’më flet
në fletë, të puthi e të ndjej
sa rrokaqiejt ndjenja për ty
e rroka n’qiell diellin me sy
se nuk i besoj kur më fyen
a vyej a s’vyej kur i vetëm sonte gotën kryej
e ti largazi, bardh e zi e barkazi
shtrihesh, dridhesh, ngjitesh
me tehun pritesh
po mu s’më prite.
sa inat që edhe kjo natë
s’na gjen bashkë po të ndarë
ti sigurt fjetun e unë pa ty i heshtun
tragjedi, sa erdhe ti e pashë vetminë
vetmia më e madhe se vjetët e mia
marrëzi, marsh në zi
unë dhe ti largazi, ndaras lagemi
në andrra a në poezi,
largësi që s’bëhet realitet
darkë a drekë? a mërzi pas orës tetë,
prap të ruaj në fletë, se aty t’kam afër
lagesh ti s’pari e unë i dyti
i ndytë, kur t’i shoh sytë
e më mbytë që çdo natë s’je
sa rrokaqiejt ndjenja për ty
e rroka n’qiell diellin me sy
se nuk i besoj kur më fyen
a vyej a s’vyej kur i vetëm sonte gotën kryej
e ti largazi, bardh e zi e barkazi
shtrihesh, dridhesh, ngjitesh
me tehun pritesh
po mu s’më prite. / KultPlus.com

‘E kur vdiq baba, u theva, s’qajta, s’bëzana, s’flejta, veç pashë tek më shkatërrohej andrra’

Poezi nga Fitim Majkovci

kur vdiq nana;
baba, u mshel
ditë për ditë
në cdo ditë zemër xehër
harroi të qante edhe drutë
po s’harroi të qante natën
se nanën s’kish,
jetën s’kish,
nuk kish kurën e sëmundjes t’tij
baba lëngonte nga lumturia
“sëmundje” që i rritej përditë pranë nanës
zemra e babës e vogël
s’duroi tan at’ lumtuni,
e nana iku.
baba u shua, si edhe lumtunia e tij,
bota e refuzoi, e rrahu, e leqiti
po jo edhe nana.
i kalova tan ato vjet,
tue pa babën mërzitun,
tu harru t’qeshmen e tij
harrova që kisht gojë,
se kur vdiq nana, baba s’bëzani ma
harroi vetën, harroi jetën, m’harroi mu,
bahçja u ba mal i pashkelun,
lulet me therra e shtëpia burg
se kur vdiq nana vdiq edhe shpresa.
i kalova tan ato vjet mërzitun
me mërzinë e babës, harrova vetën
botën e jetën, por jo babën,
thinjat ia kreha, këmishën ia drejtova
duhanin në llullë përditë ia lashë,
e dje, vdiq baba.
llullën e ngrehu për të fundit herë,
frymën e mori si ndër hundë,
edhe thirri nanën me za.
kur më vdiq nana, qajta,
u mërzita por jetova,
për babën, për bahçen, për kurajon
jeta vazhdoi, rrejshëm si lumtunia e babës
e kur vdiq baba, u theva,
s’qajta, s’bëzana, s’flejta,
veç pashë tek më shkatërrohej andrra
se kur më vdiq baba kuptova jetën?
që kurgja s’asht përgjithmonë,
as andrrat, as dashunia.
bota të refuzon, të rreh, të leqit
e prind’t nuk janë imun ndaj vdekjes.
e kur te dyt’ ikën,
i qajta drutë, por s’qava natën,
se kur më lanë dyt’
e kuptova jetën,
bota të refuzon, të rreh, të leqit
e prind’t nuk janë imun ndaj vdekjes. / KultPlus.com