Ne jetojmë sot në një epokë teknologjike, ose kështu na thuhet. Makineritë premtojnë ta transformojnë çdo aspekt të jetës së njeriut: robotët do të zëvendësojnë njerëzit në fabrika, makinat pa shofer do të sundojnë rrugët ndërsa Inteligjenca Artificiale do të menaxhojë sistemet e armëve.
Politikanë dhe analistë janë të shqetësuar mbi pasojat e përparimeve të tilla, sidomos për dëmin që do t’i shkaktohet industrive dhe individëve. Ata kërkojnë që qeveritë të ndihmojnë në menaxhimin e kostove të progresit. Diskutime të tilla e trajtojnë thuajse gjithmonë ndryshimin teknologjik si diçka së cilës duhet t’i përshtatemi.
Pra sikur ajo të jetë një forcë e natyrës, e cila futet në mënyrë të pashmangshme në jetën tonë moderne. Tekno-optimistët thonë se SHBA dhe shumë vende të tjera të pasura kanë nevojë për automatizim për të kompensuar pakësimin e popullatës në moshë pune dhe boshllëqet në rritje në fuqinë punëtore.
Por këto debate dhe argumente, harrojnë ose lënë mënjanë një element shumë të thjeshtë. Sado i fuqishëm që mund të duket, ndryshimi teknologjik nuk është një forcë natyrore, por vepër e qenieve njerëzore. Natyrisht, teknologjia e ka përmirësuar rrënjësisht jetën e njerëzve. Sot askush nuk dëshiron të jetojë pa energji elektrike, tualete me ujë apo ngrohje qendrore. Megjithatë, në raste të tjera, shoqëritë kanë më shumë nevojë për politika të reja dhe jo për teknologji të reja. Por automatizimi është një zgjedhje që kanë bërë njerëzit, jo një pashmangshmëri dhe sigurisht jo një domosdoshmëri. Për shembull, Shtetet e Bashkuara po përballen aktualisht me mungesën e shoferëve të kamionëve.
Shoqata Amerikane e Kamionistëve vlerësoi në vitin 2021 se kishte 80.000 shoferë më pak sesa numri i nevojshëm. Dhe duke pasur parasysh moshën e shoferëve aktualë, mbi 1 milionë shoferë të rinj do të duhet të rekrutohen gjatë dekadës së ardhshme.
Për ta përballuar këtë deficit, shumë manjatë të teknologjisë, midis tyre edhe themeluesi i Amazon, Xhef Bezos, kanë investuar në kërkimin dhe zhvillimin e automjeteve vetë-drejtuese, teknologji që do të reduktonte kërkesën për shoferë. Për Bezos, një teknologji e tillë ka një logjikë financiare:Amazon mbështetet tek kostot e ulëta të transportit për të mbajtur çmimet e saj të ulëta.
Por kjo nuk ka kuptim më të gjerë ekonomik, sepse miliona njerëz do të ishin të lumtur të drejtonin kamionë në Shtetet e Bashkuara. Dhe ata thjesht duhet të lejohen të punojnë. Ajo që është e vërtetë për kamionët, vlen edhe për shumë industri të tjera në botën e pasur industriale.
Një raport po i 2 viteve më parë nga kompania e shërbimeve financiare Mercer vlerësoi se, deri në vitin 2025, Shtetet e Bashkuara do të përballen me një mungesë prej rreth 660.000 ndihmësish shëndetësorë në shtëpi, teknikë laboratori dhe ndihmës/infermierë.
Ndërkohë pengesat ndaj emigrimit po nxisin një keq-orientim të tmerrshëm të burimeve. Në ekonomitë më produktive të botës, kapitali dhe energjitë e drejtuesve të biznesit fokusohet tek zhvillimi i teknologjisë që do të minimizojë përdorimin e një prej burimeve më të bollshme në planet: punës.
Fuqia punëtore është pasuria më e rëndësishme (dhe shpesh e vetmja) që kanë njerëzit me të ardhura të ulëta në mbarë botën. Përpjekja për t’i zëvendësuar ata me makineri po harxhon jo vetëm para, por po ndihmon në mbajtjen e të varfërve më të varfër. Sigurisht, janë legjitime disa shqetësime sociale dhe politike në lidhje me lëvizjen ndërkombëtare të emigrantëve ekonomikë, duke përfshirë ato se si do të menaxhoheshin flukse të tilla njerëzish, apo fakti që do të preknin punëtorët vendas duke krijuar kësisoj tensione sociale.
Po ashtu aktivistët e të drejtave të njeriut kanë të drejtë të shqetësohen se si punëtorët emigrantë mund të mbrohen nga shfrytëzimi. Por zgjedhja e pajisjeve në vend të njerëzve është e gabuar. Sepse kjo e bën botën të humbasë përfitimet reale ekonomike dhe humanitare që do të vinin nga lejimi i lëvizjes së njerëzve atje ku ka nevojë për ta, në vend që të përpiqen të shpikin makina që mund të zëvendësojnë njerëzit.
Refuzimi për t’i lejuar njerëzit të kalojnë kufijtë kombëtarë si emigrantë ekonomikë, sidomos për t’u angazhuar në punë që kërkojnë vetëm aftësi thelbësore, e shtrembëron shumë trajektoren e ndryshimit teknologjik në mënyra që i zhytin që të gjithë, veçanërisht të varfrit në botë, në një situatë akoma më të keqe.
Përkrahësit e barrierave ndaj emigrimit, këmbëngulin se ato janë të nevojshme për të mbrojtur pagat e vendasve. Por as kjo nuk është e vërtetë. Gjatë shekullit XX ka pasur raste kur qeveritë ishin të shqetësuara se vendi i tyre nuk mund të siguronte vende pune të mjaftueshme për qytetarët e tyre.
Por ndryshimi i demografisë së botës së pasur industriale e ka ndryshuar plotësisht këtë logjikë. Për të ardhmen e parashikueshme, sfida do të jetë gjetja e punëtorëve të mjaftueshëm për të plotësuar vendet e disponueshme. Edhe vendet që tradicionalisht nuk i kanë mirëpritur emigrantët, si Japonia, po rekrutojnë tani shumë punëtorë.
Një studim i Akademisë Kombëtare të Shkencave në vitin 2017, zbuloi se ndikimi neto i emigracionit në pagat mesatare të punëtorëve shtëpiak në Shtetet e Bashkuara ishte ose afër zeros ose me shumë gjasa disi pozitiv. Në terma ekonomikë, emigrantët nuk janë zëvendësues për punëtorin tipik amerikan, por plotësues, në mënyrë që më shumë emigrantë të rrisin realisht pagën mesatare të qytetarëve.
Për shembull të kesh më shumë ndihmës nuk i ul, por përkundrazi i rrit pagat e punëtorëve të kualifikuar, si infermierët, duke u lënë më shumë kohë për detyra që kanë nevojë për aftësitë e tyre unike. Sigurisht, disa punëtorë veçanërisht të pa favorizuar në SHBA mund të mos konkurrojnë drejtpërdrejt për punë me emigrantët.
Por kufizimet mbi emigrimin nuk janë një mënyrë efektive dhe as efikase për t’i ndihmuar këta punëtorë vendas. Programe të tilla si Kredia e Tatimit mbi të Ardhurat e Fituara janë një mjet me kosto shumë më efektive për të mbështetur pagat e punëtorëve vendas.
Shoqëritë e pasura dhe demokratike duhet të ndalojnë ndjekjen e verbër të përparimeve teknologjike, që kursejnë saktësisht atë që është e bollshme në mbarë botën. Vendet e pasura kanë krijuar stimuj të fortë për kompanitë që të zgjedhin makineritë në vend të njerëzve. Është koha për të vënë bast për një të ardhme të ndërtuar nga njerëzit dhe për njerëzit./b.al/“Foreign Affairs”/KultPlus.com
Në qytetin e Gjirokastrës vijojnë përgatitjet Festivalin Folklorik Kombëtar, i cili pritet të zhvillohet në muajin qershor.
Në festival pritet të performojnë artistët e folkut nga hapësira mbarëshqiptare.
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi ndau momente nga konkurrimi i grupeve të Gjirokastrës që do të përfaqësojnë këtë qytet në skenën magjike të Festivalit Folklorik Kombëtar.
Festivali i parë Folklorik Kombëtar u zhvillua në vitin 1968, në kalanë e gurtë të Gjirokastrës. Pres asaj kohe, festivali është zhvilluar çdo pesë vjet. Vitet ’70 mund të konsiderohen edhe si kulmi i pjesëmarrjes në këtë festival, ku pati më shumë se 1 mijë pjesëmarrës të përzgjedhur./atsh/KultPlus.com
Nesër nisemi për në Pamplona. U bënë ca kohë që po peshkojmë këtu. Ti si je? Zelda si është?
Po ndjehem mirë si kurrë më parë. Që kur jam larguar nga Parisi nuk kam pirë gjë tjetër pos verës. Për atë Zot ka qenë një vend i mrekullueshëm. E di që ti e urren fshatin. Në rregull, nuk po flas më për fshatin. Shpesh pyes veten si do të ishte parajsa sipas teje. Një hapësirë e bukur, e mbushur me monogamë të shëndetshëm. Të gjithë të fuqishëm dhe nga familjet më të mira, të gjithë adhurues të pijes deri në vdekje. Kurse ferri me shumë gjasa do të ishte një hapësirë me plotë poligamë të shkretë, në pamundësi për të siguruar pak pije, apo me ndonjë sëmundje kronike të stomakut të cilën ata e quajnë “pikëllima e fshehur”.
Për mua parajsa do të ishte një arenë e madhe e demave, me mua në ulëset e para; jashtë arenës do ishte një lum i vockël, përplot me trofta, ku askush nuk lejohet të peshkojë veç meje dhe dy shtëpi të bukura; në njërën shtëpi do të kisha gruan me fëmijët dhe do isha një monogam dhe do u ofroja atyre dashurinë time, kurse në shtëpinë tjetër, e cila do të ishte nëntë kate e lartë, do të kisha nëntë dashnoret e mia të bukura në secilin kat. Në njërën shtëpi do të kisha kopje speciale të “The Dial” të shtypura në pëlhurë të hollë, dhe të cilat do t’i mbaja në tualetet e çdo kati, ndërsa në shtëpinë tjetër do të përdorja kopje të “American Mercury” dhe “New Republic”. Për fund, në qytet do të ishte edhe një kishë e këndshme sikurse ajo në Pamplona. Gjatë rrugës prej njërës shtëpi në tjetrën, do të ndalesha në kishë dhe do rrëfehesha. Pastaj do të merrja njërin nga kuajt e mi dhe së bashku me tim bir do të kalëronim për tek ferma ime e demave “Hacienda Hadley”. Përgjatë rrugës, do t’u hidhja monedha fëmijëve të mi të jashtligjshëm. Pastaj do e dërgoja tim bir që ti kyçte dashnoret e mia sepse sapo është përhapur lajmi se monogami famkeq Fitzgerald është parë të kalërojë drejt qytetit për tek udhëheqësi i një kompanie të pijanecëve.
Sidoqoftë nesër në mëngjes po nisemi për në qytet. Më shkruaj tek:
“Hotel Quintana” , Pamplona, Spanjë.
Apo nuk të pëlqen të shkruash letra. Unë zakonisht shkruaj sepse të mban larg punëve dhe prapë të jep ndjesinë se ke bërë diçka.
Si sot, më 25 mars 1897, u botua në Bruksel numri i parë i revistës “Albania”.
Kjo revistë ishte e përmuajshme politike, kulturore e letrare, që u themelua nga “enciklopedia shëtitëse”, Faik Konica.
Faqet e saj farkëtuan mendimin shqiptar në fushën e historisë, të letërsisë, të gjuhësisë, të folklorit etj. Në këtë tribunë mendimi, panë dritën e botimit shkrimet e elitës së Rilindjes Kombëtare, sikurse ishin: Filip Shiroka, Luigj Gurakuqi, Andon Zako Çajupi, Hilë Mosi, Fan Noli etj.
“Albania” synonte që të arrinte zgjimin e ndjenjës kombëtare, emancipimin shoqëror dhe pavarësinë e Shqipërisë.
Gjuhët e botimit të saj ishin shqipja, frëngjishtja dhe turqishtja. Revista u publikua deri në vitin 1909.
Revista “Albania” u shnëdrrua në një tribunë të mendimit shqiptar, ku publikoi dhe lëvroi pjesa më elitare e Rilindjes Kombëtare./atsh/KultPlus.com
Përveçse me role që e kanë skalitur në kinematografi, siç është ai i endacakut, Charlie Chaplin ka lënë edhe shumë aforizma brilantë, shkruan KultPlus.com
KultPlus jua sjell 11 thëniet me mesazh shumë të qartë :
Jam në paqe me Zotin. Konflikti im është me Njeriun.
Ne mendojmë shumë dhe ndjejmë pak.
Një prej ironive të jetës është që të bësh gjënë e gabuar, në momentin e duhur.
Asgjë nuk është e përhershme në këtë botë të ligë – as edhe telashet.
Një ditë pa qeshur, është një ditë e çuar dëm.
Karakteri i vërtetë i një burri shfaqet kur ai është i dehur.
Që të qeshësh me të vërtetë, duhet ta marrësh dhimbjen tënde, dhe të luash me të!
Më pëlqen gjithmonë që të eci në shi, kështu askush nuk do të më shohë duke qarë.
E qeshura është zbutësi i dhimbjes.
Dëshpërimi është një narkotik. Ai e vë mendjen në gjumë dhe e shpie drejt indiferencës.
Jeta do të ishte e mrekullueshme, nëse njerëzit do të mund të të linin rehat./KultPlus.com
Baba-Tomor, kish’ e Shqipërisë, mal i lartë, fron i perëndisë, tek ti vinin njerëzit që moti për të msuar se ç’urdhëron zoti… Tek te lutem dhe u duk’ e qare të msoj q’thot dhe per shqipetarë. Kanë qenë trima të lëvduar dhe ne luftë s’janë turpëruar, qenë trima dhé mëmedhetare, besa, feja s’i kishne dhe ndarë, Shkonin jeten me puckë në dorë, Donin shqipen, s’qenë tradhëtorë, lulezonte gjithë Shqipëria, s’e s’kish shkelur si sot robëria, gra e burra donin Shqiperinë, djem e cupa këndonin Lirinë. Sot qysh gjendet komb’ i Shqipërisë! I përmbysur nga zgjedh’ e Turqisë, shqipëtarët, si dhe bagëtia, zbathur, zhveshur vdesen nga uria! Shqipetarët? Sot s’ka shqipetarë, turku, greku na kanë përndarë! Prifti, hoxha, kisha dhe xhamia, Na genjejnë… U prish Shqipëria… Mal i lartë, me krye në diell, fron i zotit q është mbret në qiell, Baba Tomor, o mal’ i uruar, c’kanë ngjarë, gjithë c’kanë shkuar, i di vete, s’duhet të t’i themi; C’do të ngjajnë, të lutem rrëfemi, Sot e tutje, c’thotë perëndia? Do të heqë shumë Shqipëria? cfaj ka berë, c’gjynahe paguan? Nga Turqia të tërë shpëtuan: Greku, serbi, velau, bullgari, nënë zgjedhë mbeti shqipëtari cthotë zoti për kombin tonë, do ta lerë penë sulltan qenë? Na shkretoi, na preu, na griu, na c’nderoi dhe gjaknë na piu, na mundoi, shpirtin na nxori!! Fshiu lotet dhe më tha Tomori:
0 shqipetarët e gjorë, Ndegjoni Baba-Tomorë: Kombi tuaj s’vete mbarë se besët u kanë ndarë.
Besa e bashkon njérinë: Ju pse e ndani perendinë?
Si ungjilli dhe kurani: nuke na dihete fundi; me qiejtë mos u mbani se nuke mbahen gjikundi. Te krishter’ e myslimanë gjithë një perendi kanë; ini një gjak, mor telë ngerë, se nde një vend kini lerë. Ini gjithë shqipëtarë s’ini grekër a tartarë, hiqni dorë nga rreziku, shihi se c’punon armiku i pabesi dhe i ligu.
Mblidhuni të béni benë, të kujtoni Skenderbenë, të duani Mëmedhenë, të mos e lini të shkretë… Ngrihi ta shpëtoni vetë, se u ndin zot’ i vërtetë, mos e peshoni Turqinë, mos e besoni Morenë të duani perendinë; të duani Mëmedhenë Erdhi dita të leftojmë për lirin’ e Shqiperisë; ja të vdesim, ja të rrojmë si burrat’ e trimerisë.
Shkrimtari Jusuf Buxhovi, po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për një sërë takimesh në disa prej universiteteve shtetërore si në Çikago, Viskonsin, Teksas, prej ku edhe ka bërë të ditur se udhëheqësit e këtyre universiteteve kanë thënë se ka mungesë të literaturës së autorëve shqiptarë në këto universitete, e po ashtu edhe mungesë ‘të pamjes’ historike të shqiptarëve, përcjellë KultPlus.
“Edhe gjatë këtyre bisedave, profesorët amerikanë theksuan mungesën e veprave të autorëve shqiptarë dhe pasojat për ndriçimin objektiv të pamjes historike të shqiptarëve në kuadër të studimeve të Europës Juglindore, e cila të shumtën formulohet nga sllavisët ose autorët me pikëpamje të ngjashme nga rajoni.”, ka bërë të ditur Buxhovi përmes një postimi në Facebook.
Përkundër thirrjes së universiteteve amerikane për të pasur bashkëpunim ndërsjellë shkencor me universtietet e Tiranës dhe Prishtinës, këto të fundit nuk i janë përgjigjur thirrjes.
“Prof. Brennan tha se disa herë u është drejtuar universiteteve në Tiranë dhe Prishtinë për literaturën përkatëse si dhe bashkëpunim të ndërsjellë shkencor, por nuk ka marrë përgjigje.
Edhe në Qendrën për Studime Ndërkombëtare të Universitetit Shtetëror të Teksasit San Marcos, historiani Denis J. Dunn ngriti çështjen e mungesës së literaturës së autorëve shqiptarë në këtë institut edhe përkundër kërkesës zyrtate përbashkëpunim të ndërsjellë, që u është drejtuar Tiranës dhe Prishtinës për bashkëpunim profesional dhe shkëmbim të literaturës shkencore.”, ka shkruar Buxhovi.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të Buxhovit në Facebook:
Pas pritjeve në universitetet shtetërore në Çikago dhe Viskonsin, takimet e ngjashme vazhduan edhe në universitetet më të njohura të shtetit të Teksasit: në Austin (The University of Texas AT Austin) si dhe Universitetin Shetëror San Markos (Texas State University San Marcos).
Në Universitetin e Teksasit në Austin, u zhvillua një bisedë me profesor Paul Rascoe, drejtues i departamentit të informatikës dhe të sistemit librar. Ndërsa në Universitetin Shtetëror të Teksasit San Marcos, në Katedrën e Historisë si dhe në Qendrën për studime ndërkombëtare me Prof, Mary C. Brennan, shefe e Katedrës së Historisë.
Edhe gjatë këtyre bisedave, profesorët amerikanë theksuan mungesën e veprave të autorëve shqiptarë dhe pasojat për ndriçimin objektiv të pamjes historike të shqiptarëve në kuadër të studimeve të Europës Juglindore, e cila të shumtën formulohet nga sllavisët ose autorët me pikëpamje të ngjashme nga rajoni.
Prof. Brennan tha se disa herë u është drejtuar universiteteve në Tiranë dhe Prishtinë për literaturën përkatëse si dhe bashkëpunim të ndërsjellë shkencor, por nuk ka marrë përgjigje.
“Presim që Kosova në anglisht t’ua hapë rrugën veprave të autorëve shqiptarë në universitetin tonë, në mënyrë që të konkurrojnë me të ngjashmet që kemi”.
Edhe në Qendrën për Studime Ndërkombëtare të Universitetit Shtetëror të Teksasit San Marcos, historiani Denis J. Dunn ngriti çështjen e mungesës së literaturës së autorëve shqiptarë në këtë institut edhe përkundër kërkesës zyrtate përbashkëpunim të ndërsjellë, që u është drejtuar Tiranës dhe Prishtinës për bashkëpunim profesional dhe shkëmbim të literaturës shkencore./KultPlus.com
Mit’hat Frashëri, i njohur me epitetin Lumo Skëndo, ka lindur më 25 mars 1880 në Janinë. Ishte pinjoll i Dulellarëve të Frashërit, i biri i atdhetarit të madh Abdyl bej Frashërit, përcjellë KultPlus.
Ai ka ka qenë diplomat, shkrimtar dhe politikan shqiptar. Frashëri qenë pjesëmarrës në disa ngjarje shumë të rëndësishme të kohës së tij. Ishte nëpunës i Perandorisë Osmane, veprimtar i Rilindjes Kombëtare, dhe pjesëmarrës dhe kryetar i Kongesit të Manastirit. Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë ishte ministër, diplomat i shtetit shqiptar, kryetar i Ballit dhe Komitetit ‘Shqipëria e Lirë’.
Ai po ashtu ka dhënë kontribut edhe si publicist, shkrimtar, përkthyes dhe albanolog.
Mid’hat Frashëri u përfshi në veprimtarinë kombëtare në viset shqiptare gjatë Luftës së Parë Ballkanike, i cili udhëtoi në viset veriore shqiptare për t’i shkëputur malësorët nga joshja e Malit të Zi. Fillimisht udhëtoi në Mitrovicë, pastaj me radhë në Pejë, Gjakovë, Has, Lumë dhe Mirditë.
Ai emërua ministër i Punëve Botore në Qeverinë e Përkohshme, post prej të cilit dha dorëheqjen më 30 mars 1913, pa dhënë arsyet në letrën e dorëheqjes, por arsyet ishin mosndihma ndaj Mbrojtjes së Janinës nga qeveria.
Pas Kryengritjes së Shqpërisë së Mesme, u largua fillimisht në Itali, duke shkuar më pas në Zvicër, Gjenevë. Më pas kaloi në Vjenë, ku qëndroi pak kohë dhe u nis për në Bukuresht e më vonë kaloi në Sofje. Pas bashkëpunimeve me koloninë shqiptare në kryeqytetin bullgar, u kthye në Bukuresht. Nga mesi i Luftës së Parë Botërore, autoritetet rumune e internuan në Moldavi.
Në vitin 1923 e mori detyrën e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë. Këtë detyrë e kreu deri në dhjetor 1925. Sipas Mehdi bej Frashërit: “Më 1924–1925 kishte qenë përfaqësues i Shqipërisë në Athinë, i cili interesohej tepër për gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve në Çamëri”.
Në vitin 1927, filloi të botojë sërish revistën Diturija të cilën e kishte themeluar në Selanik më 1909 dhe më vonë në Bukuresht gjatë qëndrimit atje. Në Tiranë themeloi librarinë “Lumo Skëndo”.
Në vitin 1901 ka shkruar jetëshkrimin për Naim Frashërin, përmbledhjen ‘Hi dhe shpuzë’ “, studimin mbi shqiptarët dhe të ardhmen e tyre të pagëzuar si “Pritmi i Shqipërisë”, ese sociopolitike dhe etnike “Plagët tona” (1924) etj. Ai ka botuar edhe disa vepra në frëngjisht: “L’affaire de l’Epire (1915), “La population de l’Epire” (1915),’Les Albanais chez eux et a l’etranger’ (1919), “Albanais et Slaves” (1919).
Gjithashtu ka përkthyer në shqip veprat Guillaume Tell të Lamartinit (1898), Bëje të mirën pa hidhe në det e Franc Hofmanit (1900), Robinson Cruson e Defosë (1909), Shkurtabiq’ i verdhë. Miu i vockël. Sorkadhe e bardhë të Marie Catherine d’Aulnoy (1913), dhe Psikologjia e edukatës e Gustave le Bon (1923)./KultPlus.com
Në një letër drejtuar gruas së tij në mars 1901, piktori pionier francez Claude Monet u ankua për motin e keq që e pengoi atë të punonte, si dhe një pengesë tjetër e dukshme në krijimtarinë e tij.
“Gjithçka është aq e mirë sa e vdekur, pa tren, pa tym, pa varkë, asgjë që të emocionojë pak frymëzimin”, ka shkruar ai.
Monet, i njohur tani si themeluesi i impresionizmit, ishte në Londër gjatë një prej tre udhëtimeve që ai bëri në qytet midis viteve 1899 dhe 1901, të cilat dhanë mbi 100 piktura. Referenca e tij për tymin – që do të kishte ardhur me bollëk nga motorët me avull të varkave dhe trenave – si një shkëndijë e mundshme krijuese duket se mbështet një teori të mbajtur prej kohësh nga disa historianë arti rreth asaj që fshihej pas mjegullës dalluese të ëndrrave në veprën e Monet. Tani një studim i fundit nga shkencëtarët e klimës ka gjetur prova të reja për ta konfirmuar atë.
“Unë punoj për ndotjen e ajrit dhe duke parë pikturat e Turner, Whistler dhe Monet në Tate në Londër dhe Musée d’Orsay në Paris, vura re transformime stilistike në veprat e tyre,” tha Anna Lea Albright, një studiuese postdoktorale për Le Laboratoire de Météorologie Dynamique. në Universitetin e Sorbonës në Paris, në një intervistë telefonike. Albright ishte bashkëautor i studimit me Peter Huybers, një profesor i Tokës dhe shkencave planetare në Universitetin e Harvardit.
“Konturet e pikturave të tyre u bënë më të mjegullta, paleta u shfaq më e bardhë dhe stili ndryshoi nga më figurativ në më impresionist: Këto ndryshime përputhen me pritjet fizike se si ndotja e ajrit ndikon në dritë,” shtoi ajo.
Ekipi shikoi mbi 100 piktura të Monet dhe piktorit britanik Joseph Mallord William Turner, i cili ishte aktiv përpara Monet, me qëllimin për të gjetur një bazë empirike për hipotezën se pikturat kapin qiej gjithnjë e më të ndotur gjatë Revolucionit Industrial.
Fokusi ishte te këta dy artistë, sepse ata pikturuan në mënyrë produktive peizazhe dhe peizazhe qytetesh, shpesh me motive të përsëritura, sipas autorëve të studimit. Në periudhën e mbuluar nga pikturat, 1796-1901, një sasi e madhe qymyri u minua për të mbështetur prodhimin industrial dhe motorët me avull. Vetëm Britania shkoi nga prodhimi i 2.9 milion ton qymyr në vit në 1700 në 275 milion ton deri në vitin 1900, duke çuar në ndotje të dukshme të ajrit që shkaktoi probleme të përhapura shëndetësore. Bloza nga qymyri krijoi një mjegull të trashë dhe të errët dhe numri i ditëve me mjegull në Londër u rrit trefish midis 1850 dhe 1890, nga 25 në 75 në vit, sipas Byrosë Kombëtare të Kërkimeve Ekonomike.
“Në përgjithësi, ndotja e ajrit i bën objektet të duken më të mjegullta, e bën më të vështirë identifikimin e skajeve të tyre dhe i jep skenës një nuancë më të bardhë, sepse ndotja reflekton dritën e dukshme të të gjitha gjatësive valore,” tha Albright. Ekipi kërkoi këto dy metrika, forca e skajit dhe bardhësia, në piktura – duke i kthyer ato në paraqitje matematikore të bazuar në shkëlqim – dhe më pas i krahasoi rezultatet me vlerësime të pavarura të ndotjes historike të ajrit.
Ne zbuluam se pati një ndeshje çuditërisht të mirë”, tha Albright. Pikturat kronikëojnë ndryshimet historike në mjedisin atmosferik, sipas studiuesve, dhe veçanërisht rritjen e emetimeve të dioksidit të squfurit, një ndotës që rrjedh nga qymyri që shkakton shiun acid dhe probleme të frymëmarrjes. Lidhja shkon përtej evolucionit artistik dhe stilit, theksojnë ata, sepse Londra dhe Parisi, ku përkatësisht ishin vendosur Turner dhe Monet, u industrializuan në periudha të ndryshme dhe me ritme të ndryshme, gjë që pasqyrohet në vepra.
Prova të mëtejshme, sipas Albright, vijnë nga prejardhja e artistëve, veçanërisht nga interesi i Turner për të kuptuarit në rritje shkencore të qiellit në atë kohë, dhe letrat e Monet, duke theksuar ndikimin e ndotjes së ajrit në krijimtarinë e tij. Në një tjetër, ai i thotë gruas së tij se ishte “i tmerruar” nga mungesa e mjegullës, por u ngushëllua kur “zjarret u ndezën dhe tymi dhe mjegulla u kthyen”.
Shkenca kundër stilit Jonathan Ribner, një profesor i artit evropian në Universitetin e Bostonit, ishte ndër historianët e parë të artit që sugjeroi një lidhje midis punës së dy artistëve dhe ndotjes, në një ese të vitit 2004 të shkruar për “Turner Whistler Monet”, një ekspozitë me 100 piktura impresioniste. vizitoi Toronto, Paris dhe Londër. “Kur pashë studimin, u kënaqa sepse vërtet sugjeron një justifikim të asaj që kisha shkruar rreth dy dekada më parë, që ishte se ndotja e ajrit është një faktor kontekstual i rëndësishëm për disa piktura të shekullit të 19-të,” tha Ribner në një telefon. intervistë.
“Turner dhe Monet janë të dy artistë që duhej të shkonin në vende për të parë disa kushte,” shtoi ai. “Kishte një fenomen të turizmit të mjegullës, ku vizitorët francezë si Monet shkonin në Londër qëllimisht për të parë mjegullën, sepse i donin efektet atmosferike. Ai nuk i pëlqente kur mjegulla ishte aq e trashë sa ai thjesht nuk mund të shihte asgjë. , por ai e urrente kur nuk kishte mjegull dhe ishte qielli blu, sepse nuk dukej si Londra. Me sa duket ai shkatërroi disa nga ato piktura me një qiell të pastër.”
Megjithatë, kritiku i artit Sebastian Smee e ka kritikuar studimin, duke thënë se ai ngatërron “zgjedhjet e brendshme krijuese me stimujt e jashtëm”. Ai argumentoi se rritja e ndotjes nuk mund të përdoret për të shpjeguar evolucionin stilistik të artistëve dhe se disa nga veprat e tyre janë “mitologjike” dhe jo një pamje e realitetit objektiv.
Lidhur me këtë këndvështrim, Albright tha se nuk ishte kurrë qëllimi i studimit të zvogëlonte ndonjë qasje historike të artit, ose t’i reduktonte pikturat vetëm në një numër ose një analizë shkencore, por përkundrazi të zgjeronte të kuptuarit dhe vlerësimin e këtyre veprave duke ofruar një kënd tjetër nga i cili mund t’i studiojmë ato.
“Ajo që unë mendoj se është vërtet e mrekullueshme për këto vepra është se Monet krijon efekte të bukura atmosferike nga diçka e shëmtuar dhe e pistë si tymi dhe bloza,” shtoi ajo. “Ai dhe Turner, ata nuk largohen nga ndotja, por ata ishin në gjendje t’i transformonin këto ndryshime negative mjedisore në një burim frymëzimi krijues.”/cnn/KultPlus.com
Objekte të trashëgimisë prehistorike nga Shqipëria janë pjesë e një ekspozite ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada.
Lajmi u bë i ditur nga Akademia e Studimeve Albanologjike në një postim në rrjetet sociale, e cila thekson se “këto objekte nga fondet e Institutit të Arkeologjisë dhe koleksioni i Muzeut Arkeologjik në Tiranë, janë pjesë e ekspozitës lëvizëse në Amerikën e Veriut, e titulluar “First Kings of Europe” (Mbretërit e parë të Evropës), me organizues një prej muzeve më të mëdhenj në SHBA, Field Museum of Natural History, në Chicago-SHBA”.
Në këtë ekspozitë marrin pjesë 25 institucione nga 11 vende të Evropës Juglindore.
Ekspozita ka si temë kryesore periudhën e formimit të elitave sociale dhe politike gjatë prehistorisë së vonë në Ballkan, nga komunitetet bujqësore egalitare të periudhës së Neolitit, tek elitat e konsoliduara të fundit të periudhës së Hekurit.
Shqipëria përfaqësohet në këtë ekspozitë me 17 objekte, të cilët datojnë në një interval kohor që prej 4 500 vjet më parë ose nga periudha e hershme e Bronzit, deri në 2400 vjet më parë, kur objekte të elitave lokale ilire shfaqen në varreza. Të gjitha objektet vijnë nga varreza të ndryshme tumulare të gërmuara në Shqipëri, nga veriu në jug të vendit.
Objektet e përzgjedhura në përputhje me tematikën e ekspozitës tregojnë histori të ndryshme: besimet dhe ritualet mortore që shoqëronin të vdekurin gjatë periudhës së Bronzit të hershëm, siç janë grupi prej gjashtë figurinash prej balte që shoqëronin varrin qendror të tumës 6 të Shtojit në rrethin e Shkodrës; elitat ushtarake dhe politike, të cilat përfaqësohen nga armë të ndryshme bronzi dhe hekuri apo objekte të panoplisë ushtarake, siç është helmeta ilire nga tumat e Çinamakut në rrethin e Kukësit; stolisjen e pasur të veshjes së femrave nga zona e Matit dhe Shkodrës, të cilat spikasin për origjinalitetin e kompozimit të tyre; objekte importi luksi, tregues të një statusi të spikatur, siç është vargu prej rruazash prej guri gjysmë të çmuar ose kornaline nga varreza e Rehovës në zonën e Kolonjës, apo kantari atikas me figura të kuqe, nga varri i një prijësi ilir nga zona e Matit; por dhe prodhime elegante dhe origjinale të qeramikës lokale, siç janë kantarët lokalë të kulturës ilire nga veriu i Shqipërisë.
Njëkohësisht, një pjesë e objekteve të përzgjedhura, përmes stileve, materialeve, tipeve që përfaqësojnë, janë dëshmi e pjesëmarrjes së territorit të sotëm shqiptar në rrjetin kompleks të tregtisë dhe shkëmbimeve ndër-rajonale me kulturat fqinje, me Greqinë, Ballkanin dhe Evropën Qendrore, por dhe me kulturat e bregut perëndimor të Adriatikut, në Gadishullin Italik.
Puna për pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë projekt u drejtua nga Dr. Rovena Kurti, në bashkëpunim me Dr. Rudenc Ruka dhe Prof. Luan Përzhita, Instituti i Arkeologjisë/Akademia e Studimeve Albanologjike.
Krahas përgatitjes së ekspozitës, nën kujdesin e kolegëve amerikanë, Attila Gyucha dhe William A. Parkinson, arkeologë nga vendet pjesëmarrëse kanë kontribuar në botimin e një monografie për publikun e gjerë, rreth tematikave të ndryshme që trajton ekspozita si dhe në përgatitjen e një katalogu të objekteve të ekspozuara, i cili do të dalë së shpejti nga shtypi./atsh/KultPlus.com
Qamili i Vogël, Mazllom Mejzini dhe Ismet Peja janë tre emrat më të spikatur të muzikës popullore shqiptare që ndër vite kanë sjellë këngë që mbesin të pavdekshme, shkruan KultPlus.
Tre këngëtarët shpesh kanë sjellur interpretime të përbashkëta. “Këndo o zog i malit”, “Prej mallit të bukurisë” e “Dil njëherë moj vajzë e bukur”, janë disa nga këngët që mbesin vlerë e trashëgimisë sonë muzikore.
KultPlus, në nderim të jetës dhe veprës së këtyre artistëve, ju sjell interpretimin e këngës “Këndi o zog i malit”:
I: K’ndo o zog i malit Se sot jam mërzitë. :I I: K’ndo kangën e djalit E m’shëro në shpirt. :I Zemra ime e shkreta Asht tuj vujtun zi. M’bahet porsi bleta T’shof at djalë të ri. Prej së largu ndjeva Zogun tuj këndu’. Menjëher u ktheva Me mall me e ndëgju’. At’her zemra ime Si lule n’mëngjes. U mbush me kujtime N’dashuni u ndez. / KultPlus.com
Xhevat Qena ka luajtur qindra role ne teatër. Rolin e pare kryesor e ka luajtur ndërmjet viteve 1956-1957. Sensi i tij për komiken si dhe profili i tij i veçantë kanë bërë që ai te jetë një prej aktorëve me te kërkuar ne komedi, megjithëqë, sic pohon ai ne një intervistë te tij, me tepër e ka dashur dramën: “Une e kam dashur dramën se e kam ne vete njëfarë dramaciteti, e kam njëfarë fuqie për drame… P.sh., roli që me ka lënë mbresa shumë ka qenë një rol episodik i një avokati, i një te çmenduri, ne dramën “Oda e errët”. Gati jam çmendur edhe vete, duke u thelluar ne atë rol”. Kolegët dhe njerëzit që njohin potencialin e tij, mendojnë se është mëkat që ai është shfrytëzuar shumë pak ne drama.
Xhevat Qena ka luajtur shumë, edhe role kryesore edhe role te dyta apo madje edhe te treta. Aktori Dibran Tahiri pohon se kur ne ndonjë shfaqje teatrore ka partner Xhevat Qenën, ndien siguri te madhe. Xhevat Qena mund te përshkruhet si aktor që ka një aftësi te jashtëzakonshme te mbajë te përqendruar vëmendjen e publikut. Është shumë sugjestiv, aktor që, siç shprehet ai vete, është përpjekur gjithmonë te jetë “përdhesë”, i “tokës”. Krijon improvizime, por gjithmonë ne kontekst te batutës se partnerit, ne kontekst te situates ne te cilën ndodhet personazhi që ai luan.. .”Edhe nëse Xhevati ka luajtur vetëm ne një skenë te vetme, nuk ka qenë e mundur te kalojë ‘pa u hetuar’ prej publikut. Xhevati është aktor që di t’i krijojë hapësirë vetes…”, shprehet aktorja Igballe Qena.
Qena la pas vete një pasuri të madhe kulturore, duke qenë i dalluar me stilin e tij të aktrimit dhe me rolin e tij të dallueshëm në paraqitjet e tija, ndërsa së bashku me gruan e tij Leze Qena, i hasim në shumë produksione televizive dhe filma.
Duke qenë si një nga personazhet kryesore dhe më të mëdha të kulturës shqiptare, Xhevat Qena ka luajtur në teatër ndërmjet viteve 1956- 1957. Sensi i tij për komiken si dhe profili i tij i veçantë kanë bërë që ai te jetë një prej aktorëve me te kërkuar ne komedi, megjithëqë, sic kishte pohuar ai ne një intervistë te tij, me tepër e ka dashur dramën.
Një prej roleve me te suksesshme te Xhevat Qenës është padyshim ai ne shfaqjen “Përqafimi”, i autorit Ranko Marinkoviq, me regjisor Tomislav Durbeshiqin, ku kishte partner Dibran Tahirin. Shfaqje tjetër, ku potenciali i Xhevat Qenës si aktor del i plotë, është “Duart e ndyra”, te Sartrit, ne te cilën luan edhe bashkëshortja e tij Leze Qena, pastaj shfaqja “Ushtari i mire Shvejk”, ne regji te Abdurrahman Shalës, ku Xhevat Qena luan rolin e Shvejkut, një personazh tragjikomik. Mandej, ne shfaqjen “Vinetu” (vitet e 60-ta), ne te cilën luan rolin kryesor, atë te Vinetus, personazh i njohur i filmave uestem te asaj kohe. /KultPlus.com
Sharja edhe mund të injorohet, por jo kur është manifestim i një urrejtje permanente. Sharësi Shala ka një urrejtje deri në psikopati ndaj njerëzve të Malit të Zi. Para se të vetëpropozohej për akademik, Departamenti i Letërsisë Shqipe në UP kishte menduar ta propozonte poetin, studiuesin dhe profesorin Basri Çapriqi (për mua, një prej poetëve më të mirë shqiptarë). Mirëpo erdhi Sharësi si ministër, që pak muaj më parë ishte edhe zëvendësministër, dhe u vetëpropozua, duke treguar që është marrë vesh edhe me ata në Akademi. Unë dhe rreth 50 profesorë të tjerë e patëm kundërshtuar këtë politikë të zgjedhjes, por atëherë në krye të shtetit ishte shefi i Sharësit, “kryeministri më i mirë në historinë e Kosovës”, siç e pati quajtur ky akademiku i ardhshëm, i cili ishte treguar i palodhshëm në betejën kundër “armikut” të shefit dhe të ikonës së tij, pra kundër “cërrnagorit” (crnagor – malazez) tjetër, akademikut Qosja. Pra, pasi e hoqi konkurrentin “crnagor”, siç u thotë Qarku këtyre të ardhurve nga Mali i Zi, pasi e kishte marrë lëndën e profesorit dhe akademikut “crnagor”, madje atë e quajnë edhe “serb”, radhën e kishte kryeministri ynë “crnagor”.
[Është po ky njeri ordiner, që është bërë profesor ordinar dhe akademik, pa ndonjë punim ndërkombëtar, që në mbledhjen e fundit në fakultet më kundërshtonte mua, duke ma bërë të ditur se duhej patjetër të botoja në Scopus e Web of Science. Unë përpiqesha t’ua shpjegoja këtij dhe qarkut të tij (që janë avancuar me artikuj për ‘letërsinë e mahallës’, siç i pati quajtur një studiues i madh e i urryer prej këtyre), se, siç e kam thënë në një letër të gjatë me titullin “Kambana e universitetit”, eprorët tanë (rektori, ministrja) që urdhërojnë botimin vetëm në dy platforma e kanë gabim dhe, prandaj, duhet të heqin dorë nga presioni ndaj profesorëve. Thashë se ata edhe mund të më largojnë, nëse kritikat e mia i keqkuptojnë, por unë s’do t’u nënshtrohem kurrë kërkesave absurde të tyre. Unë nuk jam si Sharësi që ka ardhë në fakultet nëpërmjet politikës dhe është bërë akademik falë pushtetit të tij politik. Për asnjë sukses timin (nëse kam pasur ndonjë) nuk më ka ndihmuar asnjë parti, asnjë politikan. Më ka ndihmuar vetëm Albert Camus duke ma dhënë model jetën dhe veprën e tij. Mund të rri pa fakultet, siç po rri pa akademi, edhe pse sa punon krejt Qarku i Prishtinës për një vit, unë punoj për një javë].
Sharësi vetëquhet rugovist, por presidenti i ndjerë do të skuqej po ta dëgjonte këtë në parlament. Rugovën edhe po ta shaje, nuk të shante. Këta “rugovistët” janë e kundërta e Rugovës, prandaj edhe e spastruan partinë e tyre nga rugovistët e vërtetë.
I thashë disa gjëra, sepse desha të them një gjë: shqiptarët e Malit të Zi janë kontribuesit më të mëdhenj në kulturën, shkencën dhe politikën e Kosovës, dhe kushdo që i sulmon ata, siç bëri ky Sharësi, ose nuk di për kontributin e tyre, ose e di, por vuan nga kompleksi i inferioritetit./ KultPlus.com
Eja ashtu si je, mos humb kohë me tualet, Nëse gërsheti t’është prishur, apo flokun s’e ke drejt, Nëse kordelin në bel s’e ke lidhur, nuk ka dert, Eja ashtu si je, mos humb kohë me tualet. Eja mbi bar me hapa të shpejtë, Nëse këmbët t’i njomë vesa, nëse mbetesh pa sandale, Nëse perlat të këputen nga xherdani, mos ki dert. Eja mbi bar me hapa të shpejtë.
A po i sheh retë duke u mbledhur në qiell? Varg lejlekët fluturojnë lart dhe era shpejton mbi shkurre. Kafshët të trembura nisen vrap në stane. A po i sheh retë duke u mbledhur në qiell?
Ti kot ndez llambën për t’u stolisur; ajo dridhet dhe e fikë era. E kush mund ta vërejë se bloza qepallën s’ta ka prekur? Se sytë i ke më të zi se retë e shiut? Ti kot ndez llambën për t’u stolisur; ajo dridhet dhe e fikë era.
Eja ashtu si je, mos u vono me tualet Nëse kurorën s’e ke thurur, s’ka dert? Nëse zinxhirin e dorës s’e ke lidhur, ashtu lëre. Është vonë; qielli u bë terr nga retë. Eja ashtu si je, mos u vono me tualet./KultPlus.com Përkthyer nga Ag Apolloni.
Profesoresha e muzikës dhe aktivistja Besa Luzha, dy vite më parë, në 22 vjetorin e bombardimeve të NATO-a kundër forcave serbe, ka ndarë me publiku një pjesë nga ditari i saj nga ajo kohë bashkë me një fotografi që e shpërfaq frikën e madhe që po përjetonin njerëzit, përcjellë KultPlus.
Luzha shpalos frikën që i kishte kapluar në atë kohë dhe shpresën për jetesë.
Më poshtë po ju sjellim të plotë postimin që Besa e ka ndarë me ndjekësit e saj në facebook:
Më 22-23 mars 1999, sapo isha kthyer nga një vizitë studimore në Universitetin e Muzikës dhe të Artit Dramatik në Graz, si pjesë e delegacionit nga Fakulteti i Arteve-Dega e Artit Muzikor, UP, të udhëhequr nga Profesoresha Lejla Pula.
Miqtë tanë në Graz, çuditeshin, si disa nga ne mu një ditë para ditës së paralajmëruar ne donim të ktheheshim në Kosovë.
Unë kisha Blendën, vajzën 4 vjeçare që e kisha lënë në shtëpi. As që mendoja ndonjë opsion tjetër.
Më 24 Mars 1 gjatë ditës, mbajta mësim piano me nxënësen time Dea Gashin, në shtëpinë e familjes së Mesut dhe Diana Gashit.
Pas orës së pianos, në oborr bashkëbiseduam, uruam Mesutin për ditëlindje, dhe duke pirë kafe shqyrtonim opsionet, të rrimë në shtëpitë tona apo të ikim, të largohemi. Unë, sapo isha kthyer, e familja Gashi kishte mendimin që nuk kemi ku të shkojmë e si ti lëmë shtëpitë tona.
U ndamë me dëshirën që të vazhdojmë orët e pianos me Dean. Ajo më përqafoi, ashtu si edhe dy motrat e saj dhe Trimi i vogël 3 vjeçar që më donte shumë si mësuese që isha.
Me Blendën shkuam te shtëpia e gjyshit Isak, në Aktash.
Në shtëpi, kishin filluar përgatitjet për tu mbrojtur nga ajo që pritej të ndodhë atë mbrëmje.
Ne nuk e dinim si do të bëhet bombardimi edhe pse të gjithë shpresonim dhe e kërkonim aq shumë këtë veprim nga Nato.
Krejt çka kishim dëgjuar e dinim ishin përvojat nga bombardimi i Sarajevës. Mbyllja e xhamave me batanije, përgatitja e pakove me ushqim rezervë dhe çantat e udhëtimit për secilin në rast ikje me gjërat më të nevojshme dhe nga pak para e numra telefonash të të afërmeve. Si nënë e re, preokupimin kryesor e kisha si të mbroj fëmijën tim.
Pak para orës 19.00 motra ime Bardha thirri në telefon, ajo nuk ishte në Kosovë dhe me ngashërim na porositi të kemi kujdes sepse, siç tha ajo, aeroplanët e NATO-s u nisën nga baza në Itali.
Ndërkohë unë po i shikoja vetë në TV, aeroplanët duke u nisur, në Euro Neës
“E di motër”-i thashë. “Po i shoh në TV”.
U përshëndetëm me dëshirën që gjithçka të përfundojë mirë dhe të shpëtojmë e te bashkohemi.
Instinktivisht me të ndërprerë bisedën, veprimin e parë që bëra, e futa vajzën në një skutë në mes divanit dhe stufës dhe e mbulova me batanije.
Filluan sulmet. Një ndjenjë e çuditshme e përzier gëzimi, frikë, pasigurie. Të gjitha përnjëherë.
Pranvera, motra më e re, se di ku e gjeti idenë dhe mori aparatin e në ato çaste veç fotografonte.
Babi na qetësonte me fjalë e mami thirrte të afërmit me telefon për ti pyetur a janë mirë. Papritmas një krismë shumë e madhe u dëgjua saqë e dridhi gjithë shtëpinë. Vajza doli nga skuta e frikësuar. E mora e përqafova fort e ndonëse vet e frikësuar deri në palcë, përpiqesha ta siguroja atë që gjithçka do të përfundojë mirë.
Të nesërmen morëm lajme të kobshme për vrasjen e Bajram Kelmendit me të bijtë, e të tjerë gjithandej Kosovës, si hakmarrje ndaj bombardimeve.
Pas disa ditëve të bombardimeve, mora edhe një lajm të kobshëm. E gjithë familja Gashi ishte shuar në gjumë, kur bombat e NATO-s goditën Postën në Prishtinë, e shtëpia e tyre ngjitur, nuk e përballoi goditjen. Vetëm Trimi me Gjyshen shpëtuan. Dea, nxënësja ime bukuroshe nuk do të mësonte me piano.
Edhe shumë njerëz do të pësonin nga vrasjet, persekutimet, masakrat dhe dhunimet që forcat serbe do t’i bënin deri në fund të bombardimeve, por edhe nga goditjet e gabuara të avionëve (rasti në Meje).
Të gjithë ata dhe ato u bënë kurban i lirisë që ne sot e gëzojmë. Prandaj, të respektojmë sakrificën e tyre, e të ndërtojmë të ardhmen për të cilën ata u flijuan.
24 mars 2021
E izoluar ende në shtëpi, duke u marrë me pasojat e Covid-19, po e kujtoj atë ditë, 22 vite më parë. Me gëzim, që kemi mbijetuar dhe sot jetojmë e punojmë të lirë. Shumë qytetarë të Kosovës nuk e patën këtë fat.
Pa marrë parasysh problemet, dështimet, sfidat që i përjetuam gjatë këtyre 22 viteve, Ne jemi me fat. Por edhe me përgjegjësi.
Të respektojmë gjakun e derdhur dhe ta bëjmë ëndrrën e shumë qytetarëve të Kosovës-realitet.
Për gjeneratat e reja, për të ardhmen.
Blenda, vajza ime, së shpejti do të bëhet nënë, për herë të parë. Ajo, shpresoj, nuk do ta ketë asnjëherë friken dhe brengën për fëmijën e saj si unë për të më 24 mars 1999.
Por ajo do të brengoset se fëmija që do të sjellë në jetë, në çfarë Kosovë do të jetojë, si do të jetë shëndeti, arsimimi i saj, a do të gjejë punë etj.
Ajo edhe sot brengoset, a do të shpëtojë pa u infektuar nga Covid-19, kur të shkojë në pushim të lindjes, a do të mbetet pa punë dhe pa të ardhura?
Jeta vazhdon, çdo gjeneratë do ti ketë brengat dhe betejat e saj.
Të paktën ne që patëm fatin të mbijetojmë vitin 1999, jemi me fat edhe të brengosemi, por kryesorja jetojmë, dhe jetojmë të lirë.
Respekt të gjithë dëshmorëve e viktimave të lirisë që ne e gëzojmë. / KultPlus.com
Në mes të Prishtinës dhe Debrecenit të Hungarisë, vitin e kaluar, Ag Apolloni finalizoi dorëshkrimin e romanit të fundit me titull “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”, i cili u botua në tetor të 2022-tës. Vlen të theksohet që romani po gëzon sukses të madh në vend, por jo vetëm, sepse së fundmi ky libër u nominua për Çmimin e Bashkimit Evropian për Letërsi.
Veçoritë e romanit shtrihen në rrafshe të ndryshme, megjithatë shquhen rrafshi tematik dhe ai diskursiv.
Përralla si një lloj i veçantë i krijimtarisë gojore shquhet për kalimin nga një vend në tjetrin, me ç’rast pëson ndryshime duke shtuar e hequr elemente. Njëjtë ndodhë edhe me Kësulëkuqen. Historia njeh variante të shumta të kësaj përralle, afër 60 sosh; ndër më të hershmet cilësohet ajo frënge e shekullit të 17-të, e ndër më të famshmet ajo e vëllezërve Grimm e vitit 1812 me emërtimin “Rötkappchen” me të cilin njihet edhe sot e kësaj dite.
Një version të ri shumë kompleks, qoftë në aspektin tematik apo struktural na sjell Ag Apolloni përmes këtij romani.
Figura e përbotshme e Kësulëkuqes rikrijohet në mënyrë krejt të veçantë. Ajo shndërrohet në figurë alegorike dhe përmes saj shfaqet fati/pozita e gruas në përballje me dashurinë e vërtetë (ujkut-njeri) dhe të përdhunimit (njeriut-ujk). E para është aktuale, e dyta del si evokim i së kaluarës duke ndërfutur ngjarje e figura reale-historike.
Modelimi kompozicional dhe ndërtimi i personazheve
Hetuar tërësisht, romani ndërtohet përmes dy linjave tematike. Njëra është dashuria, ndërsa tjetra përdhunimi. Sikundër e theksuam edhe më lart, e para është mbizotëruese, ndërkaq e dyta shtrohet në formën e reminishencave. Kjo do të thotë që për nga kuantiteti tekstor tematika e dashurisë merr pjesën më të madhe dhe është prezente, kurse përdhunimi shfaqet në pasazhe e skena të shkurtra analeptike duke e rrumbullakuar tematikën në tërësi. Andaj, romani më shumë duhet të lexohet si një histori dashurie fiksionale sesa një roman historik që shtron vetëm fakte rreth përdhunimit gjatë luftës së 99-tës.
Si rrjedhojë romanin “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”, tipologjikisht nuk mund ta cilësojmë pastërtish fiksional, por gjithashtu nuk duhet ta konsiderojmë edhe të kundërtën. Ai qëndron në mes të dyjave që gërsheton fiksionin me faktin, duke e bërë përrallën realitet dhe njëkohësisht duke u brengosur për shndërrimin eventual të realitetit në përrallë.
Kjo do të thotë që shtresa ideore e romanit, ndër tjerash, paraqet një çështje shumë delikate që ka të bëjë me pasojat e luftës. Përralla e Kësulëkuqes siç e theksuam më lart burimisht ishte histori përdhunimi, por me kohën është retushuar. Andaj, nëse drejtësia për viktimat e luftës nuk merr epilog së shpejti dhe nuk ngritet zëri vazhdimisht për këtë kategori, rrezikohet që në të ardhmen faktet të humbin e të shtrembërohen duke bërë që realiteti i vrazhdë i asaj periudhe të ndryshohet.
Heshtja kosovare për të ngritur zërin ndërkombëtarisht, në vazhdimësi, për brutalitetin e 99-tës bën që të harrohet e vërteta. Madje kjo më së miri mund të hetohet edhe në roman, sidomos në pjesën kur Maksi bisedon me Metin në kafenenë “Vllaznimi”, i cili ndër të tjerash thekson:
Nuk kishte luftë. Kishte një konflikt. Bile as konflikt nuk ishte, po njëfarë grindjeje. Jo, jo, nuk ishte tamam grindje. Ishte, si të them, një mosmarrëveshje. Por, gjithsesi, tash jemi afër një marrëveshjeje përfundimtare me ta.
Drejtësia e tejzgjatur për viktimat e luftës, ka bërë që popullit t’i humb shpresa tejsisht. Kjo bën që individi të pësojë çrregullime mendore nga dyshimet e tepërta mbi të vërtetën. Diskutimi në kafenenë “Vllaznimi” mes Metit e Maksit shkon aq larg, sa ky i fundit i vë në pikëpyetje përdhunimet gjatë luftës:
Oh, është një kategori që po flet dhe bash qatyne ua ke çelë gojën me këtë shfaqje.
Çfarë kategorie?
Të përdhunuarat.
Po, leje se këtu s’ka pasë përdhunime. Kanë qenë thjesht përqafime, akte dashurie.
Jo, jo . Janë dikund 20 mijë të përdhunuar, gra e burra. Qindra aborte. Së paku njëqind fëmijë kanë lindur nga përdhunimet; disa prej tyre janë braktisë, disa i kanë fshehë ku e qysh kanë mundur, disa janë lënë nëpër jetimore, disa janë mbytur nga nënat e tyre. (fq. 120-121).
Biseda në këtë kafene është shumë intersante, sepse në njëfarë mënyre figurativisht paraqet analogji mes Kosovës dhe Serbisë. Mënyra se si Meti ndërprenë diskutimin në çastin kur hyn Sasha, na ngjan me heshtjen e vazhdueshme të Kosovës për krimet gjatë luftës dhe frikën eventuale.
Strukturalisht, romani ndërtohet kështu: fillimisht kemi të bëjmë me prologun “Përrallë nga e kaluara”, pastaj tridhjetë pjesë të ndara me numra romakë, dhe epilogun “Përrallë nga e ardhmja”. Prologu shtron shkurtimisht përrallën e njohur të Kësulëkuqes, pastaj kthehemi në aktualitet në të cilin shtjellohet ngjarja mes personazheve kryesore, ndërkaq romani mbyllet me “Përrallën nga e ardhmja” që rrëfehet në një version tjetër nga perspektiva e Loritës.
Kur jemi te personazhet mund të themi që mënyra e ndërtimit të karaktereve të tyre është jashtëzakonisht kompleks. Në qendër të rrëfimit e veprimit janë Maksi, si ujku i sëmurë dhe Lorita si Kësulëkuqja reale. Në fakt, këto dy personazhe paraqesin pjesën kryesore të romanit që ka të bëjë me tematikën e dashurisë.
Për nga profesioni, Maksi është shkrimtar e dramaturg, ndërsa Lorita aktore. Njëri afër 40-vjeç, tjetra 23 vjeçare. Andaj, kjo mund të cilësohet si dashuri atipike që ka peripecitë e veta.
Ngjarjet vendosen prej momentit të takimit mes protagonistëve në një park të Prishtinës. Aty teksa Maksi kishte dalë për ajër të pastër shkaku i gjendjes së rënduar shëndetësore, Lorita takohet për herë të parë me të. Pamja e jashtme e tyre është interesante: Maksi i veshur me të zeza sikur një ujk, ndërsa Lorita me një kapelë të kuqe duke i ngjasuar Kësulëkuqes. Ata dashurohen në çastin e parë, sidomos Maksi, i cili Loritën e përshkruan si vijon:
Maksit i bëri përshtypje gjithçka e saj – mollëzat sllave, hunda e vogël, buzët mishtore, gjinjtë që i dukeshin të mëdhenj nën duks, shkurt e shqip, i pëlqente gjithçka e saj – por sytë, sytë blu, ata sy ashtu, e habitën, e goditën, e tronditën më së shumti. Kësi sysh do të ketë pasur edhe Elsa e Aragonit. “Sytë e tu e sfidojnë qiellin kur hapet moti”, kujtoi ai. (f. 14.)
Më vonë takimet shpeshtohen, dashuria shtohet e po ashtu edhe skena erotike janë të pranishme. Maksi paraqitet paksa i shtyrë në moshë, i sëmurë, mbipeshë. Kësisoj, receptuesi çuditet se si një vajzë e re e aq e bukur dashurohet me të, por mund të konsiderojmë që retorika e Maksit, diskutimet rreth artit e ngjarjeve sociale etj., duket sikur e fascinojnë aktoren bukuroshe. Kjo në njëfarë mënyre na lë të nënkuptojmë idenë se dashuria është tejfizike. Këtë e forcon edhe parateksti i romanit, në të cilin paraqitet një konstatim i Lord Bajronit:
“Dashuria do ta gjejë rrugën nëpër shtigje, ku edhe ujqit kanë frikë të hyjnë”.
Një pyetje që mund të shtrohet vetvetiu gjatë leximit mund të jetë: a është Maksi personazh autobiografik? Pozitivistët do ta analizonin si të tillë, ndërsa formalistët do ta zhvishnin nga biografia autoriale. Në fakt, të dy palët do të kishin të drejtë, sepse Maksi ka edhe shenja referenciale, shembull: a e shkroi romanin “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur” Ag Apolloni apo Maks Ujkani?; a ishte në Debrecen të Hungarisë njëri apo tjetri? Përveç këtyre shenjave, padyshim që ky personazh është fiksional. Andaj, sikundër thotë edhe autori në një intervistë, Maksin duhet ta shohim dhe analizojmë si një alterego autoideografike që shfaq ide të ndryshme autoriale mbi artin, religjionin, shoqërinë, historinë, politikën e kështu me radhë. Në anën tjetër Lorita karakterizohet si një vajzë e re që ka 23-vjeç, studente e aktrimit, studime që s’i kishte mbaruar akoma, madje i kishte lënë krejtësisht duke theksuar që diploma nuk vlen për një aktor.
Romani nuk ka një galeri shumë të gjerë personazhesh. Përveç atyre kryesore, kemi të bëjmë edhe me Sashën, Metin, Dritën, Gjyshin e Maksit e ndonjë tjetër. Megjithatë këta mund të konsiderohen si personazhe që kanë një funksion të caktuar për të cytur shtresën ideore të romanit, por nuk kanë ndikim të drejtpërdrejtë në rrjedhën e ngjarjeve apo kompozimit syzheik në përgjithësi.
Sa i përket ndërtimit tërësor, romanin mund ta konsiderojmë që ka një natyrë mikste. Jo vetëm në aspektin zhanror, por edhe në materializimin narrativ e diskursiv.
“Kësulëkuqja, përrallë për të rritur” cilësohet si një roman për nga zhanri, megjithatë brenda tij kemi të bëjmë me pjesë të ndryshme dramatike e poetike/muzikore. Struktura e tillë kombinatorike është karakteristikë e poetikës postmoderne në përgjithësi.
Drama si zhanër i veçantë që për bazë ka veprimin ngjizet ndjeshëm në modelimin kompozicional të romanit. Historia e vërtetë e përdhunimeve jepet përmes skenave që ndërtohen sipas modelit tipik dramatik, duke përfshirë edhe didaskalitë. Përveç këtyre, një pjesë të madhe të romanit e zë edhe drama e Juditës, skenarin e së cilës e rishkruan Maksi, regjisor Meti, ndërkaq në kastën e aktorëve kemi të bëjmë me Sashën në rolin e Holofernit, Loritës si Judita dhe Dritës në rolin e Leas. Por, pse rimerret kjo histori e lashtë dhe inkorporohet brenda syzheut romanesk? Për shkak se ajo na paraqet një analogji mes përdhunimit të femrave hebreje dhe përdhunimit të femrave shqiptare.
E veçantë, ndër tjerash, është edhe përzgjedhja e aktorëve. Në petkun e Holofernit dhunues është Sasha. Ky personazh është i nacionalitetit serb, ndërkaq pseudonimi mund të merret si shkurtesë e emrit Alaksandër. Paradoksale është edhe ndarja e skenës mes një serbi dhe një shqiptareje si puna e Dritës e cila po ashtu ishte përdhunuar gjatë luftës në bodrumet e Grand Hotelit, histori kjo që ia rrëfen Loritës me shumë emocionalitet.
Përveç sinkretizmit zhanror, veçoritë e romanit kanë të bëjnë edhe me pjesën e narracionit, i cili shtrohet në një mënyrë atipike. Bëhen alternime të shpeshta narrative, me ç’rast rrëfimi herë kalon te një personazh herë te tjetri. Po ashtu alternohet mes rrëfimit prej vetës së parë te ai i vetës së tretë. Andaj, llojet e narratorëve janë të shumëfishta; kësisoj kemi narratorë me dije të kufizuar, narratorin e gjithëdijshëm e kështu me radhë.
Koha e hapësira si dy kategori shumë të rëndësishme narrative te “Kësulëkuqja” janë reale. Ngjarjet vendosen në kohën moderne, duke na lënë të nënkuptojmë që gjithçka ndodhë në vitin 2022, përveç pjesës së fundit ku kapërcehet në kohë, atëherë kur dashuria mes Maksit dhe Loritës ishte kurorëzuar, madje kjo e fundit si e moshuar, u rrëfen nipave e mbesave për historinë e Kësulëkuqes moderne. Fundi i romanit sa i përket linjës së dashurisë mes Maksit e Loritës merr epilog të modelit happy end që është karakteristik për llojin e përrallës. Kjo na lë të kuptojmë ndër tjerash që edhe dashuria atipike kur është e vërtetë dhe zhvillohet larg dhunës do të ketë një fund të tillë.
Ndërkaq sa i përket toposit, hapësirat e romanit janë reale. Pra kemi të bëjmë me Prishtinën dhe Debrecenin e Hungarisë. E para mund të hetohet edhe nga emrat e tjerë hapësinorë si Teatri Kombëtar i Kosovës, Grand Hoteli e ndonjë tjetër, ndërsa i dyti ndërlidhet me pjesën e fundit, atëherë kur Maksi fiton një rezidencë një-mujore si shkrimtar në Debrecen prej ku duke evokuar historinë e vet shkruan romanin “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”.
Diskursi filozofik e kritik
Një veçori tjetër e romanit që duhet të vihet në theks është modelimi diskursiv, i cili është shumështresor.
Karakteri kompleks i Maksit shtron më së shumti çështje që kanë të bëjnë me rrafshe të ndryshme. Formimi i këtij personazhi bën që përsiatjet të jenë të shpeshta, njohuritë e mëdha, gjuha e veçantë e kështu me radhë. Maksi jep mendime edhe sa i përket religjionit; ai nuk mohon besimin, por i jep përparësi dyshimit. Ajo që më së shumti i pengon kur kemi të bëjmë me religjionin është nënshtrimi.
Artit i jep përparësi shumë të madhe, duke e vendosur mbi shkencën. Për të filozofia, muzika, arti figurativ e letërsia janë eternale.
Romani shquhet edhe për diskursin kritik që haset në pjesë të shumta. Kritika e ashpër i parashtrohet ndër tjerash edhe politikës, sidomos përkatësive ideologjike që për Maksin, lihet të nënkuptohet, janë krejt të pavlefshme për kohën dhe ndikojnë keq në shoqëri. Në pjesën e 19-të të romanit një kritikë e madhe u drejtohet edhe protestave ekstreme të grave që përgjithësojnë burrat për dhunën ndaj tyre. Me anë të kësaj në njëfarë mënyre bëhet thirrje që dhuna të shihet si e dyanshme. Ajo nuk përfaqëson një gjini. Maksi rikujton admirimin e Homerit për Helenën, Da Vinçin për Mona Lizën, Danten për Beatriçen e kështu me radhë, duke përfunduar me konstatimin që ajo, apo ai që e përkrahë turmën që kundër njërës gjini hedh gur, nuk është as grua, as burrë.
Gjuha e romanit modelohet duke iu përgjigjur standardes dhe zhargonit në rastet kur diskutohet mes personazhesh. Ka pjesë të shumta ku ndërfuten edhe proverba popullorë e ngjashëm. Po ashtu citohen thënie të ndryshme prej filozofësh e artistësh; përmenden emra të njohur nga arti e kultura e përbotshme; ndërfuten tekste këngësh; përdoret në disa raste gjuha angleze, serbe, ndonjë fjalë hungareze e kështu me radhë. Për fund vlen të theksohet që edhe ndërtimi i fjalive në përgjithësi është eliptik, duke bërë që romani të përshkohet nga një ritëm i shpejtë dhe dramacitet i jashtëzakonshëm.
Romani si evokim i përdhunimit gjatë luftës së fundit në Kosovë
Fundi i viteve të 90-ta në Kosovë u manifestua me ngjarjen më të dhimbshme për popullin shqiptar në përgjithësi. Lufta makabre e serbëve ndaj civilëve shqiptarë konsiston në një numër enorm të rrahjeve, maltretimeve e vrasjeve; krime këto që edhe sot e kësaj dite mbeten të pandëshkuara.
Përveç këtyre, përdhunimi i grave dhe burrave gjatë luftës mbetet akti më brutal që po ashtu ka lënë pasoja të tmerrshme fizike e psikologjike te viktimat dhe më gjerë.
Ky akt çnjerëzor është njëri prej motiveve kryesore te “Kësulëkuqja” e Apollonit. Por, mënyra e trajtimit të këtij motivi është atipike.
Sikundër e thekson vetë autori, e po ashtu këtë emër e hasim edhe në tekst, ndërlidhja e Kësulëkuqes me përdhunimin ka ardhur si ndikim nga studimet e hollësishme të hungarezes Maria Tatar mbi variantet e kësaj përralle, e cila gjenezën e saj e konstaton si një rrëfim përdhunimi, por që me kalimin e kohës shndërrohet në histori për fëmijë duke hequr pjesët e dhunshme.
Ngjarjet e tmerrshme të luftës, duke specifikuar përdhunimin, në roman dalin si fakte historike të dokumentuara.
Në pjesën e 8-të të romanit përmes një strukturimi dramatik na jepet historia e dhimbshme e Martë Tunajt e cila konsiderohet si gruaja e parë që publikisht rrëfeu përdhunimin e përjetuar nga serbët.
Pak më vonë, gjegjësisht në pjesën e 14-të të kompozicionit, kemi të bëjmë me një tjetër histori të njohur. Nga Marta kalohet te Buqja, emri përkëdhelës i Vasfije Krasniqit. Nëse Marta u bë zëri i parë i grave të përdhunuara, Vasfije Krasniqi shkoi më larg, sepse siç e dimë, ajo pa droje e ngritë këtë çështje jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë, përkatësisht në Uashington. Ky veprim paraqet një çast tejet të rëndësishëm për këto viktima, duke ua shtuar shpresën për drejtësinë e munguar.
Tmerri i luftës nuk ndërlidhet vetëm me përdhunimin e grave. Shumë meshkuj u vranë, por shumë prej tyre edhe u torturuan dhe pësuan dhunim seksual. Përdhunimi i tyre na shfaqet në pjesën e 23-të, ku theksohet ngjarja e burrit i cili për herë të parë në Radio Televizionin e Kosovës, anonimisht, rrëfen përdhunimin e përjetuar.
Në roman, kjo ngjarje, sikundër ato të mëhershmet, gjithashtu ndërtohet sipas metodës dramatike që përçon një emocion të jashtëzakonshëm. Në vazhdim po japim një strofë, në të cilën Burri 2, thekson që dhuna seksuale ishte më makabre se vrasja për ta:
Desha të më vrisnin, të më prisnin, të më digjnin, të më bënin çkado, desha gjithçka tjetër të më bënin, besomëni, vetëm atë jo. (f. 163.)
Lufta përveç grave e burrave nuk kurseu as fëmijët. Ata u maltretuan e përdhunuan. Shumë prej tyre u vranë pa dalë ende në këtë botë. Kjo më së miri shfaqet në pjesën e 25-të, në të cilën përmes një skene dramatike duket sikur Zëri i fëmijëve të vrarë qan e rënkon, por edhe gëzohet që s’është pjesë e një bote mizore.
Në roman përveç rimarrjes së historisë së këtyre figurave historike, shtrohen edhe disa fragmente të vërteta të grave të përdhunuara. Ato i mblidhte Maksi vazhdimisht me qëllim që ta shkruajë një roman me një tematikë të kësaj natyre. Nga disa prej tyre po veçojmë këtë:
Pesëdhjetë veta jena kanë. O sa britma, sa piskama u bo aty. Na kanë deshë me zor, me thikë m’i kanë pre jelekët. E pasha gjakun tu rrjedhë prej gjinit. Kambën ma kishin çallamish krejt. Besomë, që kur janë largu, kena ulë n’ledinë edhe, tu na ardhë marre me pa njana-tjetrën, veç e kemi ulë kryet e kemi kajtë. Me orë. (f.34.)
Prej këtyre që u thanë deri tash, kjo pjesë ka për qëllim që t’i shfaq disa karakteristika të romanit që kanë të bëjnë me shfaqjen e fakteve historike të cilat ndërlidhen drejtpërdrejtë me luftën e fundit në Kosovë.
Theksi padyshim që bie te përdhunimi si lajtmotiv që ndikon edhe në historinë e pasluftës. Madje, ka pjesë në roman që për këtë kategori konsideron se lufta e vërtetë kishte filluar pas luftës.
Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale shqipe”, që ligjërohet nga prof. dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë./KultPlus.com
“Ne kemi sot një klasë intelektuale që në pjesën më të madhe i ka humbur kordat e zërit. Heshtin shumë: nuk kanë dinjitet ndaj nuk indinjohen. Kjo është e tmerrshme dhe e pabesueshme: mungesa e revoltës.
Shumë mendojnë: ç’më duhet mua të ekspozohem? Ndoshta, një ditë do të kem nevojë për diçka, për një nder apo ndihmë nga ai që po kritikoj sot.
Çdo gjë luhet përmes shantazhit, për të siguruar ndonjë avantazh. Kushdo që punon në fushës e informimit dhe të opinionit ka kuptuar një gjë: duhet të mbetesh në lojë. Nëse fillon të kritikosh, nëse kundërshton, nëse ofron qoftë edhe refleksione të pa mirëpritura, të fshijnë menjëherë. Tashmë është bërë zakon bërja e listave me emrat e të gjithë atyre që ‘sillen keq’. Kush nuk futet në rrjesht, dëbohet. Dëbohet nga gjithçka.
Pasojat e mendimit të nënshtruar, konformist dhe oportunist janë të tmerrshme: ai zhduk antikorpet. Ky lloj mendimi krijon, praktikisht, një shoqëri të paaftësh dhe sahan lëpirësish.
Mjafton të shikosh parlamentarët që i justifikojnë “dredhjet” e tyre me shprehjen e vjetër “kam familje”, një bejte që recitohej kudo në kohën e fashizmit.
Shoh një rrethim të lirisë së shprehjes – individët që kanë kurajo margjinalizohen. Pushteti gjithmonë kërkon t’i shuajë zërat kundërshtues, por në një sistem të shëndetshëm, pushtetin e kufizojnë ata që e kundërshtojnë. /KultPlus.com
Një 9-vjeçar nga Kina theu një rekord botëror Guinness kur ai arriti një kohë mesatare prej 4.69 sekondash në përpjekjet e tij për të zgjidhur një kub Rubiku3x3x3.
I riu Yiheng Wang bëri pesë përpjekje më 12 mars në ngjarjen Yong Jun KL Speedcubing 2023 në Kuala Lumpur, Malajzi, dhe regjistroi kohët prej 4.35, 3.9, 4.41, 5.31 dhe 6.16 sekonda.
Rregullat e Shoqatës Botërore të Kubit kërkonin që kohët më të shpejta dhe më të ngadalta të zbriteshin gjatë llogaritjes së mesatares, duke i dhënë Yiheng një kohë mesatare prej 4,69 sekondash.
Rekordet Botërore të Guinness-it thanë se djali theu rekordin për kohën më të shpejtë mesatare për të zgjidhur një kub rrotullues të enigmës 3x3x3, duke mposhtur rekordin prej 4.86 sekondash, i cili u mbajt së bashku nga Max Park i Shteteve të Bashkuara dhe Tymon Kolasiński nga Polonia.
WCA tha se zgjidhja prej 3.9 sekondash e Yiheng ishte e katërta më e shpejtë në rekord./abcnews.al/ KultPlus.com
Bisedë me helenistin dhe latinistin Gjon Shllaku (1923-2003) Bisedoi: Shpëtim Kelmendi Realizuar më 2000, botuar te “Fjala” më 2003
Shpëtim Kelmendi: Dimë që jeni lindë në vitin 1923. Po data e saktë, cila asht? Gjon Shllaku: Jam lindë më 24 mars të vitit 1923, në kohën e Pashkëve. Ka qenë e enjtja e madhe, paçka se në letërnjoftim daton dhjetor, 1922.
Shpëtim Kelmendi: Cilat janë rrethanat që kanë mundësue lindjen e pasionit për përkthimin? Gjon Shllaku: Fillimisht më duhet t’ju them se kam pasë fatin e madh me studiue për prift. Unë kam qenë jetim, e rrjedhimisht e kam pasë të pamundun me ndjekë shkollën. Kulturën dhe edukatën që kam marrë, ia kushtoj Seminarit Papnor, që e drejtonin Jezuitët. Për herë të parë, aty kam pa dhe kam mbetë i mahnitun nga “Poetët e mëdhej t’Italisë”, përkthye nga Ernest Koliqi; jam njoftë me dy kangë të “Iliadës”, të përkthyeme nga Frano Alkaj, me përkthimet e Henrik Lacajt e të tjerë. Të tana këto tekste të prume në shqip, unë i vija përballë origjinalit. Pikërisht fakti se këto përkthime më rezultonin të denja, bani të mundun që, dora-dorës, të lindej në mua dëshira me përkthye.
Shpëtim Kelmendi: Cili asht teksti i parë mbi të cilin keni punue, pavarësisht nëse mund të jetë fjala për tekst të përfunduem ose jo? Gjon Shllaku: Teksti i parë mbi të cilin kam punue, ka qenë “Ben Hur” i Wallace, kur ende nuk i kisha mbushë të shtatëmbëdhjetë vjetët. Ishte një tekst prej 150 faqesh, i cili më pat dhanë kënaqësi të jashtëzakonshme. Por, nuk u mjaftova me aq. Atë tekst e përpunova tri herë, tue ngulmue me zbulue sekretet e përkthimit, natyrisht tue u bazue edhe në përkthimet që i ishin ba këtij libri në gjuhë të tjera.
Shpëtim Kelmendi: Çfarë ndodhi me këtë tekst? Gjon Shllaku: E randësishme asht se ai libër i dha formë pasionit tim mbi përkthimin. Në gjimnaz na jepnin si detyrë me zgjedhë e me përkthye vepra të autorëve latinë. Me këtë rast pata përkthye shtatëqind vargje nga “De rerum natura” të Lukrecit. Ky tekst, edhe pse ishte tekst i detyruem shkollor, më pëlqente së tepërmi. Pra, edhe kësaj radhe punova me kënaqësi. Lukreci asht një ndër poetët ma të fuqishëm të gjuhës latine, pararendës i Virgjilit dhe i Ovidit. Veç kësaj, Lukreci ka edhe profil shkencëtari, sepse ka shkrue mbi natyrën dhe kozmosin. Mund të thuhet se asht poet vizionar …
Mandej përktheva pjesë nga “Eneida” e Virgjilit, ndërsa ma vonë, kur mësova greqishten e vjetër, fillova të merresha me Homerin, Sofokliun, Euripidin, me pjesët korale. Këto punë i baja me shumë kënaqësi, kuptohet, gjithë tue u përpjekë me mësue sa ma shumë në lidhje me artin e përkthimit.
Shpëtim Kelmendi: Domethanë, ma së shumti keni përkthye për kënaqësinë tuej, e jo për t’u vu në radhën e përkthyesve të madhej? Gjon Shllaku: E thashë edhe ma sipër: kënaqësia ime ka qenë gjithmonë në plan të parë.
Shpëtim Kelmendi: A keni provue me u marrë me krijimtari? Gjon Shllaku: I frymëzuem prej autorëve të madhej grekë, unë jam përpjekë me shkrue edhe vepra të mia origjinale. Tue fillue që prej kohës së seminarit e deri kur jam arrestue, në moshën 22 vjeç, pata shkrue tri tragjedi. Njena ka në qendër princeshën Irenë, gruen që shkroi konfliktin mes Lek Zaharisë e Lek Dukagjinit, në dasmën e Mamicës. Një tjetër tragjedi asht me temë biblike dhe titullohet “Judita e Holofardi”. Holofardi ka qenë gjeneral i asirëve, kur këta pushtuen Palestinën. Judita ishte një vajzë çifute, e cila, e frymëzueme nga nji fuqi e mbinatyrshme, hyn në çadrën e Holofardit, të cilin arrin ta dehë e më pas ta therë me thikë, tue shpëtue kësisoj tanë Palestinën. Tragjedia tjetër titullohet “Skënderi dhe Zulejka”, dhe trajton kohën kur Skënderbeu ndodhej në Turqi. Skënderbeu dashunohet me Zulejkën, por kuptohet, asht fjala për nji dashuni të pamundun.
Shpëtim Kelmendi: Gjatë përvojës tuaj të gjatë si përkthyes, a ju ka qëllue të dështoni përballë ndonjë teksti, tue e lanë atë përgjysmë? Gjon Shllaku: Jo, sepse jam marrë gjithmonë me tekste që ngërtheheshin në aftësitë e mia. Nuk kam pranue asnjiherë punë të porosituna. Kam punue gjithmonë me pasion, me shpirt, dhe nuk jam tërheqë mbrapsht nga puna me ndonji tekst. Por më kanë humbë shumë tekste.
Shpëtim Kelmendi: Si jeni trajtue në kohën e diktaturës? A jeni vlerësue në masën e duhun për punën që keni ba? Gjon Shllaku: Me thanë të drejtën, deri dy vjet para se me dalë në pension, rrogën e kam pasë 4500 lekë të vjetra. Kam punue si kryenormist në “Xunktha”, ku për të njëjtën punë më kanë diferencue ndjeshëm prej kolegëve të mi. Nuk ndjehesha i sigurtë sa herë që në ndërmarrje vinin instruktorët e partisë. Merrnin vesh se kush isha, e fill mandej më pyesnin se si ishte e mundun që më kishin lejue të punoja aty. Kërkonin të më largonin nga ajo punë e të më çonin në ndërmarrjen e ndërtimit, për të ba beton, pavarësisht faktit se në vitin 1965, “Iliada” ime e parë, e botueme me nji tirazh prej 5000 kopjesh, të cilat ishin shitë menjiherë, nji tekst i përkryem, i cili duhej të më jepte autoritetin që meritoja. Më pas, “Iliada” u ribotue me nji tirazh prej 15 mijë kopjesh, të cilat u përpinë gjithashtu nga lexuesi.
Shpëtim Kelmendi: A keni përfitue gja prej këtyne botimeve në kuptimin financiar? Gjon Shllaku: Në botimin e parë, po, ndërsa në botimin e dytë, kur qeshë i detyruem me e kthye tekstin në normën letrare zyrtare, s’më dhanë kurrgja.
Shpëtim Kelmendi: Cilat nga veprat që keni përkthye i konsideroni ma të randësishmet? Gjon Shllaku: Veprat e Homerit, natyrisht. Por, nëse Homeri asht ai që asht, Homeri i tragjedisë quhet Sofokli. E kam plagë në zemër veprën e Sofokliut, të cilën e pata dorëzue në ambasadën greke, të përkthyeme në gegnisht. E pata dorëzue në bashkëpunim me fondacionin “Soros”, i cili kishte ba edhe sponsorizimin. Fatkeqësisht, nëpunësit e fondacionit “Soros” ma përçudnuen veprën. Si ma përçudnuen? Unë e kisha përkthye tekstin në dy versione: gegnisht e tosknisht. Vepra iu dha Vera Isakut, të shoqes së Agim Isakut. Ajo gjoja e redaktoi veprën, tue i ba dhjetë vargje gegnisht, dhjetë tosknisht, e dhjetë të tjera ku di unë se si. Fundja, le ta kishte lanë krejtësisht në tosknisht, sepse kësisoj vepra do të ruante një karakter të caktuam. Këtë fakt nuk e kam përfolë kurrë, dhe asht hera e parë që po e them në nji intervistë.
Shpëtim Kelmendi: A keni kopje të tjera nga ky tekst? Gjon Shllaku: Posi jo. I kam të dy versionet: në gegnisht e në tosknisht.
Shpëtim Kelmendi: A mund të na thoni diçka rreth fjalorit Latinisht-Shqip, që po përgatisni? Ku e keni fillue këtë punë? Gjon Shllaku: Tashma janë mbushë trembëdhjetë vjet qëkur e kam fillue këtë punë. Fjalori ka përmasa të mëdha, sepse përfshin jo vetëm periudhën klasike, periudhë e mirëfilltë letrare, por edhe periudhën paraklasike; përfshin dekadencën e kulturës latine, përfshin latinishten e mesjetës, latinishten kishtare, e cila asht përdorë nga etërit e kishës, si Shën Jeronimi, Shën Thoma Akuini etj. Kësisoj, kushdo që dëshiron me përkthye nga latinishtja ndonji tekst që gjendet mes latinishtes antike dhe asaj shkencore moderne, fjalët do të mundet me i gjetë në fjalorin tim. Mungojnë vetëm termat joautentikë dhe fjalët e latinizueme.
Shpëtim Kelmendi: Jeni në përfundim të kësaj pune? Gjon Shllaku: Si urdhnon!
Shpëtim Kelmendi: Me sa fjalë parashikohet të jetë ky fjalor? Gjon Shllaku: Me 65 mijë fjalë. Deri tashti kam 4500 faqe të daktilografueme. Çdo faqe ka 42 rreshta, e këtë e kam ba për të kursye letrën, e cila pothuajse gjithmonë më mungon.
Shpëtim Kelmendi: Shumica e lexuesve ju njohin si përkthyes i “Iliadës”. Për mendimin tim, por edhe të shumëkujt, kjo vepër do të mjaftonte për t’ju konsiderue përkthyes të madh. A do të ishit dakord me këtë vlerësim? Gjon Shllaku: Si t’ju them… Kur njeriu ka vetëm një fëmijë, e shndërron atë në nji idhull të vetin, po kur ka ma shumë, duhet t’i trajtojë të gjithë me të njëjtën masë dashnie. S’di ç’mund të them ma tepër.
Shpëtim Kelmendi: “Iliada” asht zanafilla e letërsisë botnore, e praktikisht ka mbetë si model i parë për artistin e fjalës. Prej këtu, mendoj se përkthyesi i një teksti të tillë fillimor meriton respekt të veçantë. Ju, a ndiheni i respektuem në masën e duhun? Gjon Shllaku: Unë njoh versionet origjinale të përkthimeve në gjermanisht e italisht. Në gjermanisht asht Johann Heinrich Voss ai që e ka përkthye “Iliadën” qysh para dyqind vjetësh, e pak a shumë në të njëjtën kohë, “Iliada” asht përkthye edhe në italisht nga Vincenzo Monti. “Iliada” asht përkthye edhe disa herë të tjera në këto gjuhë, por versionet e para të përkthimit mbeten të paarritshme. Natyrisht, këta përkthyes kanë qenë figura shumë të nderueme në vendet e tyne. Sa për mua, të vetmet vlerësime në kohën e diktaturës, i kam pas marrë nga një shkrim i Henrik Lacajt, ndërsa Engjëll Sedaj ka shkrue: “… Aq sa janë enigmatikë personazhet e ‘Iliadës’, po aq enigmatik asht edhe emri i përkthyesit të saj.”
Shpëtim Kelmendi: Me përkthimin e “Iliadës”, veç të tjerash, ju keni dhanë prova se gjuha shqipe asht gjuhë e fortë, e aftë me u përballë edhe me nji gjuhë tjetër të madhe, si greqishtja e vjetër. Ju jeni i pari që e pohoni këtë fakt nëpërmjet punës. Gjon Shllaku: Gjuha shqipe asht aq e fortë me përkthye letërsinë antike e moderne, sa mund të çuditeshit. Duhet ta dini dhe të jeni të bindun, se fjalët e para me të cilat fillon “Iliada”, janë shqip (reciton në greqishten e vjetër vargjet e para: “Këndo hyjneshë mëninë e Akil Pelidit…”). Në origjinal asht: “menos” = mëni, mëri. Gjithashtu, kemi fjalët “thymos” = thumbos, nguc, zemëroj. Tashti, le të marrim fillimin e veprës “Odiseu” (reciton sërish në greqishten e vjetër: “Më dëfto muzë, njeriun me jetë të rrahun…”). “Andra” asht kallëzorja e “anir” = anir, njeri.
Vetëm te “Iliada” kam gjetë 170 fjalë shqipe. Kemi, për shembull, fjalën “Kronos” = krua, kroi, kroni. Kemi fjalën “daju” = daj, ndaj, me nda.
Shpëtim Kelmendi: Ju përktheni nga të gjitha gjuhët që njihni, apo nga disa? Gjon Shllaku: Ma tepër kam përkthye nga frëngjishtja. Më pëlqen shumë kjo gjuhë. Qysh në moshën 19 vjeç kam përkthye nga vepra e Victor Hugo, ndërsa në moshën 21 vjeç kam përkthye “Martirët” e François-René de Chateaubriand, shtatëqind faqe roman. Ma vonë kam përkthye: “Berberi i Seviljes” dhe “Martesa e Figarosë” të Beaumarchais, poezi lirike të Victor Hugo, poezi të Alphonse de Lamartine, poezi të Alfred de Vigny etj. Me nji fjalë kam përkthye nji dynja libra nga letërsia franceze. Kam përkthye “Sidi” të Pierre Corneille, “Ester” dhe “Atali” të Jean Racine, që të dyja drama me temë biblike.
Shpëtim Kelmendi: Te mjaft artistë të sotëm ekziston mendimi se familja është pengesë serioze për ndërmarrje të mëdha si kjo juaja. Ju si mendoni? Çfarë ka qenë familja për ju? Gjon Shllaku: Për mua familja ka qenë përkrahje, gruaja veçanërisht. Ajo e çmon punën time dhe i don librat e mi si fëmijë: i prek, i ledhaton, u fshin pluhurin. Ka adhurim për ta.
Shpëtim Kelmendi: A keni miq? Çfarë vendi zënë ata në jetën tuaj? Gjon Shllaku: Kam dashamirë. Unë i due njerëzit dhe gjithmonë mendoj mirë për ta. Për me pasë miq duhet me qenë i përkushtuem, me pasë edhe kohë. Por, siç e dini, unë rri tanë ditën i mbyllun mbrendë. Mandej, për t’i ruejtë marrdhaniet me miqtë, duhet me marrë pjesë edhe në raste gëzimi, idhnimi, a ku di unë. Unë nuk kam kohë për gja tjetër, përveçse për punë.
Shpëtim Kelmendi: A keni besim te Zoti? Nëse po, si e shprehni këtë besim? Gjon Shllaku: Shumë. I respektoj nji për nji Dhjetë Urdhnesat, që Zoti ua ka zbritë njerëzve. Për gjithçka të mirë që kam, i falem nderës Zotit! Mbi të gjitha për faktin se, pavarësisht moshës që kam, nuk e ndij të nevojshme me mbajtë syze. Shikoj shumë mirë. Të pamët më ka ndihmue shumë. Arrij ta kap edhe shkrimin ma të imët në shqip, latinisht, greqishte e vjetër e çka të jetë.
Shpëtim Kelmendi: A jeni i kënaqun me punën tuej të derisotme? Gjon Shllaku: Jam shumë i kënaqun, sepse atë që kam andërrue pothuajse tanë jetën, e kam ba realitet. Qysh në vitin 1940, kur isha 17 vjeç, pata ble veprat e tre autorëve të famshëm të Greqisë së Lashtë: Sofokliut, Euripidit, Eskilit. Lexoja tragjeditë e tyne të përkthyeme në italisht, dhe andërroja që nji ditë t’i sillja këta autorë në gjuhën shqipe. Sofokliun e kam përkthye krejt; nga Euripidi kam përkthye veprat ma të mira, ndërsa nga Eskili kam përkthye “Prometeu i lidhun”.
Shpëtim Kelmendi: Me sa di, ju nuk jeni prej atyne njerëzve që ankohen herë mbas here e për çdo gja… Gjon Shllaku: As mos e mendo! Unë jam shumë optimist. Kënaqem gjithmonë me pak.
Shpëtim Kelmendi: A ndiheni ndonjiherë i lodhun, i dëshpëruem e në mungesë dëshire për punë? Gjon Shllaku: Kurrë! I lodhun fizikisht, po. Në kësi rastesh vetëm flej. Ju nuk e dini: unë kam pasë nji sëmundje të keqe. Më kanë operue disa herë dhe kam vuejtë përnjimend shumë. Por, edhe pse në gjendje të tillë, ashtu i mbështjellë me batanije dhe i rrethuem me borsa uji të nxehtë, nuk kam reshtë asnjiherë së punuemi. Ishin kushte të randa, por që prapëseprapë nuk arritën me m’shkëputë nga puna. Megjithatë, tash që mendohem, kujtoj se e kam pasë edhe unë nji gjendje të vështirë në jetën time. Ndodhi kur ma vonuan pesë vjet botimin e nji teksti, e që për ma tepër nuk e pashë kurrë ma me sy. Me atë rast i thashë vetes, por edhe grues sime: “Po e la krejt këtë punë! Nuk po e çmon kush përkthimin.”
Shpëtim Kelmendi: A i keni pasë bezdi kontaktet me drejtuesit e këtyne institucioneve? Gjon Shllaku: Ou! Mos pyet! Shumë! Vetëm te Ndërmarrja e Botimit që drejtonte Drago Siliqi kam shkue gjithmonë me kënaqësi, sepse ai më donte shumë. S’e harroj kurrë qëndrimin pozitiv që ka mbajtë ndaj punës sime. Dragoja ka qenë promotori i botimit të “Iliadës”. Simbas meje ka qenë njeri ideal, nji mecenat i palodhun.
Shpëtim Kelmendi: Ç’mendim keni në lidhje me përkthimin në shqip? A mendoni se po punohet me seriozitet në këto kohë? Gjon Shllaku: Nuk jam i njoftun me materialet që përkthehen sot. Më duhet të baj punën time, kështu që nuk kam kohë me lexue përkthimet e të tjerëve. As durim. Nuk jam në gjendje me lexue as librat që më sjellin të njoftunit e mi. Tashma kam nji defekt të madh: sa herë nisi me lexue më zen gjumi. Sidoqoftë, nivelin e përkthimit arrij ta dalloj edhe në hapsinën e dy faqeve tekst. Nëse përkthimi në shqip ka ecë përpara, nuk duhet të harrojmë se përtej këtyne arritjeve qëndron puna vetëmohuese e sa e sa përkthyesve dhe letrarëve të mirëfilltë, që ishin ma para. Në qoftë se për të qenë shkrimtar i mirë s’asht e nevojshme të jesh magazinë kulturore, me u ba përkthyes lypset të kesh shumë kulturë. Ja pse përkthyesit e mirë janë të pakët. Engjëll Sedaj mendon se niveli i përkthimit në Shqipni asht ma i naltë se sa tekstet e mirëfillta letrare që botohen. Unë për vete, deri kohë ma parë, i studioja me kujdes poetët shqiptarë, për të marrë prej tyne fjalë e shprehje të bukura. “Qerbelanë” e Naimit, për shembull, e kam lexue me shumë pasion.
Shpëtim Kelmendi: Me tanë atë përvojë që keni grumbullue në fushën e përkthimit, besoj se ju do të kishit shumë porosi për përkthyesit që po vijnë. Cilat mund të ishin këto porosi? Gjon Shllaku: Kisha me u thanë se, pikë së pari, duhet ta studiojnë mirë gjuhën shqipe. Duhet me i njofte mirë autorët klasikë shqiptar, rapsoditë, kangët tona popullore, për me zbulue mendësinë, shpirtin, frymën e dashunisë që populli shqiptar ka arritë me e shndërrue në fjalë. Vetëm për me përkthye “Iliadën”, unë kam pas hartue nji fjalor prej 4000-5000 fjalësh. Gjendesha përballë nji ndërmarrjeje të madhe, ndaj më duhej të isha i sigurt.
Shpëtim Kelmendi: Nji fjalor i tanë në funksion të vetëm nji teksti? Gjon Shllaku: Oh, sigurisht.
Shpëtim Kelmendi: Cilat janë veprat, që ndjeni nevojën t’i përktheni sa më parë? Gjon Shllaku: “Iliada” më asht botue tri herë: dy herë në Shqipni e nji herë në Kosovë. Sofokliu nji herë. Do të doja të më botohej Euripidi me “Ifigjenia në Aulidë”, “Medea”, “Hipoliti” dhe “Alçesti”. Të tana këto vepra mund të përmblidhen në jo ma shumë se 250 faqe libër.
Shpëtim Kelmendi: Botimin e parë të “Iliadës” e keni ba në gegnisht. Për mendimin e një mase të konsiderueshme lexuesish, versioni gegnisht tingëllon ma bukur se ai në tosknisht, domethënë në standardin letrar. A bini dakord me këtë? Gjon Shllaku: Sa herë kam shkrue në gegnisht, kam pasë shumë probleme në lidhje me botimin. E botimi më ka interesue shumë. Vetëm se duhet të keni të qartë diçka: edhe kur përdor variantin e gjuhës letrare, unë pothuajse prapë shkruej në gegnisht. Kjo ndodh për arsye se sintaksa, e cila përban bazën e nji gjuhe, asht gege. Nji “ë” apo nji “r” s’më prish fort punë. Unë mendoj se në tanë Shqipninë shkruhet gegnisht.
Shpëtim Kelmendi: Cilat janë përparësitë e gegnishtes në përkthim, gjithnji nëse, simbas jush, mund të flitet për përparësi? Gjon Shllaku: Në gegnisht asht përkthye Dante Alighieri. Në gegnisht janë përkthye Homeri e Virgjili. Këta janë majat e letërsisë botore. E vërtetë se Shekspiri, nji tjetër gjigant, asht përkthye në tosknisht, nga Fan Noli, por në këtë rast bahet fjalë për nji shqipe artificiale. Fan Noli nuk ka jetue fare në Shqipni; kësisoj, ai nuk njeh shqipen e shqiptarëve që banojnë këtu, por shqipen e shqiptarëve që banojnë në Amerikë apo ndokund tjetër. Ai sjell nji tosknishte të vjetër, të papërpunueme, e jo tosknishten moderne.
Shpëtim Kelmendi: Pra, përparësitë e gegnishtes janë në poezi, në prozë, apo në të dyja njëherësh? Gjon Shllaku: Gegnishtja i ka kultivue të gjitha gjinitë letrare. Gegnishtja ka romanin e parë, ka epikën ma të hershme e të tjera. Si kohë, Naimi vjen para Fishtës, por tetërrokëshi i tij nuk ka të krahasuem me atë të Fishtës. “Luftëtarëtë lëftuan” – thotë Naimi. Pse, tetërrokësh asht ky? Kurse Fishta të batërdis me tetërrokësh. Thotë ma shumë e ma fort.
Marrim edhe lirikën. A ka ndonji lirik të tosknishtes që mund të krahasohet me Mjedën? Poezia don përgatitje klasike, sidomos latine. Edhe greke, kuptohet, por këta shquheshin ma tepër si mendimtarë, ndërkohë që latinët i dhanë hov stilit poetik.
Shpëtim Kelmendi: Cilët janë përkthyesit e shquem shqiptarë, që ju i respektoni? Gjon Shllaku: Ma së pari asht Ethem Haxhiademi. Çmoj Fan Nolin në përkthimin e “Don Kishotit”. Ka përdorë plot fjalë turke, por megjithatë ka punue mirë.
Shpëtim Kelmendi: Çfarë kishit me thanë në lidhje me ata që përkthejnë nga nji gjuhë e dytë, pra jo nga origjinali? Gjon Shllaku: Kisha me thanë se ata lajnë tesha në nji ujë, ku dikush tjetër ka la përpara tyne. Duhet me përkthye vetëm prej origjinalit. Madje duhet me gjetë autorë, të cilët ndërkohë janë përkthye edhe në shumë gjuhë të tjera. Pse sheh edhe ndonji model tjetër përkthimor nuk asht keq. Thjesht kjo të ndihmon me u ndi ma i sigurt në punën tande.
Gjuha jonë shqipe asht e vjetër dhe e fuqishme. Unë nuk kam lanë fjalë pa përkthye te Homeri; madje në shumë raste kam përdorë nga tre a katër sinonime, vetëm me i dhanë sa ma shumë larmi përkthimit. Për shembull, kam përdor emrat: shtizë, ushtë, patërshanë, mëzdrak etj.
Shpëtim Kelmendi: Çfarë mendoni për “Odiseun” e Spiro Çomorës? Gjon Shllaku: Mirë! Bukur! Spiro Çomorën e lexoj me qejf, sepse ai e njeh hekzametrin. Ata që nuk e njohin hekzametrin dhe nuk dinë me e skandue mirë, rrezikojnë me ra në kurthin e nji proze të pasistemueme. Hekzametri njihet pak, e kjo për arsye se nuk përfshihet në traditën e gjuhës shqipe. Mendoj se pa hekzametrin gjuha shqipe ka humbë shumë.
Shpëtim Kelmendi: Po ju, a e keni përkthye “Odiseun”? Gjon Shllaku: Posi jo. Prej vitesh. Por ende nuk kam mundë me e botue.
Shpëtim Kelmendi: A mund të na thoni pse? Gjon Shllaku: Në lidhje me këtë, besoj se kam diçka interesante me kallzue. Pothuajse në të njëjtën kohë kur unë çova “Iliadën” për shtyp, në Ndërmarrjen e Botimit, Spiro Çomora, dritë pastë, sepse s’asht ma mes nesh, e kishte përfundue së përkthyemi edhe ai “Iliadën”. Drago Siliqi, dritë pastë po ashtu, se as ai s’asht ma mes nesh, i tha Spiros që i kishte ra në dorë një përkthim shumë i mirë i “Iliadës”, prej Gjon Shllakut nga Shkodra. Në këtë rast, Spiroja tërhiqet tanë dinjitet, e kësisoj “Iliada” ime botohet.
Ma vonë na ndodhi e njëjta gja edhe me “Odiseun”. Prapë kishim punue njikohësisht e për të njëjtin libër. Kësaj radhe e ndjeva si detyrim moral që të tërhiqesha unë. E kështu, që prej shumë vitesh, “Odiseu” im vijon të mbetet në fletë të daktilografueme, në pritje të kohës së tij.
Shpëtim Kelmendi: E keni përkthye në gegnisht apo në tosknisht? Gjon Shllaku: Në gegnisht. / KultPlus.com