25 vjet nga protesta e grave ‘Bukë për gratë dhe familjet e Drenicës’

Sot janë shënuar 25 vjet që nga protesta e grave ‘Bukë për gratë dhe familjet e Drenicës’, që u organizua më 16 mars të vitit 1998, shkruan KultPlus.

Protesta ‘Bukë për gratë dhe fëmijë e Drenicës’ që filloi pas masakrës në Prekaz të marsit të vitit 1998, ishte organizuar nga një grup i grave që synonin që të ngisnin vetëdijen për të drejtat e grave, por njëkohësisht edhe të reagonin edhe kundër politikave dhe ideologjisë Jugosllave të asaj kohe.

Më shumë se dymbëdhjetë gra kishim marshuar në këmbë nga Fushë Kosova drejt Drenicës teksa mbanin bukë do dorë të cilën do të ua dërgoni fëmijëve dhe grave në Drenicë.

Por, këto gra kishin edhe një synim tjetër krahas sigurimit të bukës për gratë dhe fëmijët e Drenicës, ato dëshironin që ti shfaqnin komunitetit ndërkombëtar që gratë dhe fëmijët në Drenicë po përballeshin me vdekjen. /KultPlus.com

‘Zemra e një gruaje, them shpesh me vete, ngjan me një xixëllonjë që digjet në heshtje’ (VIDEO)

Aleksandër Gjoka është një këngëtar dhe autor këngësh shumë i njohur. Është këngëtar i mirënjohur shqiptar dhe deri më tani ai ka të incizuara disa këngë por më e njohura ndër to është “Kuturu” një këngë shumë e bukur e cila dëgjohet edhe sot. Poashtu ai është pjesëmarrës i disa edicioneve të festivalit “Kënga Magjike”.

E sot KultPlus, ju sjell këngën “Zemra e një gruaje” të këngëtarit Aleksandër Gjoka.

Zemra e një gruaje
Them shpesh me vete
Ngjan me një xixëllonjë
Që digjet në heshtje
Provoni ti buzëqeshni një zemre t’thyer
Mos përbuzni lotët në sytë e mallengjyer
(përsëritet nga fillimi)

Mos puthësh dorën e saj kur zgjatet
Se buzët e tua do vyshken do plaken
Puthje që ëndrrat zgjon në shpirtin e valuar
Ngjan me lindjen e diellit
…jo s’është e vonuar./ KultPlus.com

Më 23 mars në GKK hapet ekspozita ‘Intertitles’ nga Bekim Zeqiri

Më 23 mars, në Galerinë Kombëtare të Kosovës do të hapet ekspozita ‘Intertitles’ nga artisti Bekim Zeqiri.

Përmes një koleksioni pikturash të mëdha të punuara me ngjyrë të zezë, akrilik dhe ngjyra të shtëpive, Intertitles përçon tensionin mes mungesës dhe të menjëhershmes. Fraza Intertitles për herë të parë u prezantua në periudhën e filmave pa zë dhe i referohet një fjale ose një grup-fjalësh të cilat shfaqen në ekran gjatë filmit por që nuk janë pjesë e skenës. Fjalët dhe frazat e tilla zakonisht përdoren për të treguar dialogun e rradhës, për të përshkruar një veprim ose për të dhënë kontekst rreth skenës.

Frymëzuar nga mekanizmat e teatrit – skenografi të skicuara, udhëzime skenike të shkurara në skenar dramatik dhe dialogu mes aktorëve – në punët e Zeqirit fjala e shkruar është një element që përvijon veprimin përpara e e pezullon, duke trubulluar hapësirën mes pikturës dhe performancës.

Duke u përpjekur që vazhdimisht të sfidojë supozimet e vizitorëve për atë që është “e vërtetë” dhe atë që është e konstruktuar. Imazhet e Zeqirit eksplorojnë normat dhe hierarkitë e zakonshme shoqërisë tonë për humorin dhe ironinë për t’i përmbysur këto konventa.

Shkalla e punës së Zeqirit kërkon një reagim fizik. Sipërfaqet e mëdha të hapësirës negative ilustrojnë zbrazëtirën. Madhësia e pikturave ngjallë një ndjesi të menjëhershmërisë, sikurse jeni ulur në rendin e parë në kinema dhe imazhi është duke ju afruar. Duke shtuar intertitles në një imazh të pikturuar, gjuha na ofron një kontekst shtesë për pikturën dhe e fton publikun të angazhohet në aspektin vizual dhe në atë të shkruar të imazhit.

Në botën e Intertitles, fjalët janë edhe të çmuara edhe të tepërta; ato tregojnë veprime dhe njëkohësisht e lënë shikuesin në një gjendje pushimi të përhershëm.Ekspozita është e kuruar nga Carolyn London, shkrimatare, drejtoreshë kreative dhe kuratore nga qyteti i Nju Jorkut.

Ndëraq, Para-premiera për media dhe gazetarë mbahet më 23 mars nga ora 18:00 deri 19:00./ KultPlus.com

Astronautët e NASA-s veshin kostume të reja pas 40 vjetësh

Administrata Kombëtare e Aeronautikës dhe Hapësirës në SHBA (NASA) dhe kompania me bazë në Teksas Axiom Space kanë zbuluar një dizajn të ri për një kostum hapësinor që mund të vishet nga gruaja e parë dhe personi tjetër që do të shkojë në Hënë.

Veshjet hapësinore të zbuluara në Qendrën Hapësinore në Houston janë propozime, megjithëse kompania thotë se kostumet përfundimtare të trajnimit të astronautëve do të dorëzohen deri në fund të fluturimit.

Vitin e kaluar, kompania fitoi një kontratë për të prodhuar kostume për NASA-n.

Dizajni i ri, në të zezë me detaje blu dhe portokalli, mori një estetikë shumë të ndryshme nga kostumet e bardha të fryra të veshura nga astronautët në hënë në shekullin e 20-të.

“Ne nuk kemi pasur një kostum të ri që nga kostumet që kemi projektuar për anijen kozmike dhe ato kostume janë aktualisht në përdorim në stacionin hapësinor,” tha drejtoresha e Qendrës Hapësinore të NASA Johnson, Vanessa Wyche, duke shtuar se ata kanë përdorur të njëjtin kostum të bazuar në atë teknologji për 40 vjet./abcnews.al/ KultPlus.com

71 vite në radio, prezantuesja fiton Rekordin Botëror Guinness

Një gruaje nga Teksasi, karriera e së cilës në radio zgjati më shumë se 71 vjet, iu dha një Rekord Botëror Guinness për qëndrimin e saj në transmetim.

Guinness World Records tha se Mary McCoy iu dha rekordi për karrierën më të gjatë si prezantuese në radio, kur koha e saj në industri u verifikua në 71 vjet, 357 ditë më 15 shkurt.

McCoy, e cila filloi të punonte pesë ditë në javë si spikere në radio në moshën 12-vjeçare, e mposhti rekordin e mëparshëm me më shumë se tre vjet.

“Duke u rritur ëndrra ime ishte të futesha në biznesin e showbizit. Fillova të këndoja në shfaqjet e talenteve dhe më kërkuan të bëja një audicion për radio”, tha ajo për Guinness. “Atyre u pëlqeu ajo që dëgjuan dhe unë fillova të punoj në KMCO Radio më 20 prill 1951, duke bërë një program 15-minutësh këndimi”.

Tani 85-vjeçaja ende pret shfaqjen dy-orëshe Country Classics gjashtë ditë në javë në KVST K-Star Country në Huntsville./ KultPlus.com

Ndërtuesit shkatërrojnë aksidentalisht veprën e fundit të artistit Banksy

Artisti anonim duket se ka parë instalimin e ri në qarkun anglez të Kentit duke u shkatërruar përpara se ta postonte në Instagram.

Vepra e re e artistit anonim Banksy, e titulluar “Morning is Broken”, është shfaqur rishtazi në pjesën jugore angleze të Kentit dhe tashmë është shkatërruar, transmeton Klan Kosova.

Murali, që përshkruan një person dhe një mace që po shtyjnë perde të valëzuara prej hekuri, u pikturua në një dritare me dërrasa të një shtëpie ferme të braktisur 500-vjeçare në Blacksole Farm në Herne Bay, sipas gazetës lokale të lajmeve Kent Online.

Banksy konfirmoi vërtetësinë e saj në një postim në Instagram të mërkurën (15 mars) që tregonte si punën e përfunduar ashtu edhe shkatërrimin e saj nga duart e punëtorëve të ndërtimit.

Punëtorët i thanë Kent Online se “u ndjenë shumë keq” kur kuptuan se kishin shkatërruar një vepër të vërtetë të Banksy.

Ndërtuesit tani kanë arritur të nxjerrin mbetjet e punimit nga rrënojat.

“Morning is Broken” është vepra e dytë e vërtetuar nga Banksy këtë vit në llogarinë e tij në Instagram, me të dyja të vendosura në Kent.

Puna e mëparshme, e shpallur nga artisti në ditën e të dashuruarve, mbajti një qëndrim kundër dhunës në familje./KultPlus.com

COD nis ciklin ‘Bulevardi i Ideve’, me tre sipërmarrës të suksesshëm

Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) zhvilloi takimin e parë të ciklit “Bulevardi i Ideve”, duke vendosur tre sipërmarrës të suksesshëm përballë të rinjve.

Të ftuar ishin Xhoana Kristo, Dario Rexhollari dhe Neurent Lumshi.

E ftuara e parë, Xhoana, ktheu pasionin e saj për arkitekturën në një projekt investim shumë të suksesshëm të quajtur: “Archi Games”.

Dario Rexhollari është themelues dhe drejtues i agjencisë digjitale “Spontan Creative Media”, ndërsa Neurent Lumshi, themelues i “Xoen”, një kompani shqiptare, e cila prodhon aksesorë metalikë me preçizion të lartë, me qëllim realizimin e “ëndrrës” së krijimit të robotëve në Shqipëri.

Shkëmbimi i eksperiencave, ndarja e ideve, mentorimi mbi krijimin e një prototipi, gjetja e fondeve, mbështetja ligjore etj., ishin disa nga temat të cilat u diskutuan në tre ambiente të ndryshme të COD-it./atsh/KultPlus.com

Ekspozita dhe filmi për jetën e Ferdonije Qerkezit gjatë muajit prill do të shfaqet në Tiranë

Filmi i metrazhit të shkurtër “Pritje” që trajton jetën dhe pritjen e Ferdonije Qerkezit, i realizuar nën regjinë e Artan Korenicës, gjatë muajit prill do të shfaqet në Tiranë, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur aktori Edi Kastrati përmes një postimi në Facebook.

Me përkrahjen e bashkisë së Tiranës , projekti Pritja me expoziten e fotografive dhe filmin Tavolina do të jetë në muajin Prill në Tiranë”, ka shkruar Kastrati./ KultPlus.com

Promovohet ‘Tingulli Magjik’, libër fëmijësh mbi operën

Një libër i ilustruar për fëmijë nga autorja Abigejla Voshtina, plot informacione për operën, është promovuar sot në kuadër të EDU Operës, një program interaktiv për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të muzikës në vend i mbështetur nga Ministria e Kulturës.

Fëmijët e shkollave fillore që morën pjesë në këtë ngjarje, patën mundësi të ndjekin poashtu provën gjenerale të shfaqjes “Flauti Magjik” të Operës së Kosovës, e cila jepet premierë sontë nga ora 19:00./KultPlus.com

Mercedes për kokë banori – gjatë dialogut!

Nga Ballsor Hoxha

Ndodhë që e tërë shoqëria e Kosovës është në ankth për një Mercedes! A po ndodhë e njëjta gjë me neve sikur në Shqipërinë e pas-komunizmit, kur çdo banor duhej medoemos të kishte një Benz? Por, për t’i shtuar kësaj çudie, derisa në Shqipërinë e asaj kohe Benz-i nuk zgjedhej shumë, në të vërtetë e tëra që i duhej ishte të – shkonte – të funksiononte. Ne jemi të obsesionuar për të pasur modelin e fundit të Mercedes – Benzit.

Të gjithë e kemi në gojë shprehjen, “mbijetesa”, por të gjithë jetojmë duke shpenzuar larg dhe mbi të ardhurat tona, jemi Hipershpenzhues të tërë rajonit së paku.

Është pyetja e shpeshtë, prej nga kemi mundësi që të jetojmë me nga një Mercedes për kokë banori? (përafërsisht). Me nga disa banesa, e, thënë shkurtë, me standard të shpenzimeve mbi tërë prodhimtarinë dhjetë vjeçare (përafërsisht) të tërë Kosovës brenda një viti.

Por, në këtë, mund dhe të pyetemi, a ka kjo ndonjë lidhje me acarimet, dramën, dhe luftën përreth dialogut Kosovë – Serbi?

Mbijetesa, së pari, është gjendje me dekada në Kosovë, kjo nuk është shkaktuar, vetëm, nga politika jonë, dhe as, qoftë nga politika e sotme, dhe as nga ajo e pas-lutës. Mirëpo kjo gjendje është një prej frustrimeve më të thella të njerëzimit, dhe aq më shumë të shoqërisë sonë.

Në këtë, politika, duke krijuar emocione dhe drama të skajshme krijon edhe krizën e mentaliteteve të shoqërisë sonë dhe me këtë atë që në anglishte dhe në filozofinë e ekzistencës njihet si – apprehension – e që është jo vetëm të të ndjerit i kërcënuar por edhe të kesh – parandjenjën – (si fjalë më e përafërt me shprehjen e përdorur në anglishte këtu), për ekzistencën dhe mbijetesën. Kjo, domosdoshmërisht krijon ankthin e të gjeturit të një strehe ndaj këtij kërcënimi dhe ndaj kësaj gjendjeje. Kjo, domosdoshmërisht krijon ankthin për të gjetur shpëtim, jo më nga ndonjë katastrofë e papërballueshme. Por njeriu në këtë gjendje si një fëmijë i pandihmë ndaj kërcënimit, apo pamundësisë së tij, provon të zotërojë mbijetesë në këtë katastrofë të paramenduar. Paradoksale!!

Në të vërtetë njeriu gjithnjë është në gjendje të këtij fenomeni – apprehension – por kjo është në suaza të të zakonshmes, dhe të paramenduarës, apo qoftë siç ishte tërmeti në Turqi, e që e bën këtë shoqëri dhe këtë zonë si në një gjendje konstante të këtij kërcënimi, por që është natyror dhe përtej mundësisë së njeriut. Ndërkaq në rajonin tonë, kjo gjendje e – parandjenjës – për katastrofë është emri i Luftës. Fillimit të saj. Rifillimit të saj. Dhe të pandalshmërisë së saj.
Në këtë, shoqëria jonë është e ndarë në dy masa krejtësisht të pabesueshme, dhe paradoksale: derisa njëra provon të zotërojë luftën, dhe atë që vjen para e pas saj, duke krijuar strehë e pasuri, në anën tjetër është masa tjetër e shoqërisë që vuan dërrmimin dhe nënshtrimin ndaj këtyre zotëruesve të mjeteve të hiper-kapitalizuara.

Por, si ndodhë kjo? Është pikërisht emri i Luftës, që është konstant dhe i pandalshëm në këtë mbijetesë, dhe përbrenda jetësimit tonë të tërë qenies sonë. Është fenomen i cili mbahet sikur një tigër i çartur lidhur për grilat e jetës ku jemi të izoluar dhe në këtë na kërcënon për çdo ditë dhe veprim tonin.

Me këtë emri i Luftës, qoftë në dekadat para dhe menjëherë pas luftës së vërtetë, dhe qoftë tanimë në zjarrin e luftës brenda dialogut Kosovë – Serbi, është edhe më afër, edhe më kërcënues, edhe më i vërtetë. Saktësisht kjo na bën të jemi nën ankth konstant të emrit të Luftës dhe të provojmë të zotërojmë pasigurinë. Kërcënimin. Dhe me këtë, të zotërojmë përmes shpenzimeve dhe përmes blerjes së pak sigurie, të vetë qenies sonë.
Në këtë shfaqet – apprehension – zinxhirë, që shfaqë dyshimin në atë çka është – siguria mbi këtë apprehension -, mbi këtë emër të luftës, siguri e jona, e rajonit, dhe e ditës së sotme, në të vërtetë?

Dhe ky zinxhirë është i pafund, i pandalshëm dhe i pakuptim, në tund të fundit. Sepse nën kërcënimin e emrit të Luftës, çdo gjë është e pavlefshme, dhe në këtë çdo gjë që është e jona, dhe para nesh, devalvohet, dhe në të të vërtetë, kërkon edhe më shumë investim, edhe më shumë shpenzim, edhe më shumë Hipershpenzim. Çdo gjë humb vlerën e saj para nesh dhe jemi të automatizuar në atë mënyrë që sigurinë ndaj emrit të Luftës ta kemi të kapur përmes gjërave materiale, si banesa, Mercedesi (për kokë banori) etj./KultPlus.com

Eja të vdesim e dashur

Poezi nga Xhevahir Spahiu

Eja të vdesim, e dashur,
shpenzimet e varrimit i merr përsipër shteti,
a s’e dëgjove në TV si kryelajm?
Eja të vdesim, e dashur,
s’ka rëndësi në rron si rob a zot,
arkivoli është gati,
dy metra vend gjithashtu,
makinë e funeralit,
kurora me lule artificiale: të kuqe, të bardha, blu.
Eja të vdesim, e dashur,
ç’na duhet kjo jetë,
e rëndësishme është të vdesësh si zotni;
mbylle TV-në,
të vdesim qysh tani./KultPlus.com

Sonte në Kino Armata shfaqet filmi biografik  i Michelangelos

Sot në ora 19:00 në Kinemanë Armata, do të shfaqet filmi biografik i artistit të stilit barok, Michelangelo Merisi da Caravaggio, shkruan KultPlus.

“Sociologu Bardhi Bakija do të shfaqë për anëtarët e klubit të filmit KINETO organizuar nga Eranda Bokshi filmin që është një biografi e pazakontë e artistit të madh të periudhës së barokut Michelangelo Merisi da Caravaggio”, thuhet në njoftimin e Kino Armatës.

Tutje thuhet se pas filmi do të ketë diskutime për sfera të ndryshme të cilat e përbënin Michelangelon si artist.

“Pas filmit do të diskutojmë për marrëdhënien mes jetës dhe artit, pikturës dhe filmit, për imitimin (mimesis) si pjesë e rendit natyror, për inskenimin e alegorive dhe simboleve në pikturat të Caravaggios si përpjekje për të krijuar një tableaux vivant.”/KultPlus.com/

Katër shqiptarë në listën e Zvicrës U21

Bëhet e ditur se Albian Hajdari, Kastriot Imeri, Ardon Jashari dhe Bledian Krasniqi janë emrat e katër shqiptarëve që bëjnë pjesën në listën e përfaqësueses së Zvicrës U21 që do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore këtë muaj.

Zvicra thuhet se fillimisht do të takohet me Spanjën më 24 mars në Almeria, ndërsa pas katër dite në Basel do ta presin Izraelin.

Vlen të theksohet se Hajdari është 19-vjeçar dhe luan në pozitën e mbrojtësit te Lugano, ndërsa mesfushori 22-vjeçar Imeri është pjesë e kampionit të Zvicrës, Young Boys.

Ndërkohë, befasia është Jashari, që ishte pjesë e listës seniore të Zvicrës në Kampionatin Botëror. Mesfushori 20-vjeçar po vazhdon të ketë paraqitje të mira për Luzernin, por përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, ka thënë se në pozitën ku luan Jashari ka shumë konkurrencë dhe për atë arsye e ka lënë në grumbullim me U21.

Bledian Krasniqi, 21 vjeç, është pjesë e Zuerichut. / albinfo.ch / KultPlus.com

Image

“Time”: Berati, sinonim i historisë dhe mikpritjes

Shtëpitë e vjetra prej guri, të rreshtuara në brigjet e lumit Osum në Berat po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e vizitorëve me bukurinë e tyre historike, shkruan Naomi Tomky në një artikull të publikuar në “Time”.

Ky vit shënon 80-vjetorin e mbërritjes së forcave gjermane në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe të popullit të Beratit që mbrojti shumë prej hebrenjve të vendit që kërkuan strehim, duke ilustruar parimin e kodit shqiptar të Besës, i cili thotë se shtëpia është para së gjithash e Zotit dhe e mikut.

Për të kuptuar më mirë historinë e 400 viteve të historisë hebreje të Beratit, duke përfshirë mënyrën sesi Shqipëria u bë i vetmi vend në Evropë, popullsia hebreje e të cilit u rrit gjatë Luftës së Dytë Botërore, nevojitet një vizitë në muzeun ”Solomon”.

Muzeu etnografik i vendsour në një shtëpi tradicionale përballë rrugës ofron një mjedis shqiptar, së bashku me kishat bizantine të shekullit XIII të Beratit, xhamitë e shekullit XIV dhe një kështjellë mijëravjeçare me pamje nga qyteti unik piktoresk.

Berati ka vazhduar traditën e mikpritjes së jashtëzakonshme në restorantet dhe hotelet e tij.

Përtej urës së Goricës, dhomat moderne në hotelin “Amalia Boutique” ofrojnë pamjen e ndërtesave të lashta prej guri, dhe ftojnë mysafirët të shijojnë rakinë shqiptare të njohur në të gjithë Ballkanin.

Rakia shërbehet gjithashtu në “Lili Home-Made Food”, që duket më shumë si një oborr i një shtëpie në lagjen ”Mangalem” sesa një restorant, pasi mikpritësi me të njëjtin emër argëton mysafirët duke u shpjeguar menunë me gjeste, ndërsa bashkëshortja e tij Mirela gatuan në kuzhinën e tyre familjare. / atsh / KultPlus.com

Do të vijë vdekja dhe do t’i ketë sytë e tu

Poezi nga Cesare Pavese
Përktheu: Orjela Apolloni

Do të vijë vdekja dhe do t’i ketë sytë e tu,
kjo vdekje që nuk na ndahet nga
mëngjesi deri në mbrëmje, e pagjumë,
e shurdhët, si një pendim i vjetër,
a një ves i pakuptimtë. Sytë e tu
do të jenë një fjalë e kotë,
një britmë e mbytur, një heshtje.
Të tillë i sheh çdo mëngjes
kur e vetme përkulesh
para pasqyre. O shpresë e dashur,
atë ditë do ta dimë edhe ne
që je jeta dhe asgjëja.
Për të gjithë vdekja ka një shikim.
Do të vijë vdekja dhe do t’i ketë sytë e tu.
Do të jetë si të heqësh dorë nga një ves,
si të shohësh një fytyrë të vdekur
tek rishfaqet në pasqyrë,
si të dëgjosh një buzë të mbyllur.
Të heshtur do të biem në humnerë. / KultPlus.com

Muzetë në mbarë botën po i rikategorizojnë në heshtje veprat nga rusishtja në ukrainase

Muzeu Metropolitan i Artit në Nju Jork ka riklasifikuar në heshtje disa nga pikturat e tij. Dy artistë, dikur të etiketuar rusë, tani kategorizohen si ukrainas dhe një pikturë e impresionistit francez Edgar Degas është riemërtuar nga “Kalleri ruse” në “Vallerina me veshje ukrainase”.

Për një grua në Kiev, Ukrainë, këto ndryshime janë një lloj justifikimi. Oksana Semenik, një gazetare dhe historiane, ka zhvilluar një fushatë mujore për të bindur institucionet në Shtetet e Bashkuara të rietiketojnë veprat historike të artit që ajo beson se paraqiten gabimisht si ruse.

Në Met, ato përfshijnë vepra nga Ilya Repin dhe Arkhip Kuindzhi, artistë, gjuha amtare e të cilëve ishte ukrainase dhe që përshkruanin shumë skena ukrainase, edhe nëse rajoni në kohën e tyre ishte pjesë e perandorisë ruse.

Repin, një piktor i njohur i shekullit të 19-të i cili ka lindur në atë që sot është Ukraina, është rietiketuar në katalogun e Met si “Ukrainas, Perandoria Ruse e lindur” me fillimin e çdo përshkrimi të veprave të tij tani duke lexuar, “Repin ka lindur në fshat. Qyteti ukrainas i Chuhuiv (Chuguev) kur ishte pjesë e Perandorisë Ruse.”

Në llogarinë e Semenik në Tëitter, Historia e Artit të Ukrainës, e cila ka mbi 17,000 ndjekës, ajo shkroi se “Të gjitha peizazhet e famshme [të Repinit] kishin të bënin me Ukrainën, Dnipron dhe stepat. Por edhe për popullin ukrainas.”

Një nga bashkëkohësit më pak të njohur të Repin, Kuindzhi lindi në Mariupol në 1842 kur qyteti ukrainas ishte gjithashtu pjesë e Perandorisë Ruse, kombësia e tij gjithashtu është përditësuar. Teksti për “Red Sunset” të Kuindzhit në Met është përditësuar për të përfshirë se “në mars 2022, Muzeu i Artit Kuindzhi në Mariupol, Ukrainë, u shkatërrua në një sulm ajror rus”.

Në lidhje me procesin e rietiketimit të fundit, Met i tha CNN në një deklaratë se institucioni “hulumton dhe shqyrton vazhdimisht objektet në koleksionin e tij për të përcaktuar mënyrën më të përshtatshme dhe më të saktë për katalogimin dhe paraqitjen e tyre. Katalogimi i këtyre veprave ka është përditësuar pas kërkimeve të kryera në bashkëpunim me studiues të fushës.”

Në janar, kur u pyetën në lidhje me veprën e Degas, e quajtur tashmë “Vallerina me veshje ukrainase”, një zëdhënës i tha Semenik se ata ishin “në proces të kërkimit të të ashtuquajturve kërcimtarë rusë Degas, në bashkëpunim me studiues të fushës, dhe përcaktimi i mënyrës më të përshtatshme dhe më të saktë të paraqitjes së punës.

“Ne vlerësojmë njohuritë nga vizitorët. Komentet tuaja të vlefshme kontribuojnë në këtë proces.”

Një mision personal

Semenik i tha CNN se ajo e kanalizoi zemërimin e saj për pushtimin rus në përpjekjet e saj për të identifikuar dhe promovuar trashëgiminë e artit të Ukrainës, duke përdorur llogarinë e saj në Tëitter për të shfaqur artin ukrainas në botë.

Semenik është vetë me fat që është gjallë. Ajo mbeti e bllokuar në periferi të Kievit, Bucha për javë të tëra, ndërsa forcat ruse shkatërruan atë zonë marsin e kaluar, duke u fshehur në bodrumin e një kopshti para se të ecnin përfundimisht rreth 12 milje për të siguruar sigurinë me burrin e saj dhe macen e tyre në tërheqje.

Ajo filloi fushatën e saj pas një vizite në Universitetin Rutgers në Neë Jersey vitin e kaluar. Ndërsa ndihmonte kuratoret atje, ajo u befasua kur pa artistë që i konsideronte gjithmonë si ukrainas të etiketuar si rusë.

“Kam kuptuar se shumë artistë ukrainas ishin në koleksionin rus. Nga 900 të ashtuquajtur artistë rusë, 70 ishin ukrainas dhe 18 ishin nga vende të tjera,” tha ajo.

Semenik studioi koleksione në SHBA – në Met dhe Muzeun e Artit Modern në Nju Jork dhe në Filadelfia – dhe gjeti një model të ngjashëm: artistë dhe skena ukrainase të etiketuara si ruse.

Dhe ajo filloi të shkruante në muze dhe galeri. Për të filluar me përgjigjet ishin pro forma, jo të përkushtuara. “Pastaj u zemërova shumë,” tha ajo. Pasoi një dialog njëmujor me kuratorë.

“Pse në tokë është ajo ruse?”

Semenik nuk është një zë i vetëm, me ukrainas të tjerë që bëjnë thirrjet e tyre publike për ndryshim. Vitin e kaluar, Olesya Khromeychuk, vëllai i së cilës u vra duke luftuar në vijën e frontit në Ukrainën lindore në vitin 2017, shkroi në gazetën gjermane Der Spiegel se “çdo udhëtim në një galeri ose muze në Londër me ekspozita mbi artin ose kinemanë nga Bashkimi Sovjetik zbulon qëllimisht ose thjesht keqinterpretim dembel i rajonit si një Rusi e pafund; ashtu si presidenti aktual i Federatës Ruse do të donte ta shihte atë.”

Me rritjen e presionit nga disa akademikë ukrainas, Galeria Kombëtare në Londër ndryshoi titullin e një prej veprave të saj të Edgar Degas, “Vallëruesit rusë”, i cili përshkruan dy gra me shirita të verdhë dhe blu, ngjyrat kombëtare të Ukrainës, në “Vallëruesit ukrainas”. Institucioni i tha Guardian në prill të vitit të kaluar se ishte “një moment i përshtatshëm për të përditësuar titullin e pikturës për të pasqyruar më mirë temën e pikturës”.

Semenik thotë se ajo është ende duke ushtruar presion mbi Muzeun e Artit Modern në Nju Jork, ku një zëdhënës i tha CNN se ata mirëpresin informacionin për të gjitha veprat në koleksion. “Përshkrimet e kombësisë mund të jenë shumë komplekse, veçanërisht kur bëhen atribuime pas vdekjes,” tha zëdhënësi. “Ne aplikojmë praktikat më të mira të kërkimit rigoroz dhe i qasemi përshkrimeve me ndjeshmëri ndaj kombësisë së regjistruar të artistit në vdekje dhe lindje, emigracionit dhe dinamikës së imigrimit dhe ndryshimit. kufijtë gjeopolitikë”.

Semenik dëshiron të shohë një përditësim të bërë në informacionin rreth Alexandra Exter, e cila është e listuar si ruse në faqen e internetit të MoMA.

“Ajo jetoi në Moskë nga viti 1920 deri në vitin 1924. Ajo jetoi në Ukrainë nga 1885-1920, që është 35 vjet dhe në Francë për 25 vjet.

“Pse në tokë është ajo ruse?” ajo tha.

Letër dashurie e një fotografi ukrainas për atdheun e tij

Sipas Semenik, fushata e saj ka tërhequr shumë abuzime në internet nga rusët, por ajo e merr këtë si një kompliment të pashmangshëm. Në sytë e saj, puna e saj është akti i saj i rezistencës ndaj pushtimit rus.

Ka një rrugë të gjatë për të bërë, tha Semenik. Ka dhjetëra libra për artin rus dhe shumë kurse të studimeve ruse në universitetet amerikane, por shumë pak studime për trashëgiminë artistike të Ukrainës.

Semenik beson se përvoja e saj rraskapitëse në fillim të pushtimit ushqen vendosmërinë e saj.

Tani i rivendosur në Kiev, Semenik po eksploron se si katastrofa bërthamore e Çernobilit ndikoi në artin ukrainas. Por ajo gjithashtu vazhdon të përmirësojë koleksionet e artit perëndimor për të njohur trashëgiminë e veçantë artistike të Ukrainës, me këmbënguljen e qetë që tashmë ka ndihmuar në ndryshimin e mendjes në Met të fuqishëm./CNN/KultPlus.com/

Filluan punimet restauruese në Kishën Katolike “Engjëlli i Rojes” në Ferizaj

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se ka filluar restaurimi i Kishën Koatolike të qytetit të Ferizajit, e cila është pjesë përbërëse e listës së objekteve me vlerë të trashëgimisë kulturore, përcjellë KultPlus.

Kisha Katolike “Engjëlli i Rojes”, sipas MKRS-së po merr vëmendjen e merituar institucionale si edhe shumë asete të tjera të trashëgiisë kulturore.

Kisha e ndërtuar një shekull më parë, pritet që shumë shpejt të jetë e qasshme për vizitorë./KultPlus.com

Memoriali për fëmijët e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës në Kosovë po jetësohet, nënshkruhet memorandumi

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, sot, kanë nënshkruar një memorandum për qëllim të konsultimit dhe hartimit të dokumentit narrativ mbi memorializimin e fëmijëve të vrarë gjatë luftës 98-99 në Kosovë, shkruan KultPlus.

Nënshkrimi i këtij memorandumi për memorializimin e fëmijëve të vrarë gjatë luftës u cilësua si një projekt i një rëndësie të pa matshme, për arsye se vrasja dhe zhdukja e fëmijëve gjatë luftës i përket llojit të dhimbjes më të lartë, asaj supremes.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, nënshkrimin e këtij memorandumi e ka cilësuar të një rëndësie të veçantë për shtetin dhe shoqërinë në përgjithësi, pasi askush më mirë se ata të cilët kanë humbur fëmijët në luftë, nuk mund të përshkruajë krimet e shkaktuara nga Serbia në luftën e Kosovës.

“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit do të bashkëpunojë me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” për zbatimin e projektit të memorializimit për fëmijët e vrarë apo zhdukur gjatë luftës 98-99, në Kosovë, një projekt i rëndësisë së veçantë për shtetin dhe shoqërinë tonë. Trashëgimia e luftës në vendin tonë ka mjaftë histori të rëndë. Populli i Kosovës vazhdon të vuaj nga e kaluara dhe askush më shumë se ata që humbën fëmijët e tyre nuk dinë të na tregojnë e na rrëfejnë këto krime dhe këto tmerre që i ka shkaktuar Serbia në Republikën e Kosovës”, ka thënë Çeku.

Në konferencë u tha gjithashtu se përgjatë këtij viti me ndjeshmëri e gjithëpërfshirje synohet që të takohen dhe konsultohen familjarët e fëmijëve dhe të diskutohet mbi format e memorializimit dhe projektin e memorialit për fëmijët e vrarë. Dhe pas kësaj faze të konsultimit mes familjarëve të fëmijëve dhe komunitetit të gjerë do të shpallet edhe konkursi ndërkombëtar për hartimin e projektit të memorialit.

Se ndjehej i nderuar për pjesëmarrje në realizimin e këtij memorandumi e potencoi edhe Rektori i Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, Qerim Qerimi, i cili u shpreh se do të jap kontributin e tij maksimal për të bërë diçka për fëmijët e vrarë në luftë në mënyrë që ekzistenca e tyre të përkujtohet deri në përjetësi.

“Nuk shoh gjë më mizore dhe më supreme në kuptim agresiv, se sa vrasja e fëmijëve. Një dhimbje absolutisht supreme dhe derisa ne jemi të dobët dhe e kemi të pamundur objektivisht që t’i kthejmë jetët e tyre, më e pakta që mund të bëjmë është që të mos i harrojmë ata dhe ti kujtojmë e të gjejmë forma të shprehjes institucionale, monumentale që ekzistenca e tyre të përkujtohet në përjetësi. E kemi gatishmërinë e plot dhe gjithashtu ekspertizën e kapacitetin që të kontribuojmë në dizajnimin sa më të drejtë, të saktë e të plotë metodik të konceptit në mënyrë që rezultati të jetë dinjitoz dhe proporcional me qëllimin.”

Ministri Çeku në emër të Qeverisë së Kosovës i ka bërë thirrje të gjithë atyre që dëshirojnë të jenë pjesëmarrës në konsultimet e parapara në kuadër të këtij projekti të kontaktojnë me ministrinë dhe të kontribuojnë në jetësimin e këtij memoriali.

“Në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës ftoj të gjithë ata që duan të jenë pjesë e këtij procesi e këtij programi dhe të konsultimeve që të na kontaktojnë drejtpërdrejtë përveç mundësisë që do t”u a ofrojmë duke i kontaktuar vetë ne kemi vënë në dispozicion një numër telefoni dhe një email adresë ku ekipet tona do ti marrin të gjithë hapat e nevojshëm për të ju inkurajuar në proces që të gjithë të jenë pjesë e këtyre konsultimeve.”

Sipas këtij memorandumi është paraparë që Grupet e Konsultimit fillimisht të jenë prindërit dhe familjarët e fëmijëve të vrarë, të zhdukur apo të vdekur si rezultat i luftës, e pastaj edhe fëmijët e mbijetuar të krimeve të Serbisë në Kosovë si dhe dëshmitarë të tjerë relevantë. Pas këtij bashkëpunimi pritet që brenda dy viteve të realizohet një vepër e dinjitetshme para publikut dhe familjarëve të fëmijëve viktimë, pra një memorial që kontribuon në kujtesën e tyre për jetë përballë të gjitha gjeneratave të ardhshme të vendit. Se a do të jetë memorial, muze apo skulpturë mbetet të përcaktohet pas konsultave dhe mbledhjes së materialit të përcaktuar nga grupi punues i ngritur me vendimin e qeverisë.

Muaji mars i këtij viti është paraparë të jetë puna fillestare e konsultimeve dhe ndërtimit të një narrative mbi të cilën do të shpallet konkursi ndërkombëtar, dhe brenda dy vitesh të finalizohet monumenti në tërësi. Muaji mars shënon përvjetorët e disa nga masakrat më të mëdha që shteti i Serbisë i ka bërë qytetarëve të Kosovës në luftën e vitit 1998-1999./ KultPlus.com

Koncerti “Mbrëmje Pranverore” i dy shkollave artistike shqiptare

Në Teatrin e Operas dhe Baletit u zhvillua mbrëmjen e së mërkurës koncerti “Mbrëmje Pranverore”, i organizuar nga Liceu Artistik “Jordan Misja” dhe “Shkolla Kombëtare Koreografike”.

Mbas disa dekadash, me mbështetjen e bashkisë Tiranë, dy shkollat artistike kryesore të Shqipërisë, risollën frymën e bashkëpunimit artistik, duke frymëzuar dhe motivuar brezat e rinj me anë të praktikës artistike në skenë. Mbi 200 nxënës dhe mësues janë të angazhuar në një repertor të muzikës serioze kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ky koncert ishte edhe një homazh për brezat e kaluar të artistëve pedagogë, të cilët me pasion, punë dhe dashuri për artin, krijuan traditën shumëvjeçare të përcjelljes së dijes, që prej themelimit të këtyre shkollave.

Orkestra Simfonike dhe Kori përbëhej nga nxënësit dhe mësuesit e Liceut Artistik “Jordan Misja”, me solistë Alba Metaj (violinë), Etleva Kolnikaj (piano), Edlira Novaku Gjoni (violonçel), Erjana Riza (piano), Lorian Deda (bariton) dhe Albana  Bajraktari (soprano) nën drejtimin e dirigjentëve të Liceut, Mira Sulejmani, Besa Kacinari dhe Andi Kongo.

Numrat koreografikë u interpretuan nga nxënësit e “Shkollës Kombëtare Koreografike” me solistë Eskiejda Allka, Mirjan Llapushi, Bianka Skënderi, Graciela Sallaku, Uendi Xhixha, Floresida Hida, Ester Koni dhe Justin Deda. Koreografitë janë krijuar nga Blerina Arbana, Joli Eleni Gjovreku, nën kujdesin e drejtoreshës së “Shkollës Kombëtare Koreografike” Blerina Arbana dhe drejtimin artistik të Etleva Kolnikaj, drejtore e Liceut Artistik “Jordan Misja”./atsh/ KultPlus.com/

Përkujtohet Jusuf Vrioni, intelektuali poliedrik, përfaqësues i fisnikërisë shqiptare

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujton sot një figurë të shquar të kulturës shqiptare, Jusuf Vrionin, juristin, politologun, shkrimtarin dhe përkthyesin brilant të formuar në shkollat më prestigjioze franceze, i njohur si “përkthyesi i Kadaresë”, trashëgimtarin e fisnikërisë shqiptare dhe atdhetarin, që i mbijetoi burgut dhe torturës mizore të regjimit totalitar.

Jusuf Vrioni lindi në datë 16 mars 1916 në Korfuz. Pas emërimit të babait të tij Iljaz Bej Vrionit në pozicionin e ambasadorit, familja e tij u shpërngul në Paris. I diplomuar në Drejtësi dhe Studime të Larta Tregtare në Francë, me Doktoraturë në Jurisprudencë në Itali, ai u kthye në Shqipëri gjatë pushtimit të saj nga Italia fashiste.

Me vendosjen e regjimit komunist, Jusuf Vrioni u akuzua si agjent i Francës. U dënua me 15 vjet heqje lirie dhe me punë të rëndë në burgun famëkeq të Burrelit. Pas lirimit në vitin 1958, u internua në Fier.

Më 1960, për nevojat propagandës ndërkombëtare të regjimit diktatorial, emërohet në Tiranë si përkthyes.

Ndër përkthimet e tij të para numërohen “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Ismail Kadaresë, i cili më vonë u botua në Paris. Ndërkaq, emri i tij si përkthyes do të fillonte të figuronte nëpër botimet në Francë vetëm në vitet 1980. Edhe pse pjesën më të madhe të kohës e shpenzonte duke përthyer dhe redaktuar tekstet propagandistike të Enver Hoxhës, Jusuf Vrioni gjente kohë për të përkthyer romanet e tjera të Ismail Kadaresë. Falë elegancës së frengjishtes së tij, romanet e Ismail Kadaresë nisën të tërheqin vëmendje të jashtëzakonshme në publikun frankofon. Rreth fundit të viteve ’80, Jusuf Vrioni nisi të gëzojë famë si përkthyes i pashoq në qarqet intelektuale dhe artistike të kryeqytetit.

Në vitet e para të Shqipërisë post-diktatoriale, Jusuf Vrioni, falë posturës së tij multidimensionale si intelektual, u angazhua në qarqet e shoqerisë civile dhe për një kohë shërbeu si “Kryetari i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut”. Kriza famëkeqe e vitit 1997 do ta detyronte tashmë burrin e moshuar të largohej sërish nga atdheu i tij dhe të rikthehej në Parisin e tij të dashur. Më 1998 emërohet Amabasor i Republikës së Shqipërisë nga UNESCO dhe më 22 maj të këtij viti, për kontributin e tij të pasur në gjuhën frënge, dekorohet nga Republika Franceze me urdhërin “Chevalier de la Légion d’Honneur”, ashtu si dikur i ati, Ilias Bej Vrioni, ish dekoruar në fund të viteve 1920 me urdhrin “Grand Officier de la Légion d’Honneur” nga Republika Franceze.

Jusuf Vrioni ndërroi jetë në Paris, në maj të vitit 2001 ndërsa shërbente si Amabasador i Republikës së Shqipërisë në UNESCO.

Berati, vendlindja e Vrionasve, nëpërmjet bashkisë së qytetit do ta nderonte Jusuf Vrionin pas vdekjes më 18 qershor 2001 me titullin “Qytetar Nderi”.

Për mirënjohjen dhe vlerësimin e përkthyesve me kontribut të çmuar në njohjen dhe promovimin e letërsisë shqipe në gjuhë dhe kultura të huaja, Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Shqipërisë, më 2006 krijoi çmimin Jusuf Vrioni.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani më 14 prill të vitit 2017, i akordoi Jusuf Vrionit Dekoratën “Nderi i Kombit”. / atsh / KultPlus.com

Zvicra shpallet sërish vendi më i mirë në botë

Renditja e përgjithshme e vendeve më të mira mat performancën globale në një sërë metrikash, ku Zvicra sërish u shpall vendi më i mirë në botë për vitin 2022.

Pa dyshim se kjo mund të mos jetë surprizë për ata që njohin renditjet e ndryshme ndërkombëtare dhe e kanë parë Zvicrën të marrë rezultate të larta shumë herë në të kaluarën.

Tani raporti i ri i US News & World Report e ka renditur Zvicrën “më të mirën në botë”.

Arsyeja e pozitës në krye, sipas raportit, është se Zvicra ka “papunësi të ulët, fuqi punëtore të kualifikuar dhe një nga prodhimet më të larta të bruto vendore për frymë në botë. Ekonomia e fortë e vendit mbështetet nga normat e ulëta të taksave të korporatave, një sektor shërbimi shumë i zhvilluar dhe një industri prodhuese e teknologjisë së lartë”.

Nga 10 kriteret mbi të cilat janë vlerësuar vendet, Zvicra ka marrë 100 pikë (nga 100 maksimumi) për sensin e saj të biznesit, duke u renditur gjithashtu lart (96.7) për cilësinë e jetës. / albinfo.ch / KultPlus.com

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm
Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

‘Kodiku i Purpurt i Beratit’ prezantohet në Bruksel

Shoqata “Nënë Tereza” në Namur dhe Organizata Studentore Shqiptare “Vlera” në Bruksel të Belgjikës, në bashkëpunim me RTSH-në dhe ULB-në, organizuan mbrëmjen kulturore kushtuar “Kodikut të Purpurt të Beratit”.

Me një pjesëmarrje të madhe falë interesit të komunitetit shqiptar në Bruksel dhe pranisë së studiuesve, artistëve, historianëve, shkrimtarëve, pedagogëve e diplomatëve, u shfaq dokumentari “Kthim te Kodiku Beratinus”, realizuar me mbështetjen e Grupit Mediatik të Kinës.

Mbrëmja kulturore u drejtua nga organizatorët Jetnis Avdijaj dhe Arian Bajraktari, në formë bashkëbisedimi me historianë, gjuhëtarë, shkrimtarë, poetë etj.

Ragip Zekolli, Eden Babani, Denajda Bajraktari, dr. Nikolla Shabani, Albert Nikolla, Leonora Canja, si dhe shumë të tjerë bashkëbiseduan mbi Kodikun e Beratit dhe historinë e restaurimit të tij nga Akademia e Shkencave të Kinës.

Gëzim Podgorica, nënkryetar i Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar, tha se Kodiku, nëpërmjet këtij dokumentari, shkoi në Bruksel pas shfaqjes premierë në Paris dhe rrugëtimi do të vazhdojë në metropole të tjera europiane. Ai solli fakte e histori interesante nga restaurimi i Kodikut në Kinë gjysmë shekulli më parë, duke tërhequr vëmendjen e studiuesve të pranishëm. Dekani i Fakultetit të Letërsisë dhe Komunikimit në Universitetin e Lirë të Brukselit, Xavier Luffin, u shpreh se kjo histori e bashkëpunimit për restaurimin e Kodikut mes Shqipërisë dhe Kinës ishte e panjohur për të dhe mjaft interesante.

Konsullja e Republikës së Shqipërisë në Ambasadën e Shqipërisë në Bruksel, Vjola Kaloshi, theksoi rëndësinë kulturore të Kodikut, kësaj vlere unike të shqiptarëve, që është prej vitesh në mbrojtje të UNESCO-s, si dhe prezantimin e dokumentarit në kryeqytetin europian, Bruksel. /KultPlus.com

QKLL, thirrje për përkthimin e veprave letrare nga shqipja në gjuhë të huaja

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit hapi dje thirrjen për aplikime për përkthime të veprave letrare nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj.

Kjo thirrje u drejtohet të gjithë botuesve të huaj që duan të botojnë autorë shqiptarë.

Kjo thirrje është pjesë thelbësore e politikave të QKLL për promovimin e kulturës shqiptare jashtë kufijve.

Ajo synon të mbështesë përkthimin e veprave më të rëndësishme të letërsisë tradicionale e bashkëkohore shqiptare, si në prozë, ashtu edhe në poezi dhe ese.

Sipas QKLL kërkesa duhet të dorëzohet nga një botues i huaj, i pajisur me licencë botimi.

Botuesi duhet të sigurojë të drejtat e autorit para se të aplikojë, ose të paktën të jetë në proces të sigurimit të së drejtës së autorit.

Fituesit do të bëhen publikë në javën e parë të muajit maj, në faqen e QKLL-së. Dorëzimi i aplikimit pranë Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit bëhet brenda datës 14 prill 2023, ora 14:00. / atsh / KultPlus.com