Për herë të parë që nga viti 1987, shitjet e pllakave muzikore kanë tejkaluar shitjet e CD-ve në SHBA, sipas një raporti të ri nga Shoqata e Industrisë së Regjistrimit të Amerikës (RIAA). Adhuruesit e muzikës blenë më shumë se 41 milionë disqe vinyl vitin e kaluar dhe 33 milionë CD.
Kjo është një rritje prej 3%, pasi në vitin 2021 shitjet e disqeve vinyl arritën në 40 milionë. Nga ana tjetër, shitjet e CD-ve ranë me 28%, pasi në vitin 2021 shitjet e tyre ishin 47 milionë.
Taylor Swift ishte artistja femër më e shitur e vinyleve të vitit 2022 në SHBA, duke shitur 945,000 kopje të albumit të saj Midnights, e ndjekur nga Harry Styles , i cili shiti 400,000 kopje të albumit të tij Harry’s House. Gjithashtu në top pesëshen janë SOUR e Olivia Rodrigo (263,000 kopje), Good Kid i Kendrick Lamar (254,000 kopje) dhe Rumors i Fleetwood Mac (243,000 kopje).
Por shërbimet e transmetimit të muzikës vazhduan të përbëjnë shumicën e të ardhurave në industrinë e muzikës në SHBA në vitin 2022. Abonimet me pagesë, shërbimet e mbështetura nga reklamat, radio dixhitale, platformat e mediave sociale kontribuojnë me 84% të të ardhurave totale në industrinë e muzikës, duke regjistruar një rritje prej 7% në vitin 2022, pra 13.3 miliardë dollarë krahasuar me vitin 2021 që përbënte 83% të të ardhurave. /KultPlus.com
Muzeu i Arsimit në Korçë gjatë ditëve të festave të muajit mars është vizituar nga një numër i lartë turistësh.
Ky muze ka publikuar në rrjetet sociale foto nga vizita e tyre ku shumica vinin nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
“Këto ditë festash, Muzeu i Arsimit u vizitua nga një numër i konsiderueshëm turistësh. Pjesa më e madhe e vizitorëve përbëhej nga grupet e organizuara të mësuesve që vinin nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut”, shkruan Muzeu.
Mësonjëtorja e Parë Shqipe në Korçë, sot Muzeu Kombëtar i Arsimit, është monument i kategorisë së Parë i shpallur në vitin 1973. Kjo ndërtesë ishte shtëpia ku banonte patrioti korçar Diamanti Terpo, i cili e dhuroi banesën për shkollën shqipe, e hapur më 7 mars 1887 nga ana e mësuesit patriot Pandeli Sotiri.
Në këtë muze pasqyrohet historia e shkrimit shqip, e morisë së alfabeteve deri në alfabetin që kemi sot, vendosur në Kongresin e Manastirit, më 1908, si dhe historia e librit shqip prej abetares së parë të gjuhës shqipe (“Evetari”, 1744), hartuar nga Naum Panajot Bredhi.
Pas restaurimit në sajë të një investimi të qeverisë shqiptare ky muze po tërheq më shumë vizitorë./atsh/ KultPlus.com
Për herë të dytë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, çmimet Oscar kanë refuzuar ofertën e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për të bërë një paraqitje virtuale në televizion.
Zelensky është i njohur për paraqitjet e shpeshta virtuale në disa nga shfaqjet dhe festivalet më prestigjioze në të gjithë Evropën dhe SHBA, duke përfshirë Bursën e Nju Jorkut. Ai u shfaq në të dy festivalet e filmit në Kanë dhe Venecia, si dhe në çmimet Grammy.
Udhëheqësi ukrainas u shfaq në çmimet Golden Globes në janar dhe u prezantua nga aktori amerikan Sean Penn. Zelensky u zotua se Ukraina do të fitojë luftën kundër Rusisë, ndërsa përshëndeti “njerëzit e lirë të botës së lire, ata që u bashkuan rreth mbështetjes së popullit të lirë ukrainas”. Dhe vetëm një muaj më parë, ai bëri një paraqitje virtuale në Festivalin prestigjioz të Filmit në Berlin në Gjermani.
Megjithatë, çmimet Oscar kanë refuzuar, për të dytin vit radhazi këtë herë, t’i ofrojnë liderit ukrainas pak kohë për t’u shfaqur në televizion.
Sipas Variety, agjenti i energjisë WME, Mike Simpson, bëri kërkesën për të përfshirë Zelensky në transmetim, por kjo kërkesë u refuzua./abcnews.al/ KultPlus.com
Fatmir Haxhiu është njëri ndër piktorët më të shquar shqiptar, shkruan KultPlus.
Ai lindi në vitin 1927 në qytetin e Gjirokastrës. Më pas familja e tij u zhvendos në Tiranë, aty ku piktori do të jetëoj deri në ditën e vdekjes, më 10 mars të vitit 2001.
Haxhiu kryen me sukses studimet në Zagreb për t’u kthyer në atdhe me pasion të madh për pikturën. Fatmir Haxhiu do të marrë pjesë në aktivitete artistike e festa kombëtare.
Vitet ’50 janë shumë të frytshme për të. Ai bëhet krijues i studios së parë ushtarake në Shqipëri, ku pasohet dhe nga artistë të tjerë, derisa në vitin 1959 merr pjesë në ekspozitën kombëtare të pikturës, ku vlerësohet me çmimin e dytë. Haxhiu është aktiv me vizatime e grafika në revistën “10 korriku”, po ashtu krijon shumë ilustrime me emocion dramatik.
Gjatë karrierës së tij të pasur, Haxhiu, nderohet me shumë cmime të rëndësishme, përfshirë Çmimin e Republikës së shkallës së parë dhe të tretë. Gjithashtu atij iu ndanë titujt e lartë “Piktor i Merituar”, “Mjeshtër i Madh i Punës”
E, veprat e tij u bënë popullore pasi që ai i botoi ato nëpër shumë gazeta të kohës si “Drita”, “Puna”, “Zëri i popullit”, “Ylli” e të tjera. /KultPlus.com
Kosova PEN Center këto ditë e realizoi një ndër projektet më të mëdha botuese. Botimi i librit “Nobelistët e Letërsisë”, me gjithsej, 898 faqe është përkthyer, edituar dhe përgatitur nga përkthyesi dhe publicisti i mirënjohur Avni Spahiu.
Projektin e botimit e ka mbështetur financiarisht Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Parathënia e Avni Spahiut
Lexuesi shqiptar ka në duar një prezantim kronologjik të fituesve të Çmimit letrar prestigjioz ndërkombëtar të Nobelit, që nga themelimi i tij, më 1901 deri më 2021. Ky prezantim (tani i plotësuar nga botimi i parë i vitit 2007) përmban fjalët që mbajtën laureatët e Nobelit më rastin e marrjes së Çmimit, në Stokholm, ligjëratat e tyre mbi letërsinë para publikut të Nobelit, apo, në raste të mungesës të tyre në ceremoni, fjalët e prezantimit të veprës së tyre nga kritikë letrarë apo akademikë të Akademisë Suedeze të Nobelit. Çmimi Nobel për Letërsi ndahet çdo vit për një autor, nga cilido vend i botës, që, sipas fjalëve në testamentin e Alfred Nobelit, ka krijuar “veprën më të veçantë me prirje idealiste për njerëzimin”. Duke filluar që nga viti 1901, Komiteti i Nobelit ka ndarë gjithsej njëqind e njëzet ëmime, duke mos e dhënë këtë çmim vetëm gjatë viteve të të dy luftërave botërore apo në kohë të “rreziqeve të mëdha” të njerëzimit. Me këtë, Komiteti i Nobelit është shndërruar në njëfarë lloj “tribunali kozmopoliten të letërsisë”, që veçon të arriturat më të mëdha letrare në botë gjatë një viti të një shkrimtari, apo të figurave të mëdha të letërsive kontinentale dhe atyre që kanë një pozitë ndikuese në letërsinë botërore. Ideali i Çmimit Nobel për Letërsi ka qenë i padiskutueshëm. Që nga themelimi i tij, ky çmim shpërblen letërsinë e mbarë botës dhe ka përfshirë një numër të madh emrash, nga të gjitha kontinentet, shkrimtarë të veçantë dhe emra të mëdhenj të krijimtarisë letrare. Por, ndonëse ka arritur ta ruajë namin dhe prestigjin e vet, ai gjithashtu ka qenë shpesh edhe nën tehun e kritikës për lënien jashtë të një numri të madh të emrave të mëdhenj të letërsisë botërore. Në këtë antologji do të gjeni emra të njohur dhe më pak të njohur, por nuk do të gjeni edhe emra të gjenive letrarë si Prust, Kafka, Rilke, Musil, Tolstoj, Mandelstam, Garcia Lorka, etj., si dhe (ende jo) të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, i cili me vite të tëra ka qenë kandidat për këtë Çmim të madh. Standardet e ‘Nobelit’ kanë një kërkesë të përgjithshme për kandidatin potencial dhe veprën e tij “që i ka dhënë kontributin më të madh njerëzimit” dhe për letërsinë “që ecën në një drejtim ideal”. Kritere të tjera përfshijnë, “stilin madhështor”, “preokupimin universal”, “punën prej pionieri” dhe “letërsinë për tërë botën”. ‘Nobeli’ nuk e ka hedhur poshtë as standardin e pashkruar, atë të “integritetit politik” që përmendet shpesh në arsyetimet për laureatët, me shpjegimin se kjo nuk do të thotë edhe parapëlqim i orientimit politik të kandidatëve të caktuar. Ka pasur gjithashtu “autorë të kontestuar” në kontekstin e qëndrimeve të tyre kontroverse politike,që janë në shpërputhje me mesazhin e 6 qartë universal në veprat e tyre. Qëndrimi “politikisht jokorrekt” i autorëve nuk ka qenë një argument për të shkualifikuar veprën e një kandidati dhe kjo çështje ka vazhduar të jetë temë për debate të vazhdueshme jo vetëm në kuadër të Nobelit. Autorë të tilë si Harold Pinter, Ivo Andriq, Peter Handke (që të dy të denjë për t’u akuzuar për racizëm), e ndonjë tjetër, qëndrimet politike të të cilëve janë të njohura, megjithatë kanë dalë si laureatë mes një debati të ashpër dhe vlerësimi artistik të veprës së tyre letrare. Dy fusha të reja debati, kanë përshkuar përzgjedhjen e fituesit: konsiderata politike (gjithnjë e më evidente) dhe parimi i “gjithëpërfshirjes”, që do të thotë përfaqësimi me kandidatë nga të gjitha kontinentet dhe nga sa më shjmë vende, si dhe kriteri i përzgjedhjes së kandidatëve, jo me sfond të pastër letrar, si Bertrand Rasëll, Uinston Çërçill e Bob Dylan e Leonard Kohen… Por, bota sot është aq e ndërlikuar dhe e polarizuar sa të mos merret parasysh ky standard i fundit, nga që konsiderimi i aspektit politik vërehet lehtë në historinë e preferencës së Komitetit të Nobelit. Sa për ilustrim, vendet që kanë marrë më së shumti nobelë për letërsi janë Franca (15), SHBA (15), Britania e Madhe (10), Gjermania (8), Italia (6), Spanja (6) dhe Suedia (8), Polonia (4), Irlanda (4), Rusia (4), etj . Pjesa tjetër e fituesve janë kryesisht nga vende perëndimore, me një numër të vogël të përfaqësuesve nga kontinente dhe vende jashtë-perëndimore. Sido qoftë, prezantimi i laureatëve të Nobelit, në një botim të veçantë do t’i ofrojë lexuesit shqiptar mundësinë për t’u njohur më për së afërmi me ata që me fjalën e tyre letrare lanë vulë në thesarin e kulturës botërore. Disa nga fjalët e tyre në ceremoninë e marrjes së Çmimit Nobel, jo vetëm që paraqesin shembuj të elokuencës dhe mendimit të krijuesve të mëdhenj, por përbëjnë edhe pjesë të perlave të vërteta të krijimtarisë së tyre. Kjo edhe ka qenë arsyeja që ato po i prezantohen lexuesit tonë në një formë të këtillë të përmbledhur libri.
Sot në Kuvendin e Kosovës është miratuar ligji Anti-Doping, përcjell KultPlus.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se me këtë ligj janë krijuar kushtet e nevojshme nevojshme për themelimin dhe funksionalizimin e Agjencisë Shtetërore Anti-Doping, institucion ky që do të ketë përgjegjësinë e menaxhimit të politikës së anti-dopingut në Kosovë.
Në vijim gjeni postimin e plotë të MKRS-së:
U përmbush edhe një standard i rëndësishëm ndërkombëtar në sport.
Në Kuvendin e Kosovës, u miratua ligji Anti-doping. Me këtë ligj, kemi krijuar kushtet e nevojshme për themelimin dhe funksionalizimin e Agjencisë Shtetërore Anti-Doping, institucion ky që do të ketë përgjegjësinë e menaxhimit të politikës së anti-dopingut në Kosovë, duke përfshirë:
Testimin gjatë dhe jashtë garave;
Procesin e menaxhimit të rezultateve të mostrave;
Mirëmbajtjen e listës së substancave të ndaluara në sport;
Edukimin e sportistëve dhe të gjithë komunitetit sportiv për dopingun.
Objektivat kryesore të projektligjit janë: fuqizimi i integritetit të sistemit sportiv, kujdesi ndaj shëndetit të sportistëve dhe sportisteve dhe sigurimi i drejtësisë dhe mundësive të barabarta në gara sportive./ KultPlus.com
Ylli i Hollivudit, Tom Cruise, i bëri një vizitë surprizë ushtarëve amerikanë mbi një anije të Marinës që ndodhet në Detin Adriatik, për një promovim special të filmit të fundit të tij, “Top Gun: Maverick”, që u shfaq në bord të premten e kaluar.
Aktori 60-vjeçar zbarkoi në anijen “USS George H.W. Bush” dhe u mirëprit nga ushtarët. Bashkë me të ishin edhe aktorja e serialit “Ted Lasso”, Hannah Ëaddingham dhe producentët Christopher McQuarrie dhe Eddie Hamilton.
Të dy aktorët realizuan foto me ushtarët ndërsa realizuan edhe një tur në anijen luftarake e duke kënduar bashkë me trupën.
Anija amerikane ndodhet pranë vendit tonë që prej gushtit të vitit të kaluar, ku patrullon ujërat e Mesdheut. Sipas informacioneve më të fundit ajo duhet të ankorohet këtë të premte në ishull grek të Kretës.
Admirali Dennis Velez, komandanti i anijes tha se marinarët nuk do ta harronin kurrë mbrëmjen e kaluar me Cruise. “Jam i sigurt se as ai nuk do ta harrojë”, tha Velez.
Përveç se një sukses sa i përket arkëtimeve, filmi ka marrë disa nominime për çmimet “Oscar”, në kategoritë “Filmi më i mirë”, “Skenari më i mirë”, “Editimi më i mirë”, “Kënga më e mirë origjinale”, “Efektet vizuale më të mira” dhe “Muzika më e mirë”./ a2cnn / KultPlus.com
Pronari i kompanive SpaceX dhe Twitter, Elon Musk, planifikon të ndërtojë qytetin e tij në një zonë në shtetin amerikan të Teksasit.
Sipas një lajmi të publikuar në Wall Street Journal (WSJ), qyteti në fjalë do të ndërtohet në Kontin Bastrop, i cili ndodhet pranë qytetit Austin.
Thuhet se qyteti, themeli i të cilit është planifikuar të hidhet në një zonë pranë objekteve të kompanive Boring dhe SpaceX, të cilat janë në ndërtim e sipër, do t’u mundësojë punonjësve të kompanive të Musk-ut të zhvendosen në shtëpi të reja me çmime qiraje nën nivelin e tregut.
Ligji i Teksasit kërkon që të paktën 201 njerëz të jetojnë në një zonë përpara se të bëhet aplikimi që ajo të pranohet si qytet. Pas këtij procesi merret miratimi nga gjyqtari i qarkut.
Një zyrtar nga Konti Bastrop ka thënë në një deklaratë se ende nuk ka arritur asnjë aplikim nga Musk apo ndonjë subjekt që ai zotëron. / KultPlus.com
Në vitin 2022, Shkollat e Inxhinierisë Ira A. Fulton në shtetin e Arizonës arritën një rekord regjistrimi prej 30,000 studentësh, duke e bërë atë shkollën më të madhe inxhinierike në vend.
Nga 212 universitetet e përfshira në renditjen e programeve universitare të US News & World Report, Shkollat e Inxhinierisë Fulton renditen në vendin e 33-të në përgjithësi dhe në vendin e 19-të nga universitetet publike. Gjashtë fusha studimi të mbështetura nga Shkollat Fulton tani renditen në mesin e 25 fushave më të mira të inxhinierisë universitare në vend, duke përfshirë inxhinierinë civile, sigurinë kibernetike dhe inxhinierinë elektrike.
Gjithashtu, sipas U.S. News & World Report programi i shkencave kompjuterike të ASU-së i cili po ashtu është pjesë e Shkollave të Inxhinierisë Fulton, është renditur në vendin e 46-të ndër 560 programet tjera të shkencave kompjuterike të cilat kanë qenë të përfshira. / KultPlus.com
Gëzim Gashi është një autor dhe folës i shquar nga Kosova, i cili së fundmi prezantoi librin e tij të fundit “Unlocked: the power of you” para studentëve në universitetin prestigjioz Yale. Ngjarja u organizua nga Shoqata Postdoktorale e universitetit dhe tërhoqi një audiencë të madhe studentësh, pedagogësh dhe anëtarësh të komunitetit më të gjerë, shkruan KultPlus.
Libri i Gashit, i titulluar “Unlocked: the power of you”, është një udhëzues i fuqishëm dhe frymëzues për rritjen personale dhe vetë-përmirësimin. Duke u mbështetur në përvojat e tij si i mbijetuar i luftës dhe përvojës prej refugjati, Gashi ofron këshilla praktike dhe njohuri shpirtërore për t’i ndihmuar lexuesit të kapërcejnë pengesat dhe të arrijnë qëllimet e tyre.
Gjatë prezantimit të tij, Gashi foli me pasion për temat e librit të tij dhe u angazhua me publikun në një diskutim të gjallë dhe interaktiv. Ai ndau shumë përvoja nga jeta e tij, duke përfshirë përvojat e tij si refugjat në Shtetet e Bashkuara dhe inkurajoi studentët të jenë të ndërgjegjshëm dhe elastikë përballë vështirësive.
Prezantimi i Gashit u vlerësua gjerësisht nga të pranishmit, të cilët e cilësuan atë si informues dhe thellësisht emocionues. Shumë studentë shprehën vlerësimin e tyre për këtë mundësi për të dëgjuar rrëfime dhe këshilla nga autori Gëzim Gashi dhe thanë se ishin të frymëzuar për të përfshirë mësimet e tij në jetën e tyre.
Në përgjithësi, vizita e Gëzim Gashit në Universitetin Yale ishte një sukses i jashtëzakonshëm dhe shërben si një dëshmi e fuqisë së qëndrueshme të letërsisë dhe tregimit për të frymëzuar dhe transformuar jetët.
Ndërkohë, Gashi poashtu është shprehur jashtëzakonisht i lumtur për këtë mundësi.
“Ishte një nder të flisja në Universitetin Yale për librin dhe udhëtimin tim nga Kosova dhe Suedia në Shtetet e Bashkuara. Faleminderit Shoqatës Postdoktorale të Yale për organizimin e një ngjarjeje të jashtëzakonshme. Më pëlqeu shumë takimi me secilin prej jush. Ju uroj gjithë të mirat në të ardhmen tuaj”, shprehet Gëzimi.
Që nga themelimi i tij në 1701, Universiteti Yale i është përkushtuar në zgjerimin dhe ndarjen e njohurive, frymëzimit të inovacionit dhe ruajtjes së informacionit kulturor dhe shkencor për brezat e ardhshëm.
Universiteti Yale është një nga universitetet më të vjetra dhe më prestigjioze në botë.
Yale ka një histori dhe tradita të pasura, duke përfshirë shoqërinë e famshme sekrete, Skull and Bones, dhe rivalitetin e tij të gjatë me Universitetin e Harvardit. Universiteti ka prodhuar shumë studentë të shquar, duke përfshirë pesë presidentë të SHBA-së, krerë të shumtë shtetesh të huaja dhe shumë udhëheqës të shquar në biznes, drejtësi dhe arte.
Universiteti ka një komunitet të larmishëm dhe gjithëpërfshirës të studentëve, pedagogëve dhe stafit, dhe ai është i përkushtuar për të promovuar drejtësinë sociale dhe adresimin e çështjeve urgjente globale. Yale është gjithashtu i njohur për kampusin e tij të bukur, i cili përfshin ndërtesa historike dhe muze e biblioteka me famë botërore.
Prezantimi i një autori kosovar në një universitet kaq prestigjioz, është nderë jo vetëm për Gëzimin por për të gjithë shqiptarët. / KultPlus.com
Teknologjia ka shkelur në çdo aspekt të jetës sonë. Kompjuterët janë bërë një pjesë e pazëvendësueshme e edukimit. Nuk ka dyshim se kompjuterët dhe teknologjitë e tyre kanë përmirësuar mësimdhënien dhe të nxënit në shkolla. Prandaj, rëndësia e njohurive kompjuterike është rritur me kalimin e viteve dhe është bërë thelbësore që studentët të njohin kompjuterin.
Njohuria kompjuterike është aftësia ose njohuria për të përdorur kompjuterët në mënyrë efikase dhe efektive. Përvetësimi i njohurive kompjuterike do të përmirësonte shumëfish procesin e të mësuarit për studentët. Për më tepër, studimet kanë treguar se studentët që njohin kompjuterin kanë performancë më të mirë.
Në internet, studentët kanë akses në një det informacionesh dhe do të jenë në gjendje të marrin përgjigje për pothuajse çdo pyetje. Kjo e bën më të lehtë për ta që të bëjnë kërkime dhe të nxjerrin përfundime vetë. Është e lehtë për studentët të kenë akses në materialet e studimit si dokumente kërkimore, video, imazhe, etj. Këto materiale studimi mund të lehtësojnë procesin e të mësuarit dhe t’i ndihmojnë studentët të kuptojnë lehtësisht konceptet e të mësuarit.
Kolegji Universum ka një ndër laboratorët më të sofistikuar kompjuterik, gjë që ju ndihmonë studentëve tanë të kenë më të lehtë qasjen në informacione dhe materiale.
Për më shumë informata rreth nesh kontakto +383 44 144 062, [email protected] ose ndiqni Kolegjin Universum në facebook & instagram.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Operës së Kosovës, Meriton Ferizi ka njoftuar se të enjten më 16 mars do të shfaqet opera “Flauti magjik” (version i përmbledhur).
Shfaqja do të jetë një bashkëpunim me produksionin artistik “Dragoi Blu-Tiranë” me pjesëmarrjen e disa nga artistët e (TKOBAP) dhe solistët e rinj-studentët e UART-dega e Kantos (Këndimit).
Flauti Magjik, është një operë në dy akte nga Wolfgang Amadeus Mozart, në një libret gjerman nga Emanuel Schikaneder.
Vepra është në formën e një Singspiel, një formë popullore gjatë kohës që u shkrua dhe që përfshin si këndimin ashtu edhe dialogët.
Opera u performua për herë të parë më 30 shtator 1791, vetëm dy muaj përpara se kompozitori gjenial Mozart të ndahej nga jeta.
Flauti magjik, vazhdon të jetë një nga operat më së shpeshti të shfaqura.
“Flauti magjik” vjen më 16 mars 2023, ora 19:00, në Klan Arena në Prishtinë. / KultPlus.com
Yjet u rreshtuan për “Versace”-n mbrëmjen e së enjtes, kur shtëpia italiane e modës prezantoi koleksionin e ri Vjeshtë/Dimër 2023 në Los Anxhelos. E planifikuar fillimisht për të premten, po e zhvendosur më herët për shkak të kushteve të motit, shfaqja në qiell të hapur përfshiu modele të famshme, që parakaluan në tarracën e Pacific Design Center në Hollivud, teksa dielli perëndonte në qytetin e glamurit.
Gidi Hadid ishte e para që përshkoi pasarelën e veshur me një kostum të zi, e ndjekur nga Kendall Jenner, Naomi Campbell, Irina Shayk dhe Emily Ratajkowski.
Ngjyra e zezë dominonte koleksionin por nuk mungonin as ato të ndezurat, si portokalli dhe pink. Fustanet ishin kryesisht të shkurtra, të përbëra nga mëndafshi e të shoqëruara me doreza të gjatë operash. Meshkujt mbanin lëkura gjarpri, xhaketa dhe bluza me temina.
Shfaqja e cila u mbajt vetëm pak ditë para ceremonisë së çmimeve “Oscar”, u ndoq një sërë të ftuarish të famshëm, përfshirë këngëtarët shqiptare Dua Lipa, Cher, Elton John dhe aktorët Anne Hathaway e Channing Tatum, të cilët u panë të duartrokitnin teksa dizenjatorja Donatela Vercace parakaloi në fund të prezantimit./ a2cnn / KultPlus.com
Donatella Versace is seen as The Versace Fall/Winter 2023 collection is modeled on Thursday, March 9, 2023, at the Pacific Design Center in West Hollywood, Calif. (Photo by Jordan Strauss/Invision/AP)
Numri i përgjithshëm i studentëve të cilët ndjekin arsimin e lartë në nivelin Bachelor për periudhën 2021/2022 në Universitet Publike dhe Kolegjet Private ishte 70 mijë e 187, prej tyre 40 mijë e 826 apo 58,2 për qind femra ndërsa 29 mijë 358 apo 41.8 për qind meshkuj.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), nga numri i përgjithshëm i studentëve vërehet diferencë e madhe gjinore e studentëve të cilët ndjekin studimet në fushën e “Arsimit “ ku nga 4 mijë e 352 student, 4 mijë e 28 apo 92.6 për qind janë femra dhe 324 apo 7.4 për qind janë meshkuj.
Numri i përgjithshëm i studentëve (në Universitete Publike dhe Kolegje Private) 2021/2022, në nivelin Master ishte 11877, prej tyre 7268 apo 61.2% janë Femra , ndërsa 4609 apo 38.2% janë Meshkuj.
“Numri i të diplomuarve nivelin Bachelor 2020/2021, ishte 10997 prej tyre 7266 apo 66% femra ndërsa 3731 apo 34% meshkuj. Numri i studentëve të diplomuar në Universitete Publike dhe Kolegje Private në nivelin Master ishte 2112 prej tyre Femra 1322 apo 62.6% ndërsa Meshkuj 790 apo 37.4%?, thuhet në raportin e ASK-së.
Ndërsa Xhavit Rexhaj ish zëvendës ministër i Arsimit, nuk e ka përjashtuar faktin se pjesëmarrja më të ulët e meshkujve në Arsim mund të ketë ndikuar me largimin jashtë vendit.
“Të dhëna interesante, më la përshtypje edhe mu , para shkollori edhe fillori është krejt e logjikshme me qenë një përqindje e tillë. Të lëndoret kur shkojnë ndryshojnë. Me siguri në këto përqindje kanë ndikuar edhe ikja e meshkujve sidomos 4 vitet e fundit ka qenë shumë e theksuar. Por në Arsim vazhdimisht përqindja e mësuesve edhe mësimdhënësve femra është më e madhe se sa e meshkujt. Kjo është çudia për shembull,pse drejtorët nuk janë gjysma bile femra. Pse meshkujt janë drejtorë e femrat janë mbi gjysmën mësimdhënëse. Zakonisht përqindja është më e madhe e femrave të punësuarve në mësimdhënie në Arsim, mirëpo në gjeneratat e fundit sigurt ka ndikuar sidomos ikja e madhe e të rinjve e më shumë masë më të madhe e meshkujve”, tha Rexhaj për “IndeksOnline”. / KultPlus.com
Këto ditë Shtëpia Botuese Kosova PEN Center, e botoi librin me titullin “Teori dhe kritikë moderne II”, i cili është përzgjedhur dhe përgatitur nga Demë Topalli, ndërsa është mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Libri “Teori dhe kritikë moderne II” është vazhdim i pjesës së parë të librit po me këtë titull, botuar në vitin 2021. Edhe në këtë vëllim është bërë një përzgjedhje e teksteve të botuara më parë në revistën letrare “Jeta e re”.
Siç thuhet në parathënien e librit, shumica e teksteve nga fusha e kritikës, eseistikës, teorisë, si dhe e antropologjisë kulturore, të përfshira në këtë libër, janë të autorëve tashmë klasikë në fushat përkatëse, si Erich Auerbach, Hans Robert Jaus, Zhak Derrida, Algirdas Greimas, Jonathan Culler, George Steiner, Harold Bloom, Gerard Genette, Brian Boyd, Roman Jacobson, Aleida Assmann, Jan Assmann etj.
Shkrimet e botuara në librin “Teori dhe kritikë moderne II” janë përkthyer nga Ilir Breca, Arta Hallaçi, Qerim Ondozi, Sazan Kryeziu, Sulejman Dërmaku, Alfred Beka, Meliza Krasniqi, Azem Qazimi dhe Gëzim Aliu. / KultPlus.com
Anel Hyseni është vetëm 8 vjeç dhe vijon klasën e dytë në shkollën fillore “Musa Zajmi”, por pasioni i tij për pianon i zbuluar krejt rastësisht, e kanë drejtuar atë edhe për në Shkollën e Muzikës në Gjilan ku ai vijon mësimet për këtë instrument, shkruan KultPlus.
Aneli ka autizëm, gjë që e bën pak më të vështirë për të komunikimin me të tjerët, por kur ulet para një pianoje, ai shndërrohet në një person tjetër.
Dashuria e Anelit për pianon u shfaq krejt rastësisht. Mami i tij, Lindita, e cila se kishte as idenë më të vogël që djali i saj kishte interes për këtë instrument, atë e kuptoi në një ndejë tek mikja e saj.
“Dëshirën dhe interesin e Anelit për piano e kam kuptuar në një ndejë tek një shoqe, ku isha e ftuar që të shkoj bashkë me Anelin, në mënyrë që ai të qëndrojë pranë fëmijëve të saj për socializim. Gjatë atij qëndrimi, Aneli papritmas e hapi pianon dhe filloj të luaj, reagimi i vajzës së saj ishte i menjëhershëm: “Mam ai po i zen notat”, dhe kjo ishte një shtytje që të interesohesha për këtë pjesë pasi vajza e shoqes sime ishte në Shkollë të Muzikës për piano. Deri në atë moment, unë kurrë nuk e dija që Aneli ka interes dhe dëshirë për piano”, tregon Lindita, nëna e Anelit për KultPlus.
Aneli me nënën
Nga ky moment, prindërit e Anelit vazhduan të interesoheshin për talentin e tij ku ai po tregonte një aftësi të natyrshme për këtë instrument. Ata vunë re se kur luante, ai ishte në gjendje të përqendrohej për periudha pak më të të gjata, pasi sipas prindërve ai është edhe hiperaktiv. Andaj prindërit e tij vendosën të ushqejnë talentin e tij dhe e regjistruan në mësimet e pianos në Shkollën e Muzikës në Gjilan.
“Shumë shpesh, kur kam kaluar nga objekti i vjetër i Shkollës së Muzikës në Gjilan, jam lutur Zotit që atyre nxënësve të ju mundësohet ndërtimi i një objekti të ri sepse ishte shumë i vjetër, por çudia më e madhe është se asnjëherë nuk e kam menduar që kur lutja ime të realizohej, pikërisht në vitin e parë të këtij objekti të ri (viti 2022) do të vijojë mësimin për piano djali im autik, më i dashuri në botë për mua, Anel Hyseni”, shprehet nëna Lindita teksa na emocionon me dashurinë e saj të pakusht për djalin e saj.
Regjistrimi në këtë shkollë, ishte nisja e një rruge që ndoshta Anelin do ta ndihmojë shumë në të ardhmen. Mësuesit e shkollës, kuptuan menjëherë që pasionin e tij për muzikën ishte më i fortë se çdo vështirësi e tij, andaj ata punuan me shumë dashuri me këtë fëmijë kaq të veçantë.
Përkushtimi i Anelit u shpërblye shpejtë, pasi më datë 8 Mars ai pati edhe paraqitjen e tij të parë para publikut, në koncertin e klasës së parë të pianos për vitin shkollor 2022/2023 e nga ku mori lëvdata të shumta.
“Ky sukses i Anelit erdhi falë përkushtimin të madh të mësueses Hajrie Bislimi, e cila është vetë mrekullia dhe vazhdon të bëjë mrekulli me djalin tonë dhe falë mbështetjes së drejtorit të shkollës, Kushtrim Jakupi. Uroj që ky të jetë vetëm fillimi i sukseseve të Anelit në fushën e muzikës, që të cilën nuk e kam ëndërruar asnjëherë”, shprehet Lindita e cila deri vonë kishte besuar shumë që djali i saj do të bëhet sportist si babi.
Pavarësisht suksesit të tij, Aneli ende lufton me disa aspekte të jetës së përditshme. Megjithatë, luajtja e pianos i jep atij një ndjenjë qëllimi dhe përkatësie. Është një mënyrë që ai të komunikojë me të tjerët pa pasur nevojë të përdorë fjalë.
Prindërit e tij janë jashtëzakonisht krenarë për të dhe arritjet e tij. Ata besojnë se talenti i tij është një dhuratë dhe se ai ka potencial për të bërë gjëra ende më të mëdha. Ata shpresojnë se historia e tij do të frymëzojë të tjerët fëmijë me autizëm që të ndjekin pasionet e tyre dhe të mos kufizohen nga gjendja e tyre.
Historia e tij është një kujtesë se të gjithë kanë diçka të veçantë për të ofruar, dhe me punë të palodhur dhe përkushtim, gjithçka është e mundur.
Krejt për fund, Lindita ka edhe një urim: “Aneli u bëftë shembulli më i mirë dhe më i mbarë për Kosovën tonë të dashur.” / KultPlus.com
“Duaje” është kënga e interpretuar nga Albina dhe familja Kelmendi që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovionin e këtij viti.
Përderisa jemi shumë afër nisjes së këtij festivali, sot është publikuar edhe videoklipi i këngës “Duje”.
Videoklipi vjen në harmoni me këngën dhe mesazhin që përcjell.
Kujtojmë se Shqipëria do të paraqitet në natën e dytë të Eurovisionit, më 11 maj, në Liverpul të Britanisë së Madhe, ndërsa në garë janë 37 shtete. / KultPlus.com
Me dhjetëra tërmete kanë goditur rajonin e Umbrias në Itali gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes së të enjtes, me lëkundjen më të fuqishme prej 4,9 të shkallës rihter, të paktën sipas Qendrës Europiane të Sizmologjisë.
Mbrojtja Civile ka bërë të ditur se të paktën 200 persona e kaluan natën jashtë shtëpive të tyre, duke u vendosur në palestra për shkak të frikës nga pasgoditjet e tërmetit.
Menjëherë në mëngjesin e së premtes, autoritetet lokale kanë nisur verifikimin e godinave, ndërsa shkollat janë mbyllur ne Perugia dhe komunat pranë saj. “Ne jemi të gjithë në rrugë, të frikësuar. Kurrë nuk kemi ndjerë një tronditje të tillë”, shprehet një banor në Perugia.
“Pas tërmetit të parë, rreth orës 16:00, nisëm te mendojmë se çfarë duhet të bënim, por tërmeti i orës 20:00 na detyroi ta kalonim natën jashtë shtëpisë”, shprehet një grua.
Tërmetet e së enjtes shkaktuan dëmtime të lehta në shumë ndërtesa, por fatmirësisht nuk ka raportime për persona të lënduar./a2cnn / KultPlus.com
Nënkryetar i Prishtinës Alban Zogaj, në një intervistë për Gazeta Blic ka folur për katër projektet madhore, sipas tij të kryetarit Përparim Rama, që do të realizohen gjatë mandatit katër vjeçar , e që janë Rruga A, lidhja e Lagjes Arbëria me Qendrën, Sheshin Xhorxh Bush, testimin e komunikacionit në Prishtinë, qentë endacak, urbanizmin dhe çështjen e mbeturinave në kryeqytet, raporton Gazeta Blic.
Zogaj, ka thënë se nga tri testimet që kanë bërë gjatë vikendeve në komunikacion, kanë vërejtur se 130 mijë vetura hyjnë në kryeqytetin e Kosovës, vetëm brenda një dite.
“Trafiku në Prishtinë është i ngarkuar dhe ne jemi shumë të vetëdijshme për këtë problem dhe që është një ndër problemet e mëdha të Prishtinës dhe duhet theksuar se 130 mijë vetura në ditë na hyn në kryeqytet nga jashtë kryeqytetit dhe ato kur vinë në Prishtinë, ato duan të parkohen, kryesisht sepse vijnë për biznes, për shkak të institucioneve, vijnë për të punuar në kryeqytet. Prishtina është gravitacion i biznesit, punës e ambasadave e institucioneve të tjera. Zgjidhja për ne është, që të krijojmë parkingje, të cilat do të jenë në periferi e ku ne do t`i ndalim veturat që të mos hyjnë të gjitha në qendër. Kjo është njëra prej zgjidhjeve që e mendojmë ne”, thotë ai.
Sipas Alban Zogajt, komuna e Prishtinë ka në plan ndërtimin e shkollave dhe çerdheve jashtë periferisë së kryeqytetit, meqë sipas tij, ngarkesat në komunikacion, vijnë nga prindërit dhe të tjerët që sjellin fëmijët e tyre në shkolla apo çerdhe të ndryshme brenda kryeqytetit.
Ai ka thënë, se nga testimet që kanë bërë për unazën, ekspertët dhe task forca e komunës, për këtë çështje kanë ardhur në një përfundim – unaza e brendshme duhet të kthehet në një rrugë njëkahore.
“Ne në plan i kemi 7 shkolla që do ti ndërtojmë në komunën e Prishtinës, për 3 i kemi nënshkruar kontratat dhe presim tash në pranverë fillimin e punëve në këto tri shkolla. Kemi marrëveshje me Bankën Botërore dhe sektori privat i ndërton kurse, sektori publik, pra komuna paguan afat gjatë për shkollat. Të njëjtin model do ta përsërisim edhe për 4 ose 5 shkolla të reja, veç jemi në procedura pra sivjet me 3, vitin e ardhëm me 4 shkolla e që të gjitha janë në periferi të Prishtinës. Pra këto 3 të parat fillojmë në Veternik, në lagjen Qëndresa, fillojmë në Sofali dhe mendojmë që kjo menjëherë e zgjidh problemin e komunikacionit. Testet që i kemi bërë, 3 teste më 2022 dhe ato teste janë bërë për të mbledhur të dhëna dhe për të analizuar efektet. Ne kemi mbledh shumë të dhëna nga ato teste në forma të ndryshme, me dronë me GPS, me pajisje të shumta dhe po i analizojmë me ekspertët tanë. E kemi një task forcë që po punon në këtë drejtim dhe shpejt vijmë deri te vendimi final, i cili me gjasë na çon drejt asaj që, unazën e brendshme te qytetit ta kthejmë në unazë njëkahore, sepse konsiderojmë se qarkullimi i veturave do të jetë më i shpejt sesa që është aktualisht”, thotë Zogaj./ KultPlus.com
Dita e Verës do të festohet nga të gjithë qytetarët në Tiranë me muzikë, lojëra, argëtim dhe plot dhurata.
Pak ditë nga ajo që quhet festa e të gjithë shqiptarëve, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka njoftuar disa nga aktivitetet që do të mbahen në kryeqytet më 14 Mars.
Kjo ditë do të festohet në 10 pika të ndryshme të Tiranës, ku bashkia ka organizuar një listë prej 100 aktivitetesh.
Aktivitetet do të nisin nga sheshi Skënderbej me një koncert nga këngëtarja e njohur shqiptare me famë ndërkombëtare Enisa në orën 13:00.
Ndërsa mbrëmja do të mbyllet me një “Street party”në zonën e ish-Bllokut dhe shfaqja më e madhe e dronëve në rajon në zonën e Liqenit Artificial. / atsh / KultPlus.com
Në Vjenë të Austrisë më 10 mars 2007, mbarojnë bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës mes shqiptarëve dhe serbëve pa marrëveshje.
Të pranishëm ishin krerët e Kosovës Fatmir Sejdiu, Agim Çeku, Kolë Berisha dhe të tjerë dhe Serbisë, Boris Tadic, Vojislav Kostunica dhe të tjerë, si dhe i dërguari i OKB-së për statusin, Martti Ahtisaari.
Ahtissari shprehu keqardhje që nuk është arritur asnjë marrëveshje. Ai edhe njoftoi se dokumenti përfundimtar për statusin e Kosovës do t’i dërgohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së në fund të këtij muaji.
Albert Rohan, bashkëpunëtor i Martti Ahtisaari i dorëzon OKB-së propozimin e Ahtisaarit për statusin e Kosovës, 15 mars 2007. Plani direkt propozon pavarësi për Kosovën. / KultPlus.com
Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nënë Tereza ose Shën Tereza e Kalkutës është nobelistja shqiptare që pjesën më të madhe të jetës së saj ia kushtoi bamirësisë, shkruan KultPlus.
Ajo lindi në Shkup (sot Republika e Maqedonisë), atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.
Nënë Tereza themeloi Misionaret e Bamirësisë, një kongregacion fetar katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 vende.
KultPlus sot ju sjellë një fotografi të rrallë të Nënë Terezës me motrën e saj, Age Bojaxhiu. Fotografia është shkrepur në vitin 1923, në Konsullatën Kombëtare të Vajzave Prizrenase./ KultPlus.com
Sharon Stone, aktorja ikonë e njohur për bukurinë mahnitëse dhe performancat e saj të fuqishme, sot feston ditëlindjen e 65-të, shkruan KultPlus.
Nga roli i saj kryesor në “Basic Instinct” deri tek puna e saj e fundit në “The Laundromat”, Stone ka mahnitur audiencën me talentin dhe karizmën e saj për dekada.
Stone lindi më 10 mars 1958 në Meadville, Pensilvani. Ajo nisi në aktrim në fillim të viteve 1980, duke u shfaqur në role të vogla në shfaqje televizive si “Remington Steele” dhe “Bay City Blues”. Vetëm në vitin 1992 Stone u bë një emër i njohur, falë kthesës së saj të paharrueshme si Catherine Tramell në “Basic Instinct”. Performanca e saj e guximshme, e cila përfshinte një skenë tashmë të famshme të marrjes në pyetje, i dha asaj një nominim për Golden Globe dhe e bëri atë një nga aktoret më të përfolura të vitit.
Karriera e Stone vazhdoi të lulëzonte gjatë gjithë viteve 1990, me role në filma si “Sliver”, “The Specialist” dhe “Casino”. Ajo fitoi një nominim për çmimin Oscar për punën e saj në “Kazino”, duke forcuar statusin e saj si një nga aktoret më të talentuara të Hollivudit. Stone gjithashtu u bë e njohur për punën e saj filantropike gjatë kësaj kohe, duke rritur ndërgjegjësimin për HIV/AIDS dhe duke mbështetur organizata bamirëse si amfAR dhe Elton John AIDS Foundation.
Vitet e fundit, Stone ka vazhduar të shfaqë shkathtësinë e saj si aktore. Ajo luajti në serialin e HBO-së “Mozaik” në vitin 2018, duke luajtur rolin e një autori të librave për fëmijë të kapur në një mister vrasjeje. Ajo u shfaq gjithashtu në filmin e Netflix “The Laundromat” në vitin 2019, duke fituar vlerësime kritike për performancën e saj si një e ve e pasur që kërkon drejtësi, pasi iu mashtruan paratë e sigurimit të burrit të saj.
Ndërsa Stone feston ditëlindjen e saj, fansat dhe kolegët dhe adhuruesit e saj po reflektojnë mbi ndikimin e jashtëzakonshëm që ajo ka pasur në industrinë e artit. Talenti, bukuria dhe shpirti i saj i patrembur e kanë bërë atë një ikonë të vërtetë dhe puna e saj vazhdon të frymëzojë breza të tërë aktorësh dhe aktoresh. / KultPlus.com
Në Manastirin e Shpërfytyrimit (Metamorfozës së Krishtit) pranë fshatit Mingul në Gjirokastër po kryhen punime restauruese.
Ky manastir ndodhet rreth 30 minuta ecje larg fshatit Mingul dhe dallon për arkitekturën interesante pasbizantine të zonës.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër në një postim në rrjetet sociale ndau momente nga puna për pastrimin e ambienteve përreth si dhe restaurimin total të portës hyrëse, e cila ka qenë në gjendje jo të mirë dhe ka pasur nevojë të menjëhershme për ndërhyrje
Mbishkrimi i ndërtimit i ruajtur në brendësi të manastirit mban vitin 1666. Kjo është një kishë në formë kryqi me kupolë trikonkë, e ndërtuar me gur poroz. Faqet e jashtme të kishës janë dekoruar në mënyrë relativisht të pasur me harqe dhe korniza të artikuluara./ atsh / KultPlus.com