Anel Hyseni, historia e pasionit të një djali autik për pianon

Anel Hyseni është vetëm 8 vjeç dhe vijon klasën e dytë në shkollën fillore “Musa Zajmi”, por pasioni i tij për pianon i zbuluar krejt rastësisht, e kanë drejtuar atë edhe për në Shkollën e Muzikës në Gjilan ku ai vijon mësimet për këtë instrument, shkruan KultPlus.

Aneli ka autizëm, gjë që e bën pak më të vështirë për të komunikimin me të tjerët, por kur ulet para një pianoje, ai shndërrohet në një person tjetër.

Dashuria e Anelit për pianon u shfaq krejt rastësisht. Mami i tij, Lindita, e cila se kishte as idenë më të vogël që djali i saj kishte interes për këtë instrument, atë e kuptoi në një ndejë tek mikja e saj.

“Dëshirën dhe interesin e Anelit për piano e kam kuptuar në një ndejë tek një shoqe, ku isha e ftuar që të shkoj bashkë me Anelin, në mënyrë që ai të qëndrojë pranë fëmijëve të saj për socializim. Gjatë atij qëndrimi, Aneli papritmas e hapi pianon dhe filloj të luaj, reagimi i vajzës së saj ishte i menjëhershëm: “Mam ai po i zen notat”, dhe kjo ishte një shtytje që të interesohesha për këtë pjesë pasi vajza e shoqes sime ishte në Shkollë të Muzikës për piano. Deri në atë moment, unë kurrë nuk e dija që Aneli ka interes dhe dëshirë për piano”, tregon Lindita, nëna e Anelit për KultPlus.

Aneli me nënën

Nga ky moment, prindërit e Anelit vazhduan të interesoheshin për talentin e tij ku ai po tregonte një aftësi të natyrshme për këtë instrument. Ata vunë re se kur luante, ai ishte në gjendje të përqendrohej për periudha pak më të të gjata, pasi sipas prindërve ai është edhe hiperaktiv. Andaj prindërit e tij vendosën të ushqejnë talentin e tij dhe e regjistruan në mësimet e pianos në Shkollën e Muzikës në Gjilan.

“Shumë shpesh, kur kam kaluar nga objekti i vjetër i Shkollës së Muzikës në Gjilan, jam lutur Zotit që atyre nxënësve të ju mundësohet ndërtimi i një objekti të ri sepse ishte shumë i vjetër, por çudia më e madhe është se asnjëherë nuk e kam menduar që kur lutja ime të realizohej, pikërisht në vitin e parë të këtij objekti të ri (viti 2022) do të vijojë mësimin për piano djali im autik, më i dashuri në botë për mua, Anel Hyseni”, shprehet nëna Lindita teksa na emocionon me dashurinë e saj të pakusht për djalin e saj.

Regjistrimi në këtë shkollë, ishte nisja e një rruge që ndoshta Anelin do ta ndihmojë shumë në të ardhmen. Mësuesit e shkollës, kuptuan menjëherë që pasionin e tij për muzikën ishte më i fortë se çdo vështirësi e tij, andaj ata punuan me shumë dashuri me këtë fëmijë kaq të veçantë.

Përkushtimi i Anelit u shpërblye shpejtë, pasi më datë 8 Mars ai pati edhe paraqitjen e tij të parë para publikut, në koncertin e klasës së parë të pianos për vitin shkollor 2022/2023 e nga ku mori lëvdata të shumta.

“Ky sukses i Anelit erdhi falë përkushtimin të madh të mësueses Hajrie Bislimi, e cila është vetë mrekullia dhe vazhdon të bëjë mrekulli me djalin tonë dhe falë mbështetjes së drejtorit të shkollës, Kushtrim Jakupi. Uroj që ky të jetë vetëm fillimi i sukseseve të Anelit në fushën e muzikës, që të cilën nuk e kam ëndërruar asnjëherë”, shprehet Lindita e cila deri vonë kishte besuar shumë që djali i saj do të bëhet sportist si babi.

Pavarësisht suksesit të tij, Aneli ende lufton me disa aspekte të jetës së përditshme. Megjithatë, luajtja e pianos i jep atij një ndjenjë qëllimi dhe përkatësie. Është një mënyrë që ai të komunikojë me të tjerët pa pasur nevojë të përdorë fjalë.

Prindërit e tij janë jashtëzakonisht krenarë për të dhe arritjet e tij. Ata besojnë se talenti i tij është një dhuratë dhe se ai ka potencial për të bërë gjëra ende më të mëdha. Ata shpresojnë se historia e tij do të frymëzojë të tjerët fëmijë me autizëm që të ndjekin pasionet e tyre dhe të mos kufizohen nga gjendja e tyre.

Historia e tij është një kujtesë se të gjithë kanë diçka të veçantë për të ofruar, dhe me punë të palodhur dhe përkushtim, gjithçka është e mundur.

Krejt për fund, Lindita ka edhe një urim: “Aneli u bëftë shembulli më i mirë dhe më i mbarë për Kosovën tonë të dashur.” / KultPlus.com