Poezi e fuqishme nga Ukshin Hoti

Poezi nga Ukshin Hoti

Ukshin m’kanë quejt prej të vogli, prej të gjallmi,
nana idiomën e pyllit mbi supe ma ngjiti.
Ende nuk ka ndodhë, por kur në varr të visit t’m’kallni,
malësorit rranjën e emrit do ia hiqni.

N’trevat tona kur foshnje kam mbërritë,
si çdo foshnje e kësaj bote një destin për me falë,
m’sundoi shpresa se n’origjinë tamli ish dritë,
m’poshti e vërteta se frika pleqve të mi ende s’u ka dalë.

As n’andrrat e mia, mbushë me zanin e saj të plaktë,
s’ia paska hekë nanës frikën emri që m’ka ngjitë.
Edhe nëse i pjekur vij mes jush, tradhtinë për me matë,
do bahem bishë po t’ndij se m’thërrisni Ukshin.

Nëpër troje ku punën kam hedhë,
emra trimash mbush pagëzimi,
por nuk u mbërrit jeta dhe emri nuk ngjiz dejet.
Emrin e trimit e mban dhe amfibi.

Kemi pas kenë për emra ngatërrestarë të mëdhaj,
dhe unë foshnjë e naiv u paskam zanë besë,
kam besu shku e ardhë, kam besu bir e nanë.
Kur m’thërrisnin Ukshin e merrja për betejë.

Me mu bashkë lindën prej gënjeshtre poetët,
u nxinë që drita t’kthehej në të folmen tuej.
Lindën po me mu prej mashtrimit dëshmorët
që shqipja të mos flitej nga gjuhë e huej.

Se shumësia juej në trishtim të shkurtër
ka pjellë përbri meje krimin e vogël, tradhëtinë e madhe.
E dinit që mes emrash do të zhduknit të flaktët, të urtët,
ata që shquenin tmerrin ndër kang e ndër valle.

Nëse vendimi s’e cakton një SOT për m’u ngritë balte,
në bajgë ku jeni zhytë nuk mund të derdhet qielli.
N’bajgë ku jeni zhytë, ku emri ju kallte,
Ukshin do të jetë për ju një fjalë vreri./KultPlus.com

 Saranda mirëpret 35 mjete retro të Old Car Club– Bari (ASI)

Në qytetin bregdetar të Sarandës janë ekspozuar 35 mjete retro nga Old Car Club – Bari (ASI).

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga ky koleksion retro, si dhe nga vizita e pjesëmarrësve të këtij turi në qytetin antik të Butrintit.

“Saranda mirëpret 35 mjete të Old Car Club – Bari (ASI), në edicionin e tyre të 14-të turit të Mesdheu”, shkroi Rama.

Mjetet retro nga Old Car Club – Bari (ASI).do të zhvillojnë një tur në  Sarandë, Ksamil, Butrint, Gjirokastër dhe Syrin e Kaltër.

Këto mjete zbarkuan dje në Portin e Durrësit, ku nisën rrugëtimin e tyre nga “Bukuroshja e Durrësit” drejt “Deas së Butrintit”.

Programi i turit është vizitë në Butrint, Ksamil, Syri i Kaltër dhe vendosja e mjeteve në shëtitoren e Sarandës shoqëruar me muzikë e DJ nga paraditja deri në mbrëmje./atsh/KultPlus.com

Mos qesh me fatin e tjetrit

Poezi nga Leonardo Da Vinçi

Digjej qiriu në heshtje e tretej,
Çdo minut e më i vogël mbetej.

Jepte ç’kishte më me vlerë, jetën,
që njërzit të shikonin të vërtetën.

Flaka shkëlqente e hidhej në mure,
ndriçonte, skuta e konture.

Tallej me qirinë, që zbehej, tretej,
flaka nga gazi qeshte sa mekej.

Kur nata po i afrohej mëngjesit,
e jashtë dëgjohej kënga e këndezit.

Qiriu, ç’kishte nga shpirti e dha,
dhe nga jeta pa bujë u nda.

Por ç’ndodhi ? Bashkë me ikjen e darkës,
vdiq dhe drita dhe mburrjet e flakës./ KultPlus.com

42% më shumë vizitorë të huaj në janar-maj të 2023-tës në Shqipëri

Shqipëria vijon të tërheqë një numër të lartë vizitorësh të huaj, të cilët në periudhën janar-maj të këtij viti kanë qenë 42% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, në një postim në rrjetet sociale, publikoi të dhënat e numrit të vizitorëve gjatë periudhës janar-maj 2023, të krahasuara ato me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Kumbaro tha se, “vizitorët e huaj që kanë zgjedhur Shqipërinë në pesë muajt e parë të këtij viti, janë 42% më shumë se viti i kaluar duke premtuar për më shumë turistë në pikun e sezonit veror ku po hyjmë”.

Sipas të dhënave në periudhën janar-maj 2023 Shqipëria u vizitua nga 2 389 899  vizitorë të huaj, ndërsa në të njëjtën periudhë të 2022 nga 1 677 691 vizitorë të huaj.

“Po ashtu në maj të 2023 vendi ynë u vizitua nga  705 079 vizitorë të huaj dhe në maj 2022 nga 604 430, pra 17% më shumë”, thuhet në videon e publikuar nga Kumbaro.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë, Sarandë, etj., plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve, edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës. Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj., janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor.

Po ashtu, vendi ynë ka kushte për turizëm gjithëvjetor, për shkak të relievit, që ofron mundësi për turizëm nga jugu, në veri. Fshatrat turistikë të veriut të vendit njohin së fundmi numër të lartë turistësh, ndërsa po zhvillohet edhe infrastruktura për turizmin e aventurës.

Shqipëria po ashtu ka lumenj të shumtë, laguna dhe parqe kombëtare të cilat thithin turistë nga e gjithë bota./atsh/KultPlus.com

Komuna e Pejës i ndan mirënjohje ‘PostMortum’ aktorit Istref Begolli për kontributin e madh në Artin Skenik të Kosovës

Komuna e Pejës me rastin e 24 vjetorit të Çlirimit, ka ndarë mirënjohje ‘Post Mortum’ për aktorin e ndjerë Istref Begolli, me rastin e 90 vjetorit të lindjes dhe 20 vjetorit të vdekjes së tij, shkruan KultPlus.

Ky çmim iu dha aktorit Begolli “Për kontributin  e tij në hedhjen e themeleve të Artit Skenik në Kosovë, për arritjen që ti jetësoj mbi 150 role në teatër, film dhe televizion, si themelues i Dramës Shqipe që nga viti 1948 dhe si fitues i shumë çmimeve Kombëtare dhe Ndërkombëtare si ikonë e teatrit’’.

Emrin e aktorit Istref Begolli e mban Teatri i Qytetit të Pejës/KultPlus.com

‘I nxjerr unë lopët në livadh, vetëm mos më martoni’ – Emina Çunmulaj rrëfen jetën në Tuz

Modelja shqiptare Emina Çunmulaj, e cila tashmë një karrierë në mbarë botën, ka rrëfyer në podcastin e Kryeministrit Edi Rama se si e nisi karrierën si modele.

Ajo tregon, se pasi familja u kthye nga SHBA ishte vetëm 5 vjeç dhe u vendosën në Tuz të Malit të Zi.

Çunmulaj tregon se i është dashur të përballet me tabutë e një vendi të vogël, pasi kërkonte diçka më të madhe për veten e saj, një karrierë përtej Tuzit.

Çunmulaj ka treguar edhe momentin se kur vendosi që të marrë pjesë në një kompeticion.

Ajo përdori një gënjeshtër të bardhë, duke i thënë punonjës në argjendarinë e babasë, se familja e kishte lejuar të merrte pjesë. Më pas ajo fiton kompeticionin dhe u tregon prindërve që ishin për një vizitë në SHBA se çfarë kishte bërë para se të lexonin titujt e gazetave ‘’Emina Çunmulaj, shqiptarja filloi një karrierë në mes të Jugosllavisë!’’.

Kryeministri Edi Rama: Po si ndodhi që linde atje dhe erdhe të qash në Tuz?

Emina Çunmulaj: Mami dhe babi ikën si emigrantë dhe ju dorëzua babit letra e deputetit që të kthehej mbrapa dhe vullnetarisht u kthye. Mami ishte shtatzënë, me tri vajza dhe i tha babit, e ndjej veten se e kam djalë dhe nuk dua që t’ia humb të drejtën djalit që ta ketë pasaportën amerikane. Tha, unë po rri me fëmijët, se kishte të drejtë, e lejonin, dhe tha t’i kthehu. Mbas tre muajve lindi vëllai, siç e kishte menduar ajo dhe pastaj u kthye. Unë isha pothuajse gati 5 vjeç dhe jemi rritur në Jugosllavi, deri në moshën 15 vjeçare kur mora guxim t’u them babit dhe mamit se do bëhem modele.

Kryeministri Edi Rama: Nga erdhi ky guximi atje, në atë fshatin e vogël.

Emina Çunmulaj: Shumë gjëra kanë ndikuar. Sidoqoftë unë deri diku jam rritur me këtë mendim në kokë, se si është e mundur që prindërit e mi, na kanë sjellë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Na kanë dhënë gjithë atë që mundeshin dhe në fund të fundit na kanë kthyer mbrapa në një vend që është “third world country” në atë kohë, edhe nuk mundesha ta besoja që ardhmëria ime është aq e kufizuar sa është gjithë fshati dhe gjithmonë mendoja se do ngel në “footsteps” të mamit tim. Jo se është një gjë e keqe. Mami im ka qenë një grua e jashtëzakonshme. Një nënë e paparë, por gjithmonë kam dashur diçka më të madhe për veten dhe nuk dija se si do ja arrija sepse të gjitha vajzat e fshatit nuk shkonin më shumë se tetë klasë, pothuajse dhe gjimnazi.Kjo kulturë, ky mentalitet që vajzat duhet të martohen në moshën 15 vjeçare dhe unë i thoja vetes, do bëj gjithçka në botë vetëm të mos përfundoj ashtu. Që në moshën 10 vjeçare unë i thoja mamit, mi jep mua lopët, unë do i sjell lopët në livadh, s’është problem. Më jep mua punë jashtë shtëpie, do e bëj unë, s’është problem. Vetëm mos mësoj të gatuaj, mos mësoj të laj, të fshij se nuk doja të më martonin në moshën 14-15 vjeçare. Ndërkohë, vinin njerëzit më kërkonin dorën. Unë qaja, thoja të lutem mos më martoni dhe e kuptoja që është një moment fiks “silver line” në jetë kur erdhi “Elite model look” në Jugosllavi në atë kohë dhe kërkonin modele.

Të gjitha shoqet e mia të shkollës më thonin “You have to be a model!’’. Po ku ta merrja guximin t’i them unë babit që në atë kohë ishte një baba i fortë dhe mamit që kishte frymëzimin, mburrjen e një gruaje myslimane që duhet të prezantohet, duhet të jetë e fortë për familjen e vet, pra t’i thoja mamit dua të bëhem modele.

Mirëpo, babi kishte një argjendari në atë kohë dhe një grua që punonte në argjendari, ka pasur një vajzë që do e sillte në kompeticion. Dhe unë i thashë më ka lënë babi, “dad, sorry”, e gënjeva, por ishte ky momenti që e dija që në qoftë se nuk i marr këto vepra në duart e mia do përfundoj pothuajse si të gjitha vajzat e fshatit. E martuar, me fëmijë në moshën 20 vjeçare dhe ky është “my destiny’’. Dhe e bëra, ika, fitova dhe brenda dy ditëve babi, mami ishin në Amerikë në atë kohë se kishin të drejtë pas 40 viteve t’u jepet ‘’green card’’ edhe u tregova se ka ardhur koha që…., iu kam thënë një gënjeshtër shumë të madhe, por do e dinë gjithsesi se gazetat të nesërmen do të shkruajnë: ‘’Emina Çunmulaj, shqiptarja filloi një karrierë në mes të Jugosllavisë!’’.

Ky ka qenë titulli në përgjithësi. Pastaj u zbut pak situata. Babi tha: Okay, mund të shkosh në Beograd, – se në atë kohë konkursi ishte në Beograd, për të përfaqësuar Malin e Zi në konkursin e Jugosllavisë, – mund të shkosh, por duhet të shkosh me familjarë. S’ka problem i them, vetëm të shkoj dhe kam fituar. Kjo ka qenë një “boom” i madh, kurse për mua kjo ka qenë një “push” aq i madh që i kam thënë vetes, kurrgjë s’ka mundur të vijë ndërmjet meje dhe qëllimit që kam. Dhe kështu nisi karriera. Më dorëzojnë një kontratë worldwide, unë e nënshkrova dhe s’ka pasur kthim më./insajderi/KultPlus.com

Kur Ismail Kadare e quajti Ukshin Hotin Princ të Kombit Shqiptar

Ukshin Hoti është një prej personaliteteve më të mëdha shqiptare. Ai ka qenë filozof,  aktivist shqiptar, dhe profesor në Universitetin e Prishtinës, shkruan KultPlus.

Sot janë bërë 80 vite nga lindja e tij. Ai ka lindur në Krushë të Madhe më 17 qershor të vitit 1943.

Për aktivitetin e tij atdhetar ai u arrestua disa herë, i cili në përfundmin e burgimit të tij të fundit, më 16 maj 1999, u mor nga rojet e qelisë dhe për fatin e tij nuk dihet ende asgjë.

Për figurën e tij kanë shkruar e komentuar personalitete të rëndësishme të kohës, siç janë edhe Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja.

Më poshtë janë dy nga fragmentet e Kadaresë dhe Qosjes për këtë figurë të rrallë:

Ismail Kadare: “Kam frikë se pikërisht ky nivel i lartë ka qenë edhe burim i fatkeqësisë, që e ka ndjekur hap pas hapi këtë martir… Është e papranueshme që një personalitet i një populli, pavarësisht se ç’partie i përket, ose nuk i përket, të mbahet në zinxhirë. Është fyerje për krejt atë popull. Më fort se kurrë, kombi shqiptar ka nevojë për njerëz të aftë e me nivel të lartë. Njerëzit e zotë janë princat e vërtetë të një kombi. Për fat të keq, princat goditen shpesh në mënyrë të vdekshme.”

Rexhep Qosja: “Ukshin Hoti – ky sot është simbol i vetëdijes historike, i ndërgjegjes dhe i qëndresës së pamposhtur shqiptare. Nuk është e çuditshme pse ky është emri më i kuptimshëm, më domethënës, më frymëzues në jetën tonë politike sot. Dhe, kjo tregon se populli ynë e çmon, ashtu siç duhet, njeriun e gatshëm për sakrifica. Dua të besoj se Ukshin Hoti do të dijë ta mbajë si duhet domethënien gjithëkombëtare, që rrezaton sot emri i tij.”/ KultPlus.com

‘Mëmëdhe quhet toka, ku më ka rënë koka’

Poezi nga Çajupi

Mëmëdhe quhetë toka
ku më ka rënurë koka,
ku kam dashur mëm’e atë,
ku më njeh dhe gur’ i thatë
ku kam pasurë shtëpinë,
ku kam njohur perëndinë,
stërgjyshët ku kanë qënë
dhe varret q’i kanë vënë,
ku jam rritur me thërrime
ku kam folur gjuhën time,
ku kam fis e ku kam farë,
ku kam qeshur, ku kam qarë,
ku rroj me gas e me shpres,
ku kam dëshirë të vdes./KultPlus.com

Ndahet nga jeta shkrimtari i njohur Naum Prifti

Është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare shkrimtari Naum Prifti.

Naum Prifti është një nga emrat më të shquar të letërsisë shqiptare dhe krijimtaria e tij letrare është e larmishme dhe shtrihet në disa gjini: tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë, etj. Janë thuajse 100 vepra letrare, më shumë se vite jete dhe dyfishi i një gjysmëshekulli krijimtarie.

Shkrimtari Prifti lindi më 7 Mars të vitit 1932, në Rehovë të Kolonjës.

Disa nga veprat e tij më të njohura janë “Njerëz të kësaj toke”, Erë mali, erë fushe”, Grirja e shpirtit” etj./albeu/KultPlus.com

‘Messa da Requiem’ e Verdit, vepër madhështore që do të sjell shumë institucione në skenë

Sonte Filharmonia e Kosovës në bashkëpunim me Operën e Kosovës dhe Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit – Tiranë prezantojnë interpretimin premierë në Kosovë të veprës“Messa da Requiem” të kompozitorit italian Giuseppe Verdi, në sallën AMC, shkruan KultPlus.

Në koncert do të përformojë: Orkestra dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës me dirigjent Hajrullah Syla, Kori i Teatrit të Operës dhe Baletit – Tiranë me dirigjent Dritan Lumshi, Kori i Operës së Kosovës, Kori i fëmijëve “Okarina” me dirigjente Elikona Hysaj – Shala dhe Kori i Qendrës së Fëmijëve të Prishtinës me dirigjente Diellza Sylejmani me një kastë të dalluar solistësh si Daria Masiero – soprano (Itali), Ivana Hoxha – mexosoprano (Shqipëri), Klodjan Kaçani – tenor (Shqipëri dhe Davide Procaccini – bass (Itali) në drejtimin e mjeshtrit japonez Toshio Yanagisawa.

Premiera do të jepet më 17 qershor 2023, në ora 20:00 në sallën AMC/KultPlus.com

Arkeologët gjejnë një shpatë 3000-vjeçare të ruajtur aq mirë sa që ende shkëlqen

Arkeologët kanë gjetur një shpatë tetëkëndëshe që daton më shumë se 3000 vjet më parë në një vend varrimi në shtetin e Bavarisë, në Gjermaninë jugore.

Sipas një deklarate të Zyrës Shtetërore të Bavarisë për Ruajtjen e Monumenteve, shpata është ruajtur aq mirë sa që ende shkëlqen.

Ajo u zbulua javën e kaluar në një vend në Donau-Ries dhe studiuesit besojnë se u la në varr si një dhuratë varrimi.

Shpata mendohet se daton në fund të shekullit të 14 pes, epoka e mesme e bronzit. Sipas deklaratës, një shpatë si kjo, me një dorezë tetëkëndëshe të bërë tërësisht prej bronzi, është një gjetje e rrallë.

“Shpata dhe vend varrimi duhet ende të ekzaminohen në mënyrë që arkeologët tanë të mund ta klasifikojnë këtë gërmim më saktë,” tha profesori Mathias Pfeil, kreu i Zyrës së Shtetit Bavarez për Ruajtjen e Monumenteve.

“Gjendja e ruajtjes është e jashtëzakonshme! Një gjetje si kjo është shumë e rrallë,” shtoi ai.

Studiuesit besojnë se shpata ishte një armë e vërtetë. “Qendra e gravitetit në pjesën e përparme të tehut tregon se ajo ishte e balancuar kryesisht për prerje”, thuhet në deklaratë.

Ajo u la në një varr që përmban eshtrat e tre personave – një burri, një gruaje dhe një të riu – të cilët u varrosën menjëherë pas njëri-tjetrit, vazhdon deklarata. Nuk është e qartë se cila ishte marrëdhënia e tyre, por ata u varrosën me një varg të pasur varresh./21Media/KultPlus.com

80 vite nga lindja e një prej figurave më të shquara të popullit shqiptar, Ukshin Hotit

Sot janë bërë 80 vite nga lindja e një prej figurave më të shquara të kombit shqiptar, Ukshin Hotit, shkruan KultPlus.

Ukshin Hoti ka lindur në Krushë të Madhe më 17 qershor 1943. Ai ka qenë filozof dhe aktivist shqiptar, profesor i të drejtës ndërkombëtare dhe më pas i filozofisë në Universitetin e Prishtinës, si dhe themelues i UNIKOMB, një partie politike në Kosovë.

Për shkak se përkrahu demonstratat e vitit 1981 në Prishtinë, u arrestua për të parën herë nga autoritetet jugosllave më 21 nëntor tok me  Halil Alidemaj, Ekrem kryeziu, etj. Më 1994 u dënua me 5 vite në burgun e Dubravës. Më 16 maj 1999, kur dënimi i tij mbaronte dhe duhej të lirohej, u mor peng nga rojet e burgut dhe prej atëherë nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Është i pari që shkroi për konceptin e demokracisë autentike në viset shqiptare që nga 1994. Si studjues mbahet mend për veprën ‘Filozofia politike e çëshjes shqiptare’ botuar më 1995 në Tiranë.

Ukshin Hoti lindi në Krushë të Madhe të Rahovecit. Ishte i biri i Nazif Hotit dhe Fatime Rrustem Danës nga Xërxa. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prizren dhe më pas në Prishtinë. Pas diplomimit vijoi studimet në vitin 1964 në Zagreb ku u diplomua për shkencat politike dhe u dallua si student i veçantë. Më pas, në vitin 1968, kreu dhe dy vite postuniversitare në Beograd ku ndoqi fushën e tij të preferuar të marrëdhënieve ndërkombëtare në fushën e ekonomisë dhe politikës.

Nisi punë në administratën e parlamentit të Kosovës dhe më 1975 nisi të jepte të drejtën ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës. Më 1978/1979 vijoi specializime postlaureate për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Chicago, Harvard dhe Washington, pasi kishte fituar bursen Fulbright.

Në vitet ’70 Ukshin Hoti kishte qenë i angazhuar në disa pozita të ndryshme politike dhe arsimore në Kosovë ku fillimisht kishte rënë në kundershtim me udhëheqesit jugosllavë në Kosovë dhe me sistemin e regjimit jugosllav në Kosovë.

Kujtojmë që Ukshin Hoti për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Millosheviçit. Për herë të fundit ishte arrestuar në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundër Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’ rast ishte dënuar 5 vjet burg.

Me 16 maj 1999, atëherë kur lufta po zgjaste që gati një vit, Ukshin Hoti arrin tek fundi i dënimit të tij, ai do të shoqërohet nga dy roje drejt daljes, ditën e diel, me 16 maj, një ditë jo e zakonshme për lirimin e të burgosurve. Ai edhe sot vazhdon të  figurojë në listën e Personave të Pagjetur, nga lufta e vitit 1998-1999 në Kosovë./KultPlus.com

138 vite më parë Statuja e Lirisë mbërrin në portin e NewYork-ut

Sot 138 vite më parë, simboli i lirisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka mbërritur në portin e New York-ut.

Statuja e Lirisë është ndër monumentet më të famshme të botës. I është dhuruar zyrtarisht SHBA-së nga populli francez me rastin e 100-vjetorit të Revolucionit, që solli çlirimin e kolonive nga Britania e Madhe. Me kalimin e viteve ajo mori një simbolikë tjetër, atë të lirisë e të demokracisë në botë. Ajo u kthye në një pararojë të ”botës demokratike”.

Statuja gjendet në ishullin “Liberty Island” në Portin e New York-ut dhe tregon perëndeshën romake të ilirisë, “Libertas”.

Vendimi për t’a ndërtuar atë u mor më 1876, 100 vjet pas revulucionit amerikan. Mirëpo për shkak të mungesës së fondeve dhe vështirësisë së realizimit të një vepre kaq gjigante, statuja u ”ngrit në këmbë” në ishullin e saj, vetëm 10 vjet më vonë, më 28 tetor 1886.

“Statuja e Lirisë” është e lartë 46,5 m, të cilës i duhet shtuar edhe 46,9 m lartësinë e bazës.

Autor i skulpturës është Frederik August Bartoldi i ndihmuar nga inxhinieri Gustav Eiffel, autor i Kullës së famshme të Parisit. Në vitin 1886 ajo është ndërtuar dhe dizenjuar./KultPlus.com

Ekspozita ‘Mrena’ dhe libri ‘Jashtë’, Kaltrina Rrustemi sjell për herë të parë artin e saj në Kosovë

Galeria e Ministrisë së Kulturës u mbush sot me artin e Kaltrina Rrustemit, të paraqitur me anë të pikturave, fotografive e shkrimit. ‘Mrena’ është ekspozita e parë e artistes Rrustemi e realizuar në Kosovë, në të cilën ajo shfrytëzoi rastin të botojë edhe librin e titulluar ‘Jashtë’, shkruan KultPlus.

Titujt ‘Mrena’ dhe ‘Jashtë’ në pamje të parë duken kontravers, por që faktikisht kanë një kuptim më të thellë. Artistja në fjalë ka dhënë frymën e parë në Zvicër, por zgjodhi që të fundit ta japë në vendlindjen e saj. Përzgjedhjen e titujve e ka bërë me një qëllim të caktuar, për të cilën ajo dha më shumë detaje për KultPlus.

“Unë prej ‘jashtit’ kam ardhur të jetoj “mrena” në Kosovë dhe ky ka qenë njëri ndër qëllimet e vendosjes së këtyre emrave. Vendosa t’ia lë këtë emër ekspozitës edhe për faktin se ka qenë brenda Galerisë, brenda Kosovës, ndërsa libri “Jashtë” flet për eksperiencën time si fëmijë, se si ka qenë me jetu në Zvicër”, shpjegon Rrustemi.

Në 200 faqe të këtij libri, gjendet një miks mes tekstit dhe fotografive. Libri është i shkruar në tri gjuhë, frëngjisht, anglisht dhe shqip, në të cilën Rrustemi, ka nxjerrë nga jashtë gjithçka që e ka munduar nga brenda.

Ndërkaq, ajo që të zë syrin janë edhe fotografitë e vendosura në disa nga faqet e këtij libri. Janë fotografi të artistes dhe familjarave të saj, në kohët më të hershme.

Pesë muaj punë intesive iu deshtën Kaltrina Rrustemit për finalizimin e librit dhe shfaqjen e tij përpara një publiku të gjerë.

Ekspozita e parë e saj u prit shumë mirë nga njerëzit, pjesë e së cilës ishin fëmijë e të moshuar, sytë e të cilëve shprehnin mjaft kuriozitet.

Me të hyrë në Galeri na shfaqen para syve dhjetëra piktura, vemendjen e së cilave e merr vizatimi i dorës bashkë me një fëmijë të vogël.
“Dorën e kam bërë me pluhur të kullave të kuqe të Prishtinës, për të lënë gjurmë dhe shenjë në Kosovë. Ndërsa, ky fëmija këtu jam unë kur kam qenë e vogël”, tha Rrustemi për KultPlus.

Ekspozita ‘Mrena’ e artistes Kaltrina Rrustemi, e kuruar nga Elise Lammer e cila u hap sot nga ora 19:00 në Galerinë e Ministrisë së Kulturës do të qëndrojë e hapur deri më 16 shtator të këtij viti. /KultPlus.com

BE: Google ka shkelur rregullat e konkurrencës në reklama

Bashkimi Evropian (BE) ka akuzuar kompaninë teknologjike Google për shkelje të rregullave të konkurrencës së tregut në aktivitetet e saj të reklamave digjitale.

Komisioni Evropian (KE) ka njoftuar se ka ngritur akuza zyrtare kundër platformës amerikane Google, për shkak se teknologjitë e saj të reklamave shkelin rregullat e konkurrencës së BE-së.

KE-ja i dërgoi Google-s një paralajmërim zyrtar me pretendimet për abuzime në teknologjinë e reklamave në internet.

Duke vënë në dukje se KE-ja i ka dhënë Google-s opinionin e tij paraprak se po shkel rregullat kundër monopolit të BE-së duke shtrembëruar konkurrencën në sektorin e teknologjisë “adtech”, deklarata e KE thekson se ”kundërshton preferencën e Google-s për shërbimet e tij të teknologjisë në internet ndaj ofruesve konkurrues të shërbimeve të teknologjisë së reklamave, shpalljeve dhe botuesve online”.

Që nga viti 2014, pretendohet se Google ka abuzuar me pozicionin e saj në tregjet e reklamave dhe përzgjedhjes për të favorizuar shërbimet e veta, duke e lejuar kompaninë të paguaj tarifa më të larta për shërbimet e veta.

Deklarata thekson se një sjellje e tillë shkel rregullat e BE-së që ndalojnë abuzimin e pozicionit dominues në treg dhe vë në dukje se masat e sjelljes nuk do të jenë efektive në parandalimin e rrezikut që Google të vazhdojë një sjellje të tillë të privilegjuar ose të vendosë masa të reja.

BE-ja ka gjobitur Google-n me më shumë se tetë miliardë euro në hetime të ndryshme lidhur me konkurrencën në të kaluarën./Balkanweb/KultPlus.com

Arti provokues i Gary Simmons nxjerr në pah ‘traumat e pazgjidhura’ të historisë së Amerikës

Tridhjetë vjet më parë, artisti Gary Simmons rregulloi tetë palë atlete basketbolli të veshura me ar përpara vijave minimale të zeza të një grafiku të lartësisë së policisë, të shtypura në muret e Muzeut Whitney të Artit Amerikan në Nju Jork. Këpucët ishin marka të njohura – një përzierje e Nike, Adidas dhe Reebok – por pa praninë njerëzore. Kë fotografuan vizitorët e galerisë duke i veshur ato dhe pse? “Lineup” e bëri të nënkuptuar stereotipin e të rinjve me ngjyrë, por gjithashtu i bëri shikuesit bashkëpunëtorë në supozimet e tyre. Dekada më vonë, instalacioni provokues është ende shumë i rëndësishëm në një shoqëri ku policia dhe civilët marrin vendime vdekjeprurëse bazuar në rrobat e veshura nga të rinjtë e zinj.

“Lineup” është vetëm një nga veprat kryesore të paraqitura në retrospektivën gjithëpërfshirëse “Gary Simmons: Armiku Publik”, i cili aktualisht po shfaqet në Muzeun e Artit Bashkëkohor të Çikagos përpara se të udhëtojë në Muzeun e Artit Pérez në Miami më vonë këtë vit. Një shfaqje e kësaj përmasash është vonuar shumë për Simmons, sipas kuratorëve René Morales dhe Jadine Collingwood – është shfaqja e tij e parë gjithëpërfshirëse muzeore në 21 vjet.

“(Simmons) ndihmoi në krijimin e hapësirës për artin kritik, konceptual vërtet sfidues që trajton racën,” tha Morales, shefi kurator në muze, në një intervistë video. “Shumë prej nesh në botën e artit sot po përfitojnë nga ajo hapësirë… Ndjehet si një moment shumë i rëndësishëm për të bërë një hap prapa dhe për të menduar se si arritëm këtu dhe kush na ndihmoi të arrijmë këtu.”

Që nga fundi i viteve 1980, Simmons ka punuar shumë në një gamë të gjerë mediumesh për të ilustruar se si racizmi është futur në jetën dhe kulturën vizuale amerikane. Në serinë e tij “Erasure”, ai ka prodhuar vizatime me shkumës të personazheve vizatimorë të frymëzuar nga minstrel, të cilat i fshin dhe i njolloset në efekte fantazmë, si kujtime që nuk mund të fshihen plotësisht. Ai ka shtrembëruar faksimilet e objekteve të njohura të klasës me simbolet e supremacisë së bardhë për të treguar se sa herët mund të zënë rrënjë paragjykime të tilla – një shtizë flamuri me flamurin e tij të zëvendësuar nga laqet e varura, ose një rrobë Klu Klux Klan të madhësisë së fëmijëve të varur në një raft të vogël pallto.

“Disa nga punët vërtet të drejtpërdrejta dhe të ngarkuara politikisht ishin nga fundi i viteve 80 dhe fillimi i viteve ’90,” kujtoi Simmons në një intervistë video përpara hapjes së shfaqjes. “Në një farë mënyre, është një testament i punës, të qëndrosh në këmbë dhe të kesh këtë jetëgjatësi… Por në të njëjtën shënim, është shqetësuese të dish se nuk kemi kaluar disa nga ato çështje. Është shumë për të ardhur keq që (ata) janë po aq të rëndësishme sot.”

Merrni “Dezinformation Supremacy Board”, një instalim i vitit 1989 i tavolinave shkollore të rregulluara përpara dërrasave të gjata dhe të holla me shkumës bosh, të cilat janë të gjitha të bardha. Simmons po “mendonte për mënyrat në të cilat historitë që na tregohen janë ose të ngushta ose të kufizuara, veçanërisht kur po mendojmë për historinë e marrëdhënieve racore në këtë vend,” shpjegoi Collingwood.

Pjesa pasqyronte drejtpërdrejt edukimin që ai mori duke u rritur në Queens, Nju Jork, si fëmijë i një familje emigranti nga Inditë Perëndimore. Dhe sot, me klasat anembanë Shteteve të Bashkuara duke u bërë një pikë e përtërirë për ndarje, ku librat mbi racën dhe gjininë po ndalohen, dhe kurrikulat mbi historinë e zezakëve sfidohen dhe zbardhen, urgjenca e saj rritet. Siç e përshkruan Morales, puna e Simmons nxjerr në pah “traumat serioze dhe të pazgjidhura” të historisë së vendit.

“Ne jemi në një udhëkryq tani ku duhet të vendosim nëse do të shikojmë larg dhe të përpiqemi t’i fshijmë ato histori, ose t’i përballemi me to dhe të sigurohemi që ato të mos fshihen nën qilim,” tha Morales. “Sepse duke harruar këto histori, rrezikojmë t’i përsërisim ato. Dhe përsëri, unë mendoj se ai mësim thjesht duket më në kohë se sa ka qenë ndonjëherë.”

Për Simmons, mesazhet janë ende shumë personale. “Unë shikoj vajzën time, e cila po shkon në vitin e saj të fundit në shkollën e mesme dhe ajo së shpejti do të votojë,” tha ai. “Dhe ajo që ende përballet me shumë nga ato sfida për të cilat po flisja në veprat 30 e më shumë vite më parë është zhgënjyese.”

Mungesa e prekshme

“Gjykata e jetës” e artit të Simmons është fshirja, shpjegoi ai – ajo që mungon në vepër, ose kalimtare në ekzistencën e saj. Ndonjëherë, është një referencë e drejtpërdrejtë për fshirjen në kulturën popullore, siç janë pikturat e tij me emrat e aktorëve zezakë si Hattie McDaniel, e cila u bë e para afrikano-amerikane që mori një çmim Oscar për rolin e saj në filmin e vitit 1939 “Gone With the Wind”. ”, por nuk ishte në gjendje të ulej me kolegët e saj në çmime për shkak të ndarjes.

Herë të tjera, është shpërndarja e vetë mediumit, si kur Simmons eksperimentoi me shkrimin në qiell të një ylli me pesë cepa – një simbol që ai shpesh e ka përfshirë për të simbolizuar dëshirat e venitura ose një ndjenjë humbjeje – mbi MCA në 1996. Ylli gjithashtu ka tundi me kokë në pika të veçanta të historisë, të tilla si Black Star Line i Marcus Garvey, një linjë e dështuar e anijeve për diasporën afrikane që historianët besojnë se ishte sabotuar nga autoritetet federale të SHBA.

“Me çdo vepër të Gary-t, mund të marrësh diçka kaq të thjeshtë, si një yll. Dhe ka të gjitha këto referenca në të, të cilat mund t’ju pëlqejnë t’i zbuloni, “tha Collingwood.

Por në përgjithësi, ajo që dukshëm mungon në punën e Simmons janë figurat njerëzore. Në të gjitha mjediset që Simmon sjell në mendje, është një lëshim i dukshëm që lë hapësirë ​​për interpretimet e një shikuesi, dhe asociacionet dhe kujtimet e tyre.

Simmons është i magjepsur nga kompleksiteti i kujtesës dhe emocioneve – si mund të vëzhgojmë gabimet e kujtimeve tona dhe se si historitë e turbullta kolektive mund të bëhen si rezultat.

“Asnjë kujtim nuk është një kujtim i vërtetë dhe mendoj se një pjesë e fshirjes është se është pothuajse sikur vepra ekziston mes dy vendeve; është mes përfaqësimit dhe abstraksionit,” shpjegoi ai. “Dhe ka një turbullim që ndodh midis atyre vendeve, dhe shikuesit i kërkohet të plotësojë ato boshllëqe ose t’i plotësojë ato rreshta.”

Shtresat dhe shtresat

Për “Armiku publik”, Simmons rikrijoi katër vizatime me shkumës në muret në hyrje të ekspozitës së galerisë, duke përfshirë një treshe të quajtur “1964” që u shfaq fillimisht në Fondacionin Bohen në Nju Jork në 2006. Çdo vizatim përshkruan një strukturë arkitekturore me implikime më të errëta , të tilla si kryevepra moderniste e viteve 1940 të arkitektit Philip Johnson House Glass – një ndërtesë e cila dyshohet se ishte ndikuar pjesërisht nga shtëpitë polake të zhveshura gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe një reflektim i përkatësisë së supozuar naziste të Johnson. Simmons e përkthen çdo subjekt sikur të ishte një spektër, i turbullt dhe i pezulluar sikur të ishte ndërtuar nga tymi.

Artisti bëri vizatimet monumentale në vend, fillimisht duke skicuar me shkumës dhe më pas duke veshur doreza për të rrëshqitur duart mbi sipërfaqet në harqe të gjata. Me Jay-Z ose Eric B. & Rakim – muzika e tij hype, thotë ai – duke shpërthyer në sfond, Simmons kaloi orë të tëra duke mjegulluar shenjat që kishte lënë.

“Vizatimet e murit janë pothuajse si kjo mbetje, ose suvenir, si të thuash, të një shfaqjeje që shikuesi nuk mund ta shohë kurrë,” tha ai. “Fizikisht, është pak më sfiduese sesa kur isha (në fund të të 20-tave, në fillim të të 30-tave”, shtoi ai duke qeshur.

“Armiku publik” eksploron vazhdimisht cilësitë fantazmë të punës së Simmons, më fjalë për fjalë në një seri pikturash me vaj dhe dylli që përshkruajnë struktura nga filmat e famshëm horror të viteve 1960 dhe 1970 si “Amityville Horror” dhe “The Texas Chainsaw Massacre”, secili i dhënë. në nuancat spektrale të shiritit të filmit të zi dhe gri. Simmons i referohet filmave për shumë arsye, shpesh për nuancat e tyre të mprehta rreth racës dhe klasës, por shtëpia e përhumbur – një vend i pranisë së mungesës, ku kujtesa dhe historia janë të ngulitura në vetë kockat e strukturës – është një mishërim i duhur i veprës së tij .

“Më pëlqen ideja të ndihesh sikur ke qenë diku, edhe nëse nuk ke qenë kurrë më parë atje – ajo deja vu. Unë jam vërtet i tërhequr nga këto lloj gjërash,” tha ai, duke diskutuar se si kujtesa dhe historia janë të ndërlidhura. “Unë mendoj se njerëzit e zinj në tërësi janë të përhumbur nga e kaluara e tyre.”

Minimi i thellësive të punës së Simmons do të thotë të familjarizoheni me leksikun vizual – tabelat, yjet, kapuçët e Klan, trëndafilat, karikaturat, arkitekturën – që ai përdor, secili me kuptime të shtresuara.

Por edhe pa i ditur pikat e referencës, subjektet dhe motivet e tij janë menduar të jenë universale. Për Simmons, shkrirja e perspektivave është çështja, veçanërisht në një kohë kur vendi është duke u përçarë politikisht dhe socialisht; praktika e tij funksionon si një arkiv, në shumë mënyra, gjatë një kohe disonance dhe fshirjeje njohëse.

“Kjo kohë është kaq përçarëse tani… për këtë qëllim, duket se ka më pak interes për të pasur një bisedë të dy të kundërtave,” tha Simmons. “Dhe kjo është me të vërtetë për të ardhur keq… sepse është një klimë e tillë fisnore tani që njerëzit thjesht mbyllen në çast me mundësinë që ata mund të kuptojnë se nga vjen dikush tjetër.”/cnn/KultPlus.com

‘Thuaj më të dashurës, se unë një ditë do të kthehem në atdhe’ (VIDEO)

“Vetëm 5 minuta” është një ndër këngët që shumë të rinj e kanë gjetur veten dhe ka vazhduar të dëgjohet gjeneratë pas gjenerate. Ndërkohë, meritën kryesore për sjelljen e këtij interpretimi e ka Agron Berisha, i cili ka vdekur më 28 dhjetor të vitit 2001.

Lidhjen e tij me muzikën ai e kishte nisur që në fëmijëri. Teksa si 16 vjeçar, Berisha filloi edhe regjistrimet e para të këngëve në Radio Shkup.

“Si Vardari”, “Ndalu pak”, “Ti moj vasho”, “Vetëm 5 minuta”, “Ëndërr” janë disa nga krijimet e tij, të cilat janë të pazëvendësueshme për muzikën shqiptare.

KultPlus ju sjell këngën “Ëndërr” bashkë me tekstin e saj:

Sonte ne natë të errët të kujtoj
i trazoj ëndrrat të këtij qyteti
të qytetit ku jam
a m’beson
unë i thërras në argëtim

Endërr, o Ëndërr
dëshirën ti qoja asaj
dhe thuaj më të dashurës
se unë një ditë do të kthehem në atdhe

Sonte ne natë të errët të kujtoj
i trazoj ëndrrat të këtij qyteti
të qytetit ku jam
a m’beson
unë i thërras në argëtim

Ndonëse Jam ndjerë i vetmuar
në atdhe kam dëshirë për të takuar
a m’beson a m’beson
Unë të thërras në argëtim

Ref. 2
Ëndërr, o Ëndërr
dëshiren ti qoja asaj
dhe thuaj më të dashurës
se unë një ditë do të kthehem në atdhe

E dashur këtu jam i vetmuar në qytet të huaj larg prej teje
larg prej dëshirës por zemrat bashkohen pres me mall që të kthehem ne atdhe

Ref. 2
Ëndërr, o Ëndërr
dëshiren ti qoja asaj
dhe thuaj më të dashurës
se unë një ditë do të kthehem në atdhe / KultPlus.com

Adam Smith: Asnjëherë mos u anko për diçka nga e cila është në dorën tënde të shpëtosh prej saj

Një ndjer mendjet më të mëdha të politikës ekonomike, Adam Smith është ende sot referencë e mënyrës sesi pasuri e botës krijohet, shkëmbehet e zhvendoset.

Disa prej thënieve të tij janë:

Ne nuk e presim darkën tonë nga kasapi, prodhuesi i birrës apo bukëpjekësi,
ngaqë ata janë dashamirës, por ngaqë ata i shërbejnë interesit të tyre vetjak. Ne nuk i drejtohemi humanizmit të tyre, por dashurisë që ata kanë për veten dhe nuk u
flasim kurrë për nevojat që kemi ne, por për avantazhet që kanë ata.

Qeveria civile, për aq sa është krijuar për sigurinë e pronës, është në të vërtetë e krijuar për mbrojtjen e të pasurve kundër të varfërve, ose të atyre që kanë ndonjë pronë kundër atyre që nuk kanë fare.

Gjëja e parë që duhet të njihni është vetvetja. Një njeri që e njeh veten mund të dalë jashtë vetes dhe të shikojë reagimet e tij si një vëzhgues.

Asnjëherë mos u anko për diçka nga e cila është në dorën tënde të shpëtosh prej saj.

Nuk ka asnjë art që një qeveri e mëson më shpejt nga një tjetra, përveç atij të zhvatjes së parave nga xhepat e njerëzve.

Mëshira ndaj fajtorëve është mizori ndaj të pafajshmëve.

Asnjë shoqëri me siguri nuk mund të jetë në lulëzim dhe e lumtur, për sa kohë që pjesa më e madhe e saj është e varfër dhe e mjerueshme.

Taksa që çdo individ është i detyruar të paguajë duhet të jetë fikse, dhe jo arbitrare. Koha e pagesës, mënyra e pagesës, sasia që duhet paguar, të gjitha duhet të jenë të qarta dhe të ditura për kontribuesin, dhe për çdo person tjetër.

Çdo taksë duhet të merret në atë kohë, dhe në atë mënyrë e cila është më e përshtatshmja për kontribuesin që ta paguajë.

Nuk është shumë e paarsyeshme që të pasurit të kontribuojnë në shpenzimet publike, jo vetëm në proporcion me të ardhurat e tyre, por diçka më shumë sesa në atë proporcion.

Virtyti është për t’u patur frikë më tepër sesa vesi, sepse teprimet e tij nuk i nënshtrohen rregullimit të ndërgjegjes.

Ambicia individuale shërben për të mirën e përbashkët.

Kudo që ka prona të mëdha, ka pabarazi të madhe.

Çdo njeri jeton duke shkëmbyer.

Njeriu është një kafshë që bën pazare: asnjë kafshë tjetër nuk e bën këtë – asnjë qen nuk shkëmben kocka me një tjetër.

E gjitha për veten tonë, dhe asgjë për njerëzit e tjerë, duket se në çdo epokë të botës, kanë qenë maksima e poshtër e zotërve të njerëzimit.

Të diturit injorojnë provat e shqisave të tyre për të ruajtur koherencën e ideve të imagjinatës së tyre.

Përmirësimi më i madh i fuqive prodhuese të punës dhe pjesa më e madhe e aftësisë, zotësia dhe gjykimi me të cilat drejtohet apo zbatohet duket se janë rrjedhojë e ndarjes së punës.

Ajo që është maturi në sjelljen e çdo familje private mund të jetë e pakuptimtë në atë të një mbretërie të madhe./shkollaesuksesit/KultPlus.com

Shpell’ e Dragobisë

Nga Fan Noli

Elegji për Bajram Currin

Kur tufani e çthuri fenë,
Kur tirani e krrusi atdhenë,
Mi një brek të Dragobisë
Priret Flamur’ i lirisë.

Atje nisi, atje mbaroj,
Atje krisi, atje pushoj,
Rrufe-shkab’ e Malësisë,
Në një shkëmb të Dragobisë.

Vendi dridhej, ay mbeti
Se s’tronditej nga tërrmeti.
Dif drangoj i Dragobisë,
Trim tribun i Vegjëlisë.

O Bajram, bajrak i gjallë,
More nam me gjak në ballë,
Te një shpell’ e Dragobisë,
Yll i rrall’ i burrërisë.

Thon’ u-shtri e thon’ u-vra,
Po ti s’vdiqe, or Baba,
As te shkëmb’ i Dragobisë,
As te zëmr’ e Djalërisë.

As je vrar’ e as po vritesh
Legjendar Ante po rritesh.
Dithiramb i Dragobisë,
Tmerr, panik i mizorisë.

Me Zjarr Shenjt u-ndrit kjo shpellë.
Gjer në qjell u-ngrit Kështjellë
Për çlirimn’ e Shqipërisë
Katakomb’ e Dragobisë.

Më 29 Mars 1925, në shpellën e Dragobisë ra heroikisht luftëtari nga Kosova, Bajram Curri. Për nder të tij në vitin 1952 qyteti Kolgecaj në Shqipëri u riemërua sipas emrit të tij. KultPlus.com

‘Nuk është punë që të nderon, t’ia hedhësh atij që të beson’

Thënie nga Miguel de Cervantes


“Gënjeshtra zakonisht shkatërron miqësinë, kurse e vërteta dashurinë.”

“S’ka plaçkë më të lirë se lajkat.”

“Ai që do të shtiret budalla duhet që të mos jetë i tillë.”

“Ku mbretëron mjerimi nuk mund të ketë liri.”

“Nuk është punë që të nderon, t’ia hedhësh atij që të beson.”

“Smirë, rrënjë e të mirave të pafundme, brejtës i të gjitha virtyteve.”

“Nëse xhelozia është një shenjë dashurie, atëherë është si gripi për të sëmurin, që është një shenjë jete, por një shenjë e një jete të sëmurë.”

“Kush vlen më shumë, duhet të bëjë më shumë.”

“Ruaju demit përballë, gomarit nga pas dhe priftit nga të gjitha anët.”

“Është në karakterin natyror të femrave: të injorojnë ata që i duan e të duan ata që u injorojnë.” / KultPlus.com

Kur Shahindere Bërlajolli i këndonte Bilbilit me pika (VIDEO)

Shahindere Bërlajolli është një ndër këngëtaret më të njohura të muzikës shqipe.

Zëri dhe mënyra e të kënduarit autokton e bën këtë këngëtare një ikonë të vërtetë të muzikës popullore kosovare. Zëri i saj u dëgjua shumë larg, çdokund nëpër botë, ngado që ajo këndonte trofetë ishin pjesë e saj.

Repertori i Shahindere Bërlajollit numëron 280 këngë, shumica e të cilave janë të regjistruara në Radio Prishtinë dhe në vende të tjera regjistruese.

KultPlus ju sjell këngën e njohur ‘O bilbil me pika’ të interpretuar nga zëri i këndshëm i Shahinere Bërlajollit. / KultPlus.com

Nora Gjakova stoliset me medaje të argjendtë në Ditën e Çlirimit të qytetit të saj të lindjes, Pejës

Xhudistja Nora Gjakova ka fituar medaljen e argjendtë  në garat ndërkombëtare të Xhudos, përkatësisht në Grand Slamin e Kazakistanit, shkruan KultPlus.

Trajneri Driton Kuka, përmes një postimi në facebook ka bërë të ditur se Nora Gjakova ka fituar medalje të argjendtë në ditën e çlirimit të qytetit të saj të lindjes, Pejës.

“Medalje e argjendtë për Norën në Ditën e Çlirimit të qytetit të saj të lindjes Pejës!

Nora Gjakova shënoi 3 fitore për tu ndeshur në finale me Francezen Qysique e ku mirë e filloj luftën dhe u prit luftë e fortë por një gabim i kushtoj por kjo se humb shkëlqimin e medaljes së argjendtë të Norës dhe 700 Pikë Olimpike!”, ka thënë Kuka.

Nora Gjakova ka mposhtur me Ippon garueset nga Latvia,Polonia dhe gjysëmfinale garusen nga Holanda.

Trajneri Kuka ka bërë të ditur se Nora Gjakova tashmë vulosur Normën drejt Lojerave Olimpike dhe lufta është të mbetet në Top 8 që të jetë ndër bartëset e grupeve./KultPlus.com

Hapet ekspozita e Atelierit të Multimedias me titull ‘8 h, 59 m, 27 s’

Në galerinë FAB është çelur ekspozita e Atelierit të Multimedias me titull “8 h, 59 m, 27 s”.

Ekspozita mban vepra të 26 studentëve të Fakultetit të Arteve të Bukura, punimet e të cilëve janë kuruar nga prof. Vladimir Myrtezai, Lek. Altin Lika, Edison Çeraj dhe Florian Haxhihyseni.

Kjo është ekspozita e radhës e Atelierit të Multimedias, si përherë me punë të zgjedhura të vitit të fundit akademik. Studentët kanë prekur pothuajse çdo medium si video, instalacion, fotografi, pikturë, animacion dhe performancë. Punimet janë rezultat i i temave të dhëna nga pedagogët përgjatë dy semestrave, pa harruar edhe ndonjë punim nga puna e pavarur e studentëve.

Për sa i takon titullit të veçantë, ai i përket punës së një studenteje. Kuratorëve, ky titull iu duk bartës i një simbioze që bën bashkë disa elemente: kohën, numrat, pritjen, orën dhe trysninë e saj.

“Këto janë parë si sfida të cilat kërkojnë vazhdimisht marrjen e një pozicioni apo qëndrimi nga ana jonë, aq më tepër kur edhe zhvillimet e artit sot priren dukshëm të hedhin dritë mbi sfidat e ndryshme nëpër të cilat na duhet të kalojmë dhe t’i tejkalojmë. Sfidat mund të sfidohen”, u shpreh një prej kuratorëve të ekspozitës, Edison Çeraj./atsh/KultPlus.com