Prezantohet programi filmik i edicionit të 14-të të Anibarit

Festivali Ndërkombëtar i Animacionit – Anibar ka prezantuar programin filmik për edicionin e 14-të të festivalit, i cili do të mbahet në muajin korrik në qytetin e Pejës, shkruan KulPlus.

Programi filmik i këtij edicioni përmban diversitet tematikash të ndarë në nëntë kategori, ku shtat prej tyre janë në kategorinë garuese nderësa dy prej tyre janë jashtë garës.

“Për këtë edicion numri total i filmave të cilët kanë aplikuar ka qenë 1509 dhe pas një procesi të kujdesshëm vlerësimi janë përzgjedhur 138 filma prej të cilëve 125 do të jenë me karakter garues ku tre prej tyre janë prodhim i animatorëve kosovar, ndërsa 13 prej tyre do te jenë në kategori jo garuese”, thuhet në komunikatë.

 Filmat përfshijnë një spektër të gjërë temash, stilesh dhe teknikash të animacionit, dhe do të jenë të shpërndara në 9 kategori të listuara si në vijim:

Shtatë kategoritë me karakter garues janë:

1. Gara Ndërkombëtare me 18 filma

2. Gara e Studentëve me 24 filma

3. Gara Ballkanike me 7 filma

4. Gara e Video-Animacionit Muzikor me 30 filma

5. Kategoria e të Drejtave të Njeriut me 11 filma

6. Programi i audiencës së re me 31 filma

Ndërkaq Gara e Filmit të Metrazhit të Gjatë do të shpallet së shpejti!

Dy kategoritë jashtë garës

7. Panorama Jashtë Garës me 4 filma

8. Programi Eksperimental me 9 filma

Festivali Ndërkombëtar i Animacionit – Anibar, këtë vit do të mbahet në qytetin e Pejës në datat 17 deri 23 korrik./KultPlus.com

Përfundojnë xhirimet e filmit të metrazhit të shkurtë ‘Keep Going’

Pas katër ditësh kanë përfunduar xhirimet e filmit ‘Keep Going’, të regjisores Valmira Hyseni, shkruan KultPlus.

Filmi “Keep Going” me regji të Valmira Hysenit trajton një temë frymëzuese rreth endrrës së një vajze të quajtur Hana, e cila është në përfundim të shkollës së mesme dhe përpiqet t’a arrijë ëndrrën e saj, të luajë futboll profesionist mirëpo babai i saj, Sherifi, ka një plan tjetër për të, e që është të vazhdojë studimet akademike.

Filmi ështē realizuar nga shtëpia filmike “Plan Bee Films”, producent i filmit: Zgjim Terziqi dhe skenaristë: Valmira Hysenit dhe Zgjim Terziqi.

Në film luajtën aktorë shumë të mirënjohur si, Luan Jaha, Adriana Matoshi, Era Balaj dhe Eli Gashi./KultPlus.com

Pse je idhnue ti me mue, e s’ta kam thanë nji fjalë

Poezi nga Dan M. Tuzi

Pse je idhnue ti me mue, e s’ta kam thanë nji fjalë,
Ka kohë që s’m’i ke pa sytë, dihatjen s’ma ke ndi,
Tkurrjen teme e marrjen frymë me kaq ngadalë,
Si me erën ndjenjën tande, ne shpirt jam tuj përbi?

Pse je idhnue ti me mue, e shenjë s’të vjen prej meje,
Unë kam ikë, si mos me kenë, përnjiherë, jam fshi.
veç shikimet kur përthehen n’mue, si drita në heje,
mëdyshen a gjallon kund ndoj shpirt në këtë njeri.

Pse je idhnue ti me mue, jam i shuem, e kaq i urtë,
Kam ikë prej teje e prej jeteës teme krejt kam ikë.
çdo gja që më ban me kujtue e kthej në të ngurtë,
dhe e hedhi n’atë harrimin e gjanave që kam frikë

Pse je idhnue ti me mue, pse duhet m’e ditë unë?
Pse duhet tanë këto gurë në shpirt me m’i ngjallë?
Pse duhet nji gjysëm fjale që ke thanë gabim dikund,
Me ju dhanë jetë gurëve, me më hangër të gjallë? / KultPlus.com

Ndahet nga jeta mjeshtri i kamerës Pëllumb Kallfa, “Artist i Merituar”

Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK) njoftoi ndarjen nga jeta të operatorit të mirënjohur të kinemasë shqiptare, Artistit të Merituar Pëllumb Kallfa.

QKK i shprehu ngushëllime të përzemërta familjes, miqve dhe kolegëve të të ndjerit duke thënë se, “ruan mirënjohje të thellë për punën artistike dhe kontributin e tij në kinematografinë e Shqipërisë”.

Pëllumb Kallfa ishte operator i filmave kronikalë, dokumentarë dhe artistikë, me titullin Artist i Merituar. Lindi në Tiranë më 1945. Ishte djali i fotografit të njohur dhe një nga kronistët e parë të kinematografisë shqiptare, Mehmet Kallfa. Mbaroi studimet e larta në Universitetin e Tiranës. Në kinematografi filloi si asistent dhe më vonë u mor me xhirimin e kinoditarëve dhe filmave kronikalë. Filmin e parë dokumentar e realizoi më 1971.

Gjithsej xhiroi rreth 25 filma kronikalë dhe dokumentarë. Kamera e tij u dallua sidomos me filmat: “Basketbollistja nr. 10”, “Shqipëria turistike 1972”, “Pranë hapave të para”, “Duke përdorur rrezatimet bërthamore” në 1974, etj. Filmi i tij i parë me elemente të interpretimit ishte A.B.C…..Zzh me regjisore Xh. Keko, 1971. Bashkë me regjisorin Dhimitër Anagnosti xhiruan filmin “Cuca e maleve”, 1974.

Gjithsej xhiroi 22 filma artistikë, kryesisht me regjisorë të njohur. Për punën e tij u nderua me titullin e nderit “Artist i Merituar”.

Filma të tjera përfshijnë: “Lulëkuqet mbi mure”, “Gjeneral gramafoni”, “Dollia e dasmës sime”, “Një vonesë e vogël”, “Vendimi”, “Përrallë nga e kaluara”, “Pranvera s’erdhi vetëm”, “Vitet e pritjes” e të tjerë./atsh/KultPlus.com

Verërat e Kosovës do të promovohen dhe degustohen në Zvicër

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së bashku me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë dhe Shoqatën e Verërave të Kosovës, do të bëjnë promovimin dhe degustimin e verërave të Kosovës nëpërmjet dy aktiviteteve të ndara, që do të mbahen në Konfederatën e Zvicrës.

Aktiviteti i parë, do të mbahet të hënën, më datën 19 qershor, 2023 me fillim nga ora 18:30 në Winterthur, ndërsa i dyti me datën 20 qershor, 2023 në Gjenevë.

Fokusi kryesor i këtij aktiviteti janë gastronomët dhe hotelierët shqiptar në Zvicër, por edhe mysafirë të tjerë.

Të gjithë të interesuarit për pjesëmarrje në aktivitetin në Winterthur duhet t’i adresohen me shkrim Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih në adresën [email protected];  ndërsa për aktivitetin në Gjenevë Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë në adresën: [email protected]. / albnfo.ch / KultPlus.com

Ambasada e Kosoves ne Berne

1,4 miliardë dollarë dëmshpërblime për të mbijetuarit e Holokaustit

Gjermania do të rrisë kompensimin për të mbijetuarit e holokaustit në mbarë botën në 1,4 miliardë dollarë vitin e ardhshëm.

Në një deklaratë nga institucioni, i cili merret me kërkesat në emër të viktimave hebreje të epokës naziste, thuhet se është vendosur të paguhen 888,9 milionë dollarë për ofrimin e kujdesit në shtëpi dhe shërbimeve mbështetëse për viktimat e dobëta dhe të cenueshme të holokausti si rezultat i negociatave me Ministrinë gjermane të Financave.

Përveç kësaj, sipas Konferencës mbi Kërkesat Pronësore Hebreje kundër Gjermanisë, është vërejtur një rritje prej 175 milionë dollarësh në pagesat simbolike për fondin ”Hurtship” për 128 000 të mbijetuar të Holokaustit në mbarë botën.

Gjithashtu theksohet se totali prej 1,4 miliardë dollarë do të paguhet përmes planeve dhe programeve të ndryshme./ atsh / KultPlus.com

DokuFest ka hapur thirrjen për Grantet e Filmit, të njohura si “Mbështetje për valën e re të filmbërësve të Kosovës”

Grantet e Filmit të DokuFest, të njohura si “Mbështetje për valën e re të kineastëve të Kosovës”, është një iniciativë prestigjioze në Kosovë e krijuar për të ushqyer talentet e reja në industrinë e filmit.

Ky program ofron një buxhet në të holla, mentorim në produksion dhe mbështetje të distribuimit për kineastët premtues nga Kosova. Kjo skemë e granteve është pjesë e programit më të gjerë të DokuFest, “Avancimi i Shoqërisë Demokratike përmes përdorimit të Artit dhe Kulturës”, i mbështetur nga Ambasada Suedeze në Kosovë, i cili synon të adresojë sfidat bashkëkohore shoqërore si erozioni i institucioneve demokratike, mungesa e dialogut dhe përjashtimi, duke bashkuar artet, kulturën dhe çështjet përkatëse sociale.

“Ne po kërkojmë aplikime për deri në 6 ide filmash që do të jenë në listën e ngushtë bazuar në propozimin dhe materialet mbështetëse vizuale të paraqitura. Projektet e përzgjedhura do të zhvillohen më tej me kontributin e profesionistëve të filmit. 6 kineastë do të kenë mundësinë t’i paraqesin projektet e tyre një paneli ekspertësh, të cilët do të përzgjedhin 2 projekte filmike që do të prodhohen deri në gusht 2024”, thuhet në njoftim.

DokuFest do të sigurojë një buxhet prej 7,000 eurosh në para, si dhe një kamerë profesionale dhe mbështetje për produksion dhe distribuimin. Për më tepër, kineastët e përzgjedhur do të marrin mentorim gjatë një periudhe gjashtëmujore për të ndihmuar në krijimin e filmave bashkëkohore. Fokusi kryesor i këtij programi është të mbështesë talentet vendorë, tregimtarët e rinj, regjisorët dhe producentët, në prodhimin dhe shpërndarjen e tregimeve lokale në skenën ndërkombëtare.

“Nëpërmjet kësaj nisme, ne synojmë të promovojmë narrativat lokale nga këndvështrimi i artistëve të rinj dhe krijues. Këto grante ofrojnë një mundësi alternative të financimit për realizimin e filmave në Kosovë, veçanërisht duke synuar kineastët të cilët mund të zhvillojnë dhe ofrojnë projektet e tyre brenda një afati kohor të caktuar. Individët e gatshëm për të bashkëpunuar me producentët e rinj përmes kompanive të regjistruara të prodhimit të filmit kanë të drejtë të aplikojnë. Duke qenë se komisioni përzgjedhës përbëhet nga profesionistë ndërkombëtarë të filmit, është e domosdoshme që të gjitha materialet të dorëzohen në gjuhën angleze, të cilat mund të gjenden KËTU.” / KultPlus.com

Huliganët serbë sulmojnë me shok-bombë gazetarët kosovarë (VIDEO)

Një sulm ndaj gazetarëve kosovarë ka ndodhur para pak çastesh në komunën e Leposaviqit.

Radio Televizioni Publik i Kosovës ka pubikuar një video nga momenti i sulmit ndaj kameramanit të RTK-së, Bardh Bekteshit, në Leposaviq.

Po ashtu, është sulmuar edhe vetura e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi në Leposaviq. / KultPlus.com

Ekspozita “Lule kundër luftës” vjen në Ditën botërore të refugjatëve

Me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës – QKRMT organizon ekspozitën “Lule kundër luftës” me punimet e Liudmyla Makei – refugjate ukrainase në Kosovë, gazetare dhe piktore.

Ceremonia e hapjes së ekspozitës do të mbahet me 20 qershor 2023, nga ora 13:00- 15:00, në Lapidarium, Muzeu Kombëtar i Kosovës.

Ekspozita përmbledh piktura të autores të punuara gjatë qëndrimit të saj në Kosovë përmes të cilave ajo përçon mesazhin e shpresës larg vendit të saj.

Qëllimi i ekspozitës është sensibilizimi i opinionit të gjerë për qëndrueshmërinë dhe forcën e refugjatëve në mbarë botën si dhe për të nderuar guximin dhe motivimin e tyre për të ecur përpara. / KultPlus.com

Kozlov fiton çmimin e Istanbul Photo Awards 2023

Fotografia e fotografit të agjencisë fotografike EPA, Sergey Kozlov, e titulluar “Lufta Ukrainë-Rusi”, fitoi çmimin e Fotografisë së Vitit në Istanbul Photo Awards, edicionin e nëntë të konkursit vjetor ndërkombëtar të fotografisë të organizuar nga Anadolu Agency (AA) për të mbështetur fotoreporterët.

Konkursi është tani një platformë e përhapur globalisht me më shumë se 16 000 përdorues ndërkombëtarë.

Një juri prestigjioze u mblodh online dhe zgjodhi fotografitë fituese për Istanbul Photo Awards 2023.

Fotografia e Kozlovit u zgjodh fituese mes më shumë se 21 000 fotografive të dorëzuara nga vende të ndryshme të botës.

Fituesit u zgjodhën nga fotografi që mbuluan ngjarjet globale të vitit të kaluar, të tilla si lufta Ukrainë-Rusi, incidentet në Territoret Palestineze, presionet e administratës talebane, trafikimi i fëmijëve në Nigeri, ndryshimet mjedisore, studimet e botës së egër në Tajlandë, Kupa e Botës në Katar, ndeshjet portugeze me dema, akullthyesit e Arktikut si dhe përditshmëria e albinëve afrikanë.

Juria ndërkombëtare deklaroi se cilësia e fotografive të dërguara ishte shumë e lartë dhe kishin vështirësi të mëdha në marrjen e vendimit në eliminimet e bëra në platformën e përgatitur enkas nga ekipi i Teknologjive të Informacionit të AA-së.

Këtë vit, 29 fotografë morën çmime në dhjetë kategori në konkursin e mbështetur nga Nikon, Agjencia Turke e Bashkëpunimit dhe Koordinimit (TIKA) dhe Turkish Airlines (THY)./ atsh / KultPlus.com

Hapet thirrje për audicion për filmin “Me fjalë tjera” me regji të Val Jasharit

Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar se është hapur thirrje për audicion për filmin e metrazhit të gjatë “Me fjalë tjera” me regji të Val Jasharit.

Ftohen të gjithë aktorët të marrin pjesë në audicion për filmin në fjalë, në datat 21. 22 dhe 23 Qershor 2023.

Për të aplikuar në audicion ju duhet të dërgoni të dhënat: emrin, mbiemrin, moshën, një fotografi, video prezantuese dhe CV (për ata që kanë punuar më herët) në e-mail: [email protected]

Audicioni mbahet në Prishtinë dhe data e fundit e aplikimit është 18 qershor 2023. / KultPlus.com

‘Stacion’ shpallë konkursin e dytë për pjesëmarrje në edicionin e tetë të Shkollës Verore si Shkollë

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë ka shpallë konkursin e dytë për pjesëmarrje në edicionin e tetë të Shkollës Verore si Shkollë.

Programi do të mbahet në datat 7 – 20 gusht 2023. Afati i aplikimit 30 qershor 2023.

Rezultatet e pranimit do të shpallen jo më vonë se 7 korrik 2023.

Programi do të sillet rreth kurseve të akredituara, përveç programit publik me leksione, konferenca, shfaqje, një program të shkollës së filmit, sesione DJ dhe ekspozita nga artistë, shkrimtarë dhe studiues  duke përfshirë: Scott Anthony, Julieta Aranda, Yann Annicchiarico, Bekim Baliqi, Rozafa Basha, Visar Berisha, Florina Jerliu, Vjosa Beqaj-Krasniqi, Katerina Kolozova, Goran Djordjević, Albert Heta, Sami  Khatib, Bernhard Rüdiger, Boris Buden, Esther Leslie, Nebojša Milikić, Milica Tomić, Jelena Vesić, Anton Vukpalaj.

Shkolla Verore si Shkollë 2023 ofron kurse të akredituara dhe programe publike një dhe dy-javore që promovojnë angazhimin dhe shpërndarjen e përmbajtjes kritike në kontekst, shkëmbimin ndërmjet dhe me studentët dhe fakultetin, si dhe angazhimin publik në art dhe programe akademike.

Me Shkollën Verore si Shkollë, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, së bashku me institucionet partnere dhe fakultetin, ka krijuar një platformë unike ndërkombëtare me bazë në Prishtinë që merr parasysh kontekstin socio-politik, zhvillon një kurrikul ndërdisiplinore dhe përfshin praktikuesit për të ndarë njohuri dhe përvojë me studentët vendas dhe ndërkombëtarë dhe publikun.

Fillimisht e frymëzuar nga rasti i Kosovës, ku sistemi arsimor u strukturua në mesin e viteve 1970, Shkolla Verore si Shkollë është krijuar për të bashkuar dhe shpërndarë njohuritë kritike dhe adresuar sfidat përkatëse bashkëkohore, duke zbatuar modele dhe mundësi të reja në edukimin artistik dhe bashkëpunimin artistik.

Aktualisht, Shkolla Verore si Shkollë është platforma kryesore bashkëpunuese rajonale në prodhimin e artit dhe diskursit, dhe një model që bashkon kapacitetet e rajonit të Evropës Juglindore të angazhuara të fakulteteve ndërkombëtare dhe institucioneve partnere për të prodhuar dhe shpërndarë një model ndërdisiplinor të bashkëpunimit arsimor dhe artit.

Pasi e ka drejtuar Shkollën Verore si Shkollë me sukses të madh në vitet e mëparshme, edicioni i sivjetshëm bazohet në perspektivat dhe përvojat e ndryshme që teorikisht dhe praktikisht pasqyrojnë dhe sfidojnë historinë e vazhdueshme rajonale dhe lidhjet e saj me zhvillimet më të gjera artistike, politike dhe sociale. Duke ftuar situata që i kapërcejnë kufijtë normalë krijues dhe intelektual, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, me Shkollën Verore si shkollë, kërkon të ndërthurë njohuritë dhe (ri)pozicionojë Kosovën dhe rajonin e Evropës Juglindore në raport me atë ndërkombëtare dhe koordinatat globale.

Fakulteti i Shkollës Verore si Shkolla 2023 ka krijuar një program kursi sfidues dhe frymëzues që do të zhvillohet nga 7-20 gusht 2023, duke kombinuar kurse të orientuara nga teoria dhe produksioni praktik.

Kursi 1: Estetikë, Anti-estetikë, Anestetikë: Art përmes shqisave
Kurs nga Esther Leslie
7 – 12 gusht 2023
2.5 ECTS

Kursi 2: Solidariteti në Kohë: Lëvizja e të Painkuadruarve dhe Arti 
Bashkëkohor
Kurs nga Jelena Vesić
7 – 12 gusht 2023
2.5 ECTS

Kursi 3: Përkthimi: Përdorimi i konceptit në shoqëri, kulturë, dije dhe prodhim arti?
Kurs nga Boris Buden
7 – 12 gusht 2023
2.5 ECTS

Kursi 4: Praktika e artit dhe njeriu përtej specieve tona
Kurs nga Bernhard Rudiger dhe Yann Annicchiarico
7 – 19 gusht 2023
5 ECTS

Kursi 5: Kujtesa e luftës, hapësira publike dhe identiteti kolektiv
Kurs nga Bekim Baliqi dhe Anton Vukpalaj
7 – 19 gusht 2023
5 ECTS

Kursi 6: Popullizmi në periferi dhe zonat/kundërqëndrimet kulturore
Kurs nga Nebojša Milikić
7 – 19 gusht 2023
5 ECTS

Kursi 7: Politika Klimatike – Pjesëmarrja Publike dhe Artet
Kurs nga Vjosa Beqaj-Krasniqi dhe Visar Berisha
7 – 19 gusht 2023
4 ECTS

Kursi 8: Arti dhe Filozofia e Sportit
Kurs nga Scott Anthony
7 – 12 gusht 2023
2 ECTS

Kursi 10: Qyteti dhe Muzetë e Artit
Kurs nga Florina Jerliu dhe Rozafa Basha
7 – 19 gusht 2023
5 ECTS

Kursi 11: Arti dhe kujtesa në praktikat e përkujtimeve pas mizorive masive
Kurs nga Ana Dević
14 – 19 gusht 2023
2.5 ECTS

Kursi 12: Dëshira dhe pakënaqësia e saj
Kurs nga Sami Hatib
14 – 19 gusht 2023
2.5 ECTS

Në përfundim të secilit kurs, pjesëmarrësve do t’u lëshohet një certifikatë që tregon ekuivalencën e krediteve të Sistemit Evropian të Transferimit dhe Akumulimit të Kredive (ECTS) nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, Kosovë dhe École nationale supérieure des beaux-arts de Lyon. Franca.

Deri në 15 aplikantë do të përzgjidhen për të marrë pjesë në secilin kurs. Aplikantët mund të aplikojnë për të marrë pjesë në më shumë se një kurs. Pjesëmarrësit e kualifikuar duhet të lexojnë kërkesat e përshtatshmërisë, të plotësojnë formularin e aplikimit, të ngarkojnë dokumentet e kërkuara dhe të dorëzojnë formularin e aplikimit. 

Aplikacionet e pakompletuara nuk do të merren parasysh.

Gjuha e mësimit është anglishtja. 120 aplikantë do të përzgjidhen për të marrë pjesë në kurset e Shkollës Verore si Shkolla 2023.

Pjesëmarrësit e kualifikuar duhet të lexojnë Kushtet përpara se të plotësojnë një aplikim. Aplikacionet e pakompletuara nuk do të merren parasysh. Pjesëmarrësit e kualifikuar mund të aplikojnë për (dhe të marrin pjesë në) deri në dy kurse, nëse orari i kurseve të zgjedhura e lejon këtë.

Institucionet kryesore partnere të Stacionit – Qendra e Artit Bashkëkohor Prishtinë për Shkollën Verore si Shkolla 2023 janë École nationale supérieure des beaux-arts de Lyon, Cultural Center Rex / Fund b92, Beograd, Qendra për Art Bashkëkohor ZETA, Tiranë, Instituti për Bashkëkohor Art, Podgoricë, Shoqata Sonemus, Sarajevë, International Curators International – ICI, Nju Jork. / KultPlus.com

Konferenca më e madhe globale e teknologjisë gjeohapësinore FOSS4G, po vjen në Prizren

FOSS4G 2023: Konferenca më e madhe globale e teknologjisë gjeohapësinore për softuerin e lirë dhe të hapur po vjen në Prizren, Kosovë!

Nga 26 qershor deri më 2 korrik 2023, Prizreni do të jetë qendra e botës së teknologjisë gjeohapësinore. 

FOSS4G 2023 pritet të sjell rreth 1,000 pjesëmarrës nga e gjithë bota, duke ofruar një mundësi unike për të shkëmbyer përvoja, njohuri dhe bashkëpunime në fushën e teknologjisë gjeohapësinore. 

Konferenca do të ketë një program të pasur me mbi 80 punëtori, 200 prezantime, panele e ekspozita nga organizata dhe kompani të ndryshme që kontribuojnë në zhvillimin e teknologjisë gjeohapësinore. 

Mbi 50 biznese globale e lokale po mbështetin konferencën, ku krahas kompanive globale si Re:Earth, META, QGIS.JP, OPENGIS, SparkGEO, OpenGeoGroep, GEOCAT, GeoSolutions, mbështetës të konferencës janë edhe ato vendore si Procredit Bank, ITP Prizren, IPKO, GISKOS, Geo&Land, IRN e shumë të tjerë.

FOSS4G mbledh së bashku sektorin e teknologjisë, zhvilluesit, përdoruesit, vendimmarrësit dhe profesionistët nga një spektër i gjerë i organizatave dhe fushave të operimit. Përmes shtatë ditëve të punëtorive, prezantimeve, diskutimeve dhe bashkëpunimit, pjesëmarrësit e FOSS4G krijojnë produkte, standarde dhe protokolle gjeohapësinore efektive që kanë ndikim global.

FOSS4G 2023 është ngjarje vjetore e organizuar nga Fondacioni i Hapur Gjeohapësinor (OSGeo) që nga viti 2006 dhe është një nga takimet më të mëdha globale për softuerin gjeohapësinor të vitit.  FOSS4G 2023 organizohet nga FLOSSK, organizatë kosovare që promovon softuerin e lirë dhe të hapur që nga viti 2009. 

Për më shumë informacion rreth FOSS4G 2023, vizitoni faqen zyrtare https://2023.foss4g.org/ / KultPlus.com

Ditët Evropiane të Arkeologjisë

Kjo fundjavë i dedikohet e tëra arkeologjisë. Ditët Evropiane të Arkeologjisë, të cilat përkojnë me datat 16, 17 dhe 18 qershor, organizohen për të dytin vit radhazi edhe nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Kjo është një iniciativë e Institut National de Recherches Archéologiques Préventives.

Eventi ka si qëllim promovimin e trashëgimisë kulturore e kryesisht asaj arkeologjike, ku shtetet pjesëmarrëse angazhohen të përfshijnë aktivitete sipas një programi të caktuar.

Ditët Evropiane të Arkeologjisë nisën të gjejnë përhapje në 2019-ën, ku shtetet e përfshira u angazhuan të rrisin ndërgjegjësimin dhe të njohin audiencën evropiane me të gjitha aspektet e arkeologjisë.

Gjatë kësaj fundjave do të organizohen një sërë ngjarjesh, që synojnë angazhimin e familjeve, shkollave, studentëve, entuziastëve të historisë, vizitorëve të muzeut, si dhe pjesëmarrësve thjesht kureshtarë për të zbuluar këtë disiplinë të shumëanshme dhe trashëgiminë e tyre arkeologjike. Pavarësisht kohërave sfiduese që po kalon Evropa, arkeologjia shihet edhe si një disiplinë e cila mund t’i bëjë bashkë evropianët.

Ditët Evropiane të Arkeologjisë synojnë të ndajnë trashëgiminë arkeologjike në të gjithë Evropën dhe ta bëjnë kulturën të aksesueshme për të gjithë. / atsh / KultPlus.com

Gaetano Petrotta, filologu dhe historiani i letërsisë nga Hora e Arbëreshëve

Më 16 qershor të vitit 1882 lindi Gaetano Petrotta. Ai ishte filolog dhe historian i letërsisë nga Hora e Arbëreshëve, në Siçili.

Në veprën e tij kryesore “Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare”, Gaetano Petrota parashtroi një vështrim të përmbledhur të historisë së letërsisë bashkë me një histori mjaft të pasur të studimeve albanologjike për çështje të alfabetit, gramatikës, dialektologjisë, leksikografisë, historisë së gjuhës, etnografisë, folklorit dhe historisë së kulturës.

Themeloi më 1932 katedrën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe në Universitetin e Palermos dhe e mbajti derisa u nda nga jeta në vitin 1952.

Petrota la dorëshkrim një gramatikë shqipe të së folmes së Horës së Arbëreshëve, si edhe një fjalor frazeologjik të arbëreshëve të Siçilisë./ KultPlus.com

Lincoln: Një shtëpi e ndarë brenda vetes nuk mund të qëndrojë në këmbë

Abraham Lincoln, një nga presidentët më të njohur dhe më të respektuar në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qe një udhëheqës vizionar i cili e shpëtoi vendin nga ndarja.

Ai e kishte një kuptim të thellë për unitetin dhe fuqinë e bashkëpunimit, e cila u pasqyrua në shprehjen e tij të famshme: “Një shtëpi e ndarë brenda vetes nuk mund të qëndrojë në këmbë.”

Këto fjalë të mëdha kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë një thesar i ditëve të sotme, duke na kujtuar për rëndësinë e bashkëpunimit dhe unitetit në shoqëri.

Kur Abraham Lincoln shprehu këtë mesazh, ai po i referohej njësitës me bazë të shoqërisë – familjes. Ai kuptonte se nëse një shtëpi ishte e ndarë, me konflikte dhe grindje brenda mureve të saj, ajo do të merrte rrugën drejt shkatërrimit. Ky koncept shtrihet gjithashtu edhe në shoqërinë e gjerë, sepse shtëpitë janë themelet e një kombi të fortë dhe të bashkuar.

Historia na ka dhënë shembuj të shumtë të shteteve dhe shoqërive që janë përballur me ndarje dhe konflikte të brendshme. Në të gjitha rastet, pasoja ka qenë shkatërrimi dhe dobësimi i tyre. Lincoln, në rolin e tij si president, pati përballë sfidat më të mëdha të epokës së tij – luftën civile në Amerikën e Veriut dhe të Jugut. Ai e kuptoi se vetëm përmes unitetit dhe bashkëpunimit, Shtetet e Bashkuara mund të kapërcejnë vështirësitë dhe të dalin më të forta nga konflikti.

E vërteta është se ndarja, konflikti dhe urrejtja kanë ndikim negativ jo vetëm në shtëpitë individuale, por edhe në shoqëri dhe komb. Kur njerëzit janë të ndarë dhe nuk janë në gjendje të shqyrtojnë pikëpamjet dhe interesat e tyre të përbashkëta, ata bie nën rrezikun e dobësimit dhe shkatërrimit. Ky është arsyeja pse mesazhi i Lincoln vazhdon të jetë aktual edhe sot. / KultPlus.com

Depardieu nxjerr në ankand një pjesë të koleksionit të tij të artit

Ylli francez i kinemasë, Gerard Depardieu do të nxjerrë në shitje, në fund të shtatorit në Paris, 250 vepra nga koleksioni i tij i artit, me synimin për t’u argëtuar pak, sipas menaxherit të tij të shitjeve, David Nordmann, i cili mbulon edhe shitjet e shtëpisë së ankandeve ”Ader”.

Koleksioni i pasur i aktorit francez, aktualisht nën hetim për sulmet të dyshuara seksuale, përfshin vepra në bronz të Rodin, por edhe pesë vepra të Calder dhe një të Hans Hartung.

Ankandi u caktua për më 26-27 shtator në hotel ”Drouot” në Paris.

Sipas ekspertëve, nga shitjet mund të sigurohen tre deri në pesë milionë euro./ atsh / KultPlus.com

Actor Gerard Depardieu addresses the media during the press conference for the film ‘Saint Amour’ at the 2016 Berlinale Film Festival in Berlin, Germany, Friday, Feb. 19, 2016. (AP Photo/Axel Schmidt)

Sot, protestë në Tiranë në përkrahje të Kosovës: “Dje, sot, nesër, përjetë bashkë”

Sot (e premte) është planifikuar të mbahet një protestë në Tiranë në përkrahje të Kosovës për situatat nëpër të cilat po kalon.

“Dje, sot, nesër, përjetë bashkë”, është thirrja që po bëhet në rrjet drejtuar qytetarëve, për protestën e sotme përpara kryeministrisë në ora 19:00.

Kjo nismë është nxitur për ta mbështetur Kosovën, si dhe nga deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për anulimin e mbledhjes së dy qeverive.

Kujtojmë se qëndrimet e Ramës si për propozimin për Asociacionit, por edhe deklarata e tij ku i bën thirrje kryeministrit Kurti që të tërheqë forcat policore nga veriu, nuk janë pritur mirë nga shumë qytetarë shqiptarë.

Njoftimin e ka shpërndarë edhe aktori i njohur shqiptar, Florjan Binaj.

“Shihemi sot! Mos e lini ngritjen e zërit për kombin shqiptar vetëm për në stadium…”, ka shkruar Binaj në Facebook./ KultPlus.com

Të huajt kureshtarë për punimet e zanatçinjve në Gjirokastër

Punimet karakteristike zgjojnë kuriozitetin e turistëve të huaj, të cilët në mjaft raste dëshirojnë të mësojnë mënyrën e punimit në gur të skalitur apo drugdhendje. Për turistët që vizitojnë qytetin e gurtë të ushtrosh zanatet e traditës është diçka  tërheqëse dhe interesante.

“Me të vërtetë ndihem i kënaqur kur merrem me punime të tilla. Mendoj se është një eksperiencë ndryshe dhe mjaft interesante,” – u shpreh një turist.

“Besoj që është një detaj që duhet përmendur për Gjirokastrën  sepse nuk është vetëm kala, gur dhe ushqime por është edhe këto lloj zanatesh, të cilat kanë bërë të mundur ndërtimin e qytetit  dhe këto janë baza e  ruajtjes dhe promovimit  duke ruajtur dijen për zanatet  bëjmë të mundur që të mbajmë kulturën gjallë dhe të vazhdojmë ta promovojmë qytetin,” – tha guida turistike, Blerim Topulli.

Mjeshtrat artizanë shprehen se turistët janë të interesuar për mënyrën e punimit të suvenireve dhe elementë të ndërtimit të traditës gjirokastrite.

“Të huajt më tepër vijnë për të provuar një eksperiencë ndryshe. Këta dy të rinj që kemi sot në profesionin e tyre merren me kompjuter, është larg kësaj por  thjesht për të thyer atë monotoninë e tyre, vijnë duke bërë turizëm dhe  provojnë një eksperiencë të re. Ndërsa gjatë shpjegimit që i bëjmë  këtu lidhur me  pjesën e shtëpive karakteristike të Gjirokastrës, me pjesën e arredimit që kanë pasur sidomos me elementët e gurit, elementët e drurit domethënë duke i shpjeguar dhe duke ua bërë , duke i dhënë një ekspoze të Gjirokastrës të vërtetë me ato misteret që ka mendoj se e bën edhe më  të dëshiruar këtë eksperiencën që këta vijnë edhe marrin,” – tha mjeshtri drugdhendës, Viktor Nurçe.

Zhvillimi i turizmit po nxit edhe rikthimin e zejtarisë dhe punimeve karakteristike në Gjirokastër ndërsa këtë vit janë çelur dhe disa qendra të reja të artizanatit në zonën historike të qytetit. /atsh/ KultPlus.com

Taika Waititi tregon se si është të kesh një kosovare në krah: Nuk duhet të ngatërrohem me të

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, dhe bashkëshorti i saj, Taika Waititi, kanë pozuar së fundmi për revistën “Vogue Australia”.

Ata kanë dhënë një intervistë të gjatë bashkërisht, ku kanë folur gjerë e gjatë në edicionin e muajit qershor të kësaj interviste.

Mes të tjerash, çifti i famshëm hollivudian janë pyetur edhe se si është të kesh në krah njëri-tjetrin, ku secili prej tyre ka dhënë përgjigje të ndryshme.

“Ndihesh e sigurt, kjo është ajo që më pëlqen. Dhe kjo është fjala ime e preferuar. Unë mendoj se në jetë thjesht dëshiron të ndihesh rehat dhe dëshiron të ndihesh e sigurt me atë që po bën, dhe ke dikë që të lartëson dhe të bën versionin më të mirë të vetes. Kjo është gjithçka që mund të kërkoni. Ndihesh e qetë, e sigurt dhe mirë”, ka thënë Rita.

Rita Ora dhe Taika Waititi (Foto: Robbie Fimmano)

Ndërkohë, regjisori i filmit “Thor: Love and Thounder” vuri në dukje se si është të kesh një shqiptare nga Kosova në krah.

“Unë do të pajtohesha me të gjitha këto që tha Rita. Kam një kosovare në krah. Dhe ti nuk ngatërrohesh me këta njerëz. Unë kam një gangstere të vogël që ka kurrizin tim, gjë që është vërtet interesante për mua. Sinqerisht, për mua, është të kem mikun tim më të mirë të jetës, e cila më ka mbështetur gjithmonë dhe, si dikush për të cilin më intereson, të mos bëj asgjë tjetër përveçse thjesht të shoqërohem me atë person”, tha Waititi për “Vogue Australia”.

Rita Ora dhe Taika Waititi (Foto: Robbie Fimmano)

Rita dhe Taika përndryshe janë martuar vitin e kaluar në një dasmë sekrete, ndërkohë që lajmin për kurorëzimin e tyre, këngëtarja shqiptare e bëri publik tek në janar të këtij viti. /Telegrafi/KultPlus.com

TEA, aplikacioni më i ri turistik

Eventet turistike të Shqipërisë, TEA, quhet aplikacioni më i ri që do të hidhet në treg pas dy ditësh nga Agjencia Kombëtare e Turizmit.

Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale, ku publikoi edhe videon promovuese të këtij aplikacioni.

“Inovacioni më i ri i qeverisë shqiptare, këtë herë përmes Agjencisë Kombëtare të Turizmit”, tha Rama.

Aplikacioni TEA do të jetë i aksesueshëm falas në të gjithë telefonat. Në aplikacion mund të gjenden aktivitetet që do të ndodhin gjatë sezonit turistik në çdo kohë dhe në çdo vend. Mjafton të vendosësh vendndodhjen dhe aplikacioni do të nxjerrë rezultatet ku veprimtaritë do të jenë të dedikuara për të gjitha grupmoshat.

Për këtë aplikacion është bashkëpunuar me të gjitha bashkitë, organizatat dhe ambasadat. Në të gjitha qytetet e vendit ka një program shumë të mirë nga institucionet e kulturës siç është Cirku, Teatri i Kukullave, TKOB, Teatri Kombëtar, evente gjithashtu të organizuara në mënyrë të dedikuar nga Ministria e Turizmit në bashkëpunim me kompani të ndryshme. Këto aktivitete do të shtrihen gjatë gjithë sezonit për të gjitha grupmoshat dhe do të jenë me data, vendndodhje dhe tipologji./atsh/KultPlus.com

Thënie nga Dostojevski: Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari

Fjodor Dostojevski është një prej shkrimtarëve më të famshëm në letërsinë botërore. Veprat e tij madhështore ngrenë mjeshtërisht pikëpyetje mbi tema të rëndësishme të jetës dhe vdekjes.

Më poshtë janë disa thënie të këtij shkrimtari.

1. Duhet ta duash jetën, më shumë se sa vetë kuptimin e jetës.
2. Hedhja e një hapi të ri, nxjerrja nga goja e një fjale të re. Këto janë gjërat të cilave njerëzit u druhen më shumë.
3. Në mendjen e gjithsecilit prej nesh ka një kufi, përtej të cilit është e rrezikshme të shkosh. Pasi e ke kaluar atë kufi, është e pamundur të kthehesh mbrapa.
4. Lumturia nuk qëndron në vetë lumturinë, por në arritjen e saj.
5. Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari.
6. Liria nuk gjendet në kufizimin, por në kontrollin e vetvetes.
7. Lumturia nuk vjen nga rahatitë tokësore, por fitohet përmes vuajtjes.
8. Në një zemër që dashuron vërtetë, ose xhelozia vret dashurinë, ose dashuria vret xhelozinë.
9. Nuk duhet shumë për të shkatërruar një person. Gjithë sa do ju duhet të bëni është ta bindni se puna që ai bën është krejt e padobishme dhe e pakuptimtë.
10. Heshtja është gjithmonë e bukur dhe një person i heshtur është gjithmonë më i bukur se një që flet.
11. Një person mund të jetë i mençur, por që të veprojë mençurish, vetëm inteligjenca nuk mjafton.
12. Kurrë nuk do të mbërrini në destinacionin tuaj, në qoftë se ndaleni dhe qëlloni me gur çdo qen që leh.
13. Unë dua të flas për çdo gjë me të paktën një person, ashtu si unë flas për gjërat, me veten time.
14. Është e pabesueshme se çfarë mund të bëjë vetëm një rreze dielli, për shpirtin tënd.
15. Njeriu duhet të flasë hapur me të tjerët, në një mënyrë që zbulon mendimet e veta të brendshme përmes fytyrës së tij, që zbulon hallet e tij, direkt përmes fjalëve. Një fjalë e thënë me bindje, me sinqeritet të plotë dhe pa hezitim, ndërkohë që e sheh tjetrin në sy, ka më shumë kuptim se dhjetëra faqe nga një libër.
16. Pa një objektiv në jetë, njeriu ndihet i mbytur.
17. Shpirti shërohet duke ndenjur me fëmijë.
18. Edhe një njeri që i ka duart e lidhura mund të bëjë shumë mirë, nëse do.
19. Bukuria do ta shpëtojë botën.
20. Njerëzit flasin ndonjëherë me një mizori kafshërore, por kjo është një padrejtësi e madhe dhe fyerje për kafshët; një kafshë nuk mund të jetë aq mizore sa një njeri, kaq artistikisht mizore.
21. Të rriturit nuk e dinë që një fëmijë mund të japë këshilla jashtëzakonisht të mira, edhe në rastet më të vështira.
22. Mos e mbushni kujtesën tuaj me të gjitha herët që jeni ndjerë të fyer; mund të përfundoni duke mos lënë asnjë hapësirë për momentet e mrekullueshme që keni përjetuar.
23. Një njeri, i cili e di se si të përqafojë një tjetër, është një njeri i mirë.
/bota.al/KultPlus.com

Mësuesja

Poezi e shkruar nga Adelina Mamaqi.

Dhe sot ia dëgjoj zërin e ëmbël,
Dhe sot ia vështroj sytë zjarr.
E desha, o miq, me gjithë zemër,
Mësuesen e klasës së parë.

Ajo më mësoi si të shkruaj
Dy emrat: Atdhe e Nënë,
Këshillat, qortimet e saj,
Ç’mbresa n’shpirt m’kanë lënë!

Një tufë me vjollca e lila
Gjithmonë ia vë mbi varr,
N’zemër me zgjohet dëshira
Ta kem at’ pranë Si më parë.

Ajo zë e flet sërish me mua
Ashtu si kur isha fëmijë!
Në gjirin e kohës së shkuar
Kthehem me mall përsëri.

Dhe dorën që dridhej nga pak
Ndër flokë sërish e ndiej,
Endërrimet e mia miturake
Në sytë e saj prapë i gjej.

Ah, ç’gaz kur dëgjoj zën’ e ëmbël,
Këshillat e saj kur kujtoj!
E desha, o miq, me gjithë zemër
Dhe s’mundem askurr’ ta harroj./KultPlus.com

Twitter paditet me 250 milionë dollarë nga një grup i 17 kompanive muzikore

Një grup prej 17 kompanive muzikore në SHBA ka paditur Twitterin, duke pretenduar se platforma ka mundësuar shkeljen e të drejtave të autorit që përfshinin afro 1,700 këngë.

Shoqata Kombëtare e Botuesve të Muzikës (NMPA) po kërkon më shumë se 250 milionë dollarë si dëmshpërblim.

Në një padi të paraqitur në Gjykatën Federale të Qarkut në Nashville, NMPA pretendoi se Twitter “lejon dhe inkurajon shkeljen” për përfitim.

Shoqata thotë se situata nuk është përmirësuar që kur Elon Musk bleu kompaninë.

NMPA, që përfaqëson firmat – duke përfshirë Sony Music Publishing, BMG Rights Management dhe Universal Music Publishing Group – pretendoi se Twitter vazhdon të “mbledhë fitime të mëdha nga disponueshmëria e muzikës së palicencuar pa paguar tarifat e nevojshme të licencimit për të”.

Shoqata shtoi se shkeljet i kanë dhënë Twitterit një “përparësi të padrejtë” ndaj konkurrentëve – duke përfshirë TikTok-un, Facebook-un, Instagram-in, YouTube-n dhe Snapchat-in – të cilët paguajnë për licencat muzikore./alsatm/KultPlus.com