Meta shton masat e mbikëqyrjes nga prindërit për llogaritë e fëmijëve në Facebook, Instagram

Kompania Meta, e cila zotëron Facebook-un dhe Instagram-in, po shton disa masa sigurie që i lejon prindërit të mbikëqyrin dhe kufizojnë qasjen e fëmijëve në platforma. Masat pasojnë kritikat ndaj mediave sociale lidhur me ndikimin e tyre tek shëndeti mendor mes adoleshentëve. Por shumë nga përmirësimet kërkojnë miratimin nga të miturit dhe prindërit e tyre, duke ngritur pikëpyetje se sa efektive janë.

Instagrami tani do t’u dërgojë një njoftim adoleshentëve pasi ata bllokojnë dikë, duke i inkurajuar që t’i lënë prindërit të “mbikëqyrin” llogaritë e tyre. Ideja është që të tërheqin vëmendjen e fëmijëve për të qënë më të hapur ndaj mbikëqyrjes së llogarive nga prindërit e tyre.

Nëse një adoleshent pranon kushtet e medias sociale, sistemi do t’i lejojë prindërit që të vendosin kufij kohorë, të shohin se kush i ndjek ose ndiqet nga fëmija i tyre dhe do t’i lejojë ata të shohin se sa kohë shpenzon fëmija në Instagram. Por sistemi nuk i lejon prindërit që të shohin përmbajtjen e mesazheve.

Kompania Meta thotë se qëllimi është “balancimi i sigurisë dhe autonomisë” tek adoleshentët si dhe nxitja e debatit mes prindëve dhe fëmijëve të tyre.

Nëse fëmija ndiqet në rrjet nga dikush jashtë rrethit të miqve të tij, kjo gjë mund të grejë alarmin se individi është i panjohur për të përtej botës virtuale.

Jim Steyer me firmën “Common Sense Media” thotë se masat janë kamuflazh.

“Asnjë nga këto veçori të reja nuk adreson ndikimin negativ që ka modeli i tyre i biznesit në mirëqenien e fëmijëve, përfshirë shëndetin e tyre mendor. Kemi nevojë për ligje kombëtare të privatësisë për të mbrojtur fëmijët”, tha zoti Steyer përmes një deklarate.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Shëndetin Publik, Vivek Murthy paralajmëroi muajin e kaluar se nuk ka prova të mjaftueshme për të treguar se mediat sociale janë të sigurta për fëmijët dhe adoleshentët dhe u bëri thirrje kompanive të teknologjisë që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të mbrojtur fëmijët.

Zoti Murthy tha për agjencinë e lajmeve “Associated Press” se ndërsa ai e pranon që kompanitë e mediave sociale kanë ndërmarrë disa hapa për t’i bërë platformat e tyre më të sigurta, këto veprime nuk janë të mjaftueshme.

Gjithashtu duke filluar nga e marta, kompania Meta do t’i inkurajojë – por jo t’i detyrojë fëmijët që të mbyllin Facebook-un për disa minuta, sikurse veprom tashmë Instagrami. Pas 20 minutash qasje, përdoruesit adoleshentë do të marrin një njoftim për ta mbyllur aplikacionin, por mund ta injorojnë këshillën duke e mbyllur njoftimin./VOA / KultPlus.com

“Moj Shqypni mos thuj marova”, historia që fshihet pas kësaj kënge

Profesori universitar Blerim Latifi ka treguar se kush është autori i këngës “Moj Shqypni mos thuj marova”, këngë kjo mjaft e popullarizuar në Kosovë.

Përmes një statusi në Facebook, ai ka treguar edhe kontekstin historik të ngjarjes në të cilën lindi kënga dhe një biografi të shkurtër të autorit.

Kjo këngë, sipas tij, këndohet gjithandej dhe pothuajse të gjithë i dinë vargjet e kësaj kënge.

Ky është postimi i plotë i Blerim Latifit:

Kënga “Ah, Shqypni, mos thuj marova”, është njëra prej këngëve më të popullarizuara në Kosovë. Këndohet gjithandej dhe pothuajse të gjithë i dinë vargjet e saj të para:

Ah, Shypni, mos thuj mbarova,
Se djelmt tu edhe jan’ gjall’!
N’kamb asht çu e rrebt Kosova
E ban luftën ball për ball.

Por kështu nuk qëndron puna edhe me njohurinë për autorin e saj. Hil Mosi, student nga Shkodra në Austri, po qëndronte në Stamboll në pranverën e vitit 1910.

Aty mori vesh për kryengritjen e madhe antiosmane që kishte shpërthyer në Kosovë.

I frymëzuar nga lajmet që mbushnin gazetat e kryeqytetit osman, ai hodhi në letër vargjet që më vonë u kthyen në këngën e famshme.

Kjo këngë u këndua edhe në frontet e luftës së UÇK-së.

Hil Mosi ishte një ndër shqiptarët më të kulturuar dhe më të edukuar në gjysmën e parë të Shekullit XX.

Edhe pse e kishte kundërshtar, Zogu ia kishte nevojën diturive të tij, prandaj edhe ia besoi detyrën e ministrit të arsimit.

Në këtë detyrë e gjeti vdekja, në moshën më të mirë, kur ishte vetëm 47 vjeç, në 22 shkurtin e vitit 1933, si sot 90 vjet më parë.

Edhe pas kaq kohësh nuk besoj se shqiptarët, andej dhe këndej kufirit, kanë pasur ministër arsimi më të kulturuar e më të formuar intelektualisht se Hil Mosin.

Mbase me një përjashtim: Ernest Koliqin. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=JyZp9tliijU

Rikthehet në Airbnb Shtëpia e Ëndrrave Barbie, ja si të rezervoni falas

Shtëpia e Barbie në Malibu është rikthyer në Airbnb. Me pamje nga oqeani, ajo mund të merret me qira falas dhe Keni do të jetë mikpritësi.

Për të festuar publikimin e shumëpritur të filmit të ri të Barbie, Ken bëhet mikpritës i Airbnb dhe fton dy mysafirë të qëndrojnë falas në vilën e famshme, e cila është sërish e disponueshme në platformë me një stil të rinovuar “Kendom”, ndërsa kukulla më e famshme në botë do të jetë e zënë me debutimin në film.

Nëse Barbie ka qenë gjithmonë protagoniste, Ken këtë verë restauroi një pjesë të Shtëpisë së ëndrrave të Malibu dhe duke e mobiluar atë me gjithçka që ai pëlqen. Por pavarësisht “ken-ergy”, është gjithmonë roza e famshme tronditëse e Barbie-t ajo që karakterizon shtëpinë.

E vendosur në Malibu, vila ka pamje panoramike të oqeanit, mjedis i përsosur për një sfond të kartolinave të stilit Ken! Personat e interesuar do të mund të dërgojnë një kërkesë rezervimi për dy qëndrime falas nga një natë secili, në datat 21 dhe 22 korrik 2023 për maksimum dy persona.

Brenda Malibu DreamHouse,  të ftuarit do të kenë mundësinë të jetojnë në Technicolor dhe të marrin pjesë në

Një xhiro në garderobën fantastike të Kenit ku mund të gjeni veshjen perfekte të plazhit;

Të vallëzoni në pistë ose në ajër të hapur për të nxjerrë në pah kaubojin në to, ndoshta edhe duke i kënduar kitarës së Kenit në perëndim të diellit; një sfidë “beach off” gjatë së cilës mund të pushoni në diell pranë pishinës së vilës.

Duke marrë në shtëpi një pjesë të Kendomit me grupin e tyre të patinave dhe dërrasave të sërfit Impala verdhë-rozë

Si të rezervoni?

Të gjithë të interesuarit mund të dërgojnë një kërkesë rezervimi për dhomën e Kenit brenda Barbie’s Malibu DreamHouse duke filluar nga 17 korriku në orën 19 në këtë link. / KultPlus.com

Portreti i Klimt që u shit për 100 milionë euro në ankand

Portreti i piktorit austriak, Gustav Klimt, i “Zonjës me Freskuese” u ble për rreth 100 milionë euro në një ankand të mbajtur nga Sotheby’s në Londër, duke u bërë kështu shitja më e shtrenjtë ndonjëherë në një ankand në Evropë.

Pas një beteje dhjetë minutëshe në ankand midis katër klientëve në telefon dhe të pranishëm në dhomë, piktura u rrit në rreth 100 milionë euro, duke vendosur kështu për një vepër arti evropiane një rekord të ri ankandi për Gustav Klimt.

Një vepër mbi temën e preferuar të Gustav Klimt-it, formën femërore, “Gruaja me Freskuese” pasqyron ndikimin e lëvizjes japoneze në artin modern dhe stilin unik të Klimt-it. Piktura, një nga veprat e fundit të artistit vjenez, u përfundua në vitin 1918, vitin kur vdiq Klimt.

Veshja e gruas dhe freskuesja në dorë kanë gjithashtu dizajne të zbukuruara. Porta është gjithashtu plot me elementë dekorativë dhe pasqyron lëvizjen e arteve dhe artizanatit që u shfaq në Angli në shekullin e 19-të./ a2cnn / KultPlus.com

Sako: Përfaqësim mbresëlënës i grupit të Durrësit në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës

Grupi folklorik i Durrësit u ngjit në skenën e Festivalit Folklotik Kombëtar të Gjirokastrës.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako ndau në rrjetet sociale momente nga interpretimi i këtij grupi në festival.

“Përfaqësim mbresëlënës i grupit të Durrësit në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Grupet nga Durrësi shfaqën vlerat më të bukura kulturore e folklorike të trevës sonë përpara artdashësve të shumtë në një atmosferë magjike në kalanë e Gjirokastrës”, tha Sako.

Kryebashkiakja Sako u shpreh se “Festivali Folklorik Kombëtar është një ndër eventet më të rëndësishme kulturore të vendit tonë që shpalos folklorin mbarëkombëtar, trashëgiminë shpirtërore, etnomuzikore e etnografike nga të gjitha trevat”.

Dje në natën e katërt të festivalit u ngjitën në skenë grupet e qarkut të Durrësit, Korçës, Saz’Iso Band dhe Andi Kongo Band.

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës po ndiqet nga një numër i madh spektatorësh, ndërsa rrugët e qytetit të gurtë gjallojnë nga zhurmat e vizitorëve, por edhe të turistëve të huaj./ atsh / KultPlus.com

Pyje tropikale sa sipërfaqja e Zvicrës u zhdukën në 2022-n

Një zonë me pyje tropikale sa sipërfaqja e Zvicrës u zhduk vitin e kaluar, sipas një studimi të ri, të përcjellë nga BBC.

Kjo do të thotë se një premtim politik për t’i dhënë fund shpyllëzimit të bërë në COP26 nga liderët botërorë është shumë jashtë rrugës së mbarë.

Rreth 11 fusha futbolli pyjore humbën çdo minutë në vitin 2022, me Brazilin që dominoi këtë shkatërrim.
Por, një reduktim i madh i humbjes së pyjeve në Indonezi tregon se ndryshimi i këtij trendi është i arritshëm.

Një nga momentet kyçe në takimin e klimës COP26 në vitin 2021, pa mbi 100 liderë botërorë që nënshkruan Deklaratën e Glasgout për pyjet, ku u angazhuan të punojnë kolektivisht për të “ndaluar dhe rikthyer humbjen e pyjeve dhe degradimin e tokës deri në vitin 2030”.

Të dhënat sugjerojnë se shpyllëzimi u rrit në vitin 2022 krahasuar me vitin 2021, gjë që e vë botën jashtë rrugës për të përmbushur objektivin e vitit 2030 për t’i dhënë fund shpyllëzimit.
Pyjet tropikale në Brazil, Republikën Demokratike të Kongos dhe Indonezi thithin sasi të mëdha të gazrave serrë.

Këta pyje janë gjithashtu të rëndësishëm për ruajtjen e biodiversitetit dhe jetesën e miliona njerëzve./atsh / KultPlus.com

Këshillat e Eqrem Çabejit për mësuesit: Mos u merrni me muhabete gjatë punës

Eqrem Çabej ka qenë një arsimtar, gjuhëtar dhe albanolog i shquar shqiptar. Më poshtë ju sjellim letrën që ai ua kishte kushtuar mësuesve, duke ua kujtuar që mësuesia është mision dhe se shembullin duhet ta japin përmes sjelljes së tyre.

Më poshtë letra dhe këshillat e Eqrem Çabejit për mësuesit.

Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut.
Gabimet që mund të bëjnë profesionistët e ndryshëm, mund të korrigjohen me disa shpenzime, por gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos është e pamundur, ta ndreqësh atë. Ju duhet të edukoni përmes sjelljes suaj, përmes shembullit tuaj. Në rast se ju silleni keq, edhe sikur të mbani dhjetëra leksione morali, ose leksione për nevojën e sjelljes së mirë, nxënësit nuk do të përfitojnë asgjë, ata do të ndikohen kryesisht prej sjelljes suaj. Shembulli të bën ta ndjekësh njeriun.

• Kur punoni, punoni seriozisht dhe me ritmin e duhur.
• Mos u merrni me muhabete gjatë punës. Kur të pushoni, pushoni vërtet.
• Mos përzieni punën me pushimin dhe pushimin me punën.
• Ata të cilët gjatë punës bëjnë muhabete dhe gjatë pushimit përpiqen të kryejnë ndonjë punë të mbetur në mes, nuk arrijnë rezultatet e duhura.
• Mos jini kategorikë.
• Gjithçka shikojeni me sy kritik.
• Mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime, kur mendoni ndryshe.
• Mos kini turp të pyesni për gjëra që nuk i keni të qarta
• Gjërat e paqarta nuk mbahen mend.
• Mos bëni asnjë punë shkel e shko.
• Mos filloni të shkruani diçka pa e pasur të qartë në kokën tuaj.
• Mos lini asnjë punë pa e përfunduar plotësisht dhe si duhet.
• Mos merrni dhe mos lejoni t’ju marrin dinjitetin nëpër këmbë.
• Jeta e njeriut është një fragment i planeve, dëshirave dhe ëndrrave të tij, prandaj kushtojuni planeve, dëshirave dhe ëndrrave tuaja më kryesore….

‘Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote’

Kanga e rinisë nga Migjeni

Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës sate që të vlon në gji.
Nxirre gëzimin tand` të shpërthejë me vrull…
Mos e freno kangën! Le të marri udhë.

Thueja kangës, rini, pash syt e tu…
Të rroki, të puthi kanga, të nxisi me dashnu
me zjarrm tand, rini… Dhe të na mbysi dallga
prej ndjenjash të shkumbzueme q`i turbullon kanga.

Rini, thueja kangës dhe qeshu si fëmi
Kumbi i zanit të përplaset për qiellë
dhe të kthejë prap te na, se hyjt ta kanë zili

e na të duem fort si të duem një diell.
Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!
Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote. /KultPlus.com

Mahatma Gandhi: Njerëzit zakonisht bëhen ashtu siç ata besojnë se mund të bëhen

“E vërteta më ka tërhequr mua brenda fushës së politikës; dhe unë pa hezitimin më të vogël mund të them se ata që thonë se religjioni s’ka të bëjë asgjë me politikën, nuk e din se çka nënkupton religjioni.”

“Njerëzit zakonisht bëhen ashtu siç ata besojnë se mund të bëhen. Nëse unë besoj se nuk mund të bëjë diçka, kjo më bënë mua të paaftë për ta bërë atë. Por kur unë të besoj se mundem, atëherë unë e fitoj aftësinë për ta bërë atë, madje edhe nëse në fillim nuk e kam pasur këtë aftësi.”

– Mahatma Gandhi, “The Story of My Experiments With Truth”

/KultPlus.com

Kjo ishte gruaja shqiptare që lundroi me tetë anije, Bubulina shqiptare në kartëmonedha, shtatore e filma

Rajna Kovaçi

Veprimtaria e grave të shquara shqiptare është e lidhur ngushtë me rrethanat në të cilat u krijua, veproi dhe jetoi populli shqiptar. Si rrjedhim është më se i nevojshëm një rrugëtim i shkurtër nëpër të kaluarën për të njohur më thellë jetën dhe veprën e këtyre figurave. Padyshim ndjenja e përkatësisë etnike si dhe robërimi i gjatë krijuan llogjikën e qëndresës së përhershme shqiptare ndaj pushtuesve të ndryshëm. Sic e dimë shtyllë e fuqishme e kësaj qëndrese ka qene gruaja. Ajo e bëri këtë përmes edukimit të gjeneratave, edukim ky që niste që nga ninullat e para që mbajti frymën liridashëse, kultivoi ndjenjën e mosgjunjëzimit e të respektit ndaj vlerave njerëzore e kombëtare. Prandaj në udhën e stërgjatur të historisë meritat e gruas shqiptare zënë një vend shumë të rëndësishëm.

Nëse do të donim të strukturonim një skemë për letërsinë feministe, do të pranonim se Simone De Beauvior e Virginia Wolfe kanë një pararendëse të femnizmit europian dhe romantik e kjo ishtë Elena Gjika. Kjo figurë ka fituar një rëndësi të vecantë për ne shqiptarët nga prejardhja e saj shpallur prej vetë asaj.

Në historinë mijëvjecare të njerëzimt nuk është i madh numri i grave që patën mundësinë të shquhen në sfera të ndryshme të jetës. U njohën kryesisht , emrat e atyre grave që zëvëndësuan apo përkrah burrave të tyre të shquar i mbështetën në cdo hap. Laskarina Bubulina ishte ndryshe, për kohën që jetoj ishte nga gratë më të emancipuara e më trime të kohës. Bota e mbyllur por vepruese dhe krijuese e gruas nisi të gjejë shprehje vetëm nga shekulli XVIII. Në shekujt vijues, falë këmbënguljes individuale të femrave dhe më pas nisi të shpaloset energjia krijuese e gruas. Fundi i shëkullit të XIX shënon inkuadrimin e gruas në të gjitha sferat e jetës dhe, mbi të gjitha në qarqet e vendimarrjes, duke pasuruar kështu trashëgiminë e cmuar të njerëzimit.

Por jashtë rrjedhave historike nuk mbeti as gruaja shqiptare. Duke patur parasysh ulje ngritjet historike të kombit shqiptar, një mori grash meritojnë të njihen më mirë, sepse ishin shtylla të mirëfillta dhe të qëndrushme të familjes dhe të kombit me njemërues të përbashkët: grua shqiptare. Por ashtu si e sheh gruan shqiptare Margaret Jursenal kur shkruan :”Për nënë do të doja një shqiptare!…” Andaj nuk është rastësi që nga gjiri I popullit shqiptar doli Donika Kastrioti, Elena Gjika, Motrat Qirjazi, Dhaskalina Bubulina, Shën Angjelina, dhe më pas, Nëna më e madhe e botës së sotme, Shën Nëna TEREZA.

Qëndresa dhe sakrifica, si formë e rezistencës e grave shqiptare në luftërat për liri dhe pavarësi, sipas burimeve historike paraqitet në vazhdimësi. Ato u rezistuan tendencave të asimilimit atje ku jetonin si dhe të akulturimit, duke mëkuar që nga kohët antike frymën e edukimit human, familjar,patrotizmin si dhe traditën krijuese popullore. Pra siç e dimë ky nuk ishte fushëveprimi I vetëm I gruas shqiptare, ajo u shqua jo vetëm në fushën politike, ushrarako-luftarake, të arsimimit por dhe të kulturës dhe shkencës. Nga bashkësia e grave shqiptare, të cilat qëndruan dhe vepruan në rrethana të vështira të kohëve, dolën personalitete të shquara, veprat e të cilave I tejkaluan kufijtë gjinorë e kombëtar. Ja cfarë thotë Dora d’istria për grate:” Ato dëshmuan se truri nuk ka gjini dhe me veprat e tyre dëshmuan se nuk ka fuqi që mund t’I ndalë synimet e shenjta të një populli për vetëvendosje, emancipim të gjithëanshëm dhe arritje të barazisë gjinore…”
Dhaskalina Bubulina…?

Ajo ka një histori të rrallë, arvanitësja –Kapedania, kjo grua e rrallë, me legjendën më të vecantë e të rrallë mes Greqisë dhe Shqipërisë. Jeta e Bubulinës është një luftë legjendare e jetuar në detet e Greqisë e mesdheut. Shkrimtari francez Michel de Gece përshkruan me vërtetësi betejat historike të Bubulinës të revolucionit grek. Arvanitësja që kishte ardhur në Hidra në këtë ishull sëbashku me shumë emigrant të tjerë shqiptar rretha fër tre shekuj më parë, sic kishun bërë në ishujt e tjerë të Greqisë atje pranë si në Specaj, Psaros, në Peloponez dhe Eubë. Është vërtetë shumë interesant fakti që në muzeun Zhan D’Arka”në Rouen në Francë. Krahas figurave gra luftëtare të vlerësuara nga bota e kulturuar qëndron krenare edhe Bubulina jonë.

Kush ishte Dhaskaina Bubulina?

Dhaskalina lindi në një burg të Stambollit i quajtur “ Kështjella e shtatë kullave”, në mëngjezin e 11 majit të vitit 1771. Nëna e saj Parashqevia, kishte shkuar të takonte burrin e saj Kapiten Stavri Pinotis, që mbahej I burgosur nga turqit. Ai ishte një luftëtar I rezistencës greke, që luftonte për clirimin e Greqisë. Ajo kishte shitur gjithshka që kishte, vetëm që të shkonte e të takonte në burgun e tmerrshëm burrin e saj. Rruga për në Stamboll kishte qenë shumë e gjatë. Më kot kishte kërkuar ta ndihmonin në dyert e Fanarit, por më në fund kishte mundur të siguronte një leje që të shihte bashkëshortin e saj. Fatkeqësisht kur kishte arritur në qelinë e burgut ajo e gjetit ë vdekur burrin e saj. Nga trishtimi I madh gruaja fatkeqe e lindi fëmijën para kohe. Burzino shoku i Pinotis-it ishte i burgosur bashkë me të shoqin të saj, e ndihmoi Parashqevin gjatë lindjes dhe I vuri emrin Dhaskalina, në kujtim të nënës së tij. Më pas bashkë me Dhaskalinën e dobët Shqevo( i thërrisnin shkurt Parashqevisë) u kthye në Hidra, në shtëpinë e saj. Pas disa kohësh Shqevo shkon në Specaj , ku edhe martohet për të dytën herë. Edhe Specaj ishte populluar me arvanitas, por më të butë e më të dashur se ata të Hidrës që ishin edhe rivalët e tyre.
“Në Specaj flisnin arvanitika, pra shqip”, shkruan Michele de Grece nëpërmjet gojës së Bubulinës. “ Në fakt nëna, ati im dhe unë, ishim grekë pa qenë të tillë, Ishim grekë me shpirt e me zemër, me fe dhe me ideale dhe sigurisht grekë, të sakrificës, sepse ne jepnim edhe jetën tonë për Greqinë. Por jo grekë nga gjaku. Unë jam një arvanitase, me një fjalë shqiptare. Që prej kohësh tepër të largëta, raca e jonë ka patur emra tepër të ndryshëm. Vallë a janë pellazgët, ilirjanë. Di që Hidra është shqiptare dhe Specaj gjithashtu…”
Bubulina ka qenë një nga gratë më të shquara ndër pjesëmarrësit që luftuan në revolucjonin grek të vitit 1821. Në moshën 17 Bubulina u martua me kapitenin arbëresh të marinës së Specës-Dhimitër janozës. Në atë kohë Hidrotët dhe Spicotët ishin në luftë me piratët, që e vështirësonin shumë tregëtinë e tyre në detin mesdhe. Më në fund trimat i thyen piratët por në këtë betejë të ashpër mbeti i vrarë bashkëshorti i bubulinës.
Pas disa vjetësh Bubulina u martua përsëri me një kapiten shqipëtar,speciotin Dhimitër Bubulina, nga i cili mori mbiemrin dhe u bë e njohur dhe hyri në historinë e njerëzimit. Nga të dyja martesat pati gjashtë fëmijë, tre djem dhe tre vajza. Lufta që vazhdonte kundër piratëve i mori jetën edhe burrit të dytë, ishte viti 1811. Bubulina vuri në shërbim të luftës kundër turqve të gjithë pasurinë që kishte. Kjo zonjë mori pjesë në shumë beteja, si trime dhe burrëneshë e vërtetë si nëpër betejat në tokë ashtu edhe në det. Vetë ajo i udhëhoqi trimat edhe në Greqinë jugore. Shumë fitore të kryengritësve grek kundër pushtuesve turq kanë lidhje me sgjuarësinë si një stratege e vërtetë dhe trimërinë e saj. Tregojnë që në një betejë shumë të ashpër pasi i armatosi luftëtarët e saj arbëreshë dhe përgatiti anijet. Ajo mori drejtimin e anijes më të madhe, anijet më të vogla i la nën komandën e djemve të saj –janit dhe Gjergjit. Si fillim bllokoi Nafion, zbarkoi në Milos dhe furnizoi me ushqime ushtrinë e këtij qyteti. Më pas Bubulina mori pjesë në rrethimin dhe clirimin e Tripolicës dhe Monemvasit që ndodhet në Peloponez. Por fatkeqësit e ndoqën, në betejën e fundit ju vra i biri –jani. Në të gjitha betejat ku ajo luftoi dolën në pah aftësitë dhe talenti i saj i rrallë si një stratege, trime – një ushtarake e vërtetë., ku spikaste heroizmi dhe guximi shqiptar.
Historianët tregonin, se në Tripolicë ajo hyri e para hipur mbi një kalë, në krye të ushtrisë dhe për cudi ajo cliroi haremet e pashait. Bubulina trime mori pjesë edhe në luftën për clirimin e Naflios, i cili më vonë u caktua edhe kryeqyteti i përkohshëm i Greqisë. Kapedanen e tokës dhe të deteve e gjeje kudo mes luftëtarëve të saj. Bubulina shkoi kudo, e gjeje mes luftëtarëve si me Kollokotronin.
Shkrimtari i madh rus Gogol-i dhe shumë historianë e përshkruanin Bubulinën si një sokoleshë të vërtetë, truplidhur, të hijshme, të fortë si lisi, guximtare, e pajisur me një mencuri natyrale, stratege e vërtetë. Një historjan grek, Filimoni jepte këtë përcaktim për Bubulinën:” frikacaku përpara saj turpërohej, ndërsa trimi tërhiqej…” Kjo figurë e spikatur historike u quajt “heroinë” nga poetët dhe shkrimtarët e asaj kohe. Këtë grua trimëreshë e gjen të përshkruar me gjithë madhështinë e saj tek poeti arbëresh Zef Serembe, Zhyl Verni, tek historiani grek Kosta Biri, Michael Kokkinaris etj. Ajo tashmë është një legjendë nga gojëdhanat, poezia popullore, ka hyrë në pikturë, skulpturë, mbetet e tillë si në Greqi dhe Shqipëri, tek arbëreshët e Greqisë.
Kështu i këndonte Naim Frashëri asaj dhe trimit arbëresh Kanarit:” … Bubulina dhe Kanari shqiptar dhe bij shqiptari…”

Sipas Elena Gjikës, kur shkoi në kryeqytetine Perandorisë Osmane , u pranua në organizatën e shoqërisë së miqve(Heteris), e cila nën shembullin e revolucionit francez, i pranonte me dëshirë gratë në lëvizjen shoqërore revolucionare.

Sa e ashpër dhe e rëmbyer ishte në beteja kundër armiqve, aq e urtë dhe me shpirt humanist ndaj njerzve të pafajshëm. Por në majin e vitit 1825 vdiq Bubulina, e vranë në Specia tradhëtisht, jo në fushëbetejë. Një nga historianët e shumtë grek ,Diege Seria, shkruante për humbjen e Bubulinës:” Duart e një vrasësi e derdhën atë gjak, që gjatë betejave , hekuri i armikut e kishte “respektuar” për tu kushtur lirisë…” Ndërsa Michael Kokinaris thotë kështu për Bubulinën:” Ajo e filloj revolucionin dhe ishte e vetmja grua në histori që ju dha titulli i madh Gruaja e Parë Admirale nga Perandori rus…” Kurse italiani Periviane Xekini theksonte:” Bubulina ishte aq guximtare, sa në det ashtu edhe në tokë, i njihte rreziqet dhe vetëm i përbuzte, ajo luftonte vetëm për lirinë. Edhe pse kanë kaluar shekuj, që në kohën kur stërgjyshërit e saj kishin lënë Arbërinë, por edhe Bubulina nuk e harroi atdheun e saj të dashur, Shqipërinë. Historianët dhe biografët e saj thonë që Bubulina u jepte urdhëra detarëve të saj trima nëpër beteja vetëm në gjuhën shqipe. Ishte kjo gjuhë që i ngriti në këmbë fshatatrët arbëresh të Buas, të Spatës, të Lalës, të Laskës, Lopësit, Muzaqit. Ajo luftoi kundër armikut të përbashkët të Gadishullit Ballkanik. Historiani Hijasin Hekardi në veprën e tij: ” Historia dhe Përshkrimi i Shqipërisë së Sipërme”, pasi vë në dukje se, ”historia jep provat e shkëlqyera të energjisë, zgjuarësisë dhe veprimtarisë të shqiptarëve”theksonte se:” Shqipëria i ka dhënë historisë personalitete të ndritura, njëra prej tyre ka qenë edhe trimëresha Bubulina…”
Për Bubulinën janë ngritur shtatore, figura e saj është përdorë në kartmonedhat greke, sikurse janë realizuar edhe dy filma, i fundit në vitin 2005./KultPlus.com

‘Asgjë mos rrit, asgjë mos krijo me dhunë’

Poezi nga Ali Podrimja

Diellin ta shikosh nga hija e plepit
Dhe ta matësh
Kur hijen tënde s’mund ta kapërcesh më
Qenit ruaju se të kafshon ajo kafshë shtëpiake
Besnik i madh i Njeriut
Nga kafshimi i gjarprit mund të shpëtosh
Macen nxirre nga fjalori yt gjithsesi
Ajo s’është simbol i kohës sate as i artit tënd

(Unë gjthmonë ia kam frikën edhe Lules edhe
Femrës)

Kur të flasësh fol të dëgjohesh në bjeshkë
të dëgjohesh në shkretëtirë
Për të dytën herë mbetesh pa kokë ose kush
nuk të beson:
Sa më pak shikoje veten në pasqyrë
Dhe kurrë mos mendo: I pari
Ai që ka ekzistuar para teje jam UNË
Ai që do të kujdeset për ditët e mia të mbrama
Për ëndrrat e mia e qetësinë je Ti
Me pleh kurrë mos u pajto: Nxirre në gjysmë
të natës
në pikë të vapës
Asgjë mos rrit asgjë mos krijo me dhunë
Rast i humbur nuk je edhe pse pylli
dendësohet
Mund ta kalosh natën në Kullën time të vetmuar
në botë
Dhe si të duash Ti Lumi
Kryesorja: jetën ta jetosh pa e vrarë
Dhe pa të mbetur në këmbë ndonjë therrë
e saj e zezë
Bashkudhëtari im
Ta provojmë vetveten derisa kemi frymë./KultPlus.com

Ujëvara e Bogovës, ndër atraksionet më të vizituara nga turistët

Ujëvara e Bogovës, monument natyre në Parkun Kombëtar të Tomorit, gjithmonë e më shumë po renditet si një ndër atraksionet më të vizituara, nga turistët vendas dhe të huaj.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndau momente nga vizita e turistëve të huaj në këtë ujëvarë gjatë fundjavës që lamë.

“Në këto ditë të nxehta vere Parku Kombëtar “Mali i Tomorit” ofron një shumëllojshmëri mundësish për t’u vizituar dhe pse jo për t’u freskuar”, thekson AKZM.

Duhen afërsisht 45 minuta nga Berati për të zbritur në ujëvarë e në burimin natyror të ujëvarës. Ndërkohë, rrugës mund të ndaloni në disa fshatra shumë piktoreskë që shtrihen fare afër rrugës. Fshatrat e këtyre zonave janë shumë të njohur për kultivimin e frutave dhe të rrushit.

Në anë të Osumit mund të shijoni një panoramë që nuk do ta harroni lehtë.

Ujëvara e Bogovës është e lartë 20 metra bie në një pishinë të kaltër e të thellë 12 metra. Ujërat e kristalta, zhurma tunduese e ujëvarës që bie pareshtur nga shpatet, e gjelbërimi që e rrethon, si dhe prania e akullit e bëjnë atë të jashtëzakonshme dhe ndjellëse për turistët./ATSH/KultPlus.com

Presidentja Osmani uron festën e Kurban Bajramit: Të kujtojmë frymën e unitetit dhe harmonisë që simbolizon kjo festë

Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka uruar festën e Kurban Bajramit të gjithë besimtarëve të besimit musliman, duke bërë thirrje për unitet dhe harmoni, shkruan KultPlus.

Presidentja Osmani përmes një postimi në faebook ka thënë se Festa e Bajramit është edhe mundësi reflektimi mb solidaritetin, mundësi për t’i çmuar lidhjet familjare dhe për t’u dalë në ndihmë atyre që kanë nevojë.

“Kurban Bajrami është mundësi reflektimi mbi solidaritetin, sakrificën e tolerancën. Është mundësi për t’i çmuar lidhjet tona familjare dhe miqësore, si dhe për të zgjatur dorën e mirësisë ndaj atyre në nevojë.

Derisa sot mblidhemi së bashku për të festuar, le të kujtojmë frymën e unitetit dhe harmonisë që simbolizon kjo festë. Me shpresën që kjo festë të sjellë te ju, familjet dhe të afërmit tuaj të mira e begati, ju uroj edhe një herë me fat Kurban Bajramin”, thuhet në urimin e Presidentes./KultPlus.com

Vijojnë netët plot ngjyra të tabanit në Gjirokastër (FOTO)

Kryeministri Edi Rama ka ndarë fotoalbumin e mbrëmjes së tretë të festivalit Folklorik Kombëtar, që po zhvillohet në Gjirokastër. Në skenë e ndërtuar te Kalaja e Gjirokastrës, mbrëmjen e tretë u ngjitën grupe nga Dibra, Tirana dhe Kosova.

“Vijojnë netët plot ngjyra të tabanit në Gjirokastër”, theson Rama në rrjetet sociale.

“Folklori dibran, motivet nga Kosova e Tirana përmbyllën natën e tretë të Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës”, vijon deklarata e Ramës.

Festivali Folklorik Kombëtar që po zhvillohet në Kalanë e Gjirokastrës ka nisur të shtunën dhe vijon deri në datë 2 korrik. Festivali është kthyer në një atraksion turistik, i cili promovon foklorin dhe traditën e vendit tonë. Në festival marrin pjesë grupe nga të 12 qarqet e vendit, por edhe nga vendet fqinje.

Historiku i Festivalit Folklorik të Gjirokastrës

Festivali i parë Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua në vitin 1968 në Kalanë e Gjirokastrës. Festivali, si një nga evenimentet më të rëndësishme kulturore, bëri bashkë grupet artistike në çdo rreth duke i ftuar ata të performojnë së bashku në skenë çdo pesë vjet, përkatësisht 1973, 1978, 1983, 1988, në Kalanë e Gjirokastrës, ku janë zhvilluar rregullisht FFK-të.

Në festivalin e vitit 1973 në fazën përfundimtare, morën pjesë 1370 vetë. Në festivalin e vitit 1978, në fazën përzgjedhëse u aktivizuan rreth 53 mijë pjesëmarrës, ndërkohë që vetëm 1560 interpretuan gjatë ditëve të festivalit.

Në vitin 1995, FFK u zhvillua në kalanë e qytetit të Beratit. Në muajin shtator 2000 FFK rikthehet përsëri në qytetin e Gjirokastrës. Ky festival ka qenë i konceptuar në formën e një gare folklorike, ku deri në festivalin e vitit 1988, janë dhënë çmime për grupet më të mira, ndërkohë që në edicionet e fundit të tij çmimet do të ndaheshin për bartësit dhe interpretuesit e folklorit.

FFK 2004 u zhvillua në Gjirokastër nga data 29 shtator, deri në 5 tetor. FFK 2009 u zhvillua në Gjirokastër në datës 24 deri në 29 shtator 2009. Në vitin 2015 u zhvillua edicioni i nëntë.

Pjesëmarrja në Festival e grupeve folklorike nga Kosova, shqiptarët e Maqedonisë dhe Malit të Zi, arbëreshëve, arvanitasit, diasporës së largët si dhe të folklorit çam, etj, shërben për të zgjeruar jo vetëm hapësirat gjeografike të folklorit shqiptar, por sjell edhe vlera të papërsëritshme në interpretimin dhe ekzekutimin e trashëgimisë kulturore shpirtërore tradicionale shqiptare duke e kthyer këtë veprimtari të rëndësishme në një festë të folklorit shqiptar./atsh/KultPlus.com

Meta do të paguajë për shërbimet e realitetit virtual

Pronari i Facebook, Meta, po lançon një shërbim abonimi të realitetit virtual (VR) ndërsa përpiqet ta bëjë atë pjesë të biznesit të saj fitimprurës. “Meta” thotë se përdoruesit me pagesë do të kenë akses në dy lojëra të reja në muaj, shkruan “ BBC ”.

Për tre muajt e parë të vitit, kompania mëmë e Instagram postoi një humbje prej 4 miliardë dollarësh në njësinë e saj VR.

Meta përballet me konkurrencën nga firmat duke përfshirë gjigantin e teknologjisë Apple, i cili zbuloi syzet e shumëpritura të realitetit virtual këtë muaj.

Të hënën, kompania tha se shërbimi Meta Quest+, i cili kushton 7,99 dollarë në muaj ose 59,99 dollarë për një abonim vjetor, është i pajtueshëm me syzet e tij Quest 2, Quest Pro dhe Quest 3 të ardhshëm.

Në vitin 2021, CEO i Meta Mark Zuckerberg zbuloi planet për të ndërtuar një “metaverse” – një botë në internet ku njerëzit mund të luajnë lojëra, të punojnë dhe të ndërveprojnë në një mjedis virtual, shpesh duke përdorur kufje VR.

“Me kalimin e kohës, shpresoj që ne të shihemi si një kompani metaverse dhe dua të ankoroj punën dhe identitetin tonë në atë që po ndërtojmë”, tha Zuckerberg.

Shkurtin e kaluar, Meta zbuloi disa projekte ambicioze të AI, me Zuckerberg që e përshkroi AI si “çelësin për zhbllokimin e metaverses”.

Kompania raportoi një fitim prej 5.7 miliardë dollarësh për tre muajt e parë të këtij viti, duke mposhtur pritshmëritë e tregut.

Megjithatë, divizioni i saj Reality Labs, i cili prodhon syze VR dhe produkte të tjera, raportoi një humbje neto prej 4 miliardë dollarësh për periudhën./alsatm/KultPlus.com

Para se të dashuroja…

Poezi e shkruar nga Pablo Neruda.

Para se të dashuroja, e dashur,
Asgjë s’ishte e imja:
endesha rrugëve, midis sendeve
asgjë s’kishte vlerë, as emër nuk kishte:
vetëm ajër që priste ishte bota.
Unë pashë sallone në ngjyrë hiri,
galeri të banuara prej hënës,
hangare të pashpirt në ndarje,
pyetje që ngulnin këmbë në rërë.
Gjithçka ishte bosh, e vdekur, e heshtur,
rrëzuar, braktisur, lëshuar;
gjithçka ishte e huaj, tjetërsim,
e të tjerëve ishte dhe e askujt, –
gjersa bukuria jote dhe varfëria
e mbushën vjeshtën me dhurata./KultPlus.com

‘Të lutem, ndiqi ëndrrat! Pavarësisht idealeve të tua, ti mund të bëhesh ai që dëshiron të bëhesh’

Thënie mbi jetën nga mbreti i popit Michael Jackson:

“Përpara se të më gjykosh, përpiqu fort të më duash”.

“Të lutem, ndiqi ëndrrat! Pavarësisht idealeve të tua, ti mund të bëhesh ai që dëshiron të bëhesh”.

“Unë mund ta pranoj dështimin. Secili nga ne dështon në diçka përgjatë jetës së vet, por unë nuk mund ta pranoj dot të mos e provoj sërish”.

“Gjithmonë beso tek vetja. Pavarësisht nëse të tjerët rreth teje po tregohen negativë, apo po të përçojnë energji negative, mos i merr parasysh mendimet e tyre, sepse ti do të bëhesh, ashtu siç ti beson se do të bëhesh”.

“T’i japësh dikujt një pjesë të zemrës tënde, është shumë herë më me vlerë se t’i japësh gjithë pasurinë e botës”.

“Nëse ti nuk beson tek vetja jote, asgjë e mirë nuk do të të ndodhë në jetë. Nëse ti nuk beson tek vetja, kush tjetër do të të besojë ty?”

“Le të ëndërrojmë për një të nesërme ku do të dashurojmë me shpirt, dhe do ta njohim dashurinë si të vërtetën e vetme që buron nga zemra për çdo krijesë”.

“Është më mirë të dështosh duke qenë vetvetja, se sa të korrësh sukses duke imituar të tjerët”.

“Dikush dikur tha “Shpirti është ai që ka rëndësi””.

“Jini modestë, besoni tek vetja juaj dhe mbusheni zemrën tuaj me dashurinë e gjithë botës”

– Michael Jakson

‘Në Korçë ajri i kulluet të prehte hundët dhe të freskonte mushknijtë’

“Nder të gjitha qytetet e Shqipnís – mbas mendimit tem – Korça âsht ajo kû frymzimi i qytenís okcidentale paraqitet mâ haptas e jo krejt si nji bimë ekzotike.

Në Korçë ké fort pak rrugaca (impas) e rrugat, edhè në mos kjoshin gjithkund të drejta e të shtrueme, janë të krahazueshme me ndërtesa, shêji qi mbrendë nuk zotnon aq fort mosbesimi ndërmjet bashkëqytetasve, prà shêji që aty ka qytetní; pse qytetnija, së pari, bazohet n’socjabilitet të qytetasve.

Mbasandej në Korçë gjen edhè sod asish që interesohen për të mirë të pergjithtë, kush tue ngrefë me mjete të veta nji shkollë, a nji kishë, a ndonji smuetore, a ndoj bibliotekë qytetse etj.

Kà edhè shumë asish që kanë krye msime të nalta jashta Shqipnijet, posë se kà shumë asì tjerësh që për punë kanë kërkue botën mbarë e s’kanë ndêjë mshilë në vend të vet si zogu i pulës në gzhojë të voes.

E mbasandaj: e po kû shef njeti në Shqipní arët e livadhet pa shtigje e gardhiqe, përpos se ndër rrethina të Korçës? Kjo âsht – mos tjetër – përshtypja që mue m’ká bâ qyteti i Korçës”.

Gjergj Fishta, Nji udhëtim në Turkí të ré, në “Hylli i Dritës”, 1931-1932.

Dom Lazër Shantoja për Korçën:

“Korça ishte qytet! Tekembramja nji qytet në Shqipnì! Shetitore të gjana, rruga e rrugica të drejta, shtëpija të bukura si vila, pomendore e lulishta.

Nji pastërti të pakundshoqen në tanë Shqipnìn. Tepsì. Ajri i kulluet të prehte hundët dhe të freskonte mushknijtë.

Më dukej se ishem në nji qytet t’Engadinës. Malet përreth cikalue me borë më kujtojshin pikturat e Segantinit. U enthuzjazmova për Korçë. Aty bâna edhe nji zbulim t’interesantshëm. Shkova nji ditë me pamun Motrat Stigmatine. Më përsillte nji çupkë korçare.

Më pyet: “A i keni motra?” “Jo, – i përgjegji, – nuk i kam motra, por kështu i quejmë na.” Më pyet prapë çupa e vogël, çiçeronka e ime: “Po prej nga jeni ju?” I përgjigjem: “Prej Shkodre!” E ajo me serjozitetin mâ të madh: “Eh! Prandaj nuk dini me folë shqip…!” Si mos me qeshë? Lotët me duelën prej gazit.

Kam bâmun disa vizita në Korçë. Ndër shtëpija kristjane e myslimane. Kam kaluemun aty disa orë të paharrueshme. Pritje e përzemërt, e qeshun, bisedime t’interesantshme, atmosferë elegance e qytetnimi.

Djelm të rì qi kanë frekuentue universitete, zonjusha qi kanë krye konservatoriume të flasin mbi çashtjet mâ djegse të ditës, mbi problemet mâ t’interesantshme të jetës. Me nji zonjushë korçare nuk ke frikë se bân nji gaffe me folun, bje fjala, mbi kromatizmin e Debussy-it apo mbi librin e fundit të Daniel Rops-it.

Janë “à la page”. Korça m’âsht pëlqye tepër.
Kam dalun prej Korçe tue bluemun nëpër mend lamshin e nji përralle të Hoffmann-it. Ai shkruen për nji shpirt qi rrinte ndryemun në nji vjolinë.

Korçë, vjolinë e bukur e Jugës, cili âsht shpirti i yt…?
Tiranë-Korçë, në ‘Tomori”, 29 mars 1941. / KultPlus.com

‘Një natë’

Poezi nga Constantine P. Cavafy

Dhoma ishte e varfër, e ndyrë,
fshehur mbi një tavernë të përdalë.
Nga dritarja dukej sokaku,
i ngushtë, i pisët. Nga poshtë
vinin zërat e ca punëtorëve
që luanin letra dhe gëzonin.
Atje, në atë shtrat të vrazhdë, të thjeshtë
kisha trupin e erosit, kisha buzët
epshare, bojëshegë të dehashpirtit –
shegë me një të tillë dehje, sa edhe tani
që shkruaj, pas kaq e kaq vitesh
në këtë shtëpi të vetmuar, dehem përsëri. / KultPlus.com

‘Kjo dashnia kjoft mallkue, që s’po m’len me ndej rehat’ (VIDEO)

Liliana Çavolli është një ndër këngëtaret e para shqiptare, e cila njihet për interpretimin këngës së lehtë qytetare.

Lili, siç e njihnin miqtë kishte punuar edhe në redaksinë e muzikës në Radio Prishtinë, ndërsa pa luftës ajo ka qenë autore dhe moderatore e emisionin “Evergreen” në Radio Kosova.

Lililana Çavolli ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës shqipe.

Sonte KultPlus ju sjell “Kjo dashnia kjoft mallku”, ndër këngët më të njohura e më të dëgjuara të Çavollit.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.

Kjo dashnia kjoft mallkue
Qi s’po m’len me ndej rehat.
Ty moj lule pa t’i shkrue,
S’paku dy tri fjalë.
Ty moj lule pa t’i shkrue,
S’paku dy tri fjalë.

Oh, malli yt s’më len derman,
aman!
Oh, malli yt s’më len derman,
aman!

Të kisha krah un’ i mjeri
Të vijsha në prehnin tand!
Të kisha krah un’ i mjeri
Të vijsha në prehnin tand!

Ty moj lule njiherë t’zgjodha
E në zemër të mbaj ndry’.
Ndonse larg prej teje ndodha
Mendjen e kam n’ty!
Ndonse larg prej teje ndodha
Mendjen e kam n’ty!

Oh t’shkretën zemër
Ç’ma ke therrë, aman!
Oh t’shkretën zemër
Ç’ma ke therrë, aman!

Drue po vdes i mjeri,
Pa të marr un’ erë!
Drue po vdes i mjeri,
Pa të marr un’ erë!

Sytë prej lot’ve rrinë pa u terun
Loti i jem’ n’ty pikoftë!
Çka t’i tham kësaj zemre t’therrun
Kurr hallall mos t’kjoftë!

Oh n’andërr m’vjen
E më trazon, aman!
Oh n’andërr m’vjen
E më trazon, aman!
Zemrën teme të ngratën
N’vaj përher m’a çon!
Zemrën teme të ngratën
N’vaj përher m’a çon!/ KultPlus.com

Arkeologët e Pompeit zbulojnë pikturën e ‘picës’

Në qytetin e lashtë romak të Pompeit, arkeologët kanë zbuluar një pikturë që përshkruan atë që mund të jetë pararendësi i picës italiane.

Buka e sheshtë e përshkruar në afreskun dymijë vjeçar “mund të jetë një paraardhës i largët i pjatës moderne”, tha ministria e kulturës e Italisë.

Por i mungojnë përbërësit klasikë për t’u konsideruar teknikisht si pica, shkruan BBC, transmeton Klan Kosova.

Afresku u gjet në sallën e një shtëpie pranë një furre buke gjatë gërmimeve të fundit në vend në Italinë jugore.

Zbulimi u bë këtë vit gjatë gërmimeve të reja të Regio IX në qendër të Pompeit, një nga nëntë lagjet ku ndodhet vendi antik.

Ndërtesa u gërmua pjesërisht në shekullin e 19-të përpara se gërmimi të rifillonte në janar të këtij viti – gati 2000 vjet pas shpërthimit vullkanik që përfshiu qytetin.

Arkeologët në parkun e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s thonë se afresku i sapozbuluar që përshkruan bukën e sheshtë, i pikturuar pranë një gote vere, mund të jetë ngrënë me fruta të tilla si shegë ose hurma.

Drejtori i Pompeit, Gabriel Zuchtriegel tha se tregon kontrastin midis një “vakti të thjeshtë” dhe “luksit të tabakave prej argjendi”.

“Si mund të mos mendojmë, në këtë drejtim, për picën, gjithashtu e lindur si një pjatë ‘e varfër’ në Italinë jugore, e cila tani ka pushtuar botën dhe shërbehet edhe në restorante me yje”, tha ai.

Skeletet e tre personave u gjetën gjithashtu pranë furrës në zonat e punës të shtëpisë javët e fundit, shtoi një deklaratë e ministrisë së kulturës.

Shpërthimi i malit Vezuvius në vitin 79 pas Krishtit e varrosi Pompein në hi, duke ngrirë qytetin dhe banorët e tij në kohë. Vendi ka qenë një burim i pasur për arkeologët që nga zbulimi i tij në shekullin e 16-të.

Vendi është vetëm rreth 23 kilometra  nga qyteti i Napolit – shtëpia moderne e picës italiane të mbrojtur nga UNESCO./atsh/KultPlus.com

‘Këmbëngulja do t’ju ndihmojë të arrini gjithçka, qoftë ajo diçka e drejtë apo e gabuar, e mirë apo e keqe’

Vetë emri i manjatit të naftës John Rockefeller është sinonim i pasurisë dhe suksesit. Ai e bëri pasurinë e tij duke mos filluar me asgjë; më vonë, ai do të fillonte të dhuronte vazhdimisht një pjesë të pasurisë së tij për bamirësi.

Kjo është lista me 17 parime për jetën nga John Rockefeller, të cilat e ndihmuan atë të arrijë lartësi të tilla suksesi – dhe pasurimi njerëzor.

Gjithmonë synoni ta shndërroni çdo katastrofë në një mundësi.

Mos kini frikë nga shpenzimet e mëdha, por nga të ardhurat e vogla.

Personi që punon gjatë gjithë ditës nuk ka kohë për të fituar para.

Mirëqenia juaj varet nga vendimet tuaja.

Nëse qëllimi juaj i vetëm është të bëheni të pasur, nuk do ta arrini kurrë.

Një miqësi e themeluar në biznes është më e mirë se një biznes i themeluar në miqësi.

A e dini të vetmen gjë që më jep kënaqësi? Të është që dividentët duke hyrë.

Përveç bërjes së gjësë së duhur, gjëja më e rëndësishme është t’ua bësh të ditur njerëzve se po bën gjënë e duhur.

Unë preferoj të punësoj një njeri me entuziazëm sesa një njeri që di gjithçka.

Menaxhimi i mirë nuk është tjetër vetëm aftësia për t’u treguar punonjësve mesatarë se si të bëjnë punën e njerëzve shumë më lart se ata.

Këmbëngulja do t’ju ndihmojë të arrini gjithçka, qoftë ajo diçka e drejtë apo e gabuar, e mirë apo e keqe.

Askush nuk e di se kush do të jetë në këtë jetë, por është gjithmonë e rëndësishme të mbani mend se keni lindur për diçka të veçantë.

Mos ki frikë të heqësh dorë nga e mira që të shkosh për shumë më të mirën.

Ju mund të jepni llogari për të gjitha milionat që keni fituar, përveç atij të parit.

Krijoni një reputacion i cili më vonë do të funksionojë në favorin tuaj.

Aftësia për t’u marrë me njerëzit është një produkt po aq i blershëm sa sheqeri ose kafeja.

Dhe unë do të paguaj më shumë për këtë aftësi.

Nuk mendoj se ka ndonjë cilësi tjetër kaq thelbësore për suksesin e çfarëdo lloji, sesa cilësia e këmbënguljes. Ajo kapërcen pothuajse gjithçka, madje edhe natyrën. / KultPlus.com

Nolan për ‘Oppenheimer’: Disa i ka lënë absolutisht të dërrmuar

Regjisori Christopher Nolan ka folur për përshtypjet e para që ka marë nga njerëzit për filmin e tij më të ri, “Oppenheimer”.

Në këtë film, aktori Cillian Murphy e luan rolin e shkencëtarit J. Robert Oppenheimer, i cili njihet si “babai i bombës atomike” për rolin e tij në Projektin e Manhattanit.

“Disa njerëz e lënë filmin absolutisht të dërrmuar. Ata as që mund të flasin. Ka një element të frikës që ndodhet në histori dhe në themelet e saj”, ka thënë Nolani.

“Mirëpo dashuria e personazheve, dashuria e lidhjeve, është po aq e fortë sa çdo gjë që kam  bërë ndonjëherë”.

Filmi do të dalë për publikun e gjerë më 21 korrik të këtij viti./klankosova/KultPlus.com

Me simbolikën e tre pikturave, tre koncerteve dhe tre formave narrative, përmbyllet edicioni i parë i festivalit ‘Shadows’

Vjollca Duraku
Foto: Arlinda Hajdaraj

Në Galerinë e Fakultetit të Arteve, është mbajtur koncerti përmbyllës i edicionit të parë të Festivalit “Shadows”-A Contemporary Art Festival in Kosovo, shkruan KultPlus.

Ky festival i artit kontemproan, i cili rrallherë është paraqitur para publikut në Kosovë, përveç koncertit, në të cilin interpretohej me piano dhe violinë, për simbolikë të paraqitjes ka pasur numrin tre, ku mbrëmë janë paraqitur tre piktura, tre koncerte, përmes tre pjesëve të formës narrative në instalacionin disa minutësh, të kompozuar nga Deniz Çaglarcan.

Në një sallë të bardhë e cila, në disa sekonda mori pamje kretësisht tjetër nga ndalja e dritave, duke e bërë një atmoferë me elegante që i ngjasonte natës, me reflektorë ngjyrë të kaltër, filloi edhe koncerti i tretë i këtij festivali.

Pikën e parë performuese, para publikut e dhuruan Adea Badivuku dhe Ceyla Ganiyeva me veprën e Ulvi Cemal Erkin, Lullaby&Improvisation. I mahnitshëm ishte komunikimi mes dyja bruneve sy-gjelbra.

Më shumë se vetë tingujt fliste edhe aura e tyre. Pra përveq pjesëve interpretuese, ato krijonin harmoni në interpretimin e tyre përmes  komunikimit, ku dakordimin për t’u përshtatur mes vete e zhvillonin përmes syve të tyre shumë të bukur që për koicidencë qëlluan të jenë të gjelbër, ngjyrë kjo e cila nën ndriqimin e reflektorëve vezullonte dhe arrinte të kanalizonte një energji të pastër universale. Ky informacion që përçohej edhe përmes dhe ngjyrës së gjelbër të fustanit të pianistes Badivuku, thehej dhe merrte kuptim në të zezën e fustanit të Ganiyeva-s.

Pikën e dytë të perfomancës Kara Krayev: Concerto for Violin&Piano e dhanë violinstja Ceyla Ganiyeva dhe pianisti Andi Duraku. Kjo pikë perfomuese u zhvillua në fillim nga një ritëm konstant i violinës, tonin e së cilës e jepte pianoja.

Një qetësi disa sekondëshe nga të dyja instrumentet në mes të koncertit, sikur e ndali hovin dhe ritmin e tij, duke dashur të depërtojë më thellë te audiena, duke dashur ti jepte kuptim, rëndësi dhe për të mbërthyer publikun përsëri fuqishëm.

Pothuajse fundi i performancës pati tinguj të shpeshtë e të shkurtër të pianos, duke krijuar tinguj më dinamikë. Performancës iu shtuan edhe tingujt e violinës e cila po ashtu hove-hove i përshtatej tingujve dinamikë të pianos, e që herë-herë i linin radhë njëra tjetrës për t’ia thënë valles.

Skena, në pikën e tretë të interpretimit u takoi motrave Badivuku, Adeas me piano dhe Meiremes me violinë, me veprën e John Cage: ‘Six Melodies’ for Violin and Piano l-ll.

 Joào Pedro Oliveira: La Mer Èmeraude- Stero Acousmatic ishte pika e katërt interpretuese që me altoparlantë iu dha publikut me tinguj mjaft të veçantë, e që e ndrruan edhe zhanrin e tingujve të dëgjuar deri pak më parë. Në këtë pikë lehtësisht mund të shiheshin edhe tre pikturat e ekspozuara në skenë të piktorit Güneş Çaģlarcan.

Ndërsa interpretimi me violë i Deniz Çaģlarcan, ishte një përshtatje nga tinguj të violës dhe ata elektronikë që ishin në sfond nga altoparlantët. Pas këtyre pikave interpretuese pjesëmarrësit patën mundësi që të ndiqnin një instalacion 12 minutësh i cili u shfaq në tre anët e mureve të mëdha të Galerisë së Fakultetit të Arteve.

Për këtë instalacion foli edhe kompozitori Deniz Çaģlarcan, i cili në një prononcim për KultPlus ka thënë se ka pasur dëshirë që detajet e njerëzve të vegjël, të cilat vëllai i tij Güneş Çaģlarcan, i ka paraqitur në pikturat e tij të ekspozuara, t’i zmadhojë dhe t’i paraqesë në tre muret e sallës.

“Kam menduar që ideja dhe qëllimi që është paraqitur dhe konceptuar në pikturat e Guneshit ka një lidhje shumë të afërt me idenë që unë e kam paraqitur në video dhe kështu ka rrjedhur edhe kompozimi i tërë instalacionit. Kështuqë më në fund kemi dalur me 12 minuta në një udhëtim të instalacionit audio-vizual, edhe pse ndonjëherë të gjithë dalim në një rrugë të përbashkët, në një farë mënyre secili e gjen rrugën e vet nga përfundimi siq është edhe në storien ‘Shadows’ e cila është prezantuar në festivalin tonë”, ka thënë drejtori artistik i festivalit Deniz Çaģlarcan.

Ai më tutje tha se ndihej shumë mirë që po merrte pjesë në këtë festival, dhe se të lumtur e bënte fakti që njerëzit e kuptonin këtë lloj arti para se ai tu tregonte se çfarë ishte munduar të sillte para tyre, përmes këtij arti i cili në përgjithësi është vështirë për t’u përthithur nga audienca.

“Më vjen shumë mirë që jam pjesë e këtij festivali. Në përgjithësi është shumë e vështirë që muzika kontemporane të përthithet dhe të pëlqehet nga njerëzit. Por audienca që ka ardhur në koncertet tona në Kosovvë, të gjithë kanë qenë të dashuruar në artin dhe muzikën. Dhe unë, pa pasur nevojën të tregoj se si ka ndodhur instalacioni, njerëzit e kanë kuptuar para se unë të tregoj storjen se si është bërë”, ka thënë Çaģlarcan.

Ndërsa violinistja Meirem Badivuku, e cila po merrte pjesë për herë të parë në festivalin  ‘Shadows’ tha se për të ishte nje eksperiencë shumë e mirë, sidomos me faktin që pjesë e performancës së saj ishte edhe e motra Adea Badivuku.

“Ushtime kanë shkuar shumë mirë. Kemi pasur një kohë të gjatë, prej tre muajsh për tu përgatitur për koncert. Po ndihem shumë krenare që kam bashkëpunuar me motrën në këtë festival”, ka thënë Badivuku.

Kurse Adea Badivuku drejtoreshë e festivalit, në një prononcim për KultPlus, festivalin në përgjithësi e ka quajtur të sukseshëm pasi ka pasur interesim të jashtëzakonshëm për një program kontemporan, i cili deri tash është dhënë rrallë para audiencës në Kosovë.

“Nata e sontme ka qenë shumë e sukseshme. Festivali në përgjithësi në secilën natë koncertale audienca e ka pritur shumë mirë këtë festival dhe këtë program që është prezantuar në festival, meqenëse audienca kosovare, muzikore, artistike është mund të them e mangët në aspektin e dëgjimit të repertuarit të dëgjimit kontemporan në përgjithësi. Por sidoqoftë interesimi ka qenë i jashtëzakonshëm”, ka thënë organizatorja Badivuku.

Organizatorja po ashtu ka thënë se në Kosovë po vazhdon sensibilizimi i audiencës për këtë lloj të artit çdo ditë e më shumë.

“I kam tejkaluar pritshmëritë e mija për këtë koncert sepse është pak e vështirë të kesh pëlqim nga audienca për një program kontemporan. Në shtetet e jashtme, sidomos në Amerikë dhe në Evropë ky stil i muzikës është më i përhapur. Unë po besoj që edhe Kosova dhe sensibilizimi i audiencës tonë po vazhdon çdo ditë e më shumë. Dhe interesimi ka qenë çdo ditë e më i mirë qysh nga dita e parë e gjithë salla ka qenë e mbushur. Madje në hapje nuk kemi arritur t’i akomodojmë të gjithë mysafirët , aq shumë sa ka pasur”, ka thënë Badivuku.

Festivali në tërësi përmbyllet më datën 28 qershor, në të cilën ditë do të jepet ekspozita ‘Shadows Audio-Visual Immersive Exhibition’, që do të qëndroj hapur nga ora 11:00 deri më 18:00/KultPlus.com