Enrique Iglesias me ritmet e muzikës latine nesër në sheshin ‘Skënderbej’

Tirana po bëhet gati për të përjetuar një natë të paharrueshme nesër mbrëma.

Ylli spanjoll i muzikës latine dhe pop, Enrique Inglesias, do të performojë për herë të parë para publikut shqiptar, në sheshin ‘Skënderbej’, mbrëmjen e 30 qershorit.

Këngëtari Enrique Iglesias do të hapë kështu edhe Javën e Kulturës Spanjolle, që nis të premten në kryeqytet.

Koncerti do të nisë në orën 21:30 dhe do jetë një mbrëmje e paharrueshme. Shitja e biletave bëhet në faqen zyrtare backstage.al dhe fizikisht në info point në “Sheshin Italia” dhe në Sheshin “Skënderbej”, si dhe njëkohësisht në sportelin e Teatrit të Operës dhe Baletit, që vazhdon të jetë i hapur.

Enrique Iglesias është një nga artistët më të mëdhenj spanjollë, që u bë i njohur në mbarë botën në fillin e viteve ’90 dhe më pas karriera e tij ndërkombëtare u zgjerua në mbarë globin me këngë si “Bailamos”, “Rhythm Divine”, duetin me Whitney Houston “Could i have this kiss forever”, për të vijuar me hite si “Turn the night up”, “Heart Attack” e deri vitet e fundit me shumë bashkëpunime dhe këngë si “Duele el Corazon” dhe “Subeme la Radio” që me siguri do të këndohen në kor edhe në sheshin “Skënderbej”.

Ai është një nga këngëtarët spanjollë me albumet më të shitura në botë. Iglesias numëron më shumë se 70 milionë disqe të shitura. Në vitin 2016 Iglesias është cilësuar nga Billboard si mashkulli më i suksesshëm në club dance style, i të gjitha kohërave./KultPlus.com

Fitorja e betejës së Torviollit nga Heroi Kombëtar Skënderbeu

Më 29 qershor 1444, Skënderbeu fiton Betejën e Torviollit.

Pasi Skënderbeu u kthye në vendlindje dhe nisi një kryengritje shqiptare, sultan  Murati II dërgoi një prej komandantëve më me përvojë, Ali Pashën, me një ushtri të madhe për të shtypur shqiptarët. Skënderbeu e priste këtë reagim kështu që u zhvendos me trupat e tij. Dy komandantët e lartë u takuan në Torvioll (në veri të Peshkopisë) ku ngritën kampet.

Më 29 qershor, Ali Pasha doli nga kampi i tij dhe urdhëroi forcat e tij të sulmonin ushtrinë e Skënderbeut. Pasi forcat kundërshtare po afroheshin në pozicionin e duhur, Skënderbeu urdhëroi forcat e fshehura në pyjet prapa ushtrisë turke për të sulmuar ushtrinë armike nga pas. Rezultati ishte shkatërrues për osmanët dhe e gjithë ushtria sulmuese u mposht.

Në dorëshkrimet e Fan Nolit të ruajtura në fondin e tij gjendet ky fragment, i cili përmend Betejën e Torviollit:

“I fundit por jo më pak i rëndësishëm, Antivarini është biografi i vetëm i Skënderbeut i cili na jep neve emrat dhe datat e dy prej betejave më të rëndësishme të Skënderbeut, atë të Torviollit të 29 qershorit 1444 dhe Betejën e Albulenës të 2 shtatorit 1457.”/KultPlus.com

Festivali i Bach-ut 2023, kantata për përjetësinë

Lajpcigu feston me 160 aktvitete të ndryshme 300 vjetorin e fillimit të punës së Johann Sebastian Bach-ut si drejtues i korit të kishës së Shën Thomait.

Veprat e tij kanë edhe sot ndikim në botën muzikore.

Johan Sebastian Bach-u kompozoi disa nga kantatat e tij më të bukura kishtare kur mori në vitin 1723 postin e drejtuesit të korit të Kishës së Shën Thomait në Lajpcig. Këto “pjesë muzikore për konsum të përgjithshëm” u kthyen në muzikë të përjetshme, gjë që as ai vetë nuk e kishte imagjinuar. Në jubileun e 300-të të Bachut, këto kantata janë në qendër të festës së organizuar në Lajpcig për nder të tij.

70 mijë vizitore dhe vizitorë nga 56 vende të ndryshme të botës, erdhën në festivalin e organizuar nën moton “Bach for Future” – një rekord i ri ky ndërkombëtar për aktivitetet e organizuara në vendet origjinale ku ka jetuar dhe punuar të Bachut. “Sa më ndërkombëtar që bëhet festivali, aq më i ri bëhet publiku,” i tha Deutsche Welles drejtori i Festivalit të Bachut, Michael Maul. “Prandaj unë nuk shqetësohem për të ardhmen e muzikës së Bach-ut. Ai është i pranishëm në gjithë botën dhe tërheq nga e gjithë bota njerëzit që të vijnë në Lajpcig si kurrë më parë.”

Në Kishën e Shën Thomait grupi Bach Collegium Japan interpretoi me sukses nën drejtimin Masaaki Suzukit pjesë muzikore nga Mesha në h-Moll. Partitura e kësaj pjese, shkruar me shkrim dore, është kthyer në trashëgimi botërore që në vitin 2017.

Bachu dhe Lajpcigu

Johann Sebastian Bach shkoi në Lajpcig në moshën 38-vjeçare për t’u bërë drejtues i korit të Kishës së Shën Thomait dhe drejtor muzikor i qytetit. Ai nuk kompozoi vetëm kantata kishtare për shërbimet fetare të së dielës, por drejtoi edhe “Korin e Thomanëve”, një nga koret më të famshme të djemve në Gjermani, me një histori 600-vjeçare. Përveç kësaj ai u kujdes për mbarëvajtjen e instrumenteve dhe luajti muzikë në dasma dhe ceremoni mortore.

Për të shkruajtur kantatat Bach harxhoi shumë energji, sidomos në vitet e para të punës. Në Festën e Bach-ut katër njohësit më të mirë të muzikës së Bachut drejtuan asambletë e tyre për të luajtur kantatat e preferuara.

Koncertet e drejtuara nga dirigjentët e njohur për praktikat historike të dirigjimit, Philippe Herreweghe dhe Ton Koopman, mund t’i dëgjohen në kanalin e Deutsche Welles në Youtube “DW Classical Music”.

Muzikë për të gjitha fetë

Johann Sebastian Bach përfshiu në muzikën e tij forma të reja muzikore për instrumente të panjohura dhe përzierje tingujsh, që shpesh sot cilësohen si sferike ose qiellore. Kompozitori u kushtoi rëndësi të veçantë inskenimit muzikor të teksteve dhe fjalëve të Biblës në kantatet e tij.

“Kantatat janë mbase muzika më komplekse dhe më e vështirë për t’u dëgjuar nga muzika e Bachut,” thotë intendanti Michael Maul. Edhe vetë gjermanët kanë probleme me gjuhën për të kuptuar tekstet e stërholluara barok. Përveç kësaj njerëzit nuk kanë sot frikë nga Zoti siç kanë pasur frikë në periudhën e Bachut. “Megjithatë Bach dëgjohet pa kufi fetarë, kulturorë dhe gjeografikë.”

Kori i Thomanëve të Bachut

Kur ishte gjallë gjenialiteti muzikor i Bachut nuk u kuptua. “Bach-u është shumë më i vështirë për t’u interpretuar krahasuar me kompozitorët e tjerë të asaj periudhe.

Muzika e tij është po ashtu komplekse, prandaj mbase njerëzit në atë kohë ishin të mbingarkuar nga muzika e tij”, thotë Maul.

Bach ngarkoi shumë edhe djemtë e korit të Thomanëve. Ai u ankua tek Këshilli i Qytetit për cilvsinë e djemve të zgjedhur dhe me kalimin e viteve iu dedikua gjithnjë e më shumë muzikës laike, kjo edhe për shkak të diferencave me Këshillin e Qytetit. Ai krijoi pjesë mësimore si “Arti i fugës ” (1751) dhe kompozoi vepra të famshme si variacionet e Goldbergut (botuar më 1741), që në Festën e Bachut u luajtën përmendësh me precision virtuoz nga pianisti armen, Sergei Babayan.

Kori i Thomanëve të Bachut

Kori i Thomanëve ishte shumë i kërkuar këtë vit. Në koncertin e hapjes kori nuk këndoi vetëm kantatën e Bachut “Të varfërit duhet të hanë”, por këndoi edhe për herë të parë një pjesë të dirigjentit, klarinetistit dhe kompozitorit Jörg Widmann, që morri si bazë formën e kantatës për të kënduar për luftën, shpresën dhe paqen.

Kantori i Kishës Thomas, Andreas Reize mendon se kjo ishte sfida më e madhe e festimeve të 300 vjetorit: “Në premierën e kësaj pjese ne i kaluam kufijtë e asaj që jemi në gjendje të bëjmë, por përvoja ishte e papërfytyrueshme”, thotë Reize. “Ishte e vështirë për tu kënduar, për tu luajtur nga orkestra dhe për tu dirigjuar nga unë.”

Thomanët u nderuan me medaljen e Bachut, për meritën që kishin në këndimn e veprave të Johann Sebastian Bachut. E papritur ishte për korin e djemve kur legjenda e rokut, Sting, po ashtu një thomanër, u shfaq në publik në Kishën e Thomasit. Sting njihet si dashamirës i Bachut dhe drejtori i Festivalit, Michael Maul e di që herë pas here Sting luan në kitarë edhe disa takte Bachu.

“Choral Total” më 2024 me kore nga gjithë bota

300 vjetori i Bachut do të festohet në Lajpcig për një vit me radhë. Kështu Thomanët do të marrin pjesë në shërbimet e përjavshme fetare të së dielës, në të cilat do të luhen të njëjtat programe muzikore si në kohën e Bachut. Muzeumi i Bachut ka hapur ekspozitën e veçantë “Hap skenën për Johan Sebastian Bachun!”, që do të qëndrojë deri në mars të 2024. Në tre aktivitete të njëpasnjëshme kemi të bëjmë me muzikën kishtare të Bachut, muzikën e tij për instrumenta me tastierë dhe trajtimin e muzikës së Bachut për brezat që vijnë.

Nën moton “Choral Total” do të mblidhen në Festivalin e Bachut 2024, (nga 7 në 16 qershor) asamble të Bachut nga e gjithë bota, për të kënduar kantatet e Bachut, të ashtuquajtura kantate korale të krijuara nga ai në vitin e dytë të mbajtjes së postit si kantor i korit të Thomanëve (1724/25). Krah koreve gjermane dhe europiane aty pritet të marrin pjesë edhe kore nga SHBA, Japonia dhe Malajzia. Përveç kësaj do të krijohet një kor i festivalit ku mund të regjistrohen këngëtarë dhe këngëtare nga e gjithë bota. /DW/ KultPlus.com

Mbetje të dyshuara njerëzore gjenden në rrënojat e ‘Titan’-it

Profesionistë të mjekësisë do të analizojnë zyrtarisht mbetjet e dyshuara njerëzore të gjetura nga rrënojat e nëndetëses ”Titan”.

Roja Bregdetare e SHBA (USCG) tha se ”mori mbeturina dhe prova nga fundi i detit në vendin e shpërthimit fatal të anijes në det të thellë, e cila vrau pesë persona”.

Aventurieri britanik, Hamish Harding, miliarderi Shahzada Dawood dhe i biri, Suleman u vranë në bordin e anijes pranë rrënojave të ”Titanic”-ut, së bashku me shefin ekzekutiv të ”OceanGate Expeditions”, Stockton Rush dhe shtetasin francez Paul-Henri Nargeolet.

Pjesë të mëdha mbeturinash nga ”Titan”-i u transportuan në portin e St. Johnit, të mërkurën nga anija ”Horizon Arctic”, ku u pa duke u shkarkuar nga një vinç.

Duke folur pas gjetjes së provave, kryetari i Bordit të Hetimit të Marinës, kapiteni Jason Neubauer, tha se “dëshmitë do t’u ofrojnë hetuesve nga disa juridiksione ndërkombëtare njohuri të rëndësishme për shkakun e kësaj tragjedie”.

“Ka ende një punë të konsiderueshme për t’u bërë për të kuptuar faktorët që çuan në humbjen katastrofike të ‘Titan’-it dhe për të siguruar që një tragjedi e ngjashme të mos ndodhë më”, theksoi ai./KultPlus.com

This photo provided by OceanGate Expeditions shows a submersible vessel named Titan used to visit the wreckage site of the Titanic. In a race against the clock on the high seas, an expanding international armada of ships and airplanes searched Tuesday, June 20, 2023, for the submersible that vanished in the North Atlantic while taking five people down to the wreck of the Titanic. (OceanGate Expeditions via AP)

‘Godita pirgjet e larta të botës, gjurmë lashë shenjën e qartë’

Poezi nga Teki Dervishi

prej shtëpisë sime me çati prej kashte
dola me hejben plot vegla
e mora rrugë Veriun e Thellë
kurbet me kobër dola mjeshtër me pagë
pas erës së bukës 
rrugë më rrugë shkretëtirës
kah Lindja
kah Perëndimi

latues mermeri me daltë
ikonograf me brushë e ngjyrë
godita pirgjet e larta të botës
gjurmë lash shenjën e qartë
pikturat e amshuara nëpër tempuj
lirikën – fjalë të zjarrtë
aktor me pseudonim
palaço në oborrin mbretëror
pa emër pa datë

disa shekuj pastaj
në Atdhe
eshtrat më vijnë vonë
me anije
– deti çohet dallgë / KultPlus.com

I fiksuar pas Titanikut, një nga viktimat e nëndetëses kishte mbledhur 5000 sende nga rrënojat e tij

I fiksuar pas Titanikut, Paul-Henri Narzolet, një nga viktimat e aksidentit fatal të nëndetëses Titan, kishte mbledhur mbi 5000 objekte nga rrënojat ikonë në thellësi të Atlantikut.

“Zoti Titanik” siç quhej zhytësi francez që kaloi jetën duke ndjekur misteret e mbytjes, mori pjesë në mbledhjen e më shumë se 5000 artikujve, duke përfshirë unaza diamanti dhe një llambadar, pavarësisht paralajmërimeve për grabitjen e rrënojave.

Eksperti 77-vjeçar i Titanikut, sa herë e ka parë filmin me të njëjtin emër, udhëhoqi shumë ekspedita drejt mbytjes.

MRS Titanic inc. i cili ndërmori misione kërkimore për mbytjen, thotë se ai ka qenë gjithmonë “i përkushtuar për të ruajtur trashëgiminë e anijes, vendin e mbytjes dhe të gjithë pasagjerëve të saj”, por puna e saj ka rezultuar e diskutueshme. Kritikët e kanë akuzuar atë se u përpoq të “përfitonte” duke “vjedhur dhe plaçkitur” një anije në qendër të një tragjedie që mori rreth 1500 jetë.

Narzole, i cili tha se qëllimi i tij ka qenë gjithmonë “edukimi dhe ruajtja”, kishte marrë pjesë tashmë në dhjetëra zhytje në zonë përpara udhëtimit të tij fatal në zhytësin eksperimental Titan.

Kujtojëm se viktimat e tjera në bordin e nëndetëses ishin miliarderi britanik Hamish Harding, 58 vjeç, Shahzada Daëood, 48 vjeç, anëtar bordi i bamirësisë Prince’s Trust me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, dhe djali i tij Suleiman Daëood, 19 vjeç dhe CEO i OceanGate, Stockton Rush, 61 vjeç.

Ekspeditat gjetën sende nga rrënojat në ekspeditat në 1987, 1993, 1994, 1996, 1998, 2000 dhe 2004. Një sasi e madhe bizhuteri u gjet gjithashtu nga rrënojat. Ato përfshinin një unazë ari 18 karatësh dhe diamanti, gjerdan verbues dhe palë vathë./abcnews.al/KultPlus.com

‘Në sa mënyra të dashuroj’

Poezi nga Elizabeth Barrett Browning

Në sa mënyra të dashuroj? Lermë t’i numëroj.
Të dashuroj deri në thellësinë, në gjerësinë dhe në lartësinë
Që shpirti im mund të arrijë,
kur merr pjesë i padukshëm
Në qëllimet e Ekzistencës e të Faljes
ideale.
Të dashuroj po aq sa nevoja më modeste
E çdo dite, në diell dhe në dritën e qiririt.
Të dashuroj bujarisht, si dikush që lufton
për drejtësi.
Të dashuroj me pastërti, si dikush që
nga lutja kthehet.
Të dashuroj me pasionin që hidhja
Në dhimbjet e mia të shkuara, e me besimin
e fëmijërisë sime.
Të dashuroj me një dashuri që e besoja të humbur,
Së bashku me engjëjt e mi të humbur- të dashuroj me frymëmarrjen,
Buzëqeshjet, lotët, e gjithë jetës sime! –
e nëse Zoti do dojë,
Do të të dashuroj akoma më shumë pas vdekjes. / KultPlus.com

Arkeologët zbulojnë modelin ‘pararendës të picës italiane’

Në qytetin e lashtë romak të Pompeit, arkeologët kanë zbuluar një pikturë që përshkruan atë që mund të jetë pararendësi i picës italiane. Buka e sheshtë e përshkruar në afreskun dymijë vjeçar “mund të jetë një paraardhës i largët i pjatës moderne”, tha ministria e kulturës e Italisë. Por i mungojnë përbërësit klasikë për t’u konsideruar teknikisht si pica, shkruan BBC

Afresku u gjet në sallën e një shtëpie pranë një furre buke gjatë gërmimeve të fundit në vend në Italinë jugore. Zbulimi u bë këtë vit gjatë gërmimeve të reja të Regio IX në qendër të Pompeit, një nga nëntë lagjet ku ndodhet vendi antik.

Ndërtesa u gërmua pjesërisht në shekullin e 19-të përpara se gërmimi të rifillonte në janar të këtij viti – gati 2000 vjet pas shpërthimit vullkanik që përfshiu qytetin.

Arkeologët në parkun e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s thonë se afresku i sapozbuluar që përshkruan bukën e sheshtë, i pikturuar pranë një gote vere, mund të jetë ngrënë me fruta të tilla si shegë ose hurma.

Drejtori i Pompeit, Gabriel Zuchtriegel tha se tregon kontrastin midis një “vakti të thjeshtë” dhe “luksit të tabakave prej argjendi”.

“Si mund të mos mendojmë, në këtë drejtim, për picën, gjithashtu e lindur si një pjatë ‘e varfër’ në Italinë jugore, e cila tani ka pushtuar botën dhe shërbehet edhe në restorante me yje”, tha ai.

Skeletet e tre personave u gjetën gjithashtu pranë furrës në zonat e punës të shtëpisë javët e fundit, shtoi një deklaratë e ministrisë së kulturës.

Shpërthimi i malit Vezuvius në vitin 79 pas Krishtit e varrosi Pompein në hi, duke ngrirë qytetin dhe banorët e tij në kohë. Vendi ka qenë një burim i pasur për arkeologët që nga zbulimi i tij në shekullin e 16-të.

Vendi është vetëm rreth 23 kilometra  nga qyteti i Napolit-shtëpia moderne e picës italiane të mbrojtur nga UNESCO./KultPlus.com

Rrëfimet për kthimin e eshtrave të Vaso Pashës në Shkodër dhe aventura shqiptare e një gazetari nga Libani

Nga Avni Dani

Ai kishte jetuar si një Pasha e qeveritar osman i fesë katolike. Kishte ndërruar jetë shumë larg vendit që e deshi aq shumë, e për të cilin pati shkruar një nga poezitë aq të bukura, saqë nuk kishte asnjë bashkëkombas që të mos e dinte. Fati i kishte rezervuar Vaso Pashës, 86 vjet pas vdekjes që të kthehej në vendlindje në një “varr pa kryq”. Në 100 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit regjimi i kohës, pas shumë përpjekjesh e peripecishë, do ta kthente “atin e shqiptarizmës” në Shkodër, aty ku kishte lindur, duke e rivarrosur sipas mënyrës së vet.

Në dy rrëfimet e mëposhtme tregohet aventuar e kthimit të eshtrave të Vaso Pashës në Atdhe, në vitin e largët 1978. Protagonistët e rrefimeve janë një diplomat shqiptar dhe një gazetar nga Libani. Dalan Buxheli e ka treguar ngjarjen në një intervistë të dhënë shumë vite më vonë për një gazetë shqiptare. Ndërsa Melhem Mubarak, e ka shkruar vetë historinë e kthimit të eshtrave në Buletini Katolik Shqiptar, që botohej në SHBA në vitet 80-90. 

1. RRËFIMI I PARË

Dalan Buxheli, ish-diplomat shqiptar në Egjipt

“Rikthimi i eshtrave të Pashko Vasës ka qenë një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit 1978 që përkonte me 100-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Asokohe kam qenë pjesë e misionit diplomatik të Shqipërisë në Egjipt, që mbulonte njëherazi Libanin, Arabinë Saudite, Algjerinë dhe një pjesë të vendeve të Afrikës. Operacioni për kthimin e eshtrave të Pashko Vasës, në të cilin bëja pjesë edhe unë, iu besua një grupi diplomatësh shqiptarë, që operonin në atë zonë të kontinentit të largët në pranverën e vitit 1978.

Shumë herë kishim qenë disa herë te vendvarrimi i Pashko Vasës, në varrezat osmane Hazmieh të Bejrutit. Vaso Pasha pushonte në një varr të përbashkët me të shoqen, Katerina Khanum. Vend varrimi i tyre në krye të varrezave dallohej që nga larg. Vendësit kishin ngritur mbi të një ndërtesë karakteristike dhe në çdo kohë çonin aty lule dhe qiri. Nderimet për Pashko Vasën prej tyre kishte të bënte me kontributet e tij për mëvetësinë dhe prosperitetin e Libanit. Në enciklopedinë libaneze njihet si figurë me kontribute të jashtëzakonshme për kohën. Në Bejrut, në pjesën perëndimore të tij, ishte ngritur një përmendore e lartë e Pashko Vasës.

E vërteta është se nga shteti shqiptar deri në vitin 1978 nuk ishte bërë asnjë përpjekje për riatdhesimin e eshtrave të tij, edhe pse artikulohej me të madh roli i Vasos si pjesë e Rilindjes Kombëtare. Në pranverën e vitit 1978, kam qenë zyrtari i parë shqiptar që kam trokitur te institucionet libaneze. Autoritet e Bejrutit në asnjë rrethanë nuk pranonin të na jepnin lejen e zhvarrimit. Krahas të tjerave, fakti që vendvarrimi i Vasos ishte vakëf, ishte pengesa kryesore. Na u desh disa kohë të negociojmë derisa morëm miratimin e tyre. 


Kur dështova disa herë me radhë në negociatat me zyrtarët vendës, vendosa t’i kërkoj ndihmë një mikut tim, gazetar i njohur jo vetëm në Liban, por edhe në Perëndim, që m’u përgjigj menjëherë dhe shfrytëzoi të gjitha njohjet për t’i hapur rrugë “operacionit shqiptar”, për kthimin e eshtrave të ish-guvernatorit të Libanit në Shqipëri. Ai ishte një mik i sinqertë i Shqipërisë dhe shqiptarëve, që e ndoqi operacionin për rikthimin e eshtrave të Pashko Vasës nga momenti i parë e deri te ceremonia e varrimit në Shkodër. E quanin Melhem Mobarak. Disa herë kisha vizituar shtëpinë e tij në Bejrut, ku kishte një bibliotekë të veçantë me 20 mijë libra shqip. E njihte mirë historinë e vendit tonë dhe interesohej vazhdimisht mbi të rejat nga Tirana. Mobarak me ndërhyrjen time vizitoi disa herë Shqipërinë dhe botoi një sërë shkrimesh lidhur me realitetin shqiptar. Ai u bë organizatori i ceremonisë së zhvilluar në Bejrut me rastin e riatdhesimit të eshtrave të Pashko Vasës. Aktiviteti filloi mëngjesin e 31 maj 1978. Eshtrat e Pashko Vasës dhe të familiarëve të tij, u vendosën në një podium të lartë, në krahët e të cilit bënin roje nderi ushtarët e gardës libaneze. Kishin ardhur me këtë rast një numër i madh qytetarësh dhe autoritetesh vendëse. Folën aty njerëz të ndryshëm. Fjalën kryesore e mbajti kreu i Komunitetit shqiptar në Bejrut, një emigrant i hershëm nga Gjirokastra me profesionin e bankierit, i cili i njihte zhvillimet në Shqipëri deri para luftës. Foli përfaqësuesi i qeverisë libaneze. Përshëndeti ambasadori i Turqisë në Bejrut. Në vazhdim e morën fjalën familjarët e Vasës dhe diplomatët tanë të rajonit. Tubimi vazhdoi rreth dy orë. Pashko Vasa rikthehej në vendlindje në Shkodër pas 86 vitesh. Në ditarin e tij Melhem Mobarak shkruan: “Fati qenka vërtet tekanjoz. Vaso Pashës që pati deklaruar se “feja e shqiptarit është shqiptaria”, nuk besoj t’i kishte shkuar ndër mend se ky slogan do të aplikohej te eshtrat e tij, pasi po merreshin nga një varrezë fetare për t’u varrosur në Shkodër te një varr pa kryq.”

2. RRËFIMI I DYTË

Kthimi i eshtrave të Pashko Vasës në Shkodër

Melhem M. Mobarak

Rruga nga Bejruti në Hazmieh kalon nëpër kodra të mbushura me limonë e portokalle dhe pemë të tjera që e mbushin peisazhin plot me ngjyra. Këtë 31 maj të vitit 1978, në varrezën e Hazmieh, e njohur edhe si varreza e Pashallarëve, zhvillohet një ceremoni zyrtare. Ambasadori shqiptar Sulejman Tomcini buzëqesh: pas 86 vitesh mërgim të imponuar, trupi i Pashko Vasa Shkodranit së bashku me atë të gruas së tij të dytë, Katerine dhe vajzës së tij Marie, së shpejti do të kthehen në vendin e tij të lindjes.

Më 1883, ky patriot i madh shqiptar, autori i poemës luftarake “Oh moj Shqypni”, u emërua guvernatori i katërt i Libanit, një post që mbahej për dhjetë vjet. Për të garantuar autonominë e Libanit dhe qytetarëve të tij të krishterë, shtatë Fuqitë e Mëdha (Perandoria Osmane, Franca, Anglia, Prusia, Austria, Rusia dhe Italia) kishin nënëshkruar një marrëveshje të posaçme që përcaktonte se guvernatori ose “mutesarifi” i Libanit duhej të ishte i krishterë katolik dhe me kombësi osmane.

Me njohuri të plota të gjuhës arabe, poeti i talentuar, intelektuali dhe poligloti Pashko Vasa, shërbeu në këtë post deri në vdekje të tij.

Edhe jeta e tij familjare gjithashtu qe e trishtuar. Pasi humbi gruan e tij të parë, pak para emërimit të tij në Liban, ai u martua me Katerine Bonatin, një grua e re greke. Kjo zonjë e përgjegjëshme u kujdes për vajzën e tij të vetme nga martesa e parë. Për fat të keq, tre ose katër vjet më vonë, Katerina vdiq nga kanceri. Ky pikëllim u pasua edhe nga tjetër humbje shumë e dhimbshme. Më 1887, vdes edhe vajza e tij e bukur, Marie.

Falë reputacionit politik të babait të saj, Maria ishte martuar me një manjat financiar armen me emrin Kupelian. Me lëvizjet e mençura të tij, si dhe metodave të paskrupullta financiare dhe ryshfeve, Kupeliani arriti të institucionalizojë mbretërinë e tij të vogël në Liban, gjatë gjithë kohës që vjehrri i tij ishte në pushtet.

Situata e shpjegueshme e dobësisë dhe vetmisë, pas vdekjes së gruas dhe vajzës së tij, bëri që Pashko Vasa ta gjente ngushëllimin te dhëndërri dhe dy vajzat e tij, duke ju dhënë atyre, natyrisht shumë dashuri prej babai e gjyshi. Duke shfrytëzuar këtë dobësi Kupelian, dhëndrri i Pashait, e shtriu mashtrimin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e administratës.

Pavarësisht këtij dështimi, gjatë qeverisjes së guvernatorit Pashko Vasa, Libani gëzoi paqe, përparim ekonomik dhe zhvillim artistik. U ndërtuan disa rrjete të mëdha rrugore dhe ura. U ndërtuan shumë ndërtesa të rëndësishme qeveritare dhe spitale. Guvernatori gjithashtu ndërtoi Shtypshkronjën Shtetërore dhe inkurajoi gërmimet arkeologjike. Një herë, siç shkruan një gazetë franceze, shkoi në ceremonitë e organizuara nga studentët e kolegjit jezuit në ditën e tyre të diplomimit.

Shumë pak i njohur është fakti se Ismail Qemali, babai i pavarësisë shqiptare, u emërua Veli i Bejrutit më 1891. Pashko Vasa i kalonte dimrat e tij në atë qytet, dhe sigurisht që ata u takuan shpesh atje. Në atë kohë, me insistimin e mikut të tij Monsignor Piavi, Pashko Vasa, për të lehtësuar vetminë, ra dakord të martohej me një grua të re franceze, e cila kishte qenë kujdestarja e dy mbesave të tij. Ajo i dha atij dy djem, më i madhi prej të cilëve u quajt Mikel.

Në qershor të vitit 1892, Pashko Vasa vdes, një vit përpara përfundimit të mandatit të tij dhjetëvjeçar si Guvernator i Libanit. Akush më mirë se Ismail Qemali, me një rrëfim disi të çuditshëm, nuk i ka përshkruar ditët e fundit të jetës së Pashko Vasës.

“Gjatë qëndrimit tim në Bejrut, bashkëatdhetari im, Pashko Vasa, Guvernatori i Libanit, vdiq. Ai vuante nga probleme të zemrës dhe gjendja e tij u përkeqësua shpejt, duke mos lënë hapësirë për shpresë. Meqë funksioni i Guvernatorit të Libanit ishte i rëndësishëm, dhe meqë mund të kishte shumë probleme lokale nëse ai post mbetej vakant, mendova se më së miri, pasi u këshillova më parë me mjekun, ti shkruaja rreth këtyre fakteve Portës së Lartë. Për habinë time, Veziri i Madh, në vend që ta trajtonte komunikimin tim si konfidencial, u lidh me Pashko Vasën, duke e pyetur se si ishte me shëndet, dhe pastaj më informoi se ai kishte marrë një përgjigje nga Guvernatori që i kishte thënë se po përmirësohej! Një ose dy ditë më vonë, ai vdiq. Porta më besoi qeverisjen e përkohshme të krahinës së Libanit, në drejtimin e Këshillit Administrativ. Por meqenëse Këshilli përbëhej nga presidenti dhe dhjetë anëtarë, në mesin e tyre u krijua një konflikt i cili i bllokoi efektivisht të gjitha vendimet administrative. Më kërkuan të ndërmjetësoja, dhe më pas arrita në një formulë të kënaqshme për të dyja palët”.


Funerali u bë në Kishën e Kapelës në Bejrut dhe trupi i tij u vendos në varrezat fetare në Hazmieh. Ky fshat i vogël, nën diellin mesdhetar dhe mes pemëve të ullirit dhe qiparisëve, që të kujtonte peizazhin shqiptar, qe një vend pushimi për të.

Kohët rrodhën…

Në vitin 1967, përpjekjet e para për kthimin e trupit të Pashko Vasës në Shqipëri, i ka bërë Dalan Buxheli (në atë kohë atasheu tregtar i Shqipërisë në Kajro). Në atë kohë, një urdhër administrativ, i lëshuar bazuar në rregulloren e varrezës “Vakëf” në Hazmieh, e bllokoi kërkesën e tij. Për më tepër, në atë kohë Libani nuk kishte marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë.


Në vitin 1978, me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, qeveria shqiptare vendos t’u drejtohet autoriteteve libaneze edhe një herë, me një kërkesë për të kthyer eshtrat e Vaso Pashës në Atdheun e tij. Gjatë vizitës sime të parë në Shqipëri, në mars të vitit 1978, dy profesorët, Aleks Buda dhe Vehbi Bala, më pyetën nëse unë mund të ndihmoja në këtë çështje. Pas kthimit tim në Liban, u takova me ministrin e Punëve të Jashtme, Fouad Boutros. Ai më premtoi se sapo të arrijë kërkesa zyrtare shqiptare do të merrte hapat e nevojshëm për të shkurtuar burokracitë dhe për të dhënë përgjigje pozitive për kërkesën shqiptare.

Më pas, Sulejman Tomcini paraqiti letrat e tij kredenciale në maj të vitit 1978. Unë e ndihmoja atë në të gjitha hapat që çuan në kthimin përfundimtar të eshtrave të Vaso Pashës në Shqipëri. Dhe më 31 maj ishim në ceremoninë zyrtare që u zhvillua në varrezën në Hazmieh.

Një trupë oficerësh bëri nderimet ushtarake para tre arkivoleve të mbuluar me copë të bardhë. Autoritete të larta vendase ishin aty të pranishëm mes të cilëve : Y. Rassy, Mohafez i Libanit, Koloneli Dargham nga Komanda e Lartë e Ushtrisë, G. Kassouf nga ministria e Punëve të Jashtme, G. Feghali, Kryetari i Hazmieh dhe O. Arghit, përfaqësuesi turk për punë të jashtme. Pjesëtarë të familjes së Pashko Vasës ishin gjithashtu pjesëmarrës në ceremoni. U mbajtën disa fjalime të rastit dhe në fund u kryen të gjithë rite e ceremonisë. Tre arkivolet u nisën në rrugë ajrore për në Shqipëri po atë ditë.

Epilogu i kësaj historie ndodhi disa ditë më vonë kur mora një telegram nga Sulejman Tomcini në Tiranë. Ai më kërkonte datat e sakta të lindjes dhe vdekjes së bashkëshortes dhe vajzës së Pashko Vasës, me qëllim që ti varrosnin në varrezat kombëtare të dëshmorëve të Shkodrës. Fati është i çuditshëm. A thua ta kishte menduar Pashko Vasa, i cili shkroi vargun e famshëm: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, se një ditë kjo do të zbatohej simbolikisht edhe me eshtrat e tij, të zhvarrosura nga një varrezë fetare në Liban dhe të vendosura në një varrezë pa kryq në Shqipëri?

3. AVENTURA SHQIPTARE E GAZETARIT NGA LIBANI

Po kush ishte gazetari që jo vetëm e kishte mundësuar kthimin e eshtrave të Pashko Vasës, por edhe e kishte ndjekur atë deri në vendlindje? Informacionin e mëposhtëm e rrëfen përsëri diplomati shqiptar Dalan Buxheli:

Melhem Mobaraku ishte djali i vetëm i dy diplomatëve libanezë nga Bejruti. Pas diplomimit në gazetari, ishte bërë i njohur jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij. La vendlindjen në pikun e luftës midis kristianëve dhe myslimanëve, dhe u vendos në Montreal, Kanada. Dinte shqip, i sjellshëm dhe dashamirës në komunikim. Në Bejrut kishte organizuar një komunitet të zgjeruar me emigrantë shqiptarë. Me shoqatat e tyre herë pas here zhvillonte veprimtari për promovimin e traditave të popullit tonë. Diku aty nga fundi i viteve ’60, Mobarak udhëtoi drejt Tiranës. Ishte interesuar të vizitonte vendlindjen e Pashko Vasës, madje ishte ngjitur deri në Kelmend. Kur u kthye, shkroi në shtypin vendës për mbresat nga Shqipëria. Duke sjellë mbresat nga Veriu i Shqipërisë, shprehej :

Në vendin e shqiponjave, Zoti nuk ekziston më. Në Bogë dhe në Theth vetëm dhitë gërziten akoma rreth kishave të vogla gërmadha, të rrethuara nga gardhe e varreza të braktisura, me kryqe të thyer rrëzuar përtokë”.

Për Mobarak, ateizmi shqiptar ishte diçka absurde dhe, si i tillë, ishte i pakonceptueshëm. Ai vizitoi edhe dy herë të tjera vendin tonë dhe eksploroi më tej në hapësirat shqiptare. Bëri të tjera shkrime, duke u përpjekur të shmangë disi temën e besimit fetar. Në vizitën e radhës që do bënte në Shqipëri, synonte të takohej me Enver Hoxhën. Kur erdhi në Tiranë, bëri kërkesë zyrtare, por nuk ia miratuan. Me sa duket, dikush shprehu dyshime për të si gazetar i vënë nga qarqe antishqiptare dhe nuk e lejuan të kontaktonte me Enverin. I mërzitur nga përgjigjia e autoriteteve, Mobarak provoi të futej fshehtas në Bllok, por aventura rezultoi e pasuksesshme. Madje, kjo përpjekje e marrë i kushtoi shtrenjtë. I prangosur fare pranë vilës së Enverit, përfundoi në birucat e policisë dhe aty iu nënshtrua për ditë me radhë pyetjeve pa fund, për të cilat thoshte se kishin qenë brutale dhe të pakuptimta. Në fillimin e viteve 90 erdhi sërish në Tiranë. Shkoi në Shkodër e vizitoi vendvarrimin e Pashko Vasës.” / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/krahina-e-matit/avni-dani/o-moj-shqypni-e-mjera-shqypni-rrefimet-per-kthimin-e-eshtrave-te-vaso-pashes-ne-shkoder-dhe-aventura-shqiptare-e-nje-gazetari-nga-libani/

Teki Dervishi, një shkollë e nxënë jashtë librave

(Fjalë e mbajtur të premten në Shkup me rastin e tetë vjetorit të shkuarjes në amshim të shkrimtarit Teki Dërvishi)

Nëse në Britani ekziston si model  katedra e Shekspirologjisë, e pakta që mund të bëhet në sistemin tonë arsimor, kulturor e mediatik, është përfshirja si objekt studimi i veprës së Teki Dërvishit, njërit prej kodifikuesve të rrallë të shenjëzimit letrar, duke filluar që nga tregimet e para të botuara në revistën ‘Jeta e re’, në fillim të viteve 60, që drejtohej nga Esad Mekuli, ku bënte pjesë edhe tregimi ‘Sania’ , e deri te krijimet fundit, të shpërndara nëpër gazeta e revista në dhjetëvjetëshin e fundit para se të ndërronte jetë, më 29 qetshor 2011.

Emin AZEMI

Të gjithë studiuesit e letërsisë, por edhe lexuesit e vëmendshëm të veprës së Teki Dërvishit, janë shoqëruar me jo pak dilema para se t’iu kenë qasur këtij shkrimtari, sa origjinal,po aq edhe kompleks, sa modernist,  po aq edhe eksperimental. Teki Dërvishi është  ndër shkrimtarët e rrallë të letërsisë sonë që ka mbetur jo vetëm i pastudiuar, por për rrjedhojë, statusi i tij si individualitet krijues nuk e ka zënë vendin e merituar në sistemin  e përgjithshëm valorizues të universit tonë letrar, por edhe në njohjen e meritave që ai pati në mbajtjen gjallë të rezistencës intelektuale e protestës  krijuese kundrejt sistemeve antikombëtare e akulturuese.

Teki Dërvishi erdhi si fenomen krijues dhe mbetet i tillë për shumë arsye, sepse ai nuk ishte shkrimtar mode, ndonëse nuk ishte demode, ai nuk shkroi që t’i përshtatet kohës, ndonëse nuk ishte  jashtë kohe, ai nuk i takonte oborrit letrar, por vepra e tij theu shumë gardhiqe që i kishte vendosur kritika zyrtare dhe fryma letrare e poltronëve oborrtarë…

Në vitin 1981 Teki Dërvishin e larguan nga Flaka e Vëllazërimit, sepse refuzoi të shkruante kundër Ismail Kadaresë, që i bie se ai refuzoi të del kundër vetvetes dhe po të vepronte ndryshe ai nuk do të ishte më Teki Dërvishi. Ishte po ai që i takonte Grupit të Demaçit, si përfaqësues i Rrafshit të Dukagjinit dhe i dënuar si 17 vjeçar me burg të rëndë në ishullin famkeq të Goli Otokut, , që njihej si Alkatrazi i Jugosllavisë së atëhershme, ku vuajtën dënime shumë disidentë të kohës. Kjo ishte edhe një shkollë për T. Dërvishin të cilën ai kishte arritur ta nxëjë jashtë librave, që më vonë ai vet do të bëhej një shkollë për të tjerët e nxënë jashtë librave, por edhe një aksiomë jetësore që e kishte mësuar nga Dush Kusari që ‘kurrë të mos i takonte shumicës’. Ishte po ai i cili veproi gjithmonë sipas dellit të krijuesit e njeriut vertikal që udhën e nisur e përfundonte atje ku i thoshte ndërgjegjja.

Dhe ndërgjegjja e Teki Dërvishit ishte baraz me fuqinë krijuese për t’i bërë një radiografi poetike shtëpisë së sëmurë, e cila po lëngonte mbi gërmadhat e një ngrehine qe herët a vonë duhej rrënuar, por, edhe si i varun me vargje për drurin e blertë, ai arriti ta ruajë pastërtinë e poezisë nga klishetë e socrealizmit dhe skemave të mërzitshme të një letërsie me patos social dhe me avangardizëm të shpifur. (me vëllimet poetike Nimfa 1970, I Varun me Vargje për drunin e blertë 1971, Shtëpia e Sëmurë 1978,  Thashë 1981.  Ai, madje, siç do të vëjë në dukje njëri prej njohësve më të spikatur të veprës së këtij shkrimtari, prof. Nehas Sopaj, sipas të cilit Teki Dërvishi jo vetëm që ishte kompleks për nga natyra dhe veçantia e shkrimit, por edhe për faktin se  “ai, krahas Marin Camajt dhe Beqir Musliut ,në letërsinë tonë bashkëkohore është një ndër shkrimtarët më produktivë dhe vepra e tij shënon shkollë shkrimi më vete ku autorin e shohim shumë pjellor duke lëruar tri gjinitë letrare paralelisht: poezi, prozë dhe dramë dhe është vështirë të kuptohet pesha dhe rëndësia e veprës së tij nëse lexohet parcialisht, pra nëse lexohet vetëm si poet, si prozator apo si dramaturg. Por, edhe të lexuarit në tërësi të veprës së tij është i vështirë, sepse problem numër një për receptim paraqet mosnjohja e domosdoshme e kodeve të shkrimit të autorit”.

Të rrallë janë shkrimtarët në letërsinë tonë që sistemin e ideve dhe konceptin estetik e kishin të mishëruar si një tërësi në vetë natyrën e krijimit, ose siç do të shprehet një studiues tjetër meritor i veprës së Teki Dërvishit,  Ramadan Musliu  sipas të cilit “Teki Dërvishi  arriti të krijojë një opus letrar në të cilin hetohet një sistem idesh, një koncept unik estetik, një vetëdije krijuese, e cila kur vështrohet në të gjitha planet, del  si një artist në rolin e demiurgut, ai që arrin të krijojë një univers artistik”.

Brezi i shkrimtarëve që erdhi bashkë me Teki Dërvishin, siç ishin Beqir Musliu, Musa Ramadani, Ymer Shkreli, Xhabir Ahmeti, Resul Shabani, Nexhmedin Soba e ndonjë tjetër, ishte fryma që po thyente një traditë shkrimi, por edhe brezi i shkrimtarëve që arritën të bëjnë kalime të pahetueshme nga zhanri në zhanër duke qenë të suksesshëm në çdo njërin prej tyre.

I tillë ishte edhe Teki Dërvishi, i cili madje edhe kur shkruante prozë, shkrinte elemente të tjera të natyrës shkrimore, (duke filluar nga vëllimi me tregime ‘Etje dhe borë’) dhe siç do të vërejë edhe  studiuesi Ibrahim Rugova teksa analizonte romanin ‘Pirgu i lartë’ që  e konsideronte një prurje të re në letërsinë shqipe për kohën kur u botua (1972) , sidomos sa i përket funksionit të poezisë në roman. Kjo strukturë novatore e të rrëfyerit mbase do ta bëjë ‘Pirgun e lartë’ romanin e parë lirik në letërsinë shqipe, për të vazhduar me një tjetër observim narrativ përmes romanit ‘Herezia e Dërvish Mallutës’’, në të cilin Teki Dërvishi tematizon herezinë e raportit në mes të individit dhe rrethit dhe  thellësinë e paradoksalitetit të keqkuptimeve në këto raporte, ku Dervish Malluta prish kanonet të cilave është dashur t’iu përmbahet.

Se Teki Dërvishi është një shkrimtar që kapërcimin e fakturës shkrimore nga një zhanër në zhanrin tjetër e bën me sukses, por edhe me pasion eksperimental,  pa rënë në grackën e eklektizmit të tepruar stilistik, dëshmon edhe përkushtimi i tij ndaj dramaturgjisë, që dikush prej miqve dhe krijuesve e pat quajtur ‘Shekspiri shqiptar’,  përmes dramave: Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi, Bregu i Pikëllimit, Pranvera e Librave, Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, Kufiri me atdhe, Mbreti i lirë,   Vojceku, Eshtrat që vinë vonë, Nesër nisemi për Parajsë, 1999, Ku është Populli?.

Në gjithë këtë opus dramatik, ai kulmin e arriti me ‘Bregu i pikëllimit’, një cikël prej nëntë njësish dramaturgjike, të cilat edhe po të lexohen dhe të luhen veç e veç, mund të funksionojnë si mëvetësi kuptimore, pa e prishur tërësinë e integralitetit, ndonëse në skenat e Teatrit, sidomos realizimi në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, me regjisorin Vladimir Milçin, Bregu i Pikëllimit, jo vetëm që po e freskonte tempullin e Talisë me një prurje tepër të komplekse e të guximshme, por po i jepte Teatrit shqiptar një ritëm të ri zhvillimi, një dinamikë që kishte filluar ta humbë në kohën kur kjo  dramë u vu në skenën e Prishtinës në fillim të nëntëdhjetave. Përmes Bregut të pikëllimit Teki Dërsvishi bëri konfigurimin skenik të një udhëtimi të dyzuar mitik e real të njeriut, i cili , siç ndodhte edhe me Itakën e Odisës, ashtu Suka e Cërmjanit ishte për Udhësin Lojëtar sizmologjia e gjendjeve shpirtërore, që duhej të kalonte nëpër nëntë rrathë, që ishin nëntë shtresa të sprovës njerëzore, por edhe nëntë hallka të vetëpërcaktimit moral të individit në kontekst të xhunglës sociale e psikologjike që e rrethonte.

Teki Dërvishi erudit e shkrimtar, estet e publicist, eksperimentues  e postmodernist, i cili kurrë nuk parapëlqeu t’i takonte shumicës, mbetet pengu më i madh i i një misioni të papërfunduar i botuesve, studiuesve e përgjithësisht lexuesve, sepse njohja më cilësore  me këtë shkrimtar tash e në të ardhmen nuk mund të bëhet pa një ridefinim të statusit të tij në letrat tona dhe kjo uk mund të bëhet pa u botuar e plotë vepra e tij, në poezi, prozë, dramë, ese, kritikë (letrare dhe teatrore), publicistikë, dhe pa u studiuar me themel sistemi estetik e shkrimor i kësaj vepre.

Nëse në Britani ekziston si model  katedra e Shekspirologjisë, e pakta që mund të bëhet në sistemin tonë arsimor, kulturor e mediatik, është përfshirja si objekt studimi i veprës së Teki Dërvishit, njërit prej kodifikuesve të rrallë të shenjëzimit letrar, duke filluar që nga tregimet e para të botuara në revistën ‘Jeta e re’, në fillim të viteve 60, që drejtohej nga Esad Mekuli, ku bënte pjesë edhe tregimi ‘Sania’ , e deri te krijimet fundit, të shpërndara nëpër gazeta e revista në dhjetëvjetëshin e fundit para se të ndërronte jetë, më 29 qetshor 2011.

Qofshin të përjetshëm emri dhe vepra eTeki Dërvishit! / KultPlus.com

Zbulohet në Durrës mozaiku i rrallë 1900-vjeçar

Në “Durrësin e mozaikëve” ka dalë edhe njëherë tjetër në dritë, një mozaik tepër i rrallë, që mendohet se daton në shek. I të e.s.

Ky është mozaiku i Meandrit, dikur dyshemeja luksoze e një banese antike, që prej vitesh ishte zhytur në ujërat e zeza të pallatit, në nëntokën e të cilit u zbulua, shkruan historiashqiptare.net, transmeton klankosova.tv.

Me nisjen e punimeve për riforcimin e pallatit shumëkatësh të dëmtuar nga tërmeti në lagjen nr.11 të Durrësit, pati shpresë edhe për mozaikun me një moshë rreth 1900-vjeçare.

“Ne kemi gati 2 muaj që po punojmë këtu dhe kur kemi ardhur, në gjendjen fillestare, këtu ka qenë 60 cm uji dhe këtu ka qenë gjithë fekale. Për 2 javë rresht kemi punuar pa ndërprerë, me 2 turne, për ta çuar në këtë gjendje që është sot”, thotë Leonard Kalia, drejtues i punimeve.

Me gjithë punën e bërë, monumenti i kulturës i Kategorisë së Parë rrezikon sërish.

“Ka prurje çdo ditë. Çdo herë që bie shi, këtu mbytesh”, shprehet Kalia.

Prandaj përfaqësuesit e kompanisë nënvizojnë si emergjente gjetjen e një zgjidhje konkrete.

“Kjo ka nevojë për një ndërhyrje nga bashkia, se këtë problem e kanë edhe pallatet ngjitur. Duhet një bashkëveprim, sepse këtu ka shkarkime tubash dhe disnivel. Ne kur kemi ardhur këtu e kemi hequr vetë komplet ujin edhe pse është një punë që nuk na takonte.

Duhet të veprojë sa më shpejt edhe bashkia, sepse nëse ne mbarojmë punë dhe ata e lënë në atë gjendje, atëherë këtu me shumë mundësi gjatë dimrit mund të ketë ujë prapë”, thekson Redi Vila, inxhinier.

I zbuluar për herë të parë në vitin 2005, mozaiku i Meandrit është i punuar në teknikën bardhezi dhe ka në brendësi simbolin e diellit në lëvizje.

Për vetë rëndësinë që ka objekti, bashkia në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, ka kërkuar zhvendosjen e tij drejt Muzeut Arkeologjik të Durrësit./KultPlus.com

104 vjet nga Traktati i Versajës që i dha fund Luftës së parë Botërore

Traktati që përfundoi Luftën e Parë Botërore dhe pjesërisht përgjegjës për fillimin e Luftës së Dytë Botërore.

Traktati i Versajës, i nënshkruar më 28 qershor 1919 në Sallën e Pasqyrave në Pallatin e Versajës në Paris, ishte marrëveshja e paqes mes Gjermanisë dhe Fuqive Aleate që përfunduan zyrtarisht Luftën e Parë Botërore . Megjithatë, kushtet në traktat ishin aq ndëshkuese ndaj Gjermanisë, saqë shumë besojnë se Traktati i Versajës hodhi themelet për ngritjen eventuale të nazistëve në Gjermani dhe shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore.

Debatohet në Konferencën e Paqes në Paris

Më 18 janar 1919 – pak më shumë se dy muaj pasi përfunduan luftimet në Frontin Perëndimor të Luftës së Parë Botërore – u hap Konferenca e Paqes e Parisit, duke filluar pesë muajt e debateve dhe diskutimeve që rrethonin hartimin e Traktatit të Versajës.

Megjithëse morën pjesë shumë diplomatë nga Fuqitë Aleate, “tre të mëdhenjtë” ishin më të influencuarit (kryeministri David Lloyd George i Mbretërisë së Bashkuar, kryeministri Georges Clemenceau i Francës dhe presidenti Woodrow Wilson i Shteteve të Bashkuara). Gjermania nuk ishte e ftuar.

Më 7 maj 1919, Traktati i Versajës u dorëzua në Gjermani, të cilëve iu tha se kishin vetëm tre javë për të pranuar Traktatin. Duke pasur parasysh se në shumë mënyra Traktati i Versajës ishte menduar për të ndëshkuar Gjermaninë, Gjermania, sigurisht, gjeti shumë gabime me Traktatin e Versajës.

Gjermania ka dërguar një listë të ankesave për Traktatin; megjithatë, Fuqitë Aleate injoruan shumicën e tyre.

Traktati i Versajës: një dokument shumë i gjatë

Traktati i Versajës është një dokument shumë i gjatë dhe i gjerë, i përbërë nga 440 nene (plus shtojcat), të cilat janë ndarë në 15 pjesë.

Pjesa e parë e Traktatit të Versajës krijoi Lidhjen e Kombeve. Pjesë të tjera përfshinin kushtet e kufizimeve ushtarake, të burgosurit e luftës, financat, qasjen në portet dhe rrugët ujore dhe dëmshpërblimet.

Kushtet e Traktatit të Versajës nxisin polemika

Aspekti më kontradiktor i Traktatit të Versajës ishte se Gjermania do të merrte përgjegjësinë e plotë për dëmet e shkaktuara gjatë Luftës së Parë Botërore (neni 231). Kjo klauzolë në mënyrë specifike deklaroi:

Qeveritë Aleate dhe të Lidhura afirmojnë dhe Gjermania pranon përgjegjësinë e Gjermanisë dhe aleatëve të saj për shkaktimin e të gjitha humbjeve dhe dëmeve në të cilat qeveritë aleate dhe shoqëruese dhe shtetasit e tyre janë nënshtruar si pasojë e luftës së imponuar nga agresioni i Gjermanisë dhe aleatët e saj.

Seksione të tjera të diskutueshme përfshinin koncesionet e mëdha të tokës të detyruara ndaj Gjermanisë (duke përfshirë humbjen e të gjitha kolonive të saj), kufizimin e ushtrisë gjermane në 100,000 burra dhe shumën jashtëzakonisht të madhe në dëmshpërblimet që Gjermania do t’i paguante Fuqive Aleate.

Gjithashtu, ishte i tërbuar Neni 227 i Pjesës VII, i cili deklaroi se Aleatët synonin të akuzonin perandorin gjerman Wilhelm II për “veprën supreme kundër moralit ndërkombëtar dhe shenjtërinë e traktateve”. Wilhelm II do të gjykohej para një gjykate të përbërë nga pesë gjyqtarë.

Kushtet e Traktatit të Versajës ishin kaq armiqësore ndaj Gjermanisë, saqë kancelarja gjermane Philipp Scheidemann dha dorëheqjen sesa të nënshkruante atë.

Megjithatë, Gjermania e kuptoi se ata duhej ta nënshkruanin atë, sepse nuk kishin fuqi ushtarake për t’u rezistuar.

Traktati i Versajës është nënshkruar

Më 28 qershor 1919, pikërisht pesë vjet pas vrasjes së Archduke Franz Ferdinand, përfaqësuesit e Gjermanisë Hermann Müller dhe Johannes Bell nënshkruan Traktatin e Versajës në Sallën e Pasqyrave në Pallatin e Versajës pranë Parisit të Francës. / KultPlus.com

Carlo Pedersoli alias Bud Spencer, jeta dhe pasionet e gjigantit të kinemasë italiane

“Nuk ka njeri më të keq, sesa ai që vendos të bëhet i keq, pasi ka qenë për shume kohë i mirë!”. Me këtë frazë e përshkroi veten Bud Spencer në filmin e vitit 1981 “Kush gjen një mik, gjen një thesar”. Në ekran ai ishte gjiganti me pamje të vrazhdë, por gjithmonë i sjellshëm, i rreshtuar në mesin e njerëzve të mirë.

Por kush ishte Bud Spencer larg ekranit? Carlo Pedersoli lindi në Napoli më 31 tetor të  vitit 1929. E ëma Rosa Facchetti ishte nga Kiari, ndërsa Alessandro Pedersoli ishte një napolitan me origjinë nga Breshia. Që në moshë të vogël ai u apasionua pas sportit, dhe veçanërisht notit, me të cilin pati shumë sukses.

Por ai nuk u ndal vetëm tek noti, pasi u mor edhe me boks dhe regbi në nivel amatore. Në vitin 1940, për shkak të punës së babait të tij, familja Pedersoli u shpërngul në Romë, ku Carlo ndoqi shkollën e mesme dhe u regjistrua në fakultetin e kimisë në universitetin “La Sapienza”.

Nuk përfundoi dot studimet pasi familja u shpërngul sërish në vitin 1947 në Amerikën e Jugut. Pedersoli u rikthye në Itali në fundin e viteve 1940, kryesisht për shkak tëanëtarësimit në ekipin SS Lazio Nuoto.

Kështu filloi edhe karriera e tij e shkëlqyer sportive. Ai mori rregullisht pjesë në kampionatet italiane, dhe ishte italiani i parë që vendosi rekordin e 100 metrave në më pak se 1 minutë.

E përfaqësoi Italinë në disa aktivitete ndërkombëtare, përfshirë Lojërat Mesdhetare të vitit 1951.

Carlo rifilloi studimet por i mërzitur nga kimia u diplomua për drejtësi. Në vitin 1952,  përfaqësoi Italinë në Olimpiadën e Helsinkit në kategorinë100 metra stil i lirë, duke përfunduar i nënti. Tre vjet më vonë, mori pjesë në Olimpiadën e Barcelonë së bashku me ekipin kombëtar të vaterpolit, duke fituar më në fund medaljen e artë. Në vitin 1956 mori pjesë në Olimpiadën e Melburnit, por këtë herë nuk arriti të kualifikohej në finale.

Por aftësitë e tij sportive nuk kaluan pa u vënë re. Universiteti i Jeilit e ftoi të kalonte disa muaj në Shtetet e Bashkuara për t’u stërvitur, së bashku me atletë të tjerë të rinj premtues. Por aftësitë e tij fizike nuk kaluan pa u vënë re edhe nga producentët e filmit. Ai mori pjesë, në role dytësore, në produksione kryesisht italiane si “Quel fantasma di mio uomo” dhe prodhime të Hollivudit si “Quo Vadis”.

Por pas Olimpiadës së Melburnit, ai u transferua sërish në Amerikën e Jugut, me të cilën mbeti gjithmonë shumë i lidhur, duke punuar për kompaninë“Pan-American”, në seksionin midis Venezuelës dhe Kolumbisë. Po ashtu punoi për degën e “Alfa Romeo”në Karakas të Venezuelës, ndërsa luajti edhe me ekipin kombëtar të vaterpolit këtij vendi.

Në vitin 1960 u rikthye në Itali, ku u martua me Maria Amato, të cilën e njihte prej 15 vjetësh dhe mori pjesë në Lojërat Olimpike të Romës. Gruaja e tij ishte vajza e Giuseppe Amato, një producent filmash. Carlo nënshkroi një kontratë me kompaninë diskografike RCA. Kur në vitin 1964 vdiq vjehrri i tij, Pedersoli u bë një producent dokumentarësh për RAI-n.

Në vitin 1967, regjisori Giuseppe Colizzi vendosi ta përfshijë atë në një nga filmat e tij, por mes të dyve pati menjëherë një përplasje. Arsyeja e parë e mosmarrëveshjes ishte shpërblimi:regjisori i ofroi 1 milionë lireta për rolin, ndërsa Carlo kërkoi 2.

Për më tepër, regjisori i kërkoi të rriste mjekrën dhe të mësonte të shalonte kuajt, kushte që Carlo i refuzoi. Në këto kushte, xhirimet e filmit mbetën pezull. Por edhe pas disa kohësh, regjisori nuk gjeti dot askënd tjetër me të njëjtat karakteristika fizike, ndaj u detyrua të pranojë kushtet e Pedersolit.

Filmi titullohej “Zoti fal … Unë jo!”, dhe ndër personazhet dytësore ishte një aktor që tashmë kishte marrë pjesë në shumë filma, por ishte i panjohur për publikun e gjerë. Emri i tij ishte Mario Girotti. Dy aktorët u shfaqën së bashku në poster, por duke qenë një film i zhanrit uestern, Pedersoli dhe Girotti ishin shumë emra italianë, pra jo shumë tërheqës për tregun ndërkombëtar.

Prandaj ata duhej të zgjidhnin disa emra artistikë. Carlo vendosi të nderonte njërin prej aktorëve të tij të preferuar, duke përdorur emrin Spencer. Bëhej fjalë për Spencer Tracy, ndërsa emrin Bud, si një shkurtesë të  markes së njohur të birrës Budweiser, që në Itali tregtohet me emrin Bud.

Për me tepër emri Bud, në anglisht i referohej me shaka edhe madhësisë së tij fizike. Nga ana tjetër Mario zgjodhi emrin e artit Terence Hill. Të dy xhiruan së bashku 18 filma, përveç roleve individuale. Në vitin 1970, me regji të E.B.Clucher (pseudonim i Enzo Carbonit), ishte filmi uestern “E quajtën Trinitet”, ai që u dha atyre një sukses të menjëhershëm.

Nga ai moment historia e çiftit u shndërrua në një legjendë. Filmat si “… Përndryshe inatosemi”, “…Djem më të fortë”, “Kush gjen një mik, gjen një thesar”, “Nuk ka dy pa katër”, “Të lindur me këmishë” janë kthyer në një kult të vërtetë.

Por Bud ndjeu nevojën të shfaqte deri në fund aftësitë e tij krijuese. Kështu ai shkroi këngënpër filmin e tij të vitit 1977 “Ata e quajtën buldozer” së bashku me vëllezërit Guido dhe Maurizio de Angelis, të njohur më mirë me pseudonimin e Oliver Onions.

Në vitin 1979, fitoi çmimin “Jupiter” si aktori më i njohur në Gjermaninë Perëndimore. Ai ishte aq popullor atje sa që gjermanët krijuan foljen “sich budspenceren”.Nga fundi i viteve 1980, Pedersoli punoi më shumë në televizion.

Në vitin 1994 mori pjesë në filmin e fundit me Terence Hill “Zënkat e Krishtlindjeve” me regjinë e vetë Terence Hill, por që rezultoi një dështim. Bud Spenser u tërhoq nga skena në  të vitit 2000. Në dallim nga yjet e tjerë të kinemasë, jeta e tij private nuk bëri asnjëherë sensacion.

Përveç 2 fëmijëve më të mëdhenj, në vitin 1972 lindi vajza e tretë, Diamante, e cila ndoqi hapat e të atit si aktore. Por Carlo nuk ishte vetëm një aktor. Në vitin 1975 ai mori licencën si pilot helikopteri për Shtetet e Bashkuara, Zvicrën dhe Italinë, si dhe për aeroplanë, automjete që i drejtonte edhe në filma, dhe të cilat i drejtoi deri kur ndërroi jetë.

Ai ishte gjithashtu një sipërmarrës. Në vitin 1976 themeloi një linjë të prodhimit të xhinseve, ndërsa në vitin 1981 themeloi së bashku me disa të tjerë kompaninë ajrore “Mistral Air”, e cila u ble më pas nga Posta Italiane. Gjatë viteve 2000 botoi disa autobiografi, në të cilat tregoi pasionin e tij për ushqimin dhe filozofinë.

Veç italishtes dhe anglishtes ai fliste rrjedhshëm edhe spanjisht, portugalisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Ai ishte gjithmonë i interesuar për politikën dhe mbështeti aktivisht të djathtën italiane. Vdiq më 27 qershor të  vitit 2016, për shkak të komplikimeve pas një aksidenti nështëpinë e tij.

Në Budapest, u ngrit statuja e parë e Bud Spencer në botë, me frazën e përkthyer në hungarisht “Ne nuk u grindëm asnjëherë!”, frazë e shqiptuar nga Terence Hill gjatë funeralit. Në Hungari, Bud Spencer është një ikonë e vërtetë, një simbol i lirisë gjatë periudhës së diktaturës komuniste, kur filmat amerikanë ishin zyrtarisht të ndaluar. /Bota.al/ KultPlus.com

Saz Iso performon në Gjirokastër

Në Gjirokastër në këto ditë që zhvillohet festivali folklorik pati edhe mysafirë të veçantë. Grupi Saz Iso i krijuar në Londër, performoi për herë të parë në qytetin e gurtë.

Ata kënduan dhe luajtën me instrumente në skenën e ngritur në pazarin karakteristik, ndërsa thonë se janë të kënaqur me mikpritjen. Banda u krijua në vitin 2016 dhe regjistroi këngët e para dhe nisi turet fillimisht në Angli e më pas edhe në shtete të tjera në vitin 2018.

Anëtarët e kësaj bande shpresojnë që të kthehen sërish në Shqipëri.

Grupi Saz Iso u krijua me iniciativën e producentit të bandës së njohur Pink Floyd. Ai dëgjoi në radio në vitet ’70 një nga edicionet e festivalit folklorik dhe u impresionua nga muzika dhe instrumentet. Vendosi që të bënte bashkë artistë shqiptarë që jetojnë në emigracion dhe në Shqipëri./KlanNews/KultPlus.com

Si s’të desha pak ma shumë

Poezi e shkruar nga Fatos Arapi

Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë
Edhe prap s’ia fal dot vetes:
S’i s’e desha pak më shumë…
Pak më shumë ku shpirti thyhet,
T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…
Të gënjejmë mallin që s’shuhet,
Kujtimin të gënjejmë pak.
Përtej vdekjes, përtej botëve,
Atje ku nis “ca pak” tjetër,-
Asaj që më rri mes Zotave:
“Si s’të desha pak më tepër…”./KultPlus.com

‘Bonbonat’

Poezi nga Nerimane Kamberi

Shikoj kunatin
duke marrë një bonbon në tavolinë
dhe buzëqeshi.
“Kanë mbet nga festa”, i them.
Nana nuk më priste te oborri,
nana nuk është më.
Pashë bonbonat te xhami,
“për fëmijtë për festë” më tha nusja.
“Bajram, Bajram” thërrisnin ata,
merrnin nga një, dhe shkonin te shpija tjetër.
Fundja mbetet dashuria,  dhe kujtimet,…
të tjerat janë kot, ama bash kot./ KultPlus.com

Nata IV e Festivalit Folklorik: Serenatat korçare e dasmat krutane në skenë

Kryeministri Edi Rama ka ndarë fotoalbumin e mbrëmjes së katërt të festivalit folklorik kombëtar, që po zhvillohet në Gjirokastër. Në skenën e ndërtuar tek Kalaja e Gjirokastrës, mbrëmjen e katërt u ngjithën grupe nga Korça, Kruja e Durrësi.

“Serenatat korçare, dasmat krutane dhe motivet e Durrësit përmbyllën natën e katërt të Festivalit Folklorik Kombëtar në Gjirokastër”, bënë të ditur Kryeministri Rama.

Festivali Folklorik Kombëtar që po zhvillohet në Kalanë e Gjirokastrës ka nisur të shtunën dhe vijon deri në datë 2 korrik. Festivali është kthyer në një atraksion turistik, i cili promovon foklorin dhe traditën e vendit tonë. Në festival marrin pjesë grupe nga të 12 qarqet e vendit, por edhe nga vendet fqinje.

Historiku i Festivalit Folklorik të Gjirokastrës

Festivali i parë Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua në vitin 1968 në Kalanë e Gjirokastrës. Festivali, si një nga evenimentet më të rëndësishme kulturore, bëri bashkë grupet artistike në çdo rreth duke i ftuar ata të performojnë së bashku në skenë çdo pesë vjet, përkatësisht 1973, 1978, 1983, 1988, në Kalanë e Gjirokastrës, ku janë zhvilluar rregullisht FFK-të.

Në festivalin e vitit 1973 në fazën përfundimtare, morën pjesë 1370 vetë. Në festivalin e vitit 1978, në fazën përzgjedhëse u aktivizuan rreth 53 mijë pjesëmarrës, ndërkohë që vetëm 1560 interpretuan gjatë ditëve të festivalit.

Në vitin 1995, FFK u zhvillua në kalanë e qytetit të Beratit. Në muajin shtator 2000 FFK rikthehet përsëri në qytetin e Gjirokastrës. Ky festival ka qenë i konceptuar në formën e një gare folklorike, ku deri në festivalin e vitit 1988, janë dhënë çmime për grupet më të mira, ndërkohë që në edicionet e fundit të tij çmimet do të ndaheshin për bartësit dhe interpretuesit e folklorit.

FFK 2004 u zhvillua në Gjirokastër nga data 29 shtator, deri në 5 tetor. FFK 2009 u zhvillua në Gjirokastër në datës 24 deri në 29 shtator 2009. Në vitin 2015 u zhvillua edicioni i nëntë.

Pjesëmarrja në Festival e grupeve folklorike nga Kosova, shqiptarët e Maqedonisë dhe Malit të Zi, arbëreshëve, arvanitasit, diasporës së largët si dhe të folklorit çam, etj, shërben për të zgjeruar jo vetëm hapësirat gjeografike të folklorit shqiptar, por sjell edhe vlera të papërsëritshme në interpretimin dhe ekzekutimin e trashëgimisë kulturore shpirtërore tradicionale shqiptare duke e kthyer këtë veprimtari të rëndësishme në një festë të folklorit shqiptar./atsh/KultPlus.com

Nata e katërt e festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, Eneda Tarifa zbulon detaje: Mbrëmja do të hapet nga…

Prezantuesja e festivalit, këngëtarja Eneda Tarifi në një lidhje live me skype në rubrikën “Opinion”, në News24, zbuloi detaje të reja në lidhje me natën e katërt të festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës.

Mbrëmja do të hapet nga grupi i Fierit, ku do të mbizotërojë kënga dhe vallja.

“Kam një lidhje të madhe me këtë qytet, pasi kam gjyshen këtu. Çdo pushim veror i kam kaluar në Gjirokastër. Sot do të jetë grupi i Fierit, do të jenë grupe që do të përfshirë çdo veçori të rrethit të Fierit. Nuk do të ketë vetëm këngë, por edhe valle. Ky është një event i madh dhe jam shumë e emocionuar, pasi për mua ishte një surprizë. Ne kemi një pasuri të jashtëzakonshme dhe kjo është muzika jonë autoktone”, u shpreh ajo./ballkanweb/KultPlus.com

Markohet shtegu ‘Gjelaj-Ujëvara e Valbonës’

Specialistët e Administratës së Zonave të Mbrojtura Kukës bënë të mundur markimin e shtegut “Gjelaj-Ujëvara e Valbonës” pjesë e parkut kombëtar “Alpet e Shqipërisë”.

Në një postim në rrjetet sociale ADZM Kukës ndau momente nga puna për markimin e shtegut.

“Një shteg mjaft i vizituar nga turistët me një vështirësi mesatare dhe gjatësi rreth 3 km”, theksoi ADZM Kukës.

Një nga atraksionet më kryesore të Valbonës ngelet lidhja e saj me luginën e Thethit përmes qafës me të njëjtin emër, Qafa e Valbonës. Një shteg epik për krejt Alpet Shqiptare i kërkuar dhe përshkuar nga shumë udhëtarë shqiptarë e të huaj çdo sezon.

Qafa malore që lidh Thethin me Valbonën e merr emrin nga kjo e fundit, Qafa e Valbonës e vendosur në një lartësi 1759 metra mbi nivelin e detit, e rrethuar nga maja të tjera me të larta si maja e Alisë, maja e Hekurave etj.

Shtegu i kalimit këmbësor fillon ekzaktësisht në lagjen Gjelaj, në fshatin Rragam i Shalës, në pjesën e sipërme të luginës së Valbonës dhe konsiston në 9.5 km shteg nga kjo pikë e deri në Gjelaj të Thethit.

Kalimi i Qafës mund të bëhet nga të dyja krahët, Valbonë – Theth apo Theth – Valbonë. Ajo që duhet thënë ështe se nëse e filloni ecjen nga Valbona ky itinerar është më i lehtë për t’u përshkruar. Kjo pasi ka një disnivel më të vogël për të përshkuar (rreth 630 metra) ndërkohë që disniveli nëse fillohet nga Thethi është rreth 850 metra nga Thethi në qafë./atsh/KultPlus.com

Italia në kërkim të turistit që gdhendi emrin në Koloseum-in e Romës

Ministrat e Kulturës dhe Turizmit të Italisë janë zotuar se do të gjejnë dhe ndëshkojnë turistin i cili u filmua duke gdhendur emrin e tij dhe emrin e të dashurës së tij në murin e Koloseumit të Romës, që përbën vepër penale e cila ka çuar në gjoba të mëdha në të kaluarën.

Videoja e incidentit u bë virale në mediat sociale ndërsa banorët e Romës kanë filluar të ankohen për turma turistësh që kanë vërshuar qytetin e lashtë në numër rekord këtë sezon.

Ministri i Kulturës, Gennaro Sangiuliano, grafitin “Ivan+Haley 23” të gdhendur në Amfiteatrin Flavian gati 2.000-vjeçar, e quajti “serioz, jo dinjitoz dhe një shenjë e pafytyrësisë së madhe”, duke theksuar se ai shpresonte se fajtorët do të gjenden dhe ndëshkohen.

“Ne nuk mund të lejojmë që ata që vizitojnë vendin tonë të ndjehen të lirë të sillen në këtë mënyrë”, tha ministrja e Turizmit, Daniela Santanche, duke bërë thirrje për respekt për kulturën dhe historinë italiane. Në vitin 2014, një turist rus u gjobit me 20 mijë euro për gdhendjen e një shkronje të madhe ‘K’ në murin e Koloseumit, për të cilën ai u dënua me 4 vjet burgim me kusht.

Një vit më pas, dy turistë amerikanë u gjobitën për shkaktimin e dëmeve të rënda pasi gdhendën emrat e tyre në Koloseum./KultPlus.com

Mos u zhduk

Poezi nga Yevgeny Yevtushenko

Mos u zhduk… Duke u zhdukur nga mua,
e çmishëruar vetvetes ju zhduke.

Vetja jote kështu u tradhëtua
me pandershmëri prostitute.

Mos u zhduk… Të zhdukesh është lehtë,
të ringjallesh për tjetrin s’ka se si.
Vdekja të tërheq shumë thellë,
të vdesësh nuk është mënçuri.

Mos u zhduk. Harro hijen e tretë.
S’ka të tretë. Dy janë dashurive.
Bashkë do shkojmë në gjyqin e shenjtë,
kur gjaku t’na thërrasë për përgjigje.

Mos u zhduk… e kemi shlyer mëkatin,
fajtorë s’jemi ne, as damkosur.

Të denjë jemi unë dhe ti për të falur
në-mos-dashje ç’kemi plagosur.

Mos u zhduk. Të zhdukesh është çast,
por si do takohemi nëpër shekuj?
Ç’sozi kemi në botë, ti fantazmë
dhe unë? – Fëmijët tanë të qeshur.

Mos u zhduk. Jepma dorën tënde,
në të jam shkruar unë – i besoj sekretit.

Dashuria e fundit është e tmerrshme,
S’është dashuri, por frikë e humbjes së tjetrit.

Përktheu: Visar Zhiti

Kryevepra e fundit e Klimt bëhet vepra artistike e shitur më shtrenjtë në Evropë

Vepra e fundit e artistit austriak Gustav Klimt është shitur në ankand 86 milionë euro duke vendosur një rekord të ri për pikturën më të shtrenjtë të shitur ndonjëherë në Evropë.

Kryevepra e fundit e Gustav Klimt ka thyer rekordin e ankandit evropian duke u shitur për 74 milionë funte, ose 86 milionë euro, në Sotheby’s në Londër.

Simbolisti i njohur austriak “Dame mit Fächer” (Zonja me erashkë) pritej të për rreth 76 milionë euro.

I përshkruar si një “portret i bukur, i pasur dhe tërheqës i një gruaje pa emër”, portreti u gjet në kavaletin e tij në studion e tij kur ai vdiq papritur në shkurt 1918 në moshën 55-vjeçare.

Helena Newman, nga Sotheby’s, tha se ishte pikturuar gjatë kulmit artistik të Klimt-it, kur ai po prodhonte disa nga veprat e tij më të famshme dhe eksperimentale.

“Shumë nga ato vepra, sigurisht portretet për të cilat ai njihet më shumë, ishin porosi,” tha Newman, i cili është përgjegjës i Sotheby’s Europe dhe kreu global i Artit Impresionist dhe Modern.

“Kjo, megjithatë, është diçka krejtësisht e ndryshme. Kjo tregon eksperimentet që ai ka bërë për të kaluar kufijtë, si dhe një ode e përzemërt për bukurinë absolute.”/KultPlus.com

Shën Nënë Tereza: Ma dërgo dikë ta dua

sharethis sharing button

Poezi nga Nënë Tereza

O Zot, 
Kur kam uri, më jep dikë që ka nevojë për bukë.
Kur kam etje, më dërgo dikë që ka nevojë për ujë.
Kur kam të ftoftë, më dërgo dikë ta ngroh.
Kur ndjehem e pakënaqur, më dërgo dikë ta ngushëlloj.

Kur kryqi im peshon rëndë, më bëjë ta bashkëndajë kryqin e tjetrit.
Kur jam e varfër, më dërgo te ata që kanë nevojë.
Kur nuk kam kohë, ma jep dikë që ta ndihmoj për një çast.
Kur jam e nënçmuar, bëjë të kam dikë që ta lavdëroj.

Kur jam e ligështuar, më dërgo dikë ta forcoj.
Kur kam nevojë të më kuptojnë, më dërgo dikë që ta dëgjoj e ta kuptoj.
Kur kam nevojë të kujdesen për mua, më dërgo dikë të kujdesem për të.
Kur mendoj vetëm për vetveten, tërhiqe vëmendjen time tek të tjerët. / KultPlus.com

Rama nderon Yuri Kim me Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike: Për sa shumë e deshi Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se “në radhën e tërë atyre që deri më sot janë ulur në zyrën e ambasadorit amerikan në Shqipëri, Yuri Kim ishte më amerikania mes shqiptarëve dhe më shqiptarja mes amerikanëve”.

Në përfundim të misionit diplomatik të ambasadores Kim në Shqipëri, Rama i kushtoi një shkrim në rrjetet sociale, ku ndër të tjera shprehu mirënjohjen e falenderimin për ambasadoren Kim.

“Yuri Kim e mbylli misionin e saj në Shqipëri. Ajo qëndroi njësoj sa të gjithë ambasadorët e tjerë, po qëndrimi i saj zgjati më shumë se sa i të tërë të tjerëve bashkë. Sepse ndryshe nga gjithë të tjerët, ajo nuk ndenji një ditë pa u shfaqur, sa ekran më ekran, e vrenjtur edhe kur buzëqeshte, sa në instagram, e qeshur edhe kur peizazhet nga Shqipëria ishin të vranëta, e sa përmes cicërrimave, ku ëmbëlsisht serioze e ku seriozisht të hidhura, nga frëngjia e Twitterit; sa në rrugët e jetës politike në Tiranë, ku me dylbi e me pushkë në stërvitjet ushtarake, ku me shpatë në brez në mbledhjet e organeve të drejtësisë, ku me lot në sy për viktimat e Armikut të Padukshëm, ku me helm në gjuhë për armiqtë e Reformës në Drejtësi, e ku me llokume e raki për komisionin multipartizan të reformës zgjedhore”, shkruan Rama.

“Herë si kalorëse e të gjithëpushtetshmit, herë si hije e pushtetit dhe herë si bebisiter e kundërshtarëve të pushtetit, edhe falenderuese për miqësinë mes popujve, edhe inkurajuese për arritjet e popullit, edhe kërcënuese për të zgjedhurit nga populli, nganjëherë e bezdisur prej akuzave se po mbështet qeverinë, ndonjëherë e nervozuar prej pretendimeve se po mbështet opozitën, shpeshherë e gëzuar për pakënaqësinë e të gjitha palëve, po asnjëherë në një vend; sa në majat e maleve e në brigjet e deteve, për të dhënë mesazhe të mirëkuptuara, sa në mes të burrave me kostum për të nënkuptuar se kostumi s’të bën medoemos burrë, sa në këmbë mes fëmijëve në Tropojë për të nënvizuar se Amerika s’të njeh për burrë, e sa ulur mes plakave në Dhërmi, për të nëntreguar se asnjë burrë nuk është i domosdoshëm”, vijon kryeministri.

Rama u shpreh se “Yuri Kim u largua duke lënë pas në pamje të parë, miq e armiq, që e deshën apo e urryen, ndërkohë që më pranë të vërtetës është fakti se askush s’e deshi dot pa e urryer asnjëherë dhe asnjë s’e urreu dot pa e dashur qoftë edhe njëherë”.

Sipas tij, “në radhën e tërë atyre që deri më sot janë ulur në zyrën e ambasadorit amerikan në Shqipëri, ajo ishte më amerikania mes shqiptarëve dhe më shqiptarja mes amerikanëve”.

“Kush më shumë e kush më pak, ambasadorët e superfuqisë në vendin tonë kanë rënë në kurthin e ëmbëlsisë admiruese të Shqipërisë, ku Amerika shihet si Arusha e Madhe në qiell dhe një ambasador amerikan trajtohet kudo ku shkon, si mik i rënë nga qielli, e për rrjedhojë fatale bie brenda dhe ndjehet si një Zot në tokë, i cili duhet të jetojë e të veprojë në emër të popullit shqiptar, të bëhet jo vetëm zëdhënësi i halleve të tij, po edhe luftëtari që për llogari të tij përleshet me padrejtësitë, fshikullon të pushtetshmit, godet të paudhët, poshtëron të pandreqshmit, një lloj gjykatësi suprem, i cili merr frymë me detyrimin moral karshi njerëzve të thjeshtë që të kontestojë deri edhe vetë vendimet e gjykatave”, shtoi Kryeministri.

“E tmerrshme në dukje, po jo edhe aq në fakt, sepse për ta vlerësuar si duhet rolin e ambasadorëve amerikanë, e posaçërisht të ambasadores që me protagonizmin e saj të veçantë na doli edhe në ëndërr, e më shtyu t’i shkruaj edhe këto radhë, duhet bërë pyetja, “A do të ishte më mirë sikur të mos ishin fare a sikur në vend se të zhytej me kokë, në vorbullën e jetës politike e institucionale të vendit, Yuri të qëndronte si sfinks mbi kodrën e butë të Rrugës së Elbasanit?”…. Unë them jo, padiskutim jo. Përkundrazi. Por ky do të ishte një shkrim i gjatë, për të cilin këtu nuk është asfare vendi”, vijoi ai.

Rama u shpreh se: “Në fund të misionit të saj, nuk më mbeti tjetër veçse t’i dorëzoj ambasadores Yuri Kim, Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike për sa shumë e deshi Shqipërinë, sa shumë u përpoq për të ndihmuar që Shqipëria në ikje të saj, të bëhej një vend më i mirë se sa ai që ishte kur ajo erdhi dhe mbi të gjitha, për bindjen time se kjo lloj Amerike, me duart e futura në organizmin e jetës sonë institucionale, ka qenë tërë këto vite të ngjitjes së mundimshme nga honi i zi i ferrit komunist në të përpjetën drejt dritës së demokracisë, një e keqe aq e domosdoshme, sa vetë forca që i ka dhënë Shqipërisë e kombit shqiptar në çdo drejtim, e padyshim edhe sa fuqia që i ka dhënë drejtësisë në Shqipëri për të luftuar, më në fund, me të këqijat që deri dje ngjanin të përjetshme dhe pa Amerikën në krah do të mbeteshin përjetë të tilla”.

“Prandaj njësoj si këta rreshta mbase diplomatikisht skandalozë – po ja që e vërteta s’është gjithnjë dot diplomatike kur duhet thënë patjetër – mirënjohja e falenderimi për ambasadoren Yuri Kim, janë të ndjerë sinqerisht e të menduar krejt lirisht, teksa avioni nga Brukseli po ulet në Tiranë, ku një tjetër ambasador amerikan pritet të bjerë së shpejti në kurthin e ëmbël të Shqipërisë. Thank you for everything dear Yuri and may force be with you all the way! God Bless you and the United States of America”, përfundoi Kryeministri./ atsh / KultPlus.com