Surrealizmi psikanalitik

Konsiderohet si një nga eksponentët më të famshëm të Surrealizmit. Max Ernst godet me veprat e tij absolutisht simbolike: një repertor me tablo onirike që e bënë të famshëm në të gjithë botën.

Ernst përjeton klimën historike dhe kulturore të lidhur me dy luftërat botërore dhe, duke punuar brenda temës surrealiste të ëndrrave, të ndryshimit të kuptimit, rimëkëmbjes së paraardhësve dhe habisë së pavetëdijshme, ai i dedikohet punës kërkimore përmes teknikës, çka e çon atë në imazhe formale të pashprehura më parë, që zgjerojnë horizontet e pikturës dhe skulpturës.

Imazhet kanë strukturat e tyre karakteristike, jetojnë sipas aftësisë së tyre krijuese dhe fantastike, rezultatet e të cilave burojnë nga këndvështrimi i autorit. Imazhi gjeneron ëndrrën: artisti pasi ka parë lindjen e imazhit “si spektator”, ëndërron dhe mbështetet tek ajo.

Pra, kemi të bëjmë me faktin se arti nuk kualifikohet si regjistrimi pasiv i një gjesti apo lëvizjeje të psikikës, por kryesisht si mjet për këqyrjen e botës së brendshme, si mjet për kërkime dhe hapje për vazhdimin e përvojës historike.

“Të pikturuarit për mua nuk është një argëtim dekorativ, apo shpikje plastike e një realiteti të paqartë; piktura duhet të jetë çdo herë shpikje, zbulim, e paparashikuar”, – shprehet Ernst.

Ndër veprat e tij kryesore përmendim: “Aquis submersus” (1919), “Qyteti me kafsh딓Virgjëresha rreh Jezusin para tre dëshmitarëve” (1926), “La Vestizione della Sposa” (1940), “Immortel” (1966), “Engjëlli i Shtëpisë”, “Barbarët”, etj.

Max Ernst, piktor, skulptor, grafist dhe shkrimtar gjerman, lindi në Bruhl më 2 prill 1891. Në vitin 1909 u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Bonit, ku filloi të studionte filozofinë, historinë e artit dhe psikiatrinë, më pas zuri të vizatonte duke nxjerrë kështu në pah prirjen e tij për artin.

Në vitin 1913 ekspozoi pikturat e para në Berlin, ku u takua me Gijom Apolinerin. Në vazhdim u fut në kontakt edhe me figura të tjera të shquara, përfshirë Robert Delaunay. Në vitin 1914 Max Ernst, periudhë kur përdori pseudonimin Dadamax, filloi të punojë me Hans Jean Arp dhe Johannes Baargelded.

Që të tre aderonin në lëvizjen e Blaue Reiter (Kalorësi i kaltër) të Monakos, një nga grupet e para artistike të ekspresionizmit, si dhe me revistën ekspresioniste të Berlinit “Der Sturm”. Përkrahës i bindur i avangardës, debutimi i Max Ernst zhvillohet me piktura ekspresioniste, mandej vijon me dadaizmin dhe nën ndikimin e pikturës së Giorgio De Chirico krijon piktura dhe kolazhe, në të cilat bashkekzistojnë objekte dhe figura heterogjene që krijojnë situata dykuptimëshe, surreale dhe onirike.

Zbulimi dhe njohja e De Chirico, studimet mbi Frojdin dhe psikoanalizën, si dhe përvoja e drejtpërdrejtë që pati si student në spitalet psikiatrike, kontribuuan mjaftueshëm në përkufizimin e dadaizmit të veçantë të Ernstit, i cili shprehet mbi të gjitha në kolazhet e lartpërmendura.

Në vitin 1920, së bashku me piktorët e tjerë, Ernst realizoi veçantinë: forma e artit që fokusohet në ngjarje dhe jo në objektin e vetëm, sikur të ishte një interpretim, i parealizuar ndonjëherë nga dadaistët. Ekspozitën e parë e hapi në vitin 1921, në “Galerie au Sans Pareil” në Paris.

Në vitin 1922 ai u transferua në kryeqytetin francez, ku do të jetë një nga themeluesit e “Manifestit të surrealizmit”, dy vjet më vonë botoi “Traktatin e pikturës surrealiste” (1924). Në vitin 1926, u largua nga lëvizja e dadaistëve për t’iu përkushtuar surrealizmit, gjithnjë e më i apasionuar, duke i veshur surrealizmit një interpretim jashtëzakonisht personal.

Në vitin 1929 botoi roman-kolazhin e parë “La Femme 100 têtes” (“Gruaja 100 koka”), ndërsa në vitin 1930 bashkëpunoi me Salvador Dali dhe Luis Bunuel në filmin “Mosha e artë”. U rikthye në Paris në vitin 1954, për të vazhduar kërkimet vetjake në fushën e artit surrealist.

Po atë vit, në Bienalen e Venecias, iu dha edhe çmimi i parë. Pas luftës, Max Ernst vazhdoi prodhimin e pikturave, skulpturave dhe veprave grafike në një ritëm shumë intensiv, duke përdorur dhe duke shpikur teknika të reja, si p.sh. çlirimin e ngjyrës së varur dhe përdorimin e fotografisë.

Fërkimi është teknika e veçantë e përdorur nga Max Ernst, e cila konsiston në vendosjen e fletës në çdo sipërfaqe të ashpër (dru, fletë, gur) dhe fërkon me një laps për të bërë vizatimin në sajë të fërkimit që ndodh kundër ashpërsisë së subjekteve.

Vitet e fundit të jetës, Max Ernst punoni thuajse ekskluzivisht me skulpturë; një nga veprat e fundit interesante është gjithsesi një haraç për zbulimet dhe misteret e shfaqura në sezonin e surrealizmit: Maximiliana ose ushtrimi ilegal i astronomisë (1964), një libër i përbërë tërësisht nga shenja abstrakte, që simulojnë linjat e shkrimit dhe sekuencat e imazheve.

Max Ernst vdiq më 1 prill 1976 në Paris./ KultPlus.com

Ditët zgjasin gjithnjë e më pak

Poezi nga Nâzım Hikmet

Ditët zgjasin gjithnjë e më pak
shirat do t’ia fillojnë.
Dera ime, krejt e hapur, të ka pritur.
Pse u vonove kaq?

Mbi tryezën time, ca speca jeshilë, kripë, bukë.
Kët’ verën që kam ruajtur në kanë
e kam pirë gjer në gjysmë, fillikat, duke pritur.
Pse u vonove kaq?

Ama shiko mbi degë, të pjekura, të thella
frutat përplot me mjaltë.
Do të binin përdhé pa i mbledhur kush
nëse do të vonoheshe edhe më.

1948

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

Frojd: Treguesi i parë i idiotësisë, është mungesa e plotë e turpit

Frojdi njihet si themelues i psikanalizës dhe për idetë radikale mbi botëkuptimin e njeriut, shkruan KultPlus.

Në vijim mund të lexoni disa nga thëniet më të njohura të tij:

Njerëzit janë më moralshëm sesa mendojnë dhe shumë më tepër imoralë sesa e përfytyrojnë!

Kur njerëzit më kritikojnë, unë e di se si të mbroj veten. Por, përballë lëvdatave jam i pafuqishëm!

Treguesi i parë i idiotësisë, është mungesa e plotë e turpit!

Një pjesë e madhe e asaj që është e vërtetë brenda nesh nuk kuptohet; dhe ajo që kuptohet, nuk është e vërtetë.

Qytetërimi zuri fill kur një person i zemëruar hodhi fjalën në vend të gurit!

Sa i guximshëm bëhet njeriu, kur është i sigurt se e duan!

Një qytetërim që lë një numër kaq të madh të pjesëtarëve të tij të pakënaqur dhe i çon ata në revoltë nuk e ka merituar dhe nuk e meriton të ekzistojë!

Njeriu nuk ia arrin t’i eliminojë komplekset e tij, por pajtohet me to: ato ligjërisht e drejtojnë veprimtarinë dhe sjelljen e tij në botë!

Të jesh tërësisht i ndershëm me veten është një ushtrim i mirë!

Fëmijët janë krejtësisht egoistë; ata i ndiejnë nevojat e tyre intensivisht dhe përpiqen mizorisht që t’i kënaqin!

Ëndrrat janë shpesh më të thella, kur ato duken më të çmendura!

Nëse dikush ka qenë i përkëdheluri i padiskutueshëm i nënës, ai ushqen gjatë jetës një ndjenjë triumfuese, besimin në sukses, çfarë jo rrallë sjell edhe suksesin!

Iluzionet na sundojnë, sepse ato na kursejnë në dhimbje dhe na lejojnë të shijojmë kënaqësinë në vend të saj. Prandaj duhet t’i pranojmë pa ankesa, kur ato nganjëherë përplasen me realitetin përballë të cilit, bëhen thërrime! / KultPlus.com

Vdiq ikona e “Zërit të Amerikës”, Rudina Dervishi

Sot është dhënë lajmin për vdekjen e gazetares së njohur, Rudina Dervishi, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur “Zëri i Amerikës”.

Postimi i plotë:

“Rudina Dervishi, gazetarja dhe drejtuesja e njohur prej shumë vitesh e emisionit televiziv “Ditari” të Zërit të Amerikës, u nda nga jeta të martën, më 12 shtator, në moshën 53-vjeçare, pas një beteje dy vjeçare me kancerin e gjirit.

Ikja e saj e parakohshme, është një humbje e madhe për familjen dhe për kolegët e saj të Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës.

Për më shumë se 25 vjet, Rudina dha një kontribut të çmuar me profesionalizmin e saj si një gazetare e apasionuar, duke mbuluar tema të shumëllojshme nga ekonomia, politika, të drejtat e njeriut dhe të gruas, e deri tek arti.

Ne, kolegët e saj të Zërit të Amerikës, do ta mbajmë mend Rudinën për mprehtësinë, dinamikën, humorin dhe përkushtimin e saj.

Ajo la pas bashkëshortin, tre djemtë dhe nënën”, thuhet në postim. /KultPlus.com

Një tregim i Faik Konicës për Skënderbeun

Sulltan Murati, me dyzet mijë këmbës e me gjashtëdhjetë mijë kalorës, ra përpara Krujës më 1448, edhe e bëri qark kryeqytetin. Skëndërbeu kish lëshuar në Krujë kontin e Urenës, i cili, me gjithë thesarët që i premtoi sulltan Murati, qëndroi kundrë me trimëri të madhe.

Shqiptarët,sipër nga muret që rrethonin Krujën, rrëkëllenin mi krerët e turqve shpella, zjarr e vaj përvëlimtar. Nga tjatër anë, Skëndërbeu, me tetëmbëdhjetë mijë njerëz vetëm, derdhej përsëjashti me ushtrinë armiqeshë, e në luftëra të nxehta, priste turq me qindra, edhe hiqej duke rrëmbyer flamurë e plaçka.

Një ditë, turqit ngrehin shkallë përmbi muret, që të binin me të pabesë në qytet; Skënderbeu, në ballë të shqipëtarëvet edhe me pallë në dorë, u lëshua kundrë armikut me një hov aq të tutshëm, sa turqit iknë e u përhapnë në të katër anët e fushës, shqiptarët, pastaj, hyjtin në qytet të Krujës. Po një frikë e madhe i drodhi të gjithë, kur panë se Skënderbeu s’ish midis tyre…

Nata po binte dalëngadalë, e, në fund të qiellit, porsi virgjinesha të bardha,yjtë ëndërronin me trishtim. Konti i Urenës, sa gatitej bashkë me parësinë për të dalë për të kërkuan Skëndërbenë, – Mrika, çupë gjashtëmbëdhjetë vjetsh, më e bukura, më e shkëlqyera, më trimëresha e Krujës, kish hipur një kali të zi, e hidhej përpara, te deti i natës.

Në mes të fushës u përpoq me një kalorës. Njeriu i Azisë hëngëlliti nga gazi, kur gjysmë pa – nëpër rrezat e yjve – leshrat e Mrikës, që derdheshin gjer në vithet e kalit:

Allahu më paska dërguar për sonte një jastëk të butë!

Dheu është jastëk më i butë! – tha Mrika, e, me një të hequr palle, i vërtiti kokën. Kali u ngul në errësirë, e trupi i ushtëtarit u plas mbi tokë. Mrika zbriti, e, duke thënë “Perëndia i ndjeftë!”, i lërojti me majë të pallës një kryqnë kraharuar, pastaj u vërvit prapë mi kalë e u sil përpara.

Ah, ç’ëndërr nën yjtë e qetë, kjo e vashës së bukur që vente mi një kalë të rreptë për të gjetur trimin!…

Me një hop, Mrika zhveshi pallën, se Skënderbenë të rrethuar prej një tubë turqsh-e pa që po luftonte.

Trimit i ish copëtuar palla mi krerët armiq, e, duke marrë pallën e Mrikës, i preu kundrëqëndrimtarët. Po një prej këtyreve, para rënë, kish mund të plagosë në kraharuar Mrikën.

Skënderbeu i hipi kalit edhe e mori trimoshin e Krujës në pëqi. Si dragua, kali fluturonte nëpër fushë. Kur ia qasnë mureve të qytetit, Mrika ish e vdekur, – por e bukur, e qetë, me një nënqeshje në buzë, si në gjumë, aq e lumtur kish qenë që vdiste pranë Skënderbeut!… – 1898 / KultPlus.com

Mikelanxhelo, një nga artistët më me ndikim të periudhës së Rilindjes

Mikelanxhelo, emri i plotë i të cilit ishte Mikelangelo di Lodoviko Buonarroti Simoni, konsiderohet shpesh si një nga artistët më me ndikim të periudhës së Rilindjes, duke i lënë si trashëgimi njerëzimit kryevepra statuja e Davidit, apo dhe pikturat e tij në Kapelën Sistine. Ja cilat janë disa nga detajet mbi jetën dhe veprën e tij, të cilat mund të mos i dinit:

Përmendorja e Davidit ishte menduar të vendosej në çatinë e një godine në Firence

Kur autoritetet e autorizuan Mikenaxhelon për të skalitur “Davidin”, supozohej se ajo ishte një nga statujat e shumta që do të rreshtoheshin mbi çatinë e kupolës së Katedrales së Firences . Por kjo vepër u pëlqye aq shumë nga njerëzit, sa që kur përfundoi në vitin 1504, u vendos që të ishte më e dukshme për njerëzit.

Për me tepër me një lartësi prej 5.2 metra dhe me një peshë 6,4 ton, ngjitja e saj në çati nuk do të ishte një detyrë e lehtë. Prandaj u mor vendimi për ta ekspozuar atë jashtë “PalazzoVechio, zyrat e qeverisë së Firences, ku qëndroi për gati 370 vjet përpara se të transferohej në Galleria dell’Açademia (Galeria e Akademisë së Firences) në vitin 1873, ku ai qëndron ende. sot.

Piktura “Gjykimi i fundit”, mund të përmbajë një autoportret të artistit

Përveç tavanit të Kapelës Sistine, Mikelanxhelo realizoi një afresk në murin e altarit të kishës, të cilën e realizoi gjatë viteve 1536–1541. Piktura përshkruan ardhjen e dytë të Jezusitnë Tokë, dhe gjykimin e shpirtrave që shkojnë në parajsë ose ferr.

Në përgjithësi besohet se artisti ka fshehur në këtë pikturë një referencë për veten e tij. Thuhet se ka një ngjashmëri të madhe të Mikelanxhelos në imazhin e Shën Bartolomeut, që gjeti vdekjen i rrjepur për së gjalli.

Statuja me emrin “Pietà” (Mëshira), është vepra e vetme që përmban edhe firmën e artistit

Kjo vepër që përshkruan Marian duke u përkulur mbi trupin e Jezusit pas Kryqëzimit, është një nga më të njohurat e Mikelanxhelos. Thuhet se ajo është vepra e vetme e nënshkruar nga Mikelanxhelo. Po çfarë e bënte këtë vepër kaq të ndryshme nga të tjerat, saqë ai u nxit të vendoste firmën e tij?

Mendohet se një ditë po dëgjonte njerëzit që e admironin statujën, si një vepër në zhvillim e sipër. Por kur njëri prej tyre pyeti se kush ishte artisti, dikush ia atribuoi atë një skulptori tjetër. I tmerruar nga kjo gjë, ai u rikthye te statuja një mbrëmje dhe e gdhendi emrin e tij në gjoksin e Marias, një akt për të cilin më vonë do të pendohej, duke premtuar se nuk do të firmoste kurrë më një vepër tjetër.

“Moisiu” ishte menduar për një varr shumë më të madh për Papa Juliusin II

“Moisiu” konsiderohet si një nga veprat më të mira të artistit, duke qenë objekti kryesor dekorativ i varrit të Papa Juliusit II. Por ndërsa varri në gjendjen e tij aktuale është mbresëlënës, në fillim ishte menduar të ishte shumë më i madh.

Papa Julius II, që e porositi veprën kur ishte ende gjallë, synonte që vendi i tij i prehjes së përjetshme të ishte një vepër arti me tre nivele, me deri në 40 statuja të përmasave reale për ta zbukuruar atë. Por ndërsa projekte të tjera, si tavani i Kapelës Sistine u zvarritën, “Moisiu” u skalit sipas planit origjinal.

Pas vdekjes së Papës në vitin 1513, Mikelanxhelo pranoi të skaliste një varr shumë më të tonifikuar, ku qëndron aktualisht edhe statuja e famshme. Por ka disa dëshmi të ideve origjinale, përfshirë ilustrime të planeve dhe statujave si “Skllavi që vdes” dhe “Skllavi rebel”, të cilat ishin planifikuar në projektin kryesor. Kur planet ndryshuan, ato përfunduan muzeun e Luvrit në Paris.

Iu deshën 4 vite për të pikturuar tavanin e Kapelës Sistine

I përbërë nga 300 figura dhe me një sipërfaqe prej1115 metra katrorë, piktura e madhe e Mikelanxhelos në tavanin e Kapelës Sistine, ishte një projekt shumë i madh. Ndaj nuk është e habitshme që artistit iu deshën 4 vite për ta përfunduar. Artistë të tjerë kontribuan me punën e tyre në muret e Kapelës, duke përfshirë emra si Sandro Botiçeli, Kozimo Roseli dhe PietroPeruxhino.

Pavarësisht besimit popullor, Mikelanxhelo nuk e ka lyer tavanin e Kapelës Sistine duke qëndruar i shtrirë mbi shpinë

Pavarësisht se ishte një pjesë e spikatur e mitologjisë mbi Mikelanxhelon, artisti nuk e pikturoi tavanin e Kapelës Sistine i shtrirë mbi shpinë. Në realitet, ai dhe ekipi i tij ndërtuannjë skelë të veçantë, që u dha mundësi ta përfundonin kryeveprën e tij, duke qëndruar në këmbë.

Ideja e qëndrimit mbi shpinë buron nga një përkthim të gabuar i një biografi tëMikelanxhelos, shkruar nga peshkopi Paolo Xhovio, ku ai përdor fjalën ‘resupinus’, që do të thotë “përkulur nga pas”, për të përshkruar pozicionin e pikturës së artistit . Disa gbuanduke e interpretuar atë si “i shtrirë mbi shpinën e tij”.

Nuk e konsideronte veten një piktor shumë të talentuar

Tavani i Kapelës Sistine, është një nga veprat artistike më të famshme në histori. Por gjatë gjithë kohës që punoi për realizimin e saj, Mikelanxhelo u shpreh se nuk kishte besim tek aftësitë e tij si piktor. Projekti e zhyti në ankth dhe paranoja, duke besuar se ishte i destinuar që të dështonte.

“Nuk jam njeriu i duhur për këtë projekt. Unë nuk jam as piktor!”- shkroi ai duke iu referuar kryeveprës që po realizonte. Gjithsesi pavarësisht ankthit, Mikelanxhelo e bindi Papa JuliusinII që të zgjeronte projektin fillestar. Kështu ajo që supozohej të ishte fillimisht tabloja e 12 apostujve, u shndërrua në skenën madhështore që shihni sot.

Sheshi “Piazzale Michelangelo” në Firence, ka kopje në bronx të skulpturave më të famshme të artistit

Mikelanxhelo lindi më 6 mars 1475 në Kapreze, dhe vdiq pas një sëmundjeje të shkurtër më 18 shkurt 1564 në Maçel De Korvi, Romë, në moshën 88-vjeçare. Dhe në Firencen e sotme, trashëgimia e tij është shumë e fortë. Kjo gjë është shumë me dukshme në“PiazzaleMichelangelo” përballë lumit Arno, që ofron pamje panoramike të qytetit.

Në shenjë nderimin për Mikelanxhelon dhe veprat e tij, disa nga statujat e tij më të famshme – duke përfshirë “Davidin” dhe 4 statujat alegorike nga Kapela Mediçi (Agimi, Muzgu, Nata dhe Dita), janë rikrijuar në bronz dhe janë vendosur përreth sheshit.

Vepra “Krijimi i Adamit”, mund të përmbajë një imazh të fshehur të trurit

Në vitin 1990, mjeku nga Indiana e SHBA-së, Frenk Meshberger, propozoi një interpretim të ri të veprës “Krijimi i Adamit”, i cili është pjesa më e njohur e tavanit të Kapelës Sistine. Teoria e tij është se pëlhura në ngjyrë trëndafili që rrethon Zotin dhe Evën në pikturë,përfaqëson trurin e njeriut, për shkak të formës së tij të veçantë.

Gjithashtu, ai vuri në dukje detaje të tjera që mund të gjenden brenda veprës, si shalli jeshil që sipas tij përfaqëson pjesën vertebrale, dhe këmbën e një engjëlli që formon atë që duket si gjëndra e hipofizës./ KultPlus.com

“Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që s’të fal”

Poezi nga Azem Shkreli

Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që s’të fal.
Dhe, dije mirë, kurrë më një e një nuk bëjn’ një si thonte Hikmeti, ai farë poeti me këngë prej zjarri.
Shko merri me vete lutjet tua, edhe hijen tënde hiqe zvarrë rrugëve si gjënë e ndyrë.
Mos u kthe pas.

Mos i harro sytë e përlotur në shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
Asgjë mos thuaj.
Merri me vete gjurmët nëpër të cilat erdhe një natë më e përvuajtur se frika dhe hyre në mua.

Shko dhe bëhu fjalë e mbrame n’gojën time.
Bëhu shkrepetirë e fikur n’ylberin e shkrimit tim.
Bëhu çdo gjë pos Meje e Teje dhe asaj që e quajtëm Ne kur i zinim yjet si fluturat e ua ngjisnim nganjë emër mos ta harrojmë emrin tonë.

Shko, merri me vete edhe rrugët, të mos kthehesh kurrë në vesën e lotit të rrejshëm, gërmadhat e kujtimit t’i rrëzosh.
Shko, mbyllu në do kështjella të largëta harrimi, ku s’të zgjojnë më këmbonat e pendimit kur çmendet mallit vetmia ose kur buza buzën e han n’pikllim, që mëkatin s’e lan, që s’mundet ta shpojë Gurin e rëndë, gurin e ftohtë të ndarjes.
Shko, më mirë dhe hesht. Mos u kthe mbas.
Mos i harro sytë e përlotur n’shtekballin tim.

Mos thuaj lamtumirë.
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej blerimi n’blerim
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej zemre në zemër
Aq larg sa ta harrosh edhe emrin tënd dhe zërin tim, fshihu prej vetes
Shkurto flokëgjatat, mate me to mendjeshkurtrën tënde dhe mos qaj.
Shko se tmerrshëm po lodrojnë sonte n’mua rrëket e gjakut të ndezur./ KultPlus.com

Fotografia e harkut të madh plazmatik pranë Galaktikës Andromeda fiton konkursin ‘Astronomy Photographer of the Year 2023’

Një fotografi e një harku të madh plazmatik pranë Galaktikës Andromeda , galaktika e madhe spirale më e afërt me Rrugën e Qumështit, ka fituar konkursin “Astronomy Photographer of the Year 2023” për një ekip astronomësh amatorë.

Harku gjigant i kapur nga ekipi i udhëhequr nga Marcel Drechsler, Xavier Strottner dhe Yann Sainty, në imazhin e titulluar “Andromeda, e papritur”, ishte një “zbulim befasues” dhe mund të jetë struktura më e madhe e këtij lloji pranë nesh në univers. Observatori Mbretëror i Londrës Greenwich, i cili pret konkursin, tha në një deklaratë të martën.

Në mënyrë tipike, një imazh i një zbulimi të ri është kryesisht një imazh i paqartë bardh e zi me një pikë ose spektër të zbehtë të pakuptueshëm dhe pothuajse të padukshëm, sipas gjyqtarit dhe astrofotografit László Francsics.

Megjithatë, kjo “astrofoto është sa spektakolare aq edhe (është) e vlefshme. Ajo jo vetëm që e prezanton Andromedën në një mënyrë të re, por gjithashtu e ngre cilësinë e astrofotografisë në një nivel më të lartë”, tha ai në deklaratë.

Një ekip astronomësh amatorë, të udhëhequr nga Marcel Drechsler nga Gjermania dhe Xavier Strottner nga Franca, zbuluan një mjegullnajë galaktike të panjohur më parë.  Ata kapën një palë yje të rrethuar nga një zarf i përbashkët në qendër të saj.

Një ekip astronomësh amatorë, të udhëhequr nga Marcel Drechsler nga Gjermania dhe Xavier Strottner nga Franca, zbuluan një mjegullnajë galaktike të panjohur më parë. Ata kapën një palë yje të rrethuar nga një zarf i përbashkët në qendër të saj.Marsel Drechsler

Shkencëtarët tani po hetojnë objektin e madh, i cili ndodhet në afërsi të Galaktikës Andromeda, në një bashkëpunim transnacional, sipas Observatorit.

Një zbulim tjetër u bë nga një ekip astronomësh amatorë të udhëhequr nga Marcel Drechsler dhe Xavier Strottner, imazhi i të cilit i një mbetjeje yjore ultra të thellë në një mjegullnajë galaktike të panjohur më parë – një re gjigante pluhuri dhe gazi ku formohen yjet – arriti në krye të Yjeve dhe Mjegullnajës kategori.

‘Shumë e bukur’

Një imazh i mjegullnajës së pulës vrapuese – e quajtur kështu sepse duket si një pulë gjigante që vrapon nëpër qiell, sipas faqes së internetit të NASA-s – fitoi çmimin “Fotografi i Ri i Astronomisë së Vitit” për dy djem 14-vjeçarë nga Kina, Runwei Xu dhe Binyu Wang.

Mjegullnaja ndodhet në konstelacionin Centaurus, rreth 6000 drita në vit larg Tokës, sipas njoftimit.

Gjykatësi dhe astronomi profesionist Yuri Beletsky e përshkroi imazhin si “çuditërisht të bukur”, duke shtuar: “Fotografët kanë arritur të kapin ngjyrat e gjalla të mjegullnajës, si dhe grumbullimin e yjeve të ngulitur.”

“Ky grumbull përmban disa yje të nxehtë dhe të rinj, rrezatimi intensiv i të cilëve bën që mjegullnaja përreth të shkëlqejë,” vazhdoi ai.

Dy djem 14-vjeçarë nga Kina fituan fotografin e ri të astronomisë së vitit për imazhin e tyre të Mjegullnajës së pulës vrapuese.

Dy djem 14-vjeçarë nga Kina fituan fotografin e ri të astronomisë së vitit për imazhin e tyre të Mjegullnajës së pulës vrapuese.Runwei Xu/Binyu Wang

Fitues të tjerë përfshinin Monika Deviat në kategorinë Aurorae për imazhin e saj abstrakt të një aurore në formën e një peneli; Ethan Chappel në kategorinë Hëna jonë për kapjen e hënës duke kaluar përballë Marsit; Eduardo Schaberger Poupeau në kategorinë “Dielli ynë” për këputjen e diellit me një filament të madh diellor në formën e një pikëpyetjeje ; dhe Angel An në kategorinë Skyscapes për kapjen e fenomenit jashtëzakonisht të rrallë të Sprites, në të cilin luminescenca atmosferike shfaqet si fishekzjarre.

Çmimi i inovacionit iu dha John White për kapjen unike të tingullit të vrimës së zezë në qendër të galaktikës Perseus duke përdorur materiale burimore audio nga projekti Chandra Sonification i NASA-s – të cilin ai e luajti përmes një altoparlanti me një pjatë Petri të ngjitur në të.

Katherine Gazzard, kuratore e artit (pas 1800) në Royal Museums Greenwich, tha në publikimin se kjo ishte hera e parë që gjykon konkursin dhe se “imazhet fituese janë absolutisht mahnitëse. Më ka bërë të shikoj qiellin e natës në një dritë të re.”

Imazhet fituese do të shfaqen në një ekspozitë të hapur në Muzeun Kombëtar Detar të Londrës të shtunën./cnn/KultPlus.com

“YELLOW BOX”, projekti që rregullon qarkullimin e veturave në udhëkryqe drejt finalizimit

Projekti “YELLOW BOX” i cili parashihet që të ndihmojë qarkullimin e rregullt të veturave në udhëkryqe të kryeqytetit po shkon drejt finalizimit, shkruan KultPlus.

Lajmin për fillimin e  këtij projekti i cili intervenon në udhëkryqet e kryeqytetit e ka bërë të ditur, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama përmes një postimi në facebook.

“Është përgatitur dhe po fillon projekti “YELLOW BOX”, për intervenim në udhëkryqet e Kryeqytetit, me qëllim që të rritet siguria dhe të ndihmojmë qarkullimin e rregullt të veturave në udhëkryq”, thuhet në postimin e Kryetarit të Komunës në facebook./KultPlus.com

‘Barbie’ në garë për Oscar

“Barbie” mund të ketë “thyer” arkat botërore, por mundësia e hyrjes në Oscar nuk ishte e pritshme.

Warner Bros po mendon të promovojë nominimin e Ryan Gosling në ceremoninë e ardhshme të çmimeve, për performancën e tij si Ken.

Aktori dëshiron të konkurrojë për Oscar për aktorin më të mirë në rol dytësor, si Robert Downey Jr. për rolin e tij në “Oppenheimer”.

Është konfirmuar, ashtu siç nuk është dëgjuar ende emri i Margot Robbie dhe mundësia që ajo të nominohet në kategorinë e parë femër.

Filmi i suksesshëm me Robbie dhe Gosling ka kaluar 1.4 miliardë dollarë në mbarë botën, duke e bërë atë filmin më të suksesshëm komercial të vitit 2023 deri më sot./rtv21/KultPlus.com

Sot nis Octoberfest-i në Mynih

16 shtatori është një datë që të gjithë adhuruesit e birrës e kanë rrethuar me të kuqe në kalendarin e tyre.

Këtë ditë, në fakt, nis Oktoberfesti i Mynihut, i cili njihet globalisht si festivali më i rëndësishëm i birrës në botë.

Një festë që filloi në 1810 për të festuar martesën midis princit dhe mbretit të ardhshëm, Ludwig I të Bavarisë, me princeshën Therese të Saxe-Hildburghausen.

Tetë vjet më vonë, në 1818, ideja u përdor përsëri nga William I, Mbreti i Württemberg, i cili thirri një festival të madh në Shtutgart për të lehtësuar moralin e fermerëve që kishin humbur të korrat e tyre për shkak të motit të keq, duke krijuar kështu ”Cannstatter  Volksfest”.

Me kalimin e kohës, tradita e festave të birrës ka kaluar kufijtë gjermanë dhe është përhapur në të gjithë botën dhe, në shumicën e rasteve, periudha e zgjedhur mbetet midis mesit të shtatorit dhe mesit të tetorit.

Në Vjenë festohet nga 21 shtatori deri më 8 tetor me ”Wiener Kaiser Wiesn”.

Edhe një muaj festimesh me lumenj birre në Trento ku zhvillohet ”Oktoberfest Trento” nga 15 shtatori deri më 15 tetor, një ngjarje e krijuar për të kujtuar Andrea Michele Dell’Armi që konsiderohet një nga krijuesit e Oktoberfest-it të Mynihut.

Nga 18 deri më 21 tetor, Varshava i bën homazhe birrave të prodhimit me festivalin ”Piwa”.

Festivali i birrës mbërriti edhe jashtë shtetit, pasi nga 21 deri më 23 shtator, Denver pret Festivalin e Madh të Birrës Amerikane./ atsh/KultPlus.com

Vihet gurthemeli i monumentit të daljes publike të UÇK-së në Llaushë

Kryetari i Komunës së Drenasit, Fadil Nura, ka bërë të ditur se janë vënë themelet e veprës monumentale në nderim të çastit historik, të daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llaushë më 28 nëntor 1997.

Përmes një njoftimi në facebook, kryetari Nura ka shprehur mirënjohje  të përjetshme për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Bashkë me nënkryetarin gjeneral Sami Lushtaku, komandantin Jetullah Geci, deputetë të Parlamentit të Kosovës, ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjet e dëshmorëve, invalidët dhe bashkëqytetarët, vumë gurthemelin e ndërtimit të një vepre monumentale të kujtimit të pavdekshëm dhe nderimit të përjetshëm të çastit më historik të daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llaushë më 28 nëntor 1997.

Mirënjohje e përjetshme për UÇK-në!”, thuhet në postimin e Kryetarit Nura./KultPlus.com

Alketa Gashi Fazliu fiton çmimin e artë ndërkombëtar “Aleksandri i Madh” në Greqi

Shkrimtarja, publicistja e gazetarja Alketa Gashi Fazliu do të nderohet në Greqi me  medaljen e artë  “Aleksandri i madh” , me të cilin nderohen personalitete të shquara nga e mbarë bota, njerëz dhe organizata për kontributet e tyre nga fusha e shkencës, letësisë, politikës, arteve dhe sportit! Ky çmim i cili është nën kujdesin e UNESCO-s jepet që nga viti 1985.

Shkrimtarja Alketa Gashi Fazliu do të nderohet për kontributin e saj në fushën e letërsisë, arteve dhe të mirës së përgjithshme. Kjo ngjarje e rëndësishme kulturore do ta mbahet në ishullin historik të Salaminës me prezencën e autoriteteve kulturore dhe bashkiake të qytetit dhe përfaqësueseve nga UNESCO.

Ceremonia e dhënies së çmimit mbahet në muajin tetor në Greqi dhe Alketa Gashi Fazliu është fituesja e edicionit të 39-të të ndarjes së këtij çmimi!/KultPlus.com

Stadiumi i Gjilanit po bëhet, ndahen 15 milionë euro

Është hartuar projekti përfundimtar për ndërtimin e stadiumit të Gjilanit, për të cilin janë ndarë 15 milionë euro, shkruan KultPlus.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, përmes një postimi në facebook ka bërë të ditur se është hartuar projekti përfundimtar për Staduimin e Gjilanit, dhe se punimet për zbatimin e këtij projekti do të fillojnë sa më parë.

“Projekti përfundimtar i Stadiumit të Gjilanit, i cili mungonte, tash është hartuar dhe i gatshëm për zbatim ndërsa buxheti i nevojshëm për financimin e zbatimit veçse është siguruar.

Në marrëveshjen e sotme me kryetarin Alban Hyseni, zotuam 15 milionë euro për ndërtimin e stadiumit. Procedurat e nevojshme për zbatimin e projektit do të fillojnë menjëherë dhe punimet në tërësi do të nisin sa më parë”, thuhet në postim.

Ministri Çeku ka deklaruar gjithashtu se me vendosmëri po punohet në realizimin e planit intensiv për zhvillimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

“Për shkeljet që janë gjetur në të kaluarën e këtij stadiumi, tanimë të kualifikuara si të tilla edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit, ndaj palëve të përfshira po përgatitet kallëzim penal.

Me vendosmëri po e realizojmë planin investiv për Lojërat Mesdhetare 2030. Po krijojmë një të ardhme më të mirë për sportin!”, ka thënë ministri Çeku./KultPlus.com

TUBA Fest mbledh të rinjtë në kala, tradita shqiptare e muzikës me prekje moderne

Shkodra mirëpret këtë fundjave TUBA fest mes shumë aktiviteteve kulturore dhe sportive. Nata e parë e aktivitetit tërhoqi vëmendjen e shumë qytetarëve sidomos të rinjve, që iu bashkuan tingujve të muzikës.

Në mjediset e Kalasë, aktiviteti ofroi mbrëmje interesante për dhjetëra qytetarë ndërsa solli performancat e trashëgimisë muzikore të qytetit dhe më gjerë.

Të rinjtë patën mundësi të argëtohen në një mbrëmje speciale shtatori, edhe pse sezoni veror ka mbaruar tashmë.

Bashkia Shkodër e mirëpriti kërkesën e organizatorëve dhe ofroi bashkëpunim për realizimin e kësaj ngjarjeje kulturore që pasuron jetën e qytetit dhe e promovon atë, sidomos te të rinjtë.

Ky festival muzikor përgjatë dy ditëve sjell në Kalanë e Shkodrës performancat live të artistëve dhe grupeve shqiptare më me zë.

Në bashkëpunim me organizatën “New Vision” dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës e të një sërë sipërmarrjesh private, TUBA Fest frymëzohet nga tradita shqiptare e muzikës dhe kohës mes miqve, por tashmë me një prekje moderne.

TUBA Fest vijon edhe sot në Kalanë Rozafa të Shkodrës./atsh/KultPlus.com

80 vite nga Lidhja e Dytë e Prizrenit

Sot janë bërë 80 vite nga mbjedhja e Kuvendit në Prizren, nga e cila u mor vendim që deri më datë 20 shtator të mbahej Lidhja e Dytë e Prizrenit, organizatë politike që u angazhua në bashkimin e trojeve shqiptare, shkruan KultPlus.

Në Kuvendin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit i cili u mbajt nga data 16 deri më 20 shtator, të vitit 1943, morën pjesë 45 delegatë, në krye me Musa Shehun, dhe të tjerë si: Asllan Boletini, Shefqet Shkupi, Qazim Bllaca, Tahir Zajmi, Pjetër Vuçaj, Sheh Hasnai, Qemajl Balila, Hivzi Meraku, Luk Simoni, Haxhi Fahrija, dhe Sokol Dobroshi etj.

Kuvendi vendosi formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, organizatë politike kombëtare, e cila do të angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike. Kuvendi zgjodhi Komitetin Qendror të Lidhjes, të përbërë nga 7 veta.

Krytar i Lidhjes u zgjodh Rexhep Mitrovica, veprimtar i njohur i çështjes kombëtare. Lidhja do të kishte dhe organin e vet “Lidhja e Prizrenit”, në faqet e të cilit propagandohej ideja e krijimit të Shqipërisë etnike dhe denoncoheshin krimet e kryera nga serbomëdhenjtë ndaj shqiptarëve të Kosovës. 

Lidhja e Dytë e Prizrenit ishte një organizim i krerëve nacionalistë kosovarë, me në krye Bedri Pejanin i inkurajuar në periudhën kur Rexhep Mitrovica qe kryeministër. Ndryshe nga Lëvizja Nacionalçlirimtare dhe disa grupime nga radhët e nacionalistëve, që qenë angazhuar në luftë kundër pushtuesve nazifashistë, forcat kryesore nacionaliste hezitonin që të bënin të njëjtën gjë, t’u bashkoheshin atyre, pasi mendonin se një luftë që udhëheqej nga komunistët do të përfundonte me rivendosjen e pushtetit jugosllav në krahinë.

Përfaqësuesit më në zë të rretheve nacionaliste i konsideronin pushtuesin italian e më pas atë gjerman si të keqen më të vogën në krahasim me sundimin serb e jugosllav, që pritej të rivendosej pas tërheqjes së tyre. Pikërisht për këtë arsye, pas kapitullimit të Italisë, ata përpunuan idenë e thirrjes së një kuvendi kombëtar, i cili duhej të hidhte bazat e krijimit të një organizate politike, që do të mbronte trojet etnike nga rreziku i ripushtimit të Kosovës nga forcat jugosllave, pas largimit të trupave gjermane/KultPlus.com

‘Designboom’: Jeta e re e piramidës së Tiranës

Fotografja arkitekturore, Danica O. Kus ka kapur pamjen e projektit të rinovuar së fundmi të Piramidës së Tiranës, nga kompania MVRDV,  një monument që dikur ishte simbol i sundimit komunist nën regjimin e Enver Hoxhës, sipas një artikulli të botuar në të përditshmen italiane “Designboom”.

E vendosur në zemër të kryeqytetit të Shqipërisë, projekti ripërdor strukturën ekzistuese prej betoni, duke shtuar gjelbërim në atrium dhe rrethinat e tij, duke e shndërruar atë në një hapësirë të gjallë komunitare.

Kjo zonë e rinovuar përfshin kafene, studio, punëtori dhe klasa, duke e bërë Piramidën një qendër qendrore për jetën kulturore të Tiranës dhe një burim për brezin e ri.

Për të rritur sigurinë e vizitorëve, janë instaluar hapa konkretë në trarët e pjerrët të betonit, duke i lejuar njerëzit të ngjiten në majën e Piramidës.

Ndërkohë, ekipi shtoi në mënyrë strategjike kuti shumëngjyrëshe të kontrolluara nga klima në të gjithë zonën, për të strehuar programe arsimore duke u ofruar studentëve pika të favorshme.

Seria e fotografive të Danica O. Kus dëshmon se si ndërtesat e betonit mund të ripërdoren për një epokë të re, duke ruajtur historinë e tyre të ndërlikuar dhe duke theksuar përshtatshmërinë e strukturave historike brutaliste.

TRANSFORMIMI I PIRAMIDËS 

Gjatë historisë së saj, Piramida me sipërfaqe 11,835 metra katrorë ka kryer funksione të ndryshme, nga një muze kushtuar Hoxhës në një bazë të NATO-s gjatë Luftës së Kosovës, një klub nate dhe një vend ngjarjesh.

Vitet e fundit, përpjekjet për rinovimin e ndërtesës kanë qenë të kufizuara, duke rezultuar në një strukturë pjesërisht të transformuar që mbeti e ndriçuar dhe e rrëmujshme.

Ndërsa pjesa e jashtme është tani e aksesueshme për publikun, pjesa e brendshme mbetet një punë në progres, si pjesë e dizajnit të MVRDV për të përmirësuar aksesueshmërinë dhe hapjen e ndërtesës.

Heqja e rinovimeve të mëparshme ka zbuluar një ambient të gjerë të pasuruar me gjelbërim, duke nxitur një ambient mikpritës.

Pas përfundimit, Piramida do të funksionojë kryesisht si qendër për institucionin arsimor jofitimprurës TUMO Tirana, duke ofruar arsimim pas shkollës falas, në disiplina si zhvillimi i softwar-it, robotika, animacioni, muzika dhe filmi për të rinjtë e moshës 12 deri në 18 vjeç.

Projekti përputhet me disa Objektiva të Zhvillimit të Qëndrueshëm të vendosura nga Kombet e Bashkuara.

Në vend që t’i drejtohet prishjes së kotë, struktura e fortë e betonit e ndërtesës ripërdoret në përputhje me parimet e ekonomisë qarkore.

Kjo qasje është më e dukshme në projektimin e shkallëve të jashtme, të cilat përfshijnë pllakat origjinale të gurit nga fasada në betonin e ri.

“Të punosh në një monument brutalist si Piramida është një ëndërr”, thotë partneri themelues i MVRDV, Winy Maas.

“Është e habitshme dhe interesante të shohësh sesi vendi luftoi me të ardhmen e godinës, e cila nga njëra anë është një kapitull i diskutueshëm në historinë e vendit, dhe nga ana tjetër tashmë është rikuperuar pjesërisht nga banorët e Tiranës”, tha ai.

“E pashë menjëherë potencialin e tij dhe se duhet të jetë e mundur që të bëhet më shumë një “monument populli” në vend që ta rrënojmë. Pjesa sfiduese është krijimi i një marrëdhënie të re midis ndërtesës dhe rrethinës së saj. Unë jam i bindur se dizajni ynë e vërteton këtë. Pres me padurim të shoh të rinj dhe për herë të parë të moshuar që ngjitin shkallët në çati!”, tha Maas./atsh/KultPlus.com

81 vjet nga Konferenca e Pezës

​Konferenca e Pezës është një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, ku u bënë përpjekje për bashkimin e shqiptarëve kundër pushtuesve nazifashistë.

Konferenca e Pezës u mbajt në Pezë më 16 shtator 1942, një fshat afër Tiranës. Protagonistë të këtij Kuvendi ishin 20 delegatë përfaqësues të krahinave dhe besimeve të ndryshme fetare, klasa dhe shtresa me bindje politike nga më të ndryshmet.

Pjesëmarrësit vinin nga rryma të ndryshme politike. Ndërmjet tyre ishin Abaz Kupi, Aziz Çami, Halim Begeja, Haxhi Lleshi, Ismail Petrela, Mustafa Xhani, Myslim Peza, Ndoc Çoba, Ramazan Jarani, Skënder Jegeni dhe Skënder Muço. Nga PKSH morën pjesë Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Enver Hoxha, Nako Spiru dhe Nexhmije Xhuglini.

Kryetar i konferencës u zgjodh Ndoc Çoba dhe sekretar, Mustafa Gjinishi.

Në konferencë u diskutua organizimi i forcave në një luftë të përbashkët kundër okupatorit, organizim ky që mori emrin më vonë, Fronti Nacional-Çlirimtar.

Delegatët e ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, përfaqësuesit e gjithë tendencave të nacionalizmit shqiptar për bashkim të plotë të tyre me luftën NÇ, arritën në këto përfundime:

Gjendemi në një botë të përgjakur anekënd prej forcave të errëta prej skllavëronjësve të fashizmit. Popuj e kombe u shkelën pa mëshirë prej barbarisë fashiste.

Në këtë luftë gjiganteske që i ka kushtuar njerëzimit miliona e miliona të vrarë e të plagosur, që ka shkretuar e ka shembur fshatra e qytete të tëra, dy principe, në kundërshtim si dita me natën, në njërën anë tirania barbare dhe me skllavëronjësja që ka parë bota deri më sot, tirania fashiste, nga ana tjetër, blloku anglo-sovjeto-amerikan, bashkë me popujt e robëruar që bëjnë luftë të drejtë për zhdukjen nga faqja e dheut të murtajës fashiste, luftën për lirinë, për independencën dhe për lumturinë e popujve mbarë.

Është për t’u theksuar se konferenca u dekonspirua shumë shpejt, gjë që linte të mendohej se ky dekonspirim kishte qenë shumë i shpejtë falë informatave të siguruara brenda pjesëmarrësve.

Pasi fashistët kapën dokumente në lidhje me këtë konferencë, ata goditën Pezën. Pas pak javësh u ndërrua edhe drejtuesi i policisë.

Më 26 nëntor 1942, Shyqyri Borshi u emërua drejtor i përgjithshëm i policisë, në vend të Teodor Stamatit (“Fletorja Zyrtare”, 9 dhjetor 1942).

Parulla e bashkimit apo e përçarjes?

Parulla e konferencës u bë ajo, sipas së cilës, do të kryhej një bashkim pa dallim feje, krahine e ideje./ KultPlus.com

Saimir Pirgu në teatrin më antik të Evropës, bashkëpunon me regjisorin Ferzan Ozpetek

Tenori shqiptar, Saimir Pirgu është rikthyer në teatrin “San Carlo” të Napolit, një bashkëpunim me regjisorin e mirënjohur Ferzan Ozpetek, duke vënë në skenë operën e Giacomo Puccinit, “Madama Butterfly”.

Një “Butterfly” të paharrueshme, e cilësuan mediet italiane, operën ku Pirgu interpretoi protagonistin Pinkerton, përkrah sopranos amerikane Aylin Perez.

Historia e dashurisë dhe vdekjes mori ovacione të panumërta. Kjo nuk është hera e parë që Pirgu bashkëpunon në “San Carlo” me regjisorin Ferzan Ozpetek, i cili e fitoi famën ndërkombëtare si regjisor filmash artistikë. Në këtë opera, regjisori e ka trajtuar Butterfly-in jo si një viktimë, por si një grua të vendosur dhe të guzimshme.

Dan Ettinger ishte dirigjenti i orkestrës dhe korit të “San Carlo-s”, teatrit më të vjetër në Evropë (1737) ku ka ende aktivitet e njëkohësisht me më shumë vende nga gjithë teatrot italiane.

Opera “Madama Butterfly” u vu në skenë për herë të parë në vitin 1904 dhe prej atëherë nuk ka pushuar kurrë së magjepsuri, dashamirësit e melodramave./atsh/KultPlus.com

Dhjetë fakte befasuese mbi Agatha Christie

Shkrimtarja Agatha Christie rezulton se nuk ka qenë edhe aq e panjohur për dramat dhe emocionet në jetën e saj, pasqyruar edhe te veprat që la pas.

E lindur më 15 shtator 1890, Agatha Christie kishte 14 vjet që kishte nisur karrierën e saj të suksesshme si shkrimtare librash me detektivë kur botoi “Vrasje në Orient Express”.

Libri, i botuar më herët në Amerikë, në të famshmen “Saturday Evening Post”, u kthye në romanin më të shitur të të gjitha kohërave.

E përditshmja britanike “BBC”, ka renditur 10 fakte befasuese mbi Agatha Christie:

Pionere e sërfit

Agatha Christie mësoi të bënte sërf që në 1920-n

Së bashku me bashkëshortin, Archibald Christie, do të mbahen mend si evropianët e parë që mësuan artin e sërfit në këmbë.

Pas martesës, çifti do të udhëtonte shumë nëpër botë.

Nga kërkimet e fundit rezulton se Agatha e ushtroi këtë sport edhe në Afrikën e Jugut, Australi, Zelandën e Re dhe Hawaii.

Ajo dhe Archie mësuan të bënin sërf, pavarësisht dallgëve të fuqishme.

Mjeshtre e helmeve

Në fillim të Luftës së Parë Botërore, zbulohet se Christie kishte punuar me VAD (Detashmentin e Ndihmës Vullnetare).

Më vonë, ajo do të punonte në ambulatorin e spitalit vendas. Aty, asaj ju ngjall një interes dhe njohuri mbi helmet.

Viti 1926 u regjistrua si më i dhimbshmi në jetën e autores.

Pasi fitoi famë me publikimin e “Vrasjes së Roger Akroyd”, ajo nuk do të përballonte një sërë humbjesh. Fillimisht do të humbte të ëmën.

Më pas, Archie do t’i rrëfente për tradhtinë e tij dhe se nuk e dashuronte më. Ai u lidh me partneren e tij të golfit, Nancy Neele.

E zhgënjyer, por edhe nga fakti se vuante prej amnezisë, Agatha u zhduk për 11 ditë.

Ajo ishte regjistruar në hotelin “Hydropathic Harrogate”, si Teresa Neele.

Të gjitha dyshimet ranë mbi Archie Christie.

Pasi një punonjës i hotelit e njohu atë, koloneli Christie u çlirua nga akuzat dhe në vitin 1928 Agatha u divorcua nga Archie Christie.

Filmi nga Michael Apted në vitin 1979 “Agatha”, me protagonistë Vanessa Redgrave dhe Dustin Hoffman, është një tregim imagjinar i atyre 11 ditëve të kaluara nga shkrimtarja.

Shkrimtarja femër më e suksesshme

Librat e Agatha Christie janë më të shiturit e të gjitha kohërave. Jo vetëm në periudhën kur nuk kishte asnjë roman kriminal tjetër – me mbi 100 milionë kopje të shitura në të gjithë botën.

Ato janë të botuara edhe në gjuhën shqipe, nga Shtëpia Botuese Dituria.

Shitjet në të gjithë botën, të të gjithë librave të saj arrijnë diku midis dy-katër miliardë, Christie është një nga autoret më të shitura ndonjëherë – e mundur vetëm nga William Shakespeare.

Christie i donte qentë, zakonisht racën terrier.

Qeni i saj i parë quhej George Washington, por i preferuari i saj ishte një terrier me flokë të shkurtër i quajtur Peter, i cili luajti në Dumb Witness me emrin Bob.

Në dedikimin e librit thuhet: “I dashur Peter, më besnik i miqve dhe më i dashur ndër shokët, një qen në një mijë”.

Thesar i pazbuluar

Christie u martua me arkeologun Max Mallowan në shtator të 1930.

Ajo u kthye në fotografen e tij personale të artefakteve në ekspeditat e tij, në Siri dhe Irak. Ajo kurrë nuk i mori atributet që i takonin.

Eksplorimi i atyre ekspeditave do të ndikonin shumë në shkrimin e saj të “Vdekje në Nil”, “Vrasje në Mesopotami” dhe “Vrasje në Orient Express”.

Sfidat e saj

Ajo kishte filluar të shkruante histori detektive pas një basti mes saj dhe së motrës Madge se “ajo nuk ishte e aftë ta bënte atë”.

Agatha luftoi për të gjetur karakterin protagonist.

Mes një grupi refugjatësh belgë, në Torquay, lindi dhe personazhi Hercule Poirot.

Bashkëshorti i dytë i Agatha-s, arkeologu Max Mallowan

Ajo e “vrau” Poirot, duke e futur në një kasafortë…

Nga fundi i viteve ‘30, Christie i dukej Poirot “mjaft i padurueshëm”.

Në vitin 1940 e vrau atë në tregimin “Perde”.

E bindur nga familjarët e saj, miqtë dhe botuesi i saj, e vendosi dorëshkrimin në një kasafortë dhe vazhdoi të shkruante personazhin deri në vitin 1975, kur tregimi u botua përfundimisht.

Sipas familjarëve të saj, Christie ishte një damë e vërtetë.

Ajo pranoi të martohej me Max, vetëm pasi ai u shpall kalorës për shërbimet e tij në arkeologji.

Agatha dashuronte të rrinte në bibliotekë

Megjithëse vëllai dhe motra e saj u dërguan në shkollë, Agatha nuk u dërgua në shkollë.

Që në moshën 5-vjeçare, Christie mësoi të lexonte dhe u shkollua nga biblioteka e babait të saj.

Një fillim i mrekullueshëm për një karrierë kaq të suksesshme./KultPlus.com

Photo credit should read: PA Wire URN:23718838

Kush ishte Marco Polo, udhëtari më i famshëm i të gjitha kohërave

Ju mund të keni dëgjuar se tregtari venecian Marco Polo (15 shtator 1254 – 2 janar 1324) ishte kryesisht përgjegjës për sjelljen e makaronave kineze (dhe gjithashtu, sipas legjendës, orizit dhe akullores) në Itali.Por ai ishte shumë më tepër se kaq, transmeton KultPlus.

Marco Polo ishte një eksplorues venecian i njohur për librin Udhëtimet e Marco Polo, i cili përshkruan udhëtimin dhe përvojat e tij në Azi. Polo udhëtoi shumë me familjen e tij, duke udhëtuar nga Evropa në Azi nga viti 1271 deri në 1295 dhe qëndroi në Kinë për 17 prej atyre viteve. Rreth vitit 1292, ai u largua nga Kina, duke vepruar si shoqërues gjatë rrugës për tek një princeshë mongole që po dërgohej në Persi.

Në vitin  1271, Polo u nis me babanë dhe dajën e tij, Niccolo dhe Maffeo Polo, për në Azi, ku do të qëndronin deri në vitin 1295. Në pamundësi për të rekrutuar 100 priftërinj që kishte kërkuar Kublai Khan (lideri mongolian), ata u larguan me vetëm dy, të cilët, pasi morën një shija e rrugëtimit të vështirë që kishin përpara, shpejt u kthyen në shtëpi.

Ndërsa bënin rrugën e tyre nëpër Lindjen e Mesme, Polo thithi pamjet dhe aromat e saj. Tregimi i tij për Orientin, veçanërisht, i dha botës perëndimore pamjen e parë të qartë të gjeografisë dhe zakoneve etnike të Lindjes. Vështirësitë, natyrisht, i erdhën. Në atë që tani është Afganistani, Polo u detyrua të tërhiqej në male në mënyrë që të rikuperohej nga një sëmundje që kishte marrë. Ndërkohë, kalimi i shkretëtirës së Gobit ishte i gjatë dhe, nganjëherë, i mundimshëm. “Kjo shkretëtirë raportohet të jetë aq e gjatë sa do të duhej një vit për të shkuar nga fundi në fund”, shkroi më vonë Polo. “Dhe në pikën më të ngushtë duhet një muaj për ta kaluar. Ai përbëhet tërësisht nga male, rëra dhe lugina. Nuk ka asgjë për të ngrënë.”

Më në fund, pas katër vjet udhëtimi, polos arritën në Kinë dhe Kublai Khan, i cili po qëndronte në pallatin e tij veror të njohur si Xanadu, një mrekulli e madhe arkitekturore prej mermeri që mahniti të riun Polo.

Polos fillimisht kishin planifikuar të largoheshin për vetëm disa vjet. Megjithatë, ata ishin larguar nga Venecia për më shumë se 23 vjet. Ka pasur debate mes historianëve nëse Polo ka arritur ndonjëherë me të vërtetë në Kinë. Nuk ka asnjë provë jashtë librit të tij të famshëm që ai udhëtoi aq larg në lindje. Megjithatë, njohuritë e tij për kulturën dhe zakonet e saj janë të vështira për t’u hedhur poshtë. Tregimi i tij i mëvonshëm tregoi për sistemin e gjerë të komunikimit të Khan, i cili shërbeu si themeli për sundimin e tij. Libri i Polo-s, në fakt, i kushton pesë faqe strukturës së përpunuar, duke përshkruar sesi autostrada e informacionit e perandorisë mbuloi në mënyrë efikase dhe ekonomike miliona kilometra katrorë.

Pranimi i polakëve nga Khan u ofroi të huajve akses të pashembullt në perandorinë e tij. Niccolo dhe Maffeo iu dhanë poste të rëndësishme në oborrin e liderit. Polo, gjithashtu, i bëri përshtypje Khanit, i cili mendonte shumë për aftësitë e të riut si tregtar. Zhytja e Polo në kulturën kineze rezultoi në zotërimin e katër gjuhëve, transmeton KultPlus.

Udhëtimi i Polos u zhvillua në tokë dhe ata u detyruan të kalonin nëpër territor sfidues dhe ndonjëherë të ashpër. Por përmes gjithë kësaj, Polo zbuloi një aventurë. Kujtesa e tij e mëvonshme për vendet dhe kulturat që vëzhgoi ishte e jashtëzakonshme dhe jashtëzakonisht e saktë.

Më në fund, pas 17 vjetësh në oborrin e Khanit, Polos vendosën se ishte koha të ktheheshin në Venecia. Vendimi i tyre nuk ishte ai që e kënaqte Khan, i cili ishte rritur duke u varur nga burrat. Në fund, ai e pranoi kërkesën e tyre me një kusht: Ata shoqërojnë një princeshë mongole në Persi, ku ajo do të martohej me një princ persian.

Duke udhëtuar nga deti, polakët u nisën me një karvan prej disa qindra pasagjerësh dhe marinarësh. Udhëtimi rezultoi i mundimshëm dhe shumë vdiqën si pasojë e stuhive dhe sëmundjeve. Në kohën kur grupi arriti në Portin e Hormuzit të Persisë, vetëm 18 persona, përfshirë princeshën dhe Polos, ishin ende gjallë. Më vonë, në Turqi, zyrtarët gjenovezë përvetësuan tre të katërtat e pasurisë së familjes. Pas dy vitesh udhëtim, Polos arritën në Venecia. Ata ishin larguar për më shumë se dy dekada dhe kthimi i tyre në tokën e tyre të lindjes pa dyshim kishte vështirësitë e veta. Fytyrat e tyre dukeshin të panjohura për familjen e tyre dhe ata përpiqeshin të flisnin gjuhën e tyre amtare.

Libri e bëri Polon një personazh të famshëm. Ai u shtyp në frëngjisht, italisht dhe latinisht, duke u bërë libri më i njohur në Evropë. Por pak lexues e lejuan veten të besonin përrallën e Polos. Ata e morën atë si trillim, konstrukt i një njeriu me një imagjinatë të egër. Vepra përfundimisht fitoi një titull tjetër: Il Milione (“Milion Lies”). Polo, megjithatë, qëndroi pas librit të tij dhe ai ndikoi aventurierët dhe tregtarët e mëvonshëm.

Marco Polo vdiq më 8 janar, 1324 në Venecia/ KultPlus.com

Tri vite më parë, mbylli perden përgjithmonë aktori Adem Mikullovci

Më 15 shtator 2020, pikërisht sot para tri viteve, vdiq aktori Adem Mikullovci. Ai iku për t’u përjetësuar gjithmonë përmes veprave që la pas vetes, vepra këto që filluan qysh në kohët më të vështira për popullin e Kosovës e vazhduan deri sot e kësaj dite, e ndoshta disa prej tyre akoma gjejnë vend në aktualitetin e shoqërisë së sotme kosovare, shkruan KultPlus.

Adem Mikullovci ka qenë një artist i popullit, i cili pareshtur ka punuar për popullin e Kosovës. Arti i tij nuk ka qenë vetëm një satisfaksion individual, ai ka punuar vazhdimisht duke shfrytëzuar artin e tij për të hedhur dritë mbi të këqijat që janë pjesë e këtij vendi, ka realizuar seriale e filma që kanë ardhur si një formë revolte e kundërshtimi për mendësinë e popullit tonë. Arti i tij gjithmonë ka përçuar mesazhe të fuqishme.

‘Po e lëshoj perden, dhe po i fiku dritat….Teatri i jonë Leze-u mbyll’, ishin këto fjalët që qarkulluan më së shumti në rrjetet sociale. Këto fjalë të shkruara aq thjeshtë por që aq shumë e përshkruajtën dhimbjen e madhe që Adem Mikullovci pati me vdekjen e Leze Qenës, duke u mbyllur kështu një epokë e artë e artit teatral. Mirëpo, e vërteta nuk qëndron kështu sepse arti i tillë është, jeton e përjetësohet me shekuj e shekuj, duke i dhënë frymë secilit artist edhe pas vdekjes.

Teatri i Ademit, i Lezes, i Xhevatit, Shanisë e shumë të tjerëve, nuk u mbyll, ai veçsa ka marrur një formë tjetër, duke emëruar vetveten si Epoka e Artë e Teatrit të Kosovës./KultPlus.com

Ti qan e loti vetëtin qërpikëve të tu

Poezi nga Lord Byron

Ti qan e loti vetëtin
Qerpikëve të tu;
Elmazi i vesës në agim
Prej vjollcës shket ashtu.
Ti buzëqesh,ç’i ëmbël gaz
shkëndrit në sytë e tu;
Sarifi zbehet n’atë çast
nga flakë e tyre blu.

Purpurn e reve ruan ti,
kur Dielli perëndon
dhe errësira pa kufi
Nis botën e mbulon
Kështu dhe vështrimi yt
Djeg retë e shpirtin tim;
Le t’erret!Brenda meje ndrit
I zjarrti perëndim! / KultPlus.com