Pas ngjarjeve të fundit në Kosovë, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka anuluar takimin e parashikuar për tu mbajtur sot, të shkrimtares dhe gazetares serbe Ivona Djuric.
Kjo e fundit ndodhet në Tiranë si rezidente e projektit READ, me partneritet Institutin e Librit dhe Promocionit.
Sot, Djuric do të ishte në një takim me gazetarë të kulturës dhe lexues mbi rolin e medias në kontekste të reja shoqërore e kulturore, dhe ndikimin që ka tek brezi i ri, përvojën e saj në Tiranë, dhe letërsinë bashkëkohore ballkanike.
Qendra Kombëtare e Librit në Tiranë, drejtuar nga Alda Bardhyli ka bërë një punë të mirë në një hapje të librit drejt bashkëpunime rajonale, por dhe nxitjen e një debati për shoqëri të hapura. Autorë të rëndësishëm të letërsisë ballkanike kanë qenë pjesë e diskutimeve në këtë hapësirë të librit shqip, duke e parë kulturën dhe librin si pjesë e proceseve që kërkojnë të integrojnë fqinjët me njëri-tjetrin.
Anulimi i takimit me gazetaren serbe vjen menjëherë pas ngjarjeve të ndodhura në Kosovë. / KultPlus.com
Koto Hoxhi (Kostandin Hoxhi, 1824-1895) ishte veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare, i arsimit e i kulturës shqiptare, Mësues i Popullit.
Lindi në Qestorat të Lunxhërisë (Gjirokastër), ku më pas punoi si mësues i shkollës së mesme në gjuhën greke, duke dhënë fshehurazi shqipen.
Më 1879 mori pjesë në komisionin e posaçëm të Komitetit të Stambollit, që u formua për shqyrtimin e çështjes së alfabetit, ku mbrojti variantin e hartuar nga Sami Frashëri, si dhe në botimin e “Alfabetares” së Stambollit.
Koto Hoxhi njihet gjithashtu si një nga themeluesit e teatrit shqiptar. Për veprimtarinë e tij patriotike u burgos dhe u përndoq nga qeveria osmane dhe kisha fanariote. / KultPlus.com
Polonia ka dënuar ashpër sulmet e djeshme ndaj Policisë së Kosovës.
Ministria e Jashtme e Polonisë në “X” i ka shprehur ngushëllime familjes dhe kolegëve të policit të vrarë, Afrim Bunjaku, derisa i ka uruar shërim të shpejtë policëve të lënduar.
MPJ e Polonisë thotë se autorët duhet të sillen para drejtësisë.
“Polonia dënon ashpër sulmet ndaj Policisë së Kosovës. Ne i shprehim ngushëllimë familjes dhe kolegëve të policit të vrarë në krye të detyrës dhe i urojmë shërim të shpejtë dy policëve që u lënduan. Autorët e këtyre akteve të tmerrshme duhet të sillen para drejtësisë”. / KultPlus.com
Sot në Kosovë është ditë zie në nderim të efektivit të policisë Afrim Bunjaku, i cili mbeti i vrarë një ditë më parë në në veri të Mitrovicës pas një sulmi me armë zjarri nga një grup i armatosur serb.
Kryeministri Edi Rama shprehet në një status në rrjetet sociale: “me përuljen me nderim për efektivin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili dha jetën në krye të detyrës”.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, mori vendim që dita e hënë, 25 Shtator 2023, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të vendit.
“Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së hënë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës. / atsh / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e hënë, 25 shtator 2023, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të vendit.
Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së hënë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi. / KultPlus.com
Diellin ta shikosh nga hija e plepit Dhe ta matësh Kur hijen tënde s’mund ta kapërcesh më Qenit ruaju se të kafshon ajo kafshë shtëpiake Besnik i madh i Njeriut Nga kafshimi i gjarprit mund të shpëtosh Macen nxirre nga fjalori yt gjithsesi Ajo s’është simbol i kohës sate as i artit tënd
(Unë gjthmonë ia kam frikën edhe Lules edhe Femrës)
Kur të flasësh fol të dëgjohesh në bjeshkë të dëgjohesh në shkretëtirë Për të dytën herë mbetesh pa kokë ose kush nuk të beson: Sa më pak shikoje veten në pasqyrë Dhe kurrë mos mendo: I pari Ai që ka ekzistuar para teje jam UNË Ai që do të kujdeset për ditët e mia të mbrama Për ëndrrat e mia e qetësinë je Ti Me pleh kurrë mos u pajto: Nxirre në gjysmë të natës në pikë të vapës Asgjë mos rrit asgjë mos krijo me dhunë Rast i humbur nuk je edhe pse pylli dendësohet Mund ta kalosh natën në Kullën time të vetmuar në botë Dhe si të duash Ti Lumi Kryesorja: jetën ta jetosh pa e vrarë Dhe pa të mbetur në këmbë ndonjë therrë e saj e zezë Bashkudhëtari im Ta provojmë vetveten derisa kemi frymë./KultPlus.com
Në fund të shtatorit, përdoruesit e Windows 11 do të marrin përditësime të rëndësishme për këtë sistem operativ.
Microsoft po përgatitet të zbulojë një përmirësim të madh të sistemit të tij operativ Windows 11 më 26 shtator. Është një përmirësim që do të sjellë Windows Copilot, një mjet i fuqizuar me AI, një File Explorer të rinovuar, Ink Anywhere për përdoruesit e stilolapsit, përmirësime në aplikacionin Paint dhe shumë veçori të tjera të reja.
Karakteristika e shquar e përmirësimit të ardhshëm është Windows Copilot, i cili sjell Bing Chat në desktopin e Windows 11. Ky mjet i shiritit të detyrave u jep përdoruesve kontrollin mbi cilësimet e kompjuterit, lëshimet e aplikacioneve dhe pyetjet. Është thellësisht i integruar në sistemin operativ, me demonstrime që tregojnë se sa i dobishëm është për detyra të tilla si kompozimi i mesazheve me tekst duke përdorur të dhënat e kalendarit dhe lundrimi në Outlook.
Është gjithashtu përpjekja e fundit e Microsoft për të integruar një asistent dixhital në Windows, pas anulimit të aplikacionit Cortana. Me themelet e tij në teknologjinë Bing Chat, ai i lejon përdoruesit të bëjnë pyetje dhe të marrin përgjigje, megjithëse jo gjithmonë me saktësi të plotë.
Për ata që nuk janë të interesuar për asistentët e AI, Microsoft ofron përmirësime të tjera. File Explorer merr një ndryshim modern, një pamje bashkëkohore me fotografi më të mëdha të skedarëve dhe një pamje të skedarëve të fundit dhe të preferuar, duke e sjellë atë më shumë në përputhje me estetikën e Windows 11.
Përdoruesit e stilolapsit do ta vlerësojnë Ink Anywhere, një veçori që ju lejon të futni shkrimin e dorës me Penin Surface ose stilolapsa të ngjashëm në çdo fushë teksti në Windows.
Një aplikacion i përmirësuar i Windows Backup thjeshton migrimin e kompjuterit, duke i lejuar përdoruesit të transferojnë cilësimet dhe aplikacionet në një pajisje të re duke përdorur një kopje rezervë pa probleme të Cloud. Për më tepër, veçoria e re e tekstit të kopjimit të Snipping Tool mund të identifikojë dhe ndajë tekstin nga pamjet e ekranit, ndërsa një veçori tjetër e bën të lehtë modifikimin automatik të emailit dhe numrave të telefonit nga imazhet.
Për ata që përdorin aplikacionin Photos, përditësimi sjell një opsion të turbullimit të sfondit dhe përdoruesit do të jenë në gjendje të rregullojnë intensitetin e turbullimit dhe zonën që do të turbullohet.
Megjithatë, disa veçori të pritshme mungojnë nga ky përmirësim, si një mënyrë e re për të kontrolluar volumin, mbështetje vendase për RAR dhe 7-zip, ndriçim dinamik për të kontrolluar prizat RGB, etiketat e aplikacioneve dhe kutitë e programeve. Microsoft nuk e ka konfirmuar ende datën e mbërritjes së këtyre përditësimeve./alsatm/KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ndezur qirinjë në nderim të policit të vrarë, Afrim Bunjakut I cili u vra sot në orët e mengjesit në Banjskë të Zveçanit.
Kryeministr Kurti përmes një postimi në llogarinë e tij në platformën “X”, tha se sonte u ndez një qiri I vogël për një shpirt të madh.
“Afrim Bunjaku u vra nga terroristët në orët e hershme të mëngjesit në krye të detyrës duke mbrojtur integritetin territorial dhe sundimin e ligjit të vendit tonë. Sonte ndezëm një qiri të vogël për një shpirt të madh ndërsa zotohemi të mbrojmë ata që kalojnë jetën e tyre duke na mbrojtur”, shkroi Kurti./KultPlus.com
Këto fotografi të rralla janë realizuar nga Jacqueline Benezech, një etnologe e njohur franceze e cila kishte udhëtuar në çdo skaj të Shqipërisë, duke studiuar traditat, zakonet dhe kostumet shqiptare.
Shumica e fotografive janë realizuar në Malësi dhe tregojnë se si ka jetuar shqiptarët në vitet e 30-ta, ku të gjithë mbajnë të veshur kostumin tradicional. /KultPlus.com
Divjakë-Karavasta, 90 km larg Tiranës, është një nga parqet natyrore më të vizituara nga turistët vendas e të huaj për turizmin detar, natyror dhe të vëzhgimit të shpendëve ujorë.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro duke e cilësuar një pol të turizmit natyror, tha se ” gjatë gushtit Divjakë-Karavasta ka pritur më shumë se 186 mijë vizitorë mes peizazheve të pyllit, lagunës, ngjyrave të shpendëve e duke mos u larguar pa provuar ushqimet e shijshme të zonës”.
Turistëve në këtë park iu ofrohet një guidë prej 5 km, ku ata njihen me gjallesat dhe bimësinë e parkut. Gjatë vizitës në park mund të zhvillosh disa lloje aktivitetesh përveçse të njihesh me informacionin e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta në Qendrën e Vizitorëve si ecje në natyre (rreth 50 km shtigje), vëzhgimi i shpendëve, piknik, vozitje me varkë, kamping, xhiro me biçikleta, kajak dhe vizitë në site arkeologjike dhe ato fetare”
Me një kullë panoramike, varka për të shëtitur vijë ujore përgjatë gjithë parkut, pyllin e gjelbëruar dhe me larmishmëri shpendësh janë disa nga aventurat që nuk duhen humbur kur viziton këtë park të rijetësuar.
Vendet më të preferuara nga vizitorët janë “Ishulli i Pelikanit”, Këneta e Madhe ku jeton Pelikani, por edhe shpendë të tjerë dhe Këneta e Vogël, ku kryesisht strehohen flamingot dhe rosat e egra.
Flamingot dhe shpendët e tjerë ujorë, që popullojnë lagunën e Divjakë-Karavastasë, kanë tërhequr vëmendjen e medieve botërore me reportazhet e tyre të shumta për jetën e egër në këtë park./atsh/KultPlus.com
“Marshi i UÇK” -së është një ndër këngët më të njohura dhe më të dashura të cilën e ka sjell me një interpretim rrëqethës artisti i njohur Arif Vladi.
KultPlus ju sjell në mendje këtë këngë të pavdekshme.
Oj Kosovë o djep lirie Çdo kulm shpie nji bajarak UÇK-ëja t’paska hije Për atdhe po derdhet gjak
Po luftojnë djemtë e Kosovës Prej Drenice n’mal t’Gjakovës (x2) Për atdhe lokja m’ka le, për flamurin kuq e zi Jam ushtar në UÇK do ti sjell vendit liri
ref:
Brez pas brezi në k’to votra Jam i lashtë sa vet Evropa (x2) Jo se l’shoj oo asni pllam toke Dy gisht balle mke fale ti loke
Se k’tu jam dem-baba-dem Për Kosovë jap shpirtin tim (x2)
Qofsh i pushkës je shqipëtarë Ta mbrojmë vendin pllambe me pllambe
Se k’tu jam dem baba dem Për Kosovë jap shpirtin tem (x2). / KultPlus.com
Amfiteatri antik i Durrësit dhe zona muzeore janë ndër më të vizituarat nga turistët vendas e të huaj.
Qendra Muzeore Durrës bën të ditur se “që nga janari deri në fund të gushtit numri i vizitorëve në Amfiteatër dhe në zonën muzeore të Durrësit vazhdon të mbetet mjaft i lartë. Konkretisht në këtë periudhë ato u vizituan nga 19 185 vizitorë, rreth 9 mijë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku u vizitua nga 10 849 vizitorë”.
Sipas Qendrës Muzeore Durrës, këtë vit ka pasur një rritje të ndjeshme të vizitorëve në amfiteatër.
“Vihet re një rritje e jashtëzakonshme e numrit të turistëve në qytetin tonë dhe veçanërisht, të turistëve që shfaqin interes për historinë dhe kulturën vendase”, thekson Qendra Muzeore Durrës.
Vizitorët kryesisht janë gjermanë, holandezë, polakë, italianë , etj.
Amfiteatri i Durrësit ka arkitekturë romake dhe është ndërtuar në fund të shek. I pas Krishtit, në periudhën e perandorit Trajan. Ai është shfrytëzuar për dyluftimet e gladiatorëve dhe të shtazëve të egra për afro 2 shekuj.
Në shek. 5 pas Krishtit u ndaluan ndeshjet e gladiatorëve dhe amfiteatri nisi të braktisej. Në mjediset e tij u ndërtuan një kapelë (kishëz) bizantine. Në muret e kapelës ndodhen disa afreske dhe mozaikë.
Boshti i madh i amfiteatrit është 127 metra, ndërsa boshti i vogël 103 metra. Përmasat e arenës me formë ovale janë përkatësisht 63 dhe 39 metra.
Monumenti është zbuluar në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi. Deri tani është zbuluar rreth gjysma e amfiteatrit, me pjesën perëndimore dhe veriore të shkallareve, si dhe një pjesë e galerive./atsh/KultPlus.com
Në Istog është mbajtur një aktivitet letrar, ku shkrimtarë e poetë kanë prezantuar poezitë e tyre para jurisë. Kjo ngjarje është organizuar nga klubi letrar “Podguri”.
Manifestimi letrar “Ibrahim Rugova, i nënti me radhë ka mbledhur në Istog , shkrimtarë, poetë e shkrimtarë.
Ky aktivitet letrar në të cilin me poezitë e tyre u paraqitën mbi 60 poetë e shkrimtarë nga të gjitha trevat shqiptare, u organizua nga Klubi letrar “Podguri” në Istog.
Me këtë rast Klubi letrar “Podguri” promovoi librin, “Kosova, andrra e jetës sime” e autorit Bajram Gashi. Po ashtu krahas tri çmimeve nga organizatorët u ndanë edhe mirënjohje.
Për angazhimin e përvitshëm në transmetimin dhe promovimin e vlerave kulturore e artistike, një mirënjohje e veçantë iu nda edhe Radiotelevizionit të Kosovës./rtk/KultPlus.com
Mbrëmjen e djeshme u mbyll edicioni XXI i TIFF – Tirana International Film Festival.
Në ceremoninë përmbyllëse të TIFF ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Ai çmoi punën që Akademia Marubi bën për kulturën dhe artin në qytetin e Tiranës.
“Kur ndodh diçka në qytet është një ngjarje, por kur kjo ndodh çdo vit dhe me të njëjtin seriozitet, kthehet në një traditë të bukur. Në Tiranë ka pasur shumë aktivitete, por në këtë festival po ndodh diçka që i prek thellë njerëzit sepse është një katedrale, një tempull i të menduarit dhe të reflektuarit. Për këtë ju jam mirënjohës”, tha Veliaj.
Prej këtij festivali filmi, nga më jetëgjatët në vend, përzgjidhen filma të cilët kualifikohen për të garuar në Oscar dhe European Film Awards./atsh/KultPlus.com
Më 30 shtator, Teatri Kombëtar i Kosovës, do të hapë dyert për sezonin e ri me premierën e shfaqjes ‘1984’. Përveç hapjes së sezonit të ri, kjo premierë shënon edhe një moment të jashtëzakonshëm për artin teatror në Kosovë, pasi do të jepet shfaqja e bazuar në një prej novelave ikonë të shekullit 20-të, ‘1984’, e autorit George Orwell, shkruan KultPlus.
Shfaqja ‘1984’ vjen në Kosovë e adaptuar posaçërisht për Teatrin Kombëtar të Kosovës nga regjisori francez, Igor Mendijsky, një bashkëpunim ky që do të sjellë në hapësirat e teatrit një kryevepër të përmasave botërore.
“1984” e George Orwell flet për një shoqëri të kontrolluar nga një qeveri autoritare që mbikqyr dhe kontrollon çdo aspekt të jetës së qytetarëve. Megjithatë, në interpretimin e regjisorit Mendjisky, fokusi i shfaqjes ‘1984’ do të jetë mbi historinë e dashurisë së çiftit protagonist, Winston dhe Julia. Një histori që ballafaqohet me fatin e tmerrshëm të shoqërisë së tyre.
Për adaptimin e novelës ‘1984’ për skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, në një intervistë për KultPlus foli vetë regjisori Igor Mendjisky, i cili fillimisht tregoi zanafillën e këtij bashkëpunimi.
“Fillimisht, drejtori Kushtrim Sheremeti e ka parë punën time dhe ai ka kërkuar një shokut tonë të përbashkët që të na njoftojë dhe ashtu edhe bëri. Unë dhe Kushtrimi u njohëm dhe e patëm një diskutim se çka ka parë ai nga puna ime dhe më tha se dëshiron që unë të vij në Teatrin Kombëtar të Kosovës.Unë isha shumë i emocionuar për këtë ide dhe pas kësaj unë e pyeta se çfarë shfaqje mund të drejtoj unë dhe ai më tha diçka nga Orwell. Kushtrimi më tha se nga ajo çfarë kishte parë ai nga puna ime, ai mendonte se unë mund të bëj një adoptim të tillë me aktorët këtu”, tregoi Mendjisky, për të cilin, kjo është hera e parë që punon me një shfaqje në Kosovë.
Duke qenë se ‘1984’ nga George Orwell flet për një shoqëri ku një qeveri autoritare shikon dhe kontrollon gjithçka, Mendjisky thotë se fokusi i kësaj shfaqje do të jetë historia e dashurisë në mes të Winstonit dhe Julias, megjithatë, e gjithë ajo që trajton kjo novelë, nuk do të mungojë as në skenën e teatrit.
“Fokusi në këtë shfaqje do të jetë në historinë e dashurisë, ajo në mes të Winstonit dhe Julias, por e gjitha satira dhe parashikimi që e karakterizojnë këtë libër, janë gjatë gjithë kohës në këtë shfaqje. Mendoj që adaptimi flet për politikën, për fuqinë, për ligjin, për këtë histori dashurie dhe për faktin se pse Orwell vendosi të shkruajë novelën ‘1984’, sepse Orwell është po ashtu në këtë skenë, në këtë adaptim”, theksoi Mendjisky.
Regjisori francez nuk la pa përmendur edhe potencialin e aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, për të cilët thotë se u është përshtatur kjo novelë më shumë se kujtdo tjetër.
“Aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës janë të mrekullueshëm. Ajo që u them miqve të mi në Paris është se ky tekst, kjo novelë nuk do të ishte luajtur në këtë mënyrë në Francë. Ajo që nënkuptoj është se çka dini ju këtu, nga ajo që ju keni përjetuar nga lufta këtu është diçka që ju lidh më shumë me këtë novelë, më shumë sesa në Francë”, tha regjisori Mendjisky, duke nënvizuar ndërlidhjen e situatave në Kosovë, me ato që përmenden në këtë novelë.
Pavarësisht kohës së shkurtër të provave e shumë sfidave që përballet Teatri Kombëtar i Kosovës, Mendjisky thotë se beson se gjithçka do të realizohet me sukses dhe se publiku do ta pëlqejë këtë shfaqje.
“Shpresoj që publiku do ta pëlqejë sepse kur e shoh shfaqjen, e shoh si diçka shumë universale. Shpresoj që publiku do të dashurohet me shfaqjen dhe me historinë e Winstonit e Julias”, u shpreh Mendjisky për KultPlus.
Në shfaqjen ‘1984’, të adaptuar për Teatrin Kombëtar të Kosovës, aktores Flaka Latifi i është besuar roli i Julias, një prej roleve kryesore.
Në një intervistë për KultPlus, Latifi thotë se që në momentin kur i është dhënë ky rol, është ndjerë e lumtur dhe njëkohësisht edhe me përgjegjësi të mëdha mbi supe për të dalë sa më mirë që është e mundur.
“Julia është një nga protagonistet në veprën “1984” nga George Orwell. Ajo është një vajzë e re, plot jetë e gjallëri, intuitive e rebele e cila e njeh shumë mirë partinë. Që nga momenti i parë kur mora njoftimin se do jem pjesë e kësaj shfaqje dhe pikërisht që do të kem rolin e Julias, jam ndjerë e lumtur dhe njëkohësisht me pergjegjësi të madhe për ta portretizuar këtë rol sa më mirë. Rëndësi të veçantë ka poashtu sepse ‘1984’ në Kosovë po punohet për herë të parë, andaj trajtimi, puna dhe përkushtimi duhet të jenë maksimal në mënyrë që publiku ta kuptojë qartë dhe ta ketë ndjesinë e ‘1984’”, tha Latifi.
Ajo më tutje shtoi se kjo shfaqje është duke u punuar brenda një muaji. Megjithatë, pavarësisht kohës së shkurtës, Latifi thotë se të gjithë po bëjnë më të mirën duke punuar ndonjëherë edhe me orar më të zgjatur, vetëm për të pasur rezultate e performancë të sukseshme.
“Unë dhe roli i Julias kemi disa të përbashkëta të cilat më ndihmojnë t’i kem më të lehta edhe dallimet. Deri më tani mendoj se jam duke u mishëruar çdo ditë e më shumë me rolin, shpresoj që shfaqja në premierën e saj ta ketë Julian e Orwellit dhe aktoren e Mendjisky”, tha ndër të tjerash aktorja Latifi.
Pavarësisht kohës së shkurtër të realizimit të kësaj shfaqje, aktorët dhe regjisori Mendijsky po punojnë me ritme të shpejta. Për rezultatet e arritura deri më tani, Flaka Latifi meritat ia dedikon regjisorit, që sipas saj ka gjetur mënyrën e duhur për të punuar me secilin nga ta.
“Më pëlqen mënyra e punës së regjisorit, i cili në radhë të parë është i sinqertë me ne, është i hapur edhe për propozimet nga aktorët, punon dhe provon në skenë. Jam e kënaqur sepse kuptohem shumë mirë me të”, tha më tej Latifi, duke përmendur po ashtu se edhe bashkëpunimi mes aktorëve ka qenë i jashtëzakonshëm.
E për fund, Flaka Latifi tha për KultPlus se beson që qëllimi i regjisorit do të realizohet me sukses dhe audienca do ta pëlqejë këtë shfaqje.
“Shpresoj shumë që ata të cilët do vijnë ta shohin shfaqjen, të dalin nga teatri me citatin tim të preferuar nga George Orwell ‘Qëllimi nuk është që t’rrijmë gjallë por të mbetemi njerëzorë’”, përfundoi Latifi.
Edhe për aktorin Ylber Bardhi, të cilit në këtë shfaqje i është besuar roli i Winstonit, që po ashtu është një prej roleve kryesore, thotë se është një privilegj për të që është përzgjedhur të luajë këtë personazh kaq të rëndësishëm.
“Momentin kur e kam kuptuar që do të jem Winstoni kam pasur ndjenja të përziera sepse më është caktuar nje ‘barrë’ shumë e rëndësishme e shfaqjes. Rrallë të vijnë këto role në jetë. Besoj secili koleg i imi do të donte ta interpretonte personazhin e Winstonit”, u shpreh Bardhi.
Ai më tutje foli edhe për mbarëvajtjen e provave, të cilat kanë qenë goxha intensive, e tani janë pothuajse në përfundim meqë për pak ditë edhe do të jepet premiera.
“Bashkëpunimi me regjisorin ka qenë fantastik. Është një prej regjisorëve që kërkon shumë nga ty dhe nuk lejon të të ikë asnjë detaj. Jam shumë i lumtur qe jam pjesë e këtij projekti. Edhe bashkëpunimi me kolegët ka qenë shumë i mirë, duke qenë se kemi punuar edhe më herët bashkë dhe e njohim shumë mirë njëri – tjetrin”, tha mes tjerash Bardhi, duke shtuar se beson shumë që kjo shfaqje do të pëlqehet nga audienca dhe secili do të gjejë një pjesë të jetës së tyre në këtë shfaqje.
Ndërkaq, ju rikujtojmë që premiera e shfaqjes ‘1984’ e regjisorit Igor Mendjisky, do të jepet më 30 shtator në amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Përveç Flaka Latifit dhe Ylber Bardhit në këtë shfaqje luajnë edhe aktorët e tjerë: Adrian Morina, Arta Selimi, Basri Lushtaku, Edona Reshitaj, Shpejtim Kastrati dhe Xhejlane Godanci./ KultPlus.com
Kur bëhet fjalë për energjinë diellore për frymë, vendi lider i Evropës për një kohë të gjatë, Gjermania, nuk është më i pari në listë. Për të dytin vit radhazi, Holanda renditet e para, duke arritur një prodhim të jashtëzakonshëm prej më shumë se 1000 vat për banor në vitin 2022, 28% më shumë se në vitin 2021.
Fuqia e energjisë diellore mesatare e instaluar në Gjermani u rrit në 816 vat për banor, rritje me 13% në krahasim me 2021.
Danimarka zë vendin e tretë me 675 vat për banor, duke lënë pas Belgjikën, e cila tani qëndron në 663 vat banor në vendin e katërt.
Përveç Luksemburgut, me 629 vat për banor, të gjitha 10 tregjet e tjera më të mira të BE-së për kontrollin e kapaciteteve diellore për frymë janë nën nivelin 600 vatëve për banor.
Fqinji ynë Greqia, renditet në vendin e 7 dhe ka një rritje progresive si për shkak të politikave mbështetëse të qeverisë, duke subvencionuar panelet diellore për familjet, ashtu edhe për klimën e favorshme me afro 300 ditë me diell në vit.
Edhe Shqipëria ka të njëjtën mesatare prej 300 ditësh me diell në vit, çka favorizon rritjen e kapaciteteve të prodhimit të energjisë brenda një kohe të shkurtër, në rast të instalimit të impianteve fotovoltaike të prodhimit të energjisë.
Ajo që bie në sy është fakti se vendet e veriut të Europës, si Holanda e Gjermania që mbajnë vendin e parë të prodhimit të energjisë diellore për banor, kanë mesatarisht 190 ditë me diell në vit.
Në vitin 2022, tregu më i madh i emergjisë diellore në Holandë erdhi nga panelet diellore të instaluara në tarracat e ndërtesave, me një prodhim prej 46% ose rreth 1.8 GigaWat të totalit të energjisë së prodhuar në vend nga dielli./Tv Klan/KultPlus.com
Muzetë dhe parqet arkeologjike në të gjitha qytetet e vendit po tërheqin gjithnjë e më shumë një numër të lartë vizitorësh vendas dhe të huaj.
Vitet e fundit Ministria e Kulturës ka ndërmarrë nismën që turistët dhe vizitorët të dielave të vizitojnë falas muzetë dhe parqet arkeologjike në të gjithë vendin.
Kryeministri Edi Rama ftoi sot qytetarët që të dielën e fundit të muajit shtator, ta shfrytëzojnë për të vizituar falas me familjet muzetë dhe parqet arkeologjike nën varësinë e Ministrisë së Kulturës.
“Muzetë janë hapësirat ideale për sot”, theksoi ai.
Në Shqipëri ndodhen një sërë sitesh arkeologjike si Butrinti, Apolonia, Oriku, Amantia, etj, ndërsa nga kalatë janë kalaja e Gjirokastrës, kalaja e Lëkurësit, Sarandë, kalaja e Krujës, kalaja e Beratit, Kalaja e Petrelës, Tiranë, Kalaja e Ali Pashës, Tepelenë, kalaja e Rozafës, Shkodër etj.
Ndërsa nga muzetë përmendim Muzeun e Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeu Etnografik në Berat, Muzetë Arkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeu i armëve dhe Etnografik në Gjirokastër, Muzeu Etnografik në Sarandë, Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeu Arkeologjik, Tiranë, Muzeu Historik, Shkodër etj. /atsh/KultPlus.com
Komisioni i Pavarur i Mediave u bën thirrje të gjithë mediave që të kenë kujdes me raportimet e lajmeve që ndërlidhen me situatën në veri të vendit, të krijuar pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës nga persona të panjohur, ku një zyrtar policor ka vdekur dhe një tjetër ka mbetur i lënduar si pasojë e një sulmi pranë urës në fshatin Banjskë.
KPM apelon tek mediat shqiptare dhe serbe të licencuara pranë KPM-së që t’i përmbahen Kodit të Etikës dhe se raportimet të jenë të sakta, të paanshme dhe të bazuara në fakte. Ato nuk duhet të transmetojnë material për të cilin e dinë ose duhet ta dinë së është i pavërtetë ose mashtrues, transmeton klankosova.tv.
”Mediat e kanë për obligim që menjëherë të korrigjojnë çfarëdo informacioni të publikuar që është gjetur të jetë i pasaktë.
Drejtuesit e mediave duhet të ndërmarrin të gjitha masat e duhura për të mbrojtur sigurinë dhe pavarësinë e gazetarëve të tyre nga çfarëdo ndikimi politik ose financiar, përfshirë edhe nga pronarët e mediave.
KPM u bënë thirrje mediave që ta respektojnë të drejtën e privatësisë së individëve. Ata që janë prekur nga tragjedia apo pikëllimi, duhet të trajtohen me ndjeshmëri, respekt dhe maturi, duke respektuar privatësinë e plotë të tyre.
KPM i dërgon ngushëllimet më të të sinqerta familjes së policit të vrarë dhe u uron shërim të shpejtë policëve të plagosur”./KlanKosova/KultPlus.com
Njeriu që është i tëri talent në vend si mish e kockë, i tëri përkushtim në vend se lakmi, i tëri sakrificë artistike në vend se pushtet, është pa mëdyshje Muharrem Qena.
I nisur një rruge të re jetësore e artistike, të parespektueshme për fillimin, aktori i lindur dhe ambiciozi i pashoq, që ta shpreh mendimin e idetë e veta të ngritura në mesazhe artistike, është i riu nga Mitrovica i viteve 1930, i cili përherë, derisa ia mundësoi shëndeti e mosha, nuk rreshti së dëshmuari se do, se mundet dhe se di ta begatojë jetën e njeriut, atë begati ideore e shijojë që e kishte në qenjen e vet.
Ai nisi rrugën e re, atë të aktorit, atë të artit teatral, që në vendlindje për të bërë shfaqje teatrale, duke tubuar rreth vetes grup entuziastësh dhe duke dëshmuar se ky është një art i ri dhe tejet i nevojshëm edhe për ne në Kosovë. Pas një kohe, ai nisë shkollimin profesional për aktor teatri e filmi në Beograd, për ta ndërprerë vetëm sa mësoi nismat e zanatit, kur dhe do kthehet në Prishtinë, për t’ia vënë themelet teatrit të parë profesionist në Kosovë. Me një grup shokësh tashti të ndjerë, ai krijon adhurimin e shikuesve, të cilët përditë e më shumë aktualizojnë këtë lloj arti. Edhe pse në kushte të rënda dhe nën një përcjellje të regjimit sllav, i cili kontrollonte temat e dramave, ata detyrimisht nisën me drama të përkthyera nga gjuhët e huaja, por që mundësisht të anonin kah vlerat njerëzore e univerzale. Madje edhe regjisorët ishin nga të huajt. Regjisori i parë që inskenoi dramën “Besa” të Sami Frashërit, por edhe shumë pjesë të tjera nga dramaturgjia botërore, ishte Muharrem Qena.
Kronologji e një jete të begatë
Vitet kronologjike të jetë – krijimtarisë së Muharrem Qenës, mund të radhiten këso forme: Më 1930 është i lindur në Mitrovicë, ku kreu shkollën fillore, kurse të mesmen në Prishtinë. Në vitin 1947 pranohet student në shkollën e lartë të filmit në Beograd. Në kohën zgjatore 1948-1955 ai është në Teatrin Popullor Krahinor të Prishtinës, edhe si aktor edhe si regjisor. Ai kreu njëkohësisht edhe punën e dramaturgut, për shumicën e dramave të interpretuara, që ishte një intervenim i domosdoshëm për përshtatjen e teksteve të dramave të huaja për kërkesën tonë të mesazheve kombëtare.
Në vitet 1955 dhe 1956 ai kthehet regjisor në Teatrin e atëhershëm profesional Popullor të Mitrovicës, pra për dy sezona. Shfaqjet kulmojnë veçanërisht në rolet kryesore të dy aktorëve talentë të përhershëm: Muharrem Qenës dhe Melihate Ajetit – Qena. Pastaj, pasi mbyllet ky institucion, kthehet në Teatrin e Prishtinës, ku përgatiten edhe dramat: “Besa” e Sami Frashërit, pastaj “Nuk martohem me pare” e Murteza Pezës, “Mërgimtarët”, melodramë e maqedonasit Anton Parov, “Hani në rrugën kryesore” e Anton Çehovit, “Zhorzh d’Andoli” e Molierit, “Zonja me kamielje” e Aleksandër Dyma – Birit, e mjaft të tjera. Këto ishin në Prishtinë dhe në Mitrovicë. Ai nga viti 1972 deri 1973 punon në Prizren, për teatrin e atëhershëm profesionist. I përgatit nja dy vepra dramatike. Në detyrën e regjisorit punoi edhe në Teatrin e Gjakovës, ku realizoi “Fisheku në pajë” të dramaturgut shkodran Fadil Kraja, e cila edhe ishte realizim për përpunimin e këtij teatri si profesionist. Kishte punuar një kohë edhe në teatrin e Shkupit, si regjisor mysafir.
Vepra që mbeti antologjike dhe që fitoi të gjitha shpërblimet e një festivale, ishte “Erveheja”, e dramatizuar sipas veprës së bejtexhiut Muhamet Kyçykut – Çamit. Edhe pse në pllakatë shkruante se është dramatizuar nga Ahmet Qirezi, gjithsesi ishte intervenimi thelbësor i Muharrem Qenës, i cili me përvojën regjisoriale që kishte, i dinte mangësitë dhe domosdoshmëritë e tekstit në raste.
Në festivalin e teatrove profesioniste të ish-Jugosllavisë, në Novi Sad, në një konkurencë të fortë, të gjitha shpërblimet e mundshme i ishin dhënë kësaj shfaqjeje, edhe për regji, edhe për aktrim, edhe për muzikë, edhe për skenografi. Aktivitetin profesional e përmbylli në TV, atëherë të Pristhinës, si regjisor në redaksinë e dramës, ku përgatiti seriale për fëmijë, dramën “Miu në xhep” të Hivzi Sulejmanit dhe një sërë programesh kulturo-artistike, dokumentare e zbavitëse, kryesisht për programet festivale për vitin e ri.
Muharremi si aktor filmi
Prirja e tij aktoreske, manifestohet natyrshëm dhe tepër me talent jo vetëm në dërrasat e teatrit, por edhe në film. Roli i parë ishte ai i ballistit, në filmin “Kapiten Lleshi”, film në temë nga LNÇ-ja. Më pastaj, në filmat e autorëve të Kosovës, aktivizohet në “Proka” të Isa Qosjes. “Njeriu prej dheu”, “Lepuri me pesë këmbë” të Ismail Ymerit, e disa të tjerë. Edhe pse në role episodike në raste, ai në çdo rast jep shenjat e një aktori të përkushtuar, i cili zbulon talentin dhe përshtatjen natyrshëm me karakterin e personazheve të ndryshëm, natyrisht nga filmi në film. Futet thellë në botën e rolit, për të dhënë me bindshmëri karakterin e tij dhe ngjizjen reale në raport me personazhet e tjerë dhe rrjedhën e ngjarjes në tërësi.
Muzika, një dhunti tjetër natyrore
I binte kitarës që në rini, duke emituar melodi të adhuruara të kohës, nga muzika jonë si dhe ajo e huaja. Po ashtu, gjatë ekzekutimit, edhe nxirrte tinguj që ishin origjinalë, që, më vonë, pasi ua shtonte tekstin, bëhej këngë e lehtë fort e adhuruar nga dëgjuesit. Edhe zëri melodik dhe fort karakteristik, që vështirë të emetohej nga dikush tjetër, bëri që disa nga ato këngë të mbesin hite. Tashti, këto ditë, u bë përurimi i më se njëzet këngëve të tija në një CD, në nis e me “Kaçurrelen” edhe sot aktuale, pastaj me “Shokut”, “Pa ty”, “Lamtumirë, “Kënga e çobanit”, e mjaft të tjera. Ajo që dëshmon përkushtimin edhe këtu, madje, është interpretimi i disa këngëve edhe në dy a tri variante, si me “Kaçurrelja” apo “Lamtumirë”. Ishte edhe koautor në disa nga këto këngë, por kanë ngelur disa interpretime të tjera që nuk janë përfshirë në këtë botim CD-je.
Muharrem Qena dhe Katarina Josipi në një skenë drame
/Muharrem Qena në vitin 1982, në Prishtinë, botoi dramën e vetme titulluar “Bashkëshortët”, e cila që nga titulli na fut në problemin me bashkëkohore dhe më aktual, atë të jetës bashkëshortore në shoqërinë shqiptare, paksa të vonuar. Muharremi, me përvojën e madhe të dramaturgut të veprave të përkthyera për teatër, mandej me përvojën e shumtë të inskenimeve të veprave të huaja dhe asosh origjinale, diti me saktësi se çka kërkon drama si zhanër, duke hedhë edhe talent prej artisti, në digresionet e rënjet e katarakteve emocionale në jetën e bashkëshortëve, për ta mbajtur lexuesin, përkatësisht shikuesin, në ankth deri në fund të përmylljes. Ai po ashtu kishte shkruar tekstin për operetën “Hoxha me tri fletë”, që në bashkëpunim me kompozitorin Rexho Mulliqi mendonin ta realizonin, por vdekja e atij e la përgjysëm projektin. Sido që të jetë, disa nga tekstet e këngëve të interpretuara nga ai dhe këto vepra të botuara, dëshmojnë edhe këtë kahje të dhuntisë krijuese.
Muharrem Qena duke e kënduar “Kaçurrelen” e famshme
Në përmbyllje
Ngase tani ai është në moshë të shtyrë dhe i pamundshëm për të krijuar në çfarëdo lëmie të dëshmuar artistike, mund të themi si rezyme, se Muharrem Qena, aktori, regjisori, këngëtari, dramaturgu, shkrimtari, dha këtë rezultat tashti shifror: Në 200 shfaqje ishte regjisor, në dhjetë drama aktor, luajti në pesë filma, interpretoi më se njëzet këngë të lehta dhe shkroi një dramë e një operetë.
Neve, gjeneratave të tanishme, na la mesazhin se dinte shumë nga sfera e artit, po jeta është e shkurtër për të shkuar deri në fund për të gjitha. Ajo që ishte kulminantja e forcës së tij, përgatiti për aktor dhjetra talentë, që u mungonte shkolla profesionale por kishin talentin. Kështu edhe erdhëm në ditët tona, të shkollave profesionale aktoreske, për teatër, film e regji. /KultPlus.com
Misioni i KFOR-it ka reaguar pas vrasjes së një pjesëtari të Policisë së Kosovës dhe plagosjes së dy të tjerëve në veri të vendit.
KFOR ka thënë se po e montirojnë nga afër situatën në Banjska dhe se trupat e KFOR-it janë prezente në atë pjesë dhe të gatshme të përgjigjen nëse shfaqet nevoja.
Në reagim tutje thuhet se Policia e Kosovës, si përgjegjës i parë, ka përgjegjësinë primare për menaxhimin e incidentit në terren.
KFOR potencon se Komandanti i tyre është në kontakt konstant me të gjithë palët, përfshirë BE-në, komandantin e Forcave serbe, institucionet e Kosovës dhe po punon intensivisht për të gjetur një zgjidhje.
“Komandanti i KFOR-it është në kontakt të ngushtë dhe të vazhdueshëm me të gjitha palët e interesuara ndërkombëtare, përfshirë BE-në, Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe me institucionet në Kosovë, dhe po punon intensivisht për të gjetur një zgjidhje.Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO dënon ashpër sulmin kundër Policisë së Kosovës dhe dërgon ngushëllimet më të thella për familjen dhe të dashurit e të ndjerit”, thuhet në reagim./ KultPlus.com
Intervistë e botuar në revistën “Fjala” më 1 janar 1982 : Foto:Fahredin Spahija, realizuar në vitin 2006 “Për teatrin dhe për shumë gjëra të tjera” Me Muharrem Qenën bisedoi Abdyl Bunjaku
I bindur se nuk ka nevojë të bëhet ndonjë prezentim i posaçëm, ngase mendoj se Muharrem Qenën, e njohin Iexuesit tanë, po edhe nëse ndodh që ndonjëri prej tyre mos të njohë Muharremin si aktor dhe regjisor të shumë pjesëve të Iuajtura në Mitrovicë, Prishtinë, Gjakovë, Prizren e gjetiu, edhe nëse nuk e njohin si autor të dramës
“Bashkëshortët”, na e merr mendja se e kanë dëgjuar bile si këngëtar, duke kënduar këngën shumë të njohur ndër ne, “KaçurrjeIja”, ose ndonjë tjetër. Pra, po ia fillojmë me pyetje:
Çka do të thotë kjo heshtje: një njeri që shumë vjet ishte aktor, regjisor i dalluar, këngëtar dhe autor i një drame, kohët e fundit emri i tij figuron vetëm si redaktor i emisioneve humoristike në TVP. Edhe kjo nuk është punë e vogël, por a mos do të thotë kjo se “heroji është i lodhur” ?
Si ta marrësh: sa për fillim po them se njeriu si unë nuk mund “të heshtë” edhe pse po hasi në shumë pengesa, nuk mundem pa “çourdhitur”. Unë, sa për informim, para disa ditësh u ktheva nga xhirimi i filmit “Lepuri me pesë këmbë”, ku e luaj rolin e Dervishit. Pra nuk është heshtje totale. Nuk janë të pakët ata që pritojnë të punojnë me mua, sidomos shokët e TPK, sepse unë nuk i zvarris punët. Mua më lodh vetëm papunësia, sidomos kur duhet të punojë diçka që nuk ka të bëjë me krijimtari. Unë dhe zyrja — diçka apsurde! Po — kjo bënë të thuash “heroi është i lodhur”.
Po mirë, pse të mos i përmendim këto pengesa: cilat janë dhe kush i vë në rrugë? Në rend të parë disa nga TPK, të cilët jo vetëm i harruan të vdekurit, ata që kanë merita për këtë teatër, por edhe të gjallët, si, bie fjala, Shaban Domin, i cili si pionier i këtij Teatri kontribuojë shumë, sa diti dhe sa mundi, në afirmimin e kësaj shtëpie, mandej disa shokë të Dramës serbe, e cila lash, mjerisht, është nën nivelin e lejueshëm për një Teatër profesionist, kur dihet se dikur ishte ndër dramat më të njohura në Serbi, siç janë Millutin Jasniqi. D. Radepkoviqi, D. Todiqi e të tjerë, të cilët ishin pedagogë dhe mësues tanë, regjisorët e parë që punuan me ne. Ndër të harruarit, pra, më shpallën edhe mua, dhe kështu më leqitën për së gjalli.
Teatri për mua ishte dhe mbeti dashuria ime e madhe. Punën në teatër e fillova në moshën kur njeriu ka shumë ëndrra, shumë dëshira dhe punën e merr me shpirt e pahile. Të gjitha planet e mia i lidha me Teatrin Krahinor, ku gati si fëmijë, më sollën si talent të dalluar, si njeri të nevojshëm, duke ma ndërprerë kështu shkollimin e filluar në Beograd. Pra edhe unë jam ndër të parët që ia filluam punës në Teatrin Krahinor në Prishtinë. Po theksoj — në Prishtinë, ngase shpesh harrohet se ky Teatër ka punuar edhe në Prizren. Sot, kur e kujtoj atë rrugë jetësore, takimin me Teatrin, me çfarë dashurie e entuziazmi punonim unë dhe shokët e mi, bëj krahasime dhe ndjej dhembje kur shof se ka shumë aktorë të rinj që bjerrin kohën kot dhe kënaqen vetëm me faktin se gjenden në TPK, pa marrë parasysh se ka aktorë që nuk kanë luajtur asnjë rol pesë gjashtë sezona.
Një detaj nga puna e atëhershme? Pas premierës “Zjarri dhe hiri” të M. Pucit, në regjinë e A. Shalës, pra, ishte sezoni 1950/51, unë dola prapa skenës dhe fillova të qaja. Erdhi dhe më gjeti drejtori atëhershëm, M. Jasniqi, dhe u habit për këtë mbasi unë kisha luajtur një rol të mirë. I përlotur e shikova dhe i thashë: deri kur do të luajmë para kaq pak vetësh, sepse i pata numëruar shikuesit në sallë ishin vetëm 52 vetë. Ai nuk u habit për gjestin tim por ma ktheu: “Do të vijë dita Muharrem kur edhe anëtarët e Dramës shqipe të kenë sallën plot e përplotë. Asokohe Drama serbe kishte sallën plotë kurse ne vetëm 50-60 vetë, bile ,edhe shumë prej tyre nuk e dinin gjuhën por vinin të shihnin si Iuajmë. E, ku e ka zanafillën kjo mosmarrëveshja me Teatrin Krahinor. Pse qe disa vjet nuk jeni i pranishëm aty? — Është thënë: i patalentuari është i talentuar për të penguar të talentuarin. Edhe unë hasa shumë pengesa giatë punës në Teatër dhe, mjerisht, pengesa këto të kurdisura nga kolegët, nga shokët me të cilët jam përpjekur të ndajë të mirën dhe të keqën. Banale janë disa arsyetime: “Muharremi është i talentuar por pi” flitej e kur e lash alkoholin: “Muharremi nuk po pi dhe nuk mund të krijojë” —flitej. Thuase duhet të pish për të krijuar. Paradoks apo jo! Njëherë më patën larguar nga Teatri laramanët, ata që i pengoja. ngase nuk di dhe nuk mund të pajtohem me padrejtësitë dhe dallaveret që bëhen. Këtë kohë unë shkova në Mitrovicë herën e dytë, po të njëjtit ma prunë punën aq ngushtë, sa u detyrova ta lëshoja këtë teatër të shkoja në Prizren, ku, dihet, u nisa me shumë plane dhe dëshira. Mjerisht, në Prizren nuk më doli puna ashtu si shpresoja dhe si më premtuan kështu që edhe një komunë me madhe siç është Prizreni nuk pat mundësi ta mbante një teatër të vogël. U detyrova të kthehesha në Prishtinë dhe të përpiqesha disi të gjendesha. Asokohe kisha oferta të shkoja në punë në disa Teatro në Jugosllavi, e bile edhe në Kajro. Unë, dihet, mbeta në Prishtinë.
Po, mirë, ndodhi çka ndodhi, veç pas kthimit nga Prizreni është dashur të trokisësh në dyer e Teatrit? Diçka e pamirë ngjau me Qenajt: E vetmja aktore që ka kryer akademinë është motra ime, M. Qena e për të, në atë kohë, për shkakun tim, nuk u gjet vend në Teatër, ndërsa pranoheshin fillestaret. Kështu ndodhi edhe me gruan time: ajo pas kryerjes së shkollës për aktore u bë anëtare e këtij kolektivi e pastaj ia mbyllën derën edhe asaj dhe nja 4-5 vjet mbet jashtë teatri. Tash punon aty, por, mjerisht, si shumë aktorë të tjerë, nuk angazhohet sa duhet. Unë, ç’është e vërteta, edhe sot e kësaj dite nuk shof këtu atmosferë pune krijuese. Punët kryhen vetëm sa për të thënë se janë kryer. Bëhen improvizime vetëm sot për nesër.
Ndoshta do të duhej që deklaratat e herëpashershme të faktorëve të Teatrit se Muharremi do të kthehet në Teatër të mirren edhe si mirënjohje për punën që ke bërë aty. Po përmendim vetëm faktin se ti je i vetmi fitues i Shpërblimit në Sterje, ku përkundër shumë përpjekjeve – as nuk mundën të marrin pjesë pastaj “Erveheja” e të tjera. Këto duhet të jenë cytje për bashkëpunim ? Më duhet të them se është bërë fjalë për bashkëpunim por kanë mbetur velëm fjalët. Njëri nga drejtorët e Teatrit njëherë pat shprehur dëshirën që unë të punoja diçka në TPK. Asokohe isha në Prizren dhe pa përtesë me shumë dashuri e dëshirë u gjenda në Prishtinë. Shokun drejtor e prita tetë orë në vendin e caktuar e ai shëtiste me një shok tjetër atypari dhe gjoja nuk gjente kohë për të biseduar me mua, për atë për të cilën duhej të ishim të interesuar të dytë. Merrnie me mend këtë situatë! Edhe të tjerët kanë deklaruar se duan të bashkëpunojnë me mua e unë mendoj se këtë e kanë bërë për hir të disa aktorëve që përherë janë të gatshëm të luajnë në pjesët që i përgatisë unë.
Më vjen keq për këto që kanë ndodhur, po tash kisha dashur ta lëmë pak anash qëndrimin e disave të TPK ti flasim përgjithësisht për, situatën në dy teatrot tona, pasi dihet se Teatri i Gjakovës edhe ka startuar me ty? Përgjithësisht mendoj se mungon puna permanente. Disi frikësohen se mos ndonjë aktor me një rol do të bëhet yll i Teatrit. E dihet, se aktori gjatë një sezoni duhet të luajë katër pesë role. Edhe sa i përket publikut – nuk është shtuar numri i spektatorëve, bashkë me shtimin e numrit të intelektualëve.
Pse është kështu? Mendoj se kjo është pasojë e faktit se teatri ka caktuar një rrugë të veten, e cila nuk është edhe rrugë e publikut, e mjedisit në të cilin punon ky teatër. Në teatër nuk duhet të përgatitej një pjesë vetëm për shkak se një aktor dëshiron la luajë rolin kryesor në të. Gjatë caktimit të repertorit shpesh shprehen edhe disa “apetite” të mëdha. Gjithkush don që në skenë të vërë një vepër të ndonjë shkrimtari të njohur, ndërsa nuk mendon se a ka “kaçik” ta luajë atë, se a ka publik që do ta pranonte dhe kuptonte atë eksperimentim, i cili për mua nuk është gjë tjetër pos – ikje nga kualiteti. nga puna serioze. Është edhe një e vërtetë tjetër që është lënë aq herë, sa sot na duket banale: mungesa e teksteve origjinale. Një mijë herë është thënë dhe është vërtetuar se – një teatër nuk mund të afirmohet, nuk mund ta ketë publikun e vet pa i siguruar edhe tekstet origjinale. Unë, si regjisor jam përpjekur të bëj diçka në këtë drejtim dhe kështu i vura në skenë pjesët “Sikur t’isha djalë”, “Besa”, “Nuk martohem me para”, “Erveheja”, e të tjera. Mund të them se publiku i ka pritur shumë mirë këto tekste, por unë mendoj se nuk janë shfrytëzuar mirë as ato që i kemi. Nuk i kemi stimuluar shkrimtarët të shkruajnë, nuk i kemi afruar ata që ta njohin më mirë teatrin. Prapë po them se Teatri Krahinor duhet ta ketë një “Hotel Kashta”, një “Kryet e hudhrës”, por nuk duhet të mbesë në nivel të tyre. Mirëpo, flitet edhe për krizën e teatrit. Thonë se filmi, e sidomos televizioni, ia mbylli derën teatrit? Për krizën e teatrit është folur dhe para paraqitjes së filmit dhe televizionit. Është temë e vjetër kjo. Mendoj se teatri e ka vendin e vet edhe pas zhvillimit të këtyre mediumeve, ngase është i vetmi art që sublimon, që sintetizon të gjitha artet e tjera dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë komunikon me publikun, pra bën ndikim te shikuesit si asnjë tjetër. Njëherë, jo fort moti, kemi pasë biseduar lidhur me teatrin për fëmijë. Pate thënë se ky është borxhi ynë i madh ndaj fëmijëve në Prishtinë?
Ashtu them edhe sot dhe e përsëris një gjë që më habit shumë: e kishim teatrin e fëmijëve në atë kohë kur ishim shumë më të varfër me mjete dhe kur për kulturën tonë ndanin shumë pak mjete. Pse nuk e kemi sot? Pa teatër për fëmijë nuk mund të kemi as teatër, si duhet, për të rritur. Ai edukon brezin e ri për ta dashur dhe çmuar artin e skenës. Dhe, çka është më e çuditshme të gjithë e njohim këtë nevojë e askush nuk thotë se koha është ta formojmë këtë teatër! Forca ka por lipset organizim, në mënyrë që në të, në teatrin e fëmijëve, të gjejnë punë ata që e duan punën e jo vetëm udhëheqjen.
Folëm për tekstet origjinale të teatrit. Këto ditë del nga shtypi drama jote, dikur e shpërblyer në konkursin anonim të revistës “Jeta e re” – “Bashkëshortët”. Pse nuk e vazhdove këtë rrugë? Më vjen mirë që po botohet kjo dramë, por do të më vinte shumë më mirë sikur të kisha botuar ndonjë tekst të ri. Sa për “Bashkëshortët” – që janë luajtur në Mitrovicë, Prishtinë, Shkup, Ferizaj e në qytete të tjera, sot me siguri do të ndryshoja shumë gjëra sikur unë ta vënia në skenë. Por, nejse. Pse nuk vazhdova: po filluan të shkruajnë shumica e njerëzve që i dinë 36 gërma… Po mahitem pak…Vërtet. Pata filluar të shkruaja por që në fillim hasa në disa pengesa e tash, sa më i pjekur që jam, aq më autokritik jam dhe disi më mungon guximi ti publikojë ato tekste që i kam, siç është një dramë e titulluar “Hoxha me tri fletë” e të tjera. Ka kohë që më mundon një temë që si ta them, e përjetova unë vetë: alkoholizmi. Kush e di çka do të bëhet prej saj. Biseduam për teatrin dhe për shumë gjëra të tjera rreth tij. Mendoj se është mirë la përmendim edhe — muzikën. Ti edhe në këtë lëmë ia pate filIuar punës? E desha dhe e dua — kitaren. U mësova të luaja në të, ashtu si pahiri, dhe duke u bazuar në melosin e popullit i komponova disa këngë. Edhe ato pa i ditur notat. Ato edhe i këndova. si zakonisht, në shoqëri, kafene, ndenja e edhe në radio. I dua ato këngë dhe i këndoj me kënaqësi të posaçme. Më vjen keq që nuk janë inçizuar si disqe. U kanë pëlqyer edhe njerëzve dhe më ka ndodhur shpesh ti dëgjoja ata duke i kënduar apo – fishkëlluar. Le të fishkëllojnë…
Në fund, duke të falenderuar për bisedë, më intereson ta di mos ke ndonjë dëshirë, kërkesë? Shpresoj se nga gjithë kjo bisedë e gjatë do të herren disa gjëra për – gazetë. Shumë gjëra folëm, shumë dukuri i përmendëm dhe e keqja është që shumë probleme që i përmendëm sot i kemi përmendur edhe më parë, dhe jo vetëm ne, por të gjithë të tjerët. Megjithatë mendoj se bëmë mirë që folëm për to pasi duhet të shpresojmë se do të bëhen ndërrime që do të shpiejnë një hap përpara kulturën tonë, e posaçërisht jetën tonë teatrore./ KultPlus.com
55 vepra të artistëve shqiptarë pjesë e fondit të galerisë kombëtare të arteve ekspozuan në qytetin e Pogradecit, prej ku nisi edhe sezoni i ekspozitave shëtitëse që do të vazhdojë në qytetet të tjera të Shqipërisë.
E titulluar “Mio, bashkëkohësit dhe artistët e rinj”, ekspozita solli për publikun 55 punime të 42 artistëve të juglindjes.
Qëllimi është që edhe brezat e rinj të njohin nga afër krijimet e Vangjush Mios, motrave Zengo, Guri Madhit, dhe artistëve të tjerë që me punën e tyre kanë dhënë kontribut në tradhëgiminë tonë të arteve pamore.
Për piktorët, punimet e të cilëve janë pjesë e kësaj ekspozite, e rëndësishme është që këto punime ekspozohen pas shumë vitesh ndërsa dëshirojnë që fondi i galerisë të pasurohet edhe më tepër.
Cikli psikologjia shqiptare në artet pamore do të sjellë në qytete të ndryshme të Shqipërisë, ekspozita me veprat e artistëve që fiksuan realitetin historik dhe social të vendit përmes imazheve objekteve vendeve dhe personazheve./Top Channel/ KultPlus.com
Pas Bënjakut, është mbyllur edhe pika kufitare në Jarinjë.
Kjo është bërë e ditur nga të dhënat që i ka publikuar Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.
Kjo vjen pas situatës së krijuar së fundi në Zveçan, ku një polic i Kosovës ka mbetur i vrarë, një është plagosur dhe një është lënduar. / KultPlus.com