Osmani e dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit: Ky përshkallëzim po çon në paqëndrueshmëri në rajon dhe më gjerë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit.

Ajo ka thënë se Kosova i bashkohet aleatëve në mbarë botën për të dënuar sulmin e Iranit kundër Izraelit.

Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:

Kosova i bashkohet aleatëve në mbarë botën për të dënuar sulmin e Iranit kundër Izraelit.

Ky përshkallëzim i madh po çon në paqëndrueshmëri të paprecedentë në rajon dhe më gjerë, me jetë të pafajshme që mbajnë peshën e saj shkatërruese.

Përpjekjet për paqe duhet të mbizotërojnë. / KultPlus.com

Kurti bën nderime te “Heroinat”: Të gjithë të kontribuojnë kundër stigmatizimit të viktimave të dhunës seksuale

Në shënim të Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Fundit në Kosovë, kryeministri Albin Kurti ka bërë nderime te memoriali “Heroinat” në Prishtinë.

Kurti tha se viktimat dhe të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, gra e vajza, por edhe djem e burra, kanë paguar një çmim të lartë fizik, psikik, emocional për shtetin e për lirinë tonë.

Ai shprehu zotimin se institucionet e shtetit janë në krye të detyrës për ta mbrojtur këtë kategori dhe iu bëri thirrje edhe qytetarëve për mbështetjen e tyre.

“Vasfija e Shyretja janë shembuj për mbarë shoqërinë edhe kombin tonë, të thyerjes së heshtjes për një krim monstruoz, i cili ishte armë e luftës, në kuadër të projektit gjenocidal të Serbisë kundër popullit shqiptar të Kosovës”, u shpreh ai. 

“Janë mbi 20 mijë gra e vajza, burra e djem, të cilët janë përdhunuar gjatë luftës dhe është pjesë e gjenocidit që kemi përjetuar nga Serbia”, tha Kurti.

“Thua se krimi që bëri Serbia nuk mjaftonte, pasoi stigmatizimi ndaj këtyre personave, të mbijetuar të dhunës seksuale. Andaj ne iu bëjmë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë kundër stigmatizimit dhe që të gjitha ata, të cilët e kanë pësuar, që janë po ashtu viktima të marrin shembullin e Shyrete Tahiri Sulimanit, të marrin shembullin e Vasfije Krasniqi Goodman, të marrin shembullin e Marte Tunaj, e cila nuk rron më, dhe e cila gjithashtu ka qenë viktimë e përdhunimit seksual gjatë luftës dhe ta thyejnë heshtjen. Sepse çfarë iu ka ndodhur këtyre personave nuk u ka ndodh për shkak të emrave të tyre të veçantë apo karakteristikave individuale, por për shkak se ishin shqiptarë, dëshironin të jetonin në tokën e tyre, të lirë”, tha kryeministri.

Nderime bënë edhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës, Leonora Selmani, deputetë të Kuvendit të Kosovës e anëtarë të kabinetit qeveritar. / KultPlus.com

Vdes aktorja e njohur, Shirine Morina

Ka vdekur aktorja e njohur kosovare, Shirine Morina.

Lajmin për vdekjen e saj e ka dhënë deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci përmes një postimi në Facebook.

“Sot humbëm një nga figurat e shquara të skenës artistike në Kosovë, znj.Shirine Morina. Aktorja e njohur, e cila shënoi një epokë të rëndësishme në historinë e teatrit dhe kulturës kosovare, la pas një trashëgimi të çmuar. E takoja miken time shpesh dhe ishte shumë pozitive dhe plotë energji. Ngushëllime familjes dhe gjithë komuniteti artistik!”, ka shkruar ai. / KultPlus.com

“E gjithë dituria e kësaj bote nuk më ndihmon aspak që të më sigurojë se kjo botë është e imja”

Albert Kamy, pjesë nga Miti i Sizifit


Për cilin dhe çfarë mund të them: “E njoh!”? Këtë zemër brenda vetes, unë mund ta ndjej dhe të pohoj se ekziston. Këtë botë unë mund ta prekë dhe të them se ajo është. Këtu përfundon e gjithë shkenca ime, pjesa tjetër është spekulim. Po të përpiqesha të rrokja “Unin” time, për të cilin jam i sigurt se ekziston, po të përpiqesha ta përkufizoja, ta përmblidhja në thelbin e vet, do të shihja se është ujë që më rrëshqet nëpër gishta. Unë mund të vizatoj një e nga një të gjitha pamjet që ai di të marrë, të gjithë dukjet që i kanë dhënë të tjerët, edukatën, origjinën, vrullin apo heshtjen, madhështinë ose poshtërsinë e tij. Kjo zemër që është e imja do të mbesë përgjithmonë e panjohur. Midis sigurisë që kam për ekzistencën time dhe përmbajtjes që përpiqem që ti jap kësaj sigurie, hendeku nuk do të mbushet kurrë. Un do të jem përgjithmonë i huaj për vetveten. Në psikologji si në logjikë gjithmonë ka të vërteta, por kjo nuk është aspak e vërteta. Thënia e Sokratit “Njih vetveten” ka po kaq vlerë sa edhe “Ji i virtytshëm” i rrëfeve tanë. Ata dëshmojnë për nostalgjinë dhe në të njëjtën kohë për padijen tonë. Këto janë lojëra shterpë mbi problemet e mëdha. Ato janë të përligjura vetëm në atë masë që ato janë të përafërta. Shihni këto pemë, unë e njoh ashpërsinë e tyre, marrim ujin dhe unë e provoj shijen e tij. Aromën e barit, yjet, netët, disa mbrëmje kur zemra ç’tendoset. Si mund ta mohoj këtë botë, fuqinë dhe forcën e së cilës unë e provoj? Megjithatë e gjithë dituria e kësaj bote nuk më ndihmon aspak që të më sigurojë se kjo botë është e imja. Ju ma përshkruani dhe më mësoni ta klasifikoj, Ju më numëroni logjet e saj dhe unë, i etur për dije i pranoj si të vërteta. Ju zbërtheni mekanizmin e saj dhe tek unë shpresa rritet. Në fund ju më mësoni se kjo gjithësi madhështore dhe e larmishme përbëhet nga atome dhe vetë atomi përbëhet nga elektrone. Të gjithë këto janë të drejta dhe unë pres që ju të vazhdoi më tej. Por ju më flisni për një sistem planetar të padukshëm ku elektronet vërtiten rreth një bërthame. Ju ma shpjegoni këtë botë me anë të një figure. Atëherë unë vërej se kemi hyrë në lëmin e poezisë që nuk do ta njoh kurrë. A kam kohë që të zemërohem? Ndërkohë ju keni ndërruar teori. Kështu shkenca, e cila duhet të më mësonte gjithçka, bëhet hipotetike, qartësia shndërrohet në metaforë dhe pasiguria kthehet në vepër arti. Dhe përse mu deshën aq shumë përpjekje? Konturet e buta të kodrave dhe dora e mbrëmjes mbi një zemër të plagosur më mëson shumë më tepër. Arrita atje ku u nisa. E kuptoj që nëse nëpërmjet shkencës mund të rrok dukuritë dhe t’i numëroj, nuk mundem, megjithatë, të kuptoj botën. Edhe sikur me gisht ta përshkoja gjithë relievin e saj, përsëri nuk do ta njohja më mirë. Dhe ju më vini të zgjedh midis një përshkrimi që është i sigurt, por që nuk më mëson asgjë, dhe hipotezave që pretendojnë të më mësojnë, por që nuk janë aspak të sigurta. I huaj për vetveten dhe për botën. I armatosur përballë rreziqeve vetëm me një mendim që mohon vetveten sapo ta pohojë atë. Cila është ajo gjendje ku unë mund të jetoj, i qetë duke mos pranuar të mësoj e të jetoj ku dëshira për fitore ndeshet me pengesa që përballojnë sulmet e saj. Të dëshirosh do të thotë të nxitësh paradokse. Gjithçka është rregulluar në mënyrë të tillë që të lind kjo paqe e helmatisur që sekretohet nga moskokëçarja, gjumi i zemrës ose vetëmohimet vdekjeprurëse. / KultPlus.com

Kurti e dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit: Akt i paprecedent që rrezikon destabilizimin e rajonit, bota t’i japë fund armiqësive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit.

Ai ka thënë se ky është një akt i paprecedentë që përbën një rrezik të madh për destabilizimin e gjithë rajonit.

“E dënoj sulmin e fundit të Iranit ndaj Izraelit. Ky veprim i paprecedentë përbën një rrezik të madh për destabilizimin e tërë rajonit. Tash, më shumë se kurë, bota duhet t’i japë përparësi përfundimit të armiqësive dhe nxitjes së paqes së qëndrueshme”, ka shkruar Kurti./ KultPlus.com

Shtëpia e kulturës shqiptare në Paris, Gonxhja: Vëmendje të veçantë për promovimin e identitetit

Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja pati takime gjatë vizitës që zhvilloi në Francë si pjesë e delegacionit të kryeministrit Rama, në shtëpinë La Maison de l’Albanie, shtëpinë e kulturës shqiptare në kryeqytetin e Francës, Paris.

Gonxhja tha se ishte i pari ministër që mbulon Kulturën, që kjo shtëpizë priti.

La Maison de l’Albanie shërben si qendër për shqiptarët që banojnë në Francë, duke nxitur lidhjet dhe duke promovuar identitetin tonë të përbashkët kulturor, historinë dhe traditat e pasura të Shqipërisë.

Një ambient në dukje i vogël, por një vatër e vërtetë atdhetarie, ku janë zhvilluar mbi 200 aktivitete e ngjarje kulturore në 12 vite veprimtari, që nga çelja.

Gonxhja falënderoi në veçanti Luan Ramën dhe Anila Hyka Smorgrav, që flasin kaq bukur për misionin vullnetar të qendrës dhe diasporën tonë në Francë, sikurse falënderoi Zamir Matin dhe Gjergj Themelin për dedikimin e tyre të palodhur që ilustrohet në muret e tejmbushura me posterat e iniciativave ndër vite, si dhe për idetë dhe projektet e reja, gjithëpërfshirëse, që synohen, që premtojnë të lartësojnë diversitetin e kulturës shqiptare në Francë.

“Traditat dhe kultura jonë shumëdimensionale, janë ambasadorët më të mirë të vendit tonë”, u shpreh Gonxhja.

“Si MEKI – Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, do të kemi një vëmendje të shtuar ndaj këtyre qendrave, për një përkrahje të plotë nëpërmjet strukturave tona diplomatike dhe ato kulturore, për të sjellë kudo një pjesë Shqipërie nëpërmjet mbështetjes për aktiviteteve të ndryshme kulturore, por edhe për të lidhur diasporat tona jashtë me Atdheun, në çdo aspekt e kontribut. Rëndësia e mbajtjes gjallë të zemrës e të shpirtit shqiptar, kudo ku ndodhemi nëpër botë, është strategjike për shtetin dhe kombin tonë”, garantoi Gonxhja.

“La Maison de l’Albanie – ku shpirti i Shqipërisë takohet me sharmin e Francës, në epiqendër të qytetërimit Evropian, ku çdo ditë e më shumë rritet edhe interesi i grupeve të moshave të reja, dhe ku së bashku me Kosovën duhet ta shndërrojmë në Shtëpinë e gjithë Shqiptarëve”, përfundoi Gonxhja. / KultPlus.com

“Travel off Path”: Vizitoni Sarandën, perlën e fshehur të Shqipërisë

Saranda, një qytet bregdetar në Shqipëri do të bëhet një nga pikat më të nxehta turistike të Evropës këtë verë, shkruan Megi Canco në revistën amerikane të udhëtimeve “Travel off Path”.

Nëse po planifikoni të eksploroni disa nga vendet më të mrekullueshme në Rivierën Shqiptare këtë verë, ne ju rekomandojmë plazhet më të mira ku të qëndroni.

Ku të akomodoheni?

Disa hotele janë vërtet fantastike në Sarandë (si Hotel Bahamas dhe Santa Quaranta) të cilat ofrojnë shërbime të shkëlqyera me kosto deri në 100 dollarë.

Unë kam qëndruar në apartamente të bukura në qendër të qytetit për vetëm 40 dollarë në natë, por këto zakonisht nuk janë të listuara në faqet e rezervimit dhe gjenden vetëm nëpërmjet të njohurve.

Ku të hani?

Ushqimi në Sarandë megjithëse nuk është diçka novatore, është mjaft i shijshëm. Disa nga vendet më të mira në qytet për të ngrënë janë;

L’arte Della Pizza

Balbi 34

Why Not? – Burger Bar

Restorant Pupi

Oda e Babës

Ku të shkoni në mbrëmje?

Ju keni qenë në plazh, keni ngrënë drekën dhe në mbrëmje jeni të relaksuar, të veshur dhe gati për të dalë.

Nëse jeni duke kërkuar klube nate, Jericho dhe Vamos janë vendet më të mira. Gjatë verës organizohen festa që zhvillohen çdo natë dhe nuk keni nevojë të bëni një rezervim.

Nga ana tjetër, ata që kërkojnë vetëm një natë të qetë me një pije të mirë në dorë mund të shkojnë në një nga vendet e mia të preferuara në qytet – “Noname Cocktail Bar”.

Është një vend i vogël, me ndriçim të dobët që ofron disa nga koktejet më të mira në qytet për më pak se 10 dollarë.

Muzika është fantastike, por jo aq e zhurmshme sa të mos e dëgjosh veten kur je duke folur, dhe është pikërisht në shëtitoren e qytetit, një nga pikat kryesore të Sarandës.

Plazhi më i mirë në Sarandë

Plazhet e para që do të shihni sapo të mbërrini në Sarandë janë ato që ndodhen pranë shëtitores.

Këto quhen “plazhe publike”, por ju do të tarifoheni nëse përdorni shezlongët, megjithëse çmimi është dukshëm më i ulët se ai që do të paguani në plazhet private aty pranë.

Ka edhe zona të vogla dhe të pabanuara ku mund të rrini pa pagesë, por këto janë goxha të vogla dhe shkëmbore.

Eksplorimi i rajonit përtej qytetit kryesor

Saranda është lloji i qytetit që nuk të lë kurrë të mërzitesh, por ka kaq shumë për të parë dhe bërë në fshatrat e afërta, saqë të kalosh gjithë pushimet në qytet, sinqerisht do të ishte një humbje e mundësive.

Plazhin e Pasqyrës e kam dashur që nga dita e parë që e kam shkelur.

Ishte viti 2013, dhe ky ishte plazhi i parë që pashë, kishte shtretër prej druri dhe çadra kashte, toka ishte me guralecë, nuk ishte i mbushur me njerëz, deti ishte i pastër kristal, dhe unë pagova vetëm rreth 7 dollarë për dy shezlonge – ky është një çmim i shkëlqyer për atë që ndihet si parajsa juaj tropikale. Ky çmim ka shkuar deri në 20 dollarë tani.

Në fakt, kjo perlë e fshehur shqiptare njihet si plazhi me ujërat më të kaltra në botë, duke lënë pas vende shumë më të njohura të Evropës.

Plazhe të tjera që nuk duhet t’i humbisni gjatë udhëtimit tuaj në Sarandë përfshijnë Ksamilin, Livadhin, Jalën dhe Dhërmiun.

Për ata që duan të shijojnë diçka përtej plazhit, Syri i Kaltër dhe Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit nuk duhet humbur.

Vizitoni qytetin e bukur bregdetar, Sarandën – ju garantoj që nuk do të zhgënjeheni! / KultPlus.com

Tradita e tavaneve dekorative në banesat karakteristike të Beratit

Tavanet dekorative janë tipike të shtëpive të moçme të Beratit. Mjeshtrat e dikurshëm të përpunimit të drurit e ngritën artin e gdhendjes në shkallë shumë të lartë dhe krijuan vepra të vërteta artistike. Një pjesë e madhe e tyre ka mundur t’i mbijetojë kohës.

DRTK Berat sjell si shembull të këtyre perlave të mjeshtërve beratas, tavanin e banesës së Spiro Angjeliut, Monument Kulture, Kategoria I. Banesa gjendet në lagjen Goricë të Beratit.

Banesa e Spiro Angjeliut hyn në tipologjinë e banesës me çardak në qendër, shembull mjaft interesant i arkitekturës popullore në Berat. Ky tip banese e merr emërtimin nga njësia kryesore kompozicionale, çardaku, i cili me vendin dhe me funksionet e tij luan një rol të dorës së parë në karakterizimin e banesës.

Para disa vjetësh, banesa i është nënshtruar një restaurimi nga specialistët e DRTK Berat, të cilët riparuan çatinë me miratimin përkatës nga institucionet e specializuara: Këshilli Shkencor në IMK e Këshilli Kombëtar i Restaurimeve pranë Ministrisë së Kulturës. / KultPlus.com

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së: Bota nuk mund ta përballojë një tjetër luftë

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka dënuar ashpër sulmin e Iranit të nisur ndaj Izraelit.

Ai bëri thirrje që të dy shtetet të ndërprejnë armiqësinë menjëherë.

“Jam thellësisht i alarmuar për rrezikun real të një përshkallëzimi shkatërrues në mbarë rajonin. Unë u bëj thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale për të shmangur çdo veprim që mund të çojë në konfrontime të mëdha ushtarake në fronte të shumta në Lindjen e Mesme”, tha ai për United Nations.

Ndryshe, Guterres potencoi se gjithmonë ka theksuar se as rajoni dhe as bota nuk mund të përballojnë një luftë tjetër./ KultPlus.com

Nga Pianisti te King Kong, pesë nga filmat më të mirë të Adrien Brody

Adrien Brody është një nga aktorët më të famshëm të kohës sonë. Duke pasur shumë role dhe filma të mëdhenj nën rripin e tij, ai është mjaft ikonë në Hollywood. Brody është shumë i mirë në gjithçka që bën. Ai mund të bëjë komedi, dramë, aksion. Të shikosh Brody në ekran është si të shikosh një mjeshtër të bëjë punën e tij, dhe ai është ai që i bën filmat e tij shumë më tepër sesa duhet të jenë, transmeton KultPlus.

Pasi luajti në një sërë filmash të Wes Anderson, Brody ka bërë një punë të mrekullueshme. Për të mos përmendur filmat si “Pianisti” që i dhanë atij vlerësimin e kritikëve.

Pra, për të festuar ditëlindjen e 51-të të Adrien Brody, le të hedhim një vështrim në pesë nga filmat e tij më të mirë që duhet t’i shikoni patjetër. / KultPlus.com

King Kong

Detachment

Midnight in Paris

The Darjeeling Limited

The Pianist

38 vjet nga vdekja e shkrimtares dhe aktivistes së shquar, Simone de Beauvoir

Simone de Beauvoir ishte një shkrimtare franceze, intelektuale, filozofe ekzistencialiste, aktiviste politike, feministe dhe teoriciente shoqërore.

Megjithëse ajo nuk e konsideronte veten një filozofe, ajo kishte një ndikim të rëndësishëm në ekzistencializmin feminist dhe teorinë feministe.

Simone de Beauvoir u lind në Paris më 9 janar 1908.

Prindërit e saj ishin njëri sekretar ligjor dhe e ëma vajza e një bankieri të pasur dhe katolike e devotshme. Familja luftoi për të ruajtur statusin e tyre borgjez pas humbjes së pasurisë së tyre menjëherë pas Luftës së Parë Botërore. De Beauvoir vetë ishte thellësisht fetare si një fëmijë, madje dikur ajo synonte të bëhej murgeshë. Nga viti 1929 deri më 1943, De Beauvoir jepte mësim në lice. Ajo dha mësim në Marsejë, Rouen dhe Paris.

De Beauvoir shkroi novela, ese, biografi, autobiografi dhe monografi mbi filozofinë, politikën dhe çështjet sociale. Ajo ishte e njohur për traktatin e saj të vitit 1949, “Seksi i Dytë”,gjithashtu për romanet e saj, duke përfshirë “Ajo erdhi për të qëndruar” dhe “Mandarins”.

Libri i saj “Seksi i dytë” pati tepër jehonë. Pati reagime dhe qëndrime ndaj tij , duke përfshitë edhe ndalimin e tij nga Vatikani, dhe ato ishin rrjedhojë e diskutimit të hapur nga autorja mbi seksualitetin femëror, përfshirë homoseksualitetin. Por në fakt, libri “Seksi i dytë” është shumë më tepër se kaq. Libri ngre pyetjen më thelbësore të feminizmit: Çfarë do të thotë të jesh grua? De Beauvoir e refuzon ekzistencën thjesht biologjike dhe përqendrohet në cilësinë e feminitetit, duke arritur kështu në thënien e saj më të famshme: “Një njeri nuk lind, por bëhet grua”.

De Beauvoir e krahason shtypjen e grave me atë të hebrenjve, njerëzve me ngjyrë dhe popullsive të kolonizuara. Por ajo konkludon se seksizmi është një forcë unike, sepse gratë jetojnë, madje edhe i dashurojnë, shtypësit e tyre. Në këtë libër, autorja bën një panoramë të jetës së grave: puna, mëmësia, pavarësia ekonomike, krijimtaria, seksualiteti, plakja dhe mërzia si rezultat i punëve shtëpiake.

Proza e De Beauvoir është depërtuese. Përgjigjet e saj janë të thjeshta: gratë duhet të arsimohen njëlloj si burrat, të paguhen njëlloj me burrat dhe t’u krijohet qasje e lirë mbi planifikimin familjar dhe divorcin. Në kohën kur u publikua, “Seksi i dytë” ishte një sukses. Shiti 22 mijë kopje në javën e parë në Paris në vitin 1949, ndërsa përkthimi në anglisht u bë menjëherë bestseller në Amerikë. Libri ka influencuar shkrimtare dhe feministe të brezave të mëvonshëm.

Ajo gjithashtu ishte e njohur për marrëdhënien e saj të hapur gjatë gjithë jetës me filozofin francez Jean-Paul Sartre. Gjatë tetorit 1929, Jean-Paul Sartre dhe De Beauvoir u bënë çift dhe, pasi u ballafaquan nga babai i saj, Sartri i kërkoi asaj të martohej me të. Por afër fundit të jetës së saj, de Beauvoir tha, “Martesa ishte e pamundur, nuk kisha asnjë dhunti”. De Beauvoir zgjodhi të mos martohej kurrë dhe të mos krijonte një familje të përbashkët me Sartrin. Ajo nuk bëri as fëmijë.

Pas vdekjes më saj, më 14 prill 1986, shumë vepra kanë hedhur dritë në disa aspekte të rrugëtimit të Beauvoir. Pas vdekjes, vepra e saj reziston më mirë se ajo e Sartrit. Më rastin e 100- vjetorit të lindjes, asaj i janë kushtuar disa libra të famshëm.

Simone de Beauvoir ishte një fenomen, një kapërcyell i kohës. Përkundër nënshtrimit dhe diskriminimit ndaj gruas, shkrimtare franceze, intelektualja, filozofja ekzistencialiste, aktivistja politike, veprimtarja e lëvizjes feministe dhe teoricienja sociale, i vuri pasionin dhe forcën e saj, energjinë dhe kurajon. Edhe pse ajo refuzoi ta konsideronte veten si filozofe, ndikimi që patën dy teoritë e ekzistencializmit feminist e vendosin atë në një vend të privilegjuar. Simone de Beauvoir mbetet ikonë e feminizmit, model i gruas së lirë që ka lënë gjurmë në disa breza femërorë./KultPlus.com

​Meta prezanton çipin e ri të trajnimit për inteligjencën artificiale

Meta prezantoi të mërkurën çipin e ri të trajnimit të inteligjencës artificiale (AI) që mbështet produkte dhe shërbime të reja gjeneruese të AI.

Firma globale e teknologjisë me bazë në SHBA tha se gjenerata e saj e ardhshme Meta Training and Inference Accelerator – MTIA, është pjesë e investimit në rritje të kompanisë në infrastrukturën e saj të AI që do të plotësojë infrastrukturën e saj ekzistuese dhe të ardhshme të AI për të ofruar përvoja të reja dhe më të mira në të gjithë produktet dhe shërbimet.

Kompania zbuloi vitin e kaluar MTIA v1, përshpejtuesin e saj të gjeneratës së parë të konkluzioneve të AI që ishte projektuar në shtëpi me ngarkesat e punës së AI të Meta.

“Ky version i ri i MTIA më shumë se dyfishon gjerësinë e bandës llogaritëse dhe të memories së zgjidhjes sonë të mëparshme duke ruajtur lidhjen tonë të ngushtë me ngarkesat tona të punës. Është krijuar për t’i shërbyer në mënyrë efikase modeleve të renditjes dhe rekomandimeve që ofrojnë rekomandime me cilësi të lartë për përdoruesit,” thuhet në deklaratë. /AA/KultPlus.com

Letra e Emily Dickinson për Abiah Root, 28 mars 1846

Emily Elizabeth Dickinson (Amherst, 10 dhjetor 1830 – Amherst, 15 maj 1886), poete amerikane, e konsideruar një prej poeteve lirike më të mëdha moderne

Për Abiah Root,

 28 mars 1846

Amherst

Shumë e dashur Abiah,

Sot është Sabbath. Gjithçka është ende përreth meje dhe ndihem se tash jam e zonja të të përgigjem në letrën tënde të pëzemërt. Jam vetëm para tavolinës sime të vogël të shkrimit. Duke dëshiruar të mund të të jap lajme po aq të këndshme sa përmbante letra jote që ma ke dërguar. Jam vetëm me Zotin. Mendja ime është e mbushur me shumë mendime solemne, të cilat bredhin mbi kokën time me një fuqi të papërmbajtshme. Mendoj për Sarën e dashur dhe për ty si dy personat e vetëm jashtë rrethit tonë prej pesë vetash të cilët e kanë gjetur Shpëtimtarin. Derdha shumë lotë, e vrava mendjen gjatë për letrën tënde dhe dëshirova të kisha gjetur paqen që të është dhuruar ty. Kam një kënaqësi melankolike kur krahasoj ndjenjat e tua të tanishme me ato që ishin të miat dikur, por s’janë më. E kam mendjen te lumturia e përsosur që e kisha përjetuar gjersa ndieja se isha trashëgimtare e qiellit si në një ëndërr të lezetshme, nga e cila më ka urdhruar djalli të zgjohem dhe t’i kthehem botës dhe kënaqësive të saj. Do të doja të mos i kisha dëgjuar ato fjalë bindëse! Ato pak momente të shkurtra gjatë të cilave e desha Shpëtimtarin tim s’do të doja tash t’i ndërroja as për një mijë fjalë si kjo. Atëherë e pata kënaqësinë më të madhe të kuvendimit vetëm me Zotin e madhe dhe të ndieja se ai mund t’i dëgjonte lutjet e mia. Vendosa t’ia kushtoja gjithë jetën time në shërbim të tij dhe dëshiroja që të gjithë të mund ta shijonin rrjedhën e ujit të gjallë me të cilin e shuaja etjen time. Por bota më ndillte dhe në një moment të papërshtatshëm i vura veshin zërit të saj prej sirene. Prej atij momenti m’u duk se gradualisht e humba interesimin për gjërat qiellore. Lutja tek e cila gjeja gjithë atë gëzim u bë barrë dhe rrethi i ngushtë që bashkohej për lutjet më paralajmëronte për mungesën time. Miqtë arsyetuan me mua dhe më folën për rrezikun që po ndërmerrja duke e nëpërkëmbur Shpirtin e Shenjtë të Zotit. E ndjeva rrezikun tim, isha e alarmuar nga kjo, por tashmë kisha shkuar shumë larg që të mund të kthehesha, prej atëherë zemra ime është rënduar edhe më shumë, është larguar edhe më tej nga e vërteta dhe tash më duhet të ankohem me zemërim për marrëzinë time. Edhe për gjendjen time indiferente në kohën e tashme.

Ndiej se jam duke lundruar skaj një humnere të tmerrshme. Nga e cila nuk mund të gjej shpëtim dhe në të cilën kam frikë shumë shpejt do të bjerë nëse s’do të marrë ndihmë nga lart. Ka një skenë të ringjalljes në kolegj tash dhe shumë zemra u janë dhënë Pohimeve të Zotit. Çka nëse do të shtrihej te kisha e fshatit dhe sokët e tu ta ndienin ndikimin? Kështu qoftë.

Po ashtu ndihem keq pse njëri mund të merret dhe të tjerët të lihen asnash – prapë është kënaqësi që Abby dhe unë e shqyrtojmë letrën tënde dhe e lexojmë vendimin tënd në favor të Krishtit, e sado që nuk jemi ende pjesë e kopesë shpresoj që kur bariu i madh në ditën e mbrame ta ndajë delën nga dhitë të mund ta dëgjojmë zërin e tij, të jemi me qengjat në dorën e duhur të Zotit. E di se tash më duhet t’ia jap veten Zotit, të kaloj pranverën e jetës sime në shërbim të tij se më duket tallej ta kaloj verën dhe vjeshtën e jetës sime në shërbim të mamonit, kur bota s’na magjeps më, “Kur sytë tanë janë të amullt nga të parët, veshët tanë nga të dëgjuarit, kur korda e argjendtë ka humbur, kur kupa e artë është thyer”, t’i nënshtrojë zemrat tona, ngase kemi frikë t’ia bëjmë ndryshe, t’i japim Zotit kompensimin e mjerueshëm të një shtrati të sëmurë për gjithë ato të mira që na i ka bërë. Sigurisht është një gjë e frikshme të jetosh, një gjë vërtet e frikshme të vdesësh, t’i japim llogari sovranit suprem për veprimet tona të mëkatshme gjatë kësaj prove të ekzistencës.

E ndiej kur reflektoj seriozisht rreth këtyre gjërave si dr. Youngu kur briti: “Oh! çfarë mrekullie është njeriu për njeriun”.

Dje teksa po rrija në dritaren veriore karroca funebre hyri përmes derës së hapur të oborrit të kishës, duke bartur atë që ka mbetur nga gruaja e gjykatësit Dickinson për në banesën e saj të mbrame. Gruaja e tij ka lënguar një sëmudje të rëndë për dy a tri vjet pa e lëshuar asnjë zë. Ajo e lëshoi veten krejtësisht në krahët e Zotit dhe ai nuk e braktisi. Tash ajo është në qiell me shpenguesin, me shpëtimtarin që ajo e ka dashur për kohë aq të gjatë në pajtim me atë që mundet njeriu. Sinqerisht ndiej simpati pët ty i dashur A., tash që ke humbur shoqen tënde E. Smith. Edhe pse s’e kam parë atë kurrë, prapëseprapë e desha atë në bazë të asaj sa e doja ti, ngase ajo ishte shoqja jote. Rrija me shrpesën se ndonja ditë do ta takoja, por Zoti e kishte taksur ndryshe dhe unë s’do të mund ta shohë kurrë më, përveçse si një shpirt atje lart. S’mbaj mend të të kem dëgjuar të flasësh për pikëpamjet e saj religjioze, por shpresoj se thesari i saj ishte në qiell. Çfarë goditjeje e rëndë duhet të jetë vdekja e saj e re për shpresat që kishin ushqyer prindërit dhe miqtë e saj. E kam humbur vetëm një shoqe pothuajse të moshës sime, me të cilën mendimet e mia dhe ato të sajat ishin të njëjta. Ndodhi para se ti të vije në Amherst.

Shoqja ime quhej Sophia Holland. Ishte tepër e dashur për tokën, u bart nga toka për në qiell. E vizitoja shpesh sa ishte e sëmurë, e vigjiloja në shtrat. Po në fund e la arsyeja dhe mjekët ia ndaluan çdokujt përveç infermiereve të hynin në dhomën e saj. Më dukej se do të vdisja edhe unë nëse s’do të më lejohej të kudjesesha për të ose të paktën t’i hidhja një sy. Në fund doktorët thanë se mund të vdiste, pranuan ta shikoja për një moment përmes derës së hapur. I hoqa këpucët dh eu përvodha në dhomën e të sëmurës.

Ajo dergjej aty e kalamendur dhe e bukur si atëherë kur ishte me shëndet dhe tiparet i ndrinin nga një buzëqeshje jotokësore. E shikova aq gjatë sa miqtë ma lejuan, derisa më thanë se duhej të largohesha. I lashë të më tërhiqnin zvarrë. Nuk derdha lotë. Se zemra ime ishte tepër e mbushur për të qarë, por pasi që e shtrinë në kofin dhe e pashë se s’mund ta thërrisja më, rashë në një melankoli të thellë.

Askutj s’i tregova për shkakun e pikëllimit tim, sado që ma rëndonte fort zemrën. Nuk isha mirë, shkova në Boston, ku qëndrova një muaj dhe shëndeti im u përmirësua kështu që gjendja ime shpirëtore ishte më e mirë. Besoj se ajo tash është në qiell dhe edhe pse kurrë s’do ta harroj, prapë do ta takoj në qiell.

E di çfarë do të kesh ndjerë nga vdekja e saj, gëzohem se po gjen ngushëllim nga lart për ta përballuar me përulësi. Me dashuri, e jotja E. Dickinson –

Të lutem mos e lër S., ose këdo tjetër ta shoh këtë letër. Është vetëm për ty.

E mora letrën tënde te Abby dhe e lexuam bashkërisht. S’do t’ia tregoj askujt tjetër. Natyrisht, ashtu siç nuk ia kam treguar asnjë letër të të ‘pesëve’ askujt përveç Abbyt meqë ajo është nga ta.

Po ma kërkon ta ta fal lirinë e letrës tënde, i dashur A.

Mendoj se të gjitha mendimet duhet të jenë të lira me miqtë, përndryshe s’ka asgjë për të falur aty. Më shkruaj një letër të gjatë së shpejti. Dhe kujdesu të vish në shtëpi me Sabrën. Se s’mund të pres më gjatë të të shoh.

Njëmend e kam zili Sabrën për kënaqësinë që ka të të takoj aq shpesh. S’do ta lejoja t’ju ketë asnjërën nga ju sikur të mos me kishte premtuar besnikërisht t’ju sjellë në shtëpi. Sabra thotë se se ke një piano të re, gëzohem me ty. Viny thotë t’ia përcjellësh dashurinë e saj Biahsë, siç zakonisht të quan; të gjitha vajzat ju dërgojnë shumë dashuri. Tash paralajmërimi i fundit i dashur A. Mos harro të vish në shtëpi me Sabrën se do të shkaktosh pakënaqësi të paparë nëse nuk vjen.

/Marrë nga Emily Dickinson, The Letters, The Belknap Press of Harvard University Press, 2024

/Përkthimi Gazeta Express/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti takohet me ekipin e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit ‘Burbuqe Berisha’

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar ekipin e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Prishtinë “Burbuqe Berisha”, ku pjesëmarrës ishin Profesor Zijad Mehiq, drejtor, Doruntina Alishiqi, drejtore artistike e Festivalit.

Profesori Zijad Mehiq dhe ekipi i tij shpalosën planet e reja të PITF dhe zhvillimet programore më të fundit. Ekipi i PITF e njoftoi kryeministrin me programin e këtij viti, që shënon edicionin e tetë, e për të cilin kanë pranuar më shumë se 100 aplikime nga vende të ndryshme të botës.

Në njoftim thuhet se festivali do të shërbejë dhe si platformë për të njohur më mirë trashëgiminë kulturore të vendit tonë.

Kryeministri Kurti e ka uruar ekipin për punën e tyre të shkëlqyer. Përgjatë takimit u diskutua edhe rreth çështjeve të tjera zhvillimore të ndërlidhura me artin skenik në Kosovë, por edhe u përkujtua autori i mirënjohur nga Sarajeva, Abdulah Sidran, i cili ndërroi jetë para tri javëve.

“PITF po inkurajon zhvillimin e Teatrit, ngritjen e kuadrove të reja skenike dhe promovimin e artit e kulturës së Kosovës në botë, duke e lartësuar kështu më shumë veprën dhe emrin “Burbuqe Berisha”, si një prej figurave të rëndësishme të artit skenik të cilën e humbëm në tetor të vitit 2021”,thuhet në njoftim./ KultPlus.com

Opera ‘La Boheme’ e Puçinit mirëpritet nga publiku i Tiranës

Nata e parë e rivënies në skenë të “La Boheme” e Xhakomo Puçinit u mirëprit nga publiku kryeqytetas.

Interpretimi i solistëve të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, orkestrës, korit dhe korit të Zërave të Bardhë të TKOB-së përcolli plot emocione operën e një prej kryeveprave të Puçinit.

“La Boheme” është një vepër që flet për të rinjtë, jetën dhe sakrificat e tyre për të mbijetuar në Parisin e shekullit XIX. Historia e dy të dashuruarve, fundi i së cilës është tragjik për shkak të varfërisë dhe sëmundjes së vajzës, e cila vuan nga tuberkulozi.

Opera “La Boheme” erdhi nën dirigjimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli dhe asistentdirigjentit Niccolo Jacopo Suppa.

Regjia e Ada Gurrës, skenografia të Renold Sulës dhe kostumografia të Ardi Asllanit, u sollën për artdashësit nga artistët e TKOB-së dhe të ftuar të njohur ndërkombëtarisht.

Eva Golemi dhe Amadi Lagha interpretojnë në rolet e Mimi-së dhe Rodolfo-s.

“La Boheme” do të shfaqet edhe në datat 16, 17 dhe 19 prill, ora 19:00./atsh/KultPlus.com

Vdes veterani i Ansamblit të Maqedonisë së Veriut, Hisen Berisha

Sot ka vdekur veterani i  Ansamblit të Këngëve dhe Valleve të Maqedonisë së Veriu, Hisen Berisha.

Hiseni konsiderohet pioner i rrallë i valles shqipe, i cili nga një karrierë 40 vjeçare popullit shqiptar dhe trevave të Maqedonisë së Veriut i la trashëgimi me qindra valle, koreografi dhe aktivitete artistike.

Drejtori i Ansamblit Nacional të Këngëve e Valleve Popullore Shqiptare në RMV, Shkodran Tolaj ka shprehur ngushëllime, duke e cilësuar si humbje së madhe për komunitetin artistik vdekjen e veteranit të ansamblit.

“Baca Cenë, do të vazhdojë të jetojë me ne si shqiponjë dinjitoze e anëve të Pollogut që do të shpërndajë rreze drite e krenarie për foklorin e kulturën tonë! Sa herë do kaloj nga dera e Bacës Cenë apo edhe ta kujtoj atë, do marr forcë për të vazhduar misione të rëndësishme sepse me përkushtimin, sakrificat e sfidat 40 vjeçare në karrierën e tij ai u shëndërrua në modelin e përkryer për mua si artist dhe drejtues institucioni!”, është shprehur Tolaj.

Më poshtë mund të gjeni shkrimin e plotë të drejtorit Shkodran Tolaj:

Sot, paska ikur shqiponja e valles shqipe nga Pollogu, HISEN BERISHA – BACA CENË në fluturimin e tij të fundit – pakthim

Në mitologji besohej se shqiponja është shpend i dritës dhe emancipimit që simbolizon diellin, lartësitë, thellësitë, ajrin dhe dritën!

Një shqiponjë e vërtetë e shqiptarëve në RMV, na la sot, në këtë ditë që për komunitetin artistik do të jetë ditë e humbjes së madhe!

Baca Cenë ishte simboli i valles shqipe, në veçanti shqiponja e Sharrit plak dhe bir besnik i Pollogut që e dashuronte me zemër vallen shqipe dhe atdheun pa kufinjë!

Baca Cenë, më priti disa herë në dhomën e tij “muze” ku kishte ndërtuar me duart e veta historinë shqiptare përmes fotografive që paraqisnin personalitete të rralla e momente të veçanta të tij, babait dhe familjes së fisme shqiptare- Berisha!

Baca Cenë ishte shqiptar i madh i cili më falte aq krenari sa herë e takoja!

Jam shumë i lumtur që amanetin e tij të parë për të vënë një valle burrash- kaçakë në skenë e realizuam me aq sukses dhe dy javë më parë në vizitën që i bëra pata mundësi të flas gjërë e gjatë për atë realizim dhe shumë plane e projekte të ansamblit!

Jam krenar që emri i Bacës Cenë, institucionalisht u shkrua me shkronja të arta duke hyrë në mesin e personaliteteve të rralla që morën “Medaljen e Ansamblit”! Në fakt kjo ishte më e pakta që ai e meritonte dhe jam i lumtur që e realizuam dhe ia dorëzuam sa ishte pranë nesh fizikisht, dy javë më parë, me 28 mars 2024!

Ndonëse i rënduar nga shëndeti, dera e tij u hap me po të njejtën dashuri! Amaneti i tij i fundit ishte “ mos harrohen traditat kombëtare e legjendare shqiptare”! Ky amanet më jep përgjegjësi të madhe që puna, vizioni, dashuria e gjithë sakrifica e bacës Cenë për folklorin e vlerat tona të kapitalizohet dhe mbi atë bazë të ecim përpara që të mos i mbulojë pluhuri i harresës vlerat që kultivoi baca Cenë!

Jam tejet i indinjuar teksa shkruaj këto fjali pas lajmit të kobshëm që mora familja e tij dhe njëkohësisht i privilegjuar që baca Cenë, në momentet e fundit kishte porositur familjarët që të më lajmërojnë personalisht që ai po na lë dhe në homazhet e nderimit për të do kishte dëshirë të jem dhe unë!

Baca Cenë, sot na la por jo edhe personaliteti i tij që do jetojë përjetësisht bashkë me qindra valle, koreografi dhe aktivitete që ia la trashëgimi popullit shqiptar dhe trevave të Maqedonisë së Veriut si pioner i rrallë i valles shqipe!

Baca Cenë, do të vazhdojë të jetojë me ne si shqiponjë dinjitoze e anëve të Pollogut që do të shpërndajë rreze drite e krenarie për foklorin e kulturën tonë!

Sa herë do kaloj nga dera e Bacës Cenë apo edhe ta kujtoj atë, do marr forcë për të vazhduar misione të rëndësishme sepse me përkushtimin, sakrificat e sfidat 40 vjeçare në karrierën e tij ai u shëndërrua në modelin e përkryer për mua si artist dhe drejtues institucioni!

Në emër të gjithë artistëve, administratës dhe bashkëpunëtorëve të Ansamblit Nacional të këngëve e valleve popullore shqiptare në RMV, shprehë ngushëllimet më të sinqerta për familjen e bacës Cenë dhe gjithë komunitetin artistik që humbën ikonën e këtyre trevave!

Të prehet në paqe trupi i bacës Cenë e të fluturojë përtej lartësive shpirti i tij që reflektonte e barte vetëm dashuri!

Lamtumirë- shqiponja e valleve shqipe të trevave tona!

Me përulje, dhembje dhe plot sinqeritet

Shkodran Tolaj- drejtor i Ansamblit Nacional të këngëve e valleve popullore shqiptare në RMV/KultPlus.com

Këngët dhe vallet shqipe po ja mëson botës, Janet Reineck: Gratë shqiptare i kanë thyer “muret prej guri”, por ende ka shumë sfida

Jeta Zymberi

Kur Janet Reineck dëgjoi për herë të parë tingujt e muzikës shqipe në Smotra të Zagrebit, ajo nuk e dinte se sa thellë do të depërtonte tek ajo kjo melodi e huaj. Kjo muzikë nuk ishte thjesht tingull, por shumë shpejt do të shndërrohej në udhëtimin e saj drejt fillimit të njohjes së një bote të re, drejt Kosovës.

Vallëzimi e muzika shqiptare ishin kontakti i parë me Kosovën, dhe ftesa për një vizitë në këtë vend, ishte ftesë për një jetë të re që ajo as nuk e kishte imagjinuar. Kontakti i parë me tokën e Kosovës ishte një dashuri si duket e përjetshme për Janet Reineck, një amerikane që u impresionua nga jeta në fshat, nga pitet e veçanta të Rugovës e specat me gjizë, nga dasmat, vallet, muzika, jeta në bashkëjetesë, gjuha, mikpritja, dashuria e respekti mes njerëzve, gjëra që e mbajtën atë të lidhur brenda historisë së kësaj toke.

Për Janet, kjo botë e re ishte shkolla më e rëndësishme e jetës dhe shtysë që ajo të kthehej në Kaliforni për të kërkuar grant përmes të cilit do të zhvillonte hulumtim në Kosovë dhe do të realizonte doktoratën e saj në Antropologji për Universitetin e Kalifornisë, Berkeley.

Jeta e grave të cilat nuk guxonin të dilnin jashtë dyerve të shtëpisë, për Janet ishte shumë intriguese, por ajo i shijoji ditët me këto gra e u bë pjesë e sfidave të tyre. Si një grua plotësisht e lirë e cila kishte ardhur e vetme nga Amerika, ajo u mundua të ju mësoj lirinë, fjalën, shkollimin e të drejtat e tyre.

Për 8 vite në Kosovë, midis 1981 dhe 1997, ajo i përfundoi hulumtimet për një Master në Etnologjinë e Valleve (UCLA) dhe një Ph.D. në Antropologji (UC Berkeley).

Hulumtimi i saj Master ishte i fokusuar në vallet dhe zakonet e Kosovës rurale, duke përfshirë Hasin, Rugovën dhe Gollakun, me fokus në traditën e pasur të Opojës me këngë-vallet e saj të grave dhe ciklin e 11 valleve të burrave, Kellçoja. Disertacioni i saj “E kaluara si strehë: Migrimi gjinor dhe ideologjia ndër shqiptarët e Kosovës” është një studim i detajuar i zakoneve dhe botëkuptimit shqiptar.

Përgjatë këtyre viteve, Janet u largua disa herë nga Kosova, por asnjëherë nuk u shkëput tërësisht. Secilën herë që kthehej, ajo vinte me një mision.

Gjatë qëndrimit të saj në Kosovë, ajo realizoi rreth 4000 fotografi, 25 orë video, dhe histori të shumta, ajo u bë një kontribuuse e pashoq në përforcimin e historisë së Kosovës.

Pamjet e viteve të luftës në Kosovë, Janet i pa nga Santa Barbara bashkë me prindërit e saj. Por kontributin për Kosovën u mundua ta jap në çdo vend e rrethanë.

Vitit 2002 e riktheu në Kosovën e lirë. Edhe sot, Janet është e befasuar nga transformimi i këtij shteti të dalë nga lufta. Por ajo nuk e mohon që ka ende shumë punë për tu bërë. Madje, ajo ja ka dhënë edhe një mundësi vetes për të kontribuuar në Kosovë e të cilën na zbulon gjatë bisedës.

Në këtë intervistë të veçantë për KultPlus, Janet zbulon shumëçka, ajo ndër të tjera rrëfen se Kosova për të është më shumë se një destinacion. Është një histori që nuk ka fund, një mundësi tjetër për të kontribuar në zhvillimin e kësaj toke dhe për të rënë në dashuri me të përsëri.

Deri në rikthimin e saj të radhës, “Xhamadani vija-vija” e “Moj Hatixhe” janë vetëm disa nga këngët shqiptare që ajo po vazhdon t’ua mësojë grave në Amerikë e Francë, atje ku antropologia po vazhdon rrugëtimin e saj në shpalosjen e vlerave e traditave shqiptare.

Kur keni dëgjuar për herë të parë për Kosovën dhe si ju sollën vitet ’80 në këtë vend, i cili dikur ndoshta ka qenë krejtësisht i panjohur për ju?

Unë isha duke studiuar Etnologjinë e Kërcimit në UCLA dhe kisha udhëtuar në Ballkan, duke kërkuar për një temë për hulumtimin tim të masterit. Në verën e vitit 1980, takova kërcimtarë shqiptarë në Smotra të Zagrebit dhe u mahnita menjëherë nga vallet dhe muzika shqiptare. Disa valltarë më ftuan të vizitoja fshatin e tyre Germovën, afër Vitisë.

Në përshkruaj kontaktin e parë me vendin tonë dhe cilat ishin gjërat e para me të cilat u ballafaquat?

Mora trenin për në fshatin e tyre ku po bëhej një dasmë. Në moment më bëri përshtypje tubimi i vajzave, këngët dhe vallet, festa. Më ftuan të qëndroja me një familje dhe e adhurova stilin e jetesës shqiptare që po e shihja për herë të parë: ulur rreth sofrës duke ngrënë pite, duke pirë çaj në oda, të gjithë ngriheshin në këmbë për të përshëndetur mysafirët. E adhurova tingullin e gjuhës shqipe, muzikën, afërsinë e njerëzve. U ktheva në Kaliforni dhe aplikova për një grant Fulbright për të bërë hulumtim në Kosovë. M’u dha granti në pranverën e vitit 1981. Për shkak të telasheve të asaj kohe, më duhej të prisja 6 muaj për të marrë lejen për të ardhur në Kosovë.

Një grua nga një prej vendeve më të zhvilluara në botë, vjen në një vend të vogël si Kosova, dallimet sigurisht si dita me natën, si i perceptoje gjërat fillimisht dhe çka tu duk më e pabesueshme?

U vendosa në një familje në Bregun e Diellit në Prishtinë, dhe u bëra pjesë e një lagjeje e cila ishte një përzierje e familjeve nga qyteti dhe fshati. E adhurova çdo gjë rreth njerëzve dhe stilit të jetës. Më e pabesueshmja? Gjërat më të thjeshta – mikpritja dhe ngrohtësia e njerëzve, të cilën e përjetova gjatë vizitave të përditshme në familje.

Traditat, doket e zakonet shqiptare konsiderohen si mjaft te veçanta, po për ju si ishin, të dhanë mjaftueshëm material për studimin tënd?

Një nga miqtë e mi të parë ishte Dushe Gjevukaj nga Rugova, e cila po studionte për infermieri në Prishtinë. Ne shkuam disa herë të vizitonim familjen e saj në Kuqishtë. Nëna dhe babai i saj ishin ata që unë i quaja shqiptarë ideale – të përulur, të fortë, punëtorë, të zgjuar dhe të dashur. Pranvera ishte e mrekullueshme! Dimrat ishin aq të ftohtë, sa më mbështillnin kokën me pulovër që truri im mos të ftohej. Ishte e mrekullueshme të ishe pjesë e jetës së tyre në fshat, duke e përjetuar stanin ku bëheshin produktet e qumështit, duke ngrënë piten e veçantë të Rugovës dhe speca me gjizë. Kam pasur nderin të takoj edhe tezen e Dushes Mire, një virgjëreshë të përbetuar që bënte jetën e burrit, bariut, e respektuar nga familja dhe rrethi.

Pozita e gruas në shoqërinë tonë, kur kthehemi te vitet 80’ – 90’ nuk ishte aspak e mirë, gra që shpesh e kishin të ndaluar të dilnin edhe deri tek dera e oborrit, si i perceptoje këto rrethana, ishin të pakapshme për ju si një grua që kishte ardhur vetëm në një vend krejtësisht të panjohur?

Kam kaluar vite duke u njohur me shqiptarët, duke përfshirë shumë gra që nuk dilnin jashtë oborrit të tyre përveç për dasma apo raste të veçanta. Është një pyetje delikate dhe meriton një diskutim të gjatë e të menduar. Përvoja ime ishte se në një familje patriarkale, familje të zgjeruar, lumturia e një gruaje varej më shumë nga marrëdhënia e saj me vjehrrën dhe me nuset e tjera në familje, sesa me burrin. Shumë nga gratë që njihja ishin më të lumtura se shoqet e mia amerikane, NËSE ato kishin një vjehërr dhe burrë të mirë – sepse ato nuk ishin kurrë vetëm. Ato mund të lulëzojnë në rolin e tyre si nuse, grua dhe nënë dhe ishin të respektuara nga rrethi për përmbushjen e këtyre roleve. Shumë gra në brezin e vjetër ishin më të lumtura në martesat e rregulluara se sa gratë në martesat amerikane, sepse martesa kishte një kuptim krejtësisht të ndryshëm me pritshmëri të ndryshme. Nga ana tjetër, nëse gruaja ishte e pakënaqur në martesë ose familjen e saj të gjerë, ajo ishte e bllokuar dhe në një situatë të keqe – si në Amerikën e viteve 1950.

Studimi juaj “E kaluara si strehë: Migrimi gjinor dhe ideologjia në mesin e shqiptarëve të Kosovës” duket të jetë një hulumtim i thellë në realitetin shoqëror dhe kulturor të Kosovës. Çfarë gjetjesh interesante dhe emocionuese keni bërë gjatë këtij studimi?

Në vitin 1986 u ktheva në Kosovë për të bërë hulumtime për doktoratën time në Antropologji për Universitetin e Kalifornisë, Berkeley. Në atë kohë, kisha lirinë për të udhëtuar në gjithë Kosovën dhe për të bërë hulumtime të thelluara në Opojë dhe Has. Hulumtimi u bazua mbi përvojat e mia me familjet dhe shumë intervista me njerëz për të kuptuar botëkuptimin e tyre. Pyeta burra të vjetër rreth historisë, organizimit të familjes së zgjeruar dhe traditat e Kanunit. Pyeta gra të moshuara për martesën dhe rolin në jetë. Pyeta të gjithë për martesat me mësitni, rolet e grave, arsimin dhe migracionin. Disertacioni im (i cili do të botohet këtë verë në Kosovë) është një eksplorim i të gjitha këtyre gjërave, dhe i efekteve të migracionit të komunitetit dërgues – shumë ndryshe në vitet 1980 sesa tani!

Ju u rikthyet në vitin 1994 në Kosovë bashkë me djalin tuaj Jeremy-n, për të drejtuar projektet e ndihmës humanitare për Oxfam dhe Komitetin Ndërkombëtar të Shpëtimit, çfarë ju bëri të ktheheni edhe njëherë në këtë vend?

Ishte shumë e vështirë të shikoje shpërbërjen e Jugosllavisë dhe dhunën e shtypjen që po ndodhte në Kosovë nga siguria e Amerikës. Doja të kthehesha në Kosovë, dhe një ditë mora një telefonatë nga Oxfam, një OJQ britanike, për të parë nëse mund të drejtoja një program ndihme në Kosovë, përkundër situatës së vështirë atje. Unë thashë menjëherë PO, dhe Jeremy dhe unë u vendosëm tek një familje në Taslixhe. M’u lejua të bëja projekte në Viti – një qytet me fshatra shqiptare dhe serbë dhe fshatra të përziera. Mblodha një ekip shqiptarësh dhe filluam punën.

Gjatë këtyre viteve qëndrimi në Kosovë ju bashkë me ekipin tuaj punuat për të forcuar shoqërinë civile në komunitetet që vuanin efektet e padrejtësisë dhe pabarazisë. Mobilizuat njerëzit që të arrinin të ndërtonin shkolla, të hapnin puse me ujë të pastër e gjithashtu shfrytëzuat kohën që tu mësonit fëmijëve të fshatit gjuhën angleze. Si ishte kjo përvojë për ju dhe ke takuar ose njeh sot ndonjë nga këta fëmijë që padyshim ju në atë kohë ishit ndoshta frymëzim?

Ne gjithashtu organizuam kurse për edukimin e shëndetit të grave çdo dy javë në të gjitha fshatrat. Për të realizuar këtë,  formuam një grup aktivistësh të rinj, “Legjenda.” Aktivistet punonin në fshatrat e tyre për t’i nxjerrë gratë nga shtëpitë e tyre dhe për t’i bindur të marrin pjesë në kurset. Ata gjithashtu punuan për t’i shtyrë vajzat e reja ta ndjekin shkollën e mesme, çka ishte një problem i madh në Vitin dhe shumë rajone në atë kohë. Jeta e aktivistëve u ndryshua përgjithmonë përmes kësaj pune. Në vend që të qëndronin në shtëpi, shumica morën diploma universitare dhe u bënë gra profesioniste. Dhe po, më pëlqente t’u mësoja anglisht fëmijëve në kohën time të lirë! Dhe Jeremy qëndronte në fshat me familjen Tafa – 21 persona duke përfshirë 13 fëmijë!

Gjatë viteve 1980 në Kosovë ju realizuat 4000 fotografi, 25 orë video dhe video intervista, tregime dhe këngë të panumërta. Çfarë rëndësie kanë sot për ju këto materiale?

Sot, çdo familje kosovare ka njerëz që bëjnë foto dhe video. Në atë kohë, unë isha i vetmi person! Jam shumë e lumtur që i kam këto të dhëna të jetës shqiptare në vitet 1980 dhe 1990, për Kosovën dhe veçanërisht për familjet, për dasmat e dokumentuara dhe foto të njerëzve të dashur të atyre familjeve që tani janë të vdekur. Këto janë thesare që dua t’i ndaj me të gjithë!

https://www.janetreineck.com/kosova-photo-collections?lang=sq

Në vitin 1997, me luftë në horizont, ju u desh të largoheshit nga Kosova e cila nuk vonoi e hyri në një luftë të ashpër. Ju si një grua që kishit qëndruar për vite të tëra në këtë vend e kishit krijuar miqësi me shumë familje, si e pat nga larg pushtimin që Serbia ja bëri Kosovës?

Nuk doja të largohesha – kisha plan të qëndroja në Kosovë, nuk kisha ndërmend të largohesha. Mendoj se policia serbe nuk mund të na duronte më gjatë – posaçërisht policia në Viti që na shihte gjatë gjithë kohës me shqiptarë, duke mbledhur njerëz dhe duke folur për çështje serioze. Në këto takime ne flisnim për rregullimin e shkollave dhe dërgimin e vajzave në shkollë, por mund të kishim qenë edhe duke mbledhur para për të blerë armë – serbët në të vërtetë nuk dinin se çfarë po bëja unë. Kështu që kur shkova për të zgjatur vizën time, ata refuzuan. Përpjekja për tu kthyer në Kosovë zgjati me muaj, por në fund u dorëzova dhe u ktheva në Santa Barbara ku ishin prindërit e mi.
I ndoqa çdo ditë ngjarjet e tmerrshme në Kosovë – pashë masakrat në CNN, e dija që miqtë e mi po iknin në Maqedoni apo Shqipëri. Doja të shkoja atje për t’i ndihmuar ose të paktën për të qenë me gazetarët që raportonin historinë, por si një nënë beqare e një 7-vjeçari, ndjeva se nuk mund të rrezikoja. Ne pritëm dy të rinjë nga Kosova të cilët përfunduan në Santa Barbara si refugjatë, duke përkthyer për disa fëmijë që u plagosën në luftë dhe i sollën atje për operacione. Të rinjtë jetuan me ne për një vit – djali im flinte në dysheme në dhomën time për të mundësuar qëndrimin e tyre tek ne.

Duket sikur Kosova është një vend i përbërë nga magnetizmi, pas viteve të luftës ju u rikthyet përsëri në Kosovë, si e gjetët Kosovën e pasluftës dhe cilat ishin ndryshimet e para që i hasët?

Kur e vizituam Kosovën në vitin 2002, ishte si një vend tjetër, me peshën e shtypjes serbe të hequr nga zemra dhe mendjet e miqve tanë. Mendova se puna që bëmë në Viti do të dukej e vogël në krahasim me të gjitha zhvillimet që po bëheshin nga NATO dhe OJQ-të ndërkombëtare, por gabova! Njerëzit me të cilët kisha punuar në Viti e shihnin bashkëpunimin tonë si kaq të domosdoshëm, sepse ishte bërë në një kohë të vështirë, të rrezikshme.

Në vitin 2010, ju krijuat World Dance for Humanity. Në këtë kurs ju vazhdoni të ju mësoni grave nga e gjithë bota vallëzimet shqiptare, si i presin dhe cilat janë komentet që i bëjnë mbi traditat tona të vallëzimit?

Unë i adhuroj vallet dhe muzikën shqiptare dhe jam shumë e lumtur t’ua prezantoj njerëzve atë – ata e duan! Unë përdor të gjitha llojet e muzikës – gegë, toskë, tradicionale, pop dhe rock. Po krijoj disa valle të reja me këngë të bukura shqiptare të bazuara në lëvizjet tradicionale shqiptare, për t’i shtuar në repertorin e valleve në Kosovë dhe jashtë saj!

Në vitin 2022 ju sollët në jetë librin “Një amerikane në Kosovë”, ku keni shpalosur historinë tuaj personale, si është prit ky libër dhe çfarë vlerë ka për ju?

Kam punuar për dekada të tëra dhe kam rritur djalin tim si një nënë e vetme. Kam punuar në libër gjatë viteve, kur kisha pak kohë – thjesht për të mos harruar detajet e përvojës sime në Kosovë. Libri u është dedikuar familjeve që më pritën në shtëpitë dhe në zemrat e tyre. Po e ndaj faqen time të internetit pa pagesë për lexuesit, si dhuratë për Kosovën. Mendoj se për njerëzit që përjetuan Kosovën në vitet 1980 dhe 1990, kjo sjell kujtime për jetën siç ishte dikur. Për të rinjtë që e dinë vetëm Kosovën pas luftës, është një rrëfim për jetën e prindërve dhe gjyshërve të tyre. Shpresoj që do të thellojnë vlerësimin e tyre për traditën shqiptare dhe për sakrificat e bëra për pavarësi.

Keni zbuluar për ne se në muajin korrik do të ktheheni përfundimisht që të jetoni në Kosovë, pse e morët këtë vendim?

Pse po heq dorë nga një jetë komode, produktive dhe e lumtur në Kaliforni për t’u zhvendosur në Kosovë, më thonë? Për shkak të dashurisë që kam ndjerë për Kosovën që kur kam shkelur për herë të parë aty në vitin 1980. Më tërheq kultura, shoqëria, gjuha, toka shqiptare dhe jam mahnitur nga transformimi i frymëzuar nga pavarësia e pasluftës. Marrëdhëniet e mia me njerëzit – fshatarët dhe banorët e qytetit – janë kaq të thella, pasi kemi përjetuar kaq shumë së bashku në vitet ’80 dhe ’90: ngrohtësinë dhe pasurinë e jetës familjare, si dhe represionin, konfliktet dhe vështirësitë ekonomike që kaluan shqiptarët. Shpresoj të përdor aftësitë e mia për t’i ndihmuar shqiptarët të orientohen në sfidat politike, ekonomike, sociale dhe ideologjike me të cilat po përballen. Shoh se angazhimi im i gjatë në Kosovë para luftës, njohuritë e mia për gjuhën, kulturën dhe historinë, dhe fakti që jam amerikane, më japin një “kapital shoqëror” që shpresoj të jetë i dobishëm për Kosovën në ndonjë mënyrë.

Kosova sot dhe nesër sipas jush?

Çfarë ka arritur Kosova që nga lufta është vërtet e mahnitshme! Shqiptarët janë një model i zgjuarsisë, energjisë dhe aftësisë për të parë botën! Në anën tjetër, ka sfida serioze – këto janë ato për të cilat unë jam më e vetëdijshme:

• Migrimi (ikja e të rinjve në Evropë, zbrazja e fshatrave, ikja e trurit)

• Shpenzimet e tepërta për shtëpi të mëdha, makina dhe ndërmarrje shërbimi – në vend të ndërmarrjeve prodhuese

• Mungesa e vendeve të mjaftueshme të punës me pagë adekuate

• Përpjekjet në arsim dhe shëndetësi

• Fraksionalizimi – shumë fajësime ndaj njëri-tjetrit dhe fajësimi i qeverisë për problemet e Kosovës, kur BASHKIMI është jetik – vendimtar!

Dhe për fund, duke pas parasysh se ju keni njohur një grua shqiptare ndryshe në vitet e 80-ta, dhe gruaja sot në Kosovë. Çfarë paralele mund të tërhiqni mes gruas dje dhe gruas sot, duke pas parasysh se Kosova sot udhëhiqet edhe nga një grua presidente?

Mendoj se është fantastike që Vjosa Osmani është presidentja juaj – ajo jep një shembull për vendet e tjera. Sigurisht, jetët e shqiptarëve kanë ndryshuar krejtësisht që nga vitet 1980 kur unë studioja jetën e grave. Tani ka shumë liri. Gratë shqiptare i kanë thyer “muret prej guri” dhe tani janë pjesë e botës. Por ende ka shumë sfida në drejtim të përfaqësimit, pagave, të drejtave themelore dhe barazisë gjinore në shtëpi dhe në hapësirën publike.

Shpresoj që me kthimin në Kosovë të mund të ndihmoj në disa nga këto fusha! / KultPlus.com

Ti je për mua një krijesë e trishtë

Poezi e shkruar nga Cesare Pavese.
Përktheu: Orjela Stafasani

Ti je për mua një krijesë e trishtë
një lule e përkohshme poezie
që bash në çastin kur e gëzoj
dhe provoj të dehem
e ndjej që ikën larg
shumë larg,
për mjerimin e shpirtit tim
mjerimi im i trishtë.
Kur të shtrëngoj çmendurisht në zemër
dhe ta thith gojën,
gjatë, papushim,
jam i trishtuar, vogëlushe,
sepse e ndjej zemrën time shumë të lodhur
duke të dashur kaq keq.
Ti ma jep gojën tënde
dhe bashkë përpiqemi ta gëzojmë
dashurinë tonë që kurrë s’do të jetë e lumtur
sepse shpirti në ne është shumë i lodhur
nga ëndrra tash t’ëndërruara.
Por jam unë, jam unë frikacaku,
dhe ti je kaq lart
saqë, kur mendoj për ty,
nuk më mbetet veçse të shkrihem prej dashurie
për atë pak gëzim që më jep,
s’di a për tekë a për mëshirë.
Bukuria jote është bukuri e trishtë
të cilën s’do të guxoja kurrë ta ëndërroja,
por, siç më ke thënë ti, është veç një ëndërr.
Kur të flas për gjërat më të ëmbla
dhe të shtrëngoj në zemrën time
dhe ti nuk mendon për mua,
ke të drejtë, vogëlushe:
unë jam i trishtë, i trishtë dhe shumë frikacak.
Dhe ja, ti je për mua
asgjë tjetër veçse një iluzion i brishtë
me sy të mëdhenj ëndrre,
që për një orë më shtrëngohet në zemër
dhe më mbush plot
me gjëra të ëmbla, plot keqardhje.
Kështu më ndodh kur i dërrmuar
shtrydhem për të futur në vargjet e lehta
një hov timin të trishtë.
Një lule e përkohshme poezie
asgjë më shumë, dashuria ime.
Por ti nuk e di, vogëlushe,
dhe kurrë nuk do ta dish çka më bën të vuaj.
Do të vazhdoj, lule e vogël bionde,
që kaq shumë ke vuajtur në jetë,
të ta sodis fytyrën që të qan
edhe kur buzëqesh
-oh ëmbëlsia e trishtë e fytyrës tënde!
nuk do ta dish kurrë, vogëlushe –
do të vazhdoj të adhuroj pranë teje
gjymtyrët e tua të vogla melodioze
që kanë ëmbëlsinë e pranverës
dhe janë kaq prekëse dhe aromatike
saqë unë gati sa nuk çmendem
nga mendimi se dikush tjetër do t’i dojë
duke i mbërthyer në trupin e tij.
Do të vazhdoj të të adhuroj,
të të puth dhe të vuaj,
deri kur ti t’më thuash një ditë se gjithçka
duhet të marrë fund.
Dhe atëherë ti nuk do të jesh më larg
dhe nuk do ta ndjej më të lodhur zemrën,
por do të çirrem nga dhimbja
dhe do të puth në ëndërr
dhe do të shtrëngoj në gjoks
iluzionin e zhdukur.
Dhe do të shkruaj për ty,
për kujtimin tënd zemërthyes
pak vargje vajtuese
që ti nuk do t’i lexosh kurrë.
Por mua do të më qëndrojnë mizorisht
të gozhduara në zemër
përgjithmonë./KultPlus.com

‘Kompleksi ynë i Prometeut’

Dan Carlin, një politolog dhe krijues podcast-esh, foli me Big Think për instinktin në dukje të pandalshëm të njerëzimit drejt krijimit. Psikanalisti Gaston Bachelard shpiku një term që e përmbledh këtë shtysë: “Kompleksi i Prometeut”. Ky kompleks përshkruan “të gjitha ato prirje që na shtyjnë të dimë aq sa baballarët tanë, dhe më shumë se ata”. Se sa kontroll kemi mbi këtë nxitje, kjo mbetet një pyetje e hapur.

Mos i mërzit zotat. Nëse ka një mësim që na jep mitologjia klasike, është që duhet të dimë kufijtë tanë dhe të përmbahemi. Kujdes nga mendjemadhësia: akti i mburrjes së arrogancës dhe vetë-lavdërimit që njeriu bën ndaj Zotit, perëndive ose forcave të natyrës. Është t’i tregosh gishtin e mesit Thor-it, t’i kthesh shpinën një engjëlli vizitor ose të përpiqesh për të vjedhur nga Zeusi. Eshtë mendjemadhësia e Icarus-it, me krahë prej dylli, që fluturon shumë afër Diellit.

Shumica e njerëzve që lexojnë letërsi klasike e kuptojnë këtë. Qëndro në korsinë tënde. Por ka një ikonë të mitologjisë greke që nuk e ka “lexuar memon”: Prometeu. Ja çfarë i ndodh atij:

Zeusi ishte i zemëruar me njerëzit, siç i ndodhte shpesh, dhe kështu ua hoqi aftësinë për të ndezur zjarr. Prometeu pa poshtë njerëzit që dridheshin nga i ftohti e vuanin për të ngrënë, dhe i erdhi keq. Pa e pyetur Zeusin, ai ndezi një pishtar nga Dielli dhe ua dërgoi fshehurazi zjarrin përsëri në Tokë. Për tradhtinë dhe mendjemadhësinë e tij, Prometeu u lidh me zinxhirë të pathyeshëm në një majë mali. Çdo ditë, një shqiponjë i hante mëlçinë dhe çdo natë mëlçia rritej përsëri, për të provuar mundime të reja.

Prometeu duhet të jetë një rrëfim paralajmërues: Mos i tall perënditë. Por ai u lartësua dhe adhurohej, duke u bërë në fund djaloshi i preferuar i Iluminizmit. Prometeu është rebeli i drejtë që pranoi një përjetësi vuajtjesh në emër të përparimit njerëzor. Ai është zëri i lartë dhe i papërmbajtshëm që na thotë të jemi inovatorë, të shpikim dhe të përparojmë. Vetë emri i tij do të thotë “të menduarit nga e ardhmja”. Ka shumë prometeanë për momentin.

Kompleksi i Prometeut

Dan Carlin, prezantues i podkastit të njohur Hardcore History dhe autor i bestsellerit “Fundi është gjithmonë pranë: Momente apokaliptike” jep mendimet e tij mbi evolucionin e shpejtë të Inteligjencës Artificiale dhe, më gjerësisht, historinë e përpjekjes së pamëshirshme të njerëzimit për të inovuar.

“Kam qenë gjithmonë i magjepsur me idenë e mendjemadhësisë së Icarus-it që i afrohet shumë Diellit,” thotë për Big Think. “[Pyes veten] nëse shoqëria njerëzore e ka aftësinë që të mendojë se nuk duhet të shpikim diçka, nëse mendojmë se mund të jetë e keqe. Nëse e sheh rrugëtimin teknologjik nga distanca, dhe vë re që diçka e tmerrshme mund të ndodhë, a mund të thotë njerëzimi, ‘E di çfarë? Më mirë të mos shkojmë atje.’ Nuk jam i sigurt se e kemi atë aftësi.”

Në vitet 1930, filozofi dhe psikanalisti francez Gaston Bachelard bëri të njëjtën gjë. Bachelard e quajti “Kompleksi i Prometeut”. Ja si e  përshkruante ai:

“Të njohësh faktet dhe të bësh gjëra janë nevoja që ne mund t’i karakterizojmë në vetvete pa pasur nevojë t’i lidhim domosdoshmërisht me vullnetin për pushtet. Ekziston tek njeriu një vullnet i vërtetë për intelektualitet. Ne e nënvlerësojmë nevojën për të kuptuar… Ne propozojmë, pra, të vendosim së bashku nën emrin e kompleksit të Prometeut të gjitha ato prirje që na shtyjnë të dimë aq sa baballarët tanë, më shumë se baballarët tanë, aq sa mësuesit tanë, më shumë se mësuesit tanë.”

Porta e pasme e dijes

Inteligjenca Artificiale është si një derë. Ne e dimë se pas derës ka një peizazh të madh, të panjohur – Narnia mespërmes garderobës ChatGPT. Pyetja është: Si duket ai peizazh? Çështja që theksojnë Carlin dhe Bachelard nuk është se ne nuk jemi të vetëdijshëm për rreziqet e mundshme të së ardhmes, apo se nuk po bëjmë biseda të rëndësishme rreth asaj që mund të thotë IA, por që, në fund të fundit, këto shqetësime janë të kota. Ne zotërojmë një nxitje impulsive, intelektuale, që na shtyn përpara. Ne do të kalojmë nëpër atë derë dhe do të vazhdojmë të zhvillojmë Inteligjencën Artificiale, dhe të gjitha llojet e teknologjive.

Kjo kërkesë nuk buron domosdoshmërisht nga një pozicion utilitar – nuk është se ne jemi domosdoshmërisht të shtyrë drejt efikasitetit më të madh, chatbot-eve realiste sociale ose zbulimeve mjekësore. Në thelb, duket se shtysa më e thellë është të shpikim çdo gjë që ne jemi në gjendje të shpikim.

Historiani britanik i shkencës James Burke në serialin e tij televiziv Connections thotë se të gjitha njohuritë janë të lidhura dhe që, edhe nëse përpiqemi të shmangim këtë apo atë sepse disa njerëz mendojnë se është e keqe, kjo është e pamundur. Të gjitha rrugët të çojnë në përparim.

“Nuk është e mundur [të shmanget shpikja], sepse të gjitha njohuritë janë të ndërlidhura si një rrjetë,” thotë Carlin. “Nëse do ta mbyllje një pjesë të caktuar të saj sepse do të shihje dobësitë e mundshme, do të arrije në të njëjtin rezultat, por nga një rrugë tjetër, apo jo?”

Për të kuptuar analogjinë e Carlin, mund të mendojmë për idenë e inteligjencës së përgjithshme artificiale, ose AGI. AGI është pika në të cilën AI mund të kryejë një shumëllojshmëri detyrash me aq kompetencë sa të arrijë, ose tejkalojë inteligjencën dhe performancën njerëzore. Disa njerëz mund ta shohin AGI si të rrezikshme. Të tjerët mund ta shohin AGI si shpëtimtaren e njerëzimit. Por ndërsa kemi debate dhe biseda, ne po vazhdojmë të marshojmë drejt AGI. Shkencëtarët dhe programuesit pas kompjuterëve të tyre po zgjidhin “çdo gjë rreth saj”. Duart dhe truri ynë, ndoshta në mënyrë të pandërgjegjshme, po lëvizin drejt asaj që ndërkohë jemi duke debatuar, nëse duhet ta bëjmë.

Kompleksi i Prometeut mund të shihet vazhdimisht në historinë e shkencës. Nuk është thjesht dëshira e Edenit për të ngrënë fruta ose për të shtypur butonin e kuq. Është fakti që ndërsa pjesa racionale, intelektuale e vetes sonë lufton me vendimin, një pjesë më e thellë, prometeane e jona e ka shtyrë tashmë atë përpara. Fatmirësisht, zakonisht rezulton gjëja e duhur. / bota.al/KultPlus.com

Kryemnistri Kurti pret ambasadorin britanik, fokusi te anëtarësimi i Kosovës në KiE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, marrëdhëniet bilaterale dhe zhvillimet aktuale kanë qenë temë e bisedës.

“Diskutimi u fokusua edhe në hapin e radhës drejt anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshill të Evropës dhe rëndësinë që anëtarësimi në këtë organizatë sjell në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave përmes qasjes në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg”, thuhet në njoftim.

Kurti në takim ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar si shtet themelues i Këshillit të Evropës.

200-vjetori i vdekjes së Lord Bajronit, ASHSH konferencë shkencore: Bajronizmi në botën shqiptare

Akademia e Shkencave e Shqipërisë do të organizojë në fund të muajit qershor 2024 një konferencë shkencore me temë: Bajronizmi në botën shqiptare.

ASHSH fton të githë të interesuarit të marrin pjesë me punime në konferencën shkencore ndërkombëtare në 200-vjetorin e ikjes nga jeta të poetit romantik G. G. Byron – Lord Bajronit – autor i poemës së mirënjohur “Child Harold Pilgrims” – “Udhëtimet e djaloshit Harold”, një pjesë e së cilës u kushtohet shqiptarëve të shek. XVIII-XIX, kapedanëve arvanitë e suliotë të revolucionit kombëtar grek; bëmave të Ali Pashë Tepelenës, kryerebelit ballkanas ndaj sulltanit perandor e khalif; besnikërisë dhe virtyteve shqiptare “të pacenuara nga qytetërimi industrial”.

Më poshtë jepet e plotë thirrja për pjesëmarrje e bërë nga ASHSH:

Drejtuar studiuesve të letërsisë (specifikisht të ardhjes së romantizmit në botën shqiptare); të historisë kombëtare (me vështrim të posaçëm në burimet e shkruara e të dorëshkruara të udhëpërshkruesve romantikë europianë, të konsujve dhe misionarëve të tjerë); të antropologjisë; të lidhjeve shqiptaro-europiane në letërsi e kulturë; të rolit të romantikëve europianë për promovimin e identitetit shqiptar në Perëndim.

Kjo thirrje u drejtohet posaçërisht studiuesve të këtyre fushave në departamentet e letërsisë, gjuhës, etnologjisë dhe historisë në universitetet publike e jopublike në Shqipëri, në botën arbëreshe (ku romantizmi u shfaq për herë të parë); në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut; në qendrat e albanologjisë në Europë.

Ju ftojmë për pjesëmarrje me një kontribut tuajin në këtë konferencë, që organizohet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, me mbështetjen e ASHAK-ut, në bashkëpunim me institutet e albanologjisë dhe institucionet e kërkimit shkencor në trojet shqipfolëse dhe qendrat albanologjike.

Kjo konferencë, që merr shkas nga 200-vjetori i ndarjes nga jeta të G. Byron-it, është parashikuar të mbahet në fund të muajit qershor 2024 dhe do të ketë si linjë themelore çështje të “biografisë shqiptare” të Byron-it (jetës së tij në mjedisin shqiptar) dhe bashkëlidhur me të:

– Receptimin e veprave të tij në disa gjuhë e kultura të Europës;

– Vendin e shqiptarëve në një nga poemat më të njohura të tij;

– Bajronizmin si prirje dhe dukuri, konceptuar si një nga dukuritë më të hershme të mitit të traditës dhe dukurinë e osianizmit;

– Njohjen e veprave të Byron-it në variante të shqipëruara e të përfshira në studimet mbi letërsinë e huaj të përkthyer në gjuhën shqipe;

– Trajtimin e veprave që kanë pasur shtysë nga vepra e këtij autori anglez (nga letërsia arbëreshe deri tek “Alipashiada” e Shehretit të Delvinës);

– Vendin e Shqipërisë në rrëfimet e peregrinëve, udhëpërshkruesve të huaj, të konsujve dhe misionarëve të huaj në shekujt që lidhen me romantizmin si dukuri.

Në konferencë do të trajtohen edhe:

– Çështje të periudhës më të hershme të romantizmit (pararilindja arbëreshe);

– Të fillimeve të idesë së shqiptarësisë (“l’albanesità”);

– Të utopisë kombëtare të Rilindjes;

– Të lidhjeve të poetëve romantikë shqiptarë me më të shquarit e kohës në Europë (Jetonim De Rada dhe Alphonse de Lamartine, Victor Hugo, Frédéric Mistral); të qasjes romantike europiane në letërsi e dije ndaj protagonistëve të atij shekulli në hapësirën shqiptare (Victor Hugo, A. Dumas);

– Të urave të hershme mbiadriatike ndërmjet shqiptarëve dhe arbëreshëve.

Ka vend për kumtime rreth vëmendjes europiane për shqiptarët për shkak të ekzotikës dhe të kultit të Orientit (“Lux ex Orientae”); rreth fillimeve të romantizmit gjuhësor si paraprirës i romantizmit kombëtar; rreth ndikimit të receptimit të parë të vlerave etnodalluese shqiptare (besa, nderi, mikpritja) në përfytyrimin e mëvonshëm të tyre përgjatë dy shekujve.

Mirëpresim propozimin tuaj për pjesëmarrje me kumtim bashkë me një abstrakt sintetik prej 300 fjalësh deri në datat 22-23 maj 2024.

Tema e propozuar bashkë me abstraktin përkatës do të dërgohet në adresat elektronike:

[email protected][email protected]/atsh/KultPlus.com

Kryeministri Kurti bën homazhe në Studenicë në 25-vjetorin e masakrës: Ne as nuk harrojmë e as nuk falim

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar 25-vjetorin e Masakrës së Studenicës, ku tha se katër nëna e katër vajza të mitura nga 12 deri në 15 vjeç, njësitë paraushtarake serbe i vranë përnjëherë.

Kryeministri Kurti tha se njësite paraushtarake dhe policore të mbështetura edhe nga trupa ushtarake të Serbisë kryen masakër duke i vrarë nëntë anëtarë të familjes Lipaj.

Më poshtë gjendet shkrimi i plotë i kryeministrit Kurti në facebook:

Katër nëna e katër vajza të mitura (nga 12 deri në 15 vjeç) i vranë përnjëherë.

Më 13 prill 1999, në fshatin Studenicë të Istogut, njësite paraushtarake dhe policore të mbështetura edhe nga trupa ushtarake të Serbisë, kryen masakër duke i vrarë 9 anëtarë të familjes Lipaj. Në 25 vjetorin e kësaj masakre, bashkë me Vasfije Krasniqin, shkuam në Studenicë të Istogut për t’iu bashkuar familjarëve të viktimave në përkujtimin e kësaj masakre, për të bërë homazhe dhe për tu zotuar për drejtësi nga vendi ku është kryer ky krim.

Në pranverën e vitit 1999, mijëra banorë të fshatrave të Podgurit u strehuan në fshatin Studenicë, meqë aty ishte edhe shtabi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “Adrian Krasniqi”. Më 11 dhe 12 prill 1999, banorë të Vrellës dhe të Studenicës u strehuan në lagjen e Cakutajve në fshatin Kaliqan, mes tyre edhe 50 anëtarë të familjes Lipaj që deri në mbrëmjen e 12 prillit kishin qenë të strehuar në familjen e Sali Sokol Zeqirajt në Studenicë. Mbrëmjen e 12 prillit, mijëra banorë të zonës kalonin nëpër Kaliqan dhe shumica vazhdonin bjeshkëve me borë drejt Rozhajës.

Mëngjesin e 13 prillit 1999, baci Sali që ishte 86 vjeçar, bashkë me Sale Lipajn (64) dhe Hajrije Lipajn (62) si dhe me katër vajzat Qëndresa, Mirdona, Njomëza dhe Lindihana, u kthyen në shtëpi në Studenicë për të marrë bukë, rroba dhe barna. Aty u bashkuan me nënën e Lindihanës, Sabrijen (43) si dhe me Hatmane Mehajn nga fshati Tomoc, një grua e moshuar dhe me probleme shëndetësore.

Me të arritur në shtëpinë e Sali Sokol Zeqirajt, vajzat nisën t’i bëjnë gati rrobat dhe barnat, kurse nënat Sale, Hajrije dhe Sabrije morën punët të gatuajnë bukë dhe t’i pjekin në zjarrë. Por tymi i oxhakut u vërejt nga trupat ushtarake serbe që ishin pozicionuar në Kodër të Banjës, në Tomoc e Pollaqer, e të cilët i njoftuan njësitet policore dhe paraushtarake që ishin pozicionuar në malet e Studenicës, nën Kodër të Madhe, në malin te livadhi i Cakutve dhe te Pishat.

Atë paradite, policë dhe paramilitarë e rrethuan shtëpinë e Sali Zeqirajt, të cilin e vranë bashkë me 9 anëtarë të familjes Lipaj: Nezir Lipaj (1934), Sale Lipaj (1935), Hajrije Lipaj (1937), Fatime Lipaj (1933), Sabrije Lipaj (1956), Qëndresë Lipaj (1984), Mirdonë Lipaj (1986), Lindihanë Lipaj (1986) dhe Njomëz Lipaj (1985). Pasi që i vranë, forcat serbe i morën kufomat dhe i hodhën në pus, kurse mbi to hodhën eksploziv për ta shembur pusin mbi kufoma. Atë ditë, më 13 prill 1999, në Studenicë të Istogut u vranë edhe Sylejman Ramqaj (70), Sadik Ramqaj (72), Ali Belaj (75), Sadri Kuqaj (78), Have Kuqaj (76) dhe Sofe Hysenaj (79).

Deri sot, për këtë masakër e për këto krime nuk ka patur as proces gjyqësor, as aktakuzë dhe as të dënuar. Por ky krim sikur edhe krimet e tjera të kryera gjatë luftës, duhen hetuar duke ndjekur gjurmët e grumbulluar faktet si dhe duke marrë dëshmi nga dëshmitarët, për të ngritur aktakuza ndaj kryerësve dhe urdhërdhënësve. Republika e Kosovës me institucionet e saj, është e vendosur në adresimin para drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare të të gjitha krimeve të të gjitha llojeve të kryera nga shteti i Serbisë mbi shqiptarët e Kosovës. Ne as nuk harrojmë, as nuk falim!

Lavdi martirëve të vrarë në Studenicë të Istogut mes të gjithë të rënëve në rrugën e popullit të Kosovës drejt lirisë!

Jo vetëm në Vërmicë, qytetarët e Kosovës pritet të kalojnë pa kontroll edhe në pikëkalimet e tjera kufitare me Shqipërinë

Qytetarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë do të kalojnë përmes pikës kufitare të Vërmicës me procedura të shpejtuara përgjatë 9 muajve të vitit dhe në fundjavat e festave.

Megjithatë, pritet që Vërmica të mos jetë pikë kalimi kufitar i vetëm ku qytetarët e Kosovës do të mund të kalojnë më procedura të përshpejtuara.

Kështu ka njoftuar ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj përmes një postimi në rrjetin social, X, njofton klankosova.tv

Ai bëri të ditur se për të lehtësuar turizmin po punohet edhe për rishikimin e protokolleve te tjera në pikëkalimet kufitare si ajo në Valbonë, Shishtavec dhe në zona të tjera turistike.

“Po punohet për rishikimin e protokolleve të tjera për pika të përbashkëta të kalimit me Kosovën si pika e kalimit kufitar në Valbonë, pika e kalimit kufitar në Shishtavec dhe zona të tjera turistike për të lehtësuar turizmin dhe shkëmbimet e ngushta, kjo pa lënë mënjanë masat e nevojshme për të luftuar krimin ndërkufitar dhe çdo formë tjetër të trafikimit të mundshëm” – shkroi ai, përcjell klankosova.tv

Ndryshe, protokolli i rishikuar u nënshkrua në Tiranë nga ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla dhe ai i Shqipërisë, Taulant Balla.

Zbulohet lista e filmave pjesëmarrës në Kanë

Festivali i Filmit në Kanë ka zbuluar listën e tij të shumëpritur të vitit 2024, pas suksesit të jashtëzakonshëm të edicionit të vitit 2023, i cili shfaqi vepra të vlerësuara nga Jonathan Glazer, Martin Scorsese, Justine Triet, Todd Haynes, Aki Kaurismaki dhe Wim Wenders.

Edicioni i këtij viti duket po aq emocionues, raporton euronews.

Pikat kryesore midis përzgjedhjeve përfshijnë ofertën më të fundit të regjisorit “American Honey” dhe “Fish Tank”, Andrea Arnold, “Bird”, “The Apprentice” të Ali Abbasit, “Anora” të Sean Baker dhe “Kinds of Kindness” të Emma Stone të Yorgos Lanthimos.

Zgjedhja zyrtare e Filmit të Kanës 2024:

Nata e hapjes

“The Second Act” (regjia Quentin Dupieux; Jashtë konkurrencës)

Jashtë konkurrencës

“Furiosa” (regjisor George Miller)

“Horizont: An America Saga” (regji. Kevin Costner)

“She’s Got No Name” (regji. Peter Ho-sun Chan)

“Rumours” (regji. Guy Maddin, Evan Johnson, Galen Johnson)

Në konkurrencë

“Megalopolis” (regji. Francis Ford Coppola)

“The Apprentice” (regji. Ali Abbasi)

“Motel Destino” (regji. Karim Aïnouz)

“Zog” (regji. Andrea Arnold)

“Emilia Perez” (regji. Jacques Audiard)

“Anora” (regji. Sean Baker)

“The Shrouds” (regji. David Cronenberg)

“The Substance” (regjia Coralie Fargeat)

“Grand Tour” (regji. Miguel Gomes)

“Marcello Mio” (regji. Christophe Honoré)

“Caught by the Tides” (regji. Jia Zhangke)

“All We Imagine as Light” (regji. Payal Kapadia)

“Kinds of Kindness” (regji. Yorgos Lanthimos)

“Beating Hearts” (regjisor Gilles Lellouche)

“Wild Diamond” (regji. Agathe Riedinger)

“Oh, Canada” (regjisor Paul Schrader)

“Limonov” (regji. Kirill Serebrennikov)

“Parthenope” (regji. Paolo Sorrentino)

“The Girl with the Needle” (regji. Magnus von Horn)

Pa dyshim që marrin pjesë

“The Shameless” (regji. Konstantin Bojanov)

“Norah” (regji. Tawfik Alzaidi)

“Le Royaume” (regji. Julien Colonna)

“Vingt Dieux” (regji. Louise Courvoisier)

“Le Proces du Chien” (regji. Laetitia Dosch)

“The Village Next to Paradise” (regji. Mo Harawe)

“Black Dog” (regji. Guan Hu)

“September Says” (regji. Ariane Labed)

“The Damned” (regji. Roberto Minervini)

“L’Histoire de Souleymane” (regji. Boris Lojkine)

“On Becoming a Guinea Fowl” (regji. Rungano Nyoni)

“My Sunshine” (regji. Hiroshi Okuyama)

“Viet and Nam” (regji. Minh Quý Trương)

“Santosh” (regji. Sandhya Suri)

Shfaqje të veçanta

“La Belle de Gaza” (regji. Yolande Zauberman)

“Apprendre” (regji. Claire Simon)

“The Invasion” (regji. Sergei Loznitsa)

“Ernest Cole, Lost and Found” (regji. Raoul Peck)

“Le Fil” (regji. Daniel Auteuil)

Premiera e Kanës

“Miséricorde” (regji. Alain Guiraudie)

“C’est Pas Moi” (regji. Leos Carax)

“Everybody Loves Touda” (regji. Nabil Ayouch)

“The Marching Band” (regji. Emmanuel Courcol)

“Rendez-Vous Avec Pol Pot” (regji. Rithy Panh)

“Le Roman de Jim” (regji. Arnaud Larrieu, Jean-Marie Larrieu)

Mesnata

“Twilight of the Warrior” (regji. Cheang Pou-soi)

“I, the Executioner” (regji. Ryoo Seung-wan)

“The Surfer” (regji. Lorcan Finnegan)

“The Balconettes” (regji. Noemie Merlant)