Shfaqja “Negotiating Peace” e Blerta Neziraj do të luhet në Hamburg të Gjermanisë, në teatrin Kampnagel, si pjesëmarrëse e festivalit ndërkombëtar KRASS Festival.
“Drama, e shkruar nga Jeton Neziraj, merr shkas negociatat e paqes, duke përfshirë marrëveshjen e Dejtonit, marrëveshjet në Irlandën Veriore dhe ato të Lindjes së Mesme, si dhe bisedimet politike — ende pa shumë rezultat — ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, njofton Qendra Multimedia, e cila shkon për herë të dytë në këtë festival.
Rrëfimi dramaturgjik është frymëzuar nga libri i Richard Holbrooke “To End a War” dhe nga “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Ismail Kadaresë.
“Shfaqja tenton të ballafaqojë publikun me prapavijat, sfidat, frikat dhe shpresën që e shoqërojnë arritjen e një marrëveshjeje të paqes si dhe diskuton tema të rëndësishme: Kush mund të negociojë paqen? A u takon politikanëve legjitimeti për të bërë një gjë të tillë? A pajtohen vërtet njerëzit e zakonshëm pas nënshkrimit të ‘aktit të paqes’ në emrin e tyre? A mund të ketë falje kolektive, apo falja është akt individual?”, njofton qendra.
Në rolin kryesor luan Shkumbin Istrefi dhe në rolet e tjera Melihate Qena, Ema Andrea dhe aktorë nga Ukraina, Bosnja e Hercegovina, Estonia e Norvegjia.
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së akademikut Ali Aliu, çeli ditën e martë, më 02.04.2024, një ekspozitë e cila sjell në vëmendje të publikut gjithë kontributin e tij si kritik dhe studiues i letërsisë.
Letërsia shqipe e traditës dhe sidomos letërsia bashkëkohore janë fusha kryesore të punës së prof. Ali Aliu. Ai ndjek pa ndërprerje zhvillimet bashkëkohore në letërsinë shqipe, duke u kushtuar vëmendje të veçantë proceseve risuese dhe veprës së krijuesve më të shquar të saj. Është autor i librave me kritika, ese e studime: “Kërkime” (1971), “Shqyrtime” (1974), “Rrjedhave të letërsisë” (1977), “Kritika” (1980), “Teoria e letërsisë” (1986), “Don Kishoti te Shqiptarët” (1996, 2005), “Reflekse letrare” (1999), “Magjia e fjalës” (2003) etj.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore të BKSH-së.
Kryeministri Albin Kurti nga mbledhja e sotme e Qeverisë së Kosovës i ka ftuar qytetarët që “t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit të popullsisë”.
Kurti tha se shteti ka edhe shpërputhje të të dhënave, por edhe mungesë të tyre, ndërsa përmendi se kësaj here, në regjistrimin e popullsisë do të maten edhe dëmet e luftës, raporton Gazeta Express.
“Për herë të parë në këtë regjistrim të popullsisë është përfshirë pyetësori i dëmeve nga lufta 1998-1999 në ekonomitë familjare. Qytetarët do të mund t’i deklarojnë dëmet ekonomike, shumat e pronave të shkatërruara, si dhe dëmet në njerëz, familjarë të vrarë, të zhdukur, të plagosur apo të burgosur. Më saktësisht kjo periudhë përkufizohet prej 28 shkurtit të vitit 1998, pra Qirezi e Likoshani, deri më 12 qershor 1999, pra fillimi i tërheqjes së trupave të Serbisë nga Kosova sipas marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës”, tha Kurti.
Ai tha se rezultatet e regjistrimit të popullsisë do të sigurojnë edhe “një evidencë të së kaluarës”.
“Ky regjistrim që fillon të premtën, më datë 5 prill, përveç që do të na japë një pasqyrë të së tashmes, gjithashtu do të na e sigurojë edhe një evidencë të së kaluarës, që të mos kemi të dhëna të ndryshme për faktet e njëjta, dhe gjithashtu të mos kemi mungesë të të dhënave për ato që i dimë, sepse i kemi jetuar, përjetuar dhe familjarët vazhdojnë t’i vuajnë më së shumti sot e kësaj dite”, tha Kurti.
Ai i ka ftuar qytetarët që në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë të dërgojnë sa më shumë dëshmi dhe i ka ftuar prokurorët që të punojnë me urgjencë në këtë drejtim.
Ylli i muzikës, Shakira po promovon albumin e saj më të fundit “Las mujeres ya no lloran” dhe për këtë po përdor mënyra të ndryshme.
Këngëtarja kolumbiane po përgatitet të realizojë koncerte falas në Mexico City, Bogota dhe Rio de Janeiro. Nuk është ende e konfirmuar, të paktën në rrugë zyrtare, por besohet se Shakira do të performojë në këto qytete të mëdha.
Një lëvizje e tillë e këngëtares vjen pasi ajo organizoi një koncert falas në “Times Square” të New York-ut, ku më shumë se 40,000 fansa u dyndën për të parë yllin e muzikës duke thyer një rekord audience të mbledhur ndonjëherë në “Times Square”.
Pas intervistave që Shakira dha për mediat në mbarë botën, duke folur për ish-partnerin e saj Pique, i cili është babai i fëmijëve të saj Milan dhe Sasha, koncerti që dha në New York u pa si një dhuratë për fansat që e kanë mbështetur atë të dominojë tregun amerikan.
Në këto koncerte falas që do të mbahen pritet të këndohen edhe projekte nga albumi i fundit i artistes i cili është i pari në 7 vite. / KultPlus.com
Shqiptari është europian: për më shumë se dy mijë vjet ka jetuar atje ku jeton tani – në fortesat e Epirit dhe Ilirisë, përtej Adriatikut paralel me thembrën e Italisë. Në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, shqiptarët u përzienë me fqinjët e tyre jugorë, grekët dhe ishin shtylla kurrizore e luftës për pavarësinë e Greqisë.
Bashkatdhetarët e Marko Boçarit emigruan të gjithë në Cefaloni, në brigjet e Greqisë, por afro 2 milionë shqiptarë më të pafatë jetojnë tashmë nën sundimin turk.
Sot shqiptarët, arabët, armenët, bullgarët, grekët, serbët dhe vetë turqit po vuajnë, siç ka ndodhur prej dekadash, nga plaga e sundimit turk.
Nga këta popuj të pafat, shqiptarët janë të parët që duhet të tërheqin vëmendjen e një bote joegoiste.
As rrahjet me thupra, as arma, as topi, as mërgimi, as burgimi, as edhe vetë vdekja nuk i tund nga vendi”.
Folësi ishte një shqiptar i ri në moshë që një pjesë të shkollës e kishte bërë në SHBA. Ai është rikthyer tani në vendin e tij, ku po punon me zell të madh për popullin e tij.
Eshtë një prej të paktëve njerëz të arsimuar në Shqipëri, por synon që brezi i ardhshëm të mos i numërojë me gishta burrat dhe gratë e arsimuara të Shqipërisë.
Fjalët e përmendura më sipër u paraprinë prej këtyre: “Për momentin, nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim të Shqipërisë, të gjithë klasat e njerëzve – muslimanë dhe të krishterë qofshin – kanë një dëshirë, pothuajse një pasion për arsimin kombëtar.
Të gjithë ata e kuptojnë që, ashtu sikurse në të kaluarën shpata ishte simbol i fuqisë, sot arsimi është perëndesha e fuqisë, dhe ata do të arsimohen, pavarësisht persekutimit”.
Shqiptarët janë vetëdijësuar për nevojën që kanë për qytetërimin dhe progresin perëndimor. Por, që nga dita e parë e miratimit të Kushtetutës së re otomane, turqit e rinj ishin të vendosur që qytetërimi duhej të vinte tek shqiptarët, vetëm pasi të kishte kaluar në një sitë turke dhe mohamedane.
Ky program nuk mund të pranohej nga shqiptarët, edhe sikur turqit e rinj të kishin qenë në gjendje ta vinin në zbatim.
Shqiptari është europian: për më shumë se dy mijë vjet ka jetuar atje ku jeton tani – në fortesat e Epirit dhe Ilirisë, përtej Adriatikut paralel me thembrën e Italisë.
Në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, shqiptarët u përzienë me fqinjët e tyre jugorë, grekët dhe ishin shtylla kurrizore e luftës për pavarësinë e Greqisë. Bashkatdhetarët e Marko Boçarit emigruan të gjithë në Cefaloni, në brigjet e Greqisë, por afro 2 milionë shqiptarë më të pafatë jetojnë tashmë nën sundimin turk.
Gjatë 125 viteve para zbulimit të Amerikës, republika krenare e Venecias kishte një supremaci dashamirëse mbi qytetet shqiptarë të bregdetit, dhe kështu që e vonoi me një shekull dominimin turk. Me rënien e Skutarit në Shqipëri dhe dëbimin e venecianëve nga turqit në vitin 1748, këta të fundit filluan sundimin e tyre – shekuj të tërë mashtrimi, bese të thyer dhe mizorie.
Rezultati i sundimit turk mund të përmblidhet me zhytjen më thellë të shqiptarëve në varfëri, supersticion, dhe etje për gjak, për shkak të terrenit pjellor që garantonin historia malore dhe tiparet primitivë. Përgjatë dy mijëvjeçarëve, valët dhe impulset e progresit nuk e kanë arritur shqiptarin, ose e kanë anashkaluar, duke e lënë të paprekur.
Hakmarrja praktikohet ende
Sot, ashtu si në të kaluarën, është e vërtetë që një në pesë malësorë flijohen prej hakmarrjes së tmerrshme, që vetëm qytetërimi mund ta çrrënjosë nga jeta e shqiptarit. Të qëllosh një person, edhe tinëz, është çështje e marrjes së gjakut.
Asgjë tjetër nuk mund ta kthejë nderin e plagosur. Nëse nuk vritet vetë vrasësi, atëherë një prej të afërmve duhet të jetë viktima, e kështu nis zinxhiri i pafund. Kur hakmarrja ka shkuar shumë larg, mund të blihet nëse ke para të mjaftueshme, ose mund të ndalet përmes disa prej kompleksiteteve të kodit të shqiptarit.
Askush nuk duhet të flasë për shqiptarin si njeri pa ligje. Ai zbaton në mënyrë skrupuloze atë që njeh dhe pranon: por, këta janë ligjet që i kanë dhënë natyra dhe zakonet, si dhe natyra e paraardhësve të tij shekuj më parë, të “kodifikuar” disi në shekullin 15, ndonëse edhe sot e kësaj dite nuk janë hedhur asnjëherë në letër.
Disa prej rregullave të çuditshëm që udhëheqin jetën e tij janë: Persona që e kanë prejardhjen nga një stërgjysh i përbashkët mashkull, përmes linjës mashkullore, e konsiderojnë njëri-tjetrin vëllezër, ose vëlla e motër, e si pasoja martesa brenda fisit përjashtohet.
Të rinjtë mund të betohen për vëllazëri, dhe kjo krijon një marrëdhënie që i nënshtron të dy, bashkë me pasardhësit e tyre të disa brezave, para të njëjtëve ligjeve martesorë që rregullojnë edhe lidhjet e gjakut.
Personat që kanë të njëjtin kumbar nuk mund të martohen, dhe ka dy lloj kumbarësh: ai i pagëzimit dhe ai i flokut. Kur një fëmijë, vajzë apo djalë, mbush 2 vjeç, flokët e tij që deri atë çast nuk janë prekur prej gërshërëve, priten me ceremoni. Prerjen e kryen kumbari, që më pas, nëse fëmija është i krishterë lë nga një tufë flokësh për secilën majë të busullës duke krijuar një kryq. Nëse është mysliman, tri tufa për të formuar një trekëndësh. Në rastin e hakmarrjes, burri nuk duhet prekur nëse shoqërohet nga një fëmijë apo një grua.
Personalitet i pathyeshëm
Sot, shqiptari është personaliteti më piktoresk në Europë. Megjithatë, po aq interesante sa tiparet e tij, është edhe e ardhmja e tij politike. Kohët e fundit është shfaqur vetëdija kombëtare shqiptare që refuzon të shtypet. Nën qeverisjen jonormale të turqve, racat e ndryshme të krishtera të Perandorisë, si armenët otomanë, bullgarët otomanë dhe grekët otomanë, kanë secila ekzistencën e tyre kombëtare, një shtet brenda shtetit, ndonëse gjithmonë të nënshtruar vullnetit të turqve. Shqiptarët, ndonëse në përgjithësi kanë zhvilluar një lloj besnikërie myslimane që u jep një pothuajse solidaritet me turqit, janë të vendosur që të kenë edhe ata një entitet kombëtar.
Ndonëse janë të mallkuar me prapambetjen që ka shoqëruar pak a shumë kudo besimin mohamedian, liderët e tyre e kuptojnë se nuk janë një racë orientale, por perëndimore. Se tiparet e tyre turko-mohamedianë janë një lustër, dhe se do të mjaftojë një brez me arsimin e duhur për të bërë kërcimin e madh përpara dhe për të zënë vendin e tyre mes racave të qytetëruara të gadishullit të Ballkanit.
Jo i papajtueshëm me nacionalizmin e ri shqiptar – madje mund të jetë arsyeja e tij – është fakti që shqiptari është një prej anëtarëve më individualistë të racës njerëzore. Po të mos kish qenë i tillë, ai do e kishte humbur shumë kohë më parë identitetin e tij, duke u shkrirë me popujt e ndryshëm që përgjatë kohërave u kanë ardhur rrotull maleve shqiptare. Pavarësisht sulmeve të vazhdueshëm të romakëve, gotëve, serbëve dhe bullgarëve dhe 350 viteve dominim të Turqisë, shqiptari e ka ruajtur individualitetin e tij të pathyeshëm. Crispi, burri i shtetit italian ka qenë me prejardhje shqiptare. Ai ishte pjesëtar i kolonisë së madhe të shqiptarëve në Sicili dhe Italinë e jugut, paraardhësit e të cilit, afro njëqind mijë, emigruan kur Turqia pushtoi Shqipërinë. Edhe sot e kësaj dite, shqiptarët e Italisë e ruajnë prejardhjen e tyre. Mosgatishmëria ose paaftësia e shqiptarëve për të ndryshuar individualitetin e tyre reflektohet tragjikisht në ekzistencën e vazhdueshme të sistemit fisnor shqiptar dhe grindjet e përhershme mes fiseve. Si rezultat, Shqipëria nuk ka mundur të paraqesë një front të bashkuar kundër një armiku të përbashkët.
Vetëm një hero i madh bashkues kombëtar ka dalë për shqiptarët – Skënderbeu. Ai vdiq në vitin 1467, pasi fitoi 21 beteja kundër turqve. Vdekja e tij e la Shqipërinë pa udhëheqës, dhe shqiptarët trima që nuk njihnin besnikëri apo ligj tjetër përtej atij të familjes dhe klanit, ranë në sundimin e Mehmetit II, pushtues i Kostandinopojës. Mehmeti mundi t’i shtypte, por jo t’i nënshtronte shqiptarët. As edhe sulltanët e mëvonshëm nuk kanë arritur ta plotësojnë këtë dëshirë të madhe. Më e mira që mund të bënin ishte t’i bënin për vete, dhe deri në ditën e fundit të tiranisë së Abdyl Hamitit, shqiptarët trajtoheshin si popull i veçantë. Hamiti ua bleu besnikërinë duke mos u vënë taksa, duke frenuar rekrutimin ushtarak dhe duke përzgjedhur më të mirët e këtyre malësorëve të ashpër si truprojat e tij personale.
Turqit e rinj ishin të pamëshirshëm
Kur pas vitit 1908, turqit e rinj kishin miratuar Kushtetutën e tyre dhe po përpiqeshin me shumë mundime të vinin rregull në Perandorinë otomane, trajtimi i Shqipërisë ishte një prej problemeve më delikatë. Duhej të ishte bërë më me kujdes. Përmes një trajtimi delikat, përmbushjes së premtimeve dhe shfaqjes se një simpatie të drejtë për aspiratat e një race injorante por shumë të zotë, turqit e rinj do të kishin qenë në gjendje të ngrinin dhe forconin në provincën e Shqipërisë një barrierë të padepërtueshme ndaj agresionit europian. Në vend të kësaj, ata kanë ndjekur një rrugë që është përshkruar siç duhet nga korrespondenti në Kostandinopojë i “Times”-it të Londrës, si politika e rulit me avull. Duke injoruar këshillat e çdo politikani me përvojë, turqit e rinj nxituan t’i “trajtonin” shqiptarët njësoj si fshatarët injorantë turq në Azinë e Vogël. Asnjë strategji tjetër nuk do të kish qenë më e pavend dhe më e destinuar të dështonte.
Shenjat e para te nje kundershtimi u dhane që ne vjeshtën e vitit 1909, por duhej të vinte pranvera e vitit 1910 që një revoltë të merrte përmasa serioze. Në 5 prill të atij viti, shqiptarët myslimanë të skajit verilindor të Shqipërisë rrëmbyen armët kundër qeverisë. Për pak ditë rebelët mbajtën Kaçanikun, por 50 mijë trupa turke u dërguan menjëherë në rajon dhe lëvizja u shtyp. Ajo pati një karakter lokal dhe nuk kishte organizim. Shqipëria si e tërë nuk ishte qëllimi i saj.
Megjithatë, turqit e rinj menduan se kishte ardhur koha t’u jepnin një mësim shqiptarëve të pabindur. Trupat që ishin mbledhur për të shtypur kryengritjen marshuan nëpër Shqipëri. Një divizion shkoi në perëndim, në Shkodër. Ata përshkuan rrugë malore që për breza të tërë ishin mbyllur për këdo që udhëtonte i shoqëruar nga një ushtar turk, sepse shqiptarëve nuk u pëlqente uniforma e autoritetit turk. Por tani malësorët, të zënë në befasi, do të çarmatoseshin. Pas shtypjes që kishin pësuar sivëllezërit e tyre, më të paktë në numër dhe të gjendur përballë automatikëve – një tmerr i pazakontë për shqiptarët e thjeshtë – nuk kishte shpresë për rezistencë. Armët e tyre – krenaria dhe zotërimet – iu morën, dhe shqiptarëve iu “dha një mësim” mizor. Një tjetër divizion i forcave turke marshoi në jug dhe penetroi në luginat paqësore të Shqipërisë.
Në Elbasan, udhëheqësit intelektualë të Shqipërisë së Re kishin hapur një shkollë normale. Ata po përpiqeshin të përgatisnin shqiptarët që të bëheshin mësues të bashkatdhetarëve të tyre injorantë në të gjithë vendin. Përdornin gjuhën shqipe dhe, sipas votimit të një kongresi shqiptar të një viti më herët, e shkruanin këtë gjuhë – një gjuhë europiane – me shkronja latine. Nën Abdul Hamitin, çdo përpjekje për të shkruajtur apo dhënë mësim në gjuhën shqipe ishte shtypur. Vetëm në shkollat e misioneve austriakë dhe italianë në veri të Shqipërisë, ku ofrohej propaganda austriake dhe italiane, dhe jashtë survejimit të Sulltanit, kishte qenë e mundur që shqiptarët të studionin në gjuhën e tyre.
Sa për një alfabet, politikanët austriakë që mbështesin punën misionare të priftërinjve austriakë dhe nuk pushojnë asnjëherë së çuari përpara skemat austriake, shihnin me dyshim nga një e ardhme për Shqipërinë, liderët e të cilës të mësuar në Itali apo Austri do të bashkoheshin nga një gjuhë dhe alfabet i përbashkët. Kështu u krijua një alfabet i gjatë dhe iu ofrua fëmijëve në shkollat e misioneve austriakë. Kjo do të ndihmonte për të krijuar të çara për të ardhmen, kur Austria shpresonte që do të trashëgonte këtë tokë dhe do të kishte të nevojshme të përdorte tiraninë e saj dinake për të austrianizuar shqiptarin.
Shkolla normale e Elbasanit, me alfabetin e saj latin dhe e çliruar prej propagandës së huaj ishte një rreze drite në errësirën e Shqipërisë. Ajo nuk kishte ndarje fetare – myslimanët dhe të krishterët ishin vëllezër pa dallim. Themeluesit kishin vetëm një qëllim, lartësimin e racës shqiptare. Ata nuk ishin revolucionarë në kuptimin politik të fjalës. Ata donin të bashkëpunonin me qeverinë e turqve të rinj, dhe vetëm kërkonin që zbatimi i kushtetutës së re të kishte diçka të përbashkët me premtimet e saj themelorë.
Por kur ushtarët turq erdhën në Elbasan në verën e vitit 1910, u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Të gjithë ata që shiheshin se kishin lidhje me shkollën normale apo simpatizonin përparimin e saj u ndoqën, u sollën para autoriteteve ushtarakë dhe u rrahën në një mënyrë shumë mizore për t’u rrëfyer. Rrahja me thupra dhe kamzhik u zbatuan për shumicën e njerëzve të iluminuar në Elbasan. Financieri i shkollës normale u fshikullua përtej çdo imagjinate. Drejtori dhe shumë prej mësuesve u arratisën. Autoritetet ushtarakë kërkuan dhe rrahën personat përgjegjës për një telegram që ishte dërguar në drejtim të Kostandinopojës, ku kërkohej që mësimi në shkollat shqiptare duhej bërë në gjuhën shqipe dhe me gërma latine. Më tej ushtarët marshuan për të bërë punë të tjera “pasi kishin mbyllur atë shkollë dhe u kishin dhënë shqiptarëve një mësim për t’u mbajtur mend”.
Kryengritjet e shqiptarëve
Me kalimin e 1910, telashet nisën të shtohen për turqit në kancelaritë e Europës, sidomos për skandalin e orgjive të ushtrisë në Shqipëri dhe mbylljen e shkollës normale, ashtu sikurse dhe për çarmatimin brutal të të krishterëve në Maqedoni. Në Europë ekzistojnë gjithmonë disa palë, interesat politikë të të cilave mund të çohen përpara duke përkrahur të shtypurit. Dhe ndonëse ishin motive hipokritë ata që vunë në lëvizje shumë burra shteti europianë që ndihmuan për shfaqjen hapur të këtyre ngjarjeve, e vërteta e bëmave të turqve të rinj në Shqipëri dhe Maqedoni gradualisht u bë e njohur për të gjithë.
Turku i ri ishte shfaqur tamam si biri i babait. Udhëheqësit panë që kishin bërë një gabim, por ata nuk do ta pranonin dhe ngjarjet e mëvonshme kanë treguar se nuk ndërruan mendje. Në prill 1911 ndodhi një kryengritje e malësorëve në provincën e Shkodrës, në veriperëndim të Shqipërisë përgjatë kufirit me Malin e Zi. Revolta ishte një prej përpjekjeve të parakohshme dhe të pafata të një populli të dëshpëruar dhe trim, por të përçarë, për t’u hedhur kundër zgjedhës së patolerueshme. Në vend të shndërrohej në një revoltë të përgjithshme, kryengritja mbeti e kufizuar në skajin më verior të Shqipërisë.
Patriotët e vërtetë të të gjithë Shqipërisë i hedhin tutje dallimet fetarë dhe fisnorë kur gjenden përballë fakteve të mëdhenj të një trashëgimie të përbashkët dhe kundër një zgjedhe të përbashkët. Ata, pjesëtarët e arsimuar të racës së tyre, po luftonin fort vitin që kaloi për një përpjekje të përbashkët në kërkim të drejtësisë për të gjithë Shqipërinë. Fatkeqësisht, këta udhëheqës ishin të keqorganizuar, pa financime dhe pa përvojë. Ata nuk morën mbështetje prej pjesës më të madhe të fiseve myslimanë, shumë prej të cilëve, megjithatë kishin qenë kaq të çarmatosur saqë nuk mund të mendonin të bashkoheshin në një rebelim. Mirditorët katolikë, një fis i fortë në jug të Shkodrës kishin pak pushkë, të gjitha të vjetra dhe hezituan të vijnë në ndihmë të revoltës së malësorëve, deri kur ishte shumë vonë.
Mali i Zi ishte shtylla mbështetëse e kryengritjes, përmes mbështetjes që ai dhe qytetarët e tij i dhanë refugjatëve shqiptarë të cilët dimrin e mëparshëm kishin kaluar kufirin dhe që në pranverë u rikthyen në Shqipëri, gati për luftë. Në këtë mënyrë u “gropos” thika që për breza të tërë ishte hequr nga këllëfi mes sllavëve të Malit të Zi dhe shqiptarëve autoktonë.
Por, Mali i Zi u gjend rrezikshëm i përfshirë në çështjet shqiptare, në mospërputhje me diplomacinë europiane dhe sidomos mikun e vet, Rusinë. Kështu që, në fund Mali i Zi e la Shqipërinë në baltë. Pavarësisht këtij fakti, turqit u detyruan të bënin paqe me malësorët rebelë, duke u bërë atyre kaq shumë lëshime, saqë nisën të shfaqen ankesa nga popullsia myslimane e Shkodrës, që nuk ishte rebeluar.
“Cfarë! Ju i ofroni favore rebelëve”, thanë ata. “Po kush ju ka qëndruar besnikë, pavarësisht plagëve të vjetra”. Ishte njësoj si ankesa e djalit joplangprishës. Fatkeqësisht, turku nuk mundej të zbuste fëmijët e tij besnikë, ashtu siç bëri dikur babai çifut. Sa për marrëveshjen me malësorët, nuk dihej se sa do të zgjaste.
Shkollat vetëm do i lehtësojnë
E ardhmja e Shqipërisë varet jo vetëm nga vullneti i Austrisë, Italisë, Malit të Zi që mbështetet nga Rusia, i Greqisë dhe i vetë Turqisë, ku secili prej këtyre është i vendosur që të ketë pjesën e vet shqiptare të tortës. E ardhmja e Shqipërisë varet shumë nga sasia e arsimit që mund të vihet në zbatim përpara se të përcaktohet përfundimisht fati i 2 milionë banorëve. Me përjashtim të Znj Edith Durham, gruaja angleze që i ka shkelur vetë zonat më të egra dhe të rrezikshme të Shqipërisë, askush nuk e njeh më mirë këtë vend se sa Z. James D. Bourchier, që për një brez të tërë ka qenë korrespondent special i “London Times” në Ballkan. Artikulli i tij i jashtëzakonshëm për Shqipërinë në edicionin e ri të Encyclopedia Britannica, pasi flet për betejat e grupeve të izoluar të shqiptarëve konkludon: “Rritja e një ndjenje më të fortë patriotike duhet të varet nga përhapja e arsimit në popull”.
Nëse arsimi përhapet pa pengesa në Shqipëri, edhe shqiptarët do të fillojnë të kujdesen për vetveten. Shumë prej shqiptarëve të krishterë në qytetin e Shkodër janë arsimuar dhe kanë siguruar begati, falë italianëve dhe austriakëve. Ata i druhen sidomos fanatizmit të vëllezërve të tyre myslimanë, ndonëse në malet disa kilometra larg, mes familjeve të malësorëve injorantë, si feja e krishterë ashtu edhe ajo myslimane mund të zënë vend nën të njëjtën cati, dhe ritet e krishterë e myslimanë mund të kryhen edhe në një ndërtesë të vetme.
Disa herë autori i këtij artikulli ka pyetur shqiptarë myslimanë të arsimuar, të interesuar për kauzën e racës së tyre, përse nuk u kanë predikuar myslimanëve të Shkodrës dhe gjetkë vëllazërinë mes të krishterëve dhe myslimanëve. Pa hezitim, por me turp dhe me buzët shtrënguar, përgjigja ka qenë çdo herë e njëjta: “Eshtë e pamundur. Myslimanët janë injorantë. Në fillim duhet të arsimohen, pastaj do të kuptojnë”.
Pak përpara shpërndarjes së parlamentit, në janar 1912, një deputet shqiptar, njëri prej kryezëdhënësve të racës së tij dhe për momentin lider i rebelëve, deklaroi: “Nëse turqit vazhdojnë të të përbuzin joturqit, ata do e rrënojnë vendin e tyre. E them këtë sepse i dua turqit, ekzistenca e të cilëve është e nevojshme për ne”. Deputeti shqiptar fliste për popullin e tij.
Shqiptari ka frikë nga e ardhmja
Shqiptari ka frikë se mos, në vend që të sigurojë lirinë për të cilën është lutur dhe ka luftuar, malet e tij të shtrenjtë dhe luginat pjellore do të ndahen mes shteteve ndërluftues, dhe se mos ai absorbohet nga një racë e huaj. Austria kërcënon të vijë nga veriu. Italia kanos nga përtej brigjeve të Adriatikut. Këta janë dy armiq që shqiptarët i urrejnë më keq se sa turqit, pavarësisht shkollave, spitaleve dhe kishave që përfaqësuesit e tyre kanë ndërtuar në veriperëndim të Shqipërisë. Shqiptarët i tremben Austrisë dhe Italisë tamam si një polak profetik mund t’i jetë trembur tre grabitësve të tokës mëmë. Shqiptarët i druhen po kështu një konference europiane për këtë qëllim, se mos Mali i Zi dhe Greqia lejohen që të zgjerohen në kurriz të shqiptarëve. Alternativa ideale që ai do të dëshironte është një Turqi e mirëqeverisur, për të cilën ai do të jetë një prej “ledheve mbrojtes”.
Megjithatë, breza të tërë sundimi turk i kanë mësuar se nuk duhet të presë drejtësi nga turqit. Revolucioni i korrikut 1908 ofroi një rreze të përkohshme shprese, por errësira e dëshpërimit u rikthye menjëherë, më e zezë se më parë. Ndëshkimi me thupra, plumbi dhe qelia e burgut kanë qenë shpërblimi i vetëm pas kërkimit për “diçka më të mirë”. Eshtë e vërtetë që, shqiptarët që kishin qenë neglizhuar për shekuj të tërë nuk ishin të gatshëm që të pranonin me mirësi disa prej kushteve të “Konstitucionalizmit”. Fshatari injorant, që nuk ka paguar asnjëherë taksa dhe nuk është rregjistruar asnjëherë për shërbimin ushtarak, nuk e vlerësonte “barazinë” e re, që iu manifestua atij përmes pagesës së taksave ashtu sikurse të gjithë banorët e tjerë të Turqisë, si dhe për kontributin e kuotave të tij për martirët në tokat e largëta të Jemenit.
Shqiptarët kanë shumë gjëra për të mësuar. Arsimi mund të kishte ardhur tashmë përmes udhëheqësve të tyre të iluminuar.
Por turku budalla bëri të vetmen gjë që dinte të bënte – ai marshoi me ushtri drejt Shqipërisë. Si pasojë, në vend që të shfrytëzonte shanset e një besnikërie entuziaste, ai rrënjosi edhe më tej ndjenjat e kahershme të mosbesimit dhe urrejtjes.
Spekulimet për të ardhmen e Shqipërisë të çojnë vetëm në labirinte të papenetrueshëm, pasi problemi i Shqipërisë është i lidhur ngushtë me Cështjen e Lindjes, ajo që ka munduar Europën për breza të tërë. Lufta e Krimesë u luftua për ta zgjidhur atë, por në një formë më të komplikuar ajo u rikthye në luftën ruso-turke 1877-1878. Të dërguarit e Europës në Berlin në vitin 1878 djallosën Traktatin e Berlinit. A mos është shumë të shpresojmë që ka ardhur koha për daljen e një brezi më dashamirës diplomatësh? Megjithatë, Lindja e Afërt shpreson gjithmonë për një zgjidhje dhe për t’u dhënë fund kushteve që, me turqit e vjetër dhe tanime të rinjtë, po e bëjnë Perandorinë Otomane thjeshtë një legjendë.
Sot shqiptarët, arabët, armenët, bullgarët, grekët, serbët dhe vetë turqit po vuajnë, siç ka ndodhur prej dekadash, nga plaga e sundimit turk. Nga këta popuj të pafat, shqiptarët janë të parët që duhet të tërheqin vëmendjen e një bote joegoiste. / bota.al / KultPlus.com
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së akademikut Ali Aliu, hapi sot një ekspozitë e cila sjell në vëmendje të publikut gjithë kontributin e tij si kritik dhe studiues i letërsisë.
Letërsia shqipe e traditës dhe sidomos letërsia bashkëkohore janë fusha kryesore të punës së prof. Ali Aliu.
Biblioteka Kombëtare kujton se, prof. Ali Aliu ndjek pa ndërprerje zhvillimet bashkëkohore në letërsinë shqipe, duke u kushtuar vëmendje të veçantë veprës së krijuesve më të shquar të saj. Ali Aliu është autor i librave me kritika, ese e studime: “Kërkime” (1971), “Shqyrtime” (1974), “Rrjedhave të letërsisë” (1977), “Kritika” (1980), “Teoria e letërsisë” (1986), “Don Kishoti te Shqiptarët” (1996, 2005), “Reflekse letrare” (1999), “Magjia e fjalës” (2003) etj.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore të BKSH-së.
Ndërkohë Akademia e Shkencave e Shqipërisë e uroi anëtarin e saj të jashtëm Ali Aliu, gjatë një tryeze shkencore kushtuar jubileut të lindjes së tij, organizuar në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave e Arteve të Kosovës.
Në këtë tryezë morën pjesë e referuan nga Tirana shkrimtari Zija Çela, dr. Arian Leka (përgjegjës i sektorit të enciklopedisë në QBEA), akad. Shaban Sinani. Pjesëmarrës në linjë ishte edhe akad. Matteo Mandalà, anëtar i jashtëm i ASHSH.
Akademik Ali Aliu lindi më 1 prill të vitit 1934 në Prespë. Ai është autor i 65 studimeve monografike dhe përmbledhjeve me studime. Ka mbi 130 artikuj shkencorë të botuar dhe mbi 100 recensione; përkthyes nga shqipja në gjuhë të fqinjëve i 25 veprave dhe redaktor shkencor e përgatitës botimesh për rreth 50 tituj. / atsh / KultPlus.com
Çdo vit Pashkët arbëreshe janë një festë madhështore ndër arbëreshët e Kalabrisë, që manifestohet përmes riteve, traditës, aktiviteteve kulturore dhe shijes e gatimeve arbëreshe.
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët kujton se, një festë unike dhe ndjellëse është edhe “Vallja” që festohet prej 500 vjetësh në katundet e Kalabrisë, duke i qëndruar besnikë traditës.
Frasnita (Frascineto) është një prej katundeve arbëreshe e ndodhur në krahinën e Kozencës (Kalabri), që e ka simbol të gdhendur në kulturën arbëreshe të komunitetit “Valljen” aq sa edhe Frasnita quhet ndryshe si “katundi i vallevet”.
“Vallja” që për këtë vit festohet sot, më 2 prill, përjetohet sërish si një ngjarje e rëndësishme në komunitet që shpalos identitetin dhe rrënjët historike të arbëreshëve. Ajo konsiston në një vallëzim në grup, ku gratë e burrat të veshur me kostumet tradicionale madhështore arbëreshe të kapur përmes shamive të bardha kërcejnë nën tingujt emocionues të këngëve me motive dashurie dhe epike ku i këndohet fitoreve dhe arritjeve të heroit legjendar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
“Vallja” përjetohet ende si një ngjarje e rëndësishme në komunitet që shpalos identitetin, rrënjët historike të arbëreshëve të Italisë të ruajtura me dashuri dhe përkushtim për më shumë se 500 vjet./ atsh / KultPlus.com
Prodhuesi i veshjeve sportive ”Adidas” dhe Federata Gjermane e Futbollit (DFB) kanë bllokuar shitjen e fanellave të kombëtares gjermane me numrin 44 në përgjigje të kritikave për dizajnin, i cili i ngjan një simboli nazist.
”Ne do të bllokojmë personalizimin e fanellave në dyqanin tonë online”, deklaroi zëdhënësi i ”Adidas”, Oliver Bruggen.
Nga e hëna pasdite në dyqanin online ”Adidas” nuk mund të personalizoni më këmisha me emrin dhe numrin tuaj. Ndërkohë DFB ka ndërprerë dorëzimin e bluzave me numrin 44 të porositura tashmë në dyqanin e saj online.
Përdoruesit e mediave sociale kohët e fundit vunë re se numri 44 në dizajnin e ri, i zbuluar muajin e kaluar, i ngjan logos së Schutzstaffel (SS), një organizatë e madhe paraushtarake nën Adolf Hitlerin dhe partinë naziste.
Adidas u kritikua ashpër, por Brüggen tha se “DFB dhe partneri i saj ”11teamsports” janë përgjegjës për hartimin e emrave dhe numrave”./ atsh / KultPlus.com
Aleanca Veri-Atlantike NATO, ka realizuar një dokumentar rreth misionit të saj, gjatë 75 viteve të fundit në disa shtete të ndryshme.
Që nga momenti që është themeluar në vitin 1949 e deri në përforcimin e Evropës Lindore në vitin 2022, ky dokumentar ka përfshirë të gjitha momentet që përcaktojnë organizatën përmes përvojave të njerëzve që kanë parë këto momente.
Gjatë dokumentarit përmendet se si NATO në vitet e 90’, ka ndihmuar që të përfundojnë konfliktet etnike në Ballkan Perëndimor, përfshirë këtu edhe Kosovën.
“Presidenti i Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, urdhëron një goditje brutale ndaj shqiptarëve në Kosovë”, nis shpjegimi i ngjarjeve në Kosovë gjatë asaj kohe.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjatë viteve 1995-1999, Javier Solana, është shprehur se ne duhet të ndalojmë dhunën dhe t’i japim fund një katastrofe humanitare që po ndodh tani në Kosovë.
NATO nis një fushatë ajrore në vitin 1999 për të ndalur krizën humanitare që po shpaloset në Kosovë, dhe gjatë dokumentarit thuhet se “Ndërhyrja e NATO-s i dha fund konfliktit”.
Tutje, në dokumentar thuhet se sot KFOR, Forca e NATO-s në Kosovë, që është themeluar në qershor të vitit 1999 nën mandatin e një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, vazhdon të ofrojë siguri për të gjithë njerëzit në Kosovë. / KultPlus.com
Kryeministri, Albin Kurti, mbrëmë, mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit ‘’Rikard” në Kino Armata, në Prishtinë, dokumentar ky që ri-jetësoi aktorin Rikard Ljarja, njërin nga aktorët më të mëdhenj shqiptar.
“Çdo dokumentar i konceptuar për artistin, është dyfish i tillë. Dokument i krijimit të njërit me krijimin që e sjell tjetri. Sonte do të shohim dokumentarin e dy të mëdhenjve. Miq të artit e të mendimit’’, tha në krye të herës së fjalës së tij kryeministri Kurti, para shumë artistëve e të pranishmëve në Kino Armata.
Rikardi, sipas kryeministrit, i dhuroi kinemasë një nga ikonat më simbolike.
“Teksa fliste për aktorin e madh shqiptar, ai veçoi se kur arti bën punën e vet përtej kodeve dhe direktivave, nis e zë fill një betejë sa e heshtur aq edhe fatale mes dhuntisë së artit dhe dhunës së propagandës, sepse një talent si i Rikardit vendos teprinë e talentit mbi kufizimet e lirisë|, thuhet në njoftimin e e Qeverisë.
“Mos t’i harrojmë filmat si ‘Komisari i dritës’ dhe ‘Dueli i heshtur’. Sepse në këta filma, brenda propagandës lëvrin apo regëtin talenti specifik i fushës dramatike. Arti shqiptar kishte nevojë për zë e për portret. Arti kinematografik kishte nevojë edhe për figurat e veta emblematike. Rikard Ljarja, Ndrekë Luca, Dhimitër Furxhiu, Agim Qirjaqi, Jani Riza, Kadri Roshi, apo dhe Mevlan Shanaj, sot dhe këtu si regjisor, ia dhuruan karakteret kinemasë”, citohet të ketë thënë kryeministri.
E mes tisit të propagandës, në mënyrë alternative, shtoi ai, Rikardi i dhuronte skenës, sa herë që i jepej mundësia, edhe fjalimin e Mark Antonit nga Shekspiri.
Në fund, kryeministri Kurti tha se nuk ka dyshim që do të donim ta shihnim këtë dokumentar këtu në Prishtinë bashkë me Rikardin, të dëgjonim zërin e tij tek kumbonte në sallë pasi të mbyllej ekrani.
Kosova është renditur në vendin e 62-të në botë dhe e para në Ballkanin Perëndimor për demokraci në një raport të sivjetshëm të institutit suedez V-Dem.
Rezultatet e këtyre matjeve u transmetuan nga Qeveria si njohje e progresit demokratik të vendit.
V-Dem ka matur të gjithë komponentët e demokracisë në 202 vende përgjatë vitit 2023.
Në tabelën e renditjes së shteteve, raporti i vë Kosovës shenjën që tregon se “rezultati i vendit është përmirësuar gjatë 10 viteve të fundit në mënyrë thelbësore dhe në një nivel statistikisht domethënës” në komponentët e demokracisë liberale dhe demokracisë zgjedhore. Kosova vlerësohet si vend që është “në një episod demokratizimi”, raporton Gazeta Express.
Raporti tregon për një rënie të demokracisë në Europën Lindore, ndërsa përmendet se si Hungaria dhe Serbia po e nxisin prirjen për konsolidimin e autokrasië, duke shtuar këtu edhe Kroacinë dhe Rumaninë.
Kosova, ndërkaq përshkruhet si vend që demonstron se “demokracia ishte në rënie midis viteve 2010 dhe 2018, por që atëherë ka mbetur relativisht e qëndrueshme”.
“Kjo reflekton pjesërisht përmirësimet e fundit në vendet më pak të populluara, si Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut”, thuhet në raport.
“Dallimi i përgjithshëm midis masave të peshuara sipas popullsisë dhe atyre të bazuara në vend është i zbehtë”, thuhet më tej në raportin e institutit suedez.
Raporti thekson se si në Europën Lindore “vendet e mëdha dhe të populluara janë mesatarisht shumë më autokratike se ato më të voglat” – e kundërta prej Amerikës Latine.
Në Kosovë, raporti thotë se procesi i demokracisë zgjedhore “filloi me zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 pas një votimi mosbesimi në parlamentin e mëparshëm”.
Kush qëndron prapa V-Dem?
Instituti suedez përfshin mbi 4200 studiues që masin mbi 600 atribute të ndryshme të demokracisë në 202 vende të botës.
Drejtor i Qendrës Rajonale të V-Dem për Ballkanin është Shpëtim Gashi. Kjo qendër gjurmon dhe mat progresin demokratik në dhjetë vende të rajonit.
Në web-faqen e institutit thuhet se Gashi fokusohet “në çështjet e qeverisjes dhe zhvillimit politik në vendet në tranzicion”. Thuhet se ka 15 vjet përvojë në Ballkan duke punuar në çështjet e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit, zgjedhjeve dhe mosmarrëveshjeve ndërshtetërore.
Për të thuhet se “ka lehtësuar diskutimet jozyrtare ndërmjet zyrtarëve politikë dhe qeveritarë në rajon”
Ai është magjistër në çështjet ndërkombëtare në Universitetin e Columbias në New York dhe bachelor në shkencat politike në Universiteti i Massachusetts në Boston. / KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka bërë homazhe te varrezat e të vrarëve nga familja Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi në Gjakovë në përkujtim të 25-vjetorit të masakrës nga forcat e armatosura serbe.
Ai tha se vrasja e civilëve të pambrojtur e më pas djegia e kufomave është dëshmi e gjenocidit të Serbisë.
“Vrasja e fëmijëve edhe foshnjave, e pleqve dhe plakave, e grave e civilëve të pambrojtur në shtëpitë e tyre, dhe më pastaj djegia e kufomave është dëshmi e gjenocidit të Serbisë që u përpoq ta shfarosë popullin tonë.”
Kurti tha se Gjorgjeviq është dënuar një herë me 27 vjet burgim e më pas i është zbritur dënimi në 18 vjet.
“Për këtë rast është dënuar shefi i Sigurisë Publike të Serbisë, gjenerali Vllastimir Gjorgjeviq, njëherë me 27 vjet burg, e më pastaj ia kanë zbritur në Tribunal të Hagës në 18 vjet burg, mirëpo ai ka qenë një urdhërdhënës, i cili ka qenë dora e djathtë e Millosheviqit në këtë operacionin “Patkoi”. Mirëpo, ekzekutorët e tjerë janë me dhjetëra, janë me qindra edhe ata do të duhej të përgjigjeshin para drejtësisë. Fillimisht në vitin 2019, e më pastaj edhe në vitin 2022 me Kodin e Procedurës Penale dhe plotësim-ndryshimin, ne e kemi mundësuar që kriminelët të përndjeken, të gjykohen, të dënohen edhe në mungesë”, shkruan Express.
Ai ka thënë se është jetike të adresohen krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Andaj, është jetike që përderisa i kemi dëshmitë dhe dëshmitarët të gjallë, që me urgjencë të adresohen krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë në mënyrë që plagët të mbyllen me drejtësi. Përderisa nuk ka drejtësi edhe plagët vazhdojnë të kullojnë. Nga ne e keni gjithë solidaritetin institucional e njerëzor, e qytetar, e kombëtar dhe juve ju faleminderit. Shprehim mirënjohjen e thellë si dhe përkulemi para sakrificës së martirëve dhe dëshmorëve të kombit. Të gjithë atyre u qoftë lavdi!” / KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se në vitin e dytë të qeverisjes kanë krijuar një Fond të veçantë për komunitetet joshumicë, që kap vlerën e 3 milionë eurove.
Përmes fondit janë financuar 259 grante për fermerë, ndërmarrës të rinj dhe OJQ me qëllim nxitjen e punësimit te këto komunitete. Vitin e kaluar janë mbështetur 123 projekte për biznese të vogla për të gjitha komunitetet.
Ndërsa, këtë vit është lansuar masa e veçantë e punësimit për 2 mijë punëkërkues që jetojnë në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut, ku janë hapur Zyre të Punësimit dhe Zyre të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve, ku janë regjistruar mbi 50 biznese të reja.
“Komunitetet joshumicë përbëjnë 17% të subvencioneve të Ministrisë së Ekonomisë për pajisje efiçiente, në kuadër të masave për efiçiencë të energjisë. Ato gjithashtu përbëjnë 9% të praktikantëve me pagesë përmes programit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve “Kosova Generation Unlimited”, përqindje kjo përfaqësuese në raport me tërësinë e popullatës”, thuhet në njoftimin e Kurtit.
Poashtu, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, Ministria për Komunitete dhe Kthim ka zbatuar 415 projekte të ndryshme, ku janë siguruar 543 vende të reja të punës, prej tyre 328 me orar të plotë dhe pjesa tjetër me gjysmë orari.
Janë ndërtuar 116 shtëpi, dhe janë ndarë tre milionë euro për ndërtimin dhe rinovimin e shtëpive, bashkë me katër milionë të tjera që nga viti 2024 për projekte infrastrukturore.
“Për qendrat mësimore të fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptian, në tre vjet të qeverisjes kemi ndarë gati gjysmë milion euro. Sepse për të pasur sa më shumë studentë të suksesshëm nga këto komunitete në universitete, investimi në ta dhe mbështetja për ta duhet të jetë e hershme. E për të qenë nesër profesionistë të suksesshëm, mbështetja duhet të vazhdojë edhe gjatë studimeve”, ka njoftuar tutje Kurti.
Në vitin akademik 2022/2023 janë ndarë 26 bursa në vlerë një mijë euro për studentët e vitit të parë të komuniteteve joshumicë, kurse për vitin 2023/2024 me bursa po mbështetet 55 studentë nga këto komunitete, prej të cilëve 35 janë vajza dhe 20 djem.
“Ndërkohë që në kuadër të projektit “Komunat për të rinjtë”, që aktualisht është në fazën e dytë të zbatimit, kemi përkrahur 3,000 të rijn nga komunitetet joshumicë dhe OJQ në përfitimin e aftësive të buta dhe në menaxhim të projekteve”, ka njoftuar kryeministri Kurti.
Ndërsa, nga viti i kaluar ka filluar procesi për verifikimin e diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut, duke ofruar më shumë mundësi të reja të punësimit dhe është krijuar bazë ligjore për fillimin e verifikimit të diplomave të shkollave të mesme që japin mësim në gjuhën serbe.
Ai ka shtuar se vitin e kaluar ka filluar transmetimi i mbledhjeve të Qeverisë në gjuhën serbe dhe në fund të vitit të kaluar është miratuar Strategjia për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka ndarë mirënjohje për studentët e Fakultetit Juridik, të cilët u renditën në vendin e tretë në garën prestigjioze ku morën pjesë afër 400 universitete të botës, shkruan KultPlus.
Për këtë ceremoni, KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e presidentes Osmani.
Mirënjohje Presidenciale për ekipin e fakultetit juridik që dolën të tretët në garën më prestigjioze të drejtësisë në botë.
Ata janë personifikimi më i mirë i rinisë sonë – të talentuar, të motivuar e të përkushtuar për ta arritur çdo sukses e për ta ngritur lart e më lart shtetin tonë.
Prandaj sot në prezencë të disa prej ish pjesëmarrësve të garës VIS moot, shumë prej të cilëve edhe kisha nderin t’i trajnoja për rreth 15 vite, si dhe të ekipeve më të reja të Universitetit tonë, të udhëhequr nga Donikë Qerimi, e mbi të gjitha në prezencë të prindërve të këtyre të studentëve të jashtëzakonshëm, shprehëm sërish mbështetjen e krenarinë tonë për studentët tanë./ KultPlus.com
Ardhja e murtajës, mbyllja, mosbesimi ndaj fuqisë, marrëdhënia me Zotin dhe nevoja për të organizuar një “rezistencë”, morale dhe efektive, kundër një autoriteti që dëshiron të asgjësojë një popull me dinjitet dhe nder në mënyrë që të krijojë “njeriun i ri perandorak”.
Historia, tepër e fortë dhe plot ide filozofike, flet për një lidhje të pazgjidhshme midis një populli dhe tokës së tij, por në të njëjtën kohë është gjithashtu një histori e besimit dhe mosbindjes si një mjet për të arritur emancipimin e shpirtit, gjithmonë një fill i hollë i herezisë.
Është gjithashtu një luftë kundër ndjenjës së pafuqisë që njeriu ndien përpara një epidemie misterioze dhe kërcënuese në të cilën mund të shohim shumë ngjashmëri me të tashmen.
“Liria ose vdekja” është udhëkryqi para të cilit gjenden protagonistët, të burgosurit e një bote në të cilën politika dhe feja garojnë për hapësirën dhe prozelitët.
( Shkëputje nga shënimi i botuesit “Armando Editore” të Romës në pasthënien e romanit “Per te Terra mia – Le Confessioni di Gjon Nikola Kazazi” (Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”). / KultPlus.com
Shkolla fillore e mesme e ulët “Shaban Jashari” në Skenderaj, ka njoftuar se për nder të Ditës Botërore të Autizmit, do të shiten libra nga nxënësit e kësaj shkolle dhe paratë e mbledhura do të dedikohen për fëmijët autik.
Në njoftimin e shkollës thuhet se nxënësit e klasës së katërt, me organizim të mësueses Fatlume Mehmeti, do të zhvillojnë aksionin simbolik “Bli një libër, solidarizohu me fëmijët me autizëm”.
Gjatë aksionit, nxënësit do t’i shesin ekzemplarët e librit “Kopshti i ëndrrave” me krijime të tyre, që u botua disa muaj më parë.
Aktiviteti do të mbahet në sheshin “Adem Jashari” gjatë ditës së sotme, duke filluar nga ora 12:00. / KultPlus.com
Që nga viti 1967, 2 Prilli kremtohet si Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë, për të frymëzuar dashurinë për leximin dhe për të tërhequr vëmendjen te librat për fëmijë.
Data 2 prill është zgjedhur në nder të shkrimtarit danez Hans Kristian Andersen, përrallat e të cilit kanë shoqëruar fëmijët prej disa shekujsh tashmë.
Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë sjell ndërgjegjësimin për leximin dhe se sa thelbësor është ai në formimin e mendjeve të të rinjve. Librat u japin fëmijëve një ndjenjë ikjeje nga realitetet e tyre të zakonshme ose rrethanat e tyre të vështira dhe i lejojnë ata të zbulojnë histori, në një gjuhë që kuptojnë.
Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë sponsorizohet nga Bordi Ndërkombëtar i Librave për të Rinjtë, e cila është një organizatë jofitimprurëse me bazë në Mbretërinë e Bashkuar. Konkurset e shkrimit, shpalljet për çmime librash dhe ngjarjet me autorë të letërsisë për fëmijë janë ndër aktivitetet që zhvillohen çdo vit. / atsh / KultPlus.com
Takimet kulturore “Pena e Dritës”, në takimin e saj të dytë, organizon promovimin e kryeveprës së historianit të mirënjohur Romeo Gurakuqi, “Shqipëria dhe Tokat e Lirueme 1939-1946”.
Promovimi do të mbahet në Bibliotekën “Ernest Koliqi” në Prishtinë, më 3 prill 2024, në orën 19:00.
Për librin do të flasin recensenti i librit, historiani Jusuf Buxhovi, botuesi dhe personalitete të ndryshme me të cilët do të zhvillohet një dialog rreth këtij studimi të mirëfilltë për një periudhë tejet të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.
Pas promovimit do të ketë një koktej në “Agorà” të Qendrës “BogdaniPolis”. / KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, do të lansojë linjën e saj të produkteve për kujdesin e flokëve me 18 prill.
Linja e saj e produkteve do të quhet “Typebea”, që do të përfshijë serume, trajtime shkëlqimi, shampo dhe balsam e produkte që synojnë riparimin e flokëve të dëmtuar.
Ajo e ka krijuar këtë linjë me biznesmenen australiane të produkteve të bukurisë, Anna Lahey.
Rita është shprehur se është shumë e emocionuar që të ndajë një pasin të madh që e ka, pasi gjatë tërë karrierës së saj ka pasur gati çdo ngjyrë dhe stil flokësh, por tani i ka më të shëndetshme se kurrë.
“Jam shumë e emocionuar që më në fund ndaj një pasion të madh që kam. “TYPEBEA”, produktet cilësore të kujdesit të flokëve që kam krijuar bashkë me Anna Lahey. Marrëdhënia që kemi me flokët është diçka shumë personale. Për mua flokët janë një pjesë e madhe e identitetit tim, kreativitetit dhe besimit tim. Kam pasur pothuajse çdo model dhe ngjyrë flokësh gjatë gjithë karrierës sime. I kam zbardhur, kam përdorur zgjatime dhe i kam prerë shkurt. Por tani mund të them që flokët e mi janë më të shëndetshëm se kurrë. “Prisni ta ndaj me ju!” TYPEBEA do të lansohet shumë shpejt”, ka shkruar Rita në rrjete sociale. / KultPlus.com
Tirana është sërish në fokusin e promovimit të mediave franceze dhe zvicerane, “Je Papote”, “Voyage Privé” dhe “Tages-Anzeiger” të cilat e përshkruajnë Shqipërinë si thesarin e fshehur të Mesdheut me një bregdet magjepsës dhe kulturë të pasur.
Transformimi me ritme të shpejta i Tiranës, ka habitur drejtuesen e seksionit të udhëtimeve të një prej të përditshmeve më të mëdha zviceriane në gjuhën gjermane Tages-Anzeiger. Ndaj dhe Paulina Shçeshniak e diplomuar për histori arti, pasi bëri një udhëtim në të kushtoi një artikull të gjatë ku shpreh vlerësimet më të larta.
Pas dekadash të tëra ndërtimesh me arkitekturë të ngurtë dhe me kënde gjatë periudhës së diktaturës, Tirana tashmë ka marrë një pamje krejt tjetër, që bëri që ajo dhe ekipi që e shoqëronte në udhëtim të binte në dashuri. Dhe kjo për faktin se, siç shkruan që në krye të artikullit “Tirana është bërë seksi në mënyrë rastësore, plot me ide dhe ku gjithashtu gatuhet mirë”.
Media zvicerane shkruan se, dikur diktatori krenohej vetëm me Hotel Tiranën, si ndërtesën më të lartë të kryeqytetit, ndërsa sot, sheshi qendror ashtu si gjithë kryeqyteti është një kantier ndërtimi.
Shumëkatëshit e rinj e i kanë dhënë qendrës, një pamje jokonvencionale dhe lozonjare, duke veçuar një ndërtesë me ngjyrë ari, një tjetër me formën e kokës së heroit kombëtar apo atë me hartën e Shqipërisë.
Në sy, gazetares zviceriane i ka rënë edhe Piramida e shndërruar sot në një qendër të gjallë plot art ku mësohet për tekonologjinë e informacionit, nga një vend i zymtë i ngritur për të përkujtuar diktatorin e vdekur.
Edhe kryebashkiaku i Tiranes, Erion Veliaj, përmes një postimi në rrjetet sociale, u ka bërë jehonë medieve franceze e zvicerane, që së fundmi kanë promovuar Shqipërinë: “Je Papote”, “Voyage Privé” dhe “Tages-Anzeiger”, të cilat e përshkruajnë vendin tone si thesarin e fshehur të Mesdheut. Ndërsa Tiranën e cilësojnë si një qytet unik, plot me ide dhe ku gjithashtu gatuhet shumë mirë. / atsh / KultPlus.com
Roboti virtual i inteligjencës, ChatGPT, tani mund të shfrytëzohet edhe pa pasur qasje me llogari.
Kompania që ka më shumë se 100 milion njerëz që përdorin ChatGPT, tha se aftësia për të përdorur këtë aplikacion pa pasur një llogari, do të shpërndahet gradualisht, me synimin për të bërë të qasshëm AI për këdo që është kurioz.
Versioni falas i ChatGPT përdor modelin e tij të gjuhës GPT-3.5, kurse abonimi që fillon me 20 dollarë në muaj, siguron qasje në modelin e fundit GPT-4.
GPT-4 është lëshuar në mars të vitit 2023, kurse një version tjetër i përditësuar GPT-4 Turbo, u lëshua më vonë gjatë vitit të kaluar.
Kompania e udhëhequr nga Sam Altman thuhet se po punon për një model të ri, GPT-5, i cili mund të dalë në treg në muajt e ardhshëm. / KultPlus.com
Më 2 prill të vitit 1879 lindi në Trieste aktori me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu.
Moisiu performoi në skenën austriake ku mishëroi role kryesore të një spektri të gjerë të veprave të letërsisë europiane, duke nisur që prej tragjedive antike greke e deri tek bashkëkohësit. Karriera e tij do të niste në moshën 19-vjeçare, kur filloi të ekzekutonte role minore si figurant në skenën e Burgtheatër.
Më pas u angazhua në teatrot e Pragës dhe të Berlinit, ku u shqua për zotësi aktoriale, veçanërisht në interpretimin e rolit të Edipit mbret dhe të Hamletit. Kjo mbarëvajtje e bujshme do ta shpinte për të shpalosur talentin e tij drejt skenave të tjera të Europës dhe të Amerikës Veriore.
Aleksandër Moisiu ndërroi jetë më 23 mars të vitit 1935, në Vjenë. / atsh / KultPlus.com
Sot është Dita Botërore e Autizmzit, që është vendosur në vitin 2007 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm.
Shënimi i kësaj dite është vendosur më 2 prill dhe është përfshirë në Agjendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, që premton që askush të mos mbetet prapa.
Dita Botërore e Autizmit synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së atyre që jetojnë me autizëm.
Autizmi është një çrregullim i zhvillimit, i karakterizuar nga dëmtimi i ndërveprimit social dhe i komunikimit, si dhe nga sjellje të kufizuara dhe përsëritëse.
Në pak raste autizmi është shenjë e një problemi gjenetik, i tillë si X i Brishtë, megjithatë në shumë raste nuk njihen shkaqet.
Mendohet se autizmi shkaktohet nga një kombinim i gjeneve dhe faktorëve mjedisorë dhe vlerësohet se 1 për qind e popullatës në tërë botën është autike. / KultPlus.com
Ishte 2 prilli i vitit 1999 kur në Kralan të Gjakovës forcat ushtarake dhe policore serbe ndanë disa qindra djem dhe burra nga grupi prej 1500 shqiptarëve që kishin braktisur vatrat për t’u shpëtuar krimeve serbe që kishin përfshirë tërë Kosovën. Të tjerët – gra, fëmijë dhe pleq, ishin urdhëruar që të shkojnë në Shqipëri.
Dy ditë më vonë, më 4 prill, nga grupi i djemve dhe burrave të cilët janë mbajtur në livadh, gjatë gjithë kohës, të rrethuar me tanke, pa ujë dhe pa ushqim, një numër i madh i tyre është liruar. Janë mbajtur 86 prej tyre, ndër të cilët edhe 11 të mitur.
Që nga ajo ditë, që nga ai moment, askush nga ta më nuk është parë i gjallë.
Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) në vitin 2013 kishte bërë kallëzim penal ndaj disa eprorëve të Ushtrisë jugosllave për krime lufte në Kralan. Me këtë rast, u njoftua se trupat e 18 djemve dhe burrave të ndaluar, janë gjetur në një varrezë masive pranë liqenit të Peruçës, në Bajina Bashta të Serbisë.
FDH, në bazë të deklaratave të dhjetëra dëshmitarëve, ka identifikuar gjashtë eprorë të ushtrisë dhe policisë serbe, të cilët kanë qenë në pozitat më të larta të njësive që dyshohen se kanë kryer krimet.
Lidhur me krimet serbe në Kralan, në dhjetor 2014 një letër kryeprokurorit të Tribunalit të Hagës i ka dërguar kryetarja e Shoqatës “Familja dhe Shpresa” Arifete Bytyqi. Në emër të familjarëve të 86 viktimave të masakrës, Bytyqi kërkoi që të hetohet vrasja e 86 civilëve shqiptarë nga policia serbe më 4 prill 1999 në Kralan.
Bytyqi në letrën e vet përkujton se edhe sot e kësaj dite askush nga fajtorët për masakrën nuk është dërguar para drejtësisë. / KultPlus.com