“Vallja”, tradita autentike e arbëreshëve në Frasnita të Kalabrisë

Çdo vit Pashkët arbëreshe janë një festë madhështore ndër arbëreshët e Kalabrisë, që manifestohet përmes riteve, traditës, aktiviteteve kulturore dhe shijes e gatimeve arbëreshe.

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët kujton se, një festë unike dhe ndjellëse është edhe “Vallja” që festohet prej 500 vjetësh në katundet e Kalabrisë, duke i qëndruar besnikë traditës.

Frasnita (Frascineto) është një prej katundeve arbëreshe e ndodhur në krahinën e Kozencës (Kalabri), që e ka simbol të gdhendur në kulturën arbëreshe të komunitetit “Valljen” aq sa edhe Frasnita quhet ndryshe si “katundi i vallevet”.

“Vallja” që për këtë vit festohet sot, më 2 prill, përjetohet sërish si një ngjarje e rëndësishme në komunitet që shpalos identitetin dhe rrënjët historike të arbëreshëve. Ajo konsiston në një vallëzim në grup, ku gratë e burrat të veshur me kostumet tradicionale madhështore arbëreshe të kapur përmes shamive të bardha kërcejnë nën tingujt emocionues të këngëve me motive dashurie dhe epike ku i këndohet fitoreve dhe arritjeve të heroit legjendar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

“Vallja” përjetohet ende si një ngjarje e rëndësishme në komunitet që shpalos identitetin, rrënjët historike të arbëreshëve të Italisë të ruajtura me dashuri dhe përkushtim për më shumë se 500 vjet./ atsh / KultPlus.com