“Vallja”, tradita autentike e arbëreshëve në Frasnita të Kalabrisë

Çdo vit Pashkët arbëreshe janë një festë madhështore ndër arbëreshët e Kalabrisë, që manifestohet përmes riteve, traditës, aktiviteteve kulturore dhe shijes e gatimeve arbëreshe.

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët kujton se, një festë unike dhe ndjellëse është edhe “Vallja” që festohet prej 500 vjetësh në katundet e Kalabrisë, duke i qëndruar besnikë traditës.

Frasnita (Frascineto) është një prej katundeve arbëreshe e ndodhur në krahinën e Kozencës (Kalabri), që e ka simbol të gdhendur në kulturën arbëreshe të komunitetit “Valljen” aq sa edhe Frasnita quhet ndryshe si “katundi i vallevet”.

“Vallja” që për këtë vit festohet sot, më 2 prill, përjetohet sërish si një ngjarje e rëndësishme në komunitet që shpalos identitetin dhe rrënjët historike të arbëreshëve. Ajo konsiston në një vallëzim në grup, ku gratë e burrat të veshur me kostumet tradicionale madhështore arbëreshe të kapur përmes shamive të bardha kërcejnë nën tingujt emocionues të këngëve me motive dashurie dhe epike ku i këndohet fitoreve dhe arritjeve të heroit legjendar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

“Vallja” përjetohet ende si një ngjarje e rëndësishme në komunitet që shpalos identitetin, rrënjët historike të arbëreshëve të Italisë të ruajtura me dashuri dhe përkushtim për më shumë se 500 vjet./ atsh / KultPlus.com

Simbolika e valles tipike arbëreshe

“Vallja” është një kërcim me motive popullore, ritmike që shoqërohet nga një kor duke kënduar një këngë të vjetër tradicionale arbëreshe, me origjinë ballkanike.

Vallja popullore arbëreshe gjatë viteve është një event popullor që luhet të martën e Pashkëve për vendet me ritin bizantin dhe Karnavaleve për vendet e ritit latin.

Me kalimin e shekujve në disa zona, vallja ka marrë edhe pak nga motivet e valles kalabreze “Tarantella”. Vallja luhet në rreth, ku grupe grash të veshura me kostume madhështore ku të gjitha hedhin të njëjta hapa, ose në gjysëm rrethi që tërhiqet nga një valltar i parë në radhë me funksion guide. Vallja luhet kryesisht nga grupe prej 6 apo 12 personash duke u lidhur mes tyre me anë të një shamie.

Vallja përfundon kur valltari i parë në radhë mbyll rrethin për të kapur një person që nuk i përket komunitetit arbëreshe, të cilit i vendoset një shenjë me blozë në fytyrën e tij, në mënyrë të tillë që është i detyruar të paguajë për të pirë për të gjithë grupin.

Në të kaluarën, ky ritual simbolizonte konfliktin historik mes shqiptarëve dhe atyre lokalë. Ndoshta është rit i pasionuar poetik i Pashkëve ndoshta dëshironte të kujtonte një fitore të rëndësishme të heroit shqiptar kombëtar Skëndërbe mbi turqit më 27 prill 1467.

Në Valle e kërcyer nga gratë këndojnë rapsodi të ndryshme shqiptare, të tilla si “Konstandini dhe Doruntina “, ndërsa në atë të kërcyer nga burrat, këndohet “Skënderbeu një mëngjes.”

Vallja për banorët arbëreshë përfaqëson diçka më shumë se vetëm folklorike apo historike, e cila merr kuptimin e pretendimit kulturor, identitetin etnik, ku gratë veçanërisht janë protagonistët e saj. Sot, në disa vende Vallja arbëreshe është një rast kur gratë, sidomos të rejat veshin rroba të bukura dhe burrat veshin pelerinë prej leshi në formë koni.

PËRKTHIMI NË GJUHËN ARBËRESHE

DËNXA TIPIKE E POPULLIT ARBËRESH

Vallja është nj’dënx popullore, ritmike, çi bëhet tue kënduar gjith bashk nj’këng arbëreshe e vjeter dhe popullore, çi ka origjinë në Ballkanet. “Valle” arbërisht do t’thor dënx. Vallja popullore arbëreshe ësht një manifestim çi bëhet t’marren e Pashkvet në katundet çi kan ritin greko-bizantin e karnuvallit në katundet me ritin llatin. Pas dica shekulve tek dica katunde Vallja ndënj në kontakt me elementet e dënxes popullore kalabreze, tarandelja.

Tek Vallja (dënx rrethore) jan grupe grash, me kostume t’bukur dhe madhështore, çi vëhen në një gjimsrreth e n’fund di burra, çi kan funksionin ti guidharrnjen. Luanjen belu belu dhe dridhen si gjarper, jan grupe me gjasht o dimbdhjet vet, t’lidhur njeri jetrin me skëmandile.

Dënxa rritet kur i lurtmi mbllin rrethin e merr ndonjë çi nik ë arbëresh, atij i bënjen faqet me kamné, kshtu kat i paguanj t’pirit gjith grupit. Nj’her, ki shurbes kujtoni konfliktin mes arbëreshvet dhe ata çi rrin tek aì llok. Mund t’jet se Vallja do t’kujtonj një fitore e Skanderbegut, hero shqiptar, mbi Turkevet në 27 Prill 1467.

Tek Vallja grat kndonjen rapsodit arbëreshe, si “Konstandini e Jurendina “, sikundra burrat kndonjen rapsodin e ” Skanderbegu nj’menat ” Vallja ësht më se nj’dënx folklorike o storike, ajò merr kuptimin e pretendimit kulturor, identitetit etnik, ku grat jan protagonistet. Sot, në dica katunde arbëreshë Vallet jan nj’mundësi për grat kupile, t’veshnjen liveret e bukura e për burrat t’vën kapjel picutin. / KultPlus.com

Vallja autoktone e Tropojës

Mes shumëllojshmërisë së këngëve dhe valleve, ajo që dallohet lehtësisht është “Vallja e Tropojës”. Si bashkudhëtare në rrugën e gjatë të historisë dhe pjesë përbërëse e jetës shpirtërore të popullit, muzika e kësaj treve shpreh gëzimet e vuajtjet e një zone të njohur për qëndresën.

Kjo valle shquhet për dinamizmin, forcën dhe natyrën epike, duke u dalluar për ritmin dhe ekspresivitetin e veçantë, për forcën dhe dinamizmi. Ndonëse karakterizohen nga spontaniteti në interpretim, këto valle kanë edhe një tematikë të caktuar. Ndërkaq vallet e grave janë teje dinamike, elegante, here-herë shpërthyese, por edhe të shtruara, plot krenari dhe hijeshi.