Plácido Domingo është vlerësuar sot nga Presidenti Meta me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.
Presidenti Meta ka vlerësuar sot tenorin me famë botërore, Plácido Domingo me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”. Ai u shpreh se Domingo ishte një ndër personalitetet më të shquara ndërkombëtarisht, si dhe një ikonë e gjallë e artit dhe muzikës botërore.
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vlerësoi tenorin e famshëm botëror, Plácido Domingo Embil me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” “Në nderim dhe mirënjohje ndaj tenorit të jashtëzakonshëm me famë ndërkombëtare, i cili ka shkëlqyer me intepretimet e tij virtuoze në skenat operistike të mbarë botës. Me përulje të thellë për shembullin frymëzues, fisnik dhe artistik, duke na nderuar me praninë dhe interpretimin e tij të paharrueshëm në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës së Baletit dhe Ansamblit Popullor shqiptar.”
Në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar maestro Domingos, artistëve dhe personaliteteve të artit dhe muzikës të pranishëm në ceremoninë e dekorimit, Presidenti Meta u shpreh:
“Ceremonia e sotme është një event i veçantë, pasi i kushtohet një prej personaliteteve më të shquara ndërkombëtarisht, një prej ikonave të gjalla të artit dhe muzikës botërore, tenorit të njohur Plácido Domingo.
Platoni ka thënë: “Muzika i jep shpirt universit, i jep krahë mendjes, i jep fluturim imagjinatës dhe i jep jetë gjithçkaje.”
Maestro Domingo e ka përcjellë këtë atribut dhe mision të muzikës, jo vetëm në skenat më prestigjioze të botës, por edhe për miliona e miliona artdashës anë e mbanë globit.
‘Publiku është pjesë e jetës sime reale. Atmosfera e teatrit është oksigjeni im.’ – ka thënë maestro Domingo, dhe ky njehsim kaq i fortë midis jetës dhe muzikës është shijuar edhe nga artdashësit shqiptarë, duke admiruar performancat e tij sublime dhe duke u mahnitur me zërin e tij të jashtëzakonshëm.
Ky artist i përmasave të tilla ka shërbyer edhe si frymëzim për sopranot dhe tenorët shqiptarë të cilët kanë nderuar dhe e nderojnë vendin tonë me suksesin e tyre botëror, si Inva Mula, Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, e shumë të tjerë, me të cilët maestro Plácido Domingo ka bashkëpunuar ngushtësisht.
I mahnitshmi Plácido Domingo edhe pas gjashtëdhjetë viteve karriere si tenor, me një repertor prej më shumë se 150 rolesh e mbi 4 mijë shfaqjesh, si një artist i shumanshëm me ndikim të madh në historinë e operës, një dirigjent i mbi 500 veprave dhe administrator operistik i shkëlqyer, vazhdon edhe sot të përçojë mrekullinë e zërit të tij tek artdashësit në mbarë botën.
Ishte një privilegj i veçantë ta kishim këtë ikonë të muzikën edhe në skenën shqiptare e të ndiqej nga afër prej artdashësve tanë.
Është privilegj i veçantë edhe për mua si Presidenti i Republikës që të vlerësoj sot një figurë kaq madhore dhe të rëndësishme të muzikës dhe operës botërore duke i akorduar atij Titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut.’
Nuk mund të gjenim një Titull më të mirë vlerësimi, që mban emrin e Heroit tonë Kombëtar, i cili vazhdon edhe pas kaq shekujsh të jetë frymëzim për rrugën europiane të Shqipërisë.”
Pas 5 viteve në rikonstruksion, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, është inaguruar me një program të pasur artistik. Tenori Placido Domingi ishte një i ftuar special i mbrëmjes./ KultPlus.com
Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, të enjten pritet të largohen rreth 117 shtetas afganë, të cilët ditë më parë ishin strehuar në Kosovë, merr vesh Radio Evropa e Lirë nga burimet brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Destinacioni i grupit të parë që pritet të largohet thuhet të jetë Britania e Madhe.
Ky grup që po largohet, deri më tash ishte i strehuar në kampin Bechtel-Enka në Ferizaj. Në këtë kamp ishin të strehuar shtetas që kanë punuar me forcat e NATO-s në Afganistan.
Këta shtetas afganë erdhën në Kosovë pasi nuk ishin të sigurt më në Afganistan, kur vendi ra në duart e talibanëve.
Në Kosovë, deri të hënën në mesditë, kanë arritur 971 refugjatë afganë.
Në kampin Bechtel-Eenka në Ferizaj ishin të vendosur rreth 810 refugjatë, kurse 161 në kampin amerikan Bondsteel, po ashtu në Ferizaj.
Më herët, autoritetet kosovare kanë bërë të ditur se do të strehojnë rreth2,000 shtetas afganë të cilët kanë punuar me Shtetet e Bashkuara dhe me shtetet anëtare të NATO-s.
Sipas ligjeve në fuqi, Kosova u ka dhënë qëndrim të përkohshëm deri në një vit.
Për dallim nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ku afganët që po gjejnë strehim atje janë të lirë të lëvizin jashtë hapësirave ku ata janë të vendosur, për afganët që strehohen në Kosovë ka masa më të rrepta të sigurisë./KultPlus.com
Mbrëmja e djeshme shënoi çeljen e ambienteve të reja të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Ngritja e siparit përcolli jo vetëm një pamje të re të objektit 60-vjeçar të artit, por edhe emocion për artistët e artdashësit.
Një mbrëmje gala ku ishin të ftuar personalitete të rëndësishëm të pritur nga zërat e mahnitshëm të sopranos Ermonela Jaho e legjendës së operës, Placido Domingo, ishte ngjarja e madhe pas rikonstruksionit total të strehës së artit. Në të, mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili ndau disa foto nga shfaqja. Kryeministri u shoqërua nga bashkëshortja e tij, Linda Rama.
“Mirmëngjes dhe me disa momente nga mbrëmja emocionuese e ngritjes së perdes së Teatrit të Rilindur Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku talentet e Shqipërisë lirike shkëlqyen mrekullisht përreth yllit të Ermonela Jahos e Placido Domingos, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi ai në Facebook./tv klan/ KultPlus.com
Muret e hapësirave publike të Drenasit u mbuluan sonte me mbishkrime të cilat targetojnë dhunën e shumëfishtë e të vazhdueshme ndaj grave.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist thotë përmes njoftimi se shtypja sistemike e cila vazhdon t’i lërë vajzat e gratë, punëtoret/ët e personat LGBTI+ në gjendje të mjerueshme, nuk do të durohet.
Andaj sipas tyre edhe këto mesazhe, përmes përplasjes së të vërtetave të heshtura, thërrasin në revoltë e rezistencë kolektive.
Përveç dëmeve të mëdha në mjedis, gurthyesit po e dëmtojnë edhe trashëgiminë kulturore. Disa prej tyre i ka identifikuar Preportr, gjatë një hulumtimi disa mujor në terren. Zyrtarët kompetentë kanë filluar të merren me këtë çështje tek pasi në disa raste është parë që gurthyesit e kanë dëmtuar trashëgiminë kulturore. Identifikimi i gurthyesve në zona të trashëgimisë kulturore nuk do të bëhet shpejt për shkak të mungesës së aparaturave të…
Janë qindra licenca për gurthyes anembanë Kosovës që Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), ndër vite ua ka dhënë kompanive të ndryshme. Ndikimi i tyre në mjedis tashmë ka alarmuar institucionet e vendit, të cilat kanë vendosur moratorium dy vjeçar për gurthyesit e rinj dhe ata në procedurë dhe njëkohësisht kanë iniciuar një shqyrtim të përgjithshëm të ligjshmërisë së aktivitetit të gurthyesve. Për dallim nga dëmet e mëdha në mjedis që i bëjnë gurthyesit e të cilat kanë filluar të adresohen nga institucionet, implikimi i eksploatimit të gurthyesve në trashëgiminë kulturore të Kosovës mbetet një fushë pak e hulumtuar dhe jo mjaftueshëm ligjërisht e rregulluar.
Përkundër se ka mbi 1743 monumente të ndryshme të trashëgimisë kulturore nën mbrojtjen e përkohshme të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), deri më tani autoritetet kompetente kanë intervenuar në vetëm tri raste për të ndalur punën e mëtutjeshme të gurthyesve të licencuar nga KPMM-ja, të cilët zhvillojnë aktivitetin e tyre afër lokaliteteve arkeologjike.
Ekipi i Preportr ka dalë në terren dhe i ka parë për së afërmi të tri lokalitetet dhe dëmet që u janë bërë atyre nga gurthyesit.
Ekskavatorët e kompanisë, “SB Construction” në Graboc të Epërm të Obiliqit kanë ndalur punën. Ndonëse të licencuar për të bërë gërmime, ata nuk punojnë pasi që hapësira ku gurthyesi supozohej të realizonte aktivitetin e tij është zonë nën mbrojtjen e përkohshme të MKRS-së.
Sipas hartës së Institutit Arkeologjik, në “Majën e Zezë” gjendet fortifikata, ndërsa sipas Strategjisë së Zhvillimit të Turizmit, të Komunës së Obiliqit, ky lokalitet ka vlera të mëdha arkeologjike, por që në mungesë të gërmimeve arkeologjike ka mbetur në harresë të kohës. Megjithëse, komuna në Strategjinë e saj theksonte se në të ardhmen planifikohet që të shtrihen gërmimet arkeologjike në këtë lokalitet, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Në këtë hapësirë, gërmimet planifikonte t’i bënte kompania e licencuar nga KPMM, e cila e ka shënjuar hapësirën nga ku do të nxirrte materialin guror.
Puna e këtij gurthyesi u stopua, pasi që Instituti Arkeologjik e njoftoi zyrtarisht KPMM-në se hapësira për të cilën kjo kompani është licencuar për shfrytëzim, është e evidentuar në hartën arkeologjike të Kosovës si trashëgimi kulturore.
EVIDENCA E LOKALITETEVE ARKEOLOGJIKE ËSHTË BËRË, POR NUK ËSHTË BËRË SIMETRIA, GJEOMETRIA APO KOORDINATAT GJEOGRAFIKE TË SAKTA Enver Rexha, drejtor i Institutit Arkeologjik
Në mungesë të aparaturave të nevojshme për matje gjeometrike, kapaciteteve të vogla e moskoordinimit institucional, sipas Institutit, po ngadalësohet identifikimi i gurthyesve në zona të trashëgimisë kulturore.
Enver Rexha, udhëheqës i Institutit Arkeologjik të Kosovës, deklaron se ndonëse evidenca e lokaliteteve arkeologjike është përfunduar, ende nuk është bërë gjeometria për të përcaktuar saktësisht shtrirjen e hapësirave arkeologjike.
Një gjë e tillë, sipas Rexhës, ndikon edhe në kërkesat e Institutit për të mos aprovuar licenca të gurthyesve nga KPMM në zonat arkeologjike.
“Evidenca e lokaliteteve arkeologjike është bërë, por nuk është bërë simetria, gjeometria apo koordinatat gjeografike të sakta, sepse nuk kemi pas mundësi dhe nuk kemi kapacitete me bë atë ndërhyrje paralelisht. Na duhet simetria apo gjeometria për 400 lokalitete që janë prodhim i yni dhe për hartat që janë të evidentuara e që janë identifikuara si lokalitete tjera, por që nuk janë në listën tonë. Na duhet me i studiu me vite të tëra për ta bërë një planimetri edhe me i vendos koordinatat e sakta”, thotë Rexha.
Moskoordinim institucional: Pak raste të evidentuara të gurthyesve në zona arkeologjike
Që nga pas lufta, në Kosovë janë identifikuar vetëm tri raste kur trashëgimia kulturore është rrezikuar nga veprimtaria e gurthyesve.
Përveç rastit në Graboc të Epërm, institucionet kanë arritur të ndalin punën e gurthyesve edhe në fshatrat Lipë të Pejës dhe në Dollc të Komunës së Klinës, të cilat janë të listuara si zona nën mbrojtje të përkohshme nga MKRS-së.
Preportr, e ka identifikuar edhe një lokalitet arkeologjik i cili mund të dëmtohet nga veprimtaria e një gurthyesi. Ndonëse është prej monumenteve arkeologjike nën mbrojtjen e shtetit, ekskavatorët e kompanisë “Guri Company”, që në vitin 2011 ishte listuar si operues ilegal, e vazhdojnë punën në afërsi të “Shenjtores së Shpellës”, kishës ortodokse në Gërnçar të Komunës së Kllokotit. E nën kishë, gjendet edhe shpella paleolitike, ndërkaq pak më tutje në malin e fshatit janë edhe muret rrethuese të antikitetit të vonë romak. Megjithatë, kjo nuk e pengon gurthyesin e licencuar nga KPMM-ja që në një distancë jo fort të largët nga këto monumente të jetësojë aktivitetin e saj ku përfshihet edhe minimi për nevoja të nxjerrjes së sasisë sa më të madhe të gurëve.
Fat edhe më tragjik ka përjetuar Kalaja e Lipës, monument nën mbrojtjen e përkohshme të shtetit e cila gjendet shtatë kilometra larg qendrës së qytetit të Pejës. Ekzistenca qindra vjeçare e kalasë, e cila daton nga shekujt IV-VI të erës sonë, për vite të tëra është në përballje për mbijetesë me ekskavatorët e gurthyesit që gjendet afër këtij lokaliteti. Historia e ‘luftës’ së kalasë me ekskavatorët e kompanisë është e gjatë duke filluar në vitin 2013. Kompania Idila Sh.p.k që po i zhvillon punimet këtu për disa vite ka qenë në pronësi të gruas së ish-ministrit, ish-deputetit dhe ish-komandantit të UÇK-së, Rrustem Berishës. Në historikun e kompanisë që Preportr e ka siguruar nga ARBK përmes kërkesës për qasje në dokumente zyrtare, Iliriana Berisha ka qenë bashkëpronare në këtë kompani deri në vitin 2016, kur sipas deklarimit të pasurisë të Rrustem Berishës, ajo i ka shitur aksionet. Më pas si pronar i kësaj kompanie deri me 2019 ka figuruar emri i Visar Kelmendi, ndërsa këtë vit si pronare figuron emri i Deniza Berishës.
Preportr, e ka kontaktuar këtë kompani në numrin që figuron në ARBK, por personi që është kontaktuar (Visar Kelmendi) nuk ka dashur të flasë me arsyetimin se kompaninë e ka shitur. Tani sipas regjistrit të ARBK-së, pronari i vetëm i Idila SH.P.K me 100 përqind të aksioneve është Deniza Berisha. Është kontaktuar edhe Deniza Berisha, në numrat kontaktues që i ka vendosur në dy biznese të tjera që figurojnë në emër të saj në ARBK, por ajo nuk ka qenë e qasshme.
Pavarësisht kush ka qenë apo është pronar i kompanisë, punimet e gurthyesit herë pas here janë ndërprerë pasi banorët e fshatit nuk kanë lejuar që gurthyesi t’ua dëmtojë kalanë e fshatit. Ata kanë protestuar në mbrojtje të kalasë, por asnjëherë punimet nuk janë ndërprerë tërësisht dhe nuk është shikuar mundësia e rishikimit të licencës që është dhënë për këtë gurthyes.
Edhe rasti i Kalasë së Lipës vë në pah mungesën e koordinimit institucional pasi që ndonëse e licencuar nga KPMM, kompanisë iu ndërpre aktiviteti nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore nën arsyetimin se kompania kishte tejkaluar perimetrin prej 100 metrave nga mbetjet e kalasë. Megjithatë, punimet afër Kalasë së Lipës vazhdojnë ende.
Sipas Ramiz Krasniqit, drejtor i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, puna e gurthyesve bëhet sipas ligjit në fuqi.
Ramiz Krasniqi thotë se KPMM bazohet në legjislacionin në fuqi kur lëshon licenca dhe se ky institucion i pavarur para se të licencojë ndonjë subjekt, i merr në konsideratë ndikimet e veprimtarisë së gurthyesve në trashëgimi kulturore.
I pari i KPMM-së, autoritetit licencues të gurthyesve, deklaron se perimetri i sigurisë prej 100 metra për zonat e trashëgimisë kulturore është i mjaftueshëm.
100 METRA LARG ËSHTË E MJAFTUESHME PA MINIM, KURSE ME MINIM 500 METRA ËSHTË MJAFTUESHËMRamiz Krasniqi, drejtor i KPMM-së
“100 metra larg është e mjaftueshme pa minim, kurse me minim 500 metra është mjaftueshëm. Sepse edhe në bazë të matjeve sizmike që bëhen në rast të minimit, dridhjet nuk shkojnë më shumë ndikime. Shpesh kemi ankesa të qytetarëve me kilometra, por nuk është e vërtetë një gjë e tillë, sepse nuk munden dridhjet e minimit të shkatërrojnë një objekt që është më shumë se 500 metra larg. Tash janë metodat e reja për minime që mund të bëhet minimi edhe 10 metra afër dhe të mos dëgjohet”, thotë Krasniqi.
Tutje ai e vë theksin në problemet e koordinimit ndër institucional në mbrojtje të trashëgimisë kulturore nga gurthyesit.
Krasniqi tregon se si në Gremnik të Klinës, një gurthyesi të licencuar iu ndalua puna pasi ‘rastësisht’ në atë zonë kaloi me veturë një punëtor i Institutit Arkeologjik, i cili më pastaj lajmëroi KPMM-në për rëndësinë arkeologjike të zonës.
“Vitin e kaluar e kemi pas një rast në Klinë, në zonën tek Gremniku kah të shkoni në të majtë në Dollc. Kompania është pajisur me pëlqim mjedisor komunal, edhe ia kemi dhënë licencën, nuk kanë dedektu asgjë në terren e pasi ka filluar me gërmu, ka kaluar një inspektor i Institutit Arkeologjik. I ka vërejtur makinat duke shpuar aty, edhe e ka telefonuar njërin prej punëtorëve tonë dhe janë ardh në takim. Aty [në Dollc] ishin kanë disa varreza ilire e ata nuk kanë mundur të e dinë se janë përfundi tokës dhe nuk i kanë vërejtur. E kemi ndalur punën dhe tash është në proces”, shton Krasniqi.
Drejtori i Institutit Arkeologjik Enver Rexha thekson se përtej 100 metrave të zonës së sigurisë përreth monumenteve të trashëgimisë kulturore, institucioni që e udhëheq nuk ka mekanizma për të ndaluar punën. Për më shumë, Rexha thotë se për arsye profesionale dhe mungesës së aparaturave teknike për incizime arkeologjike e magnetike, Instituti e ka të pamundur të përkufizojë saktësisht hapësirat arkeologjike.
“Në pamundësi të veglave dhe teknologjisë moderne, kur e evidentojmë një lokalitet, siç e kemi rastin tash tek gurthyesi në Majë të Zezë në Graboc, ne e kemi të evidentuar dhe e kemi në hartë arkeologjike si zonë. Kemi bërë përnjohje dhe njohja shkon mbi tokë, duke marrë materiale, shënime, literaturë, mirëpo aty nuk kemi gërmuar. Në 98% të rasteve, të evidencave të trashëgimisë kulturore që janë, e kemi të pamundur t’i incizojmë pasiqë na mungojnë aparaturat. E kemi të pamundur me e shënu saktësisht lokalitetin”, thotë Rexha.
Në praktikën e tanishme, perimetri i sigurisë u lejon bartësve të licencave të gërryejnë deri në 100 metra në afërsi të monumenteve arkeologjike. Gurthyesit kanë të drejtë të minojnë territorin në një largësi minimale 500 metra nga zona e trashëgimisë kulturore, ndonëse Ligji për Miniera dhe Minerale e ndalon ushtrimin e veprimtarive në sipërfaqe të tilla.
Neni 13, pika 1.10 e këtij ligji thekson se bartësi i licencës ose i lejes për shfrytëzim nuk do të ushtrojë asnjë veprimtari në ndonjë sipërfaqe që është vendi i ndonjë monumenti kombëtar i caktuar me ligj dhe zyrtarisht.
Nga krahasimi që është bërë nga Preportr i bazës së të dhënave të KPMM-së për gurthyesit me regjistrin e MKRS-së të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, ka mbi 200 raste të operimit në zona të trashëgimisë kulturore, zyrtarisht nën mbrojtjen e shtetit.
Premtime për ndryshime ligjore
Këshilltarja politike e ministrit të Kulturës Hajrullah Çeku, Nora Arapi-Krasniqi, tregon se në prioritetet e MKRS-së në nismat e saj ligjore është edhe çështja e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore nga degradimi i mëtutjeshëm. Në këtë aspekt, ajo thekson se me planin dinamik deri në fund të këtij viti do të plotësohet legjislacioni sekondar i mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, të cilat do të plotësojnë dhe lehtësojnë zbatimin e ligjit aktual të trashëgimisë kulturore.
“Janë duke u përgatitur udhëzimet administrative dhe rregulloret që e plotësojnë dhe lehtësojnë zbatimin e ligjit aktual të trashëgimisë kulturore ku hyn edhe udhëzimi administrativ për kërkime arkeologjike. Ndër tjerash është edhe për bazat e konservimit në kuadër të planifikimit dhe udhëzimit administrativ dhe rregullorja për përcaktimin e kushteve të veçanta për ndërtim për perimetrat mbrojtës të aseteve të trashëgimisë kulturore në zonat mbrojtëse dhe sipërfaqet e mbrojtura”, thotë Arapi-Krasniqi.
JANË DUKE U PËRGATITUR UDHËZIMET ADMINISTRATIVE DHE RREGULLORET QË E PLOTËSOJNË DHE LEHTËSOJNË ZBATIMIN E LIGJIT AKTUAL TË TRASHËGIMISË KULTURORENora Arapi-Krasniqi, keshilltare e ministrit Hajrullah Çeku
Me anë të këtij legjislacioni sekondar parashihet të specifikohet qartësisht perimetri dhe zona mbrojtëse e hapësirave arkeologjike apo arkitekturore duke sqaruar se çfarë lloji i aktivitetit ekonomik mund të zhvillohet në ato zona.
“Përmes kësaj rregulloreje tentojmë që të specifikohet qartë perimetri dhe zona mbrojtëse e kualitetit arkeologjik, arkitekturor apo peizazhit kulturor dhe të përcaktohet qartë se çka mund të zhvillohet e çka jo, cilat aktivitete mund të zhvillohen dhe natyra e aktiviteteve komerciale, ndërtimore dhe etazhiteti”, thotë Arapi-Krasniqi.
Tutje, trashëgimia kulturore, e cila mund të jetë në rrezik nga faktorët ekonomikë, mjedisorë apo të tjera rrethana, sipas Arapit, do të tentohet të shpëtohet nëpërmjet intervenimeve emergjente. Në bazë të planit dinamik, nismat ligjore të MKRS-së parashihen të hartohen dhe miratohen në tre mujorin e tretë ose të katërt të vitit 2021.
KPMM: Kemi dështuar ta mbrojmë mjedisin
Më 28 qershor të këtij viti, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook, njoftoi se ka vendosur një moratorium dy vjeçar për licencimin e gurthyesve të rinj dhe atyre në procedurë.
“Kam marrë vendim për vendosjen e moratoriumit për gurëthyesit e rinj dhe ato në procedurë për pëlqim mjedisor për periudhën dy vjeçare (qershor, 2021 – qershor, 2023). Pjesë e këtij vendimi është themelimi i grupit punues ministror, i cili do të shqyrtojë ligjshmërinë e aktiviteteve të gurthyesve, ndikimin e tyre në mjedis, si dhe masave që duhet të ndërmerren për rehabilitimin e tyre”, shkroi Aliu.
Me një vendim të tillë nuk pajtohet KPMM, që është organi i lëshimit të licencave për gurthyesit, duke theksuar se nisma e ministrit Aliu nuk ka bazë ligjore. Për më shumë, drejtori Krasniqi deklaron se vendimin për moratorium e mësoi nga mediat.
“Ne mendojmë se vendimi nuk ka bazë ligjore. Sepse, së pari, në vendim nuk shkruan për licencat e hulumtimit dhe shfrytëzimit, por shkruan vetëm gurthyes. Nuk është i harmonizuar me ligjet. Për shembull, ne kemi raste që ka licencë të shfrytëzimit edhe ai për t’i shfrytëzuar resurset duhet të mendojë se një gurthyes nuk mundet të bluaj. Këta që punojnë me minim, ministria, përkatësisht ministri, i ka ndaluar dhënien e pëlqimit, tash si do të punojë ai kur e ka licencën e shfrytëzimit, por Ministria s’i jep pëlqim? Mendoj se vendimi duhet të rishikohet, ne nuk jemi konsultu për këtë. E kemi marrë vesh nga mediat”, shton ai.
NUK KEMI ARRITUR TA MBROJMË MJEDISIN, SEPSE NUK KA PAS HARMONIZIM TË MJAFTUESHËM NË MES TË INSTITUCIONEVERamiz Krasniqi, drejtor i KPMM-së
Ndonëse moratoriumin që ndalon aktivitetet e gurthyesve e quan vendim jo ligjor, shefi i KPMM-së e pranon se kanë dështuar në mbrojtje të mjedisit.
“Nuk kemi arritur ta mbrojmë mjedisin, sepse nuk ka pas harmonizim të mjaftueshëm në mes të institucioneve. Nëse themi kemi arrit ta mbrojmë mjedisin, atëherë nuk është në rregull. Ne e pranojmë si KPMM se duhet një harmonizim nëpërmjet komunave, Ministrisë së Mjedisit, Policisë së Kosovës dhe KPMM-së për mbrojtje të mjedisit”, thotë Krasniqi.
Se institucionet kanë dështuar në mbrojtje të mjedisit e thotë edhe Ali Sefaj, zyrtar i lartë në Agjencionin për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, i cili problemin e mos mbrojtjes së mjedisit e sheh tek mungesa e stafit të inspektoratit në nivel nacional dhe lokal.
“Si rezultat i mungesës së stafit, inspektorëve komunalë dhe qendrorë, numri është i vogël dhe si rezultat i papërgjegjësisë, mund të them edhe i KPMM-së, i operatorëve dhe mekanizmave tjerë, vetëdijes jo të lartë shoqërore, ne kemi ardhë deri tek kjo fazë”, thotë Sefaj.
Sefaj thotë se moratoriumi dy vjeçar i vendosur nga MMPHI-së ofron një mundësi për të analizuar gjendjen aktuale të mjedisit në Kosovë dhe se është e pakuptimtë të futen operatorë të rinj në treg, pa filluar faza e rehabilitimit të mjedisit.
Gjatë realizimit të këtij hulumtimi janë kontaktuar për t’u intervistuar Ministri i MMPHI, Liburn Aliu, kabineti i tij, Imer Haklaj, drejtor i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore dhe kompanitë e gurthyesve, të cilët nuk i janë përgjigjur kërkesës për intervistë.
Ky hulumtim është realizuar në kuadër të pjesës praktike të “Shkollës për Gazetari Hulumtuese” e cila organizohet nga Organizata ÇOHU! dhe mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Redaktuar nga: Besa Kalaja./ preportr/ KultPlus.com
Mësuesit rrezikojnë vendin e punës në institucionet arsimore për shkak të rënies së numrit të regjistrimeve.
Pas kërkesës për informacion që Top Channel i drejtoi Ministrisë së Arsimit mësoi se: në të gjithë Shqipërinë janë regjistruar në klasë të parë vetëm 20 235 fëmijë, rreth 10 mijë fëmijë më pak se në vitin e shkuar shkollor.
“10 mijë fëmijë më pak do të thotë 350 klasa të para më pak, pra 350 mësues më pak të arsimit fillor. Ne para 5 viteve kemi pasur nga 6 klasa paralele, sot kemi 4. Ky problem ndihet e do të vazhdojë të ndihet edhe më shumë. Në Sauk, në shkollën ’28 Nëntori’, në shkollën time ku punoj ‘Marie Logoreci’ ka një klasë më pak”, tha Alma Lama, kryetare e Sindikatës së Arsimit në Tiranë.
Në 20 vitet e fundit sipas të dhënave të INSTAT popullata e fëmijëve të ciklit 9 vjeçar ka pësuar rënie me 48%. Numri i ulët i regjistrimeve vihet re edhe në klasë të dhjetë, ku janë regjistruar 17 145 nxënës, 1.2% më pak se vitin e kaluar.
Risia e regjistrimeve këtë herë ishte aplikimi online përmes e-Albania, e sipas drejtorisë së përgjithshme të arsimit parauniversitar ende 0.2% e fëmijëve nuk janë regjistruar kjo për shkak të disa problematikave si pamundësia për të aplikuar apo prindërit nuk respektojnë juridiksionin e shkollave ku u përket për arsimim dhe neglizhimi për t’i regjistruar në shkollat ku dëshirojnë. /Top Channel/ KultPlus.com
Marrëdhënia e grave me shkencën është karakterizuar gjithmonë nga një rrugë e përpjetë qoftë në sferën kulturore, qoftë në atë profesionale. Për të zënë një vend, qoftë edhe minimal, këtyre grave u është dashur të thyejnë barriera të shumta, që u kanë kushtuar sakrifica të mëdha dhe një vendosmëri këmbëngulëse të jashtëzakonshme. Rrallë herë kujtohen sforcimet dhe vështirësitë, që në mënyrë të pashmangshme kanë shoqëruar përparimet e arritura dhe kompetencat shkencore të pashoqe të këtyre “mendjeve të bukura”.
Megjithatë kontributi i tyre për shkencën, dhe si rrjedhojë për të gjithë njerëzimin, është tepër i madh.Edhe pse u është dashur të luftojnë kundër paragjykimeve dhe mentaliteteve kryesisht mashkullore, ato kanë arritur të cajnë udhën mes kolegëve meshkuj dhe të fitojnë respektine tyre.
Emrat e shkencëtareve të shquara si Montalcini, Agnesi, Montessori,Hack, Curie, Meitner, e shumë të tjera, janë të njohur për memorien kolektive, por janë të shumta gratë e tjera të apasionuara pas shkencës, një fushë e konsideruar si tipike mashkullore, që kanë kontribuar për të përparuar njerëzimin edhe pse fatkeqësisht të neglizhuara nga historia dhe vepra e të cilave ka kaluar pa u vënë re.
Po ta mendojmë, janë të pakët ata që dinë se zbulimi që ka revolucionuar gjenetikën njerëzore dhe studimet mbi të, dmth zbulimi i spirales së dyfishtë të ADN-së, është meritë e një gruaje, Rosalind Franklin, por fatkeqësisht asaj nuk ju njoh kurrë merita, që i kaloi gabimisht dy shkencëtarëve Watson dhe Crick, të cilëve “iu dhurua” cmimi nobel për një zbulim të tillë.
Një fat i ngjashëm do i përkiste edhe një shkencëtareje shqiptare, të parës, Sabiha Kasimati.
Janë të pakët shqiptarët që e njohin emrin e saj. Shumëkush mund të kujtohet për përfundimin e trishtë që ajo pati, por pothuajse askush për veprën dhe punën e saj si shkencëtare ose më mirë si gruaja e parë shkencëtare shqiptare.
Historia e kësaj gruaje është shumë interesante nga shumë pikëpamje dhe mund ta quajmë pa asnjë ngurrim si “Një intelektuale perëndimore”, gjë jo shumë e zakonte për Shqipërinë e fillim shekullit të njëzetë. Natyrisht do ishte mirë që historia të mos lexohej në celës politik, pasi është absolutisht dytësore ndaj figurës së kësaj gruaje.
Nën peshën e traditës shumë shekullore dhe nën ndikimin e botës orientale, përfaqësuar asokohe nga perandoria osmane, shoqëria shqiptare ishte shumë pak e hapur ndaj grave, dhe aq më pak e favorshme ndaj rolit të tyre aktiv në shoqëri. Sipas mentalitetit tipik, vajzat martoheshin që në moshë të re dhe i perkushtonin jetën rritjes dhe edukimit të fëmijëve, si dhe kujdesit të shtëpisë.
Dhe është pikërisht ky ambjent i mbyllur që e bën akoma më tërheqëse figurën e Sabiha Kasimatit, si grua mbi të gjitha dhe pastaj si shkencëtare, e destinuar të sfidonte shoqërinë shqiptare dhe paragjykimet që e karakterizonin.
Kush ishte atëhere Sabiha Kasimati?
Sabiha Kasimati lindi në Edirne më 1912, ishte e bija e një mjeku, me origjinë nga Libohova, që ushtronte zanatin e tij si mjek në Turqi. Edhe pse larg nga atdheu, familja Kasimati i rriti fëmijët me frymën e patriotizmit dhe dashurinë për kulturën, si shqiptare ashtu edhe europiane në përgjithësi. Kur familja u kthye në Shqipëri, ajo u vendos tek i vëllai në qytetin e Korcës, i njohur edhe sot për kulturën me frymëzim francez.Një fakt shumë i rëndësishëm, që do të shënonte jetën e saj, ishte se ajo qe vajza e parë që ndoqi Liceun Francez të Korcës, duke shërbyer si shembull për shumë të tjera në vijim.Ky lice ishte shumë i vlerësuar në të gjithë Shqipërinë e asaj kohe dhe ndiqej nga fëmijët e eksponenteve kryesorë të vendit. Pra që në moshë shumë të re, fati i saj e bëri që të dallohej dhe të ishte e vetme.
Qe shoqe klase me Enver Hoxhën, diktatorin e ardhshëm, por një njohje e atillë do t’i kushtonte shtrenjtë, shumë shtrenjtë!
Edhe sot qytetarët e Korcës e kujtojnë me nostalgji si “ çupën e parë të liceut”, e bukur dhe e hedhur, spontane, rrezatuese, inteligjente dhe me një karakter pothuajse burrëror saqë shoqërohej me miqtë e liceut në mënyrë shumë spontane.
Nuk vonoi të dallohej për inteligjencën dhe zellin në studime, tashmë zotëronte shumë mirë disa gjuhë të huaja perëndimore, madje arriti të tërhiqte vëmendjen e profesorëve francez të liceut me theksin e saj perfekt në frengjisht.
Pasi mbaroi liceun, punoi për pak kohe si mësuese në lendët edukatë morale dhe frengjisht në Institutin femëror të Korcës dhe më pas dha biologji në shkollën shqiptaro-amerikane në Kavajë.
Në 1936 realizoi ëndrrën e madhe për të vijuar studimet universitare, dhe arriti të fitojë një bursë studimi nga shteti.Universiteti ishte një privilegj i pak fatlumëve. U regjistrua në Fakultetin e Shkencave biologjike në Torino, ku përvecse u diplomua me maksimumin 30/30 cum laude ( tridhjetë mbi tridhjetë me lavdërim), arriti të mbrojë edhe doktoraturën në 1941.
Edhe në Torino shfaqi inteligjencën e saj, saqë iu ofrua mundësia për të punuar si asistente në katedrën e ihtiologjisë në universitetin e Torinos. Me deshirë për t’u kthyer në atdhe dhe për të vënë në shërbim të tij dijen e saj, refuzoi ofertën dhe u kthye.
Pas kthimit në Tiranë, punoi në Insitutin e Shkencave, që ishte bërthama e parë e studimeve shkencore në vend, nën drejtimin e prof. Selahudin Toto, intelektual i njohur. Këtu realizoi një kërkim shumë të rëndësishëm në fushën e ihtiologjisë ( disiplina që merret me studimin e peshqve) dhe për më tepër qe edhe ihtiologja e parë shqiptare, në një periudhë kur ende nuk egzistonte një përmbledhje e faunës dhe florës egzistuese në vend.
Në dhjetë vite të gjata kërkimi dhe pune plot entuziazëm dhe angazhim, Sabihaja eksploroi dhe studioi gjithë faunën ihtiologjike fluviale dhe detare në ujërat e Shqipërisë, e bindur se studimet mbi peshqit do të kishin një rëndësi të madhe dhe një vlerë ekonomike të cmuar për vendin, që është vecanërisht i pasur. Bëri klasifikimin në bazë të taksonomisë, në klasa, lloje dhe nënlloje, duke përcaktuar zonat ku përhapeshin llojet kryesore të peshqeve me vlerë ekonomike dhe studime të shumta rreth riprodhimit dhe cikleve të tyre biologjike.
Pas një pune të stërmadhe në përmbushjen e mijëra skedave, koleksione të ekspozitave të mbedhura në dhjetra ekspedita, nga liqeni i Butrintit deri në liqenjtë e Lurës, nga liqeni i Prespës deri në detin Jon dhe Adriatik, si dhe në lumenjtë më të rëndësishëm, duke regjistruar dhe përpunuar ndërkohë mijëra referenca bibliografike dhe fotografike, që do të kishin qenë një ndihmë e madhe jo vetëm për Shqipërinë por edhe për të gjitha vendet ballkanike kufitare.
Sabihaja ishte gati të publikonte veprën e saj voluminoze “Peshqit e Shqipërisë”, por ja që fati i saj ndërthuret me atë të Rosalind Franlin, sepse vepra e saj nuk u publikua kurrë në emrin e autores së vërtetë, Sabiha Kasimati, por në emrin e një shkencëtari rus Anatoli Poliakov, dhe të dy studiuesve fillestarë Ndoc Filipi e Ndoc Rakaj.
Sabiha Kasimati, krenare për idealet e saj iluministe, zgjodhi të ndiqte një shembull perëndimor edhe në jetën e saj. Ajo nuk u martua kurrë dhe jetonte vetëm në një apartament në Tiranë, pasi kishte nevojë për hapësirat e saj.Në fakt ajo kishte shpesh vajtje-ardhje me shumë nga miqtë dhe mikeshat e saj intelektuale të kohës, që përbënte një mënyrë diskutimi dhe ballafaqimi mes personazhëve kryesorë të vendit. Sigurisht nuk ishin të zakonta gratë shqiptare që jetonin të vetme (dhe nuk janë as sot), pa rënë në sy në një vend me mentalitet të mbyllur dhe të prapambetur. Pra bëhej përsëri fjalë për një sfidë ndaj zakoneve dhe traditave të shoqërisë se atëhershme.
Ndërkohë në Shqipëri po instalohej diktatura komuniste e Enver Hoxhës, ish shoku i klasës, i cili siç dihet tashmë, eliminoi çdo zë kundërshtues në vend, duke eliminuar fizikisht cilindo të guxonte të vihej kundër regjimit të tij tashmë totalitar de facto. Pjesa më e madhe e intelektualëve që kishin studjuar në perëndim, u dënua me vdekje, por ajo që shqetësoi së tepërmi biologen qe dënimi me vdekje i profesorit të saj Salahudin Toto dhe internimi i shoqes së saj Musine Kokalari, shkrimtarja e parë shqiptare.
E njohur nga të gjithë për karakterin e saj të drejpërdrejtë dhe guximtar, ajo i kërkoi një takim Enverit, ku pasi e qortoi si përgjegjësin kryesor për vrasjet e intelektualëve, miqtë e tyre, duhet ti ketë thënë: “ Ti po vret të gjithë intelektualët! Me çfarë ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë me këpucarët dhe teneqexhinjtë?!”
Në vazhdim, duke mos përfillur rrezikun e sigurtë që i vërtitej tashmë, ajo vendosi të shkonte të takonte miqtë e saj të internuar në kampin e internimit në Jubë.
Disaprovimi i saj i qartë dhe disidenca, që nuk u mundua kurrë ta fshihte, ndaj regjimit të Hoxhës firmosën edhe eliminimin e saj të afërt.
Ishte viti 1951 kur një bombë ose më mirë pak dinamit shpërtheu në oborrin e ambasadës ruse në Tiranë, por nuk shkaktoi asnjë dëm, përvec thyerjes së disa xhamave. Regjimi, në bazë të planeve dhe listave të parapërgatitura më parë, urdhëroi arrestimin e rreth njëqind qytetarëve, të akuzuar për bashkëpunim në plasjen e bombës, prej të cilëve rreth njëzet duheshin pushkatuar që të shërbenin si shembull për këdo të guxonte akte të tilla revolucionare.
Në të vërtetë bëhej fjalë për një justifikim bindës për të eliminuar ata që mendohej të ishin të rrezikshëm për regjimin. Dhe ja që përfshihet edhe biologia Sabiha Kasimati, pranë emrit të saj qe vënë një kryq i kuq që nënkuptonte pushkatim, me akuzën se kishte marrë pjesë në akte terroriste dhe se ishte në shërbim të agjentaturave të huaja.
Ajo mohoi të gjitha akuzat që iu bënë gjatë hetuesisë, duke u përgjigjur: “ Jam kundër pushtetit popullor sepse nuk pajtohet me ideologjinë time. Nuk kam menduar asnjëherë se me anë të akteve revolucionare të mund të arrihej në socializëm. Unë kam studjuar biologji dhe si rrjedhim jam evolucioniste. Evolucioni është në naturën e gjërave. Dhuna nuk çon në socializëm dhe aq më pak në demokraci, por vetëm dhe direkt në shkatërrim!”
E veçanta e këtij rasti qëndron në faktin se 23 intelektualë u pushkatuan pa një proces të rregullt, i cili u mbajt në mungesë, dmth. pasi ishin eliminuar tashmë 23 persona.
Në natën e 26 shkurtit 1951, të lidhur me tela me gjemba, ata u pushkatuan një nga një diku pranë urës së Beshirit dhe trupat e tyre u hodhën të gjithë në një gropë të madhe të hapur disa ditë më parë. Sabiha Kasimati qe e vetmja grua e pushkatuar mes 22 burrave, dhe duke qenë pushkatuar e fundit, atë nuk e kapi plumbi direkt, por u mbyt me dhunë krah ulërimave të saj që tmerruan të gjithë banorët e zonave përreth, deri sa dha frymën e fundit.
Fundi i trishtuar i një gruaje që i kushtoi jetën dijes dhe shkencës, por tashmë është e braktisur në harresë…
Këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa, ka ripostuar një video të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, në llogarinë e saj në Instagram, ku numëron rreth 70 milionë ndjekës.
Ka qenë Osmania jo që e ka publikuar një video ku dëgjohet një këngë e Dua Lipës.
“Duke e nisur ditën e dytë në Gjermani me Dua Lipën”, ka qenë përshkrimi i Osmanit.
Këtë video, më pas e ka ripostuar Dua, e cila ka shkruar “Presidentja jonë e di se çfarë bëhet”.
Ndryshe, Dua duket se i ndjek aktivitetet e presidentes, meqenëse jo rrallëherë i shpërndan postimet e saj nëpër rrjete sociale/gazetaexpress/ KultPlus.com
E guximshme dhe e talentuar. Me mënyrën e mrekullueshme të të shkruarit, ajo mahniti gjenerata të tëra, një nga gazetaret më me ndikim të shekullit XX. Ajo është një nga shkrimtaret dhe gazetaret më të vlerësuara, po edhe më të lexuara në të gjithë botën. 12 librat e saj janë përkthyer në më shumë se 20 gjuhë. Vlerësohet të ketë shitur, të paktën 20 milionë kopje të punimeve të saj në të gjithë botën. Ka spikatur veçanërisht si intervistuese, madje askush nuk ka qenë në të vërtetë aq i mirë në prezantimin e aspekteve më misterioze të yjeve dhe figurave që pushtuan organet e pushtetit.
Oriana Fallaci është një nga ikonat e pushtetit të katërt, duke treguar se gazetaria e praktikuar me parime të qarta është e aftë të ndikojë mbi ngjarjet. Në diktofonin e saj kanë kaluar disa nga figurat më me ndikim të shekullit të 20-të. Thonë, se të gjithë e urrenin. Ndërsa për të, kjo nënkuptonte se po e bënte mirë punën. Përveç gazetare, ishte dhe një shkrimtare e mrekullueshme. Stili i drejtpërdrejtë, i ndjeshëm dhe zbavitës ka magjepsur breza të tërë. Në krijimtari ka prekur një larmi temash: nga ndrydhja e grave në botën myslimane, deri te udhëtimi për në hënë, përfshi historinë e Muhamedit Ali. Sa i përket udhëtimit në Hënë, një nga historitë më të famshme të Oriana Fallacit, rrëfen udhëtimin e “Apolo XII”.
Oriana Fallaci lindi në Firence, Itali, më 29 qershor 1929. E ëma kishte karakter të fortë, kurse i ati, Eduardi, ishte një marangoz i thjeshtë, i dashuruar me punën e Marsel Prustit dhe i majtë radikal. Oriana ishte më e madhja fëmijë dhe ai do kishte dashur të ishte djalë. Meqë nuk ishte rasti, ai e edukoi atë sikur të ishte djalë. Babai e mësoi të shtinte, të gjuante dhe t’i rezistonte situatave të dhimbshme pa u ankuar. Kur u përhap fashizmi në Itali, Eduardi dhe vajza 13-vjeçare iu bashkuan rezistencës. Babai i Orianës u burgos dhe u torturua nga nazistët gjatë pushtimit, në Firence, ndërkohë ajo shërbeu si korriere ndaj rezistencës. Në fund të luftës, ushtria italiane i akordoi medalje nderi për guximin e treguar, kur ishte vetëm 14-vjeçe. Ishte nxënëse e shkëlqyer dhe falë një burse arriti të studionte për mjekësi. Sidoqoftë, fati do ta drejtonte në një tjetër tjetër: do ta joshte gazetaria. Përpara se të mbushte të njëzetat, i kishte hyrë zanatit.
Dëshmitare e historisë
Fallaci punoi për shumë gazeta të vogla. Në fund të viteve 1950, filloi të shkruajë për revistën “L’Europeo”, prej nga shkoi në Shtetet e Bashkuara, ku shkroi kolonën për teatrin. Pikërisht përmes kësaj përvoje, lindi libri i parë. Udhëtimi e bëri të kuptonte se ndihej mirë në Shtetet e Bashkuara, si rrjedhojë në fillim të viteve 1960 u zhvendos në Nju Jork. Më vonë, filloi një seri udhëtimesh drejt Orientit. Librat “Seksi i padobishëm” dhe “Penelopa në luftë” janë fryt i kësaj periudhe, mandej shkroi një seri artikujsh dhe një libër mbi projektet hapësinore të NASA-s. Në 1967 u emërua korrespondente lufte dhe iu kërkua të mbulonte konfliktin në Vietnam, ku do të trajtonte kronika të shumta dhe një nga librat më të famshëm: “Jeta, lufta dhe pastaj asgjë”. Qysh atëherë, u njoh në të gjithë botën. Mbuloi disa lëvizje shoqërore, madje gjatë masakrës në Tlateloco, në sheshin e “Trois Cultures”, Meksikë, ajo u qëllua disa herë. E pandehën të vdekur dhe e dërguam në morg. Ishte një funksionar që vërejti se ishte ende gjallë dhe u dërgua në spital.
Oriana Fallaci: një grua, një legjendë
Epoka e intervistave të mëdha, filloi më vonë. Mund të aprovojmë, se ajo arriti të ulej në tryezën e burrave më të fuqishëm në botë të asaj periudhe. Një nga dialogët e paharrueshëm ishte ai që shkëmbeu me Ajatollah Khomeinin. E pyeti për trajtimin e gruas dhe hoqi në praninë e tij rrobën që ishte detyruar të vishte. Pjesa më e madhe e punës është regjistruar në librin “Intervista me historinë”. Në vitin 1973, gjatë një prej intervistave të saj, ajo takoi Aleksandros Panagulis, heroi grek që i ishte kundërvënë diktaturës. U dashuruan marrëzisht. Lidhja, përfundoi tri vjet më vonë, kur Panagulis vdiq, gjë e cila shenjoi thellë jetën e Oriana Fallacit. Librin “Një burrë”, Fallaci ia kushtoi Panagulisit. Fallaci eci në rrugën e suksesit, por pas disa vitesh u strehua në apartamentin njujorkez. Më pas, u trondit nga kanceri i mushkërive dhe 11 shtatori. Lidhur me këtë fakt, ajo shkroi artikuj kaq radikalë kundër islamit, sa tri qeveri e ndoqën penalisht për ksenofobi. Në vitin 2006 dhe në fshehtësi, kërkoi ta kthenin në Firencen e lindjes, pasi donte të vdiste në qytetin ku lindi. Dhjetë ditë më vonë, më 15 shtator, Oriana Fallaci ndërroi jetë, duke lënë një trashëgimi të pakrahasueshme gazetareske.
Oriana Fallaci e mbylli jetën mbuluar me paradokse.
Luftëtare e flaktë antifashiste dhe laike, u shndërrua në ksenofobe ekstremiste dhe fetare. Papritmas, u deklarua “ateiste e krishterë”, e ftuar në 2005 nga Papa Benedikti XVI, të cilin e admironte për mbrojtjen e vlerave të krishtera, në pallatin papnor të “Castel Gandolfo”. Ia delegoi trashëgiminë personale Universitetit Pontifical Latran. “Të tregosh historinë e Oriana Fallacit është si të tregosh historinë e shekullit të 20-të”./ KultPlus.com
Lejojini me shkue njerëzit që nuk janë gati me ju dashtë. Kjo asht ndër gjanat ma të vështira që të duhet me e ba në jetë por do të jetë edhe ma e randësishmja. Hiqni dorë nga bisedat e vështira me njerëz që nuk duen me ndryshu.
Mos ja dedikoni praninë tuej njerëzve që nuk ju intereson aspak. E kuptoj që instinkti juej asht me ba gjithçka për ata që ju rrethojnë, por asht një impuls që të vjedh kohën , energjinë, shndetin mendor dhe fizik.
Kur fillon me luftue për një jetë me gëzim, interes dhe përkushtim, jo të gjithë janë gati me të ndjekë, në këtë vend. Kjo nuk don me thanë që duhet me e ndryshu atë që je, don me thanë që duhet me i lanë me shkue njerëzit që nuk janë gati me të shoqnu.
Në qoftë se je i fshimë, i fyem, i harruem ose i injoruem prej njerëzve që ju jep kohën tande, nuk ju ban nder tuj vazhdu me ofru energjinë e jetën tande. E vërteta asht se nuk je i gatuem për të gjithë e jo të gjithë janë për ty.
Kjo asht ajo që e ban kaq të veçantë kur takon njerëz me të cilët ke shoqni ose dashuni reciproke. Ke me e kuptu sa çmueme asht sepse e ke provu çka nuk asht.
Sa ma shumë kohë kalon tuj u përpjekë me ba me ju dashtë dikë që nuk asht në gjendje, aq ma shumë kohë humbë tuj privu vedin prej mundësisë më pasë një lidhje të tillë me dikë tjetër.
Gjenden miliarda njerëz në këtë planet e shumica prej tyne kanë më qëllu në nivelin e interesit dhe impenjimit tand.
Sa ma shumë qëndron i përfshim me njerëz që të përdorin si jastëk, një opsion i dorës së dytë, ose terapist për shërime emocionale , ma shumë kohë i largohesh komunitetit që dëshiron.
Ndoshta nëse ndalon së shfaqunit, nuk të kërkojnë. Nëse ndalon së provuemi lidhja përfundon. Ndoshta nëse ndalon së dërguemi mesazhe, telefoni jot ka me mbetë i heshtun për javë të tana.
Kjo nuk don me thanë që ke shkatërru një lidhje, don me thanë që e vetmja gja që ke pasë ishte energjia që ke dhanë me e mbajtë atë lidhje.
Kjo nuk asht dashuni asht ngjitje. Asht me i dhanë një mundësi kujt nuk e meriton.
Ti meriton shumë, ka njerëz që nuk duhet të jenë në jetën tande, ke me e kuptu vetë.
Gjaja ma e çmueshme që ke në jetën tande asht koha dhe energjia, mbasi të dyja janë të kufizume. Kur jep kohën dhe energjinë tande, përcakton ekzistencën tande. Kur e vëren, fillon me e kuptu pse je kaq i shqetësum, kur kalon kohë me njerëz, në aktivitete , vende ose situata që nuk të vijnë për shtat dhe nuk duhet me të ndejtë pranë, të vidhet energjia.
Fillon me e kuptu se gjaja ma e randësishme që mundesh me ba për vedi dhe për të gjithë ata që të rrethojnë asht me mbrojtë energjinë ma ashpërsisht se gjithçka tjetër.
Bane jetën tande një strehë të sigurtë në të cilën lejohen vetëm njerëzit që janë të adaptueshëm me ty.
Nuk je përgjegjës me shpëtu askënd. Nuk je përgjegjës më i bindë me u përmirësu. Nuk asht detyrë e jotja me ekzistu për njerëzit dhe me ju dhanë jetë atyne.
Sepse nëse ndjehesh keq, nëse ndjehesh i detyruem, ke me qenë ti vetë rranja e të gjitha problemeve tueja për kamnguljen tande, tuj pasë frikë se nuk kanë më ti kthye nderet që ke ba.
Asht detyra jote e vetme me e kuptue se je Zot i fatit tand dhe me pranue dashuninë që mendon se meriton.
Vendosë që meriton miqësi të vërtetë, përkushtim të vërtetë, dhe dashuni të plotë me njerëz të shndetshëm dhe të begatë. Mandej prit e shih kur gjithçka fillon me ndryshu dhe ka me ndryshu, kjo asht e sigurtë , me njerëz me energji pozitive dhe të mirë, mos humb kohë me njerëz që nuk vlejnë.
Ndryshimi ka më të dhanë dashuninë, vlerësimin lumturinë dhe mbrojtjen që meriton./ KultPlus.com
“Memento Mori” është romani i Tobias Xhaxhiut që është botuar së fundi, i cili është thellë i kapur në mitet shqiptare, por që janë ngërthyer nën një shtrirje dhe shkëlqim të princërve evropianë. Xhaxhiu, në një intervistë për KultPlus ka treguar për romanin “Memento Mori”, që prej titullit e deri të thelbi i këtij romani, sikurse edhe për dorëshkrimet që tashmë është duke i përpunuar.
KultPlus: Do të ishte e rëndësishme që të zbërthehej shkurtas për audiencën e Kosovës – Prishtinës – titulli i romanit tuaj “Memento Mori”
Tobias Xhaxhiu: Postulati e ka gjenezën tek një zakon i veçantë i Romës antike. Thuhet se kur një gjeneral u kthye në qytet pas një triumfi në betejë, turma e priti plot ovacione e nderime, duke ia përkëdhelur kështu egon ushtarakut. Për ta shpëtuar nga krenaria e verbër dhe iluzionet e madhështisë, dikush pas tij i pëshpëriti në vesh frazën: «Respice post te. Hominem te memento« (” Vështroni pas vetes. Mos harroni se jeni veç një burrë “).
Doktrina ‘Memento mori’ më pas u bë e njohur në pikturën e krishterë të Kundër-Reformës në kontekstin tablove të trajtuara si “natyra të vdekura”. Shembulli më tipik është ai i një kafke të vendosur pranë luleve ose frutave të thara, shenja të dekadencës.
Në mesjetën e krishtere, që është dhe ambientimi kohor i këtij romani, perspektiva e vdekjes shërbente për të theksuar zbrazëtinë dhe përkohshmërinë e kënaqësive tokësore, luksit dhe ambicieve, dhe kësisoj, si një ftesë për të përqendruar mendimet e individit në perspektivën e jetës së përtejme, tipike për disiplinat asketike.
Madje dhe sot, shumë artistë kanë krijuar vepra kushtuar kësaj teme, përmes përfaqësimit simbolik, shpesh duke përdorur kafkën si alegori; përmendim: Damien Hirst, Marina Abramovic, Andy Warhol, Jean-Michel Basquiat, Paul Cézanne, Salvador Dalì, Frida Kahlo, Gustav Klimt e shumë të tjerë.
KultPlus: Kush është autori i librit – një sintagmë të përmbledhur për fizionominë e autorit të këtij libri?
Tobias Xhaxhiu: Pyetje interesante. Ç’është e vërteta, në një nga dialogët e romanit, Dritëveçuesi, entiteti i mbinatyrshëm që i mundëson Konstandin Progonit rikthimin në jetë, i pyetur nga ky i fundit se kush apo çfarë është, përgjigjet: “Më parë duhet të provoj se ekzistoj!”
Thënë kjo, do të thosha se Tobias Xhaxhiu është një shkrimtar i ri, fitues i Fondit për Letërsinë e Re nga Qendra Kombëtare e Librit në Shqipëri, autor i një drame për Teatër (Nimfea), ngjitur në skenë në 2014, dhe moderator/ autor i emisionit të kulturës, TOTEM (2020). Merret me kritikë filmi e libri. Ka studiuar në degën e Komunikimit dhe Dizajnit.
KultPlus: Çfarë qarkullon nëpër damarët ideofabular të librit tuaj? Kush janë këto figura historike në kontekstin e kohës gjersa autori i librit tuaj, jeton në oazën e një bibliotekarie të tërë, i qepur me gjilpërën e legjendës së Konstandinit, figurë mitologjike, e cila është filmuar, muratosur dhe kryqëzuar në dasmën e pritjeve të mëdha?
Tobias Xhaxhiu: Mitet i kam parë gjithnjë si fillesa e komunikimit abstrakt mes njerëzve, banketin e madh dhe arkaik të kulturës, ku gërshetohen filozofia, psikologjia, padija dhe emocionet më primitive. Në thelb, mitet kanë treguar gjithçka, por në shtresat e kuptimeve të tyre, gjithmonë mund të gjenden thesare të reja, të cilat çuditërisht përshtaten në shoqërinë njerëzore në çdo fazë të zhvillimit të saj.
Në rastin e Baladës së Konstandinit, ishte e rëndësishme për mua që ta trajtoja nocionin e Besës si një abstraksion filozofik dhe shpirtëror, një shkallë ndërgjegjeje te njeriu, që jeton jashtë botës materiale, në universin metafizik të ideve.
Përpos këtij qëndrimi autorial, një pikë tjetër ku do të ndalesha ishte trajtesa romanore e jetës në Arbrin mesjetar, larg klisheve dhe ndikimit obskurantist lindor në letrat dhe mendimin shqip.
Në dallim nga vargjet e Baladës, Konstandini im nuk është një bir katundi, por një pinjoll fisnikësh, i lëçitur dhe vizionar, të cilit s’i mungon asgjë nga shkëlqimi dhe madhështia e princërve evropianë, E tillë është familja e tij, i tillë është Lissusi, të tillë janë arbrit e mesjetës në faqet e ‘Memento Mori’.
Në vijim, ishte parësore për mua që ngjarja në roman t’i përshtatej përmasave botëpërmbysëse që mbart një episod epokal, siç është rikthimi i të vdekurit në jetë. Ndaj, përfshirja e skenës së kryqëzimit të Konstandinit në afërsi të qytetit të tij të lindjes, e krahasuar me historinë biblike, ishte për mua një mjet përforcues i gjenisë së mitit dhe një zgjedhje estetike, e cila do t’i jepte trillit një tjetër peshë.
Do ta cilësoja këtë roman si një projekt zbulese, një himn për një kulturë të humbur, në pritje për t’u rizbuluar,
KultPlus: Ka një numër të theksuar të personazheve që e ndjekin personazhin kryesor Konstandinin – kush është Konstandini yt në relacion me kohën, çfarë d.m.th. besë e dhënë, vdekje, mort apo ringjallje e besës – shpresës!?
Tobias Xhahxhiu: Në romanin tim, Konstandin Progoni është pinjolli i një Dere të madhe fisnikësh, që mbart mbi shpinë, peshën e rëndë të krimeve të babait. I munduar nga brenga të shumta mbi kuptimin e jetës dhe në kërkim të një mënyre për të shlyer këto faje të së shkuarës, ai bëhet pjesë e kryqëzatës së Papa Urbanos së II-të, me qellim çlirimin e Jerusalemit nga selxhukët.
Me t’u rikthyer në atdhe, ai kryqëzohet në një kodër pranë Lissusit (Lezha e sotme); atentat ky i menduat deri në detajet më perverse nga mendja e Andrea Kamonas dhe vëllezërve Diogjeni, bij të familjeve fisnike të asgjësuara nga Progonët në të shkuarën. Në çastet finale, ndërsa është duke dhënë frymën e fundit, para Konstandinit të kryqëzuar, shfaqet një qenie e mbinatyrshme, një entitet i mbiquajtur Dritëveçuesi.
Ky i fundit është simbol i baraspeshës mes së mirës dhe së keqes, idili i rendit natyror të gjërave. Dritëveçuesi sheh tek Konstandini një pasardhës të denjë të misionit të tij mbi këtë tokë, ndaj i jep mundësinë, përmes një unaze me mbishkrimin ‘Memento Mori’, që ai të rikthehet në jetë dhe të përmbushë misionin e tij për vënien e drejtësisë, dhe njëherësh, mbajtjen e besës së dhënë ndaj së ëmës, për të sjellë të motrën pranë saj, si në baladën e njohur.
Kështu, përmes kësaj unaze, Konstandini merr trajtën e një Krishti të Dytë: një figurë që thyen mitet e së pamundurës dhe përforcon idenë se premtimet e mëdha dhe fisnike nuk ka forcë që i thyen, madje as vetë vdekja.
Andrea Kamona, nga ana tjetër, është antagonisti kryesor i romanit, një jetim fisnik, familja e të cilit u asgjësua nga Progoni i Madh, babai i Konstandinit. Për vite ai ushqen një urrejtje të natyrshme për Konstandinin dhe bën çmos për të minuar fuqinë e Progonëve, duke i vrarë me pabesi dhe duke bashkëpunuar me forca të huaja. Në thelb, ai është një alter ego i errët i Konstandinit, gjithçka që ky i fundit refuzon të jetë.
KultPlus: Të ka shërbyer për dhuntinë tuaj ky libër, për të cilën ke ndarë një pjesë të mishit dhe gjakut përreth zemrës suaj – a do ta ndaje me qytetin dhe qytetarinë e Tiranës – me besën e Tregtarit të Venedikut!?
Tobias Xhaxhiu: Tregtari i Venedikut, markanti hebre Shajlok, kërkon 1 copë mish nga trupi i Antonit, huamarrësit të tij, në rast se ky i fundit nuk paguan në kohë detyrimin e 3000 dukateve të arit. Kjo është një marrëveshje makabre nga natyra, por e veshur me krenarinë e fjalës së dhënë. Në raport me jetën kulturore të Tiranës, di të them se i jam kushtuar këtij trilli me gjithë qenien time, jam lodhur dhe kënaqur me të dhe, njëkohësisht, jam rritur artistikisht.
KultPlus: Si do ta pikturoje portretin e librit tuaj, me cilat ngjyra, cila do të dominonte në relacion me gjumin dhe ëndrrat e qytetit ku ti flenë?
Tobias Xhaxhiu: Nëse ky libër do të qe një tablo, do ngjante me një skenë epike beteje mes engjëjsh e djajsh, një luftë e ndezur mes së mirës dhe së keqes, përgjakur nga e kuqja e Onufrit.
KultPlus: Kadarenë – e ke takuar ndonjëherë, nëse po, çfarë të ka thënë – nëse jo, e ke diku në rrugicat e librit tuaj frymëzimin e tij?
Tobias Xhaxhiu: Për fatin tim të mirë, këtë vit, munda të takoj shkrimtarin e madh. Të them të drejtën, teksa largohesha drejt banesës time me një taksi dhe, ndiqja shkrimtarin tek hynte në shtëpinë e tij, përjetova një ndjesi në kufijtë e surreales. Kur rritesh duke studiuar veprën e dikujt, që për ty është i largët sa një trup qiellor, ndjesia e të rrokurit duart me të është sikur ke shkelur mbi Hënë.
Për letërsinë shqipe, e re në moshë, e cila historikisht trashëgon një rrëfim gojor, por jo të shkruar, korpusi letrar i Kadaresë është si rruga Egnatia për shkrimtarët e tjerë. Për më tepër, si është ai i pari që shkroi një interpretim magjik të ‘Besës së Konstandinit’, në romanin policor “Kush e solli Doruntinën”.
Demetrus Erkolani, mercenari nga Kostandinopoja që thirret të zbardhë ringjalljen e Konstandinit në faqet e romanit tim, ka një aluzion të Kapiten Stresit në “Kush e solli Doruntinën”. Sidoqoftë, funksioni i këtij personazhi dhe shpirti i dy veprave janë krejtësisht të ndryshme dhe të largëta nga njëra -tjetra. Nëse kam mësuar diçka nga Kadareja, është mënyra origjinale dhe e guximshme e rrëfimit të realitetit, larg kornizave të provincializmit. Kjo është shume e rëndësishme.
KultPlus: Po shkruan diçka të re?
Tobias Xhaxhiu: Për momentin jam duke përpunuar një dorëshkrim të disa viteve më parë, të një natyre krejt të ndryshme nga “Memento Mori”. Bëhet fjalë për një roman atipik për adoleshentë dhe të rritur, që pleks botën e njerëzve me atë të përrallave më të njohura. Ju jap “besën” se do të jetë diçka ndryshe. Në vijim, jam duke punuar dhe për një triller të ambientuar në ditët e pandemisë, por si thonë: çdo gjë në kohë të vet!/ KultPlus.com
Kur ka filluar xhirimet për filmin artistik të metrazhit të gjatë “Vera andrron detin”, Arona Zyberi ishte vetëm shtatë vjeçe, dhe me këtë moshë të vogël kishte hyrë në sheshxhirim me aktorë shumë profesionistë shqiptarë, shkruan KulPlus.
Dhe tashti, pikërisht ky film me regji të Kaltrina Krasniqit që premierën botërorë e pat në festivalin më të vjetër të filmit në botë, në festivalin e Venecias, për flokëkuqen duket që titulli i këtij filmi po përkon shumë. Përderisa filmi bart një titull shumë provokues “Vera andrron detin”, për Aronën po shihet se po ëndërron dyert e mëdha të kinematografisë, pasi që, me vetëm dhjetë vjet, ajo parakaloi në tepihun e kuq të Festivalit të Venecias, për tu shndërruar kështu aktorja më e vogël në historinë e kinematografisë kosovare që merr pjesë në një festival kaq prestigjioz.
“Kur kam kuptuar se filmi “Vera andrron detin” ka me marr pjesë në një festival të madh, e kam kuptuar se paskam bërë një punë të mirë, përderisa më kanë ftuar në Venecia”, ka thënë Arona Zyberi për KultPlus, e cila shprehet të jetë e emocionuar për parakalimin e saj në këtë festival kaq të madh, e cila ka qenë e shoqëruar me regjisoren Kaltrina Krasniqi dhe aktorët e filmit.
“Parakalimi në tepihun e kuq më ka dhënë një ndjenjë që nuk përshkruhet me fjalë, sepse më kanë treguar se kjo nuk ndodhë shpesh”, ka thënë Arona, e cila këtë projekt nuk e ka të parin, por më të rëndësishmin për karrierën e saj të sapo nisur.
Ajo tregon se deri tash ka marr pjesë edhe në filma të tjerë dhe në disa reklama televizive, por filmi “Vera andrron detin” i ka dhuruar njërin nga rolet kryesore, atë të Hanës, dhe me këtë rol duket se po shkëlqen bashkë me ekipin tjetër të filmit.
Xhirimet për filmin, Arona i ka përfunduar në vitin 2019, dhe tash si dhjetë vjeçe po shijon angazhimin e saj në këtë film, që për dhjetë ditë ka qenë në sheshxhirim.
“E mësoj tekstin shpejt, dhe rrallë më ndodhë që të më përsëriten skenat, ndoshta edhe për këtë arsye po e kanë të lehtë me punu me mua”, ka thënë Zyberi, e cila kujton se ka xhiruar nga shtatë deri në tetë orë, por nuk është ankuar. Ajo atë periudhë e kujton si të lodhshme, por shumë argëtuese.
Arona Zyberi po qëndron bashkë me ekipin e filmit në Venecia, film që është nominuar në disa kategori, dhe mbrëmjen e ndarjes së çmimeve është duke e pritur me mjaftë emocion, duke uruar që të kthehen për Kosovë me ndonjë çmim./ KultPlus.com
Seriali fitues i disa çmimeve, “La Casa de Papel”, u kthye më 3 shtator për gjysmën e parë të sezonit të tij të pestë dhe të fundit. Që nga sezoni i parë e më tej, grabitësit janë maskuar me maska që i ngjajnë artistit spanjoll Salvador Dali, i cili kishte një mustaqe të ekzagjeruar. Pse pamja e Dalit?
Epo, shumica e punës së Dalit u krijua gjatë lëvizjes “Dada” të Cyrihut, e cila u zhvillua në fillim të shekullit të 20-të dhe kishte të bënte me refuzimin e shoqërisë moderne kapitaliste.
Si pasojë, filozofitë e Dalit përputhen me etikën e hajdutëve në “La Casa de Papel”. Përveç dëshirës për t’u pasuruar, hajdutët në fakt planifikojnë t’i kthejnë paratë e tyre te njerëzit.
Për më tepër, publiku dëgjon rregullisht versionin e Manu Pilas të shfaqjes “Bella Ciao” gjatë shfaqjes. “Bella Ciao” është po aq e qëllimshme sa maskat e Dalit. Sipas “Arts and Terror” të Vladimir L. Marchenkov, “Bella Ciao” është një këngë popullore italiane që u miratua si himni i rezistencës antifashiste.
Përveç huazimit nga historia, “La Casa de Papel”, me popullaritetin e madh global, po ndikon gjithashtu në kulturë në kohë reale. Shfaqja nuk është thjesht për grabitësit e bankave, por edhe një histori për rezistencën. Në vitin 2019, për shembull, veshja e ekuipazhit e frymëzuar nga Dali ishte veshur nga protestuesit duke kërkuar që guvernatori i Porto Rikos, Ricardo Rosselló, të japë dorëheqjen.
Maria Hinojosa, producente ekzekutive e Latino USA në NPR, postoi një fotografi në Instagram të katër personave të veshur me kostumin e aktorëve në serial. Njerëzit e Porto Rikos i kuptojnë përdorimet dhe shprehjet e shumta të demokracisë. Le të shikojmë dhe të mësojmë nga bashkëqytetarët tanë amerikanë. Ky është një moment i jashtëzakonshëm dhe të gjithë duhet të pyesni veten pse nuk është kjo historia kryesore kudo. #Puertorico./ konica.al/ KultPlus.com
Në një intervistë të fundit për The Guardian, Angelina Jolie rrëfeu se asaj dikur iu desh të “shpëtonte” prej Harvey Weinstein, në fillimet e saj, pasi ai e ngacmoi. Përdhunuesi i dënuar Harvey Weinstein ka reaguar për këtë deklaratë, duke thënë se nuk e ka sulmuar kurrë Angelina Jolie-n.
“Nuk pati kurrë një sulm dhe as një përpjekje për të sulmuar,” –tha në një deklaratë për TMZ, Weinstein, i cili aktualisht po vuan një dënim 23-vjeçar për përdhunim dhe dhunë. “Është një publicitet i pavërtetë, vetëm për klikime. Ti je Angelina Jolie, çdo mashkull dhe femër në botë, jam i sigurt, tregon interes për ty. A po të sulmon e gjithë bota? Është shumë e qartë për mua se kjo është bërë për të sjellë më shumë shitje për librin e Angelina-s.”
Në intervistë, Jolie thotë se ajo i tregoi burrit të saj të parë, Jonny Lee Miller, për incidentin e pretenduar.
“Unë qëndrova larg dhe i paralajmërova njerëzit për të. Mbaj mend që i thashë Jonny -t, bashkëshortit tim të parë, i cili u tregua i mrekullueshëm, që t’ua përhapë fjalën djemve të tjerë – mos i lini vajzat të shkojnë vetëm me të,” tha Jolie.
Pretendimet e Jolie për Weinstein dolën ndërsa ajo po diskutonte problemet e vazhdueshme që kishte me ish-burrin e saj, Brad Pitt, që çuan në fundin e martesës së tyre. Ajo pretendoi se Pitt i kërkoi Weinstein të ishte producent në filmin e tij “Killing Them Softly “./lapsi.al/ KultPlus.com
Fundjavën që lamë pas, Enrique Iglesias njoftoi se albumi i tij i ardhshëm, i titulluar Final, mund të jetë i fundit për të.
Kantautori spanjoll e zbuloi lajmin për Ricky Martin dhe Sebastián Yatra, si dhe për miliona ndjekësit e tyre në Instagram, gjatë një bisede live që promovonte turneun e tyre të ardhshëm që do të nisë në fund të këtij muaji. Final pritet publikohet më 17 shtator.
“Mund të jetë albumi im i fundit,” –tha Iglesias. “Nuk është diçka për të cilën kam menduar gjatë muajve të fundit. Është diçka për të cilën kam menduar vitet e fundit. Do të ketë Vol. 1 dhe Vol. 2, por ato janë përfundimtare. Unë jam në atë moment në jetën time, atë kapitull në jetën time, ku mendoj se është koha e duhur për ta nxjerrë dhe kam menduar për këtë që nga viti 2015. ”
Edhe pse mund të jetë albumi i tij i fundit, Iglesias i siguroi fansat se kjo nuk do të thotë se ai do të ndalojë së bëri muzikë.
“Unë kurrë nuk do të ndaloj së shkruari këngë, sepse më pëlqen të shkruaj këngë, por do ta bëj në një mënyrë tjetër – që do të thotë se ato nuk duhet domosdoshmërisht të dalin si album – kështu që ky projekt për mua është i rëndësishëm.”
Së fundmi, Iglesias u bashkua me Farruko për hitin e verës “Me Pasé”, i cili u publikua në korrik dhe u bë kënga e tij e parë që nga viti 2019. Final Vol. 1 do të jetë albumi i 11-të në studio i Iglesias dhe do të pasojë “Sex and Love” të vitit 2014, i cili arriti numrin 1 në listën e albumeve më të mira latine të Billboard./ lapsi.al KultPlus.com
Filmi “Vera Andrron Detin” i regjisores Kaltrina Krasniqi do të jepet si premierë botërore në një nga festivalet më prestigjioze në botë, atë të Festivalit të Filmit të Venezia-s – “Venice Film Festival”.
“Vera Andrron Detin” është në konkurrencë zyrtare në programin “Orizzonti”, ndërsa president i jurisë është regjisorja boshnjake, Jasmila Zbaniç, e që premiera e këtij filmi do të jepet në këtë të mërkurë, shkruan KultPlus.
Filmi kosovar është nominuar në disa kategori, atë të “Filmit më të mirë”, “Regjisë më të mirë”, “Çmimin special të jurisë”, “Aktori dhe aktorja më e mirë” si dhe “Skenari më i mirë”.
Ky prodhim kinematografik është një film i metrazhit të gjatë me skenar nga Doruntina Basha dhe regji të Kaltrina Krasniqit.
Në film përditshmëria e qetë e Verës (64) çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hapë rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat. Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi, shtyjnë Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj.
E zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera Andrron Detin” është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazishë gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme’.
Filmi përbëhet prej një kasti aktorësh ku bëjnë pjesë; Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj e disa të tjerë.
Filmi është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë.
Kurse me film të metrazhit të shkurtë, Kosova për herë të parë ka marrë pjesë në këtë festival prestigjioz me filmin e Lendita Zeqiraj, e cila kishte marrë pjesë me filmin “Ballkoni”, po në kategorinë Orizzonti, pjesëmarrje që kishte ndodhë qysh në vitin 2013. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, me rastin e 31 vjetorit të Kushtetutës së Kaçanikut ka vlerësuar se ‘në këtë ditë historike, jemi falënderues ndaj grave e burrave të Kosovës, të cilët 31-vjet më parë patën dijen, vizionin e guximin që ta miratojnë Kushtetutën e Kaçanikut, dokumentin përmbajtësor, me të cilin nisi krijimi i identitetit kushtetues e shtetëror të Republikës së Kosovës’, ka shkruar mes tjerash presidentja Osmani.
KultPlus e sjell të plotë reagimin e presidentes Osmani, lidhur me këtë datë historike.
Në këtë ditë historike, jemi falënderues ndaj grave e burrave të Kosovës, të cilët 31-vjet më parë patën dijen, vizionin e guximin që ta miratojnë Kushtetutën e Kaçanikut, dokumentin përmbajtësor, me të cilin nisi krijimi i identitetit kushtetues e shtetëror të Republikës së Kosovës. Të frymëzuar nga idealet e lirisë dhe demokracisë, delegatët e Kuvendit të Kaçanikut sfiduan guximshëm veprimet represive dhe kërcënimet brutale të regjimit të Serbisë, duke u bërë udhërrëfyes në rrugëtimin tonë për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Tri dekada më parë, ëndrra e brezave për shtetin e Kosovës mori formë. Së pari Deklarata e 2 korrikut 1990 e pas saj Kushtetuta e Kaçanikut e bënë Kosovën Republikë, i dhanë kuptim thirrjes së hershme, kauzës sonë për liri, demokraci e shtet.
Urime Dita e Kushtetutës së Kaçanikut, e bëfshim Kosovën çdo ditë e më të mirë!/ KultPlus.com
Është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare aktori i njohur francez Jean-Paul Belmondo. Lajmi është konfirmuar për mediat nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.
Jean-Paul Belmondo, aktori francez që fitoi famë ndërkombëtare në klasiken revolucionare të Jean-Luc Godard, Vala e Re pa frymë, ka vdekur në moshën 88. Avokati i aktorit konfirmoi lajmin për AFP.
Belmondo-i quajtur Bébel nga audienca franceze-u bë një nga yjet më të mëdhenj të kinematografisë në vend në vitet 60 dhe 70, fytyra e tij e rrahur në kontrast me tiparet e gdhendura të rivalit të tij dhe dikur bashkëpunëtorit Alain Delon. Ashtu si Delon, Belmondo ishte një figurë kryesore e gjeneratës së shquar të filmave evropianë të asaj periudhe, me serinë e filmave që ai bëri me Godard-të cilat përfshinin A Ëoman Is a Ëoman dhe Pierrot le Fou-duke lënë një shenjë të pashlyeshme.
I lindur në vitin 1933 në periferinë e pasur të Parisit, Neuilly-sur-Seine, i biri i skulptorit “pied-noir” Paul Belmondo, Belmondo ndoqi një sërë shkollash private elitare. Ai tregoi më shumë interes për sportin dhe nisi një karrierë të shkurtër boksi amator si adoleshent. Pasi u infektua nga tuberkulozi, ai aplikoi në Akademinë Elitare Kombëtare të Arteve Dramatike, duke fituar përfundimisht një vend në 1952./ KultPlus.com
Sipas raportit të fundit të INSTAT dhe të dhënave nga organizata të ndryshme joqeveritare ka një përkeqësim të fenomenit të emigracionit në dekadën e tretë që nga rënia e regjimit komunist.
Sipas buletinit vjetor tw INSTAT që mat emigracionin dhe Diasporën, nga viti 2011 deri më 2020, janë larguar nga vendi rreth 600 mijë persona.
INSTAT përdor metoda të tërthorta për kryerjen e një vlerësimi mbi numrin e emigrantëve, i cili bazohet në të dhënat e dy censeve të njëpasnjëshëm, edhe pse ka vështirësi ose kufizime.
Censi i popullsisë dhe banesave në Shqipëri jep një vlerësim të stokut të migracionit brenda periudhës midis censeve, i cili zakonisht kryhet çdo 10 vjet dhe përmban vetëm një numër të vogël pyetjesh, të cilat nuk mund të numërojë të gjitha ngjarjet e migrimit si: familje të tëra që lëvizin, migrimin sezonal të përkohshëm dhe qarkullues.
Metoda e tërthortë që INSTAT përdori ishte krahasimi i dy popullsive, asaj të popullsisë banuese dhe regjistrit civil nxori se numri i emigrantëve që jetojnë jashtë vendit arriti në 1,6 milionë persona në vitin 2020 në krahasim me 1.08 milionë që ishin nga rezultatet e censit të vitit 2011, ose rreth 600 mijë persona më shumë.
Sipas të dhënave të INSTAT nga viti 2001 në 2011 ishin larguar në emigrim 481 mijë persona, por përgjatë dekadës së tretë 2011-2020 numri i emigrantëve u rrit me 25%.
Tendenca në rritje në rritje e emigracionit u nxit nga kriza ekonomike e vitit 2008 dhe heqja e vizave me Bashkimin Europian në dhjetor të vitit 2010. Përgjatë dekadës së fundit emigracioni u zgjerua nga individë të veçuar në ikjen e të gjithë familjes. Shumë familje kërkuan azil ekonomik pas vitit 2015, fenomen i cili vazhdon të ndodhë.
Kjo shifër është gati dy herë më e lartë sesa ajo e një ankete të fundit të INSTAT parë, që gjeti se gjatë vitive 2011-2019 janë larguar nga vendi mbi 360 mijë persona, ose 13% e popullsisë banuese në vitin 2011.
Një studim i fundit i profesorëve Ilir Gëdeshi dhe Rusell King tregon se emigrimi ka prekur të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare, që nga elitat e deri te grupet më të varfra e më të margjinalizuara dhe ka tërhequr njerëz nga të gjitha rajonet e vendit
Sipas tyre, pas tri dekadash migrimi vijon të ndodhë ende, ndonëse natyra e tij ka ndryshuar – më pak një migrim për shkak të varfërisë, dëshpërimit dhe protestës, siç ishte ai gjatë viteve ‘90-të, dhe më shumë, në ditët e sotme, një veçori strukturore e shoqërisë dhe demografisë shqiptare, në veçanti tek të rinjtë, segmentet më të arsimuara të popullsisë.
Vendet të cilat kanë si qëllim përfshirjen e Diasporës së tyre në zhvillimin e vendit, nuk ju mjafton vetëm numri i tyre, por shumë i rëndësishëm është profili i tyre, si demografik ashtu dhe social e ekonomik. INSTAT rekomandon që nevojitet të kenë informacion mbi përqendrimin e tyre, statusin arsimor dhe atë në punësim. Këto karakteristika do të ndihmojnë më së shumti qeverinë për të kuptuar më qartë potencialin profesional dhe ekonomik që ka Diaspora. Ndërtimi i regjistrit të emigrantëve, nismë e ndërmarrë tashmë nga Ministria e Brendshme, do të ndihmojë shumë në këtë drejtim. Nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, do të bëhen përpjekje për mbledhjen e të dhënave cilësore, nga Përfaqësitë Diplomatike.
Ikin familjet
Një tjetër anketë e INSTAT, në bashkëpunim me donatorët në rreth 20 mijë familje vitin e kaluar (prill-korrik 2019) ka zbuluar një fakt të frikshëm në dekadën e kaluar, pasi fenomeni është zgjeruar në emigrimin e së gjithë familjes. Gjatë 10-vjeçarit të fundit janë larguar nga vendi 6,6% e familjeve, gjithsej 49,500 të tilla, ndërsa në vitet 2001-2011 ishin larguar 4.4% e njësive familjare.
Anketa ka zbuluar se kushtet ekonomike, duke përfshirë varfërinë, papunësinë dhe nënpunësimin, të ardhurat e ulëta nga punësimi, kushtet e vështira të jetesës, mbrojtja e kufizuar sociale dhe borxhet janë faktorët kryesorë për emigrantët shqiptarë.
Përveç këtyre faktorëve bazë, një tjetër shtysë është e ardhmja e fëmijëve. Përveç tyre, ka edhe të tjerë faktorë, si mangësitë dhe cilësia e ulët e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, strehimi, konfliktet dhe siguria fizike që shkaktojnë stres të vazhdueshëm psikologjik, përfshi cilësinë e ulët të arsimit. Për disa nëngrupe (p.sh. romët dhe egjiptianët), një faktor shtesë është diskriminimi. Pjesa dërrmuese e personave që emigrojnë janë të rinj, ndërsa 14% e tyre ishin me arsim të lartë. Largimi i burrave ishte 200% më i lartë se ai i grave.
Emigracioni i dekadës së fundit ka përfshirë një pjesë të konsiderueshme të shtresës së mesme edhe nga ana e formimit arsimor. Sipas të dhënave të anketës, nga të larguarit, 54% e tyre kishin një diplomë të arsimit të mesëm, profesional ose të përgjithshëm, ose një diplomë të studimeve të larta. Gati 14% e emigrantëve gjatë periudhës 2011-2019 ishin me arsim të lartë./Monitor
Natyra dhe arti, austriaken Hermi Kuerner e sjellin shpesh në Shqipëri, e cila tash e një kohë është artiste e punimeve me akuarel dhe pjesëmarrëse në shumë bienale të akuarelit nëpër botë, duke përfshirë edhe Shqipërinë, shkruan KultPlus.
Së fundi ajo po qëndron në bregdetin shqiptar, duke u inspiruar nga pamjet e bregdetit të Shqipërisë, përkatësisht me pamjet e Ranës së Hedhun.
Rrjeti IËS që është i shtrire në shumë shtete të botës, duke përfshirë edhe atë të Shqipëirsë dhe Kosovës, kanë bërë që austriaken Kuerner ta lidhin me Shqipërinë, e cila tashmë këtë vend po e shkrinë në veprat e saj, e që ekspozohen në vende të ndryshme të botës.
Kuerner ka thënë për KultPlus se bregdeti shqiptar ka një pamje të mahanitshme, e cila e inspiron për të sjell vepra të reja, por duke bartë me vete punimet nga vendi i lindjes së saj, Austria, e cila e sjell të njëjtën pamje në stinë të ndryshme, pamje që lexuesit e KultPlus mund ti shohin edhe brenda artikullit./ KultPlus.com
Festivali i Filmit të Sarajevës është duke shkuar drejt mbylljes së këtij edicioni, dhe suksesi i filmave shqiptarë ishte jashtëzakonisht i lartë dhe padyshim i pashmangshëm në këtë festival, shkruan KultPlus.
Çmimi për promovimin e barazisë gjinore shkoi për Norika Sefa për filmin artistik të metrazhit të gjatë “Duke kërkuar Venerën”.
Nga një takim i çuditshëm, në film, Venera e ndrojtur nis të vë në dyshim familjen e saj patriarkale dhe të ndjekë Dorinën mendje-hapur, qëndrimi i fortë i së cilës nxit kureshtjen e Venerës për të eksploruar më shumë. Derisa Venera persiatet për kuptimin e jetës, filmi gradualisht shpreh nje sens absurd të jetës, me njerëz qe fshehin një botë me emocione – nga poshtërimi, faji e zhgënjimi. “Unë kurrë nuk i kam parë prindërit e mi të puthen” – thotë Venera.
Në rolet kryesore në film janë Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Makolli, Fatushe Nushi, Tristan Halilaj.
“Në kërkim të Venerës” me producent Besnik Krapin, është bashkëprodhim në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, i prodhuar nga Circle Pruduction me bashkëproducent Igor Popovski dhe Gazmend Nela. Filmi gjithashtu është mbështetur edhe nga Komuna e Kaçanikut dhe Komuna e Prishtinës.
Ndërkohë, në këtë edicion kanë marrë edhe çmimin e aktores më të mirë, tri aktoret e filmit “Luaneshat e Kodrës”, ku çmimin “Zemra e Sarajevës”, e kanë marë aktoret Flaka Haliti, Era Balaj dhe Uratë Shabani.
Kurse filmi i metrazhit të shkurtë “Pa vend”, me regji të Samir Karahodës është shpërblyer me çmim special në këtë festival, çmim që i është ndarë nga juria profesionale./ KultPlus.com
Festivali i Filmit të Sarajevës është duke shkuar drejt mbylljes së këtij edicioni, dhe suksesi i filmave shqiptarë duket se vazhdon të jetë i pashmangshëm edhe në këtë festival, shkruan KultPlus.
Filmi i metrazhit të shkurtë “Pa vend”, me regji të Samir Karahodës është shpërblyer me çmim special në këtë festival, çmim që i është ndarë nga juria profesionale.
Filmi “Pa vend” i zhanrit docu-fiction përcjellë përpjekjet e vazhdueshme të Jetonit dhe Ermeganit të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifati që të mbajnë sportin e ping pongut gjallë duke zhvilluar gjenerata të reja të ping pongistëve.
Ekipi i filmit përbëhet nga:
Regjia dhe Kinematografia: Samir Karahoda
Producent: Eroll Bilibani
Montazhi: Enis Saraçi
Dizajner zëri: Memli Kelmendi
Xhirues Zëri: Gëzim Rama
Protagonistët kryesor: Jeton Mazreku, Ermegan Kazazi dhe Rifat Rifati
Filmi është produksion i shtëpisë filmike SK PICTURES dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Komuna e Prishtinës, Komuna e Prizrenit, Mabetex Group, TV Arte, TV Yle, Dokufest dhe distribuohet nga Radiator IP Sales. / KultPlus.com
Festivali i Filmit të Sarajevës është duke shkuar drejt mbylljes së këtij edicioni, dhe suksesi i filmave shqiptarë ishte i pashmangshëm edhe në këtë festival, shkruan KultPlus.
Në kategorinë aktorja më e mirë, juria e këtij festivali këtë çmim i ka ndarë tri aktoreve të filmit “Luaneshat e Kodrës”, me regji të Luana Bajramit, dhe aktoret që u vlerësuan në këtë festival janë: Flaka Haliti, Era Balaj dhe Uratë Shabani.
Ky ka qenë vlerësimi i jurisë së kryesuar nga aktorja Jasna Gjuriçiq e në përbërje të së cilës ishin edhe Mike Cahill (regjisor dhe skenarist), Lili Horvát (regjisore dhe skenariste), Eva Sangiorgi (drejtoreshë artistike e Viennales), si dhe Martin Schweighofer (drejtor ekzekutiv i Austrian Film Comission).
Ky film është xhiruar në Kosovë dhe flet për tri shoqe të pandashme të cilat janë në pritje të rezultateve për Universitet. Të ulura në një kodër, Qe (Flaka Latifi), Li (Era Balaj) and Jeta (Uratë Shabani) ëndërrojnë të shkojnë në një qytet më të madh për t’u pavarësuar e për t’i lënë prapa thashethemet dhe pengesat e tjera në fshatin e tyre.
‘Luaneshat e Kodrës’ është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin, dhe bashkëproducent Pascal Judelewicz.
Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga OrëZanë Films (Kosovë), Vents Contraires (Francë), dhe Acajou Productions (Francë).
Në rolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora dhe Luàna Bajrami./ KultPlus.com
“Në Duart e Tona” është projekt i “Prishtina Biennale”, në bashkëpunim me “Paper House”, i cili do të jetë mjaft i veçantë dhe kuptimplotë, pasi që përfshin një grup mjaft të sfiduar të shoqërisë.
Projekti “Në Duart e Tona”, ka temë gratë të cilat kishin jetuar pa burrat e tyre në vitet 70-ta, 80-ta dhe fillimin e viteve të 90-ta, për shkak se ata kishin emigruar, të detyruar nga situata e pafavorshme ekonomike.
Si rezultat i emigrimit të burrave të tyre, këto gra kosovare u detyruan që të rrisin familjet e tyre të vetme dhe të luajnë edhe rolin e babait për fëmijët e tyre. Por, jeta e tyre gjatë këtyre viteve ishte mjaft e vështirë, pasi që u përballen me punë mjaft sfiduese dhe paragjykime shoqërore.
Andaj, për nder të këtyre grave në mënyra mjaft kreative pritet të sjellin historitë e tyre, të cilat edhe janë “mbinjerëzore”, për faktin se sfiduan çdo standard shoqërorë që ju është shkaktuar atyre.
Jo vetëm histori por përjetim dhe emocion, “Në Duart e Tona”.
““Paper House” i’u bën thirrje të gjitha grave të cilat i kanë rritur familjet të vetme për shkak të emigrimit të burrave gjatë viteve 70-ta, 80-ta dhe 90-ta, e që dëshirojnë të ndajnë me të tjerët përjetimet nga ajo kohë, me anë të tregimeve apo materialeve që mund t’i posedojnë të na kontaktoni përmes emailit: [email protected], përmes Viber në numrin +38343911911 apo përmes Facebook në “Paper Radio 91.1””, thuhet në njoftimin e “Paper Houese”. / KultPlus.com