40 vjet pa poetin e arbëreshëve të Zarës, Shime Deshpali

Sot shënohet 40-vjetori i vdekjes së poetit të shquar të arbëreshëve të Zarës në Dalmaci, Shime Deshpali. Ai mbetet një nga përfaqësuesit më të denjë të kulturës dhe të letërsisë shqipe. Lindi në vitin 1897 në Zarë, në një familje patriotike me origjinë nga Kraja.

Punoi si mësues muzike dhe si dirigjent. Botoi shumë shkrime në organet letrare të Kosovës. Disa nga librat e tij të botuar janë: libri “Tregime arbnore”, përmbledhjet poetike “Agimet dhe parambramjet e Arbneshit” dhe “E vërteta” me temë nga jeta e arbëreshëve të Zarës.

Shkrimet e tij shquhen për notat romantike dhe për thjeshtësinë e shprehjes. Gjithashtu, ai ka krijuar disa këngë, si dhe operën me temë patriotike “Vana”.

Shime Deshpali, poeti i shquar i arbëreshëve të Zarës në Dalmaci qe një nga përfaqësuesit më të denjë të kulturës dhe të letërsisë shqipe. Ai lindi në vitin 1897 në Zarë, në një familje patriotike të ardhur nga Shestani në vitin 1721. Familja e tij u vendos në Arbnesh të Zarës dhe u mjor kryesisht me bujqësi dhe blegtori për të siguruar bukën e gojës larg atdheut të të parëve. Gjendja e vështirë ekonomike, varfëria dhe mundimi, jeta e vështirë do të linte gjurmë të thella tek djaloshi i vogël.

Rreth vitit 1903, nis mësimet në shkollën fillore të fshatit me mësues Atë Pashka Bardhin përmes të cilit u pais me kulturë të gjërë dhe me dashuri të pakufishme për dheun e të parëve. Pasi përfundoi shkollën fillore, vijoi mësimet në shkollën normale në zarë ku u përgatit dhe mori njohuri në fushën e edukimit. Studimet e larta i vijoi në Zagreb në fushën e muzikës, pasioni për të cilën i kishte lindur që në moshë të re.

Për shumë vite me radhë punoi si mësues i lëndës së muzikës në Arbnesh të Zarës, ku veç edukimit muzikor dhe dirigjimit i praktikonte nxënësit edhe në fushën e këngës, sidomos atë patriotike. Gjatë kësaj periudhe hartoi shumë këngë kryesisht për atdheun etij, për figurat e shquara, për fshatin e tij Arbnesh, madje krijoi edhe një opera me titull “Vana” me motive patriotike. Kjo krijimtari e bëri Shime Deshpalin një intelektual dhe krijues të njohur në koloninë arbreshe të zarës dhe një mësues patriot të nderuar.

Shpesh kur bisedonte me prindërit e tij rreth oxhakut në netët e gjata të dimrit, tema qëndrore ishte ajo e dashurisë për atdheun. Gjyshi i tij i tregonte histori dhe ngjarje për vende dhe trima nga vendlindja duke i edukuar Shime Deshpalit ndjenjën e patriotizmit dhe dashurinë për atdheun.

Kjo temë do të sundonte edhe krijimtrainë e tij të mëvonshme. Këtë e verteton edhe fakti që së bashku me shkrimtarin e shquar Josip Rela, është ndër të parët qe merret me veprimtari artistike dhe në vitin 1921 patë vënë në skenë dhë shfaqur pjesën dramatike “Lundërza e Jozhës, qe përben tekstin e parë serioz të arbreshëvë të Zarës si dhe pati formuar shoqërinë kulturore dhe artistike “Arbëneshi” në Zarë, ku hartoi një program për edukimin patriotik të të rinjve me qëllim që, siç e pati thënë edhe ai vetë: “…këtë e kam ba me qëllim që të ndihet Arbneshi, Ti kallxoj botës shpirtin e katundit tem, virtytet e vllazëne të mij, të merret vesh se na jena arbën…”.

E në kuadër të kësaj shoqërie, Shime Deshpali si një atdhetar i vërtetë pati organizuar mjaft aktivitete kultuore dhe artistike, takime, vizita, koncerte në funksion të ruajtjes së gjuhës, historisë, traditave, zakoneve, veshjeve dhe cilësive të tjera morale të arbneshëve. Ka nisur të botojë krijimet e para në revistën “Jeta e re“ qe në vitin 1953, pastaj botoi edhe në revistat “Lenës” dhe “Romanea”.

Krijimtaria letrare e Shime Deshpalit vijon me librin me tregime “Tregime arbnore”, botuar në vitin 1966 nga “Jeta e re” në Kosovë. Në këta tregime autori synon lartësimin e virtyteve morale dhe patriotike të arbneshëve. Tregimet e këtij vëllimi janë pasqyrë e jetës dhe veprimtarisë të arbneshëve, e karakterit burrëror dhe mjediseve fshatare ku gjallen puna dhe jeta. Përshkruan mjedise, tradita, zakone, tipa dhe portrete të arbneshëve duke synuar ti afrojë sa më shumë me shqiptarët e sotëm.

Kudo ndjehet vuajtja, mundimi, jeta e vështirë që shqiptarit të gjorë nuk iu nda as në mërgim. Në një tregim të titulluar “Fyerje”, shkëputur nga “Tregimet arbneshe”, botuar në Prishtinë në vitin 1966, ai shkruan: “…Moni zbriti prej kulmit e duke dalë përpara Vancit zbathur e pa këmishë, nxori pesë solda prej kulete që mbante në tirqet gjithë arna.

-Mbaji, – i tha së shoqes duke i dhënë soldat. –Kjo është gjithë pasuria ime. Në këtë kohë të vështirë s’ka kuptim ruajtja. Bli diçka për fëmijët. Thotë se i ndalon të dridhurat kafja e zezë. –Ashtu më tha e shoqaja e Kolës, -tha Vanci…”. E më tej, përmes një tregimi të thjeshtë, me ndjenjë dhe të shpalosur më çiltërsi njerëzore ngre zërin kundër varfërisë, kundër dhunës dhe kundër padrejtësive shoqëroreqë bëhen ndaj shqiptarit. Ai tashmë është në moshë të pjekur rreth 70 vjeç, prandaj më mirë se kushdo e analizon dhe gjykon gjendjen e vështirë të arbneshit të zarës duke thënë … -Eh, -tha Vanci, -do tia dalim mbanë edhe ne varfërisë sonë? –Ja dalim! Ja dalim mbanë, Vanci? –tha Moni hidhur.

–Do t’ja shtrydh kokën gjarprit, që mbështolli edhe stërgjyshin tim në varfëri… Nga dita në ditë po ripem në punë të huaj, e me mundim dhe djersën tipe po nxjerrin të tjerët dobi, e ne gjithmonë arna, arna e të urët!. . . ”. Shihet qartazi se autori di të përshkruajë atmosferën me ngjyrimet karakteristike negative por plot aktivitet dhe vlerësim të vendlindjes, ditët plot vuajtje, plot punë e halle, përpjekjet e bashkëfshatarëve për të dalë nga gjendja e mjeruar e tyre, duke synuar shpesh të japë edhe zgjidhje.

“Hero ii përbahskët i tregimeve të Shimes, -thutë diku studiuesi Nasho Jorgaqi, -është arbëneshi i ndershëm, punëtor e krenar, më nje botë pasur shpirtëore, me temperament të gjallë e i vrullshëm, njeri i drejtë dhe guximtar…”. Vepra ka vlera jo vetëm përshkruese, por edhe kompozicionale dhe artistke.

Krijimtaria letrare e Shime Deshpalit kulmon me librin me poezi “Agimet dhe parambarmjet e Arbneshit” – poezi, “Rilindja”, Prishtinë 1968 dhe vëllimin “E vërteta”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë 1972, ”Këngë shqiptare”-korale. Në poezinë e tij mbizotëron fryma atdhetare, malli për të parët, për gjuhën, për traditat më të vjetra të kombit tonë. Ashtu si mjaft të tjerë arbreshë, edhe Shime Deshpali kërkon të derdhë emocionet dhe mallin në vargje të thjeshta poetike, por plot ndjenjë dhe emocion.

Objekt i poezisë së tij është katundi Arbnesh, plot jetë dhe gjallëri, pjesë e shkëputur nga trungu arbëror: “…O katund/me arbnesh të ndershëm, /guximtar, /krenar, /shikim, flakë, /O katundi jem, /sa të due, / me t’tregue, /fjal s’kam…”. E vështron katundin e tij plot krenari, sepse ka ruajtur traditat e të parëve, burrërinë, besën dhe vlerat njerëzore të trimave arbëror dhe me sytë e mendjes poeti sheh atdheun e tij të dashur Shqipërinë, ku lindën dhe u rritën stërgjyshërit e tij, ata njerëz trima dhe bujarë, punëtorë dhe mikpritës.

Ai i sheh në beteja duke luftuar, nëpër ara duke punuar, nëpër kuvende duke biseduar, por dëgjon edhe fallin nëpër gryka dhe lugina tek gjëmon duke dhënë kushtrimin për luftë, prandaj shprehet: “…Ma shumë se dyqind e katërdhjet vjet janë, /se rrembi jonë/u këput prej trungut, /të paradheut, /porn e s’kemi harrue, /as nuk i harrojmë, /Kështu paradheut dhe juve, /Po ju thomi…”, u drejtohet qi vëllezërve të tij të një gjaku, atyre njerëzve me karakter të hekurt, krenarë, të guximshëm dhe patriotë.

Në krijimtarinë poetike të Shime Deshpalit mbizotërojnë notat romantike, çiltërsia e ndjenjave dhe thjeshtësia e mendimeve. Në këtë poezi pulson gjaku arbëror. Ai këndon dhe kënga e tij jehon e dëgjohet në tërë krahinën “…se kombiarbëresh, /e ka një histori botnore, /me nder të posaçëm një vend…”, pra vepra e Deshpalit është një thirrje krenare, plot dhimbje dhe shpresë për të mos humbur, për ti qëndruar kohës plot dallgë e stuhi, për të mbijetuar me nder e lavdi.

Poezia e tij të ngjan me një kronikë artistike që vjen gjithnjë në rritje kun ë të është Arbneshi, Zara, Arbëria, Shqipëria e mbi të gjitha njeriu-arbnesh, i cili kujton të parët, burrat e mençur e patriotë, gjyshin dhe nanën, ata që i edukuan dashurinë për atdhe. I këndon me pasion bukurive të fshatit, ndryshimeve të tij, punës plot vrull të fëmijëve, të rinjve e deri tek të moshuarit për të ndryshuar diçka në fshatin e tyre, në jetën e tyre të varfër. Por malli e digjte për gjithçka, për atdheun dhe për njerzit, prandaj dote shkruante:”…

Mbas se jemi takue, /të parën herë, /të kam marrë me të jaseminit, /të amblën erë. Të dytën here, /si hije m’je duke, /si hija m’je zhdukë. Prap i vetëm kam mbetë, /”A takohemi edhe një here?/Vetveten degjoj tu pvetë…”. E kjo poezi është e mbrojtun me dashuri, me dashuri njerëzore që nuk shuhet kurrë, kjo dashuri përshkon poezitë e tij duke u dhënë atyre ndjenjë, emocion, jetë.

Arbneshit i duhet luftë, mundë, sakrificë për të përballuar jetën, për të mbijetuar Brenda kontureve të trungut arbëror. Këtë e kërkon poeti përmes poezisë, përmes artit kur thotë: Mos më thuaj se je Arbnesh, /në mos bolla me nderje, /nuk të rrezaton, /në mos syni guximisht, /nuk të vekton, /në mos zemra parzmat, /me muburrje nuk t’i gjanon, /Këta virtyte në mos i ke, /ti s’di se kush je, /as çfarë trimash të lavdueshëm, /

stërgjyshët i ke, /Mos më thuaj se je arbënesh, /nëse gjuhën e jonë, /pasdore e lëshon, /me me të huaj pispillohe, /dhe krenohe, /se për tingëllim t’ambël, /të gjuhës jonë, /vesh s’ke, /Dhe jo vetëm arbnesh, /por as njeri nuk je!. . . ”.

Këtë thirrje artistike autori e bën përmes poezisë “Mos më thuaj” shkruar në vitet e fundit të jetës, e cila shërben sistematikisht filozofik që grish bashkëkombasit e vet për të qëndruar, për të mos u asimiluar, për të mbetur krenar si shqiptarë. E kërkon në emër të trungut arbëror për të cilin poeti Shime Deshpali mburret me krenari të ligjshme, sepse për këtë qellim do të punonin edhe pasardhësit e tij. Këtë na e thotë në një intervistë studiuesi i njohur Aleksandër Stipçeviq, i cili thekson ”…Mos ta zgjas shumë, nga arbreshët e Zarës janë shquar shumë emra, qe nga shkenca, artet, politika e deri në estradën muzikore. Familja Dashpali, pra fëmijët e poetit dhe muzikologut Shime Deshpali, Valteri, Pali, Maja sot praktikisht dominojnë në skenën muzikore të Zagrebit dhe të Kroacisë…”

Simbolet e dashura të Shime Deshpalit, por edhe të krijimtarisë tij janë atdheu dhe flamuri. Madje për këtë të fundit Nasho Jorgaqi na tregon një ngjarje që poeti ja ka treguar vetë dhe që do të ketë ndodhur aty nga viti 1901, në Arbnesh të Zares: “…Kam qenë jo më shumë se katër vjeç, kur gjyshi më ka marrë për dore, më ka çue rrazë lisi të naltë të katundit dhe m’ka qitë prej prazmit nji flamur kuq e zi: Hyp n’majë t’lisit, -m’urdhnoj dhe m’dha flamurin n’dorë.

Atë ditë frynte erë dhe degët e lisit lëkundeshin. Po unë s’kam dasht me ditë. Jam ngjitë n’majë tu kacavjerrë deri dera sa kam nigjue zanin nga poshtë: -Ndalu! Lidhe flamurin në majë t’majës…Kisha me vedi shpirtin e arbneshit. E thom tash këtë se atherna nuk e kuptojsha… M’pa mir kur e lidha dhe m’pyeti: -Shikon si valvitet? Nga valvitet nga juga a nga veriu? …Nga deti a nga toka? –Nga Deti, -i them menjëherë. “Të lumtë, -ndigjova zanin e tij, -po shikoje mirë dhe gëzohu”…Kah valvitet flamuri, -më thotë, -asht Arbnia, paradheu i jonë. Kte mos e harro kurrë…”.

Gjithë motet e tij të jetës prej 84 vjetësh e kaloi në fshatin Arbnesh të Zarës, mes vëllezërve të tij të një gjaku, të një gjuhe duke folur shqip dhe duke menduar për atdheun e të parëve, sepse dikur pati thanë: “…Unë jam mjellma e arbneshëve këtu, që po këndoj. Atëherë si mund të iki prej këtu? Këtu i kemi të tana gjanat të vyeshme që kemi sjellë nga Arbnia, shpirtin fisnik, gjuhën, shpijat plaka, oborret me lule…”.

E me këtë ndjesi të ëmbël, një ditë të ftohtë janari të vitit 1981, mbylli sytë përgjithmonë në fshatin e tij të lindjes në Arbnesh të Zarës i paharrueshmi poeti dhe krijuesi i mirënjohur arbresh Shime Deshpali. Mendoj se kjo figurë e shquar e letersisë së arbreshëvë të Zarës në Kroaci, duhet të trajtohet në tekstet tona shkollore krahas poetëvë të tjerë arbreshë të Italisë qe studiohen sot, sepse ai la një vepër me vlera atdhetare, ai la një emër teper të njohur, ai la një zë të bukur dhe kumbues që vazhdon të gjëmojë ëndë edhe sot brigjeve të detit Dalmat./ diaspora shqiptare/ KultPlus.com

Violeta Lumani, çiklistja e parë memaliote që theu mentalitetin tepelenas dhe më gjerë

Memaliaj, edhe pse një qytet, ku në themelet e saj ka kontributin e njerëzve me kulturë, të ardhur nga treva të ndryshme të vendit; ku shumë prej tyre kanë punuar dhe jetuar për shumë vite, edhe nëpër vendet më të zhvilluara të perëndimit, kishte edhe një pjesë të banorëve që jetonin me një mentalitet të prapambetur! Këta të fundit, mbanin gjallë verbërisht, jo vetëm regjimin, por krijonin situata të rrezikshme edhe për jetën e asaj pjese të komunitetit që ishin të civilizuar.

Një prej tyre ishte edhe memaliotja Violeta Lumani dhe familja e saj, vetëm se ajo dilte me biçikletë në qytet. Ajo është vajza e Xheko dhe Sabri Lumanit, të ardhur nga rrethi i Përmetit, qysh në fillimet e ndërtimit të qytetit të Memaliajt.

Ajo është fëmija i katërt nga motrat dhe e pesta nga fëmijët. Motra e madhe quhet Thëllëza, Zerdeli, Elena, Rrapo, Violeta dhe Vasilika. Në vitin 1970-të, familja Lumani, bleu një biçikletë 28-she, të prodhimit kinez. Në kohën që Leta filloi të mësonte biçikletën, ishte 14-15 vjeçe.

Violeta ose Leta, siç e përkëdhelnin të familjes, të afërmit dhe shokët e shoqet e saj, u lind dhe u rrit në një familje me tradita dhe kulturë bashkëkohore. Babai i saj, Sabriu kishte parë perëndimin shumë herët, pasi kishte qenë emigrant në Francë dhe prej andej, kishte luftuar edhe në luftën e Spanjës (1936-39), krahë luftëtarëve të tjerë shqiptarë, që bënin pjesë në “vullnetarët e lirisë” nga 53 vende të ndryshme të botës, përkrahë atyre spanjollë, duke iu bashkuar thirrjes së këtyre të fundit: “Popuj të botës na ndihmoni, fashizmi po na mbyt në gjak!” Nuk duhet harruar, se veterani internacional, Sabri Lumani, ka ndihmuar edhe LANÇ. Asnjë nga këto kontribute nuk u mor parasysh, por e sulmuan sikur të kishte qenë një armik i fshehur i sistemit të asaj kohe.

Memaliaj: Violeta Lumani, me biçikletën e saj.

Kjo vërejt kur disa bashkëqytetarë filluan ta sulmonin, pasi vajza e tij, Violeta, dilte me biçikletë nëpër qytet dhe këtë gjest ata e quanin një sjellje të huaj dhe borgjeze. Veterani Sabri Lumani ua kishte blerë biçikletën, djalit të tij të vetëm, Rrapos, me rastin e ditëlindjes, kur ai mbushi 16 vjeç. Rrapua dhe Leta, shkonin shumë si vëlla e motës, pasi ishin afër në moshë. Leta, duke qenë e shkathët nga natyra, u bë kureshtare dhe i shprehu dëshirën të vëllait, për t’i mësuar biçikletën dhe nuk iu nda derisa e mësoi. Pasi e mësoi, filloi të dilte lirshëm nëpër qytet, ashtu siç dilnin vajzat dhe gratë shqiptare edhe nëpër qytete të tjera të vendit.

Në shumë raste, Rrapua i kërkonte biçikletën bashkëqytetarit të tij, Pëllumb Nana, pasi të tijën e merrte e motra, Leta dhe të dy së bashku, shkonin në Këlcyrë, Përmet dhe ktheheshin përsëri në Memaliaj.

Për më shumë detaje, pyeta motrën e saj, Elena Lumani, e cila na sjell shumë detaje të vyera, për të bërë më të plotë shkrimin në fjalë. Ajo shprehet: “Në ato vite, t’mos ndihemi keq, pasi injoranca ishte në shkallën superiore. Nënat nuk i linin vajzat e tyre që të shoqëroheshin me Letën, por kjo nuk e kishte problem, pasi kishte mbështetjen e vëllait dhe të babait. Një ditë, babain tonë e thirrën në një mbledhje të jashtëzakonshme të Partisë. Propozimi nga baza, ishte për t’i hequr teserën e Partisë, me akuzën se nuk i kishte edukuar mirë fëmijët dhe kishin shfaqje të huaja. Aty u ngritën duke e kritikuar, për arsyen se vajza bredh me biçikletë në qytet. Babai u ngrit dhe u tha: “S’ka asgjë të keqe..!!” Të partisë, i thanë: “Nuk jemi këtu në Francën borgjeze.”. Babai, pasi i dëgjoi, iu përgjigjet: “Atëherë, po në Tiranë dhe Shkodër, ku femrat marrin biçikleta dhe i përdorin për të shkuar në punë dhe shëtitje, janë borgjeze…!! Unë do ta dërgoj vajzën për shofere dhe aviatore edhe pse në vendin tonë, ende nuk ka një femër me profesion të tillë …!” dhe iku nga mbledhja. Pak kohë më vonë, Leta kërkoi që të shkonte në kursin e shoferëve, por nuk ia dhanë këtë të drejtë! Nga kjo, Leta shikohej si jashtëtokësore në Memaliajn e atyre viteve! Ju dhe gjithë bashkëqytetarët memaliotë, e dinë që babai im, nuk dëgjonte, pasi kështu u kthye nga lufta. Si e tillë edhe në mbledhjet e Parisë, ia jepnin me shkrim çfarë do diskutohej. Edhe për këtë ngjarje, vendimin, ia kishin dhënë me shkrim dhe pasi e lexonte dhe njihej me përmbajtjen, ja merrnin letrën. Unë po e kërkoja këtë letër, në dokumentat e familjes, por nuk e gjeta. Si duket, pasi ndërroi jetë, nuk e kemi parë të domosdoshme, ta mbanim. Edhe biçikleta, është ende tek shtëpia e vëllait, por, ajo ka rënë e nuk mund të hyjë më në punë.”

Në kujtesën e shumë memaliotëve të vjetër, përveç përdorimit të biçikletës, ajo mbahet mend si një vajzë e çiltër, e sjellshme dhe e komunikueshme me bashkëqytetarët e saj. Një vajzë ndryshe nga të tjerat që blinin copa për të qepur fustane, ajo blinte kadife, doqe, stofra dhe teritale dhe i qepte pantallona me porosi, të cilat i përdorte përditë. Në atë kohë, ishte e veçantë, pasi vajzat dhe gratë, i mbanin pantallonat vetëm në punë. Gjithashtu, mbahet mend kur në vitet ’70, “Organizata e Rinisë” së qytetit organizonte mbrëmje në tarracën e Pallatit të Kulturës, ku ajo shkonte shpesh me të  vëllan e saj, Rrapon dhe kërcenin tuist (Twist) së bashku.

Në vitin 1982, Violeta Lumani krijon familje me memaliotin Lado Xhezairi, ku në jetë u vijnë edhe katër fëmijë të mrekullueshëm, të cilët quhen, Irena, Oltjon, Eglantina dhe Ledjon, ku të gjithë së bashku jetojnë në Athinë.

Edhe unë e mbaj mend Letën, kur ajo e përdorte biçikletën për të shkuar dhe kthyer nga puna, psonisje apo argëtim; dhe më dukej aq sa e veçantë, por edhe me vlera për atë qytet, pasi demonstronte një atmosferë qytetërimi, e cila do ishte fatkeqësi, nëse do i mungonte atij qyteti të banuar edhe me njerëz që kishin jetuar dhe punuar me vite edhe nëpër vendet më të zhvilluara të perëndimit! Padyshim që ajo ishte edhe femra e parë në rrethin e Tepelenës që përmbysi mentalitetin e asokohe!

Violeta Lumani na bën krenar për kurajon dhe qytetarin e saj, e cila, jo vetëm na ka ngelur në kujtesë, por ajo bëhet pjesë edhe e historisë së qytetin tonë të vogël, por me zemër të madhe!

Edmond Ismailati

Kryeministri Kurti: Fuqia e rinisë sonë është brenda shtetit, për të na shtyrë drejt zhvillimit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Muajit të Rinisë me mundësi të punës praktike për 900 të rinj, ngjarje kjo e organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Zyra e UNICEF-it në Kosovë.

Në këtë ceremoni, ku i pranishëm ishin edhe Ambasadori i Republikës së Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, private dhe publike, Organizatat e Shoqërisë Civile, si dhe 200 të rinj, kryeministri Kurti tha se është kënaqësi të nisim Muajin e Rinisë me kaq shumë të rinj bashkërisht.

“Për mua, çdo mundësi të flas drejtpërdrejt me të rinjtë është e rëndësishme, sepse vendimet që marrim tani dhe në vitet në vazhdim do të formojnë të ardhmen që ata do të trashëgojnë. Me agjendën e këtij Muaji, ne festojmë punën, angazhimin dhe potencialin e kësaj gjenerate”, tha kryeministri Kurti.

Para të pranishmëve, kryeministri Kurti tha është pak të thuash se jemi krenarë me të rinjtë tanë, që në Kosovë dhe botë, po korrin suksese të njëpasnjëshme në të gjitha fushat dhe sektorët.

Në sport, muzikë dhe film, në biznes, teknologji dhe arsim të lartë, kudo që ata angazhohen, rezultati është arritje e jashtëzakonshme, u shpreh kryeministri Kurti, duke vlerësuar se shteti i Kosovës nuk gëzon ambasadorë më të mirë.

“Falë tyre, emri ‘Republika e Kosovës’ dhe simbolet tona shtetërore vazhdimisht paraqiten krah-për-krah me ato të shteteve më të zhvilluara në arenën ndërkombëtare”, tha kryeministri.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

ë rinj pjesëmarrës,

I nderuari ambasadori Weidinger,

I nderuari udhëheqës i UNICEF-it në Kosovë, profesor Shpend Selimi

Të nderuar përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit,

Përfaqësues të institucioneve të tjera në Kosovë,

Thash profesor Selimi meqenëse kur unë isha i ri, si student, Shpend Selimi ishte i ri sikurse tani, dhe ishte profesor i imi e mi mbante disa lëndë, njëra prej tyre ishte Antenat.

E antenat janë të rëndësishme edhe për jetën politike, përveçse për valët elektromagnetike. Faleminderit profesor që na ke mësuar në rini, por edhe për punën që e ke bërë për të rinjtë edhe jashtë universitetit.

S’po dua ta heq kravatën e të jem më i lirë sepse ndoshta pastaj, mund të ndodhë që dikush prej jush të më sfidojë në basketboll pasi që jemi këtu. Njëherë, në po këtë fushë, më priu fati gjatë kohës së zgjedhjeve që para kamerave të shënoj në tentimin e parë. Kush e di çfarë rezultate do kishim në ato zgjedhje pa atë kosh. Prandaj edhe nëse sfidohem në gjuajtje të lira, e sipas probabilitetit mundësia të mos shënojë është më se reale, kërkesa ime për ju do të ishte të mos mbetet asnjë gjurmë që do mund ta shfrytëzonte opozita për kritikat e saj.

Është kënaqësi të gjendem mes jush, të nisim Muajin e Rinisë me kaq shumë të rinj bashkërisht. Për mua, çdo mundësi të flas drejtpërdrejt me të rinjtë është e rëndësishme sepse vendimet që marrim tani dhe në vitet në vazhdim do të formojnë të ardhmen që ata do të trashëgojnë.

Me agjendën e këtij Muaji, ne festojmë punën, angazhimin dhe potencialin e kësaj gjenerate. Është pak të thuash se jemi krenarë me të rinjtë tanë, që në Kosovë dhe botë, po korrin suksese të njëpasnjëshme në të gjitha fushat dhe sektorët. Në sport, muzikë dhe film, në biznes, teknologji dhe arsim të lartë, kudo që ata angazhohen, rezultati është arritje e jashtëzakonshme. Shteti i Kosovës nuk gëzon ambasadorë më të mirë. Falë tyre, emri ‘Republika e Kosovës’ dhe simbolet tona shtetërore vazhdimisht paraqiten krah-për-krah me ato të shteteve më të zhvilluara në arenën ndërkombëtare.

Por përtej paraqitjes jashtë, fuqia e rinisë sonë është brenda kufijve të vendit tonë, për ta formësuar shtetin dhe për të na shtyrë përpara drejt zhvillimit. Sfidat tona më të mëdha do zgjidhen nga ky brez i të rinjve, ndërsa përgjegjësia jonë tani është t’ua largojmë barrierat, t’ua ofrojmë mundësitë dhe hapësirën, dhe t’i pajisim me aftësitë e nevojshme për t’u angazhuar në të gjitha sferat e jetës.

Më shumë se liderët e së nesërmes, të rinjtë janë subjekti i sotëm i ndryshimit që po e kërkojnë të gjithë. Rinia gjithmonë ka qenë zëri i parë dhe më i lartë i avokimit që shoqëritë të përparojnë duke shtyrë kufijtë tanë përtej asaj që u mendua si e mundur nga gjeneratat e mëparshme.

Si kurrë më parë, shteti i Kosovës po investon në potencialin e brezit të ardhshëm. Prioriteti ynë i parë është menaxhimi i pandemisë COVID-19 në mënyrë që të shpëtojmë jetë njerëzish dhe të mbrojmë ekonominë e vendit. Përmes masave mbrojtëse dhe administrimit të vaksinave të siguruara, situata me pandeminë është përmirësuar dukshëm. Në këtë aspekt, ju si të rinj keni detyrën dhe përgjegjësinë të vaksinoheni sa më parë, nëse këtë nuk e keni bërë ende.

Edhe ekonomia i është përgjigjur pozitivisht qeverisjes sonë. Eksportet, aktiviteti ekonomik dhe të hyrat buxhetore: të gjitha janë rritur. Kemi miratuar projektbuxhet për vitin 2021 prej 2.5 miliardë eurove sipas të cilit projektohet rritje ekonomike për 7.9%. Përpara se të merrnim drejtimin e Qeverisë, ky nivel rritjeje parashihej të arrihej vetëm në vitin 2023.

Pakoja e Ringjalljes Ekonomike që kemi miratuar gjithsej ka vlerën 1.1 miliardë euro. Të rinjtë do të përfitojnë posaçërisht përmes Skemës për Punësim të Garantuar për të Rinjtë, e cila do fillojë të zbatohet së shpejti. Përmes kësaj skeme, Qeveria do t’i subvencionojë pagat dhe kontributet për çdo 12 muaj çdo të ri që punësohet për herë të parë. Po ashtu, në kuadër të Pakos së Ringjalljes, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të ndajë 2.5 milionë euro në projekte të organizatave dhe individëve ku përfitues dhe pjesëmarrës do të jenë të rinjtë. Një pjesë e mirë e këtij fondi do t’iu dedikohet projekteve që rrisin përfshirjen e të rinjve në tregun e punës përmes trajnimeve, granteve dhe programeve për punë praktike.

Në veçanti ne jemi zotuar për lidhjen e tregut të punës me arsimimin profesional, në mënyrë që ta urëzojmë hendekun e shkathtësive, ashtu që të rinjtë kur ta mbarojnë fakultetin të kenë edhe një vend pune adekuat që lidhet me vitet dhe fushat e studimit.

Të gjitha këto por edhe shumë më tepër në kuadër të programit tonë qeverisës po i bëjmë për të rinjtë, jo vetëm sepse e kemi përgjegjësi, por sepse është interesi ynë më i lartë shtetëror.

Të rinjtë janë grupimi më i madh i fuqisë punëtore të Kosovës dhe çdo përpjekje për të rritur mirëqenien tonë kolektive duhet të synojë mbushjen e çdo të riu me një entuziazëm për të ardhmen që e pret në Kosovë dhe me një garanci se ata mund të krijojnë familje dhe të ndërtojnë të ardhme këtu në vendin e vet.

Shumë prej përpjekjeve tona lehtësohen falë bashkëpunimit me partnerët tanë zhvillimorë, vendorë dhe ndërkombëtarë. Sot, në aktivitetin e parë të Muajit të Rinisë po lansojmë fazën e dytë të Programit të Punës Praktike ‘Kosova Generation Unlimited’ në partneritet me UNICEF dhe Agjencinë Austriake për Zhvillim. Ju që do të përfitoni nga ky program, shpresoj që ta shfrytëzoni si mundësi për t’u sfiduar, rritur e ngritur profesionalisht. Sigurohuni që të jeni aktivë gjatë kësaj kohe duke bërë pyetje vazhdimisht dhe kontribuoni sa më shumë që të mundeni sepse kështu do të merrni më të mirën për vetën tuaj nga secila përvojë. Për punëdhënësit apo ofruesit e praktikës në punë është po aq mundësi e mirë kjo. Sipas raportit të një studimi në Kanada, punëdhënësit shohin një kthim të investimit prej afërsisht 1 dollar e gjysmë për çdo dollar të investuar në praktika pune për të rinjtë, por kjo me kusht se i angazhoni të rinjtë në role produktive ku mund të mësojnë dhe kontribuojnë maksimalisht.

Të dashur të rinj,

Ju jeni rritur në një periudhë me sfida të mëdha – nga lufta për liri kur ishit veçse fëmijë ose ndoshta ende të palindur e i kishit prindërit tuaj në vështirësi e sfida tejet të mëdha, deri në shpalljen e pavarësisë dhe tentimet e pandalshme që nga ajo ditë për ndërtimin e një shoqërie të sigurt, paqësore, demokratike dhe të barabartë. Tash, derisa vazhdojmë të menaxhojmë pandeminë COVID-19 dhe variantet që shpalleshin kohë pas kohe të këtij virusi, dhe teksa përpiqemi të rikuperohemi nga pasojat ekonomike të saj, Kosova hyn në një kapitull të ri me juve në front.

Ta ruajmë paqen, të punojmë për prosperitet, të luftojmë për drejtësi dhe gjithëpërfshirje, dhe ta mposhtim cinizmin me shpresë dhe me optimizëm.

Unë kurrë më i frymëzuar nga ju sesa tani nuk kam qenë. Tashmë e keni hapësirën dhe lirinë për të ndërtuar një të ardhme ashtu siç e meritoni, dhe për këtë, keni mbështetjen tonë të pakusht.

Nëse nuk jemi për rininë, atëherë nuk jemi. Por ne duhet dhe do të jemi me rininë dhe për rininë.

Ju faleminderit./ KultPlus.com

Për herë të parë në Kosovë, Kolegji Universum sjell diplomë angleze në bashkëpunim me Northampton University

Kolegji Universum dhe Northampton University nga Anglia sot lansuan programin e përbashket te studimeve bachelor dhe master me kurrikulë dhe standarde angleze. Studentët të cilët ndjekin këto programe do të pajisen me diplomë angleze nga Northampton University.

Programet të cilat ofrohen për studime në bashkëpunim me Northampton University për Bachelor janë: Dizajn Grafik, Teknologji e Arkitektures, Infermieri, Dizajn Mode, Komunikim Grafik, Shkenca Kompjuterike dhe Biznes Menaxhment. Ndërsa për Master ofrohen programet Biznes Menaxhment, Administrim Biznesi (MBA), Data Science dhe Marrëdhenie Ndërkombëtare.

Regjistrimet kanë filluar dhe aplikimi mund të bëhet përmes këtij linku: https://www.universum-ks.org/sq/apliko/

Edhe studentët nga institucionet tjera mund të përfitojnë nga kjo mundësi, duke i transferuar studimet në Kolegjin Universum dhe vazhduar ato në Northampton University në Angli.

Pse të zgjedhni Anglinë dhe Northampon University?

  • Ju përfitoni diplomë angleze dhe vendore për kohën e njejtë të studimeve (3 vite)
  • Mundësi për të studiuar në Angli gjatë vitit të tretë
  • Përparësi për të vazhduar studimet postdiplomike (Master)
  • Diploma nga Northampton University njihet në të gjithë botën dhe ju përgatitë për karrierë ndërkombëtare
  • Mundësi e mirë për të eksploruar Mbretërinë e Bashkuar.

Informata më të hollësishme rreth këtij programi gjeni të publikuar në website https://www.universum-ks.org/sq/northampton-university/ apo kontaktoni Kolegjin Universum +383 44 144 062 apo [email protected]./ KultPlus.com

Rita Ora dhe Taika Waititi në tapetin e kuq të premierës “The Suicide Squad” (FOTO)

Rita Ora dhe Taika Waititi kanë kaluar në tapetin e kuq si çift, në premierën e “The Suicide Squad”, të hënën në mbrëmje. 

30-vjeçarja mbante veshur një fustan të bardhë e të shkurtë, me një model shumë të veçantë. Ndërkohë për ta kombinuar kishte zgjedhur një palë sandale ngjyrë gri. Flokët i mbante të lidhur dhe kishte zgjedhur një make-up të thjeshtë.

Ndërsa 45-vjeçari mbante veshur një kostum ngjyrë gri, këmishë të bardhë dhe këpucë të zeza. Teksa merrnin poza para aparatit fotografik, Rita dhe Taika, qeshnin me njëri-tjetrin dhe dukeshin mjaft të lumtur./ KultPlus.com

Mula për themelimin e Operës së Kosovës: Bravo Kosovë për vendimin historik

Kuvendi i Kosovës ka votuar ditën e hënë, propozimin për themelimin e institucionit “Opera e Kosovës”, vendim që i ka dhënë dritën jeshile funksionalizimit të këtij institucioni të munguar në Kosovë, shkruan KultPlus.

Me këtë rast, sopranoja e njohur Inva Mula është shprehur entuziaste me këtë vendim, duke e vlerësuar këtë vendim si një vendim historik.

KultPlus ju sjell të plotë reagimin e sopranos Mula.

Themelimi i Operes se Kosovës eshtë lajmi me i bukur i këtyre momenteve qe po kalon bota !

Sot me shumë se kurrë kemi nevojë per ART !

Bravo Kosovë per vendimin historik !

FALEMINDERIT./ KultPlus.com

Sot, për Ditën e Kinemasë në Cineplexx, këta super-filma mund t’i shikoni me çmime speciale, duke filluar nga 2,80€

Në Cineplexx dita e martë shënon Ditën e Kinemasë, e cila është ditë e rezervuar për çmime më të ulëta të biletave, ku çmimet e tyre fillojnë nga 2,80€.

Dita e martë është dita që kinemaja më e madhe në vend, Cineplexx, ka rezervuar për filmdashësit, duke ofruar çmime më të lira të biletave, duke filluar nga 2,80€ për filmat 2D, dhe 3,60€ për filmat 3D. Me zbritje në të dy kinematë, në Prizren dhe Prishtinë, sot mund t’i shikoni 9 filma të ndryshëm, të cilët shfaqen në orare të ndryshme nga ora 15:00 deri në ora 22:30 në kinemë në Prishtinë dhe në Prizren.

Top 3 filmat të cilët mund t’i shikoni sot me çmime të zbritura në Cineplexx janë:


Fast and Furious 9
Cipher rekruton në ekipin e saj vëllaun e vogël të Dom në mënyrë që të hakmerret ndaj Dom dhe ekipit të tij.


Jungle Cruise
Bazuar në parkun argëtues të Disneyland ku një anije e vogël lumi merr një grup pasagjerësh në udhëtim përmes xhunglës të mbushur me kafshë të rrezikshme dhe zvarranikë të ndryshëm.


Old

Një thriller për një familje në një pushim tropikal që zbulon se plazhi i izoluar ku ata po pushojnë për disa orë po i bën disi të plaken shpejt duke zvogëluar jetën e tyre në një ditë të vetme.

Përveç këtyre tre filmave, në të dy kinematë po shfaqen super aksioni Black Widow dhe Snake Eyes, horrori Great White, ndërsa nga filmat familjarë, po shfaqen ende Space Jam: A New Legacy, si dhe animacionet Spirit Untamed dhe Peter Rabbit 2.

Kinemaja në Prishtinë dhe Prizren, nis punën nga ora 15:00, ndërsa për të gjithë filmat që po shfaqen dhe oraret e shfaqjeve mund t’i gjeni në linkun këtu : https://www.cineplexx-ks.eu/filma/programi-i-filmave// KultPlus.com

Korça e fton Goran Bregovic për një koncert, e cilëson mbrëmje kulminante

Qyteti i Shkodrës është në përgatitje e sipër të përgatitjes së edicionit të radhës Korça Beer Fest, shkruan KultPlus.

Kjo festë e birrës do të mbahet prej 18 deri më 22 gusht, duke shpalosë edhe detaje për programin e kësaj feste.

Faqja zyrtare e këtij festivali ka njoftuar se në këtë festë do të jetë edhe këngëtari serb Goran Bregovic, dhe prurjen e tij në Korçë e vlerësojnë si një mbrëmje kulminante.

Mendohet se ky festival do të ndiqet nga 100 mijë turistë dhe do të mbahet në Terminalin e Ri të Autobusëve, në hyrje të qytetit.

Bregovic ishte nderuar nga Edi Rama edhe si qytetar nderi/ KultPlus.com

Del posteri i “La Casa de Papel”, fansat pyesin “Ku është profesori” (VIDEO)

Pas një numërimi mbrapsht që nisi përpara 24 orëve, më në fund u publikua traileri i sezonit të ri të serialit “La Casa de Papel”. Nga traileri, edhe pse i shkurtër, duket se ngjarjet do jenë po aq të papritura sa në sezonet e mëparshme dhe kësaj radhe grabitësit “ose do t’ia dalin përsëri ose do të vdesin”.

Ajo që po i bën njerëzit edhe më kuriozë është postimi i Alvaro Morte-s, aktorit që luan “Profesorin”, i cili shkruan:

“Prit pak, po profesori ku është?” – referuar posterit pa profesorin (por ndoshta jo vetëm).

Sezoni i fundit i “La Casa De Papel” (Money Heist) do të publikohet në dy pjesë, pjesa e parë do të dalë më 3 shtator dhe e dyta më 3 dhjetor, tha Netflix.

“Kur filluam të shkruajmë pjesën e 5-të në mes të pandemisë, ne menduam se duhej të ndryshonim atë që pritej nga sezoni me 10 episode dhe përdorëm çdo mjet që mundëm për të krijuar ndjesinë e një finaleje të sezonit ose finaleje të serialit, ”tha (via Deadline) Álex Pina, krijuesi i “La Casa De Papel”. “Ne vendosëm të punojmë në një zhanër jashtëzakonisht agresiv./ KultPlus.com

https://www.instagram.com/tv/CSExRIHjbCc/?utm_source=ig_embed&ig_rid=406ecd52-cd6e-4bda-8b0b-41b227e46c53

Gruaja dhe dielli

Poezi nga Xhevdet Bajraj

Me gjurmët e puthjeve në trup
lakuriq ike në gjumë
Yjet në qiell
morën formën e dritares sonë
e admirojnë bukurinë

Ndez cigaren të puth në ballë
sonte s´do të fle
do ta pres mëngjesin
e di ti
lindja e diellit më së bukuri pasqyrohet në ty. / KultPlus.com

“Gjallica International Festival”, Hersi Matmuja sjell festën në Kukës

Një festival për njohjen e traditave shqiptare është synimi i Hersi Matmujës përmes festivalit në Kukës, prej nga është dhe prejardhja e saj, “Gjallica International Festival”.

Në promovimin e Fetivalit vetë Hersi thotë se u kthye në vendlindje pas 25 vitesh për një vizitë të vogël, por që realizojë ëndrrën që ka pasur gjithmonë.

“Mbas 25 vitesh u ktheva në vendlindje, ishte një vizitë e vogel e thjesht por që realizoj një ëndërr që kisha pasur gjithmonë.
Gjëja e parë që më goditi sapo arrita në Kukës është ai gjigand me zemër të bardhë që ne e quajme të gjithë Gjallica. Forca e mikpritja që të trasmeton ai mal është e pa përshkrueshme me fjalë. Duke u kthyer mbas koncertit shikoja fotot dhe mallëngjehesha ndoshta kurbeti po na bën më të ndjeshem, gjithesesi teksa vëzhgoja Gjallicën deshira rritej për ta homazhur në ndonjë formë për bukurinë që më ka falur mua në femijëri e të gjithë kuksianeve në shekuj”, shprehet Hersi.

Hersi ka zgjedhur talentet e rinj të Kukësit si pjesëmarrës në këtë event me dëshirën për t’i promovuar, si dhe duke ftuar miqtë e saj nga vende të ndryshme të botës. Festivali mbahet në datat 2-3-4 gusht në Kukës, në sheshin “Skënderbej”.

Hersi pak më herët ka publikuar dhe këngën e saj “Kënga e Çobanit” videoklipi i së cilës është xhiruar sërish në Kukës. ““Aty gjendet dhe nëna ime. Kjo është kënduar nga femrat dhe e kam parë nga një femër që pret çobanin, të birin, vëllain, burrin. Veshja e Lumës të jep ndjesinë sikur futesh në rol, sikur ndjen të gjithë njerëzit që e kanë mbajtur duke ecur nëpër gurë me këtë veshje. Çdo gjë është bërë njësh me natyrën. Doja t’i bëja homazh dhe bukurive të natyrës së Kukësit”, ka thënë më herët Hersi.

Këngëtarja shqiptare Hersi Matmuja, jeton në Itali prej më shumë se 10 vitesh. Ajo ka mbaruar studimet e larta në Konservatorin “Santa Cecilia” të Romës në vitin 2014 dhe ka një karrierë të suksesshme artistike./ diaspora shqiptare.al/ KultPlus.com

Nga shtatori, Gjermania lejon dozë përforcuese të vaksinës kundër COVID-19

Mjekëve gjithashtu do t’iu lejohet të injektojnë një dozë përforcuese për njerëzit me sistem imunitar të dobësuar.

Nga muaji shtator Gjermania do të ofrojë dozë shtesë të vaksinës kundër COVID-19 tha Ministria e Shëndetësisë të hënën (2 gusht), pas shqetësimeve që ka shkaktuar përhapja e variantit Delta të koronavirusit.

Ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë, Jens Spahn dhe 16 ministrat e landeve u pajtuan se të moshuarit që janë në rrezik nga infektimi do të mund të marrin një dozë përforcuese të vaksinës, përcjell Albinfo.ch.

Zyrtarët e morën vendimin në bazë të informacioneve për një “rënie të shpejtë të përgjigjes imunitare ndaj sëmundjes” te disa grupe njerëzish, raporton ReL.

Ministria tha se ekipet e vaksinimit duhet të dërgohen në shtëpitë e kujdesit dhe pleqve për të ofruar dozë përforcuese Pfizer/BioNTech ose Moderna, pavarësisht se me cilën vaksinë janë imunizuar fillimisht banorët e këtyre qendrave.

Një dozë përforcuese do t’i ofrohet gjithashtu kujtdo që ka marrë vaksinat me dy doza AstraZeneca ose një dozë të vetme Johnson & Johnson, thuhet në dokumentin e lëshuar nga ministria.

Zyrtarët e lartë të Shëndetësisë në Gjermani ranë dakord të hënën për të inkurajuar vaksinimin midis adoleshentëve nga 12-17 vjeç.

Ministrat theksuan se imunizimi është vullnetar, por thanë se vaksinimi i fëmijëve dhe adoleshentëve mund të “kontribuojë ndjeshëm në një kthim të sigurt në shkolla pas pushimeve verore”.

Edhe pse në krahasim me vendet fqinje, Gjermania aktualisht po shënon nivele relativisht të ulëta të rasteve të reja me COVID-19, numri është rritur shumë javët e fundit kryesisht për shkak të variantit më ngjitës Delta./albinfo.ch/KultPlus.com

Kosova bëhet me institucionin “Opera e Kosovës”, e miraton Kuvendi i Kosovës

Me 75 vota për  është miratuar Propozim-vendimin i Qeverisë së Kosovës për themelimin e institucionit te Operës së Kosovës si institucion i shërbimit publik.

Ky propozim dështoi të miratohej në votimin e parë.

Pas kësaj Kuvendi ka vazhduar debatin parlamentar në lidhje me punën 100 ditore të Qeverisë./ KultPlus.com

Vdiq në moshën 89-vjecare solistja e parë e Ansamblit Lili Këlliçi

Lili Këlliçi(Madhi) ishte një personalitet i padiskutueshëm i botës së artit të koreografisë shqiptare për rreth 30-të vjet. Hapësira ku ajo punoi ,ekzekutoi dhe interpretoi ishte jo vetëm e gjërë, por edhe shumë komplekse. Koha kur vallëzoi që një kohë krejtësisht e pabesueshme për ditët tona dhe shpesh ngjan si një kohë e filmave fiction.

Lejla Këlliçi (Madhi) apo siç e njohin të gjithë Lili lindi në 2 Qershor 1932 në Tiranë. Familja ku ajo lindi ishte një ndër familjet autoktone më të spikatura të kryeqytetit. Një familje e intelektuale dhe me një traditë të çmuar patriotike. Një familje ku ishte gërshetuar dashuria për Atdheun me dashurinë për dijen dhe ëndërrën Europeane./ KultPlus.com

Gjergj Fishta: “Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta sesa me i ba bashk dy shqiptarë”

Cilësohet poet kombëtar e njihet edhe si Homeri shqiptar. Gjergj Fishta (23 dhjetor 1871 – 30 dhjetor 1940), ishte frat françeskan, piktor, arkitekt, deputet, anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave, kandidati i parë shqiptarë për Çmimin Nobel për Letërsi dhe mbrojtës i kauzës shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Fishta ka dhënë kontribut të madh edhe në Kongresin e Manastirit, për alfabetin e sotëm, ndërsa ka qenë edhe sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Më poshtë mund të lexoni disa thënie të një prej figurave më të mëdha intelektuale dhe patriotike të historisë kombit shqiptar.

– Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta sesa me i ba bashk dy shqiptarë!

– Njerëzit janë tanë njisoj prej natyrës, edukata i ban me u dallue!

– Shqiptarët kallzojnë njate çka s’duhet, e mshehin njatë çka e di tanë bota!

– Pak din njaj që ja kallzon të tana grues!

– Në kjoftë se provon, mundesh me hupë, por në kjoftë se nuk provon – je i hupun gjithsesi!

– Në kjoftë se thue at çka dishron, duhet me ndie edhe ate çka nuk e dishron!

– Ma mirë n’vorr me u kja për mallë / se nën shkja me ndejë për t’gjallë,,,

– Vërtetë kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë!

– N’daq me gzue t’bukrën liri / mos shkel fis, as mik, as fe / pse n’kto sheja bota mbarë. / na dallon se jem shqiptarë…

– Edhe atij iu thaftë po goja / që përbuzë këtë gjuhë hyjnore / qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja / flet e tveten e lèn mbas dore…

– Mbi njatë flamur Perendija / me dorë t’ vet Ai e ka shkrue / “Për Shqyptarë do t’jét Shqypnija / kush u a prekë, ai kjoftë mallkue”…

– Po, edhè hâna do t’ a dijë / edhè Dielli do t’ két pá / se për qark ksaj rrokullije / si Shqypnija ‘i vend nuk ká…

– Në rast se ata nuk na duan në një shtet të vetëm, pasi thonë shqyptarët qenkan muslimanë, aherë… na kristianët do t’i shkriejmë kryqet tona dhe do t’i bajmë fishek me mbrojt vllaznitë tanë muslimanë shqyptarë!

– Më dhemb kryet me njato parla-parla të parlamentarëve: dokrra pa kokrra!

– Injoranca e krenaria shkojnë bashkë si shtati e hija

Mësimi plotësues vazhdon edhe vitin e ardhshëm

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se për shkak të humbjeve të shkaktuara si pasojë e pandemisë, është e domosdoshme që vitin e ardhshëm shkollor të ketë një angazhim të shtuar në procesin arsimor.

Sipas saj, viti shkollor 2021-2022, do të vazhdojë të jetë me aktivitete e mundësi për ata nxënës që kanë ngecje në të nxënë.

“Bazuar në vlerësimin e përgjithshëm të raporteve komunale, del se mësimin plotësues e kanë vijuar gjithsej 181.630 nxënës nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetën (I-XII), apo 61.64% e nxënësve në nivel vendi duke i realizuar gjithsej 100.365 orë mësimore”, ka shkruar Nagavci.

Ajo ka bërë të ditur se mësimi plotësues do të vazhdojë për shkak të humbjeve të shkaktuara për shkak të pandemisë.

“Për shkak të humbjeve të shkaktuara si pasojë e pandemisë, konsideroj se është mëse e domosdoshme që vitin e ardhshëm shkollor të kemi një angazhim të shtuar në procesin arsimor. Viti shkollor 2021-2022, do të vazhdojë të jetë me aktivitete e mundësi për ata nxënës që kanë ngecje në të nxënë”, ka shkruar Nagavci./ KultPlus.com

Une nuk jam nje gjysem kenge

Flutur Mustafa

Te plote e kam zerin me te plota fjalet
Por dridhem ne mendime kur pervidhem
Dhe nje ze me flet nga brenda e vetes i them me endje
Une nuk jam nje gjysem kenge.

Te kendoj mbase nuk di
Mbase as rima te rradhis me nota
Mbase rrokjet s’jane pika ime e forte
Mirepo une jam nje kenge e plote.

Jam refreni i vete jetes sime
E ti je strofa qe ma ploteson fuqine.
Bashke jemi melodia e jetes
Jemi kanga qe e ben boten te levize.

Mbase jo gjithe boten por vetem tonen
Sepse vetem bota jone ka rendesi
Une nuk jam nje gjysem kenge
Diezisi i kenges time, je ti.

Di te jem nje b’mol i frikshem
dhe mbase nje a-mol qe nuk vret
Andante si nje ecje kembezbathur reres,
Ku doren ma mban e embel ti me flet.

Pra une nuk jam nje gjysem kenge
Edhe pse gjysma ime je ti
E ne mijera pentagrame po te me shtypnin
Do kerkoja qe strofa ime te ishe ti./ KultPlus.com

Kuvendi dështon ta themelojë Operën e Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë provuar që ta themelojnë Operën e Kosovës gjatë tentativës së parë.

Kjo nuk ka kaluar, pasi që vetëm 53 nga 63 deputetët e pranishëm kanë marrë pjesë në votim, njofton Klankosova.tv.

Me këtë rast seanca është shtyrë për në orën 15:30, ku Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se do të hidhet në votim përsëri çështja e operës./ KultPlus.com

Ramë Lahaj me koncert në Maqedoninë e Veriut

Tenori i njohur shqiptar Ramë Lahaj do të prezantohet me një koncert në Maqedoninë e Veriut, shkruan KultPlus.

Ky koncert do të jetë nën përcjellje të Filarmonisë së Maqedonisë së Veriut dhe do të jetë në shenjë të 20-të vjetorit të marrëveshjes së Ohrit.

Rama ka njoftuar se për këtë paraqitje ka marr ftesë nga zv. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Artan Grubi.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e Lahaj.

Këto ditë me kënaqësi pranova ftesën nga Zv. Kryeministri i Maqedonisë se Veriut Z. Artan Grubi, ku folëm për shumë zhvillime kulturore dhe u pajtuam për një koncert të madh së bashku me filarmoninë e Maqedonisë për te festuar 20 vjetorin e marrëveshjes kornize te Ohrit.

Njëkohësisht shkuam ta vizitojmë së bashku edhe objektin e ri të filarmonisë së Maqedonisë së Veriut ku vërtet mu bë shumë qejfi për koleget dhe rëndësinë që ka ndërtimi i një salle të tillë dhe se sa shumë e gjallëron kulturën e një vendit.

Të dashur artdashës kam kënaqësinë të jem në mesin tuaj me datë 13 gusht 2021, se bashku me filarmoninë e Maqedonisë së Veriut për të manifestuar marrëveshjen që krijoj paqe ne Maqedoninë e Veriut./ KultPlus.com

Humbja e Zojës dhe Norës

Ibrahim Berisha

U plandosa sapo kalova preka kufirin. Nuk e përballoja dobësinë e gëzimit kur me gruan dhe vajzën largoheshim nga vija, e cila në fushëtirë ndante një ferr nga parajsa e vërtetë. Një hap mbrapa ishte shtrati i shtrirë i pritjes dhe frikës i mbyllur në kafaz. Ndërsa tani që isha plandosur në barin e lagshtë, se pas dy ditë e net qëndrimi në zonën afër, ndjeva trupin e ngrirë, po mbase të dashur që nuk u dorëzua në baltën e prillit, i mbytur nga shiu që vijonte të shtypte deri në tokë me retë e zbritura sipër thikave të holla, mbajtur nga ushtarët tashti, vetëm njëzet hapa tutje.

Thashë, shpëtova, o botë, edhe një herë unë linda, o zot. Kështu vazhdova të thërras  me fytyrën në fëlliqësirën e baltës aq sa gruaja me lot faqeve, më mbante krahësh e përkulur mbi, thoshë: Çohu se shpëtuam, ecim, shkojmë, më kupton. Ikën të gjithë.

Po unë kisha harruar urrejtjen për pafuqishmërinë time përpara gjithë atyre mjekrave e maskave, të cilët më lehtë mund të të grinin se të thithnin një tufë ajër dhe tashti nuk më jepej të ngrihesha për të ecur zvarrë deri në njërën nga veturat përtej laurës, radhitur duke pritur shpresëhumburit me duart në fytyrë.

O zot, sot po të mbështetemi në çastet e pafuqisë, ngashëroja, dhe atëherë, edhe hapa sytë e nuk pashë gruan dhe vajzën dymbëdhjetë vjeçe Norën. Shikova gjithë çka mund të shihej përreth, por përsëri nuk pashë njeri.

Tash nuk shoh fare, i verbër të jem tërë jetën! Oh, kjo është më shumë se e tmerrshme, thashë e provova tundjen e kokës.

Thirra gruan: Zojë!, aq fort  sa u pendova se mund ta lëndoja në këtë ditë dëshprimi të papërfunduem jo vetëm ate, por edhe të tjerë, të cilët mbanin dhimbjen e humbjen e pakthyeshme, zvarritur nëpër tokë.

Unë vërtetë do të mund të isha i verbër  në këtë botë që dukej tamam e pështyrë, sipër me retë që zbrisnin edhe thellë thikave të ushtarëve, të cilët pak më parë  i shihja vetëm, vetëm njëzet metra tutje.

Ky është fund i së kaluarës sime me dritë, me shikim, mendova. Po filloj tashti gjithmonë të vazhdojë jetën me errësirën.

Zojë, thirra duke pritur patjetër përgjigjen.

Prisja të veçantën e përgjigjes së saj, ndërsa ajo më mohonte. Në një tollovi aq sa njerëzit japin shpirt në shpinën e njëri tjetrit. Ajo me vajzën mund të ishte ngatërruar me ndonjë tjetër që kishte ikur, i qe qasur mbas për të shpëtuar dhe tashti ndërmjet lirisë dhe meskufirit, do të zgjidhte të parën.

Përreth lagëshitra të rrudhte edhe më shumë shikimin. Isha i vetëm në meskufi. Zhurma e madhe u zëvendësua nga qetësia e madhe.

Çfarë zhvendosje e papritur, thashë.

U zvarrita pa forcë nuk di sa nëpër baltë që dukej më shumë e ngrirë dhe pas kalimit të një të humburi orientimi të gjatë, hapa sytë që më gjasonin si hije të natës. Unë u zgjova nga gjumi, paskam fjetur, mendova. Sytë e ftohtë i hapa me dhembje mbi mjekrrën e lagur.

Rojtari si një kalë të vdekur pas therrje thellë në bark, më shikonte, pa ditur çfarë të bënte me mua. Mbi kokë pezull mbante shkop druri. Sa e zakonshme të më godasë me shkop, mendova duke shikuar nga pushka që i zvarrjen në krah. 

Nuk ka njeri në meskufi, pyeta pastaj në një mënyrë të pasigurtë.

Je ti i vetëm, përgjigji rojtari.

Në cilën ditë jam? Më duket kam ardhur nga aq ditë të largëta.

Të kam shikuar gjatë, tha ai. Nuk ta nxora gjumin se koka më tregonte, po flije jo si një fëmijë, por si një plak para vdekjes. Kur ikën gjithë ata njerëz, ty të doli gjumi. Tani je i vetëm.

Zoja, po vajza, ku, thirra gjysmë i fjetur po hapësira përrreth bëhej ende më e mjegulluar.

Ndoshta nga mëshira, rojtari la shkopin, më mori me duart me dorëza dhe drejtoi trupin tim të ngrirë. Këmbët si dy dru’ më shumë, u ndalen në fund, vertikale të thyera.

 Të gjithë ikën, vetëm ty të zumë, tha. Të them unë, tashti nuk  mund të ikësh, as nuk mund  të kthesh në shtëpi. Je i dënuare gjithë jetën të rrish në këtë meskufi. Kur të mërzitesh e të humbasish durimin, të mos kesh dilemë më për këtë, më thirr.

Kanë humbu Zoja dhe Nora ime, i thashë.

Unë kam urdhër të të vras dhe ti do të zhdukesh njëherë e përgjithmonë e mirë nga kjo botë  kurthi pafundësisht. Sa më shpejt të kryejmë punën, të dy do ta kemi më mirë. Ti mbetesh në shtëpinë tënde të përhershme, ndërsa unë shkoj në shtëpinë time të përkohshme, përfundoi rojtari./ KultPlus.com

“Interpretations” në KultPlus Caffe Gallery, sjell 12 vepra të artistëve të rinj

12 punime do të prezantohen në ekspozitën “Interpretations” që do të hapet në KultPlus Caffe Gallery, punime këto që janë nga artistë të rinj, shkruan KultPlus.

“Interpretations” që vjen e kuruar nga Bora Kelmendi është është reflektim i një procesi pune krijues. Përbërje kryesore e këtij procesi është interpretimi dhe në një forme, narrative e njohurive të ditura tashmë apo të prezantuar së fundmi. Interpretimi, është produkt I narrativës personale, pasqyrim i lirë i momenteve, ndodhive, ideve jo materiale në tentativë për të kthyer në diçka materiale.

Ekspozita “Interpretations” vjen si rrjedhojë e projektit “Art dhe Artist te rinj”, projekt që është mbështetë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Ekspozita do të hapet më 4 gusht, në ora 19:00, dhe do të rri e hapur për disa ditë./ KultPlus.com

Puthja qi m’bani me faj

Albert Vataj

U gjindëm nji ditë të dy njaq ngat,
njaq sa fryma m’frymonte në frymën e saj,
njaq sa syt, shkreptinin n’detin e dhanun tallaz,
ishim njaq ngat, sa me mujt me e ndigjue shkulmin e kurmit
mishit qi epshëm i kridhej në zjarm.

N’kyt tërbim e trazim gjimueshëm n’zemër e gjak,
hutimi, ngurimi e cytje me ngulm,
u epëm pa ja da t’anshmeve dëshirime,
syt, syt prekën tue u dridh tulin e hepuem t’buzëve,
buzëve qi epshi i kuqlonte, me adh, tue i kall.

U epëm n’kyt çast pror, si pend sfinksi, nderej mbi prush,
dhe… ngulmueshëm e rrëmbeva kryet e saj,
qafën qi i’u kput, mbi mua u prarua si nji han,
gishtat i’a ngërtheva rrëmbyeshëm mbi floknajë,
t’mijat buzë i’a ngjesha ngulmueshëm mbi buzët e saj.

I’a nduka me zjarm e afsh t’lumet buzë, shpuzë,
t’amlat buzë, qi njaq fort andës po mi hidhnin prush,
dhe t’mija buzë kafshonte ajo me huj,
u puthëm, u puthëm hujshëm e mujshëm… s’di se sa.

Pambarim i’u dhamë atij ngazëllimi epshi, n’hy blatue
njaq, sa edhe tash…
n’buzt e mia e ndjej zjarmin e buzëve t’saj,
përskuqjes s’hepueme qi struket e djeg,
nën hinin e atij çasti që e kallën ato puthje, ai purtek.

Ndalëm s’di se kur njat turr me huj e újë,
tue lan, sa shumë eshkë e etje në buzë,
e harruem me u pa në sy t’përshkënditur Vezuv,
heshtëm, ndonji fjal s’xumë mes vedi me than,
me buzët e shkrumuna, n’zjarmin e epjes s’mbram.

Ndërmendem se munda me than vetëm një fjalë,
kurrnji ma shumë jo, vetëm nji… m’fal!
Atëditë e sot
tue kafshu n’buzt e mija puthjen e saj
hala ndihem i xanun n’faj./KultPlus.com

2 gushti, Dita e Holokaustit ndaj romëve

Në shumë vende europianë përkujtohet Holokausti i nazistëve ndaj më shumë se 500.000 sintive e romëve në Europën e pushtuar. Parlamenti Europian e ka shpallur 2 gushtin Ditën Përkujtimore të Romëve e Sinti.

75 vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Holokaustit dhe çlirimit të kampeve të përqëndrimit dhe shfarosjes përkujtohen 500.000 viktimat sinti dhe romët që u vranë në Europën e pushtuar nga nazistët, në ditën përkujtimore të sinti dhe romëve, të shpallur nga Parlamenti Europian, 2 Gusht. Kjo datë kujton 4.300 sintit dhe romët e fundit që u vranë këtë natë në dhomat e gazit në Aushvitc-Birkenau. / KultPlus.com

Ekspozitë me 120 karikatura në Korçë

120 karikatura të artistit Arben Meksi u ekspozuan në zonën këmbësore të qytetit të Korçës.

Ekspozita solli për artdashësit larmi tematikash dhe këndvështrimesh stigmatizuese dhe humoristike për fenomenet e shoqërisë sonë dhe asaj globale.

Arben Meksi është ndër të paktët emra që e lëvron ende këtë zhaner të veçantë. Këtë vit u është dhënë më shumë hapësirë ekspozitave të tilla.

Ekspozita me karikatura do të jetë e hapur për dy ditë dhe do të zhvendoset edhe te Pazari i Vjetër në Korçë./ KultPlus.com