“Festivali i Filmit Frankofon” nisë javën tjetër në Kosovë, shënon edicionin e 20-të

Ambasada e Republikës së Francës në Kosovë ka bërë të ditur se nga data 15 deri më 21 nëntor 2021, do të mbahet edicioni i 20-të i Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë, përcjellë KultPlus.

Në komunikatën zyrtare të Ambasadës së Francës thuhet se festivali do të mbahet në disa qytete të Kosovës.

“Nga data 15 deri më 21 nëntor, në Prishtinë, Pejë dhe Prizren, çdo ditë, shpresojmë të shihemi në: Kolegjin AAB, Kino Armata, Institutin profesional ATC, Fondacionin 17, Anibar, Dokufest, për një javë të veçantë në 20 vjetorin e Festivalit të Filmit Frankofon!”, thuhet në njoftim.

Festivali do të hapet më 15 nëntor me përurimin e “Bistrot Montmartre” në kolegjin AAB, si pjesë e ceremonisë së nënshkrimit të konventës që vendos ‘Praninë Franceze’ në Universitet.

Në anën tjetër, po më 15 nëntor,  nga ora 19:00, aktivitete e festivali vazhdojnë në Kino Armata, me shfaqjen e filmit “Le sens de la fête”./KultPlus.com

“Vera Andrron Detin” edhe në Festivalin e Filmit në Peru

Filmi me regji të Kaltrina Krasniqit, “Vera Andrron Detin” po vazhdon të shijojë sukses të jashtëzakonshëm, shkruan KultPlus.

Së fundmi është njoftuar se filmi do të shfaqet në Festivalin e Filmit në Peru më 12 nëntor.

“Java e Filmit Ulima” është një shfaqje filmike që ofron një hapësirë ​​për të parë, shpërblyer, diskutuar dhe bërë filma.

Aty mbahen konkurse kombëtare, shfaqen filma të huaj dhe ftohen kineastët në tryeza të rrumbullakëta ku diskutojnë gjëra të ndryshme.

Në film përditshmëria e qetë e Verës çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hapë rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat. Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi, shtyjnë Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj.

E zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera Andrron Detin” është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazisë gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme’.

Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi.

Vera andrron detin’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë – Shqipëri./KultPlus.com

Kryetarja e Komisionit Evropian e lumtur që takoi Dua Lipën: Ti ke ndikim shumë të madh në botë

Artistja me origjinë nga Kosova dhe me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, ka pranuar çmimin e “Lidershipit të Shquar” nga Këshilli Atlantik, e shoqëruar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, shkruan KultPlus

Këtë ceremoni e ka ndjekur nga afër edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, e cila pati një takim me Duan.

“Jam shumë e lumtur që takova Duan në evenimentin e ndarjes së çmimeve të Lidershipit të Shquar 2021 në Këshillin Atlantik. Dua, ti ke ndikim të madh në botë. Me muzikën tënde dhe energjinë unike, ne jemi të gjithë duke u ngritur në ajër”, shkroi Von der Leyen në llogarinë zyrtare në “Twitter”.

Në shkrimin e Këshillit Atlantik, Dua Lipas i jepen katër epitete përshkruese si: “Fituese e Grammy”, “Themeluese e Fondacionit Sunny Hill” dhe “Aktiviste”./KultPlus.com

Ngacmoi Ambasadoren e Luksemburgut, arrestohet kosovari

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh një person me inicialet E.H, meqenëse i njëjti kishte ngacmuar Ambasadoren e Luksemburgut në Kosovë, raporton Express.

Sipas Prokurorisë, dje gjatë qarkullimit në trafikun rrugor në Prishtinë, ka shfaqur sjellje të padëshirueshme të ngacmimit ndaj Ambasadores së Luksemburgut në Kosovë.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, me aktvendim të prokurorit të shtetit ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh personin me inicialet E.H., pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Ngacmimi”, nga neni 182 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. I dyshuari i lartcekur, më 10.11.2021, gjatë qarkullimit në trafikun rrugor në Prishtinë, ka shfaqur sjellje të padëshirueshme të ngacmimit ndaj Ambasadores së Luksemburgut në Kosovë. Ndaj të njëjtit, do të ndërmerren veprime të mëtejme procedural”, thuhet në njoftim./KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës sot përkujton shkrimtarin Rrahman Dedaj

 Sot, më 11 nëntor 2021, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, në Prishtinë, përkujtohet jeta dhe vepra e shkrimtarit të ndjerë Rrahman Dedaj.

Për veprën jetësore të Rrahman Dedajt do të flasin Anton Berishaj dhe Adil Olluri.

Aktiviteti fillon në orën 17:00. Ftoheni të merrni pjesë. Ky aktivitet është i gjashti me radhë dhe i parafundit në kuadër të projektit të sivjetmë “Ora e Shkrimtarit2” e PEN Qendrës së Kosovës. Më parë janë përkujtuar shkrimtarët Latif Berisha, Enver Gjerqeku, Azem Shkreli, Din Mehmeti dhe Ramiz Kelemendi. Më 16 nëntor mbahet aktiviteti i fundit i PEN Qendrës së Kosovës për sivjet. Në këtë ditë përkujtohet shkrimtari Musa Ramadani./ KultPlus.com

Presidentja Osmani në fjalimin e fundit në Amerikë thotë se ndjehet krenare që përfaqëson një popull si Kosova (VIDEO)

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shoqëruar këngëtaren me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, në një ceremoni të mbajtur nga Këshilli Atlantik, shkruan KultPlus.

Këngëtarja Dua Lipa është nderuar me çmimin “Lidershipi i Dalluar”.

Në këtë mbrëmje gala, Presidentja Osmani pati një fjalim, ku tha se ndjehet krenare që përfaqëson një popull të tillë.

Kosova është një komb me plotë njerëz mendje-ndritu, të shkëlqyer dhe ambicioz që që shohin të ardhmen e tyre në zemër të Bashkimit Evropian.”

“Unë nuk mund të jem më krenar që përfaqësoj një popull që ka kaq shumë dhembshuri, kaq shumë talent, potencial dhe qëndrueshmëri”, përfundoi ajo.

Ky çmim ka të bëjë me individët shembullorë që kanë kontribuar në misionin e këtij organi për të formësuar së bashku të ardhmen globale në një gamë të gjerë fushash./ KultPlus.com

Dua Lipa me shumë kreativitet, ia dedikon çmimin të rinjve të Kosovës: Është në gjenet tona të lulëzojmë

Këngëtarja me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, është nderuar së fundmi me çmimin “Lidership i Dalluar” nga Këshilli Atlantik, shkruan KultPlus.

E shoqëruar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila pati një fjalim të veçantë, Lipa u nderuar me një çmim tjetër ndërkombëtar.

Në këtë ngjarje ceremoniale këngëtarja me famë botërore Dua Lipa  tha se “ne (Kosova) kemi vetëm 13 vjet të pavarur në rrugëtimin tonë të pavarësisë dhe si pjesë e një komuniteti të fortë ndërkombëtar, ne do të lulëzojmë emocionalisht. Ne do të lulëzojmë ekonomikisht dhe kulturalisht”, tha ajo.

“Është në gjenet tona”. “A nuk do të ishte e përshtatshme nëse Kosova do të mund të zinte vendin e saj brenda atij bashkimi paqësor, të lulëzonte ekonomikisht përkrah fqinjëve tanë dhe të shëronte dhimbjen e konfliktit? Me këtë vizion në mendje, unë e pranoj këtë çmim me mirënjohje për të gjithë të rinjtë e Kosovës”, ka thënë Dua Lipa.

Ky çmim ka të bëjë me individët shembullorë që kanë kontribuar në misionin e këtij organi për të formësuar së bashku të ardhmen globale në një gamë të gjerë fushash./ KultPlus.com

Ripushtimi jugosllav i Kosovës dhe rezistenca kombëtare

Rishqyrtime historiografike (2)

(Me futjen e brigadave partizane nga Shqipëria në Kosovë, iu hap rruga brigadave partizane jugosllave për ripushtimin e saj. Kjo u kundërshtua nga lëvizja e Rezistencës Kombëtare Shqiptare. – Gjatë shtatorit dhe tetorit, brigadave partizane iu bë rezistencë e fortë nga Ushtria Shqiptare si dhe forcat e tjera patriotike, të cilat vazhduan luftimet edhe pas largimit të Qeverisë së Xhafer Devës nga vendi, më 26 tetor 1944. – Regjimenti IV i Kosovës nga Prishtina nën komandën e kolonel Fuat Dibrës për një muaj iu kundërvu par-tizanëve serbë dhe bullgarë në pjesën lindore. – Njësive të shkëputura të Ushtrisë Shqiptare filluan t’u bashkohen vullnetarët nga radhët e patriotëve të shumtë kundër ripushtimit serb me ç’rast në pjesën e Anamoravës u themelua Komiteti për Shpëtimin Kombëtar. – Rezistenca Kombëtare Shqiptare kualifikohet “lëvizje e armatosur e reaksionit” dhe “kundërrevolucion”).

Jusuf BUXHOVI

Në Kosovë, në vitet e kthesave të mëdha 1943-1944, krahas realitetit antifashist dhe të shtrirjes së organizimit të tij në vend me anën e Këshillave Nacionalçlirimtare, i cili, pa ndonjë ndikim dhe herë-herë i pavërejtur fare shtrihej jashtë sferave urbane dhe të shumtën ishte i natyrës ilegale, ekzistonte pushteti real i Shtetit Shqiptar. Në planin institucional ai përfshinte jetën shoqërore, administrative, ushtarak dhe politike të vendit në formën e një mekanizmi të përbashkët. Ishte vendosur nga shtatori i vitit 1943, i dalë nga Asambleja Kombëtare, në të cilën pasi ishte shpallur ndarja e Shqipërisë nga Italia, ishte caktuar Këshilli i Lartë i Regjencës me Mehdi Frashërin në krye, që më 5 nëntor kishte emëruar edhe qeverinë shqiptare me kryetar Rexhep Mitrovicën. Në spektrin politik të vendit përfshiheshin forca të ndryshme, të shfaqura gjatë kohës së regjimit të qeverisë së Mustafa Krujës, por aktiviteti i tyre ishte intensifikuar në prag të kapitullimit fashist, në verën e vitit 1943, ku më i fuqishmi shfaqej “Balli Kombëtar”, i ndjekur edhe nga “Legaliteti”.

Meqë ballistët si forca më e përhapur dhe më e konsoliduar politike në Kosovë dhe pjesët e Maqedonisë që luftonin për një Shqipëri Etnike, ishin futur në qeverinë e Rexhep Mitrovicës, ishte e natyrshme që ata, si forcë kryesore politike që kishte qeverisur vendin për më shumë se një vit, ta merrnin përgjegjësinë kryesore të mbrojtjes së vendit.

Mund të thuhet se në kuadër të kësaj përgjegjësie Ballistët, të cilët ishin forca kryesore në xhandarmëri, bashkë me njësitë e tjera mbrojtëse që i drejtonte Lidhja II e Prizrenit (numri i të cilave vlerësohej se kalonte dhjetë mijë dhe nga pikëpamja e organizimit ushtarak dhe pajisjes mbikëqyreshin nga Vermahti), nga fillimi ishin vënë në ballë të detyrës, në mbrojtje të kufijve veriorë të vendit (në drejtim të Saxhakut dhe në lindje, në drejtim të Serbisë), duke u ndeshur me forcat çetnike të Drazha Mihajloviqit, i cili synonte që të depërtonte në pjesët veriore të Kosovës. Ngjashëm kishin vepruar edhe në Maqedoninë Perëndimore, kur, pak më vonë, pas kapitullimit të forcave bullgare kishin pushtuar hapësirën që ata mbanin (në Shkup dhe Dibër), duke zgjeruar kështu hapësirën e shtetit shqiptar në ato pjesë për të cilat pretendonin edhe partizanët jugosllavë dhe ata shqiptarë, me të cilët ata do të zhvillojnë luftime të ashpra gjatë gjithë kohës.

Luftimet e para me çetnikët serbë u bënë nga fundi i nëntorit të vitit 1943 me rastin e sulmit që ata ua bënë disa katundeve të Pejës dhe tutje Rugovës. Luftimet, që shkuan deri në Kollashin, zgjatën mbi tri javë, që ndonëse me humbje të shumta për të dy palët, përfunduan me disfatën e çetnikëve.

Në janar të vitit 1944 çeta e Pavle Gjurishiqit bëri një sulm të papritur në Morinë të Malit të Zi dhe në Çakorr, por u zmbraps me humbje të ndjeshme nga forcat e Lidhjes. Po në atë kohë, pati sulme çetnike dhe në Shekullarë, ku forcat shqiptare kaluan në kundërsulm dhe pushtuan Shekullarën.

Sulmet çetnike do të shpërthejnë edhe në anën e Tutinit dhe të Pazarit të Ri. Ato u thyen nga mbrojtësit nën drejtimin e Aqif Blytës, të cilit i erdhën në ndihmë vullnetarët e Ukë Gjurgjevikut, i vëllai i të cilit, Sadiku, me forcat e tij mbronte kufirin në drejtim të Kollashinit.

Forcat e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, edhe pse nuk kishin shumë kohë për t’u konsoliduar ushtarakisht, kishin përgjegjësinë e mbrojtjes së kufirit në verilindje në një gjatësi nga Sanxhaku e deri në Karadak, fillimisht kundër forcave çetnike e më vonë kundër atyre partizane, të cilat u intensifikuan në verën dhe vjeshtën e vitit 1944 pasi që ushtria sovjetike të ketë depërtuar në Bullgari dhe po bëhej gati të kalonte edhe në pjesën e Jugosllavisë. Ndërkohë edhe ushtria gjermane “F” kishte filluar tërheqjen nga jugu (nga Greqia, Shqipëria dhe Serbia) drejt veriut, në mënyrë që të shpërthente linjën e frontin të aleatëve, që kishte filluar të vendosej në Srem për ta penguar grupimin e tyre në hapësirën Danub-Elbë, prej nga Gjermanët planifikonin “stabilizimin dhe rikthimin” në luftë kundër Sovjetikëve dhe forcave aleate në pjesën qendrore të Europës dhe hapësirën gjermane.

Në përputhje me këto zhvillime, edhe forcat kryesore të ushtrisë shqiptare, ato të regjimentit IV të Prishtinës të komanduara nga kolonel Fuat Dibra (Fuat Xhaferraj), ishin përqendruar në pjesën e kufirit nga Mitrovica deri te Gjilani dhe Karadaku, të cilat do të ndeshen me brigadat partizane jugosllave nga fundi i verës së vitit 1944 dhe gjatë vjeshtës dhe dimrit të atij viti. Në fillim të shtatorit forcat shqiptare të Regjimentit IV të Prishtinës, patën një përleshje të ashpër në pjesët e skajshme të Podujevës me partizanët jugosllavë dhe disa njësi bullgare, të cilat përpiqeshin të depërtonin në Podujevë. Me këtë rast u shkatërruan tri divizione bullgare të motorizuara, që tashmë udhëhiqeshin nga komunistët. Në këto luftime mori pjesë edhe batalioni i të rinjve nga Vuçitërna “Hasan Prishtina”, i cili pati humbje të mëdha.

Forcat mbrojtëse të Lidhjes bashkë me ato të tjerat patriotike (të shumtën vullnetarë), gjatë gjithë muajit shtator, përkundër humbjeve të mëdha, ndalën depërtimin e aradheve partizaneve jugosllave, të cilat ia kishin mësyrë Kosovës nga verilindja dhe jugu. Por ato nuk ishin në gjendje t’u bënin ballë sulmeve të tyre të vazhdueshme më gjatë, meqë ishin më të paktë, të papërgatitur si duhet ushtarakisht, dhe ç’ishte edhe më keq, pas fillimit të tërheqjes së forcave gjermane drejt veriut, me anatemën e “bashkëpunëtorëve fashistë” dhe të “kuislingëve,” në Kosovë dhe Shqipëri, forca nacionaliste dhe patriotike, kishin mbetur pa furnizim dhe të vetmuara. Në këtë rrethana, të përballuara me formacione të rregullta ushtarake jugosllave, të cilat ndihmoheshin nga partizanët sovjetikë, forcat e shkapërderdhura patriotike, humbjen e përbashkët e kishin të pashmangshme.

Edhe si të tilla, pra të shkëputura dhe në atë gjendje, forcat nacionaliste dhe patriotike, në luftë kundër pushtuesve sllavo-komunistë, ushqeheshin nga një nacionalizëm i sinqertë burimor-popullor, që lidhej me mbrojtjen e pragut të shtëpisë dhe të vatanit. Te disa grupe dhe formacione të shkapërderdhura ushtarake (të Ballit, Legalitetit, Lidhjes e të tjera) mbretëronte shpresa se rezis-tenca edhe si e tillë ja vlente të vazhdohej deri në pikën e fundit. Meqë një ditë, si e tillë, do të përfillej nga aleatët anglo-amerikanë, të cilët përkundër marrëveshje që kishin me Sovjetikët rreth ndarjeve të sferave të interesit Lindje-Perëndim, rezistencën shqiptare mund ta shfrytëzonin në dobi të zgjerimit të sferës së tyre.

Si do të shihet, ky iluzion do ta mbajë të gjallë rezistencën e disa grupeve të shkëputur edhe për dy vitet e ardhshme, me të cilin ata edhe do të largohen për në Greqi me shpresën se një ditë do të kthehen në atdheun e tyre të lirë.

Por, me fillimin e fundit të Gjermanëve në Shqipëri, do të vijë edhe fundi i Qeverisë Shqiptare, e cila para një viti pati edhe miratimin e Vermahtit gjerman dhe madje edhe të vetë Hitlerit, i cili në Berlin priti Xhafer Devën, në cilësinë e Kryetarit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, me ç’rast u morën vesh edhe për “aftësimin ushtarak të Kosovës për t’u vetëmbrojtur”, gjë që në të edhe filloi të punohet. Por, ishte koha tepër e shkurtë si dhe fatet e luftës që po shkonin në dëm të Fuqive të Boshtit, që pas pak atë do ta ballafaqojnë me disfatën, që e pamundësuan të ngrihet në nivel të përgjegjësisë së duhur.

Në këto rrethana, ishte e natyrshme që edhe qeveria e Rexhep Mitrovicës dhe së fundit ajo e Xhafer Devës, me hapësirë të kufizuar veprimit dhe të varur nga raportet e luftës botërore, të përjetonin fatin e mbështetësve të tyre kryesorë. Kjo do të shihet çastet që Gjermanët do të përgatiten të largohen nga Shqipëria, nuk iu mbetej tjetër pos që më 26 tetor, të shpallnin botërisht se i jepnin fund çdo veprimtarie të tyre qeveritare dhe, me ndihmën e Gjermanëve, nga ana e detit, do të largohen në drejtim të Vjenës dhe Berlinit.

Largimi i qeverisë së Xhafer Devës si dhe udhëheqjes së ngushtë të saj në drejtim të Perëndimit i hapi rrugën triumfit partizan si dhe vendosjes së pushtetit të tyre.

Në Kosovë, vendosja e pushtetit partizan njëherësh do të thoshte ripushtim i Kosovës nga sllavo-komunistët, që për uverturë pati futjen e njësive partizane nga Shqipëria (Brigada V dhe III), të cilat pas pak atë do t’ua dorëzojnë partizanëve jugosllavë. Brigadat e tyre (të shumtën çetnikë të konvertuar në partizanë), me mbi 30 mijë forca të organizuara ushtarake, depërtuan nga drejtimi i Podujevës, Shkupit dhe pas pak edhe nga Çakorri, në drejtim të Pejës, duke ripushtuar pëllëmbë për pëllëmbë hapësirën e saj.

Sidoqoftë, edhe në atë gjendje të rëndë të okupimit të Kosovës nga ana e forcave partizane jugosllave, që ua kishin hapur rrugën partizanët e Shqipërisë, do të fillojë të funksionojë betimi i mbrojtjes së vatanit në formën e shprehjes së rezistencës së armatosur, e cila ndonëse nuk do të ketë një koncept gjithë-përfshirës dhe as një qendër të përbashkët veprimi, megjithatë riaktivizoi gjuhën e mospajtimit me pushtimin sllavo-komunist, e cila u pasqyrua me shfaqjen e rezistencës së armatosur ndaj një gjenocid tashmë të paralajmëruar që vendit po i përgatitej nga komunistët. Ai bëhej edhe më ogurzi kur lidhej me programet e kahershme hegjemoniste të Beogradit ndaj Shqiptarëve dhe hapësirës së tyre jetësore, të cilave rrethanat e reja ua krijonin këtë mundësi.

Edhe pse propaganda jugosllave menjëherë rezistencën e forcave të shkapërderdhura balliste dhe të grupimeve të tjera nacionaliste dhe patriotike kundër ripushtimit sllavo-komunsit të Kosovës (fillimisht në Ferizaj dhe pastaj në Gjilan, e cila do të jetë më e theksuar nga fillimi i dhjetorit), ku në shumë prej tyre edhe më tutje kishte flakëruar shpresa e zbarkimit të premtuar anglo-amerikan, do ta cilësojë “fillim i kundërrevolucionit shqiptar të përmasave të mëdha”, që udhëhiqej drejtpërdrejt nga “shtabi i fshehur i Xhafer Devës” e të ngjashme – ajo nuk kishte qenë e tillë dhe as që kishte pasur mundësi të ishte e tillë. Meqë në Kosovë nuk kishte ngadhënjyer kurrfarë revolucioni, siç quhej, por kishte ndodhur ripushtimi i saj nga aradhet partizane jugosllave, të cilat kishin rrënuar një pushtet legjitim shqiptar, të shpallur në tetorin e vitit 1943 nga përfaqësuesit e vet legjitim, të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Fakti se shteti i pavarur shqiptar kishte lindur në rrethanat e pushtimit gjerman që kishte zëvendësuar atë italian dhe si i tillë ishte pranuar prej tij madje duke iu garantuar edhe neutraliteti dhe se forcat nacionaliste shqiptare në Kosovë dhe gjetiu ishin vënë në mbrojtje të tij dhe kundër ripushtimit jugosllav, ata nuk mund t’i kthente në “kuislingë” dhe “shërbëtorë të okupatorit” me të cilët duhej qëruar hesapet me mjete revolucionare pasi që të jenë shpallur “kundërrevolucionarë”, por në viktima të një terrori të ri shtetëror-ideologjik, që po vendosej për të lansuar një diktaturë të re komuniste.

Andaj, nga kjo pikëpamje, rezistenca e armatosur shqiptare në Kosovë kundër ripushtimit të saj nga partizanët jugosllavë dhe aleatët e tyre shqiptarë, njëherësh paraqiste rezistencën e parë të armatosur antikomuniste në Europë në vigjilje të fitores së komunizmit në lindje të saj dhe të lansimit të socializmit si model shtetëror në përputhje me ideologjinë e bolshevizmit sovjetik.

Lëvizja antikomuniste shqiptare, e fokusuar të shumtën në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore, mbeti “e shkëputur” dhe e pa përkrahur dhe me anatemën “e kundërrevolucionit” që ia vunë jugosllavët, ngaqë, si u pa në Konferencën e Jaltës, Anglo-Amerikanët nuk ishin në gjendje për një konfrontim me Sovjetikët – aleatin e tyre të fuqishëm kundër fashizmit.

Në këto rrethana, alarmi i shpërthimit të “kundërrevolucionit”, i shpallur me të gjitha kambanat, jugosllavëve do t’u konvenojë që atë ta shfrytëzojnë shumanshëm për t’i realizuar qëllimet sa më parë, dhe kjo ishte në përputhje me qortimet dhe kërcënimet që i vinin Kosovës që nga Konferenca e Bujanit, sipas të cilave hyrja në Kosovë e njësive partizane jugosllave duhej të sillte:

a) rrënimin e strukturave të pushtetit vendor, të dala nga Konferenca Nacionalçlirimtare e Bujanit

b) rrënimin e strukturave ushtarake të Shqiptarëve si dhe shkrirjen e mbetjeve të tyre në përbërje të ushtrisë jugosllave

c) anulimin e vendimeve të Bujanit rreth vetëvendosjes së Shqiptarëve për t’u bashkuar me Shqipërinë si të drejtë që u takonte në përputhje me Kartën e Atlantikut dhe krahas kësaj të krijohen rrethanat për një “deklarim tjetër vullnetar” të bashkimit të Kosovës me Serbinë nga i njëjti forum si dhe

d) qërimin e hesapeve me nacionalistët dhe patriotët shqiptarë, në emër të “bashkëpunëtorëve të fashizmit”, me çka mund të hiqej qafe secili shqiptar që nuk i përkiste lëvizjes nacionalçlirimtare të udhëhequr nga komunistët.

Kështu, pa dimensionin e “kundërrevolucionit” dhe alarmin e tij, Jugosllavët nuk do të mund të shpallnin vendosjen e gjendjes ushtarake, siç do të veprohet më 8 shkurt 1945, dhe pa këtë “alarm”, nuk do të mund të krijonin rrethanat për ripushtimin faktik të Kosovës dhe aneksimin e saj nga Serbia, duke përfshirë këtu Kuvendin e Prizrenit mbajtur nga 8-10 korrik1945, edhe pse për këtë ata kishin miratimin e Konferencës së Jaltës.

(Shkëputje nga “Kosova 1912-1945”, faqe 336-341)./ KultPlus.com

Burim Myftiu me ekspozitë personale në Galerinë Nacionale të Maqedonisë së Veriut

Galeria Kombëtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut, më 11 nëntor do të hapë ekspozitën e artit bashkëkohor me titull “REMEMBRANCE” të artistit Burim Myftiu, shkruan KultPlus.

Galeria Kombëtare e MV-së do të hapë ekspozitë më 11 nëntor 2021 në orën 19:00 në “Çifte Hamam”. Ekspozita e artit bashkëkohor me titull “Kujtime” e autorit Burim Myftiu është kryesisht në mediumin e fotografisë, instalacionit dhe videoart dhe performancë.

“Manekinet (kukullat) janë personazhet kryesore të këtij projekti konceptual. E prezantuar përmes fotografive, instalimeve, performancës dhe videoprojeksioneve, modeli na çon në një kohë tjetër. Gjatë luftës në Kosovë. Një luftë që sjell shkatërrime të mëdha, vuajtje, shembje ndërtesash e dyqanesh, si dhe humbjen e jetëve njerëzore. Modelet kanë një rol të dyfishtë ose të trefishtë për Burim Myftiun, ai përpiqet t’u japë një detyrë të re modeleve përmes këtyre fotove, një funksion tjetër i ndërtuar në një koncept. Rrobat e tyre janë pothuajse të padukshme, duket se po përpiqen të mbulojnë dhe maskojnë gjendjen e tyre shpirtërore, kujtimet dhe të gjitha ato përvoja të tmerrshme nga e kaluara”, thuhet në njoftimin e Galerisë Nacionale.

Modelet e filmuara nga Burim Myftiu, thuhet më tej në njoftim, nuk reklamojnë më veshjet, por me shprehjet e fytyrës, me gjymtyrë të thyera, hundë dhe sy të pazakontë, pranojnë një histori, zhgënjim dhe tmerr. Në instalimet në të cilat modeli paraqitet në formën e një kukulle, tema është e njëjtë si në fotografi – dhimbja dhe zhgënjimi me realitetin janë parësore. Kjo pasohet nga një video instalacion ku shfaqen personazhet imagjinare të modeleve, dëshmitarë të një ëndrre të thyer.

Autori përmes veprave të tij dënon dhunën. Asnjë dhunë në botë nuk ka arsyetime, vetëm justifikime

Përmes këtyre fotografive, instalacioneve dhe videoprojeksioneve, autori flet hapur për mohimin e gjenocidit dhe mohimin e vuajtjeve dhe tragjedisë njerëzore.

Burim Myftiu është lindur në vitin 1961 në Prizren. Ai është artist, fotograf, kurator dhe pedagog. Ai jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Republikën e Kosovës.

Ka diplomuar në Fakultetin Filologjik, Gjuhë dhe Letërsi Angleze, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, Kosovë Specializohet në Fotografi, Instituti i Fotografisë, NIIP, Nju Jork, SHBA

I diplomuar në Arte Vizuele, Universiteti AAB, Prishtinë, Master në Kosovë në Arte Vizuele, Universiteti AAB, Prishtinë, Kosovë.

Ai ka fituar shumë çmime ndërkombëtare. 

Kuratore e projektit është Tatjana Bundelevska, kurator në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë së Veriut dhe Burhan Ahmeti artist dhe ligjërues arti./ KultPlus.com

Guri Muça me Nënë Terezën e Skënderbeun në Maratonën e New York (FOTO)

Së fundi është mbajt Maratona e New York, ku kanë marrë pjesë shumë pasionantë të kësaj gare, shkruan KultPlus.

Në maratonën e sivjetme ka marr pjesë edhe qytetari shqiptar Guri Muça, i cili në fanellën e tij kishte vendosur dy figurat emblematike të shqiptarëve, atë të Nënës Terezë dhe Skënderbeut.

Guri Muça ka përfunduar më sukses këtë maratonë, i cili shihet të jetë i shoqëruar edhe në përfundimin e kësaj gare./ KultPlus.com

Filmi kosovar “Koagulim” në festivalin kualifikues për Oscar, i nominuar në katër kategori

Sukseset e filmave nga Kosova po vazhdojnë edhe më tej, duke u selektuar në shumë festivale prestigjioze, shkruan KultPlus.

Filmi artistik i metrazhit të shkurtë “”Koagulim” me skenar dhe regji të Noar Sahitit është përzgjedhë në programin zyrtar të Festival Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtët “Leuven”, një ndër festivalet më prestigjioze të filmave të shkurtër, festival që është edhe i kualifikuar për çmimet Oscar, Bafta e Efa.

Ky film është i nominuar në katër kategori, kurse përgjatë festivalit do të prezantohet në tri termine.

Me rolet e tyre në këtë film luajnë: Yll Bytyci, Adriana Matoshi e Dukagjin Podrimaj./ KultPlus.com

Dua Lipa: Uroj që filmi “Zgjoi” të merr çmimin Oscar (VIDEO)

Këngëtarja e famshme Dua Lipa e cila mbrëmjen e fundit e kaloi duke parë filmin artistik të metrazhit të gjatë “Zgjoi”, për ndjekësit e saj ka ndarë emocionet për këtë film.

Ajo në profilin e saj në instagram ka treguar për këtë film me skenar dhe regji të Blerta Bashollit, e cila e vlerëson si një histori të bukur, prekëse dhe frymëzuese, histori kjo e Fahrije Hotit, e cila është realizuar në film.

https://www.instagram.com/p/CWGIN3WMDF9/?fbclid=IwAR0rR3vcJyrl0PPGSTiLsZqbTxXcdODGOpoK8Pk1aGYCXYhpbrYYHyJV6rQ

“Këtë histori lufte dhe këmbëngulëse duhet treguar”, ka shkruar Dua Lipa, duke shtuar se ky film tregon për përvojën kosovare.  

“Jam shumë krenare për atë që ka arrit Blerta Basholli”, ka shkruar Dua Lipa, duke uruar në fund që ky film të shpërblehet edhe me Oscar./ KultPlus.com

Restaurohet ura, largohen dryrët e çifteve në Prizren

Prizreni çdo viti regjistron mijëra vizitorë nga Kosova e përtej.

Përtej bukurive natyrore që ka Prizreni, shumë çifte vendosnin dryrë tek “Ura e Kaltër e Dashurisë” me qëllimin që të përjetësohet dashuria e tyre.

Por këtë të mërkurë është bërë largimi i këtyre dryrëve, njofton Klankosova.tv.

Burime të Klankosova.tv brenda Komunës së Prizrenit bën të ditur se kjo urë i është nënshtruar restaurimit e për këtë arsye është bërë edhe largimi i “betimit” të shumë çifteve me anë të dryrëve.

Nuk dihet nëse pas restaurimit këta dryrë do të kthehen në vendin që ishin./ KultPlus.com

Dikur ishin refugjate, tashmë gra të fuqishme

Fotografia e sotme ku shihen bashkë katër gra shumë të suksesshme të Kosovës, presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, këngëtarja botërore Dua Lipa, regjisorja Blerta Basholli dhe aktorja shumë e suksesshme Yllka Gashi po shënojnë suksesin e filmit artistik të metrazhit të gjatë “Zgjoi”, që po shfaqet në këto momente në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filmi “Zgjoi” po i shpërfaqë botës vuajtjet e popullit të Kosovës, të cilët përjetuan tmerrin nga ushtria dhe paramilitarët serb, e si pasojë, përpos vrasjeve të shumta, përdhunimeve dhe mijërave të zhdukur, një përqindje e lartë e popullsisë ishte detyruar të lëshojë edhe vendin, duke kërkuar strehim në të katër anët e botës.

Dhe pikërisht nga kjo foto e suksesit, ku shihen katër gra të suksesshme në profile të ndryshme, që të katërtat kanë përjetuar në lëkurën e tyre ndjesinë e refugjatit. Përpos Dua Lipës, e cila prindërit i kishte emigrantë në Angli, por që këtë histori e ka shumë të afërt nga rrëfimet e prindërve të saj, tri gratë tjera e kanë përjetuar në vetën e parë.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani gjatë luftës në Kosovë, ishte refugjate në Mal të Zi, Yllka Gashi në Maqedoni, kurse Blerta Basholli në Gjermani.

Ndërkohë, presidentja Osmani, përpos që ka marr pjesë në premierën e filmit “Zgjoi” në Amerikë, do të shoqërojë edhe Dua Lipën në ceremoninë e Këshillit Atlantik, ku Dua Lipa do të nderohet me çmim ndërkombëtar, kurse presidentja Osmani do të paraqitet me një fjalim./ KultPlus.com

DAM Festival me “New Born” do të nisë edicionin e gjashtëmbëdhjetë

Prej 11 deri më 26 nëntor do të shpaloset edicioni i gjashtëmbëdhjetë i DAM Festival, shkruan KultPlus.

Organizatorët kanë njoftuar se ky edicion do të nisë me orkestrën kamertale “New Born”, koncert që do të mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

“Orkestra kamerale “New Born” do të hap këtë edicion me një program i cili kryesisht sjell disa prej kryeveprave të literaturës shqiptare. Me soliste Zana Abazi – Ramadanin (soprano) dhe në dirigjimin e Edon ramadanit, Orkestra kamerale “Neë Born” njëherësh do të ketë prezantimin debutues në Prishtinë pas koncerteve të suksesshme në Kroaci dhe Shqipëri”, thuhet nga organizatorët rreth kësaj mbrëmje.

Ndërkohë, bëhet e ditur se në ciklin e parë të serisë së koncerteve të këtij edicioni i cili do përmbyllet më 26 nëntor, me recital do prezantohet flautistja e re Zanë Abazi e shoqëruar nga pianisti Melos Buza (12.11.2021 / 19:00 / Salla e Kuqe) ndërsa mysafire e mbrëmjes së tretë është Orkestra kamerale “Gryphon” me dirigjent Angel Spiroski (13.11.2021 / 19:00 / Salla e Kuqe). Ky i fundit është fitues i çmimit të Filharmonisë së Kosovës në Garën e 1-rë të Kompozitorëve të Ballkanit 2019 – BCCP, e organizuar në Prishtinë. Edicionit të 16-të të DAM-it deri tani i kanë paraprirë programet “Zë DAM” – platformë e cila ka për qëllim mbështetjen e zërave të rinj lirik, Gara e 2-të e Kompozitorëve të Ballkanit – BCCP 2021 dhe Gala koncerti i organizuar me dy emra të dalluar të skenë botërore violinistit Fedor Rudin (Koncert-mjeshtër i Filharmonisë së Vjenës 2019-2021) dhe pianistit Boris Kusnezow.

Hyrja në koncerte është  lirë derisa të gjithë të interesuarit obligohen të kenë me vete certifikatën e vaksinimit kundër COVID-19 ose një test PRC jo më të vjetër së 72 orë./ KultPlus.com

Themelohet mekanizmi për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë

Sot në mbledhjen e Qeverisë është miratuar themelimi për mekanizmin për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti në mbledhje tha se dokumentimi i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë do t’i shërbej edhe edukimit dhe ngritjes së vetëdijes që vendi ynë të mos shoh më përsëritje të historive të dhimbshme të krimeve të kryera.

“Kanë kaluar 22 vite pas luftës dhe adresimi i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë është shumë larg ndaj asaj që ne duam e që neve na duhet. Shkeljet e rënda të drejtave të njeriut, krimet e luftës do të trajtohen nga mekanizimi për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë./ KultPlus.com

Hapet sot ekspozita “Arti gjatë pandemisë” në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Galeria Kombëtare e Kosovës do të prezantojë ekspozitën “Arti gjatë pandemisë”, e cila bazohet në një ngjarje të vërtetë, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë është kuruar nga Gazmend Ejupi dhe do të jetë e hapur sot me fillim nga ora 19:00.

Disa prej artistëve që do të marrin pjesë janë, Avdi Hajdari, Arbnor Karaliti, Briliant Milazimi, Jetullah Sylejmani, Luan Bajraktari, Laureta Hajrullahu & Shkamb Jaka, Renea Begolli, Valdrin Thaqi.

Kjo ekspozitë do të jetë e hapur për audiencën deri më 8 dhjetor 2021./KultPlus.com

Malala, fituesja e Nobelit për Paqe, shpall martesën

Fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Malala Yousafzai, u martua me partnerin e saj, Asser Malik, me një ceremoni islamike në Britani.

“Sot është një ditë e çmuar në jetën time. Asser dhe unë u martuam, për të qenë partnerë për gjithë jetën”, njoftoi Malala, mbrëmjen e së martës, në Twitter.

https://twitter.com/Malala/status/1458128016157052938?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1458128016157052938%7Ctwgr%5E%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.evropaelire.org%2Fa%2Fmartohet-malala-yousafzai%2F31554342.html

Postimi u shoqërua me imazhe të saj dhe të bashkëshortit dhe u pëlqye nga dhjetëra-mijëra ndjekës.

Malala, 24 vjeçe, aktiviste pakistaneze për të drejtat e grave, ka gjetur strehim në Britani, pasi është qëlluar në kokë nga talibanët në vitin 2012.

Ajo ka qenë 15 vjeçe kur është sulmuar, për shkak të fushatës së saj për shkollimin e vajzave në Pakistan.

Në moshën 17-vjeçare, ajo është bërë personi më i ri që ka fituar Çmimin Nobel për Paqe.

Bashkëshorti i saj, sipas profilit të tij në Twitter, është menaxher biznesi që aktualisht punon në Bordin e Kriketit të Pakistanit.

E shoqëruar nga Presidentja Vjosa Osmani, Dua Lipa do të nderohet me çmim ndërkombëtar nga Këshilli Atlantik

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do ta shoqërojë këngëtaren me famë botërore, Dua Lipa, në ceremoninë e Këshillit Atlantik, shkruan KultPlus.

Osmani pritet që të marrë pjesë në mbrëmjen ceremoniale të Këshillit Atlantik në Washington dhe do të jap një fjalim special, me ç’rast Dua Lipa do të nderohet me çmimin e “Lidershipit Artistik të Shquar”.

Gjatë vizitës zyrtare, Osmani është takuar edhe me regjisoren Blerta Basholli, pasi filmi “Zgjoi” është duke u transmetuar në një festival të filmit.

Yllka Gashi, Vjosa Osmani, Dua Lipa dhe Blerta Basholli janë parë shumë të buzëqeshura në disa fotografi së bashku, të publikuara nga fondacioni “Sunny Hill News”.

Këngëtarja me origjinë nga Kosova po nderohet jo vetëm që është “një nga muzikantët më me ndikim në botë”, por edhe mbështetja në një sërë kauzash bamirësie dhe “fuqizimi i gjeneratës së ardhshme të liderëve dhe muzikantëve ballkanikë”.

Mbrëmja gala do të shërbejë gjithashtu për të festuar 60-vjetorin e Këshillit Atlantik, i cili promovon udhëheqjen konstruktive të Shteteve të Bashkuara së bashku me aleatët globalë./KultPlus.com

Blerta Basholli në intervistë për gazetën amerikane, takimi me Fahrije Hotin dhe mesazhi që përcjellë filmi “Zgjoi”

Regjisorja e filmit shumë të suksesshëm kosovar “Zgjoi”, Blerta Basholli, ka dhënë një intervistë së fundmi për gazetën amerikane “Something You Said”, përcjellë KultPlus

Filmi “Zgjoi” aktualisht është duke u transmetuar në Amerikë, konkretisht në “Sydney Film Festival” dhe po shënon suksese të jashtëzakonshme.

Duke folur për filmin, Basholli rrëfeu histori interesante për Fahrije Hotin, e cila përveç se është protagonistja kryesore, ka pasur ndikim të madh në zhvillimin e filmit.

Gratë e fuqishme të Kosovës takohen në Washington DC

“Pasi e takova personalisht, e ndjeva se ishte detyrë të përfaqësoja karakterin e saj të fortë në ekran, sepse ky është një person për të cilin njerëzit duhet të dëgjojnë. Epo për sa i përket historisë, fillimisht nuk ishte [feministe] por kur takova Fahrijen personalisht u bë kështu. Ne nuk po shohim një personazh kryesor femër në ekran që është viktimë, ne po shohim një grua që po qëndron për veten e saj, edhe nëse kjo do të mbijetojë. Ajo nuk është vetëm ulur dhe duke pritur për mëshirë; ajo po bën diçka për të”.

Tutje, Basholli shpreson se kjo histori do të frymëzojë edhe të tjerët që e ndjekin filmin, jo vetëm gratë.

“Kishte njerëz që e ndihmuan. Kishte burra që e ndihmuan dhe burra që nuk e mbështetën. Doja të portretizoja të gjitha llojet e njerëzve dhe shoqërinë komplekse që nuk është e gjitha bardh e zi. Askush nuk është i përcaktuar mirë, asnjë shoqëri nuk është e përcaktuar mirë, ka njerëz dhe njerëz të mirë që duan t’ju ndalojnë në çdo shoqëri, qoftë burrë apo grua. Ne si qenie njerëzore jemi komplekse, kështu që ndonjëherë ata janë të mirë, por ndonjëherë ne bëjmë gjëra të këqija dhe kjo është diçka me të cilën përpiqem të luaj me të vërtetë për sa i përket kompleksitetit”, u shpreh ajo për Something You Said.

Sa i përket filmave nga Kosova, regjisorja thotë se Kosova nuk mund të quhet as si industri e filmave, megjithatë po prodhon shumë.

“Është një gjë e mrekullueshme të kesh 4 filma që qarkullojnë nëpër festivale, të gjithë nga gra skenariste-regjisore”, shtoi Basholli.

‘Zgjoi’ është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrijes (interpretuar nga Yllka Gashi) nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetësën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë./KultPlus.com

Gratë e fuqishme të Kosovës takohen në Washington DC

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani po qëndron ë SHBA, dhe gjatë kësaj vizite ka realizuar edhe një takim me skenaristen dhe regjisoren e filmit “Zgjoi”, Blerta Bashollin, film që është duke u shfaqë në Amerikë, shkruan KultPlus.

Ky film ka bërë bashkë një numër të madh të grave të Kosovës, të cilat janë të suksesshme në fusha të ndryshme. Në një fotografi shihen bashkë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, këngëtarja e suksesshme botërore Dua Lipa, Blerta Basholli e cila po shënon një sukses të jashtëzakonshëm me filmin “Zgjoi”, dhe Yllka Gashi, figura kryesore e këtij filmi, e cila për rolin e saj tashmë ka marrë disa çmime të mëdha ndërkombëtare.

Të katër gratë duken mjaftë elegante, të cilat edhe kanë zgjedhur të vishen me ngjyrë të zezë./ KultPlus.com

Vdes Hajra Çatiq, gruaja që kërkoi për 26 vite eshtrat e djalit të saj

Njëra prej figurave kryesore në përpjekjet për të gjetur eshtrat e mbi tetë mijë myslimanëve boshnjakë të vrarë në masakrën e Srebrenicës ishte pikërisht Hajra Çatiq, e cila vdiq të martën, përcjellë  KultPlus.

Çatiq, 78 vjeçare kaloi 26 vitet e fundit duke luftuar për drejtësi në kërkim të gjetjes së eshtrave të djalit të saj.

Djali i të ndjerës u zhduk nga forcat paramilitare serbe, që kryen masakrën më të tmerrshme në botë, duke vrarë mbi 8 mijë civilë në Srebrenicë në vitin 1995, pa dallim moshe e gjinie.

Mediat lokale raportuan se Çatiq vdiq pas një sëmundjeje të gjatë në Sarajevë./KultPlus.com

MKRS hap konkurs për dizajnimin e logos së Operës së Kosovës: Fituesi shpërblehet me 2,500 euro

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shpall konkurs publik për dizajnimin e Logos së institucionit Opera e Kosovës, përcjellë KultPlus.

“Të drejtë konkurimi kanë të gjithë artistët nga Kosova, rajoni dhe bota dhe ideja më e mirë e përzgjedhur do të shpërblehet me 2,500 euro”, thuhet mes tjerash në njoftimin e MKRS.

Vlerësimin e këtyre propozimeve do ta bëjë një komision i themeluar nga MKRS, derisa në website janë vendosur edhe kriteret e duhura./KultPlus.com

Fati tragjik i autorit të veprës “Kosova, djepi i shqiptarizmit”: Enveri e akuzoi se hodhi gurë kundër Jugosllavisë motër

Nga: Dashnor Kaloçi

Në fillim të vitit 1943, kur nuk kishin kaluar më shumë se dy-tre vjet pasi Italia fashiste kishte njohur Shqipërinë etnike dhe i kishte rikthyer asaj pothuajse të gjitha viset shqiptare që Kongresi i Berlinit në vitin 1878 – si dhe Konferenca e Londrës më 1913 – ia kishin shkëputur padrejtësisht dhe ua kishin dhuruar fqinjëve të saj, në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë, doli nga shtypi dhe u vu në qarkullim një libër me titull: “Kosova, djepi i shqiptarizmit”. Autori i këtij libri të famshëm që u prit me interes të jashtëzakonshëm, jo vetëm në qarqet intelektuale të Tiranës, por edhe në të gjitha trevat shqiptare ku ai u shpërnda menjëherë, ishte një intelektual i ri, i quajtur Hamit Kokalari, i cili vetëm pak kohë më parë kishte shërbyer si nëpunës i lartë në administratën vendore të Kosovës.

Hamit Kokalari lindi në vitin 1913 në qytetin e gurtë të Gjirokastrës. Ishte pinjoll i një prej familjeve nacionaliste më të njohura të jugut të Shqipërisë, ku të parët e saj ishin shkolluar në universitete të ndryshme të botës. Babai i Hamitit, Reshat Kokalari, ishte një intelektual tepër i njohur, sidomos për përhapjen e arsimit shqip në zonën e Gjirokastrës. Hamiti kishte edhe dy vëllezër të tjerë, Muntazin e Vesimin, si dhe një motër – Musinenë. Ashtu si shumë pinjollë të tjerë të trungut të Kokalarëve, që kishin studiuar dhe ishin diplomuar në universitete të ndryshme të botës, edhe Hamiti në vitet tridhjetë u diplomua në një prej fakulteteve të Francës në Jurisprudencë. Gjatë periudhës së pushtimit të Shqipërisë, në vitet 1942-1943 shërbeu për pak kohë në administratën e lartë vendore të Kosovës dhe pranë ambasadës shqiptare në Shkup të Maqedonisë. Gjatë asaj periudhe, Hamiti u lidh dhe bashkëpunoi ngushtë me mjaft politikanë e intelektualë të njohur me bindje nacionaliste të atyre trevave shqiptare, të cilët e ndihmuan atë në punën hulumtuese, studiuese dhe shkencore për veprën e tij “Kosova, djepi i shqiptarizmit”, të cilën ai e botoi në Tiranë në vitin 1943.

Përveç një pune tepër të madhe studimore e shkencore, ku autorit iu desh të shfletonte edhe arkivat sllave, ajo që vlen për t‘u theksuar në botimin e atij libri ishte edhe kurajoja e guximi i autorit, i cili e botoi atë pikërisht në periudhën kur Partia Komuniste e Shqipërisë ishte e lidhur ngushtë me Partinë Komuniste Jugosllave dhe emisarët serbo-malazezë që drejtonin e udhëhiqnin realisht lëvizjen komuniste në vendin tonë, kishin filluar një valë terrori kundra nacionalistëve shqiptarë.

Menjëherë pas mbarimit të luftës, në dhjetorin e vitit 1944, dy vëllezërit e Hamitit, intelektualët e njohur me bindje nacionaliste, u pushkatuan pa gjyq në një nga bodrumet e hotelit “Bristol” në qendër të Tiranës, ku ata mbaheshin të lidhur që prej disa kohësh. Sipas mjaft dëshmive të dhëna pas viteve 1990, ekzekutimi i tyre është bërë me urdhër direkt të Enver Hoxhës, për motive personale të veta. Sipas dëshmive të intelektualit, studiuesit dhe shkrimtarit të njohur, Mexhit Kokalari, pak ditë pas ekzekutimit të tyre, kur Fejzie Kokalari shkoi të ankohej tek Enver Hoxha për gjëmën që u kishte ndodhur, Enveri i tha asaj: “Muntazin dhe Vesimin bëmë mirë që i pushkatuam, ndërsa Hamiti duhet të na falënderojë që e lamë gjallë për mëshirë, se ishte i sëmurë nga tifua. Hamiti ka hedhur shumë gurë kundër Jugosllavisë motër. Të rrinë urtë bashkë me Musininë se po e lëvizën bishtin do t‘i dërgojmë te dy vëllezërit” (Enveri e mbajti deri diku fjalën e tij: intelektualja e famshme Musine Kokalari, e cila ishte laureuar për Letërsi në një nga universitetet e Italisë, u burgos dhe u internua për vite me radhë, deri sa mbylli sytë e vetme në një kthinë të errët të qytetit të Rrëshenit në vitet 1980).

Edhe pse kishte marrë kërcënimin direkt nga Enver Hoxha, Hamiti vazhdoi të merrej me çështjen e Kosovës, me qëllim që ta zgjeronte, kompletonte dhe ta ribotonte përsëri studimin e tij “Kosova, djepi i shqiptarizmit”. Kështu, dy tre vjet pas botimit të librit, Hamit Kokalari i dërgoi një letër Nexhmije Hoxhës, ku i kërkonte ribotimin e librit, por përgjigja që erdhi prej saj ishte negative. Që nga ajo kohë dhe në vitet që pasuan, me qëllim për të siguruar jetesën, Hamiti u mor me përkthime të ndryshme, pasi ai zotëronte shkëlqyer pesë-gjashtë gjuhë të huaja. Pas një sëmundjeje të gjatë, Hamit Kokalari u nda nga jeta në vitin 1989. Libri i tij “Kosova, djepi i shqiptarizmit”, u ribotua në Itali në vitin 1962 nga një grup intelektualësh të njohur nacionalistë shqiptarë dhe parathënia e tij u shkrua nga Abaz Ermenji.

Libri në fjalë kishte vetëm 125 faqe dhe përbëhej nga rreth 27 kapituj ku autori ka përdorur shumë referenca të autorëve shqiptarë, si: Fan Noli, Mit‘hat Frashëri, Dom Luigj Gashi, Zef Fekeçi, Karl Gurakuqi, Xhaferr Belegu etj., e po ashtu edhe të huaj, si: Antonio Baldacci, Angelo Pernice, Edit Durham, Milan Shuflai, Justin Godard, Bernard Nevman etj. Shumë nga kapitujt e studimit të Kokalarit janë ilustruar me tabela të veçanta ku paraqiten të dhëna të numrit të popullsisë së trevave shqiptare të okupuara nga sllavët, si dhe harta të ndryshme të botuara nga akademi dhe institute të njohura të Evropës. Përveç referencave dhe dokumenteve të shumta arkivore me të cilat është konsultuar, autori i librit në parathënie i ka bërë një falënderim të veçantë për ndihmën e madhe që i pati dhënë Reuf Ficos, një nga politikanët dhe diplomatët shqiptarë më të njohur të gjysmës së parë të shekullit të kaluar, i cili në vitet e fundit të karrierës shërbeu si ambasador i Mbretërisë Shqiptare të Zogut, në Beograd.

Nga libri i Kokalarit, “Kosova, djepi i shqiptarizmit”, kemi përzgjedhur dhe po publikojmë në variantin origjinal vetëm disa pjesë të tij, duke menduar se hidhet edhe më shumë dritë mbi të vërtetën e shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, të cilat iu shkëputën padrejtësisht trungut mëmë, në mesin e shekullit XIX dhe në fillimin e dekadës së dytë të shekullit XX.

“Pak njerëz në Shqipëri e njohin Kosovën dhe krahinat e tjera shqiptare të Veriut që traktet ndërkombëtare ua kanë pas falur Malit të Zi dhe Sërbis më 1878 dhe më 1913; mund të thuhet se historija e Kosovës dhe çështjeve etnografike të saj janë në dijeni vetëm të disa specialistëve. Librat mbi këto çështje nuk mungojnë, dhe sidomos në gjuhë të huaja ato formojnë një bibliotekë të pasur dhe provojnë shqiptarësinë e krahinave në fjalë nga çdo pikëpamje. Mjafton të këndosh për këtë qëllim librat e dokumente të botuara në ish-mbretërinë jugosllave. Këto dokumente pranojnë se shumica e popullsisë në Kosovë është shqiptare, sado që përpiqen ta fshehin ose ta pakësojnë sasin e shqiptarëve vende vende. Por çfarë përfundimi do të jepet vallë në një regjistrim i popullsisë i kryer me paanësi të plotë? Sikur të realizohej do të ishte për ne një dokument shumë i vlefshëm. Me gjithë këtë dokumentet e përgatitura prej serbëve flasin mjaft në favorin t‘onë dhe në këtë botim do të merren si themel sidomos dokumente t‘atilla. Do të jepen si shembull, në formim aneksesh në fund të këtij studimi, një sasi e vogël e vargut të pafundshëm, të botimeve në gjuhë të huaja mbi shqiptarësinë e Kosovës. Por ajo që dihet më pak dhe që meriton të vihet në dukje është historija e Kosovës. Kosova nuk ka qenë vetëm djepi i rilindjes shqiptare, por ka qenë sidomos faktori kryesor i ngjarjeve historike që shkaktuan dhe siguruan krijimin e shtetit shqiptar dhe të liris s‘onë kombëtare. Kosova ka qenë një fushë lufte e përherëshme ku shqiptarët kanë derdhur gjakun e tyre shekuj me radhë në një luftë të dyfishtë kundër turqve dhe kundër Serbo-Malazezëve. Veçanërisht ngjarjet historike më me rëndësi ato të periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1877-1881), dhe ato të Kryengritjes së Kosovës (1909-1913), që patën si pasojë krijimin e shtetit shqiptar, ishin pothuaj kryekëput vepra të Kosovarëve. Vetëm Shqipëria e mbyllur në kufijt e 1913-ës, pati fatin e mirë ta gëzojë shpërblimin e therorive që e bënë shqiptarët e Kosovës, të cilët mjerisht, në vend që të fitonin lirinë e merituar, kaluan nga robërija turke në robërinë serbo-malazeze. Me këtë rast e shoh për detyrë të falënderoj të gjithë miqtë që më ndihmuan në përpilimin e këtij botimi, dhe sidomos të shpreh mirënjohjen time të thellë zotit Rauf Fico, për dokumentet që pati mirësinë të më dorzojë.

… Ky studim ka për qëllim të kapë, me anën e një përshkrimi historik dhe etnografik të shkurtër, një ide të përgjithshme mbi ato krahina thjesht shqiptare të veriut dhe të veri lindjes që ishin anësuar prej Serbisë dhe Malit të Zi pas luftës Ruso-Turke të vitit 1877 e pas luftës ballkanike dhe që në kohën e sundimit otoman bënin pjesë të Vilajeteve të Shkodrës, të Kosovës dhe të Manastirit. Në lëmën historike propaganda serbe ka arritur mjerisht të bëjë çudira, sepse ka mundur ta paraqesë Kosovën përpara opinionit të përbotshëm sikur të ishte një vend serb. Në këtë puna vepra e propagandistëve sllavë ishte e përkrahur edhe prej ndihmës e bashkëpunimit të plotë të shtypit dhe të literaturës së fuqive të mëdha mbrojtëse të Serbisë. Propaganda shqiptare, me mjetet e saj tepër modeste, nuk ka pasur efektet e dëshirueshme sa që të dispononte argumenta më të forta dhe sa do që vetë realiteti fliste në favor të tezës shqiptare. Një nga mjetet e propagandës serbe ka qenë folklora. Serbët kanë ekzaltuar në këngët e tyre popullore luftrat e tyre në Kosovë, por shqiptarët kanë më shumë arsye se ata që të jenë kryelartë për luftrat që kanë bërë kundra Turqëvet dhe kundër Serbëve po në Kosovë, dhe këto vepra të lavdishme përmenden në këngët tona popullore, të cilat vetë Serbët i kanë mbledhur dhe botuar në Beligrad, në rivistën ‘Prilozi Proncevanje norodne poezie’ …

Propaganda serbe ka përdorur sidomos betejën e Kosovës (1389), të cilën e ka paraqitur si një mit të pavdekshëm të idealit kombëtar jugosllav dhe si argument për të provuar rivendikimet serbe në Kosovë. Në fakt, beteja e Kosovës të cilën serbët e kanë permëndur së tepërmi duke i bërë të vetat të gjitha theorirat, ndodhi midis turqëvet dhe një koalicioni të krishterë nën komandën e për të mbretit sërb Lazar, i cili ra i vdekur në luftë e sipër. Duhet pra të sqarohet mirë se beteja e Kosovës nuk ka qenë vepër e Serbëve vetëm, por e një koalicioni të krishterë, të përbërë prej: Serbë, Shqiptarë, Bullgarë, Boshnjakë, Dalmatë, Ungarezë. Shqiptarët ishin të komanduar nga Princi Gjergj Kastrioti, gjyshi i heroit t‘onë kombëtar, Skënderbej, por komanda e përgjithëshme iu besua mbretit serb Lazar, dhe kjo u bë për shkak se asnjë nga ushtritë e tjera aleate nuk ishin të komanduara nga një mbret dhe sepse ushtrija serbe ishte më e madhe në numër. Fuqitë serbe dhe ushtritë aleate që luftuan në fushën e Kosovës u-përpoqën ta ndalojnë invazionin turk me një ekspeditë e cila kishte më shumë karakterin e një kryqëzate për t‘i prerë hovin rrezikut mysliman, se sa të një lufte me karakter kombëtar. Historianët e njohin këtë betejë si një kryqëzatë të re kundra fuqisë otomane që shtohesh dhe kërcënonte botën e krishterë të aksidentit. Sidoqoftë fuqitë shqiptare në këtë betejë sollën një kontribut të dorës së parë: “Më 1389 Gjergji i II Balsha, Theodor II Muzaka, Gjergj Kastrioti, stërgjysh i Skënderbeut, dhe disa princër shqiptarë të tjerë u bashkuan me Kralin Lazër të Serbisë, i cili organizoi një kryqëzatë kundër Sulltanit Muradit I. Ushtria kryqëzore, e përbërë prej Serbësh, Bullgarësh, Boshnjakësh, Shqiptarësh, Vllehësh, Pollakësh, dhe Hungrezësh u përpoq me ushtritë turke në fushën e Kosovës. Në këshillën e luftës që u mbajt nën kryesinë e Kralit Lazar, Gjergj Kastrioti kishte propozuar që t‘i bijen Turqëve natën, por ky proponim nuk u pëlqye nga shkaku se armiqtë mund të shpëtonin nga një disfatë e plotë dhe të iknin më t‘ë errët. I ranë pra ditën dhe u dërmuan plotësisht prej Turqëvet. Midis të vrarëve ishin Sulltan Muradi I vetë dhe Teodor II Muzaka. (Historija e Skënderbeut, prej Fan S. Nolit, Boston 1921, faqe 37) …”