Liqeni i Shkodrës drejt UNESCO-s: Prezantohet dosja e nominimit

Grupi Këshillimor Teknik i Punës ka bërë prezantimin final të dosjes së nominimit të Liqenit të Shkodrës në UNESCO, si Rezervë Biosfere Ndërkufitare. Prezantimi i dosjes u bë gjatë takimit në mjediset e KUB Piramida.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Shkodër tha se, qëllimi i këtij takimi të fundit ishte, rishikimi i dosjes së nominimit, përpara prezantimit dypalësh (me Malin e Zi) dhe fazën finale, dërgimin në UNESCO për shqyrtim dhe vendimmarrje.

DRTK Shkodër që në vitin 2023 ka qënë pjesë e institucioneve partnere vendore në territorin e Pellgut Ujembledhës të Liqenit të Shkodrës dhe ka dhënë ekspertizën e nevojshme për sa i përket trashëgimisë kulturore në zonën e propozuar për nominim.

Shqipëria dhe Mali i Zi do të paraqesin një dosje të përbashkët. Ky projekt synon të sjellë ndikim pozitiv për komunitetet vendase duke krijuar mundësi të reja për zhvillim të qëndrueshëm, në përputhje me Programin e UNESCO-s për Njeriun dhe Biosferën.
Nëse shpallet zonë e mbrojtur nga UNESCO, Liqeni i Shkodrës do të përfitojë standarde më të larta menaxhimi dhe bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve.

Liqeni i Shkodrës është më i madhi në gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ai cilësohet si një nga qendrat turistike më të rëndësishme të rajonit./atsh/

Rita Ora renditet në listën e të veshurve më mirë të javës nga Vogue

Këngëtarja me famë botërore, Rita Ora, ka marrë vëmendjen e revistës prestigjioze Vogue, duke u renditur në mesin e yjeve më të veshura me stil të javës.

Në artikullin me titull “The Best Dressed Stars of the Week Had Looks With Personality”, stilisti i njohur Christian Allaire përzgjedh pamjet më të spikatura, ku ndër to shquhet edhe Rita Ora me një veshje të mahnitshme të markës Prada. Ajo u shfaq elegante dhe me klas në një gala verore në Gassin, Francë, më 24 korrik, përcjellë KultPlus.

E veshur me një fustan të zi klasik me detaje të rafinuara, Rita përçoi finesë dhe individualitet, duke reflektuar si gjithmonë personalitetin e saj përmes modës. Pamja e saj u shoqërua edhe me komente pozitive për stilin e veçantë dhe mënyrën e përkryer se si e përfaqëson elegancën moderne.

Për më tepër, Vogue fton lexuesit të votojnë për pamjen e tyre të preferuar të javës dhe Rita Ora është padyshim një nga favoritët./KultPlus.com

“New Generation” në RLIOF: Talentet e reja operistike ngjiten sonte në skenën e Prishtinës

Në kuadër të edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj (RLIOF), sonte në mbrëmje do të mbahet koncerti “New Generation”, duke filluar nga ora 19:30, në hapësirat e Fakultetit të Arteve në Prishtinë.

Nën moton “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure!”, kjo natë do t’u kushtohet talenteve të reja të operës, të cilët do të sjellin në skenë rezultatet e masterklasës së këndimit të zhvilluar me tenorin me famë botërore Ramón Vargas. Zërat e së ardhmes do të interpretojnë një repertor të zgjedhur me arie, të shoqëruar në piano nga Jess Rucinski, në një mbrëmje që premton emocion, profesionalizëm dhe pasion të ri për artin lirik,transmeton KultPlus.

Koncerti “New Generation” është më shumë se një performancë – është një deklaratë për të ardhmen, një platformë për të mbështetur artistët e rinj në rrugëtimin e tyre drejt skenës ndërkombëtare, si pjesë e misionit të Fondacionit Rame Lahaj./KultPlus.com

Dua Lipa dhe Callum Turner, në listën e përfolur për filmin e ri të James Bond

Dua Lipa dhe Callum Turner po përfliten për përfshirje në filmin e radhës të James Bond – njëri si këngëtare e kolonës zanore, dhe tjetri si aktori i ri që do të marrë rolin e agjentit legjendar 007.

Çifti i famshëm, që u fejua muajin e kaluar, ka gjasa 12 me 1 për të qenë pjesë e filmit – sipas parashikimeve të kompanisë së basteve britanike William Hill.

Sipas të njëjtit burim, Dua Lipa, 29 vjeçe, ka një shans 15 me 8 për të ndjekur hapat e Adele dhe Billie Eilish në interpretimin e këngës hyrëse të filmit, shkruan DailyMail.

Ndërkohë, partneri i saj, Callum Turner, 35 vjeç, po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje për të pasuar Daniel Craig në rolin e James Bond – ku koeficienti i bastit për të është ulur në 7 me 2.

Zëdhënësi i William Hill, Lee Phelps, deklaroi: “Spekulimet për filmin e ri të James Bond janë duke u shtuar, dhe kemi parë mbështetje për çiftin Dua Lipa dhe Callum Turner për të qenë të përfshirë në projekt. Dua Lipa tashmë e ka dëshmuar veten në skenën e madhe dhe në studio muzikore, ndaj nuk është befasi që ajo po shihet si kandidate serioze për të sjellë këngën ikonike të radhës së Bond-it. Ndërkohë, Callum Turner po mbështetet gjithnjë e më shumë për të trashëguar rolin nga Daniel Craig – është vetëm pas favoritit aktual Aaron Taylor-Johnson”./KultPlus.com

Njohja “de jure” e Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha: Vendimi historik i Londrës më 1913

Më 29 korrik të vitit 1913 Konferenca e Ambasadorëve në Londër, njohu “de jure” shtetin e pavarur shqiptar.

Në shenjë mospajtimi me shpalljen e pavarësisë, vendet ballkanike vazhdonin të mbanin trupat e tyre në territorin shqiptar. Duke marrë rolin e arbitrit mes palëve ndërluftuese, në maj të 1913-s, u mbajt Konferenca e Ambasadorëve në Londër, ku u nënshkrua Traktati i Paqes, në bazë të të cilit Perandoria Osmane detyrohej të hiqte dorë nga të drejtat sovrane mbi Shqipërinë. Në përfundim të punimeve, më 29 korrik 1913, fuqitë e mëdha vendosën që Shqipëria të shpallej Principatë Autonome, sovrane dhe e trashëgueshme.

Konferenca e Ambasadorëve erdhi si nevojë e zhvillimeve të ndodhura gjatë ndryshimeve të ekuilibrit të forcave, të dalë nga luftrat ballkanike. Kufijtë e Shqipërisë dhe të gjitha çështjet e tjera të lidhura me të, do të zgjidheshin nga Fuqitë e Mëdha sipas marrëveshjeve midis palëve.

Perandoria Osmane kishte humbur shkëlqimin e saj. Shqipëria dhe fati i qytetarëve të saj do të bëhej pjesë e kësaj rrokopuje dhe produkt i një harte që do të prodhonte ndër vite veç tensione, duke lënë rreth 40 për qind të territorit të saj jashtë këtij ridimensionimi të Ballkanit.

”The Standard”: Pse Tirana e bukur duhet të jetë pushimi juaj kulturor i radhës?

Tirana, ky qytet plot gjallëri, është shumë më tepër sesa një ndalesë në rrugën drejt plazheve me rërë të bardhë të Shqipërisë, shkruan sot Vicky Jessop për prestigjiozen britanike “The Standard”.

Ju dëgjoni fjalën ”Shqipëri” dhe ndoshta imagjinoni pamje të mrekullueshme të detit, perëndime dielli mesdhetare ose faqen e Dua Lipës në Instagram.

Kjo është arsyeja pse njerëzit që shkojnë në këtë vend mesdhetar janë në kërkim të bregdetit të tij të mrekullueshëm shkëmbor dhe e gjejnë veten duke kaluar edhe në kryeqytetin e tij, Tiranën.

Ajo nuk shihet si një destinacion në vetvete, me shumicën e njerëzve që kalojnë vetëm një natë atje, përpara se të nisen për në arratisjet bregdetare jugore të Sarandës dhe Ksamilit.

Kjo është për të ardhur keq, sepse kushdo që e gjen veten në Tiranë për një kohë të gjatë do të zbulojë një qytet që aktualisht po kalon një transformim të jashtëzakonshëm.

I çliruar nga pesë dekada diktaturë dhe frenim ekonomik, investimet tani po vërshojnë në kryeqytetin shqiptar, duke lënë pas ndërtesa, restorante dhe kafene të reja interesante.

Me një kuzhinë në përmirësim, me një histori komplekse dhe me një qëndrim të qetë, Tirana shpërblen udhëtarin që gjen kohë për ta eksploruar atë siç duhet.

Ja se si të futeni në lëkurën e këtij qyteti të zhurmshëm:

Shëtitje të shumta

Shqipëria është një vend që ka vetëm 113 vjet pavarësi. U pushtua fillimisht nga osmanët për rreth 400 vjet, pastaj, pasi u zhdukën pas Luftës së Parë Botërore, gjermanët dhe italianët shkuan sërish atje gjatë Luftës së Dytë.

Pas kësaj, Enver Hoxha, i mbështetur nga BRSS, i ngjit në pushtet në fund të viteve ’40. Në një kthesë të parashikueshme, ai u bë një diktator i pamëshirshëm, i cili shtypi brutalisht të gjitha format e disidencës, dërgoi rebelët në kampe përqendrimi dhe e zhyti vendin në dekada varfërie të tmerrshme.

Si rezultat, jo shumë nga qyteti i vjetër i Tiranës mbijetoi. Pjesa më e madhe e saj u rrafshua në një tërbim entuziazmi komunist dhe brutalist. Megjithatë, pamje të vogla janë ende të dukshme, veçanërisht rreth sheshit ”Skënderbej”, në zemër të kryeqytetit.

Për t’i parë të gjitha këto, një tur falas në këmbë është gjithmonë një mundësi e mirë.

Është gjithashtu i përshtatshëm edhe për turistët e vetmuar. Përveç Teatrit modernist të Operës që rrethon skajin e sheshit, shkoni edhe në xhaminë e Et’hem Beut, që ndodhet pranë saj. E ndërtuar nga osmanët në vitet 1700, është një pjesë e bukur dhe e thjeshtë arkitekturore e rrethuar nga një kullë sahati në njërën anë dhe sheshi i gjerë në anën tjetër.

Prej andej, vazhdoni nëpër rrugët drejt Pazarit të Ri, ku shiten suvenire turistike dhe qilima të endur, si dhe fruta dhe perime dhe gjeni kohë për të bredhur nëpër rrugën ”Murat Toptani” drejt kalasë së vjetër. Pjesa më e madhe e saj u rrafshua nga komunistët, por rrënojat janë mbushur me dyqane dhe është një vend i këndshëm për t’u ulur dhe për të pirë një kafe.

Një nga gjërat më të bukura të Tiranës është vëmendja e madhe që i është kushtuar rigjallërimit të saj. Ajo nuk është e thjeshtë, pa shpirt dhe plot me rrokaqiej si shumë qytete moderne; përkundrazi, arkitektë nga e gjithë bota janë porositur për të ndërtuar kulla të çuditshme që i shtojnë një dimension të ri interesant horizontit.

Shikoni kullën ”Skënderbeu” pranë sheshit kryesor si një shembull i kësaj. E ndërtuar nga studioja holandeze MVRDV, valët dhe kthesat e saj, kur shihen nga këndi i duhur, formojnë një portret të heroit kombëtar të Shqipërisë, Skënderbeut.

Reliket e Hoxhës janë gjithashtu të dukshme rreth kryeqytetit në formën e piramidës madhështore të projektuar nga vajza e tij, Pranvera, si një vend i shenjtë në kujtim të babait të saj të ndjerë.

Fatmirësisht, këto ditë është shtëpia e një qendre trajnimi për të rinj. Shkallët në pjesën e jashtme mund të ngjiten gjithashtu duke ofruar pamje të mrekullueshme në majë.

Ekzistojnë gjithashtu bunkerët, që Hoxha kishte instaluar rreth kryeqytetit në rast të një pushtimi që nuk ndodhi kurrë si edhe shtëpia e tij e vjetër, që tani është një muze./atsh/

Strugë, promovohet libri “Populli i pandalur” i Agim Vincës

Të shtunën në Strugë, para një auditoriumi të zgjedhur, me miqë e dashamirë të librit, të ardhura nga Tirana, Prishtina, Shkupi e Tetova, u bë promovimi i librit “Populli i pandalur” të autorit Prof.dr. Agim Vinca. Ky libër vjen i ribotuar nga Shtëpia botuese AGORAPRINT e Shkupit, pas 33 viteve.

“Ky libër ribotohet pa ndryshime. Janë ndrequr vetëm gabimet e shtypit dhe asgjë tjetër. Ribotimi i këtij libri mund të shërbejë si një rifreskim i kujtesës për rrugën nëpër të cilën kanë kaluar veçanërisht shqiptarët në Maqedoni, për çka kemi shumë nevojë si shoqëri”, nënvizoi prof. Agim Vinca i cili me këtë rast tërhoqi vëmendje e audtoriumit me disa momente që përbënin segmentet më thelbësore të strukturës së librit.

“Ky libër dëshiron të jetë dëshmi e një kohe të pakohë; zë i ndërgjegjes intelektuale dhe i protestës individuale kundër dhunës, gënjeshtrës dhe errësirës”, nënvizoi Vinca.

Ai vuri në dukje edhe rëndësinë e ribotimit të këtij libri për kohën e tanishme, sepse, sipas autorit janë shumë çështj politike e etnike të shqiptarëv, sidomos në Maqedoni, e që edne nuk janë mbyllur. Prandaj, sipas Vincës, ky libër mund të jetë një vizion dhe rrugëtregues për politkbërjen dhe elitën inelektuale shqiptare. Për poetin dhe studiuesin Agim Vinca, në mënyrë telegrafike foli Prof.dr. Sherif Bundo, sekretar shkencor i Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve, kurse Prof. dr. Begzat Baliu gjithashtu në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë që ka ky libër në kontekstin aktual. Me të njejtat vlerësime për librin dhe autorin, u paraqit edhe aktori dhe regjizori Mevlan Shanaj, i cili Agim Vincën e quajti poetin më (gjithë)shqiptar.

Botuesi i këtij libri, Emin Azemi në vështrimin e tij përmbledhës vuri në dukje se “Populli i pandalur” është një libër që tejkalon dimensionin e një kohe të caktuar. Ai është një testament moral, intelektual dhe kombëtar. Është një pasqyrë ku shqiptarët duhet të shohin jo vetëm plagët e së kaluarës, por edhe përgjegjësinë e tyre për të mos lejuar që ato plagë të hapen sërish.

“Në kohën e sotme, kur sfidat kanë marrë forma të tjera – nga globalizimi i pakontrolluar deri te kolonizimi kulturor dhe marginalizimi i heshtur – mesazhi i këtij libri është më i domosdoshëm se kurrë. Ai na kujton se nuk mjafton të mbijetojmë si kolektivitet biologjik, por se duhet të mbijetojmë dhe të zhvillohemi si subjekt politik, kulturor dhe historik. Në këtë kuptim, “Populli i pandalur” është më shumë sesa një libër: është një akt i ndërgjegjes kolektive, një flamur rezistence dhe një thirrje për t’u zgjuar, për të mos harruar dhe për të mos lejuar që historia të përsëritet. Është dëshmi se fjala, kur lind nga ndërgjegjja dhe nga dashuria për të vërtetën, bëhet më e fortë se çdo armë, më e qëndrueshme se çdo pushtet dhe më e pavdekshme se çdo kohë”, nënvizoi Azemi.

Brezi i ri nuk e di sa e rrezikshme ishte që t’i botoje shkrimet si ato që janë përfshirë në këtë libër, tha recensenti i këtij libri, poeti dhe studiuesi Salajdin Saliu, sipas të cilit ky libër që dikur e rrezikonte, sot e nderon profesor Agim Vincën, poetin që jeton për të bukurën dhe intelektualin që jeton për të vërtetën.

“Agim Vinca si poet është lirik, kurse si mendimtar është kritik dhe racional. Ai shkroi për shumë dukuri negative, polemizoi me guxim dhe kulturë me shumë autorë serbë e maqedonas, duke mbrojtur edhe personalitetet më të shquara të historisë dhe kulturës shqiptare nga sulmet e politikës shoviniste. Në librin Populli i pandalur shfaqet një protestë e fuqishme kundër dhunës, gënjeshtrës dhe errësirës nga një zë i ndërgjegjes intelektuale që nuk pranoi të heshtë”, theksoi Salajdi Saliu.

Atmosferën e këtij eventi kulturor e bëri më interesant edhe deklamimi i disa fragmenteve të librit, nga ana e aktorit Arsim Kaleci, kurse një surprizë-dhuratë për autorin, ishte një pikturë me portretin prof. Agim Vincës./GazetaFAKTI

Prizren Fest 2025 përmbyllet me emocione të forta atmosferë të jashtëzakonshme

Edhe një herë, qyteti i Prizrenit dëshmoi se është vatër e artit dhe kulturës. Edicioni i katërt i Prizren Fest u përmbyll me një mbrëmje të mbushur me emocione, reflektim dhe solidaritet, pavarësisht kushteve atmosferike që detyruan zhvendosjen e ceremonisë nga Teatri mbi Lum në sallën e Teatrit të Qytetit “Bekim Fehmiu”. Salla ishte e tejmbushur , një dëshmi e dashurisë së qytetarëve për artin e bukur dhe të vërtetën e fuqishme që ai përcjell.

Mbrëmja filloi me shfajen “Oranges and Stones” nga Palestina, një shfaqje pa tekst nga teatri “Ashtar” në Ramallah – Palestinë. Përmes veprimit fizik dhe muzikës origjinale, shfaqja solli një rrëfim prekës për kolonializmin, pushtimin dhe dëbimin. Historia e një burri refugjat që përpiqet të zërë shtëpinë e një gruaje në tokën e saj, u bë një metaforë vizuale e tragjedisë shumëvjeçare palestineze.

Më tej Prizren Fest vazhdoi me “The Gaza Monologues” , zëri i të rinjve nga Gaza, një projekt i lindur nga dhimbja dhe shpresa e të rinjve palestinez, monologjet nga Gaza, solli histori personale të mbijetesës, humbjes dhe forcës shpirtërore. Kjo shfaqje në Prizren Fest u bë në bashkëpunim me aktorë të njohur nga Kosova dhe Shqipëria, rrëfime që me fuqinë e tyre emocionale nga kthen në kohë, në përjetime jo të largëta të popullit tonë.

Prizren Fest 2025 dëshmoi edhe një herë se arti ka fuqinë për të ndriçuar edhe momentet më të errëta. Nga dramë pa fjalë deri te rrëfime të dhimbshme e të vërteta./KultPlus.com

HAPU 2025: Festivali që e shndërron hapësirën publike në skenë arti, për herë të parë edhe në Gjakovë

Edicioni i 11-të i festivalit HAPU, një ndër ngjarjet më kreative të verës në Kosovë, do të mbahet nga 1 deri më 5 gusht në dy qytete: Gjakovë dhe Prishtinë. Për herë të parë, ky festival ndërkombëtar i artit në hapësirë publike do të shtrihet edhe në Gjakovë, në bashkëpunim me Fondacionin “Për Gjakovën”.

Ky edicion sjell performanca të guximshme nga artistë ndërkombëtarë nga Franca, Gjermania, Portugalia dhe Argjentina, të cilët do ta kthejnë qytetin në një skenë të hapur plot energji, muzikë, transformim dhe ndërveprim me publikun.

Festivali do të hapet më 1 gusht në Parkun Kulturor “Ali Podrimja” në Gjakovë me performancën “L’Instant T!” nga artisti Juan Ignacio Tula (Francë/Argjentinë), një shfaqje që kombinon elementë të cirkut bashkëkohor me rrotullime hipnotizuese të frymëzuara nga dervishët.

Më pas, publiku do të ftohet të bëhet pjesë aktive e veprës “Origami së bashku” të artistit gjerman Frank Bölter, ku do të ndërtohen figura gjigande prej letre me ndihmën e qytetarëve – për t’u ricikluar më vonë në forma të reja kreative.

Spektakli vazhdon me artistët francez të kolektivit Tac o Tac, të cilët do të sfidojnë gravitetin me performancën “Take Off”, në një paradë mbi kingala dhe makina futuriste, që shndërrojnë rrugët në një udhëtim qiellor.

Prishtina do të marrë stafetën nga 2 gushti, duke kulmuar më 5 gusht me mbylljen madhështore të festivalit nga grupi portugez Mimo’s Dixie Band, që me ritmet e Dixieland-it do të sjellin atmosferën e rrugëve të Nju Orlinsit në zemër të kryeqytetit.

Drejtori artistik Florent Mehmeti thotë se HAPU 2025 nuk është vetëm një festival, por një thirrje për të rigjetur qytetin ndryshe: “Luani, përjetoni transformimin, bëhuni pjesë e këtij rizbulimi dhe dëshmitarë të mahnitjes.”/KultPlus.com

29 Korrik 1958: Themelimi i NASA-s nis epokën e hapësirës

67 vjet më parë, më 29 korrik 1958, Kongresi Amerikan miratoi ligjin që çoi në krijimin e NASA-s, Agjencisë Kombëtare të Aeronautikës dhe Hapësirës. Ky ishte një hap i rëndësishëm në një periudhë kur Lufta e Ftohtë dhe gara për dominim në hapësirë po merrte intensitet. Ky akt ligjor erdhi si përgjigje ndaj suksesit të Bashkimit Sovjetik në vitin 1957, kur ata lëshuan satelitin Sputnik, duke hapur një fazë të re në eksplorimin e hapësirës.

Krijimi i NASA-s nuk ishte vetëm një reagim ndaj rivalitetit ndërkombëtar, por një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të një shkence dhe teknologjie që do të revolucionarizonte mënyrën si njerëzit e shihnin botën dhe hapësirën përreth. Gjatë dekadave që pasuan, NASA udhëhoqi disa nga arritjet më të mëdha të njerëzimit, përfshirë uljen e njeriut në Hënë në vitin 1969, misionet hulumtuese në Mars, zhvillimin e teleskopëve që na ofrojnë pamje mahnitëse nga universi, dhe sondat që kaluan përtej sistemit tonë diellor, shkruan KultPlus.

Sot, NASA mbetet një simbol i përpjekjeve njerëzore për të kaluar kufijtë e njohjes dhe për të eksploruar mundësitë e pafundme të hapësirës. Çdo mision, çdo teleskop, çdo hap i ri është një dëshmi e ëndrrës dhe guximit njerëzor për të kapërcyer gjithçka që është e njohur dhe për të prekur atë që duket e pamundur.

Në këtë përvjetor, është e qartë se ndikimi i NASA-s është shumë më i thellë se vetëm një agjenci shkencore; ajo është një katalizator i imagjinatës kolektive të njerëzimit dhe një dritare e mundësive të pafundme që na presin përpara./KultPlus.com

Çfarë shkruante Bajroni për shqiptarët?

Në një letër të vitit 1809, të dërguar nga Preveza për nënën e tij, Lord Bajroni ka lënë një pasqyrë të veçantë dhe të thellë për shqiptarët, duke i përshkruar ata me fjalë që shpesh ngjallin emocione dhe reflektime mbi natyrën e tyre të lashtë dhe traditat e forta.

Bajroni shkruan për shqiptarët si “të lindur të ndershëm dhe besnikë”, megjithatë të ashpër, dhe i lavdëron ata si ndoshta “racën më të bukur në botë për nga paraqitja”. Ai nuk harron të përmend dhimbjen që e shoqëronte jetën e grave shqiptare, të cilat, sipas tij, përdoren si skllave dhe vuajnë nga trajtimi i keq i burrave, të cilët janë të gjithë luftëtarë, të fokusuar në luftë dhe gjah,shkruan KultPlus.

Këto fjalë të Bajronit janë një pasqyrë e thellë e përceptimit të tij për shqiptarët, por gjithashtu janë një ndërthurje e admirimit për bukurinë dhe ashpërsinë e jetës shqiptare, dhe e kritikës ndaj padrejtësisë që gratë përballojnë në këtë shoqëri:

“… Të gjithë shqiptarët janë të lindur të ndershëm dhe besnik, janë të ashpër… por janë ndoshta raca më e bukur në botë për nga paraqitja. Gratë e tyre janë përherë një gjë fisnike, por burrat i përdorin si skllave, i godasin, pra me pak fjalë janë si nën zgjedh’. Ato punojnë tokën, mbjellin dhe korrin. Merren me prerjen e drurëve në pyll e deri në rregullimin e rrugëve publike. Burrat janë të gjithë luftëtarë. Lufta dhe gjahu janë të vetmet zeje me të cilat ata merren”.

Dyqind vjet më parë, hipur mbi një anije me vela që voziste lumit Rhin, ylli i madh i poezisë botërore, lordi “me gjak blu”, Bajroni, u kthehet e iu thotë shokëve. “Tani më dëgjoni se do t’ju këndoj nja dy këngë arbërore.”
Dhe pastaj ia dha një sokëllime me një o-ooo të gjatë rrëqethëse sa i shastisi të gjithë e i la pa mend. Fjalët e kënduara shqip prej poetit të madh nuk i kuptonin. Por drithërima e melodisë së saj ta çante zemrën më dysh.

Në të njëjtën kohë, Bajroni është një nga poetët e parë perëndimorë që është mahnitur dhe frymëzuar nga kulturat e tjera, përfshirë shqiptaren. Ai ka pasur një dashuri të veçantë për këngët dhe traditat e popujve të Ballkanit. Madje, një episod shumë i njohur është ai që e ka shoqëruar me këndimin e këngëve arbërore në anijen e tij, duke kënduar një o-ooo që ngjalli drithërimë në zemrat e të gjithë atyre që e dëgjuan. Kjo melodiozitet i tij u bë një frymëzim dhe një kujtim i fortë për shqiptarët, të cilët asokohe nuk kishin asnjë mundësi të kuptonin fjalët, por i ndienin thellë emocionet e melodisë.

Lord Bajroni, një personalitet i njohur i letërsisë botërore, është një nga ata figura që, me shkëlqësinë e poezisë së tij dhe ndjeshmërinë për kulturore të popujve të tjerë, mbetet një ndër figurat që ka pasuruar pasur një lidhje të pazgjidhshme me Shqipërinë dhe shqiptarët./KultPlus.com

“Toxicity” – Tema që sfidon normalitetin në Green Fest XV

Çka është toksiciteti dhe ku fillon ai? A është vetëm në lumenjtë e ndotur dhe në tokën e helmuar, apo jeton edhe në sistemet që lejuan të bëhet kështu? A e mbajti gjallë fryma jonë, apo ishim thjesht indiferentë që nuk deshëm me pa?

Në edicionin e 15-të, Green Fest e vendos në qendër të reflektimit një temë që është njëkohësisht biologjike, sociale dhe shpirtërore: “Toxicity”. Toksiciteti nuk është veç një term shkencor për përbërjet e rrezikshme; është edhe një realitet i përditshëm – i mishëruar në vendimet që tolerojmë, në strukturat që nuk i sfidojmë dhe në heshtjen që shpesh zgjedhim.

Siç e përshkruan akademiku Rob Nixon, toksiciteti është “dhunë e ngadalshme” – një proces i ngadaltë, shpesh i padukshëm dhe i paemërtuar, që lë pasoja të përhershme te më të pambrojturit. Nga ajri që thithim e uji që pimë, te marrëdhëniet sociale dhe drejtësia mjedisore – gjithçka ndikohet nga ky helm i heshtur.

Green Fest këtë vit nuk e sjell temën për të tronditur, por për të shfaqur të padukshmen, për të pyetur, për të kërkuar kuptim:

A është Toka toksike, apo jemi ne toksikë për Tokën?
 Çka do të thotë me u detoksifiku si individë, si komunitet dhe si shoqëri?

A mund të shërojë arti atë që e ka dëmtuar shoqëria?

Përmes një programi artistik, kulturor e rekreativ, festivali synon të krijojë hapësira për reflektim, ndjeshmëri dhe shërim kolektiv – aty ku ndotja nuk është vetëm mjedisore, por edhe morale./KultPlus.com

Pazari i Vjetër i Korçës përdoret për të ruajtur traditat e arbëreshëve

Fundjava solli në Pazarin e Vjetër të Korçës një udhëtim muzikor nga zemra e Arbërisë, aktivitetin ArbNight – Ethno Pulse.

Ky aktivitet u organizuar nga Qendra e Artit, Kulturës dhe Inovacionit, në bashkëpunim me COD-in (Qendra për Hapje dhe Dialog) si dhe me mbështetjen e Bashkisë Korçë.

Mes tingujve të historisë dhe atmosferës magjike të rrugicave korçare, publiku u magjeps nga interpretimet e veçanta të fizarmonicistit arbëresh Pierpaolo Petta nga Piana degli Albanesi (Sicili), i shoqëruar nga këngëtari Bledi Polena dhe kitaristi Nuçiel Doko, shkruan atsh.

Koncerti pati pjesë të rralla të folklorit arbëresh të Sicilisë, si dhe këngë të dashura të muzikës arbëreshe, duke e bërë këtë mbrëmje të paharrueshme për qytetarët dhe turistët që qëndruan për ta shijuar deri në fund. ArbNight solli në çdo hap, një kujtim ku çdo tingull fliste arbërisht.

Studentët e UP-së, shënojnë sukses të jashtëzakonshëm në garën “Nuremberg Moot Court 2025”

Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës kanë arritur një sukses të jashtëzakonshëm, duke u renditur në vendin e 6-të në garën prestigjioze ndërkombëtare “Nuremberg Moot Court 2025”. Kjo është një arritje mbresëlënëse për ta, e cila tregon nivelin e lartë të përgatitjes dhe angazhimit të studentëve të juridikut të UP-së në fushën e së drejtës penale ndërkombëtare.

Rundet finale të garës u zhvilluan në ambientet historike të Gjykatës së Nurembergut, në Sallën Nr.600, aty ku u gjykuan përgjegjësit nazistë për krimet e Luftës së Dytë Botërore, nga data 23-26 Korrik 2025, në Nuremberg, Gjermani. Nga 140 ekipe që morën pjesë në fazën e shkrimit të memorandumeve, vetëm 40 ekipe u kualifikuan për rundet finale me gojë, dhe ekipi i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës ishte një ndër to.

Ky sukses i studentëve të Universitetit të Prishtinës është një dëshmi e qartë e përgatitjes akademike dhe profesionale në fushën e drejtësisë ndërkombëtare, duke simuluar praktikën e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) përballë një jurie të përbërë nga juristë të njohur botërorë, përfshirë profesorë, prokurorë dhe gjyqtarë.

Ekipi i përfaqësuesve të Fakultetit Juridik të UP-së ishte përbërë nga studentët: Morea Pula, Liza Rexhepi, Enxhi Avdyli, Rea Hadri dhe Greta Spahiu.

Ky rezultat tregon se studentët e Universitetit të Prishtinës janë jo vetëm të përgatitur për sfida akademike, por gjithashtu për të kontribuar në fushën e së drejtës ndërkombëtare me një nivel të lartë profesional./KultPlus.com

Ja si dukej biblioteka mahnitëse e Umberto Ecos

Umberto Eco përveç veprave të tij autoriale, la pas vetes edhe një koleksion të madh librash.

Shkroi letërsi, kritikë letrare, tekste akademike mbi semiotikën, por edhe studime për gjithçka, nga estetika mesjetare deri te media moderne.

Shkroi shumë. Por edhe lexoi shumë. Hapeni cilindo kapitull vepreje të tij. Fanepseni nga dija, informacioni dhe formimi i gjithanshëm.

Umberto Eco dëshmoi një mendje të thellë, por një Mendja e tillë kërkon një bibliotekë ose biblioteka të pasura.

Mund të imagjinojmë sa kala të tilla dijeje ka vizituar Eco në udhëtimet e tij nëpër botë. Ndërsa atë që ai e ndërtoi vetë, mund ta shohim në videon e mësipërme.

Edhe pse jo e pafundme si biblioteka e të gjithë librave të mundshëm të imagjinuar nga Borges, biblioteka private e shtëpisë së Ecos duket, nga këndvështrime të caktuara, pothuajse po aq e madhe.
Kamera e ndjek Umberto Econ teksa kalon raft pas rafti

Ata që reagojnë me “Uau! Z. Eco, çfarë bibliotekë keni! Sa prej këtyre librave keni lexuar?” dhe të tjerët – një pakicë shumë e vogël – të cilët kuptojnë se një bibliotekë private është një mjet kërkimi.
Librat e lexuar janë shumë më pak të vlefshëm se ato të palexuara.

Në faqet e librit të tij, “Pse librat zgjasin jetën” ai thotë diçka proverbiale.
“Kush nuk lexon, në moshën 70-vjeçare do të ketë jetuar vetëm një jetë: të vetën. Lexuesi do të ketë jetuar 5000 vjet: që kur Kaini vrau Abelin, kur Renzo u martua me Lucian, kur Leopardi admironte pafundësinë… sepse leximi është një pavdekësi”

Në testamentin e tij, vetë shkrimtari ka lënë porosi që një pjesë e librave të bibliotekës së tij t’i dërgohen Arkivit të Universitetit të Bolonjës. Librat e literaturës klasike ia ka lënë Bibliotekës Kombëtare të Brera-s në Milano.

Princ William dhe Kate Middleton në kërkim të shtëpisë së re, opsioni për zhvendosje në Windsor

Pas tre vitesh në Adelaide Cottage në Windsor, Princi William dhe Princesha Kate Middleton, po mendojnë të transferohen në një rezidencë të re mbretërore.

Fort Belvedere përmendet si një nga opsionet e mundshme për një shtëpi të re një rezidencë historike gotike nga shekulli i 18-të, e vendosur në një pjesë të izoluar të Parkut Windsor.
Kjo rezidencë është gjithashtu e famshme për faktin se dikur i përkiste Mbretit Edward VIII.

Fort Belvedere ka shumë ambiente të tilla si një pishinë e jashtme, fushë tenisi, serë, dy pellgje dhe tre shtëpi për stafin.

Sipas burimeve pranë çiftit, William dhe Kate mendojnë se Adelaide Cottage është bërë shumë e vogël për nevojat e tyre dhe se Fort Belvedere mund t’u ofrojë atyre privatësinë, hapësirën dhe rehatinë që u nevojitet për të rritur fëmijët e tyre.

Nga rruga, raportet e mëparshme të medias përmendën mundësinë e zhvendosjes në Lozhën Mbretërore, por kjo nuk u realizua sepse Princi Andrew nuk dëshiron të largohet nga ajo rezidencë. U fol edhe për zhvendosjen në një nga krahët e Kështjellës Windsor, por vendimi përfundimtar nuk është marrë ende.

Shtëpia aktuale e çiftit mbretëror ndodhet në Windsor, në pronën Adelaide Cottage, ku ata jetojnë me tre fëmijët e tyre –Princin George, Princeshën Charlotte dhe Princin Louis./KultPlus.com

Molieri, mjeshtri i komedisë, që sfidoi hipokrizinë me të qeshura

Molieri, emri artistik i Jean-Baptiste Poquelin, është një nga figurat më të ndritura të teatrit francez dhe letërsisë botërore.

I lindur në Paris më 15 janar 1622, ai erdhi në jetë në një familje borgjeze, ku i ati ushtronte zanatin e tapicierit dhe kishte lidhje me pallatin mbretëror. Megjithatë, Molieri zgjodhi një rrugë krejt tjetër nga ajo që familja kishte parashikuar për të: rrugën e teatrit, një zgjedhje e guximshme për kohën. Pas studimeve të filozofisë dhe drejtësisë, ai themeloi trupën teatrore L’Illustre Théâtre, e cila do të përballej fillimisht me vështirësi ekonomike. Pavarësisht këtyre pengesave, pas një dekade turnesh në provincat franceze, ai u kthye në Paris dhe fitoi vëmendjen e oborrit mbretëror. Mbretit Luigji XIV i pëlqeu stili i tij i gjallë, dhe Molieri gëzoi mbështetjen e tij në shumë nga veprat e mëvonshme, edhe kur ato krijonin polemika. Ai është i njohur për një sërë komedish të mprehta që godasin hipokrizinë, mashtrimet, shtirjet fetare dhe veset e klasës borgjeze.

Molieri nuk i druhej asnjë teme, dhe shpesh vuri në lojë shtresat më të fuqishme të shoqërisë së kohës. Në veprën “Tartuffe”, për shembull, ai denoncoi rrezikun e fanatizmit fetar, duke shkaktuar zemërim në radhët e kishës, e cila arriti të ndalonte shfaqjen për disa vite. Por Molieri nuk u tërhoq. Komedian në skenë dhe autor i paharrueshëm në letërsi, ai luajti shpesh vetë në rolet kryesore të veprave të tij. Disa nga dramat më të njohura të tij janë: “Le Misanthrope” (Mizantropi), ku ironizon sinqeritetin e sëmurë dhe pamundësinë për të jetuar në një botë hipokrite; “L’Avare” (Kopraci), ku personazhi Harpagoni është bërë simbol i lakmisë ekstreme; “Le Malade Imaginaire” (I sëmuri i imagjinuar), që përqesh mjekësinë dhe frikën nga sëmundja; dhe “Les Femmes Savantes” (Gratë e ditura), ku kritikon feminizmin artificial të disa zonjave borgjeze. Gjuha që përdor Molieri është elegante, e pasur me rimë, sarkazëm dhe ritëm dramatik. Ai solli një frymë të re në teatër duke përzier komedinë tradicionale italiane me realitetin e jetës franceze, duke krijuar personazhe të gjalla dhe situata që nuk humbin asgjë nga aktualiteti edhe sot. Ai ishte një shkrimtar që nuk u përkul përpara moralit zyrtar, dhe për këtë u dashurua nga publiku, por edhe u sulmua nga kundërshtarët.

Ironikisht, Molieri vdiq në skenë, duke luajtur pikërisht rolin e të sëmurit imagjinar, më 17 shkurt 1673. Thuhet se akti i fundit i jetës së tij ndodhi gjatë shfaqjes së katërt të kësaj komedie, kur, i sëmurë dhe i rraskapitur, pësoi një krizë që do t’i merrte jetën pak orë më pas. Për ironi, si aktor, Molieri nuk u lejua të varrosej në mënyrë të rregullt nga Kisha Katolike, sepse profesioni i tij nuk konsiderohej “i denjë”. Vetëm ndërhyrja e mbretit bëri të mundur që ai të prehej në një varr modest, por gjithsesi me nderime. Sot, ai është simboli i gjallë i teatrit francez dhe një nga emrat që mishëron guximin e të vërtetës përmes artit. Akademia Franceze e ka konsideruar Molieri, si “shkrimtari që i dha gjuhës franceze vetëdijen e saj teatrale”. Trashëgimia e tij jeton në çdo skenë ku qeshet me absurditetin njerëzor. Ai mbetet një nga ata autorë që nuk ka nevojë për përkthim për të kuptuar qëllimin: të nxisë të menduarit përmes të qeshurës.

Veset e Molierit dhe komedia që shndërroi në zhanër elitar
Pak e njohur është se Molieri ishte një njeri jashtëzakonisht i përpiktë në punën e tij dhe kërkonte disiplinë të madhe nga aktorët e trupës. Ai jo vetëm që shkruante dhe interpretonte, por edhe drejtonte shfaqjet, përgatiste kostumet dhe merrej me aspektet financiare të trupës. Ai kishte një marrëdhënie shumë të veçantë me mbretin Luigj XIV, i cili e kishte përzemër dhe shpesh e mbronte nga kritikat e kishës apo të moralistëve të kohës. Molieri madje konsiderohet si “dramaturgu i oborrit”, pasi shfaqjet e tij ishin shpesh pjesë e festivaleve mbretërore. Një fakt pak i ditur është se ai ishte gjithashtu një bashkëpunëtor i muzikantit Jean-Baptiste Lully, me të cilin krijoi një seri komedish me muzikë, që do të ishin pararendëset e operetave franceze. Veprat e tyre ishin të njohura si “comédie-ballet”, një risi për kohën.

Martesa e Molierit që shkaktoi zhurmë dhe largimi nga oborri i mbretit
Molieri, emri i vërtetë i të cilit ishte Jean-Baptiste Poquelin, kishte një jetë private që shpesh përplasej me konvencionet shoqërore të kohës. I lindur në një familje borgjeze të Parisit, ai u edukua në shkolla të njohura dhe pritej të ndiqte gjurmët e të atit, i cili punonte në pallatin mbretëror. Por Molieri e braktisi këtë rrugë për të ndjekur teatrin një zgjedhje e konsideruar e turpshme për kohën. Zgjedhja e jetës si aktor e largoi nga familja për shumë vite. Vetë arti i teatrit shihej me dyshim nga shoqëria dhe kisha, dhe kjo ndikoi edhe në imazhin e tij personal. Molieri kaloi një pjesë të mirë të jetës në turne me trupën e tij, gjë që e bëri të jetonte një jetë më tepër nomade, larg stabilitetit dhe familjes së gjerë. Jeta e tij dashurore ishte po aq e diskutuar sa edhe veprat që shkruante. Në vitin 1662, Molieri u martua me Armande Béjart, një aktore shumë më e re në moshë, gjë që shkaktoi shumë thashetheme në Paris.

Një pjesë e publikut madje aludoi se ajo mund të ketë qenë bija e dashnores së tij së mëparshme, Madeleine Béjart, e cila gjithashtu ishte aktore dhe bashkëthemeluese e trupës së tij teatrore. Martesa me Armande nuk ishte e lehtë. Thuhet se ajo ishte kokëfortë, e pavarur dhe vazhdoi të luante në skenë edhe pas martesës, diçka që shoqëria franceze nuk e pranonte lehtësisht për një grua të martuar. Për më tepër, pati dyshime për pabesinë e saj, gjë që la gjurmë edhe në shfaqjet e Molierit, ku shpesh shfaqen martesa problematike dhe figura femrash manipuluese. Molieri kishte tre fëmijë me Armande, por vetëm njëri prej tyre arriti të mbijetojë. Ai ishte shumë i lidhur me familjen e vet të ngushtë, por nuk pati kurrë një jetë të qetë familjare./panorama/

Ozzy Osbourne dhe Black Sabbath arrijnë klasifikime të larta pas vdekjes së “Princit të Errësirës”

Katalogu muzikor i Ozzy Osbourne dhe Black Sabbath ka regjistruar një ngjitje të papritur në klasifikimet muzikore të Britanisë, pas vdekjes së yllit të muzikës “Heavy Metal” më 76-vjeç. Ky rikthim ka sjellë një vëmendje të re për trashëgiminë e tij dhe grupin legjendar, duke rikthyer disa nga këngët dhe albumet më të njohura të tyre në top listat muzikore.

Një nga momentet më të rëndësishme është “Paranoid”, kënga ikonike e Black Sabbath, që ka arritur të rikthehet në Top 40 për herë të parë pas 45 vjetësh. Kënga, e cila u rendit në vendin e katërt në vitin 1970, është bërë një simbol i rrymës “Heavy Metal”, dhe tani, pas kaq shumë viteve, po vazhdon të prekej nga breza të rinj fansash.

Po ashtu, “The Ultimate Collection” i Black Sabbath ka arritur të ngjitet në klasifikimin e albumeve, duke u pozicionuar në vendin e 22-të, pas një rritje prej 129 pozitaresh. Ky është vetëm një nga gjashtë albumet dhe compilations që janë rikthyer këtë javë në Top 200, përfshirë albumin klasik të grupit “Paranoid” në vendin e 52-të dhe albumet e Osbourne si “Memoirs Of A Madman” (2014) në vendin e 60-të dhe “Prince of Darkness” në vendin e 71-të.

Ozzy Osbourne, i njohur si “Prinçi i Errësirës”, ka lënë një ndikim të madh në muzikën rock dhe metal, duke u bërë një emër i njohur globalisht për stilin e tij të veçantë dhe performancat energjike. Ai vdiq pas një periudhe të gjatë vuajtjesh shëndetësore, duke përfshirë sëmundjen e Parkinsonit dhe komplikime të tjera pas një kolapsi në vitin 2019.

Në një periudhë kur muzika e tij po arrin një valë të re popullariteti, vlen të përmendet se Ozzy Osbourne dha koncertin e tij të fundit me Black Sabbath më 5 korrik, pas një periudhe 20-vjeçare pa performuar së bashku me grupin. Në këtë koncert të jashtëzakonshëm, që u zhvillua përpara 40,000 njerëzve në stadium dhe miliona të tjerëve në transmetim të drejtpërdrejtë, Osbourne dhe Black Sabbath interpretuan hite të paharrueshme të karrierës së tyre, duke lënë një kujtim të pashlyer në zemrat e fansave.

Po ashtu, Ozzy Osbourne ishte i martuar me Sharon Osbourne, që njëkohësisht ishte menaxherja e tij, dhe së bashku kanë ndarë një karrierë të suksesshme, që ka përfshirë edhe periudha të vështira dhe triumfe të mëdha.
Rikthimi i këngëve dhe albumeve të Osbourne dhe Black Sabbath në klasifikimet muzikore është një dëshmi e ndikimit të jashtëzakonshëm që ai ka pasur në muzikën moderne, duke mbetur një figurë kult e muzikës “Heavy Metal” edhe pas largimit të tij fizik./KultPlus.com

Sheshi i Suvenireve mblodhi dashamirësit e librit në panairin e 24-të të Librit “Ulqini 2025”

Sheshi i Suvenireve u kthye mbrëmjen e së dielës në një hapësirë kulturore me hapjen zyrtare të edicionit të 24-t të Panairit të Librit “Ulqini 2025”.

Kjo ngjarje letrare, që tashmë është bërë tradicionale në qytetin bregdetar, mblodhi shumë vizitorë, dashamirës të librit dhe personalitete të botës politike e kulturore, shkruan rtsh.
Edicionin e 24-t e përshëndeti Ministri për Pakicat, Fatmir Gjeka, i cili e vlerësoi rëndësinë e këtij aktiviteti për pasurimin kulturor të komunitetit.

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genc Nimanbegu dhe organizatorja Irena Toçi u shprehën mbi ndikimin që ka ky panair në trevën shqiptare të Malit të Zi.

“Është një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në qytetin tonë, e cila tashmë është shndërruar në një traditë të dashur, në një piketim të çmuar për të gjithë ata që besojnë në fuqinë e fjalës së shkruar,” deklaroi z. Nimanbegu.

“Në çdo panair kam falënderuar pikësëpari themeluesit e tij, z. [Gëzim] Hajdinaga dhe z. [Fatmir] Toçi. Pa ëndrrën e tyre dhe pa atë fillim aventuresk të para 24 viteve, ndoshta nuk do ta kishim sot këtë event,” tha znj. Toçi.

Panairi do të qëndrojë i hapur deri më 31 korrik nga ora 18:00 deri në 24:00./rtsh/

Gonxhja: Ekspozitë unike me ikonat shqiptare në Francë

Mbi 45 vepra ikonografike të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar do të udhëtojnë nga Korça drejt qytetit historik Chambery në Francë.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja deklaroi sot se “ekspozita unike do të zhvillohet në Muzeun e Arteve të Bukura në Chambéry, ku ikonat e përzgjedhura nga koleksioni i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë do të prezantohen për publikun francez dhe ndërkombëtar”.

Gonxhja thekson se ky projekt është pjesë e bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Francës dhe do të përfshihet gjithashtu në Komitetin Shkencor Francez, duke thelluar shkëmbimin mes institucioneve muzeale të të dy vendeve.

Ai shton se ekspozita mund të konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të artit shqiptar, që afirmon Korçën si një qendër kyçe të artit mesjetar në Europën Juglindore.

Me një fond prej mbi 8200 objektesh muzeale, prej të cilave 6400 janë ikona, MKAM është muzeu me koleksionin më të madh të ikonave në botë, një thesar i rrallë i trashëgimisë kulturore shqiptare dhe ndërkombëtare.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun nga maji deri në tetor të vitit 2026. Pas Chambery ekspozita do të zhvendoset në një tjetër qytet francez deri në mars 2027./atsh/

Besimi i një klasikeje: Kjo është historia e “Bésame Mucho” dhe Consuelo Velázquez

Një nga këngët më ikonike të shekullit të 20-të, “Bésame Mucho”, nuk u shkrua nga një artist i njohur, por nga një vajzë 16-vjeçare, e rritur në një shkollë katolike të rreptë, ku edhe fjala “puthje” konsiderohej mëkat. Ajo quhej Consuelo Velázquez, por atëherë ishte thjesht një vajzë e ëndërruar me emrin Consuelita, një vajzë e ndrojtur nga Meksika me gishta të përshtatshëm për tastierën e pianos.

Lindur në vitin 1916 në një familje të dikurshme fisnike, por të varfëruar, Consuelo u rrit nën peshën e vështirësive, nga një nënë e ve me pesë fëmijë dhe pa pasuri. Që nga mosha 4 vjeçare, ajo nisi të studiojë muzikë, pa pushime dhe pa fundjavë. Babai i saj vdiq herët dhe nëna e saj, e dëshpëruar për të siguruar një të ardhme për të, e dërgoi në një shkollë manastiri. Disiplina e ashpër atje e mundoi shumë agjërime, lutje, ndëshkime deri sa nëna e saj e mori sërish në shtëpi.

Por fati kishte tjetër plan. Një pianist që ndoqi një recital në shkollë, vuri re mënyrën se si gishtat e vogla të Consuelës luanin në piano dhe i ofroi mësime falas. Kështu ajo u pranua në Konservatorin Kombëtar të Meksikës dhe nisi udhëtimin e saj të mundimshëm për t’u bërë një muzikante klasike.
Në moshën 16 vjeçare, pa patur asnjëherë një puthje, ajo kompozoi “Bésame Mucho”.

“Qëllimi ishte një ëndërr,” do të thoshte ajo më vonë. “Një vizion se si mund të ndjehet dashuria.”
Për të shmangur pasojat, Consuelo e dërgoi këngën në një stacion radioje nën një pseudonim, duke u frikësuar se njerëzit do ta mendonin se ajo dinte shumë për një “vajzë të virgjër të edukuar.” Por kënga shpërtheu. U dëgjua në gjithë vendin. Miliona zemra rrahën një ritëm të ri.

Nëna e saj u trishtua. Fama nuk ishte në plan – manastiri ishte.

Por bota kishte ide të tjera.

Hollywood-i e thirri. Kontrata. Reflektore. Edhe Walt Disney e pëlqeu. Ajo mund të ishte një yll i kinemasë. Por Consuelo u kthye sërish në Meksikë pas një muaji. Ajo nuk donte famë, donte muzikë. Muzikë të vërtetë.

Ajo u bë një pianiste klasike e respektuar, kompozoi pothuajse 200 vepra, drejtoi Bashkimin e Kompozitorëve të Meksikës dhe shërbeu në Parlament. Por krijimi i saj më i famshëm mbeti gjithmonë ajo përshëndetje e butë nga një vajzë që nuk ishte puthur kurrë.

Consuelo u martua vetëm një herë, pa dashuri, siç dëshironte nëna me Mariano Rivera Conde, redaktorin e radios që e shpërndau për herë të parë “Bésame Mucho”. Ata patën dy djem, por Consuelo nuk u martua më. Jetoi në qetësi dhe vdiq si një thesar kombëtar.

Dhe kënga e saj?
U përkthye në 120 gjuhë.

U interpretua nga The Beatles, Sinatra, Presley, Plácido Domingo dhe shumë të tjerë.

Mbi 100 milion kopje të shitura.

Të gjitha nga shpirti i një vajze të qetë që besoi se dashuria edhe nëse kurrë nuk ishte prekur ishte muzikë. E butë. E lehtë. E përjetshme./KultPlus.com

135 vite nga vdekja e Vincent van Gogh – piktori i shpirtit të trazuar

Më 29 korrik të vitit 1890, bota humbi një nga artistët më të jashtëzakonshëm të historisë, Vincent van Gogh, i cili vdiq në moshën 37-vjeçare në Francë. Edhe pse gjatë jetës së tij ishte shpesh i panjohur dhe i keqkuptuar, trashëgimia e tij ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e artit modern.

Van Gogh është autori i më shumë se 2,000 punimeve, përfshirë disa prej veprave më të njohura dhe ikonike në historinë e pikturës, si Starry Night, Sunflowers dhe The Bedroom. Nëpërmjet ngjyrave të ndritshme dhe brushave të tij, ai arriti të përçonte emocionet më të thella të shpirtit njerëzor, duke e bërë çdo pikturë një pasqyrë të brendshme të vuajtjes dhe pasionit të tij, shkruan KultPlus.

Jeta e Van Gogh-ut, e mbushur me vështirësi mendore, varfëri dhe vetmi, ka qenë një udhëtim i gjatë për të arritur njohjen që meritonte. Ai shpesh përjetonte një ndjenjë të fortë alienimi dhe ka kaluar shumë kohë në spitalet psikiatrike, ku ka krijuar disa nga veprat e tij më të njohura. Sot, këto vepra nuk janë thjesht një pasuri e artit, por janë bërë simbol i forcës së krijimtarisë dhe mundësisë së shprehjes artistike, edhe në kushte të ekstremeve.

Në përvjetorin e vdekjes së tij, Van Gogh mbetet një simbol i gjeniut të pakuptuar gjatë kohës së tij, dhe frymëzimi i një pasurie të pafundme për brezat e ardhshëm të artistëve dhe adhuruesve të artit. Pikturat e tij vazhdojnë të shprehin ndjeshmërinë dhe dhimbjen që ai përjetoi gjatë jetës, duke i dhënë ngjyrë dhe jetë gjithçkaje që ai prekte.

Në një botë ku shpesh është e vështirë të vlerësohen të gjitha dimensionet e një artisti, Van Gogh mbetet një përkujtues i fuqisë transformuese të artit dhe pasionit për jetën./KultPlus.com

Dua Lipa shkruan histori në Spotify: Dy albumet e saj kalojnë 14 miliardë dëgjime

Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa, ka arritur një tjetër sukses historik në karrierën e saj muzikore. Ajo është bërë artistja e parë femër në historinë e Spotify që ka dy albume debutimin e saj “Dua Lipa” dhe superalbumin “Future Nostalgia” që kanë kapërcyer kufirin prej 14 miliardë dëgjimesh në total.

Ky lajm u shpërnda edhe nga vetë këngëtarja përmes rrjeteve sociale, duke e shoqëruar me katër zemra të kuqe dhe një foto të saj ikonike, në shenjë falënderimi për fansat që e kanë mbështetur në çdo hap të rrugëtimit të saj muzikor, transmeton KultPlus.

Ky sukses e përforcon edhe më tej pozitën e Dua Lipës si një ndër artistet më të dëgjuara dhe me ndikim në industrinë globale të muzikës./KultPlus.com

Lyrika evropiane


Nga: Arshi Pipa

Poezitë e mbledhura në këtë vëllim u morën nga nji fletore jo ma e madhe se nji kuti shkrepësesh, me përmasa 45mm, 33mm dhe 20 mm. Kjo fletore me titullin “Lyrika të zgjedhuna” iu la amanet shokut të rinisë, Ruzhdi Çoba, në shtator të vjetit 1957, disa orë para se t’arratisesha në Jugosllavi. Ruzhdiu – dhe familja e tij mbasi aj u burgos – e ruejtën këtë fletore gjatë plot nji breznie njerëzish, tue ma dorëzue në korrik të 1992-së, kur vizitova Shkodrën, qytetin ku linda dhe u rrita. Shkronjat me laps plumbi janë ruejtë mjaft mirë.

Fletorja në fjalë përmban edhe nji parathënie, “Mbi përkthimet poetike”. Mendojsha atëherë, si mendoj edhe sot, se përkthimi i vargjeve në prozë asht punë bjerrafate, tue qenë se struktura e poezis dallohet prej asaj së prozës ashtu si nji tempull artistik dallohet prej nji banese së rëndomtë. Struktura e poezisë qëndron te theksimi i rregullshëm i disa rrokjeve në vargun poetik dhe në radhitjen e vargjevet në strofa. Ndërtohet kështu nji strukturë rythmike që ash fort e ndryshme prej strukturës diskurseve të prozës (diskurseve në vështrimin litarel të fjalës: discursus, rendje tutje e tëhu), baza e së cilës asht të folurit e zakonshëm. Rythmi asht shpirti i poezisë, pa të cilin poezia cvetnohet tue humbë natyrën e vet…
Me ndryshime minimale të përcaktueme prej natyrës së metrikës shqipe, përkthimet e ktij vëllimi respektojnë strukturën rythmike t’origjinalit.

Auktori asht rrekë me respektue edhe rimën, por jo pa lëshime. Përshembull, në strukturën e tingëllimit asht ndjekë trajta angleze e rimës së reduktuese; vargu aleksandrin frëng asht dhanë me shtatëshe të dyzueme; dhe ndonjiherë në vend të rimës asht përdorë asonanca.
Lexuesi të ketë parasysh se zgjedhja e poezive asht subjektive në masë të fortë; poezitë në fjalë janë caqe, gur kufini, n’edukimin poetik t’auktorit. Kriteri i rreshtimit të poezive asht gjeokronologjik. Aj nisë me humanizmin italian (Dante, Petrarca) dhe sosë me aventurën revolucionare të shekullit XIX të përfaqsueme nga treshi freng Baudelaire, Verlaine, Rimbaud. Përkthimet janë ba në dy gjuhët letrare shqipe: në gegënishten tradicionale të themelueme nga Bogdani dhe toskënishten e reformuese të Konicës. Tekstet origjinale janë në pesë gjuhë: italisht, anglisht, rumanisht, dhe frëngjisht (mungon teksti rusisht, alfabeti i të cilit asht cirilik). /KultPlus.com