D’Annunzio: Para Agimit

Gabriele D’Annunzio, (1863 – 1938), prozator, poet, dramaturg, gazetar, ushtarak dhe politikan italian – simbol i dekadentizmit. 

PARA AGIMIT

Nga Gabriele D’Annunzio

Do të zësh në truallin e zhveshur

narcisin detar

me melodi nate

të pafundme

për kurorat e tua të reja,

duke u zhytur në humnerë

Virgjiliet,

motrat oqeanike

që ende qajnë për Ianë

e shqyer nga luani.

Do të ecim atij trualli në heshtje;

do të ndiejmë brymën

e lehtë dhe të pastër

të bjerë nga sytë e lodhur

të natës që po shuhet,

duke u zhytur në zbehtësi

Virgjiliet,

motrat oqeanike

të kërcënuara nga shpata

e gjahtarit të pashpirt.

Mbase ndonjëherë

do të kthejë kokën vetëm unë

për të parë gjurmën tënde

të ndritshme,

dhe do të dëgjojmë të heshtur,

duke u zhytur në tutë dhe dhimbje

Virgjiliet,

motrat oqeanike

të cilave Agimi ua than fytyrën

me velin e tij të bardhë nusëror.

KOMENT:

Nga Federico Roncoroni

Poeti ëndërron të dalë jashtë me shoqen e tij të ëmbël të presë agimin. Të kredhur në një heshtje magjepsëse, të prishur vetëm nga melodia monotone e valëve, ata do të shëtisin së bashku. Gruaja do të mbledhë narcisë detarë dhe ai, vetëm ai, do të kthejë kokën të shohë gjurmët e lëna nga hapat e saj të mbushen me dritë, ndërkohë që Virgjiliet perëndojnë me regëtima të lehta që duken si lot, e edhe qielli derdh lot bryme.

Duke qenë e varfër me imazhe, «poezia duket të jetë e përbërë vetëm nga ecja në heshtje e të dyve përgjatë plazhit, të vëmendshë, poeti dhe gruaja, ndaj drithmës së mezidukshme të peizazhit detar, ndaj pikave të brymës, ndaj gjurmëve të zbehta pothuajse shenja e vetme e tyre për ata vetë, të nderë pra siç janë në dëgjimin që ai vetë i fshin pamjet dhe e kthen në muzikë heshtjen; dhe Plejadat /…/, afër zhytjes (perëndimit) në humnerën e boshllëkut, madje përralla e treguar, por… ngadalë hapin në heshtjen e truallit heshtjen e qiellit, nga ku përralla e bën folëse gjuhën muzikore, në një shëtitje përherë të ripërtërirë nga korrespondenca të ndjeshme nga toka në qiell, nga pamjet në atë dëgjim të zemrës.» (E. De Michelis). Kështu kompozimi shndërrohet në një melodi të lehtë dhe të përshpëritur që modulon, në ton sa të rrëmbyeshëm e të shpejtë, sa tash, nga ana tjetër, në një ton të ngadaltë dhe të butë, njëri prej motiveve më tipike të përmbledhjes Alcyone […] Te kjo poezi përralla e bukur e dt krijesave bredharake gjen përmbushjen e saj në vend se në metamorfozën panike, në përrallën jo më pak të bukur të Virgjilieve, ku, n një gërshetim harmonik mes realitetit dhe mitit, është përshkruar, me melankoli buzëqeshëse, kalimi i ngadaltë i yjeve të fundit në qiell, në orën nagjike kur nata ia lëshon vendin agimit…

 /Marrë nga D’Annunzio, Poesie, Garzanti, 2009

/Përkthmi: Gazeta Express

Zbulohen 1 000 fuçi mbetjesh bërthamore në Atlantikun e Veriut

Një ekip ndërkombëtar ka gjetur më shumë se 1 000 fuçi me mbetje bërthamore të hedhura në Atlantikun e Veriut dekada më parë, deklaroi një zëdhënës i CNRS, qendrës franceze të kërkimit shkencor.

Ekipi u nis nga qyteti portual i Brestit në bordin e anijes ”L’Atalante” në mesin e qershorit për të eksploruar Atlantikun perëndimor në një ekspeditë katër-javore për të gjetur mbetjet dhe për të vlerësuar ndikimin e tyre në ekosistem.

Disa vende hodhën mbetje bërthamore në këto ujëra midis viteve 1950 dhe 1990.

Thellësia e detit dhe distanca e tij nga toka dhe aktiviteti njerëzor konsideroheshin kushte ideale për asgjësimin e mbetjeve industriale dhe laboratorike, të paktën aty ku shtrati i detit dukej gjeologjikisht i qëndrueshëm.

Hedhja e mbetjeve bërthamore në det u ndalua në vitin 1993, por besohet se të paktën 200 000 kontejnerë janë hedhur në Atlantikun e Veriut në thellësi midis 3 000 dhe 5 000 metrave.

Vendndodhja dhe gjendja e saktë e kontejnerëve, ose nëse janë të shpërndarë apo të grumbulluar, janë të panjohura.

Ekipi kërkimor prej 21 personash po eksploron zonën që besohet se përmban gjysmën e mbeturinave, duke synuar ta hartëzojë atë dhe të marrë mostra të ujit, shtratit të detit dhe jetës detare.

Patrick Chardon, menaxher i projektit për projektin e Monitorimit të Anketës së Vendndodhjes së Mbeturinave Bërthamore të Oqeanit (NODSSUM), beson se radioaktiviteti në pjesën më të madhe të mbeturinave do të jetë zhdukur brenda 400 viteve./  atsh/ KultPlus.com

Qeramika e Picasso-s tejkalon pritshmëritë në ankandin në Gjenevë

Shtatë pjata dhe enë unike qeramike të pikturuara nga artisti i famshëm spanjoll Pablo Picasso, të krijuara midis viteve 1947 dhe 1964, janë shitur në Gjenevë të Zvicrës, për një total prej 290,000 euro.

Qeramika e pikturuar me dorë, e paparë më parë, që paraqet zogj, peshq dhe dhi, u dizenjua në Punëtorinë e Qeramikës Madoura në Vallauris. Ato ishin mbajtur privatisht për gati 40 vjet.

Piguet i Gjenevës i cili drejtoi shitjen, vuri në dukje në një njoftim për shtyp se çmimi i parashikuar për lotet ishte 154,000 euro duke e bërë ankandin një sukses të habitshëm.  

Shuma e shitur në ankand, “pasqyron entuziazmin e publikut për veprat e mjeshtrit në të gjitha format e tyre”, deklaroi Piguet.

 “Picasso ishte tashmë një artist me famë ndërkombëtare. Ai kishte hapur tashmë një numër të madh rrugësh për të gjithë artistët; veprat e mëdha dhe të njohura ishin krijuar dhe ai po kërkonte mjete të reja shprehjeje për artin e tij”-tha drejtuesja e pikturave dhe skulpturave në Piguet.

Në mediumin qeramik, rekordi për një vepër të Picasso-s është 980,275 paund për prototipin e vazos së artistit të vitit 1950, që u shit në Londër në vitin 2013.

Xhevat Syla, figurë kyçe e letërsisë shqipe për fëmijë

Personalitete të librit shqip dhe shkrimtarë për fëmijë ishin të pranishëm në takimin e veçantë të organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Tiranë, në nder të shkrimtarit nga Kosova, Xhevat Syla.

Shkrimtari Xhevat Syla lindi në Istog të Kosovës dhe është një figurë kyçe e letërsisë për fëmijë në Kosovë dhe Shqipëri, i njohur për përkushtimin thelbësor ndaj artit të fëmijëve.

Disa nga veprat e tij për fëmijë janë: “Syri i pranverës”, “Hyrje në vjeshtë”, “Zilja e fëmijërisë”, “Mbreti nga Qerreti”, etj. Gjithashtu ka botuar rreth gjashtë studime mbi letërsinë për fëmijë, tetë libra krijimtarie, një libër tregimesh dhe ka fituar çmime të rëndësishme si “Shkrimtar i vitit” në Tiranë dhe çmimin “Ymer Elshani” në Kosovë.

Në këtë takim letrar u theksua se sa e rëndësishme është letërsia për fëmijë në rritjen dhe edukimin e brezave të rinj.

Takim letrar kushtuar Xhevat Sules. Fotot nga Agim Dobi/ KultPlus.com

Java Kulturore e Malit të Zi po vazhdon me aktivitete, “Forever Hold Your Peace” filmi që mbërtheu audiencën 

“Forever Hold Your Peace” ishte filmi i metrazhit të gjatë të Malit të Zi që u shfaq në programin kulturor të Malit të Zi në Kosovë, të titulluar “Në rrugëtim: nga Dita e Pavarësisë deri te Dita e Shtetësisë”, javë kulturore që ka nisë më 21 qershor. 

Ky film që ka në theks mentalitetin e Ballkanit është shfaqë para një audience të ftuar nga ambasadori Bernard Cobaj, e që është mbajtë në CineStar të Prishtina Mall. 

Në mesin e të pranishmëve në këtë festë të shtetit të Malit të Zi ishte edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sikurse që ishin të pranishëm edhe ambasadorë të shumtë, përfaqësues të botës akademike, artistike, mediatike dhe afariste, si dhe të diasporës sonë dinamike.

Ndërkohë, kjo javë kulturore do të vazhdojë në qytetin e Pejës, atje do të shfaqet filmi dokumentar “I was ten”./ KultPlus.com 

Begaj në Universitetin e Kalabrisë: Qendër e rëndësishme për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe kujtesës arbëreshe

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj vizitoi Universitetin e Kalabrisë për të nderuar veprën e profesorëve dhe studiuesve të gjuhës shqipe në këtë universitet, në 50-vjetorin e krijimit të Katedrës dhe Laboratorit të Albanologjisë.

Në një takim me profesorë, studiues dhe studentë të gjuhës shqipe në Universitetin e Kalabrisë, Presidenti i Republikës vlerësoi “këtë qendër të rëndësishme akademike në zemër të një rajoni që ruan me krenari gjuhën, kulturën dhe kujtesën arbëreshe”.

“Ky universitet, që është në zemër të rajonit të Kalabrisë, ka një mision tjetër shumë të rëndësishëm: të mbrojë, të promovojë dhe të trashëgojë gjuhën arbëreshe. I falënderoj nga zemra të gjithë profesorët e katedrës së gjuhës e të kulturës shqipe. Ky është një vit përkujtimor, ku bëhen 50 vjet të kësaj katedre, dhe uroj e besoj që kjo katedër do të përjetojë gjithmonë, do të jetë përjetë, do ta mbrojë përjetë arbërishten, sepse duke mbrojtur gjuhën dhe kulturën shqipe kemi promovuar edhe figurën e atij që themeloi këtë katedër, Françesko Solanos”, tha Presidenti në fjalën e tij.

Ai vlerësoi punën e jashtëzakonshme 50-vjeçare, e ndjekur me shumë pasion nga profesor Altimari dhe shumë të tjerë që vazhdojnë ta studiojnë arbërishten, e cila kulmon në promovimin dhe botimin e shumë veprave dhe librave që do t’i shërbejnë brezit të ri.

Begaj theksoi se “kjo është ajo çfarë ne na duhet për të ndërtuar të ardhmen tonë, për të ndërtuar të ardhmen e marrëdhënieve të shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Italisë”.

Presidenti Begaj çmoi kontributin, si dhe angazhimin e vazhdueshëm të studiuesve dhe profesorëve për ruajtjen e lidhjeve shkencore dhe kulturore ndërmjet Shqipërisë e shqiptarëve dhe komuniteteve arbëreshe si një trashëgimi që meriton respekt të veçantë.

Kreu i Shtetit përgëzoi studiuesit për tekstin shkollor të sapobotuar për mësimin e gjuhës arbëreshe.

“Humanizmi i atyre profesorëve, pa asnjë lloj kërkese financiare, vetëm e vetëm për të promovuar një libër, i cili do t’i shërbejë brezave dhe brezave, si dhe trashëgimisë së kësaj vlere të jashtëzakonshme gjuhësore, është vërtetë për t’u falënderuar. Themeli i këtyre marrëdhënieve është komuniteti arbëresh që, me veprën e tij prej më shumë se 5 shekuj, na ka treguar se sa e rëndësishme është të mbrojmë gjuhën, sa e rëndësishme është të mbrojmë identitetin tonë kulturor, gjuhësor dhe kombëtar. Fjalët janë tepër, veprat janë ato që mbeten. Veprat e atyre mësuesve që do t’i shërbejnë brezave, veprat e prodhuara nga profesor Altimari që do t’i mbeten brezave të tëra, do të prodhojnë shumë studiues të tjerë për të ardhmen tonë. Është shumë e rëndësishme që katedra e Albanologjisë në Kalabri të vijojë misionin e saj të lartë për ruajtjen dhe pasurimin e gjuhës e kulturës arbëreshe”, shtoi ai.

Nga biblioteka e Universitetit të Kalabrisë, Presidenti i Republikës iu bashkua ftesës së profesor Altimarit për mbështetjen, forcimin dhe bashkëpunimin me tri qendrat e rëndësishme kërkimore dhe arsimore në Itali që i janë përkushtuar gjuhës shqipe në Universitetin e Kalabrisë, atë të Palermos dhe Romës.

Gjatë vizitës në Universitetin e Kalabrisë, Presidenti i Republikës u prit në një takim të veçantë nga rektori i Universitetit të Kalabrisë, profesor Nicola Leone./ KultPlus.com

Transferimi i fondeve arkeologjike në Durrës, Gjinushi inspekton kushtet e ruajtjes

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi zhvilloi një vizitë inspektuese në fondet arkeologjike të Durrësit, në kuadër të monitorimit të punimeve për transferimin dhe sistemimin e fondit arkeologjik të Institutit të Arkeologjisë në Durrës.

Akad. Gjinushi u njoh nga afër me kushtet teknike të ruajtjes së materialit, organizimin e inventarit, si dhe me punën e stafit specialist në këtë proces delikat që synon të sigurojë vazhdimësinë e kërkimit shkencor dhe trashëgimisë arkeologjike të qytetit antik.

Vizita u përqendrua në procesin teknik të zhvendosjes së materialit arkeologjik nga godina e mëparshme, e cila aktualisht do t’i nënshtrohet një rikualifikimi tërësor si pjesë e projektit të rikonstruksionit të Muzeut Arkeologjik të Durrësit.

Materialet janë transferuar dhe po sistemohen në një strukturë të re dhe të dedikuar, të ngritur enkas për të garantuar ruajtjen, administrimin dhe aksesin shkencor të fondeve arkeologjike.

Kjo nismë përfaqëson një hap të rëndësishëm në drejtim të standardizimit të infrastrukturës së ruajtjes muzeale dhe të burimeve arkeologjike, si edhe një model i bashkëpunimit ndërinstitucional për mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare./ KultPlus.com

“Magjia e pianos”, koncerti që i dedikohet fëmijëve me nevoja të veçanta

Më 28 qershor, prej orës 18:00 në Bibliotekën Universitare do të mbahet koncerti “Magjia e Pianos”, koncert që i dedikohet fëmijëve me nevoja të veçanta. 

“Ky koncert është një dëshmi e përkushtimit, përfshirjes dhe fuqisë së muzikës për të ndryshuar jetë. Dedikuar fëmijëve me nevoja të veçanta – një mbrëmje plot magji ku muzika bëhet urë për dashuri, guxim dhe përfshirje”, thuhet në njoftimin e organizatorëve, të cilët kanë bërë të ditur se kjo ngjarje tashmë po shënon edicionin e tretë./ KultPlus.com 

Në Gjakovë do të shënohet 35 vjetori i Deklaratës Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës

Lili Pylla

Deklarata Kushtetuese e Kosovës, e miratuar nga Kuvendi i atëhershëm më 2 korrik 1990, shënon një dokument të rëndësishëm politiko-juridik, që shprehte aspiratën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi në rrethanat e reja që po krijoheshin asokohe për shqiptarët në rajonin e Ballkanit. Deklerata zhvlerësoi Rezolutën e Konferencës së Prizrenit, të 10 korrikut 1945, me të cilën Serbia, pasi që kishte anuluar me gjak Rezolutën e Bujanit, e aneksoi Kosovën.

Për të shënuar përvjetorin e kësaj Deklarate Shoqata e Intelektualëve “Jakova” do të organizojë një tryezë me temën: “2 Korriku 1990 – Deklarata Kushtetuese si gurthemeli i shtetësisë së Kosovës”, në të cilën do të marrin pjesë, ish kryetari i Kuvendit z. Iljaz Ramajli, pastaj z. Muharrem Shabani, lexuesi i Deklarates dhe disa ish delegatë të tjerë.

Kryetari i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova’, z. Ruzhdi Sefa ka thënë se temën bosht do ta mbajë Mr. Sci Lorik Lipoveci ndërsa në temën: “Rrethanat politiko-shoqërore në Kosovë në vitin 1989-1990 do të flaës dr. Gëzim Lipoveci- ish Deputet. “Organizimi i mbledhjes së 2 Korrikut 1990”, është tema për të cilën do të flaës z. Ruzhdi   Bakalli. Në temën: “Shpallja e Deklaratës Kushtetuese më 2 Korrik 1990, vendimet e marra”, do të flaës z. Muharrem Shabani – ish deputet. “Ndikimi dhe jehona e Deklaratës Kushtetuese të Kosovës më 2 Korrik 1990 në hapësirën jugosllave dhe botën demokratike”, do të flaës z. Fehmi Nallbani ish deputet dhe “Rëndësia Historiko-Juridike e Deklaratës Kushtetuese për shtetësin e Kosovës”, do të flaës z. Iljaz Ramajli ish Kryetar i Kuvendit.

Pëndryshe në marsin e 1989-ës, qeveria jugosllave në Beograd vendosi të suprimojë autonominë që kishte Kosova dhe Metohia deri në atë kohë, si element konstituiv i Federatës me të drejtë vetoje. Autonomi e cila i ishte dhënë me Kushtetutën e vitit 1974. Njëkohësisht, në atë kohë, një deklaratë të ngjashme kushtetuese kishte nxjerrë Parlamenti i Sllovenisë që po ndahej prej Jugosllavisë. E kishin nxjerrë dhe disa parlamente të vendeve Balltike, që ishin në kuadër të Bashkimit Sovjetik, si Lituania dhe Estonia.

Pas shtyrjeve të njëpasnjëshme të punimeve të Kuvendit, më 1 korrik 1990, regjimi i Beogradit synonte organizimin e një referendumi për Kushtetutën e re serbe, të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpalljen e shtyrjes së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmëruar për 2 korrik, e për të cilën delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për shpalljen e Deklaratës Kushtetuese.

Tryeza tematike do të mbahet më 1 korrik, ora 12:00 në Gjakovë. / KultPlus.com

Gazetaria dje dhe sot 

Shkruan: Avni Spahiu

Gazetaria dje

Si shumëçka në jetën e dy dekadave të fundit të Kosovës para dhe  gjatë luftës edhe gazetaria ishte unike dhe e pashembullt në përvojën saj.  Gazetaria e Kosovës, e cila përpëlitej mes presioneve të mëdha të sistemit komunist dhe të trysnisë serbe, që mbizotëronte në ish-Jugosllavi dhe përpjekjeve për të kryer misionin e vet, ndonëse në hapësirë të kufizuar të lirisë profesionale, arriti më në fund të identifikohej me lexuesin, popullin e vet, në rrugën për liri dhe demokraci. Ajo shpesh, edhe në ato kushte, madje u bë udhërrëfyese duke i dhënë një dimension të ri të pashembullt gazetarisë që vështirë do të gjendet në analet e gazetarisë botërore. Gazetarët shqiptarë, si dhe pjesë të tjera të shoqërisë kosovare u bënë objekt i represionit, përndjekjes dhe një stigmatizimi të veçantë nga pushteti dhe politika serbomadhe. Në përpjekjet antishqiptare të politikës hegjemoniste serbe gazetarët u targetuan si një pengesë që duhej mënjanuar. Pse ishte  kjo? Gazetarët kudo dhe  kurdo, sidomos gjatë viteve të tetëdhjeta dhe të nëntëdhjeta në Kosovë po përpiqeshin, në mundësitë e veta të gjymtuara dhe të një censure të tmerrshme të ofronin një opinion të drejtë jozyrtar duke iu përkushtuar prezentimit të së vërtetës në opinionin publik. “Lajmi” i shtypur atëbotë u shndërrua në një funksion në jetën e njerëzve. Si të tillë, gazetarët e “Rilindjes”, si ditore e vetme, gjatë fundit të viteve të tetëdhjeta dhe viteve të nëntëdhjeta u siguronin njerëzve informacionin më të mirë të mundshëm në dispozicion, që kishte një ndikim të madh në formësimin e opinionit të përgjithshëm kosovar për të gjitha aspektet e jetës politike dhe shoqërore. 

Në këto përpjekje, gazetarët e botimeve shqipe dhe të medias elektronike u gjenden edhe përballë sifdave të kohës: të përpjekjeve për të krijuar medie të pavarura dhe profesionale, duke u mbështetur në parimet e fjalës së lirë dhe të së vërtetës. Edhe në ato rrethana të pushtimit dhe represionit të pandalur serb, gazetarët tanë filluan të kultivonin një gazetari të pavarur duke sfiduar  hapur diktatin dhe censurën. Andaj, regjimi serb mori masa ndëshkuese, duke mbyllur Radiotelevizionin e Prishtinës dhe pastaj gazetën e vetme të përditshme shqipe në Kosovë, “Rilindjen”. Përgjigja jonë ishte ajo e mospëruljes. Ajo e vazhdimit të informimit të opinionit në Kosovë përkundër presionit të vazhdueshëm që ishte shndërruar në kërcënim. Kjo qe alternativë e vetme dhe asnjëherë e mëdyshur. Vazhduam botimin e gazetës me një surrogat me emër aspak tipik për një gazetë ditore “Bujku”, një botim tani me mision të informimit të përditshëm e që në “vitet normale” preokupohej me problemet e bujqësisë. Kjo ishte denigruese për vazhdimin e një gazete me renome siç ishte “Rilindja”, që në një kohë, kishte arritur tirazh prej mbi 300 mijë kopjesh në ditë, por kjo atëbotë ishte zgjidhje e vetme. “Bujku” apo  “Rilindja B”, siç e quanim u  botua si e përditshme, si një gazetë gjysmë-klandestine që ndalohej dhe anatemohej nga pushteti pushtues serb në çdo hap. Përpjekje të ngjashme bënin dhe të njëjtat persekusione pësonin edhe mediat e tjera që u botuan në ndërkohë: “Koha”, “Bota Sot”, “Kosova Sot” etj, si dhe, patjetër korrespondentët shqiptarë që punonin për media të huajasi “Zëri i Amerikës”, “Europa e Lirë”, “Dojçe Vele”, Frans Internastional, “Vjesniku” i Zagrebit, e shumë të tjera…

Kështu, si gazetarë dhe si gazetari që doli jashtë kontrollit të regjimit, gazetarët u bënë pjesë e lëvizjes së përgjithshme, si lloj i një “gazetarie të rezistencës” së përgjithshme në Kosovë. Kjo ishte një periudhë e rëndë për tërë gazetarinë dhe gazetarët kosovarë. Në atë kohë, ashtu si të gjithë, edhe redaktorët e gazetarët, u ballafaquam në baza ditore me dhunën serbe. Gazetarët kërcënoheshin vazhdimisht nga regjimi serb për gjërat që botonim në gazetë, ndërkohë që shumë nga gazetarët tanë të terrenit dhe korrespondentët që “mbulonin” të gjitha anët e Kosovës ishin rrahur, maltretuar, arrestuar, plagosur, madje edhe vrarë. Por, nuk kishte asnjë hezitim në këtë: t’i dilej krah  së vërtetës së  Kosovës dhe informimit objektiv të opinionit  kosovar meritonte çdo sakrificë. 

Gazetaria kosovare në atë kohë lozi një rol të fuqishëm edhe në forcimin e identitetit tonë kombëtar dhe trasimin e rrugës së pavarësisë. Shumë procese filluan në “Rilindje” dhe influencuan zhvillimet politike dhe shoqërore në Kosovë. Ka disa raste kyçe në këtë drejtim, që rrinë të shënuara në analet historisë së asaj periudhe. Andaj, nuk është hiperbolizuese të thuhet se  gazetarët kosovarë dhe gazeta jonë u bënë nga më të urryerit në sytë e pushtuesve  serbë. Ai regjim nuk ia  fali kurrë këtë “Rilindjes”, jo vetëm për kundërvënien në periudhën e pushtimit, por edhe për tërë periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore, që mbajti e ushqeu kulturën, arsimin dhe informimin shqip.  

Gazetaria sot

Ditën kur Kosova u bë vendi i parë pa shtyp të shkruar, pa gazeta, në rruzullin tokësor, “modernistët tanë”, për të dëshmuar se sa larg kanë shkuar kosovarët në emancipimin e tyre me mediet në telefonat tanë të mençur digjitalë, nxituan  të dilnin me lëvdata të këtij lloji: “Kosova e para në botë pa gazeta”, “Një epokë e  re e gazetarisë”, “Hap i madh” dhe “Një dëshmi e globalizmit tek ne”, etj. Ky “argument” i tyre do të mund të përdorej  njëlloj edhe në rast se një ditë vendosim të mos shtypim më libra, me arsyetimin “valid” se tani ato mund t’i lexojmë “online”! Ndoshta kjo edhe do të ndodhë, në një të ardhme, ndërkohë që gazetat ditore në formë të shtypur vazhdojnë të mbijetojnë me impakt të konsiderueshëm në të gjitha vendet e botës, nga SHBA-ja e deri në Afrikë të Jugut, nga Roma e  deri në Stokholm, nga Ankaraja e deri në Paris. Po ashtu edhe në fqinjësi. Ndonëse sot gazetat botohen me tirazh të reduktuar, natyrisht, ato vazhdojnë të jenë pjesë e një tradite dhe kulture ndryshe të informimit. Asnjë vend në fqinjësinë tonë nuk “hoqi qafet” gazetat me aq lehtësi dhe është  për keqardhje ky nivel  “emancipues” i shoqërisë kosovare, që nuk ka më nevojë për shtypin e shkruar dhe  as  respekt për atë që kanë krijuar gjeneratat. 

Ndërkaq, përtej nostalgjisë ndaj rutinës së përditshme me gazeta, që ishte dikur pjesë e kulturës së jetës, gazetaria përgjithësisht ka pësuar  ndryshime të mëdha: ajo ka përfituar ca gjëra dhe ka humbur disa të tjera. Lajmi tani është më i shpejtë, mundësia e transmetimit pothuajse e atypëratyshme dhe e lehtë, kurse përditësimi i lajmit i mundshëm në çështje minutash. Qasja e lajmit është e lehtë dhe universale, gjithëpërfshirëse dhe joekskluzive. Teknologjia ka bërë të mundshëm informimin e përnjëhershëm nga çdo skaj i botës, me mundësi transmetimit të drejtpërdrejtë nga cilado pjesë e vendit dhe e botës, gazetarët janë të pajisur me teknologji lehtësisht të zotërueshme dhe  shumë efektive. Platformat e mediave sociale si Facebook, Instagram, Twitter dhe shumë të tjera po u ofrojnë njerëzve mundësinë për t’u lidhur me njëri-tjetrin në distanca. Me fjalë të tjera, e gjithë bota është në kontakt të përhershëm falë mediave sociale dhe revolucionit teknologjik. Veçanërisht, janë të rinjtë ata që kalojnë orë të tëra me telefonat mobilë në duar duke konsumuar materiale të llojeve nga më të ndryshmet mbi çdo temë të mundshme… 

Kohët moderne kanë sjellë ndryshime marramendëse dhe mediet e shkruara po bëhen ngadalë një mjet i së djeshmes, ndonëse profesionalizmi i tyre mund të diskutohet: a janë sot informacionet e mediave “online” më të besueshme dhe më kredibile sesa ato në medie  të shtypura? Temë për  debat dhe kundërshti. 

Ndonëse, cilësia profesionale e mediave digjitale mund të konsiderohet në rënie: mundësia e manipulimit me lajmin, “lajmet e rrejshme”, ato të paverifikuara apo qëllimisht të shtrembëruara, mbarështime të mangëta pa konsideratë për parimet bazë të gazetarisë janë një përsëritje e përditshme në “mediet sociale digjitale”. Sot, kultivohet pothuajse vetëm lajmi dhe informacioni i shkurtër dhe i shpejtë, ndërkohë që zhanret e tjera, tradicionalisht më të sofistikuara e më të komplikuara të gazetarisë janë tretur apo janë modifikuar  për  t’iu përshtatur epokës së re. Tani, ku është sharmi i një reportazhi të mirë, një udhëpërshkrimi të bukur, i një shkrimi që kënaqte lexuesin me bukurinë e të shkruarit të veçantë, etj. Mua ky kalim i shpejtë nga gazetaria tradicionale në “gazetari digjitale” dhe atë “telefonike”, më duket i debatueshëm, se nuk siguron hapësirë të mjaftueshme për zhanre dhe shkrime serioze të gazetarisë. Publicistika jonë është reduktuar në shkrime të shkurtra pa strukturë dhe pa përmbajtje adekuate, kurse eseistika në hartime të shkurtra, lehtësisht të qasshme, por pa skeletin e bukurisë së shkrimit tradicional.Stili emocional i publicistikës në trajtimin e fenomeneve, madje edhe  në literaturën politike siç prezentohej në medie – gazeta, revista, radio, televizion dhe filma dokumentarë, ishte një formë e vlerësuar e shkrimit në trajtimin e një game të gjerë temash të politikës, ekonomisë, kulturës, të jetës së përditshme, ngjarjeve aktuale, etj. Tani ka një stil të shkruari më të drejtpërdrejtë me jo shumë emocion, pa ngjyrë dhe pa përshkrime atraktive për të afruar  lexuesin. Nuk është se  publicistika ka pësuar rënie të madhe, por se ka një trajtë tjetër dhe jep  një tjetër “kënaqësi” të të shkruarit dhe lexuarit. Në Kosovë ka pasur disa eseistë të njohur dhe ky zhanër, megjithatë, vazhdon akoma të jetë i pranishëm si lloj shkrimi në  diskursin tonë publicistik. Ka një duzinë emrash të njohur në publicistikën tonë që vazhdojnë ende të mbajnë gjallë traditën e shkrimit të bukur publicistik dhe eseistik.  (Në “Arti i bashkëbisedimit” – 1924)/ KultPlus.com

Tirana në sytë e të rinjve, promovohet trashëgimia kulturore përmes pikturës dhe fotografisë

Trashëgimia kulturore e Tiranës u përçua nga sytë e të rinjve, të cilët dëshmuan nëpërmjet pikturës dhe fotografisë vlerat tradicionale dhe autentike që përfaqësojnë kryeqytetin.

Me mbështetjen e bashkisë së Tiranës dhe në kuadër të iniciativës “Tirana-Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025”, qendra URF organizoi aktivitetin “Art & Trashëgimi Kulturore në Tiranë” në ambientet e Qendrës “Reja”.

Eventi përfshiu një konkurs pikture dhe fotografie për të rinjtë, muzikë live dhe një ekspozitë të hapur për publikun.

Gjatë aktivitetit, ku arti u bë urë lidhëse mes brezave, një juri profesioniste vlerësoi punimet artistike dhe ndau tre çmime kryesore.

Çmimin e parë në fotografi e fitoi Lorela Lamçe, me një foto e cila ndërthurte veshjen tradicionale dhe gatime të zonës së Tiranës. Fotografia titullohej “Fërgesa e Tironës nga nona Vjollca”, që në syrin e fotografes reflektonte traditën popullore të zonjave të kryeqytetit.

Çmimin e parë në pikturë e fitoi Gentiana Beqiri, e cila kishte sjellë nëpërmjet ngjyrave portretin e gjyshes duke thurur me shtiza, ulur në divan.

Të gjithë pjesëmarrësit në konkurs më pas u nderuan me certifikata mirënjohjeje. Eventi që promovoi traditën përmes artit tërhoqi vëmendjen e turistëve të shumtë./ KultPlus.com

Muzeu i Artit Mesjetar prezanton kryqin e rrallë nga Dishnica e Korçës

Në kuadër të projektit “Origjina dhe artizanati”, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar publikoi imazhet e një tjetër objekti nga fondi i tij i vyer.

Bëhet fjalë për një kryq me origjinë nga fshati Dishnicë i Korçës, i cili mbart një gdhendje druri të jashtëzakonshme brenda trupit metalik.

Në qendër të kryqit është gdhendur me një mjeshtëri të lartë artistike, skena e pagëzimit. Detajet janë të jashtëzakonshme sidomos duke patur parasysh përmasat në miniaturë të kryqit.

Gdhendja e drurit është një nga traditat e hershme, e realizuar ndër shekuj. E përhapur në të gjithë Shqipërinë, prej kohëve të lashta, me specifikat e çdo vendi, gdhendja e drurit ka zënë gjithmonë një vend tepër të rëndësishëm në jetesën e popullit tonë, duke nisur nga objektet e nevojshme, të përdorimit të përditshëm, deri tek objekte e zbukurimit.

MKAM bën të ditur se motivet gjeometrike, floreale dhe zoomorfe, të gdhendura me mjeshtëri, do të jenë në fokusin e programit mbi trashëgiminë kulturore, traditën dhe artizanatin./ KultPlus.com

Rikthehet pas 40 vjetësh shfaqja “Zemërimi i shkronjave”

Shfaqja me kukulla “Zemërimi i shkronjave” rikthehet në skenë pas 40 vitesh.

Projekti “Marjonetat e Trashëgimisë” dhe Teatri i Kukullave kanë bashkuar forcat për këtë rivënie në skenë.

“Zemërimi i shkronjave” është një shfaqje teatrale për fëmijë e njohur në Shqipërinë e viteve ’80. Përveç anës argëtuese shfaqja përdorej edhe si mjet edukativ në kopshte dhe shkolla fillore, pasi edukonte fëmijët për të folur saktë dhe bukur gjuhën shqipe. Ajo kombinon elementë të gjuhës shqipe me humor dhe mesazhe të rëndësishme për fëmijët.

Personazhe të veprës janë shkronjat e alfabetit shqip të cilat zemërohen sepse nuk respektohen, nuk përdoren si duhet ose harrohen nga fëmijët. Përmes dialogëve komikë dhe skenave të gjalla, shfaqja ndërton një histori ku fëmijët mësojnë rëndësinë e gjuhës, të lexuarit dhe të shkrimit korrekt.

Më 19 shtator, në Teatrin e Kukullave, fëmijët mbi 5 vjeç dhe prindërit që kanë nostalgji për këtë shfaqje të paharrueshme, do të mund të shijojnë premierën.

Me përshtatjen e tekstit dhe regjinë e Endri Çelës, kjo vepër e dashur do të vijë në skenë e rijetëzuar si pjesë e programit “EU4CULTURE”, financuar nga Bashkimi Europian dhe realizuar nga UNOPS, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Në një postim online të drejtoreshës së Teatrit të Kukullave, Melsi Qirici, thuhet se aktualisht po zhvillohen provat e tavolinës dhe se ekipi po punon me përkushtim për të risjellë nga arkivat këtë xhevahir, me një qasje të re për fëmijët e brezit të sotëm./ KultPlus.com

Kryevepra romantike e Shubertit, për herë të parë në TKOB

Një nga kryeveprat më të ndjera të periudhës së romantizmit vjen për herë të parë në skenën shqiptare.

Këtë fundjavë publiku artdashës do të mund të ndjekë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, shfaqjen “Mullixhesha e Bukur” (Die schöne Müllerin) të kompozitorit austriak Franc Shubert (Franz Schubert).

“Mullixhesha e Bukur” është një cikël këngësh nga Shuberti, i kompozuar në vitin 1823, bazuar në 20 poezi të Vilhelm Myler (Wilhelm Müller).

Shfaqja shpalos një histori dashurie të pafat, me një thellësi emocionale që prek çdo shpirt. Cikli tregon historinë e një nxënësi të ri të mullirit, i cili bie në dashuri me vajzën e mullixhiut, dashuri e cila do të ketë fund tragjik. Shpresa, xhelozia dhe dëshpërimi ndërthuren në një cikël liedesh me poezitë e Vilhelm Mylerit, që sjellin një tregim të ndjerë poetik, nga baritoni Artur Vera dhe pianistja Etrita Ibrahimi.

Koncerti do të shfaqet ditën e shtunë, në ora 20:00, në Hollin Koncertor të TKOB-së./ KultPlus.com

OKB: Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, burim kyç i vendeve të punës

Sot është Dita Ndërkombëtare e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme.

Tema që Kombet e Bashkuara kanë zgjedhur për 2025-ën është: Rritja e rolit të Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM) si nxitëse të rritjes së qëndrueshme dhe inovacionit. Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme janë burime kyçe të vendeve të punës, të ardhurave dhe rritjes lokale, veçanërisht për gratë, të rinjtë dhe grupet e cenueshme.

600 milionë vende pune do të nevojiten deri në vitin 2030 për të përthithur fuqinë punëtore globale në rritje, gjë që e bën zhvillimin e NVM-ve një prioritet të lartë për shumë qeveri në mbarë botën.

Në tregjet në zhvillim, shumica e vendeve të punës formale krijohen nga NVM-të, të cilat krijojnë 7 nga 10 vende pune.

Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme janë përgjegjëse për më shumë se dy të tretat e të gjitha vendeve të punës në mbarë botën. Ato përbëjnë gjithashtu shumicën e krijimit të vendeve të reja të punës.

Por pavarësisht se ofrojnë një pjesë të madhe të punësimit global, NVM-të ende përballen me sfida të mëdha kur bëhet fjalë për kushtet e punës, produktivitetin dhe informalitetin.

Caktimi i 27 qershorit si “Dita e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme” u bë për të rritur ndërgjegjësimin për kontributin e jashtëzakonshëm të tyre në arritjen e Objektivave të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm./ KultPlus.com

Prenk Jakova, kompozitori i madh që i rezistoi sistemit

Kompozitori i njohur shkodran lindi më 27 qershor të viti 1917 në një familje jo vendase por me prejardhje nga Gjakova.

Prenka ishte i biri i Kolë Jakovës, dhe një burim artistësh që në prejardhjen e tij, nga vendburimi.

Në tërësi Prenk Jakova është njohur si arsimtar, muzikant dhe kompozitor.

Në familjen e tij gjyshi i tij Deda ishte një adhurues i mad hi muzikës, ai i binte klarinetës në Kolegjin Saverian, dhe në të njëjtën mënyrë edhe i ati Kola ishte një ndër pjesëmarrësit dhe organizatorët në frontin e Luftës së Koplikut.

Për më tepër dhe dy vëllezërit e Prenkës, Deda dhe Çesku do të bëheshin fotograf dhe muzikant.
Prenk Jakova, i nisi hapat e tij në rrugën e arsimit pas shkollës fillore në liceun Illyricum në Shkodër.

Që në shkollë u bë anëtar i bandave muzikore të shkollës dhe madje nisi të aktronte në shoqëritë teatrore Bogdani dhe Vllaznia.

Jakova më pas kaloi si klarinetist i bandës së qytetit prej ku filloi dhe të shkruante motive muzikore që mbështeteshin në ato të këngëve popullore.

Në moshën 18-vjeçare Prenga u caktua drejtor artistik i bandës së shkollës, ku luanin asokohe të vegjlit Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Simon Gjoni dhe kompozitorë të tjerë të ardhshëm shqiptarë.

Jakova nisi të kompozojë marshe dhe kantata. Më 2 janar 1936 u dërgua që të jepte mësim në Bërdicë, ku dha mësime muzike dhe për vete nxuri kitarrën. Përgjatë verës së 1939 bleu një fizarmonikë dhe mësoi t’i binte edhe asaj; vjeshtën e po atij viti u caktua që të jepte mësim në internatin e Oroshit, ku shkroi një pjesë muzikore për fizarmonikë të titulluar Malli dhe më pas Fyellin e bariut, shkruan Konica.al

Më 1940 Jakova u transferua në Shkodër, ku shkroi pjesë muzikore për fëmijë dhe operetën me dy hapje Kopshti i Xhuxhmaxhuxhëve.

Vitin shkollor 1941-42 Jakova u caktua që të jepte mësim në Katërkollë të krahinës së Krajës, sot në Mal të Zi.
Më vonë kompozitori Jakova u zhvendos në Romë ku edhe nisi mësimin për klarinetën.

Por fundi i vitit 1944 e gjeti Jakovën mësues po prapë në Shkodër, e më vonë u caktua përgjegjës në korin e Brigadës Sulmuesenë Shtëpinë e Rinisë.

Në atë periudhë Prenka u arrestua dhe u mbajt në hetuesi për shkak të vrasjes së vëllait të tij duke luftuar kundër partizanëve komunistë.

Me grupet e amatorëve, instrumentistëve, solistëve dhe korit që kishte në patronazh, Prenka dha shfaqe jo vetëm në Shkodër, por edhe në Ulqin, Cetinjë e Titograd.

Vepra “Mrika” ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti, e që u vu në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës.

Opera e dytë e Prenk Jakovës, “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, u prit shumë mirë nga kolegët e dashamirësit e artit, që në shfaqjen e tij të parë në Tiranë, por kritika zyrtare mediokre me qëllime keqdashëse e tundoi mjaft i cili u detyrua të ripunojë disa pjesë.

Gjithsesi vepra Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” ishte shumë më solide se “Mrika” e cila vuante fatkeqësinë e subjektit dhe tematikës së artit skematik, ku duhet të frynte patjetër era revolucionare e kohës së absurditetit.

Prenk Jakova ishte një kompozitor që shkroi me sukses romanca, kantata dhe këngë.

Që në moshë të re, Prenka mori pjesë në jetën artistike muzikore të qytetit. Këtu ai bëri shkollën e parë të artit. Doli mësues dhe shkoi të japë mësim në shkollat e fshatrave të Shkodrës dhe të Mirditës por nga të shkruarit e veprave muzikore nuk u nda asnjëherë.

Ndërkohë i vëllai i Prenkës që ishte në moshë të re, gjatë Luftës së Dytë Botërore, mori pjesë në lëvizjen shqiptare nacionaliste, dhe me ardhjen në pushtet të komunistëve u detyrua të merrte malet. Për shkak të vëllait, i cili kërkohej, komunistët arrestojnë Prenk Jakovën dhe e mbajnë disa kohë burgjeve.

Ndërsa Prenka, që nuk kishte ushtruar kurrfarë veprimtarie veç detyrës së tij si mësues, lirohet shpejt nga burgu, fati i të vëllait do të ishte tepër tragjik. Kapet nga komunistët dhe pushkatohet pa mëshirë.

Prenk Jakova ishte një artist i madh, që megjithë tragjedinë, dhe dhembjen që kishte, arriti të mbijetonte dhe të shkruante duke iu imponuar regjimit monist me forcën e gjenisë së tij.

Megjithë karrierën e tij të suksesshme artistike, për të cilën fitoi respekt e admirim nga artdashësit shkodranë, fundi i Prenkës do të ishte disi i ngjashëm me atë të vëllait të ekzekutuar, sepse duke mos e duruar dot mjedisin përreth tij, duke e parë vehten në një gjendje pesimizmi të pashpresë, ai zgjodhi rrugën e vetvrasjes, pikërisht në Shtëpinë e Kulturës në Shkodër, pikërisht në atë institucion ku ai kishte punuar e shkruar një jetë të tërë.

Pas suksesit të madh që u arrit me vënien në skenë të operas së parë shqiptare “Mrika”, gjatë një vizite që bëri në qytetin e Shkodrës Enver Hoxha, u takua me Prenkën dhe i tha atij se i kishte premtuar për të bërë dhe një opera tjetër për Skënderbeun.

Një nga funksionarët e lartë të qytetit të Shkodrës, i cili ka qenë prezent në atë bisedë të Prenkës me Enver Hoxhën, dëshmon: Pas atyre fjalëve të Enver Hoxhës, Prenka iu përgjigj: “Po mor shoku Enver, por puna e operas nuk është si bukët që i fut kur të duash në furrë”.

Pas përgjigjes së Prenkës, Enver Hoxha filloi të qeshte dhe dha porosi që t’i plotësoheshin të gjitha kushtet Prenkës, me qëllim që ai të vinte në skenë operën “Skënderbeu”, kujton ish-funksionari i lartë lidhur me bisedën e Enver Hoxhës me Prenkë Jakovën.

Pas atij takimi, Prenka iu vu punës duke punuar nga mëngjesi deri në orët e vona të natës, për të realizuar atë që i kishte vënë si detyrë Enver Hoxha.

Ai e shkroi të gjithë muzikën e operas “Skënderbeu” dhe për disa muaj me radhë u muar vetëm me ndarjen e muzikës turke nga ajo arabe, gjë e cila deri në atë kohë konfondohej nga shumë kompozitorë. Kur e përfundoi muzikën e saj dhe e solli për miratim në Tiranë, Prenkës i nxorën shumë pengesa dhe ata që ishin ngarkuar për shikimin e saj, i kërkonin të shkurtonte disa pjesë që sipas tyre stononin.

Prenka refuzonte në mënyrë kategorike për ta bërë atë gjë dhe i vetmi që i doli në mbrojtje ishte Fadil Paçrami, i cili në atë kohë kishte dalë hapur kundër metodave të vjetra e konservatorizmit.

Ndonëse opera “Skënderbeu” u shfaq dhe pati sukses të madh, e Prenka pati përgëzime edhe nga Enver Hoxha, peripecitë për realizimin e saj lanë gjurmë të thella në gjendjen shpirtërore të Prenkës.

Veprimtaria muzikore që la Prenk Jakova është shumë e pasur e konsiston në dhjetëra vepra vokale, këngë korale të përpunuara, pjesë orkestrale e korale, pjesë për bandë, muzikë filmash e deri tek operetat e operat.

Nisur nga virtuoziteti i tij dhe veprat e larmishme muzikore, Prenk Jakova konsiderohet si një nga kolosët më të mëdhenj të muzikës shqiptare për të gjitha kohërat.

Teatri i Operas e Baletit e shpalli vitin e shkuar 2017-ën, si vitin e kompozitorit Prenk Jakova, pasi ky vit përkoi me 100-vjetorin e lindjes së Artistit të Popullit. /KultPlus.com

Festivali Sunny Hill lanson Sunny Hill Travel në partneritet me Fluturime.com dhe FullyTrip.com

Festivali Sunny Hill ka njoftuar për krijimin e një shërbimi të ri të udhëtimit të quajtur Sunny Hill Travel, në bashkëpunim me Fluturime.com dhe FullyTrip.com.

Platforma e re do u ofrojë pjesëmarrësve të festivalit që në një vend të bëjnë planifikimin dhe rezervimin e udhëtimit të tyre, prej biletave të aeroplanit e deri të përjetimi i eksperiencave kudo nëpër Kosovë.

Me Fluturime.com që siguron përmbajtjen turistike dhe FullyTrip.com që ofron teknologjinë me të mira për rezervime sa më të thjeshta dhe të sigurta online, Sunny Hill Travel do ta bëjë më të lehtë se kurrë që vizitorët ta shijojnë festivalin dhe të eksplorojnë Kosovën.

Edicioni i vitit 2025 i Festivalit Sunny Hill do të sjellë yje botërore si Dua Lipa, Peggy Gou, Shawn Mendes, Anyma, Mochakk, Fatboy Slim dhe artistë të tjerë të njohur ndërkombëtarisht, duke vazhduar misionin për ta vendosur Kosovën në hartën e ngjarjeve globale.

Platforma e re e udhëtimit jo vetëm që do të përmirësojë përvojën e ndjekësve të festivalit, por gjithashtu do të mbështesë turizmin e qëndrueshëm dhe furnitorët lokalë duke tërhequr më shumë vizitorë dhe duke i inkurajuar ata të zbulojnë më shumë Kosovën dhe rajonin.

Për më shumë informacion, vizitoni: www.sunnyhilltravel.com / KultPlus.com

Donika Rudi Berishaj, kuratore e ftuar në Festivalin Wonderfeel në Holandë

Donika Rudi Berishaj, Drejtoreshë e Festivalit ReMusica, është kuratore e ftuar në Festivalin Wonderfeel, në Holandë, festival i cili zhvillohet nga 4 deri në 6 korrik 2025.

Ky edicion i Festivalit Wonderfeel ka në fokus jetën e pasur dhe të larmishme muzikore të vendeve të Ballkanit si Kosova, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Sllovenia.

Një numër artistësh dhe ansamblesh të shquara nga rajoni do të ngjiten në skenë — përfshirë koncertin e kitaristit Petrit Ceku dhe Ansamblit vokal të ReMusicas – ReVocal Ensemble, me dirigjent Rafet Rudi, krahas artistëve të shumtë që do t’jenë pjesë e Fesitvalit Wonderfeel.

Këtë vit, Donika ka përpiluar pikërisht këtë segment të programit tëWonderfeel, së bashku me dy kolegë nga rajoni, Margareta Ferek-Petrić, kompozitore dhe ish-drejtoreshë e Bienales së Muzikës në Zagreb dhe Haris Pašović, drejtor i Festivalit të Sarajevës – Arte dhe Politikë.

Festivali Wonderfeel konsiderohet të jetë një nga festivalet më të mëdha Evropiane të muzikës klasike në natyrë – me mbi 100 aktivitete nga më shumë se 500 muzikantë, dhe rreth 10,000 vizitorë gjatë 3 ditëve.

Zbuloni më shumë: https://wonderfeel.nl/en/western-balkan-focus/ / KultPlus.com

Sot mbahet Testi i Arritshmërisë

Sot për nxënësit e klasës së 9-të do të mbahet Testi i Arritshmërisë i cili do të fillojë në ora 10:00.

Nxënësit do të testohen në nëntë lëndë bazë: Gjuhë Shqipe, Gjuhë Angleze, Histori, Gjeografi, Matematikë, Informatikë, Fizikë, Kimi, Biologji.

Ky test është një nga vlerësimet më të rëndësishme në përfundim të arsimit të obligueshëm dhe shërben si bazë për orientimin e mëtejmë arsimor të nxënësve në shkollat e mesme./ KultPlus.com

Qeveria njofton mbledhje në ora 12:00, ndërsa Kuvendi tenton konstituimin për herë të 38-të

Qeveria e Republikës së Kosovës ka njoftuar se do të mbajë mbledhje sot në ora 12:00 në ndërtesën e Qeverisë.

Kjo mbledhje mbahet në një ditë me rëndësi të lartë politike, pasi sot në ora 11:00 është thirrur seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës – tentativa e 38-të për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Seanca vjen vetëm një ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila përcaktoi që ky proces duhet të përfundojë brenda një afati prej 30 ditësh.

Përderisa nuk është e qartë nëse seanca e Kuvendit do të përfundojë me sukses apo do të zvarritet edhe më tej, mbetet të shihet nëse zhvillimet e saj do të reflektohen në mbledhjen e Qeverisë apo në qëndrimet që mund të pasojnë më vonë nga ekzekutivi.

Detaje rreth rendit të ditës së Qeverisë ende nuk janë bërë publike./ KultPlus.com

‘Dhurojua të tjerëve dritën që nuk e ke’

Poezi nga Alessandro Manzoni

Dhurojua të tjerëve

Kujdesu per dhimbjet e tua,
per kerkesat e atyre qe te jane prane!

Dhurojua te tjereve driten qe nuk ke,
forcen qe nuk zoteron,
shpresen qe ndjen te luhatet ne ty,
besimin qe te mungon.
Ndriçoji nga erresire jote.
Pasuroji me varferine tende.

Dhuro nje buzeqeshje
kur ke deshire te qash.
Prodho hare
me stuhine qe ke Brenda.
“Ja, ate qe s’kam ta dhuroj”.
Kjo eshte parajsa jote.

Do te vesh re qe gezimi,
pak nga pak do depertoje ne ty,
do pushtoje qenien tende,
do behet vertet i yti ne masen
ne te cilen, do ua kesh dhuruar te tjereve./KultPlus.com

‘Po tërmeti tjetër nuk erdhi, erdhi përsëri lufta për bukën e gojës’

Nga Petro Marko

“Me këtë rast dua të bëj një parantezë për karakterin e fshatarëve të mi: para një viti kishte rënë tërmet. Shkaktoi dëme të mëdha, madje edhe të vdekur. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe shtetet fqinje dërguan ndihma të mëdha. Vodhi qeveria, vodhën autoritetet e fshatit, po mbeti dhe për fshatarët.

U nda miell e sheqer, makarona e kuti mishi, voza me sardele, tesha, mbulesa dhe para. Neve, për një të çarë të murit, na dhanë dyzet napolona. Kështu që fshati i madh, pasi ra në bollëk, harroi të vdekurit dhe me atë bollëk kërciste vera e rakia, byrekët, shqerrat e kecërit e pjekur!

Hanin, pinin e këndonin si në dasma. Mirëpo për pak muaj i mbaruan dhe nisën të qanin të vdekurit…

Dhe ngjau shakaja më e madhe e atyre viteve: Prifti Parthemo, që ishte dhe shakaxhi, pasi bënte meshën një të diel në kishën e madhe të Shën Spiridonit, doli me kryqin e madh aty në mes të dyerve të ajodhimës dhe bërtiti:

 Gjunjëzohuni!

Të gjithë u llahtarisën dhe u gjunjëzuan.

– Tani, – thirri ai, – lutuni të na vijë tërmeti tjetër, se i mbaruam!

Po tërmeti tjetër nuk erdhi. Erdhi përsëri lufta për bukën e gojës.”

(Pjesë e shkëputur nga “Intervistë me vetveten”) / KultPlus.com

‘Me mujt me t’gjetë sërish, të vetme’

Poezi nga Ezra Pound

Françeska

Ti dole jashtë prej natës
dhe kishte lule n’duert e tua,
tash ke me dalë jashtë prej nji turme konfuze,
jashtë nji trazine fjalësh rreth teje.
Unë që t’kam pa mes gjanave ma t’randësishme
u zemërova kur ata e përmendën emnin tand
në vende të zakonshme.
Kisha dashtë që valët e ftohta në mendjen time t’lundronin,
dhe që bota të thahej si nji gjethe e vdekun,
ose t’ish si farat e asaj lules që t’zhdukej me nji t’fryme,
që me mujt me t’gjetë sërish,
të vetme.

Përktheu: Orjela Stafasani / KultPlus.com

Doli nga shtypi libri “Ditëikja e Kadaresë”

Në prag të njëvjetorit të ndarjes nga jeta të shkrimtarit tonë me famë botërore, Ismail Kadare, doli nga shtypi libri “Ditëikja e Kadaresë “ i Njazi Ejupit dhe Zyrafete Shalës.

Ky libër i Shtëpisë Botuese “Drini” përmbledh jehonën e gjallë që la pas ndarja nga jeta e Ismail Kadaresë, shkrimtarit që i dha zë të përbotshëm qytetërimit të lashtë shqiptar dhe i bëri vend gjuhës sonë në letërsinë universale.

“Humbja e Kadaresë nuk ishte nga ato që përmbyllen me një njoftim a një reagim zyrtar. Sepse as jeta e tij e as vepra, nuk ishin të zakonshme, ashtu siç nuk ishte as personaliteti i tij, që për dekada me radhë formësoi vetëdijen kombëtare dhe horizontin kulturor të shoqërisë shqiptare.  Fjalët, kujtimet, vlerësimet dhe homazhet që mbushën faqet e shtypit shqiptar dhe ndërkombëtar në ditët që pasuan, meritonin  një jetë më të gjatë se ajo që mund t’u japë qarkullimi i shpejtë në  mediat elektronike”, tha drejtuesja e Shtëpisë Botuese “Drini”, Zyrafete Shala.

Ismail Kadare u nda nga jeta më 1 korrik 2024 në orën 8:50, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Kumti për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë ishte çast i rëndë zie dhe një valë pikëllimi përshkoi gjithë botën shqiptare, por u shfaq edhe një krenari e ligjshme: Kadare bëri art të madh, duke u bërë edhe pjesë e letërsisë së përbotshme, sipërane.

Ky libër vjen si një përpjekje për të ruajtur dhe përmbledhur këtë ndjesi të përbashkët të 1 korrikut 2024. Është mbase edhe një si akt kulturor dhe moral mirënjohjeje dhe nderimi për Kadarenë dhe për veprën e tij.

 “Sot, kur gjithçka rrëshqet me ritmin e lajmit të radhës dhe kujtesa zbehet shpesh përpara se të marrë formë, libri mbetet një nga mjetet më të qëndrueshme për t’i dhënë kujtimit thellësi, vazhdimësi dhe dinjitet. Në një mjedis ku reagimet, sado të vrullshme, mbeten të përkohshme, ky botim është një përpjekje e vetëdijshme për të ndalur kohën dhe për të ruajtur emocionet e asaj ndarjeje jo vetëm në mendjet tona, por edhe në raftet e bibliotekave, në fondin tonë kulturor të përbashkët”, tha botuesja Shala