Sot bëhen 66 vjet nga lindja e shkrimtarit dhe publicistit, Teodor Keko, shkruan KultPlus.
Teodor Keko ka qenë shkrimtar dhe publicist shqiptar. U lind në Tiranë, i biri i regjisorëve të kinematografisë Endri dhe Xhanfize Keko.
Ndoqi studimet e larta në Universitetin e Tiranës në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Në fillimet e tij punoi si gazetar në gazetën letrare “Drita”, dhe në gazetën e përditshme “Koha jonë”, më vonë ka punuar në gazetën “Aleanca” si redaktor.
Për një periudhë kohe ka qenë pjestar i Parlamentit shqiptar. Teodor Keko i filloi publikimet e tij në vitin 1980 dhe është autor i 15 volumeve në zhanre të ndryshme si, poezi, dramë, novelë si dhe tregimeve të shkrutra.
Në mes të tjerash publikime të Teodor Kekos janë: “Loja”- 1990, “Lajmëtarja e vdekjeve”- 1991, “Pretenca”- 1994, “Shënimet e një gruaje”- 1995, “12 Shenjtorë një profet dhe disa njerëz”- 1997, “Made in Albania”- 1998, “Hollësira fa tale”- 2001, “Poezi” – 2013 / KultPlus.com
Angelina Jolie ka portretizuar ikonën e operës, Maria Callas në filmin e ri “Maria” që debutoi së fundmi në Festivalin e Filmit në Venecia.
Në një konferencë për shtyp, aktorja e njohur tha se i duhej të trajnohej për “pothuajse shtatë muaj”, shkruan Variety.
“Të gjithë e dinë se isha tmerrësisht nervoze. Shpenzova shtatë muaj për t’u stërvitur, sepse kur punon me Pablon nuk mund të bësh asgjë përgjysmë. Ai kërkon, në mënyrën më të mrekullueshme, që ju të bëni vërtet punën. Por, për herën time të parë duke kënduar mbaj mend që isha kaq nervoze. Djemtë e mi ishin aty dhe ndihmuan të mbyllej dera në mënyrë që askush të mos hynte brenda dhe unë po dridhesha”, deklaroi Jolie në konferencën për shtyp.
Sipas një njoftimi për shtyp, filmi “Maria” cili u drejtua nga Pablo Lerrain tregon “historinë e trazuar, të bukur të këngëtares më të madhe të operës në botë, Maria Callas, e rijetuar dhe ri-imagjinuar gjatë ditëve të saj të fundit në Parisin e viteve 70-ta”.
Callas ishte një soprano greke e lindur në qytetin e New Yorkut, të cilës shpesh iu referoheshin si diva më e madhe në botë.
Gjatë jetës së saj dramatike dhe të trazuar, ajo pati një rivalitet me kolegen e saj këngëtare Renata Tebaldi.
Ajo pati një lidhje me manjatin grek të anijeve, Aristotle Onassis, i cili përfundimisht e la për Jacqueline Kennedy.
Callas vdiq në moshën 53 vjeçare nga një atak në zemër gjatë vitit 1977.
Qendra për Hapje dhe Dialog (COD), në Kryeministri, njoftoi çeljen e ekspozitës “Nëpër gjurmët e Tasos” të artistit Anastas Kostandini (Taso), të kuruar nga Rubin Kadiu. Ekspozita do të çelet më 4 shtator.
I ndikuar nga veprat e mjeshtërve, si Picasso, Dali dhe Kandinsky, Tasoja ngulmon për të bashkuar traditën me të renë, duke i hapur rrugën stilit të tij të veçantë.
“Kur reflektojmë mbi trashëgiminë artistike të tij, një pjesë mjaft e rëndësishme është edhe njohja e artistit me botën e Lasgushit dhe të Fan Nolit. Trashëgimia e tij do të shërbejë si një fener frymëzimi për brezat që do të vijnë”, thuhet nga COD.
Ekspozita fton të eksplorojmë sfera të njohura dhe fantastike të artistit dhe na udhëheq përmes një narrative të endur me simbolika, me ngjyra dhe teksturë, duke shpalosur thelbin e shpirtit të tij krijues e dukemanifestuar ndikimin e thellë në skenën e artit bashkëkohor.
Kuratori Rubin Kadiu shprehet se, nëpërmjet punimeve të guximshme të penelit dhe tështresave të mbivendosura, Taso i shndërron kanavacat në sixhade të gjalla, ku drita dhe hija bashkohen në një valle harmonike kontrastesh.
Anastas Kostandini lindi në Pogradec (29 korrik 1954), qytet ku jeton ende sot.
Në vitin 1978 u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë (Pikturë Monumentale). Një nga punimet më të njohura ku Tasoja është bashkautor, është mozaiku “Albania” në Muzeun Historik Kombëtar. Në vitin 1991 iu dha titulli “Piktor i merituar”.
Gjatë karrierës së tij, ai ka realizuar një mori ekspozitash vetjake e kolektive. /atsh/ KultPlus.com
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se ka hapur konkurs për pranimin e 300 ushtarëve të rinj.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Mbrojtjes të drejtë aplikimi kanë të gjithë të interesuarit, nga mosha 18 deri 25 vjeç.
“Të gjithë të interesuarit për t’u bërë pjesë e Ushtrisë së Kosovës, mund të aplikojnë në ueb faqen e Ministrisë së Mbrojtjes, duke plotësuar formularin i cili së shpejti do të publikohet. Bëhu ushtar i Kosovës!”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes në Facebook.
Konkursi do të jetë i hapur nga data 9 shtator deri më 8 tetor 2024./ KultPlus.com
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit, do të organizojë një ekspozitë me temën “Muaji i Monumenteve Historike”.
Kjo ekspozitë ka për qëllim të risjellë në kujtesë trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë, duke shfaqur për publikun materiale grafike që përfaqësojnë monumentet e multurës, të shpërndara në të gjithë territorin e vendit.
Gjatë këtij muaji, IKTK do të jetë i pranishëm në disa nga monumentet historike më të rëndësishme të Shqipërisë, duke përfshirë Beratin, Gjirokastrën, Shkodrën dhe Elbasanin.
Me këtë ekspozitë, IKTK synon të kontribuojë në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, duke shërbyer si një urë lidhëse mes të kaluarës së pasur dhe brezave të rinj./atsh/ KultPlus.com
Është ndarë nga jeta në moshën 90 vjeçare ikona e artit dhe kulturës lezhjane Agim Velaj, kompozitor studiues, krijues si dhe themelues i ansamblit ‘’Çiftelia’’. Gazetari Gjergj Marku ka ndarë lajmin duke theksuar se gjatë katër dekadave deri sa doli në pension, Agim Velaj iu përkushtua me shpirt dhe shumë punë, dashuri dhe pasion afirmimit të Lezhës si një trevë përle kulture ku arti do të arrinte majat më të larta.
“Agim Velaj ishte nga ata njerëz që tejkalojnë vitet e jetës për të mbetur kujtesë e kohës dhe pasuri e kulturës së një populli, shkruante para një viti Suela Bala kur z.Velaj do të nderohej me titullin “Qytetar Nderi” i Lezhës, qytetit që e do dhe e nderon si babain e muzikës së kultivuar lezhjane”.
“Bashkë me Aleksandër Banushin dhe Loro Gjeçin, ai është pionier në krijimin e të parit ansambël folklorik kombëtar- Ansamblit Çiftelia në vitin 1966. Falë formimit të gjithëanshëm kulturor e muzikor, përvojës si udhëheqës artistik ndër vite i këtij ansambli, ka sjellë në Lezhe disa here çmime të para nga festivalet kombëtare të Gjirokastrës. Nxënësit e tij vazhdojnë sot të mbajnë gjallë dhe t’i japin vende nderi Lezhës“, shkruan Marku.
Ai sjell në vëmendje se si kompozitor Agim Velaj është autor i operetës “Bardha” Fituese e çmimit të dytë Vlorë 1969, si dhe i operetës “Kudo i pari”. Ka kompozuar; valle, suite-vallesh, këngë për fëmije, pjese per instrumenta popullore, balet me nje akt, si dhe i kenges se kultivuar.
“Agim Velaj është transkiptues i mbi 500 këngëve dhe mbledhës i 10.000 vargjeve. Është meritë e padiskutueshme e tij qemtimi i të gjithë materialit folklorik ku përfshihen; këngë të vjetra folklorike te 5 trevave te Lezhes te transkiptuara me nota duke ruajtur origjinalitetin si ne melodi edhe ne tekst si dhe valle te kenduara dhe shume melodi orkestrale. Me shume durim e perkushtim ai ka lene deshmi te arkivuara te mbi 500 artisteve te zhanreve te ndryshme qe kane performuar per 50 vjet art dhe kulture në rrethin e Lezhes.
Edhe në vitet e moshës së kaluar vazhdonte të punonte pa pushim, duke bere gati per botim nje tjeter enciklopedi muzikore me perla te trevave te ndryshme muzikore shqiptare, ndersa ka botuar ‘’Kange popullore Shkodrane’’ dhe “Nje karajfil bjen mbi kitare’’, si deshmi e dokumentuar me tekste, dhe partitura e visarit muzikor shqiptar.
Ai është dekoruar me urdhrin Naim Frasheri, ne mes dashurise dhe vleresimit qe publiku ushqeu per dekada te tera per muzikologun e permasave kombetare Agim Velaj. Personalisht si drejtues i kultures ne Mirdite pata fatin te bashkepunonim per Festfolkun e Gjirokastres 2009, ne perberje te grupit te Qarkut Lezhe, duke pare nga afer cilesite profesionale dhe njerezore te nje personaliteti te rrallë)“, shkruan Gjergj Marku./balkanweb/ KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për fillimin e vitit të ri shkollor2024/2045.
Përmes një postim në Facebook, Kryeministri Kurti ka thënë se shtatori është muaji i fillimeve të reja dhe i rrugëtimit të përbashkët të mësimdhënësve, prindërve, nxënësve dhe institucioneve të shtetit drejt të ardhmes.
“Edhe këtë vit, po bëjmë subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore për nxënësit nga klasa e parë (I) deri në klasën e nëntë (IX), ndërkohë që nga muaji gusht i kemi rritur shtesat për fëmijët deri në moshën 16 vjeç përmes së cilave po ofrojmë mbështetje të vazhdueshme të shtetit ndaj fëmijëve dhe familjeve”.
“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është angazhuar dhe kujdesur që ky vit i ri shkollor të fillojë mbarë, e unë uroj që ai të jetë i suksesshëm për të gjithë!”, ka thënë Kurti.
PriFest prezanton kategorinë kryesore garuese, ate të filmave të gjatë artistik nga Ballkani. Gjashtë produksione të reja nga rajoni ku tregohen histori të fuqishme dhe emocionale. Nga gjashtë filmat, një është premierë botërore, një premierë ndërkombëtare dhe të gjithë filmat janë premiera vendore.
Një tjetër karakteristikë e këtij seleksioni është se nga gjashtë filmat, katër janë produksion apo koproduksion me Kosovën.
Dhe filmat janë:
OKARINA nga Jeton ZOGJANI, Kosovë/ Premierë kosovare (92min).
Një tregim për problemet familjare që dalin në pah për shkak të ndryshimit të mënyrës së jetesës pas zhvendosjes në një vend të ri, të motivuar nga dëshira e fortë për të përmirësuar kushtet e jetesës. Shaqa dhe Selvia sfidojnë ndjenjën e tyre të “moralit” për të arritur një të ardhme më të mirë. Ndërkohë, përfshirja e pavetëdijshme e Giovannit i drejton ata në një rrugë të papritur. Megjithatë, udhëtimi i tyre nuk përfundon siç e kishin parashikuar.
EXCURSION nga Una GUNJAK, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Serbia, Franca, Norvegjia dhe Katari/ Premierë kosovare (93min).
Në Sarajevë, një adoleshente që kërkon vëmendje pretendon se ka kryer marrëdhënie për herë të parë gjatë një loje «e vërtetë apo guxim» mes nxënësve të shkollës së mesme. E ngatërruar në gënjeshtrën e saj, shpik një shtatzëni dhe bëhet qendra e një skandali që del jashtë kontrollit.
STORK nga Isa QOSJA, Mali i Zi, Kosova/ Premierë botërore (97min).
Një fshat i përgjumur në Mal të Zi, ku shumica e banorëve kanë emigruar në SHBA, është skena e një tregimi për tri gra që luftojnë për pavarësinë e tyre. Suta refuzon të martohet me vëllain autik të burrit të ndjerë, Vezire dhe Drane duhet të bashkëjetojnë ndërsa burri i tyre planifikon të largohet, Fize përpiqet të gjejë një nuse për djalin e saj. Një lejlek që arrin shqetëson banorët supersticiozë.
M nga Vardan TOZIJA, Maqedonia, Kroacia, Kosova, Franca, Luksemburgu/ Premierë kosovare (96min).
Në një pyll të izoluar, i riu Marko jeton nën mbikëqyrjen e kujdesshme dhe misterioze të babait të tij mbrojtës. Kjo jetë e mbyllur është e vetmja që njeh. Marko gjen ngushëllim në librin e tij të dashur me ilustrime, duke kërkuar përgjigje në faqet e tij. Një ditë, takimi me një djalë të pafajshëm dhe të mirë zemre, të quajtur Miko, sjell një shkëndijë ngrohtësie në botën e izoluar të Markos. Kurioziteti i tij rritet dhe Marko dëshiron të zbulojë sekretet përtej kufijve të pyllit. Një kthesë e hidhur e ngjarjeve i jep atij mundësinë më shpejt se sa e priste. Një udhëtim i errët e pret, i mbushur me rreziqe të panjohura dhe një pamje të një bote që ka ndryshuar përgjithmonë.
THIS IS NOT A LOVE SONG nga Nevio MARASOVIC, Kroaci/ Premierë ndërkombëtare (72min).
Një regjisor i famshëm në krizë të moshës së mesme fton ish-të dashurën e tij fatale në një hotel pranë liqenit për ta ndihmuar të shkruajë një skenar bazuar në marrëdhënien e tyre.
SILENCE OF SIRENS nga Gazmend Nela, Kosovë, Zvicër, Maqedoni e Veriut, Shqipëri/ Premierë Kosovare (90min).
Avniu është një polic trafiku në një qytet të vogël në Kosovë, një njeri i zakonshëm dhe familjar, as shumë i ndershëm as shumë i guximshëm. Ai dhe partneri i tij Gëzimi marrin ryshfete të vogla nga shoferët që kapin për shpejtësi. Një natë, ata shoqërojnë në stacion një prokuror ndërkombëtar që po ngiste i dehur me një çantë plot para në makinë, duke menduar se po bëjnë gjënë e duhur. Shpejt, të dy do të përfshihen në një rast korrupsioni që i tejkalon ata.
Oraret e shfaqjes së gjithë filmave do të publikohen së shpejti.
Edicioni 16-të mbahet prej 10-15 shtator 2024 në Kino Armata, Prishtinë./ KultPlus.com
Një “balenë spiune” nga Rusia është gjetur e vdekur në brigjet norvegjeze.
Trupi i saj, me nofkën Hvaldimir, u gjet në qytetin jugperëndimor të Risavikës dhe u dërgua në portin më të afërt për ekzaminim.
Balena u pa për herë të parë në ujërat norvegjeze pesë vjet më parë me një kamerë GoPro të bashkangjitur në një parzmore që shkruante “Pajisjet e Shën Petersburgut”.
Kjo ndezi thashethemet se gjitari mund të jetë një balenë spiune, diçka që ekspertët thonë se ka ndodhur në të kaluarën. Moska nuk iu përgjigj kurrë akuzave.
Trupi i pajetë i Hvaldimir u zbulua në fundjavë nga Marine Mind, një organizatë që ka ndjekur lëvizjet e tij prej vitesh.
Themeluesi i Marine Mind, Sebastian Strand i tha agjencisë së lajmeve AFP se shkaku i vdekjes ishte i panjohur dhe se trupi i balenës nuk kishte lëndime të dukshme.
Faik Imeraj me emrin artistik Bacifaik do të jetë pjesë e ekspozitës kolektive që do të hapet më 3 shator në Galerinë “Farbwerk M6 Konterkaro” në Hamburg të Gjermanisë, shkruan KultPlus.
Bacifaik do të prezantohet me tri portrete të artistëve të njohur, të titulluara: “Starry Knight” (Van Gogh) ; “Avida Dollars” (Salvador Dali)” dhe “Pablito” (Pablo Picasso), ku sipas Imeraj, kjo e fundit më herët është prezantuar edhe në Muzeun Picasso në Barcelonë.
Ekspozita kolektive e grupit “Jerwitz” do të qëndrojë e hapur deri më 10 shtator, dhe pjesë e kësaj ekspozite do të jenë artistët: Bacifaik, Johanne Meß, Roland Diehl, Holger Gläsel, Sandra Beranek, Sven Belitz, Lisa Urban, Khalil Gmes, Ëittek dhe Anna Fight.
KultPlus u prezanton edhe punimet e Bacifaik që do ti prezantojë në këtë ekspozitë./ KultPlus.com
Në një mesazh drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me rastin e çeljes së sesionit të ri, presidenti shqiptar Bajram Begaj, u ka bërë thirrje deputetëve të fokusohen në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin e Evropian, si dhe në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Begaj kërkoi që partitë politike të angazhohen në një dialog të frytshëm dhe në nisma ligjore të bazuara në shqetësimet e qytetarëve.
”Ne duhet të sigurojmë që çdo ligj që miratohet të jetë në përputhje me interesat e qytetarëve dhe me standardet më të larta demokratike. Kjo kërkon angazhim të përbashkët dhe përpjekje të vazhdueshme për të siguruar që Kuvendi të jetë gjithmonë i përkushtuar dhe të përmbushë rolin e tij mbikëqyrës, të garantojë balancën e pushteteve, si dhe të mbrojë interesat e popullit”, tha Begaj.
Në një kohë kur kjo legjislaturë po shkon drejt fundit dhe po afron viti elektoral, presidenti i Shqipërisë vlerëson se deputetët duhet të ushtrojnë me përgjegjësi mandatin në këtë drejtim, pasi, sipas tij, “po afron edhe momenti për të peshuar arritjet e sukseset, mangësitë dhe dështimet, për të vlerësuar vetveten, por dhe për t’u vlerësuar nga publiku”.
“Në këtë Shtator të ri, imazhi dhe performanca parlamentare janë sa të dëshiruara, aq edhe të domosdoshme që Kuvendi ynë të jetë arena frymëzuese e përballjes qytetare, ku zëra të ndryshëm përfshihen në një dialog të frytshëm”, u shpreh Begaj.
Përgjatë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kreu i shtetit shqiptar thekson se deputetët duhet të përmbushin në kohë masat ligjore të përfshira në Planin Kombëtar të Integrimit.
Gjithashtu, një tjetër çështje prioritare, sipas Begajt, është lufta kundër krimit dhe korrupsionit, për të cilën u shpreh se inkurajon Kuvendin të promovojë politikën e antikrimit dhe antikorrupsionit si një përballje reale me një të keqe që duhet ta luftojmë në çdo nivel e çdo fushë të këtij fenomeni gërryes për ekonominë dhe kërcënues për demokracinë.
Në këtë aspekt, Begaj u kërkoi deputetëve të mbështesin institucionet e drejtësisë dhe agjencitë e zbatimit të ligjit duke forcuar kapacitetet e tyre financiare, njerëzore dhe infrastrukturore.
Përsa u përket sfidave të reja globale që prekin çështjet e sigurisë, apo ato social-kulturore, presidenti Begaj theksoi nevojën e përditësimit të strategjive dhe kornizave ligjore për t’u përshtatur me ndryshimet gjeopolitike dhe zhvillimet e shpejta teknologjike.
Begaj përfundoi mesazhin e tij drejtuar Kuvendit duke u shprehur: Në këto kohë kur sakrificat e brezave po kthehen në mbështetje të gjeneratave të reja, duke i kthyer sfidat e ndryshme globale e rajonale në mundësi për vendin tonë, është e domosdoshme që parlamenti të bëhet aleati kryesor i përparimit të vendit tonë. Le ta kthejmë këtë hapësirë në Kuvendin e ideve më të bukura shqiptare e përballjes më të pasur demokratike të rajonit./TvKlan/ KultPlus.com
Në 2 shtator 1909 nisi Kongresi Kombëtar i Elbasanit, një mbledhje mbarëshqiptare, që mori vendime të rëndësishme për përhapjen e shkollave shqipe dhe të shkrimit shqip.
U thirr me nismën e klubit shqiptar të Selanikut. Morën pjesë si delegatë 35 përfaqësues të klubeve dhe shoqërive shqiptare midis të cileve O. Pojani, Grigor Cilka, Gj. e S. Qirjazi, Mithat Frashëri, Dervish bej Biçaku, Refik Toptani, A. Dakli, H. Ohri, Abdullah Koprëncka, Th. Papapano, N. Kaçori, S. Shuteriqi, Selman Blloshmi etj.
Kongresi vendosi të themelohej në Elbasan, një shkollë e mesme pedagogjike (normale) shqipe me gjashtë klasa, që do të përgatiste mësues për shkollat fillore shqipe dhe do të mbahej me kontributin e të gjitha klubeve dhe shoqërive shqiptare.
U vendos gjithashtu të ngrihej në Korçë shoqëria qendrore shkollore “Përparimi” e cila do të kujdesej për mbajtjen dhe administrimin e shkollës normale, do të punonte për hapjen e shkollave të tjera shqipe, për botimin e librave dhe teksteve shqipe. Në Kongres u kërkua që shoqëria “Përparimi” të njihej zyrtarisht prej qeverisë turke.
Vendimet e Kongresit të Elbasanit i dhanë një hov të mëtejshëm lëvizjes kombëtare./atsh/ KultPlus.com
Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci i ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për një vit të mbarë.
Në një postim në Facebook, ajo thotë se me punë e përkushtim, do ta realizojnë misionin për një arsim cilësor.
Tutje, Nagavci thotë se në bashkëpunim me shkollat, prindërit e mësimdhënësit suksesi do të jetë i garantuar.
“Të dashur nxënës, të nderuar prindër, mësimdhënës, udhëheqës të shkollave e zyrtarë komunal. Urime dita e parë e vitit shkollor. Një urim i veçantë për fatosat që për herë të parë ulen në bankat shkollore. Sot fillon një kapitull i ri për nxënësit tanë, shumë mundësi e përvoja të reja! Jam besimplotë për një vit motivues, frymëzues e punë me përkushtim nga mësimdhënësit, andaj dhe plot suksese për nxënësit tanë. Me punë e përkushtim do të realizojmë misionin tonë për një arsim cilësor. Në bashkëpunim me shkollat, prindërit, mësimdhënësit suksesi do të jetë i garantuar. Qoftë një vit i mbarë”, ka shkruar ministrja.
Një ekspeditë e re ka zbuluar ndryshimet në strukturën e anijes së famshme të Titanikut, e cila tregon se po shkatërrohet ngadaltë.
Imazhet e rralla treguan ndryshinet, ku më tepër vihen re tek kangjellat dhe pjesa e jashtme e anijes.
Humbja e parmakut, e përjetësuar nga Jack dhe Rose në skenën e famshme të filmit – u zbulua gjatë një sërë zhytjesh nga robotët nënujorë këtë verë.
Imazhet që ata kapën tregojnë se si rrënojat po ndryshon pas më shumë se 100 vjetësh nën valë.
“Harku i Titanikut është thjesht ikonik, ju i keni të gjitha këto momente në kulturën pop, dhe kjo është ajo që ju mendoni kur mendoni për mbytjen e anijes. Dhe nuk duket më kështu.
Është vetëm një kujtim tjetër i përkeqësimit që po ndodh çdo ditë. Njerëzit pyesin gjatë gjithë kohës: ‘Sa kohë do të jetë Titaniku atje?’ Thjesht nuk e dimë, por po e shikojmë në kohë reale”, tha Tomasina Ray, drejtoreshë e koleksioneve në RMS Titanic Inc, kompania që kreu ekspeditën.
Imazhet dhe një skanim dixhital nga një ekspeditë e vitit 2022 e kryer nga kompania e hartave në det të thellë Magellan dhe krijuesit e dokumentarëve Atlantic Productions tregojnë se kangjella ishte ende e lidhur megjithëse kishte filluar të konsumohej, por më pas besohet se ka rënë.
Nuk është e vetmja pjesë e anijes, e cila shtrihet 3800 metra poshtë, që po humbet në det. Struktura metalike po shkatërrohet nga mikrobet, duke krijuar stalaktite ndryshku të quajtur rusticles.
Ekspeditat e mëparshme kanë zbuluar se pjesë të Titanikut po shemben. Zhytjet e udhëhequra nga eksploruesi Victor Vescovo në vitin 2019 treguan ndryshimet.
Anija u mbyt në prill të vitit 1912 pasi goditi një ajsberg, duke rezultuar në humbjen e 1500 jetëve./TCh/ KultPlus.com
Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” ka marrë pjesë në festivalin spanjoll në Salamanka.
Ansambli “Shota” në edicionin e tretë të këtij festivali ka dhuruar shfaqje me elemente të kulturës dhe traditave shqiptare, përmes kostumeve tradicionale, ritmeve dhe koreografive të pasura.
Drejtori i Ansamblit, Mehmed Xhemajli, ka thënë se një performancë e tillë me elemente të kulturës dhe traditës shqiptare ka mahnitur shikuesit spanjollë.
“Performanca është pritur me shumë entuziazëm nga publiku vendas, i cili ka pasur mundësinë të njohë dhe të përjetojë nga afër një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare. Kjo shfaqje është një dëshmi e rëndësisë së ruajtjes dhe promovimit të traditave kombëtare në skena ndërkombëtare”, ka theksuar drejtori Xhemajli.
Ai më tej tha se një performancë e tillë e Ansamblit “Shota” në Salamankë jo vetëm që pasuron skenën kulturore ndërkombëtare, por gjithashtu forcon lidhjet kulturore mes Spanjës dhe Kosovës./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar fëmijët për fillimin e vitit të ri shkollor.
Në urimin e saj, ajo thotë se aty ku arsimi cilësor dhe përkushtimi janë prioritet, aty rriten gjeneratat që do të ndërtojnë të ardhmen e shëndoshë e përparimtare të shtetit tonë.
Më tej, presidentja tha se shkolla mbetet investimi më i rëndësishëm për çdo shoqëri që e do përparimin dhe zhvillimin.
Lexoni më poshtë urimin e plotë të shefes së shtetit:
Fillimi i vitit të ri shkollor është ditë e veçantë për nxënësit, por po kaq shumë edhe për prindërit dhe mësuesit. Është dita kur oborret e shkollave gumëzhijnë nga zërat e gëzuar të nxënësve që kthehen nga pushimet verore, nga përqafimet mes shokëve dhe shoqeve që nuk janë parë për një kohë të gjatë, dhe nga sytë plot kuriozitet të atyre që hyjnë për herë të parë në tempullin e dijes. Ky gëzim, ky entuziazëm dhe kjo energji që ndihet në çdo kënd të shkollës na rikujton edhe një herë se shkolla është vendi ku formësohen ëndrrat, zhvillohen talentet dhe ngriten themelet për një të ardhme më të mirë.
Por, përtej simbolikës së ditës së parë të shkollës, suksesi i arsimit varet nga angazhimi ynë i përbashkët për të krijuar një mjedis të sigurt dhe mbështetës për nxënësit dhe mësimdhënësit tanë. Shkolla mbetet investimi më i rëndësishëm për çdo shoqëri që e do përparimin dhe zhvillimin. Aty ku arsimi cilësor dhe përkushtimi janë prioritet, aty rriten gjeneratat që do të ndërtojnë të ardhmen e shëndoshë e përparimtare të shtetit tonë.
Të dashur nxënës, sot nisë një kapitull i ri plot me mundësi dhe ëndrra për t’i realizuar. Të nderuar mësimdhënës, vazhdoni t’i frymëzoni zemrat dhe mendjet e reja me pasion dhe përkushtim.
Urime për fillimin e vitit të ri shkollor! Qoftë ky vit një udhëtim i mbushur me suksese të panumërta, si dhe mësime të vlefshme që do t’ju udhëheqin gjatë gjithë jetës!
Shqipëria, një perlë e fshehur në Gadishullin Ballkanik, po bëhet me shpejtësi një nga destinacionet më të kërkuara evropiane për të udhëtuar në vitin 2024, shkruan Francesco Giuliani në të përditshmen italiane “Gaeta.it” .
E njohur për peizazhet e saj mahnitëse, trashëgiminë e pasur kulturore dhe reputacionin në rritje si një qendër për turizmin mjekësor, Shqipëria ofron një shumëllojshmëri atraksionesh që i përshtaten çdo lloji vizitori.
Në këtë artikull do të eksplorojmë faktorët që po nxisin bumin turistik të Shqipërisë, do të nxjerrim në pah atraksionet që duhen parë dhe do t’ju njohim me përvojat unike që e bëjnë këtë vend kaq të veçantë.
Nga plazhet idilike të Rivierës Shqiptare te trendi në rritje i turizmit dentar, ju rekomandojmë gjithçka që ju nevojitet për të planifikuar pushime të përsosura në Shqipëri.
Rritja e turizmit në Shqipëri: Çfarë fshihet pas këtij bumi? Pse turizmi në Shqipëri po rritet në 2024?
Sektori i turizmit në Shqipëri ka shënuar rritje të dukshme vitet e fundit dhe viti 2024 po pritet të jetë një vit rekord.
Disa faktorë kyç kanë kontribuar në këtë zhvillim, duke përfshirë stabilitetin politik, infrastrukturën e përmirësuar dhe strategjitë e marketingut – që e kanë pozicionuar Shqipërinë si një destinacion ekonomik dhe ekzotik.
Stabiliteti politik dhe përmirësimi i infrastrukturës
Vitet e fundit, Shqipëria ka pasur një stabilitet më të madh politik, duke krijuar një mjedis më të sigurt për turistët.
Ky stabilitet është shoqëruar me investime të konsiderueshme në infrastrukturë, si autostrada të reja, aeroporte të modernizuara dhe lidhje të përmirësuara të transportit, duke e bërë më të lehtë për vizitorët të eksplorojnë vendin.
Strategjitë efektive të marketingut
Si qeveria shqiptare ashtu edhe kompanitë private të turizmit kanë nisur fushata marketingu që promovojnë atraksionet unike të vendit.
Këto përpjekje janë fokusuar në tregjet kryesore evropiane si Italia, Gjermania dhe Britania e Madhe, ku besueshmëria dhe afërsia e Shqipërisë po tërheqin një gamë të gjerë turistësh.
Përballueshmëria
Krahasuar me destinacionet e Evropës Perëndimore, Shqipëria ofron një eksperiencë udhëtimi më të përballueshme pa cenuar cilësinë.
Qoftë akomodimi, ngrënia apo aktivitetet, vizitorët zbulojnë se kostot e tyre janë më të përballueshme në Shqipëri, duke e bërë atë një zgjedhje tërheqëse për ata që kërkojnë destinacione të lira.
Të dhëna statistikore
Sipas Ministrisë Shqiptare të Turizmit, mbi 6 milionë turistë vizituan vendin në vitin 2023, një rritje prej 20% krahasuar me një vit më parë.
Kjo prirje pritet të vazhdojë edhe në vitin 2024, me parashikimet që tregojnë rritje të mëtejshme – ndërsa më shumë vizitorë zbulojnë atraksionet e ndryshme të Shqipërisë.
Organizata Botërore e Turizmit (UNWTO) e ka njohur Shqipërinë si një nga destinacionet turistike me rritjen më të shpejtë të turizimit në Evropë, duke theksuar potencialin e saj për t’u bërë një vend kryesor turistik në rajon.
Destinacionet që nuk duhen humbur: Eksplorimi i atraksioneve kryesore të Shqipërisë
Vendet më të mira për tu vizituar në Shqipëri
Peizazhi i larmishëm i Shqipërisë ofron diçka për të gjithë, nga adhuruesit e plazheve deri tek adhuruesit e historisë.
Më poshtë renditen disa nga destinacionet kryesore – për t’i përfshirë në planet tuaja të udhëtimit 2024.
Zbuloni Rivierën Shqiptare
Riviera Shqiptare, një vijë bregdetare mahnitëse përgjatë detit Jon, është një nga atraksionet më të njohura të vendit.
E njohur për ujërat e saj të kristalta, shkëmbinjtë e lartë dhe qytetet e bukura bregdetare, Riviera është e përkryer si për relaks ashtu edhe për aventura.
Riviera ofron gjithashtu mundësi të shkëlqyera për sportet ujore, duke përfshirë kajak, ski jet dhe zhytje.
Ujërat e saj të pastra dhe jeta e pasur detare e bëjnë atë një parajsë për ata që kërkojnë aventura nënujore.
Saranda
Si porta e Rivierës Shqiptare, Saranda është një qytet i gjallë që ofron një kombinim të plazheve mahnitëse, vendeve historike dhe jetës së gjallë të natës.
Afërsia me zonën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s të Butrintit e bën atë një bazë ideale për të eksploruar bukuritë natyrore dhe historinë kulturore.
Ksamili
Ksamili është i famshëm për plazhet e tij të pacenuara dhe ujërat bruz.
Të krahasuara shpesh me Maldivet, plazhet e Ksamilit janë perfekte për not, zhytje dhe për të shijuar diellin.
Himara
Për një eksperiencë më të qetë, Himara ofron një vendstrehim të qetë me plazhe të qeta dhe një ndjenjë të fortë të kulturës tradicionale shqiptare.
Ky qytet i vogël është streha perfekte për të shmangur turizmin masiv.
Historia e pasur e Shqipërisë theksohet nga vendet e saj të shumta kulturore dhe historike, shumë prej të cilave njihen si vende të trashëgimisë botërore nga UNESCO.
Këto vende ofrojnë një vështrim në qytetërimet e lashta të vendit dhe ndikimet osmane.
Berati
I njohur si “Qyteti i një mbi një dritareve”, Berati është një qytet i listuar në UNESCO që ndërthur disa stile arkitekturore.
Shtëpitë osmane të ruajtura mirë dhe kishat bizantine e bëjnë atë një domosdoshmëri për adhuruesit e historisë.
Gjirokastra
Një tjetër vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Gjirokastra është e famshme për arkitekturën e saj otomane dhe kështjellën historike.
Rrugët me kalldrëm të qytetit dhe shtëpitë tradicionale ofrojnë një dritare në të kaluarën e Shqipërisë, ndërsa Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës feston trashëgiminë e pasur kulturore të vendit.
Butrinti
I vendosur pranë kufirit me Greqinë, Butrinti është një qytet antik që daton në shekullin e VIII para Krishtit.
Vendi është një thesar i gjetjeve arkeologjike, duke përfshirë teatrot romake, bazilikat bizantine dhe kullat veneciane, duke e bërë atë një nga atraksionet më të vizituara të Shqipërisë.
Turizmi i Aventurës në Shqipëri: Një Parajsë për adhuriesit e adrenalinës
Për ata që duan aventurën, Shqipëria ofron një gamë të gjerë aktivitetesh në natyrë, nga ecja në malet madhështore deri tek eksplorimi i shpellave misterioze.
Alpet Shqiptare
Të njohura si “Bjeshkët e Nemuna”, Alpet Shqiptare ofrojnë disa nga shtigjet më spektakolare të ecjes në Evropë.
Parku Kombëtar i Luginës së Valbonës është veçanërisht i popullarizuar për alpinistët, me majat e tij që të lëne pa frymë, luginat dhe fshatrat tradicionale malore.
Turne me biçikletë
Terreni i larmishëm i Shqipërisë e bën atë ideal për të apasionuarit pas çiklizmit.
Rrugë të shumta i çojnë çiklistët nëpër peizazhe piktoreske, nga rrugët bregdetare të Rivierës deri te shtigjet e thyera të brendësisë së vendit.
Speleologjia dhe ngjitja
Për ata që janë të interesuar të eksplorojnë mrekullitë nëntokësore të Shqipërisë, vendi është shtëpia e disa shpellave mbresëlënëse, si Shpella e Pëllumbasit dhe Shpella e Haxhi Aliut.
Ngjitja në shkëmb po fiton gjithashtu popullaritet, me shkëmbinj dhe male të shumta që ofrojnë ngjitje sfiduese për të gjitha nivelet e aftësive. /atsh/ KultPlus.com
Media e njohur britanike “The Independent” i ka kushtuar së fundi një artikull promovues Shqipërisë turistike.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale artikullin e medies britanike, ku Shqipëria përshkruhet si “një eksperiencë për t’u shijuar dhe promovuar”.
Një udhëtim në “kufirin e fundit të egër të Evropës” në kërkim të aventurave…
Kështu e përshkruan “The Independent” udhëtimin në Shqipëri, që nis nga Parku i Alpeve në veri, me Valbonën dhe Thethin e deri në Vjosë në jug.
“Shkova në kufirin e fundit të vërtetë të egër të Evropës për të gjetur aventura dhe për të shpëtuar nga turmat. Është shpallur si destinacioni tjetër i madh i pushimeve në plazh, por tre të katërtat e Shqipërisë janë male, lumenj dhe liqene”, shkruan “The Independent”.
Artikulli zbulon bukuri të pakrahasueshme natyrore në Alpet Shqiptare.
“Një detoks për jetën moderne, luginat janë të mbushura në mënyrë sporadike me kulla (shtëpi fermash në veri të Shqipërisë), të cilat janë qindravjeçare, ndoshta të njëjtat me ato që ka kaluar edhe shkrimtarja e udhëtimeve viktoriane Edith Durham”, shkruan “The Independent”./ KultPlus.com
Kam zbritur, duke të dhënë krahun, së paku një milion shkallë dhe tani që s’je më, zbrazëtia është në çdo prag. Qoftë dhe si i tillë, ish i shkurtër rrugëtimi ynë i gjatë. Imi po zgjat ende, e s’më lypen më rastisjet, rezervimet, kurthet, damkosjet e kujt beson se e vërteta qenka ajo që shquhet.
Kam zbritur miliona shkallë duke të dhënë krahun jo ngaqë me katër sy mbase shquhet më tepër. Bashkë me ty i kam zbritur ngaqë e dija se nga tonat, bebëzat e vetme të vërteta, ndonëse plot mjegull, ishin të tuat.
Romani “Një fije shprese, një fije shkrepëse” i Ag Apollonit është botuar në gjuhën malazeze nga shtëpia botuese “Fokalizator”, përkthyer nga Shkëlzen Maliqi. Romani do të promovohet më 13 shtator 2024, nga ora 21:00, në Book Caffe, në Podgoricë, në kuadër të Festivalit të Letërsisë Bashkëkohore (Festival Savremene Književnosti), ku, përveç autorit dhe përkthyesit, do të flasin edhe Nikollë Berishaj dhe Vladimir Vojinović, i cili ka shkruar parathënien për romanin.
Romani “Një fije shprese, një fije shkrepëse” është përkthyer në disa gjuhë dhe është promovuar në disa vende evropiane, si: Berlin, Frankfurt, Bruksel, Athinë, Zürich etj. Gjithashtu, ai është vlerësuar lart nga kritika shqiptare dhe ajo e huaj./ KultPlus.com
Nji bulkth vetmitar rreket me sfidue zhumhurin qytetas që klithë me za krejet prej altoparlantësh shakshi, t’varun si kurbanë modernë tallavashë. Kanga e bulkthit ju pergjet jehonave që s’kanë të tashme veç përshkojnë si rruzat në filispajë të shkuemen deri tek e ardhmja… Qyteti kalamendet n’jerm n’qasje të mirazheve sonambul kur hapëzojnë me duer para kah andrra.
Unë jam ajo radioja zaçjerrë me dy butona me frekuenca të fashituna kaherë, që sillen papra’ në kërkim të nji stacioni me destinacion të pacaktuem./KultPlus.com
Polonia përkujtoi të dielën 85 vjetorin e fillimit të Luftës së Dytë Botërore me një ceremoni që shënoi sulmet e para të Gjermanisë naziste të cilat shkaktuan konfliktin vdekjeprurës.
Rreth gjashtë milionë polakë vdiqën në konfliktin që la më shumë se 50 milionë njerëz të vrarë në të gjithë botën, përfshirë gjashtë milionë hebrenj që vdiqën në Holokaust, gjysma e të cilëve polakë.
Ceremonia përkujtimore të dielën u mbajt në Westerplatte, në bregun baltik të Polonisë, ku 85 vjet më parë një luftanije naziste hapi zjarr mbi një fortesë polake.
Kryeministri polak tha në fjalimin e tij të dielën se mësimet e dala nga Lufta e Dytë Botërore “nuk ishin abstraksion” ndërsa bëri krahasime me luftën në Ukrainën fqinje. “Kjo luftë po vjen përsëri nga lindja”, tha ai.
Ai u bëri thirrje vendeve anëtare të NATO-s që të jenë, siç tha ai, “plotësisht të përkushtuara ndaj mbrojtjes… kundër agresionit që po shohim sot në fushat e betejës në Ukrainë”.
Sulmet e Adolf Hitlerit kundër Polonisë bënë që Britania dhe Franca t’i shpallin luftë Gjermanisë naziste. Më 17 shtator të vitit 1939, Bashkimi Sovjetik pushtoi Poloninë.
Pasi nazistët prishën paktin me Moskën, aleanca e udhëhequr nga Gjermania, Italia dhe Japonia u përball me aleatët fitimtarë të udhëhequra nga Britania, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Andrzej Duda mori pjesë në ceremoninë e mbajtur në qytetin perëndimor polak Wielun, ku ranë bombat e para naziste 85 vjet më parë.
Presidenti Duda tha se “kërkimi i faljes” nga Gjermania nuk ishte i mjaftueshëm ndërsa bëri thirrje për dëmshpërblime, duke shtuar se: “Kjo çështje nuk është zgjidhur”. Edhe pse kanë kaluar 85 vjet që nga fillimi i luftës, sipas Polonisë ka ende çështje të pazgjidhura.
Qeveria polake pro-evropiane, e udhëhequr nga Kryeministri Donald Tusk, i ka kërkuar Gjermanisë dëmshpërblime financiare për shkatërrimet e trupave naziste.Edhe qeveria e mëparshme populiste, e cila humbi zgjedhjet në tetor, ka bërë thirrje të ngjashme më parë.
Gjatë vizitës për të shënuar përvjetorin e kryengritjes së Varshavës të vitit 1944, një revoltë e shtypur nga forcat pushtuese naziste ndërsa trupat sovjetike qëndruan duarkryq, Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier foli lidhur me planet për të ndërtuar një memorial në kujtim të viktimave polake nga forcat naziste.
“Po ndërmerren shumë përpjekje të tjera, përfshirë për të mbijetuarit e pushtimit gjerman. Dy qeveritë tona po bashkëpunojnë ngushtë për këtë”, tha ai. Megjithatë, Presidenti Steinmeier nuk dha detaje të mëtejshme mbi mundësinë e masave të kompensimit.
Sipas mediave polake, Varshava dhe Berlini po zhvillojnë bisedime për kompensim financiar të mbijetuarve të luftës naziste. Polonia vlerëson se rreth 70,000 njerëz do të përfitonin. /VOA/ KultPlus.com
Në muajin shtator të këtij viti, EBC ka vendosur të ofrojë zbritjen e madhe -30% në të gjithë artikujt vetëm për blerje online dhe vetëm më datën 2 shtator.
EBC Cosmetics është kompani lidere në industrinë e kozmetikës në vend, e njohur për origjinalitet dhe e vetmja kompani në Kosovë e autorizuar për shitjen në 9 pika zyrtare dhe online të brendeve më të njohura ndërkombëtare.
Në platformën për blerje online: www.ebc.shop ju mund të realizoni blerjen nga të gjitha qytetet e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. / KultPlus.com