Kur të jesh plakur

Poezi nga William Butler Yeats
Përktheu Orjela Stafasani

Kur të jesh plakur, thinjur dhe përgjumur të jesh,
përkulur pranë zjarrit këtë libër ngadalë lexo,
për shikimin e butë që patën sytë e tu ëndërro
dhe për hijet e tyre të thella që më s’do t’i kesh.

Sa shumë të tjerët t’i deshën çastet madhështore
dhe dashuruan bukurinë tënde, rrejshëm a vërtet,
por veç një burrë pas shpirtit tënd pelegrin u tret
dhe ta deshi fytyrën që e ndryshuan brengat njerëzore.

Dhe duke u përkulur në vatrën e oxhakut,
murmuron, pak trishtueshëm, se si iku kjo Dashuri
dhe fluturoi përmbi male, atje në lartësi,
duke fshehur fytyrën e saj mes yjesh. / KultPlus.com

Më 27 gusht të vitit 1770 lindi Hegeli, filozofi i shquar gjerman

George Wilhelm Friedrich Hegel, ishte i biri i një nëpunësi te thjeshtë te financave mbretërore. Liceun e mbaroi me 1788 dhe u anetaresua ne seminarin e Tubingenit ku studioi ne deget filozofi dhe teologji.

Ai ndante dhomën e konviktit me Fridrih Holderingun (1770-1834) dhe Fridrih von Shelingun (1775-1854). Hegeli e dha provimin perfundimtare me 1793 dhe me pas dha mësime private ne Berne deri me 1797. Nga ky vit e deri me 1800, ai dha leksione private ne Frankfurt-mbi-majn. Vdekja e babait i beri te mundur te shtinte ne dore nje trashëgimi te mjaftueshme për tu vendosur ne Jene. Atje, me 1801, mbrojti tezen e tij. E nisi si mesues privat, por me 1805 te gjithë e njihnin si profesori i jashtezakonshem i filozofise. Per dy vjet, Hegeli perfundoi vepren e tij te njohur “Phanomenologie des Geistes” (Fenomenologjia e Shpirtit).

Pak para se kjo veper te shihte driten e botimit me 1807, Hegeli mori drejtimin e gazetes se Bambergut “Bamberger Zeitung”. Ai mbajti nga viti 1808 deri me 1816, ai mbajti postin e rektorit te liceut artistik te Nurembergut. Rreth kesaj periudhe daton edhe vepra e tij e dyte “Wissenschaft der Logik” (Shkenca e Logjikes). Hegeli u martua me 1811 me Mari von Tuher e cila do te behej nena e dy femijeve te tij. Vepra e radhes mbante titullin “Enzyklopadie der philosophien Wissenschaften Grundrissen” (Enciklopedia e shkurtuar e Shkencave Filozofike) dhe nen titull shkruhej “Profesori i universitetit te Haidelbergut G.W.F. Hegel”. Dy botime me te plota pasuan ne ne vitet 1827 dhe 1830. Krahas karrieres didaktike, ne kete periudhe, Hegeli botoi (ne bashkepunim me nje reviste) studimin e tij “Heidelberger Jahrbucher” (Analet e Haidelbergut). Me 1818, ai u fut si profesor ne Universitetin e Berlinit ku zevendesoi Fihten. Leksionet e tij u bene menjehere te famshme. Nder deget qe jepte Hegeli rreshtohen:

  • Logjika
  • Historia
  • E Drejta dhe Feja
  • Antropologjia
  • Psikologjia
  • Filozofia e Natyrës
  • Filozofia e Artit
  • Historia e Filozofisë
  • Historia Botërore

Shkolla e krijuar rreth tij dote ushtronte nje ndikim te madh ne opinionin publik dhe qarqet intelektuale ne vitet 1820. Nje organ i shperndarjes se mendimit Hegelian ishte dhe “Jahrbucher fur wissenschaftliche Kritik” (Analet e Kritikes Shkencore)qe dote botohej per here te pare me 1827. Megjithate, ajo qe mbahet si vepra me e rendesishme e Hegelit qe botuar para 6 vitesh dhe titullohej “Grundlinien der Philosphie des Rechts” (Parime te Filozofise te se Drejtes). Ky ishte nje traktat filozofik-politik mbi teorine e shtetit. Njekohesisht, ishte i pari dhe i vetmi cikel konferendash berlineze te botuara nen kujdesin e vete Hegelit. Ai i vizitonte rregullisht qendrat me te medha intelektuale te Europes. Me 1830, mori postin e rektorit te Universitetit te Berlinit. Gjithesesi, ai nuk e mbajti kete post gjate. Me 14 nentor 1831, Hegeli nderroi jete. Ai u varros prne Fihtes ne varrezen protestante te kishes se Berlinit. Shume nga mendimet dhe parimet qe u botuan me vone ne “Vepren e Plot te G.W.F. Hegel” ishin ne te vertete leksione qe u botuan nga studentet pasi Hegeli nuk i la te shkruara.

Filozofia e Hegelit

Merita kryesore filozofike e Hegelit është krijimi i nje sistemi teresisht te ri dhe te thjështë te mendimit filozofik. Ai e konkretizonte : “…une them nje pohim. Ky pohim quhet ndryshe edhe teze. Bashkebiseduesi im me kundershton dhe ky kundershtim interpretohet si antiteze. Nese ne ulemi dhe nxjerrim nje perfundim te perbashket me konsensus ,ajo qe del quhet sinteze e dy mendimeve te meparshme…” Sot ne e shohim se sa i dobishem është ky parim, pasi vetem kompromisi nuk e bllokon ecurine e gjerave dhe nxjerr ne pah me te miren e te dyja paleve. Duhet pasur parasysh se ne kohen e Hegelit, ekzistonte nje rivalitet i madh mes empiristeve dhe racionalisteve. Edhe pse gjeografikisht, Hegeli gjendej ne gjirin e racionalisteve, ai nuk u fut as ne kampin e tyre, as ne ate te moralisteve. Shumica mund ta quajne Hegelin nje pozitivist te bazuar te historia.

Veprat më të njohura

  • Phanomenologgie des Geistes (Fenomenologjia e Shpirtit) – 1807
  • Wissenschaft der Logik (Shkenca e Logjikes) – 1808-16
  • Heidelberger Jahrbucher (Analet e Haidelbergut) – 1818
  • Enzyklopadie der phiosophien Wissenschaften Grundwissen (Enciklopedia e shkurtuar e Shkencave Filozofike) – Botimi I me 1821, botimi II me 1827, botimi III me 1830.
  • Grundlinien der Philosophie des Rechts (Parime te Fiolozofise te se Drejtes) – 1821
  • Jahrbucher der wissenschaftliche Kritik (Analet e Kritikes Shkencore) – 1827
  • Veprat e plota – pas vdekjes /KultPlus.com

Akademi solemne për 114 vjetorin e Nënës Terezë: Bota i njeh shqiptarët si popull i Nënë Terezës

Sot, në 114 vjetorin e lindjes së  Shën Nënë Terezës është organizuar një akademi solemne në shenjë nderimi e mirënjohjeje për veprën e jashtëzakonshme të saj, në Katedralen Nëna Terezë, në Prishtinë.

“Bota nuk e njeh shumë Nënë Terezën si bijë e popullit shqiptar, por bota i njeh shqiptarët si popull i Nënë Terezës”.

Kjo fjali u tha në këtë ceremoni solemne nga ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji i cili Nënë Terezën e cilësoi si personalitetin (pasaportën) më të mirë të popullit shqiptarë në botë.

“Ne sot po kujtojmë një bijë të popullit tonë, e cila nuk ka bërë asnjë gjë tjetër të veçantë përveç se e ka shpallur dashurinë e saj për Zoti, njeriun dhe nuk e ka harruar kurrë dashurinë për popullin e saj. Në fjalimin e saj Budapest ka thënë “Unë e kam në zemër popullin tim shqiptarë”. Kjo dëshmi e heshtur, ka qenë dëshmi e heshtur e çdo shtërngim dore të çdo kryetari të shtetit dhe çdo të pushtetshmi të botës- “Bëni diçka për popullin tim. Ne nuk kemi pasaportë e fytyrë më të mirë e më të shëndritshme, më të shkëlqyeshme se të paraqesim virtytet e popullit tonë përpara botës se sa Nënë Terezën”, ka thënë ipeshkvi Gjergji.

Ai më tej tha se Zoti në kohë të vështira e bekoi popullin shqiptarë me një “çikë” e cila dashurinë dhe shëmbëlltyrën e Zotit e shpërfaqi anekënd botës.

“Zoti vepron me heshtjen e dashurisë  së vet për ata që e duan, për gjithë krijesën e vet dhe të gjithë të krijuarit. Në vitin 1910 Zoti e bekoi popullin tonë me një çikë themi ne në Kosovë, duke e dhuruar në familjen e Bojaxhinjve. Në këtë heshtje dashurie e zbërtheu në të gjithë botën një dashuri të madhe të Zotit për njerëzit e vuajtur dhe për njerëzit e mjerë në skaj të botës në Indi, pasaj të rikthyer në të gjitha anët e botës, e pastaj edhe te ne”, ka thënë ai më tej.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Kryeministri Albin Kurti, i cili tha se Nënë Tereza është shqiptarja e parë që ka fituar çmimin Nobel për paqe, duke u bërë nënë për të gjithë njerëzit në nevojë.

“U bëmë bashkë për të kujtuar Nënë Terezën në datën e lindjes se saj. 114 vite më parë, më 27 gusht 1910, kur prifti Dom Zef Rama, e pagëzoi vajzën e sapolindur me emrin Anjeze. As ai që i dha emër dhe as prindërit e saj që e sollën në jetë nuk kishin se si ta dinin që para duarsh po e mbanin dikë që do të bëhej e njohur botërisht për njerëzinë e saj. Në moshën 69 vjeçare u laureua me çmimin Nobel për paqe, duke u bërë shqiptarja e parë e cila fiton cilëndo kategori të çmimeve”, tha Kurti.

Në këtë ceremoni gjithashtu u tha se Nënë Tereza nuk i përketë vetëm një komuniteti fetar pasi jeta dhe vepra e saj kishte dimension të gjerë në kuptimin e plotë të fjalës,  e cila dha shërbim pa dallim ndaj të afërmve në nevojë.

Kujtojmë që Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara datën 5 shtatorë e ka shpallur Ditë Ndërkombëtare të Bamirësisë, dhe në këtë ngjarje për të shenjtën e popullit shqiptar u paraqit kërkesa që data 5 shtator në Kosovë të shpallet Festë me motive e aktivitete të shumëta bamirësie./ KultPlus.com

Kumbaro: Shqipëria, vendi i nderit në panairin e turizmit ‘ITB Berlin’ në 2025-ën

 Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro zhvilluan sot një takim me CEO-n e Messe Berlin, Mario Tobias dhe drejtoreshën e ITB Berlin, Deborah Rothe.

Kumbaro u shpreh se me Tobias dhe Rothenisi bashkëpunimi shumë intensiv për prezantimin e Shqipërisë në panairin më të madh në botë të turizmit, “ITB Berlin”.

Kumbaro theksoi se, Shqipëria ka marrë ftesën për të qenë vendi i nderit për vitin 2025, si një promovim i jashtëzakonshëm global për Shqipërinë Turistike.

“Shumë i mbarë takimi i sotëm së bashku me Kryeministrin Edi Rama me CEO-n e Messe Berlin Mario Tobias dhe drejtoreshën e ITB Berlin Deborah Rothe me të cilët nisim bashkëpunimin shumë intensiv për prezantimin e Shqipërisë në panairin më të madh në botë të turizmit “ITB Berlin” në të cilin kemi marrë ftesën për të qenë Vendi i Nderit për vitin 2025, si një promovim i jashtëzakonshëm global për Shqipërinë Turistike”, shkroi Kumbaro në një postim në rrjetet sociale./ atsh/ KultPlus.com

Blasfemi

Poezia “Blasfemi” nga Migjeni, poezia e ndaluar dy herë nga qarkullimi, më 1936 dhe më 1944.

Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime tona,
e lutjet pa kuptim e shije përplasen për muret e tyne
dhe nga këto lutje zemra zotit ende s’iu thye,
por vazhdoi të rrahi ndër lodra dhe kumbona.

Xhamiat dhe kishat madhshtore ndër vende të mjerueme…
Kumbonaret dhe minaret e nalta mbi shtëpia tona përdhecke…
Zani i hoxhës dhe i priftit në një kangë të degjenerueme…
O pikturë ideale, e vjetër një mijë vjeçe!

Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime të fetarve.
Tingujt e kumbonës ngatrrohen me zanin e kasnecit,
Shkëlqen shejtnia mbi zhguna dhe ndër mjekra të hoxhallarve
O, sa engjuj të bukur përpara derës së ferrit!

Mbi kështjellat mijvjeçare qëndrojnë sorrat e smueme,
krahët i kanë varë pa shpresë-simbojt e shpresave të humbune
me klithma të dëshprueme bajnë fjalë mbi jetë të pëmdueme,
kur kështjellat mijvjeçare si xhixha shkëlqejshin të lumtuna. / KultPlus.com

Macron: Arrestimi i kreut të Telegram nuk ishte një akt politik

Presidenti Emmanuel Macron mohon se arrestimi i themeluesit të aplikacionit të mesazheve Telegram Pavel Durov ishte një akt politik.

“Arrestimi i presidentit të Telegram në tokën franceze u bë si pjesë e një hetimi gjyqësor në vazhdim. Nuk është në asnjë mënyrë një vendim politik”, shtoi ai.

”I takon gjykatësve të vendosin për këtë çështje”, shkroi Macron në X, duke thënë se kishte lexuar “informacion të rremë në lidhje me rolin e Francës në këtë rast”.

Pavel Durov, themeluesi dhe shefi ekzekutiv (CEO) i aplikacionit të koduar të mesazheve Telegram, u arrestua rreth orës 20:00 të shtunën teksa zbriti nga avioni i tij privat në aeroportin Bourget në Paris.

39-vjeçari franko-rus shoqërohej nga truproja e tij dhe një grua.

Arrestimi u krye nga Xhandarmëria e Transportit Ajror (GTA). Durov, i cili ishte i listuar në FPR (Dosja e Personave të Kërkuar), sapo kishte ardhur nga Azerbajxhani./ atsh/ KultPlus.com

Ekipet arkeologjike shqiptare dhe franceze, gërmime rreth banjave termale të Apolonisë

Ekipet arkeologjike shqiptare dhe franceze po kryejnë gërmimet rreth banjave termale të Apolonisë.

Ambasada e Francës në Shqipëri bëri të ditur sot se janë zhvilluar takime të frytshme me këto ekipe arkeologjike.

Ambasada franceze thekson këtë partneritet në këtë 1️0️0️ vjetor (1924-2024) të bashkëpunimit shkencor midis Francës dhe Shqipërisë, bazë e frankofonisë shkencore midis dy vendeve tona.

Ambasada e Francës ka përkujtuar themeluesit e këtij partneriteti të gjatë: Léon Rey (1887-1954), Pierre Cabanes (1930-2023) dhe Hasan Ceka (1900-1998)./atsh/ KultPlus.com

Filmi ‘AND THE WIND WEEPS’ i regjisores Aulona Selmani vjen si premierë regjionale në përmbyllje të PRIFEST-it

PRIFEST ka njoftuar se gara unike e filmave të metrazhit të mesëm do të përmbyllet me premierën regjionale të filmit AND THE WIND WEEPS, të regjisores Aulona Selmani.

Filmi flet për historinë e Dautit, një i mbijetuar i një masakre ku i është vrarë djali, ai për 20 vite është përgatitur për letrën që do ta lexojë nësë një ditë do e thërrasin në Hagë për të dëshumar për terrorin që kishte ndodhur atë ditë. Djegia e kujtimeve bëhet akoma më e rëndë kur Dauti merr lajmin se vëllau i tij ka vdekur nga një sëmundje, duke e lënë Dautin si të vetmin dëshmitar të ngjarjes. Kujtesa e tij fillon ta tradhëtojë në detaje të rëndësishme të dëshmisë. Ai ndoshta nuk do arrijë të vë drejtësinë në vend për djalin e tij. Për vëllaun e tij, për shokët e tij. A do e falin të vdekurit Dautin që ai i është nënshtruar harresës?

Filmi, nën regjinë dhe skenarin e Aulona Selmanit, vjen si premierë regjionale në PriFest.

Producent i filmit është Lauro Jenni. Kurse kasta e aktorëve që luajnë në film janë: Bislim Muçaj, Kumrije Hoxha, Armend Smajli, Afrim Muçaj, Ermal Sadiku.

Filmi i kaluar i regjisores Selmani ‘Si në vaj’ ishte fitues në edicionin e kaluar të PriFest.

Filmi do të shfaqet me datë 14 shtator 2024, në kino Armata, në bllokun e filmave të orës 17:00./ KultPlus.com

Ambasadori Rohde: Kosova e mbështeti Ukrainën edhe pse se ka njohur si shtet

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka përgëzuar Kosovën për mbështetjen e dhënë ndaj Ukrainës.

Në organizimin për Ditën e Ukrainës nga shtetet e QUINT-it, ai theksoi se Kosova është në mesin e shteteve ndërkombëtare që e mbështeti  Ukrainën.

“Ne do të qëndrojmë me Ukrainën për sa kohë që duhet kjo nuk është vetëm një premtim, por edhe një zotim që shumë shtete e kanë bërë, jam krenar të them që Kosova ka qenë pjesë e kësaj mbështetje nga fillimi”.

“Ky solidaritet veçanërisht i jashtëzakonshëm pasi që Ukraina nuk e ka njohur ende Kosovën si shtet sovran, ende kosovarët bashkëndjejnë dhimbjen e ukrainasve që nga ditët e fillimit të luftës”, tha Rohde. /Klankosova.tv/ KultPlus.com

Mbyllet për 1 vit Muzeu Kombëtar, ministri Çeku: Pas restaurimit Kosova do të ketë institucion modern muzeal

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se sot është marrë vendimi për mbylljen e Muzeut të Kosovës, për shkak të resturimit të përgjithshëm të cilit do t’i nënshtohet ky institucion.

Ministri Çeku tha se Këshilli Drejtues ka vendosur që mbyllja e muzeut do të  bëhet për 12 muaj, aq sa pritet të zgjasin punimet që fillimisht në fokus kanë konsolidimin e kushteve të deposë.

Ai më tej ka potencuar se Muzeu Kombëtar i Kosovës pas restaurimit do të jetë institucion modern muzeal, me standard të ri të dokumentimit dhe prezantimit të historisë.

“Kontrata për restaurimin e përgjithshëm tashmë është nënshkruar, ndërsa sot Këshilli Drejtues ka marrë vendim për mbylljen e Muzeut për 12 muaj, aq sa pritet të zgjasin punimet që fillimisht në fokus kanë konsolidimin e kushteve të deposë.

Krahas restaurimit po vazhdon trajtimi i fondit muzeor, ndërsa po formohet komisioni profesional për rikonceptimin e ekspozitave të përhershme”, ka thënë Ministri Çeku./ KultPlus.com

Migjeni, model i jashtëzakonshëm i prozës moderne shqiptare

Millosh Gjergj Nikolla ose siç njihej me pseudonimin e tij të shkrimit Migjeni, ishte poet dhe prozator i shquar shqiptar i viteve 1930.

Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të. Për epokën ishte një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma dhe ndikimi mbi letërsinë shqipe të kohës ishte i madh.

Migjeni u lind më 13 tetor 1911 në Shkodër në një familje ortodokse. Mbiemri i Millosh Gjergj Nikollës vjen nga gjyshi i tij Nikolla Dibrani, një shqiptar i ardhur nga krahina e Rekës (sot në Maqedoni), ku ishte pjesë i komunitetit ortodoks që lindi një emër tjetër në lëmin e poezisë, Josif Jovan Begerin.

Migjeni kishte bindje të përparuara për kohën e tij, me të cilat filloi të brumoset që në bankat e shkollës nën ndikimin e veprave të autorëve përparimtarë. Punën si shkrimtar e nisi kur në letërsinë shqiptare po forcohej rryma demokratike me shkrimet e tij realiste, thellësisht novatore nga brendia dhe forma, dha ndihmë të madhe në zhvillimin e saj të mëtejshëm.

Konsiderohet që Migjeni kaloi nga një romantizëm revolucionar në realizëm kritik gjatë jetës së tij. Ai pasqyroi varfërinë e thellë të viteve kur jetoi, dhe duke u dalë zot heronjve të krijimeve të tij si “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni ?”, etj. fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve të popullit.

Ndikimi i Migjenit mbi rrethet e rinisë antiçifligare ishte i ndjeshëm në vitet kur shkroi. Një shtysë të posaçme mori përhapja e krijimtarisë së tij pas Luftës së Dytë Botërore, kur regjimi komunist mori përsipër botimin e plotë të veprave, të cilat në vitet 1930 kishin qenë pjesërisht të pabotuara.

Ai ka vdekur më 26 gusht 1938. Me interesimin e Republikës Popullore të Shqipërisë, eshtrat e Migjenit u sollën në atdhe në vitin 1956. Po ashtu, Migjenit iu nda titulli “Mësues i Popullit” post-mortem në vitin 1957. / KultPlus.com

Kurti: Mbështetja për miqtë ukrainas shkon përtej llogaritjeve politike, tregon përkushtimin për të vepruar në unitet me partnerët

Kryeministri Albin Kurti tregoi në një pritje të organizuar për nder të Ditës Kombëtare të Ukrainës se çfarë ka bërë Kosova për ta mbështetur këtë shtet që prej kur Rusia nisi pushtimin e tij.

Kurti tregoi se Qeveria ka miratuar 13 paketa sanksionesh amerikane kundër Rusisë dhe Bjellorusisë. Ai tha se mbështetja e Kosovës për “miqtë ukrainas shkon përtej llogaritjeve politike”.

Kurti tha se mbështetja e Kosovës për Ukrainën “tregon përkushtimin tonë për të vepruar në unitet me partnerët tanë ndërkombëtarë kundër agresionit të paligjshëm dhe të paprovokuar të Rusisë”.

“Rusia ka qenë gjithmonë joeuropiane”, tha ndër tjerash Kurti në një fjalim në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

“Solidariteti ynë [për Ukrainën] është detyra jonë që i përkasim kontinentit europian”, tha ai.

Amfiteatri i Durrësit, ‘magnet’ për turistët

Durrësi po tërheq gjithnjë e më shumë turistë, falë edhe thesareve të tij kulturore dhe historike. Amfiteatri Romak, një nga atraksionet kryesore të qytetit antik, mahnit vizitorët me historinë dhe arkitekturën e tij të lashtë.

“Jam nga Sllovakia, Amfiteari është shumë i bukur. Është hera e parë që vij  në Shqipëri dhe mendoj që është mahnitëse.”

“Më pëlqen ky vend, historia e tij, edhe mozaikët që pash.”

“Kthehemi për të disatën herë në Shqipëri sepse më pëlqen shumë, veçanërisht Durrësi”.

“Është shumë i bukur ky sit, historia e tij është interesante po aq sa mënyra që i ka rezistuar kohës.”

Amfiteatri, i ndërtuar në shekullin e II Pas Erës Sonë gjatë periudhës Romake, mbetet një nga destinacionet turistike më të vizituara në vend. Statistikat tregojnë një rritje të dukshme të interesit të vizitorëve gjatë periudhës Janar-Korrik.

Jona Saraçi, specialiste në Qendrën Muzeore të Durrësit, thekson se turistët që e vizitojnë Amfiteatrin i përkasin grupmoshave të ndryshme, por mbizotëron mosha e tretë.

Amfiteatri ka një kapacitet prej rreth 15,000 spektatorësh dhe është përdorur për lojëra gladiatorësh dhe shfaqje të tjera publike në atë periudhë.

Me kalimin e kohës, ai ka mbetur një dëshmi e fuqishme e historisë dhe traditës së lashtë të Durrësit, duke tërhequr çdo vit mijëra vizitorë vendas dhe të huaj./klantv/ KultPlus.com

Presidenti Begaj dekreton rektorët e rinj: Universitetet të jenë vende ku ndriçon dija

Presidenti Bajram Begaj dekretoi sot rektorët e rinj të universiteteve.

Gjatë fjalës përshëndetëse në ceremoninë e dekretimit, Presidenti Begaj theksoi sfidat me të cilat përballet arsimi i lartë shqiptar dhe misionin e drejtuesve të universiteteve publike.

Të pranishëm në ceremoni ishin ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, kryetarja e Komisionit të Edukimit dhe Medies, Ina Zhupa si dhe kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi.

Presidenti e cilësoi këtë ditë si pikënisje që do të shënojë fillimin e një kapitulli të ri në jetën e tyre akademike, një mundësi e vlefshme për të hedhur themelet për një përvojë të re e të pasur universitare.

“Të sapozgjedhur në këtë detyrë të rëndësishme, ju po bëheni tashmë drejtues të një komuniteti dinamik, të gatshëm për t’u ballafaquar me sfidat që dikton e sotmja dhe e ardhmja e vendit. Ju dhe universitetet që do të drejtoni ndani objektiva të përbashkëta dhe bashkoheni në dëshirën e arritjeve të larta akademike për të kontribuar pozitivisht në shoqërinë tonë dhe farkëtimin e një të ardhmeje më të mirë për brezin tonë dhe brezat që do të vijnë”, u shpreh Begaj.

Sipas Begajt, rektorët kanë sot përgjegjësinë dhe privilegjin të krijojnë kushtet ku rinia shqiptare mund të shfrytëzojë plotësisht potencialin e vet human dhe profesional.

“Është detyra juaj të siguroni që universitetet tona të jenë vende ku ndriçon dija, ku studentët të frymëzohen dhe motivohen, ku nxitet liria akademike, ku rritet cilësia e mësimdhënies, ku kultivohet, përmirësohet dhe promovohet kërkimi shkencor, ku krijohet një mjedis që nxit mendimin kritik, krijimtarinë dhe inovacionin”, shtoi ai./atsh/ KultPlus.com

Victor Hugo: Viti nëntëdhjetetre

Fragment nga romani, përkthyer nga Asllan Saraçi

LIBRI I GJASHTËPAS FITORES, VJEN LUFTA

II

GOVENI I MENDUAR

Hipur kalit të shfrenuar të mendimeve, Goveni kalëronte diku larg, shumë larg. Një ndryshim i padëgjuar kishte ndodhur. Markezi dë Lantenak ishte shpërfytyruar, ai e kishte parë me sytë e tij. Kurrë s’do ta kishte besuar se një ndryshim i tillë, kishte ardhur nga ndonjë ndërlikim i ngjarjeve. Nuk do ta kishte imagjinuar kurrë, as në ëndërr, se diçka e tillë mund të ndodhte. E paparashikuara, ajo forcë e pashpjegueshme, që e bën njeriun lojë të vullnetit të saj kapriçioz, e kishte plagosur Govenin dhe e mbante atë nën pushtetin e saj.

Goveni kishte para vetes të pamundurën që ishte bërë e mundur, madje e dukshme, prekshme, e pashmangshme, dhe e pamëshirshme. Ç’mendonte për këtë? Nuk ishte fjala t’i bënte bisht, por të merrte një vendim. Ishte shtruar një problem përpara tij dhe ai s’mund t’i ikte. Një problem i parashtruar nga kush? N ga ngjarjet. Dhe jo vetëm kaq. Sepse, kur këto ngjarje- që janë të ndryshueshme, – na ofrojnë një problem, drejtësia – që është e pandryshueshme, – na thërret ta zgjidhim atë. Prapa resë që na bën hije, qëndron ylli që na ndriçon me dritën e tij. S’i shpëtojmë dot as dritës, as hijes së tij.

Goveni, si në një marrje në pyetje, kishte dalë përpara dikujt. Dikujt që ishte më i tmerrshëm se çdo gjykatës: ndërgjegjes së tij. Goveni ndiente se gjithçka lëkundej brenda tij. Zgjidhjet, premtimet, vendimet e tij të sakta, të drejta dhe të padiskutueshme, të gjitha lëkundeshin e tronditeshin në thellësi të shpirtit të tij. Dridhje, ndoshta edhe “tërmete” bien edhe në një shpirt njerëzor. Sa më shumë mendonte për çka kishte parë, aq më shumë e ndiente atë lloj tërmeti. Dhe shqetësohej, shpërqendrohej. Ai besonte se ishte, dhe, në fakt, ishte në absoluten. Mirëpo, sapo kishte zënë të shfaqej një absolute tjetër, më e lartë, superiore. Mbi absoluten e revolucionit, ishte absolutja njerëzore.

Çka po ndodhte nuk mund të shmangej; ngjarja ishte e rëndë. Edhe Goveni bënte pjesë në këtë ndodhi. E kjo do të thoshte se ai s’mund të dilte apo të tërhiqej prej saj, pavarësisht që Simurdeni kishte thënë: “Kjo punë nuk të përket më”. Goveni ndiente në vetvete diçka të ngjashme me atë që pëson një pemë kur e shkulin me gjithë rrënjë. Çdo njeri ka bazamentin e tij, e çdo lëkundje e këtij bazamenti, shkakton tronditje e pështjellim, e pas tronditjes e pështjellimit vjen një turbullirë e thellë.

Goveni po e vuante këtë turbullirë. Shtrëngonte kokën me duar, sikur të nxirrte prej saj të vërtetat që i duheshin. S’ishte i lehtë orientimi në atë lloj turbullimi: përkundrazi, s’kishte gjë më të vështirë; ai kishte para vetes shifra të tmerrshme, dhe duhet të nxirrte totalin. Përpiqej t’i dilte në fund, duke u sforcuar të riorganizonte idetë e tij, të disiplinonte kundërshtitë brenda tij, dhe të përmblidhte faktet e ngjarjet. I duheshin edhe vetë Govenit. E kujt nuk i ka ndodhur, në një çast sublim, të bëjë për vete një raport, apo ta marrë në pyetje veten e tij, kur është fjala itinerarin që duhet të ndjekë, si për të bërë përpara, ashtu edhe për t’u tërhequr pas.

Goveni kishte qenë pjesëtar i një mrekullie. Kishte parë se si, në të njëjtën, zhvillohej luftë tokësore dhe luftë qiellore. Lufta e së mirës kundër së keqes, ku një zemër e frikshme ishte mposhtur e thyer copash. Duke pasur parasysh njeriun me të gjitha të këqijat e tij: dhunën, verbërinë, krenarinë, egoizmin, për Govenin ishte vërtet një mrekulli. Humanizmi kish fituar mbi njeriun. Njerëzorja mbi çnjerëzoren. Po me çfarë mjetesh, vallë? Si? Qysh? Tek? Të mundej kështu një kolos i mërisë dhe i urrejtjes? Me çfarë arme magjike? Me magjinë e një djepi. Goveni ishte mahnitur. Verbuar.

Në kumin e luftës civile, të përplasjeve për jetë a vdekje dhe të të gjitha hakmarrjeve, në çastin më të errët dhe më të dhunshëm të pështjellimit, kur krimi villte flakët e tij dhe urrejtja gjithë të zezat e saj, kur lufta atë çast gjithçka e kthente në plumb, ku s’merrej vesh ku ishte e drejta, e ndershmja dhe e vërteta, papritmas e panjohura, paralajmëruesja misterioze e shpirtrave, kishte bërë që mbi dritën dhe errësirën njerëzore të shndriste drita e madhe dhe e përjetshme, drita e amshuar.

Nga dueli fatal midis gënjeshtrës dhe së vërtetës, papritmas dhe rrëzëlluese, ishte shfaqur fytyra e së vërtetës absolute. Në skenë hyri një forcë e re: forca e të dobëtit.

Kishin parë tri qenie të vogla, të gjora, të lindura së fundmi në këtë botë, të pavetëdijshme për gabimin, jetimë, të braktisur, të vetmuar, që kishin kundër tyre luftën civile, të gjitha gorgonat,- hakmarrjen, vrasjet, masakrat, vëllavrasjen, zemërimin, tërbimin dhe keqdashjen, që triumfonin; kishin parë dështimin e një zjarri famëkeq të ndezur me qëllim kriminal; kishin parë paramendimet mizore të shpërqendruara dhe të dështuara; kishin parë egërsinë antike feudale, përçmimin e vjetër të paepur, të ashtuquajturën përvojë të nevojave të luftës, arsyen shtetërore, të gjitha paragjykimet arrogante të pleqërisë së egër, sesi zhdukeshin para shikimit të kaltër, fëmijëror e qiellor të atyre që sapo kishin nisur të jetonin; shpjegimi është i thjeshtë: sepse kushdo që sapo ka nisur jetën, nuk e njeh të keqen e nuk ka bërë keq, ai është ndershmëria dhe drejtësia, e vërteta dhe dëlirësia. Engjëjt e rritur të qiellit janë te fëmijët e vegjël të tokës. Kishin parë diçka të plotfuqishme që ngrihej mbi ato tmerre të tmerrshme: pafajësinë. Në triumf. Dhe s’ka si të mos shkojë mendja te kjo forcë e re, forca e të dobëtit, dhe të mos thuash me plot gojën se nuk ekziston lufta civile, barbaria, urrejtja, krimi dhe errësira; se për t’i zhdukur gjithë këta përbindësha mjafton ky agim i jetës, që quhet fëmijëria.

Kurrë më parë, Satanai nuk kishte qenë kaq i dukshëm, as Zoti. Ishte një lloj dyluftimi që kishte pasur për arenë një ndërgjegje: atë të Lantenakut. Tani dyluftimi po niste sërish, por më i pamëshirshëm dhe ndoshta më vendimtar, me arenë një tjetër ndërgjegje. Ndërgjegjen e Govenit. Çfarë fushëbeteje qenka njeriu! Shpesh e lëmë veten në dorën e këtyre perëndive, këtyre përbindëshave, këtyre gjigantëve – mendimeve tona! Shpesh këta luftëtarë të tmerrshëm shkelin me këmbë shpirtin tonë. Goeveni shtrëngonte kokën me duar.

Markezi de Lantenak, i rrethuar muresh të hekurta, e zjarresh, i bllokuar si bisha në cirk, brenda atij katrori burg futur gurëve e shkëmbinjve, kishte dalë, ishte arratisur. Duam s’duam, ishte një mrekulli, një kryevepër. Kishte hyrë në pyll dhe ishte bërë sërish zot i tij, për t’u fshehur në të, zot i vendit për të luftuar, ishte bërë zot i errësirës për t’u zhdukur nga sytë e njerëzve. Ishte bërë sërish njeriu i frikshëm që shkon e vjen si një endacak ogurzi, kapiten i të padukshmëve, kapo i njerëzve të nëndheshëm, zoti i pyjeve.

Luani kishte rënë në lak, por prapë kishte shpëtuar. Dhe vetë ishte kthyer prapë dhe vetë e kishte vënë këmbën në atë lak. Pa e detyruar askush, me dashjen e tij si një zgjedhje e tij, kishte braktisur sërish gjithçka kishte fituar. Me pyllin, sigurinë lirinë. I hyri zjarrit me jetën në fill të perit, herën e dytë, duke zbritur atë shkallën e që të tjerët i shpëtoi por atë e çoi në duart e armiqve të tij. Përse e bëri këtë? Për të shpëtuar tre fëmijë. Po tani ç’do të bëhej me këtë shpëtimtar? Do t’i pritej koka në gijotinë.

Do të jepte jetën për tre fëmijë. Mos ishin fëmijët e tij? Jo. Të ndonjë të familjes apo të ndonjë të afërmi? Jo. Të rangut të tij? Jo. Ata ishin thjesht tre fëmijë të mjerë, të panjohur, të rreckosur e zbathur, të rastësishëm. Markezi plak, ky princ, i shpëtuar, i lirë, triumfator – sepse të shpëtoje nga ai burg-varr me atë arratisje spektakulare ishte një kryevepër, një fitore e triumf më vete – kishte rrezikuar gjithçka, kishte kompromentuar gjithçka, dhe i shpëtoi fëmijët. Por me këtë akt u solli armiqve të vet kokën e tij që deri atëherë e tmerrshme dhe e llahtarshme, kurse tani e madhërishme, ua kishte afruar si dhuratë.

Ç’do bëhej? Do ta pranonin. Midis jetës së tij dhe jetës së të tjerëve, Lantenaku kishte zgjedhur opsionin më të lartë: vdekjen e tij. Dhe do t’ia pranonin këtë opsion. Do t’ia prisnin kokën. Çfarë shpërblimi për heroizmin! T’i përgjigjeshe këtij akti të bukur njerëzor, me një akt kaq barbar e mizor, do të ishte një turp për Revolucionin, një poshtërim për Republikën!

Ndërsa njeriu i paragjykimit dhe i robërisë, befas i transformuar i kthehet njerëzores, humanizmit, ata, çlirimtarët dhe emancipuesit do të mbeteshin në luftën civile, në zakonin e gjakderdhjes e gjakmarrjes, në zakonin barbar të vëllavrasjes! Kjo do të sillte që ligji i lartë hyjnor i faljes, i vetëmohimit, i ringjalljes dhe i sakrificës, do të ekzistonte për ushtarët e gënjeshtrës, dhe jo për ushtarët e së vërtetës! Çfarë?! Të mos luftosh për shpirtmadhësinë?! Të dorëzohesh përballë kësaj disfate? Të jesh më i forti dhe të dalësh më i dobëti? Të jesh fitimtar dhe të dalësh vrasës? Dhe, në fund, të shpallësh se monarkia i shpëton fëmijët, kurse republika vret pleqtë, vret shpëtimtarët!

Dhe njerëzia do të shikojnë të shfaqet ky ushtar i madh, ky tetëdhjetëvjeçar i fuqishëm dhe pa armë, më shumë i tradhtuar sesa i kapur, duke pasur ende mbi ballë djersën e përkushtimit pas një akti madhor sakrifice e bujarie, duke ngjitur shkallët e podiumit të gijotinës, sikur të ngjiste shkallët e një apoteoze!

Pastaj do t’ia vinin nën thikë atë kokën e thinjur, rreth së cilës do të fluturonin tre shpirtrat e tre engjëjve të shpëtuar, e, përballë një torture kaq të turpshme të xhelatëve, të gjithë do të shikonin fytyrën e buzëqeshur të këtij njeriu, si dhe fytyrën e përskuqur e të nxirosur të republikës! Çdo të bënte ai që kishte fuqinë për ta parandaluar? Do ta lejonte? Apo do të abstenonte? Do të bënte sikur s’e kuptonte që heqja dorë nga autoriteti është e njëllojtë më bashkëfajësinë? Midis atij që kryen një faj dhe atij që e lejon ta kryejë, ky i fundit është më i keq, sepse është frikacak.

Por ja që e kishte dhënë fjalën se me Lantenakun ndryshonte puna dhe se Goveni, pavarësisht shpirtmadhësisë së tij, do ta mbante fjalën: do t’ia dorëzonte Simurdenit. Mirëpo, a ishte po ai markezi Lantenak? Sepse, deri tani te Lantenaku Goveni kishte parë vetëm luftëtarin barbar, skllav i fanatizmave mbretërore dhe feudale, vrasësin e të burgosurve, gjakatarin… Natyrisht që s’ishte punë frike. Përkundrazi. Ai ishte në gjendje ta neutralizonte dhe ta bënte të paguante për krimet e për çdo të keqe që kishte bërë. Por sepse pikërisht tani Goveni besonte se kishte ndryshuar diçka. E rëndësishme dhe e çuditshme. Pas një kthese të papritur të ngjarjeve, Lantenaku shfaqej një tjetër personazh. Një hero kishte dalë nga përbindëshi, madje më shumë se një hero: një njeri. Më e lartë se një shpirt, një zemër. Para Govenit tani nuk qëndronte një vrasës, por një shpëtimtar.

Një dritë qiellore derdhej mbi Govenin dhe atij i dukej sikur Lantenaku e kishte rrëzuar me një rrufe mirësie, virtyti.

Mos ndoshta qëllimi i Revolucionit është të denatyrojë njeriun, të prishë familjen, të mbysë njerëzimin? Larg qoftë! Qëllimi i tij është të afirmojë realitetet supreme, dhe jo t’i mohojë ato, gjë që bëri të shpërthente viti tetëdhjetenëntë.

Të rrëzosh bastijat do të thotë të ngresh njerëzimin; të çrrënjosësh feudalizmin, do të thotë të rrënjësosh familjen. Meqenëse autori është pikënisja e autoritetit dhe meqë autoriteti është i përfshirë tek autori, nuk ka autoritet tjetër përveç atësisë; që këtej rrjedh legjitimiteti i bletës – mbretëreshë, e cila krijon popullin e vet dhe që, duke qenë nënë, është mbretëreshë; që këtej rrjedh edhe absurditeti i mbretit – njeri, i cili, duke mos qenë babai, nuk mund të jetë zoti; pra, del edhe heqja apo zhdukja e mbretit, pra që këtej rrjedh lindja e republikës. Çfarë është e gjitha kjo? Është familja, njerëzimi, revolucioni. Revolucioni është lartësimi i popullit; dhe në thelb, Populli është Njeriu.

Çështja shtrohet nëse, ndërsa Lantenaku kthehej te njerëzimi, humanizmi, Goveni, në të kundërt, a do të kthehej në familjen e tij? Është çështje që shtrohet për të mësuar nëse daja dhe nipi do të bashkoheshin në dritën më të lartë, ose nëse përparimi i ungjit do të përputhej me një tërheqje të nipit. Në këtë luftë patetike midis Govenit dhe ndërgjegjes së tij dukej se zgjidhja ishte vetvetiu. Kështu shtrohej kjo çështje, në një debat patetik midis Govenit dhe ndërgjegjes së tij dhe dukej se zgjidhja dilte vetvetiu: Lantenaku duhej shpëtuar. Po. Po Franca? Franca ishte në pikë të hallit! E dorëzuar, e tradhtuar, e hapur, e shpërbërë.

Ajo s’kishte më hendek: Gjermania mund të kalonte lumin Rin; ajo s’kishte më mur: Italia mund kapërcente Alpet, kurse Spanja malet Pirenej. I kishte mbetur vetëm Oqeani – humnera e pafundme ujore e të cilit ishte në anën e saj. Franca mund të mbështetej aty, dhe, ashtu gjigante siç ishte, në atë pozicion të pathyeshëm e të pamposhtur, të luftonte gjithë botën. Mirëpo ajo ishte në prag të humbjes edhe të këtij pozicioni, sepse oqeani s’ishte më i saj, dikush tjetër kishte hyrë: Anglia. Është e vërtetë se Anglia s’dinte si ta kapërcente, por një njeri ishte gati ta kapte për dore dhe ta drejtonte, sepse ky njeri ishte gati t’i thoshte Pittit, Kregut, Kornualisit, Dundasit, por edhe piratëve: ejani, pas meje! Dhe, në fund, ky njeri ishte gati të bërtiste: Angli, pushtoje Francën!

Dhe kush tjetër mund të ishte ky njeri, përveçse markezit dë Lantenak. Pas tre muajsh ndjekje e përndjekje këmbëngulëse, më në fund, ky njeri ishte kapur dhe burgosur. Dora e Revolucionit ra mbi këtë të mallkuar, mbi këtë ruajalist gjakatar. Sikur ta kishte shkruar vetë Zoti, me ato mënyrat e veta misterioze, të cilat nga lart, përzihen poshtë me gjërat njerëzore, ai është në birucën e familjes së vet dhe pret dënimin; ky njeri i feudalizmit, ishte mbyllur në harresën e feudalizmit; gurët e kështjellës së tij, ishin rebeluar kundër tij dhe e kishin mbyllur brenda tyre; ai që donte ta dorëzonte atdheun e tij po dorëzohej nga shtëpia e tij.

Duket se e gjithë kjo ishte dora e Zotit. Ora e drejtësisë kishte gjëmuar; revolucioni e kishte burgosur këtë armik të popullit; e kishte neutralizuar, dhe ai s’bënte dot më asgjë, as luftonte e as dëmtonte më. Ai ishte truri i Vandesë, fundi i tij, ishte fundi i luftës civile. A mund të gjendej dikush që ta shpëtonte?!

Simurdeni, domethënë, 93-shi, kishte në duart e veta Lantenakun, pra, monarkinë, dhe do të guxonte ndokush që t’ia shqiste nga duart e hekurta këtë pre?!

Lantenaku, simboli i të gjitha të zezave, që ne e quajmë e kaluara, ishte futur në varr, me derën e përjetësisë të mbyllur mbi të; dhe do të merrte guximin dikush nga jashtë të tërhiqte llozin e rëndë?! Ky keqbërës i popullit kishte vdekur. Bashkë me të edhe revolta brutale, lufta vëllavrasëse e shtazarake – dhe do të merrte guximin dikush që ta ringjallte?! Oh! si do të shkulej së qeshuri ajo kafkë! Fantazma do hapte gojën: “Jam gjallë, o budallenj. Më thonë markezi Lantenak, o të çmendur! S’vdes kurrë! Pa le të imagjinosh si do t’i kthehej veprës së tij gjakatare, masakrave, shtëpive fshatrave të djegura, të plagosurit në thikë, gratë në pushkatim… E pas të gjitha këtyre, veprimi që e magjepste Govenin, mos vallë ekzagjerohej prej tij? Tre fëmijë të humbur. Lantenaku i gjeti. Po kush i humbi? Nuk ishte vetë Lantenaku? Kush i vuri ato djepe në mes të zjarrit? Mos ishte Imanusi? Kush ishte Imanusi? Togeri i markezit. Përgjegjës është vetë Komandanti. Pra, zjarrvënësi dhe vrasësi ishte Lantenaku. E ç’gjë kishte bërë ai që të ishte kaq e adhurueshme? Thjesht, nuk e kishte çuar krimin e nisur deri në fund… Asgjë më shumë. Pasi thuri krimin, u tërhoq. I tmerruar nga vetja.

Klithma e nënës së gjorë kishte zgjuar tek ai atë fondin e vjetër të mëshirës njerëzore, njëfarë depozite të jetës universale, që ekziston në të gjitha shpirtrat, edhe në ata më fatalë. Ajo klithmë e kishte bërë të kthehej pas. Nga nata ku po fundosej, drejt ditës. Pasi kishte bërë krimin, ishte kthyer ta zhbënte atë. Kjo ishte e gjithë merita e tij: nuk u tregua përbindësh deri në fund. Dhe për kaq pak gjë, duhet t’i kthehej gjithçka: hapësira, fushat, ajri, dita, t’i kthehej pylli – që ta përdorte për banditizëm; t’i kthehej liria – që ta përdorte për skllavërinë e të tjerëve; t’i kthehej jeta – që ta përdorte për vdekjen!

Sa për përpjekjet për t’u marrë vesh me të, sa për dëshirat për t’u marrë me këtë shpirt krenar, për t’i propozuar se mund të lirohej, por me kushte, për ta pyetur nëse do të pranonte që, në këmbim të shpëtimit të jetës së tij, të linte mënjanë çdo lloj revolte e armiqësie, – çfarë gabimi i pafalshëm do të ishte! Nga një ofertë e tillë do të merrje përbuzjen dhe përçmimin e tij, ndërsa do të përgjigjej: – Mbajini për vete këto turpe! Vritmëni!

E çfarë mund të bëhej me një njeri të tillë? Asgjë, përveçse të vritej ose të lihej i lirë. Ishte i prerë si me thikë për çdo gjë. Shpirti i tij i çuditshëm i ngjante shqiponjës që fluturonte ose lart hapësirave qiellore, ose poshtë skëterrës. Lavdi, ose vetësakrificë. Asnjëra primare. Ta vrisje? E tmerrshme! Ta liroje? Çfarë përgjegjësie! Sikur të supozohej liria e Lantenakut, ç’mund të ngjiste? Nëse Lantenakut do t’i falej jeta, do të ishte një kthim i dhimbshëm prapa, një Vande nga e para, si ajo kuçedra që ende s’i është prerë koka. Sa hap e mbyll sytë, dhe me një shpejtësi meteorike, të gjitha flakët e shuara nga zhdukja e këtij njeriu do të ndizeshin përsëri. Lantenaku nuk do të reshtte derisa të realizonte planin e tij të urryer për të vendosur monarkinë, si një kapak varri, mbi republikën dhe Anglinë mbi Francën.

Shpëtimi i Lantenakut, do të ishte sakrifikimi i Francës; jeta e Lantenakut, do të ishte vdekja e një morie qeniesh të pafajshme njerëzore, të përfshirë në luftën vëllavrasëse, por edhe zbarkimi i anglezëve, prapsja e revolucionit, qytetet e plaçkitura, populli i dërmuar, Bretanja e përgjakur… Dhe Goveni, me ato dritëhijet e ideve dhe ngjarjeve, i dukej njëlloj si të nxirrje tigrin nga kafazi. Dhe pastaj pyetja rikthehet në aspektin e saj të parë; guri i Sizifit, i cili nuk është asgjë më pak se konflikti i njeriut me ndërgjegjen e tij, u rrokullis përsëri. Atëherë, a ishte Lantenaku një tigër? Ndoshta ai mund të ketë qenë, por a është akoma tigër?

Goveni kalonte nëpër spiralet marramendëse të mendimeve që mbështilleshin rreth njëri- tjetrit sipas modelit të një gjarpri. A mundet që dikush, edhe pse ka arritur të bëjë një shqyrtim të hollësishëm, të thellë e të matur të mohojë vërtet përkushtimin e Lantenakut, vetëmohimin e tij stoik, shpërfilljen krenare e sublime të vetvetes? Ndërkohë që në nofullat e luftës civile kishte treguar humanizmin e tij? Kur në konfliktin mes të vërtetave inferiore kishte treguar të vërtetën që qëndron mbi të gjitha të tjerat? Kur ai provonte se përmbi monarkitë, përmbi revolucionet, përmbi çështjet tokësore, ekziston butësia, dhembshuria e mëshira e madhe e shpirtit njerëzor, mbrojtja që i forti i detyrohet të dobëtit, shpëtimi i të humburve nga ata që kanë shpëtuar, atësia për të gjithë fëmijët nga të gjithë të moshuarit!

Dhe t’i vërtetosh të gjitha këto gjëra madhështore duke dhuruar kokën tënde! Të jesh gjeneral dhe të heqësh dorë nga strategjia, nga beteja, nga hakmarrja. Të jesh një monarkist, dhe pasi ke marrë një peshore, ke vënë në njërin krahë Mbretin e Francës, një monarki prej pesëmbëdhjetë shekujsh, rivendosjen e ligjeve të lashta dhe rivendosjen e shoqërisë së vjetër, kurse në krahun tjetër, tre fëmijë të vegjël fshati, dhe të vlerësoje se Mbreti, froni, skeptri, dhe pesëmbëdhjetë shekujt e monarkisë më të lehtë se tre fëmijët e vegjël e të pafajshëm prej fshatit! E gjithë kjo nuk do të thoshte asgjë?! Që kushdo t’i kishte bërë të gjitha këto do të vazhdonte të mbetej tigër?! Do të trajtohej si një bishë e egër?

Jo! Jo! Jo! Nuk ishte përbindësh ai që sapo kishte ndriçuar greminën e luftërave civile me qartësinë e një veprimi hyjnor! Mbajtësi i shpatës u shndërrua në mbajtësin e dritës! Satanai i ferrit ishte bërë sërish Luciferi qiellor. Lantenaku ishte shkarkuar nga të gjitha barbaritë e tij, me anë të një akti sakrifice; duke humbur materialisht, kishte fituar moralisht; ai sërish ishte bërë i pafajshëm; ai kishte firmosur faljen e tij. A nuk ekziston e drejta për të falur vetveten? Tani e tutje ishte i nderuar. Lantenaku sapo ishte bërë i jashtëzakonshëm. Tani ishte radha e Govenit. Goveni e kishte detyrë t’i përgjigjej.

Lufta midis pasioneve të mira dhe të këqija atë moment po krijonte kaos në botë; Lantenaku, kishte dalë mbi këtë kaos dhe e kishte çliruar njerëzimin prej tij. Tani i takonte Govenit të çlironte familjen. Si do të vepronte? A do ta zhgënjente besimin e Zotit? Jo. Belbëzonte: – Të shpëtojmë Lantenakun.

Po, pra, të shpëtosh Lantenkaun dhe t’u shërbesh anglezëve, o i shkretë. Të shpëtosh Lantenakun dhe të bëhesh me armiqtë. Të tradhtosh Francën. Dridhej i tëri. Zgjedhja jote nuk është zgjidhje, mendimtar! Goveni pa në errësirë buzëqeshjen ogurzezë të sfinksit.

Ishte një lloj udhëkryqi i rrezikshëm ku të vërtetat luftarake e kundërshtuese përballeshin me njëra- tjetrën, ku vështroheshin ngultas tre idetë më të larta të njeriut: njerëzimi, familja, atdheu. Secili prej tyre mori fjalën dhe secili dha të vërtetën e vet. Cilën të zgjidhte? Secili gjente pikën e lidhjes se maturisë dhe drejtësisë, dhe thoshte: “kështu vepro!”. Po a ishte kjo që duhet të bënte? Po. Jo. Arsyetimi thoshte një gjë, ndjenja një gjë tjetër; dy këshilla të kundërta, diametralisht. Arsyetimi është arsyeja, ndjenja shpesh herë është ndërgjegjja; njëra vjen nga njeriu, tjetra nga më lart se njeriu.

Kjo bën që ndjenja të ketë qartësi më të vogël, por fuqi më të madhe. Goveni endej dilemash. Hutim torturues. Dy humnera hapen para Govenit. Të humbiste markezin? Apo ta shpëtonte? Duhet të nxitonte në njërën ose në tjetrën. Drejt cilës prej tyre e thërriste zëri i detyrës? /Exlibris/ KultPlus.com

‘Qëndro i Qetë dhe Buzëqesh’ ekspozita që hapet në kuadër të ‘Fotoist’

Ekspozita “Qëndro i Qetë dhe Buzëqesh” nga Korab Basha dhe kurator Elton Koritari hapet në kuadër të ‘Fotoist’ të premten më 30 gusht nga ora 19:00, para Hotel Grand.

Titulli i këtij projekti ambicioz të fotografit Korab Basha, fjalë për fjalë mund të përkthehet “Qëndroni të qetë dhe buzëqeshni”. Basha ripërdor dhe riinterpreton sloganin e ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar i cili gjatë luftës së dytë botërore motivonte britanikët për të qëndruar të qetë dhe për të vazhduar, për të ecur, për të mbajtur gjallë optimizmin, pavarësisht kërcënimit të afërt të pushtimit nazist. Madje, edhe pse nuk u publikua kurrë në atë kohë por u rishfaq pas më shumë se 50 vitesh, ky slogan, me një rikthim triumfal në pop-kulturën bashkëkohore, vazhdon të jetë një simbol i fortë i rezistencës dhe durimit në përballje me sfidat e jetës, jo vetëm në aspektin propagandistik të tij. Në stuhinë e vazhdueshme të tensioneve ushtarake dhe politike, sot ushtria e Kosovës mishëron dhuntinë e të qendruarit në ballë të vendit dhe e bën këtë duke u mbështetur fort në humanizmin e saj.

FSK është një ushtri e qytetarëve të saj dhe kjo gjë paraqet një moment historik dhe të rëndësishëm në afirmimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. “Keep Calm and Smile” thekson qëndrueshmërinë, integritetin moral dhe mbështetjen e fuqishme në popull të forcave të armatosura dhe simbolizon kështu një qasje të guximshme ndaj sfidave të Kosovës bashkëkohore. E akoma më shumë, në këtë ekspozitë, ata me buzëqeshjen e tyre përfaqësojnë forcën dhe krenarinë e popullit shqiptar në përballje me çdo sfidë, ashtu si përherë në historinë tonë. Vajzat dhe djemtë që mbushin sot rreshtat e kësaj ushtrie, janë pasqyrë e të gjithë kosovarëve që duan të lënë pas të kaluarën dhe në fund të shikojnë nga e ardhmja. Me një buzëqeshje.

FSK është e qartë si dielli se nuk ekziston për të sulmuar askënd, përkundrazi ajo vetëm mbron integritetin dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës, ngritur mbi bazat e rezistenzës dhe qëndresës së Ushtrisë Çlirimtare, e cila lindi pikërisht për të mbrojtur njerëzit e saj të të masakruar prej dekadash, të lodhur nga një e kaluar mizore dhe të dërrmuar nga mohimi i parimit të vetëvendosjes. Sot, qytetarët e Kosovës, në shtetin e tyre të fituar me vetëmohim dhe sakrificë, ndjejnë më shumë se kurrë dëshirën për ta mbyllur me të shkuarën dhe më në fund të shikojnë të ardhmen drejt në sy, larg dhunës, të lirë. Me një projekt të qartë në vizionin e tij dhe me këmbëngulje të admirueshme për ta realizuar atë deri në fund, Korab Basha na tregon jo vetëm sesi ushtarët e Kosovës shohin pra nga e ardhmja, pikërisht ashtu siç ndihet dëshira për të ardhmen në zemrën e çdo qytetari kosovar por edhe se pas shumë vitesh ndërhyrjesh të çmuara nga ushtritë e huaja, është një arritje e madhe për Kosovën që të ketë një ushtri të sajën dhe më shumë se kurrë ta shijojë këtë simbolikë të vogël, por të madhe. Artisti hyn thellë edhe në kontekste më globale sesa trevat tona. Ai na sugjeron se në fund të fundit, paqja fillon me një buzëqeshje./express/KultPlus.com

Të hash poezi

Poezi nga Mark Strand / Përktheu Beti Njuma

Bojë më rrjedh cepave të buzëve
S’ka si lumturia ime.
Kam ngrënë poezi.

Biblioktekarja s’u beson syve.
Vështrimin e ka të trishtë
dhe ecën me duart mes palave të fustanit.

Poezitë kanë marrë arratinë.
Drita është e zbehtë.
Qentë ndodhen në shkallët e bodrumit dhe ngjiten.

Sytë u vërtiten,
putrat e verdha digjen si shkarpa.
Bibliotekarja e gjorë nis të përplasë këmbët dhe vajton.

Nuk kupton.
Kur gjunjëzohem dhe dorën ia lëpij, klith.

Jam një njeri fringo.
I skërmitem dhe leh.
Kremtoj me hare në errësirën librore. /KultPlus.com

Nderohet figura e Nënë Terezës, hapet ekspozitë për nder të ditëlindjes së saj

Shoqatat “Organizata Shqiptaria” dhe “Artistët për Artistë”, si dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Shkupit kanë hapur një ekspozitë të veçantë dhe kanë organizuar manifestim tradicional, në nder të ditëlindjes së shenjtores “Nënë Tereza”.

Këto organizime u mbajtën në sheshin “Nëna Terezë”, të cilat qëllim kishin kujtimin dhe kontributin e saj për popullin shqiptarë.

Kryetari i organizatës “ Artistët për Artistë”, Veton Gusia ka thënë se populli shqiptarë duhet të ketë humanizmin e tij dhe atë ta ndaj me njëri-tjetrin, familjen, kombin e shtetin.

“Qëllimi i ekspozitës është që të kujtohet ditëlindja e Nënë Terezës, figurë e cila e kemi pasur shumë të rëndësishme gjatë kohës së okupimit. Është një figurë e cila tregon humanizmin. Duhet me qenë të vetëdijshëm që kjo figurë e cila ka qenë e rëndësisë se madhe gjatë okupimit, është e rëndësishme edhe sot, humanizmi që ne duhet me shpreh si popull, ndaj njëri- tjetrit me dashni ndaj familjes, kombit e shtetit”, ka thënë Gusia.

Ndërsa përfaqësuesi i shoqatës “Organizata Shqiptaria”, Basri Beka ka shtuar se trashëgimia e figurave të rëndësishme duhet të ruhet për brezat e ardhshëm.

“ Të ruajmë trashëgiminë e shenjtores tonë “Nënë Tereza”. Kjo ka rëndësi në brezat e ardhshëm që figurat e rëndësishme me dimension ndërkombëtarë, çfarë e kemi Nënë Terezën të përjetohen në vepra arti dhe të ruhet trashëgimia e tyre për brezat e ardhshëm”, ka shtuar ai.

Kurse, Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës, ka thënë se përmes kontributit të Nënë Terezës bota po e sheh ndryshe popullin shqiptar.

“Nëna Terezë është përfaqësuesja më ë mirë, më e denjë dhe më e madhe, në të cilën Zoti shkriu të gjitha të mirat e asaj çka është tradita, kultura dhe qytetërimi ynë ilir, arbër dhe shqiptarë, “bukë, kryp dhe zemër”. Gonxhja ishte bijë dhe motër e jona. Përmes Nënë Terezës, bota po e sheh popullin tonë ndryshe”, është shprehur ai.

Ndërkaq, sonte Ipeshkëvia Prizren-Prishtinë në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, organizon Akademi Solemne me rastin e ditëlindjes së Shën Nënë Terezës me të cilën hap “Ditët e Nënë Terezës”, që zgjasin deri më 5 shtator./rtv21/KultPlus.com

Lumi i Kirit dhe Kanionet e Prekalit, perla të natyrës së bukur të veriut

Lumi i Kirit dhe kanionet e Prekalit në Shkodër janë kthyer ndër destinacionet më të vizituara nga turistët vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga lumi Kir dhe kanioni i Prekalit, me ftesën për ta vizituar.

“Lumi i Kirit dhe Kanionet e Prekalit, një tjetër perlë e natyrës së bukur të veriut”, shkruan Rama.

Ujë i kristaltë, vaskat, kanioni, pastërtia, qetësia dhe ajri i freskët i maleve përreth është ajo që të ofron Lugina e Kirit.

Çdo fundjavë kur moti është i ngrohtë, qytetarët shkodranë, turistë të huaj dhe banorë të fshatrave rreth rrjedhës së lumit, frekuentojnë këto brigje për banjo dielli, larje në ujërat e freskët, por dhe për sportet ujore.

Fshati Kir në lashtësi ka pasur një kala që sot ka vetëm disa rrënoja dhe asgjë më tepër, por edhe sot ky vend emërtohet “Qyteza e Kirit” ose “Kalaja e Kaurrit”./atsh/KultPlus.com

Amfiteatri në Durrës, një nga destinacionet më të vizituara

Më shumë se 14 mijë persona kanë vizutuar Amfiteatrin e Durrësit nga janari deri në muajin korrik. Kjo shifër është më e lartë se një vit më parë ndërsa turistët janë të grupmoshave të ndryshme ndërsa janë jo vetëm vendas, por edhe të huaj.

Jona Saraçi, specialiste: Numri shkon në 14 mijë turistë në të gjithë harkun 6-mujor të kësaj periudhe, që do të thtoë jemi me ritme të kënaqshme për këtë sezon turistik.

Vjeshta është një nga periudhat më të pëlqyera për të vizutar Amfiteatrin e qytetit bregdetar ndaj pritshmëritë janë të larta edhe për muajt në vijim

Jona Saraçi, specialiste: Stina e vjeshtës gjithmonë ka qenë e preferuar sepse dhe vapa e këto kushte klimaterike , ajo është më e rehatshme për turistët.

Turistët janë nga shtete të ndryshme, kryesisht nga Europa ndërsa thonë se i tërheq historia e qytetit bregdetar.

“Më pëlqen shumë këtu, më duket një vend i mrekullueshëm. Unë vij nga Sllovakia dhe më pëlqen historia.”

“Është hera e parë që vij në Shqipëri, jam nga Polonia. Isha më parë në Vlorë e tani në Durrës.”

“Është impresionuese se çfarë kanë ndërtuar në këtë qytet. Pak muaj më parë vizitova Koloseun dhe është një strukturë e ngjashme.”

Amfiteatri i Durrësit ka një kapacitet prej 15 mijë spektatorësh dhe është përdorur për sfida gladiatorësh dhe lojëra të ndryshme./tvklan/KultPlus.com

Nënë Tereza: Gëzimi i thellë i zemrës është si një magnet që tregon rrugën e jetës

Fraza dhe citime të famshme të Nënë Terezës

  • 1. Dashuria fillon në shtëpi, dhe nuk është se sa bëjmë ne … është sa dashuri vendosim në çdo veprim
  • 2. Gëzimi i thellë i zemrës është si një magnet që tregon rrugën e jetës
  • 3. Vuajtjet tona janë përkëdheljet e mira të Zotit, duke na thirrur që t’i drejtohemi Atij dhe të na bëjnë të pranojmë që nuk jemi ne që kontrollojmë jetën tonë, por është Zoti që kontrollon dhe ne mund t’i besojmë plotësisht
  • 4. Unë nuk kërkoj ar për sukses, kërkoj lumturi
  • 5. Falja është një vendim, jo ​​një ndjenjë, sepse kur falim nuk e ndiejmë më ofendimin, nuk ndiejmë më inat. Fal, duke falur do ta kesh shpirtin tënd në paqe dhe ai që të ofendoi do ta ketë atë
  • 6. Nëse i gjykoni njerëzit, nuk keni kohë t’i doni
  • 7. Ne e dimë shumë mirë se ajo që po bëjmë është veç një pikë në oqean. Por nëse ajo pikë nuk do të ishte atje, oqeanit do t’i mungonte diçka
  • 8. Ju kurrë nuk do të jeni aq të zënë sa të mos mendoni për të tjerët
  • 9. Dashuria, për të qenë autentike, duhet të na kushtojë
  • 10. Jetoni thjesht që të tjerët të jetojnë thjesht
  • 11. Nuk mund të ndaloj së punuari. Unë do të kem gjithë përjetësinë për të pushuar
  • 12. Ka gjëra që do të dëshironit të dëgjonit dhe nuk do t’i dëgjoni kurrë nga personi që dëshironi t’i dëgjoni prej tyre. Por mos u bëj aq i shurdhër sa të mos i dëgjosh nga ai që i thotë nga zemra e tij
  • 13. Ne nuk duhet të lejojmë që dikush të largohet nga prania jonë pa u ndjerë më mirë dhe më të lumtur
  • 14. Revolucioni i dashurisë fillon me një buzëqeshje. Buzëqeshni pesë herë në ditë dikujt me të cilin vërtet nuk doni të buzëqeshni. Ju duhet ta bëni atë për paqe
  • 15. Për të bërë një llambë është gjithmonë e ndezur, ne nuk duhet të ndalemi së vendosuri vaj mbi të
  • 16. Mos i jepni vetëm të tepërtat, jepni zemrën tuaj
  • 17. Paqja fillon me një buzëqeshje
  • 18. Çdo punë e dashurisë, e kryer me gjithë zemër, gjithmonë do t’i sjellë njerëzit më pranë Zotit
  • 19. Gëzimi është forcë
  • 20. Në dashuri është vendi ku gjendet paqja
  • 21. Jepni derisa të dhemb dhe kur ju dhemb jepni edhe më shumë
  • 22. Nuk mund ta ndryshoj botën vetëm, por mund të hedh një gur nëpër ujë për të krijuar shumë valëzime
  • 23. Dhënia e dashurisë për dikë nuk është kurrë një garanci se ai do të të dojë edhe ty; Por mos prisni që ata t’ju duan, thjesht shpresoni që dashuria të rritet në zemrën e tjetrit. Dhe nëse nuk rritet, jini të lumtur sepse u rrit në tuajat
  • 24. Gëzimi është një rrjet dashurie në të cilin mund të kapen shpirtrat
  • 25. Uria për dashuri është shumë më e vështirë të eleminohet sesa uria për bukë
  • 26. Nëse nuk mund të ushqeni njëqind njerëz, ushqeni vetëm një
  • 27. Fryti i heshtjes është lutja. Fryti i lutjes është besimi. Fryti i besimit është dashuria. Fryti i dashurisë është shërbimi. Fryti i shërbimit është paqja
  • 28. Nëse nuk kemi paqe në botë, është për shkak se kemi harruar që i përkasim njëri-tjetrit, se ai burrë, ajo grua, ajo krijesë është vëllai ose motra ime.
  • 29. Ajo që kërkon vite për t’u ndërtuar mund të shkatërrohet brenda natës; le të ndërtojmë gjithsesi.
  • 30. Shumë herë mjafton një fjalë, një vështrim, një gjest për të mbushur zemrën e atij që duam
  • 31. Paratë mund të blejnë vetëm gjëra materiale, të tilla si ushqim, veshje dhe strehim. Por duhet diçka më shumë. Ka të këqija që nuk shërohen me para, por vetëm me dashuri
  • 32. Ka shumë njerëz të gatshëm të bëjnë gjëra të mëdha, por ka shumë pak njerëz të gatshëm të bëjnë gjëra të vogla.
  • 33. Dashuri derisa të dhemb. Nëse dhemb është një shenjë e mirë
  • 34. Nëse jeni i përulur, asgjë nuk mund t’ju dëmtojë, as lavdërimi, as turpi, sepse ju e dini se çfarë jeni
  • 35. Unë mund të bëj gjëra që ju nuk mund t’i bëni, ju mund të bëni gjëra që unë nuk mund t’i bëj; së bashku mund të bëjmë gjëra të mëdha
  • 36. Mungesa e dashurisë është varfëria më e madhe
  • 37. Ekzaminimi ynë i ndërgjegjes është pasqyra në të cilën ne shohim arritjet dhe vështirësitë tona. Kjo është arsyeja pse ne duhet ta përballojmë atë me sinqeritet dhe dashuri
  • 38. Shkenca më e madhe në botë, në qiell dhe në tokë; eshte dashuri
  • 39. Dashuria është virtyti më i mirë i një personi
  • 40. Jini besnikë ndaj gjërave të vogla, pasi në to qëndron forca
  • 41. Ekziston një gjë shumë e bukur: ndarja e gëzimit të dashurisë
  • 42. Puna pa dashuri është skllavëri
  • 43. Dashuria nuk mund të mbetet në vetvete. Nuk ka kuptim. Dashuria duhet të marrë masa. Ky aktivitet do të na çojë në shërbim
  • 44. Le të takohemi gjithnjë me buzëqeshje, buzëqeshja është fillimi i dashurisë
  • 45. Ne nuk kemi nevojë për armë dhe bomba për të sjellë paqe, ne kemi nevojë për dashuri dhe dhembshuri
  • 46. ​​Ajo që ka rëndësi është sasia e dashurisë që ne i kushtojmë punës që bëjmë
  • 47. Që dashuria të jetë e vërtetë, duhet të na kushtojë. Duhet të na dëmtojë. Duhet të na zbrazë nga vetja
  • 48. Dashuria është një frut që piqet në të gjitha stinët dhe është brenda mundësive të të gjitha duarve.
  • 49. Disa njerëz vijnë në jetën tonë si bekime. Disa vijnë në jetën tonë si mësime
  • 50. Pemët, lulet, bimët rriten në heshtje. Yjet, dielli, hëna lëvizin në heshtje. Heshtja na jep një perspektivë të re
  • 51. Disiplina është ura midis qëllimeve dhe arritjeve
  • 52. Fjalët e mira mund të jenë të shkurtra dhe të lehta për tu thënë, por jehonat e tyre janë vërtet të pafundme.
  • 53. Unë jam vetëm një laps i vogël në dorën e shkrimeve të Zotit
  • 54. Përhap dashurinë kudo që të shkosh
  • 55. Ne mësojmë përmes përulësisë, të pranojmë poshtërimet me gëzim
  • 56. Ne nuk mund të bëjmë gjithnjë gjëra të mëdha, por gjithmonë mund të japim diçka nga vetja
  • 57. Ndonjëherë mendojmë se ajo që bëjmë nuk ia vlen. Por gjithmonë është dikush që do ta vlerësojë atë.
  • 58. Si mund të ketë shumë fëmijë? Kjo është si të thuash se ka shumë lule
  • 59. Dashuria është një fryt sezonal në të gjitha kohërat dhe brenda mundësive të të gjitha duarve
  • 60. Ne kurrë nuk do të dimë të gjitha të mirat që mund të bëjë një buzëqeshje e thjeshtë/Warbletoncouncil/KultPlus.com

Së shpejti fillon “Festivali i Teatrove Ferizaj, do të prezantohen tetë shfaqje

Edicioni i 54 i Festivalit të Teatrove në Ferizaj, do të fillojë me 1 shtator dhe do të përfundojë me datë 6 shtator.

Nga festivali kanë njoftuar se ky edicion ka përzgjedhur produksionet teatrore ndër më të suksesshmet shqiptare të ketij viti.

Më datë 1 shtator do të hapet festivali nga ora 19:30 dhe pastaj do të jepet shfaqja “Mishi i egër” duke filluar nga ora 20:00. Në ditën e dytë të festivalit do të mbahet shfaqja “Audienca” dhe “Charles III” duke vazhduar më pas me muzikë, ku në oborrin e teatrit “Adriana”, do të performojë Edona Reshitaj.

Më datë 3 shtator do të bëhet hapja e ekspozitës “Teatri Ilegal” dhe më pas do të mbahet panel diskutimi “Teatri dhe Lufta”. Në ora 20:00 do të jepet shfaqja “Kamarja e turpit” dhe nga ora 21:00, do të ketë muzikë për të pranishmit.

Në ditën e katërt të festivalit, duke filluar nga ora 17:00, do të mbahet panel diskutimi “Modalitetet e mobilitetit të teatrove shqiptare”, kurse në ora 20:00 do të mbahet shfaqja Tartufi, ku më pas do vazhdojë mbrëmja me muzikë për të pranishmit. Më 5 shtator do të mbahet performancë në sheshin e qytetit “Lufta e IV botërore”, pastaj do të jepen shfaqjet “Çifti I hapur” dhe “Turjela”.

Në ditën e fundit të festivalit, më 6 shtator, duke filluar nga ora 18:00, do të mbahet performanca “Lufta e IV botërore” në sheshin e qytetit, në ora 20:00 do të jepet shfaqja “Togeri i Inishmorit” në teatrin Adriana, në ora 21:00 do të ketë performance nga Fiona Rushiti dhe nga ora 21:30 do të bëhet ndarja e çmimeve në Teatrin Adriana./KultPlus.com

Presidenti Begaj takohet me delegacionin nga rajoni Molisse dhe komuna arbëreshe Montecilfone

Presidenti Bajram Begaj priti sot një delegacion nga rajoni Molisse dhe komuna arbëreshe Montecilfone në Itali, i përbërë nga autoritete drejtuese si dhe figura të njohura për mbrojtjen e miniroteteve gjuhësore arbëreshe.

Biseda u fokusua në forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë përmes rritjes së shkëmbimeve në fushat me interes të ndërsjellë.

Presidenti Begaj vlerësoi partneritetin mes dy vendeve bazuar në marrëdhëniet e qëndrueshme historike, kulturore dhe ekonomike si dhe gatishmërinë e Shqipërisë për thellimin e bashkëpunimit.

Gjithashtu Begaj vlerësoi gjithashtu rolin thelbësor të komunitetit arbëresh dhe atij shqiptar në Itali, por dhe të qytetarëve dhe sipërmarrësve italianë në Shqipëri në forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve dhe hapjen e perspektivave të reja./atsh/KultPlus.com

Rama me ambasadorët: Sot, shumë më e lehtë të ftosh njerëzit të vijnë në Shqipërinë turistike

Kryeministri Edi Rama u ndal sot te nevoja e nxitjes së diplomacisë ekonomike, ndërsa u shpreh se këtë vit shifrat në turizëm pritet të jenë më të larta se vitin e kaluar, ku Shqipëria priti 10 milionë turistë.

Gjatë Konferencës Vjetore të Ambasadorëve të Shqipërisë, Rama theksoi se sot Shqipëria është magnet që tërheq vizitorë nga gjithë bota.

“Vitin e shkuar arritëm të kemi 10 milionë turistë, shifra e këtij viti do jetë konsiderueshëm më e lartë dhe kjo nuk është një e dhënë në vetvete, por është një e dhënë, e cila reflektohet si të dhëna të tjera në zhvillimin e vendit, në rritjen e ekonomisë dhe të ardhurave, në rritjen e pagave”, shtoi ai.

Kryeministri nënvizoi se sot kemi një pagë mesatare në sektorin publik që është 900 euro dhe një pagë mesatare në sektorin privat që është ende më e lartë sesa ajo që thuhet.

“Është detyra jonë ta nxjerrim të tërën në dritën e një ekonomie të formalizuar. Kemi 10 mijë subjekte të reja që bëjnë biznes në Shqipëri duke u bazuar tek shifrat e gjysmës së parë të këtij viti krahasimisht me gjysmën e parë të vitit të shkuar. Gati 15 mijë të punësuar më shumë në 6-mujorin e parë të këtij viti”, shtoi ai.

Po ashtu, Rama theksoi se ka një rritje të investimeve të huaja me 15 % vetëm në 3-mujorin e parë të vitit dhe ka një interesim të madh për Shqipërinë, jo vetëm në aspektin e turizmit, por dhe në sektorët strategjikë të ekonomisë nga energjia tek telekomunikacionet, tek transporti, ndërtimi, e kështu me radhë.

“Të gjitha këto duhet të na thonë që stadi në të cilin gjendemi është plotësisht i favorshëm për të synuar hopin e madh përfundimtar dhe për ta vendosur më në fund flamurin tonë kombëtar në oborrin e BE në Bruksel”, theksoi ai.

Nga ana tjetër, Rama nënvizoi rëndësinë e rritjes së përmasës ekonomike të diplomacisë shqiptare.

“Sot është shumë më e lehtë të flasësh për Shqipërinë, sot është shumë më e lehtë të trokasësh dhe të ftosh njerëzit të vijnë në Shqipëri, sot është shumë më e lehtë t’iu thuash që Shqipëria është e gatshme t’i presë, jo vetëm me bukuritë e saj, por edhe me mundësitë që iu ofron për të investuar këtu”, theksoi kryeministri./atsh/KultPlus.com