Ikona e sportit kosovar, Majlinda Kelmendi, ka dhënë një intervistë për ueb-faqen e Federatë Evropiane të Xhudos.
Kelmendit, në hyrje të intervistës, i referohen si legjendë e gjallë e Kosovës, pas sukseseve të saj si njëra prej xhudistëve të mira në botë.
“Për të bërë përmbledhjen e ekipit…nga t’ia nis…po e nis me pjesën pikëlluese, pasi Loriana i dha fund karrierës. Ajo erdhi nga Zvicra në Kosovë tetë vjet më parë dhe fitoi medalje evropiane dhe botërore për ne, duke u bërë njëra prej sportisteve më të mira në historinë e Kosovës dhe mori pjesë dy herë në Olimpiadë”, ka thënë Kelmendi për Federatën Evropiane të Xhudos.
Kelmendi pos që foli për Loriana Kukën, përmendi edhe trajnerin Toni Kukën, si dhe Akil Gjakovën, Nora Gjakovën dhe Distria Krasniqin.
“Në përgjithësi, jam shumë e lumtur me performancën e secilit. Edhe Nora edhe Lori ishin të lënduara tre muaj para Lojërave andaj ishte e vështirë për to që të përgatiten mirë”.
“Akili ishte thjesht i mrekullueshëm dhe është mëkat që ai nuk fitoi medalje”.
“Distria kishte shumë vetëbesim, si gjithmonë ,dhe me këtë rast dua ta falënderoj bosin e madh, Tonin, që ma ka besuar të ulem në karrige dhe t’i stërvit sportistet”.
“Falë tij, Kosova i ka tani pesë medalje olimpike dhe të gjitha janë nga xhudo. Ne jemi plot gëzim dhe mirënjohje”./ KultPlus.com
Nuk është vetëm filmi James Bond që bën zhurmë mediatike, por edhe kolona zanore e këtij filmi ka pothuajse të njëjtën rëndësi. “No Time To Die” ishte filmi i fundit i James Bond që ishte lansuar në vitin 2021 dhe tash kanë filluar parashikimet për filmin e radhës, dhe natyrisht për kolonën zanore.
Për filmin e radhës mendohet se këngëtarja shqiptare Dua Lipa mund të jetë këngëtarja që do të realizojë kolonën zanore, duke lënë pas shumë këngëtarë tjerë që janë përfolë poashtu./ KultPlus.com
Deshta, shum’ kam dasht-dishrue që me këngë të trimnoj, me fjalen tënde të ndrydhun të ngrej fuqitë prej gjumit… Këndova (dhe kur m’ishte ndalue) se liria do të vinte edhe për ty, të përbuzun. Këndova mbi ditët fatlume që do të lindshin, pa dhunë, n’agimin e lirisë për ty me popujt këtu e ngjeti, mbi forcë të bashkimit mbarë: mbi vrullin tand të mëshehun -unë, biri yt dhe-poeti. Po! N’errsinën e shtypjes së randë sa shkambi, ndëgjova thirrjet që të bana me dal n’dritë- pse për liri-me tjerë ke dhanë dhe ti djers e gjak si etnit. Kam dhanë, i dashtun…Dhe sot, në liri- kur thembra e gjaksorit s’na shkel dhe dora pa pranga mbeti, me ty këndoj mbi fuqinë e ngjadhun nën yllin që na pri’ -unë, biri yt besnik dhe-poeti./KultPlus.com
Trashëgimia artistike e Leonardo da Vinçit është e shumëanshme, duke u shtrirë shumë përtej “Mona Lizës”.
Një nga veprat e tij të shquara është “Shpallja”, një pikturë që përshkruan njoftimin e engjëllit Gabriel drejtuar Virgjëreshës Mari për ngjizjen e saj hyjnore.
Kjo kryevepër e hershme tregon mjeshtërinë e dritës dhe hijes së da Vinçit, si dhe aftësinë e tij për të kapur hollësitë emocionale dhe simbolizmin fetar me detaje të hollësishme.
Ajo paraqet engjëllin Gabriel, të cilit Perëndia i dërgoi fjalë, për të njoftuar virgjëreshën, Marinë, që ajo të krijonte dhe të lindte një djalë të quajtur Jezus, i cili do të quhej “Biri i Perëndisë”.
Leonardo da Vinci ishte një polimat, gjenia e të cilit kapërceu kohën, që la gjurmë të pashlyeshme në art, shkencë dhe njerëzim.
Pavarësisht mungesës së arsimit dhe formal të hershëm, kurioziteti i tij i pangopur dhe aftësitë e mprehta vëzhguese e bënë atë të bëhej një nga figurat më me ndikim në artin dhe shkencën perëndimore. Megjithatë, ai përfundimisht mori trajnim nga artisti i njohur fiorentin Andrea del Verrocchio, ku Leonardo i përparoi aftësitë e tij si piktor dhe skulptor.
Në jetën e tij të hershme, da Vinçi shfaqi një talent të jashtëzakonshëm për vëzhgim dhe eksperiment, shpesh duke ndarë kufomat për të studiuar anatominë e njeriut dhe duke skicuar vëzhgimet e tij me saktësi të jashtëzakonshme.
Kërkimi i tij për njohuri e shtyu atë të eksploronte lëndë të ndryshme, nga matematika dhe inxhinieria te botanika dhe gjeologjia.
Ministria e Kulturës pas prezantimit të projektit fitues për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” ka thënë se ky projekt përbën një hap të madh drejt ruajtjes dhe nderimit të heroizmit të familjes Jashari.
MKRS përmes një komunikate për media ka thënë se masterplani 450 hektarësh në kompleksin “Adem Jashari” do të zhvillohet nga një ekip ekspertësh ndërkombëtarë me përkushtim e profesionalizëm.
“Në bashkëpunim me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, procesi i deritanishëm ka siguruar kujdes dhe vëmendje të veçantë për trajtimin dhe ruajtjen si të zonës si aset i trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës, ashtu edhe të historisë së rezistencës së familjes Jashari me ndjeshmëri dhe profesionalizëm. Pas një periudhe intensive të punës së pandalur, u përzgjodh fituesi i konkursit ndërkombëtar për masterplanin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, i cili trajton një sipërfaqe prej rreth 450 hektarësh në fshatin Prekaz të Skenderajt, si dhe zonat e veçanta të kullave dhe shtëpive të familjes, fabrikën e municionit e kullën e vrojtimit mes tjerash.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit:
Projekti fitues për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” u prezantua mbrëmë duke kurorëzuar përkushtimin e plotë ndaj kujtimit dhe sakrificës së familjes Jashari
Gjatë ceremonisë, kryeministri Albin Kurti mori fjalën duke theksuar mbështetjen e pakursyer ndaj këtij projekti dhe ndaj kujtesës historike të kombit tonë. Si përfaqësues i familjes, z. Bekim Jashari gjithashtu mori fjalën, duke shprehur rëndësinë e kompleksit si dëshmi e përpjekjeve të vazhdueshme për të nderuar veprën dhe sakrificën e familjes së tyre.
Në bashkëpunim me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, procesi i deritanishëm ka siguruar kujdes dhe vëmendje të veçantë për trajtimin dhe ruajtjen si të zonës si aset i trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës, ashtu edhe të historisë së rezistencës së familjes Jashari me ndjeshmëri dhe profesionalizëm. Pas një periudhe intensive të punës së pandalur, u përzgjodh fituesi i konkursit ndërkombëtar për masterplanin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, i cili trajton një sipërfaqe prej rreth 450 hektarësh në fshatin Prekaz të Skenderajt, si dhe zonat e veçanta të kullave dhe shtëpive të familjes, fabrikën e municionit e kullën e vrojtimit mes tjerash.
Duke i kushtuar rëndësi të veçantë përjetimit të kompleksit memorial si të plotë, projekti që u prezantua nga fituesi i konkursit, trajton tërësinë si përvojë e kuruar e kalimit nëpër tregimin e familjes Jashari dhe luftës së Kosovës për liri. Gjatë këtij rrugëtimi, sipas projektit, kalohet nëpër pika kyçe si zona memoriale me emrat e heronjve të luftës, te shtëpitë e rezistencës të ndriçuara, kompleksi i fabrikës së municionit si muze i rezistencës, e pika të vrojtimit ku vizitorët përjetojnë peisazhin dhe kujtesën si komponente të pandara nga njëra-tjetra.
Ky projekt është hap i madh drejt ruajtjes dhe nderimit të heroizmit të familjes Jashari, simbol i lirisë dhe qëndresës sonë. Me përkushtim dhe profesionalizëm, masterplani për kompleksin do të zhvillohet më tej nga një ekip ekspertësh ndërkombëtarë me përvojë./ KultPlus.com
Të gjithë sytë nga oqeani në ditën e fundit të garës së sërfit në Lojërat Olimpike të Parisit, në Tahiti të hënën pasdite, ku papritmas u shfaq një mysafir surprizë, një balenë, sipas AP.
Në një distancë të sigurt nga atletet Tatiana Weston-Webb nga Brazili dhe Brisa Hennessy nga Kosta Rika, të cilët po garonin në një gjysmëfinale, balena doli në sipërfaqe dhe u dha spektatorëve dhe fotografëve momentin olimpik dhe epik të jetës.
Nuk është e pazakontë që kafshët e egra si zogjtë, fokat dhe madje edhe peshkaqenët të shfaqen gjatë surfimit nëpër botë.
Në Tahiti, ku u mbajt gara olimpike e surfing 2024, gati 10 000 milje larg nga qyteti pritës i Parisit, balenat mblidhen rreth ishujve gjatë sezonit të çiftëzimit, pjelljes dhe migrimit.
Tahiti gjithashtu ka disa zona të mbrojtura detare.
Në prill, udhëheqësit indigjenë të Paqësorit, duke përfshirë disa nga Tahiti, nënshkruan një traktat që i njeh balenat si “persona juridikë”, megjithëse kjo deklaratë nuk pasqyrohet në ligjet e kombeve pjesëmarrëse./ atsh/ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, sot në sheshin e Prishtinës ka pritur sportistët që e përfaqësuan shtetin e Kosovës në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.
Ministri Çeku me këtë rast ka përgëzuar trajnerët dhe sportistët për arritjet sipas tij të shkëlqyera në “Paris 2024.
“Emocion, nder dhe krenari. Kampionët olimpikë u kthyen në shtëpi! Kënaqësi e madhe t’i mirëpresim olimpistët tanë të jashtëzakonshëm që na përfaqësuan në Lojërat Olimpike në Paris 2024. Në takimin e këndshëm me ta, i përgëzova për arritjet e shkëlqyera”, ka thënë Ministri Çeku.
Ai më tutje ka thënë se qytetarët me pritjen e tyre ua bënë të qartë sportistëve se sa krenarë është e gjithë Kosova me secilin.
“I falënderoj nga zemra sportistët e trajnerët për vendosmërinë dhe për emocionet që na i përcjollën gjatë këtyre ditëve, e gjithashtu edhe qytetarët që iu bashkuan kësaj ceremonie të veçantë. Së bashku vazhdojmë të festojmë sukseset që sportistët pandërprerë po i sjellin vendit tonë”, ka thënë Ministri Çeku./ KultPlus.com
Turistët nuk hezitojnë të vijojnë me aktivitetet e shumëllojshme edhe përgjatë mbrëmjeve në lumin Vjosa.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot foto nga turistët, të cilët vijojnë aktivitetet e tyre sportive edhe gjatë mbrëmjes.
“Vjosa është po aq magjike dhe sfiduese edhe përgjatë mbrëmjeve ku turistët nuk hezitojnë të vijojnë me aktivitetet e shumëllojshme”, shprehet Kumbaro.
Në rrugën e saj mbi 270 km, Vjosa karakterizohet nga kanione të bukur, rrjedha të rrëmbyeshme, ishuj dhe kthesa që krijojnë gjarpërime të mrekullueshme.
Çfarë e bën këtë lumë vërtetë të veçantë ndërkombëtarisht është fakti, se pothuajse të gjitha degët e tij rrjedhin të pandërprera dhe të paprekura, duke krijuar një rrjet lumor të gjallë si diçka që nuk haset më aktualisht në Evropë.
Në 13 mars 2023 lumi i Vjosës, i fundit i egër në Evropë, u shpall nga qeveria shqiptare “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “Park Natyror”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dikur dukeshin të pamundura fitoret e Kosovës përballë fuqive të mëdha në sport, por sot kjo është realitet.
Të martën në sheshin “Xhorxh Bush”, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka organizuar një pritje për ekipin olimpik të Kosovës, që ka përfaqësuar vendin në Lojërat Olimpike Paris 2024.
Kurti gjatë fjalës së tij ka shprehur krenari dhe gëzim për arritjet e ekipit kosovar. Ai ka përgëzuar sportistët duke iu uruar mirëseardhje në shtëpinë e tyre.
“Ekipi ynë i xhudos arriti ta mbajë traditën tone si shtet për të fituar medalje olmpike në secilen olimpiadë që kemi marrë pjesë deri tash. Në emër të të gjithë qytetarëve, kam nderin t’iu përgëzoj dhe t’iu uroj mirëseardhje në shtëpinë tuaj. Ky vend të cilin e bëtë krenar, do ta mbajë gjithmonë rrugën tuaj të hapur për të shkuar drejt sukseseve. Dikur dukej imagjinare që Kosova të triumfojë përballë fuqive të mëdha, por tani ky është realitet. I gjithë ekipi olimpik vazhdoni të punoni, sepse ëndrrat e mira asnjëhere nuk kanë fund”, ka thënë Kurti.
Ekipi i Kosovës këto ditë është kthyer nga Parisi, ku ishin pjesëmarrvs në Lojërat Olimpike. Me vete kanë sjellur edhe dy medalje. Xhudistja Distria Krasniqi ka fituar medaljen e argjendtë e Laura Faziu atë të bronztën.
Xhudisti Akil Gjakova ishte shumë afër medaljes, duke përfunduar në vendin e pestë në kategorinë -73 kg, ndërsa Loriana Kuka dhe Donjeta Sadiku mbyllën garat me nga një fitore dhe vendin e nëntë.
Kampionia olimpike e Tokio 2020, Nora Gjakova, për shkak të një lëndimi të pësuar më herët gjatë vitit, u ndal në raundin e parë të kategorisë -57 kg. Notari Adell Shaboviq doli i 58-ti nga 79 garues në disiplinën e 100 metrave stil i lirë, ndërsa Hana Beiqi përfundoi e 43-ta prej 79 garueseve në 50 metra stil i lirë.
Atletja Gresa Bakraçi garoi në 800 metra vrapim, duke përfunduar e 49-ta dje dhe duke u diskualifikuar në raundin e dytë për shkak të daljes nga korsia e saj.
Në Britani, një ekip kirurgësh ka operuar për here të parë një fëmijë me ndihmën e robotëve, me shpresën se kjo praktikë e re mund të bëhet më e zakonshme.
Me një saktësi të pakrahasueshme, robotët mjekësorë të përparuar tani po i hapin udhë mundësisë për të kryer operacione tek fëmijët dhe të rriturit.
Kirurgu që drejton ndërhyrjen nuk është as pranë pacientit, as pran tavolinës me pajisjet kirurgjikale.
Por, krahë robotikë kryejnë një operacion delikat në rrugët urinare të pacientit.
Krahët robotikë bëjnë pjesën më të madhe të punës, ndërsa kirurgu kryesor përdor leva për t’i kontrolluar dhe drejtuar ato.
Kirurgjia me ndihmën e robotëve po bëhet përherë e më e zakonshme në praktikat e kujdesit shëndetësor në Britani.
Fondacioni ‘London’s Guy’s’ dhe ‘St Thomas’s’ njoftoi në vitin 2023 se të gjitha operacionet e kancerit të prostatës, veshkave dhe mushkërive u kryen në mënyrë robotike, me mbi 10,000 procedura të realizuar me ndihmën e robotëve gjatë 20 viteve të fundit.
Spitali i Fëmijëve ‘Southampton’ në Angli po kryen testin e parë në Mbretërinë e Bashkuar të përdorimit të një pajisjeje inovatore të quajtur Sistemi Robotik Kirurgjik Versius.
Roboti i ri ka saktësi të avancuar dhe aftësi manovrimi që bën të mundur përdorimin te pacientët më të rinj.
Pas një sërë provash të suksesshme tek të rriturit, 7-vjeçari Reece është fëmija i parë në vend që operohet me këtë pajisje.
Ai iu nënshtrua kontrolleve në spital pas një incidenti në një park.
Nëna e tij, Elizabeth Wilton, thotë se “ai iu nënshtrua kontrolleve dhe në fillim nuk u zbulua gjë pas incidentit, por më pas, nga skanimet u zbulua se ai kishte një problem midis veshkave dhe fshikëzës, me tubin lidhës, nuk ishte plotësisht ashtu siç duhej”.
Fillimisht familja u trondit kur u njoh me faktin se ndërhyrja kirurgjikale për këtë problem shëndetësor do të kryhej me ndihmën e një roboti.
Babai i 7 vjeçarit, Ashley Wilton, thotë se “kur dëgjova për herë të parë se do të ishte një robot që do ta operonte atë, kisha dyshime…Por kur merr më shumë informacion dhe mëson se robotin e drejton një mjek atëherë gjithçka bëhetë shumë më e kuptueshme”.
Kirurgu që kreu ndërhyrjen është Ewan Brownlee, i cili është urolog pediatrik në Spitalin Universitar Southampton. Kirurgjia tradicionale për këtë ndërhyrje mbart disa komplikime, shpjegon ai.
Ndërsa krahët robotikë të përdorur në këtë procedurë kanë një gamë lëvizjeje të tillë që bën të mundur që instrumente kirurgjikale mjaft të vogla të kryejnë operacione të ndërlikuara te fëmijët.
Pas testeve për gati 3 vjet, është arritur momenti historik, kryerja e operacionit te një fëmijë.
Pajisja e ndihmuar nga roboti, e zhvilluar nga CMR Surgical Ltd me bazë në Kembrixh, synon të arrijë një saktësi që njeriu nuk e arrin dot, nëpërmjet përdorimit të instrumenteve të vogla kirurgjikale, kontrollit të robotit, si dhe një ekrani të zmadhuar me rezolucion të lartë.
“Ndërhyrja kontrollohet nga kirurgu, gjithsesi. Duket sikur ndihma robotike është e atomatizuar, por në fakt kontrollohet nga kirurgu”, thotë kirurgu Ewan Brownlee
Kirurgët shpresojnë të shohin që kirurgjia pediatrike me ndihmën e robotëve të bëhet praktikë e zakonshme në të gjithë botën.
Pas operacionit, Reece i thotë nënës së tij, Elizabeth, se ndihet mirë.
“Ai ka qenë pak i turbullt, i shqetësuar siç do të ishte çdokush, veçanërisht në moshën e tij, por ai ia ka dalë shumë mire. Thjesht po kthehet në normalitet”, shpjegon ajo.
Reece u la të dilte nga spitali pas operacionit dhe pritet të rikuperohet plotësisht./VOA
Më 2 gusht 1939, Albert Ajnshtajni i shkroi presidentit të SHBA, Franklin D Roosevelt dhe kjo letër do të rezultonte në projektin ”Manhattan”, një nga shpikjet më domethënëse dhe shkatërruese të historisë.
Rrëfimi dramatik i shfrytëzimit vdekjeprurës të fuqisë atomike, i treguar në filmin “Openheimer” të vitit 2023, mund të mos ishte asgjë më shumë se një letër fantastiko-shkencore, e cila nuk ishte shkruar kurrë në një letër me dy faqe, e datës 2 gusht 1939.
“Puna e fundit në fizikën bërthamore e bëri të mundshme që uraniumi mund të shndërrohet në një burim të ri dhe të rëndësishëm energjie”, shkruhet në një letër drejtuar presidentit të SHBA Franklin D Roosevelt, të nënshkruar me dorë nga fizikani Albert Ajnshtajn.
”Kjo energji mund të përdoret për ndërtimin e bombave jashtëzakonisht të fuqishme”, thekson ai.
Duke shprehur dyshime për vendimin e Gjermanisë për të ndalur shitjet e uraniumit në Çekosllovakinë e pushtuar, letra ishte shtysa për një program kërkimi top-sekret prej dy miliardë dollarësh.
Projekti ”Manhattan” ishte një garë për të mundur Gjermaninë në zhvillimin e armëve atomike.
Projekti trevjeçar, i udhëhequr nga fizikani Robert Oppenheimer, do ta shtynte SHBA-në në epokën bërthamore dhe do të çonte në një nga shpikjet më domethënëse dhe shkatërruese të historisë: bombën atomike.
Më 10 shtator 2024, letra e formuluar me kujdes e Ajnshtajnit do të dalë në ankand në ”Christie’s New York” dhe pritet të arrijë mbi katër milionë dollarë.
U hartuan dy versione të letrës: një version më i shkurtër, i cili po shitet në ankand nga ”Christie’s”, dhe një version më i detajuar, i dorëzuar në Shtëpinë e Bardhë me dorë, dhe tani në koleksionin e përhershëm të bibliotekës ”Franklin D Roosevelt” në Nju Jork.
“Në shumë mënyra, kjo letër shënon një pikë kyçe në historinë e shkencës, teknologjisë dhe njerëzimit”, thotë për BBC Peter Klarnet, specialist i lartë për ”Americana”, libra dhe dorëshkrime në ”Christie’s”.
“Kjo është me të vërtetë hera e parë që qeveria e Shteteve të Bashkuara përfshihet drejtpërdrejt financiarisht në kërkime të mëdha shkencore”, shton ai.
Dr. Bryn Willcock, drejtori i programit për Departamentin e Politikës, Filozofisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin ”Swansea” dhe pedagog dhe studiues në Historinë Amerikane dhe Bërthamore, është dakord.
“Shumica e rrëfimeve historike të origjinës së bombës fillojnë me një diskutim të letrës”, i tha ai BBC-së.
”Përmbajtja e letrës ishte thelbësore për marrjen e veprimeve të drejtpërdrejta nga presidenti Roosevelt”, thotë ai.
Filmi i vlerësuar me çmime ”Oppenheimer”, i cili bazohet në historinë e projektit ”Manhattan”, që i referohet letrës, në një skenë midis Oppenheimer dhe fizikantit Ernest Lawrence, pritet të ngjall interes shtesë në ankand.
“Kjo letër është diçka që ka qenë pjesë e kulturës popullore që nga viti 1945, por mendoj se filmi ‘Oppenheimer’ e solli atë tani për një brez të ri”, thotë Klarnet.
Më 16 korrik 1945, një prototip i bombës, i njohur si “gadget”, u shpërthye me sukses në një shkretëtirë të Nju Meksikos.
Rezultati u prit si me triumf dhe me frikë.
Në këtë ditë, presidenti amerikan Harry S Truman shkroi në ditarin e tij se “ne kemi zbuluar bombën më të tmerrshme në historinë e botës”./atsh/ KultPlus.com
Eqrem Çabej ka qenë një arsimtar, gjuhëtar dhe albanolog i shquar shqiptar. Më poshtë ju sjellim letrën që ai ua kishte kushtuar mësuesve, duke ua kujtuar që mësuesia është mision dhe se shembullin duhet ta japin përmes sjelljes së tyre.
Më poshtë letra dhe këshillat e Eqrem Çabejt për mësuesit.
Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut.
Gabimet që mund të bëjnë profesionistët e ndryshëm, mund të korrigjohen me disa shpenzime, por gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos është e pamundur, ta ndreqësh atë. Ju duhet të edukoni përmes sjelljes suaj, përmes shembullit tuaj. Në rast se ju silleni keq, edhe sikur të mbani dhjetëra leksione morali, ose leksione për nevojën e sjelljes së mirë, nxënësit nuk do të përfitojnë asgjë, ata do të ndikohen kryesisht prej sjelljes suaj. Shembulli të bën ta ndjekësh njeriun.
• Kur punoni, punoni seriozisht dhe me ritmin e duhur. • Mos u merrni me muhabete gjatë punës. Kur të pushoni, pushoni vërtet. • Mos përzieni punën me pushimin dhe pushimin me punën. • Ata të cilët gjatë punës bëjnë muhabete dhe gjatë pushimit përpiqen të kryejnë ndonjë punë të mbetur në mes, nuk arrijnë rezultatet e duhura. • Mos jini kategorikë. • Gjithçka shikojeni me sy kritik. • Mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime, kur mendoni ndryshe. • Mos kini turp të pyesni për gjëra që nuk i keni të qarta. • Gjërat e paqarta nuk mbahen mend. • Mos bëni asnjë punë shkel e shko. • Mos filloni të shkruani diçka pa e pasur të qartë në kokën tuaj. • Mos lini asnjë punë pa e përfunduar plotësisht dhe si duhet. • Mos merrni dhe mos lejoni t’ju marrin dinjitetin nëpër këmbë. • Jeta e njeriut është një fragment i planeve, dëshirave dhe ëndrrave të tij, prandaj kushtojuni planeve, dëshirave dhe ëndrrave tuaja më kryesore…. / KultPlus.com
Papa Françesku na fton të lexojmë edhe gjatë pushimeve pasi, sipas Tij, stimulon inteligjencën dhe ndihmon për të përballuar jetën, sipas vanityfair.it
Një libër i mirë është ushqim për zemrën dhe mendjen, zgjeron universin personal, e pasuron dhe e rinovon atë.
Për këtë është shumë i bindur edhe papa, i cili nënvizoi vlerën e leximit të romaneve dhe poezive në rrugën e pjekurisë së çdo njeriu.
Dhe çfarë kohe më të mirë mund të gjejmë se sa pushimet veror për t’u rikuperuar intelektualisht?
”Një përvojë e shpeshtë para gjithëpërfshirjes së mediave, rrjeteve sociale, celularëve dhe pajisjeve të tjera”, thotë papa Françesku.
Në shkrimin e tij, Bergoglio thekson edhe funksionin terapeutik që zotërojnë shumë libra.
”Shpesh në mërzinë e festave, në vapën dhe vetminë e disa lagjeve të shkreta, gjetja e një libri të mirë për të lexuar bëhet një oaz që na distancon nga zgjedhjet e tjera”, shkruan papa.
”Atëherë kur nuk mungojnë momentet e lodhjes, zemërimit, zhgënjimit, dështimit, dhe kur edhe në lutje ende nuk jemi në gjendje të gjejmë qetësinë e shpirtit, një libër i mirë të paktën të na ndihmojë të kalojmë stuhinë, derisa mund të kemi pak më shumë se qetësi”, thekson ai.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot ka pritur në takim kryetaren e komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
Në një komunikatë per media është bërë e ditur se Kryeministri Kurti e uroi Sinanin për formimin e koalicionit me Partinë Demokratike Shqiptare të drejtuar nga Ragmi Mustafa dhe për detyrën e re si kryetare e komunës.
“Kryeministri Kurti i ofroi mbështetje në realizimin e programit qeverisës dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe të qeverisë për bashkëpunim të afërt institucional në shërbim të Preshevës dhe qytetarëve atje pa dallim”, u tha në komunikatë.
Ardita Sinani u zgjodh Kryetare e Komunës së Preshevës me 24 vota në asamblenë komunale, të mbajtur me 30 korrik, 2024.
Zëvendëspresidentja e SHBA, Kamala Harris ka siguruar zyrtarisht shumicën e nevojshme të votave të mjaftueshme për të kandiduar për presidente e demokratëve.
”Harris mori 99% të rreth 4 500 votave të delegatëve”, njoftoi Partia Demokrate.
Harris arriti një shumicë pak pasi votimi u hap të premten, por votimi vazhdoi deri të hënën në mbrëmje.
Njoftimi nuk ishte i papritur, pasi asnjë kandidat tjetër nuk kishte hedhur kandidaturën në garën e PD.
Harris, emërimi i së cilës ende duhet të certifikohet zyrtarisht në konventën e partisë që do të nisë më 19 gusht, tani do të përballet me ish-presidentin e SHBA, Donald Trump, kandidat i Partisë Republikane./ atsh/ KultPlus.com
Abaz Kupi i lindur më 6 gusht 1892 në lagjen Varosh të Krujës, i njohur dhe si Bazi i Canës (Abazi i Hasanit), ishte ushtarak dhe aktivist i çështjes kombëtare gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në ditët e zbarkimit të fashistëve italianë në vendin tonë, më 7 prill 1939, udhëhoqi qëndresën e repartit ushtarak të Durrësit (1932-1939), qëndresë e cila zgjati 36 orë dhe e shndërroi atë në një ikonë.
Me pushtimin e Shqipërisë u largua në Stamboll dhe në qershor të vitit 1939 familja e tij u internua në Himarë. Rikthehet në atdhe me përkrahjen e ambasadës angleze në Beograd për të organizuar qëndresën kundër pushtuesit bashkë me të vëllanë, Ibrahimin, gjë që e bëri me shpenzimet e tij.
Ishte një ndër organizatorët dhe pjesëmarrësit kryesorë të Mbledhjes së Pezës të mbajtur më 16 shtator 1942 si dhe u zgjodh anëtar i KANÇ. U bë gjithashtu nismëtari Konferencës së Mukjes të mbajtur në datat 1-2 gusht 1943 për të arritur bashkëpunimin midis Frontit Nacional Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar.
Kur Enver Hoxha hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes me Konferencën e Labinotit në shtator 1943, Abaz Kupi u largua më 19 nëntor 1943 nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar. Më 21 nëntor formoi Lëvizjen e Legalitetit që mësynte në rikthimin e Mbretit Zog në Shqipëri. Pas kësaj udhëheqja e Partisë Komuniste urdhëroi asgjësimin fizik të Abaz Kupit.
Më 24 tetor 1944 u largua nga atdheu nëpërmjet një barke të siguruar nga Ihsan Toptani në Shkodër, bashkë me dy bijtë e tij Petritin, Rustemin dhe përkthyesin Gaqo Goga. Udhëtuan për 6 ditë pa ushqim e pa ujë derisa u gjetën nga një anije pastruese-minash kanadeze që i çoi në Brindizi të Italisë. Pjesa tjetër e familjes qëndroi në Shkodër. Djali i vogël, Fatbardhi, u arrestua më 1945, ndërsa pjesa tjetër e familjes, bashkëshortja e tij dhe vajzat, do të internoheshin në Tepelenë e më pas në kampet e internimit të Myzeqesë.
Në emigracion u mor me organizimin e mërgimtarëve për një bashkim politik e më pas u aktivizua në komitetin “Shqipëria e Lirë” me president Mit’hat bej Frashërin.
Më 7 korrik 1949 u emërua president i Juntës ushtarake, nën projektin “Valuable” (organizëm kontrollues i operacioneve ushtarake sekrete për destabilizimin e regjimit komunist në Shqipëri). Në 1968-ën zhvendoset drejt Shteteve të Bashkuara ku më vonë ndërron jetë më 9 janar 1976 në New York. Trupi i tij prehet në Kew Gardens Cimitery në Queens. /ata/ KultPlus.com
Fragment nga intervista më e gjatë, pjesë të së cilës janë botuar në librin Zejnullah Rrahmani LETRA PËR NJË KURORË MBRETËRORE, Fondacioni Ibrahim Rugova, Prishtinë 2024.
Cili është motivi më i çuditshëm që e keni përdorur për të shkruar një tregim?
Një djalë i vogël që ka jetuar në vendet ku dimri është i pafund dhe një ditë i lutet babait që nji ditë kur të kthehej prej gjuetisë në vend të ushqimit që sillte çdo ditë, t’ia sillte verën. Atëherë do të kishte shumë ushqim dhe i ati nuk do të shkonte çdo ditë për gjueti larg shtëpisë. I ati mori me vete një lundërz, një kastor dhe një ujk. udhëtoj me miqtë e vet shumë ditë e shumë netë dhe mbas shumë ditësh e netësh arriti në maje të malit që prekte qiellin. Atje, së pari e hodhi drejtë qiellit lundërzën, mirëpo ajo vetëm sa gërvishti pak qiellin dhe pastaj ra teposhtë malit pakthim. Pastaj provoi të njëjtën gjë me kastorin, por edhe ai e pësoi njësoi. Më në fund i tha ujkut ta provojë të hapë një vrimë në qiell dhe ujku provoi dy herë dhe vetëm të tretën herë hapi një vrimë dhe u fut në qiell. Pas tij u nis edhe ai dhe pa që aty është një vend i bukur i blertë dhe përplot me ujëra, lumenj e liqej dhe me drunj të bukur e me kafshë të panumërta…dhe një mot me diell gjithmonë dhe mbasi që tashmë ishte tepër i uritur, vendosi të gjuante disa nga kafshët dhe zogjtë dhe ato ikën me rrëmbim nëpërr atë vrimën e qiellit dhe fluturuan në të gjitha anët…dhe bashkë me kohën e mirë u përhapën në botën me akull…
Më duket që unë pak a shumë të njëjtën gjë kam provuar gjithë jetën dhe ma merr mendja, disa prej “zogjëve” të cilët i kam lëshuar midis lexuesve nga ajo vrimë në qiell që kam hapur, edhe mund të jenë të bukur…
Në fakt nuk kam insistuar kurrë të zgjedh motive të çuditshme. Dhe në përgjithësi nuk jam autor senzacionesh dhe në fund të fundit as nuk e kërkoj lexuesin me çdo kusht. Natyrisht që e dua lexuesin – për shkak të asaj që shkruaj. Dëshiroj që arti im letrar të arrijë tek ai jo pse motivi (a tema, topika) i veprës sime është i çuditshëm, por për shkak se një temë ia ofroj atij në një formë të bukur dhe të papritur nga ana e tij, le të themi kushtimisht në mënyrë të çuditshme…/ KultPlus.com
Zgjou,bir,jo më gjumë, ngjou,se mi fjëjte shumë. Jeta ime,xha m’u zgjo, zgjou se bëre nino. Vjen një legë pekurar’ pruçesion ti vizitar. Gjegj si loznjin,si këndonjin, dhenë e detin e gjëmonjin, Karramunxa e fishkarole, surdullina e rusinjole, mirë bukur e ngular, – o çi vjersh! Ti rikriar. Gjegji,bir,e iu gëzo, me kto duars i beko. Ruaj rigale çi ti sualltin, gjithë mandrën e rëzuatin. Nga me dorë ti kit qengje, çi ësht’ e bardh’ si nji skamëngje. Çi ësht’ e tener këjo gjiz’! Ruaj e suall ki kaçiapriz. E kaciqin me kit dhi e suall ki buzëzi. E gastratin pjot lesh e suall ki këmbëlesh. Ç’ësht’ i ëmbël ki huall! Erdh Nikolla e t’e suall. Nji manure pratunere e njo zok si kaçjulere e nji t’egërith pëllumb e suall Ngjisku me nji tumb Via,bir,zgjou,pravoi, pekurarët bekoi. Erdh edhe nji leg’ divote tue kënduar parambote. Ruaji,bir,e i gëzo, zgjou se bëre nino. Vjen Xhudita me nji gjel, zunë fill ajo kangjel. Suall Malita nji kapua, e e motra nji pagua. Pesë bracë xagarele suall e ve Rutiçele. Suall e bija ca këstanja, kirgorina edhe milanja. Suall Rakelea nji brez se t’e ngjeshinj nd’atë mes. Me nji fash rikamatë erdh Suzana çi me natë. Lia suall dica skutina, e ca ve Carafina, e Dilusha,çi u martua, suall nji kez’,m’e suall mua. Ruaji gjith’ e i beko, zgjou se bëre nino./KultPlus.com
Për të shtatin vit radhazi, sheshi i qytetit të Lezhës kthehet në qendrën festive të verës.
“Festë n’shpi” është aktiviteti i organizuar nga Bashkia e Lezhës, ku përgjatë dy javëve të para të gushtit artistë të shumtë do të ngjiten në skenë për të dhuruar spektakël për të pranishmit.
I konceptuar si një event që bashkon banorët, emigrantët e kthyer në vendlindje, por edhe turistët e shumtë nën një atmosferë festive “Festë n’shpi”, që gjallëron çdo natë mbrëmjet në Lezhë.
Bashkia e Lezhës ndau momente atmosfera me të cilën Lezha mirëpret çdo mbrëmje vizitorët me muzikë, valle dhe zemër të bardhë.
Mbrëmjen e djeshme për spektatorët që kishin mbushur Sheshin “Gjergji Kastrioti”, të Lezhës performoi këngëtarja Anxhela Peristeri, ndërsa sot në skenë do të ngjitet Elgit Doda, një tjetër zë i njohur i muzikës shqiptare.
Festa do të kulmojë më 15 gusht, Ditën e Shtegtarit, e do t’u dedikohet emigrantëve./KultPlus.com
Autoriteti i Dosjeve (AIDSSH) në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit e Leximit dhe Bashkinë Himarë do të organizojnë një aktivitet në kuadër të 23 Gushtit, Ditës Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, të përcaktuar nga Parlamenti Evropian, KE dhe Këshilli i Evropës, për të nderuar dinjitetin njerëzor të viktimave të totalitarizmit. Aktiviteti titullohet “Porto Palermo tjetër – nga kamp në përkujtim – dëshmi dhe poezi” dhe do të zhvillohet në kalanë e Porto Palermos, një monument i trashëgimisë kulturore.
Autoriteti zbret në kalanë historike për të sjellë në vëmendje të shoqërisë, permes dëshmive, dokumenteve arkivore, dhe ekspozitës me portrete njerëzore, vizatuar nga Lek Pervizi, historinë e pathënë të saj, si vendvuajtje për familjet e kundërshtarëve politikë të regjimit komunist.
Për një periudhë të shkurtër, 1949-1950, kalaja u përdor si vend internimi i burrave, grave e fëmijëve, familjarë të kundërshtarëve politikë, të cilët mbaheshin të izoluar, në kushte të vështira në mjediset e saj të errëta e pa dritë. Shumë të dënuar të kampit të Tepelenës ndaluan për disa kohë në Porto Palermo.
Qendra Kombëtare të Librit dhe Leximit do të sjellë gjithashtu edicionin e saj të “Varg Festival”, me poezi mbi historinë e Porto Palermos gjatë ekzistencës së saj si kamp-burg, për familjet e kundërshtarëve politikë të regjimit komunist.
Kalaja e Porto Palermos ka ekzistuar kohë më parë se Ali Pashë Tepelena ta rindërtonte atë në shek. XVIII. Sipas disa shkrimeve të vitit 1912, kjo kështjellë ishte venedikase, megjithatë studiuesit kanë teori të ndryshme rreth kohës së ndërtimit të kësaj kalaje. Pas restaurimit Ali Pasha e ka pasur nën kontrollin e tij këtë pikë, duke e përdorur atë vetëm si vizitor dhe e ka përshtatur për sfida luftarake.
Ti nuk je krijesë e përbuzun, e mbrapsht. Jo, as rob, as djall nuk je! Ti nuk je mallkim për njerëzimin.
Je pjesë e pandashme pa të cilën nuk mund të mendohet jeta e njeriut – pa të cilën ajo nuk mundet me qenë… Femën, ti hymn i përjetshëm i përtërimjes, i gëzimit njerëzor, i vet jetës!
Ti bashkëluftare në rrugët për qëllimet e nalta njerëzore, për mbërrijtjen e lumnisë së të gjithë njerëzve, mbarë njerëzimit!
Në kuadrin e Bienales së ardhshme Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit shpalli thirrjen për paraqitjen e projektit për pavijonin shqiptar në Bienalen e Arkitekturës që do të jetë e hapur për publikun në periudhën 10 maj – 23 nëntor 2025, me temë: “Intelligens.Natyrale.Artificiale.Kolektive”.
MEKI njoftoi sot se hapi thirrjen për projektide të frymëzuara nga një vëzhgim i kujdesshëm i arkitekturës bashkëkohore dhe i shoqërisë shqiptare, sidomos aty ku kjo bën ndryshimin, si dhe mjetet vizuale përmes të cilave ato do t’i komunikohen publikut të gjerë dhe profesionistëve.
Ekspozita e 19-të Ndërkombëtare e Arkitekturës do të prezantojë, si zakonisht, pjesëmarrjet kombëtare me ekspozitat e veta në pavijonet në Giardini dhe Arsenale, si dhe në qendrën historike të Venecias.
MEKI inkurajon të gjithë kandidatët të bashkëpunojnë me kuratorë vendas ose të huaj që kanë përvoja respektive në organizime dhe pjesëmarrje në evente të ngjashme dhe të dorëzojnë projektet e tyre deri më 30 shtator 2024./atsh/KultPlus.com
Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot, në ditën e saj të lindjes, mbretëreshën Geraldina (1915-2002).
Ajo vinte prej një familjeje shumë të njohur hungareze, origjina e së cilës datonte e dokumentuar qysh nga periudha e Mesjetës, kur Hungaria u pushtua nga arpadët, në vitin 894, dhe kjo familje ishte pjesëmarrëse në krijimin e monarkisë hungareze, nën dinastinë arpadiane. E mbetur jetime qysh në moshë të vogël, nën përkujdesjen e gjyshërve Aponny, konteshë Geraldina u dërgua në një shkollë angleze në Menton të Francës. Më pas, e dërguan në kolegjin “Sacred Heart” të Pressbaum, afër Vjenës, në Austri, ku mbaroi Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Financiare.
Konteshë Geraldina iu përkushtua me gjithë shpirt skenografisë, sociologjisë, historisë, letërsisë, etj.
Gjatë periudhës së shkurtër të qëndrimit në Shqipëri, Geraldina iu përkushtua shtresave në nevojë. Kontribuoi për ngritjen dhe funksionimin e institucioneve në shërbim të shtresave në nevojë, si spitalet, azilet dhe jetimoret. Ajo punoi edhe për promovimin dhe jetësimin e të drejtave të grave, si dhe për mundësinë e emancipimit të tyre./atsh/KultPlus.com
Një 15-vjeçar është bërë mjeshtri më i ri i shahut britanik.
Shreyas Royal arriti të rrëmbente titullin e rëndësishëm në kampionatin britanik të Shahut në Hull, duke thyer rekordin e David Howell në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2007.
Shreyas, i cili filloi karrierën e tij ndërkombëtare në moshën shtatë vjeçare, aspiron të bëhet kampioni botëror i shahut deri në moshën 21 vjeçare./KultPlus.com