Artistët e huaj, queer dhe indigjenë po marrin një platformë të vonuar në ekspozitën e 60-të të artit bashkëkohor të Bienales së Venecias që u hap të shtunën.
Vizitorët në dy ambientet kryesore, Giardini dhe Arsenale, do të priten me një tabelë neoni nga kooperativa konceptuale e artit Claire Fontaine me titullin e ekspozitës: “Stranieri Ovunque – Të huajt kudo”. Gjithsej 60 në gjuhë të ndryshme varen nëpër ambiente, shkruan euronews, transmeton Klankosova.tv.
Kur merret në kontekstin e konflikteve globale dhe forcimit të kufijve, titulli duket një provokim kundër qeverive të papajtueshme – të paktën një nxitje për të marrë parasysh njerëzimin tonë të përbashkët. Nëpërmjet artistëve me perspektiva të nënpërfaqësuara, ekspozita trajton temat e migrimit dhe natyrës së diasporës, si dhe indigjenitetin dhe rolin e artizanatit./KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo do ta përfaqësojë vendin në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në seancën e cila do të mbahet të hënën.
“Në seancën e KSKB-së, Presidentja Osmani pritet të flasë për progresin, zbatimin e reformave, të drejtat e njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit si dhe fusha të tjera me rëndësi për Kosovën. Presidentja poashtu do të flasë për domosdoshmërinë për drejtësi për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë”, njofton Presidenca e Kosovës.
Përgjatë qëndrimit në New York, Presidentja Osmani pritet të takohet e koordinohet me disa nga përfaqësuesit e përhershëm të shteteve mike në Kombe të Bashkuara.
Takimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën do të mbahet të hënën në ora 16:00, sipas kohës lokale të Kosovës. /KultPlus.com
”Në bankat shkollore moj mike”, është një këngë që i këndon dashurisë së parë, asaj që fillon në moshën e adoloshencës, shkruan KultPlus.
Mirëpo, pak e dijnë se këtë këngë për herë të parë e këndoi këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Anita Take, ndërkaq kënga titullohej ”Kujtimet e studentit” dhe u realizua në vitin 1958.
”Në bankat shkollore moj mike”, vazhdon të dëgjohet edhe sot e kësaj dite, duke përcjellur çdoherë emocione të mëdha tek dëgjuesit.
Një ditë në bankë o mike dy emra i gdhëndëm dikur po ti nuk e di si më ike ndaj vura në zëmër një gur
dashuria e parë nuk harrohet degjoje këtë fjalë që trondit veç mali me mal nuk takohet por njerëzit takohen një ditë
ne u ndamë në errësirë jeta ndarje ka por si zëmra lamtumirë zëmrës nuk i tha
u ndamë nga shkolla, mban mënd por ne nuk u ndamë përjetë ndaj tjetër se zu vëndin tënd të dytë dashuri s’mund të ketë. / KultPlus.com
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve të Kulturës, në Torrën Veneciane të Durrësit u zhvillua një takim mbi rrugëtimin e xhubletës shqiptare drejt njohjes si vlerë e trashëgimisë botërore përmes përfshirjes së saj në listën e objekteve të mbrojtura nga UNESCO.
“Jo vetëm xhubleta dhe çfarë përmban universi i saj, por rruga e gjatë me shumë aktivitete dhe ngjarje derisa mbërritëm në këtë realitet që ajo u bë pjesë e listës së monumenteve të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe që në të ardhmen shpresojmë të marrë statusin e plotë të marrjes në mbrojtje nga UNESCO sepse ky është vetëm një fillim”- Luljeta Dano, Drejtore e Qendrës Antropologjike Xhubleta.
Nismëtarja Luljeta Dano rrëfeu përvojën e jashtëzakonshme se si xhubleta u kthye në kauzën e jetës së saj, po dhe të individëve e mbi të gjitha institucioneve të shtetit për ta rijëtësuar këtë vlerë. Dije bërja e saj është drejt zhdukjes ndaj duhen mekanizma nxitës dhe mbështetës për ta kthyer traditën dhe gjithçka vjen përmes saj si një vlerë e shtuar për turizmin e qëndrueshëm.
“Kemi shpresë që ministri i ri i Kulturës të kapë kohën e humbur dhe të kemi informacion se ccfarë po bëhet që Shqipëria të mos e humbasë shansin. Është një kohë prove për t’u krijuar struktura që xhubleta të prodhohet me po atë teknologji artizanale që ka qenë prodhuar.”
I organizuar nga Qendra Muzeore Durrës, ky takim u konsiderua si një model udhërrëfyes për të inkurajuar aktivizmin drejt një aplikimi të suksesshëm edhe Durrësin dhe vlerat e tij.
“Pasuria jonë arkeologjike është unikale, po duke hulumtuar mund të gjejmë dhe vlera të tjera të trashëgimisë jo materiale që mund t’i kurorëzojmë me një pjesëmarrje në listën e UNESCOs e cila përkthehet më pas në vlerë ekonomike dhe turizëm kulturor. Duhet shfrytëzuar ky moment”- shprehet Antigoni Suli Gjergji, Qendra Muzeore Durrës.
Me vlerat e jashtëzakonshme historike dhe kulturore të tij, prej vitesh autoritetet e ministrisë së kulturës kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për ta përfshirë Amfiteatrin Antik të Durrësit në listën e mbrojtjes nga ana e UNESCO-s, po pa rezultat deri më tani për shkak dhe të ndërhyrjeve pa kriter rreth e qark tij./TopChannel/ KultPlus.com
Nga supet Pushkën e gjatë s’e hoqe kurrë, Nga supet e tua plot plagë, Nga supet kockë e lëkurë.
Bukën e ngjyeje me shëllirë, Shëllirë dhe misër përnatë, E ruaje atë pak yndyrë, Oh, atë yndyrë të paktë, Për mikun dhe pushkën e gjatë, Për të lyer pushkën e gjatë!
Se gruaja lindte fëmijë, Por pushka lindte krisma, Dhe për shqiptarin ishin Po aq të shtrenjta të dyja: Dhe krisma dhe fëmija.
Fëmija do lëronte nesër me parmendë Dhe do ta mbronte netëve krisma. Mbi supet e Shqipërisë kohërat krisma hidhnin, Ashtu si mbi supet e nuses orizin.
5
Në këmbët e maleve shtriheshin fushat, Të urta si gratë, si gratë kokulura. Ç’të gatuanin fushat për gjigantët e uritur? Mbi fushë era vërshëllente “u”, Shtriheshin duajt e rrallë sipër tyre Si të vrarë, përmbysur aty-këtu. Ndaj malet bubulonin e lëshonin tatëpjetë Gurë e përrenj plot sherr e poterë. Ato, kokulurat, gjithçka duronin Duke ëndërruar tjetrën verë.
6
Ta tretën trupin rrebeshet, ethet, malarja; Të shurdhuan veshët Priftërinjtë dhe hoxhallarët, Dhe, si Saturni, Bijtë e tu i haje me gjakmarrje Dhe bekonin gjakmarrjen Minaret dhe kambanaret.
7
Kontaktet e tua të para me shpikjet, Me të rejat teknike të qytetërimit, Ishin markat dhe kalibrat e rinj të armëve, Që provoheshin në gjoksin e rreshkur plot brima.
Dhe pas luftërave mbeteshin varre malësorësh të vetmuar; Murana të trishtuara. Emra njërrokësh, Gjer vonë Një grumbull gurësh Dhe, në vend të luleve, Te koka një këngë monotone. Ngritur nga fisi i tij Një këngë monotone. Dhe tretej pranë gjymtyrëve të gjata Pushka, pushka e gjatë. Dhe pas gjymtyrëve të gjata Tretej emri i shkurtër, I binin rrokjet, Si boçet e pishës në shi, Dhe, pas të gjithave, E fundit tretej kënga, Kënga monotone e fisit të tij.
8
Dhe Shqipëria prapë strukej në kasolle, Në netët e saj të zeza mitologjike; Në ca tela lahute kërkonte të thoshte diçka Nga shpirti i pakuptueshëm i saj. Nga zërat e brendshëm, Që buçisnin shurdhër thellë tokës epike.
Kërkonte të thosh diçka, Po ç’mund të thoshin vallë Tre tela nën pesë gishta, që dridheshin prej urisë?
Duheshin qindra kilometra tela Dhe miliona gishta Për të thënë shpirtin e Shqipërisë!
9
Po ta vrisje në një breg, Në tjetrin dilte, Sikur mbinte nga toka, Shqiptari i thatë Dhe, përmbi trup, Si shtesë e hekurt, I rritej e zezë Pushka e gjatë.
Me të në krah, Në male e fusha Endej ai në këto vende. Më të gjatë shtatin ia bënte pushka, Megjithëse shpesh jetën më të shkurtër ia bënte.
10
Netët pillnin mëngjeset, Të turbullta, të hirta; Ditët mallkonin netët, Netët ditët. Shqipëria, nga ashpërsi e saj, Pillte fëmijë të bukur, Duke vënë në çdo fëmijë Një ëndërr, një shpresë, Gjinjtë e saj të shteruar duke ndukur; Pillte Shqipëria, Pillte ushtarë, Që vdisnin pastaj rërave të Saharës, Duke kënduar këngën e Urës së Qabesë.
11
Bijtë që dërgove qyteteve të Europës, Që njohën gëzimet e huaja, Erdhën një nga një, Duke gjetur n’atdhe trishtime, Re të ngarkuara me shi të verdhë. Monarkia si gurëthyese u thyente ëndërrimet Erdhën. Me valixhe plot iluzione Nën hije të minareve, të manastireve, U endën në vjeshtra deziluzionesh, Gjersa në gji toka i mori prapë, I kalbi nën këmbët monotone të shirave.
Frutat e hershme e kanë çmimin të shtrenjtë, Por frutat e hershme i rrëzon shpesh ngrica, Ato Shqipëria i futi prapë në gji. “Është herët”, tha, Duke vështruar agimin e zymtë. Dhe prapë u përkul mbi parmendë të lërojë, Duke mbjellë në brazda të gjata lotët e saj të athët, Nën një qiell të zi e të pafund injorance Mbillte lotët e saj Për furtunat dhe rrebeshet e ardhshme.
12
Himnizonin poetët zanat dhe shtojzovallet, Por ato qëronin morra ndanë ujërave, Zanave, shtojzovalleve u dilnin kokallat, Shtriheshin për lekë prapa shkurreve.
Ndonjëherë qëllonte që i braktisnin Zanat e shtojzovallet bjeshkët epike, Në lokalitete Një nga një zbrisnin E një nga një futeshin Në shtëpitë publike. Në shtëpitë publike, që u qepeshin maleve Mbi shpinat e lodhura Si plagë, Si tallje.
13
Në pallat mbreti Zog jepte ballo përnatë Buzëqeshnin princeshat, Vallëzonin çengitë; Në qelitë e qeta të manastireve të ftohta Bënin studime për sufikset priftërinjtë.
Në kafe “Kursal” Orkestrat binin, Lyheshin me pudër damat e plakura, Ndërsa Shqipëria lehonë Dështonte ditët Në pelena resh të përgjakura.
14
Pati njerëz që deshën t’i tërheqin malet Si kuaj të bindur për kapistalli, Dhe i tërhoqën një copë udhë, Porse në terr e humbën udhën. Vinin vargmalet e tmerrshme vërdallë Nëpër natë e mjegull, Të verbra, Të frikshme.
Si të trembura me klithma të lashta, tragjike, Hingëllinin nëpër ëndërr malet kreshnike.
15
Përse mendohen këto male të larta, Këto enigma me kurriz që zgjaten jug-veri? Vazhdoj udhën time Nën hijen e pushkës së gjatë; Kjo pushkë e gjatë: Leva e Arkimedit për ty, Shqipëri.
Nëpërmjet shënjestrës së pushkës së tij, Shqiptari vështronte horizontet dhe kohët, Vërshëllima e vetmuar e maliherit të tij I detyronte shekujt të ulnin kryet.
Kjo tyta e pushkës Mbi shpinë të shqiptarit Si një eshtër e gjatë, e mprehtë ka mbirë, Mbi kurriz e ngulur nga fati i vështirë, Vazhdim i shtyllës së tij vertebrale, Kjo e hekurt, e tmerrshme gjymtyrë, Atavizëm krenare e kohëve të para.
Me këtë fat mbi shpinë të tij Mes shekujve ka lëvizur i patrembur shqiptari, Duke shkelur me opingën e lashtë të tij Këtë tokë të stërlashtë me të gjyshërve varre.
Këtë tokë që më shumë heroizma sesa grurë Ka prodhuar gjatë shekujve, Këtë dhé… Ja përse mendohen këto male të larta, Ndërsa muzgu po bie tutje në xhade.
Leonardo DiCaprio thuhet se ka marrë rolin e Frank Sinatra në filmin e ri të Martin Scorsese, raporton Variety.
Roli i Ava Gardner shkoi për Jennifer Lawrence, me të cilën DiCaprio bashkëpunoi në filmin “Don’t Look Up”.
Nga ana tjetër, DiCaprio dhe Scorsese kanë punuar disa herë bashkë.
Kjo dyshe është një nga çiftet më pjellore aktor-regjisor, pas tyre janë filmat si “Gangs of New York”, “The Aviator”, “The Departed”, “Shutter Island” dhe “The Wolf of Wall Street”. Filmi i tyre i fundit, “Killers of the Flower Moon”, u nominua për 10 Oscar./KultPlus.com
Kasti i “Pulp Fiction” u mblodh në fillim të kësaj jave për të festuar tre dekadat e shfaqjes së parë të filmit klasik të Quentin Tarantinos të vitit 1994, sipas BBC.
Por, ndërsa John Travolta, Uma Thurman, Samuel L Jackson dhe Harvey Keitel po pozonin për një foto në Los Anxhelos, po qarkullonin lajme për një film tjetër të Tarantinos.
Media e Hollivudit raportoi se regjisori kishte pezulluar planet për filmin e tij të 10-të të ardhshëm.
“The Movie Critic” ishte vendosur të ndiqej nga një shkrimtar, por i gjithë plani tani do të ndryshojë.
Interesi për filmin e radhës të Tarantinos është veçanërisht i lartë – sepse do të ishte puna e tij e fundit.
Tarantino ka folur shumë herë gjatë viteve për dëshirën e tij për të drejtuar vetëm 10 filma në karrierën e tij, duke përfshirë një intervistë të vitit 2022 në CNN.
“Unë kam 30 vjet që drejtoj filma dhe tani është koha për të përfunduar shfaqjen”, tha ai.
Shumë adhurues të filmit e respektojnë vendimin e tij për t’u tërhequr para se “të digjet”, por jo të gjithë pajtohen me mendimin se puna e tij mund të bjerë nëse ai vazhdon karrierën.
Një përdorues i Twitter-it komentoi këtë javë se shqetësimet për rënien e cilësisë nuk ishin një justifikim kur vetëm në vitin 2023 Martin Scorsese, Hayao Miyazaki, Michael Mann dhe Ridley Scott treguan pse ata janë ende disa nga kineastët më të mirë që punojnë sot… dhe mbi të 80-at.
Të tjerë e kanë pranuar vendimin e Tarantinos – dhe të presin me padurim filmin e tij të fundit.
Deri më tani, Tarantino ka drejtuar nëntë nga 10 filmat e tij.
“Kill Bill” (Vëllimi i parë dhe i dytë) u shfaqën në ekran si dy filma të veçantë, dhe nëse do t’i numëronit të dy, atëherë Tarantino ka drejtuar tashmë të 10-tin e tij.
Por ai thotë se i numëron si një film, sepse kështu ishin menduar fillimisht dhe dy pjesët janë filmuar gjatë një periudhe të kufizuar kohore.
Ai ka bërë më parë filma që përfshinin zhanre të ndryshme, si western, thriller, komedi, dramë dhe arte marciale.
Nëntë filmat e parë të Tarantinos deri më tani sipas renditjes:
Reservoir Dogs (1992)
Pulp Fiction (1994)
Jackie Brown (1997)
Kill Bill Volume 1 (2003) and Volume 2 (2004) – counted as one film
Death Proof (2007)
Inglourious Basterds (2009)
Django Unchained (2012)
The Hateful Eight (2015)
Once Upon a Time in Hollywood (2019)./KultPlus.com
Intel ka krijuar kompjuterin më të madh neuromorfik në botë, i cili është krijuar për të imituar punën e trurit të njeriut.
Pajisja duhet të mundësojë ekzekutimin e modeleve më komplekse të inteligjencës artificiale sesa është e mundur në kompjuterët konvencionalë, por ekspertët paralajmërojnë se ka pengesa inxhinierike për t’u kapërcyer përpara se pajisja të mund të konkurrojë ose të tejkalojë teknologjinë ekzistuese.
Kompjuterët neuromorfikë ndryshojnë nga makinat tradicionale në atë që përdorin neurone artificiale për të ruajtur dhe përpunuar të dhëna, në vend që të lëvizin të dhënat midis komponentëve të ndryshëm, gjë që është një problem i zakonshëm me kompjuterët e sotëm.
Kjo arkitekturë mund të sjellë efikasitet më të madh të energjisë, me Intel që pretendon se kompjuteri i tyre neuromorfik Halla Point i sapo ndërtuar konsumon njëqind herë më pak energji kur zgjidh problemet e optimizimit.
Hala Point përmban 1.15 miliard neurone artificialë të shpërndarë në 1152 çipa Loihi 2 dhe është i aftë për 380 trilion operacione sinaptike në sekondë. Mike Davies i Intel-it thekson se megjithëse është i fuqishëm, ai merr vetëm gjashtë rafte në një server standard, një hapësirë e ngjashme me një furrë me mikrovalë.
“Ne ndërtuam një sistem kaq të madh, sepse një miliard neurone ishte një numër i bukur i rrumbullakët”, thotë Davies.
Megjithatë, kufizimet aktuale qëndrojnë në shtresat e softuerit të kërkuar për të kthyer problemet e botës reale në formate të përshtatshme për përpunim në kompjuterët neuromorfikë.
“Softueri ishte një kufizim kyç”, shton Davies, duke theksuar se nuk ka kuptim të ndërtohet një sistem më i madh derisa këto çështje të zgjidhen./alsatm/KultPlus.com
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, tha sot se, “sfida jonë është për t’i kthyer Cirkut lavdinë dhe shkëlqimin e dikurshëm”.
Ministri Gonxhja, teksa ndau në rrjetet sociale momente nga shfaqja dhe performanca e parë e akrobatëve shqiptarë, tha se Cirku është një hapësirë ku shkëputesh nga realiteti, duke u bërë pjesë e një bote të imagjinatës pa kufij.
“Ky vit shënon 65-vjetorin e Cirkut Kombëtar, i vetmi në Ballkan për llojin e tij, çka na sjell para një sfide të vështirë, për t’i kthyer Cirkut lavdinë dhe shkëlqimin e dikurshëm, në një hapësirë ku fëmijët dhe të rriturit mund të shkëputen nga realiteti dhe të bëhen pjesë e një bote të imagjinatës pa kufij”, shkroi Gonxhja.
Në Ditën Ndërkombëtare të Cirkut, Gonxhja shprehu mirënjohje për artistët e cirkut dhe emocionet magjike që kanë përcjellë përmes performacës tyre.
“Shprehim mirënjohjen tonë për të gjithë artistët e mrekullueshëm, për çdo emocion dhe të qeshurat pafund që ata kanë dhuruar ndër vite, duke e bërë cirkun një nga format e artit më të dashura për të gjithë”, tha Gonxhja./atsh/KultPlus.com
Para dyzet e ca vitesh, në Bizë të Martaneshit u realizuan xhirimet e filmit artistik shqiptar “Në pyjet me borë ka jetë”, ku aktorët kryesorë të saj, Rikard dhe Marjeta Ljarja.
Kështu tregon për “Albanian Free Press”, në rrëfimin e tij të radhës për këtë zonë të vendit, ish-ushtaraku i lartë, Ilirian Ballaj, i cili ka bashkëpunuar atëherë me trupën artistike të filmit në fjalë dhe që sipas tij, dy aktorët në fjalë, u dashuruan përgjatë këtyre xhirimeve. “Rikardit i kishin hyrë ethet e dashurisë për Marjetën, fakt që na e shprehu edhe neve, se ajo ishte vajzë e mirë, një natyrë e pastër. Ne që ne i thamë: “Merre, ç’pret, ku gjen gocë si ajo”. Dhe ai që e mori, jo sepse i thamë ne, apo edhe mbase, por sepse ia tha zemra”, pohon Ballaj. Për të dhënë më tej edhe mendimin e tij lidhur me filmin artistik shqiptar të asaj periudhe. “Të gjithë aktorët e kanë kuptuar se ideologjizimi ka qenë në veprën e tyre si një mish i huaj, si një kulpër parazit veshur pemës për trungu, por ç’t’i bëje? Sidoqoftë, të gjithë filmat tanë që janë xhiruar para 30-40 vitesh, kanë vlera dhe vlera e parë janë aktorët tanë të mëdhenj, pastaj edhe tematikat e larmishme që kanë patur”, – vlerëson ai… Në Bizë, 40 vjet më parë, u xhirua një film artistik i njohur shqiptar, “Në pyjet me borë ka jetë”. A ke qenë aty dhe si është realizuar ai? Po. Në dimrin e vitit 1978, në Bizë të Martaneshit, u xhirua filmi artistik “Në pyjet me borë ka jetë”, me skenar të shkrimtarit Zija Çela dhe regji të Rikard Ljarjes. Filmi kishte një subjekt të zakonshëm, jetësor. Një inxhinier, Luka, me shumë hezitim shkon të jetojë dhe të punojë në një zonë malore, i shoqëruar nga gruaja e tij shumë optimiste për atë ndërmarrje që po bënin. Ata ndalojnë në një stacion malor me borë dhe aty shtjellohet gjithë fabula e filmit. Filmi kishte një sfond dimëror, malor dhe të ngarkuar nga bora. Dhe vendi më i përshtatshëm ishte menduar Biza e Martaneshit, sikurse ishte bërë edhe me të tjerë filma më parë, në zona të tjera malore si në Dardhë të Korçës, në Theth, në Qafë Shtamë, etj. Rikard Ljarja ishte për herë të parë regjisor e në të njëjtën kohë edhe aktor i filmit. Trupa e xhirimit ishte e vendosur në hotelin e turizmit në qytezën e Bizës, që në ditët e para të janarit. Borë kishte rënë shumë dhe Biza ishte zbardhur e zbukuruar si një nuse e re. Mbuloja kulturën dhe propogandën në Shkollën Ushtarake të Kuadrove Rezervistë në Tiranë e duke qenë se isha i asaj fushe, komanda më kishte porositur që të tregoja vëmendje e të kisha kontakte me trupën e xhirimit të filmit dhe të isha si një ndërlidhës për ndonjë nevojë apo shqetësim të tyre. Ne kishim më shumë përvojë me dimrin, por edhe më shumë mundësi mbështetje, apo mbase edhe nga lart ishte vënë ndonjë detyrë që t’u ndodheshim pranë. Dhe unë këtë u mundova ta bëja me shumë kujdes, me shumë merak, sikurse kërkojnë të jenë marrëdhëniet me njerëzit e artit, siç ishin artistët, që ndjejnë shumë e preken shpejt. Por edhe komanda u tregua tejshmërisht e gatshme dhe shumë korrekte me ndihmën që dha.
Së pari, u njoha me ta, ua thashë edhe për ç’më kishin vënë detyrë. Më mirëpritën, më dhanë edhe skenarin e filmit kur mësuan se unë isha edhe mësues letërsie, jo për ndonjë oponencë, por për kënaqësi dhe për të më afruar. “Shikoje njëherë, – më tha Rikard Ljarja, – edhe të njihesh, por edhe të na ndihmosh”. Une e mora dhe qesha. Dhe Rikardi shtoi: “Borën e njihni ju?”. “E njeh Zija Çella, -i thashë,- që ka lindur tek bora”. Dhe pasi e lexova, pashë me vëmendje skenarin, planet, dublat, truket. Aty mësova edhe sekretin e planeve të xhirimeve që ishin parashikuar, njoha subjektin e filmit, aktorët e rolet dhe pashë se truket ishin gjëja më e keqe, të cilat spektatori nuk duhej t’i dijë, sepse kur rrëzohej njëri hidhej manekini, kur binte borë lëshohej pambuk apo polisterol i grirë, kur shqyhej një trup ishte një pikturë, kur ecte makina ajo rrinte në vend dhe njerëzit e lëkundnin, ndërsa kinooperatori kalonte shpejt në xhirim sistemin e kodrave, e plot mashtrime të tjera. Por më bajati ishin planet e xhirimit pa zërin e aktorit, zë i cili inçizohej në laboratorë, në studio dhe të gjitha zhurmat e tjera imitoheshin. Vonë, në bisedën që bëra me Rikardin, me të cilin u miqësova shumë e që natyrisht edhe ai e mban mend, i sugjerova me modesti se titulli ka një EDHE para: “EDHE në pyjet me borë ka jetë”. “Po kush e vë në diskutim këtë, – i thashë, – është fakt që në pyll ka jetë, ka faunë, ka florë, ka ujë, ka edhe njerëz. Mund të thuash fjala vjen se edhe në Hënë paska jetë, kur e kanë ditur se s’ka, ndërsa ne e dimë që në pyje ka jetë”. Ai më pa mirë dhe tha: “ Pa dale, dale. Ore e ke shumë mirë, por do ta bisedoj me Zijain”. Dhe me kaq u mbyll biseda e kur doli filmi, nuk e kishte titullin “Edhe në pyjet me borë ka jetë”, por thjesht “Në pyjet me borë ka jetë”. Kjo më ngazëlleu. Në një rast dërguam ushtarët në Shëngjergj të Tiranës dhe morëm rekuizitën që kishte ardhur nga Tirana. Njëri prej ushtarakëve tanë, Xhevat Koçia, u fut në rol, u bë malësori Gjici që i vinte syrin motit e që tërhoqi slitën në të cilën ishte ulur “gruaja” e inxhinierit në rol, Gulielm Radoja, Liliana Kondakçi, të cilën do ta merrte helikopteri drejt Tiranës për të lindur. Hapnim rrugën në borë për të shkuar trupa tek pjesa më e vështirë e terrenit për xhirim. Shtatë herë e ka ngjitur në krahë të “plagosurin nga drurët” i paharruari Tonin Ujka, derisa i ra të fikët dhe e përmendëm duke i fërkuar fytyrën me borë. Në një rast tjetër “kërkonim” një sharrtar të mbetur natën jashtë në pyll dhe e gdhimë me xhirime e prapësime. U montua një “sondë shpimi” për mineral dhe ne atje me kursantët. Por edhe pasditeve ishim bashkë tek klubi, por edhe në dhomat tona të ushtarakëve ku kishte zjarr dhe telefon. Ata tërë pasditen e kalonin në telefon me eprorët dhe me familjarët.
Cilat ishin aktoret e filmit dhe raporti i Rikardit atëherë me Marjetën? Aktore ishin dy. Ishte Marjeta (Ljarja) nga Pogradeci dhe një vajzë tjetër tiranase, goca e një shokut tim në kontrollin ekonomik të ushtrisë dhe bashkëfshatar I imi, Hysen Askushi, Luljeta, e cila u gëzua shumë kur mori vesh se ishim jo vetëm bashkëfshatarë, por edhe kushërinj të afërt. Rikardit i kishin hyrë ethet e dashurisë për Marjetën, fakt që na e shprehu edhe neve, se ajo ishte vajzë e mirë, një natyrë e pastër. Ne që i thamë: “Merre, ç’pret, ku gjen gocë si ajo”. Dhe ai që e mori jo sepse i thamë ne, apo edhe mbase, por sepse ia tha zemra. Kur e kam takuar Rikardin në vitin 2014 në pushime në Radhimë, pasi iu afrova me kujdes që të mos e bezdisja, i thashë “unë di shumë gjëra për ty” dhe ai u vërejt. Por kur i thashë “jam ai oficeri i kulturës i Bizës kur ti s’dije ç’të bëje me Marjetën”, u ngrit në këmbë, më pushtoi dhe më thirri buzë ujit duke thënë si dikur:”Pa hë? Unë të të kisha kërkuar ty”.
Kështu që atje në Bizën epikë, historike, turistike, lirike, me lodhje, me mundime, me idile mes artistësh, u xhirua filmi, u stërvitëm ne, por lidhëm edhe një miqësi të mirë me tërë ata njerëz e që e mbajtëm deri vonë. Më të mirët ishin dy të paharruarit Ndrekë-t, Prela dhe Shkjezi. Prela kishte gojën, tregonte bukur, të mbërthente, përshkruante bukur mjedisin e asaj që ndodhte, kishte një fantazi të madhe dhe të ndizte imagjinatën, Shkjezi kishte mimikën, lëvizte me këmbë e me duar, mimika e tij ishte një minierë, të hipnotizonte kur tregonte. Më pas tyre nuk qëndronte as Bep Shiroka. Në shoqëri ishte tamam ai polici tek filmi “Koncert në vitin 1936”, po ato improvizime kishte, fliste me gjuhën e trupit. Shpesh përsëriste batutën: “Të godas”, batutë filmi edhe kjo.
Ndonjë episode tjetër interesant mes tyre, a mund të na tregoni? Filmi, pjesën dominuese të subjektit, e kishte në një sfond bore, mes malesh, pemësh, punëtorësh, sondash, ata dilnin në ballkon kur binte borë e shpeshtë, zbrisnin në fushë e loznin me të kur pushonte, por kur vinte koha e punës të gjithë ishin të robëruar pas saj. Regjisori Ljarja thoshte se në Bizë kishin xhiruar rreth 80% të planeve, direkt në borë, natën dhe ditën, pa më të voglin truk bore (hile). Kur u mblodhën me kursantët një darkë në kinemanë e qytezës për një bisedë për artin e që në të erdhën të gjithë aktorët, një shoku im Kostaq Pashko, një korçar, duke e ditur që Rikardi e kishte diçka në zemër për Marjetën, iu drejtua Ndrek Prelës dhe i tha “ti gjysh, (se rolin e gjyshit kishte në film), duhet t’i martosh nipat”. Dhe Ndreka tha fort: “Pooo, atë po bëj”. Rikardi qeshi, kurse Marjeta uli kokën dhe u skuq.
Para disa kohësh, është zhvilluar një debat publik lidhur me vlerat e vërteta të filmave që janë xhiruar gjatë kohës së komunizmit? Ju vetë, ç’mendim keni rreth tyre? Njerëzit e artit janë kultura e kombit, vetë arti është pasqyrim i jetës me mjete të bukura. E kushdo që e shpreh, e nxit, e bën, e zhvillon të bukurën, është vetë e bukura e njerëzimit, është vetë mirësia e tij. Filmat tanë artistikë, pavarësisht se kur janë bërë, pavarësisht se kanë pasur brenda vetes edhe ideolgjizimin, unë do të thosha se e kanë pasur atë nga halli, se ua kërkonin. Ndërsa vetë ata, aktorët, regjisorët, skenaristët, kanë kërkuar të bukurën, të mirën, detajin, karakterin dhe nuk e kanë vrarë shumë mendjen për polititizimin. Atë e kanë shtuar të tjerët, por edhe nëse e kanë , kjo sepse ua kanë kërkuar, sepse po të mos ishte ajo, libri nuk botohej, filmi nuk shfaqej. Të gjithë aktorët e kanë kuptuar se ideologjizimi ka qenë në veprën e tyre si një mish i huaj, si një kulpër parazit veshur pemës për trungu, por ç’t’i bëje? Sidoqoftë, të gjithë filmat tanë që janë xhiruar para 30-40 vitesh, kanë vlera dhe vlera e parë janë aktorët tanë të mëdhenj, pastaj edhe tematikat e larmishme që kanë patur. Sepse në themel të tyre ishte njeriu që luftonte për liri, fshatari që mbillte grurin edhe misrin, edukatorja që edukonte fëmijët, nëna që lodhej për rritjen e fëmijve, mjeku që shëronte, inxhinieri që futej në minierë një lloj si punëtori, dasma që kalonte në alegri, hidhërimi që përballohej bashkë, kënetat që thaheshin, dritat që vinin, spitalet që ndërtoheshin, shkollat që masivizoheshin, zakonet e veshjet e prapambetura që luftoheshin.
E vendosur në Evropën Juglindore, Shqipëria, me 70% të territorit të mbuluar nga një reliev kryesisht malor, ende nuk i ka zbuluar të gjitha sekretet e saj, shkruan Mathilde Rouy në revistën franceze breakingnews.fr.
A e dini se ky vend ka më shumë se 3000 lloje bimësh, 273 lumenj dhe mbi 15 parqe kombëtare?
Male me lartësi 2500 metra mbi nivelin e detit, lugina të paprekura nga asnjë qytetërim, rrugë ujore të pazbuluara… të gjitha këto mrekulli janë grumbulluar në një vend. Jeni gati të zhyteni në këtë arratisje të egër?
Panorama madhështore: Shqipëria është një vend i vendosur mes detit dhe maleve që ofrojnë peizazhe mahnitëse, si vargmalet e Alpeve Shqiptare.
Përvoja e egër: Midis luginave të thella dhe lumenjve të egër, natyra është e egër, duke ofruar një arratisje të vërtetë për udhëtarët që janë të etur për aventura.
Trashëgimia kulturore: Vendet historike dhe trashëgimia kulturore shqiptare, si qyteti i Gjirokastrës i përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s në vitin 2005, sjellin një dimension të pasur kulturor në udhëtimin tuaj.
Një vend pak i njohur me pasuri të jashtëzakonshme natyrore
Shqipëria është një perlë ende e panjohur për publikun e gjerë në aspektin turistik.
Kjo tokë autentike dhe e egër, e vendosur në zemër të Ballkanit, fsheh thesare natyrore mahnitëse që tërheqin gjithnjë e më shumë udhëtarë çdo vit në kërkim të aventurës dhe diversitetit të peizazhit.
Historia e saj e trazuar është shënuar nga gati gjysmë shekulli izolim politik.
Sot, vendi po hapet dalëngadalë duke ofruar një eksperiencë unike për dashamirët e natyrës.
Vjosa, lumi emblematik dhe parku kombëtar shqiptar
Vjosa, krenaria e Shqipërisë, është një lumë i jashtëzakonshëm që gjarpëron përgjatë territorit shqiptar.
Sot ai përbën një simbol dhe një element të trashëgimisë natyrore të vendit, veçanërisht falë statusit të tij si Park Kombëtar.
Lumi Vjosa ofron një mjedis idilik për aktivitete të ndryshme si rafting, peshkim apo not në ujërat e saj të kristalta.
Biodiversiteti i ruajtur dhe hapësira të virgjëra për t’u zbuluar
Shqipëria ka male spektakolare, që strehojnë hapësira të mëdha të paeksploruara.
Luginat e egra dhe rrugët ujore të pazbutura ofrojnë një strehë për specie të shumta kafshësh dhe bimësh, duke dhënë përshtypjen e një peizazhi të paprekur nga njeriu.
Parku Kombëtar i Thethit: i vendosur në veri të vendit, është i përsosur për alpinistët që kërkojnë një eksperiencë unike.
Gjithashtu ky park ofron një panoramë të mrekullueshme të majave përreth.
Parku Natyror i Korab-Koritnikut: kjo zonë malore, e vendosur afër kufirit me Kosovën, është një parajsë e vërtetë për të apasionuarit pas ecjes dhe alpinizmit.
Aty pranë ndodhet mali i Korabit, pika më e lartë në vend, si dhe maja të tjera legjendare si Tropojani dhe Sharri.
Parku Kombëtar i Llogarasë: I famshëm për pyllin e tij shekullor me pisha dhe shkëmbinjtë mbresëlënës që zhyten në detin Adriatik, u ofron vizitorëve një ndërthurje të florës dhe faunës së larmishme, me peizazhe bregdetare që të lënë pa frymë.
Një trashëgimi kulturore e pasur dhe e larmishme
Përveç bukurive natyrore, Shqipëria ka edhe një trashëgimi kulturore të pasur dhe të larmishme.
Kështjellat, manastiret dhe vendet e tjera arkeologjike të panumërta dëshmojnë për një trashëgimi të bollshme mijëravjeçare.
Adhuruesit e gurëve të vjetër nuk do të zhgënjehen nga një vizitë në qytetin e Beratit, të mbiquajtur “qyteti i një mijë dritareve”, i mbushur me ndërtesa osmane dhe bizantine, apo nga zbulimi i mbetjeve antike të qytetit të famshëm të Apolonisë.
Mirëpritja e paharrueshme në një vend në rilindje të plotë
Mirëpritja e ngrohtë dhe bujare e shqiptarëve është gjithashtu një pasuri e pamohueshme për një qëndrim të suksesshëm në vendin mesdhetar.
Vendasit shpesh janë të lumtur të ndajnë me udhëtarët zakonet që përbëjnë thelbin e identitetit të tyre.
Zhvillimi i turizmit në Shqipëri: i qëndrueshëm dhe etik
E përballur me fluksin në rritje të vizitorëve, sfida për Shqipërinë konfirmon dëshirën e saj për të zhvilluar turizmin e përgjegjshëm, në dobi të trashëgimisë natyrore dhe kulturore që zotëron, si dhe të banorëve të saj.
Duke u fokusuar në zhvillimin që respekton ekosistemet, traditat lokale dhe komunitetet e fshatit, vendi shpreson të koordinojë ekoturizmin dhe ruajtjen e karakterit të tij autentik.
Cilat janë malet spektakolare për t’u vizituar në Shqipëri?
Në Shqipëri, ndodhen Alpet Shqiptare, të quajtura ndryshe “Bjeshkët e Nemuna”.
Ato ofrojnë pamje spektakolare dhe shtigje të pafundme ecjeje.
Cilat janë luginat e egra në Shqipëri?
Shqipëria është e famshme për luginat e saj të egra, kryesisht Luginën e Thethit dhe Luginën e Valbonës.
Këto rajone të largëta ofrojnë panorama mahnitëse dhe natyrë të pacënuar.
Cilët janë lumenjtë e egër në Shqipëri?
Lumi Vjosa është një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë, i njohur për ekosistemin e tij të pasur dhe të larmishëm.
Cilat janë vendet më të mira për një arratisje të egër në Shqipëri?
Parku Kombëtar i Thethit, rajoni i Gjirokastrës, mali i Dajtit dhe lumi Osum janë ideale për një arratisje të egër.
Çdo rajon ofron një përvojë unike të zhytjes në natyrë./atsh/ KultPlus.com
Shtëpia e ankandeve “Sotheby’s” ka nxjerr në shitje portretin e ish-kryeministrit të Britanisë së Madhe, Winston Churchill, pikturuar nga një prej artistëve kryesorë britanikë, Graham Sutherland. Skica e mbijetuar pritet të arrijë 996,000 dollarë në ankandin e 6 qershorit.
Skica e portretit të urryer të kryeministrit britanik Winston Churchill i piktorit Graham Sutherland, ka dalë në ankand.
Vepra, pritet të shitet mes 622,000 dhe 996,000 dollarë.
Në muajin shkurt dhëmbët e rremë të tij u shitën në ankand në Cheltenham për rreth 22,000 dollarë.
Ky portret u rikthye në qendër të vëmendjes, pasi u përjetësua në serialin e Netflix “The Crown”, për monarkinë angleze.
“Kjo nuk është një pikturë, është një poshtërim!”- do të deklaronte Winston Churchill, që urdhëroi shkatërrimin e saj vetëm një vit pas realizimit nga Sutherland.
Prestigjiozja “CNN” i ka kushtuar një artikull të gjatë nxjerrjes në ankand të pikturës së risjellë në episodin e parë të “The Crown”.
Përfaqësuesi për artin modern britanik dhe irlandez në shtëpinë e ankandeve “Sotheby’s” Andre Zlatinger tha se Churchill nuk ishte një person i lehtë për t’u pikturuar.
Ndërsa Sutherland ishte i njohur për realizmin e tij të ashpër dhe pikturoi atë që pa në 1954. /Konica.al/KultPlus.com
Doruntina Kastrati dhe instalacioni skulpturor “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” u nderua me “Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror” në ceremoninë e edicionin e 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia.
Kuruar nga Erëmirë Krasniqi, instalacioni prezanton katër objekte skulpturore: dy prej tyre të modeluara sipas lëvozhgave të llojeve të ndryshme të arrave, të përdorura në prodhimin e llokumeve, dhe dy të tjerat sipas formës së protezave të përdorura për implantet kirurgjike në gjunjë. Instalacioni përcillet nga një projekt tingullor kompozuar nga Paul Hauptmeier dhe Martin Recker.
MKRS ka bërë të ditur se Pavijoni i Kosovës në edicionin e 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia është komisionuar nga Hana Halilaj, kuratore pranë Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Në njoftim po ashtu thuhet se Pavijoni i Kosovës si dhe Ekspozita Ndërkombëtare e Artit — La Biennale di Venezia mbesin të hapura deri më 24 nëntor, 2024.
Lokacioni: Museo Storico Navale della Marina Militare Riva S. Biasio, 2148 30122 Venedik VE, Itali (në mes të hapësirave ekspozuese të Arsenales dhe Giardinit)/ KultPlus.com
Pavijoni i Republikës së Kosovës sot ka marrë Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Ekspozitës së 60-të Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venecias, shkruan KultPlus.
Mirëpo, në këtë ngjarje përderisa ekipi i Kosovës është ngjitur në skenë për të marr çmimin “Special Mention for National Presentation”, zëvendëskryeministrja e Serbisë dhe ministrja e Kulturës, Maja Gojkoviq, e ka lëshuar sallën.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku i cili ka thënë sekjo është hera e parë që Kosova ka marr mirënjohje të tillë që nga pjesëmarrja e parë në vitin 2013.
“Një arritje e jashtëzakonshme e artistes Doruntina Kastrati, e cila e vendosi Kosovën në mesin e më të mirëve në konkurrencë me mbi 80 shtete nga e gjithë bota. Instalacioni skulpturor “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” me kuratore Erëmirë Krasniqi dhe komisionere Hana Halilaj, ka rrënjët te përvojat e grave që kanë punuar në një fabrikë llokumesh në Prizren, në vendlindjen e artistes”, ka shkruar Ministri Çeku./KultPlus.com
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka quajtur triumf fort të veçantë marrjen e çmimit “Special Mention for National Presentation” nga ekipi i Kosovës në Bienalen e Venecias.
Kryemnistri Kurti duke uruar për këtë fitore ekipin e vendit, i cili në krye pati artisten Doruntina Kastrati ka thënë se gratë e Kosovës janë krenari kombëtare.
Shkrimi i plotë i Kryeministrit Kurti:
Mirënjohje e Veçantë për Kosovën në Bienale të Artit
Republika e Kosovës me artisten e saj Doruntina Kastratin, fiton çmimin “Special Mention for National Presentation”, në Bienalen e Artit në Venecia. Një arritje tejet e lartë. Në Biennale ku vetëm pjesëmarrja është fitore, triumfi i saj është fort i veçantë.
Urime të gjithë ekipit, komisioneres Hana Halilaj, kuratores Erëmirë Krasniqi, Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit, mbi të gjitha, urime artistëve të vendit tonë! Kosova djep kulture.
Edhe njëherë, si shpeshherë: gratë e Kosovës krenari kombëtare.
Pavijoni i Republikës së Kosovës ka marrë Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Ekspozitës së 60-të Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venecias, shkruan KultPlus.
Kjo është hera e parë që shteti i Kosovës merr mirënjohje të tillë që nga pjesëmarrja e parë në vitin 2013.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku në Facebook, me mbishkrimin “Sërish! Shteti ynë prek majat e suksesit botëror në art”.
Më poshtë gjeni postimin e plotë:
Gratë e Kosovës shkruajnë histori. Sërish! Shteti ynë prek majat e suksesit botëror në art.
Pavijoni i Republikës së Kosovës merr Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror në edicionin e 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venecias. Kjo është hera e parë që shteti ynë merr mirënjohje të tillë që nga pjesëmarrja e parë në vitin 2013.
Një arritje e jashtëzakonshme e artistes Doruntina Kastrati, e cila e vendosi Kosovën në mesin e më të mirëve në konkurrencë me mbi 80 shtete nga e gjithë bota.
Instalacioni skulpturor “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” me kuratore Erëmirë Krasniqi dhe komisionere Hana Halilaj, ka rrënjët te përvojat e grave që kanë punuar në një fabrikë llokumesh në Prizren, në vendlindjen e artistes.
Përgëzime për gjithë ekipin, përgëzime për Kosovën./KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
Kreu i qeverisë ka deklaruar se pasuri të paluajtshme e ka vetëm një banesë me sipërfaqe prej 67 metrash katrorë, e blerë në vitin 2018 përmes kredisë në shumë prej 400 mijë euro, e që e cila figuron në emrin e bashkëshortes së tij.
Kurti nuk ka deklaruar se ka pasuri të luajtshme, ndërsa ka thënë se para të gatshme në emrin e tij i ka vetëm 1 mijë e 551 euro e 72 cent, ndërsa në emër të gruas së tij, para të gatshme në bankë i ka deklaruar 2 mijë e 500 euro.
Ai tha se ka detyrime ndaj bankës 270 mijë euro për blerjen e banesës, kredi për të cilën tha se i përfundon më 1 janar të vitit 2052, ndërsa ka thënë se paguan edhe qira të shtëpisë në vlerë prej 250 euro.
Kurse sa i përket të ardhurave, Kurti ka thënë se ai merr pagë vjetore si kryeministër në vlerë prej 19 mijë e 43 euro, kurse gruaja e tij, tha se pagën vjetore te punëdhënësi “NUPI”, i merr 528 mijë krona suedeze apo 45 mijë e 201.8 euro.
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka publikuar regjistrat e deklarimit të pasurisë.
Në mesin e personave zyrtarë që kanë deklaruar pasurinë janë edhe krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca.
Në të dhënat e Osmanit, vlera e pasurisë së paluajtshme që ka në pronësi të bashkëshortit dhe në pronësi të përbashkët kap shumën e 970 mijë e 760 euro.
Osmani ka deklaruar një banesë me sipërfaqe prej 67 metra katrorë, e blerë në vitin 2011 me kursime dhe kredi, e cila e kap vlerën e 59 mijë e 760 euro, e që po atë vit, në të njëjtën formë – me kursime dhe kredi, ka deklaruar se e ka blerë edhe një garazh kolektive me sipërfaqe prej 14 metrash katrorë në vlerë 6 mijë euro, të dyja këto në pronësi të bashkëshortit.
E para e shtetit ka deklaruar edhe një shtëpi me sipërfaqe prej 150 metra katrorë, për të cilën tha se e kishte ndërtuar në vitin 2004 me kursime dhe kredi, e që vlera e saj është 170 mijë euro, po ashtu në pronësi të bashkëshortit.
Ajo tutje ka bërë të ditur se bashkë me burrin e saj kanë një tokë prej 5.10 ari, e blerë me kursime dhe borxhe në vitin 2016, në vlerë prej 35 mijë euro.
Përveç tokës, pronë të përbashkët me burrin, Osmani ka deklaruar se ka edhe një “banim në varg”, apo vilë me sipërfaqe prej 244 metrash katrorë, e blerë në vitin 2019 me kursime, borxhe dhe para nga shtija e banesës në Prishtinë.
Osmani tha se ka edhe një tjetër “banim në varg” në emër të bashkëshortit, me sipërfaqe prej 218 metrash katrorë, por që ka vlerën më shumë se dyfishi i asaj të parës – 510 mijë euro. Ajo tha se paratë për blerjen e këtij “banimi në varg” i ka marrë nga shitja e shtëpisë në Australi, e cila ishte në pronësi të bashkëshortit, shitjes së shtëpisë së prindërve të bashkëshortit, nga kursime dhe hua familjare.
Ndërsa, në pasuri të luajtshme, Osmani ka deklaruar një veturë të tipit “Mercedes-benz” në vlerë 10 mijë euro, e që edhe kjo është në pronësi të bashkëshortit të saj.
E para e shtetit tutje ka deklaruar se para të gatshme i ka vetëm 1 mijë e 168 euro dhe 266.84 dollarë australian, ndërsa detyrimet tha se i ka 105 mijë euro.
Kurse, të ardhurat vjetore i ka deklaruar se i ka 70 mijë e 335.16 euro, ku pagën nga presidenca e ka deklaruar në shumë prej 33 mijë e 70 euro, ndërsa nga meditjet për udhëtime zyrtare jashtë vendit, në vitin 2024, Osmani tha se i ka marrë 8 mijë e 92 euro.
Osmani tha se bashkëshorti i saj, 17 mijë e 173 euro të hyra vjetore i ka edhe nga paga neto përmes listës së pagave nga Thesari i Kosovës, kurse 12 mijë euro në vit, ajo ka deklaruar se i merr nga të hyrat e qirasë në Australi, të cilat i ka deklaruar në emër të bashkëshortit.
Të marten, do të bëhet promovimi i librit monografik “Abdurrahman Shala – MJESHTRI që e bëri punën sikur të ishte e lehtë” nga autori Visar Krusha, shkruan KultPlus.
Ky libër i cili do të promovohet në Menzën “Ramiz Sadiku” përfshin portretin gjithëpërfshirës të mjeshtrit të madh Abdurrahman Shala.
“Jemi shumë të lumtur t’iu njoftojmë që në mbrëmjen e 23 prillit, do të bëjmë promovimin e Monografisë për artistin e jashtëzakonshëm Abdurrahman Shala, për të prezentuar kështu portretin më gjithpërfshirës që i është bërë ndonjëherë këtij mjeshtri të madh, i cili edhe punët e mëdha e të vështira i bëri si të ishin të lehta”, thuhet në njoftim.
Promovimi bëhet më 23 prill, në ora 18:00, te Menza “Ramiza Sadiku” –Prishtinë./ KultPlus.com
Aktori Rikard Ljarja lindi më 1 prill 1943 në Shkodër. Në vitin 1960 mbaroi maturën dhe në vitin 1965 u diplomua në Shkollën e Lartë të Aktrimit “Aleksandër Moisiu” në Tiranë.
Pas diplomimit, punoi për 8 vjet me radhë si aktor i teatrit “Migjeni” në Shkodër. Prej vitit 1973 deri në vitin 1996 ai ishte aktor, skenarist dhe regjisor i filmave të prodhuar nga Kinostudio. Prej vitit 1996 deri në 2002, kur doli në pension, shërbeu si drejtor artistik në Televizionin Publik Shqiptar.
Aktori karizmatik, realizues i sa e sa roleve, ka mbetur në kujtesën e publikut si fillrojtësi Dedë tek “Rrugë të bardha”, mësuesi Dritan Shkabaj tek “Komisari i dritës” apo Skënderi tek “Duel i heshtur”.
Rikard Ljarja mbetet ende një prej aktorëve më të dashur prej publikut.
Një karrige bosh, e lënë qëllimisht, bëhet skenë e një rituali tjetër: ndezja e një qiriri në pritje të kthimit të dikujt, një referencë historike për traditën shqiptare të Lëndinës së Lotëve. Koregrafi Gentian Doda një emër i njohur i artit ndërkombëtar tregon përmes një videointalacioni në Bienalen e Venecias historinë e familjes së tij.
Gjithçka vjen përmes konceptit të artistit meksikan Erick Meyenberg i cili e fiksoi këtë moment takimi tradicional shqiptar në celuloid duke i shtuar një koreografi emocionale të Gentjan Dodës dhe kostumografinë e Ardi Asllanit frymëzuar prej të famshmes “Lëndina e Lotëve” ku drama e emigracionit i rri për shtat temës së Bienales së këtij viti “Të huaj Kudo”. Kjo histori tradite dhe emocionesh të forta që vjen përmes konceptit të “Rikthimit të përjetshëm” çoi në vendosjen e titullit të pavionit meksikan “Iknim dhe ktheheshim gjithmonë!”
PAVIONi
Pa kthyer kokën pas. Kështu udhëton një emigrant kur ikën nga shtëpia për të shmangur lidhjen me të kaluarën, si në rastin e pasazhit biblik, ku gruaja e Lotit kthehet në kripë pasi kthen kokën pas. Personi që emigron është një i huaj i përhershëm, i cili dëshiron të kthehet në diçka që nuk ekziston më, ndërsa nuk gjen kurrë plotësisht një vend që t’i përkasë plotësisht.
Me këto fjali nis shpjegimi i pavijonit meksikan në Bienalen e Venecias “Iknim e ktheheshim gjithmonë”. Në qendër të tij është një histori shqiptare emigrimi. Në vitin 2019, Erick Meyenberg, një artist meksikan me origjinë gjermane dhe libaneze, mblodhi një familje shqiptare në një tryezë në një fshat verior të Italisë për të festuar një ritual ritakimi mes festës dhe zisë. Familja Doda kishte emigruar mbi tridhjetë vjet më parë nga Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, në Itali, ku u integruan pa humbur lidhjet dhe traditat e tyre kulturore. Ata u përfshinë në kulturën e vendit pritës duke ruajtur lidhjet me vendin e tyre të origjinës. Artisti meksikan përkthen detajet e zhvillimit dhe traditave të kësaj familjeje në një instalacion video, duke përdorur një qasje estetike dhe konceptuale që komunikon atë që është unike dhe na lidh në veçantitë tona si qenie njerëzore: mënyrat e nderimit, dashurisë dhe mungesës, gjestet dhe emocionet që janë parësore për të gjithë ne.
Gjithçka paraqitet në 4 ekrane të mëdhenj ku në mesin e tyre është vendosur e njëjta tavolinë me çdo objekt identik por të derdhur në qeramikë për të treguar shtresat e kohës! Në një karrige është improvizuar kandili i ëLëndinës së lotëve” ku per muaj te tere eshte lënë një qiri i ndezur (në Meksikë) dhe ai ka krijuar një loje relievi kohor, rreth e qark pavionit performojnë balerinët Rosela Pellicciotti, Fjorald Doci dhe Julien Klopfenstein, kryejnë lëvizje artistike të ngarkuar me gurë rreth duarve si për të treguar peshën e kohës. Balerini që interpreton vetë personazhin e “Dodës” zhvishet nga çdo emocion artistikisht dhe realisht për t’u rikthyer në origjinë nga udhëheqja e gurëve të kohës dhe peshës së mallit!
Videoinstalacioni dhe koreografia “Mbi relievet e një kohe” prej dy ditësh ka mbushur pavionin meksikan me artistë e vizitorë nga e gjithe bota duke marrë edhe vëmendjen e New York Times që i ka kushtuar një artikull idilit artistik emocional./balkanweb/KultPlus.com
“The Youth’s Companion” ka botuar, me 1 nëntor 1894, në faqen n°530, një shkrim rreth mënyrës së komunikimit të shqiptarëve në distancë pa ndihmën e rrymës elektrike, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Telefoni shqiptar
Burimi : The Youth’s Companion, 1 nëntor 1894, faqe n°530
Thuhet se shqiptarët flasin në distancë pa ndihmën e rrymës elektrike. Në vendin e tyre malor, ata e transmetojnë fjalën nga maja në majë me fuqinë e vetme të mushkërive të tyre. Thuhet se krijojnë vendqëndrime të rregullta për marrjen e lajmeve të dërguara. Kjo është frymëzuar nga përdorimi i korrierëve në vendet e nivelit më të lartë. Autori (Arthur Kavanagh) i “The Cruise of the R.Y.S. Eva” flet për këtë zakon të shqiptarëve si një veçori kombëtare.
Ata nuk mund të flasin kur janë afër njëri-tjetrit, por gjithmonë duhet të presin derisa të arrijnë në majën e dy kodrave për të filluar bisedën. Ju marshoni pas udhërrëfyesit tuaj shqiptar dhe takoni një tjetër; ndoshta ata mund të përqafohen, të shtrëngojnë duart, të mërmërisin disa fjalë dhe të vazhdojnë rrugën e tyre; ose, që nuk është e pamundur, kalojnë pa më të voglin njoftim. Ju largoheni dhe harroni se keni takuar dikë, kur papritmas, me të arritur në majë të një kodre, udhërrëfyesi juaj kthehet dhe këndon : “O Gjergjo, Gjergjo-o-O-O!” ose sido që të quhet, duke e zgjatur rrokjen e fundit për një kohë shumë të gjatë (iso).
Jehona mezi është shuar kur dëgjojmë përgjigjen. Biseda ka filluar dhe ju më mirë të uleni, përveç nëse nuk e keni problem të vazhdoni vetëm, sepse ata nuk do të lëvizin derisa të mbarojnë së foluri dhe mund t’ju duhet të ushtroni durimin tuaj për gjysmë ore.
Nuk ka dyshim se kjo prirje për muhabet është shumë e bezdisshme, jo vetëm për shkak të humbjes së kohës që shkakton, por sepse zhurma është e mjaftueshme për të shqetësuar të gjithë gjahun e vendit.
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 20 Prill 2024/KultPlus.com
O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka Më je nënë, më je motër, më je vlla. Nga ç’ka rrotull më i shtrenjti ti më je, Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhé. Ty përditë të pat parë ime nënë, Dheu yt në fund atë e pati ngrënë. Nëmëruar t’i pat lulet syri i saj. Te ti lindi, te ti vdiq ajo pastaj. Ti i ke parë gjysh stërgjyshërit e mi, Edhe eshtërat tretur ua ke po ti. Nga ti, o shpirt-o kurrë s’qenë ndarë. Pranë teje patën qeshur, patën qarë. Nëna ime vdiq, ndaj ty të kam sot nënë, Nënë që s’ke vdekje kurrë, faqehënë, Numri prapë në vend mbetet kurdoherë. Begatoje, o Zot, ti këtë vend! Epu njerëzve të tij ti mbroth e shend! Hi u bëfshin gjithmon’ armiqtë e tij! Gas përjetë paçin zotërit e tij! I begatë, i lulëzuar qoftë ai, Një të ardhme pastë plot me lumturi!/KultPlus.com
Parku arkeologjik i Amantias, vitet e fundit është kthyer në një nga destinacionet kryesore turistike për qarkun e Vlorës. E ndërtuar në shekullin V para Krishtit, Amantia është një ndër thesaret dhe rrënojat më interesante të Shqipërisë, e pozicionuar në një kodër, në një natyrë fantastike dhe e rrethuar nga gjelbërimi.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë ndau së fundmi në rrjetet sociale disa detaje nga ky monument kulture. Nga kërkimet arkeologjike, në murin fortifikues të qytetit antik të Amantias, janë identifikuar rreth 6 hyrje.
Një pjesë e tyre, kanë qenë pajisura me korridore të mbuluara me qemer. E tillë ka qenë edhe hyrja juglindore, apo hyrja nr. 6, siç njihet në literaturë.
Njëri nga harqet e kësaj hyrje, u restaurua në vitin 1990, nga restauratori Lazër Papajani, si dhe arkeologu Burhan Dautaj. Restaurimi i dha vertikalitetin e dikurshëm hyrjes, duke e bërë të perceptueshëm monumentalitetin e saj, për vizitorët e sotshëm të parkut arkeologjik të Amantias.
Nga pikëpamja vizive, ajo është kthyer në simbol të parkut arkeologjik dhe tashmë është një nga atraksionet kryesore në itinerarin e vizitave.
Arkitektura e hyrjes e inkuadruar në një peizazh të egër malor, është një kartolinë e bukur, që fton për të vizituar parkun arkeologjik të Amantias./ atsh/KultPlus.com