Ekspozita “Diell”, së shpejti në Galerinë ‘Qahili’

Në Galerinë Qahili, më 23 prill hapet ekspozita “Diell” me artistet Bardha Buza, Merita Myderrizi Maloku dhe Vjosa Bujari Maliqi, nga ora 19:00.

Rreth ekspozitës:

Dielli është një emblemë lavdie dhe shkëlqimi. Ai përfaqëson lumturinë, jetën dhe spiritualitetin. Një simbol i shpresës. Diell është një ekspozitë e kuruar që hulumton fuqinë transformuese të dritës diellore, duke u fokusuar në diell si burimin përfundimtar të dritës dhe jetës në universin tonë.

Një odise e kuruar që feston diellin si një inspirim ndriçues, një mrekulli shkencore dhe një ikonë kulturore. Duke ndriçuar ndërlidhjen e artit dhe përvojës njerëzore përmes prizmit të dritës diellore, ekspozita frymëzon mrekulli, kuriozitet dhe një ndjenjë të rinovuar të kujdesit ndaj trashëgimisë sonë diellore./express/KultPlus.com

TKOB: Artur Vera dhe Ivana Hoxha fitojnë konkursin ndërkombëtar “Voci di Mascagni”

Drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit, Abigeila Voshtina, njoftoi sot se Artur Vera dhe Ivana Hoxha u shpallën fitues të konkursit ndërkombëtar “Voci di Mascagni”.

Baritoni Artur Vera dhe mezosopranoja Ivana Hoxha spikatën mes konkurrentëve të tjerë shqiptarë dhe të huaj që morën pjesë në këtë konkurs, i cili u organizua për herë të parë në Shqipëri, përgjatë datave 11 dhe 12 prill.

Audicionet u zhvilluan nga “Mascagni Academy”, një akademi me nivel të lartë për këngëtarët lirikë. Akademia synon të trajnojë interpretuesit e rinj, që të mund të marrin pjesë në produksionet operistike të përgatitura për festivalin “Mascagni”./atshKultPlus.com

Shqipëria promovohet në aeroportin e Parisit, Rama: Princesha e re e Lindjes

“Shqipëria princesha e re e Lindjes”.

Kështu shkruhet në revistën PARIS VOUS AIME, që shpërndahet për turistët e huaj në dy aeroportet franceze, Paris-Charles de Gaulle and Paris-Orly, ku promovohet edhe vendi ynë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga shkrimi i kësaj reviste.

Rama thekson se kjo është surpriza e këndshme në aeroportin e Parisit që mban emrin e Shqipërisë duke promovuar nga veriu në jug destinacionet turistike.

“ALBANIE LA NOUVELLE PRINCESSE DE L’EST ose surpriza e këndshme në aeroportin e Parisit që mban emrin e Shqipërisë duke promovuar nga veriu në jug destinacionet turistike, prej zonave të mbrojtura të Shkodrës deri në plazhet Sarandës, Qafën e Pazarit në Gjirokastër, hotelet e ngrohta të Korçës, kantinat e Beratit e plot shije të tjera të Shqipërisë Turistike”, shkruan Rama./atsh/KultPlus.com

Letra emocionuese që Abraham Lincoln i dërgoi mësuesit të djalit të tij


E cili prind, sot nuk do të kishte dashur t’i drejtohej mësuesit të fëmijës së tij, ashtu si Abraham Lincoln mësuesit të të birit. Prandaj, meqë sot është dita e parë e vitit të ri shkollor, kjo letër ia vlen të lexohet sërish, të paktën nga prindërit dhe mësuesit.

Presidenti i 16-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Abraham Lincoln, e dinte vlerën e dijes dhe të mësuarit në jetë. Për këtë, ai kishte vendosur që mësuesit të djalit të tij, t’i shkruante në formë përkujtimi rreth mënyrës se si duhet trajtuar një fëmijë i vogël. Lincoln i kishte renditur mësuesit të djalit të tij, pikërisht në ditën e parë të shkollës, një sërë arsyesh e mësimesh të arta të cilat dëshironte që djali i tij t’i mësonte nga mësuesi.

Lexoni më poshtë letrën e Abraham Lincoln të shkruar në vitin 1830:

Mësues i nderuar,

Djali im sot e fillon shkollën.

Pas pak, gjithçka do të jetë për të e çuditshme dhe e re, prandaj do të doja ta trajtonit butësisht.

Është një aventurë që ai do ta marrë me vete nëpër të gjitha kontinentet.

Të tilla aventura që ndoshta mund të përfshijnë luftëra, tragjedi dhe fatkeqësi. Ta jetosh këtë jetë, të duhet besim, dashuri dhe kurajo.

Për këtë, i dashur Mësues, do t’ju lutesha ta merrnit përdore e t’i mësoni gjëra që do t’i duhen t’i dijë, mësojeni atë – por butësisht, nëse mundeni.

Mësojeni se për çdo armik, ekziston një mik.

Atij do t‘i duhet të mësojë se jo të gjithë njerëzit janë të drejtë, se jo të gjithë njerëzit janë të sinqertë.

Megjithatë mësojeni se për çdo faqezi ka një hero dhe se për çdo politikan egoist, jeton një lider i përkushtuar.

Mësojeni nëse mundeni se 10 centë të fituar kanë shumë më tepër vlerë se një dollar i gjetur. Në shkollë, mësues, është shumë më e ndershme të dështosh se të mashtrosh.

Mësojeni atë si të humbë hijshëm, dhe si t’i gëzohet fitores kur ai fiton.

Mësojeni të jetë i mirë me njerëzit e mirë, dhe i ashpër me njerëzit e ashpër. Mundohuni t’i qëndrojë sa më larg zilisë, nëse do të mundeni dhe mësojani sekretin e një buzëqeshjeje të çiltër.

Mësojeni po të jetë e mundur – si të qeshë kur të jetë i trishtuar, dhe se të derdhësh lotë nuk është aspak turp.

Mësojeni se mund të ketë dështim të ndershëm dhe fitore të turpshme.

Mësojeni t’i përqeshë cinikët.

Mësojeni nëse mundeni të zbulojë mrekullinë e leximit të librave, por gjithashtu i jepni edhe kohën e mjaftueshme për të kundruar misterin e përjetshëm të fluturimit të zogjve në qiell, të bletëve në diell e të luleve mbi një kodër të gjelbër.

Mësojeni të këtë besim në idetë e tij edhe nëse të gjithë do t`i thonë se janë të gabuara.

Mundohuni t`i mësoni birit tim forcën për mos e ndjekur turmën edhe kur të gjithë vrapojnë pas fitimtarit.

Mësojeni të dëgjojë me vëmendje çdo njeri, por gjithashtu të shoshitë të gjithë atë që dëgjon në sitën e së vërtetës dhe të marrë veç të mirën.

Mësojani atij sesi të shesë talentin dhe zgjuarsinë e tij tek ofertuesi më i lartë, por mos të pranojë kurrë asnjë lloj çmimi për shpirtin e zemrën.

Lejojeni të ketë kurajën për të qenë i padurueshëm. Lejoheni të ketë durimin për të qenë trim.

Mësojeni atë të ketë besim sublim te vetvetja, sepse atëherë ai do të ketë gjithmonë besim sublim në njerëzimin dhe në zotin. Këto janë kërkesat, mësues, por ju bëni më të mirën që mundeni. Ai është fëmijë i vogël dhe i mirë. Dhe është biri im”.

Me respekt,

Abraham Lincoln /KultPlus.com

Profesorë e studentë nga dega e gazetarisë në UP mbajnë tryezë diskutimi, flasin për Media40 dhe problemet aktuale të medias

Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery sot është mbajtur një tryezë diskutimi lidhur me problemet aktuale të medias në raport me disa faktorë të cilët janë duke ndryshuar për shkak të evoluimit të teknologjisë dhe gjendjes politike aktuale që është duke u zhvilluar në vend dhe në botë.

Diskutmit të sotëm i cili u realizuar me profesorët universitarë Alban Zeneli, Gëzim Qerimi dhe Muhamet Jahiri si dhe me studentët e gazetarisë, i ka paraprirë realizimi i projektit “Media 2040: Fuqizimi i avokuesve të rinjë për lirinë e medias në Ballkanin Perëndimor”, i cili paraqet vizionin se si duhet të jenë mediat e rajonit në vitin 2040.

Profesori universitar, Alban Zeneli, ka thënë se është ndarë i kënaqur me projektin në fjalë dhe me faktin se gjashtë studentë nga Kosova kanë arritur të jenë pjesë e themelimit të vizionit të medias për vitin 2040.

“Sot ky diskutim është bërë i mundur në kuadër të një projekti i cili ka filluar në tetor të vitit të kaluar, e në të cilin kanë qenë pjesëmarrës gjashtë studentë të Fakultetit të Gazetarisë, të cilët së bashku me kolegë nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor kanë punuar për disa muaj për të ndërtuar një vizion se si ata mendojnë që duhet të jetë media në vitin 2040. Kjo formë e bashkëpunimit përveç që ishte normalisht një eksperiencë e re për studentët tanë, ishte një mundësi e mirë për të parë se si mendojnë edhe rajoni në raport me problemet e medias në pesë shtyllat kryesore siç janë: Gazetarët, Institucionet Mediatike, Shteti & Politika, Teknologjia, Tregu & Ekonomia”, ka thënë profesori Zeneli.

Më tej, profesori Zeneli ka bërë të ditur se shumë shpejt në website-in e fakultetit do të paraqiten të gjitha materialet të cilat shpjegojnë në tërësi gjendjen të cilën e kanë skanuar gazetarët në projekt dhe se si është reprezentuar gjendja për më vonë, në kuadër të vizionit të vitit 2040.

Ndërkaq, profesori Gëzim Qerimi sa i përketë temës “Relacioni media-shtet ose media-politikë” ka thënë se nuk pajtohet me shprehjen se mediat janë pushteti i katërti demokracisë, pas ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit pasi ato sipas tij i përkasin shoqërisë dhe si të tilla duhet ta përfaqësojnë atë.

“Unë pajtohem me autorë që në realitet nuk pajtohen në asnjë rrethanë që mediat të emërtohen si pushteti i katërt sepse mediat nuk janë pushtet por i përkasin shoqërisë dhe duhet ta përfaqësojnë shoqërinë. Ato duhet të jenë në aleancë me shoqërinë. Ajo që është e rëndësishme në krejt diskutimet në nivel global sa i përketë relacionit shtet- media apo politikë media është ideja se si duhet të krijohet kushte të përshtatshme për funksionimin  e mediave të lira dhe të pavarura” ka thënë profesori Qerimi.

Ai më tutje përmendi edhe mënyrën e funksionimit të medias në disa vende të botës siç janë Rusia, Kina e Kazakistani të cilat në kuptimin deklarativ kanë liri të mediave mirëpo praktik ekziston e kundërta.

“Sot në 190 shtete të botës, 99 % e deklarojnë veten që janë shtete demokratike dhe në të njëjtën kohë që kanë pluralizëm medial. Por kjo është vetëm në aspektin deklarativ, ndërkaq në aspektin teknik ne vërejmë që dallojnë funksionimi i mediave në Evropë nga ai i SHBA-së, pra në këto vende shumë të zhvilluara e lëre më në vende të ndryshme të botës. Sot po themi vende demokratike e quajnë veten edhe Rusia, Kina, Kazakistani dhe shumë vende të tjera të botës mirëpo nëse flasim në kuptimin praktik ne e vërejmë që atje ka liri të mediave dhe nuk ka pluralizëm të mediave”, ka thënë profesori Qerimi.

Ai më tej për funksionimin e gjendjes së mediave në Kosovë dhe të vendeve të rajonit, e ka lidhur me shtrirjen gjeografike, e cila detyrimisht e heq nga mënyra e funksionimit të vendeve të lartë përmendura.

“Fati i madh i gjashtë vendeve të rajonit perëndimor është një element pozitiv që kushtet e funksionimit të mediave nuk varen nga këto shtete. Nuk varet drejtpërdrejt nga institucionet e këtyre shteteve por shumë më shumë nga presioni i bashkësisë ndërkombëtare dhe territori nga ku ne jetojmë, sepse gjeografikisht ne jemi pjesë e Evropës dhe vetë synimet tona strategjike janë anëtarësimi në BE dhe anëtarësimi në NATO. Kjo tregon që ne nuk mund të kemi një demokraci të stilit të Kazakistanit apo të Koresë, por se duhet pasur një demokraci që është reale me aspirata të vendeve të tjera të BE-së”, ka thënë më tej Qerimi duke potencuar se në Kosovë ka pluralizëm të medias, mirëpo me një dozë autocenzure e cila vjen si pasojë e kushteve të mjerueshme në të cilat punojnë gazetarët.

“Sa i përketë aspektit praktik është e vërtetë që te ne në kuptimin kushtetues, ligjor kemi pluralizëm të plotë të mediave. Besoj që kjo është e vërtetë dhe pajtohem me këtë element. Në të njëjtën kohë pajtohemi që nuk ka edhe cenzurë në media sepse te ne çdo figurë publike mund të jetë kritikuese në mediat tona, duke filluar prej presidentit për të vazhduar më tej për çdo persoanlitet tjetër publik. Por, e vërteta është që te ne mediat nuk e ka fuqinë ose kushtet e duhura për të treguar fuqinë e tyre reale, sikurse është në një demokraci të mirëfilltë. Pra, te ne nuk ka cenzurë por në shumicën e rasteve autocenzrë. Autocenzura vjen si rezultat që kushtet në të cilat punojnë mediat te ne janë kushte të mjerueshme”, ka thënë profesori Qerimi.

Ndërsa, profesori tjetër Universitar, Muhamet Jahiri, sa i përketë politikës editoriale të medias është shprehur se në të ndikojnë pronësia e mediave, mënyra e financimit, personat me orientim të caktuar politik, grupet e interesit, shërbime të ndryshme të infiltruara në media, aspekti i klikimeve etj që kryesisht ndikojnë negativisht në klimën e funksionimit të mediave në përgjithësi.

Ndërsa si element pozitiv ai ka potencuar pluralizmin e mediave, e cila edhe indirekt mundëson që publiku të pajiset me të vërtetën.

“Natyrisht që e mira e Demokracisë është që edhe në Kosovë kemi një pluralizëm të medial dhe kjo nënkupton që pavarësisht politikave editoriale, kur ne kemi shumë media, dhe shumë qëndrime, ne gjithmonë kemi për të marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të vërtetën e ngjarjeve që ndodhin në vendin tonë. Dhe kjo ndikon në informimin e drejtë, të saktë dhe korrekt dhe shërbimit në interes të publikut”, është shprehur profesori Jahiri

Ai më tej ka shtuar se mediat në Kosovë kryesisht janë kredibile, të cilat ndikojnë edhe në avancimin e shoqërisë në përgjithësi.

“Gjendja në Kosovë ndërlidhet edhe me një dukuri tjetër që është pozitive, kerdibiliteti i mediave. Shumica e mediave në Kosovë janë media kredibile, janë media që kanë krijuar traditë, besueshmëri, përvojë të cilat ndikojnë edhe në avancimin e shoqërisë dhe avancimin e gazetarisë. Kjo nënkupton edhe stabilitetin demokratik të vendit. ”, është shprehur profesori Jahiri duke e cilësuar si sfidë aktuale në politikën edioriale dukurinë e dezinformimit.

“Sfidë mbetet dezinformirmi i cili është një faktor që e dëmton edhe politikën editoriale sepse shpesh bëhet në mënyrë të qëllimtë prej grupeve të tjera por që nuk i përkasin botës së mediave, sepse po i sfidon edhe politikat editoriale ku dezinformomi ndikon drejtpërdrejt në shoqërinë tonë. Kjo është e theksuar në vendet ku ka vetëdije të ulët, ku nuk ka gjykim të mjaftueshëm kritik dhe ku ka një mungesë absolute të edukimit medial, i cili do të ndikonte në evidentimin e këtyre informatave dhe në të njëjtën kohë edhe eliminimin e tyre”, ka potencuar profesori Jahiri.

Krejt në fund të ngjarjes u bënë diskutime mes profesorëve dhe studentëve të gazetarisë mbi rolin e medias në përgjithësi, dhe për projektin  “Media 2040: Fuqizimi i avokuesve të rinjë për lirinë e medias në Ballkanin Perëndimor”, i cili është mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës./ KultPlus.com

Gazeta zvicerane: Ndërtojani Xhakës një përmendore

Titulli i parë i kampionit të bundesligës, për skuadrën Bayer Leverkusen, pas 120 vite të ekzistimit, është bërë lajm që kalon caqet e futbollit dhe të Gjermanisë. Dhe, ky titull, pos trajnerit të madh Xabi Alonso, më së shumti i detyrohet, kujt tjetër por Granit Xhakës.

Kjo, edhe për faktin se, të paktën në 60 vitet e kaluara, kjo skuadër e madhe, asnjëherë nuk kishte arritur të merrte titullin e kampionit dhe, për pasojë mbante vazhdimisht etiketën si “vize” (të dytit), transmeton albinfo.ch.

Duke komentuar suksesin e madh të skuadrës gjermane, gazeta Blick në komentin e shkruar nga redaktori i saj i futbollit, porosit gjermanët që në titull: Ndërtojani Xhakës një përmendore (shtatore)!. Duke bërë këtë “sugjerim”, gazetari i referohet një deklarate, të dhënë gjysmë me humor nga Xhaka, në shkurt, para gazetarëve zviceranë. Ai kishte thënë kështu: “Ndoshta do të ketë një shtatore timen, në verë”.

Dhe tani, pak muaj më vonë, por më herët se që kishte premtuar, gazetari shkruan: “Nga e diela, Bayer Leverkuseni nuk është më “vize”. Kjo i takon të kaluarës. Dhe kjo, krahas me trajnerin, Alonson, ka të bëjë në radhë të parë me Granit Xhakën. Edhe pa shiritin e kapitenit, ai është dora e zgjatur e trajnerit, “shefi mental” dhe zgjidhësi i problemeve në terren, lideri i një skuadre të formësuar me shumë talent.

Rrallë ka pasur një lojtar i vetëm një ndikim të tillë tek një skuadër kampione e bundesligës siç e ka Granit Xhaka. Prandaj, ai do ta meritonte një shtatore./KultPlus.com

Sot, Dita Botërore e Artit


Dita Botërore e Artit festohet çdo vit më 15 Prill. Në mbarë botën, njerëzit kanë përkufizimet e tyre për atë që ata e konsiderojnë si art. Kultura të ndryshme kanë shije dhe stile të ndryshme. Kjo festë përdoret si një mundësi për të nxitur zhvillimin e artit, transmeton KultPlus.

Arti inkurajon njerëzit të marrin kohë për të vënë re gjërat e bukura rreth tyre. Me oraret tona të ngarkuara, njerëzit nuk kanë gjithmonë kohë për të shkuar në galeritë e artit. Një kujtesë vjetore për bukurinë i ndihmon njerëzit të pushojnë dhe thjesht të shijojnë duke përjetuar botën. Ndan njohuri, ndez kuriozitetin dhe çon në biseda shumë interesante.

Dita Botërore e Artit u shpall më 15 Prill nga Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës Ndërkombëtare të Artit. Festimi i parë ishte në vitin 2012. Data u zgjodh për të nderuar ditëlindjen e të famshmit Leonardo da Vinci.
Dita e parë botërore e artit u mbështet nga të gjitha komitetet kombëtare të Shoqatës Ndërkombëtare të Artit (I.A.A.). Kishte 150 artistë nga vende të ndryshme të botës për të siguruar përfshirjen. Kishte konferenca dhe orë të veçanta muzeale. Ekspozitat e artit në natyrë u mbajtën për të shfaqur piktura, printime, skulptura, video dhe më shumë.

Arti vjen në forma dhe kategori të ndryshme. Arti mund të jetë arkitekturë, muzikë, pikturë, skulpturë, vallëzim ose letërsi. Kinemaja konsiderohet gjithashtu art. Është një mënyrë që njerëzit të shprehin veten përmes krijimtarisë. Arti i vërtetë është thjesht një shprehje e emocioneve. Ai përfaqëson pikëpamjen e artistit për botën dhe mënyrën se si ata ndihen për të. Arti komunikon se sa të ngjashëm mund të jemi dhe gjithashtu sa të ndryshëm. Njerëzit marrin kuptimet e tyre të artit kur e përjetojnë atë. Perceptimet e tyre zakonisht bazohen në përvojat e tyre personale në jetë.

Dita Botërore e Artit është një kujtesë e shkëlqyer për t’i ndihmuar njerëzit të vërejnë bukurinë përreth tyre. I kujton njerëzit të shprehen plotësisht. Të gjithë jemi plot emocione dhe duhet të lejohemi t’i shfaqim pa frikë. Qëllimi është të lehtësojë zhvillimin e qëndrueshëm të artit. Me mbështetje të mjaftueshme, artistët mund të vazhdojnë të portretizojnë bukurinë./KultPlus.com

Lekë Tasi sot 95 vjeç, AIDSSH propozon titull nderi për rezistencën dhe dinjitetin njerëzor

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, si organ i lartë shtetëror dhe i pavarur, bazuar në ligjin organik nr. 45/2015, (i ndryshuar) dhe në aktet nënligjore të miratuara në zbatim të tij, si dhe në ligjin nr. 9154, datë 06.11.2003 “Për arkivat”, me qëllim rishqyrtimin historik të veprimtarisë së ish-Sigurimit të Shtetit dhe edukimit qytetar, është angazhuar për përkujtimin dhe nderimin e personave të dënuar politikisht, gjatë regjimit komunist, për vlerat njerëzore që mbartën dhe transmetuan gjatë përndjekjes.

Në këtë kuadër dhe me fokus Dialogun Lokal mbi të shkuarën, mbi vlerësimin me tituj nderi, “Për merita të veçanta civile”, nga Këshilli Bashkiak apo Kryetari i Bashkisë, referuar nenit 54, shkronja “m”, ligji nr. 138/2015, si dhe mënyrë të veçantë nenit 3, të ligjit 112/2013 ku theksohet se: “dhënia e dekoratave, titujve të nderit, medaljeve dhe titujve vendorë të nderit, udhëhiqet nga parimet e vlerësimit të kontributit, meritokracisë, transparencës dhe mirënjohjes publike”, AIDSSH vendosi t’i propozojë Bashkisë së Lushnjës, dhënien e titullit të nderit, Lekë Tasi, për rezistencën dhe dinjitetin njerëzor të treguar gjatë përndjekjes politike dhe aktivitetit të tij në dokumentimin e së shkuarës.

Kjo në respekt të një bashkësie që kërkon paqësisht të përballet me të kaluarën dhe si përgjegjësi e shoqërisë së sotme për nderimin e personaliteteve njerëzore, në kuadër të rezolutës nr. 11 “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”, miratuar nga Kuvendi më 30.10.2006, dhe rezolutave të miratuara nga Këshilli i Evropës e Komisioni Evropian. Askush nuk mund të kthehet pas në kohë, për të vënë në vend padrejtësitë e atij sistemi, por ne kemi një mision shumë të rëndësishëm: t’i analizojmë me objektivitet dhe paanshmëri dëshmitë dhe faktet e së shkuarës, në mënyrë që të mos e lejojmë veten dhe shoqërinë që të bëjë sërish të njëjtat gabime. Ruajtja e kujtesës, nëpërmjet dekorimit sa janë ende gjallë, të personave të cilët pavarësisht vuajtjeve, kanë dhënë një kontribut të pashembullt, është në përputhje të plotë me qëllimin e këtij misioni.

Lekë Tasi lindi më 15 prill 1929. Punoi violonçelist i parë në Orkestrën e Radios dhe të Teatrit të Operës ku u pushua për motive politike në vitin 1967. I ati Koço Tasi, avokat me profesion, i njohur në vitet ’20, kishte qenë Anëtar i Parlamentit të Parë Shqiptar pas Kongresit të Lushnjës. Pas Revolucionit të qershorit, emigroi për 17 vjet në Greqi. Arrestohet dhe dënohet në gjyqin special në vitin 1945. Xhaxhai Akile Tasi, me karrierë të ngjeshur politike në kohën e luftës, me profesion gazetar, vdiq në burgjet e diktaturës.

Leka u dërgua me punë të detyruar, pak më vonë u internua familjarisht në Grabjan të Lushnjës, 1975-1990. Jetën e kësaj periudhe e ka rrëfyer në librin autobiografik “Grabjani rrëzë kodrave”, Tiranë, 2009, një burim parësor informacioni për brezat e ardhshëm mbi jetën e të internuarve.

Aktiviteti i tij kryesor është piktura. Megjithëse autodidakt, ka punuar seriozisht qysh herët duke kopjuar sipas natyrës dhe duke mësuar nga mjeshtrit e mëdhenj. Pas internimit, në Tiranë më 1990, ai rifillon të pikturojë dhe ka ekspozuar në vitet 1992, 2003, 2007, në Galerinë Kombëtare të Arteve etj.

Vijon edhe sot veprimtarinë aktive për dokumentimin e krimeve dhe pasojave të diktaturës si dhe punon për integrimin shoqëror të njerëzve të goditur në mënyra të ndryshme nga sistemi diktatorial./atsh/KultPlus.com

Poeti Lulzim Tafa po merr pjesë në takimin e 56-të ndërkombëtar të shkrimtarëve në Bled të Sllovenisë

Poeti i njohur kosovar, Lulzim Tafa, është duke marrë pjesë në takimin e 56-të ndërkombëtar të shkrimtarëve në Bled të Sllovenisë, i organizuar nga PEN Qendra e Sllovenisë dhe Komiteti i Shkrimtarëve për Paqe.

Përmes një postimi në profilin e tij në facebook, ai ka njoftuar do ta përfaqësojë PEN Qendrën e Kosovës, ku edhe do të mbajë një fjalim në Asamblenë Gjenerale të Komitetit të Shkrimtarëve për Paqe.

“Sot erdha në Bled të Sllovenisë për të marr pjesë në takimin e 56-të ndërkombëtar të shkrimtarëve, i organizuar nga PEN Qendra e Sllovenisë dhe Komiteti i Shkrimtarëve për Paqe. Në këtë takim që do të zgjasë tre ditë, ku do të marrin pjesë shkrimtarë nga shumë vende të botës, unë do ta përfaqësoj PEN Qendrën e Kosovës dhe do të mbaj një fjalim në Asamblenë Gjenerale të Komitetit të Shkrimtarëve për Paqe. Në këtë takim do të flasë edhe Kryetarja e Parlamentit të Sllovenisë, Zonja Urška Klakočar Zupančič”, ka shkruar Tafa.

Takimi i 56-të ndërkombëtar të shkrimtarëve në Bled të Sllovenisë do të zhvillojë punimet për tri ditë, nga 16 deri më 18 prill. /atvlive/KultPlus.com

Teatri Antik, një arsye më shumë për të vizituar Parkun Arkeologjik të Finiqit

Finiqi antik ka patur një numër të konsiderueshëm ndërtimesh publike në funksion të jetës politike, administrative dhe kulturore të qytetit, duke qenë se ishte qendra më e rëndësishme e Kaonisë. Një ndër këto ndërtime publike ishte edhe teatri antik.

DRTK Vlorë në faqen e saj online, shkruan se teatri është ndërtuar në pjesën veriore të agorasë (zona publike), ku faqja e kodrës krijon një kon natyror për vendosjen e shkallares. Ai është ndërtuar në shekullin III para Krishtit dhe është restauruar në fillimet e periudhës Romake, duke vijuar të jetë në përdorim deri në shekullin III pas Krishtit.

Gjatë periudhës së Antikitetit të Vonë dhe në Mesjetë, elemente të ndryshme të monumentit janë marrë dhe ripërdorur si materiale ndërtimi. Kjo është edhe arsyeja që sot ruhen shumë pak elemente nga arkitektura e tij.

Për sa i përket stilit të ndërtimit, ai përbën një tip përfaqësues të teatrit iliro-epirot, që e gjejmë edhe në Bylis, Butrint dhe Dodonë. Teatri i Finiqit së bashku me teatrin e Dodonës, për nga kapaciteti mbajtës i numrit të spektatorëve, kanë qenë më të mëdhenjtë në rajon.

Rrënojat e këtij monumenti të rëndësishëm, janë një arsye e mjaftueshme për të vizituar Parkun Arkeologjik të Finiqit./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani pret ministren greke, flasin për fuqizimin e grave

Presidentja Vjosa Osmani, në kuadër të edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka pritur në takim ministren për çështje Sociale dhe Familjes të Greqisë, Sofia Zacharaki.

Sipas njoftimit të Presidencës, në takim është diskutuar për agjendën e Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, e cila përkon me kohën kur paqja dhe siguria ndodhen nën sulm në pjesë të ndryshme të botës, teksa gratë dhe vajzat janë në qendër të dhunës, torturës dhe trajtimit çnjerëzor.

“Presidentja Osmani ka theksuar nevojën e rritjes së përpjekjeve për ta luftuar dhunën me bazë gjinore dhe mbështetjen e të mbijetuarve, duke përfshirë forcimin e kuadrit ligjor dhe ofrimin e shërbimeve mbështetëse”, njofton zyra e Presidencës.

Sipas njoftimit, Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e rritjes së përfaqësimit politik dhe pjesëmarrjes së grave në proceset vendimmarrëse në të gjitha nivelet e qeverisjes.

“Fuqizimi ekonomik i grave, qasja më e mirë në arsim, kujdes shëndetësor dhe mundësitë ekonomike, luajnë rol përmbajtësor në përmirësimin e pozitës së vajzave dhe grave në shoqëri”, ka theksuar Osmani.

Vdes regjisorja, Eleanor Coppola

Ka vdekur regjisorja Eleanor Coppola.

Regjisorja e cila ka punuar në projekte të tilla si “Hearts of Darkness” në vitin 1991, “Paris Can Ëait” e vitit 2016 dhe “Love is Love” e vitit 2022, ishte 87-vjeçare.

Ajo vdiq të premten, transmeton Klankosova.tv.

Familja Coppola e konfirmoi lajmin në një deklaratë për Associated Press.

Sipas gazetës, Eleanor ndërroi jetë ndërsa ishte e rrethuar nga familja në shtëpinë e saj në Rutherford, Kaliforni. Shkaku i vdekjes nuk është bërë publik.

86-vjetori i lindjes së kompozitorit Robert Radoja

Orkestra Simfonike e RTSH-së, përmes një publikimi në rrjetet sociale, uroi me rastin e 86-vjetorit, kompozitorin Robert Radoja.

Artisti dhe profesori i sa e sa brezave, lindi në Bolonja, më 1938-ën. Në vitin 1951 filloi studimet në Liceun Artistik në Tiranë për piano. Në vitin 1962 fillon studimet e larta në Konservator ku edhe diplomohet për piano në vitin 1966. Po në këtë vit fillon punën në Pallatin e Pionierëve në Tiranë në Sektorin e Muzikës. Gjatë kësaj periudhe ai orkestron këngë të muzikës së lehtë duke qenë prezent në rreth 40 festivale si ato të Radio Televizionit Shqiptar, ashtu dhe ato të Këngës për Fëmijë.

Në vitin 1981 emërohet redaktor i muzikës në kinostudion “Shqipëria e Re”. Në këtë detyrë ai punoi deri në vitin 1986. Robert Radoja që prej vitit 1985 ishte edhe pedagog në Akademinë e Arteve, Dega Piano, si dhe pedagog për Muzikën e Dhomës dhe Shoqërime në klasën e Flautit . Kompozimi i tij i parë në muzikën filmike do të jetë në vitin 1970 me muzikën e filmit “Guximtarët”. Në Festivalin e 41-të në Radiotelevizion, të zhvilluar në Tiranë në vitin 2002, puna e tij e palodhur në vite do të vlerësohej me “Çmimin e Mirënjohjes”, gjithashtu është nderuar edhe me urdhrin “Naim Frashëri” dhe titullin “Mjeshtër i madh”./atsh/KultPlus.com

Diaspora shqiptare e Zvicrës, dhuratë një shtatore të Skënderbeut arbëreshëve në Hora të Italisë

Shoqata “Hora e Skënderbeut” në Zvicër, ka marrë iniciativën për t’u dhuruar shtatoren e Skënderbeut arbëreshëve të Italisë dhe për këtë më datë 13 prill 2024 në Kriense të Lucernës u mbajt një koncert me grupe kulturore-artistike shqiptare.

Motoja “Skënderbeu na bashkon” mblodhi në këtë aktivitet 16 grupe kulturore-artistike shqiptare që veprojnë në Zvicër.

Në këtë aktivitet mori pjesë ambasadori i Republikës së Shqiptarisë në Bernë, Mustafa Nano, sekretari i parë i Ambasadës, Valon Gashi, konsulli i përgjithshëm i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Zyrih, Vigan Berisha, mësues e veprimtarë.

Ambasadori Nano në fjalë e tij përshëndetëse, duke i përgëzuar për këtë iniciativë dhe siguruar mbështetjen e plotë të Ambasadës, theksoi se, përtej të gjithave, fakti që shqiptarët e Zvicrës, kujtohen për t’i bërë një dhuratë Horës së Arbëreshëve, nuk është thjesht si një kontribut financiar, një akt komunikimi dhe bashkëpunimi midis shqiptarësh dhe kjo është emocionuese.

Pavarësisht integrimit në shoqërinë zvicerane, shqiptarët në Zvicër ruajnë dhe promovojnë identitetin e tyre kulturor duke organizuar aktivitete kulturore, festa tradicionale, dhe duke mbajtur lidhje me komunitetin shqiptar në Zvicër, me origjinën por dhe në vende të tjera, siç është dhe rasti i freskët me arbëreshët e Italisë./atsh/KultPlus.com

Festivali i muzikës baroke ‘AlBa’ vijon turneun në Durrës

Festivali kushtuar muzikës baroke “AlBa” vijoi turneun në teatrin “Aleksandër Moisiu”, Durrës.

Teatri Kombëtar i Operas e Baletit njofton se në koncertin “La Piazza, la Chiesa, Il Teatro”, artistët dhe instrumentistët, së bashku me të pranishmit në sallë, bënë “një udhëtim” në kulturën e shenjtë dhe profane popullore nga humanizmi në periudhën baroke.

Koncerti u dirigjua nga Francesco Aliberti. Interpretuan zëra të njohur, si Noemi Sangiacomo, Samantha Franchino, Vito Nigrol, Marco Falvella etj. Instrumenstistë, Marco Salvato, Samuele Notarfrancesco etj.

Përgjatë katër muajve, dhjetë koncerte të ndryshme, nga dhjetë grupe të ndryshme që interpretojnë muzikë antike të njohur dhe më pak të njohur, do të ngjiten në skenën e TKOB-së dhe më gjerë për një audiencë që përfshin të gjitha moshat./atsh/KultPlus.com

Kryeministri Kurti e kryeparlamentari Konjufca nderojnë të rënët në Sllovi të Lipjanit

Në përkujtim dhe nderim të të vrarëve dhe masakruarve shqiptarë në masakrën e Sllovisë së Lipjanit, të kryer nga forcat pushtuese serbe, sot në 25-vjetorin e saj, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, së bashku me kryeministrin Albin Kurti bëri homazhe në Kompleksin Memorial të varrezave në këtë fshat.

Gjatë bashkëbisedimit me familjarë të dëshmorëve dhe martirëve të këtij fshati, Konjufca theksoi se masakrat e kryera gjithandej Kosovës janë akte të qarta të gjenocidit që shteti i Serbisë ushtroi mbi popullin shqiptar të Kosovës, për të cilat Kosova nuk do të pushojë asnjëherë së kërkuari drejtësi.

Kreu i Kuvendit tha se këto ditë janë ditë të dhimbjes, por edhe të krenarisë, për arsye se gjaku i dëshmorëve dhe martirëve qëndron në themelet e lirisë dhe të shtetit tonë.

Më 15 dhe 16 prill të vitit 1999 policë, ushtarë e paramilitarë serbë në kuadër të operacioneve gjenocidale kundër popullatës civile shqiptare në Kosovë, vranë dhe masakruan në Sllovi të Lipjanit 45 civilë të pafajashëm shqiptarë dhe plagosën shumë të tjerë./KultPlus.com

Vasfije Krasniqi: Kam mbijetuar armën më mizore të luftës përdhunimin

Heroinat, gratë e mbijetuara të dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi -Goodman dhe Shyrete Tahiri – Sulejmani, kanë rrëfyer për tmerrin që kanë përjetuar në luftën e fundit të Kosovës, duke kërkuar drejtësinë ende të paardhur.

“Qëndroj para gjithë njerëzve të botës për t’i rikujtuar që Kosova asnjëherë s’ka luftuar për hakmarrje apo për shkatërrim të të tjerëve. Ne kemi luftuar për liri nga regjimi i Millosheviqit dhe krimet që u kryen ndaj popullit tonë”, ka thënë Krasniqi – Goodman në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

Kërkesa e saj ka qenë mos duartrokitja për guximin e saj për rrëfimin e dhunimit, por kërkimi i llogarisë për historinë e saj dhe të mijëra grave e burrave që kanë pasur të njëjtin përjetim.

“Unë kam mbijetuar armën më mizore të luftës, por për ne si të mbijetuar shumë prej këtyre përjetimeve nuk marrin fund kurrë. Drejtësia nuk është ndarë, bëjë thirrje ndaj institucioneve që t’i thërrasin në llogari të gjithë kryerësit e krimeve ndaj meje dhe dhjetëra mijëra të tjerëve si unë”, ka thënë Krasniqi – Goodman.

Vasfije Krasniqi – Goodman ka bërë kthesën e madhe, duke qenë e para e mbijetuar e dhunës seksuale që në mënyrë publike ka treguar rrëfimin e saj të përdhunimit, duke u bërë zë i mijëra të mbijetuarve burra e gra.

Ndërkaq Shyrete Tahiri – Sulejmani ishte gruaja e parë që në mënyrë publike dorëzoi kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës, për të rrëfyer më vonë edhe historinë e saj në mënyrë të plotë.

Abraham Lincoln, figura që i dha fund skllavërisë

Sot janë bërë 159 vite nga vrasja e Presidentit të ShBA-ve, Abraham Lincoln.

Linkoln zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara – i pari president i dalë nga Partia Republikane. Ai erdhi në detyrë, ndërsa Amerika ishte pushtuar nga fryma e ndarjes veri – jug.

Linkolni e filloi mandatin me një apel për banorët e shteteve jugore; “Ne nuk jemi armiq, por miq. Ne nuk duhet të jemi armiq … Kordat mistike të kujtesës, që shtrihen nga çdo fushëbetejë e varr atdhetari e deri në çdo zemër e vatër në mbarë vendin, do të vazhdojnë të fuqizojnë korin e Unionit, të përbërë nga engjëjt më të mirë të natyrës sonë “. Por…  dështimi i bisedimeve veri – jug më 1861,  sinjalizoi se kompromisi për ruajtjen e bashkimit  ishte i pamundur, ndërkohë që Linkolni këmbëngulte se shpërbërja nuk mund të tolerohet.

Abraham Lincoln zgjidhet presidenti i 16-të i Shteteve të Bashkuara për një Partia Demokratike të thellë, duke u bërë republikani i parë që fitoi presidencën. Lincoln mori vetëm 40 për qind të votës popullore, por mundi të mposhtë tre kandidatët e tjerë: Demokratët e Jugut John C. Breckinridge, kandidati i Bashkimit Kushtetues John Bell dhe Demokrati i Veriut Stephen Douglas, një senator amerikan për Illinois.

Lincoln, një avokat i lindur në Kentaki dhe ish-përfaqësues i Whigëve në Kongres, fitoi vendin e parë gjatë fushatës së tij kundër Stephen Douglas të Illinois për një vend të Senatit të SHBA në 1858. Fushata senatoriale paraqiste një seri të mrekullueshme të takimeve publike mbi çështjen e skllavërisë, si debatet Lincoln-Douglas, në të cilat Lincoln argumentoi kundër përhapjes së skllavërisë, ndërsa Douglas pohonte që çdo territor duhet të ketë të drejtën të vendosë nëse do të bëhet i lirë ose skllav. Lincoln humbi garën e Senatit, por fushata e tij solli vëmendjen kombëtare te Partia e Re Republikane. Më 1860, Lincoln fitoi nominimin presidencial të partisë.

Në zgjedhjet e nëntorit 1860, Lincoln u përball përsëri me Douglas, i cili përfaqësonte fraksionin e Veriut të një Partia Demokratike të ndarë, si dhe Breckinridge dhe Bell. Njoftimi i fitores së Lincolnit sinjalizoi shkëputjen e shteteve jugore, të cilat që nga fillimi i vitit kishin kërcënuar publikisht ndarjen nëse republikanët marrin Shtëpinë e Bardhë.

Deri në kohën e inaugurimit të Lincolnit më 4 mars 1861, shtatë shtete u ndanë dhe Shtetet e Konfederatës së Amerikës ishin themeluar zyrtarisht, me Jefferson Davis si presidentin e tij të zgjedhur. Një muaj më vonë, Lufta Civile Amerikane filloi kur forcat Konfederale nën gjeneralin P.G.T. Beauregard hapi zjarr mbi Fort Sumter të Unionit të mbajtur në Karolinën e Jugut. Në vitin 1863, kur vala u kthye kundër Konfederatës, Lincoln liroi skllevërit dhe në vitin 1864 fitoi rizgjedhjen. Në prill 1865, ai u vra nga simpatizanti i Konfederatës John Wilkes Booth në Teatrin e Fordit në Uashington, D.C. Sulmi erdhi vetëm pesë ditë pasi Lufta Civile Amerikane përfundoi në mënyrë efektive me dorëzimin e gjeneralit Konfederata Robert E. Lee në Appomattox.

Duke ruajtur Bashkimin dhe duke i dhënë fund skllavërisë, si dhe për karakterin e tij të veçantë dhe oratorinë e fuqishme, Lincolni është përshëndetur si një nga presidentët më të mëdhenj amerikanë. / KultPlus.com

ASK: Deri më tani janë regjistruar mbi 207 mijë qytetarë, ka interesim edhe nga serbët

Agjencia e Statistikave të Kosovës, ka njoftuar se gjatë 10 ditëve qëkur ka nisur procesi janë regjistruar 207 mijë e 462 qytetarë  dhe mbi 50 mijë e 888 banorë jorezidentë (që jetojnë jashtë vendit).

Në prezantimin e bërë, deri më tani gjithsej 112 mijë e 390 intervista, duke shtuar se ka interesim të të gjitha grupeve etnike për të marrë pjesë në regjistrim.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të ASK-së Avni Kastrati, tha se edhe përkundër presionit të Listës Serbe, ka pjesëmarrje edhe nga komuniteti serb që jetojnë në veri.

“Për mospjesëmarrje në regjistrim, ka pasur një thirrje publike nga komuniteti serbë, nga Lista Serbe, ne kemi bërë vet përpjekje dhe jemi në vazhdimësi duke bërë përpjekje, këto ditë që kanë kaluar kemi pjesëmarrje edhe të komunitetit serbë edhe nga komunat veriore, kemi persona të regjistruar vullnetarisht përkundër që kanë pasur disa sfida. Ne mendojmë që ditëve në vijim një pjesë e madhe e tyre do të jetë pjesë e regjistrimit sepse jemi duke bashkëpunuar edhe me komunat edhe me institucionet tjera, presim. Një pjesë e komunitetit nga komunat veriore tashmë është duke u regjistruar”, ka deklaruar ai.

Procesi i regjistrimit të popullsisë ka nisur më 5 prill dhe do të zgjasë deri më 17 maj.

Drejtuesit e ASK-së, për çdo javë deri në përfundim do të mbajnë konferencë për media për të njoftuar rreth ecurisë së këtij procesi/ Klankosova.tv/KultPlus.com

Presidenti Begaj: Gratë kanë bartur barrën e konflikteve, Kosova dy presidente gra

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka çmuar kontributin e grave në proceset e shtet ndërtimit duke përfshirë periudhën e luftës e deri te pozitat e udhëheqësisë shtetërore.

“Historia shqiptare ka parë se gruaja ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm, në të gjitha sferat e jetës. Edhe Shqipëria edhe Kosova kanë shënuar përparim të dukshëm të përfshirjes se gruas në te gjitha proceset. Kosova ka pasur dy presidente gra ne 15 vjeçarin e parë të Pavarësisë së vendit”, ka thënë Begaj.

Tutje ai ka thënë se gratë në të kaluarën kanë bartur barrën më të madhe të konflikteve.

“Gratë kanë bartur barrën më të madhe të konflikteve, duke bartur barrën e poshtërimit e spastrimit etnik. Ky forum shërben jo vetëm si kujtesë kolektive, duke ndarë historitë e shkuara, por edhe është një burim shprese për një te ardhme ku gruaja e forcon paqen dhe sigurinë”, ka deklaruar Begaj.

Presidenti shqiptar ka përmendur arsimimin dhe edukimin e grave, si mjetet nëpërmjet të cilave fuqizojnë dhe rrisin kapacitetet e tyre.

“Lufta për t’i dhënë fund dhunës ndaj gruas kërkon angazhim të të gjithëve, le t’i kujtojmë vuajtjet dhe dhunën ndaj grave shqiptare, nga pushtuesi serb, dhe krimi nuk duhet të mbetët i pandëshkuar”, ka thënë Begaj.

Clinton krenare për dy presidentet gra të Kosovës

Ish-sekretarja e Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton, në përshëndetjen e saj virtuale në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka çmuar rrugëtimin e Kosovës ndër vite në aspektin e barazisë gjinore, veçanërisht përfaqësimin dy herë nga presidente gra.

“Në dekadat prej kur Kosova është bërë shtet i pavarur, aktivistet kanë siguruar progres kuptimplotë për të siguruar barazinë gjinore në sektorin publik dhe politik. Pas shumë vitesh ja keni dalë që të siguroni për viktimat e dhunës seksuale, ju keni zgjedhur presidenten e parë dhe tani të dytën që janë të përkushtuara për ruajtjen dhe forcimin e paqes, zgjerimin e mundësive ekonomike dhe duke dëshmuar që bashkëpunimi sjellë më shumë rezultat”, ka thënë ajo.

Clinton organizimin e këtij forumi e ka cilësuar si vendosmëri për forcim të grave.

“Gratë nuk janë vetëm viktima të dhunës, gratë posaçërisht në Kosovë, kanë luajtur rol tepër të rëndësishëm gjatë gjithë këtyre viteve, jam e lumtur për themelimin e kësaj qendre të ekselencës, demokracitë tona janë më te fuqishme kur gratë përfshihen. Ju tashme keni dy presidente gra në Kosovë. Jam e emocionuar të shoh se si ky forum ka arritë synimet e tij, unë jam e përkushtuar për të qenë pjesë e arritjeve dhe përpjekjeve për fuqizimin e gruas”, ka deklaruar ajo, raporton RTKlive.

Ndërkaq fjalimi i saj është pritur me duartrokitje dhe ngritje në këmbë të pjesëmarrësve në Forum. 

Presidentja e Sllovenisë: Drejtësia për të mbijetuarat e dhunës seksuale nga konfiktet duhet të jetë prioritet global

Presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, ka thënë se janë të përkushtuar për pjesëmarrjen e plotë dhe domethënëse të grave në ndërtimin e paqes, në fushën e mjedisit, sigurisë klimatike dhe menaxhimit të ujërave.

Ajo ka thënë se dhuna seksuale duhet të ndëshkohet dhe ka shtuar se drejtësia për të mbijetuarat e dhunës seksuale nga konfliktet duhet të jetë prioritet global.

“Sllovenia është e përkushtuar për pjesëmarrjen e plotë dhe domethënëse të grave në ndërtimin e paqes, në fushën e mjedisit, sigurisë klimatike dhe menaxhimit të ujërave. Në këtë aspekt, më lejoni shkurtimisht të nënvizoj disa elemente të politikës së jashtme feministe të Sllovenisë, e cila mund të jetë e rëndësishme për debatet në këtë takim të rëndësishëm. Së pari, ne dënojmë fuqishëm të gjitha llojet e dhunës seksuale, është e papranueshme të përdoret dhuna seksuale si instrument i luftës dhe frikësimit, nuk duhet  të ketë pandëshkueshmëri për këto krime. Së dyti, vëmendje shumë e madhe duhet t’i kushtohet pandëshkueshmërisë duke marrë veprime vendimtare, nëse dhuna ndaj grave mbetet e pandëshkuar ajo inkurajon kryerjen e dhunës seksuale që lidhet me konfliktit edhe në të ardhmen. Së treti, drejtësia për të mbijetuarat e dhunës seksuale si rezultat i konfikteve duhet të jetë prioritet global”, tha ajo. /GazetaExpress/KultPlus.com

Osmani në Forumin GPS: T’i përgjigjemi nevojave të grave dhe vajzave për t’i fuqizuar, mbështetur dhe për të krijuar një mjedis të sigurt

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka thënë se Kosova qëndron kampione e agjendës së këtij forumi.

“Atëherë këtu më lejoni ta bëj të qartë se Kosova qëndron si kampione, si flamurtare e kësaj agjende për shkak se përfshirja dhe përfaqësimi qëndrojnë si gur themeltar të të gjitha përpjekjeve që kemi ndërmarrë që nga dita e parë. Këtu desha të shpreh mirënjohjen time për të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, për të gjitha institucionet kosovare që kanë punuar me ne për ta bërë këtë forum të suksesshëm, për organizatat e shoqërisë civile, për institucionet e sigurisë, për komunitetin akademik, mediat dhe të tjerët që janë përfshirë”, tha Osmani.

Ajo tha se ky edicion i forumit është unik në shumë aspekte.

“Përzgjedhja e dy temave kyçe për këtë edicion, nga njëra anë dhuna seksuale në lidhje me konfliktin dhe siguria klimatike në anën tjetër, nuk janë rastësi dhe në përpjekjet tona natyrisht kemi adresuar të gjitha sprovat e kohës por na duhen edhe leksionet e të kaluarës në mënyrë që të ballafaqohemi suksesshëm me të ardhmen”, tha Osmani.

“Në këtë sfond të konfliktit, kufizimeve shoqërore dhe trazirave kulturore është e rëndësishme që t’i përgjigjemi nevojave të grave dhe vajzave për t’i fuqizuar, për t’i mbështetur dhe për të krijuar një mjedis të sigurt për të gjitha gratë kudo qofshin njëherë e përgjithmonë”, tha presidentja Osmani. /GazetaExpress/KultPlus.com

Kryeministri Rama: Dallëndyshet e para të lundrimit turistik rikthehen në Liqenin e Shkodrës

Varkat turistike janë sot një realitet në Liqenin e Shkodrës, duke rikthyer lundrimin në këtë pasuri të të gjithëve.

Pranë molit të Shirokës janë ankoruar tashmë dy varkat e para turistike me kapacitet 33 vende secila që janë një mundësi për vizitorët për të shijuar magjinë e liqenit më të madh në Ballkan.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamjet nga udhëtimi i dy varkave turistike mbi Liqenin e Shkodrës, teksa i cilësoi edhe si dallëndyshet e para të linjës bashkiake të lundrimit turistik.

“Dallëndyshet e para të linjës bashkiake të lundrimit turistik janë rikthyer këtë pranverë në Liqenin e kryeqytetit të Veriut pas viteve ‘30 të shekullit të shkuar, falë mbështetjes së Fondit Shqiptar të Zhvillimit për bashkinë e rilindur të Shkodrës”, u shpreh kryeministri Rama.