Buxheti 2024 për kulturën, Margariti: 14% më i lartë krahasuar me 2023-i

 Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, deklaroi sot se prioriteti kryesor në fushën e artit dhe kulturës mbetet intensifikimi i përpjekjeve për zbatimin dhe realizimin e objektivave të parashikuara në “Strategjinë Kombëtare të Kulturës 2019-2025”.

Në fjalën e saj gjatë diskutimit të projektligjit “Për Buxhetin e Vitit 2024”, Margariti tha se “pas një viti të suksesshëm si ky që po lëmë pas, një tjetër vit sfidues kemi përpara, me projekte të reja dhe nisma madhore. Buxheti i vitit 2024 pritet të jetë 14% më i lartë krahasuar me vitin 2023”.

“Rritja e buxhetit është më e madhe në zërin e pagave me +29% krahasuar me 2023, ndërsa investimet 30% më shumë”, tha Margariti.

Ministrja Margariti u shpreh se “do të çojmë përpara projekte tepër ambicioze që nga restaurimi dhe rikonceptimi i Muzeut Historik Kombëtar, te Muzeu “Besa”, gërmimi i amfiteatrit të Durrësit dhe rehabilitimi i zonës arkeologjike përreth, restaurimi i Teatrit “Aleksandër Moisiu”, rehabilitimi i objekteve dhe ambienteve të Burgut të Spaçit e shumë të tjera. Pa lënë mënjanë edhe mbështetjen e skenës së pavarur përmes mbështetjes financiare”.

“Prioritet mbetet përmirësimi dhe zgjerimi i tregut kulturor nëpërmjet një legjislacioni në dobi të krijuesve, krijimtarisë artistike e kulturore dhe trashëgimisë kulturore, si dhe hartimi i paketës së re të skemës se mbështetjes së projekteve të Ministrisë të Kulturës; Ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale–pasuri kombëtare e popullit shqiptar në breza; Mbështetja e krijimtarisë dhe aktivitetit krijues të artistëve shqiptarë përmes rritjes së aktiviteteve kulturore dhe përfshirjes së artistëve; Promovimi dhe përfaqësimi i vlerave të artit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, materiale dhe shpirtërore në evenimentet e rëndësishme ndërkombëtare”, tha Margariti./atsh/KultPlus.com

Një delegacion austriak organizon  takime me  institucionet e MKRS-së dhe MASHT-it

Sot, delegacioni austriak, i përbërë nga përfaqësues të Ambasadës së Austrisë dhe Ministrisë Federale për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare, së bashku me përfaqësues të MKRS-së dhe MASHTI-të, ka nisur vizitat e sotme në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës.

Përveç në UP, këto vizita janë zhvilluar edhe në ambientet e Bibliotekës Kombëtare dhe Galerisë Kombëtare të Kosovës.

“Bashkë me Prorektoren për Ndërkombëtarizim dhe Shkëmbim Akademik, Arta Basha Jakupi, diskutuan rreth thellimit të bashkëpunimit të drejtpërdrejtë mes institucioneve të arsimit të lartë dhe atyre shkencore.

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, drejtori Fazli Gajraku i mirëpriti dhe prezantoi një ekspozitë librash me tituj të autorëve të letërsisë austriake dhe gjermane.

Së bashku me drejtoreshën e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Alisa Gojanin, vizituan dy ekspozitat e hapura në GKK, “Palimpsestet e Historisë” dhe “Atelieja e Piktorit të Panjohur”.

Këto vizita ofruan një pasqyrë të detajuar të programeve dhe partneritetit të ngushtë që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka me institucionet kulturore dhe arsimore në vend”, thuhet në njoftimin e MKRS./KultPlus.com

‘Sytë e Shpirtit’, dokumentari për Osman Kazazin e miqësinë me holandezin Paul Luijf

Paul Luijf, një okulist holandez, po lexonte gazetën në shtëpinë e tij,  kur u njoh me historinë e Osman Kazazit, i quajtur “Nelson Mandela” i Shqipërisë, që sapo kishte shembur murin e diktaturës komuniste.

Vendi ynë sapo kishte shembur murin e diktaturës komuniste dhe gazetarët nga gjithë bota kishin zbarkuar këtu për të kuptuar çfarë kishte ndodhur me izolimin gatë gjysmëshekullor.

Paul, në atë kohë 34 vjeç kishte hapur dyqanin e tij të syzeve.

“Të burgosurit e harruar” titullohej shkrimi ku flitej për Kazazin. Kjo histori e preku aq thellë sa i tha gruas së tij Elian: Dua të iki në Shqipëri, dua të dëgjoj nga ky njeri që ka vuajtur kaq shumë se çfarë ka për t’i thënë botës.

Takimi i tyre i parë ishte dhe lindja e një miqësie speciale mes tyre, që tejkalonte diferencën në moshë, kombësitë e tyre dhe historitë aq të ndryshme të jetës.

Osmani do të bëhej një  “baba shpirtëror” për Paulin dhe Paul do të bëhej për Osmanin “djali që nuk pati kurrë”.

Historia erdhi e ekranizuar të premten në Kinema Millenium në dokumentarin “Sytë e Shpirtit”, me skenar të gazetares Blerina Gjoka nga fondacioni Kujto, një nismë që përkujton viktimat e regjimit komunist 45-vjeçar në Shqipëri.

“Osman Kazazi është heroi që unë e zbulova sot, 24 vite nga ikja e tij fizike nga kjo bote. Ai ishte një intelektual, një luftëtar për lirinë, një humanist.  Ai është një prej figurave emblematike të qëndresës antikomuniste”- tha Gjoka para të pranishmëve.

Ndërsa ambasadori holandez në Tiranë, Reinot Vous e përshkroi Kazazin si një njeri të vendosur, i cili, – ”ruajti idealet dhe ëndrrat e tij, ishte si një baba dhe shembull për të rinjtë e burgosur dhe kur më në fund u lirua, vitet e tij të mbetura i kaloi duke promovuar kauzën e të përndjekurve politikë në Shqipëri”.

Humanizmi i Osmanit e frymëzoi Paulin që të qëndronte në Shqipëri gjatë, deri në vitet 2000 duke ndihmuar sa më shumë njerëz të mundej, fillimisht duke vizituar ish-të përndjekurit politikë për shikimin, duke dhuruar syze për ta.

Shtëpia e Osmanit u kthye në një klinikë ku priste pacientët e tij, por më vonë nisi udhëtimet nëpër fshatra, në shkolla, në jetimore në gjithë vendin.

Luijf financoi vendosjen në një shesh të Tiranës të një busti (të punuar nga artisti Niko Thana), për të nderuar vuajtjet dhe qëndresën për të gjithë njerëzit që ashtu si Kazazi ëndërruan për lirinë dhe demokracinë.

Kazazi konsiderohet një prej figurave emblematike të qëndresës antikomuniste, jo vetëm në Shqipëri, po i pazakontë në gjithë Lindjen komuniste. Regjimi e dënoi tri herë, duke i rrëmbyer lirinë plot 33 vjet, 6 muaj, 4 ditë. Nëse kësaj mungese lirie do i shtojmë edhe 5 vitet e internimit, shifra del edhe më e frikshme. Osmani u arrestua kur ishte i ri 28 vjeç dhe doli prej andej 69 vjeç, pa shijuar pjesën më të bukur të jetës. Dhe e gjitha pa bërë asgjë.

Pasi në vitin 1940 mbaroi studimet në gjimnazin e Shkodrës, nisi studimet e larta në Itali për farmaceutikë. Në vitin 1942 u bë anëtar i Ballit Kombëtar. Në qershor 1943, pas 3 vjetësh studime u kthye në Shqipëri duke zhvilluar një aktivitet politik që konsistonte vetëm në propagandë, veprimtari e cila pushoi në qershor 1944. Osmani ishte kryetar i parë i Shoqatës së ish të Dënuarve Politikë në vitet 1991-1993. Vdiq më 3.3.1999 në Tiranë.

Në dokumentar vijnë dëshmitë e gazetarit holandez Joop Holthausen, i cili shkroi për herë të parë historinë e Kazazit për mediet e vendit të tij dhe e këngëtarit të njohur Stef Bos, i cili i frymëzuar nga historia vjen në Tiranë në ceremoninë e vendosjes së bustit dhe kompozon këngën “Liria”, si homazh për jetën e këtij njeriu.

Disa prej vargjeve te kenges:

“Unë pashë sytë e njeriut,

të cilin e varrosën për së gjalli,

Njeriu që për 42 vite

jetoi në errësirë.

Dhe në fund të shekullit

dhe në fund të ditëve të jetës

pa me sytë e tij dritën

dhe blatoi dashurinë,

të cilën nuk ia kthyen kurrë të tjerët.

Unë qëndroj në krahë të së vërtetës,

që detyrohet të heshtë

kur askush nuk e dëgjon

dhe asnjëherë s’merr të drejtën e saj.

Dhe unë thërras me zë të lartë:

Liria…Liria..Liria/atsh/KultPlus.com

Aktorja e njohur Pavlina Mani sot feston ditëlindjen e 75-të

Pavlina Mani është një aktore e mirënjohur shqiptare. Ajo u lind në Lushnjë më 13 nëntor 1948. Është aktore e suksesshme, ka realizuar shumë role të spikatura, duke filluar në 1966 në “Oshtimë në bregdet”, kur ishte ende studente.

Mani është nderuar me disa çmime. Prej vitit 2002 jeton me familjen e saj në SHBA.

Disa nga filmat me të cilët ajo mori pjesë janë:

Ishte koha për dashuri – (2004)
Njerëz dhe Fate – (2001-2003)…Drita
Po vjen ai (1999) mini-seri
Bolero – (1997) …Vera
8 persona plusteatër-komedi
Nata e dymbëdhjetë – komedi-teatër
Fletë të bardha – (1990) (TV) , Kristina
Kush e solli Doruntinën (1989) teatër-drama, rol episodik, një nga vejushat
Stolat në park – (1988) , Antigona
Tela për violinë – (1987) , gruaja Mucos
Dy herë mat – (1986) , gruaja Ilos
Pallati 176 – (1985)… Lirija, teatër-komedi
Në prag të jetës – (1985) , Ermiona
Rruga e lirisë – (1982), Nafi
Pas vdekjes – (1980), Lulushja
Radiostacioni – (1979), Miriam
Lulekuqet mbi mure – (1976), mësuesja e muzikës
Gjenerali i ushtrisë së vdekur – (1975), Beti
Qyteti më i ri në botë – (1974)
Mimoza llastica – (1973)…mami Mimozes
Oshëtim në bregdet-(1966)…Shpresa/KultPlus.com

MKRS fillon ndërhyrjet për restaurimin e ndërtesës ‘Vetfarmi’ në Prishtinë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka filluar ndërhyrjet për të shpëtuar ndërtesën Vetfarmi në Prishtinë, e cila bën pjesë në listën e trashëgimisë kulturore, shkruan KultPlus.

Kjo ndërtesë është ngritur në vitin 1931 dhe për një kohë ka funksionuar se shkollë artizanale e qilimave.

Lajmin e ka bërë të ditur MKRS përmes një postimi në facebook.

“E ndërtuar në vitin 1931, Vetfarmi ndodhet në zonën kulturore – historike të Prishtinës ndërsa në atë periudhë i ka shërbyer organizatës së grave sociale. Pastaj në këtë ndërtesë është hapur shkolla artizanale e qilimave.

Pas vitit 1945 në përfundim të Luftës së Dytë Botërore ndërtesa është shfrytëzuar si Poliklinikë e Qytetit e më vonë si Enti Higjenik. Si ndërtesë për nga stili i ndërtimit mbart ne vete disa elemente të veçanta, të cilat vazhdon t’i ruaj edhe sot”, ka bërë të ditur MKRS./KultPlus.com

QKK përkujton regjisoren Arzana Kraja: Filmat e saj janë skalitur në historinë e kinematografisë shqiptare

Në përvjetorin katërt të vdekjes, Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK), ka përkujtuar regjisoren Arzana Kraja, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në facebook, QKK, ka thënë se filmat e regjisores Kraja, do të mbeten përherë të skalitur në historinë e kinematografisë shqiptare.

“Ikja e hershme e Arzanës, përveçse një humbje e madhe për familjen dhe miqtë të cilët e kujtojnë çdo ditë si vajzë vetëm të buzëqeshur, zemergjerë dhe tejet puntore, në asnjë mënyrë tjetër, është humbje dhe do të jetë mungesë e madhe për artdashësit kosovarë dhe gjithë komuntitetin artistik.

Në bagazhin e saj artistik ajo numëron shumë suksese vendore dhe ndërkombëtare me filmat të cilët do të mbesin përherë të skalitur në historinë e kinematografisë shqiptare, kontributi i të cilës i ka dhënë një dimension tjetër artit në Kosovë” ka shkruar QKK.

Regjisorja kosovare njihet më së miri për filmin “Shkurta”, ndërsa debutoi me filmin “Fusha e mëllenjave”, i cili bëri hapjen zyrtare të edicionit të 11 të PriFestit 2019.

Arzana Kraja vdiq më 13 nëntor të vitit 2019, në moshën 38-vjeçare./KultPlus.com

Arkeologët gjejnë statujën e çuditshme të luftëtarit “Maya” me helmetë në formë gjarpri

Arkeologët kanë zbuluar statujën e çuditshme të një luftëtari Maya që mbante një helmetë në formë gjarpri në bodrumin e një tempulli parakolumbian në Meksikë.

Statuja 33 cenitmetërshe e gjatë dhe 28 e gjerë u zbulua në Chichén Itzá në Gadishullin Jukatan, sipas Institutit Kombëtar të Antropologjisë dhe Historisë të Meksikës (INAH).

Duket se përshkruan një luftëtar të veshur me një fustan me pendë dhe një helmetë në formë gjarpri me nofullat e hapura, dhe studiuesit dyshojnë se dikur mund të ketë qenë pjesë e një skulpture më të madhe të ndërtuar rreth 1000 vjet më parë.

Qytetërimi parakolumbian ishte një nga qendrat më të mëdha Mayan të gadishullit Jukatan që lulëzoi midis shekujve 9 dhe 13 pas Krishtit.

Në kulmin e tij, Chichén Itzá dihet se ka qenë shtëpia e dhjetëra mijëra njerëzve. / KultPlus.com

Ismail Kadare flet për mediat italiane: ‘Pallati i Ëndrrave’ më solli shumë telashe! Në asnjë vepër s’kam theksuar admirimin për Enver Hoxhën

Shkrimtari i madh, Ismail Kadare është rikthyer në libraritë italiane me “Pallatin e Ëndrrave”, një roman të 40 viteve më parë që ruan fuqinë dhe freskinë të ngjarjeve aktuale. Në një intervistë të dhënë për La Lettura të “Corriere della Sera”, shkrimtari gjirokastrit foli për kohën kur shkruajti romanin, marrëdhëniet e tij me Enver Hoxhën dhe për teknologjinë në kohën e sotme dhe frikën ekzistuese se kjo e fundit po na kontrollon mendjen.

Duke folur për veprën, ai tha se fryma e atmosferës që përshkruhet në vepër nuk ndryshon nga totalitarizmi shtypës i Enver Hoxhës asokohe. Ai tha se pas daljes së këtij romani mendoi se do ta arrestonin pasi dukej qartë fryma kundër sistemit.

Pjesë nga intervista për gazetën italiane:

I nderuar zoti Kadare, fillimisht ju falenderoj shumë që pranuat këtë intervistë. Kjo intervistë po bëhet me rastin e botimit në Itali të veprës suaj “Pallati i ëndrrave”, botuar në Shqipëri në vitin 1981. Cili është këndvështrimi juaj aktual ndaj një libri që keni shkruar më shumë se 40 vjet më parë?

Është një libër i shkruar për atë kohë. Shqipëria ishte një vend totalitar dhe si shkrimtar ndjeja që përmasa e komunizmit dhe pushteti i tij mbi individin po bëhej absolut. E gjithë ajo atmosferë që përshkruhet në këtë vepër nuk ndryshon shumë nga totalitarizmi shtypës i Shqipërisë së Enver Hoxhës në atë periudhë. Në kokën time, gjithë ajo zymtësi që kam mundur të shpreh ishte e vërtetë, e sot kjo më gëzon që kam mundur ta shpreh. Letërsia të jep mundësinë e jetës dhe në kushte të tilla. Ky ishte fati im, jeta me letërsinë.

Në kohën kur u shkrua ishte absolutisht aktual. Por edhe tani është aktual, por me kalimin e 40 viteve asgjë nuk ka humbur nga kualitetet e tij. Unë me gëzim i rishfaq edhe njëherë ato mendime për publikun e sotëm. E bën aktual fryma kritike, mohuese që ka pasur që në atë kohë, ka qenë shumë e ashpër. Më gëzon fakti që kam pasur një mendim aq radikal për kohën. Kjo ashpërsi nuk ka rënë me kalimin e kohës. Ndaj librit në ato vite pati presione, ndalime, kritika. Për herë të parë pas daljes së këtij romani mendova se do të më arrestonin, pasi fryma anti-sistem në të ishte e dukshme.

Dhe cili është këndvështrimi juaj ndaj njeriut dhe shkrimtarit Ismail Kadare të vitit 1981? Mendoni se keni ndryshuar shumë? Dhe nëse po, si?

Nuk mendoj se kam ndryshuar. Ne letërsi gjërat ndryshojnë shumë ngadalë, në mendjen e shkrimtarit gjithashtu, e kjo është diçka pozitive. Në vitin 1981 pikëpamjet e mia mbi totalitarizmin, kërkonin të konfiguronin një Shqipëri evropiane ashtu siç ishin rrënjët e saj. E kam mbrojtur këtë pikëpamje me veprat e mia, në mënyrë të natyrshme, duke besuar në një përkatësi të hershme evropiane të këtij populli që jetoi një nga sistemet më të egra komuniste. Gjithë vepra ime përpiqet të orientojë lexuesin drejt një zgjimi të brendshëm, por dhe aq të bukur që letërsia mund ta japë, dhe pse në ato vite dukej e pamundur.

Për një person si unë, që sot lexon për herë të parë veprën “Pallati i ëndrrave”, ky roman është befasues sepse është shumë aktual. Mendonit se po shkruanit mbi të gjitha një alegori të regjimit komunist shqiptar? Apo ishit në dijeni, tashmë që në atë kohë, për shtrirjen universale dhe të përjetshme të romanit?

Shkrimtari e ndjen me intuitë për gjërat që shkruan e jeton, se duke qenë të kohës ato janë njëkohësisht të përjetshme. Për fat të mirë kjo temë që zhvillohet në këtë roman është e përjetshme. Vepra është një satirë e totalitarizmit, që kalon kufijtë lokalë e kombëtarë. Thagma e këtij romani është shkruar te një nga novelat që kam shkruar paralelisht në atë kohë. Ndoshta te “Qorrfermani” kam idenë e një personazhi që të çon tek ëndrra. Më vonë, ky mendim do të fekste tek unë kur dëgjova mbi disa vjedhje në Tiranë. Vjedhje të çuditshme, groteske, në plan të parë, por që zgjuan tek unë projektimin e skëterrës. Kishte kohë që më joshte projektimi i një skëterre. E kam treguar këtë e në librin “Kohë për rrëfim”, një bisedë me një studiuese shqiptare ku them se “E dija që ishte e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të shkruaja një vepër të tillë. Vetëm pasi shkrova dy kapitujt e parë të veprës, ndjeva se po realizoja atë që më ishte dukur e pamundur: skëterrën. Ishte një lloj mbretërie e vdekjes ku, në mos ne vetë, ishte gjumi dhe ëndrrat tona, një pjesë e jetës sonë që gjendej matanë, ndërkohë që ne ishim këtej. Romani pasqyron tensionin midis etnicitetit kombëtar dhe atij perandorak për një individ e dinasti, fati i të cilëve është i lidhur njëkohësisht me politikën kombëtare e atë ndërkombëtare. Isha i vetëdijshëm për fatalitetin që mund të më sillte ky libër, por aq i bindur në fuqinë universale të kësaj teme.

A është fuqia e ëndrrave në roman e ngjashme me fuqinë e informacionit në botën e sotme?

Imazhet e fuqishme dhe logjika gati surreale e bënin personazhin e këtij romani Mark Alemin shpesh të pafuqishëm përballë fuqisë së ëndrrave. Bota njerëzore ka aftësinë të përshkruajë e përsërisë veten në shumë forma, të gjejë mënyra për t’i mbijetuar pengesave. Alegoria e “Pallatit të Ëndrrave” në kontekstet e reja kulturore, shoqërore, apo një bote e cila tashmë po përballet me konflikte të reja më ashpra siç janë dy vatrat e luftërave të reja, që po sjellin një kërcënim për stabilitetin, rikthen vëmendjen tek nevoja e urtësisë njerëzore. Fuqia e informacionit në kohët e sotme po rikthen një tjetër totalitarizëm, atë mbi kulturën. Ruajtja e kulturës në këto ujëra të fuqishme të informacionit është detyrë e njerëzve të shkrimit.

Çfarë mendoni për përpjekjet e teknologjisë, e cila po funksionon (punon) kudo në botën bashkëkohore, nga Kina në Silicon Valley, dhe po bëhen përpjekje të digjitalizohet gjithçka, dhe si rrjedhojë ndoshta një ditë a do të mund të arrihet deri aty sa të kontrollohet mendimi njerëzor?

Kjo është një përpjekje e pamundur.

Çfarë roli luajti vepra “Pallati i Ëndrrave” në lidhje me situatën tuaj në Shqipëri edhe në lidhje me vendimin që ju morët për të jetuar në Paris?

Ky roman më solli shumë telashe dhe pse isha mësuar me telashe. Zakonisht botimi i veprave të mia shoqërohej gjithnjë me kritika në shtyp, mbledhje në Lidhjen e Shkrimtarëve. Kudo në Tiranë flitej se “është ndaluar libri i Kadaresë dhe pritet dënimi”. Botimi i veprave të mia në Francë ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në lidhje me situatën në të cilën unë si shkrimtar ndodhesha në Shqipëri. Franca, lexuesi perëndimor ka luajtur një rol në shpëtimin e situatës sime. Më vonë në Kafe Rostand në Paris kam takuar një gazetare franceze e cila më ka treguar se ka shkuar në ambasadën tonë dhe ka pyetur mbi gjendjen time. Erdhën shumë informacione nga Perëndimi, që shtypi i huaj interesohet për Kadarenë dhe kjo e trembi Enver Hoxhën. Në këtë rast veproi mekanizmi i mbrojtjes perëndimore. Ka qenë periudha më e zezë në jetën time.

Largimi im drejt Francës duke ikur përgjithmonë nga vendi im erdhi në rrethana kur kuptova se kjo ishte mënyra e vetme për të ndryshuar kursin e regjimit në Shqipëri. Udhëheqësi komunist i asaj kohe duket se nuk do ta bënte një veprim të tillë. Ika kur mendova se ky veprim do të luante një rol për rënien e komunizmit në vend.

Keni lindur në të njëjtin qytet, Gjirokastër, me diktatorin Enver Hoxha. Cila ka qenë marrëdhënia juaj me të?

Nuk kam pasur asnjë marrëdhënie personale me të. Ne kemi qenë komshinj, në lagjen më të vjetër e më të madhe të Gjirokastrës, te rrugica që unë i kam ringjallur emrin e çuditshëm “Sokaku i të marrëve”. Në Gjirokastër Enver Hoxha nuk njihej shumë gjatë luftës, pasi shtëpitë gjirokastrite kishin shumë identitet të fortë dhe nuk lejonin spikatjen e identiteteve të zbehta. Mendimi im i gjithëkohshëm për Enver Hoxhën ka qenë jo pozitiv. Nuk gjendet në veprën time askund ndonjë përshkrim ku të theksohet admirimi për të. Kjo shpaloset qartë, sidomos, te “Dimri i vetmisë së madhe”, ku ai përshkruhet gjerësisht në biseda me të tjerët dhe s’ka ndonjë ndryshim midis tij dhe galerisë së personazheve krejtësisht negative të atij që quhej blloku komunist.

Në moshën 11-vjeçare ju kopjuat me dorë të gjithë Makbethin. Pse Shekspiri ishte kaq i rëndësishëm për ju?

Tragjedia e Shekspirit pushtoi mendjen time që kur isha ende fëmijë. Makbethi shfaqi para meje botën e letërsisë. U dhashë pas kësaj magjepsjeje siç i jepesh një feje. Me mendimin se po ta kopjoje librin bëhet yti, pra bëheshe autor, e kopjova të gjithin me dorë me një laps e një letër. Ky ishte një koncept i çuditshëm që nuk e di se nga më lindi dhe nuk arrij ta shpjegoj dot, por një ide e tillë më vazhdoi për një kohë shumë të gjatë, duke menduar se përderisa unë kopjoja një libër, isha njëkohësisht dhe pjesëmarrës në krijimin e tij. Kështu, pasi kopjova një pjesë të Makbethit, jetoja vetëm me të. Shekspiri ka qenë gjithnjë i rëndësishëm në veprën time e vijon të jetë si një mjeshtër që të udhëheq drejt portave të letërsisë së madhe.

Ndryshe nga shkrimtarët e tjerë të mëdhenj të mërguar, si Conrad, Nabokov apo Kundera, ju nuk e keni braktisur kurrë gjuhën tuaj origjinale, shqipen. Përse?

Mendoja se mund ti jepja më shumë artit tim me këtë gjuhë. Gjuha shqipe më ka dhënë gjithë hapësirën për të shprehur përmes saj përfytyrimet e mia. Nuk kam ndjerë asnjëherë pengesë në artin tim nga kjo gjuhë, por jam magjepsur vazhdimisht pas bukurisë së saj. /GazetaTema / KultPlus.com

Ty

Makfire Ademi

përhumbur pa dashje në të padukshmen
shpirt çiltërsie që sheh përtej
qiell i kaltër! 
pa re, pa vranësira që turbullojnë
sy drejtuar qiellit 
të heshtur, në pritje…
si Toka që pret shiun
Tokë që përcëllon nga afshi
nga mallëngjimi për shiun
që kur t’bie shuan gjithçka
etjen.., afshin.., zjarrin 
ai i bashkon plasaritjet, që janë të hapura prej kohe
pikojnë…
nuk mbyllen…
përveçse me shi! / KultPlus.com

Programi “Sport në Shkolla” drejt fillimit nëpërmjet fazës pilotuese

Nxënësit e shkollave publike do të kenë mundësi të jenë pjesëmarrës në aktivitete të rregullta sportive në 34 shkollat e 23 komunave.

Inkuadrimi dhe praktikimi i sportit të basketbollit 3×3 dhe atij të shahut si aktivitete jashtëkurrikulare si dhe organizimi i garave, janë disa nga komponentët e fazës pilotuese të programit “Sporti në Shkolla”, i cili synon që në të ardhmen të zgjerohet në më shumë sporte, si dhe në më shumë shkolla dhe komuna.

Për të zyrtarizuar bashkëpunimin mes federatave sportive në kuadër të këtij programi, ministri Hajrulla Çeku dhe zëvendësministrja Daulina Osmani e pritën në takim kryetarin e Federatës së Sportit Shkollor, Adrian Telaku, kryetarin e Federatës së Basketbollit, Arben Fetahu dhe kryetarin e Federatës së Shahut, Armend Budima.

Në fund, tri federatat sportive të involvuara në fazën pilotuese të programit “Sporti në Shkolla”, nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit mes tyre, program ky i cili është i mbështetur nga MKRS dhe me partneritet nga MASHTI. / KultPlus.com

81 000 dollarë për një menu të ”Titanic”-ut

Më shumë se 111 vjet pas fundosjes së anijes ”Titanic”, relike nga linja luksoze u nxorën në ankand për dhjetëra mijëra dollarë, përfshirë një menu për darkat e klasit të parë.

Menuja shkaktoi një trazim të veçantë.

Thuhet se ajo ishte menuja e vetme e mbijetuar nga 11 prilli 1912.

Ajo përmbante edhe goca deti apo mish viçi, i gatuar ala Victoria, mish qengji dhe rose e tjerë.

Menuja tregon shenja dëmtimi nga uji – megjithatë një ofertues anonim në shtëpinë e ankandit ”Henry Aldridge & Son” pagoi 81 000 dollarë për të.

Një batanije e klasit të parë, e cila me sa duket ishte mbajtur nga një i mbijetuar në varkën e shpëtimit, u shit 80 000 dollarë.

”Titanic”-u u nis në udhëtimin e tij të parë për në Nju Jork nga Southampton më 10 prill 1912 me më shumë se 2 200 njerëz në bord.

Pas vetëm disa ditësh, anija luksoze, e cila konsiderohej e pambytshme, goditi një ajsberg dhe u fundos duke shkaktuar vdekjen e  më shumë se 1 500 personave./ atsh / KultPlus.com

Parashikimi i radhës nga Bill Gates: Inteligjenca artificiale do të ndryshojë jetën e të gjithëve brenda 5 vitesh

“Unë ende e dua softuerin aq shumë sa kur me Paul Allen themeluam Microsoft-in. Por edhe pse është përmirësuar shumë gjatë dekadave që nga ajo kohë, në shumë mënyra softueri është ende goxha budalla”.

Kështu nis një artikull i shkruar me dorën e tij nga Bill Gates, i cili përpiqet të imagjinojë të ardhmen e afërt: një të ardhme, 5 vjet nga tani, e cila sipas manjatit amerikan do të ndryshojë rrënjësisht falë inteligjencës artificiale.

“Në pesë vitet e ardhshme”, shkruan Gates, “nuk do t’ju duhet të përdorni aplikacione të ndryshme për aktivitete të ndryshme”.

“Ju thjesht i tregoni pajisjes tuaj, në gjuhën e përditshme, se çfarë doni të bëni. Dhe në varësi të sasisë së informacionit që zgjidhni të ndani me të, softueri do të jetë në gjendje të përgjigjet personalisht sepse do të ketë një kuptim të pasur të jetës suaj. Në të ardhmen e afërt, çdokush në internet do të jetë në gjendje të ketë një asistent personal të mundësuar nga inteligjenca artificiale që shkon përtej teknologjisë së sotme”.

Nuk është një parashikim kaq i ndryshëm nga të tjerët që, me entuziazmin aktual për AI, po bëjnë shumë ekspertë; dhe Gates dëshiron të lançojë Copilot, asistentin që Microsoft po sjell në botën e Ëindoë)s.

Por Gates e sheh vizionin e tij nga larg.

Edhe që nga vitet ’90 kur, në vitin 1995, themeluesi i Microsoft-it teorizoi idenë e agjentëve, pra softuerit që mund të kryejë shumë detyra të ndryshme bazuar në njohuritë e përdoruesit dhe të ofrojë një përvojë të personalizuar dhe proaktive.

Nëse në vitet 1990 ishte një ide që ishte shumë larg realizimit në praktikë, me zhvillimin aktual dhe shumë të shpejtë të modeleve të mëdha gjuhësore pas chatbot-eve si ChatGpt, vizioni i Gates mund të bëhej vërtet realitet.

Dhe nëse do të ndodhte vërtet, do të ishte vetëm profecia e fundit që do të realizohej për atë që dikush në të kaluarën e quajti Nostradamus i teknologjisë. Por, përpara se të rishikojmë vizionet e miliarderit amerikan, të cilat, me kalimin e viteve, kanë gjetur konkretësi, le të përpiqemi të kuptojmë më mirë sesi sipas tij inteligjenca artificiale do të ndryshojë jetën e të gjithëve./Corriere della Sera / KultPlus.com

Drejt përfundimit restaurimi i tri ikonave të Muzeut Historik Kombëtar

Laboratori i Restaurimit të Veprave të Artit në IKTK, ka njoftuar se është drejt përfundimit, restaurimi i tre ikonave, “Shën Athanasi” realizuar në vitin 1855, “Shën Harallambi” realizuar në 1855 dhe “Shën Kolli” e realizuar në 1859.

Tre ikonat janë pjesë e fondit të Muzeut Historik Kombëtar me autor Diço Zografin. Specialistët e Sektorit të Veprave të Artit në Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore po vijojnë punën për përfundimin e ndërhyrjeve në këto ikona.

Aktualisht ka përfunduar pjesa më e madhe e proceseve konservuese-restauruese përfshirë dezinfektimin, konsolidimin, pastrimin, dhe po vijohet me procesin e stukimit të lakunave dhe integrimin piktorik.

Pavijoni i ikonave pasbizantine është ngritur në vitin 1999, në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës. Në mjediset e këtij pavijoni janë ekspozuar rreth 70 ikona pasbizantine, një proskinitar, dyer të bukura dhe një ikonostas. Objektet përfshijnë një hark kohor që fillon nga shekulli XVI e vazhdon deri në fillim të shekullit XIX, që njihet si periudha e artit pasbizantin. Në pavijon ka ikona të ikonografëve: Onufri, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Kostandin Jeromonaku, Joan Athanasi vëllezërit Zografi, vëllezërit Çetiri, anonimë dhe Mihal Anagnosti./ atsh / KultPlus.com

Edicioni i dytë i koncertit “Skena e Klarinetës” udhëton në disa qytete të Kosovës

Organizata jo-qeveritare “Noricum Culture,” ju fton të jeni pjesë e një ngjarjeje të veçantë kulturore.

Edicioni i dytë i koncertit “Skena e Klarinetës” është një projekt që kombinon pasionin për muzikën dhe edukimin kulturor. Ky projekt sjell në skenë talentin dhe pasionin e studentëve nga Kosova dhe Shqipëria.

Ky aktivitet do të jetë një aventurë për të dhënë mundësi të rinjve të promovohen, po ashtu për t’i inkurajuar dhe për të krijuar ura lidhëse mes dy vendeve.

Prandaj, Noricum Culture mirëpret të gjithë artdashësit, fëmijët, nxënësit, studentët dhe kolegët që të vijnë në këto koncerte që do të zhvillohen në këto qytete:

Pejë – Shkolla e Muzikës “Halit Kasapolli” Data: 14 Nëntor 2023 Ora: 14:00

Prishtinë – Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” Data: 15 Nëntor 2023 Ora: 15:00

Prizren – Shkolla e Muzikës “Lorenc Antoni” Data: 16 Nëntor 2023 (Dita Ndërkombëtare e Klarinetës) Ora: 17:00

“Skena e Klarinetës,” këtë vit vjen pas një suksesi në edicionin e parë që u zhvillua në dhjetor të vitit të kaluar në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, me studentë nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina,” duke u pritur mjaft mirë nga publiku. / KultPlus.com

Kosova dhe Austria me program për bashkëpunim kulturor për vitet 2024 – 2027

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për dy ditë është nikoqire e delegacionit austriak, të udhëhequr nga Ambasadori Christoph Thun-Hohenstein dhe Ministria Federale për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare.

Takimet dypalëshe kanë filluar sot për të komentuar marrëveshjen e re tri-vjeçare për bashkëpunim kulturor ndërmjet dy shteteve i cili do të nënshkruhet ditën e nesërme.

Programi përfshin bashkëpunimin në shumë fusha, duke thelluar lidhjet me institucione të ndryshme, përfshirë muzetë, bibliotekat, galeritë, arkivin shtetëror, partneritete të drejtpërdrejta në mes institucioneve të arsimit të lartë dhe stafit akademik, shkëmbimin midis artistëve, bashkëpunimin në fushën e filmit, muzikës dhe ngjarjeve kulturore.

Marrëveshja shënon një moment të rëndësishëm dhe hap rrugën për thellim të bashkëpunimit në fushat e kulturës, trashëgimisë kulturore, rinisë dhe sportit, si dhe sjellë mundësi e njohje të reja, duke e pozicionuar vendin në skenën ndërkombëtare e duke mundësuar zhvillim të qëndrueshëm.

Gjatë ditës, zyrtarët e MKRS-së do të shoqërojnë delegacionin austriak në vizitat dhe takimet bilaterale në institucionet e kulturës dhe arsimit. / KultPlus.com

Ura e Ujësjellësit të Sopotit, ndërtuar nga Ali Pasha

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër publikoi në rrjetet sociale pamje nga “Ura e Ujësjellësit të Sopotit” mbi përroin Bufano ose siç njihet ndryshe “Ura e Ali Pashës” e cila është Monument Kulture, Kategoria I.

Ura është e ndërtuar me një hark rrethor me trashësi qemeri 45 cm, hapësirë drite e harku 3.6 m dhe lartësi nga kyçi në tokë 2.3 m.

Themelet e urës janë me gur me llaç gëlqere dhe harku është i realizuar me gur. Përroi gjatë stinës së verës nuk ka ujë.

Ujësjellësi i gurtë i Kalasë së Gjirokastrës, përbën një ndër ndërtimet më të veçanta për kohën e vet.

Ai ishte i gjatë 12 km dhe nëpërmjet një arkitekture të veçantë me ura dhe harqe sillte ujë nga mali i Sopoti për të furnizuar kështjellën e Gjirokastrës.

Ajo ç’ka mbetur edhe sot vazhdon të tërheqë vizitorë të ndryshëm. / atsh / KultPlus.com

Sonte hapet ekspozita “Net/Rrjet”, edicioni XI

Sonte do të hapet Ekspozita Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor, “Net/Rrjet, edicioni XI.

Kuruar nga Bora Kelmendi Beqiraj, në këtë ekspozitë do të marrin pjesë: Barbara Bernardi, Erion Kllokoqi, Estudio Yesporciento, Leonor Martin & Aida Navarro, Mikel Temo, Patrizia Mori dhe Rubin Kadiu.

Ekspozita është organizuar nga Expoart.40 dhe hapet sonte, më 13 nënor, në ora 18:00 në CNP-
Centre for Narrative Practice, (ish-Biblioteka Hivzi Sylejmani pranë Komunës Vjetër Prishtinë).

Ky projekt është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

“Parada e shqiptarëve” vjen në Shqipëri në 111-vjetorin e pavarësisë

Festat e Nëntorit do të vijnë ndryshe këtë herë me shqiptarët e mbledhur nga e gjithë Diaspora, që do të bashkohen në paradën e traditës në 28 Nëntor, në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje disa prej aktiviteteve që do të organizohen për 111-vjetorin e Pavarësisë.

Rama tha se përveç paradës së traditës në 28 Nëntor do të zhvillohet edhe koncerti “Folk Fest”, ku e gjithë shqiptaria do të ngjitet në skenë me pjesëmarrjen e grupeve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Arbëreshët.

Për herë të parë vjen në kryeqytetin shqiptar, “Parada e shqiptarëve”. Pas 15 vitesh organizimi në New York, Parada rikthehet aty ku janë rrënjët e saj, në Shqipëri. Aktiviteti do të zhvillohet më 28 Nëntor në bashkëpunim me “Albanian Roots”./ atsh / KultPlus.com

Ish-presidenti Clinton: Zvicra bëri gjëra të mëdha në luftën e Kosovës

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton në Zvicër para 420 të ftuarve, ka folur për veprimet që i ka bërë Zvicra karshi luftës së Kosovës.

Bill Clinton ka folur për atë që Zvicra arriti gjatë kohës së tij në detyrë në vitet 1990, raporton RTKlive.

“Zvicra bëri gjëra të mëdha në luftën e Kosovës dhe gjithashtu në bashkëpunim me SHBA-në në zbardhjen e krimeve naziste, me krijimin e një komisioni hetimor”, tha ai. / KultPlus.com

“Empatia është të shohësh me sytë e tjetrit, të dëgjosh me veshët e tjetrit dhe të ndjesh me zemrën e tjetrit”

Alfred Adler ishte një psikolog i njohur austriak i shekullit të 20-të, themelues i shkollës së psikologjisë individuale. Ai ka lënë një ndikim të madhe në fushën e psikologjisë dhe ka kontribuar në zhvillimin e koncepteve të ndryshme, duke përfshirë idenë e inferioritetit dhe përqendrimin në ndikimin e shoqërisë në zhvillimin psikologjik të individit.

Një nga thëniet më të njohura të Alfred Adler është: “Empatia është të shohësh me sytë e tjetrit, të dëgjosh me veshët e tjetrit dhe të ndjesh me zemrën e tjetrit.”

Ky citat thekson rëndësinë e aftësisë për të kuptuar dhe ndjerë përjetimet dhe emocionet e të tjerëve. Alfred besonte se njohja e perspektivës së tjetrit dhe ndjenjat e tyre ishin thelbësore për krijimin e lidhjeve të shëndetshme dhe për zhvillimin personal.

Përveç kësaj, Alfred gjithashtu ka promovuar idenë e komunitetit dhe ndikimin e mjedisit shoqëror në zhvillimin e një personi. Ai shihte individin në kontekstin e shoqërisë dhe insistonte se faktorët shoqërorë kanë një rol kyç në krijimin e personalitetit dhe sjelljeve individuale.

Alfred Adler ka lënë një trashëgimi të rëndësishme në fushën e psikologjisë dhe vazhdon të jetë një burim frymëzimi për shkencën e sjelljes dhe terapinë psikologjike. Thënia e tij për empatinë përcjell një nga vlerat kryesore të filozofisë së tij, duke theksuar rëndësinë e lidhjeve ndërpersonale dhe mirëkuptimit të njëri-tjetrit për një zhvillim të shëndetshëm emocional dhe shoqëror. / KultPlus.com

13 nëntori, Dita Botërore e Mirësjelljes

13 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita Botërore e Mirësjelljes. Kjo është dita e cila në gjithë botën është e dedikuar për njohjen e asaj që vërtet do të thotë të jesh i sjellshëm. Kjo do të thotë t’i kushtoni vëmendje dhe kujdes të tjerëve.

Japonezët e promovuan këtë iniciativë: Dita Botërore e Mirësjelljes lindi në Japoni falë Japan Small Kindness Movement, e themeluar në vitin 1988 në Tokio.

A e dini me të vërtetë se çfarë është mirësjellja? Para së gjithash, është kortezi, edukim i mirë, sjellje të mira. Thuaj faleminderit, ju lutem, me fal. Por kjo nuk mjafton. Mirësjellja është gjithashtu një person i mirë: altruist, bujar dhe i dobishëm me të tjerët, pa interes. Ju duhet ta dini se mirësjellja është e mirë jo vetëm për ata që e marrin atë, domethënë për të gjithë ata që janë përreth jush, por mbi të gjitha për ata që e bëjnë këtë. Për më tepër, është gjithashtu e mirë për zemrën tuaj, duke ju bërë të ndiheni të qetë dhe të relaksuar!

Pra, ka kaq shumë arsye për të mësuar se si ta bëni atë me lehtësi dhe me një vëmendje ndaj tjetrit. Dhe jo vetëm në ditën që feston mirësjelljen, por çdo ditë të jetës suaj. / KultPlus.com

Miratohet nga FDA-ja ilaçi që ndihmon në humbje peshe mbi 20 kilogramë

Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave i dha dritën jeshile Zepboundit, një ilaç i ri për humbje peshe nga prodhuesi Eli Lilly, i cili tregoi gjatë provave klinike se mund t`i ndihmonte njerëzit të humbisnin më shumë se 23 kilogramë në 16 muaj.

Zepbound është prurja më e fundit në fushën e barnave të reja të fuqishme që synojnë dobësimin, e që përfshin Ozempicun dhe Wegovy të Novo Nordiskut.

FDA e miratoi ilaçin për të rriturit që vuajnë nga obeziteti e duhet të jetë në dispozicion në SHBA deri në fund të vitit me një çmim prej rreth 1060 dollarë. Një kosto e tillë mund të bëjë që ilaçi i ri të jetë jashtë mundësive financiare të shumë njerëzve në SHBA, duke pasur parasysh se kompanitë e sigurimeve shpesh hezitojnë të mbulojnë medikamentet për humbje peshe dhe Medicare, me ligj, nuk i mbulon ato.

“Kostoja aktuale është shumë e shtrenjtë për popullatën e përgjithshme,” tha mjeku kardiolog, Nishant Shah nga Universiteti Duke në Karolinën e Veriut.

“Ne duhet të jemi në gjendje t’i afrohemi pacientëve në një mënyrë të përballueshme”, shtoi ai. Në Shtetet e Bashkuara, llogaritet se nga obeziteti vuajnë 4 në 10 të rritur, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Megjithëse ilaçi ka një çmim të lartë, disa ekspertë kanë parashikuar se ai do të bëhet më i shituri në histori. / KultPlus.com

“La Gazzetta del Mezzogiorno”: Shqipëria në rrugën e duhur për një rekord të ri turistik në 2024 

Pasi arriti një numër rekord të turistëve në 2023, Shqipëria është në rrugën e duhur për të rrëmbyer edhe titullin e “Mbretëreshës së Turizmit 2024”, shkruan gazetarja Marisa Ingrosso në një artikull të botuar në të përditshmen italiane “La Gazzetta del Mezzogiorno”.

Sipas presidentit të Unionit Shqiptar të Turizmit, Rrahman Kasa, operatorët raportuan një rritje prej 35% të kontratave të garantuara për turizmin e organizuar për vitin e ardhshëm.

“Në Sarandë, qyteti jugor i Shqipërisë dhe një destinacion i preferuar për bashkatdhetarët tanë, disa objekte tashmë janë plotësisht të rezervuara për gushtin. Edhe në Vlorë, jam i sigurt se në 2-3 muaj do të kemi një pjesë të mirë të akomodimeve të rezervuara”, tha Lorenzo Lonoce nga Pulia, i cili ka krijuar operatorin turistik më të madh shqiptar të specializuar për turistët italianë.

Ka shumë faktorë që përcaktojnë suksesin e një destinacioni. Një prej tyre është sigurisht aksesueshmëria e lehtë.

“Nëpërmjet “Air Albania”, “Ita”, “WizzAir” dhe gjithashtu “Ryan Air” distanca Itali-Shqipëri është shkurtuar”, tha Lonoce.

“Po shfaqen shumë operatorë turistikë që nuk e kishin menduar kurrë Shqipërinë si nje destinacion turistik në rritje. Pritet një verë dhe një pranverë më e populluar. Për të mos thënë që tani po krijohet edhe binjakëzimi kulturor me qytetet”, shtoi ai.

“Çmimet e vendosura këtë vit në kontratat e garancisë për sezonin e ardhshëm kanë shënuar një rritje drastike që varion nga 15 në 25%” dhe kjo do të jetë si pasojë e mbiçmimit të lekut ndaj euros dhe rritjes së kostove”, tha Kasa.

Sipas ekspertit, në tetë muajt e parë të këtij viti, italianët ishin grupi i dytë më i madh i turistëve, menjëherë pas shqiptarëve nga Kosova.

Sipas Ministrisë së Turizmit në Shqipëri, vendi është vizituar nga 660 000 italianë nga gjithsej 9 milionë shtetas të huaj.

Së fundi, një tjetër faktor i suksesit të turizmit shqiptar është planifikimi.

Qeveria e drejtuar nga Edi Rama sapo ka nënshkruar një marrëveshje me “ITB Berlin”, panairin më të madh të turizmit në botë.

Shqipëria do të jetë zyrtarisht vendi i nderit për vitin 2025. Dhe programi i promovimit fillon në mars 2024 dhe përfundon në mars 2025.

Shqipëria do të jetë gjithashtu organizatore e takimit të 70-të të Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit, që do të zhvillohet në pranverë në Tiranë me pjesëmarrjen e 40 ministrave evropianë të Turizmit. /atsh / KultPlus.com