Paper Gallery dhe Prishtina Biennale hapin nesër ekspozitën e artistit Nusret Salihamixhiqi

Paper Gallery dhe Prishtina Biennale hapin nesër ekspozitën e artistit Nusret Salihamixhiqi, përcjell KultPlus.

Nusret Salihamixhiqi është një nga artistët modernist më të shquar të Kosovës. Duke elaburuar temat si: primitiven, ndryshimin e butë të figuracioneve të tij si fëmijë, peisazhet, linjat, përdorimin e ngjyrave, Salihamixhiqi u tërhoq qartë nga teknikat dhe idetë që qëndronin në themel të surrealizmit dhe brutalizmit të artit.

Artisti shfrytëzon maksimalisht të gjithë spektrin e ngjyrave për të shpalosur botën e tij kreative, piktori i racionalizon ngjyrat, i harmonizon ato sipas parimit të shpirtit të vet estetik.

Duke i parë pikturat dhe vizatimet e artistit nuk mund të mohohet brendësia e kompozimeve të tij piktorike, Salihamixhiqi duket se ka qenë më pak i magjepsur nga pavetëdija në vetvete sesa nga universet alternative që mund të sjellë në jetë.

Punimet e instaluara në hapësirën e Paper Gallery janë eksplorim i dekadave të punës së artistit, në të cilën fillojmë me vizatime e skica deri tek ‘loja’ në pikturë përmes së cilës artisti e krijoi stilin e tij unik. 

Ekspozita hapet nesër, më 12 tetor, ora 19:00 në Paper Gallery dhe do të qëndroj e hapur deri më 21.12.2023. / KultPlus.com

Piktorja Engji Jaha vjen me ekspozitë, sjell portretet e artistëve shqiptarë që lanë shenjë në botën e artit

Jeta Zymberi

Piktorja Engji Jaha po prezanton ekspozitën e saj të dytë personale, një ngjarje kjo që pritet të tërheq vëmendjen e të gjithë atyre që kanë pasion artin, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë të veçantë, piktorja Jaha sjell 20 portrete të rralla të artistëve të njohur shqiptarë, duke ofruar një pasqyrë të thellë të talentit dhe ndikimit të tyre në botën e artit.

Çfarë e bën këtë ekspozitë të jashtëzakonshme është jo vetëm kualiteti i punës së piktores Engji Jaha, por edhe përzgjedhja e saj e artistëve të portretuar dhe mënyra e tyre e paraqitjes. Portretet janë të pikturuara me teknikën e vajit mbi pëlhurë, duke krijuar një efekt të veçantë dhe duke dhënë ndjenjën e një kinematografie të vjetër evropiane.

“Unë kam vendosur t’ia dedikoj këtë cikël artistik portreteve të artistëve të njohur shqiptar. Këto vepra arti, përfshijnë njëherazi dhe shumë breza të ngritura, të fushave të ndryshme artistike, që kanë qenë dhe janë kontribuues të drejtpërdrejtë në mbarë botën”, thotë Engji për KultPlus.

Pëlhura i jep këtyre veprave një theks të veçantë dhe një atmosferë nostalgjike, ndërsa ngjyrat e vajit përcjellin emocionin dhe thellësinë e çdo personazhi.

“Janë 20 vepra dhe të gjitha janë pikturuar me ngjyra vaji në pëlhurë. Nëse shihen në tërësi, ato japin ndjesinë e një kinematografie të vjetër evropiane, që ndërveprojnë dhe mund të them se duken se kanë një bisedë artistike me njëri-tjetrin. Ashtu siç shprehet edhe Aristoteli në shkrimet e tij se: “Qëllimi i artit nuk është të përfaqësojë
pamjen e jashtme të gjërave, por rëndësinë e tyre të brendshme. E bukura nuk ka të bëj me bukurinë. E bukura nuk përfaqëson përherë të bardhën e ndritshme, ajo shpesh herë na paraqitet dhe si e errët, ajo është më shumë se kaq, është një ndikim, një komunikim apo çoftë dhe një emocion”, thotë Engji.

Piktorja Engji Jaha ka investuar kohë dhe pasion të madh në këtë temë artistike, dhe kjo ekspozitë është produkti i një hulumtimi të gjatë dhe të thellë mbi psikologjinë e portretit. Ajo ka arritur të kapërcejë thjeshtësinë e një portreti dhe të na sjellë diçka më shumë, diçka që na jep mundësinë të eksplorojmë thellësinë e qenies së personave të portretuar.

“Duke qenë se jemi të ndërtuar biologjikisht për të pasur tërheqje më njëri-tjetrin, atëherë krijimi i shumë portreteve njëherësh të jep mundësinë e interpretimit të emocioneve për portretin e tjetrit si diçka thelbësore për ekzistencën tonë”, thotë për fund artistja.

Ekspozita do të hapet më datë 12 tetor, ora 18:00 në Grand Hotel Prishtina, 13th Rooftop./ KultPlus.com

“Themeli”, ekspozita që ndërthur poezinë dhe fotografinë për të shpalosur historinë e Kosovës në Muzeun e Amsterdamit

Jeta Zymberi

Një titull me peshë, një titull që mbart shpirtin dhe historinë e një populli, “Themeli” është fjala që përthekoi punën e dy artistëve shqiptarë, Luan Buleshkaj dhe Arijan Zymeraj për të prezantuar një copë Kosove në një vend të veçantë, siç është Muzeu i Amsterdamit.

Për një shqiptar të rritur larg vendlindjes së tij, “Themeli” është më shumë se një fjalë – është një kujtim i vendlindjes, një lidhje me rrënjët dhe një dëshirë për të përjetuar dhe ndarë trashëgiminë kulturore me botën, shkruan KultPlus.

“Themeli” është një përpjekje plot pasion e këtyre dy artistëve, për të zbuluar thelbin e popullit kosovar dhe të shpërndajë këtë njohuri me botën nëpërmjet poezisë dhe fotografisë.

Muzeu i Amsterdamit ka hapur dyert për këtë ngjarje të veçantë, ku poezia dhe fotografia përplasen për të sjellë historinë dhe kulturën e Kosovës të nxjerra nga një udhëtim i veçantë i këtyre dy artistëve në Kosovë, në veçanti në qytetin e bukur të Istogut.

Në një intervistë për KultPlus, artistët kanë zbuluar më shumë rreth këtij projekti inspirues.

Projekti “Themeli” lindi si ide e Luan Buleshkajt, një artist me ngjyra të ndryshme në biografinë e tij. I lindur dhe i rritur në Amsterdam, me rrënjë shqiptare, ai bëri emër më së shumti si reper, por që kur u fut në botën e poezisë ai ka performuar në shumë skena të njohura në Holandë.

“Gjithmonë kam pasur dëshirën që të kombinoj poezinë dhe fotografinë për të shpalosur historinë e Kosovës në një mënyrë unike”, tha Luani i cili tregon se kur u takua me fotografin Arijan Zymeraj kuptoi që ky ishte kombinimi perfekt për realizimin e këtij projekti.

Bashkë, ata kuptuan se kishin një mision të përbashkët, për të eksploruar dhe shpërndarë historinë dhe emocionet e Kosovës nëpërmjet artit.

Kosova është një vend i pasur me histori të ndryshme ku pothuajse nga secila familje mund të nxjerrësh rrëfime fantastike. Edhe për këta dy artistë, historitë e familjes së tyre ishin burimi kryesor frymëzues për këtë projekt.

“Historitë e babait tim dhe anëtarëve të familjes më kanë frymëzuar. Tregime nga historia e Istogut. Përralla popullore klasike por edhe histori rreth luftës. Më kanë prekur më së shumti historitë e gjyshit. Ai ishte këngëtar dhe aktivist politik”, tregon Luani për KultPlus.

Njëjtë është edhe për Arijanin, i cili në këtë ekspozitë do të ndaj me publikun edhe një pjesë shumë personale.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që mund të ndaj fotografitë e gjyshit tim gjatë kësaj ekspozite 5 mujore dhe ta bëj të pavdekshme historinë e tij”, thotë Arijani.

Arijan Zymeraj dhe Luan Buleshkaj

Edhe pse ekspozita do të hapet në Muzeun e Amsterdamit, titulli mbetet në gjuhën shqipe, “Themeli”. Fotografi shqiptar i cili jeton dhe vepron në Holandë, Arijan Zymeraj, fotografitë e të cilit kanë arritur të marrin vëmendje në Holandë, një arsye kjo që vazhdon ta nxisë për të punuar vazhdimisht, ka treguar më shumë rreth idesë së titullit të ekspozitës.

“Ne e quajtëm projektin “Themeli” sepse njerëzit për të cilët flitet dhe janë fotografuar janë themeli i popullit shqiptar të Kosovës sot, sepse ata kanë luftuar për të na dhënë një të ardhme neve”.

Udhëtimi nëpër Kosovë për të kapur historitë dhe emocionet ishte një përvojë e pasur dhe ndikuese për artistët. Fotografi tregoi se pavarësisht bukurisë së vendit, udhëtimi kishte edhe sfidat e veta.

“Përvoja ishte e bukur por edhe e vështirë. Të dëgjosh historitë e njerëzve në Istog për kohën e tyre gjatë okupimit është diçka që nuk dëshiron ta dëgjosh çdo ditë. Por arsyeja pse vazhduam është diçka për të cilën gëzoj më shumë respekt”, shprehet Arijani.

Në ekspozitën “Themeli,” dy artistët trajtojnë tema të ndryshme, por disa prej tyre janë më shumë në fokus. Arijani theksoi se një nga temat kryesore është brezi i vjetër që ka guxuar të ndërmarrë hapa kundër pushtimit. Por edhe se si Kosova ende po punon për të rindërtuar vendin e saj.

Ndërsa Luani u shpreh se ekspozita është më shumë se një pasqyrim i historisë së Kosovës.

“Kosova është më shumë se luftë dhe tragjedi. Është një vend historik me histori të pa treguara. Ne i përcjellim ato histori të pa treguara përmes fotografisë dhe poezisë”, thotë Luani.

Sipas artistëve, e veçanta e kësaj performance në Muzeun e Amsterdamit është aspekti njerëzor.

“Ne i qasemi çdo gjëje nga këndvështrimi njerëzor. Nga vetë populli shqiptar. Por edhe nga diaspora shqiptare. Mendoj se kjo është arsyeja pse kjo ekspozitë do të bëhet shumë e njohur për publikun këtu” thotë Luani.

Krejt për fund, artistët na shpalosën se tashmë kanë nisur punën që ekspozitën e njëjtë ta sjellin edhe në Kosovë.

“Ne patjetër që dëshirojmë ta sjellim këtë ekspozitë edhe në Kosovë. Poezitë janë në anglisht por janë përkthyer edhe në shqip. Këtë e bëmë pikërisht për këtë qëllim, sepse duam ta sjellim këtë ekspozitë edhe në Kosovë”, përfundon Luani.

Ekspozita “Themeli” do të hapet nesër më datë 6 tetor në Muzeun e Amsterdamit dhe do të qëndroj e hapur deri më 25 shkurt të vitit 2024. / KultPlus.com

Ekspozita kolektive “I këndoj trupit elektrik, ushtritë e atyre që i dua” hapet më 4 tetor

Komuniteti kulturor dhe artistik në Kosovë përballet me sfida të mëdha, duke përfshirë burimet dhe mundësitë e kufizuara për artistët e rinj, të cilat pengojnë rritjen e tyre personale dhe profesionale. Kjo jo vetëm që ndikon artistët, por gjithashtu e privon skenën kulturore të Kosovës nga kontributet e tyre të mundshme. Për më tepër, ka një mungesë iniciativash që angazhojnë artistët në përdorimin e aktivizmit kulturor për të adresuar çështje shoqërore, pavarësisht nga potenciali tashmë i dëshmuar i arteve për të katalizuar ndryshimet shoqërore, për të promovuar pajtimin dhe për të ndërtuar të ardhme të përbashkët, përcjell KultPlus.

Me qëllimin parësor për të nxitur zhvillimin dhe angazhimin e artistëve në Kosovë duke krijuar një mjedis mbështetës për promovimin e punës së tyre dhe në të njëjtën kohë me qëllim të rritjes së kuptimit dhe vlerësimit të publikut për diversitetin kulturor të Kosovës, Integra, Casa dhe Qendra Barabar kanë instaluar një ekspozitë unike të titulluar “I këndoj trupit elektrik, ushtritë e atyre që i dua”, kuruar nga Vesa Sahatçiu, në kuadër të projektit “ArtSphere: Diversifikimi i peizazhit shoqëror përmes artit”.

Koncepti kuratorial i ekspozitës “I këndoj trupit elektrik, ushtritë e atyre që i dua” (bazuar në poezinë e Walt Whitman) sjell në qendër të saj “trupin”, duke na ftuar të reflektojmë mbi rëndësinë dhe qëllimin e ekzistencës sonë fizike.

Më shumë se 20 artistë të rinj dhe të afirmuar me përvoja të ndryshme kulturore të përzgjedhur për këtë ekspozitë përfaqësojnë trupin, në një mënyrë apo tjetër, duke na nxitur ta shohim trupin përtej ekzistencës fizike.

Hapja e ekspozitës do të bëhet më 4 tetor, ora 19.00, në Qendrën Barabar në Prishtinë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 31 tetor 2023, gjatë së cilës kohë veprat e artit do të jenë të disponueshme për t’u blerë në lokacion, dhe më vonë edhe online.

Ky projekt implementohet nga Integra, Casa dhe Qendra Barabar, me mbështetjen e Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, dhe Rockefeller Brothers Fund. / KultPlus.com 

Ekspozitë në 80-vjetorin e lindjes së shkrimtares Helena Kadare

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtares Helena Kadare, hapi një ekspozitë me kontributin e saj si shkrimtare, përkthyese dhe redaktore.

Në këtë ekspozitë u prezantuan disa materiale, duke nisur nga novela e saj e parë “Shuaje dritën Vera” botuar në vitin 1966, për të vijuar më tej me romanet “Një lindje e vështirë” (1970); “Nusja dhe shtetrrethimi” (1978); “Bashkëshortët” (1981); “Një grua në Tiranë” (1994); “Zëri i njeriut të humbur” (1994) dhe “Kohë e pamjaftueshme” (2011).

Krahas krijimtarisë së saj, janë ekspozuar edhe përkthimet e disa veprave të Isaac Bashevis Singer, Yasushi Inoue, Junichiro Tanizaki, Anna G. Dostoevskaâ, Christopher Andersen etj.

Një vend të veçantë zë edhe kontributi i Helena Kadaresë si redaktore e një sërë monografish dhe botimesh të rëndësishme.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore të BKSh-së. / KultPlus.com

Ekspozitë kushtuar familjes Zorba, me rëndësi për trashëgiminë kulturore shqiptare

Ekspozita e hapur një ditë më parë, në Shkodër, në kujtim të Terezina dhe Zef Zorba është një ngjarje e rëndësishme për trashëgiminë kulturore shqiptare.

Nëpërmjet materialeve të përzgjedhura nga fondi privat i familjes Zorba, kjo ekspozitë ofron një pasqyrë të thellë të jetës dhe veprës së tyre.

Zef Zorba, shquhej si regjisor, përkthyes dhe poet. Përmes veprave të tij, ai ngrihej mbi diktaturën e kohës, duke lënë një ndikim të madh në letërsinë shqiptare të ndaluar.

“Drita e dijes dhe shpresës që ai sjell me tekstet e tij është një kujtim i rëndësishëm për kohën tone”, shkruan Bashkia Shkodër, në një postim në rrjetet social, ku ndau edhe nje album fotografik me pamje nga përurimi i ekspozitës. / KultPlus.com

“Ecejaket e mija” e Bija Jasiqit shënoi hapjen e kauzës së ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit përmes artit

Vjollca Duraku

Me ekspozitën “Ecejaket e mija”, piktorja Bija Jasiqi mbrëmë shënoi hapjen e ekspozitës së dytë personale e cila këtë herë erdhi në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, e cila ishte si simbolikë paraprijëse e muajit mbi ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit, që zyrtarisht fillon në muajin tetor, shkruan KultPlus.

“Ecejaket e mija” është ekspozita e dytë personale e Bija Jasiqit, e cila shpërfaqë ecejaket e rrugëtimit të piktores, gjurmët e të cilave tashmë shiheshin të jenë ndaluar shpesh tek imazhi i gruas në përgjithësi.

Në njërën nga 16 pikturat e saj paraqitej tema e kancerit të gjirit, që për koincidencë qëlloi pak para fillimit të muajit tetor, i cili shënon muajin e ndërgjegjësimit për mbrojtje nga kanceri i gjirit. Kështu kjo ngjarje  mori kthesë duke u cilësuar si paraprijëse e një muaji shumë të rëndësishëm për qytetarët e vendit.

Ngjarja veçse filloi me ardhjet e vizitorëve, të cilët qenë të shumtë në numër. Përshëndetjet dhe përqafimet e tyre të ngrohta me piktoren krijuan një energji mjaft të bukur mes të pranishmëve. Bisedat e tyre të ngrohta, shikimi nga afër i pikturave të vendosura në tre anët e mureve e buzëqeshjet e të pranishmëve, i jepnin ngjarjes edhe karakter socializues.

Për të hapur zyrtarisht këtë ekspozitë, fjalën hyrëse e mori drejtoresha e mediumit KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila përveç falënderimeve për praninë e pjesëmarrësve, tha se ndihej e nderuar që piktorja në fjalë ekspozitën e kishte hapur në KultPlus Caffe Gallery, pasi pikturat i kishin sjellë vendit edhe më shumë ngjyrë dhe energji pozitive.

“Neve si KultPlus na ka nderuar me ardhjen e saj kjo zonjë e cila i ka sjell këto vepra me kaq shumë ngjyra, ashtu siç është edhe vetë personaliteti i saj. Bija Jasiqi është një grua që jo vetëm nga dukja, por besoj secili që e keni takuar e keni marr edhe energjinë pozitive që ajo shpërndanë. Ngjyrat e këtyre pikturave, përfaqësojnë pikërisht këtë gjë”, shprehet Pajaziti.

Drejtoresha Pajaziti, po ashtu tha se kjo ekspozitë në KultPlus Caffe Gallery, i paraprinë muajit tetor, muajit të ndërgjegjësimit për mbrojtje nga kanceri i gjirit.

“Në anën tjetër jemi të lumtur si KultPlus Caffe Gallery, që nëpërmjet ekspozitës së Bijes jemi duke i paraprirë muajit tetor, muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Në mesin e pikturave e kemi edhe një pikturë që artistja ja ka dedikuar pikërisht kësaj kauze dhe nëpërmjet kësaj ekspozite po e nisim këtë rrugëtim për të ngritur vetëdijen për të gjitha gratë dhe pë t’i dhënë vëmendje kësaj kauze”, përfundoi Pajaziti.

Më pas fjala iu kalua piktores Bija Jasiqi e cila tha që meqë vlerësimi i artit është relativ, prania e shumë artëdashësve në këtë ngjarje, e begatonte edhe më shumë përmbajtjen dhe mesazhin e pikturave.

“Jam shumë falënderuese që keni ardhur. Këtë art që e kam punuar, unë e kam vlerësuar në mënyrën time, mirëpo vlerësimi i artit është relativ, do të thotë secili nga ju do ta begatoni si artdashës edhe përmbajtjen edhe mesazhet e këtyre pikturave. Besoj fuqishëm që s’do të hezitoni që të më tregoni atë çka e vëreni ju, sepse përmes jush unë do e plotësoj çka mundem”, ka thënë piktorja.

Ajo më tutje u shpreh e lumtur që njëra nga pikturat e saj do t’i dhurohej Organizatës Have Hope mbi ndërgjegjësimi e kancerit të gjirit, dhe se e vlerësonte reagimin e kësaj organizate që ta ketë këtë pikturë pjesë të sajën.

“Organizata Have Hope me drejtoreshën Arnisa Osmani janë lajmëruar të parët që ta kenë pjesë të tyre këtë pikturë. Unë kam menduar që do të ja dhuroj onkologjisë ose dikujt tjetër pasi në tetor fillon muaji i ndërgjegjësimit për mbrojtjen nga kanceri i gjirit, por tashmë u takon këtyre”, u shpreh Bija e cila tutje e ftoj Osmanin për një fjalë rasti.

Arnisa Osmani tha se është hera e parë që kauza e tyre po fillonte nëpërmjet artit dhe se krijimi i një vepre të tillë shënonte një vepër shumë të madhe për vet organizatën.

“Faleminderit shumë për këtë  vepër, pasi është hera e parë që nëpërmjet artit po hapet kauza kundër kancerit të gjirit, edhe pse nuk jemi në muajin tetor, unë gjithmonë them që tetori fillon me 1 tetor dhe mbaron më 30 shtator. E vlerësojmë shumë sepse për ne dhe organizatën tonë kjo është një vepër shumë e madhe”, ka përfunduar Arnisa.

Më pas në një prononcim për KultPlus, Bija tha se pikturat e saj gjithherë përmbajnë ngjyra të ndezura të cilat në njëfarë forme e paraqesin shpirtin e saj të ngrohtë. Ajo më tutje u shpreh se do të vazhdoj edhe më tutje me një krijimtari të tillë duke u bërë thirrje të gjithë pensionistëve që të jenë sa më aktiv.

“Ecejaket e mija më sjellën në art, dhe aty qe stacioni i fundit. Mirëpo nuk do të thotë që do të ndalem sepse kam zbuluar një teknikë të bukur një abstrakt modern dhe bashkëkohor, që ju pëlqeu shumë kolegëve të mijë. Do të vazhdoj të eci këtyre hapave t’u  bëj shumë motra dhe vëllezër këtyre pikturave. Unë jam mjaft në moshë dhe preferoj që të ju lë një mesazh të gjithë të moshuarve që të jenë aktivë si unë në krijimtari.”

“Rrapi i Prizrenit” (i vjetër mbi 500 vjet), “Lozonjarja e fishekzjarrëve”, “ Nëna gjidhënëse” ishin po ashtu piktura që binin në sy, e për të cilat Bija shpjegoi se çfarë ajo kishte shprehur.

Në mënyrë që ritmi i kësaj ngjarjeje të vazhdonte edhe më tej, u përkujdes band-i “Bulza me djemtë”, ku solistja Bulza Havolli, përmes këngëve të përzgjedhura shqipe në flladin e një nate vere, në ambientet e gjelbëruara të KultPlus Caffe Gallery, ishte qershia mbi torte e kësaj mbrëmjeje e cila u shijua pafund nga të pranishmit.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javë ku edhe adhuruesit  e pikturës do të kenë mundësi t’i shohin për së afërmi dhe t’i blejnë pikturat e saj të cilat janë në shitje. / KultPlus.com

Bija Jasiqi hap sonte ekspozitën personale “Ecejaket e mia në pikturë”

Artistja Bija Jasiqi që është e njohur për artin abstrakt do të prezantohet sonte me ekspozitën personale “Ecejaket e mia në pikturë” në KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë do të prezantohet me 16 vepra.

Bija Jasiqi përgjatë krijimtarisë së saj ka marr pjesë në shumë ekspozita, kurse me ekspozitën “Ecejaket e mia në pikturë” do të prezantohet me shumë ngjyra, duke pas në fokus edhe mbështetjen e gruas.

Kjo është ekspozita e dytë personale e Bija Jasiqit.

Bashkëbisedim, ngjyra e verë ju presin në hapjen e ekspozitës së Bija Jasiqit. Ekspozita do të hapet sonte, më 20 shtator në ora 19:00 dhe do të rri e hapur për dy javë në KultPlus Caffe Gallery./ KultPlus.com

Ekspozita “Shija takon udhëtimin”, e fokusuar në traditën e dietës mesdhetare

Ekspozita “Foodprint: The Mediterranean Diet Revisited”,  bazohet në një projekt ndërmedial nga gjashtë fotografë që fokusohen në dietën mesdhetare, një traditë e vjetër ushqimore me plot kreativitet dhe sezonalitet.

Ekspozita fotografike që u çel edhe në Tiranë përcolli mesazhin pse dieta mesdhetare është e rëndësishme për jetën tonë sot.

Eventi i organizuar në Tiranë, me mbështetjen e BE në Shqipëri në bashkëpunim me institucionet e linjës, solli në një panel diskutimi, përfaqësues të ndryshëm të linjës që trajtuan çështje në këndvështrime të ndryshme nën titullin “Më trego çfarë ha, të të them se kush je”.

Ekspozita paraqiti workshops, dokumentarë dhe përvoja të paharrueshme kulinare.

Duke lidhur Shqipërinë, Greqinë, Italinë, Spanjën, Portugalinë, Marokun, Qipron dhe Kroacinë, projekti bazohet në fotografitë e pesë fotografëve që sjellin të gjallë këtë traditë të vjetër ushqimore të bazuar në kursim, kreativitet, ndarje dhe sezonalitet. Imazhet e tyre kërkojnë të frymëzojnë ndryshimin dhe të na inkurajojnë të lidhemi me të kaluarën e rajonit dhe të tashmes së Mesdheut, i cili ofron një nga dietat më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme në botë.

Me imazhe të kundërta dramatike nga fshatrat e izoluar të peshkimit në fshatrat malore dhe shkollat moderne të kuzhinës, krijuesit eksplorojnë tema të ndryshme si qëndrueshmëria, identiteti, familja, komuniteti, gatimi, bujqësia, shëndeti dhe kreativiteti./ atsh / KultPlus.com

KultPlus shënon një dekadë më 2 shtator, sjell ekspozitën kult me figurat ikonike të RTP-së

Gazeta e parë për art dhe kulturë, KultPlus do të shënojë përvjetorin e dhjetë të themelimit, ceremoni e cila do të shënohet me një ekspozitë kult me figurat ikonike të Radio Televizionit të Prishtinës, i cili vazhdon të mbetet pishtar i medieve në Kosovë.

Ekspozita, e titulluar “Shuni se lajmet”, është një rrëfenjë nostalgjie për kohën e lajmeve të RTP-së, një periudhë që i ka shoqëruar shumë prej nesh për vite të tëra. Me kujtimet që kthehen mbrapa në kohë, ekspozita do të sjellë përpara syve tuaj fytyrat e folësve ikonikë si: Drita Gërmizaj, Vera Hima, Faik Hima, Mustafë Muçaj, Antigona Qena, Besa Çeku dhe Fadile Kryeziu. Këto figura të shquara kanë pasur ndikim të thellë në të folurën dhe informimin e komunitetit tonë.

Kuruar me kujdes nga Ardianë Pajaziti, drejtore e KultPlus dhe KultPlus Caffe Gallery, ekspozita “Shuni se lajmet” pothuajse është si një kuti e kujtimeve që na çon mbrapa në rrugëtimin e dhjetë vjetëve të KultPlus. Ky është një rrugëtim që ka pasur sfida dhe suksese, një rrugëtim i përkushtuar për të promovuar artin dhe kulturën brenda dhe jashtë Kosovës.

“Ky 10 vjetor është tejet i veçantë për ne andaj edhe kemi organizuar një event po aq të veçantë. Përmes ekspozitës “Shuni se lajmet” jemi duke sjellë përpara syve të publikut një kapitull të rrugëtimit të mediave kosovare. Ky kapitull ka ndikuar thellësisht në mënyrën se si komuniteti ynë është informuar dhe ka ndjekur ngjarjet aktuale. Dhjetë vjet e kaluara janë një periudhë e madhe për KultPlus-in, me sfida dhe suksese të shumta në rrugëtimin për të promovuar artin dhe kulturën. Kjo ekspozitë shënon një fitore të re dhe një arritje të veçantë për mua dhe ekipin tim të përkushtuar”, shprehet Pajaziti.

Në këtë mbrëmje të veçantë, nuk do të mungojë as degustimi i rakisë së brendit të njohur “The Vidasus Distillery Nivokaz”, një emër i njohur që synon të përfaqësojë trashëgiminë dhe shijet autentike të kësaj toke. Me sloganin e thjeshtë “Piju shqip”, ne sjellim përpara jush një përshëndetje me shije të vërtetë dhe një përjetim autentik.

KultPlus vazhdon me të njëjtën pasion dhe përkushtim për të promovuar artin dhe kulturën, jo vetëm brenda Kosovës, por edhe jashtë kufijve të saj. Ndaj, ju miqtë e KultPlus dhe KultPlus Caffe Gallery, jeni të ftuar të na bashkoheni në këtë mbrëmje të veçantë, ku do të rikthejmë kujtime, festojmë arritjet dhe bashkëndajmë emocionet.

Le të jemi së bashku më datë 2 shtator, nga ora 19:00, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, për të shënuar një dekadë të dedikuar artit, kulturës dhe gazetarisë në shërbim të komunitetit tonë.

Ky event mbështetet nga Komuna e Prishtinës, Stone Castle, Frutomania, The Vidasus Distillery dhe Uji i Alpeve. / KultPlus.com

Ekspozitë “In memoriam” akademikut Dhimitër Shuteriqi

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, përmes një ekspozite, përkujton akademikun Dhimitër Shuteriqin, në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta, duke sjellë në vëmendje të publikut trashëgiminë e tij të pasur si një studiues dhe historian të letërsisë, të traditave të hershme të shkrimit të shqipes dhe të folklorit.

Kërkimet e tij në këto fusha janë kurorëzuar me botimin e një korpusi veprash e studimesh, që hedhin dritë jo vetëm në fillimet e shkrimit shqip, por edhe në rrënjët e traditave letrare-kulturore, në procese e figura të shquara të letërsisë së humanizmit, të Mesjetës dhe të Rilindjes Shqiptare, duke vënë në qarkullim tekste të panjohura dhe ide të reja shkencore.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore. / KultPlus.com

Muzeu Historik rihap ekspozitën “Shqipëria dhe shqiptarët në tablotë e autorëve evropianë të shekullit

Muzeu Historik Kombëtar rihapi për gjithë vizitorët vendas dhe të huaj ekspozitën “Shqipëria dhe shqiptarët në tablotë e autorëve evropianë të shekullit XIX”.

Ekspozita, e konceptuar dhe përgatitur nga Muzeu Historik Kombëtar, përmban 45 riprodhime të tablove, ku shqiptarët hynë gjerësisht në tablotë e piktorëve të huaj veçanërisht në vitet e para të shekullit XIX.

Pas revolucionit francez e sidomos pas fitores së revolucionit grek, një sërë artistësh, shkrimtarësh, historianësh dhe arkeologësh, por në veçanti piktorët francezë, anglezë, italianë, gjermanë dhe zviceranë trajtuan temën shqiptare.

Shqiptarët u shfaqën në tablotë e tyre me profile e karaktere të ndryshme: herë në pozicione luftarake e herë në pamje të qeta meditimi, apo portrete të lira, ku secili nga piktorët ka shprehur origjinalitetin dhe stilin e tij piktural.

Në gjithë imazhet e punuara nga piktorët e shekullit XIX, ajo që bie në sy është një lloj vitaliteti i karaktereve dhe kostumeve tradicionale shqiptare. Këto karaktere nuk janë krijuar thjesht nga imagjinata, por nga një pikëtakim i drejtpërdrejtë i tyre me këta personazhe.

Këto tablo janë një pjesë e asaj krijimtarie të madhe të piktorëve evropianë të shekullit XIX, të cilët, krahas ekzotizmit përmes figurave, kompozimeve dhe ngjyrave dhanë edhe dramacitetin, tragjizmin apo atë lirizëm të pakët që mund të ekzistonte në atmosferën e rëndë të një pushtimi perandorak. Përveç kësaj, këta piktorë mundësuan që gjeneratat e sotme të kenë mundësinë të shikojnë si figura reale tipin shqiptar gjatë atij shekulli dhe dramën që ngjizte ai në vetvete.

Ne nuk do të mund t’i imagjinonim ashtu siç duhej figurat e suljotëve pa parë pikturat e Louis Dupré, ne nuk do të mund të imagjinonim imazhin e shqiptarit pa parë pikturat e J. L. Gérôme, mishërimin e luftës së Marko Boçarit pa parë tablotë e Delacroix, fytyrën e së resë shqiptare pa parë tablonë e Corot, e cila u kthye në një tablo emblematike.

Përmes tablove të piktorëve evropianë të shekullit XIX, në imagjinatën tonë rikrijohet jeta e shqiptarëve në trojet e tyre dhe përtej kufijve, në rrugëtimet e gjata të historisë. Një plejadë e tërë artistësh të mëdhenj na ofrojnë sot imazhin e shqiptarit të shekullit XIX, figurën e tij herë heroike, herë tragjike dhe herë lirike.

Ekspozita qëndron e hapur në sallën e Hollit Kryesor të Muzeut Historik Kombëtar. / atsh / KultPlus.com

Artistja Majlinda Kelmendi hap ekspozitën personale në Mal të Zi

Artistja Majlinda Kelmendi ka hapur ekspozitën e saj personale ‘Algoritmi Simbolik’ në Mal të Zi, përcjell KultPlus.

Koncepti “Algoritmi Simbolik” lidhet me fushën e sigurisë së informacionit.

Artistja shpreh lidhjen e algoritmit simetrik me veprat e artit të cilat kanë lloje të ndryshme të kodimit dhe dekodimit.

“Në këtë kontekst, eksploroj koncepte të tilla si sekreti, fshehtësia dhe interpretimet e ndryshme të komunikimit dhe simboleve. Imazhet që përfaqësohen nëpërmjet simboleve, objekteve në ciklin Algoritmi Simbolik kanë qëllim për të shkaktuar refleksion dhe të nxisë diskutimin rreth aspekteve të ndjeshme të privatësisë dhe sigurisë në shoqërinë moderne të dixhitalizuar”, shprehet artistja Kelmendi.

Në hapjen e kësaj ekspozite foli edhe drejtori i Qendrës Kulturore Informative ‘Malësia’ në Tuz, Vasel Berishaj.

“Sonte e keni rastin të njiheni me krijimtarinë e artistes së njohur dhe bashkëkohore, Majlinda Kelmendi. Është e spikatur për punën multimediale, në sfondin e së cilës dominojnë, kryesisht, ndodhitë në sverat sociale, ekonomike, politike dhe historike, si në nivel lokal, ashtu edhe global”, u shpreh Berishaj.

Ekspozita është përkrahur nga MKRS dhe QKI “Malësia” Tuz, Mali i Zi dhe do të qëndrojë e hapur deri me datë 27 qershor./KultPlus.com

Dije Bllaca hapë ekspozitë personale në 24 vjetorin e çlirimit të Podujevës

Në datën e çlirimit të Podujevës u hap ekspozita “24 vjet”, aq sa po festonte Podujeva vite çlirimi. Ekspozitën e çeli Shpejtim Bulliqi, kryetar i komunës së Podujevës.

Nga Agron Gërguri

Pikturat e Dijes nuk ishin përshkushtim stereotip për luftën, çlirimin porse ajo kishte zgjedhur 24 piktura nga të cilat përvijon çlirimi i shpirtit përmes artngjyrës dhe arti bëhet mënyrë komunikimi përtej politikës dhe dallimeve çfarëdo qofshin ato duke krijuar klimën e shëndetshme e të dëshiruar në botën e trazuar njerëzore.

Artdashësit, strukturat komunale dhe artistët patën një moment reflektimi për të bukuren, për artin si frekuenca më pajtuese e komunikimit. Pafundësia e kombinimit të ngjyrave me të cilat piktorja kishte krijuar peizazhe kryesisht ekspresive të cilat jo veç me syrin por komunikonin thellësisht me qenien e  audiencë,s vizitorë të ekspozitës përmes ngjyrave të vendosura në pëlhurë  kryesisht me tekniken akrilik me tema të ndryshme.

Peizazhet që prodhojnë ndjenja të mira

 Duke i shikuar pikturat me emërtime si kode të leximit të pikturave e që kryesisht ishin peizazhe, por ku kishte edhe natyra të thellësisë së detit refleksione  dhe ndonjë gjysmëakt që shpërfaqte sensin e gruas, bukurinë, brishtësinë dhe joshjen. Çiltërsia dhe bukuria femërore me ndjesi te theksuara te ngjitej si mesazh dhe kur plotësohej mozaiku i punimeve dhe rrëfimi për 24 vite lirie nga një jetë bardhë e zi tashmë  ngjyrat po i japin kuptim shpirtnor lirisë pikërisht aty ky synon te prek arti, jetën ta bëjë me fytyrë njerëzore dhe që me sukses kishte realizuar piktorja Dije Bllaca e cila frymën e saj kreative ua injekton edhe nxënësve ku punon si mësimdhënëse dhe si recensente e librave shkollor të artit.

Me peizazhe natyre që bëhen peizazhe shpirti si ndjenjë e cila të përmbush me plotënin e ngjyrave.  Diçka që shkon përtej horizontit të shikimit deri atje ku sheh e kënaqësinë e përjetimit që të ofron arti i pikturës.

Peizazhi i oqeanit ta jep këtë pafundësi të mundësive dhe pasurive të jetës. Njohja me fuqinë e oqeanit si një infinit i imagjinatës për mundësit shprehëse përmes pikturës

Pikturat “e kaltërta” , “Horizont”, Peizazh i kuq”, “Reflektim” ,  e të tjera e reprezentonin Dijen piktore të realizuar e cila di të “manipuloj” me ngjyrat kreative duke ju dhënë kuptime të ndryshme domethënëse që shpesh nuk kanë nevojë të deshifrohen thjeshtë kënaqesh duke i shikua.

Hapësira e përmbushur me ngjyra ku dominojnë e kaltërta, nuancat e të kuqes, e verdha, projeksioni i bardhësisë me plotë kontraste dhe harmoni janë veçantia e shprehjes artistike të Dijes të cilat ajo i  formulon si mesazhe çlirues të ndjenjave dhe njëkohësisht prodhon emocione të  mira në raport me perspektiven e jetës përkatësisht dëshirës për një jetë ndryshe ku shpirti i artistit verifikohet si promotor i ndryshimeve pozitive duke e kuptimësuar lirinë.

Çmimet për punën artistike

    Piktorja Dije Bllaca për realizimet e saja disa here është vlerësuar me çmime prestigjioze: çmimi “Për punë dhe kreativitet artistik në lëmin e pikturës”* Ferizaj 2007, çmimi “ Draudacum për pikturë”, Gostivar, Maqedonia e Veriut, 2013. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita kolektive, individuale, koloni në Gjermani, Shqipëri, Argjentinë, Turqi e vende tjera.

Kuratorja Vlora Demiri në fjalën e saj prezantuese e tha një të vërtetë që duhet përligjur se Arti nuk është profesion dhe se Artisti nuk është profesionist është thjeshtë Artist, prodhimtar i ndjenjave të mira, siç është Dije Bllaca .

Urdhëroni në Galerinë e Arteve në Podujevë në Ekspozitën personale të Dije Bllacës , të cilën e ndihmoj Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport  komuna e Podujevës. / KultPlus.com

_upscale _blur _autotone

Albana Ejupi dërgon rërën e Kosovës edhe në Podgoricë

“Duke përdorur rërën nga Kosova, ndiej se një pjesë e trashëgimisë sime materializohet në punën time“, thekson Ejupi.

Albana Ejupi, artistja kosovare e cila jeton në Vjenë, vazhdon me ekspozitat e pikturave të saj nëpër kryeqytet evropiane. Ekspozita “Sandscapes” është hapur më 7 qershor në Muzeun e Arteve në Podgoricë. Kjo ekspozitë ka hapur edhe edicionin e sivjetshëm të manifestimit të Verës Kulturore në kryeqytetin e Malit të Zi, shkruan albinfo.at.

Ekspozita “Sandscapes” tregon një prezencë fizike të veçantë, duke shprehur forma trupore natyrale përtej idealeve të romantizuara mediatikisht.

Kjo bukuri natyrale shprehet përmes trupave voluminoz të cilët ndihen rehat në trupat e tyre, ku materializohen me zallin nga Kosova me qellim që të prejardhja e saj të manifestohet në veprat artistike. „Unë përdor shtresa të ndryshme ngjyrash dhe materialesh në pëlhurë”, shprehet Albana për albinfo.at.

“Duke përdorur rërën nga Kosova, ndiej se një pjesë e trashëgimisë sime materializohet në punën time“, thekson ajo.

Kuratori i ekspozitës është Lukas Wolf, i cili gjatë hapjes së ekspozitës ka deklaruar se ndryshe nga shumë artistë bashkëkohorë që marrin imazhe nga mjetet e komunikimit masiv dhe i përpunojnë me teknika pikture, Albana fokusohet drejtpërdrejt te modeli i gjallë.

Ejupi ka lindur në vitin 1994 në Prishtinë, dhe aktualisht jeton dhe punon në Vjenë. Nëpërmjet artit të saj, ajo merret me aspektet shpirtërore dhe sociale të natyrës njerëzore, veçanërisht marrëdhëniet midis shpirtit dhe trupit në të cilin jetojmë. Ajo kombinon nudo me tema të tilla si idealet e bukurisë, seksualitetit dhe dashurisë. Punimet e saj janë një lloj kundërpushteti ndaj digjitalizimit, mediave sociale dhe inteligjencës artificiale përmes perceptimit personal, duke u fokusuar tërësisht në zhanrin e pikturës.

Artistja kosovare është shumë aktive me ekspozitat e saj në qendra të ndryshme të shteteve evropiane, si në Austri, Zvicër, Portugali, Francë, Itali, Poloni, Sllovaki etj. Me artin e saj, ajo është duke mahnitur vizitorët të cilët vizitojnë dhe pëlqejnë pikturat e saj.

Ekspozita e artistes kosovare do të qëndrojë e hapur në Podgoricë deri më 3 shtator. / KultPlus.com

Fotoreporteri Hazir Reka rikthehet 33 vite pas për të sjell ekspozitën personale “Rezistenca”

Fotoreporteri i njohur Hazir Reka, i cili për vite me radhë ka dokumentuar periudha të tmerrshme të vendit tonë nën okupimin serb, ka vendosur të kthehet 33 vite pas dhe të sjell për publikun një ekspozitë personale të quajtur “Rezistenca”, shkruan KultPlus.

Meqenëse shumë prej nesh i kujtojmë ato vite të errëta për vendin tonë, kjo ekspozitë është një mundësi e rrallë për të bërë një udhëtim nostalgjik nëpër kujtesën kolektive të asaj kohe. Një periudhë e tmerrshme që ndikoi thellësisht në të gjithë qytetarët, dhe që Hazir Reka e kapi me objektivin e tij.

“Rezistenca” nuk është thjesht një mbledhje dhe ekspozim i fotografive, por një thirrje për të ruajtur kujtesën tonë historike dhe për të reflektuar mbi vlerat dhe rëndësinë e paqes që kemi sot.

Ekspozita do të hapet më datë 11 qershor, në ora 13:30 në Hotel Grand në Prishtinë. / KultPlus.com

Historia e biologes Sabina Kasimati në një ekspozitë “ndryshe” në qendrën Agimi

Ekspozita laboratorike “Ujërat e Turbullta” e konceptuar nga artisti Driant Zeneli në bashkëpunim me mjeshtrin e papier-mâché Deni Bianco, është një projekt kushtuar shkencëtares së parë shqiptare Sabiha Kasimati.

Projekti është “një udhëtim” i cili, nëpërmjet artit, kujtesës, ekologjisë dhe teknologjisë, vendos në fokus rëndësinë e figurës së studiueses Sabiha Kasimati, e cila ka zgjedhur të sfidojë politikën, stereotipat sociale dhe madje edhe vetë vdekjen, në emër të shkencës dhe lirisë.

Titulli i projektit niset nga diploma e saj “Peshqit e Shqipërisë”. Artisti Driant Zeneli  e sjell këtë ekspozitë në formën e një laboratori, në hapësirën e re të artit në Tiranë, Qendrën Agimi. Projekti që do të mund të shihet ne Qendrën Agimi nis nga historia e biologes me anë të një paralelizmi me figurën e prometeut. Duke përdorur teknikat e argjilës, paper-machine dhe robotikës, merr formë historia e biologes Sabiha Kasimati: një grua që shndërrohet në peshk. Mike e peshqve dhe e përparimit, si një Promete bashkëkohor, ajo vjedh dritën elektrike nga Diga për t’ia ofruar peshqve që jetojnë nën ujërat e turbullta. Për shkak të veprimit të saj ajo vuan dënimin nga Diga, e cila e lidh me zinxhirë tek një shkëmb në skaj të botës dhe më pas e bën të fundoset nën tokë.

Vrasja e Sabiha Kasimat, biologes së parë shqiptare, ishte një nga tragjeditë e shumta të shkaktuara nga sistemi diktatorial shqiptar i drejtuar nga Enver Hoxha. Pak para eliminimit së saj u botua monografia shkencore “Peshqit e Shqipërisë”, e para e këtij lloji në Shqipëri.

Botimi i saj zhduket menjëherë dhe kjo mund të konsiderohet një vdekje e dytë për biologen. Vetëm mbas rënies së komunizmit diploma origjinale u arrit të gjendej në Fakultetin e Shkencave të Biologjisë në Torino, ku ajo studioi nga viti 1936-40.

Pas rënies së regjimit në vitin 1991, Kasimati u nderua me “Urdhrin e Nderit të Kombit” në viti 2008, ndërsa Muzeu i Shkencave të Natyrës, të cilin ajo e mbështeti fuqishëm, mori emrin e saj, për vlerësimin dhe nderimin për kontributin e saj shkencor. / atsh / KultPlus.com

Sot hapet ekspozita SOLO me artistët Shkamb Jaka dhe Laureta Hajrullahu

Sot hapet ekspozita SOLO me artistët Shkamb Jaka dhe Laureta Hajrullahu, kuruar nga Lek M. Gjeloshi, përcjell KultPlus.

Ekspozita Solo, (ose “vetëm”), përtej referencës së përbotshme që përcakton në raport me natyrën e ekspozitave (vetjake), në këtë rast i referohet – metaforikisht – historisë së një personazhi, shkëputur nga filmi “Nirvana” i vitit 1997. Larg qarkut të shkurtër që krijonte asokohe një emër i tillë, e që lidhej menjëherë me grupin muzikor amerikan, “Nirvana” në film është një videogame. I inspiruar nga një prej romaneve më të njohur cyberpunk të William Gibson-it, filmi rrëfen historinë e një programuesi lojërash kompjuterike, dhe atë të Solos, personazhit të lojës, i cili gjatë zhvillimit të filmit vetëdijesohet mbi të qenurit virtual dhe i kërkon kësisoj programuesit ta eliminojë si krijesë.

Ekspozita do të mbahet sot, me 6 qershor, në Centre for Narrative Practice, ora 20:00.

Ky projekt është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Hapet ekspozita e gjimnazistëve ‘Kujtesa si mision dhe dialog midis brezave’

Me iniciativën dhe interesimin e Zonjës së Parë, Armanda Begaj, u hap në Institucionin e Presidentit ekspozita “Kujtesa si mision dhe dialog midis brezave“, për të promovuar kujtesën historike dhe përkushtimin ndaj edukimit historik të brezit të ri. Ekspozita përmban punime të gjimnazistëve që kanë marrë pjesë në konkursin vjetor “Pyet Gjyshërit“, të organizuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj falënderoi gjimnazistët që kishin marrë pjesë në konkurs.

“Dëshiroj të theksoj, kënaqësinë që morëm që në fillim nga përfshirja masive e të rinjve në këtë konkurs, nga idetë origjinale që të rinjtë e mrekullueshëm të këtij vendi sollën nga investimi i admirueshëm me energji,  talent e pjekuri”, tha Presidenti Begaj në fjalën e tij. Kreu i Shtetit shtoi më tej se, “Është vërtet bukur të konstatosh sesi nëpërmjet dialogut brenda familjes, brezi i më të moshuarve transmeton përmes kujtimeve, dijen e fituar në jetë dhe eksperiencat jetësore me mësimet pozitive, por dhe mësimet e nxjerra nga e kaluara”. Në fund të fjalës së tij, Presidenti Begaj shprehu sigurinë se Institucioni i Presidentit do të jetë gjithmonë i hapur për çdo nismë që ka të bëjë me rininë dhe edukimin e tyre.

Në të njëjtën linjë me Presidentin e Republikës, Zonja Begaj nënvizoi se, të rinjtë do të kenë gjithnjë mbështetjen dhe ndihmën e saj, duke i përgëzuar ata për punët./atsh/KultPlus.com

Ekspozita e artistit kosovar, Petrit Halilaj, në muzeun e ICRC-së në Gjenevë

Drejtoresha e ekspozitave dhe koleksioneve në Muzeun Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, Elisa Rusca, ka bërë të ditur se po prezantohet një ekspozitë me artistin pamor kosovar Petrit Halilaj, me titull ‘Histori të papërfunduara, shumë vullkanike mbi këtë pendë jeshile’ në Kryqin e Kuq Ndërkombëtar dhe Muzeu i Gjysmëhënës së Kuqe, në Gjenevë, Zvicër, shkruan albinfo.ch.

Në zemër të Vitit të Shëndetit Mendor, muzeu i ICRC-së prezanton një shfaqje solo të artistit Petrit Halilaj me një projekt të konceptuar në vitin 2021 nga galeria e artit Tate St Ives në Mbretërinë e Bashkuar që është ripërshtatur në Gjenevë.

Ekspozita do të jetë e hapur deri më datë 17.09.2023. / KultPlus.com

Ekspozitë e fotografit rumun Andrei Birsan në muzeun “Shtëpia me gjethe”

Në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” u hap ekpozita fotografike me titull “1989-Para dhe Pas. Rishikimi i qytetit”.

Ekspozita vjen nga Muzeu i Bashkisë së Bukureshtit dhe mban për autor fotografin Andrei Birsan. Imazhet e kapura prej tij janë një dëshmi e ndryshimeve që ka pësuar qyteti ku ai jeton, që prej regjimit komunist e deri më sot. Sfida e artistit është të kapë detaje të ndryshimit përmes përvojës së një të mbijetuari apo një dëshmitari që i ruajti këto ndryshime në kujtesën e tij fotografike. Autori bashkangjit momente të jetës së tij, me kujtesën kolektive. Fotot ballafaqojnë nostalgjinë për regjimin e dikurshëm i cili ofronte paqe në këmbim të nënshtrimit, më të rinjtë që atë periudhë e shohin si rrënim sentimental.

Andrei Birsan thotë përmes ekspozitës së tij se ekziston dhe një grupim i tretë: ata që nuk e njohën kurrë të shkuarën dhe lindën pas një pragu historik. Ata jetojnë vetëm me realitetet e reja duke lënë të hapur shtegun e rrezikshëm të kthimit prapa.

Ekspozita ofron dhe imazhe të ndryshimit rrënjësor të përditshmërisë urbane të 30 viteve të fundit, me të njëjtat vende por me një notë ndryshe të sjelljes kolektive.

Nga ekspozita e fotografit rumun Andrei Birsan, fotot Agim Dobi. / atsh / KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë me ekspozitë në 120-vjetorin e lindjes së Ernest Koliqit

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, me rastin e 120-vjetorit të lindjes së një prej figurave më të rëndësishme të kulturës shqipe, Ernest Koliqi, çeli një ekspozitë, e cila sjell në vëmendje të publikut të gjithë veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme si shkrimtar, studiues, publicist, përkthyes, kritik, botues e pedagog.

Rrugëtimi i një veprimtarie të gjatë që nga botimet e para: “Kushtrimi i Skanderbeut” (1924); botimi i tezës e tij doktorale mbrojtur në Universitetin e Padovës mbi gjuhën dhe letërsinë shqipe botuar në vitin 1937 me titull “Epica popolare albanese”; “Poetët e mëdhej t’Italisë” (1936), për të vijuar më tej me vepra të rëndësishme, si: “Tregtar flamujsh”; “Hija e maleve”; “Symfonija e Shqipevet”; “Gjurmat e stinëve”; “Kangjellet e rilindjes”; “Pasqyrat e narçizit”; “Djepi arit”; “Shija e bukës së mbrueme”; “Hanë gjaku”; “Rrajët lëvizin” etj.

Një vend të rëndësishëm zë edhe veprimtaria e tij si përkthyes dhe përgatitës i antologjive letrare, që njëherazi kanë shërbyer edhe si tekste mësimore për shkollat shqipe.

Ernest Koliqi themeloi dhe drejtoi revista ku u botuan dhe u trajtuan letërsia e kultura shqiptare, si: “Illyria”, “Shkëndija”, “Shêjzat”, por gjatë veprimtarisë së tij ai bashkëpunoi me revistat “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Përpjekja shqiptare”, “Minerva”, “Besa” etj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore. / atsh / KultPlus.com

Me një koleksion të veçantë, hapet ekspozita “Kujtesa e arsimit shqip në Kosovë të viteve 90”

”Java e Bibliotekës” po vazhdon të mbahet nëpër bibliotekat e vendit dhe ditën e djeshme shënoi një tjetër ngjarje të rëndësishme në Bibliotekën e Prishtinës, ”Hivzi Sulejmani”, shkruan KultPlus.

Ekspozita që mban titullin “Kujtesa e arsimit shqip në Kosovë të viteve 90” kishte hapur dyert e bibliotekës për dashamirët e artit të cilët patën mundësinë të shohin nga afër tekste e libreza shkollore, dokumentacion pedagogjik si dhe gazeta e revista të ndryshme. Njëkohësisht, të paraqitura ishin dhe fotografi të shumta të shtëpi-shkollave, profesorëve dhe studentëve, që janë dëshmia e rezistencës në fushën e arsimit gjatë viteve të errëta, në Kosovë.

Hapjen e ekspozitës e bëri Bukurije Haliti nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe i pranishëm ishte edhe Robert Montoya nga Universiteti i Kalifornisë në SHBA.

”Ky është një koleksion i veçantë. Librat janë të veçantë sepse janë të vjetër. Këto janë gjëra shumë të lehta për t’u parë, për t’u gjetur dhe për t’u mbrojtur. Por ajo çka është më e brishtë janë historitë që ne krijojmë”, tha profesori amerikan, Montoya i cili u shpreh se materialet e prezantuara tregojnë histori të mrekullueshme.

Ndërsa, Munish Hyseni, drejtor i bibliotekës “Hivzi Sulejmani, u shpreh për KultPlus se kjo ekspozitë paraqet kushtet dhe rrethanat në të cilat është zhvilluar mësimi në vitet 90.

”Kjo që po e shihni këtu është një pjesë e vogël e materialeve që ekzistojnë, kryesisht privatësisht. Kjo ka të bëj me shkollën, me ditarët, më dëftesat, me diplomat, me librezat. Kjo pastaj është shoqëruar me botime librash për shkollat fillore, për ato të mesme dhe për universitete. Kanë ndihmuar dhe gazetat e revistat, që mund t’i shihni këtu”, u shpreh drejtori Hyseni i cili tutje tha se për këtë ekspozitë ka qenë një organizim i madh. Ka përfshirë afër 400 mijë nxënës e disa mijë studentë. Këta nxënës e studentë kanë pasur prindërit që kanë sakrifikuar për ta.

Ish-Drejtori i Kulturës, Mustafë Halili foli gjithashtu për KultPlus rreth kësaj ekspozite, duke e cilësuar si një ngjarje të rrallë.

”Këto janë evenimente. Kur them evenimente, mendoj ngjarje të rralla por janë aq të rëndësishme sa është e vështirë të peshohen. Kur pashë këtë ekspozitë u befasova për të mirë sepse rrallë po organizohen këso eventesh edhe pse ngjarjet e tilla si kjo kanë një peshë të veçantë nga ngjarjet e tjera sepse këtu ekspozohet dija, mendja shqiptare e të gjitha kohërave, kohërave të vështira e në liri, prandaj kjo ekspozitë do të ketë efektin e vet, shumë të madh”, u shpreh Halili duke shpresuar që kjo ekspozitë të ketë sa më shumë vizitorë.

Ekspozita do të jetë e hapur deri më datë 2 qershor dhe ka dyert e hapura për vizitorët. / KultPlus.com

/

Ramë Beqiri me ekspozitë personale në Gjenevë, dedikim për të zhdukurit në Kosovë

Ramë Beqiri është artisti i njohur, i cili jeton dhe vepron prej disa vitesh, në kantonin e Gjenevës. Ai njëkohësisht aktron në disa teatro në Zvicër dhe jashtë saj. Piktori Beqiri në muajin e ardhshëm, pritet të hap një ekspozitë personale në Gjenevë për të zhdukurit në Kosovë, njofton gazeta zvicerane Le Canton27.ch

Artisti shqiptar Ramë Beqiri do të sjell për artdashësit zviceran historinë e dhimbshme të Kosovës dhe plagën e hapur për të zhdukurit e luftës, përmes një ekspozite në Gjenevë.

“Në kujtim të të zhdukurve të luftës së Kosovës” do të jetë motoja e ekspozitës që pritet të hapet me 12-20 qershor në shtëpinë e artit ,,Maison Grutli’’, në Gjenevë të Zvicrës në kuadër të festivalit ndërkombëtar të filmit Fifog.

Pjesë e këtij festivali pritet të jetë edhe filmi shqiptar ,,I treturi’’, me pas do pasoj edhe debati për këtë me pjesëmarrës regjisorin Arben Thaqi dhe njëri nga aktorët e filmit, Arben Muçaj, pjesë e te cilit festival Fifog është edhe artisti ynë Ramë Beqiri.

Beqiri, lidhur me këtë ekspozitë është shprehur i lumtur që është pjesë qe disa vite me radhë e këtij eventi të rëndësishëm kulturo-artistik, në Zvicër.

“Është viti i tretë që ne përfaqësohemi në këtë festival. Këtë vit e bënë më të plotë ekspozita ime sepse është një temë të cilën me vite e kam sjell në mendjen time që të bëjë diçka për vendin tim, e posaçërisht për një temë shumë te ndjeshme që na ngulfate me vite…”, ka thënë Beqiri.

Dihet se në Gjenevë gjinden organizatat e ndryshme të të drejtave të njeriut dhe kjo ekspozitë shpresojë që do të sensibilizoj me një mesazhe tek ndërkombëtarët që të bëjnë më shumë në lidhje me këtë drejtim, me te zhdukurit kosovar. / KultPlus.com