Ekspozita e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019 hapet këtë javë


Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka njoftuar për ekspozitën e finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është pjesë e programit që ndan çmimin për artistët e ri në fushën e arteve vizuele – YVAA (Young Visual Artists Aëards) – pjesë e dhjetë çmimeve të ngjashme të organizuara në Evropën Qendrore dhe atë Lindore me qëllim të mbështetjes së shfaqjes dhe zhvillimit të artit bashkëkohor dhe shoqërisë civile.

Çmimin “Artistët e së nesërmes” 2019 e kanë marrë artistët: Somer Şpat, Edona Kryeziu, Dion Zeqiri. Ndërsa puna kuratoriale është realizuar nga Vala Osmani dhe Albert Heta.

Ekspozita do të hapet më datë 6 nëntor në ora 20:00 te Klubi i Boksit. Ndërsa fituesi i çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019 do të shpallet me 6 dhjetor 2019 në Klubin e Boksit në Prishtinë, në mbylljen e ekspozitës së finalistëve të “Artistët e së nesërmes” 2019.

Juria e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019, e përbërë nga Charles Esche, drejtor i Van Abbemuseum, Eindhoven, Qëndresë Deda – artiste, fituese e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018, Adam Kleinman – Fondacionin Kadist Art, Sezgin Boynik – teoreticient dhe redaktor, Jelena Vesić – kuratore, shkrimtare, redaktore dhe ligjëruese, ka zgjedhur tre finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019.

Somer Şpat është përzgjedhur në listën e ngushtë për projektin e tij të jashtëzakonshëm në lidhje me ngritjen dhe rënien e industrisë hekurudhore në Kosovë. Puna e tij tregon përpjekjet kolektive të modernizimit të Kosovës në kohën e Jugosllavisë si kontrast të tranzicionin shoqëror dhe mbetjet e strukturuarve të progresit industrial dhe si mbetjet e tyre janë të përfshira në jetën e përditshme kosovare, në një mënyrë të jashtëzakonshme.

Somer Şpat (1996, Prizren) ka përfunduar studimet bachelor në fotografi në Universitetin e Arteve të Bukura, Mimar Sinan. Interesimi i tij për artin filloi nga pasioni ndaj kinemasë që e shtyu atë të studionte fotografinë. Përmes studimit të fotografisë ai zhvilloi interes për artin bashkëkohor dhe gjeti mënyra eksperimentale të të menduarit dhe diskutimit rreth tij.

Somer nuk e konsideron veten të varur nga një medium specifik. Mediumi vjen përmes procesit të kërkimit të tij artistik. Me fjalë të tjera, përmes procesit, mediumi del dhe imponohet ndaj tij. Duke e perceptuar veten më shumë si një prodhues se sa krijues, ai përpiqet të ndërlikoj më tej çështjet e autorësisë në veprat e tij.

Punët e tij përqendrohen në çështje politike, si në kontekstin lokal ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Në mënyrë retroaktive, veprat e tij të artit përpiqen të shtjellojnë format të ndryshme dhe përfaqësim të dhunës shtetërore. Kjo dhunë mund të jetë imponim i imazheve nga shteti; ose shkatërrimi i infrastrukturës publike nga pronat private.
Ai i konsideron studimet arkivore si pjesë shumë të rëndësishme të produksionit të tij. Pasi kaloi kohë në arkiva për të gjetur materiale për projektin e tij “hekurudhor” në vazhdim, Somer zbuloi portretet e punëtorëve vullnetarë që ndërtuan linjat hekurudhore, dhe ky zbulim ndryshoi drejtimin e punës së tij dhe i dha asaj një tjetër ritëm.

Edona Kryeziu (1994) ka lindur në një qytet të vogël gjerman afër kufirit francez. Ajo pjesën më të madhe të fëmijërisë dhe adoleshencës e kaloi në Koln, Gjermani. Atje, ajo u rrit në mesin e njerëzve të tjerë, prindërit e të cilëve nuk ishin nga Gjermania.

Vizita në një shkollë të mesme që ishte kryesisht gjermane dhe e krishterë, e bëri atë të mendojë për gjendjen e migrantëve, narracionin e famshëm ‘përplasje kulturore’, ndarjen urbane, privilegjin dhe pabarazinë. Në moshën 18 vjeç, ajo kaloi një vit në periferi të Buenos Aires, Argjentinë, ku punoi me qendrat e komunitetit lokal për të mbështetur të margjinalizuarit. Ishte aty ku ajo mësoi të vinte në pikëpyetje statusin quo, e cila e shtyu atë fillimisht drejt studimit të Shkencave Shoqnore në Maastricht dhe Universitetin e Stambollit, e pastaj Antropologjinë e Migracionit dhe Diasporën në Universitetin SOAS në Londër.

Përveç akademisë, Edona ka njohuri në teatër, aktrim dhe shkrim të skenarit, dhe i pëlqen të eksperimentojë me mediume të ndryshme si montazh filmi, fotografi, instalimet për të vënë në dyshim normalitetin.

Qëllimi i punës së saj është të ekspozojë ndjenjat e zhvendosjes, ambivalencës së brendshme, vetë-mohimit dhe strategjive të mbijetesës që vijnë së bashku kur je subjekt diaspore. Prandaj, ajo përdorë ndjenjat dhe mjedisin e saj personal si një burim për të vënë në pah natyrën e një identiteti të fragmentuar. Çdo vepër arti kontribuon në krijimin e një hapësire të tretë si një pikë qartë e shprehjes së saj, minoritetet në Gjermani dhe gjithë diasporën, të cilës mund të flasë puna e saj. Kjo është një ndërhyrje dhe krijim i diçkaje të re, të rrënjosur në pikëllim, hutim, zemërim dhe shpresë. Vetë procesi i krijimit të artit për të është rrugëtimi drejt shpërbërjes së ‘Tjetërsisë’ në ‘Vetveten’ e saj.

Dion Zeqiri (1996) ka përfunduar studimet bachelor në dizajn enterier në Universitetin e Prishtinës (2018). Ai punon në një kompani të dizajnit si përpilues i projekteve kreative. Dion Zeqiri ka filluar të pikturoj në shkollën fillore, në stile të ndryshme.

Zeqiri punon me mediume të ndryshme si: instalacion, skulpturë, video dhe objekte të gatshme të gjetura, që në vazhdimësi kërkon të vë në pyetje ato objekte të gjetura për përkthimin e tyre në komunikim, që e vendosë gjuhën në shkallë shoqërore. Ekspozita e parë e Dion Zeqirit ishte ekspozita personale “Rumination” (2018) e mbajtur në “Hapësira Motrat”, Prishtinë, Kosovë.

Praktika e Dion Zeqirit është pikënisje e përvojës së tij personale. Ai ka punuar për të fuqizuar subjektet që përfshijnë emocione aktuale apo kushte fizike, duke hapur interpretime të reja rreth rrethanave dhe dukurive.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është çmim kyç dhe i pavarur i organizuar në bashkëpunim me Residency Unlimited në New York, mbështetur nga The Trust for Mutual Understanding në Neë York.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është një projekt unik që u ofron artistëve të arteve pamore nën moshën 35 vjeçare mundësinë të krijojnë vepra të reja, të jenë pjesë e një procesi specifik edukativ, të kenë takime dhe prezantime për një juri ndërkombëtare, mundësi që të marrin pjesë në një ekspozitë të përbashkët me finalistët e tjerë në Stacion – Qendrën për Art Bashkëkohor Prishtinë, por edhe të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të përjetojnë dinamikën e skenës artistike të Nju Jork-ut, për dy muaj qëndrimi në Residency Unlimited, dhe pas kthimit nga SHBA të kenë ekspozitë personale në Stacion- Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë.

Qëllimi i çmimit “Artistët e së nesërmes”, i organizuar në Kosovë nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, është që të ofrojë mbështetje artistëve të rinj dhe të lehtësoj vazhdimin e punës së tyre duke i zhvendosur ata nga një rol margjinal në një rol qendror në shoqëri.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është pjesë e programit të çmimeve për artistët e rinj pamor – YVAA (Young Visual Artists Awards) – që është një rrjet i dhjetë çmimeve të ngjashme nga Evropa Qendrore dhe Lindore, dhe i cili u themelua në vitin 1989 në Çekosllovaki nga Kryetari Vaclav Havel, Wendy Luers dhe artistët disidentë, që kishin për qëllim përkrahjen e ngritjes dhe zhvillimit të artit bashkëkohor dhe shoqërisë civile.

Qëllimi i Kryetarit Havel, organizatorëve dhe themeluesve të Çmimeve YVAA ishte të shpërblejnë artistët e rinj me një rezidencë artistike në SHBA, dhe për t’i ekspozuar ata në botën jashtë vendeve të tyre dhe për të theksuar rolin e kulturës në demokratizimin e shoqërisë dhe rolin e kulturës në shoqërinë civile. Ata themeluan një garë transparente dhe të hapur vjetore, që vlerësohej nga juritë e pavarura dhe që ndërroheshin, pa nepotizëm dhe favorizim. Ky mision themelues dhe kjo kornizë programore, për të përkrahur artin bashkëkohor, për të njohur dhe shpërblyer ekselencën artistike, për të ngjizur shkëmbimin kulturor dhe për të ndërtuar kapacitetin e institucioneve të pavarura të artit dhe shoqërisë civile, janë edhe udhërrëfyes për Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë për organizmin e çmimit “Artistët e së nesërmes”.

Në vitin 2015, Residency Unlimited (RU) u angazhua si organizator i programit YVAA dhe nikoqir i programit rezidencial në Nju Jork. Në shtator të vitit 2015, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë është ftuar për të marrë përsipër organizmin dhe udhëheqjen e çmimit “Artistët e së nesërmes” në Kosovë, duke filluar me edicionin e parë të vitit 2016.

Në vitin 2017, Bordi i the Trust for Mutual Understanding aprovoj kërkesën e Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë që çmimi “Artistët e së nesërmes” të kthehet në program që organizohet çdo vit në Kosovë. Në vitin 2014 organizatorët e programit YVAA kishin vendosur që çmimi Artistët e së nesërmes të organizohet çdo të dytin vit.

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë synon të rrisë potencialin dhe ndikimin e çmimit “Artistët e së nesërmes” në zhvillimit e gjithmbarshme në artin bashkëkohor, në tërë territorin e Kosovës.


Çmimi “Artistët e së nesërmes” 2019 organizohet nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë. Mbështetësit kryesor të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019 janë: Ambasada e SHBA-së në Kosovë, Trust for Mutual Understanding (TMU), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Komuna e Prishtinës, Technomarket, x-print dhe DZG. / KultPlus.com

Ekspozitë për nder të Ditës Ndërkombëtare të Artit

Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Artit, Hoteli Garden do të organizojë një ekspozitë me artistët kosovarë ku do t’i prezantojnë punimet e tyre të vlerësuara në restorantin Garden Open Kitchen.⁣⁣⁣

Ekspozita do të fillojë nga ora 12:00 deri në orën 18:00 dhe do të qëndrojë e hapur ditët në vijim.

Një pjesë e fitimeve nga shitjet do të shkojnë për bamirësi.⁣⁣⁣

Artistët pjesmarës në këtë ekspozitë janë: Mjellma Goranci Zana Ramadaniq Shqipe Kamberi Blerta Surroi Eliza Hoxha Muhamet Ahmeti Visar Mulliqi Kushtrim Istref Hajrush Fazliu Musë Prelvukaj. /KultPlus.com

Edona Kryeziu dhe Valentina Bonizzi fituese të çmimit “Gjon Mili”, hapet edhe ekspozita



Qendrim Badalli

Para Galerisë Kombëtare të Kosovës po qëndronin dhjetëra njerëz. Shihej qartë se turma dominohej nga komuniteti i artistëve, shumica të rijnë në moshë. Ata ishim mbledhur për ta pritur hapjen e ekspozitës së edicionit të gjashtëmbëdhjetë të çmimit prestigjioz Gjon Mili – “Në tranzicion: Imazhe në mes faktit dhe trillimit”. Në oborrin e Galerisë ishte kokteji i përgatitur për mysafirët të cilët u treguan të durueshëm deri në hapjen e ekspozitës me pak vonesë, shkruan KultPlus.

E për durimin e treguar mysafirët morën falënderim nga Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani, “Ju falënderoj për durimin”, tha ajo në fjalën hyrëse.

Më pas ajo prezantoi kuratorin e këtij edicionit, për të cilin tha se kishte shumë përgjegjësi të zgjedhte më të mirët në mesin e shumë aplikantëve.

“Këtë vit, kuratori i cili e ka pasur përgjegjësinë e madhe që në mesin e shumë artistëve aplikantë të zgjedh dymbëdhjetë pjesëmarrës, është Joao Ribas, kurator nga Portugalia, i cili sonte është këtu me ne”.

Ajo tregoi një nga një të gjithë emrat pjesëmarrës në edicionin  e sivjetmë të kësaj ekspozite.

Pjesëmarrësit ishin: Albe Hamiti, Altin Krasniqi, Arbnor Karaliti, Edona Kryeziu, Edson Luli, Fidan Bejtullau, Jon Mithi, Laureta Hajrrullahu, Valdrin Thaqi, Valentina Bonizzi, Somer Spat, Neron Deshishku.

Ambasadori Italian, Piero Cristoforo Sardi, në një fjalë rasti, tha se kishte kënaqësinë që Ambasada e Italisë në Kosovë ishte pjesë e këtij organizimi.

“Është një nder i madh për të qenë prezent këtu, në këtë ngjarje. Dhe nga ana jonë kur morëm ftesën për të qenë pjesë e këtij organizimi nga drejtoresha e institutit Italian për kulturë në Tiranë që mbulojnë edhe Kosovën, ne patëm shumë dëshirë që të jemi pjesë e këtij organizimi sidomos duke pasur parasysh skenën e gjallë të Kosovës”.

Veton Nurkollari, drejtori artistik i Dokufest-it si dhe njëherit kryetari i jurisë, ka thënë se këtë edicion kanë pranuar një numër të madh veprash cilësore.

“Në këtë botë të ndryshueshme vazhdimisht të imazheve bashkëkohore juria ka pasur kënaqësinë që të ketë një numër të madh të punimeve shumë kualitative të artit në këtë çmim të Gjon Milit”.

Ai më pas ka folur për anën teknike dhe përmbajtësore të punimeve artistike që janë dhënë në këtë ekspozitë.

“Punimet e ndryshme kanë eksploruar fushën e fotografisë tradicionale deri tek largimi radikal i punëve pa imazh, duke përfshirë mungesën e imazheve, zhdukjen dhe rishfaqjen e tyre apo transparencën e gjithë kësaj”.

Dhe në fund, nën duartrokitjet e të pranishmëve u dhanë edhe emrat e dy fituesve të këtij edicioni. Ato ishin: Edona Kryeziu dhe Valentina Bonizzi.

“Besojmë se kjo ekspozitë do të kontribuojë në diskutimin e vazhdueshëm mbi fotografinë. Duke pasur parasysh këtë, juria ka vendosur unanimisht që çmimin të ia dhuroj dy artistëve: Edona Kryeziu dhe Valentina Bonizzi”.

Teksa Kryeziu doli para të pranishmëve dhe morri çmimin, Bonizzi po mungonte por atë e përfaqësoi Ambasadori Italian, Piero Cristoforo Sardi, i cili morri çmimin në mungesë të saj. Hyrja e Galerisë u lirua, teksa të pranishmit shpejt zunë gjithë hapësirën e galerisë duke fotografuar dhe diskutuar për veprat që po i shihnin. / KultPlus.com

Ekspozita e Mimoza Studenicës foli zëshëm për pozitën e gruas në shoqëri

Qendrim Badalli

Në mbrëmjen e djeshme, hapësira e Unionit Europian në Kosovë ishte e stërmbushur. Aty dominonte gjinia femërore. Ato kishin një arsye më shumë të bëheshin pjesë e ekspozitës që për çdo minutë pritej të hapej. Ekspozita e djeshme quhej “Gruaja”, ku përmes një numri të madh pikturash, është shpalosur puna e Mimoza Studenicës, shkruan KultPlus.

Në hapësirën e shoqëruar me muzikë dhe me tavolina gjithandej, ti ke mundur të fotografosh piktura të bukura të vendosura në muret e atij ambienti, apo thjeshtë të ngresh dolli me një numër shumë të madh të të pranishmëve në këtë ekspozitë.

Siç e do rendi, të pranishmit po i priste me përshëndetje e përqafime Studenica, dhe të cilët më pas filluan të ambientoheshin me radhë. Gjithçka ishte gati që të fillonte edhe zyrtarisht kjo ekspozitë e cila morri vëmendjen shumë shpejt dhe lehtë të të gjithë mysafirëve aty. Ç ‘do gjë fliste qartë dhe zëshëm.

“Kjo është ekspozita ime e dytë dhe quhet “Gruaja”. Arsyeja se përse e kam quajtur kështu është se gruaja është shtylla e shoqërisë”.  Kështu e filloi fjalën e saj hyrëse Studenica, e cila u tregua fjalëpak në hapjen e ekspozitës por jo edhe në intervistën e saj për KultPlus.

Ajo ka thënë se motivet i kam marrë nga jeta e zakonshme që bëjnë gratë në vend, teksa ka vlerësuar pozitën e gruas në shoqëri.

“Tematikat dhe motivet i kam marrë nga përditshmëria. Titulli i ekspozitës quhet “Gruaja” sepse ajo është shtylla e shoqërisë”.

E pyetur nëse do të vazhdonte edhe me ndonjë cikël tjetër të po të njëjtës temë, ajo është shprehur skeptike dhe ka thënë se është gjithmonë në kërkim të sfidave të reja.

“Kjo është temë në vete. Unë mendoj ta sfidoj veten edhe në teknika tjera edhe në gjëra të tjera meqë unë gjithmonë jam në kërkim edhe në teknika edhe në tema. Në këtë lloj të teknikës, të teknikës së letrës, kërkohet durimi dhe imagjinata”.

Mbrëmja po vazhdonte me një atmosferë shumë miqësore dhe në një klimë spontane ku të gjithë dukeshin të buzëqeshur dhe të kënaqur me punën që po shihnin përballë. Ndoshta se shumica ishin gra, ndoshta se ekspozita i dedikohej “Gruas”. / KultPlus.com

GKK njofton për hapjen e ekspozitës së çmimit “Gjon Mili”

Galeria Kombëtare e Kosovës ka njoftuar për hapjen e ekspozitës së edicionit të gjashtëmbëdhjetë të çmimit prestigjioz ”Gjon Mili”, përcjellë KultPlus.

Ekspozita “NË TRANZICION: Imazhet mes Faktit dhe Trillimit” vjen e kuruar nga João Ribas.

Pjesëmarrësit në këtë ekspozitë janë: Albe Hamiti, Altin Krasniqi, Arbnor Karaliti, Edona Kryeziu, Edson Luli, Fidan Bejtullahu, Jon Mithi, Laureta Hajrrullahu, Valdrin Thaqi, Valentina Bonizzi , Somer Spat, Neron Deshishku.

Ceremonia e hapjes do të bëhet të mërkurën, me 16 tetor, në orën 20:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Ekspozita do të jetë e hapur deri më 16 nëntor. / KultPlus.com

Artisti shqiptar hapë ekspozitë në Atlanta, koleksionistët të mahnitur nga arti i tij

Galeritë më të mira amerikane, shpesh janë mbërthyer nga pikturat e artistit shqiptar Josef Kote. Cutter and Cutter Fine Art apo Ocean Galleries Stone Harbor janë galeritë që kanë treguar që niveli artistik i Kotes përkon me atë të artistëve botëror si Chagall, Miro e Dali, shkruan KultPlus.

Ka kohë që Kote jeton në Amerikë, por veprat e tij shëtitën nga një vend në tjetrin. Kanada e Greqia gjithashtu kanë hapur dyert për artin e tij.

Kësaj radhe Kote ha hapur një ekspozitë në Atlanta ku edhe kësaj radhe pikturat shumëngjyrshe ju kishin dhënë jetë mureve të galerisë e kishin mahnitur të pranishmit.

Koleksionistë nga California dhe shtete të tjera të Amerikës kishin ardhur ekskluzivisht në hapje të ekspozitës për të nderuar punën e artistit shqiptar.

Kjo gjë ka nderuar Koten i cili është shprehur shumë falënderues për të gjithë ata që udhëtuan nga larg.

Unë jam i frymëzuar nga koleksionistët e mi të artit, ku prej tyre ka koleksionistë të rinj, por edhe nga ata të vjetër, ku disa prej tyre kanë ardhur nga Kalifornia për të marrë pjesë në hapjen e ekspozitës time personale, vetëm për të më takuar personalisht. Është nder për mua që të kem koleksionistë që admirojnë dhe e duan punën time. Jam kaq mirënjohës dhe fatlum që ia kushtoj jetën dhe energjinë time asaj që më drejton shpirtin”, ka shkruar Kote në Facebook.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fund të tetorit.

Pikturat e tij, të cilat shiten vetëm në ekspozita, arrijnë në vlerën e më shumë se 30 mijë dollarëve. / KultPlus.com

“Rruza t’zemrës”, ekspozita shitëse nga viktimat e mundshme të trafikimit prezantohet nesër

Qendra për Art dhe Komunitete – Artpolis, me qëllim të mbledhjes së fondeve, organizon ekspozitën shitëse “Rruza t’zemrës”, përcjellë KultPlus.

Aksesorë të ndryshëm, të punuar me dashuri dhe energji shumë të mirë nga  viktima të mundshme të trafikimit, nën mentorimin e artistes Njomëza Luci, do të prezantohen të premten, më datë 27 shtator tek Menza Ramiz Sadiku, në orën 13:00 – 15:00.

Fondet e mbledhura nga shitja e produkteve punëdore, do t’iu dedikohen grave që i kanë punuar këto aksesorë.

Pije, ushqim, muzikë, shoqëri do të jenë pjesë e ekspozitës. “Ejani dhe merrni pak dashuri me vete”, thuhet në komunikatë.

 Projekti “Fuqizimi Socio-Ekonomik dhe Psikosocial i Viktimave të Trafikimit dhe Viktimave të Mundshme të Trafikimit” financohet nga projekti i BE “Lëvizja Përpara: Promovimi i Efikasitetit dhe Efektivitetit më të Madh në Luftë Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore.” Projekt i zbatuar nga konzorciumi i udhëhequr nga Family and Childcare Centre (KMOP). / KultPlus.com

Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës sot hapet ekspozita e Vehbi Muratit

Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës sot, në orën 19, hapet ekspozita personale të piktorit Vehbi Murati, e titulluar “Një ditë e zakonshme shtatori”.

I rritur në vitet e nëntëdhjeta, ambienti i trazuar politik për popullin shqiptar të Kosovës, pashmangshëm se kishte ndikim edhe në shprehjen emocionale e artistike të Vehbiut.

Dhe jo vetëm zhvillimet e fundshekullit të kaluar në Kosovë, por edhe ato të dy dekadave të para të shek. XXI., pasqyrohen në habitatin personal kulturor të piktorit Vehbi Murati.

“Një Ditë e Zakonshme Shtatori” përbëhet nga piktura të cilat autori i ka realizuar viteve të fundit dhe janë kryesisht të formateve të mëdha. Në to paraqiten kryesisht situata të “zakonshme” të cilat mund të jenë të një dite të zakonshme shtatori, sikur që na sugjeron titulli i kësaj ekspozite.

Ekspozita ka për kurator Mehmet Behlulin, ndërkaq drejtohet nga koordinatorja e GMK-së, znj. Dhurata Ramosaj-Shala. / KultPlus.com

Frida Kahlo dhe Diego Rivera, gati ekspozita me pikturat e çiftit meksikan

Në muzeun “Dolores Olmedo” në Nju Meksiko është çelur një ekspozitë e veçantë, në qendër të së cilës është bota artistike dhe pasioni i çiftit meksikan të artistëve, Frida Kahlo dhe Diego Rivera.

Koleksioni i pazbuluar më parë për publikun i dedikohet çiftit të martuar, Fridës dhe Diegos, nga dita e njohjes dhe më pas prezantimit të artit të tyre botës.

Në piktura shfaqet më së miri lidhja e fortë që artistët kishin me Meksikës, dhe kjo ishte arsyeja që nuk emigruan kurrë. Kahlo është sot një nga figurat artistike më popullore të Meksikës dhe jeta e saj drithëruese dhe sfiduese, u shndërrua në film në vitin 2002, me protagonist kryesore aktore Salma Hayek.

Në ekspozitë tregohet qartë se jeta private dhe puna artistike e Fridës nuk mund të ndahet për asnjë çast nga Diego dhe se së bashku ata arritën të shndërrohen në legjenda të artit të shekullit të 20, pavarësisht stileve të ndryshme që kishin.

Sipas drejtoreshës së muzeut, përveç marrëdhënies me Fridën, vetë Diego tregoi se sa gjeni ishte përmes pikturave të tij murale.

“Publiku që do të na vizitojë, mund të shohë vepra të Diegos dhe Fridës, të miksuara së bashku. Ka një dialog mes këtyre pikturave, që tregon influencën që ata të dy kishin tek njëri tjetri. Ata janë çifti më emblematik i artit meksikan falë artit të tyre, angazhimit politik dhe sigurisht lidhjes në çifte ”thotë drejtoresha e muzeut, Josefina Garcia.

Muzeu u çel për herë të parë më 17 shtator 1994 dhe u ndërtua falë punës së Dolores Patino, një biznesmene, filantropiste dhe artiste meksikane, që kishte lidhje miqësore me çiftin Frida e Diego.

Në ekspozitën që do të çelet për publikun të shtunën, do të shfaqen 27 piktura të Diego Riverës dhe 20 të Frida Kahlos./A2 / KultPlus.com

Adem Dermaku me ekspozitë në Shkup, tema politiko-sociale gërshetohet me fëmijërinë e autorit

Xhemile Hysenaj

”Kujtimet e mia, janë dhe tuat” është ekspozita e piktorit Adem Dermakut e cila ka zënë vend në Galerinë Kombëtare “Çifte Hamam” në Shkup.

Tema e kësaj ekspozitë ka ardhur si pasojë e ngjarjeve politike e sociale që zënë vend në Evropë, kryesisht në trojet shqiptare, me fokus më të madh në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Temë kjo që, e gërshetuar edhe me fëmijërinë e autorit ka ardhur si një kombinimin mjaft mirë i realizuar, duke ndërlidhur ngushtë përvojën personale të fëmijërisë së autorit dhe ndikimin që politika dhe shoqëria ka në formimin individual e më vonë edhe në atë kolektiv, shkruan KultPlus.

 Ekspozita e hapur më 8 gusht do të zgjasë deri më 15 të po këtij muaji, duke vazhduar më pas në Zvicër në shtator të këtij viti.

Të shfaqura nëpër muret e Galerisë Kombëtare,35 punimet e kësaj ekspozite përmbajnë tri lloje të teknikave të ndryshme të letrës, duke filluar nga litografia, monotopia dhe vizatimi, me një kombinim në mes të këtyre tre teknikave të shtypit të rrafshët.

‘Ekspozita asnjëherë nuk është e njëjtë, herë pas herë ajo merr formë tjetër por koncepti kryesisht do të jetë i njëjti, tema politike-sociale do të shfaqet çdoherë”, deklaroi Dermaku për KultPlus.

 Realizmi i projektit ka marrë tre vite kohë, pasiqë sipas autorit të veprave, pikturat janë një punë që ka kërkuar përkushtim.

 Adem Dermaku lindi në 31 korrik 1978 në Kamenicë të Kosovës. Jeton dhe punon në studion e njohur të litografisë J.E Wolfensberger në Zvicër. / KultPlus.com

Për intimen dhe pyetjet e jetës, Arton Sefa hapi sonte ekspozitën personale në KultPlus Caffe Gallery

Xhemile Hysenaj
Fotografitë: Jozefina Kolic

Të fotografosh do të thotë të kapësh momentin, të kapësh të pakapshmen e shpesh edhe të bësh histori. Fotografia si cdo art tjetër, ka natyrën e saj ekspresive, ku secili autor shpalos herë një pjesë të brendësisë së tij e herë atë me të cilën preokupohet ai apo shoqëria.

Me “Nuk kam përgjigje”, Arton Sefa, fotograf shqiptar i cili ka bashkëpunuar me Vogue, Louis Vuitton dhe GQ, erdhi për herë të parë në Kosovë për të treguar përgjigjet e jopërgjigjet e fotografisë së tij.
Ekspozita zuri vend në ambientet e KultPlus Caffee Gallery, ku pjesëmarrësit patën rastin të njihen me fotografin edhe pa filluar hapja, të njoftoheshin me të personalisht e poashtu edhe rreth punës së tij më gjerësisht.

“Nuk kam përgjigjje” është homazh për jetën, për kohën në të cilën jetojmë e cila ka më shumë pyetje se përgjigjje. Ekspozita ishte e ndarë në dy pjesë, mirëpo të lidhura ngushtë me njëra tjetrën. Me pjesën e parë tregonte detajet të cilat autori i cilësonte si më intimet e njeriut: shpina, qafa, reflektimi i vetes në pasqyrë, pjesë apo momente me të cilat përballemi vazhdimisht gjatë jetës sonë.


Pjesa e dytë ishte pjesa kryesore e ekspozitës, aty shpaloseshin ciklet e jetës së njeriut, dëshpërimet, gëzimet, vuajtjet e hidhërimet, duke shfaqur një nyje të fortë e pothuajse të pamundur për ta zgjidhur, mes natyrës dhe intimes.

Gjatë prezantimit të ekspozitës, Arton Sefa deklaroi të jetë mjaft i kënaqur me punën që është bërë deri në realizimin final të ekspozitës, duke falenderuar KultPlus për bashkëpunimin dhe publikun pjesëmarrës, që njëkohësisht ishin edhe mjaft të fascinuar e përkrahës ndaj punës së tij.
“Arsyeja pse unë kam vendosur që ekspozitën time të parë në Kosovë ta mbaj në KultPlus është se KultPlusi ka qenë i pari që është angazhuar rreth njohjes së punës sime, në fillimet e mia të karrierës si fotograf, andaj unë gëzoj respekt të madh për këtë institucion, dhe mirënjohje jetësore”, u shpreh ai.

Ideja e kësaj ekspozite është krijimi i një debati, ku edhe pse mesazhi duket të jetë pasiv, ai prapë se prapë bartë një ide aktive, deklaroi Arton Sefa.
“Ne në jetë kemi shumë pyetje e shumë përgjigje, por ndonjëherë as njërën dhe as tjetrën. Ekspozita poashtu lidhet edhe me periudhën e vendit tonë, me shumë tema që tashmë janë bërë të parodizuara”, potencoi Arton Sefa.
Nën tingujt e këndshëm të muzikës që luhej në sfond, mysafirët u njohën edhe më afër me punën e tij artistike dhe rezoltuan të jenë mjaft të kënaqur.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun për dy javë, duke filluar nga sot.
Të gjitha fotografitë në ekspozitë janë në shitje. Të hollat që do të mblidhen nga shitja e fotografive, do të shkojnë për bamirësi./KultPlus.com

Ekspozita shqiptaro-rumune, piktorët nga dy vendet tregojnë punimet e tyre në Pogradec

Piktorët shpesh bëhen bashkë në ekspozita, për të ofruar një eksperiencë ndryshe, jo vetëm për të ndarë artin e tyre me publikun por edhe për të shkëmbyer këndvështrimet me njëri-tjetrin. E tillë ishte ekspozita shqiptaro-rumune “Pikëtakime artistike”, e cila u çel në qytetin e Pogradecit.

7 piktorë shqiptarë dhe rumunë, sollën punimet e tyre artistike të krijuara ndër vite. Stile të veçanta, tematika të ndryshme dhe shumë kolorit të harmonizuara brenda së njëjtës ekspozitë për piktorët pjesëmarrës është një kënaqësi.

“Kur kam qenë për herë të parë në Pogradec dikush më pyeti se ccfarë i dallon artistët rumunë nga ata shqiptarë, i kam thënë ajo që na dallon ajo edhe na bashkon sepse ndryshimet në realitetin që na rrethon na krijojnë mundësinë e njohjes, do të ishte shumë monotone nëse do të ishte ndryshe. Pjesë e kësaj ekspozite nuk janë vetëm punimet e mia por edhe të dy artistëve që fatkeqësisht nuk jetojnë më Ion Murariu dhe Aurel Akasandrei, punime të cilat bëjënë pjesë në koleksionin e qytetarëve pogradecarë pasi ne i kemi dhuruar këto piktura për fondin e galerisë shumë vite më parë. Rikthimi pas 19 vitesh në Pogradec është i bukur, edhe pse unë asnjëherë nuk i kam humbur lidhjet me miqtë e mi pogradecarë”, thotë një prej piktorëve.

Ekspozita do të qëndrojë për disa ditë e hapur në galerinë e artit në Pogradec. / Top Channel / KultPlus.com

Rama, ekspozitë në Norvegji, veprat e kryeministrit shqiptar kërkohen nga muzeu i punimeve me kobalt

Muzeu i punimeve me kobalt në Norvegji ka kërkuar të ketë vepra të kryeministrit Edi Rama për një ekspozitë që do të organizojë në vitin 2020. Arti i tij do të vendoset përkrah veprave të tjera të pikturuara nga drejtues shteti si Uinston Çërçill dhe presidenti amerikan, Duajt Ajzenhauer.

Muzeu i punimeve me kobalt ndodhet në një zonë historike të Oslos dhe pret mesatarisht 170 mijë vizitorë në sezon dhe me 50 vite përvojë me kurimet dhe organizimet e ekspozitave të rëndësishme aty janë shfaqur veprat e mjeshtërve nordikë të pikturës. Në vitin 2018 u nderua me çmimin “Muzeu i vitit”.

Ekspozita e fundit e kryeministrit Edi Rama ka qenë në Berlin, në janar të këtij viti.

Artistë, gazetarë, kritikë arti apo miq i kanë përcaktuar hapësirat e ekspozimit të tij njëlloj sikur të hysh në kokën e artistit, pak a shumë në shqetësimin e tij krijues me tapete murale të mbushura plot me vizatimet e tij shumëngjyrëshe përgjatë rutinës ditore.

Janë vizatime mbi letra të lloj-llojshme si një mënyrë për të prodhuar art duke e shndërruar hapësirën e punës në muzeun e tij. Skulptura qeramike me forma abstrakte, me dritë dhe detaje të shumta ngjyrash në to si një përkthim tredimensional të pikturave të tij, duke dhënë përmes këtyre elementëve autenticitetin dhe stilin e tij unik.

Ekspozitat e tij vetjake janë pasqyruar në mediet e huaja me artikuj dashamirës. Shpesh në këto artikuj, shikimi është kthyer nga e shkuara, tek Edi Rama kryebashkiak, ku me ngjyrosjen e godinave komuniste, qyteti dukej më i ri. Vetë ai është shprehur që ky ka qenë më shumë një akt politik, sesa artistik, një lloj terapie përmes së bukurës, ndërsa po ashtu ka thënë se politika me çmendurinë e saj mund ta bëjë artin edhe më të mirë.

Megjithëse ato janë dy botë krejt të ndryshme, ai ka ditur të bashkëjetojë mes tyre.

Edi Rama ka çelur ekspozita në galeritë më prestigjioze në shumë shtete të botës si dhe në Bienalen e Venecias. /atsh / KultPlus.com

Hapet në Tuz ekspozita e artistit të njohur Gjelosh Gjokaj

Në Tuz të Malësisë së Madhe është hapur ekspozita retrospektive e piktorit të njohur Gjelosh Gjokaj, me origjinë nga kjo anë.

Me këtë rast, në praninë e publikut, u ekspozuan një numër i konsiderueshëm i pikturave të artistit Gjelosh Gjokaj, të punuara me teknika të ndryshme, me shumë mjeshtri, bën të ditur “Zëri i Amerikës”.

Ekspozitën e organizoi fondacioni “Gjelosh Gjokaj” dhe Komuna e Tuzit.

Veprat e Kolë Idromenos, në një ekspozitë të gjitha pikturat që ndodhen në institucionet shtetërore

Përse një ekspozitë e Kolë Idromenos tani? Në fakt, t’i japësh përgjigje kësaj pyetjeje nuk është edhe aq e thjeshtë.

Ajo që ndihet me siguri është që ndikimi i saj ka qenë shumë i madh, jo vetëm në zbulimin e identiteteve të disa prej portreteve që më parë nuk dihej se të kujt ishin, por sidomos në përcaktimin dhe në njohjen e vlerave të historisë së artisti shqiptar nga një gjeneratë e re.

Në këtë ekspozitë jemi munduar të mbledhim shumicën e pikturave të rëndësishme, përveç atyre që janë në koleksione private. Gati të gjitha pikturat që i posedojnë institucionet shkencore, qoftë Galeria Kombëtare, Qoftë galeria e Arteve në Shkodër edhe Muzeu Oso Kuka.

Mendoj që duket me u ndalë idea e ndërtimit të mitit rreth Idromenos, por duke mos bërë asgjë për t’u treguar miti ose vepra e tij gjeneratave të reja.

Personaliteti ne picture është Im Sinjor Ernesto Coba dhe sigurisht një personalitet shumë i njohur në Shqipëri. Besoj që kjo ka qenë i jashtëzakonshme që mbas krejt këtyre viteve që është në koleksion të Galerisë prej pamundësisë për tu parë nga publiku, ka qenë e pamundur të zbulohej se kush është personaliteti.

Kjo është piktura “Kur dreqi futet në shtëpi”. Në fillim të viteve 90 ka ardhur në Galeri e palosur në gjysmë A4 dhe sot ka arritur në një përqindje shumë të madhe të restaurimit dhe është vizibile.

Ky është portreti i Mat Kolevit, një mik shumë i afërt i Idromenos. Portret, i cili mendohet se është më i hershëm se “Motrat tona”. Është në posedim të Galerisë Kombëtare, por i pa ekspozuar më herët.

Ekspozita lëvizëse “Shqipëria në fokusin e austro-hungarezëve”

Ekspozita lëvizëse “Shqipëria në fokusin e austro-hungarezëve” e organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar, u çel pasditen e djeshme në Muzeun Arkeologjik të Durrësit.

Ekspozita fotografike “Shqipëria në fokusin e austro-hungarezëve” solli për vizitorët 60 fotografi të realizuara nëpër qytete dhe fshatra të Shqipërisë nga oficerë e ushtarakë austro-hungarezë. Nëpërmjet fotografive paraqiten aspekte nga jeta e përditshme ekonomike dhe shoqërore e shqiptarëve të atyre viteve.

Tematika e fotografive të ekspozitës është e ndryshme. Fotoreporterët austro-hungarezë kanë shkrepur fotografi nga qytetet e mëdha të Shqipërisë, 15 fotografi nga Tirana, 14 fotografi nga Shkodra, 2 fotografi nga Berati, 2 fotografi nga Fieri, 2 fotografi nga Durrësi dhe një fotografi nga Vlora. Ata kanë realizuar fotografi nga jeta e përditshme.

Në to gjejmë fshatarë me veshje popullore, por edhe zotërinj fisnikë si Prenk Bibë Doda nga Shkodra. Nuk mund të lemë pa përmendur edhe fotografitë familjare siç është familja e Osman Beqirit nga Peqini. Fotoreporterët austro-hungarezë kanë shkrepur 4 fotografi nga Peqini, 2 fotografi nga Kruja, një fotografi nga Rrogozhina etj.

Të gjitha fotografitë janë realizuar gjatë viteve të administrimit austro-hungarez të Shqipërisë 1916-1918. Ky administrim politik, ushtarak e kulturor përvijoi impakte të shumta në sendërtimin e mëvonshëm të shtetit shqiptar, duke pasqyruar zhvillime pozitive në aspektin e infrastrukturës, shëndetësisë, arsimimit si edhe në jetën social-politike të Shqipërisë së pas Luftës së Parë Botërore.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës në ambientet e Muzeut Arkeologjik të Durrësit përshëndeti drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, drejtori i Muzeut Arkeologjik të Durrësit, Alban Ramohitaj, në praninë e qytetarëve të shumtë të Durrësit.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 09 korrik 2019 në ambientet e Muzeut Arkeologjik të Durrësit.

Prezantohen veprat e panjohura rreth 100-vjeçare të Kolë Idromenos

Piktori dhe personaliteti i madh i artit shqiptar Kolë Idromeno vjen i plotë në ekspozitën retrospektivë në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Për herë të parë prezantohen edhe dy vepra të tij, të panjohura deri më sot për publikun.

Sapo përmend piktorin e njohur Kolë Idromeno përpara të shfaqet kryevepra e tij, “Motra Tone” realizuar në moshën 23-vjeçare prej tij. Galeria Kombëtare e Arteve sjell për herë të parë veprën e plotë të piktorit.

Për herë të parë prezantohet edhe portreti i rrallë nga Idromeno i vitit 1927, i cili është identifikuar së fundmi dhe që është kleriku Ernest Çoba.

Kompozimi “Kur dreqi hyn në shtëpi” ekspozohet për herë të parë pasi është restauruar, se fundmi bashkë me 24 vepra të tjera.

Ekspozita retrospektivë, e cila do të qëndrojë e hapur në Galerinë Kombëtare për 3 muaj na shpalos Kolë Idromenon në shumë dimensione, si piktor, fotograf, skenograf, muzikant dhe arkitekt.

Një tablo gjigande e Kolë Idromenos, e vlerësuar nga kritika si një nga kompozimet më të jashtëzakonshme të pikturës shqiptare është ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Vepra me një histori të pazakontë udhëtimesh nëpër Malësinë e Veriut ka edhe një histori të veçantë të restaurimit dhe konservimit të saj. Pavarësisht se tema e kësaj vepre është me karakter religjioz dhe në regjimin komunist ishte e ndaluar çdo vepër me simbolikë fetare, për mjeshtrin e pikturës shqiptare Kol Idromeno duket se është bërë një përjashtim.

Po t’iu referohemi detajeve, në këtë kompozim bien në sy zakone, tradita dhe veshje popullore. Është një manifestim i gjallë i etnografisë shqiptare.

Janë plot 220 figura, ku janë skicuar qindra njerëz që mbajnë veshje tradicionale popullore të Shkodrës dhe të Malësisë së Veriut.

Në ekspozitë nuk mungojnë edhe fotografitë e rralla të Kolë Idromenos.

Ndërkohë studiuesja e njohur e etnografisë Afërdita Onuzi për ta plotësuar lidhjen shpirtërore me tablotë mbi 100-vjeçare, ka punuar shumë për ta shoqëruar ekspozitën e Idromenos me një ekspozitë etnografike, me kostume, veshje e stoli, imazhet e të cilave i gjen në pikturat e tij/dita. / KultPlus.com

Sonte hapet ekspozita e finalistëve të “Artistët e rinj”

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës sonte hapet ekspozita e finalistëve të edicionit të tretë të çmimit “Artistët e rinj”, kuruar nga Zeni Ballazhi dhe me pjesëmarrësit Adea Pula, Arbnor Karaliti, Brilant Milazimi, Dion Zeqiri, Fidan Bejtullahu dhe Valdrin Thaqi.

Ky edicion i “Artistëve të rinj” është pjesë e aktiviteteve 20/20 me rastin e njëzetvjetorit të çlirimit të qytetit të Prishtinës. Ceremonia e hapjes do të bëhet në orën 20:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com

GKK sjell ekspozitën e edicionit të tretë të çmimit “Artistët e rinj”

Galeria Kombëtare e Kosovës do të hapë ekspozitën e finalistëve të edicionit të tretë të çmimit “Artistët e rinj”, përcjell KultPlus.

Kuruar nga Zeni Ballazhi, në këtë ekspozitë pjesëmarrësit e sivjetmë janë: Adea Pula,  Arbnor Karaliti, Brilant Milazimi,  Dion Zeqiri,  Fidan Bejtullahu dhe Valdrin Thaqi.

Ky edicion i AR është pjesë e aktiviteteve 20/20 me rastin e njëzetvjetorit të çlirimit të qytetit të Prishtinës.

Ekspozita hapet  të enjten më 27 qershor, në orën 20:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës./ KultPlus.com

Sonte fillon ekspozita e qeramikës me punimet e fëmijëve

Studio e qeramikës URA, sonte do e bëjë hapjen e Ekspozitës së fëmijëve, ME punimet e tyre të qeramikës, ku do jetë e hapur deri me 24 qershor, ku sonte ekspozita do të filloj prej ores 20:00.

Pas përfundimit të kursit të qeramikës për fëmijë Studio URA ju fton të merrni pjesë në hapjen e ekspozitës së qeramikës së fëmijëve.

Me këtë rast do të prezentohen punët e para të realizuara të qeramikës të pjesëmarrësve te vegjël.

Në ditët e sotme kur çdo gjë ecën drejtdigjitalizimit dhe teknologjisë kursi i qeramikës kishte për qëllim që fëmijëve t’u jepet mundësia në një ambient ndryshe nga e përditshmja dhe përmes trajtimit të argjilës të kenë mudësi të shprehin kreativitetin e tyre e njëkohësisht t’u ofrohet mundësia e njohjes së një bote shumë të lashtë e modeste siç është bota e qeramikës e cila ofron dhe mudëson shumë.

Pjesëmarrësit: Era Haxhibrahimi, Dora Dushi, Kenza Begolli, Siar Deshishku, Renea Fetahu, Era Fetahu, Herona Fetiu, Jeta Mehmeti, Tea Krasniqi, Dinah Kryeziu.

Ekspozita do të mbahet në ambientet e Studios URA, me lokacion Bregu i Diellit, Qendra tregtare, nga data 19.06.2019 – 24.06.2019 prej 20:00h

Me ekspozitën “Dhuna nuk fshehet mrena mureve” apelohet për raportimin e dhunës në familje

Rrjeti i grave të Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë Austriake për Zhvillim, Bashkimin Evropian përmes Un Women, TOML, Komunën e Prishtinës e vullnetarë të ndryshëm, hapën ekspozitën dy ditore me titull “Dhuna nuk fshehet mrena mureve” në sheshin “Skënderbeu”.

Kjo ekspozitë e veçantë përmes materialeve multimediale dhe interaktive shpalos rrëfimet e grave dhe burrave që kanë përjetuar dhunë në familje. Ndërtimi i saj është mjaft interesant, në formën e një labirinti, brenda së cilës janë vendosur mesazhet e viktimave të dhunës, derisa ambienti i kësaj ekspozite ngjanë me një shtëpi të zakonshme, vend ku zakonisht ushtrohet dhuna.

Në fjalën hyrëse Igballe Rogova nga Rrjeti i Grave, u shpreh e kënaqur me mbarëvajtjen e punës dhe jetësimin e këtij projekti derisa falënderoi për bashkëpunim Agjencinë Austriake, Bashkimin Evropian – Un Women dhe Komunën e Prishtinës dhe të gjithë vullnetarët. Ajo inkurajoi qytetarët që të vijnë dhe ta vizitojnë këtë ekspozitë, e gjithashtu të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë me instituiconet relevante (Policinë e Kosovës) për adresimin e dhunës në familje e shoqëri.

“Kjo ekspozitë është projekt serioz, për të cilin kemi punuar me shumë përkushtim. Ne do të shkojmë edhe në komunat tjera ku ka strehimore, sepse institucioni ynë Rrjeti i grave bashkëpunon edhe me strehimoret. Sa herë që janë shkelur të drejtat e njeriut në Kosovë, institucioni ynë e ka ngritur zërin”, tha Rogova ndërsa avokati i popullit Hilmi Jashari u shpreh se është jashtëzakonisht i privilegjuar për pjesëmarrjen në këtë ngjarje.

“Të drejtat e njeriut nuk janë pronë e avokatit të popullit, as e Qeverisë, as pronë e organizatave joqeveritare, por janë pronë e secilit individ dhe është detyrë e secilit prej neve që nga puna, këndvështrimi, perspektiva që kemi të ndihmojmë që të kemi avancim në këtë aspekt”, tha Jashari.

Gjatë ekspozitës, u bë thirrje që dhuna në familje apo shoqëri të raportohet në institucionet gjegjëse dhe të mos mbetet brenda mureve.

“Lufta kundër dhunës në familje është ndër prioritetet kryesore të Bashkimit Evropian, prandaj jam e privilegjuar të jem këtu në mesin e këtyre institucioneve që ishin ndër të parat që ngritën zërin dhe ishin pjesë e raportit të progresit të vendit për Bashkimin Evropian, institucioni i avokatit të popullit dhe zyra e koordinatorit nacional kundër dhunës në familje”, tha në prezantimin e saj, përfaqësuesja e Zyrës së Bashkimit Evropian për zhvillim – Un Women Reyes Charlie Cuellar.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur sot (e premte) deri në orën 20:00 dhe nesër (e shtunë) nga ora 8:00 deri në orën 20:00, derisa pritet të vizitohet nga shumë qytetarë, prej të cilëve organizatorët presin vetëdijesimin dhe adresimin e dhunës së çfarëdo forme, në institucionet gjegjëse./KultPlus.com

“Dhuna nuk fshehet mrena mureve”

Ekspozitë e cila shpalosë rrëfime të grave dhe burrave që kanë përjetuar dhunë në familje Rrjeti i Grave të Kosovës sot nga ora 11:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë organizon hapjen e ekspozitës dy ditore “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”.

Kjo ekspozitë shpalosë disa prej rrëfimeve të grave dhe burrave që kanë përjetuar dhunë në familje, përjetime këto të mbledhura nga RrGK. Për më tepër, ekspozita u mundëson qytetarëve të informohen mbi atë se çka ofrojnë institucionet në trajtimin e këtij lloji të dhunës, ku mund të mbështeten dhe të kërkojnë ndihmë e drejtësi.

“Dhuna në shumë familje kosovare është përditshmëri tejet e hidhur. Mjerisht, në shoqërinë tonë viktimat e dhunës në familje akoma fshihen brenda mureve të shtëpisë. Kur njerëzit dëgjojnë dhunën te fqinjët, thonë ‘Çka bojnë ata mrena shpisë tyne, osht’ punë për ta’”, thuhet në njoftimin e RrGK-së. Ekspozita e cila përmban materiale multimediale dhe interaktive, përveç kryeqytetit, në muajt e ardhshëm do të shfaqet edhe në gjashtë komuna të tjera të Kosovës. Të premten ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri në ora 20:00, ndërsa të shtunën më 15 qershor, nga ora 08:00 – 20:00.

Kultura dhe historia e Tiranës shfaqet sot në Bullgari

“Hello, my name is Tirana”, një ekspozitë me 40 fotografi bardhë e zi që pasqyron historinë dhe kulturën e kryeqytetit shqiptar pas suksesit në Bukuresht (Rumani) do të hapet sot në Sofje (Bullgari).

Ekspozita vjen në kuadër të Javës Shqiptare në Sofje, si bashkëpunim i Muzeut Historik Kombëtar me Muzeun Historik Kombëtar të Bullgarisë.

Kjo është një ekspozitë e veçantë, që nëpërmjet një panorame prej 40 kuadrosh, bën të njohur për këdo, shqiptar e të huaj bashkë, historinë e një kryeqyteti.

Publiku bullgar do ketë mundësinë të njohë aspekte të ndryshme të zhvillimit të qytetit më të madh të shqiptarëve, nëpërmjet pamjeve ku shihet jo vetëm infrastruktura dhe urbanistika në zhvillim, por dhe ana etno-kulturore e një populli.

Fotot pasqyrojnë periudha të ndryshme të qytetit që prej vitit 1920 që u shpall kryeqytet i Shqipërisë.

Ekspozita “Hello, my name is Tirana” me 40 fotografitë e saj në bardh e zi, do të qëndrojë e hapur deri më 25 qershor 2019 në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar të Bullgarisë në Sofje. /atsh / KultPlus.com

Ekspozita udhëtuese Bauhaus Imaginista vjen në GKK

Bauhaus imaginista është një projekt i madh ndërkombëtar që mbahet me rastin e njëqind vjetorit të shkollës së artit me fokus të veçantë në shpërndarjen dhe pritjen e saj në botë.

Që nga fillimi, Bauhaus ishte një projekt ndërkombëtar, me studentë dhe mësimdhënës nga Evropa dhe Azia që iu bashkuan kësaj shkolle. Ajo ishte heterogjene dhe gjatë periudhave të ndryshme, ka përshtatshmëri të lëvizjes Arts and Crafts ( Arte dhe Zanate) dhe lëvizjeve tjera siç janë socializmi, komunizmi, spiritualizmi, Konstruktivizmi Sovietik dhe të Neues Bauen (ndërtimi ri). Në vitin 1933 kjo shkollë u mbyll nga nacionalistët socialist ku shumica e studentëve u detyruan dhunshëm të ikin dhe të shpërndahen nga Gjermania në vende tjera ku si pasojë Bauhaus bëhet rrjedhë kulturore e popujve përtej Evropës. Bauhaus imaginista gjen bashkëpunim në pjesë të ndryshme të botës nëpërmjet bashkëpunimeve kërkimore me studiues nga Brazili, Kina, India, Japonia, Maroku, Nigeria, Rusia, Britania e Madhe dhe në SH.B.A.

Këto histori të hulumtuara tregojnë se si Bauhaus kishte kontakte me shkolla dhe lëvizje të ndryshme moderniste ndërkombëtare, se si idetë e Bauhaus u tërhoqën, adaptuan apo u refuzuan duke u bazuar në kushtet vendore të kohës, luftën e ftohtë, politikave jo të përafruara, diktaturave si dhe proceseve të dekolonializmit dhe projekteve zhvillimore. Ato na tregojnë një ri-lexim të statusit kosmopolit të Bauhaus nga perspektiva trans-historike dhe trans- nacionale në lidhje me pyetjet bashkëkohore, të zhvilluara përmes rrjetit të hulumtuesve dhe artistëve.

Bauhaus imaginista largohet nga katër objektet kryesore të Gegenstande të Bauhausit që janë përdorur për të zhvilluar katër kapitujt tematikë dhe konceptual që lidhen me pritjet në vende të ndryshme gjeografike. Këtu përfshihen: Manifesti i Bauhausnga Walter Gropius (1919), që është baza e Korrespondimit me hulumtimin e reformës pedagogjike; Tepihu, një vizatim nga Paul Klee (1927), për kapitullin Duke mësuar nga, që shqyrton përvetësimin kulturor; Ein Bauhausfilm nga Marcel Breuer (1926), ku gjenerohen idetë për evolucionin e dizajnit në relacion me ideologjinë; dhe Reflektorische Farblichtspiele, një mjet ndriçimi nga Kurt Schwerdtfeger (1922), ku gjenerohet kapitulli Ende i pavdekur ku përdoren eksperimente me dritë dhe zë.

Kjo ekspozitë udhëtuese kombinon idetë, kërkimet dhe dokumentimet nga bauhaus imaginista. Artisti Luka Frei ka dizajnuar një strukturë e cila është gjysmë skulpturë dhe gjysmë ekspozitë arkitekturale – si një hapësirë ku vizitorët mund të angazhohen në shumë shtresa të këtij projekti. Aty përfshihen fjalime kuratoriale, tekste dhe imazhe që ndërlidhen me katër kapitujt si dhe dokumentime të programit ndërkombëtar bauhaus imaginista 2018.

Në qendër të këtij instalacioni gjendet një kompjuter ku vizitorët mund të kërkojnë në të gazetën online të bauhaus imaginista, të printojnë nga aty imazhe dhe tekste të cilat mund ti bashkojnë në një dosje. Krahas kësaj shfaqet një program filmik me vepra të komisionuara së voni për temat dhe historinë e Bauhaus nga artistët dhe hulumtuesit bashkëkohor si Zvi Efrat, Kader Attia, grupi Otolit dhe nga Wendelian van Oldenborgh.

bauhaus imaginista është një bashkëpunim mes Bauhaus Kooperation Berlin Dessau Weimar, Institutit Goethe, dhe Haus der Kulturen der Welt (HKW). Ky projekt hulumtues me stacione të ndryshme ekspozuese është pjesë e njëqind vjetorit nga themelimi i Bauhaus (2019). Instituti Goethe e madhështon këtë program me perspektivat ndërkombëtare të saj si pjesë e projektit HKW, 100 vite të tashmes, bauhaus imaginista i bashkoi në Berlin. Ky projekt u mundësua nga fondet e komisionerit federal të qeverisë për kulturë dhe media (BKM). Fondacioni federal i kulturës (KSB), përkrahë ekspozitën në Berlin; Zyra për marrëdhënie me jashtë përkrahë stacionet ndërkombëtare. Partnerët e jashtëm janë Institutet Goethe në Kinë, New Delhi, Lagos, Moskë, New York, Rabat, Sao Paolo dhe Tokio. Po ashtu partnerë tjerë janë edhe Dhoma e pavarur artistike- Le Cube në Rabat si dhe disa institucione tjera. Bauhaus imaginista u realizua në bashkëpunim me muzeun e dizajnit të Kinës (Hangzhou), Institutin e Pavarur Administrativ të Muzeut Kombëtar të Artit / Muzeu Kombëtar i Artit Modern (Kjoto) Garage / Muzeu i Artit Bashkëkohor (Moskë), dhe SESC Pompeia, Sao Paolo.

Bauhaus imaginista do të hapet me 7 qershor në orën 18:30. / KultPlus.com