Folkloristët e izoluar të Evropës

Bajram Mjeku

Shqiptarët, populli më i izoluar në Evropë, edhe zyrtarisht nesër kremton Ditën e Evropës! Ky izolim ndodhi për mungesë të guximit qytetar, që solli klasën politike që kemi sot.

Kjo “elitë” politike, e cila solli korrupsion e krim të organizuar, zhvatje të pasurisë e varfëri të skajshme, depresion e pasiguri kolektive, ikje masive të të rinjëve deri në përmasat e mohimit të atdheut, ndodhi për fajin tonë dhe jo të Evropës. Jemi ne që tash njëzet vjet e mbajmë në këmbë prej qelqi, udhëheqjen më të padenjë që shqiptarët e kanë patur ndonjëherë në historinë e tyre. Pse nuk ndalemi një çast e të kujtojmë kush na përfaqëson, pastaj të marrim frymë thellë dhe ta gjykojmë Evropën?!
Kosova asnjëherë nuk ishte më e izoluar se sot dhe asnjëherë nuk kishte më pak miq në familjen evropiane se sot. Një fakt duhet ta kuptojmë një herë e mirë: Shqiptarët asnjëherë nuk ishin më injorantë e më indiferentë siç janë sot. Janë më pak të arsimuar se në vitet shtatëdhjetë, më pak të emancipuar se në vitet tetëdhjetë dhe shumë më pak atdhedashës se në vitet nëntëdhjetë. Çdo ditë shohim veten duke u fundosur në baltën e gjallë dhe bëhemi sikur nuk është duke ndodhur asgjë. Çdo ditë presim mrekulli nga Zoti, derisa nga gjithë popujt e Kontinentit të vjetër, më së paku besojmë në Zot.
Kujtojmë korrikun e vitit 2015, kur kancelarja gjermane Angela Merkel vizitoi kryeqytetin shqiptar. E lodhur nga dyndjet e shqiptarëve drejtë Evropës dhe nga servilizmi patetik i Qeverisë shqiptare, Merkel sikur humbi durimin e tha: Keni detin dhe malet! Edhe kaizeri gjerman Wilhelm II, më shumë se një shekull më parë mbi tavolinën e bisedimeve vuri dilemën: A janë shqiptarët të aftë për të qeverisur veten?!
Kur në nëntor të vitit 1989 ra Muri i Berlinit, shqiptarët provuan njëfarë pajtimi me Evropën. Kësaj radhe, sharjet i shndërruan në pendesë dhe përmes kësaj të fundit sërish dërguam mesazhin e urrejtjes kundër Evropës! Në vend se këtë ndërmarrje ta bënim përmes diplomacisë dhe botës intelektuale, edhe maskaradën e radhës e bëmë përmes folklorit. Këngën e kahmotshme “Oj Evropë oj kurva e vjetër” e zëvendësuam me një të re, e cila niste me vargun: “Ty Evropë po të shkruaj një letër!”. Për habinë e dyfishtë, kjo këngë dhe shumë këngë të tjera folklorike, editoriale e libra të këtij soji u pëlqenin shumicës! Prapë u ringjall epoka e çiftelisë, prapë “elita” intelektuale u fsheh në strofullin e vet dhe prapë folkloristët nisën ta kërcënojnë Evropën. 
Slogani “Duam Shqipërinë si gjithë Evropën”, lindi në qastet kur shqiptarët nisën të dalin nga kampi komunist. Vetëm atëherë kur “dëshirën” do ta zëvendësojmë me “përkushtimin” për Evropën dhe folkloristët do të zëvendësohen me vlera nacionale, Brukseli nuk do të jetë aq naks dhe do të na pranojë në familjen e tij./KultPlus.com

Vendoset gurthemeli për ndërtimin e Muzeut të Historisë së Natyrës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, bashkë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kanë bërë sot vendosjen e gurthemelit të \”Muzeut te Historisë së Natyrës\” në parkun \”Te Pishat\” në Sllatinë.

Ministri Gashi tha se “ky muze do të shërbej për mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e koleksioneve të natyrës së Kosovës si dhe do të ndikoj në përmasimin e infrastrukturës promovuese dhe edukative të ndërlidhur me Trashëgimisë Kulturore dhe si i tille ky projekt e përmirëson edukimin dhe ndihmon zhvillimin shkencor edhe për popullatën vendase”.

“Ndërtimi i ‘Muzeut të Historisë së Natyrës’ ka për qëllim koleksionimin, ekspozimin dhe arkivimin e mbetjeve të çfarëdo organizmi në standardet më të larta të mundshme për të siguruar ruajtjen dhe të gjitha informatat rreth tyre. Ky institucion i ri do të ketë karakter vetëdijësues dhe edukativ për natyrën dhe do të jetë përgjegjës edhe për zhvillimin e hulumtimeve, për interpretimin e rezultateve, për përkrahjen proceseve të shkencës dhe konservimit biologjik”, tha ministri Gashi.

Ai po ashtu sqaroi se Muzeu do të jetë qendër hulumtimi, studimi e trajnimi për muzeologji dhe fusha tjera relevante në raport me historinë e natyrës dhe qendër e kultivimit të trashëgimisë etno botanike.

“Është me rëndësi të potencohet se në këtë muze prioritet i theksuar do t’i ipet koleksionit i cili është në posedim të Muzeut Kombëtar të Kosovës, 400 eksponate zoologjike (shpezë, gjitarë, amfibe, peshq dhe reptilë), 40 enë qelqi me shtazë në formalinë, 10 vezë të shpendëve, 250 flutura, dhe herbariumi me përafërsisht 180 eksponate”, theksoi Gashi.

“Interpretimi dhe Promovimi i Trashëgimisë Kulturore që do të arrihet përmes këtij projekti, do të ndikojë në rritjen e numrit të turistëve të interesuar në këtë fushë, gjë që do të ndikonte drejtpërdrejtë në zhvillimin e turizmit kulturor, dhe në zhvillimin ekonomik që janë pjesë kryesore e objektivave zhvillimore të vendit tone”, tha ndër të tjera ministri Gashi.

Projekti është pjesë e politikat programore të MKRS-së të Departamentit për Trashëgimi Kulturore e Kornizës Afatmesme te Shpenzimeve  dhe Deklaratave te Politikave Prioritare Afatmesme.

Ndërkaq kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se “Po shkojmë drejt përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë, duke pas parasysh se Muzeu i Natyrës do jetë një pasurim i koleksionit të pasur që ka natyra jonë duke bërë këto eksponentë në një vend të përbashkët në projektin afër 2 milionësh të financuar nga Ministria e Kulturës në komunën e Fushë Kosovës, këto janë vepra të jashtëzakonshme dhe shumë shpejt do ta kemi një nga veprat më të bukura Studimin Kombëtar, ministri i kulturës nuk është vetëm në pjesën sportive por edhe në pjesën e etno kulturore po ashtu edhe me artin dhe muzikën bashkarishtë do të ecim përpara”. 

Prishtina zyrtarisht nikoqire e “Manifesta 2022”

Një nga ngjarjet më të mëdha artistike në Evropë zyrtarisht do të mbahet në kryeqytetin e Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti përmes një postimi në Facebook.

“Prishtina ka fituar të drejtën e nikoqirit të një prej evenimenteve më të mëdha artistike në Evropë – Manifesta 14 në vitin 2022”, ka shkruar Ahmeti.

‘Pas Zurich 2016, Palermo 2018, Marseille 2020, është Prishtina 2022. Në një garë me Vjenën dhe Kievin, bordi i Manifestës ka zgjedhur aplikimin e Prishtinës duke dërguar mesazhin se Ballkani është pjesë e Evropës dhe se mund të kontribuojë”.

Ahmeti thotë se tani nis puna për organizimin e “Manifestës”, që pritet të sjellë mbi 200 mijë vizitorë.

“Në tre vitet e ardhshme do të punojmë që ky organizim që sjell mbi 200 mijë vizitorë të jetë më i miri ndonjëherë. Manifesta do të sjellë, artistë, urbanistë, e intelektualë ndërkombëtarë për të diskutuar, intervenuar, e ngritur çështje për hapësirën tonë të përbashkët. Urime Prishtinë”, ka thënë ai./KultPlus.com

100 vizatime dhe vjersha të fëmijëve kosovarë gjatë eksodit 1998-1999 në Shqipëri

Të mbijetosh përmes Ngjyrash Qendra për Hapje dhe Dialog hapi ekspozitën “Një rrugëtim i vështirë- 20 vjet pas” e cila realizohet në bashkëpunim me QSHDNJ, ku ekspozohen 100 vizatime dhe vjersha të fëmijëve kosovarë gjatë eksodit 1998-1999 në Shqipëri.

“Mobilizimi i shqiptarëve për të ndihmuar kosovarët e dëbuar dëshmoi vlerat e një kombi të bashkuar. Kjo ekspozitë sot është dëshmi e kujtesës, e fëmijëve që i mbijetuan luftës, falë ndihmës së Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut ”- u shpreh Eridana Çano, Drejtoresha e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje. Dhuna dhe terrori serb detyroi mbi 600 mijë kosovarë të largohen nga trojet e tyre drejt Shqipërisë gjatë periudhës Qershor 1998 – Korrik 1999, e cila arriti pikën kulmore të dëbimeve në datën 16 prill 1999.

Qendra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut (QSHDNJ) organizoi 36 shkollat verore argëtuese, ku mësues dhe ekspertë të edukimit u angazhuan për rehabilitimin e fëmijëve kosovarë. Nga ky projekt përfituan rreth 40 mijë refugjatë në Tiranë e Durrës. Mikpritja dhe ngrohtësia vëllazërore e popullit shqiptar lehtësoi sadopak dhimbjen dhe traumën që ata po përjetonin. Gjurmët e traumës psikologjike shprehen qartazi në shumë nga punimet e para të vogëlushëve, traumë e cila gradualisht u arrit të mposhtej duke u zëvendësuar me vizatime gjithmonë e më optimiste, për një të ardhme në paqe dhe për një rikthim sa më të shpejtë në shtëpitë e tyre në Kosovë.

“Kosova na mbledh sot në këtë ekspozitë për të na treguar dëshirën e jetës dhe fuqinë e mbijetesës edhe në eksodin më të rëndë të historisë së saj”- u shpreh Kozara Kati, drejtuese e QSHDNJ. Ndërsa Feride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës theksoi se “Kjo ekspozitë i kontribuon memories kolektive të Kosovës. Nuk mund të ndërtojmë të ardhmen tonë pa kujtuar të shkuarën”. Emocionuese pjesëmarrja e Merita Durakut në këtë ekspozitë me dy vizatime të krijuara në moshën 14- vjeçare. “Falenderoj të gjithë shqiptarët që na u gjendën pranë në momentet më të vështira të luftës dhe na dhanë shpresën për të jetuar përmës shkollave verore, të ngritura nga QSHDNJ. Ne mbijetuam falë shpresës që na dhatë të gjithë JU”- u shpreh e emocionuar Merita.

Në ditët e eksodit kosovar ndihmuan edhe shumë mësues dhe vullnetarë nga Kosova si Familja Sheremeti në Shkallnur, Familja Duraku nga Krusha e Madhe, Nesip Gashi nga Prizreni, të cilët u falenderuan nga të pranishmit për angazhimin në shkollat verore dhe kontributin në rehabilitimin e një numri të madh të fëmijëve të traumatizuar kosovarë. E vështira e kësaj ekspozite është rrugëtimi i fëmijëve kosovarë nga përjetimi i ngjarjeve tragjike të luftës drejt shpresës dhe lirisë. E përbashkët mbetet ëndrra për një vatër të ngrohtë dhe familjare në Kosovën e lirë. Shtëpia- është vizatimi që do të shohim të ripërsëritet në çdo ngjyrë të hedhur nga fëmijët në këtë ekspozitë. 20 vjet më pas le t’ju urojmë këtyre Fëmijëve tashmë “Të rritur” një të ardhme të lumtur në trojet e tyre legjitime! Ekspozita do të qëndrojë e hapur në COD nga data 18 prill-5 maj 2019. /KultPlus.com

BBC: A është Prishtina kryeqyteti më i shëmtuar europian?

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, zë sot njërën prej hapësirave të gjigantit mediatik BBC.

“A është Prishtina kryeqyteti më i shëmtuar europian?” – është titulli i një shkrimi të gjatë të autores Deborah Huso, që ka qëndruar vet në Prishtinë për dy ditë dhe nga ato që ka parë e trajtuar në tekstin e saj, e kanë bërë që ta shtrojë këtë pyetje në krye të artikullit, njofton Klan Kosova.

Huso, e cila nuk është gazetare e BBC, por bllogere që fokusohet në udhëtime dhe tema të suksesit në punë dhe amësi, sa ka qëndruar në Prishtinë, ka vizituar monumente fetare e historike, bulevarde, statuja dhe objekte të ndryshme.

Ndërtesat e stilit komunist dhe rrugët e pluhurosura e të përbaltura janë, sipas saj, të parat që ta qartësojnë pse Prishtina bie në sy për të keq.

Ajo përmend se publikimi turistik Lonely Planet e ka cilësuar kryeqytetin kosovar si vend që estetikisht nuk do ta bënte kurrë dikë që ta vizitonte ndonjëherë.

Pristina, Kosovo, is often dismissed as Europe’s ugliest capital (Credit: Credit: Deborah Huso)

Boston Globe dikur kishte shkruar: “Ky qytet ballkanik është ndoshta ndër më të shëmtuarit në botë dhe qyteti më qesharak në Europë”, citon Huso.

Por, megjithatë, ajo përmend se duke qenë një vend që ka përjetuar në vazhdimësi luftëra, Prishtina nuk mund të krahasohet me Parisin apo Romën.

Ndërtesa e Hotelit Grand dhe xhamat e thyer përmenden ndër të parat dhe citohet Presidenti Hashim Thaçi  kur kishte thënë për New York Times: “Nuk mendoj se është hoteli më i keq në botë, për shkak se bota është shumë e madhe”.

Ndërtesën e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” ajo e quan famëkeqe, e përmend se si Virtual Tourist e ka quajtur atë njërën prej ndërtesave më të shëmtuara në botë.

With its Brutalist architecture, the National Library of Kosovo has been called one of the ugliest buildings in the world (Credit: Credit: Deborah Huso)

“E hapur më 1982, ajo është krijimi më i habitshëm i arkitekturës brutaliste: një monstër me dofarë rrethojash të metalta që të japin të mendosh se është më shumë një burg”. Bukuria e saj e vetme janë 99 kupolat dhe dritaret e mëdha.

Ndërtesën e Katedrales “Shën Nënë Tereza” dhe lartësinë e saj prej 76 metrash, Huso e ka quajtur ironike, duke përmendur se ajo ndodhet në qendër të Prishtinës për faktin se vetë Vatikani ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe se 90 përqind e kosovarëve janë të besimit Islam.

Completed in 2017, Pristina’s Cathedral of St Mother Teresa was paid for by donations from both Christians and Muslims (Credit: Credit: Greg Balfour Evans/Alamy)

Historia e katedrales, sipas Huso, reflekton dëshirën e kosovarëve për të lënë prapa vetes dekada konfliktesh që më shumë kanë qenë etnike sesa fetare.

Ecjen nëpër sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë ajo e ka përshkruar si të tmerrshme.

Thekson se ndër gjërat e mira këtu ka hasur në kulturën e kafesë, por që shëmtia është te numri i madh i kafeneve – rreth 100 – në një qytet që ka rreth 200 mijë banorë.

According to the Gastronomic Society of Pristina, there are more than 100 cafes in a city of just 200,000 people (Credit: Credit: dpa picture alliance/Alamy)

Përmendorja e kohës komuniste afër ndërtesës së Komunës së Prishtinës, Monumenti “NEWBORN” dhe monumenti “HEROINAT”, janë të radhës që kanë rënë në syrin e saj.

Objektet e larta fetare të kohërave të vjetra dhe shtatoret e larta te heronjve kombëtarë, por edhe figurave tjera me peshë ndërkombëtare si ajo e Bill Clinton, zënë vend në tekstin e publikuar në BBC.

Pristina features a number of monuments to and streets named for American politicians, including Bill Clinton (Credit: Credit: Christian Kober 1/Alamy)

“Ne ndoshta kemi statujën më të shëmtuar në botë të Bill Clinton” citohet kryetari i komunës Shpend Ahmeti kur ka folur për Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa vitin e kaluar.

“Gruaja e tij Hillary kur përuroi atë tja:  ‘Nuk duket se është burri im”.

Në tekst është përmendur edhe mosfurnizimi i vazhdueshëm më ujë, por që në fund Huso gjithçka ka përmbyllur me fjalët: “Padyshim se Prishtina nuk i ngjan as Parisit as Romës. Por, për shkak të së kaluarës së rëndë do të gjeni njerëz që marrin veten shpejt dhe një kryeqytet që është gati ta shkruajë kapitullin e tij të radhës”.

“Kjo është e bukura e pamohueshme”. / KultPlus.com

Dua Lipa vendos emrin e Kosovës në “Times Square”

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka vënë emrin e Kosovës në sheshin më të njohur në botë, “Times Square” në New York.

Falë suksesit të saj të jashtëzakonshëm më 2018, Lipa është e nominuar në kategorinë për Artisten më të mirë të re dhe Vallëzimin më të mirë, në “Grammy”.

“Artistja më e mirë e re 2019. Nga Kosova në Britani të Madhe, drejt nominimit për artisten më të mirë të re. Dua Lipa”, shkruhet në reklamat e hapësirës më të njohur në botë. /KultPlus.com

Media gjermane tregon bukuritë e Kosovës: Kur përmendet Kosova, na shkon mendja te lufta

“Sot duam të ju tregojmë për një vend të panjohur për ne”, kështu fillon përshkrimi për Kosovën nga “nordhessen-journal.de”.

“E vetmja gjë që ne gjermanët kemi në mendje për këtë vend është lufta dhe shkatërrimi. Por lufta në Kosovë ka përfunduar 20 vjet më parë”, shkruan tutje, duke përshkruar Kosovën, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, në këtë vend të vogël jetojnë shumë kombe dhe shumë fe. Vendi është i pavarur dhe ka monedhën e euros.

Kjo medie gjermane tregon edhe me kënd kufizohet Kosova, derisa fatkeqësisht thotë se nuk ka qasje në det. Klima është e ndryshueshme, derisa nuk harron pa përmendur edhe rininë, përcjell albinfo.ch.

Ka popullsinë më të re në Evropë, ku gjysma e njerëzve janë nën moshën 18-vjeç.

Gjithashtu ka kisha dhe xhami, derisa toleranca fetare është e madhe. Me anë të një video prej 10 minutave, tregohen bukuria e Kosovës, por edhe historia e saj.

“Kosova” e Jusuf Buxhovit promovohet nesër në librarinë “Dukagjini”

Nesër në Prishtinë do të promovohet “KOSOVA” VI,VII dhe VIII nga autori Jusuf Buxhovi, shkruan KultPlus.

Promovimi i tre librave të fundit , me të cilën mbyllet projekti autoriale i “Kosovës” në tetë libra – që paraqesin certifikatën historike të shtetit të Kosovës, por edhe të rolit të Dardanisë në kompleksitetin e antikitetit, po vazhdon rrugëtimin e promovimit në vende dhe ambiente të ndryshme. Kësaj radhe “KOSOVA” do të promovohet në librarinë “Dukagjini” nesër në orën 18:00.

Përveç promovimit të tri vëllimeve të fundit të “KOSOVËS” VI,VII dhe VIII, me këtë rast do të bëhet edhe shitja e kompletit prej tre librash me zbritje 50% (nga 30 në 15 euro). / KultPlus.com

“What the Fuck” për qasjen e Serbisë ndaj Kosovës, thotë Edi Rama

Kryeministri i Republikës Shqipërisë Edi Rama, sot gjatë takimit të dy qeverive asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, përgjatë fjalimit të tij, i është drejtuar në gjuhën angleze Serbisë me fjalën “What the fuck”, shkruan KultPlus.

Krejt kjo ka ardhë si rezultat i deklaratave të fundit rreth Kosovës nga Serbia.

Rama ka përmendur momentin kur një ministri kosovar i kërkohej që në një fjalim të tij, të hiqej fjala Republika e Kosovës.
“What the fuck do të thuhej në Bashkimin Evropian”, ka thënë Rama./ KultPlus.com

Kosovarët e kanë befasuar disa herë Azerbajxhanin

Meqë ende jemi në euforinë e festës se Kosova fitoi mbrëmë në lojën e saj futbollistike me Azerbajxhanin, ia vlen të kujtohet një tjetër ‘dyluftim’ mes shqipeve dhe vendit të zjarrit.

Pikërisht në Azerbajxhan, në vitin 2012-të, për herë të parë një kosovare përfaqësoi Shqipërinë në Eurovizion, dhe u pozicionua gati sa golat e Kosovës kundër Azerbajxhanit.

Katër gola nga Kosova, ndërsa Rona Nishliu me “Suus” morri vendin e pestë në Azerbajxhan, shumë afër vendit të katërt deri në momentet e fundit.

Mbrëmë Kosova e mundi Azerbajxhanin për të vazhduar kësisoj rrugëtimin në Ligën e Kombeve UEFA.

Ia vlen të përmendet kjo paralele mes Kosovës e Azerbajxhanit, kur Rona dha emocionet e saj në skenën e njohur në Baku të Azerbajxhanit.

Në anën tjetër, presim ballafaqimin e radhës të ekipit nga Kosova në këtë rrugëtim, njëjtë sikur presim edhe debutimin e Kosovës në Eurovizion, shumë shpejtë. / KultPlus.com

“Nëpër male thërrasin trimat Kosova, Kosova”

“Kosova”, është një prej këngëve më të njohura dhe më të dashura për publikun, që vjen nën interpretimin e Shyhrete Behlulit, shkruan KultPlus.

Po e sjellim sot tekstin e kësaj kënge.

Eja t’gjith ta thurim kengen oo
Per lirine, per dashurine
Male e Drinit ta percjelllim oo
Plot krenari, plot me gezim

Heej, do te vi si vjen baresha bjeshkes
Aty prane teje do te jem mor djalë
Ti kendojm Kosoves tonë të bukur
Me te bukurat fjalë

Gjithandej kendojn bylbylat : Kosova Kosova !
Neper male thrrasin trimat : Kosova Kosova !
Gjithandej kendojn bylbylat : Kosova Kosova !
Neper male thrrasin trimat : Kosova Kosova !
Kosovaa , Kosovaa

Eja t’gjith ta thurim kengen oo
Per lirine, per dashurine
Male e Drinit ta percjelllim oo
Plot krenari, plot me gezim

Heej, do te vi si vjen baresha bjeshkes
Aty prane teje do te jem mor djalë
Ti kendojm Kosoves tonë të bukur
Me te bukurat fjalë

Gjithandej kendojn bylbylat : Kosova Kosova !
Neper male thrrasin trimat : Kosova Kosova !
Gjithandej kendojn bylbylat : Kosova Kosova !
Neper male thrrasin trimat : Kosova Kosova !
Kosovaa , Kosovaa
x2

“Gjermania po e vendos Kosovën në hartën e aktiviteteve kulturore”

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori sot pjesë në performancën e artistëve nga Gjermania “TAPE THAT”, komunitet ky që ka për qëllim të shfaqë talentet kryesorë të kësaj forme të artit me shirita që mund të përdoren si një medium artistik, e që u organizua nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.

Me këtë rast, Kryeministri Haradinaj, tha se kjo ngjarje për të është diçka e re dhe se ndihet mirë që në këtë rast, Gjermania dhe ambasadori Christian Heldt, e kanë sjell në Kosovë një mënyrë të re të të bërit art, i njohur si “Tape That”, duke thënë se kjo është edhe një dëshmi për dëshirën që të Kosova të kyçet në këto trende.

“Besoj se kjo është nxitje edhe për artistët tanë, ne kemi shumë artistë të zot, të mirë. Jam i bindur që edhe në Kosovë do të ketë po ashtu që do të bëjnë këtë lloj arti, por edhe artet e tjera”, tha Kryeministri Haradinaj, duke shtuar se kjo është një ngjarje e mirë, sepse po bëhet përpjekje për kyçjen e Kosovës në të gjitha rrethanat e jetës.

Kryeministri Haradinaj, duke folur për performancën e artistëve gjermanë të rrymës së artit “TAPE THAT”, Cedric Goussanou dhe Nicolas Lawin, tha se shpreson që edhe artistët tanë të gjejnë mënyra të lidhen me artistë të tjerë, pasi sipas tij, shihet se është një dëshirë e Gjermanisë që ta fus Kosovën në hartën e aktiviteteve kulturore që ata e bëjnë, e që është shumë mirë.

Ndërkaq, ambasadori gjermanë në Kosovë, Christian Heldt, falënderoi Teatrin Kombëtar të Prishtinës, Filarmoninë e Kosovës dhe të gjithë të tjerët, duke thënë se ka admirim të madh për njerëzit të cilët, luftojnë për të dhënë sa më shumë qasje në jetën kulturore këtu në Prishtinë.Ambasadori Gjerman, Christian Heldt, bëri një falënderim të veçantë ndaj Kryeministrit Haradinaj për rëndësinë dhe hapësirën që siç tha ai po ia jep artit. /KultPlus.com

Ministri Gashi priti ministrin e Malit të Zi, Mehmed Zenka

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim Ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe Minoritete të Republikës së Malit të Zi, Mehmed Zenka, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunim mes dy ministrive.

Ministri Zenka e ka falënderuar ministrin Gashi për pritjen dhe ka njoftuar ministrin për aktivitetet dhe punën që ministria që e udhëheq ai në Mal të Zi. Zenka u shpreh se ministria përkrah minoritetet në Mal të Zi përmes projekteve të shumta, me theks të kulturës e rinisë.

Ai tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me ministrin Gashi për të realizuar projekte të përbashkëta që janë të interesit të dyanshëm në mënyrë që të rritet shkëmbimi i përvojave të mira dhe i profesionistëve të fushave të ndryshme.

Ndërkaq, nga ana e tij, ministri Gashi, u shpreh se MKRS-ja është e gatshme që të bashkëpunojë dhe mbështesë projektet konkrete që janë me interes edhe për politikat e ministrisë tonë, por edhe që janë në favor qytetarëve të Republikës së Kosovës por edhe atyre të Republikës së Malit të Zi, pa përjashtim./ KultPlus.com

“Kosova” e Jusuf Buxhovit promovohet në Tetovë

Sot në Universitetin e Tetovës, në orën 11:30 dhe të enjten, më 8 nëntor, në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL)- në orën 13:00, promovohet “Kosova” VI, VII dhe VIII e Jusuf Buxhovit.

Ne këtë rast, autori do të mbajë ligjëratën “Vendi i shqiptarëve në Maqedoni i parë nga këndvështrimi historik, etnik dhe politike nga antikiteti deri te koha jonë”.

Gjatë qëndrimit në Tetovë, të enjten, në orën 17:00, në librarinë “Nobel”, autori do të ketë edhe një takim me lexuesit dhe dashamirët e librit. /KultPlus.com

Rumania dënohet për thirrjet raciste ndaj Kosovës në ndeshjen me Serbinë

UEFA ka dënuar sot kombëtaren e Rumanisë për thirrjet raciste ndaj shqiptarëve dhe hungarezëve në ndeshjen e Ligës së Kombeve ndaj Serbisë.

Tifozët e Rumanisë në ndeshjen kundër Serbisë, kanë brohoritur “Kosova është Serbi” dhe kanë fyer në baza raciste fqinjët hungarezë, transmeton Koha.net. E gjithashtu kanë shpalosur banera me mbishkrimet se migrantët janë terroristë.

E për këto sjellje të tifozëve rumunë Trupi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës së UEFA-së sot ka marrë vendim që ndeshjen e radhës ta luajë me dyer të mbyllura si vendas, dhe Federatën rumune e gjobit me 50 mijë euro për sjelljen raciste të tifozëve të saj. Dhe 23 milionë euro për akuzat e tjera.

Këto vendime kanë ardhur për këto tri shkaqe: Ndezja e fishekzjarrëve, sjelljen raciste (me banera dhe thirrje), si dhe për hyrjen në fushë të tifozëve./KultPlus.com

Kosova e Shqipëria shpalosin hulumtime për sfidat e nacionalizmit shqiptar nga Lidhja e Prizrenit deri sot

Në Institutin Albanologjik të Prishtinës ka filluar tryeza shkencore “Sfidat e nacionalizmit shqiptar nga Lidhja e Prizrenit e deri më ditët e sotme”.

Tetë studiues nga Kosova e Shqipëria do te shpalosin hulumtimet e tyre sa i përket rrethanave historike të shqiptarëve qysh prej vitit 1878 deri në ditët e sotme, raporton Koha Ditore.

Sipas organizatorëve, qëllimi i tryezës është që të dalin në pah rrethanat, mundësite e zgjedhjet e udhëheqësve shqiptare ndër vite./ KultPlus.com

Artistë nga Shkupi dhe Prishtina, në festivalin “Skampa”

Teatri Kombëtar i Prishtinës, Kosovë u prezantua në festivalin “Skampa” me shfaqjen “Të harruarit” me regji të Shkurt Aliut dhe në role aktorët Edlir Gashi dhe Qëndresa Kajtazi.

Në vepër është një rrëfim për dy të rinj të izoluar, pa shpresë dhe të ngujuar në vendin dhe në mendjen e tyre, në kufijtë e Evropës, në një çmendinë e burg të krijuar nga pushteti. Njerëz të harruar në shtëpinë dhe rrugën e tyre, të dhunuar, të poshtëruar e të trajtuar si kafshë, të padinjitet e si të çmendur. Rrugën e vetme të shpëtimit shohin emigrimin. Në ditët e festivalit “Skampa” u prezantua dhe Indipendent Teatër Kompani, Shkup.

Artistët nga Shkupi sollën në skenë shfaqjen “Unë Selma” me regji nga Millosh B. Andonovski. Vepra është një rrëfim për një vajzë 14 vjeçare, me emrin Selma, një emigrante nga Siria, e cila arratiset nga vendlindja, së bashku me gjyshen e saj dhe arrin e vetme në Maqedoni. Ajo mbërrin aty vetëm me një valixhe dhe një kukull në dorë. Shfaqja përbëhet nga 9 episode të ndryshme, ku secili mban një titull të veçantë. Një aktore e quajtur Simona fillon t’i mësojë Selmës gjuhën maqedonase. Të dyja miqësohen me njëra-tjetrën dhe Simona mëson pak nga pak se çfarë ka ndodhur në të vërtetë me Selmën: kush është ajo, për çfarë ëndërron, përse u dashurua me Nebojshën. Rrëfyese në këtë shfaqje është Simona, vetë aktorja, e cila tregon historinë se si ajo u takua me Selmën dhe gjithçka që ajo di për të dhe në të njëjtën kohë ajo, herë pas here, shndërrohet si Selma. Simona luan 3 personazhe në 45 minuta, në formën e monologut. Selma dëshiron të kthehet pas dhe të vizitojë Bejrutin, të shkojë në plazh dhe të shohë detin, vendin dhe qytetin e saj më të preferuar në botë. Megjithatë, ajo nuk e kupton se ajo nuk mund ta marrë nënshtetësinë, apo një pasaportë dhe nuk do të ketë kurrë më mundësi të udhëtojë jashtë Maqedonisë.

Ajo mbetet e bllokuar për 9 vjet në Shkup dhe pas disa kohësh humb edhe kontaktet me Simonën. Pjesa interesante e kësaj shfaqjeje është se bëhet fjalë për një personazh dhe histori të trilluar, që Simona i tregon publikut. Shfaqja fokusohet në fuqinë e ndjeshmërisë. Në edicionin e njëzet të festivalit ndërkombëtar të teatrit bashkëkohor “Skampa”, në qytetin e Gramshit u prezantua shfaqja “Lule dielli”, nga LAB Theatër ATK, e cila do të jetë pjesë e programit edhe në teatrin e Elbasanit, në ditët në vijim./Agjensia e Lajmeve Sot News/KultPlus.com

Hapet Panairi i Librit në Frankfurt, Kosova tradicionalisht pjesë e tij

Sot ka filluar panairi i librit në Frankfurt, Gjermani.

Panairi i librit i Frankfurtit (i 70-ti me radhë) është panairi më i rëndësishëm i librit në botë, dhe një nga ngjarjet kryesore kulturore e sociale mbarëbotërore. Këtë vit i ftuar nderi i panairit është shteti i Gjeorgjisë. Marrin pjesë më shumë se 7,300 ekspozues prej më shumë se 100 shteteve.

Për pesë ditë me radhë ekspertët e botimit, shkrimtarët dhe entuziastët e kulturës nga e gjithë bota mblidhen në Frankfurt për të shënuar këtë ngjarje.

Shoqata e Botuesve të Kosovës e ndihmuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për të 15-tin vit me radhë, është pjesë e panairit të librit në Frankfurt. Në kuadër të stendës kolektive të Kosovës prezentohen 30 shtëpi botuese: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik e i Historisë, Buzuku, Pema, Faik Konica, Koha, Artini, Dija, Dukagjini, Albas, Titanik etj.

Gjatë panairit prezentohen autorë shqiptarë, me ndihmën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, të cilët janë prezentë në stendën e Kosovës: Adem Gashi, Çun Lajçi, Marigonë Kelmendi, Halil Matoshi, Valentina Saraçini, Ismail Syla e Abdullah Zeneli.

Në bashkërendim me Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptarë në Frankfurt organizohen promovime e prezentime (ditën e shtunë, 13.10.2018).

Stenda e Kosovës është në Sallën 5.0, numër D131./ KultPlus.com

“Kosova” e Jusuf Buxhovit vjen me vëllimet 6, 7 dhe 8

Sot dolën nga shtypi vëllimet 6,7 dhe 8 të kompletit tashmë të njohur “Kosova” të historianit, publicistit e shkrimtarit Jusuf Buxhovi.

Sipas autorit, promovimi i parë i këtyre tri vëllimeve do të bëhet në Panairin e librit që organizon Kolegji AAB më 5 tetor në orën 12:00.

Sipas autorit, promovimi do të vazhdoj edhe në qytete të tjera të Kosovës por edhe në Shkup, Tetovë e Ulqin si dhe qytete të tjera shqiptare.

Botues të kompletit “Kosova” 1-8 janë Jalifatpublishing nga Hjustoni (ShBA) dhe “Faik Konica” nga Prishtina./KultPlus.com

Hajrulla Çeku tregon shifrën marramendëse të kosovarëve që pushuan në Shqipëri

Hajrulla Çeku, ish udhëheqës i organizatës “Ec Ma Ndryshe”, i cili u emëruar zëvendësministër i Turizmit në Qeverinë e Shqipërisë, ka dhënë disa statistika rreth vizitorëve kosovarë në territorin e Shqipërisë.

Sipas tij kosovarët realizuan afër 670 mijë vizita/hyrje në territorin e Shqipërisë gjatë muajit gusht 2018, një rritje prej 40% në krahasim me gushtin 2017. Në total (janar-gusht 2018) kemi mbi 1.5 milionë hyrje, 17.7% më shumë se e njëjta periudhë 2017.

“Kosovarët vazhdojnë të dominojnë turizmin shqiptar. Përkundër të gjithave dhe gjithçkaje. #VisitAlbania”, ka shkruar Ceku në Facebook./KultPlus.com

Kosova dhe Japonia me marrëveshje për rritjen e potencialit të turizmit

“Republika e Kosovës është e përkushtuar që të zgjerojë raportet me partnerët strategjik” Ushtruesja e detyrës së ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Arbëreshë Krasniqi ka nënshkruar marrëveshje me Agjencinë Japoneze të Turizmit, për lehtësimin e zhvillimit ekonomik dhe për rritjen e potencialit të turizmit në të dy vendet.

Krasniqi tha se Republika e Kosovës është e përkushtuar që të zgjerojë raportet me partnerët strategjik, siç është Japonia, prandaj dhe është iniciuar dhe finalizuar nënshkrimi i marrëveshjes me Agjencinë Japoneze e Turizmit.

“Kjo marrëveshje do të ketë impakt shumë pozitiv për shtetin e Kosovës dhe njëkohësisht hap mundësi të reja për të dyja vendet, sidomos në fushën e turizmit. Po ashtu kjo marrëveshje është një eksperiencë e re për Republikën e Kosovës sepse do të ketë shkëmbime të materialeve të ndryshme dhe përvojave në turizëm dhe do të lehtësojë komunikimin në mes të dyja vendeve”, ka theksuar Krasniqi.

Sipas një komunikate të MTI-së, po ashtu Republika e Kosovës është duke u prezantuar në panairin e turizmit në Japoni nga Agjencia për Promovimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, KIESA, në kuadër të MTI-së, panair ky që synohet të promovohet turizmi i Kosovës dhe potencialin që e ofron Kosova. Në këtë panair po marrin pjesë dy kompani të Kosovës që janë përzgjedhur nga KIESA.

Ushtruesja e Detyrës së ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Arbëreshë Krasniqi tha se panairi është mundësi e mirë për t’iu treguar investitorëve Japonez për mundësitë që ofron Kosova në fushën e turizmit dhe investimeve. “Jemi të interesuar qa ta thellojmë bashkëpunimin ekonomik, dhe jemi të interesuar që të kemi rritje të turistëve nga Japonia në Kosovë”, tha Krasniqi./ KultPlus.com

Mediumi italian rekomandon Prizrenin si destinacion që s’duhet humbur për vizitë në Ballkan

Qytete mesjetare, kështjella të lashta, arkitektura osmane, mbetje romake dhe peizazhe magjepsës: Ballkani është destinacioni i ri i modës për t’u vizituar në Europë, shkruan në artikullin e publikuar në rubrikën “Dove”, në gazetën italiane “Corriere della Serra”, gazetarja italiane, Francesca Masotti.

Nga qytetet më të bukura të Piranit, Dubrovnikut dhe Kotorrit, përgjatë bregut të Adriatikut, në Prizren, kryeqyteti kulturor i Kosovës, në qytetet otomane të Beratit dhe Gjirokastrës, në Shqipëri, Gadishulli i Ballkanit është një surprizë e vazhdueshme, për të vizituar tani, turmat janë arkivuar si dhe temperaturat e larta të verës, përpara se të gjithë të jenë të vetëdijshëm për bukurinë e saj.

Në galerinë e fotove janë përshkuar 20 vendet për të vizituar në Ballkan këtë vjeshtë për fundjavën e parë të sezonit më romantik të vitit, si Bled, Pirano, Lubiana në Slloveni, Split dhe Dubrovnik, në Kroaci, Mostar, Sarajevë në Bosnjë, Kotor, Budva, në Malin e Zi, Subotica në Serbi, Beogradi në Serbi, Prizren në Kosovë, Gjirokastër dhe Berati në Shqipëri, Ohër, Shkup në Maqedoni, Sibiu, Bukuresht, Ponë Rumani, Polvidiv dhe Sofie në Bullgari.

Prizren, Kosovë

Përkundër asaj që mund të mendohet, Kosova fsheh thesare të vërteta të panjohura për shumicën e njerëzve. Ashtu si qyteti i Prizrenit, një gur i arkitekturës osmane që ndodhet në jug të vendit. Shtëpitë tradicionale, urat prej guri, kishat dhe xhamitë për aq sa syri mund të shohë: Prizreni është një prej gurëve të fshehur ballkanikë. Për ta admiruar atë nga lart është e nevojshme për të arritur në kështjellë. Më mirë në perëndim të diellit kur qielli jep pamje magjike.

Gjirokastra, Shqipëri

Qyteti muze i Shqipërisë është një perlë e vërtetë e fshehur në jug të vendit vetëm disa kilometra larg kufirit grek, përcjell KP. Atdheu i dy burrave më të famshëm shqiptarë të të gjitha kohërave, Enver Hoxha dhe shkrimtari Ismail Kadare, Gjirokastra është një destinacion i domosdoshëm falë arkitekturës së stilit osman, çarshisë së vjetër të rinovuar kohët e fundit dhe kështjellës me pamje të mahnitshme të qytetit dhe malet përreth, shkruan “Corriere della Serra”.

Berat, Shqipëri

E quajnë qyteti i një mbi një dritareve, për shkak të pikave të shumta të dritës mbi fasadat e bardha të ndërtesave tradicionale osmane: Berati është një nga destinacionet më të këndshme në Ballkan, lehtësisht të arritshme nga kryeqyteti, Tirana. Për të vizituar dy lagjet historike të Goricës, traditën e krishterë dhe Mangalemin, të traditës myslimane dhe kështjellën ku ndodhen kishat bizantine dhe mbetjet e xhamive të lashta./ KultPlus.com

Kadare kundër rishikimit të kufijve Kosovë-Serbi: Do të cenonte stabilitetin në Ballkan

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare është shprehur kundër rishikimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai, sipas gazetes KohaJone, thotë se një lëvizje e tillë do të cenonte stabilitetin në Ballkan.

“Gjithsesi duhet ruajtur integriteti territorial i shtetit të Republikës së Kosovës dhe çdo pretendim për lëvizje të kufijve apo copëtim të Kosovës nuk do të ishte në favor të paqes dhe stabilitetit në rajon. Shqiptarët dhe serbët, dialog e marrëveshje po në Bruksel, por asesi në dëm të sovranitetit të Kosovës!

Askush s’ka të drejtë, Serbia hiç e më hiç, të cenojë integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Reciprocitet mes Veriut dhe Luginës së Preshevës meqë këta te fundit nuk janë rehat. Nisur nga historia, vuajtjet e popullit të Kosovës, sot nuk është duke u bërë aq sa duhet për këtë pjesë të Europës. Çdo angazhim për Kosovën nuk mjafton kurrë, sepse ajo e meriton shumë e më shumë….’

Më pas, duke komentuar situatën në Kosovë dhe Luginën e Preshevës, Kadare, thekson se, “situata në Luginën e Preshevës është e papranueshme, ku popullata e atjeshme, shqiptarët etnikë në trojet e tyre, ende në këtë shekull ballafaqohen me diskriminimin e të drejtave të tyre elementare. Prandaj, perspektiva e Luginës së Preshevës, sikur viset e tjera të Ballkanit, duhet të jetë drejt Europës, gjë kjo e cila mund të bëhet me një angazhim më të madh të përfaqësuesve të Luginës në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar. Prandaj, po e përsëris se për popullin shqiptar, si në Kosovë, ashtu në Luginën e Preshevës, me një të kaluar me vështirësi të mëdha e me sakrifica, mund të themi se nuk është duke u bërë mjaft e aq sa duhet për ta, pasi ata meritojnë edhe më shumë. Nuk është kurrë shumë të bësh për ta. Është gjithmonë pak…” – thekson shkrimtari i madh.

Ndërkaq, sa i përket vizitave të kreut të shtetit serb në Kosovë, Kadare thotë se, “ashtu si serbët e Kosovës që presin personalitetet e tyre të larta nga një vend fqinj, edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë të drejtë dhe dëshirë, bile së paku për të mos u harruar, që të vizitohen nga personalitetet tona nga Prishtina dhe Tirana”.

Ndërkaq, në këndvështrimin se si e sheh Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në Ballkan pas një shekulli të shtetit shqiptar vjet pas pavarësisë, Kadare thekson se ndihet i kënaqur, duke pohuar se “kombi ynë në përgjithësi ka arritur shumë suksese, sidomos dekadën e fundit, në çdo sferë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë dhe viset e tjera të Ballkanit, me përjashtim te Krahinës së Preshevës sipas të cilit trevat i kemi keq. Por, kjo nuk do të thotë të ndalemi këtu.

Me suksese Shqipëria dhe Kosova duhet të vazhdojë. Sepse shqiptarët sot gjenden në kulmin e zhvillimeve dhe ata janë në rrugë të mbarë”.

“Përfaqësuesit e popullit tonë, dhe jo vetëm këta, por të gjithë ne bashkërisht: shkrimtarë, intelektualë, rinia, meqë gjendemi para një sërë sfidash, na presin edhe shumë detyra dhe përgjegjësi të mëdha për të ardhmen e kombit tonë, ndaj nuk duhet ndalur së punuari, duhet vazhduar misioni ynë për zhvillimin e kombit tonë, për një të ardhme edhe më të mirë dhe të sigurt e orientuar drejt Europës”, ka thëne në fund Kadare, shkruan Koha Jonë./KultPlus.com