Para meje është vjeshta me tërë magjinë hyjnore Unë s’jam në ëndërr të të marr përdore E të vrapojmë derisa të rrëzohemi e pastaj të ngritemi përsëri E të shohim se stinët nuk ndalojnë asnjë çast Ritmin e ndërrimeve e shndërrimeve të trajtave njerëzore.
Sa shpejt u rikthye vjeshta çuditem e shkruaj një poezi lirike Unë s’jam në ëndërr… Ja, po shëtis në shi duke të mbajtur përdore ty S’e di kush të pagëzoi kaq bukur: Gërryese, nostalgji…
Kushtuar vajzës Mirditore, mësueses Marie Tuçi,(1928-1950) të cilën regjimi Enverian e torturoi në mënyrën më makabre, duke e mbyllur në një thes, lakuriq, bashkë me një mace të egër. Nuk mjaftonin vetëm thonjtë e kafshës së egërsuar, por njëkohësisht, ajo goditej me mjete të forta nga hetuesat e gardianët e burgut, në prani të grave të tjera të burgosura. Pse? Sepse mendonte ndryshe. Vdiq e masakruar nga shqipfolësit e një ideali pa ideal…
Po vdes nanë, sot po vdes
Nan’ e dashtun,sot po vdes më kan futur,në një thes lakuriq, tok me një mace më kan mbyll ,në thes linace
N’burg të Shkodrës,po m’del shpirti po ma merr nan’, shef Seiti jashtë thesit, shqip po flasin më shqelmojn’ e më godasin ligësia, nuk ka ngjyrë shqelm në bark, shqelm në fytyrë!
Po vdes nanë, sot po vdes një lëmsh gjaku, brenda n’thes nuk ka vend imagjinata kriminel, shpirtzinj si nata më kan ça, bark e zorrë hajde nan, e ver’ një dorë!
Mbaju nan’, mbaju burrneshë më sill teshat, e m’vish murgeshë mos qaj nan, jam bij Mirdite s’na kan mposht, tash ndër vite as dhe shkau, as dhe turku as Enveri, as dhe burgu as bollshik, e as titista as hetues, as komunista!
Po vdes nanë, moj un’ e zeza shko më sill, një palë ndresa njëzet e dy, sapo kam mbush nuk du’ nan’, me m’qa kurkush as n’ Orrosh, e as Ndërfush as në bjeshkë, atje thellë as në Fan, e as në Kthellë as n’Kurbnesh, e as n’ Selitë as kurkund, nëpër Mirditë
Zoti nan, ka pat’ mëshirë më ka dërgu, të vdes e lirë më sill ndresat, po të pres po vdes nanë, sot po vdes
Dy buzë të kuqe, dy dëshira të flakta, që afshin ma thithën, gëzimin ma fikën, si fantazma hikën ndër do bota të larta…
Dy buzë si të përgjakta, dy dëshira të flakta, që afshin ma thithën në buzë kur mu njitën andjet m’i trazuen, zemrën ma tërbuen, trurin ma helmuen e në fund u mërguen…
Dy buzë të kuqe, bukuri fatale, të një gruaje stërzane një pjesë zemre më nxorne, një pranverë të tanë më morne dhe gëzimin ma vodhne…
Ato dy buzë të kuqe dhe dy lote të mija qenë shenja të dhimbjes, kur më vrau bukuria, kur më zu dashunia e më dogji rinia.. /KultPlus.com
Po ti cili je? pyeta shiun që zbriste ëmbël, Dhe, çudi të thuhet, m’u përgjigj, e përkthej si vijon: jam Poema e Tokës, tha zëri i shiut, përjetë ngrihem e pakuptueshme nga vendi e deti i padepërtueshëm, lart drejt qiellit, nga ku, në formë fluturake ndryshuar tërësisht, por ende e njëjta, zbres për të lag toka të thara skeletike, shpërfaqjet e pafundme të pluhurit të botës, dhe atë në to, që pa mua do të ish vetëm farë, latente, e palindur; dhe përherë, ditë e natë, i kthej jetë, vetë origjinës sime, e bëj të pastër, e qendis; (Sepse kënga, e dalë nga vendi i saj i lindjes, pas plotësimit, bredharake, i intereson asaj ose jo, kthehet në kohë me dashuri.)
Ai s’ka vdekë asht shkua me t’birin hijeve t’pishave mu freskua këtij fundshtatori të gurra e Martin Bogës ujë me pi faqet t’birit me ia la fierin njomak me ia vu n’ballë n’tufa klekash me ra me fjetë dyherë mu ngjallë dyherë me vdekë
Ai s’ka vdekë Ai e ka marrë ngrykë Ujkan Smajlin asht ngjitë Ashtë së Shkrelit thikpërpjetë me gërrithë emnin e t’birit me brisk nëpër lisa kiterr asht ba n’rrema, ujk n’kaçuba pak asht shkua të Ibra pak asht shkua të Riza
M’besoni, ai sot asht hipë n’zekanin e shaluem n’Stankaj asht shkua të Bajram Kelmendi me marrë me dy djemtë e vet mbi varrin e Azemit barin me kositë me ngjallë njiherë e dyherë me marrë ngryk kalabosh me vdekë
Jo ai nuk vdiq ai shkoi të shkrelët me fjetë malli mos me mbytë!
Është një periudhë kur ne prindërit mbesim jetimë prej fëmijëve tanë.
Se fëmijët rriten pavarësisht nesh, si pemë zhurmuese e zogj të pakujdesshëm.
Rriten pa i marrë leje jetës.
Rriten me një tringëllimë të gëzueshme e, ndonjëherë, me arrogancën mburrëse.
Por nuk rriten çdo ditë, rriten papritur.
Një ditë ulen pranë teje dhe me një natyrshmëri të pabesueshme të thonë çfarëdolloj gjëje që të bën të mendosh se ajo krijesë e pelenave, tash është rritë!
Kur u rrit e ti nuk e vure re?
Ku mbeten festat fëminore, loja në rërë, ditëlindjet me palaço?
Fëmija rritet në një ritual të bindjes organike dhe mosbindjes civile.
Tash je aty, në derën e diskotekës duke pritur jo vetëm që të mos rritet, por që të shfaqet.
Aty janë shumë prindër në timonë, duke pritur që të dalin.
E aty janë fëmijët tanë, ndërmjet hamburgerëve dhe pijeve të gazuara.
Me uniformën e gjeneratës së tyre dhe çantat jokomode dhe të rënda në shpatulla.
Atje jemi ne, me flokët e thinjur.
Dhe ata janë fëmijët tanë, të cilët i duam pavarësisht nga goditjet e erërave, nga të korrat e pakta të paqes, të lajmeve të këqija dhe diktaturës së orëve.
Ata u rritën të ushtruar, duke vëzhguar e duke mësuar me gabimet dhe të vërtetat tona.
Para së gjithash me gabimet që shpresojmë të mos përsëriten.
Është një periudhë kur ne prindërit shkojmë duke mbetur jetimë prej fëmijëve tanë. Tash nuk do t’i kërkojmë më
në dyert e diskotekave e të kinemasë. Kaloi koha e pianos, futbolli, baleti, notimi.
Dolën nga ulëset e pasme dhe kaluan në timonin e vetë jetës së tyre.
Do duhej të kishim shkuar më shumë pranë shtratit të tyre, në mbrëmje, për të dëgjuar shpirtin e tyre duke frymëmarrë biseda e konfidenca mes çarçafëve të fëmijërisë, e të adoleshencës shtretër të mbuluar nga ato pjesë figurash, afishesh, agjendash shumëngjyrëshe dhe disqesh të zhurmshëm.
Por u rritën pa e shterrë me ta krejt dashurinë tonë.
Në fillim shkuan në fshat, në plazh, krishtlindje, pashkë, pishina e miq.
Po, kishte grindje në makinë për dritaren, e kërkesat për muzikën e kohës.
Pastaj erdhi koha kur të udhëtuarit me prindërit ishte një sforcim, një vuajtje, nuk mund t’i linin miqtë e tyre dhe të dashurit e tyre të parë.
Mbetëm ne prindërit të izoluar nga fëmijët.
Kishim vetminë që gjithmonë e kishim dëshiruar, dhe na erdhi momenti në të cilin vetëm shikonim nga larg, luteshim shumë, (në atë moment e kishim harruar) që të zgjidhnin mirë në kërkimin e lumturisë dhe të pushtonin botën në mënyrën më pak komplekse të mundshme.
Sekreti është të presësh.
Në ndonjë moment do të na japin nipër.
Nipi është ora e dashurisë pa kushte dhe loja e pa provuar në fëmijët tanë.
Prandaj, gjyshërit janë kaq të papërmbajtshëm e shpërndajnë kaq dashuri të pakontrollueshme.
Nipërit janë mundësia e fundit për të korrigjuar dashurinë tonë.
Kështu është. Mësojmë të jemi fëmijë, pasi jemi bërë prindër; e mësojmë të jemi prindër, pasi jemi bërë gjyshër.
Si përfundim, duket sikur mësojmë të jetojmë vetëm pasi jeta na ikën.
T’i shijojmë fëmijët tanë në secilën prej etapave të tyre, për aq kohë sa jemi gjallë. / KultPlus.com
Sot është e shtunë… Për mua dhe për ty Për të gjithë. Për të gjithë ata Që patën diçka në tokë.
Sot është e shtunë Edhe për ata që janë mërzitur Për ata që nuk dinë të jetojnë. Është e shtunë edhe për ata Që nuk janë më.
Sot është e shtunë Për kuajt që tërheqin karrocat në errësirë Për lodrat që u luajtën Dhe për vendet bosh në sallat e lavdisë.
Sot është e shtunë Edhe për ata që nuk e dinë këtë gjë Që vuajnë e s’janë të lumtur. Vetëm sot është e shtunë, E dëgjova në rrugë Në derën e spitalit.
Sot është e shtunë Edhe sikur askush të mos e kujtojë… Jo vetëm sepse unë sot jam mërzitur, Por për madhështinë e një dite Që veshi mbi vete pelerinën e vjetër të botës.
Është e shtunë Sepse nuk ekziston asnjë ditë tjetër Si kjo e sotmja Dhe dikush mund të thotë Se asnjëherë nuk ka qenë e shtunë, Se asnjëherë, asnjë ditë Nuk ka shpënë buzë greminës kuptimin e madh Jetën e madhe përpara një bluze Të thjeshtë dite Siç është dita e shtunë.
Ditë e shtunë sot Që u përsërit aq shumë Mbi atë çka bënë ata që nuk jetojnë sot Me lehtësinë e atyre që jetojnë Të mbështjellë nga e shtuna Që si letër karamelesh Bie mbi butësinë e vjetër.
Sot e shtuna bie mbi kërcënimin e vjetër Dhe thuhet nga të gjitha buzët kudo Edhe atje ku dita është ngatërruar me një tjetër Edhe atje ku dashuria është është zëvendësuar me një tjetër.
Kudo sot e shtuna përkëdheli plagët dhe buzëqeshi Për t’ua bërë më njerëzore, Për t’ua larguar sadopak nga pesha e kohës, Që e veshur me hijen dhe dritën e një të shtune Ndaloi lozonjare dhe tha: Sot është e shtunë Kur filluam të kuptojmë Se vetëm në botën tonë është diçka
Të rrish pak më shumë në të ftohtë Për të larguar diku drejt pafundësisë Nyjen e vërtetë, Që lëkundet me përkëdheli Brenda thellë së shtunës Që duket se nuk do të ndërrohet me asnjë ditë tjetër.
Sot është e shtunë Për të vetmen thjeshtësi dhe mendim Për të vetmen kënaqësi dhe trishtim Për të bërë një hap Në botën e vogël të njerëzve. / KultPlus.com
Do të zgjohem një ditë një të diele me mëngjes të beharshëm dhe pa fjalë në vend të jogurtit do të të jap helm do t’i lash dhëmbët me lëng sapuni ujin e vaktë do ta bëj akull të ngrirë me krem për shputa do të ta lyej fytyrën dhomën do ta ngjyros veç të t’i dëmtoj sytë do të rrëzohesh në pragun e derës mbushur me thika masazhën e qafës do ta kesh fërkim me goditje Diellin do ta kthej në 1000 re që pluskojnë me nervozë do t’i ushqej me kujdes krejt alergjitë tua nektarinën e butë të pasdites do ta shndërroj në ftua brenda këpucëve do të gjesh iriqët e egër do ta vras me ëmbëlsi çdo ndërrmarje, çdo ide, çdo veprim tëndin, çdo vepër në frenat e veturës, ka diçka që gjithsesi nuk ndalon në vend të ilaçeve, kutitë do t’i mbushi me mbetje të lumit të ndyrë terrinë do të gjesh aty ku kërkon ngjyrë nje gjullurdi do të jetë këndi ku ruan trofetë e jetës së fituar do ta ç’orientoj gëzimin, ekzistencën tënde të sistemuar mykun e ke poshtë shtratit, mbi të, në jastëk brenda do t’i përzë shokët, do t`a copëtoj krenarinë në ëndrrat tua kam ndjellur ardhjen e qindra insekteve propolisi yt për fyt tash është lëndë djegëse.
Gjithçka do të jesh, por jo një mundës një të diele do të shpërthej, se më ka ardhur në maje të hundës. /KultPlus.com
Sa herë vjen vjeshta më merr malli për dashurinë Asnjë çast nuk ngjan si zemërimi Vargjet nuk e përfillin më melankolinë Ndoshta kështu fillon tundimi
Një ditë më mori malli për pritjen e braktisur Kur gjethet e mërzitura u vyshkën dalngadalë Askush nuk mbërrin cakun pa u nisur Nëse shpirtrat hidhërohen nga e njëjta fjalë
Malli më mori edhe për vetminë Sa herë e zinte nata duke pëshpëritur Askush s’kuptonte më zilinë Kur këputej përgjysmë pa u venitur
Sa herë vjen vjeshta më merr malli për dashurinë Ëndrrat luajnë me gjumin e fëmijërisë Nuk vdesin kujtimet pa shuar fantazinë As kur përfundon akti i nostalgjisë
I humba të gjitha, po lypës s’u ktheva, S’ia zgjata dorën askujt dhe vetën e mbajta. C’u bënë vajzat më të bukura Drita, Maria dhe Eva? Atyre dorën me gaz mund t’ua mbaja.
Po të gjitha ato u plaken si unë Dhe bukurinë e dikurshme s’e kanë, Megjithatë drejt tyre synoj nganjëherë më shumë Sesa drejt guhakerve me qyrk e famë.
I humba të gjitha, më mbetën vetëm kujtimet dhe kockat, Më mbeti lekura dhe bebja e syrit tok me shkendijat. Tani përballë shtëpisë sime këndojnë bretkosat, Gëzohem se janë të gjitha të mijat. /KultPlus.com
Po gjete balonën e fantazisë tënde, lidhe me inteligjencën e zemrës, do të shohësh të lindin kopshte të magjishme dhe mamaja jote do të bëhet bimë, do të mbulojë me gjethet e saj.
Bëj me duart e tua dy pëllumba të bardhë që të sjellin paqen kudo dhe rregullin e sendeve. Por para se të mësosh të shkruash shiko veten në ujin e ndjenjës … / KultPlus.com
Pse ujë pa hije, gjithë ky ujë Në kashtën e frymëmarrjes? Aromë e ngrirë në copa të murit, baltë A jemi më të mëdhenj se zogjtë e pavërejtur? Rrënjë e ngulur në peshë boshllëku Ti a je mungesë e dëshmuar? Apo, kush jemi ne? Dyshim i mbathur me potkonj kuajsh Në lamën e kalbur
Dele e zezë e fjalë pa zë Apo, kush jemi ne? Nuk ndryshon asgjë Edhe nëse jemi errësirë e djegur Në pambukun e dorës. Shiko më mirë: A jemi ende Lojë shpirtzbehtë në sytë e dhomës? Shiko ende më mirë. Nuk kuptoj pse nuk përgjigjesh Insektet e mbajnë në duar të thara Ditët e ardhme
Nëse është dikush pas shpinës së shtëpisë Të kujt janë hapat bojëqielli? Prandaj mos pyet: Pse nuk jemi zemër e tokës, apo Mëkatet pak para se të qajnë Të kujt janë? /KultPlus.com
Ka kohë që të vërtetës si lë vend besoj të jetë vetëm një sajesë pushtetesh të ngritura mbi mure
Mund të shtrojmë qindra pyetje vërteta në vrimë çelësi në halucinacion shndërruar është
Nuk do të kemi më hyjni rrotulluar mbi kokat tona Shtrirë janë në shtratin e tempujve të boshatisur me shpirtrat e lënguar e vërteta më nuk ka emër e njeriu arratisur në birë të minit
Por gjithmonë do të kemi një grumbull gomarësh që të vërtetën në samarë do t`na sjellin. /KultPlus.com
Ashtu sikur bie shi bën edhe ti me dashurinë tënde gjithçka të zbuluar lag kudo
Në shtëpitë krejt të terura dhomat e dashurisë së paligjshme ku jetojmë dëgjohet rrebeshi i shiut
Atje pikturat metalet e çmuar, stofrat e shtrenjtë harbimi ynë i kënaqur kundron nga dritaret rrebeshin pranveror të dashurisë tënde rënien e shiut
Pemët bëhen si kafshë të lagura nga ujët e detit çurg u kullon gjithë trupi
Kështu më shkoi jeta të mbaj larg dashurinë me të cilën si shi bie mbi botën e pranverës, çurgon dhe kështu fjalët ndan derisa gjen një shteg për dashurinë e saj.
Përmes rrjedhin pikat.
Shiu si mjek dashamirës shiu i mendimeve të saj mbi oqean e ngado ku kalojnë me këmbët e shpejta, të padukshme mbi dallgët e pambrojtura
Dashuri jo e kësaj bote ku shpresa për botën s’ka dhe pas dëshirës s’mund ta ndryshojë
Bie shiu përmbi dhé mbi bar e mbi lule
Përsosmërisht vjen në trajtë të lëngët kthjelltësie
Por dashuria s’është e kësaj bote dhe prej saj asgjë nuk vjen pos dashuri që pafundësisht vazhdon të bjerë nga mendimet e saj. /KultPlus.com
Dita më e bukur? Sot. Pengesa më e madhe? Frika. Gjëja më e lehtë? Të gabosh. Gabimi më i madh? Të heqësh dorë. Rrënja e çdo të keqeje? Egoizmi. Mëndjeheqja më e mirë? Puna. Humbja më e madhe? Mospasja e kurajës. Profesionistët më të mirë? Fëmijët. Nevoja e parë? Komunikimi. Lumturia më e madhe? Të jesh i dobishëm për të tjerët. Misteri më i madh? Vdekja. E meta më e keqe? Të qenit pa humor. Personi më i rrezikshëm? Ai që gënjen. Ndjenja më e shëmtuar? Mëria. Dhurata më e bukur? Falja. Ajo më e paçmuara? Familja. Drejtimi më i mirë? Rruga e duhur. Sensacioni më i kënaqshëm? Paqja e brendshme. Pritja më e mirë? Buzëqeshja. Ilaçi më i mirë? Optimizmi. Kënaqësia më e madhe? Detyra e kryer. Forca më e madhe? Besimi. Personat më të nevojshëm? Shërbyesit e Zotit (priftërinjtë etj). Gjëja më e bukur në botë? Dashuria./KultPlus.com
Mesditë gushti. Verë. Vapë e zagushi… Te café-bar Relax me veten time rri. Rrufis kafenë ekspres e cigaren thith Në ajrin e vakët një pulëbardhë klith.
Bën vapë, Lasgush, vapë e zagushi Te café-bar Relax kuvendoj me ty…
Dhe ti si unë dikur andej matanë, Veç kones sate – askënd pranë. Më të flisje, me të qeshje e qaje… Thonë se dhe shtratin me të e ndaje.
Përballë kam Eseninin, kaçurrelin bjond, Që qenin e Kaçallovit e qau me lot…
Janë të marrë poetët dëgjon të thonë shpesh E ndodh dhe t’i gërgasin ca laro e syleshë… Po mua sakaq ndër mend një mendim më vjen: «Më mirë një qen mik sesa një mik qen!»
Mesditë gushti. Verë. Zhurmë e vetmi. Te café-bar Relax me veten time rri …
Bijat e mija, jini egoiste të ndyra! Merrni atë çfarë është e juaja! Mëmësia nuk është mision. As martesa, jo. Ekzistenca juaj, po. Jini egoiste kur ju kërkojnë të hiqni dorë në emër të familjes. Mos u ngrini nga tavolina nëse një burrë nuk e ka bërë përpara jush. Ndani hapësirat e nevojshme për ato që ju pëlqejnë: kinema, teatër, pasionet tuaja. Jini egoiste kur ju kërkojnë të jeni “gjithçkaja” e tyre. Qofshin ata fëmijët, partnerët apo miqtë. Mbani diçka për vete. Diçka sekrete. Të mbrojtur e të paarritshëm. Jini egoiste. Mos ndani çdo gjë. Ka vende që duhet tju përkasin vetëm juve në mënyrë ekskluzive, që mund tu riktheheni kur gjërat nuk shkojnë mirë. Jini aq egoiste sa të jeni të pavarura ekonomikisht. Një llogari bankare vetëm tuajën, sepse të përziesh paratë me dashurinë bëhet lëmsh puna. Dhe nuk i dihet kurrë. Jini egoiste kur tjetri ju ofendon sepse nuk jeni kthyer ende në ship apo pse darka nuk është gati. Durim. Mos e lini pa bërë atë që po bënit. Nëse jeni aty, do të thotë që ajo hapësirë meriton kohën tuaj. Jini egoiste kur puna, karriera janë të rëndësishme dhe vijnë përpara gjithçkaje. Për burrat kështu është, e dhënë e njohur dhe e pranuar kjo. E pse nuk duhet të jetë edhe për ju? Jini egoiste. Mos bëni dashuri nëse nuk doni. Mos u shtirni. Jini të sinqerta. Kini etje për kënaqësinë, jini egoiste siç është një burrë. Mendoni për vete. Përpara se gjithash, për vete. Bijat e mija. Për trupin tuaj. Për dëshirat tuaja. Për shpirtin tuaj. Mbrojtja e të drejtave tuaja është një nevojë deri sa të kemi të njëjtën peshë që kanë dhe burrat që keni përkrah. Të drejta që shkojnë përtej familjes, një fëmijë apo një dashurie. Ato janë kaq personale dhe ju përkasin vetëm juve dhe askujt tjetër. E pamundur ti dhunoni, rreziku është mungesa e lumturisë e kamufluar nga lumturia. Sakrifica e kamufluar në dashuri. Jini aq egoiste të ndyra sa që të shpëtoni. Dhe s’ka rëndësi se sa do t’ju kritikojnë, do t’ju bëjnë të ndiheni në faj, do t’ju thërrasin tek hapësira e rolit. Mbase tek ai i gruas. Mbase tek ai i nënës. Por ju, mos dyshoni tek vetja. Zgjidhni gjithnjë të jeni gruaja që ju dëshironi. Jini egoiste të ndyra. Kjo është trashëgimia ime si nënë, për ju! Penny/sosdonne.com / KultPlus.com
Në flokun e nënës sime Kaherë ka rënë borë Buzëqeshja në fytyrë si relikt i ka mbetur Në pasqyrë rrallë
Shumë rrallë shikohet Thotë se pasqyra e përqesh Shoqet i numëron në gishta Fjalëpakë është me fëmijët
Qudi Edhe përrallat i kanë sosur Fustanet e shumta i ka falur Disa po i zvogëlohen gjatë natës Thotë, Të dal jashtë mode janë
Nënës sime Për çdo ditë të lume Këmbët po i shkurtohen Këpucët të mëdha po i bien Gishtat po i zgjaten Dioptria e syve të zinj Iu ka shtua çmendurisht Nganjëherë As mua nuk më thirre në të njëjtin emër Flet qetësisht pa iu trembur qerpiku
Nëna ime Me shumë naze e bënë hapin Nipërit me engjëj i krahason Zhig më mbetet
Të dijë Se cilën këngë e këndon në heshtje
Nëna ime Sokëllimat i ka të rralla Lëkura e duarve në harta iu ka shndërruar Më as lot nuk ka Edhe buza gazi rrallë i duket në fytyrë Më tha mbrëmë Ku ishe ti Kur desha të dali nga ëndrra
Nëna ime E dashura nëna ime Edhe në këto vite të vona Si gjithmonë Qëndron vertikalisht 26 gusht 2022 /KultPlus.com
kur dikush të kërkon bukë ndaje koren e fundit me të bija ime më mirë të jeni bashkë pak të uritur se të ngopesh vetëm
kur dikush ta lyp një pikë ujë në orë zori shpije te pusi i oborrit nën man ka vite që është prerë ajo pemë e vjetër por hija i bën ende fllad
kur dikush ta fyen njerëzillëkun bija ime prishi krejt urat digji tërë anijet mos ji kurrë as grua as nënë as bijë e askujt po s’qe së pari njeri. /KultPlus.com
Të rinjtë që duhen puthen në këmbë Përballë portës së natës Dhe kalimtarët që kalojnë i tregojnë me gisht Por të rinjtë që dashurohen S´ndodhen aty për askënd Është vetëm hija e tyre Që dridhet në errësirë Duke shkaktuar tërbimin e kalimtarëve Tërbimin e tyre përbuzjen e tyre nënqeshjet e tyre Zilinë e tyre Të rinjtë që dashurohen s´janë aty për askënd Ata janë gjetiu shumë më larg se nata Shumë më lart se dielli Janë në shkëlqimin verbues të dashurisë së tyre të parë./KultPlus.com