Nga sot do të ndalohet përdorimi i qeseve plastike në territorin e Republikës së Shqipërisë. Projektligji për ndalimin e qeseve plastike u dërgua në parlament para 2 vitesh duke parashikuar për herë të parë gjoba për bizneset dhe qytetarët.
Pavarësisht afatit të vendosur, ligji u dërgua me vonesë në Kuvend për t’u miratuar dhe data 1 tetor e vitit 2020 u vendos si afati i ri për të zbatimin e nismës, e cila sërish nuk u përmbush.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, nëpërmjet një postimi në Facebook shprehet se nga data 1 qershor do të nisë një epokë e re për vendin.
Nisma për ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshme thekson kryeministri është në favor të mbrojtjes së atdheut dhe të fëmijëve.
Më herët kreu i qeverisë ka sqaruar se nuk do të ketë asnjë lëshim për prodhuesit e qeseve plastike.
Edhe ministrja e mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, thotë se nisma do të kryhet nën një monitorim të rreptë, e për shkelësit ligji parashikon edhe ndëshkime.
“Masa e gjobës shkon nga 500 mijë lekë të reja, pra 5 milionë lekë të vjetra, deri në 1 milion e 500 mijë, ose 15 milionë lekë të vjetra.Por ka edhe masa më të rënda se kaq për shkelësit. Në radhë të parë sekuestrimi i të gjithë mallit që do të gjendet sepse konsiderohet i paligjshëm. Nëse kjo përsëritet do të hiqet licenca e aktivitetit për shkelësit e ligjit”. – shprehet Kumbaro.
Në Shqipëri çdo ditë prodhohen 198 ton mbetje plastike. Edhe sipas të dhënave të Planit Kombëtar për Menaxhimin e Mbetjeve 2010-2025 nga Komisioni Evropian dhe Qeveria shqiptare, në Shqipëri prodhohen 198 tonë në ditë mbetje plastike me densitet të ulët dhe 111 ton në ditë mbetje plastike me densitet të lartë./rel / KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama publikoi mbrëmjen e sotme në rrjetet sociale një foto nga fshati Radomirë, i cili është pjesë e 100 fshatrave turistikë.
“Radomirë, fshati me bukuri të rrallë rrëzë malit Korab, pjesë e 100 fshatrave turistikë, rrethuar nga një natyrë përrallore me pyje të dendur e burime ujore, me më të veçantin liqenin e zi”, shkruan Rama.
E vendosur rrëzë malit të Korabit, majës më të lartë në Shqipëri, dhe e rrethuar nga pisha është Radomira magjike.
E pozicionuar në 35 km nga Peshkopia, në malësinë e Dibrës, do të zbuloni një pjesë të gjelbëruar të parajsës me lugina të bukura, maja të larta madhështore dhe përroin e Veleshicës.
Radomira, pjesë e parkut natyror Korab-Koritnik, shënon hyrjen në rrugën turistike që ngjitet drejt malit të Korabit.
Si një nga fshatrat e përfshirë në projektin “100 fshatrat”, që synon rigjallërimin e zonave rurale të vendit, pjesa më e madhe e Radomirës është restauruar dhe pret vizitorë. Fshati ka lënë pa fjalë çdo vizitor, që ka pasur fatin dhe kuriozitetin ta dëshmojë. Një përvojë unike që ndërthur pa probleme si adrenalinën ashtu edhe komoditetin është e garantuar.
Ajri i pastër, burimet e ujit, kullotat dhe pyjet në anët e Korabit përbëjnë burime të çmuara që mund të kontribuojnë në zhvillimin e zonës, duke e kthyer Radomirën në një destinacion turistik gjatë gjithë vitit.
Burimet e ndryshme të ujit përshkojnë fshatin, duke u bërë përfundimisht përroi i Veleshicës, i cili, përgjatë një freskie të përhershme, i shton një zhurmë qetësuese zonës.
Zona ofron shumë monumente të tjera natyrore, si Liqeni i Zi spektakolar ose Shatërvani i Mbretit (Kroi i Mbretit), të ciët duhet të shihen më vete.
Mikpritja dhe besimi përfaqësojnë vlerat kyçe të vendasve të zonës, duke i dhënë vendit një atmosferë të një bote të mëparshme, më të mirë. Motoja e tyre i thotë të gjitha: “Shtëpia i përket Zotit dhe miqve”. Mund të jetë një nga vendet më të mira për të përjetuar mikpritjen e famshme shqiptare.
Radomira dallohet për numrin e lartë të bagëtive, burimi kryesor i të ardhurave për këtë zonë dhe e gjithë kalaja e Dodës që përfshin 7 fshatra të tjerë. Kështu, zona është e njohur për fabrikat e saj që prodhojnë qumësht dhe nënprodukte të tjera të shijshme. Një vizitë këtu do t’ju njohë pa dyshim me një shije të produkteve të freskëta të përgatitura me shumë dashuri nga banorët./ atsh / KultPlus.com
Nga 1 qershori do të ndalohet prodhimi, shitja dhe importi i qeseve plastike për përdorim individual.
Duke u ndalur te kjo nismë e rëndësishme për mbrojtjen e mjedisit, Kryeministri Edi Rama ndau sot përmes rrjeteve sociale një video sensibilizuese mbi ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshe.
“Mirëmëngjes dhe duke ju kujtuar se prej të mërkurës nis një epokë e re për Shqipërinë patriotike, me ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshe në favor të mbrojtjes së atdheut të fëmijëve tanë, ju uroj një javë të mbarë”, u shpreh Rama.
Nisma ligjore i bashkohet lëvizjes globale, dhe vjen në linjë me direktivat e BE-së, ku vende të ndryshme që po marrin masa të ndryshme për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike.
Masat e ndërmarra synojnë reduktimin e plastikës së dëmshme për një mjedis të pastër që ndihmon në zhvillimin e turizmit dhe të ekonomisë së vendit.
Qeveria është e vendosur të ndërmarrë masa që synojnë ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit, me qëllim përmirësimin e parametrave të tij, si faktor i rëndësishëm në nxitjen e turizmit në Shqipëri./atsh / KultPlus.com
Si sot, më 27 maj 1924, nisi një nga përplasjet politike më përçarëse në Shqipëri, Revolucioni i Qershorit.
Kjo lëvizje që do ta ndante Shqipërinë në dy kahe (nolist dhe zogist), do të merrte shkas nga atentati i Beqir Valterit ndaj Ahmet Zogut, si dhe prej krismave që i morën jetën Avni Rustemit. Të gjendur para kësaj klime politike, mbështetësit e Fan Nolit, të Qazim Koculit dhe të Luigj Gurakuqit, do të përgatiteshin për të krijuar një Komitet Revolucionar duke e nisur revolucionin nga Veriu drejt Tiranës, nga ku kryengritësit do të merrnin kryeqytetin pa shkrehur armë.
Edhe pse kjo ditë përkujtohet si kulmi i kryengritjes, fillesat e saj datojnë që prej 27 dhjetorit 1923, pas fitores së zgjedhjeve parlamentare nga grupi që përfaqësohej prej Zogut. Po ashtu, vrasjet e Adem Gjinishit dhe e Isuf Kazazit, do të rrisnin gradualisht frymën antizogiste në vend.
Më poshtë, fotoja bashkëngjitur është shkrepur në mesin e trazirave në kryeqytet, në ditët e Revolucionit të Qershorit. / KultPlus.com
Tepelena dhe rrethinat e saj janë kthyer në një ndër pikat më tërheqëse për vizitorët vendas dhe të huaj.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Shkëmbi i Bardhë i Hoxhajve në Memaliaj të Tepelenës, i cili është kthyer në një ndër pikat më të vizituara.
“Shkëmbi i Bardhë i Hoxhajve mes një deti të gjelbër në fshatin Buz-Kalemaj në Memaliaj, një bukuri e rrallë e natyrës që nuk duhet lënë pa u vizituar”, theksoi Rama.
Turistët në Memaliaj mund të shijojnë ajrin e pastër, madhështinë e natyrës së egër, njohje të siteve historike, ndërsa të apasionuarit pas adrenalinës kanë mundësi për realizimin e aktiviteteve sportive si Hiking, shëtitje me kuaj, eksplorim të natyrës etj.
Disa nga atraksionet qe mund te vizitoni, janë: Liqeni i Komarit, Shkëmbi i Bardhë etj. Shkëmbi i Bardhëi Hoxhajve, objekt natyror, është rreth 15 m i lartë./ atsh/ KultPlus.com
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj theksoi sot se “në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA ka pasur edhe periudha jo të shëndetshme. Ka pasur edhe ngërçe. Shkak për këto ngërçe kanë qenë kryesisht paaftësia jonë për të kuptuar, ndonjëherë edhe refuzimi për të pranuar, e pastaj për të vënë në jetë në politikën shqiptare, vlerat mbi të cilat funksionon shteti i së drejtës, demokracia dhe fuqia e votës në vendin mik, në SHBA”.
Në fjalën e e tij në takimin e organizuar për 100-vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, Alibeaj tha se “mbetjet e mentalitetit të diktaturës komuniste, pushtetarët e korruptuar, ata që kanë vënë interesin e tyre mbi atë të shqiptarëve kanë qenë dhe mbeten kërcënimi më i madh ndaj partneritetit tonë me SHBA”.
“Edhe sot ka ende të tillë. Ka njerëz që kanë humbur busullën e që duan t’i tregojnë rrugën Amerikës. Kanë humbur rrugën në oborr dhe duan t’ia humbin rrugën edhe Shqipërisë. Nuk do t’ia dalin. Nuk do t’ia dalin sepse kanë kundër shumicën dërrmuese të shqiptarëve dhe historinë e tyre mbi 100-vjeçare”, nënvizoi Alibeaj.
Alibeaj u shpreh se “shqiptarët janë të vetëdijshëm, e po ashtu falënderues, se nga partneriteti me ShBA, të fituarit e mëdhenj janë shqiptarët. Ne e dimë që SHBA e kanë vlerësuar gjithmonë miqësinë shqiptare, dhe shqiptaret jo rastësisht renditen sot si një ndër popujt më proamerikanë. E kjo marrëdhënie e shkëlqyer ka dhënë dhe frutet e veta. Në 100 vite, SHBA u dhanë shqiptarëve 2 shtete të pavarura. Asnjë lëvizje çlirimtare kombëtare shqiptare nuk ka bërë dot sa SHBA për Shqipërinë. SHBA kanë folur, ndihmuar, dhuruar dhe garantuar lirinë shqiptarëve, ngado ku janë, më shumë se të gjitha lëvizjet kombëtare të marra së bashku. Ndër të fundit është mbështetja për anëtarësimin në NATO. E ne shqiptarët i jemi mirënjohës SHBA për këtë mbështetje”.
“Partia Demokratike është sot më e kthjellët se kurrë, se ajo Amerikë që vulosi suksesin e lëvizjes demokratizuese të vendit në fillim të viteve 1990, vetëm besimi te vlerat e demokracisë që ajo përfaqëson, do të mund ta nxjerrin Shqipërinë nga kurthi i politikës së korruptuar dhe të dështuar të tranzicionit”, tha Alibeaj.
Ai u shpreh se “ne duhet, ne mundemi dhe do e nxjerrim Shqipërinë nga tranzicioni politik, korruptiv, kaotik, i tejzgjatur, që po vret përditë shpresat e shqiptarëve, që po largon të rinjtë e intelektualët, që po plak dhe po mpak popullsinë në Shqipëri. Ne do të dalim nga ky tranzicion. Dhe kjo jo vetëm si shpresë. Kjo do të ndodhë. Siç historia ka treguar, kjo do të ndodhë edhe falë mbështetjes së SHBA”. /atsh / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti informoi sot se për hartimin e planit të Menaxhimit të Integruar të Butrintit janë konsultuar rreth 80 ekspertë shqiptarë, bashkëpunëtorë, ekspertë nga Instituti i Arkeologjisë, Universiteti i Tiranës, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, etj.
Në një reagim, ministrja Margariti sqaroi se “më 13 qershor 2019 Ministria e Kulturës i ka kërkuar mendim Institutit të Arkeologjisë rreth draftit të PMI të Parkut Kombëtar të Butrintit. Më 11 korrik 2019 Instituti i Arkeologjisë ka depozituar pranë Ministrisë së Kulturës gjithë sugjerimet në lidhje me draft-PMI të Butrintit, të cilat janë reflektuar në draftin e ri. Janë zhvilluar tre dëgjesa publike në periudhën tetor-nëntor 2019. Më 6 prill 2020 PMI i Parkut Kombëtar të Butrintit 2020-2030 është diskutuar dhe miratuar në Këshillin Kombëtar të Menaxhimit të Pasurive Kulturore, firmosur edhe nga një ekspert nga fusha e arkeologjisë”, theksoi Margariti.
Ministrja Margariti sqaroi se “më 7 prill 2020 PMI i Parkut Kombëtar të Butrintit 2020-2030 është diskutuar dhe miratuar në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, firmosur edhe nga IA dhe Departamenti i Trashëgimisë Kulturore në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, UT. Projektligji “Për miratimin e marrëveshjes së administrimit të Parkut Arkeologjik të Butrintit” i është nisur të gjitha ministrive të linjës në datën 15 dhjetor 2021 mes të cilave edhe Ministrisë së Arsimit, në varësi të së cilës është IA”.
“Më 21 dhjetor 2021 Ministria e Arsimit sjell përgjigjen me sugjerimet përkatëse, të cilat u reflektuan në projektligj. Projektligji “Për miratimin e marrëveshjes së administrimit të Parkut Arkeologjik të Butrintit” u miratua në Këshillin e Ministrave në 29 prill 2022″, tha Margariti./ atsh / KultPlus.com
Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim, Nedim Aleksandër Vlorën, nipin e Atit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe themeluesit të shtetit tonë modern, Ismail Qemali.
Meta u shpreh se ishte kënaqësi të dëgjonte prej tij për lidhjen e ngushtë që ndjente në zemër për vendlindjen e të parëve.
Meta theksoi se ishte “akoma më bukur sesi këtë dashuri të madhe për Shqipërinë ua transmetonte nipërve e mbesës së tij, me kërkesën, që edhe në brezat e ardhshëm të ruhet tradita e trashëgimit të mbiemrit Vlora”.
“Pres me padurim botimin e librit të Nedim Vlorës mbi historinë 1000-vjeçare të familjes Vlora, për t’u njohur edhe me disa dokumente të papublikuara më parë, për Ismail Qemalin”, u shpreh Meta në një postim. /atsh/ KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama fton qytetarët që t’i bashkohen aktiviteteve të shumta që mbahen në kuadër të Javës së Europës.
Rama shprehet se ky udhëtim plot ngjyra e tinguj të bukur që ka nisur me 3 maj në Shkodër, do të vijojë në Vlorë dhe përfundon më 9 maj në Tiranë.
“Me ftesën për t’iu bashkuar Javës së Europës 2022, në një udhëtim plot ngjyra e tinguj të bukur, i cili nisi me Shkodrën, vijon me Vlorën e ndalet në Tiranë më 9 maj, ju uroj një ditë të bukur”, u shpreh Rama.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka theksuar se në kuadër të Javës së Europës, do të festojmë për trashëgiminë tonë të pasur kulturore dhe vlerat e përbashkëta evropiane.
Sipas saj, pjesë e këtij kalendari janë edhe fëmijët.
Në Pedonalen e Shkodrës një ditë më parë u krijua një atmosferë fantastike nga Ansambli i Qytetit dhe performanca e talentuar Ea Zoga, ndërsa nuk munguan panairet, shfaqja e filmave dhe diskutimet e shumta për t’u njohur me mënyrën sesi BE dhe shtetet anëtare po mbështesin Shqipërinë në rrugën e saj drejt familjes evropiane.
I pranishëm ishte edhe Alexis Hupin, i Ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri dhe Ambasadorë të Shteteve Anëtare të BE-së që u mirëpritën nga Kryetari i Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia.
“Java e Evropës këtë vit përqendrohet në vlerat e Bashkimit Evropian. Krenarë të rikonfirmojmë vlerat, respektimin e dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, shtetit ligjor, respektimin e të drejtave të njeriut, mosdiskriminimin, solidaritetin, barazinë midis grave burrave”, theksoi Hupin.⠀
Dita e Europës që festohet më 9 maj, shënon përvjetorin e deklaratës historike të Shumanit.
Gjatë një fjalimi në Paris në vitin 1950, Robert Shuman, ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme i Francës, prezantoi idenë e tij për një forme të re të bashkëpunimit politik në Europë, e cila luftërat mes popujve të Europës do t’i bënte të paimagjinueshme.
Më 9 maj 1950 u bë lëvizja e parë drejt krijimit të asaj, që sot njihet me emrin Bashkimi Europian. Atë ditë në Paris, ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, lexoi para gazetarëve nga e gjithë bota një deklaratë, që i bënte thirrje Francës, Gjermanisë, Belgjikës, Holandës dhe vendeve të tjera europiane, të bashkonin prodhimin e qymyrit dhe çelikut si “themeli i parë konkret i një federate të ardhshme evropiane”.
Ai propozoi krijimin e një institucioni europian mbikombëtar, i ngarkuar me administrimin e industrisë së qymyrit dhe çelikut, pikërisht sektori që në atë kohë ishte baza e gjithë fuqisë ushtarake. Për këtë arsye, gjatë Samitit të Milanos, në vitin 1985, udhëheqësit e BE-së vendosën ta festojnë 9 Majin si “Dita e Europës”.
Aspirata e Shqipërisë për t’iu bashkuar Europës mori jetë që nga fillimi i viteve ’90, menjëherë pas shembjes së regjimit komunist. Është mjaft domethënës fakti që për shqiptarët, ideja e ndryshimit u njësua me bashkimin në familjen e madhe evropiane. Rruga e vetme për t’u ndarë nga izolimin tragjik dhe prapambetjen e thellë ekonomike, u njësua me integrimin europian, përmes ndërtimit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut.
Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Bashkimin Europian në vitin 1990, të dy palët nënshkruan Marrëveshjen për Tregtinë dhe Bashkëpunimin në vitin 1992, e cila konkretizoi për herë të parë përpjekjet shqiptare për afrim dhe ndihmë nga Bashkimi Europian./ atsh / KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Teatri Kombëtar do të ndërtohet ashtu siç është projektuar dhe siç jemi zotuar.
Deklarata e kryeministrit u bë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministren e Kulturës, Elva Margariti për nisjen e Javëve Kulturore Ndërkombëtare.
“Për fat të keq u bënë tani 3 vite që bëjmë plane dhe kemi projekte për të realizuar, ndërkohë vendi përballet me ndërhyrje masivisht të forta faktorësh, jashtë nesh, fatkeqësisht të mëdhenj, si tërmeti, pandemia apo lufta që ka nisur në Ukrainë, e cila faktikisht ka goditur shumë në aspektin e rritjes së çmimeve në tërësi dhe rritjes së çmimeve të materialeve të ndërtimit në veçanti”, tha Rama.
Kryeministri bëri të ditur se është duke u diskutuar për të ndryshuar manualin teknik të çmimeve të punimeve të ndërtimit pasi kompanitë nuk shohin interes për të marrë pjesë në garat për investime publike.
“Jemi duke diskutuar pikërisht këtë fakt që ka pasur një ndikim jo të vogël në industrinë e ndërtimit. Nuk ka asnjë ndryshim sa i përket projektit të Teatrit dhe se i gjithë problemi qëndron te ky moment i vështirë i kalimit nga letra në realitetin e zbatimit për shkak të rritjes së çmimeve dhe jemi duke rishikuar manualin që kemi për këtë qëllim, sepse është e kotë që me manualin ekzistues tu kërkosh kompanive të marrin pjesë nëpër gara, apo që të mund të zhvillojnë investime në funksion të interesit publik, të cilat janë de fakto shumë më të shtrenja se sa figurojnë në manualin e vjetër. Po merremi me këtë çështje dhe besoj do të gjejmë në zgjidhje. Dhe Teatri Kombëtar do të ndërtohet ashtu siç është projektuar dhe siç jemi zotuar. Por si e kam thënë edhe herë të tjera, jo të gjitha planet mund të zbatohen sipas afateve të parashikuara, kur midis teje dhe afateve futen ngjarje që as mund të parashikohet as mund të evitohet”, deklaroi Rama. /atsh / KultPlus.com
Shtatëdhjetë e tetë vjet më parë, në të premten e zezë të 7 Prillit 1939, Shqipëria u sulmua në mënyrën më të pabesë nga Italia Fashiste.
Trupat italiane komandoheshin nga gjenerali Alfredo Guzzoni, i cili kishte të gatshme një ushtri prej 40 mijë vetash dhe armatime të shumta. Mëngjesi i 7 Prillit të vitit 1939, shënoi aktin e sulmit ushtarak të Italisë kundër Shqipërisë. Luftime të përgjakshme u regjistruan në Durrës, por edhe në Shëngjin, Vlorë e Sarandë. Në Durrës trupat italiane u pritën me zjarr nga Mujo Ulqinaku, kapter i marinës dhe nga major Abaz Kupi. Pas disa orësh rezistence e luftimi, qyteti i Durrësit u pushtua.
Shqipëria, si gjithë vendet e tjera, do kalonte nga kalvari i Luftës Botërore, por kundërshtimi i pushtimit që në ditët e para do ta radhiste në Aleancën e Madhe Antifashiste, dhe kjo gjë mbetet një nga vlerat më të pamohueshme në historinë tonë moderne. / KultPlus.com
Shqipëria do të marrë pjesë sot në forumin New Deal Europe në Londër, Britani e Madhe, ku janë prezentë turoperatorët britanikë, amerikanë dhe evropianë.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
“Mirëmëngjes me një lajm të mirë për pjesëmarrjen e Shqipërisë në forumin e New Deal Europe në Londër ku janë prezentë turoperatorët britanikë, amerikanë dhe evropianë. New Deal Europe është platforma e tregut të udhëtimeve dedikuar destinacioneve turistike në rritje e ku do të prezantohet më e mira e Shqipërisë për këtë sezon turistik”, theksoi Kumbaro.
Në këtë forum turoperatorët britanikë, amerikanë dhe evropianë do të njihen me destinacionet turistike të Shqipërisë.
Si një destinacion turistik i njohur për shumë turistë nga shumë vende të botës, Shqipëria gjithnjë e më shumë po bën për vete turistë dhe vizitorë të huaj, të cilët rezervojnë udhëtime turistike në qytete të ndryshme të Shqipërisë përgjatë sezonit veror dhe dimëror. / atsh / KultPlus.com
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Blendi Çuçi ka thënë se para sezonës së verës së ardhshme qarkullimi mes Kosovës dhe Shqipërisë do të bëhet pa ndalesë në kufi.
Çuçi tha se kanë rënë dakord me homologun e tij Sveçla që të vendosin një sistem kamerash në kufi dhe makinat të qarkullojnë pa ndaluar fare, raporton gazeta express.
“Nga ana tjetër, nuk është pjesë e marrëveshjes por me kërkesë të kryeministrit të Shqipërisë dhe Kosovës, kemi marrë masat dhe nuk do të presim sezonin e verës sidomos në pikën kryesore të kalimit mes vendeve tona, kemi rënë dakord me ministrin e Brendshëm të Kosovës që do të vëmë një sistem kamerash në kufi dhe qarkullimi do të bëhet pa ndalim dhe kamerat do të regjistrojnë çdo gjë përsa i përket identit të makinës që kalon përmes leximit të targës dhe çdo gjë do të jetë automatike pa pasur nevojë fare të ndalojë në kufi. Kemi bërë edhe planin e punës dhe do të jetë shumë më shpejt sesa fillimi i sezonës”, tha ai.
Ai poashtu tha se gjatë fundjavës së festave të nëntorit s’do të ketë kontrolla në kufirin Kosovë-Shqipëri.
“Kemi dhënë porosi që të mos ketë kontrolle dhe asnjë pengesë në qarkullim gjatë festës së 28 nëntorit. Besoj se jemi në rrugë të mbarë për të përjetuar një lehtësi qarkullimi pa e kuptuar se ne jemi dy shtete të ndryshme”, tha ai.
Muzeu Historik Kombëtar në Shqipëri, në kuadër të këtij muaji, ka publikuar në faqen e tij një nga kryeveprat e artit antik në Shqipëri, transmeton KultPlus.
MHK shprehet se Dea është e ekspozuar që nga 1981 në këtë institucion. “Koka e Apollonit ose e njohur si Dea, një nga kryeveprat e artit antik në Shqipëri gjendet e ekspozuar, që nga viti 1981 në Muzeun Historik Kombëtar.
Mermer, lartësia 50 cm, Butrint, gjysma e parë e shekullit IV p. Kr.”, shkruan muzeu që ka publikuar dhe foton e Deas. Muzeu Historik Kombëtar, i ndodhur në zemër të Tiranës, fton vizitorët, vendas apo të huaj, që kërkojnë të njohin më shumë nga historia e Shqipërisë, që të mos ngurojnë t’i drejtohen dyerve të tij.
Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981 dhe është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri. I ndërtuar në pjesën perëndimore të sheshit “Skënderbej”, godina e MHK është një nga veprat e rëndësishme arkitektonike me rol të veçantë në formimin urbanistik të kryeqytetit shqiptar. MHK ka disa pavione.
Në pavionin e lashtësisë që është ndër më të pasurit në MHK, janë ekspozuar edhe objekte që i përkasin periudhës së mesjetës së hershme. Objektet e paraqitura në vitrinat e tjera i përkasin periudhës së bronzit dhe asaj të hekurit.
Objekte të tjera me interes janë mozaiku “Bukuroshja e Durrësit” (shek. IV para Kr.), pamja antropomorfe e lumit Vjosa (shek. III-II para Kr.), koka e Artemisës (shek. III para Kr.), portreti i një burri në gur gëlqeror (shek. V pas Kr.) dhe objektet e varrit monumental të Selcës së Poshtme, Pogradec (shek. III para Kr.).
Muzeu Historik Kombëtar me aktivitetin e tij synon të nxisë mirëkuptimin dhe vlerësimin e historisë së Shqipërisë tek publiku vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të inkurajojë dialogun midis qytetarëve, mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare. / KultPlus.com
Sezoni turistik veror erdhi këtë vit me rritje çmimesh për shumicën e bregdetit shqiptar. Tur-operatorët dhe vetë strukturat akomoduese raportojnë rritje mes 10-40% nga Jugu në Veri. Për ata që duan pushime ekonomike, plazhet e Adriatikut janë alternativat më të lira me Velipojën dhe Shëngjinin. Durrësi është për të gjithë, nga më ekonomikët tek më luksozët, kurse Jugu me çmimet më të kripura në të gjithë vijën. Qeparoi është varianti më i lirë në Jon, kurse Palasa, Dhërmiu e Jali më të shtrenjtat. Në disa prej tyre, çmimi i një shezloni është sa çmimi i një nate në hotel. Saranda dhe Durrësi janë dy qytetet me frekuentimin më të lartë, kurse Himara e Vlora mbeten në nivelet e një viti më parë. Pas një viti pushim, rizgjohet edhe industria e argëtimit dhe bregdeti “vlon” nga koncertet. Pavarësisht rigjallërimit të përgjithshëm të turizmit, operatorët e hotelerisë vërejnë se pushuesit kanë shkurtuar kohën e qëndrimit dhe kanë reduktuar shpenzimet.
Nga Nertila Maho
Suada dhe Enea vendosën që pushimet e tyre t’i kalonin në Sarandë, por për rezervimin nuk u kujdesën vetë. Ua lanë në dorë një agjencie, e cila u llogariti se për 7 net do të paguanin 630 euro në një hotel me tre yje, i cili do të kishte të përfshirë mëngjesin dhe shezlonet. Deri këtu gjithçka dukej për bukuri për çiftin që me vete kishin edhe një fëmijë të vogël.
Surprizat në fakt nisën sapo mbërritën në hotel. Në recepsion u konfirmohet se nuk kanë rezervim në emrin e tyre dhe se nuk kanë as dhoma bosh. Pas kontaktit me agjencinë, hoteli konfirmon se paska një rezervim (pagesa nga hoteli ishte kërkuar që të bëhej cash, pasi nuk duhet të deklarohej në bankë). Më pas, problem ishte gjetja e dhomës e kështu vazhduan peripecitë deri në akomodim e ato ditë qëndrim.
Ky është vetëm një episod ndër mijëra që pushuesit hasin çdo ditë në hotelet shqiptare. Rastet e mira në industrinë e “mikpritjes” janë të shumta, ashtu sikurse janë të pafundme edhe ato që lënë shijen e hidhur me pushues që kthehen nga pushimet me betimin “se këtu nuk do të pushoj më”. Turizmi vendas, edhe pse po rritet vit pas viti, vazhdon të vuajë nga mungesa të theksuara të cilësisë së shërbimit dhe duket se pandemia e COVID-19 e ka përkeqësuar situatën duke bërë hapa pas. Në një pjesë të hoteleve, stafet dikur të trajnuar tashmë janë larguar dhe hapja e sezonit është sajuar me aq sa ka qenë e mundur. Ecuria e dobët e vitit 2020 kur turizmi u bë nën kufizime dhe e mbajtën gjallë vetëm vendasit dhe turistët e Kosovës bëri që në vitin aktual të mos kishte angazhim për investime.
Tur-operatotët raportojnë se në një pjesë të mirë, hotelet e vogla janë lënë pa investime për shkak të mundësisë së ulët financiare, pasigurisë se çfarë do të ndodhte edhe këtë vit me turizmin, ndërkohë që ajo që është zgjuar këtë vit ka qenë qiradhënia. Jo të pakta kanë qenë rastet kur struktura, që deri dje janë menaxhuar nga pronarët e objekteve apo nga operatorë që kishin disa vite përvojë në sektor, sot janë kaluar me qira te të tjerë që janë të rinj në aktivitet. Por cilat janë disa nga tendencat që po përkufizojnë këtë sezon veror nga Jugu në Veri sa u takon çmimeve, plazheve dhe shërbimit?
Hotelet “zhdukin” ofertat, plazhet më të shtrenjta dhe më të lira nga Jugu në Veri
Një vit më parë, thuajse të gjithë hotelet, sidomos ata me kapacitet të lartë, por jo vetëm, u fokusuan tek ofertat si një mënyrë për të tërhequr turistët pranë tyre. Durrësi “luftoi” fort me paketat “all inclusive” (të gjitha të përfshira) të cilat tërhoqën jo pak turistët e Kosovës përgjatë gjithë sezonit në qëndrime fundjavash 2-3 ditë.
Po kështu, edhe për qëndrime javore kryesisht në korrik dhe gusht. Një pjesë e hoteleve, nga ana tjetër, zgjodhën “half board” (fjetje dhe dy vakte) që sërish u pa me interes nga ana e turistëve. Për hotelet në Vlorë nuk munguan ofertat e fundjavave me dy net dhe tre ditë me mëngjes të përfshirë, si dhe (shampanjë apo verë) duke synuar tërheqjen e klientelës. Të gjitha këto mblidheshin në paketa ekonomike prej 150 eurosh për dy persona.
Krejt e kundërta po vihet re në këtë sezon. Ofertat kanë qenë të limituara vetëm gjatë qershorit kur ende sezoni kishte një ecuri jo dhe aq dinamike, ndërkohë që çmimet janë kthyer pak shumë në nivelet e vitit 2019 (një vit normal ky për turizmin) ose në nivele afër me to. Tur-operatorët raportojnë se rritja e çmimeve në raport me vitin e pandemisë po shihet si një mundësi e strukturave për të rikuperuar disi humbjet e vitit të shkuar. Por cilët janë plazhet më të lira dhe më të shtrenjta në vend.
“Monitor” ka përpunuar mesataren e poshtme dhe të sipërme të çmimeve për një pjesë të mirë të bregdetit nga Jugu në Veri sipas bisedave me tur-operatorët, përfaqësues të strukturave akomoduese apo njoftime të vetë hoteleve në rrjetet e tyre sociale, për të dalë në disa përfundime.
Veriu, më ekonomiku Kështu Veriu i Shqipërisë vazhdon të mbetet pjesa më ekonomike, nëse do të kalosh pushimet verore. Një dhomë hoteli me kushtet elementare, për dy persona, mund ta gjesh për 20 euro/natë në Velipojë dhe Shëngjin.
Sigurisht këto dy pika ofrojnë edhe hotele më të shtrenjtë se kaq, për ata që duan disa shërbime ekstra si pishina apo arredim më të detajuar, që luhaten në 70-80 euro/natë.
Shezloni kushton mesatarisht 300-500 lekë, ndërsa te Rana e Hedhun në Shëngjin arrin në 1,000 lekë.
Durrësi, me më shumë alternativa Më pas, Durrësi është plazhi me më shumë alternativa dhe mundësi. Ky i fundit ofron si pjesën ekonomike ashtu edhe atë mesatare apo luksoze, me disa struktura akomoduese me kapacitet të lartë. Në Durrës mund të gjesh hotele me 25 euro/nata, ndërsa në strukturat akomoduese që janë ndërtuar së fundmi, çmimi arrin në 120 euro/nata. Edhe alternativat për shezlonin janë të shumta, nga 300 -1200 lekë.
Jugu më i shtrenjti, deri në 280 euro/nata Në Jug të vendit, Vlora dhe Qeparoi ofrojnë alternativa akomodimi të mesatares së poshtme të çmimeve prej 35 eurosh (dhe maksimumi 150 euro), duke u bërë plazhet më të lira ndërkohë që Dhërmiu, Palasa, Jali apo dhe Saranda me disa struktura këtë vit janë plazhet me çmimet mesatare më të larta se pjesa tjetër e bregdetit.
Kjo sigurisht ka të bëjë edhe me tipologjinë që kanë hotelet specifike, ku një pjesë janë vila dhe nuk jepen me dhoma.
Në Himarë mund të gjesh hotele nga 40 në 100 euro nata dhe shezlonë deri në 1,500 lekë në ditë. Në Dhërmi, një hotel kushton mesatarisht nga 80 euro në 150 euro, ndërsa për shezlonin duhet të paguash midis 1000-2000 lekë. Më të shtrenjtat janë Jali dhe Palasa, që arrijnë në 280 euro/nata dhe shezloni 50 euro në ditë.
Rikthehen koncertet, por ankesa për orarin e muzikës Ndryshe nga një vit më parë, kur grumbullimet nuk lejoheshin për shkak të pandemisë dhe pas orës 22:00 nuk lejohej muzika, vera 2021 i gjeti shqiptarët disi më të shkujdesur, por jo tërësisht pa kufizime. Orari për muzikën u zgjat deri në orën 23:00, ora policore nuk zbatohet në zonat turistike, ndërkohë që ka nisur organizmi i eventeve nga strukturat akomoduese. Thuajse të gjithë hotelet përgjatë bregdetit kanë përfshirë në mbrëmjet e tyre verore këngëtarë apo muzikë live, duke e rizgjuar biznesin që flinte prej më shumë se një viti.
Në rrjetet sociale mund të gjesh lehtësisht njoftimet për këngëtarët e ftuar nga secila strukturë, por gjithçka duhet të mbyllet në orën 23:00. Moslejimi i muzikës pas kësaj ore ka krijuar jo pak pakënaqësi tek hotelet dhe restorantet dhe përplasja më evidente këtë sezon ishte në Vlorë, ku bizneset në Lungomare ulën qepenat në formë proteste. Kjo u shoqërua edhe me përplasje me policinë. Nga ana tjetër, kjo e fundit ka vijuar me vendosjen e gjobave për rastet kur nuk respektohet orari.
Shtrenjtohen paketat turistike, Shqipëria atraktive për ata që s’duan masa anti-Covid Që në fillim të sezonit veror, turistët shqiptarë dhe të huaj, kanë vizituar Shqipërinë, nga Veriu në Jug. Por, javët e fundit raportohet një rritje e lehtë e çmimeve. Sipas drejtuesit të një prej agjencive më të vjetra në vend, Union Travel, rritja e çmimeve ka ndodhur për disa arsye.
“Sezoni veror nisi me plotësim të kapaciteteve, si në bregdet apo edhe në mal e juglindje. Natyrisht, Shqipëria ka më primare plazhin dhe bregdeti është më i frekuentuar që në fillim të sezonit. Arsyeja kryesore që ka nxitur rritjen e çmimeve lidhet me faktin se, në Shqipëri, masat anti-Covid janë thuajse inekzistente dhe kjo e bën këtë vend atraktiv për të gjithë ata që duan pushime të lira nga rregullat. Përveç mbylljes së aktivitetit pas orës 24:00, këtu nuk ka asnjë masë tjetër të parashikuar. Kjo e bën Shqipërinë edhe më tërheqëse për turistët e huaj. Duke qenë më atraktive, kërkesa është më e lartë dhe kjo ka rritur çmimet këtë sezon” – thotë z. Sokol Dodbiba, drejtuesi i Union Travel.
Ai shton se, nuk kanë munguar turistë të huaj këtë vit, të cilët kanë qenë kryesisht nga Bjellorusia, Polonia e Armenia. Ndërsa shqiptarët e Kosovës kanë zgjedhur më tepër Malin e Zi, sipas tij.
Dodbiba shton se, muaji gusht pritet të ketë sërish çmime të larta, deri në fillim të shtatorit, duke qenë se konsiderohet historikisht si piku i sezonit, me më shumë kërkesa.
Më herët “Monitor” ka raportuar se, shumë bare në kryeqytet e bregdet kanë rritur çmimet e kafesë. Të njëjtën tendencë po shënojnë dhe çmimet në restorante. Rritja nuk është vetëm në jug, por në gjithë vendin. Tendenca konfirmohet nga Indeksi i Çmimeve të Konsumit, që publikohet nga INSTAT, sipas të cilit ndryshimi vjetor i Indeksit të Çmimeve të Konsumit Kafe – Restorante (catering) ishte 1.3% në maj dhe qershor, rritja më e lartë që nga janari 2017, kur raportohen të dhënat. Deri në fund të 2020-s, çmimet në bare e restorante ishin më të qëndrueshme, ndërsa ishin në tendencë rënëse në gjysmën e dytë të 2020-s. /Monitor/KultPlus.com
Artistja e mirënjohur Elina Duni, e cila jeton në Zvicër, do të interpretojë sot në mbrëmje në një koncert në “Pepperon the Beach”, Dhërmi.
Këngëtarja shqiptare e xhazit, e cila kombinon këngët tradicionale folklorike shqiptare me jazzin, do të interpretojë me Rob Luftin, Gent Rushin dhe Viktor Filipovskin.
Më herët Elina dhe grupi i saj prej 30 korrikut deri më 2 gusht performoi në Maqedoninë e Veriut.
“De Saussure” ishte shkolla artistike ku Duni zbuloi jazz-in dhe e gjeti veten në këtë rrymë muzikore. / KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare më famë botërore, Dua Lipa, është duke shijuar pushimet në bregdetin shqiptar së bashku me familje, përcjellë KultPlus.
Dua është mjaftë aktive në rrjete sociale, ku vazhdimisht publikon fotografi e video nga jeta e saj e përditshme. Së fundmi, ajo ka treguar se në Shqipëri po qëndron në hotelin ‘Kep Merli’.
Ajo në InstaStory ka publikuar disa fotografi me mbishkrimin: “Vendi më i ëndërruar në botë, kalova çdo ditë këtu në bregdetin e Shqipërisë dhe unë kurrë nuk dua të largohem”. / KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, gjatë ditës së djeshme ka arritur në Shqipëri.
Ajo është takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën dhe me kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ku edhe ka pranuar dhurata simbolike.
Në një konferencë të mbajtur për media, Dua u shpreh se është e lumtur që gjendet pas pesë vitesh sërish në Tiranë, transmeton KultPlus.
“Mburrem shumë që e kam mundësinë të jem këtu sot, të ndihmoj në çfarëdo lloj mënyre të mundem jo vetëm me këtë kopsht edhe më tej. Për një komunitet që më ka dhënë shumë, për krejt shqiptarët përreth botës që më kanë suportu, kjo është një mënyrë e vogël çfarë mund të bej kështu që shumë faleminderit për suportin!”, tha ajo.
E njëjta, nuk e përjashtoi mundësinë e të bërit një kënge në gjuhën shqipe kur u pyet nga gazetarët rreth kësaj.
“E kam menduar atë gjë. Ndoshta një këngë të vjetër shqiptare. Duhet të punoj ende nëse ka mundësi të bashkoj diçka që është edhe moderne edhe tradicionale shqiptare”, tha Lipa në konferencën për media.
E njëjta vazhdoi të theksojë se si di shumë këngë në gjuhën shqipe që do të donte t’i këndonte ‘cover’, duke shtuar se synon ta ndryshojë stigmën e njerëzve nëpër botë ndaj shqiptarëve.
“Unë kam shumë këngë në gjuhën shqipe që i dua. Do kisha qejf të bëja një Cover, që ti dëgjojnë shumë njerëz. Nuk e di a jam mjaft e aftë të shkruaj këngë shqip. E kam ëndërr të madhe edhe të ndryshojmë stigmën ndaj Kosovës edhe Shqipërisë, edhe neve si shqiptarë. Ta shohin njerëzit nëpër botë që jemi kreativ, punojmë fort dhe ka të rinj”, tregoi 25-vjeçarja.
Në pikën kufitare të Vërmicës janë krijuar kolona të gjata.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në dalje të Kosovës janë krijuar kolona deri në 150 metra, transmeton KultPlus.
Si duket kosovarë ia kanë mësyer edhe këtë vikend pushimeve në Shqipëri.
Kujtojmë se vetëm në fillim të muajit qershor në pikën kufitare të Vërmicës u regjistruan mbi 30 mijë pushues nga Kosova që iu drejtuan bregdetit shqiptar. / KultPlus.com
Në kuadër të Muajit të Muzikës, ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti ka kujtuar këngëtaren e madhe Nexhmije Pagarusha.
Ajo shprehet se në këtë muaj të muzikës, kujtojmë bilbilin e Kosovës, këngëtaren Nexhmije Pagarusha”.
Veprimtaria muzikore tepër e gjerë që ka interpretuar në periudhën 40-vjeçare të karrierës së saj e bëjnë tepër të vështirë që kjo artiste të përcaktohet si lëvruese e një rryme të caktuar muzikore, pikërisht nga larmishmëria e rrymave.
Nexhmija për më tepër e bëri muzikën popullore shqiptare të kalonte në një tjetër nivel dhe të kthehej në një pasuri të madhe shpirtërore. Nuk janë të pakta këngët e saj që vazhdojnë të riprodhohen nga brezat e rinj të këngëtarëve. Shpeshherë suksesi i këtyre të fundit është i garantuar vetëm prej reputacionit që ka marrë vetë kënga, duke u kënduar më parë nga Nexhmija.
Në Opera nga Puçini, Verdi por edhe nga Bethoven, por edhe në kinematografi ka punuar dhe ka arritur suksese të padiskutueshme. Mendohet se Nexhmije Pagarusha ka interpretuar mbi 150 këngë nga të cilat shumë pak ekzistojnë si të regjistruara. Ky fakt mund të konsiderohet si një fatkeqësi që nuk e disponojmë të gjithë këtë repertor të mrekullueshëm.
Gjithsesi pavarësisht se në vitin 1984 ajo u tërhoq përfundimisht nga skena, na ka lënë thesare të rralla si Baresha, E dehur jam, Ani more nuse, Mora testin, Kur më shkon si zog n’hava, Kur më del në derë, Ke selvitë, Ç’u ngrit lulja në mëngjes, Çil njat zemër plot kujtime, Zambaku i Prizrenit, Dallëndyshe, Një lule etj. /atsh/ KultPlus.com
Dhoma e Biznesit e Diasporës Shqiptare në partneritet me Shoqatën e Kultivuesve Italianë (AIC) organizoi këtë fundjavë vizitën në terren të ekspertit Arbëresh në kultivimin dhe prodhimin e vajit të ullirit Salvatore Armentano.
Vizita e z. Armentano me qëllim trajnimin dhe këshillimin e kultivuesve vendas u zhvilluan në kuadër të zbatimit Projekti “Angazhimi i Diasporës në transferimin e njohurive bujqësore në Shqipëri”, i financuar nga IOM me mbështetjen e AICS.
Salvatore Armentano vizitoi dy subjekte shqiptare të prodhimit të vajit të ullirit, “Subashi Olive Oil” në Marikaj të Tiranës dhe “Musa Olive Oil” në Skroftinë të Vlorës ku u njoh nga afër plantacionet e pemëve të ullirit, terrenin, teknologjinë e aplikuar në përpunim dhe kushtet e ruajtjes dhe tregtimit. Z. Armentano dhe prodhuesit shqiptarë që e shoqëruan shkëmbyen praktikat më të mira dhe teknikat e prodhimit të vajit të ullirit, përdorimin e pesticideve biologjike, metodat e krasitjes së pemëve, mjetet për korrjen e frutave të ullirit, rëndësinë e çertifikimit për eksport, teknikat novatore të marketingut si edhe rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së pemëve të ullirit etj./ KultPlus.com
Marielle dhe Blanche janë vajza zvicerane turiste të cilat kanë vendosur që të shëtisin botën. Shqipëria ishte një nga destinacionet e tyre ku janë mahnitur nga bukuritë e rivierës shqiptare dhe historisë së saj.
“Bregdeti shqiptar ka shumë surpriza për ne”, thonë ato në një nga postimet tyre. Me makinën e tyre rulot ata kanë vizituar Ksamilin, Urën e Kadiut në Bënjë, Lixhat e Bënjës, kanë shijuar ushqimin shqiptar në Gjirokastër, Porto Palermon, Gjipenë, Dhërmiun, Zvërnecin, Kalanë e Bashtovës, për tu përfunduar udhëtimin e tyre në Durrës për tu larguar nga vendi.
“Një vend parajsë! Nëse vini këtu, mos bëni si ne, mos harroni maskat. Spektakli nën ujë duhet të jetë dhe më i mrekulluehëm se jashtë. Një këshillë tjetër, nëse keni një automjet 4×4 mos hezitoni të zbrisni me makinë! Vendi është madhështor!”, shkruajnë vajzat në një tjetër postim.
Udhëtimi i tyre do të vijojë më pas drejt Amerikës./ KultPlus.com
Ermal Meta, këngëtari me orgigjinë shqiptare që ka korrur një sukses të madh në Itali, do të realizojë një turne në Shqipëri.
Në një intervistë për mediat italiane, Meta tregon se pas muajsh të tëra shkëputje për shkak të pandemisë, ka planifikuar t’i rikthehet skenës me turin e tij të parë muzikor.
Një nga ndalesat e këtij turi do të jetë edhe Tirana, ku më 29 korrik, siç tregon dhe vetë Meta, ai do të jetë në Stadiumin Air Albania në Tiranë.
Teksa flet për Shqipërinë, Meta kujton edhe herën e parë që ka kënduar në vendin e tij të origjinës. Ai shton se për herë të parë ka kënduar në Tiranë në vitin 2018, dhe se ka përjetuar mjaft e mocione.
“Më 29 korrik do të jem në Stadiumin Air Albania në Tiranë. Kanë kaluar 30 vjet që kur regjimi komunist ka rënë dhe ne menduam ta festonim me muzikë. Unë jam italian dhe shqiptar dhe kam zgjedhur të bëj një koncert për nder të njerëzve nga vendi ku vij, të cilët arritën të fitojnë lirinë. Kanë ndodhur shumë gjëra vitet e fundit dhe lidhja midis Italisë dhe Shqipërisë, dy vende të ndara nga vetëm 70 kilometra det, është e me të vërtetë e bukur.
Më 5 shtator unë luaj në Taormina, në Teatrin Antik. Doja të trajtoja turneun si një ngjarje unike, për të dëgjuar këngët e mia drejtpërdrejt. Mezi po pres. Ne gjithashtu do të ofrojmë një transmetim të drejtpërdrejtë, për të qenë në gjendje të shohim koncertin nga ekrani edhe kur të gjendeni në shtëpi.
Ishte emocion i pastër. Hera e parë që mbajta një koncert në Tiranë ishte në vitin 2018 në sheshin Skënderbej, kushtuar një heroi kombëtar shumë të dashur për vendin. Mendova se sa ndryshe ishte të kthehesha në një vend nga ku ika kur isha 13 vjeç. Dhe u ktheva “i madh” duke bërë punën që dua. Pastaj përsëri në vitin 2019 në Pallatin e Kongreseve,”, thotë Ermal Meta./ KultPlus.com