Drejtori i Muzeut të Krujës: 30 mijë turistë nga janari deri tani

Muzeu Historik dhe Etnografik i Krujës pritën një numër të lartë lartë vizitorësh vendas e të huaj gjatë 2022.

Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në se “në muajt janar-korrik muzeu pati një numër të lartë vizitorësh, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në gati 7 muaj dy muzetë u vizituan nga 30 mijë vizitorë, 40% më shumë se në 2021-shin”.

Sipas tij, turistët e huaj janë polakë, spanjollë, izraelitë, francezë, amerikanë, egjiptianë, danezë, suedezë, etj.

“Këtë vit vihet re një rritje e konsiderueshme e turistëve spanjollë në Muzeun Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë, të cilët bashkë me polakët përbëjnë dhe numrin më të madh të turistëve të huaj, që kanë vizituar muzeun gjatë këtij viti”, shton Hafizi.

Hafizi bën të ditur se “në Muzeun Etnografik vijojnë punimet për  rikonstruksionin dhe do të jetë gati në tetor për të pritur turistët”.

“Konkretisht punimet janë përqendruar në pikturën murale “Oda e nuses”, ku po vijohet me ndërhyrjet konsoliduese si edhe me pastrimin e saj nga kripërat, nxirjet etj”, tha Hafizi.

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së Hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim.

Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muzeu është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është monument kulture i kategorisë I. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara. Plot 90 % e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100 % janë funksionale./ atsh / KultPlus.com

Tuneli i Llogorasë, Rama: Deri në fund të korrikut pritet të hapet më shumë se gjysma

Puna për ndërtimin e tunelit të Llogorasë po vijon me ritme të larta, ku deri në fund të korrikut pritet të hapet më shumë se gjysma.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga puna që po bëhet për ndërtimin e këtij tuneli.

“Mirëmëngjes dhe nga tuneli i Llogarasë, ku punohet me ritme të larta e ku falë formacionit të favorshëm gjeologjik, deri në fund të muajit do të jetë hapur më shumë se gjysma e segmentit, ju uroj një ditë të mbarë”, thekson Rama.

Tuneli i Llogorasë parashikohet të ketë një gjatësi prej afro 6 kilometrash, i cili nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit, deri në urën e Palasës.

Sipas llogaritjeve, duke kaluar përmes tunelit prej 6 km, me një shpejtësi 50-80 km/orë, do të bëjë që kjo rrugë të përshkohet për 7-10 minuta. / KultPlus.com

“Sofra Kolonjare”, destinacion i mikpritjes në mes të një natyre përrallore

Agroturizëm “Sofra Kolonjare” në fshatin Mollas, Ersekë, mes një natyre përrallore me ajër të pastër e gjelbërim pa kufi, është një tjetër destinacion fantastik pushimi dhe relaksi.

Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale foto nga pika agroturistike, teksa u shpreh se “Sofra Kolonjare” është unikale në ndërtim e ngritur e gjitha në 3 kate prej druri nga vetë i zoti i shtëpisë Pëllumb Bilo dhe dy djemtë e tij.

“Me një kuzhinë plot shije nga prodhimet e fermës së familjes, si dhe guidat në shtigje malore me mundësinë për kamping me një panoramë fantastike përballë malit të Gramozit e bëjnë këtë agroturizëm ftues në çdo stinë”, shkruan Rama. / KultPlus.com

UNICEF ngre alarmin për trafikimin e qenieve njerëzore në Shqipëri, “viktima” edhe fëmijët

Trafikimi i qenieve njerëzore, përfshirë fëmijët, vazhdon të jetë shqetësim në Shqipëri, megjithë uljen e numrit të personave të trafikuar dhe shtimin e masave për parandalimin e fenomenit. Sipas ekspertes së UNICEF-it për programin e antitrafikimit, Sonila Pema, në të gjithë vendin janë evidentuar rreth 13 mijë persona të trafikuar ose në rrezik për t’u trafikuar. Kjo ka shtyrë UNICEF-in për të ngritur katër grupe pune me ekspertë në 6 prej qarqeve të vendit, për të identifikuar situatën e trafikimit në Shqipëri.

“Kemi ngritur katër ekipe lëvizëse për identifikimin e viktimave të mundshme apo viktimave të trafikimit në Shqipëri dhe, që nga fillimi deri në momentin që jemi duke folur, përfshirë Shkodrën, janë identifikuar 144 viktima të mundshme apo viktima të trafikimit në Shqipëri”.

Pjesa më e rrezikuar për trafikim janë fëmijët, një pjesë e tyre trafikohen drejt Anglisë apo vendeve të tjera të BE nga vetë prindërit. Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se, vetëm gjatë vitit të kaluar, u regjistruan 109 fëmijë si viktima të mundshme të trafikimit, tre fëmijë të tjerë të trafikuar, ndërsa 67 fëmijë kërkuan azil në vendet e BE.

Këta persona, thotë ekspertja e UNICEF-it për programin e antitrafikimit, Sonila Pema, kalojnë në një proces referimi, në mekanizmin kombëtar të referimit, për të fituar ose jo statusin e viktimës së trafikimit, gjë që u mundëson mbështetje në procesin e riintegrimit.

“Janë rreth 300 persona që kanë marrë mbështetje të drejtpërdrejtë si viktima të mundshme apo viktima të trafikimit. Pa harruar edhe fëmijët e tyre, të cilët janë mbështetur nga shërbimet drejtpërdrejtë. Kjo për të kuptuar që në vend ka organizata, ka edhe institucione shtetërore, që mbështesin dhe japin shërbime për integrimin e tyre”.

Shkodra është një nga 6 qarqet e Shqipërisë ku UNICEF-i po punon për identifikimin e viktimave të trafikimit. Drejtuesja e komitetit rajonal për luftën kundër trafikimit, Majlinda Angoni, thotë se janë një numër strukturash dhe organizatash që po bashkëpunojnë për ndërgjegjësimin e komunitetit si dhe evidentimin e viktimave, ose viktimave të mundshme të trafikimit. Ajo shton se edhe në Qarkun e Shkodrës janë evidentuar raste të trafikimit.

“Që nga viti i kaluar kemi trajtimin e 9 rasteve të viktimave të trafikimit ose viktimave të mundshme të trafikimit që, së bashku me disa organizata joqeveritare, po bëhet trajtimi dhe rehabilitimi i këtyre viktimave. Themi se rastet janë në ulje”.

Për momentin, shton zonja Angoni, shqetësues mbetet situata në dy pikat kufitare me Malin e Zi, ku grumbullohen një numër i madh qytetarësh të komunitetit rom dhe egjyptian, duke krijuar një situatë të rrezikshme për trafikim. Drejtuesja e komunitetit rajonal për luftën kundër trafikimit thotë se janë evidentuar edhe kategoritë e personave të trafikuar ose në rrezik për trafikim.

“Vijnë nga familje me probleme të theksuara jo vetëm ekonomike, vijnë nga martesa të hershme, vijnë nga kushte sociale jo të mira. Pra, që gjithmonë janë në risk për këtë fenomen”.

Sipas ekspertëve të UNICEF-it, vazhdon të jetë shqetësues numri i ulët i trafikantëve të arrestuar dhe dënuar nga drejtësia shqiptare. Ndërkohë, ekspertja për programin antitrafik në UNICEF, Sonila Pema, thotë se kjo organizatë i është drejtuar qeverisë shqiptare me kërkesën për hartimin e një ligji të veçantë për integrimin e viktimave të trafikimit, pasi një ligj i tillë mungon deri tani./VOA / KultPlus.com

Plazhet e zbrazura shkaku i çmimeve, Edi Rama: Është një mësim për bizneset, vetes ia bëjnë

Çmimet e larta në jug të Shqipërisë po bëjnë që numri i turistëve të jetë i vogël dhe plazhet të boshatisen.

I pyetur në lidhje me këtë, kryeministri Edi Rama u shpreh se nëse është e vërtetë, ky do të jetë një mësim për bizneset që abuzojnë me çmimet ndërsa ndodhen në një treg shumë konkurrues, ku kanë afër Turqinë, Greqinë, Malin e Zi e Kroacinë.

Rama gjithashtu u shpreh se Qeveria e tij ka ndryshuar për mirë kartëvizitën e Shqipërisë.

“Nëse ka një problem me çmimet e larta është për tu parë dhe analizuar në fund, jo tani. Nëse dikush vendos çmim të lartë dhe nuk i vjen njeri, dëm vetes së vetë i bën. Nëse në fund do të kemi këtë konstatim, do të jetë një mësim shumë i mirë, në treg konkurrues, duhet menduar mirë para se të vihen çmimet. Po qe kështu, ky do të bëhet një mësim i madh. Mos harrojmë se ku ndodhemi. Ndodhemi mes konkurrentëve të fortë të Mesdheut. Meqë u hap nami i Shqipërisë për të ardhur si një vend me të gjitha magjitë e veta, hajde t’u biem me top çmimeve. Investimet e Qeverisë kanë ndryshuar kartëvizitën e vendit. Në Lungomare nuk kishe ku kaloje se kishte jashtëqitje delesh, dhe në anën tjetër ndërtime pa leje, sot është ndryshe”, tha Rama. / KultPlus.com

epa09044890 Albania Prime Minister Edi Rama during a joint press conference after an EU – Albania Association Council meeting in Brussels, Belgium, 01 March 2021. EPA-EFE/JOHN THYS / POOL

Erëra të fuqishme e shi, boshatisen plazhet në Shqipëri

Moti i keq shoqëruar me shi dhe stuhi ere ka bërë që të boshatisen plazhet në bregdetin e Durrësit, Vlorës, Shëngjinit dhe në Jug të vendit.

Vetëm një ditë më parë plazhet ishin plot, ndërsa sot nuk gjen asnjë person në breg të detit.

Vija bregdetare është zbrazur nga frekuentuesit dhe ngjan si një ditë dimri.

Bizneset private kanë mbyllur plazhet, për shkak se era e fortë nuk ka lejuar zhvillimin e aktivitetit ditor.

Sipas meteorologëve, situata pritet të përmirësohet në orët në vijim. / KultPlus.com

Në Shqipëri zbulohen sasi të mëdha të naftës dhe gazit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se kompania holandeze e derivateve “Shell”, ka zbuluar sasi të mëdha nafte dhe gazi në Shqipëri.

Rama, të martën, ka theksuar se ky zbulim do të ndikojë në të ardhmen e vendit dhe atë energjetike të Evropës.

“Holanda e pranishme në Shqipëri. Ne kemi shumë shpresë se së shpejti mund të ndajmë me opinionin tonë publik, rajonal dhe përtej rajonit, një zbulim shumë të rëndësishëm që kompania holandeze ‘Shell’ po arrin në vendin tonë. Ata hezitojnë për momentin të flasin për shifra. Shenjat tregojnë se mund të jemi pranë një zbulimi shumë të rëndësishëm të gazit dhe naftës në nëntokë, që do të ndikojë të ardhmen e vendit tonë, por edhe do të luajë rol në të ardhmen energjetike të Evropës”, tha Rama.

Ndërkohë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se ky është zbulim i madh.

“Sa i takon energjisë, ‘Shell’ po punon në Shqipëri prej kohësh dhe ne po presim me padurim rezultatin e eksplorimit që do të jetë një zbulim i madh, por pa na dhënë detaje për atë çka presim. Shqipëria do të prodhojë sasi të rëndësishme gazi dhe nafte, e ndarë në 40% gazi dhe nafte 60%”, ka thënë ajo.

Shqipëria ka nxjerr edhe më herët sasi të naftës dhe gazit, por të cilësisë më të ulët që kryesisht përdoret pë ngrohje . /A2news / KultPlus.com

I nxehti afrikan, temperaturat në Shqipëri shkojnë sot deri në 39 gradë

Sipas MeteoAlb:Shqipëria; si pasojë e masave ajrore Afrikane do të jetë sërish në mbiozterimin e motit te kthjellët dhe të nxehtë në gjatë gjithë paradites por orët e pasdites sjellin kalime vranësirash të lehta në bregdet dhe zonat e ulëta por pritet grumbullim i vranësirave ne zonat malore përgjatë kufirit Lindor duke sjellë rrebeshe afat-shkurta shiu.

Gjatë natës do të këtë përmirësim të motit duke bërë që i gjithë territori të jetë i kthjellët.

Temperaturat e ajrit do të ulen lehtë në mëngjes, por mbeten kostante në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 15°C deri në 39°C.

Era do te fryjë mesatarisht me shpejtesi 30 km/h nga drejtimi Jugor duke krijuar ne det dallgëzim 1 – 2 balle. / KultPlus.com

Muaji qershor shpallet si “Muaji i Muzikës” në Shqipëri

Në kuadër të 21 Qershorit, “Ditës Botërore të Muzikës”, Ministria e Kulturës në Shqipëri ka shpallur muajin qershor si “Muajin e Muzikës”.

Në Muzeun Historik Kombëtar është këndi kushtuar artistes të shquar Tefta Tashko Koço, që ngjall interes dhe kureshtje të veçantë te vizitorët vendas dhe të huaj.

Tefta Tashko Koço (1910-1947) ka qenë këngëtare e shquar lirike në interpretimin e këngës popullore qytetare mbarëshqiptare. Tefta ishte vajza e patriotit të shquar shqiptar nga Frashëri i Përmetit, Thanas Tashkos, i cili prej vitit 1910 qe vendosur familjarisht në Egjipt. Me vdekjen e Thanas Tashkos më 1915, familja e tij kthehet në Korçë në vitin 1921. Në Korçë janë bërë aktivizimet e para të Teftës si këngëtare dhe data 26 qershor 1926 mbahet si koncerti i saj i parë në publik. Në shtator të vitit 1927, Tefta me gjithë familjen vendosen në Montpellier, Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore, për t’i vazhduar ato më pas në Konservatorin Superior të Parisit me rezultate shumë premtuese.

Në vitin 1930, Tefta bën incizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe”-Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të polifonisë himariote, Neço Mukon. Me përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në atdhe ku më 26 nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare. Pikërisht në këto vite, Tefta futi në programet e saj krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë, si Moxart, Guno, Shubert, Verdi, Donixeti, Pergolezi, Belini, Puçini, Rosini, etj., dhe këngët popullore shqiptare, si pjesë integrale e kulturës muzikore popullore shqiptare. Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali. Njihet tanimë faktet se Tefta Tashko i ka mbledhur një shumicë këngësh direkt nga goja e muzikantë e të shquar popullorë të vendit tonë. Një gjë të tillë e provon edhe pjesëmarrja e Teftës së bashku me këngëtaren tjetër të shquar, Marie Kraja në festivalin e folklorit të mbajtur në Firence.

Në vitin 1945, Tefta këndon në operën e Beogradit me shumë sukses rolin e Mimisë nga opera “Bohemë” e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes” e Rosinit.

Në vitin e fundit të jetës ka qenë vazhdimisht e sëmurë. Vdiq në moshën 37 vjeçare. / KultPlus.com

Gjiri Filikurit, një nga plazhet më të bukura të bregdetit himariot

Kryeministri Edi Rama ndau foto nga Gjiri Filikurit, një nga plazhet më të bukura të bregdetit himariot.

“Gjiri Filikurit, një nga plazhet më të bukura të bregdetit himariot me një kombinim fantastik ngjyrash, të ujit, qiellit dhe gjelbërimit”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.

Gjiri i Filikurit ofron pamje mahnitëse për eksploruesit dhe turistët e aventurës të cilët duan të shijojnë detin e kristaltë mes shkëmbinjve apo shpellave.

Qetësi, diell, e ngjyrat më të kristalta të detit që mund të kërkoni mund të gjenden tek ky gji i izoluar i Himarës, i cili i ka të gjithë elementët për të tërhequr vëmendjen e kujtdo që kërkon një përvojë të bregdetit shqiptar të paprekur nga askush. / atsh / KultPlus.com

Shpella e Kaurit në Pukë, monumenti natyror që befason turistët vendas e të huaj

Shpella e “Kaurit”, 40 km larg qytetit të Pukës, vijon të befasojë me bukurinë dhe misterin e saj, turistët vendas e të huaj.

Ky vendstrehim natyror që të mahnit me misteret e saj është zbuluar nga banorët e trevës, të cilët thyhen heshtjen e misterin që mbarte kjo shpellë, duke provuar të hynin në brendësi të saj e të shuanin kuriozitetin.

Ajo që habit të huajt është fakti se në këtë shpellë, shekuj më parë, banorët katolikë të zonës turreshin të fshiheshin në labirintet e saj për t’i shpëtuar ndërrimit të fesë së tyre duke u kthyer në myslimanë nga pushtuesit turq.

Shpella e Kaurit dikur e panjohur është një objekt me vlera të rralla dhe kohët e fundit ka ngjallur interesimin e shumë studiuesve vizitorëve vendas e të huaj.

Emanuel Pjetri, guidë turistike në Pukë, tha për ATSH-në se “shpella e Kaurrit është një ndër destinacionet e preferuara të turistëve vendas, por sidomos të huajve që kryesisht janë polakë, gjermanë, por edhe nga vende të tjera. Gjatë sezonit veror pothuajse çdo ditë shoqëroj grupe me turistë në këtë shpellë, të cilët mahniten nga pamja që ofron ky vendstrehim shekullor, por edhe me bukuritë e rralla të natyrës që të shoqërojnë deri në vendin ku ndodhet shpella”.

Sipas tij, për të mbërritur tek Shpella e Kaurit, duhet të udhëtosh fillimisht me makinë e më pas me varkat e banorëve të zonës i afrohesh vendit ku gjendet ajo, në buzë të Liqenit të Komanit.

Banorët dhe gojëdhënat thonë se Shpella e Kaurit daton që para lindjes së Krishtit dhe ka pasur si funksion mbrojtjen e malësorëve nga okupatori turk që detyronte malësorët që të ndërronin fe. Që në hyrje të shpellës gjenden shumë gjurmë të krishtërimit me vizatimet murale, ndërsa nuk mungojnë edhe disa prej almisçeve (vegla dhe enë prej guri të përdorura nga banorët e zonës) që e vërtetojnë këtë.

E pozicionuar vetëm 40 km larg qytetit të Pukës, kjo shpellë prej shumë vitesh ka qenë e panjohur për banorët. Ndodhet afër fshatit Lëvrushk, në malin e Kollatës dhe është një monument kulture i denjë për t’u vizituar nga afër. E formuar si shpellë karstike në formacionet e gëlqerorëve të periudhës së trias–jurasit, kjo shpellë është e gjatë 110 m.

Dallohet si një shpellë tipike karstike me stalaktite dhe stalagmite që i japin më tepër bukuri. Shpella e Kaurit ka qenë e banuar që në lashtësinë e hershme. Por edhe më pas, gjatë periudhës bizantine ka gjurmë jete. Kjo shpellë ka qenë një vend ideal për murgjit, të cilët më të qetë dhe më të vetmuar se aty nuk kishin ku të gjenin vend tjetër. Sot ajo tërheq shumë turistë për karakteristikat e saj, si edhe për natyrën që e rrethon. /ATSH/ KultPlus.com

Kur Shqipëria ngriti Bordin kundër abuzimeve, viti 1934

Në tetor të vitit 1930, Ahmet Zogu zgjodhi ta mbajë ndryshe fjalimin e tij vjetor në parlament. Në mesazhin mbretëror drejtuar parlamentit, ai paralajmëronte se një krizë e thellë ekonomike e financiare do ta prekte Shqipërinë. Ky fjalim mbahej në kushtet kur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishte ndodhur ajo që njihej si ‘Rënia e Wall Street’ që solli më vonë, krizën globale që njihet edhe si “Depresioni i Madh”.

Por, ndryshe nga liderët e vendeve të tjera, Zogu në fjalimin e tij, paralajmëronte edhe një ‘krizë brenda krizës’ e që lidhej me ndryshimet klimatike. Parashikimi në mesazhin mbretëror të vitit 1930, do të rezultonte i saktë dhe Shqipëria do të përballej, jo vetëm me pasojat e krizës globale, por edhe me dy vite stinë pa reshje, çka do të sillte probleme me prodhimin bujqësor, e sidomos me prodhimin e misrit, që përbënte edhe bazën ushqimore të popullatës.
Në këtë mënyrë, Shqipëria do të përfshihej në një krizë buke.

Kjo periudhë njihet si krizë mbiprodhimi në shumë vende; pra jo inflacion por deflacion. Produktet bujqësore e industriale u zhvlerësuan në këtë kohë, duke ndikuar direkt në tregtinë e jashtme që u ul ndjeshëm dhe progresivisht në periudhën 1930-1934.

Por duke qenë se në vitet 1929 dhe 1930 u mor një prodhim i pakët misri dhe nga ana tjetër as qeveria nuk kishte planifikuar ende importin e tij për të kompensuar mungesën në tregun vendas, shumë tregtarë që kishin grumbulluar pjesën më të madhe të prodhimit të misrit në treg, e rritën menjëherë çmimin e tij, duke bërë që për këtë produkt të kishte një dalje ‘kundra rrymës’ .

Qeveria u detyrua që në muajt gusht e shtator të vitit 1931 që të importonte misër, por kjo nuk e zgjidhi problematikën edhe për faktin se në këtë periudhë mungonin paratë.

Kartelet e miellit në Shqipërinë e 1932

Përtej mungesës së prodhimit vendas, industria e blojës u prek ndjeshëm nga kriza që shkaktonte diferenca e çmimit mes produktit vendas dhe atij që vinte nga importi. Mielli që vinte nga importi ishte më i lirë.

Tentativa e qeverisë për të forcuar prodhimin vendas përmes vendosjes së një takse mbi importin e drithërave dha efekt të kundërt.

E pas kapërcimit të sfidës që krijoi fillimisht kriza e prodhimit vendas, kompanitë u përfshinë nga një krizë tjetër, ajo e konkurrencës që vinte nga mbiprodhimi i jashtëm. Shumë fabrika dhe mullinj u detyruan që të mbylleshin ose të punonin me ndërprerje duke rënduar edhe më tepër situatën e furnizimit të popullatës me bukë.

Në këto kushte, shumë pronarë fabrikash mielli u bashkua duke krijuar kartele, por që zgjatën pak në kohë. Ashtu si kompanitë e alkoolit në 1930, kompanitë e prodhimit të miellit u bashkuan në vitin 1932 në dy kartele. /Nga Kreshnik KUÇAJ/SCAN / KultPlus.com

Kur ta ktheva Kosovë shpinën, hej e hej more e lash borë e gjeta dimën (VIDEO)

Kur ta ktheva Kosovë shpinën
Hej e hej more e lash borë e gjeta dimën

Porsi uji që del nga gurra
Hej e hej more porsi bora nëpër qurra

Porsi mjalta nëpër hoje
Hej e hej more m’del prej zemre m’thot prej goje

Dridhen telat e sharkisë
Hej e hej more për me i knu përjetë lirisë

Gjetëm shkrete moçale këneta
Hej e hej more lot e gjak o na shkojke jeta

Na nxorr jashtë krajli Serbisë
Hej e hej more sikur sot klysht e tradhtisë

Votrat tona i kemi lanë
Hej e hej se ne Shqypni e kem nji nanë

S’mjafton kanga e sharkisë
Hej e hej more për me i knu gjithmonë Shqypnisë

Dy Shqypni të kem gjithmonë
Hej e hej more dorën në zemër pushkën në dorë./ KultPlus.com



Shqipëria ndalon përdorimin e qeseve plastike nga sot

Nga sot do të ndalohet përdorimi i qeseve plastike në territorin e Republikës së Shqipërisë. Projektligji për ndalimin e qeseve plastike u dërgua në parlament para 2 vitesh duke parashikuar për herë të parë gjoba për bizneset dhe qytetarët.

Pavarësisht afatit të vendosur, ligji u dërgua me vonesë në Kuvend për t’u miratuar dhe data 1 tetor e vitit 2020 u vendos si afati i ri për të zbatimin e nismës, e cila sërish nuk u përmbush.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, nëpërmjet një postimi në Facebook shprehet se nga data 1 qershor do të nisë një epokë e re për vendin.

Nisma për ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshme thekson kryeministri është në favor të mbrojtjes së atdheut dhe të fëmijëve.

Më herët kreu i qeverisë ka sqaruar se nuk do të ketë asnjë lëshim për prodhuesit e qeseve plastike.

Edhe ministrja e mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, thotë se nisma do të kryhet nën një monitorim të rreptë, e për shkelësit ligji parashikon edhe ndëshkime.

“Masa e gjobës shkon nga 500 mijë lekë të reja, pra 5 milionë lekë të vjetra, deri në 1 milion e 500 mijë, ose 15 milionë lekë të vjetra.Por ka edhe masa më të rënda se kaq për shkelësit. Në radhë të parë sekuestrimi i të gjithë mallit që do të gjendet sepse konsiderohet i paligjshëm. Nëse kjo përsëritet do të hiqet licenca e aktivitetit për shkelësit e ligjit”. – shprehet Kumbaro.

Në Shqipëri çdo ditë prodhohen 198 ton mbetje plastike. Edhe sipas të dhënave të Planit Kombëtar për Menaxhimin e Mbetjeve 2010-2025 nga Komisioni Evropian dhe Qeveria shqiptare, në Shqipëri prodhohen 198 tonë në ditë mbetje plastike me densitet të ulët dhe 111 ton në ditë mbetje plastike me densitet të lartë./rel / KultPlus.com

Rama: Radomira, fshati me bukuri të rrallë rrëzë malit Korab

Kryeministri Edi Rama publikoi mbrëmjen e sotme në rrjetet sociale një foto nga fshati Radomirë, i cili është pjesë e 100 fshatrave turistikë.

“Radomirë, fshati me bukuri të rrallë rrëzë malit Korab, pjesë e 100 fshatrave turistikë, rrethuar nga një natyrë përrallore me pyje të dendur e burime ujore, me më të veçantin liqenin e zi”, shkruan Rama.

E vendosur rrëzë malit të Korabit, majës më të lartë në Shqipëri, dhe e rrethuar nga pisha është Radomira magjike.

E pozicionuar në 35 km nga Peshkopia, në malësinë e Dibrës, do të zbuloni një pjesë të gjelbëruar të parajsës me lugina të bukura, maja të larta madhështore dhe përroin e Veleshicës.

Radomira, pjesë e parkut natyror Korab-Koritnik, shënon hyrjen në rrugën turistike që ngjitet drejt malit të Korabit.

Si një nga fshatrat e përfshirë në projektin “100 fshatrat”, që synon rigjallërimin e zonave rurale të vendit, pjesa më e madhe e Radomirës është restauruar dhe pret vizitorë. Fshati ka lënë pa fjalë çdo vizitor, që ka pasur fatin dhe kuriozitetin ta dëshmojë. Një përvojë unike që ndërthur pa probleme si adrenalinën ashtu edhe komoditetin është e garantuar.

Ajri i pastër, burimet e ujit, kullotat dhe pyjet në anët e Korabit përbëjnë burime të çmuara që mund të kontribuojnë në zhvillimin e zonës, duke e kthyer Radomirën në një destinacion turistik gjatë gjithë vitit.

Burimet e ndryshme të ujit përshkojnë fshatin, duke u bërë përfundimisht përroi i Veleshicës, i cili, përgjatë një freskie të përhershme, i shton një zhurmë qetësuese zonës.

Zona ofron shumë monumente të tjera natyrore, si Liqeni i Zi spektakolar ose Shatërvani i Mbretit (Kroi i Mbretit), të ciët duhet të shihen më vete.

Mikpritja dhe besimi përfaqësojnë vlerat kyçe të vendasve të zonës, duke i dhënë vendit një atmosferë të një bote të mëparshme, më të mirë. Motoja e tyre i thotë të gjitha: “Shtëpia i përket Zotit dhe miqve”. Mund të jetë një nga vendet më të mira për të përjetuar mikpritjen e famshme shqiptare.

Radomira dallohet për numrin e lartë të bagëtive, burimi kryesor i të ardhurave për këtë zonë dhe e gjithë kalaja e Dodës që përfshin 7 fshatra të tjerë. Kështu, zona është e njohur për fabrikat e saj që prodhojnë qumësht dhe nënprodukte të tjera të shijshme. Një vizitë këtu do t’ju njohë pa dyshim me një shije të produkteve të freskëta të përgatitura me shumë dashuri nga banorët./ atsh / KultPlus.com

Rama: Nga 1 qershori ndalohen qeset plastike, epokë e re për Shqipërinë

Nga 1 qershori do të ndalohet prodhimi, shitja dhe importi i qeseve plastike për përdorim individual.

Duke u ndalur te kjo nismë e rëndësishme për mbrojtjen e mjedisit, Kryeministri Edi Rama ndau sot përmes rrjeteve sociale një video sensibilizuese mbi ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshe.

“Mirëmëngjes dhe duke ju kujtuar se prej të mërkurës nis një epokë e re për Shqipërinë patriotike, me ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshe në favor të mbrojtjes së atdheut të fëmijëve tanë, ju uroj një javë të mbarë”, u shpreh Rama.

Nisma ligjore i bashkohet lëvizjes globale, dhe vjen në linjë me direktivat e BE-së, ku vende të ndryshme që po marrin masa të ndryshme për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike.

Masat e ndërmarra synojnë reduktimin e plastikës së dëmshme për një mjedis të pastër që ndihmon në zhvillimin e turizmit dhe të ekonomisë së vendit.

Qeveria është e vendosur të ndërmarrë masa që synojnë ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit, me qëllim përmirësimin e parametrave të tij, si faktor i rëndësishëm në nxitjen e turizmit në Shqipëri./atsh / KultPlus.com

98 vjet nga Revolucioni i Qershorit, përplasja politike më përçarëse në Shqipëri

Si sot, më 27 maj 1924, nisi një nga përplasjet politike më përçarëse në Shqipëri, Revolucioni i Qershorit.

Kjo lëvizje që do ta ndante Shqipërinë në dy kahe (nolist dhe zogist), do të merrte shkas nga atentati i Beqir Valterit ndaj Ahmet Zogut, si dhe prej krismave që i morën jetën Avni Rustemit. Të gjendur para kësaj klime politike, mbështetësit e Fan Nolit, të Qazim Koculit dhe të Luigj Gurakuqit, do të përgatiteshin për të krijuar një Komitet Revolucionar duke e nisur revolucionin nga Veriu drejt Tiranës, nga ku kryengritësit do të merrnin kryeqytetin pa shkrehur armë.

Edhe pse kjo ditë përkujtohet si kulmi i kryengritjes, fillesat e saj datojnë që prej 27 dhjetorit 1923, pas fitores së zgjedhjeve parlamentare nga grupi që përfaqësohej prej Zogut. Po ashtu, vrasjet e Adem Gjinishit dhe e Isuf Kazazit, do të rrisnin gradualisht frymën antizogiste në vend.

Më poshtë, fotoja bashkëngjitur është shkrepur në mesin e trazirave në kryeqytet, në ditët e Revolucionit të Qershorit. / KultPlus.com

Shkëmbi i Bardhë i Hoxhajve, bukuri e rrallë e natyrës që nuk duhet lënë pa u vizituar

Tepelena dhe rrethinat e saj janë kthyer në një ndër pikat më tërheqëse për vizitorët vendas dhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Shkëmbi i Bardhë i Hoxhajve në Memaliaj të Tepelenës, i cili është kthyer në një ndër pikat më të vizituara.

“Shkëmbi i Bardhë i Hoxhajve mes një deti të gjelbër në fshatin Buz-Kalemaj në Memaliaj, një bukuri e rrallë e natyrës që nuk duhet lënë pa u vizituar”, theksoi Rama.

Turistët në Memaliaj mund të shijojnë ajrin e pastër, madhështinë e natyrës së egër, njohje të siteve historike, ndërsa të apasionuarit pas adrenalinës kanë mundësi për realizimin e aktiviteteve sportive si Hiking, shëtitje me kuaj, eksplorim të natyrës etj.

Disa nga atraksionet qe mund te vizitoni, janë: Liqeni i Komarit, Shkëmbi i Bardhë etj. Shkëmbi i Bardhëi Hoxhajve, objekt natyror, është rreth 15 m i lartë./ atsh/ KultPlus.com

Alibeaj: Mbetjet e mentalitetit të diktaturës komuniste, kërcënim ndaj partneritetit me SHBA

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj theksoi sot se “në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA ka pasur edhe periudha jo të shëndetshme. Ka pasur edhe ngërçe. Shkak për këto ngërçe kanë qenë kryesisht paaftësia jonë për të kuptuar, ndonjëherë edhe refuzimi për të pranuar, e pastaj për të vënë në jetë në politikën shqiptare, vlerat mbi të cilat funksionon shteti i së drejtës, demokracia dhe fuqia e votës në vendin mik, në SHBA”.

Në fjalën e e tij në takimin e organizuar për 100-vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, Alibeaj tha se “mbetjet e mentalitetit të diktaturës komuniste, pushtetarët e korruptuar, ata që kanë vënë interesin e tyre mbi atë të shqiptarëve kanë qenë dhe mbeten kërcënimi më i madh ndaj partneritetit tonë me SHBA”.

“Edhe sot ka ende të tillë. Ka njerëz që kanë humbur busullën e që duan t’i tregojnë rrugën Amerikës. Kanë humbur rrugën në oborr dhe duan t’ia humbin rrugën edhe Shqipërisë. Nuk do t’ia dalin. Nuk do t’ia dalin sepse kanë kundër shumicën dërrmuese të shqiptarëve dhe historinë e tyre mbi 100-vjeçare”, nënvizoi Alibeaj.

Alibeaj u shpreh se “shqiptarët janë të vetëdijshëm, e po ashtu falënderues, se nga partneriteti me ShBA, të fituarit e mëdhenj janë shqiptarët. Ne e dimë që SHBA e kanë vlerësuar gjithmonë miqësinë shqiptare, dhe shqiptaret jo rastësisht renditen sot si një ndër popujt më proamerikanë. E kjo marrëdhënie e shkëlqyer ka dhënë dhe frutet e veta. Në 100 vite, SHBA u dhanë shqiptarëve 2 shtete të pavarura. Asnjë lëvizje çlirimtare kombëtare shqiptare nuk ka bërë dot sa SHBA për Shqipërinë. SHBA kanë folur, ndihmuar, dhuruar dhe garantuar lirinë shqiptarëve, ngado ku janë, më shumë se të gjitha lëvizjet kombëtare të marra së bashku. Ndër të fundit është mbështetja për anëtarësimin në NATO. E ne shqiptarët i jemi mirënjohës SHBA për këtë mbështetje”.

“Partia Demokratike është sot më e kthjellët se kurrë, se ajo Amerikë që vulosi suksesin e lëvizjes demokratizuese të vendit në fillim të viteve 1990, vetëm besimi te vlerat e demokracisë që ajo përfaqëson, do të mund ta nxjerrin Shqipërinë nga kurthi i politikës së korruptuar dhe të dështuar të tranzicionit”, tha Alibeaj.

Ai u shpreh se “ne duhet, ne mundemi dhe do e nxjerrim Shqipërinë nga tranzicioni politik, korruptiv, kaotik, i tejzgjatur, që po vret përditë shpresat e shqiptarëve, që po largon të rinjtë e intelektualët, që po plak dhe po mpak popullsinë në Shqipëri. Ne do të dalim nga ky tranzicion. Dhe kjo jo vetëm si shpresë. Kjo do të ndodhë. Siç historia ka treguar, kjo do të ndodhë edhe falë mbështetjes së SHBA”. /atsh / KultPlus.com

Margariti: Plani i Menaxhimit të Integruar të Butrintit u konsultua me rreth 80 ekspertë shqiptarë

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti informoi sot se për hartimin e planit të Menaxhimit të Integruar të Butrintit janë konsultuar rreth 80 ekspertë shqiptarë, bashkëpunëtorë, ekspertë nga Instituti i Arkeologjisë, Universiteti i Tiranës, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, etj.

Në një reagim, ministrja Margariti sqaroi se “më 13 qershor 2019 Ministria e Kulturës i ka kërkuar mendim Institutit të Arkeologjisë rreth draftit të PMI të Parkut Kombëtar të Butrintit. Më 11 korrik 2019 Instituti i Arkeologjisë ka depozituar pranë Ministrisë së Kulturës gjithë sugjerimet në lidhje me draft-PMI të Butrintit, të cilat janë reflektuar në draftin e ri. Janë zhvilluar tre dëgjesa publike në periudhën tetor-nëntor 2019. Më 6 prill 2020 PMI i Parkut Kombëtar të Butrintit 2020-2030 është diskutuar dhe miratuar në Këshillin Kombëtar të Menaxhimit të Pasurive Kulturore, firmosur edhe nga një ekspert nga fusha e arkeologjisë”, theksoi Margariti.

Ministrja Margariti sqaroi se “më 7 prill 2020 PMI i Parkut Kombëtar të Butrintit 2020-2030 është diskutuar dhe miratuar në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, firmosur edhe nga IA dhe Departamenti i Trashëgimisë Kulturore në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, UT. Projektligji “Për miratimin e marrëveshjes së administrimit të Parkut Arkeologjik të Butrintit” i është nisur të gjitha ministrive të linjës në datën 15 dhjetor 2021 mes të cilave edhe Ministrisë së Arsimit, në varësi të së cilës është IA”.

“Më 21 dhjetor 2021 Ministria e Arsimit sjell përgjigjen me sugjerimet përkatëse, të cilat u reflektuan në projektligj. Projektligji “Për miratimin e marrëveshjes së administrimit të Parkut Arkeologjik të Butrintit” u miratua në Këshillin e Ministrave në 29 prill 2022″, tha Margariti./ atsh / KultPlus.com

Meta takon nipin e Ismail Qemalit: Kënaqësi të dëgjoja për lidhjen e ngushtë me vendlindjen

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim, Nedim Aleksandër Vlorën, nipin e Atit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe themeluesit të shtetit tonë modern, Ismail Qemali.

Meta u shpreh se ishte kënaqësi të dëgjonte prej tij për lidhjen e ngushtë që ndjente në zemër për vendlindjen e të parëve.

Meta theksoi se ishte “akoma më bukur sesi këtë dashuri të madhe për Shqipërinë ua transmetonte nipërve e mbesës së tij, me kërkesën, që edhe në brezat e ardhshëm të ruhet tradita e trashëgimit të mbiemrit Vlora”.

“Pres me padurim botimin e librit të Nedim Vlorës mbi historinë 1000-vjeçare të familjes Vlora, për t’u njohur edhe me disa dokumente të papublikuara më parë, për Ismail Qemalin”, u shpreh Meta në një postim. /atsh/ KultPlus.com

Rama: Java e Europës, udhëtim plot ngjyra e tinguj të bukur

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama fton qytetarët që t’i bashkohen aktiviteteve të shumta që mbahen në kuadër të Javës së Europës.

Rama shprehet se ky udhëtim plot ngjyra e tinguj të bukur që ka nisur me 3 maj në Shkodër, do të vijojë në Vlorë dhe përfundon më 9 maj në Tiranë.

“Me ftesën për t’iu bashkuar Javës së Europës 2022, në një udhëtim plot ngjyra e tinguj të bukur, i cili nisi me Shkodrën, vijon me Vlorën e ndalet në Tiranë më 9 maj, ju uroj një ditë të bukur”, u shpreh Rama.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka theksuar se në kuadër të Javës së Europës, do të festojmë për trashëgiminë tonë të pasur kulturore dhe vlerat e përbashkëta evropiane.

Sipas saj, pjesë e këtij kalendari janë edhe fëmijët.

Në Pedonalen e Shkodrës një ditë më parë u krijua një  atmosferë fantastike nga Ansambli i Qytetit dhe performanca e talentuar Ea Zoga, ndërsa nuk munguan panairet, shfaqja e filmave dhe diskutimet e shumta për t’u njohur me mënyrën sesi BE dhe shtetet anëtare po mbështesin Shqipërinë në rrugën e saj drejt familjes evropiane.

I pranishëm ishte edhe Alexis Hupin, i Ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri dhe Ambasadorë të Shteteve Anëtare të BE-së që u mirëpritën nga Kryetari i Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia.

“Java e Evropës këtë vit përqendrohet në vlerat e Bashkimit Evropian. Krenarë të rikonfirmojmë vlerat, respektimin e dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, shtetit ligjor, respektimin e të drejtave të njeriut, mosdiskriminimin, solidaritetin, barazinë midis grave burrave”, theksoi Hupin.⠀

Dita e Europës që festohet më 9 maj, shënon përvjetorin e deklaratës historike të Shumanit.

Gjatë një fjalimi në Paris në vitin 1950, Robert Shuman, ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme i Francës, prezantoi idenë e tij për një forme të re të bashkëpunimit politik në Europë, e cila luftërat mes popujve të Europës do t’i bënte të paimagjinueshme.

Më 9 maj 1950 u bë lëvizja e parë drejt krijimit të asaj, që sot njihet me emrin Bashkimi Europian. Atë ditë në Paris, ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, lexoi para gazetarëve nga e gjithë bota një deklaratë, që i bënte thirrje Francës, Gjermanisë, Belgjikës, Holandës dhe vendeve të tjera europiane, të bashkonin prodhimin e qymyrit dhe çelikut si “themeli i parë konkret i një federate të ardhshme evropiane”.

Ai propozoi krijimin e një institucioni europian mbikombëtar, i ngarkuar me administrimin e industrisë së qymyrit dhe çelikut, pikërisht sektori që në atë kohë ishte baza e gjithë fuqisë ushtarake. Për këtë arsye, gjatë Samitit të Milanos, në vitin 1985, udhëheqësit e BE-së vendosën ta festojnë 9 Majin si “Dita e Europës”.

Aspirata e Shqipërisë për t’iu bashkuar Europës mori jetë që nga fillimi i viteve ’90, menjëherë pas shembjes së regjimit komunist. Është mjaft domethënës fakti që për shqiptarët, ideja e ndryshimit u njësua me bashkimin në familjen e madhe evropiane. Rruga e vetme për t’u ndarë nga izolimin tragjik dhe prapambetjen e thellë ekonomike, u njësua me integrimin europian, përmes ndërtimit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut.

Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Bashkimin Europian në vitin 1990, të dy palët nënshkruan Marrëveshjen për Tregtinë dhe Bashkëpunimin në vitin 1992, e cila konkretizoi për herë të parë përpjekjet shqiptare për afrim dhe ndihmë nga Bashkimi Europian./ atsh / KultPlus.com

Rama: Teatri Kombëtar do të ndërtohet siç është projektuar dhe siç jemi zotuar


Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Teatri Kombëtar do të ndërtohet ashtu siç është projektuar dhe siç jemi zotuar.

Deklarata e kryeministrit u bë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministren e Kulturës, Elva Margariti për nisjen e Javëve Kulturore Ndërkombëtare.

“Për fat të keq u bënë tani 3 vite që bëjmë plane dhe kemi projekte për të realizuar, ndërkohë vendi përballet me ndërhyrje masivisht të forta faktorësh, jashtë nesh, fatkeqësisht të mëdhenj, si tërmeti, pandemia apo lufta që ka nisur në Ukrainë, e cila faktikisht ka goditur shumë në aspektin e rritjes së çmimeve në tërësi dhe rritjes së çmimeve të materialeve të ndërtimit në veçanti”, tha Rama.

Kryeministri bëri të ditur se është duke u diskutuar për të ndryshuar manualin teknik të çmimeve të punimeve të ndërtimit pasi kompanitë nuk shohin interes për të marrë pjesë në garat për investime publike.

“Jemi duke diskutuar pikërisht këtë fakt që ka pasur një ndikim jo të vogël në industrinë e ndërtimit. Nuk ka asnjë ndryshim sa i përket projektit të Teatrit dhe se i gjithë problemi qëndron te ky moment i vështirë i kalimit nga letra në realitetin e zbatimit për shkak të rritjes së çmimeve dhe jemi duke rishikuar manualin që kemi për këtë qëllim, sepse është e kotë që me manualin ekzistues tu kërkosh kompanive të marrin pjesë nëpër gara, apo që të mund të zhvillojnë investime në funksion të interesit publik, të cilat janë de fakto shumë më të shtrenja se sa figurojnë në manualin e vjetër. Po merremi me këtë çështje dhe besoj do të gjejmë në zgjidhje. Dhe Teatri Kombëtar do të ndërtohet ashtu siç është projektuar dhe siç jemi zotuar. Por si e kam thënë edhe herë të tjera, jo të gjitha planet mund të zbatohen sipas afateve të parashikuara, kur midis teje dhe afateve futen ngjarje që as mund të parashikohet as mund të evitohet”, deklaroi Rama. /atsh / KultPlus.com

83 vjetori i pushtimit italian të Shqipërisë

Shtatëdhjetë e tetë vjet më parë, në të premten e zezë të 7 Prillit 1939, Shqipëria u sulmua në mënyrën më të pabesë nga Italia Fashiste.

Trupat italiane komandoheshin nga gjenerali Alfredo Guzzoni, i cili kishte të gatshme një ushtri prej 40 mijë vetash dhe armatime të shumta. Mëngjesi i 7 Prillit të vitit 1939, shënoi aktin e sulmit ushtarak të Italisë kundër Shqipërisë. Luftime të përgjakshme u regjistruan në Durrës, por edhe në Shëngjin, Vlorë e Sarandë. Në Durrës trupat italiane u pritën me zjarr nga Mujo Ulqinaku, kapter i marinës dhe nga major Abaz Kupi. Pas disa orësh rezistence e luftimi, qyteti i Durrësit u pushtua.

Shqipëria, si gjithë vendet e tjera, do kalonte nga kalvari i Luftës Botërore, por kundërshtimi i pushtimit që në ditët e para do ta radhiste në Aleancën e Madhe Antifashiste, dhe kjo gjë mbetet një nga vlerat më të pamohueshme në historinë tonë moderne. / KultPlus.com