​554 vjet nga vdekja e Skënderbeut

Sot mbushen plot 554 vjet nga vdekja e figurës legjendare të Gjergj Kastriot Skënderbeu, më 17 janarin e vitit 1468, në Lezhë.

Gjergj Kastrioti, Heroi Kombëtar i Shqipërisë lindi në vitin 1403. I përkiste familjes mbretërore të Kastriotëve.

I ati ishte Gjon Kastrioti, udhëheqës i qyteteve më të mëdha të asaj kohe, Krujës dhe Mirditës dhe e ëma ishte Vojsava. Kur lindi Gjergji, i ati, Gjon Kastrioti, ishte sundimtar i një shteti të rëndësishëm, që shtrihej së paku nga rrethinat e Prizrenit e të Tetovës në lindje deri në detin Adriatik në perëndim.

Gjergj Kastriot Skënderbeu vdiq në moshën 63-vjeçare.

Ai konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës. Gjergj Kastriot Skënderbeu mbetet figura legjendare e kombit shqiptar në shekuj.

Vdekja e Skënderbeut nënkuptoi fundin e pavarësisë së Shqipërisë, që vetëm falë tij arriti të shfaqej si një shtet i bashkuar dhe i pavarur. Kruja që për shumë vite u quajt si Akropoli i Kristianizmit, rezistoi vetëm një rrethim tjetër pa Prijësin e saj.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Heroi Kombëtar i Shqipërisë vulosi me veprat e tij rezistencën kundër turqve pushtues në shekullin e 15 dhe ishte një shembull për imitim për të gjithë heronjtë e mëvonshëm. Mbeti në histori si luftëtar, si gjeneral njeri me principe dhe me ideale. Gjergj Kastrioti ishte personaliteti më i madh politik dhe ushtarak i kohës së tij. U njoh si komandant i të gjitha fiseve Shqiptare dhe mbrojtës i Kristianizmit.

Arriti të ndalonte për 25 vite me rradhë përhapjen e hordhive turke në Ballkan pa humbur qoftë edhe një betejë. Me luftën e tij heroike arriti të fitonte admirimin e të gjithë Europës Kristiane.Në Shqipëri, Skënderbeu është një legjendë, imazhi i vërtetë i një heroi, një gjysëmperëndie që gjithmonë ndodhej në vijën e parë të luftës, që kurrë nuk ngurroi të sakrifikonte jetën e tij për idealet e tij, për ato që ai besonte, për atdheun dhe bashkëluftëtarët e tij.

Sot në Shqipëri kujtimi i tij është mjaft i gjallë, dhe kështu në nder të tij, që nga dita kur ai vdiq, mbiemri i tij u kthye ne emër nderi për djemtë.

Dhe kështu njerëzit emërojnë fëmijët e tyre, në mënyrë që këta fëmijë t’i ngjajnë këtij Heroi. Për këtë në Shqipëri është një nder të quhet dikush Kastriot, por edhe një përgjegjësi e madhe që të mund ta nderojë dikush këtë emër në çdo moment. /KultPlus.com

Skenderbeu | Albanian culture, National heroes, Albanians

‘Kam shumë shpresë’

Poezi shkruar nga: Naim Frashëri

Kam shumë shpresë 
Te Perëndija. 
Që të mos jesë 
Kshu Shqipëria, 
Po të ndritohet 
Të lulëzohet. 

Pa vjen një ditë 
Që të na sjellë 
Të madhe dritë 
P’ajo të pjellë: 
Qytetërinë, 
Fatbardhësinë. 

Vëllazërija 
Edhe bashkimi 
E njerëzija 
Është shpëtimi, 
Lum kush t’arrijnë! 
Pa do të vijnë. 

Që Shqipërija 
Do të ndritohet 
Dhe ligësija 
Do të mërgohet. 
Jak’ e vërtetë! 
Pse rri e qetë? 

Për Shqipërinë 
Ditët e mira 
Paskëtaj vinë 
Shkoj errësira, 
Lum kush të rronjë, 
T’a shohë zonjë! 

Se Shqipëtari 
E gjuh’ e tija 
Venë së mbari 
Dhe Shqipërija, 
Lum kush t’a shohë 
Për pakë kohë. 

Pa dituritë 
Dhe mbrothësija 
E mirësitë 
Dhe njerëzija 
Do të burojnë 
Nukë mënojnë. /KultPlus.com

Ismail Qemali më 1913: Evropa është e pandjeshme ndaj shkeljes së të drejtave të shqiptarëve

“Excelsior” ka botuar të shtunën e 26 prillit 1913, në faqen gjashtë, intervistën e Ismail Qemalit, zhvilluar në Champs-Elysées (Paris), pak kohë para se të nisej për në Konferencën e Londrës me qëllim mbrojtjen e interesave tona kombëtare. Intervistën mund ta lexoni si më poshtë:

Në dekorin modern dhe luksoz të një pallati të Champs-Elysées, Ismail Qemal Beu ngjason me një nga mjekët tanë të zonave rurale, me një fytyrë energjike, e rrethuar nga një mjekër e bardhë.

Kreu i qeverisë së përkohshme shqiptare, i cili u ndal disa ditë në Paris, para se të shkojë në Konferencën e Londrës, ende është nën ndikimin e emocioneve të shkaktuara nga lajmi i rënies së Shkodrës:

“Vërej me hidhërim, na thotë ai, se admirimi evropian shkon për malazezët, të cilët morën kryeqytetin tonë.

Dhe akoma më shumë, na fajësojnë për kërkesat tona! Unë e di se, në çdo kohë, mendimi i masave ka qenë në favor të fituesve, por ndjenja e së drejtës sonë duhet të mbizotërojë në mesin e diplomatëve.

Duhet të keni parasysh se na janë dashur vite për të shkundur zgjedhën turke, të cilës ne i kemi shkaktuar dhe shpejtuar humbjen e saj, për tu gjetur sot përballë çlirimtarëve më të zellshëm (etur) sesa shtypësit tanë të vjetër!

Në emër të lirisë së racave, malazezët hynë në luftë; A duan ata të na grabisin sot kryeqytetin tonë në emër të të njëjtit parim?

Megjithatë, Evropa qëndron e pandjeshme ndaj shkeljes së drejtave tona: ajo duket se na konsideron si disa fise sudaneze, të paaftë për tu qeverisur.

Gjithsesi, ne kemi dhënë prova të shkëlqyera për energjinë e racës sonë. Për shekuj me radhë, turqit kanë rekrutuar midis nesh zyrtarët më të mirë dhe ushtarët e tyre më të guximshëm.

Sot, të vetëm, të rrethuar nga ushtritë aleate, ne kemi ruajtur rendin, mbledhur taksat, formuar një milici, shkurtimisht, kemi siguruar jetën tonë të brendshme me burimet tona.

Ajo që na duhet tani është pavarësia e të gjithë territorit dhe kryeqytetit tonë, në mënyrë që, pa ardhur për të lypur në Evropë, të bëjmë Shqipërinë një shtet modern.

Natyrisht, ne do t’u kërkojmë vendeve fqinje këshilltarë dhe specialistë; ne do të jemi mirënjohës ndaj tyre për të na udhëzuar në fillimet tona, por ne duam të jemi vetëvetja, dhe nuk do të lejojmë që të ruhemi nga ndonjë fuqi.

Më akuzojnë se bëj lojën e njërës prej këtyre fuqive, por nuk është e ndaluar, mendoj, të tregoj ndonjë simpati për ata që na ndihmojnë, edhe nëse është për hir të interesit.” /darsiani/

178 vite nga lindja e veprimtarit të çështjes atdhetare, Ismail Qemalit

Sot shënohen 178 vite që nga lindja e Ismail Qemalit më 16 janar të vitit 1844 në Vlorë.

Pasi kreu shkollën fillore në vendlindje, vijoi studimet në shkollën plotore turke në Selanik, ku ishte internuar familja e tij dhe më pas kreu gjimnazin “Zosimea” në Janinë.

Në vitin 1860 punoi si përkthyes pranë zyrës së përkthimit të Portës së Lartë. Nga vitet 1862-1864 shërbeu në administratën vendore në Janinë e më pas u transferua në Tërhallë (Thesali) e përsëri në Stamboll.

Ai mori pjesë, së bashku me Jani Vreton, Hoxhë Tahsinin, Kostandin Kristoforidhin, Pashko Vasën e Sami Frashërin, në mbjedhjen e parë për caktimin e alfabetit të shqipes dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare.

Ismail Qemali pati në vijim një varg detyrash të larta në administratën turke si: kryesekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Stamboll, mytesarif i Varnës (Bullgari), guvernator i Danubit të Poshtëm (Tulxhë-Bullgari) etj.

Më 1877 Porta e Lartë e akuzoi si kundërshtar të politikës së Sulltan Abdyl Hamitit II dhe përkrahës të pikëpamjeve liberale të Mithat Pashës (funskionar i lartë i Perandorisë, reformator, opozitar).

Me këto akuza Porta e Lartë e dënoi me 7 vjet internim në qytetet Kytahja, Eskishehir dhe Bursa në Anadoll. U lirua më 1884 dhe u emërua si mytesarif i sanxhakut të Galiopolit dhe guvernator i Vilajejtit të Tripolit Libi.

Më 1900 për t’u shpëtuar ndjekjeve të sulltanit, u arratis nga Turqia dhe i dorëzoi dorëheqjen sulltanit, duke e motivuar largimin e tij nga Stambolli, se në këtë mënyrë do t’i shprehte më mire idetë e tij dhe do t’i kushtonte kujdesin e duhur çështjes shqiptare.

Ismail Qemali qëndroi në vende të ndryshme të Europës ku vendosi lidhje dhe bashkëpunoi me rrethet politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. U aktivizua në lëvizjen patriotike shqiptare, mori pjesë në përpjekjet për caktimin e një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare.

Qemali zhvilloi gjithashtu veprimtari të ngjeshur politike në Europë për njohjen e kombit dhe të të drejtave të tij. Ai shpejt do të shpallte në shtypin e kohës, vendas dhe të huaj, platformën e tij politike për autonominë e plotë të Shqipërisë ndaj Perandorisë.

Së bashku me Luigj Gurakuqin e patriotë të tjerë hartoi Memorandiumin e Greçës të qershorit 1911 dhe në fund të atij viti mori nismën për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912. Më 19 nëntor 1912 njoftoi bashkëatdhetarët se do të mblidhej në Shqipëri një Kuvend Kombëtar.

Në këtë kuvend, që u mblodh nën kryesinë e tij më 28 nëntor 1912 lexoi deklaratën e shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë dhe ngriti flamurin kombëtar. Pas kësaj u caktua kryetar i Qeverisë së Përkohshme dhe minister i Punëve të Jashtme.

Në politikën e tij të jashtme Ismail Qemali u bë i papajtueshëm ndaj çdo cënimi të pavarësisë e të sovranitetit kombëtar. Pavarësisht kushteve të vështira të brendshme e të jashtme, qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali mori një varg masash për organizimin dhe ndërtimin e shtetit të pavarur. Në të gjitha këto veprimtari Ismail Qemali u tregua burrë shteti dhe diplomat largpamës, mbrojti me vendosmëri shtetin e pavarur shqiptar. / KultPlus.com

Më 1820, më shumë se gjysma e Athinës fliste shqip

Pjesa më e bukur e arvanitasve, arbëreshëve të Greqisë, është folklori i veçantë. Lirikat e vjetra janë këngët që i këndojnë lirisë, dashurisë dhe të qenit kaçak. Këto këngë këndohen dasmave. Duke qenë se gjuha e arvanitasve nuk u shkrua kurrë, ajo u ruajt në mënyrën më të veçantë nëpër këngë.

Arvanitasve, bashkombasve tanë, historia u njeh kontributin e jashtëzakonshëm në luftën për pavarësi; mund të përmendim këtu, plejadën e heronjve arvanitas, si:

Nikolla Kriezoti, Athanas Skurtanioti, Kiço Xhavella, Andrea Miauli, Teodor Kollokotroni, Kostandin Kanari, Dhimitri Pllaputa, Teodor Griva, Bubulina, Marko Boçari, Gjeorgji Karaiskaqi, Odise Andruço e shumë e shumë të tjerë, të cilët janë sot, për historinë e Greqisë, pjesë e lavdisë së revolucionit të 1821-it.

Sipas konsullit Jean Giraud, fshatarët shqiptarë kishin zotëruar pjesën më të madhe të tokave në fshatrat përreth Athinës (deri më 1650). Raporti i vitit 1820, deklaron se një e treta e Athinës dhe pjesa më e madhe e Atikës fliste shqip.

Kostumi kombëtar grek ishte fustanella shqiptare…

Një rrëfim bashkohor nga konsulli, i besueshëm, Jean Giraud, vë në dukje se ndërsa fshatarët shqiptarë kishin zotëruar pjesën më të madhe të tokave në fshatrat përreth Athinës, në vitin 1650, deri në vitin 1674, gati dy të tretat e të gjithë tokës kishte kaluar në duart osmane dhe kultivuesit fshatarë u bënë thjesht punëtorë, në tokat për të cilat ata kishin pasur më parë të drejta më të mëdha (Collington, 1913; 38).

Megjithatë, një pjesë e shqiptarëve, sigurish që u shpërngulën në Athinë. Vaporiis citon një raport të vitit 1820, i cili deklaron se një e treta e Athinës dhe pjesa më e madhe e Atikës fliste shqip (1985; 155).
Në shtet-kombin e ri grek, krijimi i një gjuhe, një kulture dhe një folklori kombëtar (Herzfeld, 1982) u shoqërua edhe me standardizimin e gjuhës së veshjeve, si për gruan, e cila vishte atë që u bë i njohur si kostumi i parë i mbretëreshës Amalia, edhe për burrat, të cilët gjithnjë e më shumë vishnin “fustanellën” (‘fustanin’ shqiptar).
Thënie për shqiptarët. /KultPlus.com
_______________
Titulli: The Making of the Modern Greek Family: Marriage and Exchange in Nineteenth-Century Athens
Autori: Paul Sant Cassia, Constantina Bada et. al.
Botues: Cambridge University Press, 1992

Shqiptarët duke shkruar histori nëpër botë, Armando Broja ‘yll në ardhje’

Ylli shqiptar, Armando Broja, po shkruan histori në ligën më të vështirë dhe konkurrese në botë, Premier League, shkruan KultPlus.

Së fundmi, Broja ka hyrë në histori të klubit “Southampton”, duke u bërë lojtari më i ri që ka shënuar 5+ gola në Premier League këtë sezon (20vjeç dhe 123ditë i vjetër).

Shqiptarët kanë shënuar suksese të ndryshme përpos në fushën e futbollit, edhe atë të muzikës, filmit e sporteve të ndryshme.

Broja është shembull se si nga vende të vogla siç janë Shqipëria e Kosova, mund të prodhohen yje të mëdhenjë futbolli. /KultPlus.com

Më 11 janar të vitit 1946, Enver Hoxha shpalli Shqipërinë Republikë

Më 11 janar të vitit 1946, Qeveria Komuniste e Kryeministrit, Enver Hoxha, shpalli Shqipërinë Republikë, përcjell KultPlus.

Enver Hoxha me anë të një “Asambleje Kushtetuese” të përbërë nga 82 deputetë të dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, shpalli Shqipërinë Republikë.

Në seancën e mbledhjes së datës 11 janar 1945, në sallën e Akademisë së Arteve ku ishin mbledhur asokohe Asamblea me 82 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, ishin dhe përfaqësuesit e misioneve të huaja të akredituara në Tiranë.

Përpara kësaj lufte, Populli Shqiptar, për 15 vjet me rradhë lëngoi nën regjimin monarkist të Ahmet Zogut. /KultPlus.com

FOTOT E RRALLA/ 11 Janar 1946, kur Enver Hoxha e shpalli Shqipërinë  Republikë dhe reagimi i Mbretit Zog nga Londra

109 vjet nga lindja e Mehmet Shehut

Mehmet Shehu ishte njëri ndër personalitetet më të njohur të Shqipërisë socialiste.

Në mesin e shumë personaliteteve komuniste shqiptare, që nga Ali Kelmendi e deri te rënia e regjimit komunist të Shqipërisë në vitin 1991, figura e Mehmet Shehut në vazhdimësi ka qenë në vendin e dytë, ashtu sikur ishte Enveri në vendin e parë, qysh prej formimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë në vitin 1941.

Mehmet Shehu lindi më 10 janar të vitit 1913 në fshatin Çorrush të Mallakastrës, vdiq (në vetvrasje) më 18 dhjetor të vitit 1981 në Tiranë. Ishte politikan shqiptar, Kryeministër i Shqipërisë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Më pas vazhdon Shkollën Teknike, të cilën e mbaron më 1932.

Shkon në Napoli, Itali për të studiuar në Kolegjin Ushtarak. Përjashtohet për ide revolucionare nga Kolegji. Largohet nga Italia dhe kthehet në Shqipëri ku burgoset 2-3 muaj në Tiranë. Me daljen nga burgu, punon në fermën e Shkollës Teknike si traktorist. Ndjek Shkollën e Plotësimit të Oficerëve. Titullohet në vitin 1937.

Në dhjetor 1937 shkon në Spanjë ku merr pjesë në brigadën e XII ndërkombëtare e quajtur “Garibaldi” në nder të heroit të bashkimit të Italisë. Brigada   ishte i përbëre nga vullnetarë të shumë vendeve të botës. Mehmet Sheu komandonte batalionin e IV të saj.

Më 1939 pas çmobilizimit të vullnetarëve të huaj kthehet në Francë dhe qëndron në një kamp përqendrimi. Kthehet në Shqipëri në gusht]] 1942. Lidhet me PKSH dhe caktohet sekretar organizativ i Qarkut të Vlorës. /KultPlus.com

Mehmet Shehu

Veliaj për Ramën: Me mikun e vëllaun tim për një bashkëpunim të ri

Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, ka pritur në takim zyrtar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare, Veliaj, ka bërë të ditur se takimin zyrtar të Ramës e ka nisur me një vepër teatrale si Mephisto.

“Me mikun e mirë, vëllain tim, Përparim Ramën – kryebashkiakun e ri super energjik të Komunës së Prishtinës, me të cilin hapim një faqe të re bashkëpunimi mes dy qyteteve tona, sidomos për të rinjtë, kur Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë”, ka shkruar Veliaj në “Facebook”.

“Kryeqyteti Evropian i Rinisë” është një titull i dhënë nga Forumi Rinor Evropian (European Youth Forum EYF), i krijuar për të fuqizuar të rinjtë, për të nxitur pjesëmarrjen e të rinjve në shoqëri dhe për të forcuar identitetin evropian.

Kjo platformë synon që të përfshij edhe të rinjtë e Prishtinës, dhe së bashku me Tiranën të modernizohen kryeqytetet shqiptare. /KultPlus.com

Tirana zbukurohet me flamujt e Shqipërisë dhe Kosovës, Veliaj pret në takim Ramën

Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, ka pritur në takim zyrtar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare, Veliaj, ka bërë të ditur se takimin zyrtar të Ramës e ka nisur me një vepër teatrale si Mephisto.

“Sa bukur që nisëm vizitën zyrtare të Perparim Rama në Bashkia Tiranë me një vepër teatrale si MEPHISTO – kaq të arrirë nga një trupë e aktorëve të Tiranës e Prishtinës me rastin e #EYC2022”, shkruan i pari i Tiranës në “Facebook”.

“Kryeqyteti Evropian i Rinisë” është një titull i dhënë nga Forumi Rinor Evropian (European Youth Forum EYF), i krijuar për të fuqizuar të rinjtë, për të nxitur pjesëmarrjen e të rinjve në shoqëri dhe për të forcuar identitetin evropian.

Kjo platformë synon që të përfshij edhe të rinjtë e Prishtinës, dhe së bashku me Tiranën të modernizohen kryeqytetet shqiptare. /KultPlus.com

Fushë Kruja përgatitet për t’i mikpritur familjet që do të rikthehen nëpër shtëpi për gëzimin e Vitit të Ri (FOTO)

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar disa fotografi në rrjetin e tij social në “Facebook”, ku edhe ka bërë të ditur një lajm të mirë për njerëzit në Fushë Krujë, shkruan KultPlus.

Rama ka njoftuar se Fushë Kruja është e gatshme të mirëpres familjet që do të rikthejnë në shtëpi familjet për Vitin e Ri. /KultPlus.com

May be an image of tree and outdoors
May be an image of sky, street and road

Shqipëria pjesë e Junior Eurovision, këtu mund të votoni për Anna Gjebrea

Shqipëria është pjesë e “Junior Eurovision Song Contest”, i cili do të zhvillohet këtë vit, shkruan KultPlus.

Eventi do të mbahet në Paris më 19 dhjetor, ku Shqipëria në këtë garë përfaqësohet nga artistja Anna Gjebrea, për të cilën mund të votoni duke klikuar këtu.

Konkursi i Këngës për Junior Eurovision është një konkurs ndërkombëtar i këngës i cili organizohet nga Unioni Evropian i Transmetuesve çdo vit që nga viti 2003.

Ai mbahet në një qytet të ndryshëm evropian çdo vit, megjithatë i njëjti qytet mund të presë konkursin më shumë se një herë. /KultPlus.com

Junior Eurovision Song Contest — France 2021

Artistët afganë pikturojnë muralin ‘Faleminderit Shqipëri’ në Tiranë

Një grup artistësh afganë të evakuuar pasi talibanët erdhën në pushtet në atdheun e tyre, pikturuan një mural në Tiranë. Këtë thanë se e bënë, për të falënderuar vendin pritës dhe për t’i kërkuar botës që të mos harrojë vëllezërit e tyre në Afganistan.

Murali u pikturua nga anëtarët e Artlords, një organizatë afgane e artistëve vullnetarë, në një ndërtesë në qendër të Tiranës, ku janë pikturuar shumë vepra të tilla vitet e fundit.

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, vizituan të enjten muralin, morën një penel dhe ndihmuan me pikturën.

“Faleminderit Shqipëri! Nuk do të harrojmë”, shkruhet në shqip në murale dhe “Atdheu im, i lodhur nga persekutimi”, në gjuhën pashto afgane.

Puna pranë sheshit qendror Skënderbeu tregoi një hartë shqiptare të përbërë nga shumë seksione, duke iu referuar karakterit multietnik të Afganistanit dhe një afgan që punonte, shkruan Apnews, transmeton Klankosova.tv.

“Kjo është një nga mënyrat me të cilat ne duam të ngremë zërin e afganëve që janë marrë peng në shtëpitë e tyre në Afganistan,” tha Omaid Sharifi, bashkëthemelues i Artlords.

Sipas Sharifi, shumica e veprave të tyre në Afganistan u shkatërruan nga talibanët. Ai tha se gjashtëdhjetë e dy anëtarë të Artlords janë ende në Afganistan, të etur për ta lënë atë në çdo moment.

“Qëndroni të sigurt dhe qëndroni të fortë”, ishte mesazhi i piktorit 28-vjeçar Yama Farhad për kolegët e tij ende në vend.

Shqipëria ka strehuar rreth 2 mijë e 400 afganë të evakuuar në hotele apo resorte turistike. Rreth 150 prej tyre tashmë janë larguar në vende të tjera. Pjesa tjetër do të qëndrojë në vendin e vogël ballkanik për rreth një vit derisa autoritetet në SHBA dhe gjetkë të përfundojnë përpunimin e vizave speciale të imigracionit për ta./AP/ /KultPlus.com

Fjalimi historik i Esad Mekulit për Çamërinë

Fjalimi epik i Esat Mekulit për Çamërinë. Është viti 1941…, Pejë!

“Kosova dhe Çamëria kanë çelë plagë të randa dhe të paharrueshme në trupin e popullit t’onë, por i kanë dhanë edhe eksperiencë të madhe Shqipnisë së lirë dhe të bashkueme sot e mbrapa me vendet që ia kishin grabitun. Po flas si djalosh i Kosovës shqiptare, i Kosovës qi në ditën e sodit po lirohet përgjithmonë prej zgjedhës, me dishirin e madh dhe të pashkimun qi Kosova shqiptare t’i bashkohet Shqipnisë së lirë, qi vllaznit tonë, të çdo feje qofshin, t’a ndjejnë me zemër se janë vllazen rreth qëllimit dhe punës së përbashkët.

Zemrat t’ona le të jenë të mëdhaja dhe veprat t’ona edhe ma të mëdhaja, terrori qi anmiqt mbuellën nëpër fushat tona të buta dhe pjellore le të jenë nji herë e mirë mësim për bashkimin t’onë rreth idealeve të përbashkëta. Besa dhe dashunija vllaznore le të jenë të mëdha, sikurse ka qenë e madhe vuejtja e jonë deri tash, pse Shqipnia duhet me kenë e njishme, e pandashme, e pacoptueme.” / MekuliPress/ KultPlus.com

Doli nga shtypi revista PEN Kosova 3

Këto ditë doli nga shtypi numri 3 i revistës PEN Kosova, organ letrar i PEN Qendërs së Kosovës.

Revista është 220 faqeshe  dhe ka punime nga gjini të ndryshme letrare.

Në numrin e fundit të revistës. PEN Kosova 3, janë përfshirë punime të autorëve nga Kosova, Shqipëria e bota me poezi, prozë, kritikë dhe eseistikë, etj.

Revista ka botuar një numër poezish të autorëve polakë të cilat në shqip nga polonishtja i ka sjellë poeti dhe përkthyesi, tash i ndjerë, Mazllum Saneja.

Kështu lexuesi i PEN Kosova ka rastin ta rinjihet me poetët Ceslaw Milosz, Tadeus Rosewicz,Wislawa Symborska, Zbigniew Herbert, Ewa Lipska, Adam Zagajewsky.

Janë botuar edhe një cikël poezish nga Sadik Bejko, Milazim Krasniqi, Demë Topalli dhe José Angel Buesa.      

Në prozë janë prezentuar shkrimtarët Gotfried Keler (përkthyer nga gjermanishtja nga Naim Kryeziu), Besnik Mustafaj, Binak Kelmendi dhe Tom Kuka.

Revista sjell një sërë punimesh edhe nga eseistika e kritika letrare.

Në këtë fushë është me interes punimi i Ibrahim Berishës me titull “Autori, autoriteti dhe arti” si dhe shkrimi Kriza e letërsisë komparative e Rene Wellek përkthyer nga Osman Gashi.

Nga studiuesja dhe përkthyesja e ndjerë Sazana Çapriqi është botua studimi i saj me tiullin “Gjuha si mjet komunikimi”.

Pasojnë shkrimet nga kjo fushë nga autorët Artan Kransiqi (Artet zejtare që s’janë më në Prishtinë) dhe ai i Dardan Lajçit (Natyra dhe trashëgimia socio-kulturore në Bjeshkët e Nemuna) ndërsa Morelle Smith vjen me një vështrim mbi poezinë e Sali Bashotës.

Revista sjell edhe studimin e Avni Spahiut për shkrimin e Obri Hepbertit kushtuar shqiptarëve në Jemen në fillimin e shekullit XX.

Ky numër sjell edhe intervistën e kryetares së PEN Qendrës së Shqipërisë Entela Kasi me nënkryetarin e PEN International Eugene Schoulgin

Disa nga punime të kësaj reviste janë botuar në gjuhën angleze. /KultPlus.com

Perandoria otomane nuk i mbrojti trojet arbërore nga copëtimi në Kongresin e Berlinit dhe Konferencën e Londrës

Nga Gjon Keka

Ka kohë që në mesin tonë si komb, dalin teza si nga disa renegatë e mbetje brenda trojeve arbërore ,por vijnë gjithashtu edhe nga jashtë, pra nga politika turke se gjoja Perandoria otomane e ka mbrojtë kombin tonë nga copëtimet dhe nga ruajtja e identitetit dhe gjuhës.

Por ,faktet dhe e vërteta është ndryshe dhe ja se pse perandoria otomane ishte një nga pushtuesit më barbar në trojet tona e cila jo vetëm bëri gjenocid, ndalojë gjuhën,por edhe u mundua ta zhdukë emrin Arberor nga harta gjeografike dhe natyrore e saj brenda kontinentit europian.

Sikur që dihet qëllimi demoniak i turqisë është ringjallja e otomanizmit, dhe fatkeqësisht ka gjetë mbetjet e tyre e renegatët si më parë ,hamzat ,ballabanat e haxhiqamilat edhe sot me tendencën për ta ringjallur të sëmurën e bosforit.

Turqia nuk ishte në gjendje me i mbrojtë trojet arbërore nga copëtimi, sepse po te ishte ashtu do ta mbronte në Kongresin e Berlinit dhe Konferencën e Londrës e atë të Parisit, por ajo kur e pa se po shembet bashkëprojektoi me të tjerët planin e copetimeve dhe peshqesheve të trojeve arbërore. Jo rastësisht poeti ynë Sami Frashëri e krahason Perandorinë otomane me “një të sëmurë e cila i ka ditët e numëruara”. Poashtu, po ta kishte mbrojtë perandoria otomane kombin tonë, atëherë pse u krijua Lidhja e Prizrenit, pse pati kryengritje të vazhdueshme kundër kësaj perandorie, poashtu po ta kishte mbrojtë kombin tonë pse nuk e miratojë vullnetin dhe vendimin e popullit shqiptar më 28 nëntor 1912 për liri, pavarësi dhe shtet sovran, por e kundërshtojë dhe pengojë vazhdimisht ngritjen e sapolindur të Shqipërisë sovrane. /KultPlus.com

Zef Prekë Kaqinari atdhetari i urtë që kurrë nuk e vrau këngën e vet

Nue Oroshi

Fund nëntori i vitit 2021 në prag të festës se madhe të 28 nëntorit të ditës se Pavarsisë së Shqipërisë u hap lajmi e mori dhenë se në moshën 87 vjeçare vdiq një trim i urtë e atdhetar i mirëfilltë Zef Prekë Kaqinari.Si në legjendat e lashta kur mbrohet diniteti i shqiptarit dhe nuk lejohet që të shahet nëna shqiptare që u sakrifikua me shekuj për lindjen dhe rritjen e familjes e as Zoti që na ka krijuar, Zef Kaqinari nuk lejoi që të poshtërohet në atë mënyrë por e mbrojti dinitetin e shqiptarit.Ishte një rrugë jo e lehtë mbrojtja e këtij diniteti ku dy shqiptar nga  Mirdita, Zef Prekë Kaqinari e Mark Allaku u deshtë që të përballen me qindra përsona të tjerë në tramvajën numër 11 në 21 qershorin e vitit 1965.

Zefi sipas traditës kishte ruajtur revolën që e mbante me vete kurse Mark Allaku në këtë ditë kishte pas me vete vetëm një qadër të re, që sillte me ta si me qenë shpatë duke u pre,sepse kishte ardhur mysafir nga Kosova në Zagreb.Dy mirditor të edukuar më traditat shqiptare njëri nga Velezha e Prizrenit e tjetri  nga Moglica e Gjakovës u përballën me një furi përsonash por nuk u dorëzuan.Më në fund revolja belgiane i ndau punët ku mbeti i vrarë shoferi i tramvajit,por edhe Zefi e Marku u lënduan.Si në legjenda të lashta kur dy të rinj të dalë jashtë trojeve të tyre për një jetë më të mirë u përballën për një moment me vdekjën vetëm e vetëm se ishin edukuar në frymën kombëtare për mbrojtjen e dinitetit kombëtar.Familja e Zef Kaqinarit është me prejardhje nga Kaqinari i Mirditës e cila para disa kohesh ishte shpërngulur në Velezhë të Prizrenit ku në vitin 1934 kishte lindur Zef Kaqinari.Veshtirësitë jetësore dhe presioni i aksionit të armëve qe ishte shumë i vrazhdë në famullinë e Velezhës bëri që familja Kaqinari të kërkoj një jetë të re dhe u vendos në Zagreb.Zefi ishte një burrë i urtë dhe puntor.

Ai asnjëherë nuk e deshi që të lavdërohej me veprën e kryer por  e konsideronte vetëm si një rastësi ku nuk ka mundur ta duron shamjen e nënës shqiptare por ka vepruar në vetmbrojtje.Zef Kaqinari asnjëherë gjatë tërë jetës se ti nuk e vrau këngën e ti siç po ndodh sot me disa luftëtar që po i vrasin këngët e tyre me vepra jo të mira.Familja Kaqinari në Zagreb dhe rrethinë kishte ndihmuar shumë shqiptar në  hall dhe shumë student që studionin në Kroaci dhe që kishin kushte të rënda në familje.

Ata student kanë gjetur strehim dhe ushqim pa pagesë shumëherë tek familja e Zef Kaqinarit.Vlenë ta theksoj një fakt të një atdhetari të Shqipërisë Etnike bacës Emin Fazlia alias Emil Kastrioti që ma ka rrëfyer sa ishte gjallë.Pas lirimit nga burgu dhe mosmundësisë se gjetjes se një pune në Kosovë baca Emin kishte shkuar të jetonte në Kroaci.Meqenëse edhe atje bënte një aktivitet kombëtar ishte rrezikuar që të burgosej ose të vritej.Falë humanizmit të Zef Kaqinarit i cili i jep hua një sasi të mjeteve dhe i siguron një dokument udhëtimi.Ai arratiset nga Kroacia dhe vendosët në Gjermani.Gjatë bisedës me Emin Fazliun shpeshherë më ka folur për këtë rast dhe ju ishte mirënjohës për jetë të jetëve Zef Kaqinarit për faktin se i ka shpëtuar jetën dhe ka ruajtur një miqësi me të.Kur filloj lufta në mes të Kroacisë dhe Serbisë familja Kaqinari ishin rreshtuar në ushtrinë kroate.

Një luftëtar i shquar kundër serbëve ishte edhe djali i Zefit, Tomë Kaqinari që e udhëheq shoqatën e veteranve të luftës në Kroaci dhe është mjaft aktiv në komunitetin shqiptar në Kroaci.Për herë të fundit me bacën Zef kemi biseduar në festën e Pavarsisë së Kosovës më, 17 janar 2019, se bashku me Tunë Noc  Topallin kemi biseduar disa orë duke evokuar kujtimet në Kosovë e sidomos bisedat gërshetoheshin rreth bisedave të hershme që kishin me babain tim Markun.

Kur vransirat e kohës dhe të ftoftit e dhjetorit më sjellin kujtimet si në balada të lashta më mbesin në mendje trimëria dhe gjeturia e këtyre dy të rinjëve te rrethuar në një vend të huaj nga dhjetra udhtëar që sillnin panderprerë.Duke e kujtuar po ashtu edhe këngën e Zagrebit të këngëtarit legjendar Augustin Ukajt: “moj allti moj belgiane-nam të madh në Zagreb na bane” dhe pastaj duke e përfunduar me fjalët:”Nuk luftuam për mendje t´madhe-as s´luftum se spatëm pare-na nxu puna e spatëm qare-se shqiptart kurr s´kan vdekë me marre”. /KultPlus.com

Image preview

Në qeverisjen e Gjergj Kastriotit nuk kishte asnjë skandal, as egoizëm dhe as lakmi

Nga Gjon Keka

Jo vetëm jeta e Gjergj Kastriotit ishte shembull për të gjithë ,por edhe qeverisja e tij, më saktësisht mbretërimi i tij.Në kohën e tij të qeverisjes së Arbërisë ,atdheu që ai udhëhiqte kishte bërë bujë të madhe në të gjitha vendet dhe mbretëritë e principatat e Europës dhe Botës. Se në yllin e famës së tij që ngritej çdo ditë lartë e më lartë në qiellin europian e botërore ,atdheu i tij Arbëria si dhe flamuri i tij arbëror qëndronin në dy krahët e këtij ylli famëmadh të këtij kontinenti të lashtë.

Nga kjo mund të thuet se qeversija mbretërore e Arbërisë e udhëhequr nga Mbreti Gjergj Kastrioti që nga fillimi e deri në fund të jetës së tij nuk kishte pas asnjë skandal, as egoizëm,as lakmi,as korrupsion etj.

Natyrishëm sikur që dëshmohet nga dokumentet historike,kronikat,ashtu edhe nga Barleti,në Ushtrinë e tij nuk kishte lakmi dhe prostituta, por kishte disciplinë.

Kështu që nën komandën e Gjergj Kastriotit,morali dhe ndërgjegja identitare arbërore ishin të rrënjosura thellë në secilin që merrte përgjegjësinë për fushat drejtuese në institucionet e asaj kohe.

Ndërsa, kudo ku ai shkonte në vendet e ndryshme për vizita zyrtare, nga admirimi dhe simpatia e madhe dilnin rrugëve dhe oborreve perandorake e të kryeqendrave për ta pritur.

Sikur që shkruante një kronist europian:“Si hyri në Romë ,të cilën e kish mbuluar me bujën e emrit dhe të trimërive të tij dhe sa u morë vesh kjo punë nga ata ,prej të gjitha anëve ishte një lëvizje dhe një rendje e pabesueshme njerëzish për ta parë dhe për ta nderuar.”

Pokështu edhe albanologu i njohur kroat dr.Milan Shuflaj, duke qenë një studiues i zellshëm dhe i thellë ,ai kishte njohur cilësit ,famën dhe veprat e pavdekshme të Gjergj Kastriotit nëpërmjet leximeve e dokumenteve të lashta historike, dhe kështu erdhë në përfundim duke nënvizuar se:“ Skënderbeu është fryti më i përsosur i racës arbërore”.

Kosova shprehet e gatshme për t’i ofruar ndihmë Shqipërisë pas përmbysjeve të fundit

Gjatë ditës së sotme, Shqipëria është përfshirë nga disa përmbysje në zonë e Fierit dhe në disa zona të tjera, shkruan KultPlus.

Ministri i Mbrojtës në Kosovës, Armend Mehaj, ka bërë të ditur përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook” se janë në gatishmëri të plotë për t’iu ofruar ndihmë.

Postimi i tij i plotë:

“Në ditë të mira e ditë të vështira jemi bashkë me vëllezërit tanë në Shqipëri. Pas përmbytjeve në zonën e Fierit dhe zona të tjera të Shqipërisë, i kam telefonuar Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi, të cilit i kam shprehur gatishmërinë tonë të plotë për mbështetje me aftësitë dhe kapacitetet tona të kërkim-shpëtimit për reagim, menaxhim dhe sanim të pasojave. Së bashku jemi më të fortë në secilën sfidë!”

Situatë problematike për shkak të reshjeve që vazhdojnë prej disa ditësh paraqitet dhe në Himarë. Lumi Shushica ka shkatërruar tërësisht urën e fshatit Kallarat. / KultPlus.com

Vjollca Robelli-Mripa pasi performoi në ‘Royal Albert Hall’: Ne krijuam histori për vendin tonë

Këngëtarja Vjollca Robelli-Mripa, e njohur me emrin artistik si ‘AJO’, ka performuar më 3 dhjetor në njërën ndër skenat më të njohura në të gjithë botën “Royal Albert Hall” në Londër, shkruan KultPlus.

“Një ëndërr që u realizua” ishin fjalët e para të këngëtares në llogarinë zyrtare në “Facebook”, ku ka thënë se ky event ishte një kënaqësi e papërshkrueshme.

“Kënaqësi e papërshkrueshme me qenë ndër artistet e para shqiptare të prezantoj punën time 5 vjeçare me këngët të cilat i kam shkruar dhe komponuar, në një nga venuet më prestigjioze në botë “Royal Albert Mall”, shkroi ajo në Facebook.

Tutje, Mripa falënderojë të gjithë njerëzit që e bënë të mundur performimin e saj në këtë skenë.

“Ndjenja më e fuqishme ishte aty kush pashë fotografinë time në dy ekrane të mëdha nga hyrja kryesore në ndërtesë”, përfundoi ajo duke thënë se ka krijuar histori për vendin e saj.

Vjollca Robelli-Mripa për më shumë se një dekadë është larguar nga Kosova për në Londër, por zëri i saj është mishëruar me gjithë publikun këtu përmes këngës “Ajo”, me të cilën vazhdon të identifikohet personaliteti i saj artistik. / KultPlus.com

May be an image of 3 people and people standing
May be an image of 1 person and standingMay be an image of 3 people, indoor and text that says 'HE R1 LIVE AT THE ROYAL ALBERT HALL'

Kurti uron Ramën në ditën e Forcave të Armatosura: Gëzohemi e krenohemi me ju

Në Ditën e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër urimi Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, shkruan KultPlus.

Kryeministri Kurti në letrën e tij ka kujtuar dhe nderuar sakrificën, qëndresën, forcën dhe përkushtimin ndaj atdheut të brezave të ushtarëve e patriotëve.

Ai ka theksuar rolin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë që përveçse në mbrojtje dhe siguri të Shqipërisë, shtrihet edhe përtej kufijve dhe i kontribuon edhe paqes në rajon dhe botë.

“Në këto 109 vite, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, na falën nder e krenari të gjithë shqiptarëve”, ka shkruar Kryeministri Kurti në letrën e urimit.

“U gëzohemi sukseseve tuaja, sikurse edhe thellimit të bashkëpunimit ndërmjet forcave të dy vendeve tona, zhvillimit dhe avancimit të kapaciteteve ushtarake, në shërbim të mbrojtjes dhe sigurisë në vendet tona dhe në rajon”, ka shkruar ai.

Kurti dhe Rama u takuan për herë të fundit në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive. /KultPlus.com

Rama tells Kurti: Get ready to remove Kosovo-Albania border

Nënshkruhen shtatë marrëveshje në kulturë e trashëgimi mes Kosovës dhe Shqipërisë

Ngjarja e përvitshme tradicionale – mbledhja e Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë – u mbajt sot në Elbasan, kur edhe u mbledhën krerët e të dyja shteteve, shkruan KultPlus.

Sesionin e mbledhjes së përbashkët e hapën me fjalët e tyre kryeministrat Albin Kurti dhe Edi Rama duke ua lënë vendin anëtarëve të kabineteve që të parashtrojnë marrëveshjet që do të nënshkruhen nga ministritë përkatëse.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, shpalosi marrëveshjet që do të nënshkruajë ministria dhe institucionet qendrore të kulturës.

Kalendari i Përbashkët Kulturor Vjetor, Marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e Trashëgimisë kulturore dhe muzeve; Protokolli i bashkëpunimit mes Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor të Republikës së Shqipërisë dhe Operës, Filharmonisë, Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” të Republikës së Kosovës, Marrëveshja e Bashkëpunimit të Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe Muzeut Historik Kombëtar; Marrëveshja e Bashkëpunimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë; Marrëveshja e Bashkëpunimit të Parkut Arkeologjik “Ulpiana” dhe Parkut Arkeologjik Kombëtar Apolonia; janë marrëveshjet që do të nënshkruhen në fushën e kulturës e të trashëgimisë; si dhe Marrëveshja e bashkëpunimit mes Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë.

Ministrat Hajrulla Çeku dhe Elva Margariti nënshkruan Kalendarin e Përbashkët Kulturor Vjetor mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë.

Kalendari, ndër të tjera, parasheh edhe Menaxhimin Kulturor dhe shkëmbimin e artistëve në fushat e ndryshme kulturore dhe atë të trashëgimisë.

Në fushën e bibliotekave parashihet Konferenca Kombëtare e Bibliotekonomisë, konferenca shkencore për shënimin e 40–vjetorit të ndarjes nga jeta të Branko Merxhanit, 400–vjetorit të vdekjes së Pjetër Budit, 50-vjetorit të vdekjes së Krist Malokit.

Në fushën e filmit parashihet pjesëmarrje e përbashkët në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, në Festivalin e Kanës me shtand të përbashkët të Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Qendrës Kinematografike Kombëtare, si dhe bashkëpunimi me festivalet e tjera ndërkombëtare të filmit.

Në bashkëpunimin mes teatrove, ansambleve dhe baleteve, parashihet realizimi i shfaqjeve “Carmina Burana”, në Tiranë, realizimi i shfaqjes “Monger” në Prishtinë, pastaj shfaqja e përbashkët “Gjerdani i Artë” midis Ansamblit Popullor dhe Ansamblit “Shota” në nderim të artisteve Nexhmije Pagarusha dhe Fitnete Rexha. Po ashtu, parashihen aktivitete në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” si dhe në Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë në Tiranë. Baleti Kombëtar i Kosovës gjatë qershorit të vitit të ardhshëm do të paraqitet me shfaqje në Tiranë.

Sipas këtij kalendari, bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në fushën e trashëgimisë kulturore, ku Muzeu Kombëtar do të realizojë dy ekspozita në Muzeun Kombëtar të Kosovës, do të botohet një katalog i përbashkët i dy muzeve “Arkeologjia e Shqipërisë dhe e Kosovës” si dhe do të realizohet punëtoria “Muzeu i komunitetit – Programet Edukative në Muzeun Historik Kombëtar dhe Muzeun Kombëtar të Kosovës”. Po ashtu, do të realizohen vizitat dhe ekspozitat e përbashkëta në Berat si dhe koncerti me muzikë tradicionale popullore me artistë nga Vlora dhe Prizreni.

Ndërkaq, në Butrint, në dhjetor të vitit 2022 kur pritet të regjistrohet në listën e UNESCO-s, do të ketë aktivitete, konferenca e ekspozita të përbashkëta.

Qendrat Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Prizrenit, Mitrovicës dhe Gjilanit do të realizojnë ekspozita në Vlorë, Korçë, Berat, Gjirokastër e Korçë. Edhe Muzeu Kombëtar i Kosovës do të ketë 4 aktivitete në Muzeun Kombëtar në Tiranë, me organizimin e ekspozitave dhe programeve edukative.

Bashkëpunim parashihet edhe për programin e Evropës Kreative dhe për të Drejtat e Autorit.

Përpos kalendarit të përbashkët kulturor, ministrat Hajrulla Çeku e Elva Margariti kanë nënshkruar Marrëveshje për bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve, e cila parasheh zhvillimin dhe mbështetjen e bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve, shkëmbimin e përvojave dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Ndërsa ditën e nesërme pritet të nënshkruhen Protokolli i bashkëpunimit mes Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor të Republikës së Shqipërisë dhe Operës, Filharmonisë, Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” të Republikës së Kosovës, Marrëveshja e Bashkëpunimit të Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe Muzeut Historik Kombëtar; Marrëveshja e Bashkëpunimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë; si dhe Marrëveshja e Bashkëpunimit të Parkut Arkeologjik “Ulpiana” dhe Parkut Arkeologjik Kombëtar Apolonia.

Bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë përmes një kalendari të përbashkët ka filluar në vitin 2014 kur është nënshkruar për herë të parë një program i tillë. /KultPlus.com

Rama e Kurti deklarohen ‘pro’ bashkimit kombëtar

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë mbajtur mbledhjen e shtatë të përbashkët, ku edhe kanë bërë nënshkrimin e disa marrëveshjeve, shkruan KultPlus.

Pas nënshkrimit të marrëveshjeve, ndodhi edhe një konferecë e përbashkët mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe atij të Kosovës, Albin Kurti.

Që të dy, kur u pyetën nga gazetarët nëse janë pro apo kundër bashkimit kombëtar, u përgjigjën pa hezitim se janë pro një gjëje të tillë.

Megjithatë, edhe Kurti edhe Rama thanë se bashkimi kombëtar nuk është diçka që është aty dhe vetëm duhet të thuhet ‘po’, por kërkohet diçka përtej kësaj.

Kosova dhe Shqipëria nënshkruan një sërë marrëveshjesh gjatë ditës së sotme. /KultPlus.com

Albin Kurti në Shqipëri: Le të flasim si diplomatë, por të punojmë si patriotë

Qeveria e Republikës së Kosovës ka udhëtuar gjatë ditës së sotme për në Elbasan, që të takohet me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë për të nënshkruar një sërë marrëveshjesh, shkruan KultPlus.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati një fjalim në këtë mbledhje, ku edhe tha se duhet të flasim si diplomatë, por të punojmë sikurse patriotë.

“Të thuash se jemi të lumtur që jemi një komb i ndarë do të ishte marrëzi, Të thuash se jemi të lumtur që kemi dy shtete sepse kështu jemi të fortë, do të ishte sa tepri, po aq edhe shkurtëpamësi, Të thuash se angazhohesh për bashkim kombëtar, do të shquanin për nacionalist, Të thuash se do të bashkohemi në bashkimin evropian, të shquajnë për diplomat, Kam përshtypjen se këta të fundit po tregohen më të suksesshëm, kështu që, le të flasim si diplomatë, por le të punojmë si patriotë”, tha Kurti mes tjerash.

Disa prej marrëveshjeve që pritet të nënshkruhen sot kanë të bëjnë me leje qëndrimin e shtetasve të Kosovës në Shqipëri, leje të punës dhe shumë gjëra të tjera. /KultPlus.com

May be an image of 6 people