“Vdes siç vdes një vend” sjellë në Teatrin Kombëtar të Tiranës, Alfred Trebickën e Rozi Kostani

Foto: Edvina Meta
Më 21 shtator është premiera e shfaqjes “Vdes siç vdes një vend”, me tekst të Dimitris Dimitriadis e me regji të Rozi Kostanit, në Teatrin Kombëtar të Tiranës, shkruan KultPlus.

Por jo vetëm regjinë do ta bëjë Rozi Kostani, pasi që e njëjta do të paraqitet edhe me rolin kryesor në këtë shfaqje, ku për partner ka aktorin e njohur Alfred Trebicka.

Kjo shfaqje është paralajmëruar që do të ketë reprizat e para më 22, 23 dhe 24 shtator, kurse shfaqjet me tekst të Dimitris Dimitriadis, tashmë kanë shënuar një sukses të paparë në teatro të ndryshme të Evropës. /KultPlus.com

Tre poetë shqiptarë pjesë e Antologjisë PEN international

Tre poetë shqiptarë janë prezantuar në Antologjinë e PEN international. Antologjia 2017 e PEN Corean Center përfshinë letërsinë më të mirë të botuar në 40 vende të botës, përcjellë KultPlus.

Në mesin e këtyre vendeve Shqipëria përfaqësohet me dy autorë, Entela Safeti – Kasi dhe Agron Tufa të cilët janë prezntuar me nga një cikël poetik. Ndërsa Kosova përfaqësohet me poezitë e Ilire Zajmit.

Antologjia është botuar në gjuhën angleze, ndërsa do të promovohet në kuadër të kongresit të PEN International i cili mbahet këtë muaj në Ukrainë.Antologjia do të ketë edhe dy edicione të tjera derisa të bëhen gjithsej 150 shtete. / KultPlus.com


Zhduket edhe një gjurmë e kujtesës kolektive në Pejë, rrënohet objekti i shkollës “Odhise Paskali”

Ditë më parë, Komuna e Pejës ka rrënuar objektin e Shkollës së Mesme të Arteve Aplikative “Odhise Paskali”, me pretendimin për të ndërtuar hapësira të reja në shërbim të shollës. Ky veprim i komunës është realizuar pa përfshirje dhe konsultim paraprak të palëve të interesit, duke i anashkaluar edhe qytetarët e Pejës në përgjithësi, përcjellë KultPlus.

“Ne konsiderojmë që ky veprim është vazhdimësi e qasjes së gabuar dhe shumë të dëmshme të komunës në raport me vlerat e qytetit, strukturën dhe identitetin urban dhe trashëgiminë kulturore. Objekti i shkollës së arteve, i ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë ndër ekzemplarët e paktë të mbetur të stilit austro-hungarez të ndërtimit. Për më tepër, përveç stilit të ndërtimit, objekti ka shërbyer për funksione të ndryshme administrative, edukative dhe kulturore, me rëndësi të veçantë për qytetin dhe qytetarët. Mbi të gjitha, objekti ka qenë pjesë e rëndësishme e kujtesës kolektive të qytetarëve të Pejës. Një veçanti, Shkolla e Arteve e Pejës është e njohur si edukues i gjeneratës së parë të artistëve pamorë të Kosovës, dhe si institucion që i parapriu dhe kontribuoi në themelimin e Akademisë së Arteve të Kosovës”, thuhet në reagimin që ka bërë Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Pejë.

Përkundër faktit që ky objekt nuk ka qenë pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore, vlerat e listuara më lartë janë argumente të mjaftueshme për të vlerësuar rrënimin si akt shkatërrues kundrejt trashëgimisë kulturore të qytetit te Pejës. Vlerat e qytetit nuk i kanë shpëtuar agresionit të të gjitha qeverive lokale të pas-luftës në Pejë, ndërsa rrënimi i objektit të shkollës së arteve paraqet vazhdimësinë e mendësisë së mbrapshtë që po e zhduk Pejën që qytetarët e kujtojnë dhe njohin.

“Ne shprehim edhe pakënaqësinë tonë me punën e autoriteteve të trashëgimisë kulturore. Si pasojë e mosefikasitetit të tyre për të dokumentuar dhe ofruar mbrojtje ligjore për shumë objekte me vlerë në qytet, rrënimet e objekteve me vlerë dhe zhdukja e kujtesës kolektive janë shndërruar në normalitet”, thuhet tutje në reagim.

Komunën e Pejës si kryese e këtij akti të shëmtuar dhe Ministrinë e Kulturës si përgjegjëse për mbrojtjen ligjore të trashëgimisë kulturore, kjo organizatë i fton në përgjegjësi.

“Qytetarët e Pejës janë thellësisht të zhgënjyer me nivelin e ultë të llogaridhënies nga institucionet publike. Paaftësia e tyre për të dhënë përgjegjësi publike për këtë rrënim nënkupton miratim dhe përkrahje të përpjekjeve për të vazhduar degradimin, edhe ashtu në nivele alarmante të qytetit të Pejës”. / KultPlus.com

Ne nuk na mësuan dashninë

Poezi e shkruar nga Elona Çuliq.

Brenda trupit tonë
errësina gëlon të kuqën e dëmonëve.
Ne nuk na mësuan dashninë,
prandaj vrasim,
nuk na mësuan të flasim,
prandaj vrasim.
Fminia jonë, raketë prej letre
lazdrohet në qiellin e duerve të nanës
vetëm ajo ishte gjithmonë
duke na gatue të ardhmen,
duke na la e shpërla nga idhëtinat e kohës,
duke na veshë e zhdeshë në rritjen tonë,
duke na hedhë grushtin e ujit mbas çdo dite të parë të shkollës.
Vetëm nana ishte, gjithmonë,
baba që rrinte deri vonë në punë,
baba që vinte i lodhun në shtëpi e s’duhej idhnue,
baba që flente e tanë shtëpia bzante,
baba që kishte halle e s’duhej trazue,
baba që kishte të drejtë me e çue zanin se ishte shtylla e shtëpisë.
Nana ishte vetëm, gjithmonë.
Grue që lind e vritet,
grue që rrit e vritet,
grue që të mëson dashninë e vritet,
grue që të mëson faljen e vritet,
grue që martohet për dashninë e vritet nga dashnia e vet,
grue që lind fëmijë në emën të dashnisë e vritet në sytë e fëmijëve të vet,
grue që asht nana e baba i munguem i çdo fëmije e vritet nga mirësia e vet,
grue që lind e vritet,
nga burri që nuk diti,
që refuzoi,
që nuk mundi,
që dështoi së mësuemi forcën e dashnisë së saj.
Brenda trupit tonë
errësina gëlon të kuqën e dëmonëve.
Ne nuk na mësuan dashninë,
prandaj vrasim.

Shtator, 2017.

“Unë kam një ëndërr” (VIDEO)

“Unë kam një ëndërr”, ndoshta është një nga fjalimet më të famshme të kohës, që Martin Luther King Jr., mbajti përgjatë marshimit të famshëm në Uashington të Amerikës, më 1963.

Ai ishte lider i lëvizjes për të drejtat e qytetarëve afro-amerikanë, duke përdorur taktikat jo të dhunshme dhe mosbindjen qytetare, – të bazuara në besimin e tij të krishterë dhe i frymëzuar nga aktivisti i njohur paqësor, Mahatma Gandhi.

Protestat civile më 3 Maj 1963. Foto u publikua në faqen e parë të New York Times dhe ngjalli shumë debate në Shtëpinë e Bardhë. (AP Photo/Bill Hudson)

** FILE ** A 17-year-old civil rights demonstrator, defying an anti-parade ordinance in Birmingham, Ala., is attacked by a police dog in this May 3, 1963 file photo. On the afternoon of May 4, 1963, during a meeting at the White House with members of a political group, President Kennedy discussed the photo which had appeared on the front page of that days New York Times. The John F. Kennedy Library and Museum in Boston released the tape, which was captured on the White House recording system, to coincide with Martin Luther King Day Monday. (AP Photo/Bill Hudson, File)
MAMD101
(BILL HUDSON / The Associated Press)

Në moshën 25-vjeçare (1954) ai u bë pastor i kishës Baptiste në Dexter Avenue. Ai drejtoi Montgomery Bus Boycott më 1955 dhe ndihmoi në themelimin e Konferencës Kristiane të Lidershipit më 1957, ku kreu rolin e kryetarit të saj të parë.

Në vitin 1964, ai fitoi çmimin “Nobel për paqe” dhe katër vite më vonë, më 4 prill 1968, Martin Luther King u qëllua për vdekje, në Memphis. Pas vdekjes, ai nderohet me “Medaljen Presidenciale të Lirisë” më 1977 dhe “Medaljen e Artë të Kongresit”, në vitin 2004.

Konica.al iu sjell në shqip një pjesë të fjalimit të tij të famshëm: “Unë kam një ëndërr”. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?time_continue=6&v=ztMSHRINNRI

“Carla del Ponte trinkt in Pristina einen Vanilla Chai Latte” do të shfaqet edhe në Prizren

Fondacioni Lumbardhi ka njoftuar se shfaqja “Carla del Ponte trinkt in Pristina einen Vanilla Chai Latte” e realizuar nga Qendra Multimedia (Prishtinë), do të mbahet në sallën e Lumbardhit, përcjellë KultPlus.

Shfaqja e cila vjen në Prizren më datë më 13 shtator në orën 20:00, realizohet në gjuhën angleze me titra në gjuhën shqipe. Hyrja është 2 euro dhe të gjitha të hyrat nga shfaqja shkojnë në kampanjën “Lumbardhi Public Again” në platformën KosovaIdeas.com.

Nё kёtё performancё kosovare-gjermane, koreografi nga Berlini Jochen Roller e bёn regjinё e dramës sё re tё dramaturgut nga Prishtina, Jeton Neziraj. Nё shfaqje, protagonistja kryesore ёshtё Carla Del Ponte e cila udhёton nё Kosovё me qëllim tё ndjekjes sё kriminelëve tё trafikimit tё organeve. Gjatё njё pauze tё shkurtёr, ajo shkon nё Starbucks Café nё Prishtinё dhe befasohet qё pija e saj e preferuar, Vanilla Chai Latte, e ka shijen e njëjtë me atё nё Europё. Ky incident shkakton pёrçartje nё lidhje me liberalizimin e dёshtuar tё demokracive tё vjetra europiane, atraksionin pornografik tё kapitalizmit perёndimor, tregtinё me organe dhe superioritetin e thikave zvicrane.

Koreografi Jochen Roller vё tekstin e Nezirajt nё lёvizje, me pesё aktoret e shquara kosovare tё cilat luajnë me tekstin nё gjuhёn angleze brenda njё koreografie të ritmit të shpejtë. Aktoret transformohen marrёzisht nga Carla Del Ponte në Madeleine Albright, në gruan e trishtuar gjermane, Marina Abramoviq, Nёnёn Tereze, organ-kërkues, organdhurues, Ulay, Bill Clinton, Elez Nikçi dhe në vёllaun e Carla Del Pontes.

“Carla Del Ponte pi Vanilla Chai Latte nё Prishtinё” ёshtё performancё verbuese e njё perspektive nё ndryshim të vazhdueshëm dhe e një koreografie të qëndrimeve tkurrëse. Ështё vallëzim propagandistik mbi këmbënguljen e ideologjisë – e shpejtё, e furishme, tragjike dhe qesharake.

Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Agnes Nokshiqi, Alketa Sylaj, Donikë Ahmeti, Lyra Xhoci dhe Vjosa Abazi. / KultPlus.com

Fillon projekti për restaurimin e trafove të vjetra në qytetin Prizrenit

Sot filloj së realizuari projekti për restaurimin e nënstacioneve elektrike në qytetin e Prizrenit. Ky projekt po realizohet nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren në Kuadër të Programit “Masat preventive Intervenimet Emergjente” për ndërhyrje në asetet e Trashëgimisë Kulturore.

Gjendja e dy nënstacioneve (trafove të vjetra) ishte mjaft e vështirë, sidomos e asaj që gjendet pranë kishës Katolike, andaj këto dy ndërtesa janë bërë objekt i intervenimit në këtë fazë.

Dëmtimet e përgjithshme të tyre kanë të bëjnë kryesish me de-strukturimin dhe humbjen e pjesëve të tullave dhe disa çarjeve dhe humbjes së pjesshme të strukturës ndërtimore.

Duke pasur në konsideratë dëmtimet e lartcekura, gjatë punimeve do të bëhet largimi i gjitha elementeve që janë thërrmuar dhe kanë humbur aftësinë fiziko-mekanike duke i zëvendësuar ato me material të njëjtë. Të çarat e vogla do të mbushen me llaç vazhdues të lëngshëm, ndërsa ato më të mëdha do të rindërtohen me metodën e “thurjes”. Elementet e hapjeve (dyert, kapakët) do të pastrohen dhe riparohen, derisa të tjerat që janë të shkatërruara dhe që mungojnë do të zëvendësohen me të reja.

Në mungesë të masave preventive konservuese-restauruese, ndërtesat cenoheshin nga degradimi, prandaj Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka hartuar projektin për trajtime emergjente në këto ndërtesa. / KultPlus.com

Nita Deda dërgon nusen kosovare në “Documenta 14” në Gjermani

Në Documenta 14, që është duke u mbajtë tash e sa muaj në mes të Greqisë dhe Gjermanisë, do të prezantoht edhe një ndër projektet më të rëndësishme shqiptare, shkruan KultPlus.

“Nusja Jonë” apo “Our Bride”, i realizuar në vitin 2011 nga Yll Citaku dhe Nita Deda do të prezantohet në Kassel të Gjermanisë.

Ky projekt do të prezantohet në kategorinë Parliament of Bodies. “Nusja Jonë”, para audiencës gjermane do të shfaqet më 10 shtator, nga Nita Deda dhe Adama Szymczyk./KultPlus.com

Kinemaja “Milenium” në Tiranë: Ejani të takoni shtrigën

Pas premierës botërore në Glasgow, filmi i parë shqiptar i zhanrit horror do të vijë edhe për publikun shqiptar, përkatësisht në Kinemanë “Milenium”, shkruan KultPlus.

“Bloodlands” shpalos historinë e një gruaje të thjeshtë e cila dhunohet, mbetet shtatzënë dhe stigmatizohet nga banorët e lagjes së saj. Atë e dëbojnë në mal, duke e quajtur shtrigë. E lënduar, e urryer dhe e dëbuar kjo grua vendos që të shndërrohet në një shtrigë të vërtetë dhe të marrë hakun për krejt dhimbjen që i kanë shkaktuar.

Filmi me skenar dhe regji të Steven Kastrissios tashmë ka marë edhe shpërblime ndërkombëtare, duke përfshirë edhe çmimin për aktoren shqiptare Suela Bako, kurse pos saj, në këtë film me rolet e tyre kanë luajtur edhe aktorët: Gëzim Rudi, Emiljani Palali, Suela Bako, Alesia Xhemalaj, Florist Bajgira, Ilire Vinca, Dritan Arbana… Ky film në Kinemanë “Milenium”, do të shfaqet më 22 shtator./KultPlus.com

Don Lush Gjergji: Nuk i përdhosëm flamujt

Don Lush Gjergji, ishte i ftuar në emisionin “Mëngjesi në Tribunë” në Tribuna Channel, ku ka sqaruar vendosjen e flamujve në tokë, gjatë ceremonisë së shugurimit të Katedralës “Shën Tereza” që ndodhi para pak ditësh.

Ai ka thënë se nuk ka ndodhur përdhosja e flamujve, por simbolike e vendosjes së tyre në tokë ka qenë, për shkak se brenda flamujve ka qenë një grup i dheut të Kosovës, ku kemi dashur që përmes Kadrinalit Shqiptar, t’i përqojmë mesazh Papa Franceskut, që shqiptarët janë mirënjohës ndaj nderit që ky i fundit po i bën me shugurim të Katedralës në Prishtinë.

“Simbolike ka qenë se kemi mbështjellur vazo me dheun e trojeve shqiptare, ku përmes kësaj vazoje kemi dashur ta përqojmë mesazh përmes Kadrinalit shqiptar, tek Papa Franceku, se shqiptarët dëshirojnë ta përqojnë mesazhin se janë me ju, jo vetëm në kontekstin e territorit, por edhe të traditës sonë.

Dhe duke i falënderuar për mundësinë e shugurimit të Katedralës në Prishtinës me emrin e shqiptares Shën Nënë Terezës” ka thënë Don Lush Gjergji.

Ai ndër të tjera shtoi se gjesti më i bukur në atë ceremoni është keqinterpretuar dhe për të kjo gjë ka qenë shumë e pakuptimtë.

“Nuk ka qenë qëllimi sic është proklamuar. Mendoj se ky ka qenë njëri ndër gjestet më të të bukur gjatë asaj ceremonie, e që normalisht ka qenë e përgatitur nga ana jonë. Mirëpo, është e pakutimtë që është keqinterpretuar një gjest i tillë, që fare nuk ka pasur të bëjë me atë që është thënë” ka shtuar Lush Gjergji.

Brazilianët e meksikanët mrekullojnë me këngën e famshme shqiptare “Lule Lule” (VIDEO)

Bendi Čao Laru, një bend i përzier me artistë nga Brazili e Meksika kanë përzgjedhë edhe këngën e famshme shqiptare “Lule Lule”, që ta performojnë në një tur në Amerikën Jugore, përkatësisht në Argjentinë, shkruan KultPlus.

Duke mos i ikur këngës origjinale, por duke ngjallë një version të ri po sipas këtij bendi, kënga “Lule Lule” ka tingëlluar mjaftë ndjeshëm ku edhe ka emocionuar edhe audiencën e kësaj performance./ KultPlus.com

Koncerti humanitar me Shpat Dedën mblodhi 2,200 euro për fëmijët me kancer

Në një ambient të ngrohtë dhe me muzikën e veçantë të këngëtarit Shpat Deda, mbrëmë është mbajtur një koncert humanitar në Soma Book Station në Prishtinë. Të gjitha donacionet janë mbledhur përmes Fondacionit Kujdesi për Fëmijët e Kosovës (Care for Kosovo Kids) që në baza vullnetare, përkujdeset që të gjithë fëmijët me kancer në QKUK të kenë ilaçet e nevojshme dhe të domosdoshme për trajtim, shkruan KultPlus.

Në këtë koncert janë mbledhur 2,200€ dhe BERZH do ta dyfishojë këtë shumë.

“Sonte, me ndihmen tuaj, per femijet e prekur me kancer, mblodhem 2,200€ dhe BERZH do ta dyfishoje kete shume. Fondet e mbledhura do te transferohen menjehere nga Soma ne llogarine bankare te Fondacionit Care for Kosovo Kids qe perkujdeset qe te gjithe femijet me kancer ne QKUK te marrin ilaqet e nevojshme per trajtim. Falenderojme Soma Book Station qe na kane perkrahur per te zhvilluar kete aktivitet dhe kane dhene edhe donacion per kete iniciative”, kanë shkruar organizatorët në facebook, duke vazhduar tutje të falënderojnë Shpat Dedën dhe anëtarët e bendit: Ilir Bajrin, Nesim Maxhunin, Fatjon Miftarin dhe Art Lokaj, që i janë bashkangjitur kësaj iniciative me qëllim për të kontribuuar për këtë kauzë të ndjeshme.

“Faleminderit shume te gjithëve qe keni ardhur dhe keni kontribuar per te siguruar ilaqet per femijet e prekur me kancer ne QKUK. Shpresojme te ju shohim prape ne aktivitetet e radhes”, kanë shkruar tutje organizatorë duke na lënë të kuptojmë që organizime të tilla do të ketë edhe në vazhdimësi. / KultPlus.com

Shitet 90.000 euro në ankand kopja origjinale e librit “Princi i vogël”

Një kopje origjinale e librit “Princi i vogël” (Le Petit Prince) me katër vizatime dhe dedikime, një nga librat më të lexuar të autorit francez Antoine de Saint-Exupéry, u shit të shtunën në ankand në Paris për shumën 90.000 euro, sipas vlerësimit që iu bë.

Kjo është kopja origjinale e botuar në frëngjisht nga një botim amerikan i “Princit te vogël” që aviatori e autori Saint-Exupéry ia dhuroi mikut të tij Major-kolonel (dhe gjeneral i ardhshëm i Forcave ajrore) Lionel-Max Chassin.

Ajo u vlerësua me 100 000 euro, sipas Shtëpisë së Ankandeve Cazo. Kopja në fjalë gjeti blerësin e vet të shtunën pasdite, tha përgjegjësi i shitjeve në ankand Wilfrid Cazo, ndërkohë që blerësi mbeti anonim.

Kopjet me dedikim të “Princit të Vogël” janë jashtëzakonisht të rralla.

“Kjo kopje, e dhuruar nga autori fëmijëve të një prej miqve të tij më të ngushtë, në një pako të zbukuruar me dy vizatime të cilës iu shtuan edhe dy të tjera, është një nga më të çmuarat që mund të imagjinohen”, theksoi Wilfrid Cazo. / KultPlus.com

Botohen portrete të rralla të Skënderbeut, Pirros dhe Aleksandrit të Madh (FOTO)

Janë botuar portrete të rralla të tre shqiptarëve të cilët i njeh historia botërore.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Pirro i Epirit dhe Aleksandri i Madh, këto janë tre figurat e njohura të cilëve u janë publikuar portretet (Zvicër 1577).

Këto portrete janë autentike dhe ato janë të marra nga vepra “Eloges de Paul Jove” nga Theobalde Muller de Marbourg të cilat janë botuar në vitin 1577 nga Pietro Perna (1520-1582) në Basel të Zvicrës.

Fotografi të rralla këto që më herët mund të themi se nuk janë parë nga syri i njeriut ose janë ekspozuar diku. / KultPlus.com


Hapet muzeu “Louvre” në Abu Dhabi

Dhjetë vjet pas fillimit të projektit, muzeu “Louvre” në Abu Dhabi, projektuar nga arkitekti Jean Nouvel, do të hapë dyert më 11 nëntor, ka njoftuar ministrja franceze e Kulturës.

“Franca është krenare për kontributin në këtë muze me Emiratet e Bashkuara Arabe”, shtoi Françoise Nyssen në një konferencë shtypi në Abu Dhabi, kryeqytet i Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ajo nënvizoi se ky muze ishte përgjigja e përbashkët e Parisit dhe Abu Dhabit në një kohë që kultura po sulmohet.

Jean-Luc Martinez, president i muzeut të Luvrit në Paris theksoi karakterin universal të muzeut të Abu Dhabit, i pari i këtij lloji në botën arabe. Ai përshëndeti bashkëpunimin e pazakontë mes dy vendeve.
Nga ana e tij, ministri i Kulturës i emiratit, Cheikh Nahyane ben Moubarak al-Nahyane nënvizoi krenarinë e vendit të tij për pasur një muze universal.

“Ashtu si Luvri është thesari i kurorës së Parisit, Luvri i Abu Dhabit është i destinuar të ketë të vlerë të tillë.

Projekti ka lindur nga një marrëveshje ndërqeveritare nënshkruar në vitin 2007 mes Parisit dhe Abu Dhabit./ KultPlus.com


‘Oh, my love’ i regjisorit Kole Angelovski fitues në festivalin ‘FerFilm’ në Ferizaj

Përfundon festivali i filmit FerFilm 2017-të, i cili ka nis më 2 shtator dhe zgjati deri sonte më 6 shtator në Ferizaj, shkruan KultPlus.

Kësisoj në ceremoninë e mbylljes së festivalit u ndanë çmimet për filmat më të mirë të këtij edicioni.

Juria në përbërje të Mevlan Saracit, Lyobo Yonchev dhe Alina Cyranek vendosën:

Filmi më i mirë fiction- ‘Oh, my love’ nga Kole Angelovski
Filmi më i mirë dokumentarë- ‘In the mirror’ nga Yulia Kantcheva
Filmi më i mirë i shkurtër- ‘The children will come’ nga Ana Jakimska
Filmi më i mirë dokumentar i shkurtër- ‘Daniel’ nga Anastazja Dabrowska
Filmi më i mirë i shkurtër i animuar- ‘Round trip: MARY’ nga Zharko Ivanov
Filmi më i mirë i shkurtër eksperimental- ‘Couplets for an Everlasting Eve’ nga Begoña Vicario
Çmimi i parë ‘Special Mention’- ‘The grabage’ i Kushtrim Asllanit
Çmimi i dytë ‘Special Mention- ‘Comrade Sebastian’ nga Martin Genovski./ KultPlus.com

‘Narçizi’ shfaqja e cila hapë sezonin në Teatrin Eksperimental

Teatri Eksperimental nis sezonin me shfaqjen më të re “Narçizi”, shkruan KultPlus.

Një pseudoperformancë nga Roland Saro, ku personazhi mishëron disa prej figurave më të rëndësishme të artit dhe historisë botërore.

Shfaqja është konceptuar si një bashkëbisedim me publikun.

Premiera e saj vjen më 9 shtator me fillim nga ora 20:00 në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë./ KultPlus.com

Ka vdekur Abdullah Zymberi – studiuesi i Leksikologjisë dhe Dialektologjisë shqipe

Në moshën 73-vjeçare ka ndërruar jetë prof. dr. Abdullah Zymberi, profesor universitar dhe njëri nga studiuesit më të spikatur të Leksikologjisë dhe të Dialektologjisë së gjuhës shqipe.

Abdullah Zymberi u lind në Ruhot të Pejës. Shkollimin fillor e kreu në Tërstenik të Pejës dhe në Gurakoc të Istogut, ndërsa të mesmen në Pejë dhe Gjakovë. Shkollën e Lartë Pedagogjike – Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe e kreu në Prizren, kurse Fakultetin e Filologjisë (Degën e Gjuhës Shqipe) në Prishtinë, në vitin 1971. Më 1981 magjistroi në shkencat filologjike, ndërsa më 1995 e mori titullin Doktor. Ka qenë mësimdhënës në shumë shkolla të Prizrenit, më vonë edhe profesor universitar në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë, kurse në vitet e fundit ka ligjëruar kulturë shkrimi në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.

Gjatë jetës së tij shkencore Abdullah Zymberi është marrë kryesisht me leksikun dhe dialektet e gjuhës shqipe dhe ka botuar një numër të madh fjalorësh leksikologjikë dhe dialektologjikë. Për 40 vjet të veprimtarisë shkencore ai mori pjesë nëpër shumë sesione të albanologjisë në Prishtinë dhe Tiranë, duke dhënë një kontribut të madh në ruajtjen dhe kultivimin gjuhës së pastër shqipe.

Për nderë të prof. dr. Abdullah Zymberit, nesër (të enjten) në orën 11:00 në amfiteatrin e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, mbahet mbledhje komemorative, kurse varrimi bëhet (të enjten) orën 13:00 në varrezat e Prizrenit./ KultPlus.com

Thatësira nxjerr anijen e shekullit të 19-të në liqenin e Shkodrës

Ulja e nivelit të liqenit të Shkodrës për shkak të thatësirës ka nxjerrë në sipërfaqe një anije avullore austro –hungareze, e cila mendohet se i përket shekullit të 19-të.

Ky mjet lundrimi me gjatësi 20 metra dhe 4 metra i gjerë dëshmon se rreth 100 vjet më parë ujërat e liqenit të Shkodrës kanë qenë të lundrueshëm edhe nga mjete të mëdha, raporton ATSH.
Në gjuhën teknike ky mjet quhet Pirroskaf. Nxjerrja e saj nga uji dhe ekspozimi në bregun e liqenit, do të ishte një vlerë e shtuar për turizmin e Shirokës.

Anija është ruajtur në gjendje të mirë nën ujë dhe i vetmi dëmtim që ka pësuar është në pjesën e poshtme aty ku ka marrë edhe goditje nga një mjet shpërthyes, që i ka shkaktuar edhe mbytjen. Anija ndodhet prej vitesh nën pushtetin e barishteve dhe mbetjeve të tjera, por gjithçka është gjetur në këtë anije, i është dërguar me një raport të saktë, Ministrisë së Kulturës.

Mendohet se ajo ka qenë anije ushtarake, ndërsa prania e një avulloreje të tillë është një rast i rrallë e ndoshta unik në Ballkan. Sipas historianëve, në Itali janë disa që ruhen për turizëm. Anija avullore ushtarake që banorët e Shirokës e quajnë anija austriake, nuk është prekur asnjëherë prej tyre. Ajo ruhet në ujërat e liqenit si diçka me vlerë për të cilën duhet të kujdesen organizmat përkatës për ta kthyer në një objekt të vizitueshëm dhe me vlera historike./ KultPlus.com

Martin Shkreli e publikon albumin e Wu-Tang Clan në eBay

Shqiptari më i urryer në botë, Martin Shkreli, e ka publikuar kopjen e albumit “Once Upon a Time in Shaolin” nga Wu-Tang Clan, në eBay.

Kopja e vetme e albumit i takon shqiptarit i cili thotë se ajo është për shitje, por ka shanse që ai edhe do ta shkatërrojë atë.

Shqiptari u bë i famshëm pasi rriti çmimin e një medikamenti për HIV, për 55 për qind, në shtator të vitit 2015-të.
Në Paris, oferta më e lartë për ta blerë kopjen ka ardhur në vlerë prej 100 mijë dollarësh. Kjo kopje ruhej në Marok por atë e bleu më pas Shkreli për rreth 2 milionë dollarë.

“Nuk më duhen paratë. Do ta shes albumin për arsye të tjera” tregon Shkreli, shkruan KultPlus.

Wu-Tang Clan është bend amerikan i përbërë nga reperët RZA, GZA, Ol’ Dirty Bastard, Method Man, Raekëon, Ghostface Killah, Inspectah Deck, U-God dhe Masta Killa. / KultPlus.com

Nisin xhirimet e filmit të metrazhit të gjatë ‘Qiej’ me regji të Anton Nrecaj

Me skenar e regji të Anton Nrecaj, me producent Adriatik Kelmendi, ka nisë dje xhirimet e filmit të metrazhit të gjatë debutant ‘Qiej’, shkruan KultPlus.

Ky projekt i mbështetur nga Qendra Kinematografie e Kosovës në vitin 2015-të, me dy vite vonesë nis xhirimet në Prishtinë, xhirime këto të cilat pritet të përfundojnë brenda 16-të ditëve.

Lajmin për nisjen e xhirimeve e ka bërë të ditur nëpërmjet rrjetit social Facebook, aktori Jehon Gorani, i cili rikthehet në skenën kosovare pas një çerek shekulli pikërisht me këtë projekt.

“Me #Qiej i kthehem skenes kosovare pas nje cerek shekulli. “Fajtoret” kryesor: Antoni dhe Adriatiku. Xhirimet sapo kane nisur dhe para vetes kam nje ekip fantastik qe ma bejne zemren mal. Emocioni eshte i vecante. S’ka ma mire se ne shtepi”, ka shkruar Gorani.

Në kastën e aktorëve janë Jehon Gorani dhe Arta Muçaj, ndërkohë KultPlus, do të sjellë një shkrim tjetër nga sheshxhirimi i këtij filmi duke publikuar edhe kastën e plotë të aktorëve të ‘Qiej’./ KultPlus.com

Publikohen foto të fëmijërisë së Ismail Kadaresë (FOTO)

I veshur me një kostum të bardhë, pantallona të shkurtra dhe bluzë, djaloshi që nuk duhet të jetë më shumë se 4 vjeç sheh nga aparati fotografik.

Në duar mban diçka, ndërsa në kokë ka një qeleshe karakteristike të zonës. Duket sikur që fëmijë në fytyrë i është ravijëzuar një tis serioziteti, që paralajmëron atë çfarë fati kishte rezervuar për të.

Ky fëmijë është pikërisht shkrimtari Ismail Kadare dhe fotoja gjendet në odën e miqve në shtëpinë e tij në Gjirokastër.

Janë dy foto të shkrimtarit, të dyja të bërë në moshë të vogël. Në foton tjetër ai është ende vogëlush, dhe prindërit e kanë ulur në një karrige për të pozuar. Sërish i veshur me një kostum simpatik, fytyra i buzëqesh drejt kamerës.

Këto janë fotot e vetme të vegjëlisë së shkrimtarit në shtëpinë muze të tij në qytetin e Gjirokastrës, shkruan albeu.com./ KultPlus.com

Rita Ora, e zezë dhe pink në GQ Men Of The Year (FOTO)

Është e paktë ta përcjellësh Rita Orën vetëm kur këndon apo kur bën bamirësi.

Rita Ora është elegante gjithmonë, madje edhe në ceremonitë e ndryshme ku ajo merr pjesë.

Ora është dukur fantastike në ndarjen e çmimeve GQ Men Of The Year Awards 2017, shkruan KultPlus.

Me një veshje të zezë, ajo qëllon gjithmonë, kësaj radhe më e zhveshur se zakonisht por duke e përqafuar një stil mister dhe gotik, sikur edhe herëve tjera. / KultPlus.com

Në Beograd do të shfaqet filmi ku vetëvritet Bekim Fehmiu

Filmi “Protesta”, ku luan edhe aktori shqiptar Bekim Fehmiu, do të shfaqet javën tjetër në Beograd.
Bëhet fjalë për dy ditë me debate dhe shfaqje filmash mbi socializmin jugosllav në filmat e asaj kohe, nga vitet 50-të e tutje.

Me datë 20 dhe 21 shtator, gjashtë filma të periudhave të ndryshme të kinematografisë jugosllave vijnë për publikun serb.

Mes tyre, “Protesta” e sjellë aktorin shqiptar, në filmin me regji nga Fadil Hadzic. Fehmiu luan rolin e Ivo-s, një punëtor ndërtimtarie i cili kryen vetëvrasje. Gjithçka nisë me këtë veprim dhe njerëz të tjerë angazhohen në skenarin e filmit. Krahas Fehmiut, në film luan edhe Antun Vrdoljak, shkruan KultPlus.

Pos këtij filmi, të tjerë filma që do të shfaqen në kuadër të këtij programi me titull “Teza në menaxhimin e Jugosllavisë”, janë edhe filmat “Sluzbeni polozaj”, “Prometeu nga Ishulli”, filmi “Licem u lice nga Brako Bauer dhe filma të tjerë.

Ngjarja dy ditore do të mbahet në Jugoslovenska Kinoteka në Beograd. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=oyBOaCD6qZI