Robert Elsie la pas vetes dy vepra për shqiptarët, së shpejti promovimi në Londër

I njohur si një ndër albanologët më të zëshëm, si një ndër figurat që bëri shumë për popullin shqiptar, duke u bërë zëri i këtij kombi edhe për vendet jo shqipfolëse, Robert Elsie ka lënë dorëshkrime-libra, të cilat do të publikohen së shpejti, shkruan KultPlus.


“Albania Bektashi” dhe “Libri i Kosovës”, janë dy librat që Robert Elsie i kishte përfunduar më herët, figurë kjo e rëndësishme për popullin shqiptar, i cili ka vdekur më 2 tetor të këtij viti.
KultPlus merr vesh se këta libra do të botohen nga Tauris Verlag në Londër, sikurse që do të publikohen edhe në faqen zyrtare të Robert Elsie, www.elsie.de. /KultPlus.com

Zeqirja Ballata, laureat i Çmimit Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani” (FOTO)

Në kabinetin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi sot u mbajt ceremonia e ndarjes së Çmimit Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani” dhe çmimeve vjetore për vepra muzikore për vitin 2016, shkruan KultPlus.

Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani”, iu nda kompozitorit kosovar Zeqirja Ballata, pas propozimit të jurisë në përbërje të Valton Beqirit, Baki Jasharit e Dinor Zymberajt.

Valton Beqiri, kryesuesi i komisionit të jurisë theksoi opusin e gjerë të veprimtarisë së Zeqirja Ballata, i cili përmban rreth 170 vepra nga të gjitha gjinitë, nga ato sofistike, kamertale dhe vokalo-instrumentale, të cilat janë interpretuar në shumë vende të botës.

Zeqiraja Ballata pasi që pranoi çmimin u shpreh se ndihet shumë mirë pasi që këtë çmim e merr së bashku me kolegë të rinj, të cilët i njeh me decenie të tëra.

“Edhe pse nuk janë të gjithë të një gjeneratë, ata janë aktiv për shumë gjatë pikë se pari duke krijuar vepra të ndryshme. Është kënaqësi e madhe për mua dhe kolegët që janë aktiv dhe marrin pjesë edhe në koncerte dhe festivale edhe ndërkombëtare”, u shpreh Ballata, duke thënë se atë sot e gëzon edhe një element tjetër pasi që sot kemi edhe kompozitore të gjinisë femërore.

Çmimi për veprat vokalo-instrumentale dhe muzikore-skenike iu nda kompozitorit Kreshnik Aliçkaj për veprën “Përtej luftës e paqes”.

Çmimi për veprat orkestrale-simofonike dhe koncertanle e mori kompozitorja Dafina Zeqiri për veprën “Koncert për piano dhe orkestër”.

Çmimi për veprat kamertale shkoi për kompozitorin Mendi Mengjiqi për veprën “String Quartet Nr. 4”.

Çmimi për veprat korale iu nda kompozitorit Rafet Rudi për veprën “Deti i varreve të hapura” për kitarë dhe kor.

Ministri Kujtim Gashi tha sot gjatë ndarjes së çmimit se Ministria është mirënjohëse për punën dhe angazhimin e tyre për avancimin dhe fuqizimin e muzikës klasike.

“Ne si ministri jemi jashtëzakonisht të lumtur që kemi njerëz të tillë që vazhdimisht punojnë dhe krijojnë dhe si rezultat ministria natyrisht që organizon edhe momente të veçanta për ndarjen e çmimeve”, tha ministri Gashi sot gjatë ndarjes se ceremonisë, duke shtuar se ministria do të vazhdoj të ketë përkrahje të vazhdueshme për krijuesit, performuesit e artit, të cilët lënë gjurmë në arkivin e pasur të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve.

Ndërkaq, çmimi për veprat solistike dhe duo nuk u nda pasi që në këtë kategori nuk pati vepra konkurruese të kësaj gjinie./ KultPlus.com

McCartney fiton 132 milionë dollarë nga turneu i sivjetmë

Janë mbushur arkat e legjendës së muzikës Paul McCartney nga turneu “One on One”, me të cilin ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm.

Billbaord raporton se ylli i muzikës nga Liverpooli ka fituar 132 milionë dollarë nga turneu i tij i sivjetmë me 37 koncerte nga prilli deri në dhjetor, transmeton Koha.net.

Gjatë këtyre tetë muajve ai ka shitur në total 907,610 bileta.

Turi “One on One” është mbajtur në katër kontinente, Azi, Amerikën Veriore, Oqeani, si dhe në Evropë./ KultPlus.com

Pesë këshilla se si ta keni në dorë një libër të mirë

Me siguri ju ka ndodhur edhe juve. Keni shkuar për të blerë një libër në librari, apo për ta porositur në bibliotekë dhe në fund jeni zhgënjyer prej tij. Thuhet se nuk ka libër “të keq”. Ka dhe po shtohen dita-ditës.

Komercializmi i tepruar me reklama të shumta dhe vetë ekonomia kapitaliste bëjnë që sot të vlerësohen edhe vepra jo cilësore. Shumica e librave të rinj e kanë nga një mangësi. Njëri mund të mos ketë fjalor të pasur, një tjetër nuk është i shkruar me një strukturë të rregullt, ndërsa një tjetër mund të mos përcjellë asnjë ndjesi teksa e lexon, shkruan Bota.al. Ka dhe plot arsye të tjera, ndaj ju japim këto këshilla për të zgjedhur një libër që nuk do ta hiqni dot nga duart, derisa ta përfundoni së lexuari.

Së pari, mos u gënjeni nga titulli. Vlen vërtet ajo thënia popullore “Mos e gjyko një libër nga kopertina”, pasi ndodh vërtet që një libër mund të të tërheqë shumë nga kopertina dhe titulli, ndërkohë që mund të mos ketë atë çfarë ti kërkon tek një vepër letrare. Mbi të gjitha, ne jetojmë në një kohë kur e vetmja përshtypje që mund t’i bëjmë të tjerëve, janë titujt. Nuk mundemi dot t’i flasim dikujt për të lexuar diçka në mënyrë tjetër, përveçse duke e nxitur nga titulli. Ju e vini re edhe vetë, shumica e portaleve fitojnë vetëm në sajë të titujve. Mjafton të vendosësh një titull provokues, apo intrigues dhe të gjithë do ta klikojnë e do ta lexojnë materialin. Në fund, normalisht do të zhgënjehen, pasi në shumicën e rasateve titulli as që lidhet me përmbajtjen. E njëjta gjë vlen edhe me librat. Autorët zgjedhin tituj të veçantë që libri të blihet prej lexuesit. Mirë është që të mos nxiteni nga kureshtja juaj dhe ta blini një libër thjesht nga titulli apo nga kopertina e bukur.

Së dyti, pyesni shitësit e librarive, punonjësit e bibliotekave apo miqtë tuaj. Ata përgjithësisht janë lexues të rregullt dhe mund t’ju sugjerojnë libra vërtet të mirë, bazuar në shijet tuaja. Mjafton të shkoni, t’i tregoni se çfarë kërkoni në një libër dhe ata do t’ju ndihmojnë. Ndërkohë mund të pyesni edhe miqtë tuaj. Ndonjë prej tyre mund të jetë lexues i rregullt dhe duke e njohur më mirë karakterin tuaj, ata mund t’ju sugjerojnë libra vërtet të mirë, që edhe atyre u kanë bërë përshtypje gjatë leximit.

Së treti, kërkoni për tituj librash edhe në internet. Ndoshta nuk e besoni që në internet mund të gjeni sugjerime vërtet të mira. Edhe unë nuk e besoja, për aq kohë sa shumë persona në rrjetet sociale nuk dinë as të shkruajnë siç duhet. Por nuk është gjithmonë kështu. Ka plot site të huaj që shkruajnë për vepra të ndryshme dhe më poshtë mund të lexoni komente nga lexues të ndryshëm. Lexojini me vëmendje komentet e tyre dhe duke pasur parasysh çfarë kërkoni ju në një libër, mund të merrni këshillat që ju nevojiten për zgjedhjen që do të bëni.

Së katërti, qëndroni besnikë shijeve tuaja. Shpesh kur vendosim të lexojmë një autor të ri, apo një drejtim të ri letrar, zhgënjehemi. Kjo ndodh sepse shpesh nuk e gjejmë veten në këto risi, si dhe për faktin që jemi mësuar me një rrymë të caktuar letrare. Unë di t’ju them me siguri që shumica e veprave dhe autorëve të rinj (jo të gjithë), nuk sjellin ndonjë risi në letërsi, apo diçka të re për lexuesin, ndaj qëndrimi tek veprat klasike, letërsia ruse, autorët e brezit të humbur etj. janë gjithmonë një zgjedhje perfekte. Nuk keni për t’u zhgënjyer prej tyre.

Së pesti, mos u gënjeni nga reklamat dhe vlerësimet e shumta që u bëhen veprave në televizione, apo në masmedia. Keni dëgjuar ndonjëherë të flitet kohët e fundit për “Ana Karenina” të Tolstoit, apo për “Krim dhe ndëshkim” të Dostojevskit apo për shumë kryevepra botërore? Jo. Kjo ndodh sepse çdo shtëpi botuese flet për veprat e reja, sepse normalisht përbën një biznes dhe kërkon fitimin e vet. Ndaj, nga “zmadhime” të tilla në massmedia, mos u gënjeni. Ndiqni edhe këshillat e mësipërme dhe nuk keni për të shpenzuar për një libër, nga i cili në fund do të zhgënjeheni. / KultPlus.com

Së shpejti hapet Muzeu i Selfieve

Një Muze i Selfieve pritet të hapet në Los Angeles muajin e ardhshëm… madje do t’iu kushtojë vizitorëve 25 dollarë për hyrje.

Si atraksion aty do të shihen vepra arti të inspiruara në selfie dhe do të ketë shumë hapësira të dizajnuara ku mund të bëhen ca të tilla prej vizitorëve. Do të ketë edhe figura me personazhe të njohura filmike.

Themeluesit erdhën me idenë pasi menduan se një muze modern nuk duhet të jetë vetëm me art – ata donin që aty të bëhen edhe foto të vet mysafirëve, transmeton Albinfo.ch. Një Muze i Selfieve pritet të hapet në Los Angeles muajin e ardhshëm… madje do t’iu kushtojë vizitorëve 25 dollarë për hyrje. Si atraksion aty do të shihen vepra arti të inspiruara në selfie dhe do të ketë shumë hapësira të dizajnuara ku mund të bëhen ca të tilla prej vizitorëve. Do të ketë edhe figura me personazhe të njohura filmike.

Themeluesit erdhën me idenë pasi menduan se një muze modern nuk duhet të jetë vetëm me art – ata donin që aty të bëhen edhe foto të vet mysafirëve. Themeluesit Honton dhe Tair Mamedov kanë thënë për “Mashable” se lidhje mes njerëzve dhe artit ka ndryshuar.

“Tani njerëzit nuk duan të jenë vetëm klientë të heshtur, ata duan të jenë pjesë e artit. Ka më shumë selfie me Mona Lisën se që ka piktura Mona Lisa”, kanë thënë ata. Muzeu i Selfieve do të ketë edhe hapësira të dedikuara për njerëzit të cilët kanë ndërruar jetë duke u përpjekur të bëjnë selfie./ KultPlus.com

Robert Bisha dhe Fanfara Tirana hapin sonte festivalin e kabasë në Korçë (VIDEO)

Edicioni i dytë i Kaba 2.0 Festiv.al sjell në skenën e teatrit të Korçës kompozitorin e njohur Robert Bisha me koncertin “Ritual Moods”, një performancë piano solo, kitarë dhe perkusione, si dhe grupin më të njohur shqiptar në skenat evropiane, Fanfara Tirana.

Festivali në dy net, 28 dhe 29 dhjetor sipas organizatorëve vjen si një qasje e re përkundrejt disa prej perlave muzikore shqiptare. Robert Bisha kompozitori i njohur shqiptar, multiinstrumentisti i talentuar prezanton sot në Teatrin e Korçës kompozimet e tij të reja. Pas një rrugëtimi të gjatë me koncerte në vende të ndryshme të Europës, kësaj here ndalesa është në Korçë, si një dhuratë për spektatorin shqiptar me rastin e festave.

Koncerti i Robert Bishës, i cili do të çel dhe natën e parë të edicionit të dytë, të festivalit vjen këtë herë në formatin e piano solos në një dimension intim, poetik. Meloditë e pastra, e të ngjyrosura me kërkimet harmonike dhe ritmike, ku krijimi midis improvizimit të çastit dhe strukturave të kompozuara, është protagoniste. Estro ritmike, guxim deri në brendësi, poezi gati mistike, karakterizojnë koncertin “Ritual Moods”, të Robert Bishës.

“Ritual Moods” një performancë piano solo, kitarë dhe perkusione si dhe do të shoqërohet në disa momente edhe nga Fanfara Tirana. Por siç ka pohuar dhe vetë artisti i njohur shqiptar është hera e dytë që ai vjen me një festival të tillë me kompozimet e tij.

“Do të luaj një koncert me piano solo me kompozimet e mia. Është hera e dytë që e bëjë në një festival të tillë dhe hera e fundit ishte periudhë vjeshte”, shprehet pianisti Robert Bisha. Ai gjithmonë e ka dashur origjinën e tij dhe folklorin dhe ka treguar se më shumë është në linjën e folkut.

“Janë kompozime që shkojnë nga ngjyrat e muzikës xhaz ngjyrat e muzikës bashkëkohore, klasike evropiane. Unë jam shumë në linjën folk dhe në linjë e improvizimit të kompozimit bashkohorë evropian”, ka treguar ai.

Për organizatorët Kaba 2.0 Festival.al është një aktivitet që guxon.

“Një rrugëtim në kohë dhe hapësirë mes ndjenjash dhe tingujsh, harrese dhe nostalgjisë, erotikës dhe eposit të kreativitetit folklorik. Në një kohë kur ky kreativitet i të shkuarës është shprehja më e bukur estetiko-muzikore e këtij populli, Kaba 2.0 Festiv.al guxon dhe në një mision muzikdashës kërkon të sjellë kërkimin, eksperimentin e “muzikës së naltë” në veshët e përçudnuem nga turbo-folku dhe të përdhosun nga e pa-bukura”, bëjnë me dije organizatorët për festivalin që sonte starton në edicionin e dytë. Ky festival organizohet nga ReK – Remont Kapital Culture Center.

Aktiviteti muzikor

Për herë të parë në Tiranë, poli-instrumentisti Robert Bisha erdhi me projektin e tij në piano solo “Ritual Moods”, tinguj pianoje, eksperimentime mbi të, me hark a makinë rroje, interpretim në kitare, saze e def në muajin prill në Teatrin Metropol.

Robert Bisha ka lindur në Vaun e dejës (Shkodër) në vitin 1984. Kompozitor por mbi të gjitha Improvizues në piano dhe poli instrumentist, shkruan SotNews. Ka kompozuar pjesë për piano për muzikë dhome në një rrymë që tejkalon muzikën klasike dhe muzikën xhaz. Kritika e ka vlerëson si improvizues i veçantë, i pa arritshëm dhe virtuoz i pianos. Në Itali vazhdon karrierën e tij artistike.

Ka sjell, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, në Teatrin e Operës dhe të Baletit në Tiranë, një koncert për piano i tëri i improvizuar. Një mendim shumë i thellë mbi muzikën dhe mbi mënyrën e komunikimit. Larg vullnetit të interpretimit dhe të imitimit. Afër kërkimit të brendshëm po ashtu në lidhje me totalitetin.

“Muzika është kombinim tingujsh brenda shumë formave. Forma duhet eliminuar për më ardhur tek tingulli në mënyre direkte. Njeriu ka nevojë për formën vetëm kur nuk është gjithnjë në kërkim të vetvetes; kjo ndoll edhe kur format janë të shumta”, përfundon Bisha./ KultPlus.com

Dafina kthehet me këngë shqip

Këngëtarja e njohur Dafina Zeqiri është kthyer në skenë me një këngë shqip, pas lansimit të disave në anglisht me të cilat synoi tregun ndërkombëtar.

“Ti e din” titullohet kënga e re e saj. Dafina është kujdesur vetë për tekstin dhe melodinë.

Për ‘beat’ ajo ka bashkëpunuar me Lurron./ KultPlus.com

Qyteti i vetëm në Kosovë që nuk është ndriçuar për fundvit

Qyteti i Pejës është i vetmi qytet në Kosovë që nuk është stolisur për festat e fundvitit.

Babadrimi i vendosur në qendër të Pejës është dëshmia e vetme që tregon ardhjen e festave në Pejë.

Kjo mungesë e ndriçimit me drita dhe stoli në prag të ndërrimit të moteve ka hatëruar banorët e kësaj komune.

Komuna e Pejës është arsyetuar duke thënë se nuk ka pasur buxhet të mjaftueshëm.

Shefi i kabinetit të kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se patën probleme financiare, prandaj qyteti nuk është stolisur. / KultPlus.com

Mina Krasniqi sfidon realitetin e nuseve symbyllura në ekspozitën personale (FOTO)

Gili Hoxhaj

Mina Krasniqi sonte shtriu realitetin dhe ëndrrën e nuseve shqiptare në rreth njëzetë punime, të cilat i prezantoi në Hanin e 2 Robertëve, ku edhe bëri hapjen e ekspozitës së saj personale.

Piktorja Mina Krasniqi, tash e sa kohë stilin e saj e kultivon me besnikëri të plotë ndaj “nuseve”, të cilat i sjellë përmes ngjyrave të ndryshme, por në një pozicion pothuajse të njëjtë. Vizitorët ndeshen me bukurinë, sensualitetin e çdo gjë tjetër pos syve të tyre. Mina përmes kësaj përkufizon realitetin dydimensional të nuseve shqiptare. Duke fshehur sytë e saj, ajo hap kapitullin e jetës së tyre i cili orvatet mes dëshirës së brendshme, dhe kufizimeve të jashtme, shkruan KultPlus.

Nuset e Minës, duket sikur qëndrojnë të varura në pikëllimin e tyre, dhe gjejnë prehje vetëm brenda ëndrrës për liri. Pikturat e Minës kanë vetëm një shenjë të mentalitetit në sytë e tyre të mbyllur, por veshja dhe pozicioni në të cilin ajo i sjellë, e shfaqin anën e modernizuar të dukjes së tyre. Por për piktoren ndryshimi nuk vjen vetëm në pamje, e nga jashtë nëse gjurmët e tij nuk kanë prekur vërtetë thelbin e jetës së tyre për ta udhëhequr kohën përmes syve të tyre.

Skënder Boshtrakaj, i cili së bashku me piktoren uruan mirëseardhje të pranishmeve, po ashtu tha se ndihet i lumtur ta bëj hapjen e ekspozitës të një piktoreje siç është Mina. Ai tha se Mina fsheh një mesazh në secilën pikturë, ndërsa e falënderoi piktoren që për shumë vite insiston në këtë temë.

“Nëse thonë se syri është dritare e mbyllur, pasi që i kam parë pikturat e Minës me symbyllur, unë tash jam i sigurt se syri i mbyllur është shpirti vet. Femra që jetojnë dy botëra, jetojnë jetën e dhënë nga jashtë dhe ëndrrën e tyre imagjinare. Këtu mund ta shohim Minën të identifikuar me secilën femër që ndoshta kur i hap sytë, e lakmon një botë që i është ndaluar dhe kur i mbyllë sytë kthehet në ëndrrën e vet”, ishin fjalët e Boshtrakajt që përkufizonin punën e piktores në këtë ekspozitë.

Boshtrakaj gjatë ceremonisë hapëse u shpreh tejet i lumtur që kjo ekspozitë po prezantohet në një institucion që ka promovuar artistët edhe në kohërat më të rrezikshme. “Janë disa dekada që ky institucion mbijeton dhe përmban kujtesën e kafe galerive, që gjatë viteve të 90’ta kanë qenë një ushqim shpirtëror për artistët dhe qytetarët”, tha Boshtrakaj sonte.

Vizitorët e kësaj ekspozite ndeshen me njëzetë piktura të shpërndara në tërë ambientin e kafegalerisë, por para se të vijnë në sytë e vizitorëve, dedikimi dhe vëmendja e piktores ishte e ndarë në disa piktura njëkohësisht. Kur Mina futet në botën e pikturimit, brushat e saj zhyten ndonjëherë në ndërtimin e katër pikturave njëkohësisht. Ajo tregon për KultPlus se asnjëherë nuk i ka ndodhur të ulet dhe të punojë vetëm në një pikturë.

Mina Krasniqi tha se me këtë ekspozitë ka dashur që në këtë fundvit ta nxjerrë në pah punën e saj gjatë këtij viti. Ajo tregoi për KultPlus se kjo ekspozitë erdhi me emrin “Nuset”, për ta shpërfaqur mentalitetin e shoqërisë, i cili prek në një kohë kur martesat për nuset vinin në formë imponimi.

“Arsyen përse sytë e tyre janë të mbyllur e lidhi me ëndrrën e tyre për martesën, gjithmonë duke e shprehur mentalitetin se si nusja gjatë ceremonisë së dasmës është dashur t’i mbajë sytë poshtë. Zakonisht ngjyrat i sjellë ma të lehta, në mënyrë që të përshtaten me shpirtin femëror dhe përmes mjegullinës kam përshtatur ëndrrën e saj, kurse përmes luleve vjen një simbol femëror. Shumica prej tyre e kanë ngjyrën e flokëve më të hapur, për shkak se përmes këtij detaji dua ta paraqes atë se si femrat para martesës i japin rendësi lyerjes së flokëve”, tregoi Mina për konceptin dhe detajet e pikturave të saj sonte.

Stili i Minës orvatet në të kaluarën dhe prek edhe sot mentalitetin kosovar karshi nuseve. Detajet e shumta që fshihen në punimet e saj bëjnë që mesazhi i pikturave të saj të vijë sa më natyrshëm tek publiku dhe të jetë sa më origjinal.

Pikturat për Minën, nuk janë vetëm një shprehje artistike në të cilën ajo e ka gjetur veten. Punimet e saj duan të pasqyrojnë realitetin e trishtë dhe të lobojnë në përmbysjen e tij. Madje për ta arritur këtë ajo në mesin e pikturave shpalosë edhe një autoportret me veshje tradicionale.
“Përmes punës time kam dashur ta përcjellë mesazhin që femra nuk është një skllave pasi që ka raste se kur ato martohen, shihen si skllave që duhet vetëm të shërbejnë. Unë dua të tregoj se femra është sensuale, edhe punëtore”, shtoi piktorja Krasniqi.

Mina Krasniqi këtë ekspozitë e ndau me artdashës, piktorë e profesorë të cilët për shumë kohë e kishin përcjellë punën e veçantë të saj. Piktorja Bardha Buza tha për KultPlus se Mina duke trajtuar ëndrrat e femrës, sjellë një stil jashtëzakonisht të veçantë. Ajo u shpreh se edhe pse ka shumë artistë sot, janë të paktë artistët si Mina që merren me një figuracion dhe përmbajnë po ashtu një mesazh.
Për të gjithë ata që duan të shijojnë punën artistike të kësaj piktoreje, ekspozita do të qëndrojë e hapur për tri javë tek Hani i 2 Robertëve, afër Fakultetit të Arteve. / KultPlus.com

Hamami i Sarajevës dhe ankesat e Nexhmijes mbi tymin e duhanit (FOTO)

Në Sarajevë, në vitin 1984, do të këndonte në kuadër të Olimpiadës Dimërore që po mbahej në këtë qytet.

Ajo po e prezantonte kulturën e Kosovës në Qendrën Kulturore Boshnjake – Hamam Bar, me këngë shqipe dhe me meloditë që veç ajo di ti sjellë.

Në disa fotografi të publikuara nga Luan Koshi, është pikërisht ky koncert në Sarajevë dhe Nexhmija me grupin e saj duke kënduar. Një nga këto paraqitje ka qenë edhe fundi i karrierës muzikore të Nexhmije Pagarushës edhe pse ajo vazhdoi të ishte pjesë e projekteve të ndryshme muzikore më vonë.

Pikërisht mbi këtë paraqitje, Nexhmija ka treguar se si i ka humbur zëri dhe se si ishte e zhgëjyer me paraqitjen e saj.

“Kisha disa vështirësi me zërin kohët e fundit, për çfarë edhe e kisha konsultuar një mjek në Beograd, i cili sa herë që mbaja koncerte atje, vinte bashkë me të shoqen e më nderonte me buqetë lulesh. Më pati preferuar: zonjë, juve ju nevojitet një periudhë qetësie, s`kemi nevojë për ilaçe. Ndërprerja definitive e zërit, ndërkaq, ndodhi në Sarajevë, në Lojërat Dimërore Olimpike 1984. Radio Prishtina më çoi bashkë me orkestrën që të këndoja për mysafirët e ardhur nga e gjithë bota. Këndoja në një lokal që i thonin Hamam Bar, përnatë, dhjetë ditë. Kjo ishte e tepërt për mua, në atë tym duhani. Pastaj, isha nervoze, ngase orkestra zbavitëse nuk dinte të më shoqëronte. Kur erdhi Ansambli Shota, bashkë me Luan Hajrën, u gëzova. Këndova dhe të nesërmen mbrëma me këtë ansambël, gjë që askush në botë nuk do të dilte të këndonte me atë zë që pata atë natë! Por, më vinte keq t`i lija, se ndërmjet pikave kur unë dilja, ata të ansamblit ndërronin gardërobën për paraqitjen e radhës. Ajo natë për mua ka qenë e tmerrshme, disa tone mund ti këndoja, disa jo, ndërsa djersët më shkonin, salla ishte përplot, megjithëkëtë duartrokitnin” tregon Nexhmija në librin e Sanije Gashin – Ecje nëpër kujtesë, derisa flet se si nisi zëri i saj të marrë ngjyrim tjetër shkaku i disa viteve performanca por edhe paraqitjeve në lokacione ku zëri i saj përzihej me tymin e duhanit.

“E kisha një koleg të ri, mik, që studionte në Sarajevë, i cili m`u afrua: Nexhi, ti më kështu nuk bën të këndosh! – E di, i thashë. Dhe kurrë më në jetë nuk kam kënduar! Ishte një mbrëmje e ftohtë, e ftohtë, si dimrat e Sarajevës më. Kjo ishte përshëndetja ime e fundit me skenën, me këngën, me zërin” tregon Pagarusha rreth periudhës kur u largua nga muzika për tu rikthyer vite më pas në një tjetër rrethanë dhe ndihmuar nga miqtë e saj këngëtarë. / KultPlus.com

Gustave Flaubert i shkruan Louise Colet letrën më të sinqertë të dashurisë

Sonte nata është e ngrohtë dhe e butë; tani që po të shkruaj, papuçet e tua të vogla i kam këtu, para syve, i vështroj. Veç gëzim do desha të të ngjallja dhe me lumturi të patrazuar dhe të pareshtur të të rrethoja, si shpërblesë për gjithçka që më ke falur me dashurinë tënde fisnike. Druaj mos dukem I ftohtë, i akullt, egoist dhe vetëm zoti e di se ç’po më ngjet këtë çast. Sa kujtime! Dhe sa ëndje! Më duket që po shkruaj keq; s’po të shkruaj asgjë nga ato që dua të të them. Frazat e mia përpiqen si psherëtima; për ti kuptuar ato duhet mbushur ai boshllëk që ndan njërën nga tjetra; do ta bësh apo jo? A do të ëndërrimesh pas çdo shkronje, pas çdo shenje shkrimi? Si unë, që duke vështruar papuçet e tua bojë kafe, përfytyroj lëvizjet e këmbëve tua tek i veshin ato…shamia është ende brenda…

..A e di ç’po mendoj? Fytyrën tënde të zbehtë e serioze, kur ti rrije përdhe, mbështetur mes gjunjëve të mi…dhe llambën! Mos e thyej, lëre; ndize çdo mbrëmje ose më mirë në ndonjë ditë solemne të jetës tënde të brendshme…A e di se në çfarë qëndrimesh të përfytyroj? Në studio duke pozuar: nga njëra anë të ndriçonte dita, unë të kundroja në anën tjetër; dhe pastaj në mbrëmje, në hotel të shoh të shtrirë në shtratin tim, flokët derdhur mbi nënkresë, vështrimin drejt qiellit, e venitur, duarlidhur, duke më dërguar fjalë çmendurie. Kur u veshe ishe e freskët posi buqetë lulesh. Në krahët e mi një ngrohtësi e ëmbël, kapitëse dhe dehëse buron prej teje. Po unë si të dukem? Si ngrihet shëmbëlltyra ime para syve të tu?… Sa dashnor i mjerë qenkam. Ajo që më ndodhi me ty kurrë s’më kishte ngjarë. Kisha frikë se do të më urreje. Duhej pra të të dashuroja fort, meqë ndieja të kundërtën e asaj që ndjeja për të tjerat, s’ka rëndësi cilat. Ti do më bësh mua pagan, o muza ime!!!…

….Para se të të njihja isha i qetë, po hyja në një periudhë burrërie për nga shëndeti moral. Rinia më kishte ikur. Ndërkohë ti erdhe në majë të gishtave dhe e trazove gjithë këtë. Llumi i ndenjur zjeu sërish, liqeni i zemrës sime fërgëlloi porse stuhia për oqeanet është. Po u turbulluan pellgjet vjen erë e keqe. Të dua pa ti them këto. Po munde harromë. Shkule shpirtin me duart e tua dhe eci sipër për të fshirë gjurmën time. Hajde mos u zemëro…

…Ndihem i trishtuar, i mërzitur, tejet i tendosur. Po më mbërthen, si para dy vjetësh, një ndjeshmëri therëse. Kursemë; ndiej marramenth prej dashurisë tënde. Duhet të jemi të bindur se nuk mund të jetojmë tok. Duhet ti jepesh një jete më pak të spikatshme, më të cekët. Do të doja të të takoja, ta bëja zakon këtë, në mënyrë që shëmbëlltyra mos të të djegë e ngushëllojë, por të ngrohë dhe dëshpërojë…duhet të të qortoj diçka që më lëndon dhe skandalizon, për merakun tënd të pakët në lidhje me Artin. Mirë për lavdinë, skam kundërshtim që nuk merakosesh; por jo për Artin, që është e vetmja gjë e vërtetë më e mirë në jetë! A mund ta krahasosh atë me një dashuri tokësore? A mund ta parapëlqesh adhurimin e një bukurie të përkohshme ndaj kultit të së vërtetës?….

….Sa më kënaq kuvendimi më ty. Pena shkruan si t’ia ketë ënda pa e vrarë mendjen se vajti vonë. Çlodhem kur ti dërgoj ashtu kuturu të gjitha mendimet e zemrës.
E dashura Luizë, ti më flet për mjerimet e femrës; dhe unë jam në këtë mes. Do ta shohësh që do të më duhet të zbres poshtë në pusin e ndjenjave. Po të jetë i mirë libri im, ai do të miklojë ëmbëlsisht shumë plagë femërore të cilat do të buzëqeshin duke njohur aty veten e tyre. I njoh mirë ato dhimbjet tuaja, të gjorat shpirtra të errët, njomur prej trishtimit të fshehtë, si ato oborret e pasme në provincë, muret e të cilëve i ka mbuluar myshku.
Kam jetuar dashuri të zjarrta, që kullosnin në zemrën time si kuajt në lëndinë. Disa të tjera qenë akull të ftohta, mbështjellë rreth vetes, si gjarpërinjtë kur tretin ushqimin. Kam pasur më shumë epshe, se flokë të rëna. Tani u plakëm bukuroshja ime; qofshim hija jonë e fundit, gënjeshtra jonë e fundit; qoftë e bekuar, sepse është e ëmbël! Uroj të mbajë sa më shumë, sepse është e fortë.

Rozana Radi shkruan për xhaxhain e ndjerë, Françesk Radin

Rozana Radi i ka dedikuar disa fjalë xhaxhait të saj të ndjerë, kantautorit Françesk Radi, i cili u nda nga jeta më 3 prill të këtij viti.

“Duartrokasin për ty salla e pallatit të koncerteve, e njëjta salla ku ty të ngulen thikën pas shpine disa herë”, shkruan Rozana Radi.

Ja statusi i saj i plotë:

“I shikon?

Duartrokasin për ty salla e pallatit të koncerteve, e njëjta salla ku ty të ngulen thikën pas shpine disa herë. Është e njëjta sallë ku publiku të duartrokiste e këndonte bashkë me ty. Mbrëmë dëgjuam muzikën tënde “Biçikletën” që ti e doje aq shumë, por nuk patëm fatin të të dëgjonim zërin. Jo se nuk e kemi zërin tënd, por sepse ti nuk do lejoje kurrë të këndoje në një cd në pallatin e koncerteve. / KultPlus.com

Nëntëmbëdhjetë të ekzekutuar në Padalishtë

Zonja Lirije Imeraj dëshmon në Tribunalin e Hagës si i vranë nëntëmbëdhjetë anëtarë të familjes Imeraj mes tyre burrin e saj dhe djalin e saj të vogël.

Afrimi ishte dy vjeç
kur ushtari ia këputi krahun me bajonetë
në atë moment fëmija filloi të qante dhe klithi
baba
ky njeri ma mori dorën
Ishte pranverë
duhej të shfaqej dhe të zhdukej nëntëdhjetë herë dielli
në dhé të huaj
për t’u kthyer njerëzit dhe për t’i varrosur
Tani të mbijetuarit kalojnë jetën e tyre
duke e pritur autobusin
për t’u kthyer në të kaluarën
ose për t´i mbartë në anën tjetër të jetës
Dhimbja është ende gjallë
mallkuar qoftë
gjëja më e keqe për ata që nuk munden të flenë
është se nuk mund të zgjohen

XHEVDET BAJRAJ / Lëngu i trëndafilave, Botimet KOHA, 2017

Brigitte Bardot, me libër rreth trajtimit të tmerrshëm ndaj kafshëve

Brigitte Bardot do të publikojë në janarin e 2018-tës një libër-testament që do të dëshmojë ngjarje nga jeta e saj.

Aktorja dhe ikona e modës franceze, që më vonë u shndërrua në një aktiviste për të drejtat e kafshëve, ka thënë se libri është një mënyrë për të treguar ekzistencën e saj.

“E shoh çdo ditë se si sillemi me kafshët dhe kam vendosur të flas më shumë në këtë drejtim. Libri do të tregojë se sa shumë irritohem dhe trishtohem nga ky aspekt” ka treguar Bardot për Culturebox.

Ajo është 83 vjeçare ndërsa jeton momentalisht në Saint-Tropez.

Së fundmi ajo ka qenë e zëshme kur e ka kritikuar presidentin francez Emmanuel Macron, duke thënë se ai nuk ka mëshirë për kafshët dhe natyrën.

Libri do të titullohet “Larmes de Combat”. / KultPlus.com

Artisti që e pikturoi Shote Galicën (FOTO)

Me pushkën në dorë e vështrimin e humbur në fushën e betejës Shote Galica mbart imazhin e një gruaje të bukur dhe pse në luftë. Portreti i saj në pikturë realizuar nga Ismail Lulani është një nga tablotë më të bukura ku ajo shfaqet.

E realizuar në 1974, kjo është një nga pikturat që sot ruhet në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve. Lulani ishte artist që i pëlqente të merrej me karakteret. Kjo shihet dhe në tablonë ku tre ndërtues të hidrocentralit shfaqen pranë njëri tjetrit, realizuar më 1971-shin.

Ismail Lulani ishte një nga piktorët e shquar shqiptarë të shekullit XX-të, ai ishte një nga artistët që ndikuan fuqishëm në modernizimin e artit shqiptar të çerekut të fundit të shekullit XX. Piktori Ismail Lulani kreu studimet e mesme për mjekësi, por shumë shpejt do ti kushtohej plotësisht pasionit të tij të fëmijërisë – pikturës. Studimet e larta i kreu në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, gjatë viteve 1964 – 1968.

Krijimtaria artistike e piktorit Ismail Lulanit është e shumë e gjerë dhe e larmishme (mbi 30 vjet krijimtari). Ai ishte portretist, peizazhist dhe realizues i tablove kompozicionale me temë historike e sociale. Vepra e tij e parë e ekspozuar në publik ishte peizazhi nga Hidrocentrali i Vaut të Dejës (1969).

Mund të kujtojmë disa nga tablotë e tij në vite: “Skënderbeu në betejë”, (1968); “Ded Gjo Luli me trimat”, (1969, GKA,Tiranë); “Në hidrocentralin Mao Ce Dun” (GKA, Tiranë), “Peizazh malor”, (GKA, Tiranë) si dhe tabloja “Ndërtuesit e hidrocentralit” (1974, GKA, Tiranë). Tabloja “Ndërtuesit e Hidrocentralit”, 1971, u realizua nga artisti për ekspozitën e 30 vjetorit të themelimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Në tablo janë pikturuar imazhet e tri punëtorëve , (portretet e tyre) janë paraqitur në plan të parë.

Në fondin e GKA, Tiranë ndodhen njëzetenëntë vepra të piktorit Ismail Lulani.

Vepra të Lulanit ndodhen dhe në fondin e GA, Shkodër dhe të mjaft koleksionistëve privatë në Shqipëri e jashtë saj. “MEZURAJ MUZE”, në Tiranë ka në fondin e saj një koleksion të rëndësishëm me vepra të piktorit Ismail Lulani. / KultPlus.com

Redon Makashi, i zhgënjyer me veten dhe me Festivalin e TVSH-së

Redon Makashi, këngëtari i njohur shqiptar, së fundmi mori pjesë në festivalin e fundvitit të RTSH-së ku u vlerësua nga juria me çmimin e dytë.

I ftuar në emisionin “Ditë e Re” këngëtari ka sqaruar të vërtetat mbi atë që ndodhi në festivalin e RTSH-së.

Duke e konsideruar festivalin një koshere, ai u shpreh se është më shumë i zhgënjyer me veten dhe se e ka mbyllur kapitullin me konkurrencën, duke ua lënë atë artistëve të rinj.

“Jo i zhgënjyer, unë isha betuar që nuk do të do dal më në festival kaq. U zhgënjeva me veten time. Isha në një luftë me veten time, të futem apo të mos futem. Dhe çmimin e prisja, ishin vetëm 2 pikë diferencë. Kam dëshirë që ti lë rrugë të rinjve nëpër festival. E kam mbyll kapitullin me konkurrencën. Do të isha i kënaqur nëse do të isha i ftuar, të kisha një koncert timin, një album. Kapitullin me festivalin e kam mbyllur. Nuk kam çfarë të bëj më në festival sepse është një koshere. Pas sherri, zihesh me njerëzit dhe unë kam shumë miq e njerëz aty. Ndodhin keqkuptime dhe nuk dua të prish miqësi me shumë njerëz aty, për 2 elemente të caktuara që e bën këtë rrëmujë”, tha Makashi.

https://www.youtube.com/watch?v=fTn2LSlSHX0

Redoni tregoi pakënaqësinë e tij në festival, ku tha se ndarja e çmimeve fillon nga vendi i tretë ndërsa në Festivalin e RTSH-së filloi nga vendi i parë.

“Gjithmonë kur ka një event fillon nga vendi i tretë paraqitja e çmimeve. Kurse aty filloi nga vendi i parë dhe me vrap. Ishin 2 pikë diferencë”, u shpreh ai.

Makashi u përball dhe me një tjetër incident gjatë natës së parë të festivalit. Sapo ai nisi të këndojë muzika u ndalu papritur. Ai tha se kjo që ndodhi ishte vetëm një lapsus.

“Orkestra është për t’u përgëzuar. Ndodhi një lapsus tek kënga ime dhe njerëzit menduan se ishte diçka e bërë kastile”, tha këngëtari. / KultPlus.com

Kush është Eugent Bushpepa, përfaqësuesi i Shqipërisë në Eurovision 2018? (VIDEO)

Këngëtari Eugent Bushpepa ka fituar të drejtë e përfaqësimit shqiptar në Eurovision Song Contest 2018 në Lisbonë.

Kënga e tij “Mall” do të udhëtojë për në Portugali vitin tjetër, për të provuar hyrjen në finale të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Për ata që nuk e njohin Eugentin, ai ka kohë që këndon dhe është lehtë i identifikueshëm si një vokal i fuqishëm. Eugentin e njohim me anë të paraqitjeve në Top Fest në Shqipëri, në edicionin e nëntë me këngën “Udhëtari” dhe para dy vitesh me këngën “Pranë finishit”.

Bushpepa ka lindur në Rrëshen në vitin 1984. Ka jetuar për disa kohë në Itali ndërsa ishte televizioni Top Channel në Shqipëri vendi ku ai gjeti përkrahjen më të madhe, që nga viti 2006.

“Maska e madhështisë” mbetet ndër këngët më të mira të Eugentit, e realizuar në vitin 2007, ndërsa të njëjtin vit ai morri pjesë në TOP FEST në bashkëpunim me Sunrise, me këngën “Engjëll”.

Në Top Fest ai ka pasur paraqitje edhe në vitin 2011-të e 2013-të. Në vitin 2008 ai morri çmimin Zëri më i mirë në Top Fest, çmim të cilin më pas e morri prapë në vitin 2011-të.

https://www.youtube.com/watch?v=YqL1JvxwyTM

Ai ka qenë një prej zërave që ka shoqëruar grupin Deep Purple, kur këta të fundit mbajtën koncert në Shqipëri në vitin 2007 në kuadër të një turneu të veçantë. / KultPlus.com

Hoxhallarët dhe priftërinjtë e Klinës, tregojnë tolerancën fetare përmes futbollit (VIDEO)

Këta klerikë fetarë takohen çdo vit në prag të Krishtlindjes për të luajtur futboll. Kjo traditë e filluar që nga viti 2003, në qytetin e Klinës bëhet për të dëshmuar tolerancën fetare mes tri besimeve fetare, atij islam, katolik dhe ortodoks.

Imamët dhe priftërinjtë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se përveç se luajnë futboll së bashku, ata po ashtu vizitojnë njëri-tjetrin gjatë festave fetare./ KultPlus.com

Këngëtarja 100 vjeçe Vera Lynn kujton fillet e saja në muzikë: Mamaja nuk më lejonte të luaja në rrugë

Vera Lyn, këngëtarja 100 vjeçare, ka ndarë disa nga momentet e jetës së saj për të përditshmen britanike “The Guardian”. Ajo në këtë intervistë tregon për lidhjen e fortë me mamanë e saj, e cila në të njëjtën kohë kishte qenë e rreptë dhe ishte përpjekur aq shumë në suksesin e saj si këngëtare, përcjellë KultPlus.

“Për një kohë të gjatë pasi fillova shkollën, mamaja nuk më lejonte të luaja në rrugë ose të vizitoja miqtë e mi. Ajo nuk ishte aq e rreptë me vëllanë tim, Rogerin, i cili ishte tre vjet më i madh se unë, por për fat të mirë unë nuk u shqetësova për vetminë time, as nuk e ndjeva mungesën e miqve të mi”, kështu shprehet këngëtarja në intervistën dhënë “The Guardian”.

Mamaja punoi për një rrobaqepëse në Londër para se të martohej. Kur ajo u detyrua të heqë dorë nga puna pas martesës së saj, ajo vazhdoi të bënte rrobaqepësi për njerëzit në shtëpi. Ajo ishte e vetmja me çarmatimin. Babi, i cili punonte si hidraulik, ishte një njeri i qetë dhe i pakëndshëm që i pëlqente të qeshte – dhe ai ishte shumë i mirë.

Ndoshta nuk është çudi që unë u bëra artiste sepse shumë nga të afërmit e mi ishin interpretues të natyrshëm. Fillova të këndoja dhe të kërceja që në moshën shtatë vjeçare. Kam kaluar orë të tëra duke përsëritur këngë të reja, ndërsa mami më shoqëroi me shumë këmbëngulje në piano. Frika se mos po harroj fjalët në publik, shpesh më bënte të qaj, por mamaja ishte e vendosur të më vinte në skenë dhe kurrë nuk u ankova.

Nuk më lejohej të shpenzoja asnjë nga paratë që fitoja. Në ditët e sotme, fitimet e një fëmije këngëtar u rezervohen atyre për të ardhmen e tyre, por prindërit e mi ishin shumë të lumtur për paratë që unë fitoja, pasi që me ato para paguanin shpenzimet e shtëpisë. Ka ndodhur që për një fundjavë kam fituar më shumë se sa fitonte babai bëri në një javë të tërë pune.

Tani Vera Lynn ka një vajzë me emrin Virxhinia, e cila këtë vit është mbushur 70 vjeçare.
“Gjithmonë kemi qenë të afërta, por kur Harry vdiq në vitin 1998 u bë edhe më e afërt me mua. Tani i tregojmë çdo gjë njëra-tjetrës. Unë jam bërë 100 vjeçare këtë vit dhe ende jetoj në shtëpinë time. Shtëpia e Virxhinias është shumë pranë meje. Unë nuk kisha më shumë fëmijë, sepse nuk mund të vazhdoja të punoja, pasi që dhe unë isha shtylla kryesore e familjes” ka thënë këngëtarja 100 vjeçare, e cila ka thënë se edhe pse ka jetuar në një familje të vogël me numër, jeta familjare ka qenë gjithmonë shumë e rëndësishme për të”./KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=d5aeClRY4kA&list=RDd5aeClRY4kA&t=29

Heroi i këngës së Zagrebit është ende gjallë (VIDEO)

«I përgjakur dhe i mbështetur për tramvaji e kam nxjerrë alltinë e Belgjikës dhe e kam qëlluar shoferin e tramvajit»: Zef Kaçinari rrëfen se si e vrau në Zagreb në vitin 1965 shoferin e tramvajit numër 11. Dhe si u krijua «Kënga e Zagrebit», e cila ende këndohet shpesh në Kosovë, ndonëse shumica e dëgjuesve mendojnë se është legjendë shqiptare ose përrallë. Por, Zef Kaçinari është gjallë dhe ka çfarë të tregojë nga jeta e tij e bujshme.

Të rralla janë ndejat dhe dasmat në Kosovë, në të cilat nuk këndohet «Kënga e Zagrebit».

Në fillim, siç tregojnë më të moshuarit, kënga këndohej me sharki e çifteli nëpër oda, ndërsa hyzmeqarët sillnin pijen e vetme për mysafirët – sherbet në gota të rënda të blera në Stamboll. Viteve të fundit e këndojnë edhe këngëtarë të estradës – me harmonikë, klarinetë dhe instrumente të tjera.

Tingëllon si një legjendë për tre shqiptarë, për një vrasje në Zagreb, një tramvaj. Tingëllon si një përrallë shqiptare për heroizma arkaikë, për ndodhi të përgjakshme të shqiptarëve të mërguar.

Por «Kënga e Zagrebit» mbështetet në një ngjarje të vërtetë. Zef Kaçinari, njeriu që e vrau shoferin e tramvajit numër 11, është gjallë.

Rrëfimin për ngjarjen më dramatike në jetën e tij ai e fillon në «Gradska kavana». Lokali gjendet në zemër të Zagrebit, në sheshin Ban Jelaçiq, i cili në kohën e komunizmit quhej Sheshi i Republikës. Në hyrje disa gra me veshje tradicionale bëheshin gati të defilonin në shesh, brenda as që dëgjohej zëri i Zef Kaçinarit për shkak të zhurmës së mysafirëve, kryesisht pleq dhe plaka, zotërinj të veshur me elegancë dhe zonja të rënda me stoli të stilit të vjetër, me kozmetikë moderne nga fabrikat e Parisit dhe me kostume të shtrenjta.

Biseda me Zef Kaçinarin pas pak vazhdoi në një kënd të sallës së qetë të hotelit «Dubrovnik», po ashtu në sheshin «Ban Jelaçiq».

Por një ditë qershori të vitit 1965 Zef Kaçinari u përfshi në një konflikt të përgjakshëm, i cili ndryshoi shumë kahun e jetës së tij.

Si jo pak shqiptarë të tjerë të mërguar në Kroaci në fund të viteve ‘50 edhe anëtarët e familjes Kaçinari fillimisht shitnin pemë në tregjet e Zagrebit dhe punonin në një byrektore në Dubravë, një lagje atëherë periferike e kryeqytetit të kësaj republike jugosllave. Në vitin 1965 Zef Kaçinari zgjeroi biznesin, hapi edhe një byrektore në Karllovac. Puna ecte mirë. Zef Kaçinari filloi të stabilizohej ekonomikisht, të njoftohej me studentë shqiptarë, të merrte pjesë në mbrëmje letrare.

Më 19 qershor, ditë e shtunë, në Karllovac kishte shkuar Mark Allaki, një shok i Zef Kaçinarit nga Zagrebi. Ata vendosën që për fundjavë të shkojnë në Zagreb. Ditën tjetër, të dielën, ata kishin shëtitur nëpër qytet – si djem të rinj që me kureshtje zbulojnë një botë të re. Zefi thotë se me askënd nuk ka qenë i armiqësuar. Por ai po ashtu shpjegon se ka qenë prej atyre shqiptarëve që për çdo rast nuk e kanë larg armën. «Unë pa allti nuk kam ec kurrë, alltinë e kam pasë Herstal, belgiankë, 14 në okvir, një në cev, krejt 15 shekë», shpjegon Zef Kaçinari.

Tri bileta dhe një vrasje

«Me datën 21 qershor 1965, ditë e hanë, kam dalë herët nga shpia dhe kam hyp në orën 6 në tramvaj. Aty e kam ba një gabim, po gabimi nuk o kon i madh. Kam hyp në Çernomerec në tramvaj, bashkë me Mark Allakin dhe me Prekë Dedë Gjinin.

Nuk janë bo as tre minuta u nisë e rrehmja me kondukterin që shet bileta, se unë e kam bo një gabim, u desht me ble biletën me prelaz», tregon Zefi.

Me «prelaz» domethënë: një biletë me të cilën udhëtari kishte të drejtë të ndërrojë tramvajin dhe linjën. Bileta e Zefit dhe e shokëve të tij ishte e thjeshtë.

«N’atë dakik kur e ka pa që biletat i kemi gabim, kondukteri më ka sha me nanë dhe unë përnjëheri i kam ra. Tuj u rreh me kondukterin tramvaji u ndalë pas 500 metrash. Kanë ardhë konduktera të tjerë, na kanë ra me grushta. Masanej edhe udhëtarët na kanë rreh, krejt na kanë përgjakë. Jemi mbrojt aq sa kemi mujt, Mark Allaki ka ardhë me më ndihmu me një çadër dhe e ka prit kondukterin n’ballë, por kondukteri nuk u dorëzu».

Ndërkohë gjendja kishte eskaluar.

Tre shqiptarë rriheshin me dhjetëra udhëtarë të tramvajit, i cili kishte kaluar pranë Akademisë Ushtarake dhe stacioneve të tjera ndërsa ishte ndalur në Ilica 165, në rrugën kryesore të Zagrebit.

«Këtu unë kam mbet vetëm pa Mark Allakin dhe pa Prekë Dedë Gjinin», rrëfen Zefi.
Ndërsa rrëfen, Zefi vazhdimisht nxjerr gulçima. Shpesh i rrjedhin lotët. Flet për Zotin. Për librat e shenjtë. Dy shokët e Zefit tashmë ishin mposhtur nga udhëtarët dhe ishin nxjerrë nga tramvaji. Zefi ishte vetëm, por revolen nuk kishin arritur t’ia merrnin dot. E mbante në brez. Përnjëherë atij iu kishte afruar shoferi i tramvajit, kishte ardhur t’u ndihmonte shokëve të tij për të mposhtur Zen.

«Ju kam drejtu Zotit, kur ka ardh ai i shkreti, ai vozaçi, kam qit me alltinë e Belgjikës, e kam vra me një plumb, ai ka mbet i vdekun pranë meje», shpjegon Ze çastin më të rëndë të jetës së tij.

Pas arrestimit Zef Kaçinari dhe Marki Allaki u dërguan në klinikën «Rebro» pasi kishin pësuar plagë të rënda.

«Na e kanë la krejt trupin me alkool dhe na i kanë pastru plagët».

Çka ndjen një njeri pasi të vrasë një njeri tjetër? Zef Kaçinari as sot nuk ka shpjegim, i dridhen duart. I vjen keq që ia ka marrë jetën një njeriu. Thotë se shoferi ishte ndërsyer nga konduktorët dhe nga udhëtarët që t’i jepte goditjen përfundimtare Zef Kaçinarit.

«Pas vrasjes pesë vetë ma kanë ngjit me ma nxjerrë alltinë dhe nuk kanë mujt. Një polic më ka godit me pendrek n’krye edhe ma ka rrok dorën. Ma ka marrë alltinë si më kenë e të dushku, pa u lodh hiq».

Pas arrestimit Zef Kaçinari dhe Marki Allaki u dërguan në klinikën «Rebro» pasi kishin pësuar plagë të rënda.

«Na e kanë la krejt trupin me alkool dhe na i kanë pastru plagët».

Vrasja e shoferit të tramvajit numër 11 në Zagreb ishte pritur me reagime të ashpra nga opinioni, në gazetën «Veçernji list» një komentator kishte shtruar pyetja retorike nëse Kroacia duhet t’u ofrojë mikpritje shqiptarëve.

Gjatë gjykimit të Zef Kaçinarit në sheshin Zrinjevac në qendër të Zagrebit një javë rresht qindra protestues kërkonin dënimin më të rëndë për dorasin – dënim me vdekje.

Në fund të procesit Kaçinari u dënua me 13 vjet burg. Ai e lavdëron sidomos një avokat të tij, i cili supozon se rridhte nga Dubrovniku dhe «mirë e ka njoftë karakterin e shqiptarit kur i shkon gjaku për balli».

Shef kuzhine në burgun e Lepogllavës

Zef Kaçinari u dërgua për të vuajtur dënimin në Lepogllavë, ku para Luftës së Dytë Botërore kishte qenë i burgosur edhe Josip Broz Tito.

Fillimisht Kaçinari kishte punuar në repartin e zdrukthëtarisë, pastaj ai bëri një karrierë të bujshme: si shef i kuzhinës kishte mjaft ndikim. Shpeshherë, siç tregon Zef Kaçinari, drejtoria e burgut urdhëronte që të burgosurit politikë nuk kanë të drejtë të hanë mish. Ze tregon se si ua fshihte mishin të burgosurve nën lakra.

Në atë kohë Zef Kaçinari në burg kishte njoftuar shumë shqiptarë të dënuar bashkë me grupin e Adem Demaçit. Por për këtë periudhë ndoshta më së miri është të asin protagonistët e kohës, ata që kanë mbetur gjallë. Ze Kaçinari u lirua nga burgu në vitin 1972 dhe iu bashkua familjes.

Ai thotë se ia ka shpëtuar jetën Fadil Hoxha, në atë kohë funksionar i lartë i Kosovës dhe i Jugosllavisë. Flet me shumë respekt për Fadil Hoxhën, të cilin Kaçinarët e lartësojnë si mik shtëpie.

Me njëfarë nostalgjie për një kohë të shkuar, të kaluar dhe gati të harruar ai tregon se është rritur «në kohën e Xhafër Devës», ministër i punëve të brendshme nën regjimin pushtues italian. Jo pak shqiptarë e shikonin veprën e Kaçinarit si akt vetëmbrojtës, prandaj edhe lluan ta glorikojnë në ndejat e tyre në Zagreb.

Shumë shpejt u thurën vargjet e para për Zen. Për herë të parë këngën e këndoi Augustin Ukaj, një rapsod i njohur, i cili atëbotë punonte në Zagreb. Pastaj edhe shumë të tjerë.

Sot Zefi jeton në Zagreb, me kujtimet e hidhura për të kaluarën dhe me kujtimet e mira për vitin 2008, kur Kosova, vendlindja e tij, u bë shtet i pavarur. Këtë trevë ai e ka braktisur para më tepër se një gjysmë shekulli.

Por kujtimet për Kosovën Zef Kaçinari i ka shumë të freskëta. Po aq sa edhe dhembjen.

«Kam lindur në Velezhë, një katund afër Prizrenit, më 26 tetor 1934», thotë Kaçinari. Me njëfarë nostalgjie për një kohë të shkuar, të kaluar dhe gati të harruar ai tregon se është rritur «në kohën e Xhafër Devës», ministër i punëve të brendshme nën regjimin pushtues italian.

Zef Kaçinari e ka përjetuar atë kohë si nxënës i shkollës fillore dhe si shitës i perimeve e pemëve në pazarin e Prizrenit.

Një kohë kur Shqipëria ishte zgjeruar, duke përfshirë edhe Kosovën. As sot Zef Kaçinari s’e fsheh admirimin për ushtarët gjermanë, uniformat e tyre, disiplinën, autoritetin që ata, sipas tij, ngjallnin derisa patrullonin nëpër rrugët e Prizrenit.

«Atë hijeshi gjermani nuk ka me pas kurrë ma», thotë ai. Për ushtarët italianë, aleatët e gjermanëve në Luftën e Dytë Botërore, Zef Kaçinari nuk ka mendim aq të lartë. «Disa prej tyre», tregon Kaçinari, «një pjesë të kohës, sidomos natën, e kalonin nëpër shtëpi publike».

«Në atë kohë», thotë Zefi, «në Prizren u hapën shumë klube të natës, ku kishte gra serbe, shqiptare, rome. Disa ushtarë italianë për një rome e jepnin një pushkë».

Në vitin 1945 në Jugosllavi fitoi «zotni Tita», siç e quan Zef Kaçinari mareshalin komunist.

Por në atë kohë nuk ishte ende e sigurt as për Zefin dhe as për familjen e tij se «a do të bahej mirë apo keq».

Zef Kaçinari u martua në vitin 1954 dhe pas shtatë ditësh shkoi ushtar në Zajeçar të Serbisë, për t’u kthyer në Kosovë pas 22 muaj shërbimi dhe në kulmin e aksionit të armëve, kur ishte goditur edhe familja Kaçinari.

«Kur jam kthyer nga ushtria i kam gjetur axhën dhe vëllain të rrahur rëndë. Tetë javë ata i kanë trajtuar plagët me tjegulla të nxehta», tregon Zef Kaçinari.

«Disa armë që i kanë pasë, më duket se i kanë dorëzue. Edhe një allti të vaktit të Xhafer Devës».
Dhuna e ushtruar gjatë aksionit të armëve e detyroi familjen Kaçinari të largohej nga Velezha.

«Në shpirtrat tanë ishte krijuar një zbrazëti», tregon Zef Kaçinari.

Më 6 maj 1959, ditën e Shën Gjergjit, disa anëtarë të familjes u nisën nga Prizreni drejt Zagrebit – me një veturë të markës Tatra, prodhim i Çekosllovakisë së atëhershme.

Dikur shitës të perimeve, Kaçinarët më vonë hapën disa argjendari në Zagreb dhe sipas të dhënave vetjake ishin ndër familjet më të pasura në ish-Jugosllavi.

Por dhanë po ashtu kontribut për çlirimin e Kroacisë. Është një histori mërgimi. Zef Kaçinari është njëri nga protagonistët e papritur të kësaj historie.

Shkrimi është publikuar nga DialogPlus.

https://www.youtube.com/watch?v=WBZzAsT2Xk4

Filma të animuar nga Kosova dhe Vishegradi në Kinemanë Jusuf Gërvalla

Si pjesë e projektit të Anibar “Kultivimi i kulturës së filmit të animuar ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Grupit të Vishegradit” i cili u zbatua para dhe gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit Anibar me mbështetjen financiare të Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit, do të vazhdojë gjatë muajve në vazhdim me shfaqjen e një programi të përbashkët të filmave të animuar në të gjitha vendet partnere: Kosovë, Hungari, Sllovaki, dhe Poloni.

Ky program është kuruar me qëllim të prezantimit të filmave të animuar të prodhuar nga të gjitha vendet partnere, dhe do të shfaqet në secilin nga këto vende. Kjo ngjarje do të organizohet për të forcuar dhe për të zgjeruar bashkëpunimin midis vendeve partnere në fushën e animacionit, dhe me qëllim të promovimit të filmave dhe filmbërësve të rijnë nga këto vende.

Muajin e kaluar ky program i filmave është shfaqur në Budapest në Universitetin Metropolitan të Budapestit dhe në Bratislava në kinemanë Foajé, këtë muaj programi do të shfaqet në Kosovë me datën 28 Dhjetor 2017, në ora 18:00 në kinemanë Jusuf Gërvalla në Pejë, për të vazhduar në muajin tjetër në Poloni./KultPlus.com

20 filma të mbështetur nga QKK, janë xhiruar gjatë vitit 2017 (FOTO)

Gjatë vitit 2017 shumë projekte filmike kanë filluar xhirimet, prej të cilave, disa janë ende në xhirim e të tjerat në faza të ndryshme të zhvillimit.

Këtë vit kanë filluar xhirimet e 20 filmave të mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës ku 8 prej tyre janë filma artistik të metrazhit të gjatë si: ‘Një tregim Prishtine’ nga Burbuqe Berisha, ‘Njeri’i dosjeve’ nga Ismet Sijarina, ‘Fusha e Mëllenjave’ nga Arzana Kraja, ‘Delegacioni’ nga Bujar Alimani, ‘Qiej të Trazuar’ nga Anton Ndreca, ‘Aga’ nga Lendita Zeqiraj, ‘The Happiness Effect’ nga Borjan Zafirovski dhe ‘Derë e Hapur’ nga Florenc Papas.

Ndërsa filmat dokumentarët që kanë filluar xhirimet sivjet janë: ‘Shpresa’ nga Vjosa Abazi, ‘Tregimi i tregimtarit’ nga Gazmend Avdiu, ‘Vater Atdhe’ nga Pamela Cohn, ‘Rrugëtim prej Kampioni’ nga Arton Humolli, ‘Kosova Brothers’ nga Samir Karahoda dhe ‘Aktorët e Kanës’ nga Mentor Spahiu.

Pa lënë anash edhe filmat e metrazhit të shkurtër: ‘Drita’ nga Rita Krasniqi, ‘Një Muaj’ nga Zgjim Terziqi, ‘Ajo’ nga More Raça, ‘Klithma’ nga Korab Lecaj, si dhe dy filma të animuar, ‘Magneti’ nga Arvan Berisha dhe ‘N’kornizë’ nga Gëzim Ramizi./ KultPlus.com

Mirela Kumbaro uron festat e fundvitit me shumë kreativitet (VIDEO)

Ministrja e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë – Mirela Kumbaro, përmes një video shumë interesante, ka uruar festat e fundvitit, shkruan KultPlus.

Në këtë video shihet ministrja Kumbaro, duke shpërndarë disa dhurata për fëmijë, shihet edhe sopranoja e njohur Inva Mula, e poashtu shumë bashkëpunëtorë të Kumbaros.

Për më shumë shikojeni videon./ KultPlus.com

Apologjia ime (Jetës)

Poezi nga Petro Marko.

…Marrëzi, turp turp dhe mëkate
për jetën e tërbuar
se kur më ndal, o gjeneratë,
që vuan rrugës ndonjë natë,
më merr për të dënuar
dhe, me një zë që vret,
ngahera më pyet:
-Ku linde, o i ri?
-O jetë, linda në shkreti!
-Ku rron dhe ku vete,
ne ç’dhera e në ç’dete?!
-Çudi! Ç’kërkon prej meje ti
dhe si, o jetë, pyet,
kurse në varfëri
më hodhe kur më gjete
të lindur nga skelete
pa dritë, pa liri?
-Njeri!
Nga vete, as më thua?
-S’e di! Jo, Nuk e di!
Po lermë, o jete, ç’ke me
mua?
-Dua ta di, po dua!
-Atëherë, jetë e krisur,
për mua mos pyet
se qysh në n’agim kam nisur
të shkel si skllav i shkretë
mbi gjurma shprese drite…
-O mëkatar,
as faliu ligjes sime,
bindu i çmendur ëndërrtar,
s’jeton me shqetësime!…
-Mu thell’ në brendësirë
ku ndjenja rron e lirë,
ku dhembja dhemb e prekur
nga ligja jote e fuqiplote,
në gjirin tim si hekur,
si hekur e çelik,
qëllo, qëllo, o me kamxhik;
pa frik’ e pa mëshirë
e pa pendim,
se mu në thellësirë
të shpirtit, në një kënd,
lindi një shqetësim
që çeli varrin tënd…