Dves ​

Poezi e shkruar nga Erenestina Gjergji Halili

I kena do sy t’mbĺyllun për qilĺ e do sy t’hâpun për tokë,
i kena do fjalë, qi s’dimë m’i thânë e i lâmë,
i kena do sende, qi duem me i bâ e turpi na i zadetë,

E kena gojën mbùshun n’ujë e zemrën pagure gjys’bosh.

Hej njerì, ç’ka â puna jote?!
Kur iu fale dreqit e tërhjeke kâmbën rr’shqan?
Tash duhet m’u kthy n’Babel,
m’ju falë Atij qi s’bzân, m’i marrë fjalt’ qi lâmë.

E n’mujshim me e terë shpirtin e lagun,
prej gjys’boshit t’pagures tanë.

Ç’kà â puna jote njérì?!

Ergin Oda dhe Linda Halimi, së shpejti në një koncert në New York

Po e paramendojmë se si do të tingëllojë muzika kur bashkohen zërat e Linda Halimit dhe Ergin Odës.

Ergini dhe Linda së fundi kanë postuar një fotografi nga një organizim privat ku ata kanë kënduar së bashku.

Për KultPlus, Ergini – një bariton i njohur i cili prej kohësh jeton në Amerikë, ka treguar se bashkë me Linda Halimin do të jenë shumë shpejt në një koncert në Nju Jork të Amerikës.

“Po, një koncert do të realizohet në Nju Jork. Aty unë dhe Linda do të prezantohemi, në një koncert që do të organizohet nga fotografi Fadil Berisha. Kemi realizuar edhe një sesion fotografish bashkë, megjithatë nuk është se kemi incizuar ndonjë këngë bashkë. Është e mundur që do të interpretojmë një duet së bashku” ka treguar Oda.

https://www.youtube.com/watch?v=Ou63WBII2qk

Detajet e tjera janë lënë të fshehura për momentin, por diçka e mirë po pritet pasi edhe Linda edhe Ergini ka kohë që jetojnë në Amerikë dhe atje po e vazhdojnë karrierën e tyre.

Linda Halimin e kemi parë edhe si pjesëmarrëse të disa festivaleve në Kosovë e Shqipëri, ndërsa ajo shkëlqen edhe në këndimin e notave klasike. / KultPlus.com

Bekim Fehmiu dhe Fernando Rey, një çast bisede në xhirime (FOTO)

Filmi i vitit 1970, bëri bashkë mes tjerash edhe Bekim Fehmiun dhe Fernando Rey.

“The Adventurers” me regji nga Harold Robbins, sjellë historinë e një djali i cili futet në rolin e një ‘playboy’, por i rreptë dhe agresiv pasi ka parë motrën dhe nënën e tij duke u vrarë nga trupat qeveritare në Cortoguay.

Bekim Fehmiu aktori legjendar shqiptar që depërtoi edhe në Hollivud, luan në këtë film afër me Fernando Rey.
Rey vjen në rolin e Jaime Xenos, i afërt i Daksit – rolin e të cilit e luan Bekim Fehmiu.

Në këtë fotografi, dyshja shihet në një skenë gjatë xhirimeve të filmit të famshëm, i cili arriti fitime prej 8 milionë dollarësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, shkruan KultPlus.

Filmi është i bazuar në jetën e diplomatit dominikan Porfirio Rubirosa.

Rey ka qenë aktor i njohur spanjoll, i cili ndërroi jetë në vitin 1994. “The Adventurers” numërohet si një prej filmave më të mirë ku ka luajtur Bekim Fehmiu dhe tentimi i tij më i mirë për kinematografinë jashtë kontinentit evropian. / KultPlus.com

Violinisti shqiptar Olen Cezari me performancë në statujën e Rio de Zhanieros (VIDEO)

“Ave Maria”, ka jehuar nga tingujt e violinistit shqiptar Olen Cesari i cili në krahun e statujës së famshme në Brazil, ka bërë këtë performancë të mrekullueshme, shkruan KultPlus.

Olen Cesari ka thënë për këtë performncë se i dedikohet dashurisë së pastër të nënës dhe fëmijës. /KultPlus.com

Imazhi i një krimineli të tërbuar po kthehet në dhjetë vjetorin e pavarësisë

Shkruan: Mevi Rafuna

Për çudi në muajin shkurt kur shënohet dhjetë vjetori i shtetësisë s’ë Kosovës,në Graçanicë pritet të shfaqet mjuzikli “Slobodanshow”.

Ka diçka “kulturore” këtu apo ngjanë më shumë si provokim, mesazh dhe fyerje.

Përderisa Serbia ende nuk ka kërkuar falje për viktimat e luftës, përderisa në Kosovë figurojnë të zhdukur afro 2000 persona, përderisa dhimbjet ende janë të gjalla, përderisa shumica e atyre që kanë kryer mizorisht krime nuk janë dënuar, përderisa politika serbe ende vazhdon të jetë agresore në raport me Kosovën, përderisa udhëheqsit shpirtëror serb e quajnë Kosovën “Jeruzalem të Serbisë” pse duhet lejuar të shfaqet një mjuzikëll i tillë.

Imazhi i një krimineli të tërbuar po kthehet në dhjetë vjetorin e pavarësisë së këtij shteti të përvuajtur.

Dhe ku janë institucionet tona në lidhje në këtë rast?
Heshtin… heshtin si çdoherë në raste të tilla, ndërsa politika serbe mbledhë pikë triumfi./KultPlus.com

Hapet thirrja për audicion për filmin ‘Emily K’

Është hapur thirrja për audicion për filmin “Emily K”.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kombëtare Kinematografike në Shqipëri ndërsa është projekt filmik i metrazhit të gjatë.

Audicioni bëhet për katër role:
1- Emily K.- aktore ,mosha (25-35 vjeç)
2- Yllka- aktore , mosha (55-60 vjeç)
3- Oni- djalë i vogël,mosha (5 vjeç)
4- Roberti- aktor,mosha (30-35 vjeç)

Të gjithë të interesuarit janë të lutur të dërgojnë CV e tyre, përmbledhjen e punëve dhe fotot në
[email protected].

Regjisore e filmit është Ajola Daja. Filmi ka qenë njëri ndër të selektuarit e PITCH BALKAN në Tiranë, që u mbajt në tetor të vitit të kaluar. / KultPlus.com

Shqiponja me krah’ e pëndë

Poezi e shkruar nga Sejmen Gjokoli

( elegji për të madhin e valles shqipe e mikun tim të shpirtit, Rexhep Çeliku )

1.
Iku ylli valles shqipe,
Shqiponja në fluturim,
Iku burri me lezete,
Ra një lis i vendit tim.
2.
Iku nuri skenës, iku,
Nur’ i valles shkrepëtimë,
Iku ay që i printe,
Si bajrak e vetëtimë.
3.
Iku i pari gjerdanit,
Korifeu me shkëlqime,
Iku simboli valltarit,
Shqiponja në fluturime.
4.
U shua si meteori,
Ylli valles gjëmim rëndë,
Dhe ashtu në valle mbeti,
Shqiponjë me krah’ e pëndë.

“Zotin askush asnjëherë s’e ka parë. Në e daçim tjetrin, Zoti është në mesin tonë”

E dimë që erdhëm në jetë nga vdekja, sepse i duam sivëllezërit: ai që nuk e do të afërmin, është i dënuar me vdekje (Sipas Joanit, III, 14).
Ai që është i kamur në këtë botë dhe e sheh sivëllanë në nevojë, por i vë kyçin zemrës, si bëka fole në shpirtin e tij dashuria e Zotit? (III,17).

Fëmijët e mi! Le ta duam tjetrin jo me fjalë e mburrka, por me shpirt e me duart plot (III, 18).

Dashuria është nga Zoti dhe kush e ka në shpirt dashurinë, ai lind nga Zoti dhe e njeh Zotin (IV,7).
Kush s’e do tjetrin, nuk njeh Zotin, sepse Zoti është dashuria (IV, 8).
Zotin askush asnjëherë s’e ka parë. Në e daçim tjetrin, Zoti është në mesin tonë (IV, 12).
Zoti është dashuria dhe ai që rron në dashuri, rron me Zotin, Zoti është brenda (IV; 16).

Ai që thotë se e do Zotin, por e urren sivëllanë, është gënjeshtar, sepse tek nuk do sivëllanë, që e sheh me sy, si mund ta dojë Zotin, të cilin nuk e sheh? (IV, 20).

E njëjta pjesë gjendet në librin “Vdekja e Ivan Iliçit” nga Leon Tolstoi. / KultPlus.com

Haruki Murakami dhe pylli i tij norvegjez

Sot është datëlindja e një prej shkrimtarëve më të mirë të kohës sonë, Haruki Murakami.

Japonezi është një narrator i mrekullueshëm i cili ka shkruar “Pylli Norvegjez”, “After the Quake”, “E dashuria ime Sputnik”, dhe libra të tjerë që kanë shëtitur botën dhe janë përkthyer në gjuhë të ndryshme.

Haruki është shkrimtari i dashurisë, i rinisë, i adoleshentëve, i tërmeteve, i tregimeve, i metrove, i muzikës jazz, i historive që nuk plaken kurrë, shkruan KultPlus.

Ja shembull disa prej frazave më të mira nga libri “Pylli Norvegjez”, apo në anglisht “Norwegian Wood”.

“Asnjë e vërtetë nuk mund ta shërojë dhimbjen të cilën e ndjejmë kur e humbasim dikë që e kemi dashur. S’ka të vërtetë, s’ka sinqeritet, s’ka forcë, s’ka mirësi që mund ta shërojë atë dhimbje. E gjitha që mund të bëjmë është të shohim përmes saj deri në fund dhe të mësojmë diçka prej saj, por ajo që do ta mësojmë nuk do të na ndihmojë në përballjen me dhimbjen tjetër, e cila vjen tek ne pa paralajmërim.”

“Nuk më intereson se çfarë do të bësh me mua, por vetëm nuk dua të më lëndosh. Tashmë kam pasur mjaftueshëm lëndime në jetën time. Më shumë se mjaftueshëm. Tani dua të jem e lumtur.”

“Nuk është se ne nuk përshtateshim. Ne thjeshtë skishim asgjë për të thënë.”
– Haruki Murakami, “Norwegian Wood”

( Toru, një student i urtë dhe serioz para kohe, jeton në Tokio dhe i është kushtuar Naokos, një vajze të bukur por tepër melankolike, por ndjenja e tyre e përbashkët ndikohet nga vdekja tragjike e shokut të tyre më të ngushtë para disa vjetësh. Toru fillon të mësohet me jetën e universitetit, me izolimin dhe vetminë që gjen atje, por për Naokon presionet dhe përgjegjësitë e jetës janë të padurueshme. Teksa ajo tërhiqet gjithnjë e më thellë në botën e saj të brendshme, Toru e gjen veten duke i kërkuar ndihmë njerëzve përreth dhe tërhiqet nga një vajzë e re me një pavarësi të paepur dhe pa paragjykime seksuale. Ky libër është një përzierje madhore e muzikës, emocioneve dhe erosit. )

HAVEIT – recetë për kryeministrin Haradinaj

Në fillim është receta:

1 enë me miell
Kanuni i Lekë Dukagjinit
1 palë doreza
1 t`hollues
10 unaza për secilin gisht të duarve
1 shkrepsë
Plin për pjekjen e Kanunit derisa masa të shndërrohet në lëngun e zi.

Me shumë finesë, Kanuni zihet. Puna e grupit artistik HAVEIT me titullin ‘Tager’ bëhet këtë fillimvit më aktuale kur kujtojmë Kanunin.

Kanuni i Lekë Dukagjinit është një produkt moral, ligjor, shoqëror i cili gëzon respekt dhe hapësirë në shoqërinë kosovare. Produktet morale e ligjore të cilat e shtypin gruan duhet të gatuhen e hidhen jo veç për 8 Mars por për çdo ditë.

Dhe vajzat e HAVEIT po e gatuajnë e po e bëjnë copë copë Kanunin edhe kur këtë performancë ia dedikojnë kryeministrit Ramush Haradinaj.

Haradinaj njihet për ‘funksionalizimin’ e rregullave kanunore në disa raste. Në vitin 2015-të, Ramush Haradinaj – i njëjti që para disa javësh shkaktoi skandal pasi e rriti rrogën e tij në 3 mijë euro, kërcënoi me Kanun Murat Mehën. Në dhjetor të vitit 2017-të, Haradinaj tha se duke u thirrur në Kanun ai gjuan me armë nëpër oda, aty ku kërkohet e ku ka arsye për festë, shkruan KultPlus.

“Tag Kryeministrit” thotë përshkrimi i punës nga HAVEIT, që thumbon jo pak kësaj here Haradinajn.

HAVEIT gjithmonë ka dalë kundër politikave të Kanunit të cilat e kanë degraduar pozitën e gruas në shoqëri, e për më tepër, kanë shtypur çdo dritë dhe shkëndijë se gjinia femërore do të mund të ketë jetë me të mirë ndonjëherë. c

Kur vjen puna tek Ramush Haradinaj, jo pak njerëz në rrjete sociale i drejtohen atij me “Kanuni”, ndoshta sot personi që më së shumti e implementon normat e vjetra shqiptare, në kontekstin aktual.

TAGER është realizuar me 8 mars të vitit 2015-të, me rastin e festës së gruas. / KultPlus.com

“Tingujt piano e vjetër kaq pranë m’i sjellë” (VIDEO)

Një prej këngëve të Mariza Ikonomit është legjendare, dhe dallohet prej tjerave.

E realizuar para më shumë se dhjetë viteve, “Piano e Vjetër” e Mariza Ikonomit është nga ato këngët që ka domethënie për secilën zemër që e dëgjon.

Jo një këngë e zakonshme, por një melodi së cilës mjeshtërisht i është puthitur një tekst i mirë, dhe një melodi e lehtë.

Mariza, një zë për të cilin nuk ka nevojë për shumë komente, pos faktit që mbetet ndër vokalistet më të mira shqiptare, ka sjellë këtë këngë për ta lënë përgjithmonë në zemrat e dëgjuesve dhe adhuruesve të saj.

Në një intervistë jo shumë kohë më parë, Mariza tregoi se edhe për të si këngëtare, kënga ka një veçanti dhe një simbolikë.

Ne po e sjellim sonte këngën e cila qoftë në kitarë a në piano, asnjëherë nuk vjen më e mirë për veshin tonë sesa kur këndohet nga vetë Mariza. / KultPlus.com

“Çdo gjë është e rreme, gjithçka është shtrembëruar, nuk ka respekt…”

ALAIN DELON

“Jeta nuk ka ç’të më japë më, mësova gjithçka, pashë gjithçka, por mbi të gjitha, e urrej këtë epokë, e kundërshtoj. Ekzistojnë disa qenie që i urrej. Çdo gjë është e rreme, gjithçka është shtrembëruar, nuk ka respekt, nuk ka më fjalë nderi. Vlen vetëm paraja. Kështu që do të largohem nga kjo botë pa keqardhje.”

Novelistja Elif Shafak: Ne jemi gati për ndryshim, por jo dhe burrat

Fituesja e shumë çmimeve, shkrimtarja e njohur turke Elif Shafak, ka shkruar një shkrim përmbledhës, në të cilin përfshin elemente të rëndësishme lidhur me trajtimin e grave në Turqi. Ky shkrim është publikuar në Financial Times, ndërsa KultPlus e sjellë në gjuhën shqipe. Autorja në mënyrë të saktë, e me fjali të shkurtra përshkruan se si gratë në Turqi në vend se të ecin para, po zvarriten prapa në një skenë politike të dominuar nga meshkujt, me pikëpamje konservatore, fetare e patriarkale. Shkrimi flet për martesat e vajzave të mitura, përfshin po ashtu të dhëna alarmante lidhur me dhunën ndaj grave, e raste se si vrasësit trajtohen para gjykatës. Lidhur me këto, autorja jep tri mësime për atë që ka ndodhur në Turqi.

Gjatë dhjetë viteve të fundit, gratë e Turqisë kanë parë se historia nuk do të ecën përpara. Ndonjëherë ajo kthehet prapa. Brezi i gjyshes sime ishte shumë krenare që gratë turke kishin fituar të drejtën për të votuar në vitin 1934, një dekadë më herët se gratë në shumë vende evropiane. Ato ishin krenare për një vend që qëndronte në botën muslimane me laicizmin, modernizmin dhe ligjet relativisht barazuese sa i përket aspektit gjinor.

Në nëntor, pavarësisht shqetësimeve të përhapura, Partia qeverisëse për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) miratoi një ligj që bëri të mundur që klerikët myslimanë të kryejnë martesa civile. Shumë aktivistë të të drejtave të grave shqetësohen se kjo do ta bëjë më të lehtë për familjet në zonat rurale që t’i martojnë vajzat e tyre në moshë të mitur. Në një vend ku një e treta e të gjitha martesave tashmë vlerësohet se përfshijnë një nuse fëmijë, ky është një hap i madh prapa.

Politika mbetet shumë e dominuar nga meshkujt në Turqi. Njerëzit me pikëpamje konservatore, fetare dhe qartë patriarkale mendojnë se kanë të drejtë të vendosin se si gratë duhet të jetojnë jetën e tyre. Vitin e kaluar, AKP u përpoq të futë një ligj që jep amnisti për përdhunuesit nëse ata bien dakord të martohen me viktimat e tyre të mitura. Propozimi u prit me zemërim dhe përfundimisht u tërhoq.
Çdo ditë në gazeta lexojmë për gratë e vrara nga burrat që njihnin. Ministria e Politikave Familjare dhe Sociale zbuloi se 86 përqind e grave në Turqi përjetuan dhunë fizike ose psikologjike brenda familjes. Mediat i mbulojnë këto tragjedi duke u fokusuar tek viktimat –duke mos u fokusuar kurrë tek kryesit e krimit. Kur vrasësit sillen para gjykatës, dënimet e tyre shpesh zvogëlohen. Një 16-vjeçare e quajtur Amine Demirtas u torturua me vdekje nga vëllai i saj, sepse ajo përdorte një telefon celular pa dijeninë e familjes së saj. Dënimi i vëllait u zvogëlua për “sjellje të mirë”.

Ekzistojnë tre mësime të rëndësishme nga ajo që ka ndodhur në Turqi. Së pari, kur shoqëritë bien në autoritarizëm, nacionalizëm dhe izolacionizëm, gratë kanë shumë më shumë për të humbur sesa burrat. Së dyti, sa herë që ka një ndryshim në klimën politike, të drejtat e para që duhet të zvogëlohen janë të drejtat e grave. Dhe, së treti, nëse gratë mbeten të ndara mes vete dhe nuk janë në gjendje të zhvillojnë lidhjet sikur të ishin motra, atëherë i vetmi fitues është vetë patriarkati.

Kur filloi fushata #MeToo në mediat sociale, gratë në të gjithë Lindjen e Mesme u bashkuan. Nga Libani në Marok, kur një grua fliste, ajo hapi rrugën për gratë tjera që ta bëjnë të njëjtën gjë. Dialogu i ri po hapet, duke bërë të mundur që gratë të tërheqin vëmendjen ndaj diskriminimit sistematik. Ajo që mungon, megjithatë, është lloji i lidhjes së afërt sikur të ishim motra e që arrin të shkoj përtej kufijve kombëtarë, fetarë, etnikë dhe ndarjes së shtresave- gjë që është veçanërisht e vështirë për t’u arritur në këtë rajon.

Gratë turke ballafaqohen me traditën në përpjekje për t’u bashkuar me fuqinë punëtore. Pasi të drejtat e grave sulmohen, nuk duhet aq kohë që edhe komuniteti LGBT të vihet në shënjestër. Në Egjipt, pasi flamuri me ylber ishte tundur në një koncert rock, shtatë persona u arrestuan për “nxitjen e devijimit seksual”. Në Turqi, parada e krenarisë e LGBT-s u ndalua për tre vite me radhë. Dhe guvernatori i Ankarasë, muajin e kaluar ndaloi shfaqjen e filmave LGBT, duke e përmendur “sigurinë publike” si një arsye. Derisa nuk ka dyshim se Egjipti dhe Turqia janë shoqëri homofobike, nuk ka ligje të drejtpërdrejta në asnjërin vend që e kriminalizojnë homoseksualitetin. Megjithatë, klima për njerëzit LGBT është thellësisht shtypëse.

Kjo është një kohë vendimtare për aktivizimin e grave. Gratë dhe komunitetet LGBT në të gjithë Lindjen e Mesme janë duke u munduar pa reshtur për të drejtat e tyre. Ne jemi gati për ndryshim. Por burrat nuk janë. Anketa Ndërkombëtare e Burrave dhe Barazisë Gjinore, një projekt avokimi që fokusohet në gjininë, së fundi ka marrë në pyetje rreth 10,000 njerëz në Egjipt, Liban, Marok dhe Palestinë. Rreth 90 përqind e meshkujve që morën pjesë në studim thanë: “Burri duhet ta ketë fjalën e fundit në shtëpi.” Këta njerëz po qëndrojnë ende fuqishëm në pushtet./KultPlus.com

Telegram ngushëllimi i ministrit Kujtim Gashi me rastin e ndarjes nga jeta të Rexhep Çelikut

Telegram ngushëllimi i ministrit Kujtim Gashi me rastin e ndarjes nga jeta të ikonës së valles shqipe, Rexhep Çeliku

E nderuara familje Çeliku,

Të nderuar kolegë të Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve dhe të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit,

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Ikonës së valles shqipe, Mjeshtrit të Madh dhe Nderit të Kombit, Rexhep Çeliku

Kultura shqiptare anekënd ku frymohet shqip, ka përjetuar një humbje tepër të madhe dhe të pazëvendësueshme në tërësi veçanërisht në fushën e koreografisë.

Nëpërmjet këtij telegrami më lejoni të shpreh ngushëllimet e mia të thella, në emër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe në emrin tim personal.

Me angazhimin e tij, me shkëlqimin e tij kur ka fluturuar në skenë, Rexhep Çeliku do të mbetet i paharruar ndër ne për vallet e shumta dhe koreografinë që ka përcjellë dhe me të cilën jemi rritur.

Rexhepi ka qenë i të gjithë shqiptarëve, ka qenë krenaria kombëtare dhe ne jemi mburrur më të. Njëjtë, ndjejmë edhe dhimbjen për shkuarjen e tij në amshim.

Ne e kujtojmë me pietet dhe respekt angazhimin dhe kontributin e tij të çmuar i cili do të mbetet vlerë dhe orientim për gjeneratat të tëra. Dhe i tillë do të jetë përgjithmonë, gjithnjë përderisa përmendet dhe luhet vallja shqipe. Gjithnjë përderisa kujtohen dhe nderohen legjendat!

Pusho në paqe artist i madh!

Sinqerisht,
Kujtim Gashi
Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Fotografia e shqiptarit që tronditi botën (FOTO)

Në këtë fotografi Hajrush Ziberi lutet për jetën e tij, pasi ai kapet nga kriminelët serbë në Bosnjë në vitin 1991. Ai torturohet dhe me pas vritet nga “Tigrat e Arkanit”, përcjellë KultPlus.

Ron Havivi është një fotograf amerikan, autori i fotografive në të cilat shihet pak para vrasjes Hajrush Ziberi, shqiptari nga Maqedonia që jetonte në Bijelinë të Bosnjës dhe Hercegovinës. Ai u vra nga “Tigrat e Arkanit” në moshën 24 vjeçare. Hajrushi ishte nga fshati Laskarcë afër Shkupit, kurse në Bijelinë punonte si kamerier.

“Fotografitë që kanë bërë historinë”, kanë publikuar këtë fotografi, në të cilën shkruhet se së bashkë më të atë ditë të kobshme u vranë edhe dy miqtë e tij, Abdurrahami dhe Bejtullahu. Tre muaj para së të vritej nga kriminelët e Arkanit, Hajrushi ishte martuar me Hikmetën. Atë mëngjes, si përherë, ai ishte nisur për në punë, mirëpo nuk arriti atje.

U gjet në Savë, më 4 maj të vitit 1992. U varros is N.N. (No name). Me analizat e ADN-së u identifikua në Visoko, ku me pas eshtrat u varrosën në Maqedoni më 19 shtator të vitit 2004.
Ekzistojnë dy fotografi të Hajrushit në momentin kur “Tigrat e Arkanit” e keqtrajtojnë atë në Bijelinë. Njëra është e agjensisë amerikane të lajmeve, Associated Press, kurse tjetra ku “Tigrat…” i japin ujë është bërë nga RonHaviv.

“E kam takuar në xhaminë e Bijelinës. Tigrat ma treguan, më thanë si ishte shqiptar i Kosovës dhe ma treguan letërnjoftimin e tij. Pasi i vranë katër civilë, nga xhamia e nxorën Hajrushin dhe e dërguan drejt selisë së tyre. ‘Tigrat e Arkanit’ e përplasen për tokë dhe në atë moment unë e fotografova. I ngriti duart duke me shikuar dhe duke kërkuar ndihmë. Ushtarët mbanin në duar pistoleta, duke thënë se ishin të Hajrushit dhe se për këtë po e arrestonin”, ka treguar Haviv vite më vonë. /KultPlus.com

Vjollca Llapashtica me koleksion të ri, shtatë fustane për shtatë vjetorin e brendit (FOTO)

Koleksioni më i ri i disenjatorës Vjollca Llapashtica, ka vetëm shtatë fustane dhe secili nga ta është unik, e të cilët janë të punuar me peliçe, punë dore, gurë…, me ngjyra mbretërore, ari dhe argjend, qumështi, të zezë etj., fustane këto që janë punuar me materiale nga Italia dhe Franca.

Disenjatorja Llapashtica ka thënë për këtë koleksion se secili fustan është krijim në veti- unik, dhe sipas saj, këto krijime nuk përsëritën më: “Jo vetëm në rajon por edhe në Evropë e më tej, besoj se askush deri më sot kësi lloj koleksioni nuk ka krijuar deri më tani”, ka thënë ajo.

Ndërsa sa i përket pse vetëm shtatë fustane për një koleksion, Vjollca ka thënë se ky numër i pëlqen vajzën së saj të vetme, Emës, dhe nga ana tjetër, ajo këtë numër e ka përshtatë edhe me rastin e ërvjetorit të shtatë të punës së saj të suksesshme në Kosovë./KultPlus.com

Ansambli “Shota” shpreh ngushëllime për Çelikun: Po të ishte dhimbja një objekt që do ndahej, juve nuk do t’ju ngelej asnjë thërrime

Lajmi për vdekjen e valltarit të njohur, Rexhep Çelikut ka tronditur gjithë publikun shqiptar, ndërsa me dhimbje e krenari këtë humbje e ka përjetuar edhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve “Shota”, shkruan KultPlus.

Me anë të telegrami të shkruar nga drejtori i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe i Valleve “Shota”, ShefqetGjocaj ka shprehur ngushëllimet për familjen Çeliku, ndërsa humbjen e valltarit e ka konsideruar të pakompensueshme për artin shqiptar në përgjithësi dhe në veçanti për atë koreografik.
KultPlus ju sjellë të plotë këtë shkrim:

E nderuara familje Çeliku,
Shumë të nderuar kolegë të Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve dhe të TKOB,
Me hidhërim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Korifeut të valles shqipe, Rexhep Çeliku, “Mjeshtër i madh” dhe “Nder i Kombit”. Duke e konsideruar si një humbje tepër të madhe dhe të pa kompensueshme për artin shqiptar në përgjithësi dhe atë koreografik, në veçanti, me lejoni që nëpërmes kësaj letre të shpreh ngushëllimet më të thella, në emër të punëtorëve të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe në emrin tim personal. Më besoni, të dashurit e mij, se po të ishte dhimbja një objekt që do ndahej në pjesë, juve nuk do t’ju ngelej asnjë thërrime. Sepse “Xhepi” ishte i të gjithëve dhe ashtu siç jemi mburrur më të, të gjithë, ashtu ndjejmë edhe dhimbjen për shkuarjen e tij në amshim. Gjithsesi, ai ishte njeri me fat! Duke arritur të realizohej në nivelin më të lartë të mundshëm, në artin e tij, ai u bë i gjithëkoh’shëm: Edhe sa ishte gjallë, ishte sinonim dhe frymëzim! Dhe i tillë do të jetë përgjithmonë, gjithnjë përderisa përmendet dhe luhet vallja shqipe. Gjithnjëpërderisa kujtohen dhe nderohen Korifenjtë!
Pusho në paqe artisti i kombit tim!
LAVDI!
ShefqetGjocaj, drejtor./KultPlus.com

BKK sjellë ekspozitën “Lirinë e gjeta këtu”, i kushtohet 550 Vjetorit të Vdekjes së Gjergj Kastriotit

Me rastin 550 Vjetorit të Vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, javën tjetër do të hapet ekspozita “Lirinë e gjeta këtu” në Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “PjetërBogdani”, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë e veçantë, prezanton një kronologji të materialeve për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, vë në dukje një korpus të përzgjedhur të librave, artikujve, citateve dhe fotografive, që janë në koleksionin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Janë këto materiale që do të ekspozohen për herë të parë dhe që shumë prej tyre pasqyrojnë ndikimin e figurës emblematike të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, në kulturën dhe dijen në Kosovë.
Ekspozita do të hapet në Hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “PjetërBogdani”, më 17 janar 2018 në orën 11:00/KultPlus.com

Producenti Musliu kërkon ndalimin e shfaqjes së Millosheviqit në Kosovë: Promovimi i tij njollosë edhe për se vdekuri dëshmorët e luftës

Këtë javë është paralajmëruar se mjuzikli për Milosheviqin “Slobodanshow”, në muajin shkurt do të shfaqet në Beograd e në Graçanicë. Lidhur me këtë shfaqje e cila himnizon të bëmat e Milosheviqit, ka reaguar producenti Trim Musliu, i cili ka thënë se kjo shfaqje e cila promovon kriminelin Millosheviq duhet urgjentisht të ndalet së shfaquri ne Kosovë, pasi që kjo provokon rëndë familjet e viktimave të luftës, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjellë të plotë reagimin e producentin Musliu:

Shfaqja muzikale e cila promovon kriminelin Milloshoviq duhet urgjentisht të ndalet së shfaquri ne Kosovë.
Pavarësisht që aktivitetet kulturore çdo here janë tëmira kjo tejkalon masat kulturore dhe provokon rendë familjet e mbi 1500 të zhdukurve që ende s’dihet ku janë, mbi 13549 persona të vrarë ku 76% nga ta ishin civil fëmijë dhe pleq mbi 20 mije gra të dhunuara.
Kjo vepër munde te eskalojë në problem më të madhe, e poashtu e humb edhe dinjitetin e Shtetit.
Ju bëjë thirrje instancave Kulturore , Ministrit te Kulturës tëndalojnëkëtëprecedentë që mund të ndodhe përndryshe do të mundohemi ne me çdo forcë dhe mundësitonën do te provojmë të ndalim qe ky promovim i cili njollose edhe për se vdekuri dëshmorët e luftës , popullatën e përndjekur, gratë e dhunuara dhe fëmijët e vrarë, të mos ndodhë.
Kërkojë të bëhemi sa me shume kundërkësaj “shfaqje kulturore” mbi veprën e Kriminelit Millosheviq./ KultPlus.com

Çfarë përmbanin programet festive të Vitit të Ri 1985/ 1989 (VIDEO)

Këngëtarë, valltarë e humoristë të njohur angazhoheshin për të sjellë një program sa më të pasur festiv në Vitin e Ri 1985 dhe në Vitin e Ri 1989, e që transmetoheshin në Radio Televizionin e Prishtinës, shkruan KultPlus.

“Shikues të nderuar, ju falënderojmë dhe kalofshi mirë me të gjitha të mirat gjatë vitit 1985”, kështu i uron të gjithë shikuesit e RTP-së, aktori i ndjerë, Xhevat Qena.

Po ashtu në mbrëmjen e ndërrimit të motmoteve shikuesit i shoqëronin edhe aktorët e humoristet më të mirë të asaj kohe, si Fitim Domi, Adem Mikullovci, Shirine Morina, Ali Ahmeti e Sabri Fejzullahu.
Për ta pasuruar edhe më shumë këtë program festiv angazhoheshin edhe Shoqëritë Kulturore- Artistike të qyteteve të ndryshme, si SHKA “RamizSadiku”, SHKA “GanimeteTërbeshi” nga Gjakova, ku bënin pjesë këngëtarë të muzikës popullore dhe argëtuese si Ismet Bogujevci, Shkelzen Jetishi, NysretMuçiqi.

Në një video nga arkivi i RTK-së, shihen një numër i konsiderueshëm i valltarëve, të cilët përcillen me instrumente të ndryshme e muzikë të lehtë, gjera me veshje kombëtare sillnin një vallëzim shumë të këndshëm për shikuesit./ KultPlus.con

Dua Lipa sapo publikoi videoklipin më të ri të këngës “IDGAF” (VIDEO)

Dua Lipa sapo ka publikuar edhe videoklipin e këngës më të re IDGAF, shkruan KultPlus.

Në këtë video Dua Lipa duket e mahnitshme, e cila shihet me dy skuadra vajzash derisa ndërveprojnë në vallëzim të mahnitshëm. Po ashtu Dua është duke qëndruar në Jamaica dhe është duke punuar në albumin e saj të dytë./ KultPlus.com

Rexhep Çeliku, nga punëtor ndërtimi në valltar fluturues

“Valltari fluturues” titullohet monografia e radhës së autorit Dedin Suli. Kjo monografi i dedikohet mjeshtrit të valleve popullore Rexhep Çeliku, i cili numëron mbi 45 vjet krijimtari artistike në skenë. Promovimi i librit u bë dje mes kolegëve, miqve dhe të afërmve, të cilët shprehën përshtypjet e tyre për monografinë, por edhe për krijimtarinë artistike të Çelikut. Besim Zekthi, një nga emrat që përbëjnë historinë e valles shqipe, shprehu indinjatën e tij për indiferencën e institucioneve ndaj folklorit. Pas kësaj të ftuarit patën mundësi që të ndjekin një koncert nga Ansambli i Valleve dhe Këngëve Popullore. Gjatë një interviste, Çeliku tregon për hapat e parë se si është ngjitur në skenë, pa harruar të përmend edhe dorën e ngrohtë të të madhit Panajot Kanaçi .

Një monografi e Dedin Sulit, enkas për ju… Si ndiheni?
Jam i emocionuar, edhe pse unë nuk kisha koncert, përsëri ky është një “koncert” shumë i madh për mua. Kjo monografi ishte përmbledhja e gjithë jetës sime, duke filluar që nga adoleshenca dhe deri në ditët e sotme. Janë rreth 45 vjet në skenë, 45 vjet të mbushura me emocione, sepse artistit nuk i ndahen emocionet deri sa të mbyllë sytë. Kështu që, edhe promovimi i sotëm ishte një emocion i madh, sepse këtu kisha të gjithë profesorët e Teatrit Kombëtar të Operës, duke filluar nga teatri, opera, orkestra etj., prandaj ky promovim do të ngelet në kujtesën time si një moment shumë i veçantë.

A ka ndonjë episod të rëndësishëm të jetës suaj që nuk është përmendur në libër?
Sado që t’i shikoj episodet, në libër ka shumë gjëra që nuk janë shkruar. Duhen shumë libra që të shkruash për jetën e një artisti, sepse ka edhe detaje jashtë jetës artistike që përsëri lidhen me artin. Pra janë shumë gjëra që në libër edhe nuk janë shkruar.

Nëse ndalim te fillimet e tuaja në kursin e valltarëve, çfarë do të veçonit?
Fillimisht si të gjithë adoleshentët jam marrë me sport. Pas futbollit kam filluar punë në kursin e ansamblit. I jam mirënjohës dorës së ngrohtë të profesorit Panajot Kanaçit, sepse nëse nuk do të ishte dora e tij, nuk do të isha ky që jam sot.

Profesor Panajot Kanaçi ju ka marrë teksa ishit duke punuar në ndërtim?
Të rinjtë në kohën e monizmit punonin ose në ndërtim, ose në fermë, për t’i ardhur në ndihmë familjes. Unë isha një nga ata të rinj që nuk doja të rrija kot. Duke qenë me trup të madh mendova se, në ndërtim mund të jepja më shumë, pasi edhe lekë kishte më shumë. Kështu që, tri muajt e verës nisa ndërtimin dhe gjatë kësaj kohe, profesor Panajoti më ka parë teksa punoja mbrapa TKOB-së. Kështu, nisën hapat e parë në këtë institucion dhe më pas nisa kursin e valltarëve. Më përpara unë nuk e njihja dhe nuk e kisha idenë se kush ishte profesori i nderuar Panajot Kanaçi. Në klasë të shtatë kisha parë vetëm baletin “Peter dhe ujku” që na mësonte shkolla, kaq njohuri kisha përsa i përket artit.

Si ndihesh kur të krahasojnë me valltarin e madh Besim Zekthi?
Është një kënaqësi e madhe që e ndiej qysh në moshën 16-vjeçare, sepse qysh atëherë kam kërcyer me Besim Zekthin, derisa ai doli në pension. Unë përsëri vazhdoj një jetë të afërt me profesor Besimin, komunikojmë edhe e ndihmoj kur ai ka krijimtari.
Profesor Zekthi preku disa problematika të ansamblit, por ju si drejtues çfarë do të thoshit?
Unë po vazhdoj me një kujdes të veçantë për të mbajtur gjallë atë punë që kanë bërë profesorët tanë si: Panajot Kanaçi, Agron Aliaj, Besim Zekthi etj., dhe po mundohem që të vazhdoj në vijën e tyre, duke u përpjekur dhe duke bërë maksimalen për ta mbajtur ansamblin të freskët.

Dhe sa do të vazhdoni që të kërceni?
Skena gjithmonë kërkon gjak të ri. Siç na e kanë lënë të parët tanë artin skenik, ashtu do t’ua lë vendin edhe unë të rinjve. Nëse nuk do të kërcej më në skenë, në ambiente të tjera do të kërcej derisa të jem i fuqishëm.

Rexhep Çeliku ka lindur më 19 korrik 1954 në Tiranë. Qysh nga viti 1976 është solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, numëron në repertorin e tij artistik rreth 8 mijë shfaqje, ku ka interpretuar 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit. Është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, me motivacionin: “Për interpretim me nivel të lartë artistik të të gjitha valleve shqiptare dhe transmetimin e saj duke ruajtur origjinalitetin”.
Intervista është botuar në vitin 2014, në gazetën Shekulli.

Donald Trump nuk e di tekstin e himnit kombëtar (VIDEO)

Të hënën mbrëma, Donald Trump u paraqit në ndeshjen kombëtare të kampionatit të Futbollit të Kolegjit në Atlanta. Por kur u bashkua me pjesëtarët e ushtrisë në fushë për himnin kombëtar para ndeshjes, u bë e qartë se ai nuk mundi ta këndonte atë plotësisht. Në momente të ndryshme, ai ngecte dhe me buzëqeshje mbyllte gojën, shkruan CNN, përcjellë KultPlus.

Edhe nëse Presidenti nuk e njeh çdo fjalë të Himnit Kombëtar, nuk duhet të jetë në të vërtetë një çështje shumë e madhe, pasi që një recitim i këngëve nuk duhet të jetë parakusht për presidencën. Por ky President i veçantë më herët ishte deklaruar se që ky himn duhet të respektohet nga çdo kush.
Trump, i cili në të kaluarën ka dënuar lojtarët e Ligës Kombëtare të Futbollit për “mosrespektimin” e himnit të cilët kishin protestuarduke u ulur në gjunjë gjatë këndimit të himnit kombëtar.

Më herët, Trump kishte dhënë një fjalim në të cilin tha: “Ne duam që flamuri ynë të respektohet. Duam edhe respektimin e himnit tonë. Ka shumë hapësirë që njerëzit të shprehin pikëpamjet e tyre dhe të protestojnë, por ne e duam flamurin tonë dhe ne e duam himnin tonë dhe ne duam ta mbajmë në atë mënyrë “, kishte thënë presidenti amerikan Trump./ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=uyrfbQ6Tkdw

Lulzim Tafa zgjedhet anëtar i rregullt i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve

Poeti i njohur kosovar, profesori dhe Rektori i Kolegjit AAB, Prof.dr. Lulzim Tafa është zgjedhur anëtar i rregullt i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve.

Këtë vendim Akademia e mori në mbledhjen e fundit të Komitetit të Nominimit. Lulzim Tafa është njëri ndër poetët tanë më të njohur dhe më të përkthyer, po ashtu është shpërblyer me shumë çmime ndërkombëtare të fushës së letërisë dhe është përfshirë në disa antologji të letërsisë botërore.
Akademia Evropiane e Shkencave dhe Arteve tubon rreth vetes personalitete të shquara të shkencës dhe artit në mesin e të cilëve edhe shumë nobelistë.

Lulzim Tafa nga sot është anëtar i rregullt i kësaj Akademie, ka njoftuar kjo EASA./KultPlus.com